• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2020

PIRI, EPIRI, GJERGJ KASTRIOTI PRIJËSI I ALBANIAS DHE EPIRIT

March 30, 2020 by dgreca

Figura 1. Prefektura Pretoriane e Ilirisë në vitet 318-379 e.s.

Shkruan:Saimir LOLJA/

Piri ishte një qytezë malore që nga lashtësia e tej largët e deri kur hordhitë osmane të Errësirës u derdhën mbi trojet arbërore. Vendndodhja e tij është afër fshatit Zhulat të Gjinokastrës. Gazetari Marin Mema i shfaqi rrënojat e asaj qyteze të munguar në histori në pjesën “Gjurmë Shqiptare – Zbulimi i madh që ndryshon historinë e shqiptareve, 2” dhënë në Top Channel Tv më 22 Shkurt 2020. 

Tani qyteza E Pirit është e mbuluar nga ferrat, drunjtë dhe bimësia. Muret me gurë të saj kanë vulat e kohëve të ndërtimit të tyre. Aty ka mure me gurë të stërmëdhenj që mbarteshin nga nëfillimët gjigandë dhe ndërtuar sipas mënyrës dalluese të kohëve tej të lashta. Aty gjenden edhe mure shtëpiash me gurë të vegjël që i përkasin kohëve të vona. Shkatërrimi i qytezës së Pirit filloi prej hordhive bizantine në shekullin XI dhe u përfundua nga hordhitë osmane në shekullin XV. Barbarët osmanë, që vinin prej Errësirës dhe sillnin Errësirë, i zhvendosën banorët e mbetur në fshatin Zhulat aty pranë. Një garnizon ushtarak osman i vendosur qëllimisht në fshatin Zhulat u kujdes që Qyteza E Pirit të harrohej dhe banorët të mos ktheheshin më atje. 

Qyteza e lashtë arbërore E Pirit bashkë me shtrirjet e saja njiheshin në Gadishullin Ilirik si hapësirat E PIRIT. Historitë e prijësit Pirro (318-272 p.e.s.) që mbretëronte në tokat E Pirit dhe që kreu fushata ushtarake në jug të Gadishullit Apenin dhe Siçili janë përcjellur deri në kohët e tanishme. Më vonë, Senati dhe perandoria romake krijuan provincën e quajtur E-PIR-US. Prapashtesa -US e fjalës tregon se emërtimi EPIR-US ishte në latinisht e i dhënë prej perandorisë romake në Perëndim. Hapësira E Pirit të Vjetër (Epirus Vetus) i përket periudhës së viteve 67 – 285 e.s. dhe përafërsisht mbulonte tokat nga Gjini i Artës deri në Vlonë. Me riorganizimin e ri perandorak romak në vitet e mëpasshme mbi hapësirën E Pirit të Vjetër u shtua hapësira E Pirit të Ri (Epirus Nova) që shtrihej deri në Lezhë. Midis shekujve IV-VII e.s., hapësirat E Pirit qenë pjesë e Prefekturës Pretoriane të Ilirisë (Praefectura Praetorio per Illyricum). Në vitet 318-379 e.s., Prefektura Pretoriane e Ilirisë përfshinte tokat që nga Austria e sotme e deri në Kretë, Detin Egje, ndërsa në lindje kufizohej nga Lumi i Shtruar (Danubi) dhe Thraka. (Figura 1)

Në 1000 vitet në vazhdim tokat E Pirit arbëror përballuan ngjarje e dallgë të ndryshme dhe tokat arbërore filluan të njihen edhe si Albania. Prandaj në mesin e shekullit XV e më pas Gjergj Kastrioti Skënderbeu njihej edhe si Prijës i Epirit edhe si Prijës i Albanias edhe si Prijës i Albanias dhe Epirit. Botimet e shumta i thurin lavde atij si pasardhës i Pirros së Epirit dhe e krahasojnë me të tjerë prijës europianë të shquar. Një shembull, libri i At Dhimitër Frangut për Gjergj Kastriot Skënderbeun i botuar fillimisht në latinisht në Venecia në 2 Prill 1480 u pasua nga 18 ribotime të tjera aty vetëm deri në vitin 1679. (Figurat 2-4).

Njohuria e trashëguar në Europë për mbretërinë arbërore të Gjergj Kastriotit Skënderbeut shihet edhe në hartën e mëposhtme mbretërore franceze të vitit 1705 që paraqet pjesën jugore të Gadishullit Ilirik me rajonet e rëna nën pushtimin e perandorisë osmane. (Figura 5) Këtu janë përvijuar qartë rajonet e Albanias së Epërme (Haute Albanie, fr.) dhe E Pirit ose Albanias së Poshtme (Epire ou Basse Albanie, fr.). Kjo hartë e bën me dije qartë se ç’domethënë Epir dhe Albania. (Figura 6)

Kjo hartë me autor Nicolas de Fer dhe paraqitur në pallatin mbretëror francez në Paris në vitin 1705 titullohet:  Grece Moderne ou Partie Meridionale de la Turquie en Europe. Divisee en Beglerbeglics ou Grands Gouvernements – Greqia e kohës ose pjesa jugore e Turqisë në Europë. E ndarë në Bejlerbejet ose Qeverimet e Mëdha. Dhe, sepse përrallat detare të mitologjisë (shkencës së gënjeshtrës) “greke” ishin në veprat romancierëve apo piktorëve europianë, “Greqia” në këtë hartë është vendosur në ishujt e Detit Egje. (Një shtet me emrin “Greqi” me 1/6 e sipërfaqes që është sot do të krijohej prej fuqive perandorake europiane për herë të parë në vitin 1830.) 

Që nga shekulli XIII, zotërimet e Republikës së Venedikut shtriheshin përgjatë bregut lindor të detit Adriatik, Detit Jonë, si dhe në tërë Detin Egje duke përfshirë Morenë, Kretën dhe Qipron. Domethënë se venedikasit, që ishin të lidhur ngushtë me Europën qendrore e perëndimore, i njihnin mirë popullatat e Gadishullit Ilirik. Kjo gjë lexohet e dokumentuar, bie fjala, në librin “Arbërit e Jonit – Vlora, Delvina e Janina në shekujt XV-XVII” me autor Pëllumb Xhufi ku 1440 faqet e tij janë të mbushura me të dhëna arshivore venedikase, ose në librin “Arvanitët – Historia e shqiptarëve të hershëm në Greqi në shekujt XIII-XIX” me autor Irakli Koçollari.

Në shekullin XV, për shembull, Morea që ndodhet më e larguara nga Albania e Poshtme (Tokat E Pirit) kishte të paktën 88% të fshatrave që dokumentoheshin drejtpërdrejti si fshatra arnaut-arbërorë-arbanas-arvanitas. Çdoherë, udhëtarët e ndryshëm europianë të shekullit XVII në ditarët e tyre të botuar e kanë përshkruar Athinën me rrethina si fshatra shqiptar. Në ato kohëra trashëgimia për Gjergj Kastriot Skënderbeun rrezatonte fort. Prandaj edhe muzikanti i madhërishëm Antonio Vivaldi hartoi dhe vuri në skenë më 22 Qershor 1718 në Teatrin Pergola të Firences operën Scanderbeg. (Figura 7) 

Arbërit–Arbanitët–Arvanitët-Shqiptarët kanë qenë aty në tërë të shkuarën, veç arbërve të ardhur aty herë pas here si për shembull në fund të shekullit XX. Ata janë aty edhe sot. Ata dallohen drejtpërsëdrejti në të paktën 700 fshatra të kudondodhur në Greqinë e sotme. Ata flasin Shqip, këndojnë dhe hedhin valle Shqip. Ata janë kudo në Gadishullin Ilirik, e përtej.

Historia dhe veprat e lavdishme dhe ndërmarrjet fitimtare të bëra kundër turqve nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Prijës i Epirit. – Ribotimi më 1646 i librit nga Dhimitër Frangu.
 
Harta me autor Nicolas de Fer, Pallati Mbretëror, Paris, 1705.
Lajmërimi për operën Scanderbeg të Antonio Vivaldit në Firence më 22 Qershor 1718.

Filed Under: Fejton Tagged With: Piri, Skenderbeu

Luftë

March 30, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Ora ka mbetur, akrepat nuk lëvizin më. Kohë të vështira për njeriun kanë ardhur, i kërkohet të bëjë luftë me armikun që nuk e sheh. Kjo është koha më e mirë që shtypësi ka parë ndonjëherë, ndërsa flet vetëm nga ekrani, rri i mbyllur, pasi vrasjet i kryen virusi. As opozitë e as rivalitet, as fjalë të lirë nuk ka. Armiku i vërtetë është virusi, dhe nëse vdes, thonë se fajin e kishe vetë. Të vjen keq kur sheh se njerëzit, personeli mjekësor, pranojnë të vetëflijohen. Thuhet se qeveria do t’i paguajë, por sa kanë paguar ata vetë në forma të ndryshme për një rrugë të tillë jashtë? Dikur kishte komando që paguanin që t’a kishin emrin në listë. Jeta në Irakun e Afganistanin në luftë u dukej më e mirë e më e siguruar sesa ajo në vendin e tyre në paqe. Çfarë gënjeshtre! Vetëm nëse e lexon tekstin me vemendjen që është shkruar, mund ta kuptosh të vërtetën. Pleqve në radhë të parë, si në kampet naziste të vdekjes, u thuhet: ndahuni veças se duhet të vdisni, ose gjatë revolucionit kulturor në Kinën e viteve 1960, kur fëmijët e rinia e organizuar sulmonin të moshuarit. Thonë se pas virusit, bota do të jetë ndryshe nga ç’e keni parë deri më sot. Do të ketë vetëm shtypës dhe të shtypur pa leje e me frikë për të kundërshtuar, pa zgjedhje, dhe pushteti do të vijë rrotull, si vorbulla gjithë përfshirëse e ujit. Nëse ky skenar nuk ndodh këtë herë, rruga është hapur, dhe shtypësi i pajisur me një armë të re, e di sesi të veprojë herën tjetër e tjetër. Pas panikut vjen shkatërrimi dhe mbi këtë ngrihet sundimi.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

Mjekët ushtarë, pothuaj kamikaze, dhe italianët që mësojnë të falenderojnë shqip

March 30, 2020 by dgreca

Nga Shpend Sollaku Noé/

Kurrë si tani, gjatë gjithë këtyre viteve të pranisë time në Iali, e kam ndjerë veten kaq krenar sa dje. 

Në kohën kur sapo kisha nisur ta konsideroja veten një binjak të Cilan Murfy-t tek filmi “28 ditë më pas”. Por ja që, edhe në çastet më depresive, më arrin si një ndërhyrje hyjnore një tridhjetëshe shqiptare, mjekë e infermierë të maskuar sa nuk mban më, që zbresin nga avioni me një qëllim fisnikërie të lartë: Të vënë në rrezik jetën për t’i shërbyer një populli mik. 

Si të gjithë bashkëatdhetarët e mi renda edhe unë të lexoj reagimet e italianëve. Aq pozitive sa të ngjethin mishtë. Nuk është e tepruar të them se u përlota. Shpesh në shumë prej tyre i gjeta falenderimet dhe përshëndetjet ndaj Shqipërisë në gjuhën tonë. Edhe në mesazhet vetiake që më erdhën nga socialet. 

Ai dru i shtrembër, që nuk i ndahet asnjëherë stivës së shqiptarëve, ishte vetëm përdorimi politik i këtij gjesti fisnik. Italianëve u kishin ardhur ndihma në mallra e specialistë edhe nga vende të tjera, sidomos ish komuniste, por në asnjë rast, as edhe tek kinezët, nuk pashë ndonjë kryeministër që t’i përcillte, apo ministër të jashtëm që t’i shoqëronte.

Pse gjithë ky pompozitet për një gjest kaq njerëzor?

Më vjen i natyrshëm një dyshim që nuk dua ta besoj, pasi më shkatërron kënaqësinë që në lindje: a ishin vullnetarë? Ndokush duhet të na e sqarojë këtë detaj kaq të rëndësishëm. Nuk jam vetëm unë që e shpreh këtë dyshim serioz. 

Nëse janë të tillë, atyre duhet t’ju kërkoj falje, por jo përcjellësit apo shoqëruesit. 

Si e qysh e shrytëzoi këtë tridhjetëshe në të bardha ministri i jashtëm italian? Edhe ai për propagande në çastet më të vështira të parabulës së tij politike. Apo u detyrua të bënte nderet e zotit të shtëpisë i ndodhur para një fakti të kryer!?

Si i bëhet t’i mbushësh mendjen atij gjatoshit tonë që mos bëjë fushatë elektorale të përhershme? Apo i merr edhe italianët si votues të tij? Apo kujton se Di Maio e ha sapunin për djathë? Edhe mundet, por ai made in Albania i sotëm është kaq banal, sa askush nga Evropa nuk mund ta shkëmbejë për një të parfumuar. 

Sidoqoftë, ju përqafoj të gjithëve, një për një, juve të tridhjetëve që sot, në një epiqendër pandemie Lombaardia, nisët misinonin tuaj që nuk uroj në asnjë rast të kthehet në pikiatë kamikazesh. Shpirtrat tanë janë atje, me ju, gati t’i hidhen në fut gjithkujt që vë në rrezik mbijetesën tuaj.

Përqafime, përqafime, përqafime. U kthefshi të tridhjetë shëndoshë e mirë, o shqipe të mbuluara edhe me tringjyrëshin italian. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Mjeket ushatre, Nga Shpend Sollaku Noé/

COVID-19:CBS NEWS VAJTON GAZETAREN MARIA MERCADER

March 29, 2020 by dgreca

GUVERNATORI CUOMO ZGJAT DERI NE 15 PRILL AFATIN E MBYLLJES PËR BIZNESET JO JETIKE/

  • “PACIENTI ZERO” DEL NGA SPITALI DHE SHKON NË SHTËPINË E TIJ NË WESTCHESTER/
  • CBS NEWS VAJTON GAZETAREN MARIA MERCADER/

      Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë që të kenë rritje të numrit të infektuarëve me 17,981 për 24 orë , me 2,469 viktima (249 për 24 orët e fundit), duke e cuar numrin e përgjithshëm të të infektuarëve në 141,559 me 4,435 të shëruar. New Yorku vazhdon që të jetë në qendër e epidemisë të COVID-19.

                       Nuk i kanë shpëtuar kësaj epidemie as bashkatdhetartë tanë, edhe pse nuk i kemi të dhënat e plota, shënojmë se: Të Dielën u shtrua me shqetësime në frymëarrje edhe një bashkatdhetar shqiptar me banim në Bronx,i moshës 79 vjeçare duke e çuar në 5 numrin e shqiptarëve në NY të identifikuar si bartës të virusit dhe me probleme.

  Edhe New Jersey, fqinjë me New Yorkun, ka filluar ta rrisë shkallën e të prekurëve dhe të viktimave. Për 24 orëshin e fundit u raportuan 2,262 të infektuar plus, duke e çuar numrin total në 13,386,i renditur i dyti në radhën e shteteve të prekur nga Coronavirusi, dhe u shënuan 21 viktima për 24 orë. Edhe Michigani i ka rritur shifrat e të infektuarëve me 836 pacientë të infektuar vetëm në 24 orët e fundit, 21 vdekje më shumë në këtë fundjavë, Illinoisi gjthashtu shënoi 18 viktima në 24 orët e fundit.

New Yorku mbanë peshën kryesore të panepidemisë. Pothuajse 60,000 raste të infektuar nga koronavirusi dhe 1.000 vdekje ishin të dokumentuara deri të dielën në të gjithë Shtetin e New York-ut, njoftoi të Dielën Guvernatori Andrew Cuomo, ndërsa zgjati deri me 15 prill afatin e mbylljes të bizneseve jo jetike në të gjithë shtetin.

“Virusi vazhdon marshimin e tij në të gjithë shtetin e Nju Jorkut,” tha Cuomo në konferencën e tij të përditshme të shtypit në Albany, duke përmendur se vetëm dy qarqe në të gjithë Shtetin deri më tani nuk kanë raste të konfirmuara të COVID-19. “Nju Jorku është epiqendra.”, përsëriti ai.

Tani shteti i New Yorkut ka regjistruar  59.648 pacientë të konfirmuar, me 965 të vdekur, theksoi Cuomo.

Kjo shifër përfshin 32308 pacientë të infektuar dhe 678 vdekje vetëm në New York City, ku një banor tani po vdes çdo 8.9 minuta, sipas statistikave të qytetit.

Me kulmin e kurbës, që end enuk ka ardhur, Cuomo zgjati urdhrin e tij “PAUSE” duke detyruar mbylljen e bizneseve jo-thelbësore në të gjithë shtetin, për të paktën deri në 15 Prill, me tendencë rishtyrje për më tutje, ndoshta edhe majin, por të kemi parasysh deklaratë e Presidentit Trump se 1 Qrshori mund të jetë data e daljes nga beteja.

Gjithësesi Cuomo paralajëmroi se ky afat kohor nuk është përfundimtar pasi po ndiqet situata çast pas çasti dhe në përshtatje me çfarë do të ndodhë do të merren edhe masat e mëtejshme.

“PACIENTI ZERO” DEL NGA SPITALI DHE SHKON NË SHTËPINË E TIJ NË WESTCHESTER

Avokati 50-vjeçar që ishte pacienti ‘zero’ në Westchester ka dalë nga spitali i shëruar dhe ka shkuar në shtëpinë e tij, njoftoi Guvernatori i shtetit të New York-ut, Andrew Cuomo të Dielën.

Eshtë fjala për avokatin Lawrence Garbuz – i cili u identifikua më 2 Mars si mbartësi i parë i virusit COVID-19 në New Rochelle, dhe më pas infektoi në mënyrë zinxhir 50 persona. Ai gati u shtrua në gjendje kome, kur e dërguan në spital, por mjeksia arriti që ta shëronte, dhe pas 27 ditësh ai u kthye në shtëpi.

Guvernatori e kishte lënë lajmin për ta bërë surprizë gjatë konferencës për shtyp kur deklaroi: “Pacienti zero ‘në Westchester, New Rochelle – i cili ishte shumë i sëmurë për një kohë shumë të gjatë, në fakt ka shkuar në shtëpi”.”Ai është jashtë spitalit,” tha guvernatori, duke mos dhënë detaje të tjera.

Garbuz – i cili udhëtoi me trenin e Metro-Northit për të arritur në firmën e tij avokatore në Manhattan – nuk kishte shkuar në ndonjë shtet tjetër jashtë SHBA ku ishinpikat e nxehta të koronavirusit, por ka të ngjarë ta ketë marrë virusin nga dikush tjetër brenda vendit.

Virusi u përhap me shpejtësi në mesin e dhjetra  personave në komunitetin e tij, duke e shtrirë veprimin e koronavirusit në sinagogën e familjes.

Cuomo të Dielën e përdori atë si një shembull se si veprimtaritë fetare kanë bukurinë e tyre, por ndodh që edhe sëmurin shumë njerëz.

CBS NEWS VAJTON GAZETAREN MARIA MERCADER

CBS News po vajton për humbjen e Maria Mercader, një veterane e gazetarisë. Ajo mbuloi lajmet e rrjetit CBS për gati tre dekada dhe ndihmoi në formimin e strategjisë për korrespondentët dhe reporterët e rrjetit.

Maria ishte 54 vjeç dhe vdiq nga koronavirusi Covid-19 në një spital të New York, edhe pse vuante nga kanceri. Ajo kishte qenë në pushim mjekësor, por që nuk lidheshin me koronavirusin, që nga muaji shkurt.

Maria luftoi kancerin për më shumë se 20 vjet, dhe ishte një frymëzim sa herë që kthehej në punë, edhe pse e dinte se sëmundja e kërcënonte t’i jepte fund jetës, por ja edhe COVID-19 e sulmoi atë.

“Më shumë sesa talent-është shprehur Susan Zirinsky, presidente CBS News-“Maria ishte pjesë e gjithë jetës sonë. Edhe kur ishte në spital, ajo do të thërriste dhe do të ndihmonte me këshilla, inkurajim dhe do të thoshte ‘ju mund ta bëni këtë.” Unë e quaja Marian një “luftëtare”. Maria ishte një dhuratë që ne e vlerësonim “….

Maria filloi në CBS News në vitin 1987.Ajo mbuloi ngjarje të mëdha kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë vdekjen e Princeshës Diana dhe sulmet e 11 shtatorit. Ajo fitoi një çmim Emmy  në 2004 për punën e saj në një raport “CBS Sunday Morning”.

Maria Carla Mercader lindi në 28 nëntor 1965 në New York City. Ajo ndoqi Dominican Academy në Manhattan, dhe u diplomua në College of New Rochelle në vitin 1987.

Frymëzuar nga nëna e saj, Gladys, e cila ishte pianiste për Teatrin e Baletit Amerikan, Maria e donte muzikën dhe ishte një mbështetëse e madhe e baletit.

NJË SHËRBIM I RI URGJENCE NË MANHATTAN PËR COVID-19

Në kërkim të rritjes së kapaciteteve të shtretërve dhe hapsirës, këto ditë është duke u ndërtuar edhe një spital në terren i urgjencës në Parkun Qendror të Manhattan, njoftoi stacioni lokal i lajmeve NY1. Objekti me 68 shtretër ndodhet përtej vendndodhjes së Spitalit Mt Sinai në anën Lindore. Do të ketë një “njësi të kujdesit të frymëmarrjes me aftësi të ICU” dhe do të jetë në gadishmëri operacionale deri të martën në mëngjes, trasmetoi NY1.

Punëtorët e një organizatë të krishterë nga Karolina e Veriut kanë filluar ndërtimin e strehimoreve të përkohshme mjekësore. Dr Elliott Tenpenny, i cili drejton ekipin, tha se zyrtarët shtetërorë e hartuan planin pasi M Sinai kërkoi ndihmë.

Themelimi i një qendre të përkohshme mjekësore vjen midis tensioneve në rritje në sistemin mjekësor të qytetit të Nju Jorkut, duke filluar nga një fluks i pacientëve me koronavirus deri tek mungesa e aksesit të punonjësve të kujdesit shëndetësor në pajisjet mbrojtëse.

Përgatiti: Dalip Greca

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca

Për ata 30 mjekët 

March 29, 2020 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Nëse 30 persona me titullin e mjekut u nisën të ndihmojnë Italinë, së pari ky është një xhest i lartë i atyre vet. Se shoh që plot qytetarë shqiptarë postojnë statutet e Edi Ramës në shenjë miqësie me Italinë. Dhe u duket si gjë e jashtëzakonshme e parë po me sytë me Ramës. Unë dua ta besoj se është një vullnet i lirë i tyre se ndryshe po t’i referohesha Ramës, do thosha që ata kanë shkuar me urdhër, por nuk e besoj. Nuk e besoj pasi e di që vendi im është viktima më flagrante e propagandës shtetërorë, jo vetëm e këtij të tanishmit, por çfarë ka historia e qeverive. Koha ju ka dhënë mundësinë të keni një ballkon nga ku ju mund të tregoni vetveten, ky është interneti ndaj bëjeni. Bëjeni me zërin tuaj se momentalisht po vërtetohet që popujt janë viktimë e bujshme e strategjive shtetërore. Dhe thuajse në ato me liritë e merituara kanë hasin sot sa qytetarinë për tu bindur, sa mosbindjen me një menefregizëm si ai i Londrës që dalin parqeve dhe ndezin zgarat. Kjo është natyra perëndimore ndaj kur bëhen krahasimet si është e mundur robotizimi social i Kinës dhe jo ai konservatorëve londinezë, kuptoni dallimin në esencë. Se ndërkohë harrojmë që Kina gjoja e hapur jo vetëm që vjen nga një diktaturë e proletariat por akoma lundron në ‘të. Lërini Ramën dhe ramijtë mënjanë dhe qëndrojini vetvetes, mos u mahnisni me selfiet e tyre, janë propogandë. Në mëngjes u thotë njerëzve mos dilni nga shtëpia, në mbrëmje po nuk paguat dritat ju gjen belaja. Shumë nga ju sot i rrahin shpatullat për punën e madhe në drejtim të izolimit, por askush nuk mendon se është e vetmja armë e zellshme për shkak të një buxheti që nuk paguan dot as pagat dyjavore të këtij muaj për ata që janë mbyllur brenda. Pa përmendur të pa punët që kanë një jetë që nuk e njohin borderonë. Për më tepër që në një shoqëri si e jona, në një familje me 5 a 6 pjestarë punon vetëm një. Dhe ky ushtar i bindur i tregut të zi ose informal. Nuk ka alternativë tjetër si shtet, ka vetëm propagandën. Ndaj del orë e çast dhe merr në gojë Amerikën, a amerikanët se gjoja nuk kanë mjekë a spitale për të përballuar situatën. Ua kam thënë dhe herë të tjera na pyesni ne që jetojmë këtej. Kemi organet tona të shtypit, si Dielli, Illyria, Zërin e Amerikës ku mund të ndiqni dhe të ballafaqoni drejt për drejtë realitet. Nuk është gallofi Edi Rama dritarja e vetme e informacionit, ai që për të larë me shi të pëgërat e tija dhe sojit të tij, u thotë se as Amerika nuk ka mjekë të mjaftueshëm. Janë ca idiotësira që fatkeqësisht nuk u ka ikur akoma koha pasi një pjesë dërrmuese e shoqërisë sonë akoma kanë një burim informacioni, atë të shtetarit të tyre të dështuar. Ata tridhjetë titullarë nuk janë produkt i shtetit por i prirjes shpirtërore mes qytetërime. Dhe kthejeni nga të doni, vende si Italia, Greqia e Gjermania janë kreu që ne u detyrohemi shumë. Sot shpirti i shqiptarit është pranë atij italianit dhe ju e dini arsyen. Ekranet shfaqin thuajse çdo mbrëmje mjekë dhe infermierë shqiptarë në Itali, Spanjë, Francë, Gjermani, Austri e të tjerë vende. Pa përmendur tashmë faktin se pjesa dërrmuese e shqiptarëve janë integruar 90% aty. Nuk doli shtetar shqiptar ta postojë një statut me ata që ikën nga malet në Greqi, me gomonet, a ambasadat më herët. Përse duhet ta bëjnë tani me tridhjetë titullarë nga mjekësia, për çfarë merite? A i jepni dot shpjegim? Dhe kur ta bëni, mos harroni pamjet me anijet e 90-tës në portet e Barit. Mos harroni memorien se krahasimi është mjeti më demaskues. Pastaj kujtohuni se përpara se të flasë një shtetar për virtytet mes popujve, merita është e juaja. 

Të ishte për shtetarët, sot do ishim akoma diktaturë e proletarit dhe Italia një vend i bllokut kapitalist. Të ishte për shtetarët sot do kishit një solidarizim më njerëzor të njëshit dhe jo një cinizëm mendjemadhi që ju kërcënon me faturat e dritave. Në një vend ku thuajse industria e lehtë dhe rëndë nuk punojnë, ku thuajse 90% e bizneseve janë mbyllur, fatura e energjisë as që duhej çuar nëpër mend jo më tu sillet sysh si kërcënim. Lutjuni për ata bij siç e bëni përdita nga shtëpia juaj, për djemtë e vajzat tuaja, lutuni me shpirtin tuaj, lutuni me duart tuaja jo të Ramiut e plotë nga soji i tij. Lutjuni që të kuptoni se edhe krenaria është pronë e juaj, jo e tyrja.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Mjeket ne itali

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 45
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT