• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2020

Gjyshja që iku lart me zërin e ëmbël të mbesës

April 15, 2020 by dgreca

Tregim nga Keze Kozeta Zylo/

Vetmia përpirëse e detyruar sjellë një mori kujtimesh ose telefonata herë-herë të pazakonta që mund të mos i presësh kurrë në trurin tënd si i koduar me Covidin 19-të aq të mallkuar në gjithë botën.  Në këtë vetmi shkrimtari ka penën dhe librin si mikun më të afërt.

Duke rufitur kafenë e mëngjesit që çuditërisht më pëlqen ta shijojë vetëm nën lajmët e krisura pandemike, bie një zile qëzakonisht tingujt e saj në se dëgjohen natën ose dhe në mëngjes herët, më sjellin drithërima për ta kapur telefonin… 

E marr në dorë celularin dhe një zë i dobët paksa i ngjirur më duket se më vjen nga një planet tjetër, por që mëafrohet aq shumë sa një hap zogu nëpër telin e ballkonit tim…  

-Alo mike, jam Arba, por më tha mami t’ju them se Drita është shumë e sëmurë, është në “Intensive Care” me tubin e frymëmarrjes…Ajo donte t’ju lajmëroja përpara se t’ja vendosnin…  

Unë vazhdoja ta dëgjoja dhe asnjë fjalë nuk nxirrja nga goja, zëri im ishte mpiksur si pikë gjaku tek dredhëzat e avullit të kafesë që dukej sikur ngrihej një skulpturë njeriu lidhur ndër zinxhira nga satanai i padukshëm…  

-Alo më dëgjon më thoshte Arba dhe vazhdonte me zërin e saj valëngjethës… 

-Po doemos të dëgjoj zemër Arba, iu përgjigja dhe gjeta forcën për t’i dhënë kurajo se fundja për atë kurajo më kishte marrë, për të lehtësuar sadopak shpirtin e saj të hidhëruar si helmi i vdekjes.  Më vjen shumë shumë keq i thashë, por mendo pozitiv se ajo do të bëhet mirë dhe shumë shpejt do ta marrë vehten, mendo që shumë njerëz kanë shpëtuar mëshumë se kanë ikur. 

-Unë ndihem keq dëgjohej zëri i shqetësuar i Arbës se nuk më lenë të shkoj atje, ne spital, ajo po e përjeton vetëm, vetëm pa asnjë tek koka, kurrë s’mund ta mendoja se do ta lija mamin vetëm në ditët e saj më të vështira….  

A e beson se vajza ime Rozafa gjithmonë i thoshte: “Nëna, kur të plakesh ti, unë do të shërbej, psh: do të mas temperaturën, tensionin, frymëmarrjen dhe vinte mjetet e doktorit mbi kraharorin e saj të bardhë, aparatin lojë që ajo ia kishte blerë dhuratë për Vitin e Ri.  Zot sa kënaqej dhe rinohej kur luanin së bashku!  

Unë e dëgjoja Arbën me një tronditje të pazakontë.  Ajo kuptonte ndonjë shkëputje të përgjigjeve të mia dhe më tha: – “Ju lutem bëni kujdes për vehten tuaj se kjo flamë të ngjitet si magnet në lekurë dhe personi që e merr se kupton kurrë ashtu si dhe ai që e transemton”.  

-Po Rozafa e di e pyeta vazhdova unë?  

-Po. I tregova, ishja e detyruar, sepse ajo fliste në telefon me gjyshen disa herë në ditë në “facetime”.  Sa kënaqej kur Rozafa i tregonte ndonjë fragment në shqip nga ditari i saj brenda karantinës, por sidomos kur i shkruante në fund tëfragmentit:  “Gjyshja ime e dashur, unë lutem që të takohemi sa më parë dhe i vizantonte pëllëmbën e vogël me pesëgishtat e saj dhe brenda dorës vinte: Të dua shumë të  shoqëruar anash me një vizatim zemre të  kuqe!  

Para se të  të postoja vidion e Rozafës për emisionin tuaj: “Përshëndetje nga karantina, New York” Rozafa mori aprovimin e gjyshes për ta sjellë pranë jush dhe gëzimi i saj ishte i papërshkrueshëm.  

Se mendonte kurrë se ajo do të përfundonte me një temperaturë shumë të lartë dhe bllokim frymëmarrje. 

-Oh të lutem më fal, më fal që po e ndërpres se po më telefonojnë nga spitali…  Zëri i saj u ndërpre siç ndërpritet dëgjimi i një zëri nga një tornedo, furtunë e zezë që përfshin ç’gjen përpara. 

Shqetësimi rritet në maksimum kur je në telefon, sepse gërshëra e pandemisë e pret dhunshëm në mes.  Ndihmës infermierja kishte qëlluar shqiptare dhe para se t’i fusnin tubin e frymëmarrjes ajo i kishte thënë që dua të flas me bijën time.  

Nga kërkesat shumë të pakta të saj në atë lodhje sfilitëse ishin që të dëgjonte zërin e Rozafës, intepretimin e këngës në vidio për emisionin “Përshëndetje nga karantina, New York” që midis te tjerash dëgjohej:  

I ëmbël zëri gjyshes,

Kur ngjarjen ma tregon,

E lehtë dorë e saja,

Mbi krye m’ledhaton.

Por…gjyshja iku në vetminë gëlltitëse, ajo fluturoi lart si një pulëbardhë me pendët e hapura si tastierë ku nëpër ajri vazhdon të dëgjohet melodia e një kanarine të bukur që e donte pafund gjyshen e saj.

(dita e 31-të e izoluar brenda mureve nga Lufta pandemike botërore)

15 Prill, 2020

Staten Island, New York

Ps: Për të ruajtur privatësinë, emrat nuk janë real)

Filed Under: LETERSI Tagged With: Gjyshja, Keze Kozeta Zylo

NË EMËR TË LUFTËS KUNDËR KORONAVIRUSIT, A PO SHKOJMË DREJT DIKTATURËS ?

April 15, 2020 by dgreca

Nga Ekrem Spahiu*/

Zotërinj deputetë, mos votoni kundra demokracisë/

Qeveria, nëpërmjet aktit-normativ Nr.7, datë 23.03.2020, liroi nga qelitë e burgut 570 të dënuar, si masë kundër përhapjes së koronavirusit në vendet e vuajtjes së dënimit. Në këtë kuadër, Ministria e Drejtësisë, me anë të një kërkese, i është drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme të nxjerrë udhëzime në mënyrë që të kërkohen masa dënimi alternative, si dhe aplikimin e masave të sigurisë ndryshe nga “Arresti në burg” kur kjo është e mundur. 

Një zhvillim i tillë i papritur si epidemia e coronavirusit, e cila rrezikon në masë jetën e popullit në atë shkallë sa e rrezikojnë edhe luftrat, e bën të domosdoshme, që në kornizën e gjithë masave për përballimin e e saj, mund të parashikohen edhe masa penale. 

Por shohim se po kalohet në ekstrem. Qeveria ka propozuar që, për të gjithë ata që shkelin urdhrin e karantinës, të dënohen me burg deri në 10 vjet. Në rast të cenimit të jetës së qytetarëve, dënimi shkon deri në 15 vjet burg. 

Mendoj se, nëse shkelja e urdhrave të karantinës bëhet me qëllim kriminal apo terrorist, atëherë këto ndryshime në Kodin Penal janë të nevojshme dhe të justifikuara. Por nuk do e gjykoja të arsyeshme nëse këto masa merren për të frikësuar njerëzit. Popullata, më shumë mund të frikësohet përmes informacionit për rrezikshmërinë nga koronavirusi, sesa përmes kërcënimit.   

Italia, Spanja Franca, apo SHBA-të, në raport me ne po përjetojnë situata më të rënda, por nuk shoh që të kenë ashpërsuar masat, madje Britania e Madhe apo Suedia nuk e kanë cënuar farë lirinë e lëvizjes, e jo më të parashikojnë burgim. 

Një shtet demokratik garanton të drejtat dhe liritë themeltare të qytetarëve të tij, dhe balancon çdo masë që merr e nuk shkon drejt ekstremit. Në kushtet ku kurba e pandemisë nuk është në rritje dhe disa shtete kanë filluar lehtësimin e masave shtërnguese edhe ne duhet t’i lehtësojmë masat kufizuese.

Po pse e bën këtë Edi Rama? 

Për mendimin tim, Edi Rama ka vendosur që edhe këtë situatë ta shfrytëzojë për të rritur më tej autoritarizmin e tij. Shqipëria tashmë është një vend demokratik dhe ndoshta paralelet nuk shkojnë, por  të mos harrojmë se kështu e filloi edhe Enver Hoxha që gjatë luftës, për të jetësuar pushtetin e tij personal dhe me synimin e qartë për të vendosur diktaturen në Shqipëri. 

Shikoni dokumentin se si vepronin edhe pas “çlirimit” të Tiranës:

Sot jemi në kushte të tjera. Kuvendi i Shqipërisë, pavarësisht se në ç’numra ka rezultuar në total, i ka mjaftueshëm instrumentat për të ndaluar autoritarizmin e pakufi.

Që të miratohen këto amendime në Kodin Penal, duhen 3/5 e votave të deputetëve (84) të Kuvendit, dhe Edi Rama nuk i ka këto vota. Prandaj nëse deputetët e mazhorancës ndoshta nuk do guxojnë të shprehen kundër, deputetët e opozitës në asnjë mënyrë nuk duhen të miratojnë këto ndryshime, se i japin Ramës një mundësi të rrezikshme në dëm të shqiptarëve dhe demokracisë në Shqipëri. 

Opozita duhet të reagojë fuqishëm. Nëse ligji miratohet sot në Kuvend, opozita duhet t’i harroje protestat kundra qeverisë, të paktën deri në zgjedhjet parlamentare të radhës në qershor 2021, pasi për zgjedhje të parakohshme nuk mund flitet më. Kush thyen karantinën dënohet me burg!

*Ish – deputet & kryetar i PLL

Filed Under: Analiza Tagged With: EKREM SPAHIU -

“Cili vend është ky?

April 15, 2020 by dgreca


Nga Astrit Lulushi/

Një vend, ndodhur në shekuj në kufi midis dy perandorive, arrinë të bëhet vetëm një gjysmë-shtet me vështirësi identiteti me shprehje kulturash të ndryshme, njëra tërhequr nga perëndimi e tjetra nga lindja, dhe ku veset gjallojnë.
“Nata e Dymbëdhjetë”, titull bazuar në një udhëtim në disa vende gjatë periudhës Mesjetare për të shënuar fundin e 12 Ditëve të Krishtëlindjes (25 Dhjetori – 5 Janar). Dita e fundit e kësaj stine festive, e njohur thjesht si Nata e Dymbëdhjetë, ishte një shkëputje nga rutinat e përditshme, me të pira e të ngrëna pa masë, larg rregullave dhe status quosë shoqërore; kur fshatarët bëheshin zotër, pronarët, shërbëtorë dhe e gjithë bota në përgjithësi kthehej përmbys, përkohësisht, siç duket çdo ide e re në lindje.
Pjesa teatrale, e shkruar nga William Shakespeare, ishte planifikuar të interpretohej Natën e Dymbëdhjetë. Performanca e saj e parë e regjistruar ishte në vitin 1602.
Personazhi kryesor, Viola, maskon veten që të mashtrojë më tej veten në shoqërinë e Dukë Orsinos.
Studiuesit mund të flasin shumë për shfaqjen, por ajo që e bën të rëndësishme lojën e Shekspirit, nuk janë personazhet, por vendi ku zhvillohet pjesa më e madhe e saj. Viola dhe vëllai i saj, Sebastian, po udhëtonin me anije në det kur i zuri një stuhi e fuqishme. Anija mundi të ankorohej në breg, por vëllai i Violës për fat të keq nuk mund të gjendej. ‘Cili vend, miq, është ky?” – pyet Viola. Kapiteni i përgjigjet: “Kjo është Iliria, zonjë”.
Kur William Shakespeare shkroi Natën e Dymbëdhjetë, shumica e bregdetit Adriatik kontrollohej nga Republika e Venecias, një nga shumë principata të fuqishme italiane. Ishin vitet e fundit, ndërsa osmanët pritej ta pushtonin këtë territor. Njësoj, edhe periudha Elizabetiane në Angli po mbyllej.
Para kësaj, iliria ndahej mes disa mbretërive dhe territori i saj shpesh ndërronte pronësi. Në kohërat e lashta, rajoni ishte pushtuar nga Romakët. Para hyrjes së romakëve, peizazhi ishte një mori fisesh të ndryshme të pavarura dhe konfederata fisnore, disa më të fuqishme se të tjerët. Vetë Evropa Jug-Lindore është një zonë interesante tranzicioni, ku duket se gjërat nuk janë tërësisht evropiane dhe nuk janë plotësisht aziatike. Ndoshta kjo kishte të bënte me faktin se rajoni dikur kishte qenë pjesë e Perandorisë Romake, e cila shtrihej nga Spanja në Siri. Sidoqoftë, gjatë shekullit V, perandoria u nda në gjysmat perëndimore dhe lindore. Kryeqyteti i Perandorisë Perëndimore Romake ndryshoi shpesh për shkak të presionit të pushtimeve barbare dhe luftërave civile, por kryeqyteti i Perandorisë Romake Lindore ishte gjithnjë Konstandinapoli, Qyteti i Konstandinit, një tjetër figurë e shquar me prejardhje ilire. Që nga ajo kohë, Evropa Lindore mbeti një zonë si tampon midis perëndimit klasik romak dhe lindjes ekzotike Persiane. Gjatë fundit të shekullit V, kur Perandoria Romake u shemb përfundimisht, dallimi midis lindjes dhe perëndimit u bë gjithnjë e më i dukshëm. Perandoria e Lindjes u quajt Bizant pasi shtrihej ‘Midis’ Perandorisē Romake në perëndim dhe Perandorisë Persiane në lindje. Perandoria Perëndimore mbeti e ngurtësuar në shumë mbretëri të vogla, shumica me origjinë gjermane, ndërsa Perandoria Lindore, vazhdoi edhe 1 mijë vite, deri në pushtimin osman, duke mbetur edhe sot në mendësinë e shumë njerëzve.


Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

SHERIF BALI NE SOFREN E DIELLIT

April 15, 2020 by dgreca

POEZI NGA SHERIF BALI/

I PATJETËRSUAR/

Njerin vesh-të majtin-e kam Bethoven/

Por tjetrin-të djathtin-/

E kam Sherif./

O miq, diktatura, s’më bëri dot apokrif!/

PS:/

Armët e Skënderbeut Austria na mban’

                     Me këtë rast, Vjenës:

Të jap Bethovenin-na jep Skënderbenë?!

   *** 

SA HËNË E BUKUR

Sa Hënë e bukur sonte mbi Dajt!

                  Poshtë saj duhet shkruar:

                                              Ndalohet Duhani-

                                                                   Rrezik Zjarri! 

Se flakë papritur ajo mund të marri…

             E kush do ta shuaj?

Shqiptarët kanë ikur në dhe’ të huaj….

  ***

PERËNDI

Perëndi!

Sa mirë që Adamin

E zbove

Nga Parajsa.

Se dhe sot mollët s’do t’i fusnim ndër trajsa.

                Të falenderoj, për besë-

Në emrin tim dhe…të gruas: Aishesë!

***

SHQIPËRI

Shqipëri!

Një pishë e vetme s’e formon dot pyllin,

Për të formuar pyllin duhen shumë pisha.

                                                                       Kaq Kisha!

***

B L E T A (NJERA FAQE)

Miq!

Në daç paqe, në daç luftë,

Bleta,

Ka vetëm një zeje:

Të bëjë mjaltë pa i marrë kurrkujt leje!

 *** 

B L E T A (Faqa Tjetër)

E urtë bleta

Por nëse do ta ngacmonin

Ajo do sulmonte

Me jataganin-

Dhe vetë presidentin(Rexhep Meidanin)

Nëntor 1988

***

Ç’PO BËN 

Ç’po bën, moj e bukur?

 Si i marrosur,

Për ty 

U bëra.

Ç’vjeshtë me 7 gajda e 33 zëra!

                                                   Tani dhe Dajti…

Më ngjan si  një shtërg që do ta marrë Kuvajti…!

 *** 

AISHE RABIA

Më 12 Tetor 1986

Me Aishe Rabien u martova.

Nga gëzimi dhe Korbit të Poes

Ftesë Dasme i çova.

Diktatura ishte e egër,

S’donte të martohej kulaku i gjorë

Por ajo e sfidoi me guxim

Me datën e lume: 12 Tetor!

Prandaj atë e dua kaq shumë

Siç dua dhe zogjtë këngëtarë të Kories.

Francë, a ma jep kullën Ejfel,

T’i bëjmë me të dy vëthë Aishe Rabies?

   ***

NEBI BALI                                            

Një ditë të bardhë nuk pa babai im,

Shkonte punonte nga Balaj në Gollare,

Teksa Hënën pinte sa pinte

Dhe bishtin ia flakte( O ç’dreq cigare!)

As kur erdhi ajo…(Demokracia)

Gëzim s’i solli…(qe një lloj revolucioni!)

Fatin e tij e qau dhe qyqa),

E qau dhe Gjoni….

Relike të tij unë nuk mbajta

Por nëse do të duhet në vështirësi s’do më vërë.

Ja, ja relikja e tij më e mirë:

Hëna(Cigarja që s’e piu të tërë!)

***

SHAHE BALI

Veç nëna ime, darsianka Shahe Bali,

Ajo që mua një ditë Vjeshte më solli,

Ka qenë më e bukura nga gjithë fshataret

Dhe jo devollitka Hatixhe Agolli!

Kur shkruan kështu për nënën e tij ,

Dritëro Agolli e ka gabim,

Se ai po ta ksih parë nënën time

Do ta kish bërë vetë këtë përgënjeshtrim.

Mbase do shkruante dhe një vjershë

Për nënën time që ën Shqipëri shetit hijen

Dhe ajo do t’i fuste në trajsë dy ftonj,

Një për mbesën:

                              Anën….

                                         Një për gruan:

                                                                   Sadijen!

G R E K J A

S’me duhen salla e muzika

Që emocionet ty t’i prekja.

As dhe përkthyes për ët folur,

(Nuk jam Pushkini e ti grekja)

Më duhet veç një pellg i vogël

Ku fytyrën të shikosh

E ku dhe ujin po e piva…

Grekja të mbetet përposh…!

***

P U SH K I N I

Në fushë të shpura ty, ku Hëna,

Si një iriq që s’ka një gjemb,

Pup-pup na hidhet mu tek këmbët

Me dashuri(Se mos e tremb!))

Ah, edhe ty s’të duhet tjetër,

Veç ai pellgu aq me besë,

Ku dhe ti ujin po e pive

Pushkini prapë përposh të mbesë!

***

DRERI

Mbaroi Lufta e Ftohtë 

  Tejembanë TV-të

E dërguan

Haberin…

U Çarmatos BRSS, po kush çarmatos drerin?

Shigjetat-

                                  Ende në kokë ai i mbanë të shkretat! 

***

O K B

Drer:

Pse I mban ende ato shigjeta në kokë? 

Se OKB-ja e ka larg selinë, more shokë…!

***

KAFJA

Kush hënën si një xhezve ari

E vuri sipër mu tek retë?

S’e di por, ja, ajo tek është,

Pa kafe e ujë.(Ia futni vetë)

Tani, meqenëse ma dhe,
përfundimisht ti mua llafen,

Xhezven e Hënës a e marrim

E pijmë më së fundi:Kafen?

***

Xhezves së Hënës ujë e kafe

I futa unë nën muzgjet blu

Dhe dy filxhanë, që të mbaj fjalën,

Plot mbusha.(Nuk e patë Ju?)

S’ka gajle se jam i martuar,

Sepse kështu e ka poeti:

Një gruaje i vë kurorë

E tjetrës Jo….

                   E ç’ti bëj shteti?

***

NUN I BUKURESHTIT

Emri i kryeqytetit të Rumanisë, Bukureshtit,

Vjen nga shqipja:

                            Bukur është, ç’është i bukur!)

Shqipe e pastër që s’do mund për t’u dukur.

                       Rumani, Rumani

      Pse pret ta them unë?:

Që Kryeqyteti yt Shqipërinë e ka NUN?

   ***

V D E K J A

Kur jemi të rinj

Për vdekjen

Flasim shpesh…

Se e dimë që ëshët larg…(në Bangladesh)

                          Kur plakemi

                          Flasim më rrallë…

Se e dimë që është afër…(Nën portokall!)

***

    H Ë N A 

Nuk ka një cep të tokës sonë

Ku të mos gjesh një varr të thjeshtë

E ku gjinkalla ca minuta

Në shenjë nderimi të mos heshtë!

E të mos hapen varre fare

Nuk ka një ditë gjithashtu

Por vetëm dhunë, gjak e vrasje,

Tmerrohem nga kjo gjëmë? Po Ju?

Prandaj kaq shumë e dua Hënën

E flas për të si një i marrë,

Se në kontrast me tokën tonë:

Nuk ka një varr! Nuk ka një varr!

*Poezitë janë shkruar në Tetor-Nëntor 1998. Poeti, miku im Sherif Bali m’i pat dërgua në një fletorë të shkruar me kaligrafinë e tij të mrekullueshme. Aso kohe iu botu një faqe gazete në suplementin letrar të “Republikës”, kur unë isha Kryeredaktor, por një pjesë mbetën. Po i publikoj në kohën e Koronavirusit se mendoj e keni kohën e bollshme për t’i shijuar. Ata që e njohin penën dhe stilin e Sherif Balit, jam i bindur se do të kënaqen.(Dalip Greca)…

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Sherif Bali-Poezi

PRESIDENTI QE U BETUA NE BORDIN E AVIONIT PRESIDENCIAL

April 15, 2020 by dgreca

Nga Historia e Presidentëve të Amerikës/

-Lyndon Baines Johnson, Presidenti i 36-ë i SHBA-ës, që u betua në bordin e avionit presidencial, 2 orë pas vrasjes të Presidentit Kendey/

Nga Raimonda MOISIU/ Florida

Ishte 22 Nëntor i vitit 1963, dhe Zv/Presidenti amerikan, Lyndon Johnson gjendej në kavlarin fatal të makinave, madje në një distance fare të shkurtër mbas makinës së Presidentit Kennedy, në Dallas të Teksas-it. Sapo u dëgjuan të shtënat e para, roja i tij, e shtyu fort Johnson-in, dhe e shtriu në tapetin e makinës, duke e mbuluar me trupin e tij.Menjëherë,  me shpejtësi të madhe, ndoqi makinën e Presidentit Kennedy drejt Spitalit Memorial Parkland në Dallas, aty ku dhe Presidenti Kennedy u njoftua se kishte ndërruar jetë.

Në 2:39 P.M., pa kaluar ende dy orë nga vrasja tragjike e Kennedy-it, – 55 vjeçari teksanas, Lyndon Baines Johnson u betua në bordin e avionit presidencial, si Presidenti i 36-ë i SHBA-ës. Ceremonia e Aktit të Betimit u zhvillua në prani të Gjykatëses Federale, Sarah T. Hughes, dhe ishte hera e parë në historinë e Amerikës, që një grua asistonte betimin e një Presidenti. Zv/Presidenti i tetë Lyndon Johnson mori automatikisht presidencën pas atentatit fatal që i mori jetën Kennedy-it. Menjëherë pas betimit, Johnson emetoj urdhrin e tij të parë presidencial, “Tani, le të nisim fluturimin”! Disa orë më pas, teksa miliona amerikanë po shikonin lajmet në TV-n, avioni presidencial u ul në aeroportin e Washington-it. Lyndon Baines Johnson, teksanasi i gjatë 6.3 inch, e bëri të qartë se e konsideronte veten parimor dhe përfaqësues të ligjit si paraardhësi i tij që kishte studiuar në Harvard. Me bashkëshorten e tij, në krah, Znj. Lady Bird, -Johnson ndaloi para mikrofonit në aeroport dhe adresoi fjalët e tij të para, për të qetësuar popullin amerikan: “Do të bëj më të mirën, gjithçka që unë mund të bëj me ndihmën tuaj dhe të Zotit.”

Johnson qëndroi enkas në sfond, t’i jepte mundësi popullit të tij të shprehte dhimbjen dhe hidhërimin në ceremonitë e meshës funerale për Kennedy-in. Veç kësaj, pesë ditë pas vrasjes, dhe një ditë para Ditës së Falenderimeve (Thanksgiving), në një seancë të jashtëzakonëshme të Kongresit, ai mblodhi bashkë senatorët dhe deputetët (përfaqësuesit e popullit), për të nderuar kujtimin e Kennedy-it dhe u zotua se do të çonte përpara nismën e tij; “Fronti i Ri”, (New Frontier)-duke thënë vetëm: “Le të vijojmë ne tani! 

Kur zv/presidenti i tetë Lyndon Baines Johnson 

mori mandatin presidencial për shkak të ndarjes së parakohëshme nga jeta të Kennedy-it,  ai ishte tejet i pergatitur dhe mjaft i suksesshëm për ta bërë atë detyrë, se secili nga shtatë paraardhësit e tij. Gjatë administratës së Presidentit Kennedy, Johnson kishte dhënë prova të mjaftueshme, përgjegjësi të jashtëzakonëshme dhe të rëndësishme, duke qenë i mirë-informuar për funksionet e brendëshme të qeverisë, se sa mund të ketë qenë ndonjë Zv/President i mëparshëm. Për më tepër, ai ishte një mjeshtër i sprovuar i politikës, kishte vite që shërbente në Kongresin Amerikan; – dymbëdhjetë vjet deputet (përfaqësues i popullit) dhe dymbëdhjetë vite të tjera senator, ndërsa vitet e fundit lider i shumicës qeverisëse. Pas shuarjes së Kennedy-it, Johnson premtoi se do të çojë përpara nismën e programit strategjik “New Frontier” (Front i ri)-i cili kishte ngecur nga mosveprimi i organit legjislativ. Dhe ashtu bëri! Në zgjedhjet presidenciale të vitit 1964, ai fitoi mandatin presidencial, duke paraqitur të gjitha prioritetet dhe strategjitë e mëparëshme, dhe mori mbi 43 milion vota popullore. 

Ai kërkoi me procedurë të shpejtuar, projekt-ligjin e ri të të drejtave civile; “për të fshirë si komb, çdo tragë të diskriminimit dhe despotizmit bazuar në racën dhe ngjyrën”. Gjithashtu, ai kërkoi po me procedurë të përshpejtuar, masën e rishikimit të taksave e paraqitur nga Kennedy, me qëllim “për t’iu dhënë zgjidhje shoqërive të sigurimeve nga rreziku i recesionit.” Dhe ai apeloi, “Le të votojmë këtu dhe t’i tregojmë kombit se sa i vlefshëm dhe i dobishëm ishte John Fitzgerald Kennedy aq sa ai jetoi! Johnson i njihte dhe i respektonte të gjithë anëtarët e kabinetit “Kennedy”, madje ai nuk i largoi ata nga postet drejtuese, përfshirë edhe vëllain e ndjerë të Presidentit, Robert Kennedy, i cili ishte edhe Prokuror i Përgjishëm, njëkohësisht. Një vit më pas do të ishte po vetë, Bob Kennedy që u largua i pari, mbasi hodhi kanditaturën për senator i shtetit të New York-t. Në 8 janar 1964, Presidenti Johnson iu drejtua Kongresit Amerikan duke përsëritur thirrjen e tij për të zbatuar dhe përmbushur programin e Kennedy-it.

“Ky sesion i Kongresit do të kujtohet si sésioni që bëri më shumë për të drejtat civile se njëqind sesione bashkë; si sesioni që miratoi uljen e taksës masivisht në historinë tonë; si sésioni që i shpalli luftë të gjithanshme varfërisë dhe papunësisë në SHBA-ës; si sésioni që pranoi më në fund të mbështesë nevojat shëndetsore të moshës së tretë; si sesioni që reformoi politikat e transportit e tranzicionit të ndërlidhura mes tyre; si sesioni që realizoi si kurrë ndonjëherë programin më efektiv të ndihmës së huaj; dhe si sesioni që miratoi ndërtimin e më shumë shtëpive, shkollave, më shumë biblioteka dhe spitale, se sa çdo sesion i vetëm i Kongresit, në të gjithë historinë e Republikës sonë!” Kongresi reagoi menjëherë ndaj apelit të Presidentit Johnson duke miratuar të gjitha aktet-ligjore të cilat ai kërkoi, përveçse njërin prej tyre; atë të kujdesit mjekësor për të moshuarit. Për të drejtuar nismën e tij “Luftë ndaj varfërisë”, ai emëroi Sargent Shriver, kunatin e Kennedy-it, i cili kishte drejtuar me sukses Korpusin e Paqes, (Peace Corps.).

Më 20 Janar, të vitit 1965-ë, ditën e inagurimit si presidenti i 36-ë i SHBA-ës, Lyndon Johnson i drejtohet popullit amerikan, duke shprehur modelin e tij të përkryer dhe shpresëdhënës për të ardhmen: “ Në këtë ditë historike, betimi që kam bërë para Jush dhe Zotit, nuk është vetëm e imja, por e jona së bashku. Ne jemi një komb, një gjuhë, një popull! Fati ynë si komb dhe e ardhmja jonë si popull, nuk qëndron te një qytetar i vetëm, por te të gjitha qytetarët amerikanë. Kjo është madhështia dhe domethënia e këtij momenti. Çdo gjeneratë shkruan historinë dhe fatin e tij. Për disa vendos historia. Për këtë gjeneratë zgjedhja është e jona. Edhe tani, që një raketë po shkon drejt Marsit, e cila do të na kujtojë se bota nuk do të jetë e njëjtë për fëmijët tanë, madje edhe për veten tonë brenda një përiudhe të shkurtër vitesh. Dikush tjetër që do të vijë këtu, do të shohë një pamje që është krejt ndryshe nga e jona, sepse kjo e jona është koha e një ndryshimi të menjëhershëm dhe madhështore, duke zbuluar sekretet e natyrës, rritjen e kombeve, dhe se armët e reja nuk mund të kontrollohen nga duar të pasigurta, që të mos trondisim dhe të mos shkatërrojmë vlerat tona të dikurshme dhe të mos ç’rrënjosim zakonet tona të lashta.

“Faty ynë midis këtij ndryshimi do të mbështetet në besimin dhe karakterin e qytetarëve tanë. Ata erdhën këtu mërgimtarë të detyruar dhe të pazakonshëm, kurajozë dhe të trembur, për të gjetur një vend ku njeriu të jetë njeri, dhe bënë një “marrëveshje” shpirtërisht e moralisht me këtë tokë, -e konceptuar në drejtësi, shkruar në liri brenda bashkëjetesës, që nga dita në ditë të ndriçojmë dhe të frymëzojmë shpresat e mbarë njerezimit. Atë që ç’ka na mban ne ende të bashkuar. Nëse ne i respektojmë dhe i zbatojmë kauzat e tij, ne na pret një e ardhme e ndritur.” 

-Lyndon Baines Johnson dhe programi i tij -“Një Shoqëri e madhe”,-në kuptimin “madhështore”,  jo për nga madhësia, por nga vlerësimi moral e shpirtëror.

Si President me të drejta të plota, Johnson pati sukses të jashtëzakonshëm në Kongresin amerikan në lidhje me zbatimin e programit domestik të “Një Shoqëri e madhe”,-në kuptimin “madhështore”,  jo për nga madhësia, por nga vlerësimi moral e shpirtëror për të. 

Ai fitoi miratimin e programit legjislativ nga më të rëndësishmet e vizionit të tij në historinë e vendit, e quajtur  “Një Shoqëri e madhe”. Në fjalimin e tij inaugurues në vitin 1965-ë, ai tha:

“Nuk besoj se programi “Një Shoqëria e Madhe”  është porositur si një tabor i përhershëm dhe shterpë grenzash, por është enthusiazmi i pëkryer, – gjithmonë i duhuri dhe i vështiri, me  të përpjetat e të tatëpjetat e tij, të uljes  dhe ngritjes – por gjithnjë duke u munduar dhe gjithmonë duke fituar. Në çdo brez – me mundim, lotë dhe sakrifica – na është dashur të kurojmë plagët, të përmirësojmë e të ndërtojmë nga e para, gjithçka në dobi të trashëgimisë sonë.” Duke e quajtur nismën e tij legjilslative “A Great Society”, (“Një Shoqëri e Madhe”),-Johnson miratoi projekligje gjithpërfshirëse sikundër; të drejtat civile, ulje taksash, për të stimuluar ekonominë, hodhi miliarda dollarë për programin kundër varfërisë, ndihma federale për të gjitha aspektet e edukimit dhe arësimit, dhe rriti përfitimet nga numuri i punës, që përfshinte; “Food Stamps”,  (Tallona ushqimore), dhe siguracionin mjekësor,  veçmas për shtresën e varfër, të paftët për punë dhe të moshuarit. Kongresi miratoi projektligjin për investimet në miliarda dollarë për formimin dhe arësimin profesional, shtimin e shkollave dhe bibliotekave në të gjitha kategoritë shkollore e sociale. Programi i nismës “Një Shoqëri e Madhe” u bë agjenda e Johnson-it për Kongresin në Janar të vitit 1965-ë; ndihma për edukimin dhe arësimin, kapjes dhe përgjigjes në kohë të pandemive madhore të sëmundjve infektive në masë, kujdesit shëndetsor, rimëkëmbjes dhe rimodelimit të qendrave urbane, mbrojtja dhe ruajtja e mjedisit dhe zhvillimi ekonomik e social të zonave më pak të zhvilluara, luftë në shkallë të gjerë kundër varfërisë, efektivitetin për parandalimin dhe kontrollin e shkelësve të ligjit dhe krimit, heqjen e pengesave ligjore që kufizojnë të drejtën për të votuar. Konventa kombëtare Demokratike që u mbajt në Atlantic City në gusht të 1964, miratoi platformën kryesore që denonconte “extremizmin” e organizatave të tilla, të quajtura si Partia Komuniste, Ku Klus Klan, dhe Shoqata John Birch, si shëmbuj të grupeve ekstremiste.

Ligjvënësit amerikanë miratuan dhe presidenti Lyndon Johnson nënshkroi ligjin për të Drejtën e Votës. Ligji i ri i dha fund diskriminimit racial në votim, duke u dhënë miliona afrikano-amerikanëve, në shumë pjesë jugore të Shteteve të Bashkuara, mbrojtje federale për të ushtruar të drejtën e tyre për votim. Strategjia e Skemës të “Social Security” –për zgjerimin e përfitimeve nga Nr.i Punës- në bazë të normave dhe kontributeve, siguracionin e kujdesin shëndëtsor dhe mjekësisë intensive për personat mbi gjashtëdhjetë e pesë vjet. Pa lënë pas dore asnjëherë programin gjithpërfshirës kundër varfërisë. Në vitin 1966-ë u ngrit Këshilli i Departamentit të Strehimit dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm Urban, në kuadrin ligjor të rregullimit e sistemimit të qyteteve dhe vendbanimeve, në planifikimin dhe zbatimin e këtyre politikave. Në vitin 1967-ë u krijua Departament i ri i Transportit.

Kongresi, herë duke shtuar dhe herë duke ndryshuar, miratoi me procedurë të përshpejtuara rekomandimet e Johnson. Miliona njerëz, veçmas të moshuar gjetën mbështetjen dhe ndihmën e tij përmes ndryshimit të “Medicare” të vitit 1965-ë në Aktin e ”Social Security”. Nën udhëheqjen e Presidentit Johnson, SHBA-ës bënë eksplorime hapësinore spaktakolare bazuar në programin që ai e kishte trashëguar dhe mbështetur qysh në fillim.   

Kur tre astronautët arritën të ulen me sukses në Hënë, Johnson i përgëzoi ata duke iu thënë: “: 

“Ju keni marrë me vete të gjithëve ne, në të gjithë botën, drejt një epokë të re….” 

-Lyndon Baines Johnson i pafat dhe më pak i suksesshëm në politikën e jashtëme.

Por Johnson nuk pati fat dhe ishte më pak i suksesshëm në politikat e jashtëme. Kur ai dërgoi trupat amerikane në Republikën Domenikane të parandalonte komunistët të merrnin qeverinë, ai ngjalli frikën dhe panikun e një politike të re ndërhyrëse nga ana e Shteteve të Bashkuara, në kontinentin latin. Ndërsa më vonë, kur trupat amerikane u bënë pjesë e një force ndëramerikane të komanduar nga një gjeneral brazilian, atëhere u duk sikur kontinenti latin mori frymë disi i lehtësuar. Megjithatë, katastrofa dhe disfata më e madhe ishte Lufta e Vietnamit, të cilën ai arriti ta shdërronte në Luftën më të gjatë dhe më koston më të lartë njerëzore në historinë e SHBA-ës. Në përpjekje për të përshkallëzuar praninë antikomuniste amerikane në luftë kundër Vietnamit të Veriut komunist si dhe guerilasve vietkongë në Vietnamin e Jugut, gjetën vdekjen më shumë se 58 mijë ushtarë amerikanë dhe më shumë se 300 mijë u plagosën. Lufta ndau jo vetëm popullin amerikan dhe familjet, por ajo ktheu të rinjtë kundër të moshuarve, si dhe shkaktoi një valë mosbesimi mes shumë amerikanëve dhe udhëheqësve të tyre. Pas gjithë këtyre, situata në Vietnam dhe trazirat publike në Amerikë, e detyruan Johnson të tërhiqet nga kandimi për një mandat të dytë si President. Johnson mori kritika të mprehta në vitin 1965-ë për ringjalljen e imperializmit amerikan në Amerikën Latine kur dërgoi 28,00 marinsa amerikanë në Republikën Dominikane për të shkatërruar revoltën kundër qeverisjes së vendit. Ai e shpjegoi këtë me arësyen se dëshironte të pengonte forcat komuniste të merrnin pushtetin, sikundër kishte ndodhur në Kubë. Ai më vonë i vendosi trupat amerikane nën mbikëqyrjen e Organizatës së Shteteve të Amerikës, të cilat i tërhoqi në vitin 1966-ë.

Ndërkohë dhuna e brendëshme sa vinte e po rritej në SHBA-ës, në një farë mase si rezultat i protestave kundër Luftës në Vetnam, dhe pjesërisht, sepse shtresa e të varfërve me ngjyrë mendonin e besonin se fondet dhe të ardhurat e tyre që ata duhet të merrnin, po ndërronin drejtim dhe po shkonin për llogari të luftës. Trazirat shpërthyen edhe në getot e zezakëve në shumë qytete të Amerikës, në vitet 1966-1967. Më e keqja dhe më e rënda, ndodhi në Detroit nga 23-30 Korrik 1967-ë, ku u vranë 43 persona dhe u plagosën 2000-ë të tjerë përballë forcave federale dhe Gardës Kombëtare të cilët morën nën kontroll përleshjet dhe plaçkitjet e dyqaneve. Kur Martin Luther King Jr., Udhëheqësi i Lëvizjes së të Drejtave Civile të Afrikano-Amerikanëve u vra në 4 Prill 1968-ë, në Memfis, Tennessee, trazirat për barazi racore shpërthyen në më shumë se 100 qytete. Madje, Johnson i duhej të thërriste trupat federale për të mposhtur trazirat në kryeqytetin e vendit, Washington. 

Dështimi i tij për ta bërë Luftën në Vietnam, të suksesshme, shpërthimi i dhunës brenda SHBA-ës, dhe fryma e pakënaqësisë e amerikanëve, e rrënuan administratën e tij. Johnson nga ana e tij për dështimin fajësonte paaftësinë e publikut për të kuptuar rëndësinë e asaj që ai vetë ishte përpjekur të arrinte në Vietnamin e Jugut. Duke i hequr vetes të gjitha mundësitë që mund të interpretoheshin për promovimin i fatit të tij politik, Johnson njoftoi se nuk do të kandidonte për një mandat të dytë si president. Vietnami i Veriut reagoi menjëherë rreth kësaj, dhe në Maj të po atij viti, filluan bisedimet personalisht midis emisarëve amerikanë dhe Vietnamit të Veriut në Paris.

Biografia e Lyndon Johnson

Lyndon Baines Johnson lindi në një fermë që gjendej në zonën kodrinore e lënë djerrë, pranë Stoneëall, Teksas, në 27 gusht, 1908-ë. Ishte fëmija i parë nga pesë fëmijët e Samuel dhe Rebekah Johnson. Që të dy nëna e babai kishin qenë mësonjës, kështu që ata i mësuan atij shkrim e lexim, madje para se ai të fillonte shkollën.

Duke qenë se babai dhe dy gjyshërit e tij patën qenë anëtarët e Parlamentit të Teksasit, djaloshi i ri Lyndon u rrit duke dëgjuar brenda familjes biseda e debate politike. Në moshën 5 vjeçare, Lyndon u zhvendos së bashku me familjen e tij, në Johnson City, Texas, -qytet që kishte marrë emrin e gjyshit të tij, dhe Johnson filloi shkollën publike në po atë vit. Si të gjitha familjet në qytetet e vogla, edhe familja Johnson mezi siguronte të ardhurat për të jetuar. Teksa Lyndon rritej, ai bënte punë të rëndomta si lustronte këpucët dhe mblidhte pambuk, dhe lekët që fitonte i harxhonte për filma dhe argëtime të tjera. Në moshën 15 vjeçare mbaron arësimin e hershëm. I lodhur nga librat e studimi, Lyndon vendosi t’i braktisë ato, dhe zgjodhi ta bëjë jetën sipas mënyrës së tij, pa vazhduar arësimin e mëtejshëm. Ai dhe disa shokët e tij shkuan në Kaliforni, ku aty ai bëri jetën e një endacaku që bënte punë të ndryshme, si; vjeljen e agrumeve dhe pjatalarës, dhe arrii të kuptonte se sa e vështirë ishte të fitoje para në fermë, veçmas në periudhën e depresionit. Mbas një viti, ai u kthye në Johnson City, ku filloi punë në një kompani për mirembajtjen e rrugëve. Ishte një punë krahu tejet e vështirë, por ai me kokëfortësi qëndroi rreth një vit, megjithë nxitjen dhe insistimin e vazhdueshëm të dy prindërve për të vazhduar shkollën. Përfundimisht, në moshën 18 vjeçare, ai ndërroi mendje dhe mori hua $75 nga banka e qytetit, dhe rregjistrohet në Kolegjin e San Marcos, Teksas, në degën e mësuesisë. Lyndon Johnson studionte dhe punonte, madje duke bërë dy punë; pastrues dhe asisten në zyrën e dekanit të kolegjit. I lë studimet për një vit dhe shkoi të punonte në një shkollë fshati, Cotulla, – duke iu dhënë mësim disa fëmijëve meksikanë- ku shumicën e rrogës së tij e shpenzoi duke blerë kënd lojërash dhe mjete mësimore për nxënësit e tij të varfër. Kthehet përsri në Kolegj, dhe diplomohet në vitin 1930, në moshën 21 vjeçare. Mbasi dha mësim për rolin dhe marrëdhëniet me publikun në gjimnazin e Houston, Johnson iu dha mundësia t’i hynte politikës. Deputeti amerikan, Richard Kleberg, një nga pronarët e miliona hektarëve në fermën King, i kërkoi Johnson të shkonte në Washington si sekretari i tij me rrogën $3000 në vit. Nga viti 1932-1935- në muajt e fundit të Administratës së Presidentit Hoover dhe në vite e para të Adminitratës së Roosevelt, Johnson mësoi ekzaktësisht se si funksionte Kongresi. Në një nga vizitat familjare të tij në Teksas, në 1934, Johnson 26 vjeçar u njoh me 20 vjeçaren Claudia Alta Taylor, të cilën familja dhe shoqëria e thërrisnin me përkëdheli, Lady Bird. Mbas dy muaj të njohjes së tyre, më 17 Nëntor 1934, ata u martuan në një ceremony të thjeshtë familjare. Disa vite më pas, me të hollat e trashëguara nga nëna e saj, Znj. Johnson bleu një stacion radiofonik në Austin, Teksas, dhe me aftësi të jashtëzakonëshme për bisnes, ajo arriti të shndërronte investimet e saj në 

një pasuri prej miliona dollarë. Nga ajo martesë ata patën dy vajza. Kur Presidenti Roosevelt themeloi NYA-(National Youth Administration) në vitin 1935, si një program për të mbështetur të rinjtë e papunë të fitonin të holla e të vazhdonin shkollën, Johnson aplikoi për punë në organizmën e sapo krijur. Në moshën 26 vjeçare ai u emërua Administrator i Degës së NYA për Teksas-in,  -një nga drejtorit më të rinj në moshë deri në vitin 1937-ë. Aty për aty ai organizoi projekte, që punësoi dhjetra mijra të rinj. 

1937-1948 Lyndon Johnson zgjidhet Deputet për Teksas-in.

1941-1942 ai shërbeu në mënyrë aktive në Luftën e Dytë Botërore si Leitnant në Ushtrinë e SHBA-ës. 

1949-1960, Senator për Teksas-in, dhe Kryetar i Senatit, 1955-1960.

1961-1963 Zv/President i SHBA-ës.

1963-1969, zgjidhet President i 36-ë i SHBA-ës.

Ndahet nga jeta më 22 Nëntor 1973, në fermën e tij, pranë Johnson City, Teksas.  

Nga Raimonda MOISIU

Author & Freelancer 

Florida USA  

Filed Under: Featured Tagged With: Presidenti i 36, SHBA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT