• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2020

Luftëtari i Nju Jorkut që mundi Coronavirusin kinez

April 28, 2020 by dgreca

Bisedoi Keze Kozeta Zylo/

IMER LAÇAJ: Diten e pestë rreth orës 1:00 të natës fillova të perjetoj vështirësi në frymëmarrje dhe mungesë të pamjaftueshme oksigjeni. Arritja e ambulancës më shqetësoi shumë.  Në atë moment mendova se mbarova, dhe nuk do kishja mundësi të shikoja më familjarët e mi.)  

Z. Imer Laçaj, Ju jeni në ditën e tretë që keni mundur plotësisht Corona Virusin Kinez, ku ju vuajtët me dhimbje i shtrirë në shtrat nga pasojat e tij.  Mund të na i përshkruani këto ditë të vështira?

Faleminderit znj. Kozeta! Unë fitova mbi këtë përbindësh të rrezikshëm që nuk njeh moshë dhe është i pamëshireshem ndaj njerëzimit. Përfitoj nga rasti të shpreh falënderime të sinqerta gjithë familjes sime, të afërmëve, dhe të gjithë shoqerisë për mbështetjen, mesazhet inspiruese, apo këshillat e tyre të pandërprera.  Ju u shqetësuat duke menduar rreth shëndetit dhe fatit tim, më dhatë forcë dhe kurajo për të luftuar dhe fituar, për të qenë përsëri në gjirin tuaj dhe gëzimet e ardhshme të familjes dhe të shoqërisë sonë.  

Ditët e para fillova të ndieja shenja dobësie në trup. Ndihesha i lodhur dhe fillova të kem dhimbje të lehta koke. Kjo më krijoi edhe lëvizje tensioni. I preokupuar, thërrita departamentin e shëndetit të spitalit ku unë punoj, dhe më rekomanduan të bëja testin.  Brenda 48 orëve mora përgjigjen që isha pozitiv me virusin Covid-19. Kam pasur shumë dhimble, sidomos 4-5 ditët e para. Ishte nje luftë shëndetësore për jetë a vdekje. Isha i këshilluar që duhet të lëvizja sa më shumë, aty ku isha, në dhomën time të izolimit. Nganjëherë unë ulesha në katin e parë të shtëpisë për lëvizje, por kur kthehesha për në dhomë, më duhej të zvarritesha nëpër shkallë dhe të hidhesha në krevat pa pikë force, biles nganjëherë dhe me vështirësi frymëmarrje. Kisha dhimbje shumë të mëdha në të gjithë trupin. Më dukej sikur mijëra forca të padukshme më çukisnin në trup, sikur po më bënin tatuazh dhe trupi më pickonte pandërprerje. Kokën e kisha tepër të rënduar, sa më dukej se ma kishin futur midis dy morsetave dhe vetëm e shtërngonin atë pa mëshirë, e unë nuk e lëvizja dot. Përdorja Tylenol për dhimbje koke, vitamin C, Zinc 50mg, Vitamin D3, baby aspirin si edhe Losartan për tesionin gjaku. Nuk më rekomanduan asnjë ilaç, për këtë virus, dhe ky fakt më shqetësonte. Gjatë gjithë këtyre ditëve bashkëshortja ime ishte në rolin e një infermireje shumë të kujdeseshme, më maste tensionin dhe temperaturë 3-4 herë në ditë. Me shumë vështirësi mundohej të më ushqente, pasi mua më kishte lënë oreksi dhe ndryshuar shija.  Arrita të haja gjysmë avocado në ditë dhe e ndieja që familja dhe shoqëia gëzohej, se merrja energji për të luftuar sëmundjen. Sigurisht që humba peshë rreth 12 Lb për një kohë tepër të shkurtër. Unë djersitesha shumë gjate natës. Arrita të ndërohesha tre ose katër here. Diten e pestë rreth orës 1:00 të natës fillova të perjetoj vështirësi në frymëmarrje dhe mungesë të pamjaftueshme oksigjeni. Arritja e ambulancës më shqetësoi shumë.  Në atë moment mendova se mbarova, dhe nuk do kishja mundësi të shikoja më familjarët e mi.  Fillimisht i thashë paramedikëve se “nuk vij” dua  të vdes në shtëpi” por  pastaj mendova pak më thellë e i thashë vehtes duhet të zbatosh rregullat. Në spital shërbimi ishte shumë i shpejtë dhe mjaft cilësor. Parametrat u normalizuan në dalje të ditës dhe ata vendosën të më dërgojnë  për kujdes të mëtejshëm në shtëpi. Po atë ditë fillova edhe një antibiotic “Azithromicyn”. Ditët që vijuan ishin edhe më të lehta. Pas ditës së gjashtë fillova të kisha ndryshime të dukshme si në ecje ashtu edhe në perdorimin e ushqimit. Mendova se e kisha fituar betejën me virusin kinez.

Si ishte trajtimi mjekësor dhe a u bë testimi në kohën e duhur?

Departamenti i Shëndetit të Spitalit ku unë punoj, më rekomandoi të lidhem me qendrën e testimit. Më bënë disa pyetje rreth shëndetit tim aktual, për të më kualifikuar që të bëja testin. Unë nuk kisha as temperaturë mbi 100 (F) or (38 C) as vështirësi në frymëmarrje.  Megjithatë nga dhimbja e kokës dhe trupit që kisha më kualifikuan për test, për të nesërmen në mëngjes në ora 10 paradite.  Bashkëshortja ime më shoqëroi tek klinika “GoHealth-Urgent Care” në lagjen time, që përfshihet në sistemin e spitalit ku unë punoj Northwell Health.  Për fat EKG dhe X-Ray më dolën mire.  Pra virusi nuk kishte arritur të prekte mushkëritë, gjë që doktori e vlerësoi shumë pozitivisht. Të nesermen mbasdite më telefonuan dhe me dhanë rezultatin se se jam “Positiv” me virus Covid-19, dhe më dhanë urdhër të vetë izolohesha për 7 ditë.

Tani ju ndiheni i shëruar, kur do filloni punë?  Si janë procedurat për një pacient të infektuar që të rifillojë punë përsëri?  Keni frikë? 

Une do të kethehem në pune me lejen e Departamentit të shëndetit të spitalit ku punoj.Ata do të më  caktojne datën, që besoj do të jetë javën tjetër.Por ne qoftëse unë nuk dëshiroj të shkoj në punë ata nuk më detyrojnë,dhe më dërgojnë në programet që quhet :”Disability”.  Por unë do të filloj punë  menjehere sa të më kualifikojnë.  Jeta ushtarake na ka mësuar mos me u shmang detyrimeve shoqërore dhe vështirësive e përgjegjësive të punës. Në spital i kemi të gjithë paisjet e nevojeshme të mbrojtjes dhe do të zbatojmë rregullat e distancës dhe të tjera orientime që vihen nga komanda qendrore e spitalit, që drjton të gjithë operacionet dhe aktivitetet e spitalit, për këtë periudhë të  Covid-19.

Ju punoni në spital, a mendonit se do të infektoheshit?

Derisa jemi te “fronti i luftës” edhe të shkon ndërmend se “mund të vritesh”.  Spitali ku unë punoj, është spitali më i madh në Staten Island, që është një nga lagjet e NYC, dhe ka një popullsi prej rreth 500 mijë banorë.  Është formuar 150 vjet përpara si infermieri dhe tani ka rreth 668 shtretër.  Është i përfshirë ne kuadrin e sistemit shëndetësor “Northwell Health”, me shërbimet më moderne bashkëkohore dhe kryen të gjitha procedurat, deri te Open Heart Surgery. Në spital unë punoj prej 12 vitesh, tek departamenti i informacionit. Nuk kam direkt lidhje me pacientët. 

Por në zyrën tonë vijnë shumë doktorë, infermierë, administrator dhe manager që kërkojnë dokumenta  dhe informacione të ndryshme.  Këta doktorë u shërbejnë pacientëve në pavionet e ndryshme me Virus, Covid-19.  Nuk mendoja se do të infektohesha, pasi dhe masat mbrojtëse në spital u morën në kohën e përshtatshme. Ne punonim me maska dhe doreza,dhe mundoheshim të ruanim distancën sociale. Nuk e di si e ku e kam marrë virusin.

A mund të punoni nga shtëpia, për të evituar konktaktet me të tjerët?

Jo. Vetë Natyra e punës time nuk më lejon që programet dhe aplikacionet kompjuterike t’i perdorim nga shtëpia.  Spitali ka investuar shumë para për t’i blerë dhe përqëndruar brenda sistemit të tyre. Unë përdor disa password dhe user name, që të kem acces për informacionin që kërkohet, është shumë konfident e duhen zbatuar me rigorizitet ligjet e shtetit amerikan dhe HIPAA.

Ju jeni zgjedhur n/kryetar i Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej Inc., Cili është vizioni juaj për të ardhmen? 

                                                                                                                                                                                                                              Shoqata Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” Inc., është formuar, më 10 dhjetor të vitit 2017, në Queesn të NYC ku kryetar u zgjodh z.Bashkim Shehu dhe n/kryetar z.Mark Qehaja.  

Në bazë të statusit të saj ne zhvillojmë zgjedhje të reja çdo dy vjet, një anëtar një votë. 

Në Dhjetor të vitit 2019, organizuam zgjedhjet e reja, ku Z. Mark Qehaja u zgjodh kryetar i shoqatës dhe unë n/kryetar i saj.  Shoqata jonë është e mbështetur në principet më patriotike të shqiptarizmit, të bashkimit të të gjithë shqiptarëve dhe të komunitetit shqiptar në diasporë për t’u ndihmuar dhe gëzuar me njeri tjetrin në harmoni, mirëkuptim dhe dashamiersi të plotë dhe me respekt reciprok për të gjithë shqiptarët, kudo që jane. Vitin që kaloi ne organizuam shumë aktivitete si patriotike ashtu dhe festive.  Edhe këtë vit ne kishim në programin tonë shumë aktivitete, por virusi kinez na ndryshoi pjesë të jetës tonë e po ashtu dhe veprimtarine e shoqatës.  Por edhe gjatë kësaj periudhe të vështirë të virusit, shoqata ka dhënë këshilla dhe informacione në faqen e saj në F/B për mbrojtjen e shëndetit të anëtarëve të saj.  Por sa të kthehemi në jetën normale, që shpresoj së shpejti, do të organizojmë më shumë takime me antarë të shoqatës, dhe aktivitete të larmishme me kuptimin që njeriu fiton mbi çdo të keqe,mbi çdo virus, ngado që vjen nga Kina apo planet tjetër.  Ne duhet të duam e respektojmë më shumë njeri tjetrin, të kuptojmë më mirë se e vetmja gjë me rëndësi ku ne duhet të përdorim energjitë tona është thjesht jeta me gëzimet e ndodhitë e saj të pashmangshme.

Cila është familja juaj?

Unë jetoj me bashkëshorten time Adelinën prej 30 vitesh. Jemi të parët shqiptarë që kemi ardhur me llotarinë amerikane si rezident te rregullt në këtë vend të bekuar. Vitet e para kanë qenë shumë të vështira. Kam pasur mbështetjen e motrës sime të dashur Zamira.  U ingranuam në jetën dhe shoqërinë amerikane me punë dhe sakrifica.  Investuam në shkolla si unë dhe bashkëshortja ime. Une mbarova CUNY college në Staten Island, fillimisht me Associate në Accounting, pastaj me Bachelor në economi dhe financë.  Kurse bashkëshortja ime mbaroi Master ne Edukim, dhe punon si mësuese në Boardin e edukimit të NYC.  Kemi 2 djem. 

I madhi ka hapur biznesin e vet në Manhattan në finance (Hedge Fund).  Kurse i vogli po përfundon studimet në një nga Universitet në Manhattan dhe duhej te gradohej këtë vit, por Coronavirus ndryshoi shumë plane.

Faleminderit!

Bisedoi Kozeta Zylo, gazetare, shkrimtare

27 Prill, 2020

Staten Island, New York

Filed Under: Interviste Tagged With: Imer Lacaj, Intervista, Kozeta Zylo

BETEJA E ITALIANËVE KUNDËR SARS-COV-2 NË LOMBARDI DHE ROLI I SHQIPTARËVE

April 28, 2020 by dgreca

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e Albert Trocit, mjek kirurg në spitalin “Luigi Sacco” në Milano, Itali, dhënë gazetarit Sokol Paja. /

Kirurgu Albert Troci një mjek shqiptar që punon e jeton prej dy dekadash në Itali, rrëfen me detaje dhimbjen e vuajtjen në betejën që po zhvillon sot shteti Italian për të menaxhuar pasojat e tmerrshme nga Covid-19. Si drejtues i shëndetësisë në spitalin “Luigi Sacco” në Milano, Itali, doktor Alberti nuk lë pa përmendur edhe xhestin human të shqiptarëve që kanë ofruar shërbime restoranti e picerie për të gjithë punonjësit e shëndetësisë në Milano duke dhënë një kontribut human për ekipet e palodhura të shëndetësisë, në një betejë që goditi pa mëshirë sidomos Italinë. Lombardia krahinë e veriut të Italisë ishte i pari vend perëndimor liberal që u godit nga pandemia botërore.

SHPËRTHIMI I VIRUSIT NË LOMBARDI

Doktor Alberti tregon se në fillim shpërthimi i virusit i gjeti të papërgatitur italianët edhe pse nga Kina po arrinin informacione rreth këtij virusi vdekjeprurës. Numri i viktimave që në këtë pikë të pandemisë  ka arritur shifrën e tmerrshme 26.644,  është nga ndër më të lartët në botë pas SHBA-së. Për fat dhe si rrjedhojë e masave të marra,  në momentin që po shkruaj, kemi një trend në ulje të pacientëve të ri që preken nga virusi sars-cov-2 dhe tensioni në spital është ulur shumë. Sipas Doktor Albertit, jemi akoma me masa shtrënguese të lëvizjes së qytetarëve dhe po përgatitemi për fazën e 2-të falë indikatorëve pozitivë që po vërejmë ditët e fundit. 

MASAT E MARRA NGA QEVERIA

Nga data 8 mars e këtij viti, na shpjegon doktor Albert Troci, nga shteti italian u morën masa shtrënguese me mbylljen e të gjithë aktiviteve jo esenciale si bllokimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve, pezullimi i aktiviteteve didaktike, të ceremonive, spektakleve dhe kompeticionet sportive. Ky lockdown është ndër më të zgjaturit në kohë pas 77 ditëve të Wuhan-it në Kinë. Këto masa, sipas doktor Trocit pas kaq shumë kohe po shtypin egër indin social dhe ekonomik të vendit, por ishin të domosdoshme për të evitur skenarë edhe më tragjikë. Në spitalin ku punoj, rrëfen doktor Alberti, që nga identifikimi i rastit të parë me Covid-19 nisi riorganizimi i shtretërve. U përcaktua korridori që ne i quajme ”biokontenimento” se si të trajtohen këta pacientë nga momenti i arritjes në spital e deri tek trasferimi sipas nevojës në reanimacion. Jeta jonë si specialistë rrëfen doktor Alberti ndryshoi totalisht si brenda dhe jashtë spitalit. Unë  si shumë kolegë me specialitete të tjera, nga Kirurg, u shëndërrova në mjek që trajton pacientë me COVID-19. 

SHQIPTARËT NË LOMBARDI

Ashtu sikurse dihet tashmë, Italia ka një ndër komunitetet shqiptare me numrin më të lartë jashtë atdheut. Të gjithë shqiptarët sipas doktor Trocit, ju janë përgjigjur në mënyrë ekselente masave dhe urdhrave ekzekutivë të shtetit italian. Në luftë me pandeminë botërore shqiptarët në Milano sipas doktor Albertit u treguan shumë fisnikë. Në shumë raste shumë shqiptarë që kanë aktivitete shërbimi si restorante dhe piceri u kanë ofruar ndihmë punonjësve të spitaleve në shenjë falenderimi për punën e bërë në betejën kundër Covid-19. Një xhest shumë human që është duartrokitur dhe ka lënë një shije të jashtëzakonshme te qytetarët italianë në Milano. Një tjetër problem sipas doktor Albertit janë pezullimi i fluturimeve dhe mbyllja e kufijve. Ka patur edhe plot shqiptare që në momentin që u ndaluan udhëtimet, të cilët ndodheshin në Itali për motive të tjera, kanë mbetur fatkeqësisht të bllokuar dhe po presin që të kthehen në Shqipëri.  

KURBA E TË INFEKTUARVE NË LOMBARDI

Po të analizojmë kurbën e Italisë, sipas doktor Albert Trocit, tani jemi në ulje të bindshme të të prekurve të ri dhe R0 (R me zero) që është indeksi i infeksionit të coronavirusit është ulur nën shifrën <1 dhe ndodhet ndërmjet 0.2 dhe 0.5. Ky indikator bashkë me indikatorë të tjerë si numri i pacientëve të shtruar në spitale dhe atyre që kanë nevojë për terapi intensive (thembra e Akilit e shumë sistemeve shëndetësore në botë)  po ulet gradualisht. Indikatori që do të ulte më vonë se të tjerët është numri i vdekjeve ditore i cili në ditët e fundit edhe pse me shifra të larta po jep një lloj frymëmarrjeje. Mbetet akoma e lartë përqindja e letalitetit (d.m.th. raporti ndërmjet vdekjeve dhe rasteve pozitive) që është akoma mbi 13%.  Personat aktualisht pozitivë janë 106.103, të shëruarit 64.928. Nga personat e infektuar kemi 21.372 të shtruar në spital me simptoma dhe 82.722 ndodhen në vetëizolim në shtëpitë e tyre.

RIHAPJA DHE RIMËKËMBJA E EKONOMISË

Përgatitja për kthimin në jetë normale në Lombardi sipas doktor Albert Trocit ka hasur shumë vështirësi për të cilën qeveria ka krijuar task forcë “ad hoc”.  Jeta jonë, sipas doktor Albertit, ka qenë në këtë periudhë e pezulluar si në limbon e famshme të Dante Alighierit. Këtë radhë në vend të Virgilios ndodhet Kryeministri Giuseppe Conte i cili po mundohet të nxjerrë vendin nga ky rreth. Plani i pasqyruar është ndarë në faza. Me datë 4 maj do të nisë faza e dytë ku është e detyrueshme mbajta e maskave sa herë që ndodheni në ambjente të mbyllura ose në prezencë të personave të tjerë. Mund të vizitosh të afërmit por nuk lejohet kryerja e festave publike dhe private. Lejohet aktiviteti fizik. Më e rëndësishmja është se do të rihapet shumica e industrisë së rëndë dhe të lehtë.  Distancimi social do të mbetet pika kyce në të gjitha fazat. Mjetet publike do të kenë sinjale për distancimin dhe mënyrën e uljes duke e ulur kapacitetin për të ruajtur distancimin social. Më 18 maj, nqs, nuk do të ketë ringritje të kurbës do të ketë lehtësira të tjera masash. Do vërehet me shumë kujdes sjellja e kurbës dhe nëse në disa zona do të regjistrohet rritje të numrit do të krijohen mini zona të kuqe. 

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT

Në këtë luftë botërore që nuk e zgjodhëm ne, e cila na u prezantua në jetën tonë si një mik i padëshiruar, kundër këtij armiku të padukshëm dhe tinzar, sipas doktorit  Albert Troci  nuk duhet të ulim asnjëherë nivelin e kujdesit deri në fitoren përfundimtare. Është sëmundje reale dhe jo fantazi apo çmeduri kolektive. Kur shikon pacientë edhe në moshe jo të thyer që vdesin në vetmi pa praninë e të afërmeve dhe që përcillen në banesën e fundit në një qetësi shurdhuese të thyhet  zemra. Shpresoj që ky hall botëror të nxjerrë njerëz më të mirë. Të kuptojmë se kush janë idealet e rëndësishme që duhet të ndjekim  në jetë, deklaroi për gazetën Dielli, Albert Troci, mjek kirurg në spitalin “Luigi Sacco” në Milano, Itali. 

Filed Under: Interviste Tagged With: Dr.Albert Troci, Interviste, Sokol Paja

HOMAZH- 28 PRILL, PERVJETORI I VDEKJES NE BURGUN E BURRELIT I BASHKETHEMELUESIT TE VATRES, KRISTO KIRKA

April 28, 2020 by dgreca

NGA URAN BUTKA*/

Katerina, vajza e dytë e Kristos, e përjetoi e para vdekjen e babait. “Ishte fundi i muajit prill 1955. Babai kishte tashmë dhjetë vjet në burg. Mamaja kishte disa javë që na thoshte se qeveria do të bënte me siguri një falje të përgjithshme dhe do ta lironin babanë. Bile, kishte parë edhe një ëndërr dhe i ishte mbushur mendja se lirimi i babait ishte punë ditësh. Në mëngjezin e 27 prillit, u ngrita herët, sepse e kisha unë radhën për të shkuar  në Burrel.  “Ushqimet mos i merr prapa, me qenë se ai do të lirohet, po jepjau të burgosurve të tjerë”- më porositi nëna. U nisa bashkë me nënën e Gjergj Kokoshit.  Arritëm me shumë peripeci e mundime në Burrel, por ishim mësuar. E kush i tregon ato! Menjëherë shkuam te burgu. Te porta e hekurt takuam zonjën Ikbale Prodani dhe zotin Xhelal Koprencka, që kishin ardhur të takonin Sami Koprenckën, mikun e babait. Samiu vuante në burg, ndërkohë që edhe  të birin, Xhelalin më  vonë e burgosën dhe pasi e ridënuan pesë herë, e pushkatuan. Donin t’i zhduknin gjithë brezat e nacionalistëve, siç ndodhi edhe me familjen tonë…U futëm tek oborri i jashtëm. Tek një vendroje, vizitorët thoshin emrin e të burgosurit dhe dorëzonin ushqimet. Kur erdhi radha ime, gardiani më tha se nuk mund t’i mbante ushqimet, sepse im atë ishte shumë i sëmurë dhe ushqimet nuk i bënin fajde. Unë këmbëngula që t’i pranonte ushqimet se babai do të bëhej mirë, por gardiani nuk ma zgjati. Iu luta që të më linte ta takoja, po ai nuk më dëgjonte më dhe merrej me të tjerët. I lashë ushqimet atje dhe u ktheva e dëshpëruar sa më s’ka. Rastësisht pashë drejtorin e burgut, i veshur ushtarak dhe me çizme të gjata e të llustruara. U binte çizmeve me një kamxhik të zi dhe bënte shëtitje nëpër oborr. Emri nuk më kujtohet, por sjellja  e tij dhe torturat çnjerëzore kundrejt të burgosurve, e kishin bërë të famshëm. Megjithatë, mora guximin dhe iu afrova. “Shoku drejtor, jam e bija e Kristo Kirkës, i thashë. Gardiani më thotë se është shumë i sëmurë dhe nuk mund ta takoj.  Të lutem, më lejo ta shoh e t’i them dy fjalë të fundit, se ndoshta nuk e shoh më!” .

Ai ngriti kokën dhe më këqyri me një vështrim të padeshifrueshëm, që edhe sot e kam të ngulitur në tru. Më përshkoi një drithërimë e akullt. Nuk do të më lejojë, mendova hidhur. Ai u kthye nga rojet dhe tha: “Lëreni!”. Desha ta falënderoja, po s’kisha pikë fuqie, më ishte tharë goja dhe më ishte mpirë mendja. Vetëm eca e përhumbur pas rojeve. U hap një derë dhe hyra në oborrin e dytë. U çel dhe dera tjetër, nëpërmes së cilës hyhej brenda në burg. Atje pashë Nesti Orolloganë, kushëririn e mamasë dhe Andon Frashërin, mikun e babait, që bënë të më afroheshin për të më thënë diçka, por rojet i shtynë tutje.

Babanë e kishin shtrirë në një krevat druri në infermieri. I kishte rënë një nur i bukur. Dukej sikur më priste. Baba, jam Rina!- i thashë me zë të dridhur, po ai nuk m’u përgjigj. Baba, baba! – e shkunda, po ai nuk reagoi. Iu hodha përsipër, e putha, e lava me lotë. Ai ishte  gjallë, ndoshta më dëgjonte, ndoshta kërkonte ndihmë. Dhe unë e shkreta s’i jepja dot asgjë! Në infermieri nuk kishte njeri, veç rojes që heshtte. Dola te dera, pas së cilës ishin mbledhur disa të burgosur. Dallova Mihal Zallarin. Ku është doktori?- pyeta. A ka doktor këtu?  Ai uli kokën dhe nuk m’u përgjegj. Atëherë, dola nga burgu, me mendimin që të gjeja një mjek në qytet. Në ambulancën e qytetit gjeta doktor Bakallin. E pyeta se ç’ kishte babai dhe se çfarë ilaçesh duheshin. Është në gjendje kome, më tha dhe u mundua të më mbushte mendjen se do ta kapërcente edhe këtë herë. Vrapova për te axhensia e kamionëve dhe atje gjeta nënën e Gjergj Kokoshit, që po kthehej për në Tiranë, edhe ajo tejet e mërzitur, se Gjergji ishte tuberkoloz në gradë të fundit, megjithatë e mbanin në një birucë të nbushur me ujë. I dhashë një letër për Nikon, ku i shkruaja: “Babai është shumë sëmurë. Të niset mamaja me ilaçet”.

Atë natë nuk vura gjumë në sy. I kisha humbur shpresat. Mendimi se në burgun e Burrelit i futin njerëzit për t’i vdekur, nuk më hiqej nga koka.Të nesërmen, më 28 prill, pa gëdhirë ende, shkova te burgu për të pyetur, po s’ma hapi njeri derën. Kur erdhi ora e takimit, roja më dha lajmin e kobshëm se babai kishte ndërruar jetë. E mblodha veten dhe kërkova të më dorëzohej trupi. Një oficer më tha se trupi mund të merrej pasi të mbushej afati i dënimit, domethënë pas 11 vjetësh të tjerë! I ktheva shpinën dhe ika nga sytë këmbët… Me zonjën Prodani dhe Xhelal Koprenckën, hipëm mbi një kamion për t’u kthyer. Rrugës, afër Milotit, ku kishim ndaluar, pashë nënën mbi një kamion tjetër, që shkonte për në Burrel. I thirra me sa fuqi që kisha dhe kamioni u ndal. Shkova për atje përhumbshëm. Ajo e kuptoi menjëherë se ç’kishte ndodhur. U zumë në grykë me njëra tjetrën dhe u shkrimë në vaj. “Nuk i gëzove fëmijët!”- i thoshte ajo nëpërmes ngashërimeve.

Pas 40 ditësh u kthyem sërish në Burrel, për të parë vendin ku e kishin varrosur dhe për t’i vënë një tufë me lule. Por rojet na sorrollatën dhe më në fund na treguan një vend me shkurre te Qershiza, ku kishte vetëm kocka… Edhe sot, nuk e dimë se ku i ka eshtrat…

Rrëfejnë bashkëvuajtësit

Osman Kazazi, që kishte kaluar plot 42 vjet në burgjet komuniste, fliste  shpesh për Kristo Kirkën, që e kishte njohur në burgun e Burrelit. Osmani e përmendte Kriston si shembull të nacionalistit idealist.  “ Vdekja e tij na pikëlloi të gjithëve.  Ishte një ditë zije për të burgosurit” – thoshte Osman Kazazi.[1]

Fatbardh Kupi, djali i Abaz Kupit, i dënuar  në një gjyq  me Kriston, tregon:

“E kam takuar për herë të parë në burgun e Tiranës patriotin Kristo Kirka. ( Më vonë, mbas vitit 1992, kur nxorra nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme dokumentet e dosjes sime gjyqësore, u habita kur pashë që bashkë me mua, Lekë Dostin, Dedë Gjonmarkun, ishte “gjykuar e dënuar” edhe Kristo Kirka! E pamundur! Nuk e kisha  parë  as në hetuesi dhe as në gjyq. Madje nuk ia dëgjova emrin kërkund. Pyeta Lekën dhe Dedën , por edhe ata më thanë se Kristoja nuk ishte gjykuar bashkë me ta. As që e kishin njohur më parë. Atëherë e kuptova që ishte një proces gjyqësor i montuar. Kriston e kishin bashkuar me grupin tonë “armiqësor” vetëm me letra, formalisht, për ta implikuar në veprimtari grupazhi kundër pushtetit, sepse hetuesinë dhe gjyqin ia kishin bërë më vete). Me sa mbaj mend, ai erdhi  nga burgu i Korçës në vitin 1946. Thoshin se ishte burgosur vetëm e vetëm se nuk kishte pranuar të bashkëpunonte me komunistët. Kisha shumë respekt në burg për patriotët që nuk i ishin nënshtruar regjimit të Enver Hoxhës dhe njoha shumë karaktere të fortë e të papërkulur aty. Një ndër ata burra ishte edhe Kristo Kirka. Ishte burrë pa fjalë dhe të impononte respekt me sjelljen e tij. Kisha dëgjuar për aktivitetin e tij atdhetar dhe  respekti që ndjeja për të ishte i veçantë. Ne të rinjtë flisnim shpesh herë për të dhe përpiqeshim që të  përfitonim nga sjellja dhe qëndresa e tij.  Edhe pse ishte me bindje dhe parime republikane dhe një ndër miqtë e afërt të Fan Nolit, Kristo Kirka kishte punuar me ndërgjegje atdhetarie për Mbretërinë, si nëpunës, veçanërisht kur kishte shërbyer si nënprefekt në Himarë dhe Bilisht. Mendoj se duhet të jetë një mësim  për politikën e sotme trajtimi që i bënte Mbreti Zog kundërshtarëve politikë: i emëronte ata në administrate, madje edhe në detyra të rëndësishme. Kështu kishte vepruar edhe me Kristo Kirkën, duke e emëruar nënprefekt në Himarë, ai i besoi atij një pozicion tepër delikat, ndërkohë që tentohej për helenizimin e Himarës. Kujt më mirë se sa një atdhetari orthodoks të përmasave të Kristo Kirkës mund t’i besohej një mision aq delikat?  Më ka mbetur në mendje  një rast, kur komanda e burgut organizoi të ashtuqujturin “Front demokratik” brenda burgut, një farsë qesharake, që synonte krijimin e organizatës të të besuarve e të spiunëve. Disa u anëtarësuan në të, kryesisht  tipa servilë e pa personalitet, me përjashtim të ne të rinjve antikomunistë. Krahas nesh, edhe Kristo Kirka nuk pranoi dhe nuk u bë pjesë e saj, duke e bojkotuar në mënyrën e tij autoritare, pa komente. Para syve të mi u rrit më shumë respekti ndaj atij atdhetari fjalëpakë. Ndjehem mirë që isha me të në një kohë aq të vështirë”. [2]

Abduraman Kreshpani, nacionalist dhe antifashist i njohur, i arrestuar nga italianët për pjesëmarrje në demonstratën e  28 nëntorit 1939 në Vlorë dhe i internuar në Ventotene, mandej i burgosur edhe nga komunistët në burgun e Burrelit, rrëfen: “Kisha dëgjuar  për Kristo Kirkën se ishte një nga atdhetarët ortodoksë më të vendosur të Korçës, që kishte ardhur nga Amerika për të luftuar me pushkë  kundër grekut më 1914-tën dhe deputet në parlamentin e parë shqiptar, në vitet tridhjetë. Kështu, kisha formuar  përfytyrimin e luftëtarit  energjik  dhe të politikanit fjalëzjarrtë. Por, kur e njoha në burgun e Burrelit, më la tjetër përshtypje. Ndoshta, kishte bërë të vetën mosha e thyer, por edhe kushtet e rënda të burgut të Burrelit. Xha Kristoja ishte i thinjur, i qetë, fliste ngadalë, por çdo fjalë i zinte vend. Fliste vetëm për të shkuarën,  për tema historike. U shmangej bisedave aktuale.  Shoqërohej me pak njerëz, por ama të gjithë e respektonin, bile edhe gardianët. Nuk kishte bërë vaki më parë, por edhe më pas, që të hynte brenda në burg ndonjë person i jashtëm, aq më pak një familjar i ndonjë të  burgosuri. Komandanti i burgut e lejoi vajzën e xha Kristos, kur ky ishte në agoni të vdekjes, që të hynte dhe ta takonte të atin. Kjo përbënte një ngjarje në burg dhe ne bisedonim gjatë për të. Vajza e tij kaloi nëpërmes birucave tona tepër krenare, si të ishte një engjëll mbrojtës. E para gjë që më erdhi në mendje, ishte fakti që nënat, gratë dhe vajzat e të burgosurve, në ato kushte të skëterrshme, ditën të ruanin moralin e dinjitetin e tyre dhe të familjeve të tyre. Dua të them, se përkushtimi, vuajtja dhe qëndresa madhështore e nënave, grave e motrave tona, ishin më të mëdha sesa vuajtjet dhe qëndresa jonë nëpër burgje. Nuk ka penë që t’i përshkruajë”.[3]

Leka Dosti, djali i Hasan Dostit, ish-i burgosur në Burrel, kujton:

“Tomorrin dhe mua na transferuan nga burgu i Tiranës në Burgun e Burrelit. Atje morrëm vesh nga të burgosurit se s’kishte veçse pak muaj që kishte vdekur Kristo Kirka nga një hemoragji cerebrale. Në atë burg-ferr, vdekjet nga torturat, sëmundjet dhe mungesa e ushqimit, ishin të zakonshme. E jashtëzakonshme ishte lejimi i vajzës së Kristos, që ta takonte të atin, që kishte rënë në koma. S’kishte ndodhur deri atëherë dhe as më pas ndonjë rast i tillë, sepse nevojitej autorizimi i Ministrisë së Brendshme. Mirëpo, mbas lutjeve të Katerinës, komandanti i burgut, me emrin Xhipe Mersini, lab nga Vlora, urdhëroi të hapeshin dyert e hekurta dhe ajo u ndodh pranë shtratit të të atit, që kishte humbur ndjenjat. Vajza e shkretë shpërtheu në vaj me zë të lartë, sa u dëgjua gjithandej. Kishte ardhur për të takuar babanë, por e gjeti thuajse të mbaruar. E mblodhi veten, e falënderoi me zonjëllëk komandantin, i la aty ushqimet për të burgosurit e tjerë dhe iku nga sytë këmbët… Në burgun e Burrelit ishte një ekonomi ndihmëse për nevojat e komandës. Atje punonin të burgosurit, ndër ta edhe Kudret Kokoshi, Engjëll Kokoshi, Ali Maliqi e të tjerë. Një ditë, kur po qarkonim nëpër oborr në orarin e “ajrosjes”, Ali Maliqi na tha: “Duke punuar në “çifligun” e burgut, kaloi aty pari komandanti. Gjeta rastin t’i them: “Më lejoni t’ju falënderoj për sjelljen tuaj fisnike ndaj vajzës së të ndjerit Kristo Kirka ”. Pa e kthyer kokën, ai tha”  Ishte burrë i ndershëm”. U habita pa masë, që ndershmëria e Kristo Kirkës e kishte prekur edhe zëmrën e një gardiani të egër!”[4]

Ish-i burgosuri Beqir Ajazi, e kujton kështu Kristo Kirkën: “E kam njohur të

ndjerin Kristo në burgun e Burrelit. Në një kaush të madh, i cili nuk ishte më i gjerë se 10×8 metra, ku dergjeshin plot 72 të mjeruar, me qypin urinar prapa derës.  U  binda menjëherë se zoti Kirka spikaste dukshëm mbi gjithë të tjerët. Me një trup të madh, veshur me një pallto gub të zezë dhe me pamjen fisnike, të dukej fodull, por sa t’i afroheshe e të bisedoje më të , ndërroje mendim. Ishte njeri i mësuar dhe me përvojë të madhe, i dhimbsur dhe i gjindur, i dashur me të gjithë, por “sans façon” me askënd. Me qenë se kishte jetuar shumë vjet në Amerikë dhe kishte punuar te “Vatra”, ai ishte modeli i atdhetarit dhe i demokratit. E donte Shqipërinë me gjithë fuqinë e shpirtit. Përbuzjen më të madhe e kishte për politikën e shtetit grek, që pasi ishte rritur në dëm të Shqipërisë e të Maqedonisë, ishte përfshirë pas ëndrrës marroqe të megalo-idesë. Populli shqiptar don të ketë të ardhme, sepse është një popull paqesor dhe i zgjuar, që nuk mposhtet, thoshte Kristo Kirka. Tek e dëgjoja, mua më dukej se ai kishte lindur për të drejtuar, por drejtimin në atë kohë e kishin uzurpuar xhahilët”.[5]

Dhimbjen e thellë për vdekjen e Kristo Kirkës e ndieu edhe bashkëvuajtësi i Burrelit, intelektuali antikomunist, Arshi Pipa, i cili e shpreh me dy fjalë arsyen e dënimit dhe të vdekjes së xha Kristos, siç i thërrisnin në burg.

   “I arrestuem për të vetmin faj se nuk kishte qenë i gatshëm me brohoritë regjimin komunist, ai u dënue të mos delte i gjallë nga burgu”[6]

Lajmi për vdekjen e Kristo Kirkës  u përhap fshehtazi gojë më gojë nëpër Shqipëri, ndërsa në diasporë u dha gjerësisht nga shtypi shqiptar i atjeshëm.

Gazeta  “The Albanian-American”  botoi në maj të vitit 1955 një shkrim nekrologjik me rastin e vdekjes së Kristos, me titull “Kriminelët komunistë bëjnë kërdinë. Vazhdon pa mëshirë shfarosja sistematike e patriotëve në Shqipërinë e kuqe. Edhe Kristo Kirka vdiq në burg!”

“Pas Kol Rodhes, Bahri Omarit, Kolë Tromarës, Akile Tasit, Hito Sadikut dhe shumë shqiptaro-amerikanëve të tjerë, që u vranë nga komunistët e Shqipërisë ose vdiqën nëpër burgjet  e tyre të tmerrshëm, ja edhe lajmi i vdekjes  së patriotit Kristo Kirka në burgun e “kryetrimave” të stalinizmës. Shqiptari i Amerikës sot ndien një dhembje  të madhe  në zemër, sidomos për ata burra me leshra të thinjura, që i kanë kushtuar çështjes shqiptare shumë nga mendja e djersa e tyre, për ta parë atë vend të dashur, të lirë, të vëllazëruar e të përparuar. Njeriu, pra, që këtu në Amerikë, i kushtoi tërë jetën e tij vendit të lindjes, ka qenë Kristo Kirka.

Hiqeni Kristo Kirkën nga historia e shqiptarëve të Amerikës dhe s’do të kini më një histori të shqiptarëve të Amerikës! Kronologjia  e aktiviteteve patriotike të Kristo Kirkës, tretet me  realizimet proshqiptare këtu në Amerikë: Gazeta “Kombi”, Shoqëria “Besa-Besën”, Kisha Kombëtare Ortodokse, federata “Vatra”, gazeta “Dielli”, të gjitha këto vepra të shqiptarëve të Amerikës. Kristo Kirka është një nga mjeshtrit e mëdhenj.  Ata që u përpoqën, që vojtën dhe e bënë Shqipërinë, tani akuzohen nga komunistët si armiq e tradhtarë, vriten, burgosen e vdesin në tortura të llahtarshme. Burgu ku vdiq Kristo Kirka, është një fushë lufte, ku ai qëndroi dhe ra dëshmor  për Shqipëri. Pse e vranë Kristo Kirkën, që ndihmoi në themelimin e asaj Shqipërie, ku sot sundojnë komunistët? E vdiqnë për të njëjtat arsye që vranë dhe vazhdojnë të vrasin gjithë shqiptarët mëmëdhetarë: Mihal Bellkamenin, Seid Kemalin, Vinçens Prenushin dhe lart nga 100.000 shqiptarë të tjerë!” [7]

Disa muaj më vonë, në shtator të vitit 1955, luftëtari nacionalist dhe mërgimtari i shquar intelektual, Qazim Prodani, shkruante në gazetën “Besa”:

“Bir i Korçës, djep i shqiptarizmit, Kristo Kirka, burrë e shqiptar i madh,  me virtyte morali e patriotizmi të lartë, mbylli sytë nën thonjtë e armiqve të kombit në burgun e Burrelit. Burrat e destinuar për histori, që shpirtëzojnë legjendën e krenarisë së një kombi, që “thyhen, por nuk përkulen”, rrojnë dhe vdesin të mëdhenj si Kristo Kirka. Kush e njohu Kristo Kirkën dhe nuk gjeti tek ai burrin shqiptar si në kohët e lashta, burrin-shkëmb, të patundur, fisnik, të urtë, të mënçur. Zot i këtyre cilësive, Kristoja ynë dhe i shqiptarizmit, e përjetësuan në botë emrin e kombit arbëror, e bënë të pavdekshëm për nder, trimëri, qendrueshmëri dhe shpirtmadhësi…Jeta e martirëve-misionarë të historisë kombëtare, me vrull e luftë fillon dhe me përpjekje e luftë sublime mbaron. Nuk prisnim që Kristoja të mbyllte sytë në shtëpi. Gjersa vendi nuk kishte liri,  Kristoja do të vdiste ose në istikamin e lirisë ose në duart e armiqve të Shqipërisë.  Por Kristoja nuk ka vdekur, pse kurrë nuk vdesin martirët  dhe heronjtë e një kombi!” [8]

Po kurorën për vdekjen e Kristo Kirkës, e thuri me fjalë zemre e vargje të madhërishëm, poeti Arshi Pipa, bashkëvuajtës me të ndjerin Kirka. Poeti e shkroi elegjinë në burg, kur ndërroi jetë Kristo Kirka, i cili edhe në çastin e mbramë, tha: “Për flamur… për Atdhe!”. Ndaj edhe poeti klith: “Vdiq flamurtari i moçwm!”

ELEGJI  PËR  ATDHETARIN  KRISTO  KIRKA

Vdiq flamurtari i moçëm!

Si rrojti, vdiq: me nder.

I pastër , i devoçëm,

pa u përkulë nji herë.

Ndër qela u sos t’Burrelit’

me dhunën e tradhtarit,

më njoll’n e kriminelit

mbi ballin e atdhetarit.

A u pezmatue, a u lodh

Se ashtu u shpërblye i pafati?

Se fmija pran s’iu ndodh,

se vorr, as vorr, nuk pati!

Nuk fali, nuk mallkoi.

Po kur fjala iu pre

Ndigjuem qysh thellë ankoi:

“Për flamur!…Për Atdhe!”

O shok, o prind i shtrenjtë,

qi len familjen tonë,

kjo porosi e shenjtë

për ne do t’jetë gjithmonë!

Nga burrat qi themelin

Shqipnis i patën kallë

Sot ca të pakët ngelin:

Ti qe nga numri, i rrallë.

Me përnderim dashnuer

përkul’mi para teje.

Me flamur ti n’krahnuer

Sulmove n’ball beteje.

Besnik para çdo prove

sa pate frym s’e le.

Krenar për të luftove

dhe me të s’bashku re.

At flamur nji ndër shokë

E ngren ma nalt, e shtjell.

Pusho, kufomë nën tokë,

Ngushllou, o shpirt, ti n’qiell! [9]

“Martirin, që kishte tentuar të bëhej engjëlli mbrojtës i atdheut, e  kryqëzuan komunistët, duke e lënë edhe pa varr. E shpirti?  Doemos në qiell!”- shkruan editori i sotëm i “Diellit”, Dalip Greca.[10]

[1] U Butka: Intervistë me Osman Kazazin, v. 1991

[2] Fatbardh Kupi, E kam takuar në burg Kristo Kirkën, mbresa, 2011

[3] Abduraman Kreshpani, kujtime për Kristo Kirkën

[4] Leka Dosti, kujtime, 2011.

[5] Beqir Ajazi, kujtime për K.Kirkën, 4 mars 2012

[6] Arshi Pipa,  libri i burgut

[7] The Albanian Amerikan, April-May, 1955

[8] Gazeta “Besa”, shtator 1955

[9] Arshi Pipa, Libri i Burgut, 1959

[10] D.Greca, Albania, 3 maj 2000

*Marre nga Libri i Uran Butkes”Kristo Kirka” , fitues i cmimit “Pena e argjendet”

Filed Under: Histori Tagged With: homazh, Kristo Kirka, Uran Butka

VATRA 108 VJEÇE- GEZUAR DITELINDJN KESHTJELLE E ATDHETARIZMIT NE SHBA!

April 28, 2020 by dgreca

THEMELUESIT E VATRES. KOMISIONI QE THELEMOI VATREN.28 PRILL 1912./
  • VATRA sot është 108 vjeçe. Kjo ditëlindje e gjen të karantinuar siç është e gjithë bota e mbyllur prej koronavirusit dhe do ta festojnë në mënyrën virtuale 108 vjetorin. Gjithësesi VATRA i ka hedhur piketat e rrugëtimit të saj në shekullin e XXI në Kuvendin e 19 janarit 2020 dhe do ta lartësojë veten duke u ngritur në nivelin e shekullit që jeton, duke respektuar Kushtetutën e saj, duke u udhëhequr nga interesat Kombëtare dhe forcimin e miqësisë mes kombit shqiptar dhe atij Amerikan, duke ruajtur amanetin e themelusëve.

NGA DALIP GRECA

Sot është 28 Prill. 108 vite më pare, me 28 Prill 1912,  në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u deklarua e themeluar Federata që bashkoi shoqatat shqiptare në një kështjellë të përbashkët me emrin e ngrohtë ”FEDERATA PAN SHQIPTARE E AMERIKËS”VATRA”.

Rrugën e bashkimit të shoqërive shqiptare që vepronin në SHBA në fillim të shekullit XX e shtroi gazeta “Dielli”, e cila aso kohe ishte gazetë e Shoqërisë  ”Besa-Besën”. Veçanërisht në vitet 1910-12, ideja e bashkimit ishte e nxehtë, por Faik Konica e kishte rrahur problemin e bashkimit të shoqërive që vepronin në Amerikë që në një kryeartikull të botuar në “Dielli” më 29 tetor 1909. Ai propozonte themelimin e një shoqërie të madhe dhe të fortë kombëtare, rreth së cilës duhej të mblidheshin të gjithë shqiptarët e  Amerikës.
       Sipas ish editorit të gazetës “Dielli”, Refat Xh Gurrazezi, ky propozim gjeti qysh atë kohë bekimin e disa atdhetarëve, por u deshën më shumë se dy vjet që të realizohej, nga që u pengua nga disa që nuk kishin besim tek bashkimi. Kur Kristo Floqi, editori i fundit i “Diellit”, përsa kohë qe organ i Shoqërisë “Besa- Besën”, e ripërsëriti këtë kërkesë, Fan Noli në Diellin e 18 janarit 1912, i përgjigjej editorit se kishte edhe pëlqimin e  Faik Konicës për t’u takuar e për të biseduar rreth bashkimit. Noli i thoshte editorit se; ai dhe Konica ishin gati kurdoherë që të merrnin pjesë në bisedimet për bërjen e bashkimit të shoqërive shqiptare, por me këtë kusht: të bëhej një punë e pëlqyer dhe serioze, dhe jo qesharake. Pas shumë debatesh në shtyp e me takime, më në fund u arrit që me 24 Dhjetor 1911 të organizohej mbledhja e parë në Rathbone Hall, 724 Washington St., Boston, Mass. Aty u bë takimi i parë që i priu bashkimit. Mbledhjen e thirri Shoqëria “Besa-Besën” dhe e kryesoi si çermen Kristo Floqi. U rrahën debate në atë mbledhje për çështjen e bashkimit. Marko Adams u ngrit në atë mbledhje pas debateve dhe propozoi ngritjen e komisionit të bashkimit. Komisioni i zgjedhur në atë mbledhje përbëhej nga: Faik Konitza, At Fan S Noli, Kristo Floqi dhe Paskal Aleksi.Këtij komisioni iu besua bashkërendimi me shoqëritë ekzistuse për problemin e bashkimit. Komisioni bëri disa takime.U diskutuan format e bashkimit dhe qëllimet e shoqërisë së përbashkët që do të ngrihej.

SHOQATAT QE U SHKRINE NE FEDERATEN”VATRA”

Me 17 mars 1912, në sallën e Kishës së Shën Gjergjit, në 227 Tremont St., Boston, Mass, u mbajt mbledhja e pare bashkuse, ku morën pjesë përveç katër anëtarëve të komisionit të bashkimit dhe delegatët e shoqërive të ndryshme. Shoqëritë që iu përgjigjën komisionit të bashkimit dhe morën pjesë në këtë mbledhje ishin:”Komiteti Flamur’ i Krujës” i New England-it,”Kombëtare” e Worcester-it,”Mirëbërse” e Syracuse-it,”Mall’ i Mëmëdheut dhe Përlindja” e Jamestown-it, “Dallëndyshja” e New York-ut, dhe “Besa-Besën” që botonte “Diellin”. Më vonë u bashkuan dhe shoqëri të tjera që mbetën jashtë siç ishte Shoqëria e Skënder Beu” e Gary-it Indiana. Sipas Refat Gurazezit, Shoqëria “Mbarësia” e Luarasit kishte dhënë fjalën për pjesmarrje, por delegati i saj nuk u duk, ndërsa”Shoqëria “Mirëbërse” kish zgjedhë delegate At’ Naum Çeren, por ai ish i zënë dhe dërgoi në vend të tij, Kostë Kotën. Shoqëria korçare”Arsimi” u tëhoq mënjanë nga bashkimi për shkak të statusit të saj kulturor, por e dha pëlqimin se ishte dakord me bashkimin.
Vendimet e kësaj mbledhjeje janë të shënuara në Rekordin IV dhe mbajnë nënshkrimet e të dy palëve, komisionit të bashkimit; Faik Konicës, Fan Nolit, Kristo Floqit dhe Paskal Aleksit. Nga shoqëritë kanë firmosur delegatët; Elia Tromara,Lambi Çikozi, Kristo Kirka,Kostika Treska dhe Kostë Kotta.
Mbledhja e dytë e përbashkët e komisionit të bashkimit dhe delegatëve të shoqërive është mbajtur të dielën e 24 marsit 1912 dhe arriti në këto përfundime:

1- Shoqëria Federale që do të formohej do të kishte dhe gazetën “Dielli”, me konditën që gazeta do të mbahej me të ardhurat e saj nën kontrollin moral të Shoqërisë.

 2-Z. Faik konitza dhe Kristo Floqi muarën përsipër të bënin Kanunoren provizore inglisht tek një avokat i dëgjuar i Bostonit.

3-U votua një shumë prej $25 për shpenzimet e  para të Kanunores.

4- Në mbledhjen tjetër do të votohej Kanunorja dhe do të pagëzohej Shoqëria e re.

 5-Mbledhja e tretë u vendos që të mbahej të dielën e ardhshme në orën 2-6 pas dreke.

MBLEDHJA THEMELUSE
 
Diskutimeve e debateve u erdhi fundi dhe bashkimi po shfaqej në mes shqiptarëve të Amerikës. Vjen 31 marsi 1912 dhe shoqëritë shqiptare e shohin veten bashkë në Federatën Pan-Shqiptare. Refat Gurazezi argumentoi se përdorimi i fjalës federim në vend bashkimit, sikur e çau akullin e mospajtimeve. Në mbledhjen themeltare, Faik Konitza shtroi për bisedim dy emra për ta pagëzuar Shqoërinë; “Parmenda” dhe “Vatra”, e para në kuptimin kulturor, e dyta në kuptimin patriotik, që të mblidheshin rreth saj të gjithë shqiptarët si në një familje, pa ndryshim besimi në mes tyre, si nga ana fetare ashtu dhe ajo politike. Të gjithë pëlqyen të dytën, “Vatrën” dhe ashtu brohoritën për emrinin e  ri:Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA.
Rekordi i mbledhjes themeltare është shkruar nga dora e Faik Konicës, i cili ishte sekretar i Komisonit të Bashkimit.

Në Rekordin IV, shkruhet:


Komisioni i Bashkimit dhe delegatët e shoqërive, në mbledhjen që mbajtën të dielën e 31 marsit 1912, pasi biseduan çështjen e kanunores, të emrit dhe pagesës së Shoqërisë Federale që do të formohet, morën këto vendime:
1- U votua një shumë prej $ 70.00 për njohjen e shoqërisë nga shteti i Massachusetts.
2-Shoqëria u quajt”Federata Pan –Shqiptare e Amerikës VATRA”
3-Pagimi do të ishte $3 për mot dhe $1 për hyrjen e anëtarëve të rinj.
4-Mbledhja tjetër do të bëhej me 9 prill në sallën e Kishës së Shën Gjergjit, ora 6 P.M.
5-Çështja që do të bisedohej në mbledhjen pasuese do të ishte Kanunorja.
Në fund të rekordit janë emrat që kanë firmosur. Për Komisionin e bashkimit: Fan Noli, Kristo Floqi, Faik Konitza dhe Paskal Aleksi. Pas tyre emrat e delegatëve pjesmarrës:Elia Tromara, Lambi Çikozi, Kristo Kirka, Kosta Vasili, Koste Kotta. 
Data, 31 mars 1912.
Në takimin e 9 prillit u diskutua një pjesë e kanunores, e cila përfundoi në mbledhjen pasuse. (rekordi VII)
Mbledhja tjetër u mbajt me 14 prill dhe diskutimet janë të shënuara në rekordin VIII. Pasi u miratua plotësisht Kanunorja, u morën vendimet e mëposhtme:
Çdo delegat të sillte në mbledhjen tjetër një raport të plotë, ku të tregonte:
1-Numrin dhe emrat e anëtarëve që përfaqësonte së bashku me kapitalin që kishte shoqëria.
2- Të mbahej një mbledhje me 28 prill për të zgjedhur një komision të hëpërhëshëm të Federatës i cili të vepronte  gjerësa të organizoheshin degët plotësisht.
Mbledhja u bë me 28 prill dhe zgjodhi këta zyrtarë të komisionit:Fan S. Noli-sekretar, Lambi Çikozi-arkëtar,Faik Konitza dhe Kristo Floqi-organizatorë të degëve, Kristo Kirka-manager i “Diellit”, Paskal Aleksi, Elia Tromara dhe Kosta Vasil-mbikqyrës të gazetës.
Sipas rekordeve të nënshkruara prej anëtarëve të komisionit dhe delegatëve të shoqërive, provohet se VATRA u themelua zyrtarisht me 31 mars 1912, u deklarua me 28 Prill,  dhe me 13 qershor të atij viti u njoh nga shteti i Massachusetts.
Ndërkohë që shoqëria Besa-Besën, që ishte ndër shoqëritë kryesore që u shkri në Vatër dhe botuse e gazetës ”Dielli” mbledhjen e  fundit të saj e ka bërë me 28 prill 1912.Pas këtij takimi ajo dorëzoi gjithëçka në Vatër, gazetën, mobliljet e zyrës, arkën prej $374.85 etj.Kryetar i parë i Shoqërisë Besa_Besën qe zgjedhur Fan S. Noli më 1907, më 1908 Kristo Kirka.Nga maji 1910 e deri më 28 prill 1912 kryetarë të saj kanë qenë Josif Pani dhe Kolë Rodhja, i cili nuk ishte në mbledhjene  fundit pasi gjendej i burgosur në Gjirokastër.
Komisioni I përkohshëm I Vatrës e bëri mbledhjen e  parë me 2 korrik 1912 dhe mori vendimin që Kuvendi I parë I Vatrës të mbahej me 14 korrik të atij viti.Ajo mbledhje ngarkoi Faik Konitzën që të interesohej për përgatitjen e Vulës së Vatrës, Lambi Çikozi mori përsipër të përgatiste kopsat me monogramet F.S.V dhe Kristo Kirka të shtypte Kanunoret shqip.

FAIK KONICA:UNE “NUNI” I VATRES- SI MODEL SHERBYEN DY ORGANIZATA IRLANDEZE:THE GAELIC DHE SINN FEIN

Shpesh janë bërë debate për autorësinë e Vatrës. Kristo Floqi shkruante me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë se ai ishte gur-themeli i Vatrës dhe se Konica dhe Noli, nuk i ishin përgjigjur fillimisht në mbledhjen e parë. Këto Floqi i shkroi edhe në revistën “Hylli i Dritës”, madje shumë vite më vonë, e publikoi artikullin e tij edhe “Shenjëzat” që botonte Ernest Koliqi në Romë. Ish Editori i Diellit,Refat Gurazezi, që e shkroi Historinë e Vatrës në faqet e Diellit, replikon me Floqin dhe e cilëson si vetëmburrje dhe të pavërtetë deklarimin e ish editorit Floqi, të cilit gjithësesi nuk mund t’ia mohosh kontributin sepse në kohëbashkimin e organizatave në VATËR, ai ishte editor i DIELLIT, dhe ai i dërgoi ftesta për mbledhjen e parë, por që fara e bashkimit ishte hedhur herët, vecanërisht nga Konica, këtë nuk mund ta mohojë kush.

 Faik Konica na ka lënë dëshminë e tij të botuar në Dielli, dhe për hirë të dëshmisë autentike e sjellim të plotë: Boston 31 mars 1922; Jam ndodhur këtu edhe në të parën edhe në të dytën nga këto data(diskutim për 28 prillin apo 31 marsin si ditë themelimi). Dhe si një nga “nunët” e Federatës sonë VATRA, të cilën e kryesoja edhe aherë si sot, më bie shorti të thom ca fjalë për nisjet e kësaj shoqërie me famë: CA FJALE, se historia e plotë e VATRES është tepër e madhe që të hyjë në garth të ngushtë të një artikulli; e ka vendin e saj në një librë që do t’botojë nonjë ditë Federata mi historin’ e përgjithshme të Shqipëtarëve t’Amerikës, histori që do t’përmbledhë të ngjarat jo vetëm të ç’do dege po të ç’do shoqërie tjatër këtu, të ç’do grupi, të ç’do kollonie, me business-et e ndryshme, fabrikat ku kanë punuar Shqipëtarë, shkollat ku kanë mësuar, etj…, në një fjalë një histori që do të jetë si pasqyra e jetës që kanë rojtur djemt’ e Shqipërisë më kët’anë të Oqeanit(Sa keq që nuk u plotësua kjo dëshirë e Faik Konicës. Ka copëza historie, por jo një të plotë-dg). Trimëria e Shqiptarëve t’Amerikës, të cilët me djersët, krahët, dhe zemrën e tyre, e kanë shpëtuar në disa raste Shqipërinë, meriton pa dyshim nderimin e një historie të veçantë. Po këtu, siç thamë më sipër, do të shkruajmë vetëm një artikull për nisjet e VATRES.

Para se të vij n’Amerikë, kisha rojtur disa vjet n’Ingli dhe atje kisha vënë re anallogjin’ e madhe që kish Irllanda kundrejt Inglisë me Shqipërinë kundrejt Turqisë, me ndryshimin që Irllandasit, të frymëzuar nga një idealismë të pavdekur, po lëftojin qindëra vjet për çlirimin e tyre. Nisa pra të studioj organizatat e këtij populli të çuditshëm, dhe veçan dy: the Gaelic League edhe Sinn Fein, e para për të përhapur kulturën me anë të gjuhës nacionale, e dyta për të ndarë Irllandën nga Inglia. Organizimi dhe kanunëria e VATRES u-inspirua gjer më një pikë nga të dy shoqëritë irishe, dhe prandaj VATRA ka pasur dhe ka në gji të saj dy tendenca që rrjedhin nga inspirata e parë e tyre: tendenca kulturale dhe tendenca politike, nga të cilat e funtmia ka mbretëruar shumë vjet, dhe tani del në shesh edhe e para, e penguar aqë kohë me padrejtësi dhe për dëm të popullit.

Më 9 të Vjeshtës së Mesme 1909, zbrita në Boston nga vapori Ivernia(që është një tjatër emër i Irllandës), edhe mora në dorë redaksin’ e Diellit, të cilin gjer ahere (numur 29) e kish shkruar me talent At Fan S. Noli. Dielline zotonte dhe e mbante shoqëria Besa-Besën, e cila qendrën e kish në Boston, po anëtarët i kish më të shumët në rrethet: në Natick, në Cochituate, në Brockton, në Framingham, në Marlboro, në Lynn, në Worcester, në Southbridge, etj., dhe ca të pakë anëtarë shumë më lark. Përveç shoqërisë Besa-Besën, kish n’Amerikë edhe disa shoqëri të tjera, ca për interesat e një fshati ose të një qyteti, ca edhe me qëllim të përgjithshëm. Po shoqëria Besa-Besën, si proprietare dhe botonjëse e Diellit, çquante përmi të gjitha dhe kish një rëndësi të veçantë. 

Si u-vendosa në Boston dhe u njoha me patriotët që mirjin pjesë në lëvizjen kombëtare, nisa të përhap iden’ e bashkimit të shoqërive; po, ndonëse e pëlqejin të gjithë, asnjë s’dukej gati të bëjë çapin e duhur. Me shoqërin’ e Jamestown-it ish bërë fjalë dhe më parë, po s’kish dalë gjë. Shoqëria korçare Arësimiish ajo që çfaqte dëshirën më të madhe për një bashkim, dhe pata shumë herë fjalime të pëlqyera për këtë çështje me kryetarin e ahershëm Z. Nik Dishnicë. Po dhe këto fjalime vanë humbur. Dhe’u nuk ish dhe i gatitur miaft për lulëzimin e mendimit.

Disa javë pas ardhjes s’ime këtu, këshillova të mbahet një mbledhje e shoqërisë Besa-Besënpër të biseduar vetëm këtë çështje, edhe atje çfaqa idenë që shkaku i mosbashkimit të shoqërive ish se shoqëritë s’dojin të humbisjin qënien e tyre duke u-çdukur në gji të njërës vetëm, të shoqërisë Besa-Besën; dhe proponova një zgjidhje më të pëlqyer: jo bashkimin, po federimin.

Kjo fjal’ e fundit, federimi, u përdor’ ahere për herën e parë për këtë çështje, dhe është për çudi kur dëgjon njeriu një pakicë analfabetësh të thonë se iden’ e VATRES e mbollnë nj’a dy njerës të cilët ose s’kishin ardhur ende n’Amerikë, ose rrojin jashtë lëvizjes dhe lark qendrave shqipëtare. Po një nga karakteristikat e barbarëve, që është dhe e foshnjave, është moskuptimi i mësimeve që rrjedhin nga kronologjia, nga datat. Ja për kujtim historie raporti i shkurtër i botuar te DielliNo. 44, më 28 të Jenarit 1910 (faqe 3, shtyllë 5):

PLEQESIA E BESA-BESES. – “Pleqësia e Besa-Besësmbajti një mbledhje të Dielën e shkuar në zyrë të Diellit. Ishin në mbledhje: Z. Kisto Kirka, kryetari; Z. George Konda, arkëtar; Z. Nikolla Tromara, sekretar; edhe ZZ. Andrea Kristo, Stavre Mihal, Xheli Sotir, pleq. ZZ. Fani Kosta, nënëkryetar, edhe Maqi Thanas, plak, s’muntnë të vijnë. Në mbledhje muarnë pjesë edhe i Përnd. At Fan S. Noli me drejtorin e DiellitZ. Faik Konitza. U panë hesapet, dhe u bisedua çështja e federimit (lidhjes) së shoqërive kombëtare t’Amerikës. Mbledhja zgjati 3 or’ e gjysmë.”

Kjo mbledhje munt të quhet i pari çap për të themeluar në mes të Shqipëtarëve t’Amerikës një federatësi “Vatra”. Për fat të zi, dolli ca ditë më vonë një pengim i papritur. Mbledhja u mbajt më 28 të Jenarit; më 25 të Shkurtit, Diellibotonte demicjen e Drejtorit. Një mosmarrëveshje me kryesin’ e shoqërisë Besa-Besënshkakëtoj heqjen t’ime. U-vendosa përsëri nga anëtarët si drejtor, dhe vazhdova në këtë ofiq, me Z. Josif Pani si kryetar të Shoqërisë, gjer më 1 të korrikut 1910. Ahere, gazeta pushoj, dhe u botua tre muaj e gjysmë më vonë përsëri me At Fan S. Nolin si editor dhe me Z. Lambi Çikozin si Manager.

Si hyri ajo grindje në mes, ra edhe idea e themelimit të Federatës; dhe sado që më vonë lidha përsëri marrëdhëniet personale më të mira me ata nga të cilët isha ndarë nga moskuptime politike dhe jo gjë tjatër, bisedimi i 28 Jenarit 1910 mbeti pa pemë.

Në fund të motit 1911, ndodhesha në Cambridge, Mass.; vija rrallë në Boston, dhe s’piqesha me njeri, as kisha nge’ të marr pjesë në nonjë bisedim. Diellin, nga i cili kishte dalë(ishte larguar) edhe Fan Noli, nuk e këndoja, nga frika se mos harroja shqipen. Një ditë mora një letrë ku më ftojin në një mbledhje delegatësh, për të themeluar një “Komitet Qendror”. Idea s’m’interesonte as pakë; dhe në mbledhje, e cila u mbajt me 24 të Shën-Endreut në Rathbone Hall, nuk u ndodha, sado që isha emëruar delegat i shoqërisë Skënder-Beunë Gary, Indiana. Si duket, kjo ide e Komitetit Qendrorkish qenë biseduar pa rreshtur nga shqiptarët; dhe te Dielli No. 126 (30 Vjesht’ e III, 1911) u botua një Kanunore e Komitetit Qendror, të cilën duhet ta këndojë ç’do njeri që do të studiojë historin’ e themelimit të VATRES; do të shihni atje se ay projekt është aqë lark nga organizimi i Federatës s’onë, sa është lark Ballkani nga Irllanda.

Më 11 të Jenarit 1912, Dielli njihte dështimin e Komitetit Qendror dhe na ia vinte fajin At Fan Nolit edhe mua. Më 18 të Jenarit, Dielli botonte një letrë nga At Fan S. Noli, i cili, duke folur edhe n’emër tim, thosh se ishim gati të piqeshim për të biseduar, po “me konditën që të bëhet një gjë serioze dhe jo për të qeshur.”

Vetë shkova në Boston, u poqa me Z. Lambi Çikozin, manager-in e Diellit, edhe me Z. Kristo Kirka, kryetarin e shoqërisë Arësimi. I gjeta plot me dëshirë për të themeluar një organizatë serioze. U poqa me miq të tjerë, dhe i gjeta gjithë n’atë mendje. Vendosa ahere të trazohem.

Nismë të bëjmë mbledhje të dëndura, dhe në njërën shtrova ndryshimin në mes të një shoqërie qëndrore edhe të një shoqërie federale, me përfundimin që forma e fundit fitoj pëlqimin. Në një tjatër, si pas porosisë që kisha marrë nga delegatët, shtrova dy emëra për pëlqim: Parmendaedhe Vatra, i pari me kuptimin ideal të kulturës së mendjes e të shpirtit, i dyti me një kuptim më patriotik. U pëlqye i dyti. Dhe ashtu Federata “Vatra”, me emër dhe me formë, dolli në shesh. Në mbledhje themeltare të Marsit 31, 1912, ndodheshin këta zotërinj, si komision dhe delegatë: At Fan Noli dhe ZZ. Lambi Çikozi, Kristo Kirka, Faik Konitza, Elia Tromara, Kosta Vasil, Dr. Kost Kotta, Kristo Floqi, Paskal Aleksi. Te Kalendari i bukur i VATRES, 1918 gjenden shumë hollësira për nisjet e VATRES. 

Për emërin, formën federale, kanunoren, regulloren, edhe shpiritën e parë të VATRES, jam responsibleunë. Po e drejta është që VATRA, të cilën un’ e lashë çilimi shtatë muajsh, u ngjall, u rrit, u madhua, u bë një forcë e madhe nga Fan Noli dhe Veteranët e Amerikës, më 1915-1919, dhe n’atë shvillim unë s’kam patur as një pjesë.

*** 

VATRA sot është 108 vjeçe. Kjo ditëlindje e gjen të karantinuar siç është e gjithë bota e mbyllur prej koronavirusit dhe do ta festojnë në mënyrën virtuale 108 vjetorin. Gjithësesi VATRA i ka hedhur piketat e rrugëtimit të saj në shekullin e XXI në Kuvendin e 19 janarit 2020 dhe do ta lartësojë veten duke u ngritur në nivelin e shekullit që jeton, duke respektuar Kushtetutën e saj, duke u udhëhequr nga interesat Kombëtare dhe forcimin e miqësisë mes kombit shqiptar dhe atij Amerikan, duke ruajtur amanetin e themelusëve.

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Vatra 108 Vjeçe

SHBA REGJISTRON 1 MILION TË INFEKTUAR …

April 28, 2020 by dgreca

* PRESIDENTI UDHËZON TESTIME, GJURMIME DHE RIHAPJEN E EKONOMISË/

COMFORT NE IKJE NGA NEW YORKU…E KREU DETYREN…/

* New Yorku prek shifrën më të ulët të viktimave/

* Guvernatori Cuomo do t’ua zgjasë mbylljen disa qarqeve./

* Kryebashkiaku Bill De Blasio tha se do të hapë 100 milje rrugë për qytetarët./

* Departamenti i Arsimit në NYC ka humbë 68 punonjës

* Guvernatori i New Jersey-t preferon rihapjen e përgjithshme të shtetit./

* Iowa do ta fillojë rihapjen në 77 qarqe me 1 Maj /

Përgatiti: Dalip Greca/

Dita e Hënë ishte me tregues jo alarmant për Shtetet e Bashkuara të Amerikës në betejën e përditshme me Koronavirusin. Të infektuarit e rinj zbritën në kuota më të ulta se ditët parardhëse, vetëm 20 mijë e 789(nga 26 mijë e 509 të dielën), ndërsa numri i të vdekurëve ishte i përafërt me ditën e djeshme, numri i të shtruarëve në spitale ka rënë ndjeshëm deri në 1 mijë. Numri i përgjithshëm i të infektuarve e kaloi shifrën 1 milion 7 mijë e 949. Presidenti Trump në konferencën me gazetarët e mbajtur në mbrëmjen e së hënës i vlerësoi pozitivë të gjithë treguesit duke thënë se shteti po ecën në drejtimin e duhur. Ai tha se i gjithë vendi është në gjendje të mirë dhe është koha e rihapjes së bizneseve dhe ringritjes së ekonomisë.

Udhëzimet e Shtëpisë së Bardhë po përqëndrohen tek testimet dhe gjurmimet. Shtetet mund të testojnë rreth 2,6 përqind në popullsisë në muaj, ndërsa shtetet dhe zonat më të goditura mund të testojnë dy herë më shumë, ose dhe më tepër. Amerika i ka kapacitete për të kryer testimet dhe gjurmimet.

Në konferencën për shtyp presidenti tha se do t’i udhëzojë shtetet se si të rrisin testimin dhe gjurmimin e kontakteve të personave të infektuar.

New Yorku prek shifrën më të ulët të viktimave

Ndërkohë që Shteti i New Yorkut ka regjistruar ditën e Hënë treguesin më të ulët të vdekjeve ditore, 337(nga 367 ditën e dielë) dhe në rang shteti u regjistruan në total 22 mijë e 612 viktima, pesë bashkitë që përbëjnë NYC (New York City) kanë raportuar 11,708 vdekje të konfirmuara nga koronavirusi dhe 5.222 vdekje të mundshme të koronavirusit, sipas faqes së internetit të qytetit. Pra vetëm NYC ka 16 mijë e 930 të vdekur, ndërsa pjesa tjetër e shtetit kap shifrën 5 mijë e 682.

Departamenti i Shëndetit në New York City përcakton vdekje të mundshme nga nga COVID-19 ata pacientë që nuk kishin një test laboratorik pozitiv të Covid-19, por çertifikata e tyre e vdekjes kanë të shënuar si shkakun e vdekjes “COVID-19”.

Ka pasur 156.100 raste të koronavirusit në NYC, dhe rreth 40,000 njerëz të shtruar në spitale gjatë kësaj kohe, sipas statistikave të qytetit.

Të infektuarit e rinj të raportuar në 24 orshin e fundit për shtetin e New Yorkut ishin vetëm 3 mijë e 333(nga 5 mijë e 678 të dielën) duke e çuar shifrën e përgjithsme të të infektuarëve në 297 mijë e 224. Testimet në shtet janë në shifrat më të larta se në çdo shtet tjetër të Amerikës dhe më të larta se në shtetet europiane si Franca, Britania e Madhe etj. Deri ditën e hënë New Yorku kishte kryer 826 mijë 95 testime, nga 463 mijë e 662 që ka kryer Franca dhe 719 mijë e 910 Britanai e Madhe.

       Guvernatori Cuomo do t’ua zgjasë mbylljen disa qarqeve

Guvernatori i New York-ut, Andrew Cuomo, gjatë konferencës së përditshme të së hënës, tha se ai ka të ngjarë të zgjasë urdhrat për qëndrim në shtëpi dhe të mos hapjes së bizneseve për disa qarqe përgjatë afatit aktual të shtetit që është përcaktuar me 15 maji.

Në fakt, numri i shtrimeve të reja në lidhje me koronavirusin është ulë deri rreth 1.000 në ditë, sipas të dhënave të shtetit, ndërkohë që edhe shifrat e tjera flasin për për mirë.Po ashtu spiatlet kanë hapsira të bollshme dhe ventilator më shumë se duhet. Nga ana tjeter edhe anija e marinës që erdhi për ndihmë po merr rrugën e kthimit.

Cuomo përsëriti se shteti duhej të bënte më shumë testime dhe gjurmime të kontakteve në mënyrë që të fillonte rihapja në pjesët e mundshme të shtetit.

Kryebashkiaku Bill De Blasio tha se do të hapë 100 milje rrugë për qytetarët

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Bill de Blasio tha të hënën me 27 prill se ai dhe këshilli i qytetit arritën një marrëveshje mbi një plan që do të mbyllte 40 milje rrugë për trafik automjetesh dhe do t’u jepte qytetarëve më shumë hapësirë ​​të lirë pasi edhe moti po bëhet më i ngrohtë. De Blasio tha se ai është i angazhuar të hapë deri në 100 milje rrugë për këmbësorët nëse do të jetë nevoja me qëllim që qytetarët të mos grumbullohen për mungesë hapsire por të ruajnë distancën.

Kryetari i Bashkisë gjithashtu njoftoi se qyteti do të punësojë 1000 gjurmues kontakti, ose detektivë sëmundjesh. Ai i bëri thirrje çdo punonjësi mjekësor me përvojë përkatëse të aplikojnë përmes internetit në faqen e departamentit të shëndetit publik.

Departamenti i Arsimit në NYC ka humbë 68 punonjës

New Yorku ka humbur shumë punonjës të vijës së parë në këtë betejë me virusin e padukshëm, si punonjës të shërbimeve publike, por ka humbur jetë punonjësish edhe në arsim.

       Departamenti i Arsimit në New York City ka humbur 68 punonjës në COVID-19 që nga e hëna, deklaroi departamenti i arsimit. Në këtë shifër përfshihen 28 mësues, 25 profesionistë profesionalë, tre punonjës të zyrës qendrore, dy administratorë, dy këshilltarë udhëzues dhe dy punonjës të shërbimit ushqimor. 

       Shkollat ​​e New York City do të vazhdojnë të jenë të mbyllura për pjesën tjetër të këtij viti shkollor.

Guvernatori i New Jersey-t preferon rihapjen e përgjithshme të shtetit

New Jersey është shteti i dytë pas New Yorkut më i prekuri nga pandemia e COVID-19. Ai ka regjsitruar deri tani 111 mijë 188 të prekur nga Koronavirusi dhe 3 mijë e 3 të vdekur, ndërkohë që ka kryer 227 mijë e 390 testime. Parametrat e prekshme të koronavirusit janë në ulje në të gjitha drejtimet. Në ditën e sotme, e hënë 27 prill,kishte 106 të vdekur. Në këto kushte po mendohet për rihapje. Nëse në shtetin e New York-ut mendohet për hapje rajonale, Guvernatori i New Jersey, Phil Murphy, u shpreh në fillimjavë se ende është herët për të thënë nëse rihapja do të bëhet mbi baza rajonale ose në mbarë shtetin që drejton. Ai vetë preferon këtë të fundit.

-Paragjykimi im do të mbështetet drejt marrjes së vendimeve shtetërore- tha ai, duke shtuar “nëse nuk shohim një arsye të vërtetë unike për të bërë ndryshe, ose nëse nuk shohim një realitet me të vërtetë të dyzuar në drejtim të virusit dhe ndikimit të tij në shtet.”

Rihapja do të fillojë në vendet e punës dhe vendet ku shteti ka një “shkallë të lartë besimi”, që distanca sociale dhe normat e tjera mund të zbatohen në mënyrë efektive, kometoi ai gjatë konferencës të së hënës.

Përsa i përket radhës së rihapjes së bizneseve, Guvernatori Murphy tha se ndoshta duhet filluar me “zinxhirin ushqimor” dhe elementët e tjerë thelbësorë. Ai shtoi se e do shumë muzikën, por koncertet nuk mund të kthehen shpejt.

Murphy vuri në dukje se disa vendime ka të ngjarë të merren në harmoni me shtetet e tjera, duke dhënë shembullin se ai nuk mund ta imagjinojë që një restorant në Jersey City (New Jersey), do të kishte një protokoll të ndryshëm rihapjeje nga një restorant në anën e poshtme perëndimore të Manhattanit(New York)

Iowa do ta fillojë rihapjen në 77 qarqe me 1 Maj 

Guvernatorja e shtetit Iowa, Kim Reynolds, njoftoi të hënën se 77 nga 99 qarqet e shtetit mund të rihapin restorantet, qendra palestre, dyqane me pakicë dhe qendra të mbyllura me kapacitet 50%, duke filluar nga 1 maj.

Reynolds tha gjithashtu se ajo po heq ndalimin e tubimeve fetare, por jo të grumbullimit të më shumë se 10 personave.

Kjo qasje synon që të lirojë kufizimet në qarqet ku nuk ka veprimtari të virusit ose ku aktiviteti i virusit ka qenë vazhdimisht i ulët dhe ka treguar një prirje rënëse, tha Reynolds.

Vendet ku aktiviteti Covid-19 është më i lartë do të qëndrojnë të mbyllur deri në 15 maj, tha guvernatorja.

Hapja e qarqeve bazohet në aktivitetin e virusit dhe sasinë e rasteve të reja gjatë 14 ditëve të fundit, sqaroi Reynolds.

Ajo shtoi se biznesi dhe kishat e aprovuara për rihapjen duhet t’i përmbahen distancimit shoqëror, higjenës, masave të shëndetit dhe udhëzimeve të biznesit nga departamenti i shëndetit publik për të zvogëluar përhapjen e Covid-19.

Reynolds tha gjithashtu se restorantet do të duhet të mbajnë tavolina të paktën gjashtë metra larg dhe të kufizojnë numrin e njerëzve që mund të jenë në një tryezë.

New York, 27 Prill 2020

Filed Under: Featured Tagged With: 1 Milion te infektuar, dalip greca, presidenti, SHBA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT