• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2020

PRONARI I RI, PRODUKT I NJERIUT TE RI

April 20, 2020 by dgreca

Shkruan: Muharrem Xhydollari(Hudenishti)/

            New Jersey, 20 Prill, 2020- Njeriu i ri i prodhuar ne komunizem, pati ne programin e tij humbjen dhe shkaterrimin e moralit njerezor. Djali spiunonte babane dhe anasjelltas. Qellimi ne disa shtresa u arrit e po ky njeiru i ri, ne post komunizem formoi pronarin e ri. 

Pronari i ri u formua kur qeveritaret udhezuan levizjen e pa komanduar te popullsise, dhe me slloganin “tok e xanum” nepermjet gjykatave vedosen te pa drejten mbi te drejten. Kjo u be shkak qe pasojat te numeronin mbi 10 mije viktima. Per kete humbje kaq te madhe asnjehere presidentet e shqiperise nuk mblodhen keshillin e sigurise kombetre, por as akademia e shkencave nuk mori mundimin te nxjerri nje material te studiuar mire per kete padrejtesi qe ne popull do te shkaktonte nje humbje jo te vogel…Pse?.

            Perpjekjet e qeverive kane qene djallezore dhe qe ta normalizonin kete te keqe shkruan urdher-force-ligjin Leninist nr.7501, i cili tek shqipetaret do te shkeputte fijet qe lidhin trashegemine. Enderr kjo e sllaveve qe u realizua nga klasa politike post-komuniste, qe pa dyshim eshte zgjatimi i paraardhesve te tyre. Ligji mbi pronat shikohet si vazhdim i luftes se klasave e cila filloi qe prej vitit 1946 dhe do te vazhdonte edhe sot me format qe vetem me drejtesine nuk kane te bejne. Nje deshmi e qarte: diktatori I fundit Ramiz Alia, ne burgun e Tiranes, vuante denimin e dhene pse kishte pire kafe dhe aranxhata me tepri!. Ne nje bisede me drejtorin e burgut Z.Tanush Mulleti, Alia i tha: “Juve dhe gjithkush tjeter duhet ta dini se demokracine e sollem ne, dhe ndertuam ligje demokratike.” Drejtori e pyeti le ta marrim sit e vertete kete, po ligji 7501 eshte demokratik apo politik?. Ramizi rrufeshem ju pergjigj, politik jo demokratik. Neve vazhdoi Ramizi per 47 vjet pronaret e ligjshem i kishim luftuar dhe po tju jepnim pronen ata merrnin pushtetin dhe me kete te dytin mund te hakmerreshin, keshtu qe neve perdorem te njejten gershere si e majta por dhe ajo qe e emeruan “te djathte”. Pergjigjja ishte shume e sinqerte.

Konfuzioni qe partite politike post-komuniste kane sjelle per pronat ka ardhur si rezultat I traktateve politike ne pluralizmin partiak demokratik. Kjo eshte shume e rrezikshme per drejtesine ne shqiperi, sepse do te jete shkaku qe pasojat do te jene te renda dhe afatgjata. 

                                                                                                Muharrem Xhydollari

                                                                                                        (Hudenishti)

Filed Under: Analiza Tagged With: Muharrem Xhydollari, pronat

MARJAN CUBI DHE VATRA NGUSHËLLOJNË FAMILJEN JAKAJ

April 20, 2020 by dgreca

Një ndër viktimat e COVID-19 në Queens, New York, është edhe Mark Jakaj, djali i dajës i Marjan Cubit, arkëtar i Vatrës. 

Vatra dhe gazeta e saj Dielli, bashkohen me Marjanin dhe familjen e tij, duke i përcjellë ngushëllimet më të sinqerta familjes Jakaj dhe miqëve për humbjen e njeriut të tyre të Dashur.

      Mark Jakaj ndërroi jetë të Mërkurën me15 Prill në moshën 51 vjeçare, duke mos e përballuar betejën me virusin e padukshëm COVID-19.

      Duke iu përgjigjur urdhëresave të shtetit për moslejimin e grumbullimeve në funeral dhe në pamundësi për të pritur ngushëllime, familja do të organizoi varrim privat. 

Lutemi bashkë me familjen!

Markut i pushoftë shpirti në Paqë!

Filed Under: Politike Tagged With: Marjan Cubi, Mark Jakaj, nderroi jete

Çaste të dhembsura mbi disa dëshmi të çmuara historike

April 20, 2020 by dgreca

smart

Nga Shpend Sollaku Noé/

Ndonjëherë fotot flasin më  shumë sesa diçiturat, ato kuptohen vetë, pa patur nevojë për sqarime të shumta. Të tilla janë edhe këto që po ju paraqes. Në të parën – një sërë figurash kombëtare, rrallëherë të gjendura kaq shumë bashkë: Ndër të tjerë – Gjergj Stefa; Kostandin Kristoforidhi, Thimi Mitko, Jani Vruho, Dhori Xhumerteka, Kozma Stefa. Fotoja është shkrepur në Graz të Austrisë në  vitin 1870. Kohë iderash që zjejnë nën tokë e mbi tokë, kohë që po përgatitin të ardhmen e kombit, të cilit këta burra iu bënë flebo e pazëvendësueshme në çastet kur edhe mund të kish dhënë shpirt. 

smart

 

 Personazhet historikë Stefa, Kristoforidhi, Mitko…(lexoji emrat brenda fotografise)

 Kjo foto është vetëm si haporeks për rreshtat e mëposhtëm. Fisnikëria ndjek zakonisht linjën e gjakut. Ajo vazhdon të përsëritet në brezat që venë e vijnë. Nuk e di nëse sot gjenden në Berat burra të kamur që mendojnë të shpenzojnë në fushën e kulturës, apo të bëhen mecenatë të ndonjë talenti të vërtetë. Po ju percjell këtu përkthimin e një dokumenti të vitit 1847 sipas të cilit Kristoforidhi, bashkë me Hoxha Tahsinin, janë përpjekur të organizojnë një shoqëri kulturore në Berat, së bashku me shumë patriotë të qytetit, siç vihet re në tabelën e mëposhtme, me kontributet e gjithsecilit prej tyre. 

smart

Tabela e kontributeve/

Kjo tabelë eshte ndërtuar sipas një dokumenti origjinal në greqisht, të gjendur në Arkivin Qendror të Shtetit, me numër 5142, shkruar prej vete Kristoforidhit. Dokumenti është autentifikuar nga Alfred Stefa.  

Në dokumentin e tretë, me armë në dorë, Telemak Vangjel Stefa, patriot i shquar, veprimtar për çështjen kombëtare.  i  njohur edhe zyrtarisht si i tillë prej shtetit shqiptar, siç dëshmon një dekret i 2 shkurtit të vitit 1993, i firmosur prej presidentit të Republikës të Shqipërisë.

Telemak Stefa/

Breza patriotësh Stefët, akoma të pavlerësuar siç duhet as edhe në Berat. I fundit prej tyre i sakrifikuar në altarin e demokracisë, i shquari Kostaq Stefa, një figurë që pret ende të zbulohet e vlerësohet plotësisht. 

Kostaq Stefa…

Filed Under: ESSE Tagged With: Gjergji Stefa, Shpend Sollaku Noe'

GËZIMI I TË RINGJALLURIT

April 20, 2020 by dgreca

–(Përsiatje rreth Letrës së Papë Françeskut të datës 17 prill 2020)/

Fra Gazmend Tinaj, ofm/

Shkruan: Fra Gazmend Tinaj, ofm/

Ditë më parë Papa Françesku, në një Letër drejtuar bashkësisë së Kishës, shpalos pamjen që shquan gëzimi i Ngjalljes, i cili përbën njëmendësinë e  jetës në Kishë, si një mundësi e re për t’u përballur dhe me rrethanat e pandemisë që bart Covid-19. (Shih: Papa Francesco, “Il coraggio di una nuova immaginazione del possibile”,  në Osservatore romano, dt. 17. 04. 2020). Gjithë përmbajtja e Letrës merr shkas nga Gëzimi që buron nga Misteri i Mishërimit dhe i Ngjalljes së Jezu Krishtit. Një përfytyrim i një mundësie të re.

Përshëndetja e të Ringjallurit: “Gëzohuni – χαίρετε” (Mt 28, 9), është e njëjta folje me të cilën Engjëlli Gabriel i drejtohet dhe Marisë: “Gëzohu – Χαῖρε” (Lk 1, 28). Janë fjalët e para të Lajmërimit të Mishërimit që i drejtohen Marisë, që në të njëjtën kohë janë dhe fjalët e para të të Ringjallurit pas vdekjes, që Ai ua drejton grave tek varri.

Në Lajmërim, Engjëlli i Zotit zbret nga qielli dhe takon një grua, duke i sjellë Lajmin e gëzueshëm. Pas ringjalljes është vetë i Ngjalluri, që i takon dy gra tek varri dhe ua shpall Lajmin e gëzueshëm të Ngjalljes së Tij. 

Në Lajmërim Maria ngjiz në kraharor Fjalën dhe bëhet djep i saj. Pas ringjalljes së Jezu Krishtit, Trupi i tij bëhet Djepi i ri, i jetës së amshuar.

Në Misterin e Lajmërimit përshëndetja e Engjëllit, zgjedhohet përmes foljes në vetën e dytë njëjës të kohës së tashme, në mënyrën urdhërore, pas ringjalljes, e njëjta folje zgjedhohet në shumës, në të njëjtën kohë dhe mënyrë, por nga numri njëjës: “ti” kalon në shumësin e bashkësisë: “ju”. Nuk mbetet pra, një përshëndetje që përfshin vetëm njërin, por bëhet domosdoshmëri e gëzimit, që përfshin të gjithë, ashtu siç përhapen rrezet e dritës, por që Rrezja e re e Dritës vjen nga Ngjallja e Krishtit, që dhuron Ditën e re, e cila nuk njeh as lindje as perëndim. 

Lotët e grave, prej dhimbjes së vdekjes së Jezusit, bëhen lotët e gëzimit të ringjalljes, nga shpërthen thirrja: “Gëzohuni”. Ngjallja bëhet ngushëllim. Pra, kur mendohej se çdo gjë ka përfunduar, lind ngushëllimi dhe drita, e cila mendohej se mbaroi, bëhet dritë shprese e jete, që përflak zemrën në gëzim të Jetës se re, në Krishtin e Ngjallur.

Edhe sot në ditët tona, shkaku i lotëve përballë varreve janë të shumta, sepse duket sikur fjalën e fundit e ka virusi i quajtur: Kovidi-19, një hije e vdekjes, që nuk lejon të gëzohemi, të marrim frymë lirshëm, të përqafojmë të dashurit tanë, të përcjellim në varreza të afërmit tanë. Profetët e ditëve të sotme duket se janë virologët. Të gjithë varemi nga fjala e tyre duke pritur ndonjë fjalë shprese, që do shpallë mbarimin e  këtij virusi. 

Nga ana tjetër, janë ekonomistët që shpallin falimentime me përmasa të mëdha që përkthehen në varfëri dhe vdekje. Gjithçka duket, sikur guri që zë frymën e jetës në grykën e varrit, e jo vetëm që është tejet i rëndë, por thuajse nuk mund ta shmangë askush. Pesha e tij rëndon tepër në jetët tona dhe kërcënon ashpër të ardhmen. Nevojitet pra, DIKUSH që ta heqë këtë gurë (Mk 16, 3). 

Pra, nuk duhet t’i harrojmë fjalët ngushëlluese të Jezusit: “Tani jeni të trishtueshëm, por prapë unë do të vij t’ju shoh e zemra juaj do të galdojë dhe askush nuk do t’ua marrë gëzimin tuaj” (Gjn 16, 22).

Gratë, simbol i nxënësve dhe i Kishës, nuk rrinë të mbyllura, nuk dorëzohen përballë pasigurisë. Ato lëvizin, shkojnë tek varri, nuk kanë frikë vdekjen dhe nuk mbyllen nga frika (Shih: Ungjilli i të dielës së II të pashkëve). Nuk ngurrojnë as nga tmerri, as nga rreziku, ose nga ndonjë urdhër i jashtëm. Kjo s’do të thotë që ato janë mospërfillëse, por janë bartëse të vajit erëmirë, që e ruan trupin nga të kalburit edhe në varr. Besnikëria e dashurisë së tyre për Dhëndrin, bëhet forca lëvizëse për t’i shkuar në takim Atij edhe në varr prej nga Dhëndri i tyre i Ngjallur, shuguron mbarë krijesën me lavdinë dhe shkëlqimin e Ringjalljes. 

Sikurse edhe gratë, dishepulle të vërteta, morën me vete vajrat erëmirë, ashtu edhe Kisha është e ftuar të marrë me vete vajin erëmirë të Ungjillit për të lyer, jo trupin e Krishtit të vdekur, por plagët e Krishtit në njerëzimin e plagosur e të vuajtur (Lk 10, 34). Ky vaj nuk është vetëm shenjë balsamosjeje dhe dorëzimi ndaj vdekjes, por është vaj shërimi i trupit, i mendjes, i zemrës dhe i shpirtit, që mbjell në botën tonë Gëzimin e të Ringjallurit dhe jetën e re që i Ngjalluri solli. Vaji erëmirë është balsami që bartin gratë në varr, por Krishti i ringjallur e kthen vajin e tyre në burim të vajit të Gëzimit dhe të Shpresës së Jetës së re, vaj i cili e shndërron dhe e tejfiguron veprimin tonë. Gëzimi që vjen nga i Ngjalluri, nuk infektohet nga asnjë virus, është gëzimi i vërtetë që ushqen shpresën e sigurt në Atë i cili e mundi vdekjen dhe vdekja nuk ka më pushtet mbi të. 

Janë gjithmonë aktuale fjalët e Ezekielit profet, të cilat Zoti ia drejton Izraelit (në hebraisht fjala Izrael është në gjininë femërore): “Ti kur linde […] s’qe mbështjellë me shpërgënj. Asnjë sy s’pati dhembshuri […] as s’pati mëshirë, por ditën e lindjes sate të përbuzur të hodhën përmbi faqen e dheut. Ndërsa unë po kaloja të pashë duke u zhgërryer në gjakun tënd e të thashë ndërsa ishe ende në gjakun tënd: Jeto! […] por ishe lakuriq dhe e mbuluar me turp. Kalova përbri teje e të pashë. E hodha mbi ty mantelin tim dhe e mbulova lakuriqësinë tënde; atëherë unë t’u përbetova dhe lidha besëlidhjen me ty ‑ thotë Zoti Hyj ‑ e ti u bëre e imja. Unë atëherë të lava me ujë dhe ta pastrova gjakun dhe të leva me vaj”(Ez 16, 4-9).

Kisha është Trupi mistik i Krishtit, Nusja e Qengjit. Mbarë gjymtyrët e saja të shtrira tek secili njeri, bëhen pjesëmarrëse e kësaj Besëlidhje dashurie të amshuar dhe Kisha është e thirrur të pastrojë e të lajë Trupin e Krishtit me ujë e me vaj tek secili njeri.

Sot njerëzimi ngjan në njeriun e shtrirë përdhe, të cilit Samaritani ia lidhi plagët dhe ia shëroi me vaj. Etërit e Kishës, shohin në këtë lidhje: fenë, shpresën dhe dashurinë, përmes të cilave Kisha lidh plagët e njeriut dhe njeriun e lartëson në Besëlidhjen e re të dashurisë që vjen nga Krishti i Ngjallur.

Duke ia larë me vaj e me verë plagët, njeriu lyhet, shugurohet dhe bëhet Mbret. Plaga e tjetrit është tabernakulli i pranisë së Krishtit në mesin tonë. Vera është Fjala e Zotit, Lajmi i gëzueshëm, simboli edhe i eukaristisë, i gjakut të Krishtit që i lanë mëkatet dhe lejon Shpirtin e Zotit të banojë në ne. Ky vaji i ri i dhuruar nga Dhëndri hyjnor, duhet shpërndarë në plagët e tjetrit.

Pas gjithë kësaj që po ndodh, është e nevojshme të nxjerrim dritën nga rrezet e Shpirtit të Zotit, që të kthehemi me mendje, zemër dhe shpirt të ri, të ngjizur tashmë me farën e Ringjalljes, që dhuron gjithmonë hov dhe zell të ri, e që nuk lejon asnjë lloj rastësie e improvizimi, por bindje feje të rrënjosur në Lajmin e Mirë të Ngjalljes. 

Me siguri nuk do të mungojnë lajthitjet që përcjellin frikën përballë tjetrit, si të ndonjë armiku që duhet shmangur se e kërcënon jetën tonë, si i infektuar, (i gërbuluri Mt 8, 2). Do të shpikin luftëra reale apo virtuale për të thënë dhe bindur, që kjo është gjëja e duhur që duhet bërë. Do të pushtojnë çdo hapësirë publike dhe private, deri që të na mbyllin në unin tonë. 

Mos është ky njeriu i ri? Jo, ne nuk jemi bijtë e territ, por bijtë e ditës dhe të dritës, të njeriut sipas imazhit dhe përngjasimit të Atij që e krijoi, e deshi dhe e dha jetën për ne. Njeriu i ri është Krishti. Kush pranon Krishtin e Ngjallur, përqafon edhe jetën e re përmes Tij në secilin person. Përgjigjja jonë si gjymtyrë të trupit të Krishtit është dashuria dhe zotimi për një qytetërim të dashurisë. Vetëm dashuria është infektimi më i përsosur që sjell jetë dhe jo vdekje. Vetëm dashuria është ajo që sjell gëzimin e vërtetë. Këtë gëzim, shpresë dhe siguri nuk do të na e marrë askush dhe asgjë nga zemra jonë. Është limfa e jetës sonë.

Në Ditën e Krishti të Ngjallur, Kisha këndon nëpërmjet psalmistit: “Zoti e bëri këtë gjë, sa mrekulli në sytë tanë (Ps 118, 23). Pra, “galdo bija e Sionit […] gëzohu me gjithë zemër bija e Jerusalemit” (Sof 3, 14). 

Krishti i Ngjallur është galdimi ynë dhe shpresa e jetës së re. 

“Misteri i Pashkëve është i ri dhe i vjetër, i amshuar dhe i përkohshëm, i shkatërrueshëm dhe i pashkatërrueshëm, i vdekshëm dhe i pavdekshëm. I vjetër sipas Ligjit, i ri sipas Fjalës; i përkohshëm në figurë simbolike, i amshuar në hir; i shkatërrueshëm për flinë e qengjit, i pashkatërrueshëm për jetën e Zotit; i vdekshëm për varrosjen e tij në dhé, i pavdekshëm për ngjalljen e tij prej të vdekurve. Ligji është i vjetër, por Fjala është e re, e përkohshme është figura, i amshuar hiri; i shkatërrueshëm është qengji, i pashkatërrueshëm është Zoti, i cili u flijua porsi qengji, por u ngjall porsi Hyj […] Pra, flija e Qengjit, kremtimi i Pashkëve dhe Shkrimi i Ligjit patën për qëllim Krishtin Jezus. Në Ligjin e vjetër gjithçka ndodhte duke parashikuar Krishtin. Në rendin e ri, gjithçka përkon para së gjithash, me Krishtin. 

Ligji u bë Fjalë dhe nga Ligj i vjetër u bë Ligji i ri, por të dytë dolën nga Sioni dhe Jerusalemi. Rregullorja u shndërrua në hirin, figura në të vërtetën, qengji në Birin, delja në njeriun dhe njeriu në Hyjin.” (Melitoni nga Sardi,  Nga “Predikimi i Pashkëve”. Në: Liturgjia e Orëve, II, f. 467). 

Shkodër, 19 prill 2020

Filed Under: Politike Tagged With: Fra. Gazmend Tinaj, Gezimi i te ringjallurit

NACIONALIZMI, SHQIPËRIA ETNIKE DHE LËVIZJA N. – Çl.(5)

April 20, 2020 by dgreca

Sulmi gjerman mbi BS dhe themelimi i P. K. SH. /

Nga Eugjen MERLIKA/

Dalja e Mustafa Krujës nga jeta aktive politike nuk do të thoshte frenim i projektit nacionalist të klasës politike shqiptare. Në një pjesë të nacionalizmit, që e quante pushtimin nga Italia si të keqen më të madhe të Shqipërisë, për pasojë luftën kundër saj si objektivin kryesor, lindi iluzioni se mund të shërbehej çështja kombëtare duke bashkëpunuar me Lëvizjen Nac.- Çl. të drejtuar nga Enver Hoxha dhe tutorët e tij serb e malazez.

            Deri në verën e vitit 1941, grupet komuniste në Shqipëri e n’Evropë ishin në një letargji të plotë. Ata i konsideronin fitoret e Boshtit dhe pushtimet e tij në gjithë Evropën si fitore kundër fuqive imperialiste e kolonialiste, që duheshin përshëndetur. Në Francën e pushtuar komunistët ishin mbështetësit më të mirë të administratës franceze të Petenit. Në Shqipëri pushtimi italian u prit me optimizëm prej komunistëve që e quanin si mjetin më të mirë për të nxitur krijimin e klasës puntore e të ndërgjegjes së saj proletare. Problemet filluan të dalin me bashkimin e tokave shqiptare, sepse në këtë mënyrë, simbas tyre, dëmtoheshin marrëdhëniet me popujt grek e jugosllav. Meqënëse çështja kombëtare ishte bërë veprimtaria kryesore e nacionalizmit që gjente në këtë fushë përkrahjen e Italisë, ajo duhej luftuar a priori.

            Kjo apati e komunistëve evropianë e kishte burimin në vartësinë e tyre nga Kremlini dhe Kominterni, ku vazhdohej të respektohej Pakti Ribentrop – Molotov me të gjitha pasojat e veta në lidhje me Poloninë e republikat balltike. Më 21 qershor ai pakt u hodh në kosh, mbasi Hitleri dhe bashkëpuntorët e tij menduan se, brënda dy muajsh, do të bënin të dorëzohej Stalini. Llogaritë nuk u bënë si duhet dhe koha e humbur për sulmin në Ballkan qe fatale për gjermanët, mbasi dimri rus frenoi ofensivën gjermane, deri atëherë tepër e suksesëshme. Historia u përsërit dhe gjermanët provuan atë humbje që 130 vjet më parë kishin pësuar francezët nën drejtimin e Perandorit Napoleon Bonaparti.

            Mbas këtij sulmi filluan të aktivizohen e të organizohen edhe komunistët shqiptarë të ndarë në grupe, pa ndonjë veprimtari të dukëshme. Ndonjë përpjekje për bashkimin e grupeve kishte ekzistuar, por nuk kishte patur sukses, mbasi secili prej tyre mëtonte zotërimin e partisë. Kështu, me nismën e Qemal Stafës etj. u vendos të kërkohej ndihma e partisë komuniste jugosllave, ndihmë që i shkoi shumë për shtat fqinjëve lindorë e që nuk vonoi. Miladin Popoviçi, që ishte i internuar në Peqin, u lirua nga një aksion i Mustafa Gjinishit e Vasil Shantos dhe u vu në dispozicion të organizimit të partisë. Ai arriti t’i mbledhë e t’i bashkojë  grupet komuniste, të krijojë partinë, duke përjashtuar nga drejtimi gjithë krerët e grupeve e duke zgjedhur në udhëheqje njerëz që mund t’i vërtiste siç donte ai, me në krye Enver Hoxhën.  

            “Ndër detyrat më kryesore që i parashtroi vetes PKSH-ja , në rezolucionin e mbledhjes ishte zhvillimi i “dashurisë dhe bashkëpunimit luftarak me të gjithë popujt e Ballkanit, sidomos me popujt serb, grek, malazez e maqedonas, që luftojnë heroikisht për çlirimin e vet nacional”[1]  

                Që në fillim organizatorët jugosllavë u kujdesën t’i japin drejtimin proserb partisë që krijuan, duke e veshur atë me petkat e “internacinalizmit proletar”, që ishte baza e doktrinës komuniste. Që në themelim PK dilte në arenën politike si një forcë kundër shqiptare, sa i përkiste  shtrirjes territoriale e bashkimit të trevave kombëtare me Shtetin shqiptar. Duke mbuluar me demagogjinë e luftës kundër pushtuesit, qëllimin e vërtetë të projektit serb, që ishte ai i kthimit në kufijtë e 1913, pra me Kosovën, Dibrën dhe Liqenjtë, përsëri nën administrimin jugosllav, drejtuesit e PK viheshin katërcipërisht në shërbim të strategjisë kundër shqiptare që kishte filluar në luftën ballkanike, kishte vazhduar me Konferencën e Londrës dhe Protokollin e Firences, ishte ligjëruar plotësisht në Konferencën e Paqes 1919 – 1921, ishte ripohuar në mungesën e çfarëdo lloj kundërveprimi ndaj pushtimit të Shqipërisë e përmbysjes së rendit të saj kushtetues më 7 prill 1939, gjente një mbështetje të fortë në deklaratën e 17 dhjetorit 1942 të Ministrave të Jashtëm  të Anglisë, SHBA-ës dhe BS. E lindur si një forcë alternative e nacionalizmit shqiptar, të rrjeshtuar në anën e Boshtit jo për përkatësi ideologjike, por për interesa kombëtare, PK e mbështjellë në shpërgënjtë e Beogradit komunist, mori që në fillim trajtat e një force politike në të cilën mbizotëronin kurthet, pabesitë, intrigat e krimet. E keqja e madhe ishte se propaganda e saj, e gatuar në guzhinat më të përsosura të botës sllave, gjente tokë të punuar në të rinj të paformuar që, në “idealizmin” e tyre të moshës rinore, nuk arrinin të ndanin grurin nga egjra, të kuptonin se e ardhmja e tyre ishte e lidhur më shumë me atdheun e fituar, se energjitë e tyre duhej të derdheshin për të arsimuar krahinat që nuk njihnin akoma shkollat shqipe, për të përhapur në to, jo idetë e Marksit, por idealet e Rilindjes e poezitë e Naimit e të Fishtës.

            “Në vitin 1942, në gjimnazin e Tiranës, kur prof. Epaminonda Bulka po shpjegonte historinë e Skënderbeut, studenti Astrit Bozgo, djali i Kasem Bozgos nga Gjinokastra, u ngrit dhe bërtiti : “Mjaft na çave kokën me Skënder koqen!”

            Në polemikën e përditshme të tyne, komunistat pretendojshin  se Kosova nuk duhet lidhë me Shqipninë, mbasi kjo qe vepër e fashizmit; ajo do të ishte ma mirë nën sundimin e nji Jugosllavie demokratike se nën nji Shqipni zogiste e reaksionare.

              Ndodh njiherë që, në shtëpinë e nji fshatari, në Kolonjë, vjen për me ba agjitacion nji djalë komunist, ilegal. Gjatë bisedës, ai i flet për vëllaznimin me popullin grek. Fshatari, i zemruem, i thotë : Kjo shtëpi asht djegë tri herë prej grekvet. Del jashtë!”

            Ma vonë, si shenjë vllaznimi, komunistat kanë thye gurët e kufinit me Greqinë. Dhe çetat komuniste greke, bullgare e jugosllave kanë hy në Shqipni dhe kanë luftue së bashku me komunistat shqiptarë kundër shqiptarëve nacionalista.

            Nji komunist vlonjak, i cili, natën e 2-3 prillit të vitit 1943, kishte marrë pjesë në therjen me thika të ushtarëve italianë në Romsi të Mallakstrës, vjen në mëngjes me pushue tek nji shtëpi. Vajzat komuniste që ishin mbrenda, tue e pa djaloshin me rrobat tanë gjak, qesin brimën të tmerrueme. Djaloshi i paditë vajzat te Mehmet Shehu, i cili i heq vërejtjen dhe i kërcënon, tue i thanë se ato duhej të gëzoheshin e të ishin kryenaltë. Po këto vajza, ma vonë, në vjeshtë të atij  viti, do të asistojnë në vrasjen e tmerrshme të xhandarit, në Prevesh të Shëngjinit të Tiranës, prej Dushanit dhe do të shfaqin gëzimin për këtë vrasje, bile do të flitshin kundër viktimës.

            “Në mes të këtij degjenerimi komunist të rinisë, ma e tmerrshme paraqitet të ngjallunit e urrejtjes kundër prindëve, bile sa me i shtye edhe në vrasje..”[2]

            Shkëputa këtë paragraf tepër domethënës nga vepra e Faik Qukut, për të ndriçuar më mirë, me shembuj të thjeshtë, pa hyrë në retorikën e diskutimeve akademike, gjëndjen e rëndë në të cilën, brënda një kohe të shkurtër, Miladini, Dushani dhe sejmenët e tyre të komunizmit sllavofil, kishin përpunuar në kah jo vetëm kundër kombëtar, por edhe kundër njerëzor, një pjesë të rinisë shqiptare të kohës. Infektimi me idetë vrastare deri në konceptimin e krimit si një “vepër morale”, rrëzimi nga piedistali i historisë kombëtare të autoritetit më të lartë të saj, brumosja me ide të kundër shqiptarizmit më agresiv, të njëjtësuara me termin antifashizëm, asgjësimi i plotë i parimeve morale të respektit ndaj prindërve e vlerave të familjes, tregonin zvetënimin shpirtëror në të cilin ishin zhytur Raskolnikovët dhe Ivan Karamazovët e vonë të jetës shqiptare. Fatkeqësisht, indoktrinimi me këta parime rrënuese për çdo popull, aq më shumë për ndonjë si yni, që nuk kishte në vetvete antikorpet e qytetërimit të vërtetë, nuk qe diçka e përkohëshme, nuk qe vetëm një kërkesë e kohës së vështirë. Ai u bë kuintesenca e filozofisë së “botës së re”, që ndërtuan ata djem e vajza partizane, në një Vend që u bë fusha më pjellore e sprovës më të suksesëshme të krimit në shkallë evropiane. Shifrat e përndjekjes komuniste janë aty, dëshmia më e mirë  dhe më e pakundërshtueshme e përmasave të së keqes që i sollën komunistët Shqipërisë.

            Shfaqje të dukurive të mësipërme, fatkeqësisht, vazhduan në gjithë harkun e qënies së regjimit, duke filluar me vrasjet masive të kosovarëve, si masakra e Tivarit, në dënimet e pafund të shqiptarëve që mbronin përkatësinë e Kosovës Shqipërisë, në krimet e përbindëshme ndaj oficerëve të SHIK-ut në Vlorën e vitit1997, deri në “teoritë” e sotme të “kombit kosovar” e të “çmitizimit” të figurave historike, duke kaluar nëpër thertoren e pafund të gjyqeve komuniste, që nga Riza Dani e Shefqet Benja deri tek “poliagjenti” Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu, këto brënda lëvizjes e “gjirit të partisë”, për të mos folur mbi gjëmën e madhe të pësuar nga kombi me zhdukjen sistematike të vlerave politike, kulturore e fetare, në asgjësimin fizik të inteligjencës kombëtare.

            Përballë daljes në skenë të PK e së ashtuquajturës lëvizje nacional-çlirimtare, nacionalizmi shqiptar, i përbërë nga bashkëpuntorët me Italinë, nga mbretërorët me në krye Abaz Kupin dhe nga partia e Ballit Kombëtar, ku militonin pjesa më e madhe e mërgatës antizogiste dhe antiitaliane, pati qëndrime të ndryshme, që kushtëzoheshin edhe nga aleancat në plan ndërkombëtar, që këto forca i quanin më të dobishmet për t’ardhmen e Shqipërisë. Jeta politike shqiptare e asaj kohe ishte në një ngërç tepër të vështirë për t’u zgjidhur. Motivet kryesore lëvizëse të tij ishin dy : Shqipëria etnike dhe Shqipëria e pushtuar. Ky inkuadrohej në kornizën e luftës botërore, të blloqeve kundërshtare të saj, e të lidhjeve, interesave, vartësive apo parapëlqimeve të rrymave të ndryshme të mendimit e veprimit politik brënda nacionalizmit shqiptar. 

            Problemi kombëtar, ruajtja e Shqipërisë etnike edhe përtej çastit politik të kohës, sido që të ishte fati i luftës, ky ishte shqetësimi kryesor i forcave politike nacionaliste, ky ishte dhe materiali lidhës që përshkontë atë pjesë të politikës, që ndahej pastaj pothuajse në të gjithë përbërësit e tjerë të programeve e filozofisë politike të tyre. Në krahun tjetër, PK vazhdonte të mbante një qëndrim të papërcaktuar, të fshehur mbas figurave nacionaliste të futura në gjirin e lëvizjes, megjithëse roli gjithënjë në rritje i të dërguarve jugosllavë në të nuk mund të linte asnjë shpresë në lidhje me respektimin e g jëndjes së re.

            Motivi i dytë shtytës i zhvillimit të ngjarjeve ishte lufta kundër pushtuesit. Këtë e propagandonin me forcë PK, dhe Legaliteti që, nëpërmjet Abaz Kupit, ishte integruar si forcë e pavarur në lëvizjen, por që gjithmonë pohonte vullnetin e njohjes së Shqipërisë etnike. Kundër pushtuesit italian ishte dhe Balli Kombëtar, që kishte dhe ai, si pikë të parë të programit Shqipërinë e bashkuar. Motivi i luftës kundër pushtuesit, që nxitej me të gjitha mjetet edhe nga misionet angleze që ishin të pranishme  në Shqipëri që në 1941, nëpërmjet organizatës D, e që nga maji 1943, në formë të rregulltë, pranë Shtabit të Përgjithshëm N-Çl. e pranë forcave nacionaliste, nxirrte në pah më shumë kundërshtitë e mëdha mes tyre. Bashkëpunumi i tyre me Frontin N.-Çl. që kërkohej me forcë nga misionet aleate, të cilat ishin të interesuara vetëm të angazhonin sa më shumë ushtarë të Boshtit në Shqipëri, që këta të mos kishin mundësi të shkonin në frontet e luftës në pjesë të tjera, krijonte zhgënjim e mosbesim tek pjesa tjetër që kishte bashkëpunuar me Italinë deri në kapitullimin e saj. Ai kapitullim solli një sqarim në jetën politike, hoqi prej saj rrezikun, e valëvitur për katër vjet, simbas të cilit Shqipëria kishte humbur pavarësinë  e saj, si pasojë e pushtimit ( e vërtetë) e që rrezikonte të humbte identitetin e saj si popull, si pasojë e Bashkimit (frikë e rreme). 

            Duke dalë nga kuadri shqiptar Italia me të gjitha pasojat e saj e duke u zëvendësuar nga Gjermania, e cila nuk kishte patur asnjëherë interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri, problemi shqiptar duhej parë në një dritë tjetër. Jo vetëm për faktin e mësipërm, por edhe për perspektivën e luftës që, me përjashtim të një faktori të jashtzakonshëm që mund të ishte arma atomike, tek e cila shpresoi deri në fund diktatori gjerman e që, ndoshta, mund të ndryshonte fatin e saj, dukej e vendosur në dobi të Aleatëve.

(VIJON)


[1] Kastriot Dervishi “Historia e Shtetit shqiptar 1912-2005”  F. 460 

[2]Faik Quku  “Qëndresa shqiptare gjatë luftës së dytë botnore 1941 – 1944” Vëllimi 2 F.46 – 47

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Nacionalizmi 5

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT