• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2020

Veseli nga Prizreni: Nga sot nisim punën për largimin e qeverive të mashtrimit dhe kthimin e PDK-së në krye të shtetit

June 10, 2020 by dgreca

Prizren, 10 Qershor 2020-Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë sot nga Prizreni se vetëm partia që ai drejton mund ta bëj rimëkëmbjen kombëtare për shqiptarët.


Në ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, lideri i PDK-së ka zhvendosur lidershipin e partisë në kryeqytetin historik nga ku ka shpalosur vizionin e ri të PDK-së.
“Orientimi ynë euroatlantik është i pakompromis, ndërsa çdo politikë që provon t’i prishë raportet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – është ftesë tinëzare për ato vende dhe gjeopolitika që e duan shkatërrimin e shqiptarëve”, tha Veseli.


“Më 6 tetor të vitit të kaluar ka ndodhur një mashtrim i madh politik, që ka vënë në rrezik shqiptarët. Qasja majtiste ekstreme dhe ideologjia anti-amerikane – kanë tronditur orientimin tonë kombëtar. Ndërsa, fryma e urrejtjes dhe e përçarjes brenda, dobësoi shtetin tonë dhe i hapi orekse pretendimeve antishqiptare. Ne nuk kemi njerëz për të humbur. Nuk kemi toka për të dhënë. Dhe, nuk lejojmë askënd të cenojë vlerat tona, lirinë, shtetin dhe kombin tonë”, tha Veseli.
Ai tha se në takim me Kryesinë qendrore të PDK në Prizren, po e fillon ngadalë edhe prezantimin para qytetarëve të Kosovës të platformës së rimëkëmbjes kombëtare.
“Platformë e ideologjisë djathtiste, që mbron vlerat tradicionale, ruan miqësitë dhe zhvillon lirinë”, deklaroi Veseli.
Ai tha se në qeverisjen e kaluar PDK ka lidhur Prizrenin me Tiranën përmes autostradës së Kombit, ndërsa u zotua se në mandatin e ardhshëm do ta lidhë Prizrenin me Tetovën.
Deklarata e plotë e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli:
Sot shënojmë me krenari 142-vjetorin e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, organizimit patriotik e politik mbarë-kombëtar, që sendërtoi kërkesat e shqiptarëve për një shtet të pavarur e bashkim të trojeve shqiptare kudo.
Nderojmë e kujtojmë me krenari këtë kryevepër historike shqiptare dhe udhëheqësit themelues të saj, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin dhe Sylejman Vokshin, që e nisën fushatën politike e ushtarake për një rimëkëmbje gjithëshqiptare.
Ndërtesa që vizituam më parë – është tempull i shqiptarizmit. Nga këtu, ne duhet ta gjejmë çdoherë frymëzimin për të ecur përpara të bashkuar.
Sot, po ashtu, me krenari shënojmë 21-vjetorin e fundit të sundimit serb, përkatësisht ditën e nënshkrimit të kapitullimit të Serbisë agresore, që pas gati një shekulli i hapi rrugë lirisë së merituar të shqiptarëve.
Falë sakrificës heroike të popullit të Kosovës, jetës së mijëra vajzave dhe djemve, grave dhe burrave, e në veçanti falë organizatës ushtarake-politike më të denjë pasardhëse të LSHP-së, e kalitur në sfidat e rënda të luftës për liri dhe triumfuese: Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Falë edhe SHBA-ve dhe aleatëve tanë perëndimorë.
28 nëntor 1912 dhe 17 shkurti 2008, pas 10 qershorit 1878 dhe pas 10 qershorit 1999, janë dy momente historike unike për shqiptarët, që simbolizojnë dy histori të ndara padrejtësisht të shqiptareve, por dhe dy krenari të suksesit të tyre, që askush nuk ka të drejtë t’i paragjykojë, sulmojë dhe as cenojë për asnjë synim ose arsye.
Këto ngjarje historike dhe projekte politike as nuk përfaqësohen, e as nuk mbahen me simbolika, por jetësohen me veprime dhe vendime konkrete.
Bashkëpunimi dhe përafrimi i pandalshëm me Shqipërinë ka qenë dhe është busulla jonë kombëtare.
Orientimi ynë euroatlantik është i pakompromis, ndërsa çdo politikë që provon t’i prishë raportet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – është ftesë tinëzare për ato vende dhe gjeopolitika që e duan shkatërrimin e shqiptarëve.
Më 6 tetor të vitit të kaluar ka ndodhur një mashtrim i madh politik, që ka vënë në rrezik shqiptarët. Qasja majtiste ekstreme dhe ideologjia anti-amerikane – kanë tronditur orientimin tonë kombëtar. Ndërsa, fryma e urrejtjes dhe e përçarjes brenda, dobësoi shtetin tonë dhe i hapi orekse pretendimeve antishqiptare.
Ne nuk kemi njerëz për të humbur. Nuk kemi toka për të dhënë. Dhe, nuk lejojmë askënd të cenojë vlerat tona, lirinë, shtetin dhe kombin tonë.
Sot, nga Prizreni, ku kam mbledhur edhe Kryesinë e partisë për një takim të gjatë pune, si Kryetar i PDK-së po e filloj ngadalë edhe prezantimin para qytetarëve të Kosovës të platformës sonë të rimëkëmbjes kombëtare.
Platformë e ideologjisë djathtiste, që mbron vlerat tradicionale, ruan miqësitë dhe zhvillon lirinë.
Angazhimi ynë është për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo, mos-cenimin e kufijve të Kosovës, ruajtjen e lirisë dhe mbrojtjen e vlerave çlirimtare të popullit tonë.
Do ta sanksionojmë me ligj çfarëdo cenimi të këtyre vlerave historike dhe luftën e drejtë të UÇK-së.
Do të dënohet mohimi i krimeve të kryera nga Serbia dhe do të punojmë për të kërkuar drejtësi për çdo të vrarë e të zhdukur në Kosovë.
Do ta shënojmë dhimbjen tonë historike me muze dhe përkujtimore, ndërkohë që kemi proceduar në Kuvendin e Kosovës ligjin për vlerat e luftës.
Orientimi ynë është djathtist, që promovon të drejtat dhe liritë qytetare dhe lufton për to.
Ekonomia e konkurrencës është princip bazë i angazhimit tonë. Më pak fuqi Qeverisë dhe politikanëve, e më shumë fuqi ndërmarrëseve dhe të rinjve.
Më pak burokraci në vendimmarrje, më pak procedura dhe më pak tatime. Më shumë përkrahje prodhimit, eksportit dhe punësimit.
Ky do të jetë angazhimi im dhe i PDK-së.
Mposhtja e së keqes është domosdoshmëri.
Korrupsioni, abuzimi, mashtrimi duhet të ndalen dhe do t’i ndalim.
E kam filluar nga brenda dhe do ta çrrënjos deri në fund në tërë Kosovën.
Procesi i Vetingut për ndjekur e dënuar çdo të korruptuar dhe uzurpator të pronave publike, nuk është akt deklarativ, siç ka menduar qeverisja e mashtrimit.
Duhet dhe do të jetë platformë e përgjithshme që do ta luftojë krimin.
Siguria e sotme dhe e nesërme për Kosovën është jetike. Do të angazhohemi që Ushtria e Kosovës, si pasardhëse e drejtpërdrejtë e UÇK-së, të rritet, profesionalizohet dhe bëhet pjesë e NATO-së. Krahas sigurisë, do të punojmë çdo ditë për barazi e drejtësi për secilin qytetar. Shanse të barabarta për të gjithë.
PDK është në opozitë.
Do t’i mbrojë qytetarët dhe Kosovën nga mashtrimi, ndërsa asnjëherë nuk do t’i ikë përgjegjësisë shtetërore dhe kombëtare.
Me qëndrimin në opozitë, ne duam të jemi të përgjegjshëm para qytetarëve dhe votueseve tanë.
Qeveria Hoti e ka të trashëguar virusin e mashtrimit të Qeverisë Kurti.
Këtë pandemi politike do ta ndalë vetëm PDK.
Ne do të jemi opozitë për t’i hapur një derë të re një epoke të madhe të shqiptarëve.
Njerëz të rinj dhe ide të reja – do të jenë themel i projektit tim të ri me PDK-në për Kosovën!
PDK do të angazhohet për një Qeveri të vogël, por në funksion të rritjes së madhe te mirëqenies ekonomike, punësimit e cilësisë më të madh në arsim.
Së shpejti do të iniciojmë në Kuvendin e Kosovës nismën ligjore për procesin e ndëshkimit të krimeve të komunizmit në Kosovë.
Ne jemi vendi i vetëm në Evropë që nuk e kemi përmbyllur këtë proces.
E kemi obligim moral e shtetëror t’i njohim sakrificat e atyre që u ndoqën dhe u vranë nga regjimi komunist jugosllav.
PDK do të angazhohet për drejtësi për mijëra viktima të pafajshme.

Sot vizitova edhe ish ndërtesën e burgut në Prizren, të ngritur në vitin 1945, ku vuajtën e vdiqën qindra nacionalistë sikurse Halim Spahia, Marije Shllaku, At Bernard Llupi, e shumë shqiptarë të tjerë. Asnjëherë nuk guxojmë të harrojmë vuajtjet tona për liri, duhet shënuar e respektuar me dinjitet nga qytetarët dhe shteti.
Ky burg tani e tutje do të shndërrohet në muzeun e kujtesës të krimeve të komunizmit.
Unë do të angazhohem që procesi i memorizimit të së kaluarës tonë historike të rregullohet e mbrohet me ligj.
Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj pa dallim. Prizreni e simbolizon më së miri këtë.
Me Shqipërinë kurrë nuk do të mbyllen më kufijtë.
Me shtetin që përfaqëson gjysmën e kombit tonë, ne do të lëvizim me një agjendë të përbashkët mbarë-shqiptare të heqjes së barrierave ekonomike, tregtare dhe do lëvizim me projekte të përbashkëta afrimi, e jo ndarje e bllokimi. Duhet unifikimi i taksave dhe politikave doganore, po ashtu qëndrime strategjike unike.
Na duhet bashkim forcash e idesh për ta çuar përpara agjendën integruese ndër-shqiptare dhe atë evropiane.
Të dashur qytetarë,
Sot jemi në kryeqytetin historik të shqiptarëve – i shpallur edhe në Kuvendin e Kosovës, në qytetin e bukur të lirisë dhe tolerancës, ku bashkëjetojnë pa dallim etnie dhe feje të gjithë.
Qytetin universitar të mendimtarit të madh Ukshin Hoti.
Edhe pak, nisin ditët e rëndësishme të çlirimit tonë. Nuk mund të vështrojmë prapa e të kënaqemi, por as nuk mund të pranojmë që mashtruesit të hedhin baltë mbi 21 vjet liri e krenari.
Nuk mund t’i pranojmë mashtrimet e atyre që premtojnë shumë dhe dështojnë gjithçka.
Shembulli tipik i kësaj është ky qytet i bukur, që duke u qeverisur me papërgjegjshmëri dhe korrupsion, ka ngufatur qytetarët dhe qytetin.
Ky qytet ka humbur 3 vjet nga keq-qeverisja e koalicionit të mashtrimit VV-LDK.
Fatkeqësisht, shumë korrupsion e hajni, dëmtim të zonës historike, e të potencialit të turizmit.
Ky koalicion mashtrimi, që braktisi qytetarët në Prizren këto ditë, e ndoqi shembullin e qeverisë 100-ditëshe të mashtrimit e status quos-së VV e LDK në qendër.
Këta nuk meritojnë më votë dhe duhet të ndëshkohen. Prizreni, si gjithë Kosova, meriton më shumë dhe më mirë. Vetëm PDK mund ta bëjë këtë.
Ne ishim partia që e themeluam Universitetin e Prizrenit, ku sot vijojnë studimet mbi 15 mijë të rinj e të reja nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut.
E shndërruam në qytet të pastër, mbrojtëm me ligj zonën historike dhe e kthyem në atraksion turistik.
Ne arritëm ta përmbyllim gjatë qeverisjes sonë autostradën kombëtare, duke e shndërruar Prizrenin në qytetin më të rëndësishëm mes Prishtinës e Tiranës.
Tani është koha ta lidhim gjatë qeverisjes së ardhshme të PDK-së edhe me Tetovën.
Premtime për autostradë me Tetovën nga Prizreni keni dëgjuar gjatë fushatës nga një parti që thirret në ngjyrat kuq e zi, por kurrë nuk e përmendi kur erdhi në pushtet. Madje, as që planifikoi buxhet për të, siç kishte premtuar.
Vitin e ardhshëm do t’ia kthejmë Prizrenit qeverisjen e PDK-së, ashtu si dhe gjithë Kosovës, me përkrahjen e madhe qytetare dhe do të qeverisim me njerëzit më profesionistë dhe më të mirë.
Nuk ka kthim prapa. Ka vetëm fitore dhe ecje përpara.

Filed Under: Kronike Tagged With: Kadri Veseli, Prizren

Dy ngjarje dhe një histori

June 10, 2020 by dgreca

Shkruan: Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani/

Thirrja patriotike e Lidhjes së Prizrenit e para 142 vjetësh është sërish thirrje dhe ftesë për rizgjim kombëtar.
“Ne, Shqiptarët, nuk jemi imigrantë, por banorët e hershëm të këtij vendi; ne kemi qenë të lirë e të pavarur disa shekuj më parë dhe ne mund të pretendojmë me plot fjalën të drejtën për të krijuar një Shtet”.
Sot, shqiptarët kanë dy shtete që lëngojnë. Projektet shtetërore të rrezikuara riaktualizojnë kërkesat e Lidhjes për mobilizim për shtetin e kombin.
Kërkesat e Lidhjes riaktualizojnë nevojën për kohezion shoqëror dhe unitet kundrejt zhvillimeve me të cilat përballet shteti i Kosovës. Në një kohë kur rreziku i copëtimit të territorit është evident, vetëm qëndrimi unik e bën Kosovën të pacenueshme. Ndaj, na duhet një Lidhje e re për shtetin e Kosovës, në mënyrë që nesër ky vend të jetë strehë e sigurt ku jetojnë dinjitetshëm të gjithë qytetarët pa dallim.
21 vjet më parë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Javijer Solana, urdhëroi ndaljen e bombardimive mbi caqet e ushtrisë jugosllave e policisë serbe pas kapitullimit të Millosheviqit, kurse Këshilli i Sigurimit i OKB-së, po në të njëjtën ditë, miratoi dërgimin e ushtarëve të KFOR-it nga 36 shtete. Sot Kosova është e lirë falë ndihmës së shteteve që i qëndruan në krah dhe sakrificës së popullit të saj. Një pjesë e këtyre ushtarëve të NATO-s sot ende janë garant i sigurisë për vendin tonë. Falënderojmë pafundësisht secilin prej tyre për kontributin që vendi ynë të jetë i lirë.
21 vjet më pas ëndrra për lirinë ka marrë kuptim, por ëndrra për shtetin ku sundon e drejta vazhdon. Ndaj sot, nevoja për forcimin e shtetit nëpërmjet rendit e ligjit është domosdoshmëri!
Liria është koncept universal, teksa nevoja për Lidhjen për shtetin urgjencë kombëtare!

***

Osmani: Platforma politike e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit frymëzim për forcimin e shtetit të Kosovës

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani në 142 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ka marrë pjesë në Ekspozitën “Personalitetet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”.

Ajo ka vendosur lule në kompleksin e figurave të kësaj ngjarjeje historike dhe ka thënë se Platforma politike e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit duhet të shërbejë si frymëzim për forcimin e shtetit të Kosovës, unitetin e faktorit politik mbi bazën e parimit të paprekshmërisë së kufijve aktualë të Kosovës, paprekshmërisë së sovranitetit të vendit si dhe të rendit kushtetues.

 “Lidhja e Prizrenit e vulosi orientimin tonë properëndimor. Na duhet një Lidhje e re për shtetin e Kosovës, në mënyrë që nesër ky vend të jetë strehë e sigurt ku jetojnë dinjitetshëm të gjithë qytetarët pa dallim”, është shprehur zonja Osmani.​

ReplyForward

Filed Under: Opinion Tagged With: Dy ngjarje, nje histori, Vjosa Osmani

KONTRIBUTI I LUMJANËVE, NË “LIDHJEN SHQIPTARE TË PRIZRENIT”

June 10, 2020 by dgreca

Nga: Hysë Hasa-studiues,Filadelfia-SHBA/

Rëndësia historike dhe jehona, në 142 vitet e “Lidhjes Shqipetare te Prizrenit”(1878-2020), na ka lidhur në këtë përkujtim , këtu në mjediset e Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Bijte e Shqipes”, në Filadelfia të Amerikës, në kushte të reja demokratike dhe në çastin historik, kur shqipetarët e Kosovës, në sajë të shpirtit liridashës të tyre në breza ,vaditjes me gjak për lirinë e tyre dhe mbështetjes ndërkombetare të SHBA-s së Bill Clintonit, Anglisë së Toni Blerit,BE-së, trupave ngadhënjyese të NATO-s, Kosovën “de fakto” e kemi të çliruar e të pavarur, me shtetin e saj dhe njohjen nga mbi 110 shtete anëtare të Organizatës së Kombeve te Bashkuara.Nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Serbisë e Kosoves, nën drejtimin e BE-së e SHBA-ve, ështe një çast i rëndësishëm historik, çka tregon se edhe Serbia, në një të ardhme, shpresojmë ta njohë Pavarësinë e Kosovës.

Një nga pjesëmarrëset aktive, në këtë Lidhje, ishte edhe krahina e Lumës (Kukësit), me përfaqësuesit e saj.Në kujtim të kësaj ngjarjeje të madhe kombëtare shqiptare, mendova t’i paraqes lexuesit mbarëshqiptarë, “Ndihmesën, që kanë dhënë lumjanët (kuksianët),në “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit”.

Në vazhdim të traditave të mëparshme atdhetare e luftarake, për pavarësi e liri, përveç protestave masive, u organizuan edhe repartet vullnetare, në mbrojtje të trojeve shqiptare.Krerët e Lumës morën pjesë aktivisht në përegatitjen e Kuvendit Kombëtar, që u mblodh më 10 qershor 1878, në Prizren.Që në dhjetorin 1877, pati një mendim, në Komitetin Shqiptar të Stambollit, që kryhesohej nga Abdyl Frashëri, ku merte pjesë dhe Ymer Prizreni, që Kuvendi Kombëtar i Lidhjes të mblidhej në Lumë (Lasgush Poradeci ka thënë se qendra e Shqipërisë është aty, ku bashkohen dy Drinat,i Ziu me të Bardhin) ose diku në Dibër a në Prizren.U vendos të bëhej në Prizren, edhe për faktin e pranisë së forcave lumjane, hasjane e qyteteve tjera shqiptare,si dhe per shkak të kushteve ekonomike dhe infrastukurës më të pershtatshme.

Në atë kohë, Prizreni njihej si “Prizreni i Lumës dhe Luma e Prizrenit”.Një rol të rëndësishëm, në Komitetin Shqiptar të Stambollit, kanë luajtur edhe vëllezërit Idriz e Shaqir Palushi, nga fshati Bushtricë i trevës së Lumës, të shkolluar në Stamboll.Idrizi ishte me shkollë të lartë turke, për teologji dhe ekonomist me arësim të lartë.Ishte njeri shumë i njohur nga Sulltani i asaj kohe dhe eshtrat e tij sot e kësaj dite prehen në Stamboll.Idriz Palushi ishte mik i ngushtë me vëllezërit rilindas, Naim e Sami Frashëri. Nëpërmjet kësaj miqësie, ai u lidh dhe me vëllain tjetër të Naimit e Samiut, Abdylin dhe ky i fundit me vëllanë e Idrizit, Shaqir Palushin. Idrizi dhe Shaqir Palushi kishin shumë ndikim te Sulltani, pasi njëri prej dy vëllezërve, Palushi, ishte byrazer i Sulltanit, pra kishte pirë gjak me të.Idrizi kishte qenë shok klase me Sulltanin, pra ishin bërë vëllezër gjaku. Kuptohet se çfarë ndikimi kishin dy vëllezrit Palushi të Lumës, te Vilajeti I Prizrenit, sepse kështu ishte atëhere Luma, pjesë e këtij Vilajeti.

Dr.Fejzullah Gjabri ka gjetur, në shkrimet e Sami Frashërit,se evidentohet realisht miqësia e vëllezërve Frashëri, me vëllezërit Idriz e Shaqir Palushi. Abdyl Frashëri, nëpërmjet këtyre vëllezërve, arriti të lidhej me Parinë e Veriut.Sipas premtimit, që i ishte berë Sulltanit, në “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit,” “Bashkimi i 4 vilajeteve do të bëhej në një shtet, duke qenë pjesë e Perandorisë Osmane, (asnjëherë nuk doli kundër vendimeve të LSHP), megjithëse ishte një një nga garantuesit e këtij kushti të vënë nga Sulltani.

-Një ndër ndërlidhësit kryesorë të Parisë së Veriut, duke përfshirë Shkodrën, Lumën, Dibrën, Kosovën, Shkupin,Manastirin e Gostivarin, e deri Selanikun, ishte Shaqir Palushi.Ai, në këto zona,ka patur ndikim të madh. Shumë patriotë shqiptarë ka nxjerrë nga burgu, si byrazer i Sulltanit, siç është rasti i Islam Spahiut nga Kolosjani i Kukësit (një nga Parite kryesore të Lumës.),i arrestuar e dënuar nga Sulltani.

Në përputhje me programin e hartuar që në Stamboll, patrioti rilindës Abdyl Frashri, gjatë rrugëtimit për në Prizeren, kaloi nga Dibra dhe me 21 maj 1878 ishte mik te Merë Sufa(shtëpi bajrak), në Kalisë të Lumës.Ky është edhe takimi i pare, që ai bëri me krerët e Kalisit, duke u treguar programin që kishin.Aty mori miratimin dhe mbështetjen e krerëve të këtij bajraku, ku dhe u caktua komandant i gardës, për ruajtjen e ” Kuvendit të “Lidhjes Shqiptare te Prizrenit”, një nga kreret e Kalisit,trimi e patrioti lumjan, Idriz Stafa.

Kalisi është vendlindja e patriotit kombëtar shqiptare Mahmut Daci.Në pabesi nga një dibran, i quajtur Lilë Tafa, i’u pre koka dhe, ashtu si Ali Pashë Tepelena, ka dy varre, koka në Stamboll e trupi në Kalis.Në këtë përleshje luftarake ra heroikisht trimi dhe një nga bashkluftëtarët e Mahmut Dac Kalisit, vilasi i paharruar, Bajram Hasa. Nga 22 maji e deri me 7 qershor 1878 ( 2 javë) Abdyl Frashëri ishte mik shtëpie, në konakun e patriotit bushtricas, Shaqir Palushi.Gjatë atyre ditëve, u bënë disa takime me Parinë e këtyre zonave, në lidhje me përgaditjen dhe masat e nevojshme, për zhvillimin normal të Kuvendit Mbarëkombëtar Shqiptar.Me daten 7 qershor 1878, Abdyl Frashëri i Toskërisë shkoi dhe qëndroi 3 netë në Kolosjan të Lumës. Ideologu i mençur Toska Abdyl, kërkoi që në Kolesjan te mblidheshin përfaqësues të fshatrave të gjithë Lumës, në Livadhet e Rodagjas, për t’u folur e biseduar me ta, që Luma me burrat e saj luftëtarë e besnikë të ishte e tëra në “Kuvendin e Lidhjes” , që do te mbahej ato ditë në Prizren.

Mbi 600 veta nga e gjithe Luma,u mblodhen ato ditë historike në kodrën e Livadhit Rodagjas.Mikëpritesit tradicionalë të Kolosjanit, me ndihmën e çdo shtëpie, organizuan një drekë madhështore, ku u shtruan mbi 30 sofra njëherësh.Gjelbërimi masiv, me ahishtat e lajthitë e shpeshta, në mes të të cilave shtriheshin livadhe plot barë e lule të shumëllojshme, i jepnin këtij takimi një bukuri të veçantë.Rrezet e ngrohta të diellit, ajëri i fresket e i pastër, me ujin e ftohtë të burimeve të shumta dhe zjarret e ndezura, për përgatitjen e drekës, i jepnin vendit një pamje magjepsëse e gjallëri të paparë ndonjëhere.

Të ftuarit në ketë takim erdhën një orë para se të arrinte miku i Lumës, nga Përmeti i Toskërisë, Abdyl Frashëri, emri dhe patriotizmi i të cilit njihej dhe në të gjithe opinionin lumjan.Nji kalë i madh “gjok”, me një shalë të bukur Stambolli,stolisur me lule, te koka mbante toskën e madh, i cili shoqërohej nga shtabi luftarak lumjan, që përbëhej nga “gjeneralët popullorë”: Shaqir Palushi, Merë Sufa, Bajram Gjana, Qazim Lika,Mustafë Lita,Idriz Stafa, Ramadan Cejku, dhe nga Beqir Spahiu e 15 kolosjanas të tjerë, të armatosur e të gjithë kalorës. Ndërmjet tyre ishte edhe Islam Spahiu (portretet e tyre, lexuesi i gjen të pasqyryar në librin tim ”Përsonalitete ushtarake lumjane, nga Perandoria Osmane e deri në vitin 1944” (Tiranë, 2016, faqe 73-146).Gjatë ngjitjes së malores në rrugën që kishin bërë dhe vapa i kishte lodhur disi.Por, sa ranë në kontakt me aromën e luleve të bjeshkës, u freskuan e lodhja e tyre u zhduk, si në magji. Curlet, lodrat, këngët e vallet e lumjanëve kishin mbi një orë,që ushtonin dhe i kishin dhënë këtij vendi një pamje festive, sikur të ishte një dasëm e madhe. Abdyl Frashri, me shoqëruesit dhe 15 kolosjanasit, që përbënin grupin e “krushqëve” e 600 lumjanet e mbledhur, si dasmorë,do të lidhnin e do t’i jepnin besën atij, për çështjen Mbarëkombëtare Shqiptare. Mbi barin e njomë, plot lule të freskëta dhe nën hijen e lisave ishin shtruar disa qylyme e sexhade me motive lumjane,në mesin e të cilave, zakonisht, qëndron shqiponja dy krenare, me sfond të zi, e rrethuar nga një fushë e kuqe,simbol i Flamurit tonë Kombëtar, i trashëguar që nga koha e lavdishme e Skënderbeut. Kur Toska i mençur zbriti nga Kali dhe po përshëndetej, duke u përqafuar me lumjanët, si vëllai ndërmjet vëllezërve, urimet e mirëseardhjes u shoqëron me të shtëna të shumta armësh, ushtima e të cilave përplasej në shpatet jugore të Gjallicës e kthehej te bjeshkët e Kolosjanit,që atë ditë ishin me të qeshura, se kurrë më parë.

Abdyl Beut i bëri përshtypje, se kjo masë e madhe njerëzish, që e priten, nuk ishin një “Turmë” e paorganizuar, por ajo ngjasonte me një batalion ushtarak të disiplinuar, që dinë ta presin e ta përshëndesinë eprorin e vet, në baze të rregullave të caktuara.

Tradita e mikëpritjes shqiptare, ështe e veçantë në të gjitha vendet ballkanike, por elementët shtesë të saj, në krahinen e Lumës e të Kukësit, e bëjnë atë të dallueshme dhe më të ngrohte, nga të gjitha krahinat e tjera të Shqiperisë.Ideologu i çështjes shqiptare nuk ishte i zhgënjyer, në parashikimet e tij, se në Lumë do te gjente jo vetëm luftëtarë sypatrembur, patriotë e atdhetare të paepur,por ai u bind se këta ishin edhe garda më e zgjedhur e besnike, për “Lidhjen shqiptare te Prizerenit” dhe ushtrinëe sajë, që pritej të formohej.

Gjatë qëndrimit në Kolosjan,në 2 ditët e para, në bisedime me shumë prijësa e përfaqsues të Nahijeve të Lumës, që ishin vegjëlia lumjane,Abdyl Frashëri u bind se në Lumë nuk kishte Pashallarë e Feudale të mëdhenjë, që lidhnin interest e tyre me atë të regjimit otoman. Pikërisht këtu qëndronte forca e vitaliteti i kësaj krahine.Në bjeshkën e bukur të Kolosjanit të Lumës, ai pa ndërgjegjen kombëtare të popullit shqiptar,të përfaqësuar nga populli e jo nga krerë e njerëz me ndikime turkomane.Në fjalën e tij ndrmjet të tjerave, ai theksoi:

“O vëllezër lumjanë!

Sot është një ndër ditët me të gëzuara të jetës sime, ështe kjo ditë e lumtur, në ketë vend të bekuar, ku jemi mbledhur së bashku. Erdha si misonar i Kuvendit, që do të organizohet këto ditë në Prizerenin tuaj dhe po largohem si miku juaj, i nderuar, me fjalë të pakta e me besë të Lumës , por me fjalet e mençura, që foli sejcili nga ju dhe unë u binda se, me djemtë tuaj, që do te organizojmë Kuvendin e Prizrenit, me 10 qershor 1878, kemi garanci e besim, për mbështetjen tuaj të plotë ndaj qështjes sonë kombëtare, sepse Shqipërisë po i kanoset rreziku i coptimit nga armiqtë tanë historikë. Ajo që më lumturon më tepër, qëndron në faktin se Lumën e shoh tërësisht të bashkuar, në mendim e veprim të përbashkët, për çështjen e madhe kombëtare.E, sikur një popull, si ky i Lumës, ta kishim në të gjitha vilajetet e tjera të Shqipërisë, çështja jonë kombëtare do te zgjidhej shumë me lehtë e me shpejtë, do të fitonim e gëzonim lirinë, për të cilën është derdhur e do të derdhet shumë gjak shqiptarësh.Këto male të bukura rreth Lumës,me breza të lavdishëm të burrave, që kanë bërë traditat e historinë e lavdishme të saj, u kanë mësuar se çdo armik e pushtues,( që s’i kanë munguar asnjeherë Shqiptarisë), luftohet e mposhtet, vetëm duke qenë të bashkuar, se me një gisht nuk shëmbet Gjallica.Në sytë tuaj të kthjellët,në mendjen tuaj të zgjuar, në zemrën tuaj të pastër e në trupin tuaj kreshnik, shikoj ato veti të shqiptarit, si njeri e luftëtar, që me gjuhën, zakonet e traditat e veta patriotike e luftarake, nuk iu nënshtrua asnjëherë asimilimit si popull dhe asgjësimit si komb.Lirinë ju e keni të shkruar në syte tuaj të kaltër, që ju buron nga zemrat tuaja e me ngjajnë me ujin e kthjellet e bukurine e luleve të këtyre bjeshkëve, ku ju keni lindur,jeni rritur e shkruani me gjakun e jetën tuaj vetë historinë e lavdishme të Lumës e të gjithë Shqipërisë.

-Kam fatin e madh dhe bekimin e Perendisë që, në Kuvendin e Prizrenit, të kem përkrah çështjes kombëtare, lumjanët, që kemi zgjedhur të marrin pjesë në ketë Kuvend të madh Mbarëkombëtar. Me dhatë bukë, zemër e besë, e unë, të gjthë jetën time, do të mbështetem në besën e mikpritjen tuaj, duke dhenë edhe jetën për çështjen tonë kombëtare.Ju faleminderit vëllezërtë dashur lumjanë!”

Të nesërmen, gjatë rrugës për në Prizren, Abdyl Frshëri ndaloi në Bicaj e në Shtiqën, te lisi i madh.Në mbledhjet masive të popullit të Lumës, që nuk kishin marre pjesë në Kuvendin e Kolosjanit, u takua me ta, e u prit ngrohtë, duke u përcjellë atyre mesazhe lirie e patriotizmi, të bashkimit e qëndresës së përbashkët, për idealin kombëtar e lirinë e vendit. Te Lisi i madh, në Shtiqen, ai tha,:“ Historia e Lumës dhe trimëria, që ajo ka treguar në luftën kundër pushtuesve osmanë për vite me radhë, e radhisin Lumën, bashkë me krahinat e tjera të Kosovës, ndër me të parat e të përkushtuarat për çështjen tonë kombëtare.Për ketë arsyje, bijëve tuaj luftëtarë, do t’u takojë nderi, që të përbëjnë thelbin e Gardës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.Unë kam krijuar bindjen time ndaj jush se, në se do të keshë sigurinë e plotë të jetës tënde, besojani atë lumjanëve(kuksianve), të cilëve po t’u japish besën e t’u fitosh zemrën, ata nuk e llogarisin fare jetën e tyre, për ty.Nga këngët burrërore që dëgjova dje, në livadhet e bukura të Kolosjanit, nuk kam për t’i harruar këto vargje kuptimplotë, që i shkojnëper shtat burrërisë, mikpritjes, trimërisë e besnikërisë suaj të trashëguar në shekuj: “Sepse Luma tash dymijë vjetë, / Lumë ka qenë e Lumë ka mbetë,/ Ka një luftë e bën për çdo vjet,/ luftë me kral e luftë me mbret!” E, unë u them se :“ Që nga Luma e Dangëllia, Gegë e Toskë, një është Shqipëria!”

-Me 15 lumjanët trima e kalorës, përfaqësues të gjitha nahijeve të Lumës, Abdyl Toska, tashmë mik i Lumës, shkoi në Kuvendin e Madh Historik të Prizrenit, ku me 10 Qershor 1878 u shpall “Lidhja Shqiptare e Prizerenit”.Në ketë Kuvend Kombëtar, populli i Lumës u përfaqësua me të deleguar nga të gjithe bajraqet e Lumës.Në emër të këtyre delegatëve, u zgjodhën organet drejtuese dhe u nënshkruan aktet historike të Lidhjes. Ata ishin krerët popullorë, të nderuar e të njohur lumjane, si: Shaban Agë Luma, Mehmet Sherifi, Ymer Sufa, Shaqir Palushi e Mustafë Lita. Komandanti i Gardës, për ruajtjen e Kuvendit,u caktuan “Gjeneralët popullorë”, me kapuçë të bardhë e kostume shajaku, Ramadan Zaskoci e Idriz Stafa,të cilët kishin kryer “Akademinë e Maleve”kreshnike të Lumës heroike.Me anën e përfaqësueseve të tyre, banorët e Kazasë së Lumës bashkuan zërin e tyre të protestës,besën e burrave dhe armët,kundër copëtimit të trojeve shqiptare,sidomos, të kërcenuara nga Rusia fashiste e Franca antishqiptare, aleate e vjetër dhe e re e shovenistëve serbë të Beogradit.Kjo, për faktin, se Kongresi i Berlinit, siç shkruan ato ditë Terxhumani Shark (V. I, Nr. 115, fq,3 dt 10 (23), gusht 1878, “…ia ka lenë dyert hapur luftës”.

Në zbatim të programit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Lumë, në qendrën e Bicajve u ngrit Dega e Lidhjes Shqiptare të Prizerenit, me kryetar Shaban Agë Lumën dhe me përfaqësues nga të gjitha bajraqet,duke marr disa masa të rëndësishme, që kishin të bënin me zbatimin e vendimeve të Lidhjes si:

-U bë organizimi ushtarak tradicional: burrë për shtëpi, në rastin sublim, për meshkujt 17 deri 70 vjeç.

-U lidh besa për ndalimin e gjakmarrjes dhe të vëllavrasjeve ndër vedi.

-U morën masa për sigurimin e armëve dhe fondeve të mundëshme financiare.

Lumjanët, historikisht, kanë tregur burrëri dhe trimëri, për mbajtjen e besës, për zbatimin e vendimeve të marra në”Kuvendet e Burrave te Dheut”.Ata u shquan në zbatimin e programit të LSHP .Ata ishin të parët, që u hodhën në protestë, kundër ardhjes ne Prizren të Mehmet Ali Pashës dhe misionit të tij, kundër popullit tonë. Ishin ata, që izoluan Marshallin Turk nga kontaktet sekrete me Sullatanin, të cilit me vendim të Kryesisë së Lidhjes, nëpërmjet “Gjeneralit Popullor”, Ramadan Zaskoci e lumjanëve të tjerë, kryen aksionin e parë të armatosur,duke vrarë në Prizren,mu para “Kafe Marash”, në qendër të qytetit,telegrafistin shifrant përsonal të Pashes,”Sokrat Argjriadhinë.Me ketë aksion, populli i Lumës, në emër te Popullit Shqiptar, i dëshmoi Pashait Osman rrugën e kthimit dhe dështimin e plotë të misionit të tij.Ky aksion u pasua me luftimet në Gjakovë, nga forcat popullore të Gjakoves, Lumës , Hasit e të tjerë, në eleminimin e Mehmet Ali Pashës, disa përkrahësve të tij dhe tre bataloneve osmane, shoqëruese në misionin e tij armiqësor.Aty u tregua heroizëm i madh dhe pati një jehonë të veçantë, nga ku Fuqitë e Mëdha kuptuan se vendimet e Berlinit hasën në qendresën e fortë të shqiptarëve.

Pas aksionit të Gjakovës, popullsia e Kazasë së Lumës, me krerët popullorë, u rreshtua me vendosmëri me krahun radikal përparimtar të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit, që drejtohej nga: Iljaz Pashë Dibra, Abdyl Frashëri, Ymer Prizereni, Sulejman Vokshi, Mehmet Korinica, Shuaip Spahiu e Shaqir Palushi,Idriz Seferi,Ali Pashe Gucia,Mehmet Pashë Dërralla e te tjere.Këtë vendosmëri,lumjanët e treguan në disa drejtime, gjatë periudhës 1878-1881, jo vetëm brenda në Komitetin Drejtues të Lidhjes e Degës së saj në Lumë, por edhe në luftimet direkte, që zhvilluan forcat e organizuara të Lidhjes dhe konkretisht : “Në luftimet, që u zhvilluan, në tetor-nëndor 1879, në mbrojtje të Plavës dhe Gucisë, moren pjesë 300 lumjanë e 100 hasjanë. Këto luftime u përsëriten edhe në janar 1880 dhe përfunduan me fitoren e shqiptarëve, të cilët, të drejtuar nga Ali Pashë Gucia, treguan trimëri e vetëmohim të pashoq. Në pranverën e vitit 1880, po kaq vullnetarë moren pjesë në luftimet për mbrojtjen e Hotit dhe të Grudës, një betejë gjithashtu e fituar nga forcat shqiptare,që e detyruan ndryshimin e vendimeve te Kongresit të Berlinit, për të ndërruar Hotin e Grudën, me Portin detar të Ulqinit.

Që me themelimin e Lidhjes, administrata Osmane në Lumë ishte e paralizuar.Popullata zbatonte vendimet e Lidhjes dhe të degës së saj,për Lumën. Lumjanët u bënë mbështetja kryesore e armatosur e krahut redikal të Lidhjes.Komiteti i degës së Lumës nisi, për në Prizren, një repart prej 200 lumjanësh të armatosur, me kërkesën e Qendrës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për zbatimin e funksioneve ekzekutive,si“Garda e Lidhjes Shqiptare”.Lumjanët kryen me korrektësi e trimëri detyrat e ngarkuara, në mbajtjen e rregullit dhe qetësisë në Prizeren e rrethinat e tij.

Ky repart lumjanësh të armatosur, ishte komanduar e drejtuar nga “Gjeneralët Popullorë”, Ramadan Zaskoci e Idriz Stafa.Ky repart luftarak ka qenë gjithnje në lëvizje, në ndjekje të keqberësve dhe agjentëve të huaj, që kërkonin të pengonin vensosjen e pushteti të Lidhjes.

-Krahina e Lumës qëndroi besnike e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, deri ne fund. Ajo iu përgjigj, ndër të parët , thirrjes së Qeverisë së Përkohshme, në fillim të vitit 1881,për t’u mbrojtur me armë nga ekspeditat ushtarake osmane.Lumjanët u vendosën menjëherë në pikat e caktuara nga Komanda e Lidhjes.Pikërisht në ketë kohë, Luma pati rastin të kishte në gjirin e saj Abdyl Frashërin,i cili u prit e u përcoll bujarisht,me zemër e gadishmëri.Fjalët e zjarrta, porositë e tij të mençura dhe bisedat e tij te ngrohta: në Kalis, Bushtricë, Lusën,Kolosjan, Bicaj, Shtiqën, Bardhoc e të tjerë, kanë mbetur te paharruara dhe kanë shërbyer vazhdimisht, si porosi me “Germa Ari”,në mendjet, gjoksin e gjakun e çdo lumjani.Ato shërbyen si burim frymëzimi e si zëri i thirrjes së Atdheut,në luftën që kanë bërë lumjanët(kuksianët), në të gjitha ndeshjet luftarake, të zhvilluara kundër pushtuesve osmanë, serb,bullgarë dhe deri te pushtuesit nazifashistë, për çlirimin e plotë të Atdheut tonë.

Gjatë atij viti, Lumën e vizituan edhe kreret të tjerë të Lidhjes, si:” Isa Boletini, Sulejman Vokshi, Ymer Prizereni, Ali Pashë Gucia,Bajram Curri e Hasan Prishtina”, të mirepritur në konaqet e“Elezëve të Kukësit”, “Halilagëve të Bicajve”,“Spahijëve të Kolosjanit”, Halim Laçit,Sul Elezit, Islam Spahiut,Ramadan Çejkut,Shaqir Palushit,Elez Totës e të tjerë.Nën jehonën e këtyre takimeve, Luma nisi me këngë në gojë, mbi 800 luftëtarë, në betejat vendimtare te ushtrisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kundër ekspedites gjakatare osmane, të komanduar nga Dervish Pasha, në harkun kohor mars-prill 1881, në Kacanik,në Grykën e Caralevës,në Slivovë, Shtimje,Duhëla , Prizren dhe pastaj në harkun kohor, gusht-tetor 1881, në luftimet brenda Kazasë së Lumës. Heroike dhe historike është lufta e trimave të Krasniqes, Gashit, Hasit,Pejës e Rugovës,Kabashit e Prizrenit,Lumës e Opojës,Fushë-Kosoves e të tjere,me mbi 8000 e deri ne 10000 forca, në krye të të cilëve prinin “Gjeneralët Popullorë”:Sulejman Vokshi, Mic Sokoli, Ali Ibra, Binak Alia, Ramadan Zaskoci, Ahmet Qehaja, Mustaf Lita, Bajram Gjana, Islam Spahia,Jup Topojani, Sahit Gega, Qazim Lika,Merë Sufa,e tjerë,duke u vendosur në pozitat më strategjike, përballë 40 batalioneve,12 baterive të artilerisë malore, mitralierëve të ushtrisë armike, prej 24.000 vetave të armatosur deri në dhëmbë.Luftimet e zhvilluara qenë tepër të ashpëra. Dervish Pasha la mbi 2.000 të vrarë dhe mijëra të plagosur.Katër batalionet e tij me te përgaditur, si “Izmer, Kulla, Gajdes, Mondoza” u shkrinë plotësisht.

Nga forcat e Lidhjes u bë një luftë për jetë a vdekje, ku armatimit artilerik e automatik mundën t’i përgjigjeshin vetëm me luftimin trup me trup e kundërsulm të befasishëm, ç’ka e detyroi Dervish Pashën të kërkonte e të sillte përforcime të reja. Ushtarët e Lidhjes shkruan me gjakun e tyre një nga faqet me të lavdishme të qendresës popullore.Aty, heroizmi i Mic Sokolit u kthye në legjendë,me shtatë plagë ne trup, për t’iu dhënë zemër e guxim luftëtarëve, u hodh në grykën e topit,duke mbetur symbol i përjetshëm i heroizmit shqiptar.Në këto luftime, nga forcat e Lidhjes, ranë në fushën e nderit 900 luftarë, ku përfshihen dhe 60 lumjanë, midis të cilëve Bajraktarët: Bejt Gjini i Bushtricës, Graci i Çajës dhe Jup Topojani,Idriz Stafa (Kalis).

Pas shuarjes së qëndresës së Gjakoves,Dervish Pasha llogariti të kurorzonte shtypjen e Lidhjes me nënshtrimin e Lumës.Por, kërcënimeve të tij, Luma iu përgjigj me mosperfillje dhe në prill 1881 mori Prizrenin.Kjo e detyroi komandantin osman të mendohej e të pregatitej mirë.Në gusht të atij viti,një nga gjeneralët e tij, Osman Pasha, provoi ta shkelte Lumën, por u kthye shumë keq.Vetem më 10 tetor 1881, pas shume pregatitjesh,me befasi e dinakëri, Dervish Pasha, në krye të gjashtë batalioneve e dy baterive artilerike, duke djegur e shkatërruar ç’të gjente përpara, arriti në Kalanë e Dodës.Këtu u përfshine lumjanët e moshave 17-70 vjeç,që i bënë një qëndresë të vendosur vërshimit ushtarak osman, në drejtimin Prizren- Kala e Dodës dhe Dibër. Nga Kalaja e Dodës, Dervish Pasha do ta lajmronte Portën e Lartë se “Lidhja e Prizrenit” u shtyp përfundimisht.

Udhëheqësit e çetave shqiptare: Mustafë Lita, Bajram Gjana, Qazim Lika, Ramadan Cejku,Zenel Hasa, Murat Mera,Zenel Doda,Dervish Bajraktari e tjerë,i kane pritur me luftë, repartet e ushtrisë së Dervish Pashës, gjatë gjithë kalimit nepër Lumë.Pikërisht, në çastin, kur Dervish Pasha po përpilonte raportin për marrjen e Lumës dhe shtypjen e “Lidhjes Shqiptare te Prizrenit”, sulmohet shtabi i tij, në Kala të Dodës, nga Cerenasit, Kalisasit e Vilasit,duke vrarë mbi 30 ushtarë osmanë e plagosur shumë të tjerë.Veç kësaj, arritën t’i merrnin karvanit ushtarak osman 400 pushkë dhe 19 mushka me municion. Pra, Luma nuk u mposht! Dervish Pasha kaloi për Dibër, duke e lenë Lumën të djegur e të shkatërruar dhe vetëm me dy batalione ushtarake shetitëse dhe dy toga të artilerisë malore.Por qëndresa lumjane, e çetave kryengritese, që vepronin në te gjthë territotin e Kazasë së Lumës, si dhe më parë, qëndroi e pamposhtur.

-Si përfudim, gjatë gjithe periudhes tre vjeçare të veprimtarisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Luma, ashtu si e gjithë Shqiperia Veri-Lindore, dha ndihmesën e saj:“Në realizimin e programit të Lidhjes Kombëtare, në njohjen e çështjes mbarëkombëtare, në ruajtjen e tërësisë tokësore dhe në përpjekjet për sigurimin e autonomisë, si hap i parë drejt Pavarësisë”.Populli i Lumës, i përfshire totalisht në luftë, nxori nga gjiri i vetë një numër drejtuesish, trima e besnikë, të cilët u futën në historinë e Lumës dhe të Kombit Shqiptar.Të tillë, që populli u ngriti përmendore në këngët e trimave, janë:“Gjeneralet Popullorë me Kapuc të Bardhë e Kostum Shajaku”,që kishin kryer “Akademinë e Maleve”, në Luftë për Liri e Pavarësi, si: Mahmut Dac Kalisi, Bajram Hasë Vila, Jup Topojani e Sait Gega, Shaban Agë Luma, Ramadan Zaskoci, Shaqir Palushi, Hoxhë Caka, Ymer Sula, Halim Bardhoci, Mehmet Sherifi, Ymer Isufi, Ismail Agë Bilali, Rasim Efendi Bilali, Abaz Miftar Guri, Mustafe Lita,Bajram Gjana, enel Hasani, Qazim Lika, Beqir Spahiu,Sali Spahiu,Islam Spahiu,Maliq Koka,Vehap Bici,Ramadan Çejku, Dervish Bajraktari, Sulë Elezi, Islam Basha,Bilal Hoxha e mjaft figura të tjera luftarësh të asaj periudhe e të periudhës së mëvonshme. Ata dhanë ndimesëën e tyre të pakursyer,për çështjen mbarëkombëtare Shqiptare dhe për Shpalljen e Pavarësisë.

Siç dihet, populli i Kukësit e tregoi veten edhe në vitet 1999 të shekullit të kaluar,kur u hapi dyertë mbi 500.000 vëllëzërve kosovarë,duke i pritur me bukë,zemër e kripë,për t’i shpëtuar gjenocidit e masakrave të fashistëve të Beogradit.

Në ketë 142-vjetor të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,vendimet e saj janë aktuale për shqiptarët edhe në ditët e sotme, kudo që ata jetojnë, në Shqipëri,Kosovë,Maqedoni,Mal i Zi e Çamëri, për të forcuar bashkimin e mirëkuptimin, për t’i shërbyer aspiratës së madhe të bashkimit kombëtar e zhvillimit ekonomik, arsimor e kulturor të popullit.Porositë e dhëna nga i paharruari ideologu i LSHP Avdyl Frashëri janë një sinjal e kushtrim për politikanët shqiptarë në Shqipëri e sidomos tani në Kosovë,Maqedoni e në Mal të Zi,të cilët duhet të punojnë për të mirën e popullit dhe të lënë zënkat me njeri-tjetrin dhe konfliktet ndërmjet partiveper pushtet.Luftës për karrike e pushtet,t’i paraprijnë sfidave, që ju kërkon koha e situata dhe ta kenë të qartë,se vetëm,duke qenë të bashkuar e duke punuar për popullin,i shërbejnë çështjes së madhe e realizimit të ëndrrës së shqiptarëve “Bashkimit Kombëtar Shqiptar”.Unë do ta quaj një shëmti e një dhimbje e veçantë sot tek politikanët e Kosovës, që bëjnë akuza të ndryshme për njeri-tjetrin.Për mua janë të pafalëshme akuzat bajate që nuk i shërbejnë bashkimit e unitetit mes shqiptarëve të Kosovës.Ata harrojnë se duke sharë e akuzuar njeri-tjetrin dëmtojnë shtetësinë e Kosovës tashmë në prag të dialogut shume te veshtire, që mendohet të filloj mes Beogradit e Prishtinës.Presidenti Hashim Thaçi si president dhe si politikani më i vjetër në shtetësinë e Kosovës,duhet në çdo kohë të veproj si përfaqësues i unitetit kombëtar e të lërë akuzatë e ndryshme ndaj politikanëve të ndryshëm,por edhe politikanët e rinjë të mos merren me akuza bajate, sepse Kosova ka nevojë për të gjithë më shumë se kurrë sot,për kontributin e të gjithëve,e këto të gjithë janë Hashim Thaçi,Isa Mustafa, Ramush Haredinaj,Vjosa Osmani,Albin Kurti,Fatmir Limaj e Kadri Veseli, Avdulla Hoti,pse jo dhe Fatmir Sejdiu, Rexhep Qosja,Edita Tahirin, prof.Dacin,JahJagën e plotë e plotë të tjerë profesor e AKADEMIK tjere shume të nderuar, që Kosova i ka me shumicë;që duhet të flasin me një zë,sidomos sot.

Vëllezër politikanë të Kosovës!

-Sot jehona e LSHP,gjaku i atyre që dhanë jetën 100 vjet për lirinë e pavarësinë e Kosovës nga fashizmi serbë i Beogradit, ju bëjë thirrje:”Lini me një anë ambicjet për pushtet,lini zënkat e gjelozitë,forconi dashurinë për Kosovën e popullin e saj,nëpërmjet unitetit e bashkimit për të bërë realitet që shteti i Kosovës të njihet edhe nga Serbija fqinjë,duke bërë të mundur që ajo të zërë pozicionin, që i takon në OKB dhe në organizmat e ndryshme ndërkombëtare.

-Z.President HASHIM THAÇI SI PËRFAQËSUES I UNITETIT TË POPULLIT TË KOSOVËS të bejë thirrje si shqiparë që me dhimbset KOMBI Shqiptar e sidomos KOSAVA:”Leri akuzatë dhe tregohu më i zemër gjërë, më dashamirës se ata politikanë qe ti akuzon,janë shqiptarë të Kosovës,dhe ju keni përgjëgjësinë para popullit dhe historisë, që të punoni për bashkim dhe unitet,asnjë njeri mbi ketë tokë nuk është i përjetshëm si në politikë ashtu dhe në ketë jetë,e para të jetë KOSOVA E POPULLI I SAJ”.

-Të nderuar zotrijë politikan të Kosovës:”Lini me një anë përqarjet e çejfmbetjet e zënkat politike për PUSHTET,KOSOVA DHE GJAKU I ATYRE që dhanë jetën për lirinë e saj, ju thërret,forconi unitetin e bashkimin se vetëm kështu do t’ja dalim fitimtarë në dialogun shumë te veshtirë që pritet të fillojmë me Serbinë.

Duke u këthyer tek qëllimi i këtij shkrimi,mendoj se për ndihmesën e Lumës, në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit,në luftën dhe betejat e përgjakëshme kundër pushtuesve osmanë, serbë e nazifashiste,për liri e pavarësi kombëtare dhe për demokraci e zhvillim demokratik,është e nevojshme që institucionet përkatëse, që nga Akademia e Shkencave shqiptare,duhet t’i japin vlerësimin, që meriton dhe ajo të pasqyrohet realisht në Historinë e Kombit Shqiptar.Se kështu, do të shërbejë edhe si shëmbëlltyrë,burim frymëzimi e krenari për brezat e ardhëshëm,për të mbetur pjesë e krenarisë së shqiptarizmës sonë mbarëkombëtare.

Filadelfia-USA,sot me 10 qershor 2020.

Filed Under: Politike Tagged With: Hyse Hysa. Lumjanet, ne lidhjen e Prizrenit

LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT, KRENARI E KOMBIT

June 10, 2020 by dgreca

-Në 10 Qershor 2020 në Prizren hapet ekspozita “Personalitetet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” – shënohet 142 vjetori/

-Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në mbrëmjen e 9 Qershorit 2003: Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mirë. Fjala e plotë e Presidentit historik në 125 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit/

-Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore. Në 10 Qershor të vitit 1878 në Prizren delegatë nga të gjitha viset shqiptare themeluan institucionet: Kuvendin Kombëtar, Qeverinë, Sektorin Diplomatik dhe Forcat Mbrojtëse – Ushtrinë e vet/

-Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në vitin 2003 ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës. Për herë të parë ka dekoruar me Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 37 personalitete shqiptare/

-Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare në Prizren janë shënuar tradicionalisht edhe kur ishte e ndaluar/

-Në 10 Qershorin  e vitit 1997 të pragluftës derisa ishim në aktivitetet e shënimit të përvjetorit të Lidhjes Shqiptare bashkë me ekipin e gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku”-Rilindja  u ndaluam nga policia serbe në Prizren/

-“Kufiri i ëndrrës” – reportazhi futuristik i para më shumë se 22 viteve/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI*

PRIZREN, 10 Qershor 2020/ Në Prizren, qytetin më të madh jugor të Kosovës afër kufirit me Shqipërinë, sot po shënohet 142 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ekspozita “Personalitetet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, e cila do të hapet në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare në ora 18:00 është veprimtaria e paralajmëruar në një ftesë dërguar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren.

Komuna e Prizrenit për sot në orën 10 ka paralajmëruar homazhe te shtatoret e  Abdyl Frashërit, Sylejman Vokshit dhe Ymer Prizrenit në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Shtatoret e tre liderëve historikë janë përuruar në 25 Nëntor 2018, në vitin e 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në kuadër  të Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në një veprimtari ku kanë marrë pjesë drejtues të lartë institucionalë e politikë të Shqipërisë e të Kosovës.

Në njoftimin e komunës së Prizrenit theksohet se sivjet do të ketë aktivitete të limituara në kuadër të festave të qershorit, përkatësisht përvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në 10 Qershor dhe Ditës së Çlirimit në 12 Qershor. Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia dhe me sugjerimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës është vendosur që aktivitetet festive të parapara për këto data të mos organizohen, bën të ditur komuna e Prizrenit.

Në 21 vitet e lirisë në Prizren e në qytetet e tjera kosovare aktivitetet e përvjetorëve të Lidhjes Shqiptare vijojnë me festimet e ditëve të çlirimit, duke nisur me Ditën e Lirisë e Paqes – 12 Qershorin, ditën kur në vitin 1999 forcat shpëtimtare të NATO-s nisën të hyjnë në Kosovën e shkatërruar nga lufta, me mëse 12 mijë shqiptarë të vrarë e 6 mijë të zhdukur, afër një milon të dëbuar – shumica drejt Shqipërisë, me 400 qytete e fshatra të djegura. Gjatë luftës forcat serbe kanë djegur edhe Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i cili u rinovua në Kosovën e lirë.

Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare janë shënuar tradicionalisht në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, në kërkim të lirisë, edhe kur ishte e ndaluar, në rrethanat e rënda të dhunës dhe okupimit nga regjimi serb.  Edhe në atë kohë veprimtaritë kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i kam raportuar vit pas viti për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare, duke nisur si korrespondenti i parë nga Kosova i mediave të Shqipërisë – nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare në Kosovë.

Në 10 Qershorin  e vitit 1997 të pragluftës derisa isha në aktivitetet e shënimit të përvjetorit të Lidhjes Shqiptare me ekipin e gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku”-Rilindja, bashkë me fotoreporterin Ilaz Bylykbashi e shoferin Faik Binça,  u ndaluam nga policia serbe në Prizren, e cila po na mbante në shënjestër të armëve dhe na mori e asgjasoi fotot – filmat e aparatit fotografik, por kurrë nuk arriti të ndalojë aktivitetet dhe raportimet për Lidhjen Shqiptare.

***

LAJMI I ASAJ KOHE PER NDALIMIN NË 10 QERSHOR 1997:

https://groups.google.com/forum/#!topic/bit.listserv.albanian/QgXzizjYqD0

Police harasses ‘Bujku’ reporters

Prizren, 11 June – Yesterday Serbian police stopped a team of ‘Bujku’
journalists on their return from Prizren. Behluh Jashari, Ilaz
Bylykbashi and Faik Binca, were interrogated regarding their visit to
Prizren. Film had been taken of the camera and destroyed.

***

Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Kosovë festohen në liri vetëm nga Qershori i vitit 1999, i hyrjes së forcave shpëtimtare të NATO-s.

 “Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua”¸ theksonte Presidenti historik Ibrahim Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku si gjithmonë thekonte mirënjohjen më të madhe dhe miqësinë e përhershme të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mire”, shprehej Rugova para 17 viteve dhe theksonte se, “Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore”.

Atëherë, në vitin 2003, gjatë tre ditëve, duke filluar nga data 9 Qershori, Kosova festonte 125 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me manifestime të organizuara nën përkujdesjen e Presidentit Rugova, i cili atëherë ka dekoruar 37 personalitete të njohura nga Kosova, Shqipëria, viset e diaspora shqiptare, si dhe nga vende të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Njëherësh, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.

“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vaso Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri, e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova. 

 “Kufiri i ëndrrës” ishte reportazhi futuristik që kam shkruar para më shumë se 22 viteve, në fundvitin 1997, botuar 3 Janar 1998 në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, e që sfidonte ndalimin e gazetës së vetme shqipe në Kosovë Rilindja nga regjimi okupues serb. Në atë reportazh në kohë të rënda okupimi paralajmëroja “festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut”, ku do shkonte edhe personazhja, vajza nga Lurasi, që po mbaronte studimet në Gjirokastër, e nisur nga jugu-Janina drejt veriut të “kufirit të ëndrrës” – Mollës së Kuqe…

Ishte ky reportazhi i tretë i ardhmërisë në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave.

I pari ishte reportazhi futuristik me titull “Një ditë e një viti që vjen”, i shkruar dhe  dërguar nga Prishtina drejt Tiranës në 27 Dhjetor 1995.

Ndërsa, reportazhi i dytë futuristik ishte “Udhëtimi për në Prizren…”, botuar në Prishtinë e Tiranë në 31 Dhjetor 1996.

Shumë nga ato që shkruaja në reportazhet futuristike atëherë e që dukeshin si ëndërra,  që ishin ngjarje të fantazuara-parashikuara, tashmë janë realizuar në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 dhe të pavarur tashmë 12 vite nga 17 Shkurti 2008, të njohur deri tani nga 116 shtete të botës.

PRESIDENTI HISTORIK I KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA NË VITIN 2003: JEMI KRENARË ME LIDHJEN E PRIZRENIT QË REFLEKTON EDHE NË KOHËN TONË PËR TË MIRË

Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mirë, shprehej para 17 viteve, në mbrëmjen e 9 Qershorit 2003, Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.

“Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua”¸ theksonte Presidenti historik Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku si gjithmonë thekonte mirënjohjen më të madhe dhe miqësinë e përhershme të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Atëherë, në vitin 2003, gjatë tre ditëve, duke filluar nga data 9 Qershori, Kosova festonte 125 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me manifestime të organizuara nën përkujdesjen e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Ditën e parë, ai njoftonte se ka dekoruar 37 personalitete të njohura nga Kosova, Shqipëria, viset e diaspora shqiptare, si dhe nga Shtetetet e Bashkuara të Amerikës e vende të tjera të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Njëherësh, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.

“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vaso Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri, e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova. 

Në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit merrnin pjesë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës, përfaqësues të pushtetit lokal të asambleve komunale, përfaqësues nga Shqipëria, Maqedonia dhe nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe nga diaspora. Ishte i pranishëm në këtë solemnitet edhe Naltmadhnia e Tij trashëgimtari i Fronit Shqiptar Leka Zogu I me bashkëshorten.

FJALA E PRESIDENTIT TË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA NË 125 VJETORIN E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

Jemi tubuar sot në këtë Akademi solemne për një ditë solemne të historisë sonë, në 125 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Kjo ditë solemne bëhet edhe më e madhe, sepse për herë të parë po e kremtojmë në Kosovën e lirë, çfarë ishte ëndërr dhe projekt i burrave të mëdhenj të Lidhjes së Prizrenit.

  
Lidhja e Prizrenit ishte lëvizje për themelimin e shtetit modern shqiptar. Ishte lëvizje për mbrojtjen e territoreve shqiptare dhe për çlirimin nga Mbretëria Otomane.


Sot mund të themi se ishte lëvizja më e kompletuar për shtetin shqiptar pas rezistencës së shkëlqyeshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i cili për 25 vjet rresht e mbrojti vendin e vet dhe botën perëndimore.

Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore.
 

Më 10 Qershor të vitit 1878 u mblodhën në Prizren delegatë nga të gjitha viset shqiptare, themeluan institucionet: Kuvendin Kombëtar, Qeverinë, Sektorin Diplomatik dhe Forcat Mbrojtëse – Ushtrinë e vet.

Këto institucione funksionuan plot tri vjet rresht. Kuvendi i Prizrenit i kundërshtoi vendimet e Kongresit të Berlinit për shkëputjen e territoreve shqiptare dhe vazhdoi ndërtimin dhe mbrojtjen e shtetit të vet në tërësinë territoriale. Për tri vjet Lidhja e Prizrenit vendosi administratën shqiptare, në Kosovë kryesisht dhe në viset e tjera.


Më 1881 Mbretëria otomane nuk mundi ta tolerojë më ngritjen e shpejtë të shtetit shqiptar dhe vendosi ta shkatërrojë atë me forca të armatosura. Pas rezistencës së ashpër të forcave të Lidhjes së Prizrenit nën komandën e Sylejman Vokshit, të luftimeve që u zhvilluan sidomos në Kosovë, u shua kjo lëvizje e shkëlqyeshme.

Në këtë kohë njëri nga krerët e Lidhjes së Prizrenit Abdyl Frashëri bashkë me Ymer Prizrenin dhe Sylejman Vokshin thoshte me optimizëm dhe vizion të madh: “Ne po mbjellim e të tjerët do të korrin”.

Ky ishte vizioni i burrave të mëdhenj të Lidhjes së Prizrenit, të bindur se shpirti i saj do të vazhdojë të jetojë. Kështu sot mund të themi se Lidhja e Prizrenit ishte një lëvizje e kompletuar shtetërore që i aktivizoi të gjitha fuqitë e një kombi për liri, pavarësi dhe demokraci.


Pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit shqiptarët u forcuan dhe u konsoliduan në planin e brendshëm kulturor, diplomatik e të miqësisë. Kështu më 1899 nën drejtimin e Haxhi Zekës në Pejë u themelua “Lidhja e Pejës” si ringjallje e Lidhjes së Prizrenit që u pranua në të gjitha territoret.

Po atë vit Sami Frashëri botoi traktatin e vet një lloj kushtetute për drejtimin e shtetit shqiptar “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”. Por, edhe kjo Lidhje e Pejës u shua nga Porta e lartë.


Kështu përpjekjet për liri e pavarësi nuk pushuan as pas shuarjes së Lidhjes së Pejës. Në fillim të viteve 1900 burrat e Lidhjes së Prizrenit dhe brezi tjetër i burrave të kësaj kohe për 34 vjet rresht vazhduan përpjekjet për liri e pavarësi. Kështu më 1912 u shpall pavarësia shqiptare.

Por kjo pavarësi u cungua me mbetjen e gjysmës së territoreve shqiptare jashtë shtetit që u njoh nga fuqitë e mëdha. Kjo u sanksionua edhe pas Luftës së parë botërore, si dhe pas Luftës së dytë botërore.


Në vitet ‘90 me fillimin e përfundimit të Luftës së ftohtë dhe me shkatërrimin e një shteti ku u vendos me dhunë Kosova dhe territoret tjera shqiptare, në Kosovë filloi organizimi i Lëvizjes demokratike për liri, pavarësi e demokraci dhe ndërtoi shtetin e vet.


Objektiv i të gjitha partive politike të viseve shqiptare u vendos: Kosova e pavarur, shqiptarët në Maqedoni të jenë në strukturën shtetërore, shqiptarët në Mal të Zi të kenë administratë lokale dhe në Preshevë.


Lëvizja demokratike për liri e pavarësi e Kosovës ishte për integrime evropiane e veriatlantike.
Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua.


Qe katër vjet pas luftës Kosova ka pasur një progres të mirë në të gjitha fushat e jetës. Kemi bashkëpunim të mirë më UNMIK-un dhe KFOR-in e OSBE-në. Institucionet e Kosovës bashkë me UNMIK-un po përgatiten për zhvillim ekonomik të vendit.

Pra do të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike e paqësore me garanca për minoritetet dhe të gjithë qytetarët e saj të integruar në BE, në NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA. Njohja formale e pavarësisë do të qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës dhe do të shpejtonte zhvillimin ekonomik e demokratik.


Në 125 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit do thënë se objektivat e saj ishin legjitime për mbrojtjen e territoreve të veta, ishin objektiva humane si të çdo populli dhe nuk ishte për marrjen e territoreve e të tjerëve.
Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mirë.


Nga kjo Akademi solemne përshëndesim Presidentin Bush, Kryeministrin Bler, Presdientin Shirak, Kancelarin Shrëder dhe Kryeministrin Berluskoni. Si gjithmonë përshëndesim Papa Gjon Pali II, që gjithnjë lutet për Kosovën.


Zoti e bekoftë Lidhjen e Prizrenit!

Zoti i bekoftë shqiptarët!

Zoti e bekoftë Kosovën!

DEKORATAT E PRSIDENTIT RUGOVA NË 125 VJETORIN E LIDHJES SË PRIZRENIT

Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova në vitin 2003 ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.

“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të LSHP dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vasko Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, bënte të ditur Presidenti.

 Theksohej se dekorimi i tyre është në procedurë e sipër sepse duhet përgatitur. Presidenti i Kosovës, po kështu, për herë të parë ka dekoruar 37 personalitete të njohura shqiptare dhe vende të ndryshme të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

  
Presidenti Rugova tha se Dekorata Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit u jepet personaliteteve të njohura të shqiptarëve të Kosovës dhe institucioneve me motivacion për kontrbut në të mirë të shtetit të Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi, për bashkëpunim dhe mirëkuptim për shqiptarët dhe integrime shqiptare si dhe për integrimin evropiane e evroatlantike.

Kjo Medalje do t’u jepet edhe personaliteteve të jashtmem, miq të e Kosovës dhe të popullit shqiptar për kontributin e tyre në ndriçimin e historisë, kulturës dhe jetës së shqiptarëve dhe personaliteteve që e ndihmojnë progresin e Kosovës, tha me këtë rast presidenti Rugova.

  
  
Të dekoruarit me Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, para 17 viteve, janë këto personalitete:


Kosovë:

Idriz Ajeti,

Mark Krasniqi,

Fehmi Agani,

Adem Jashari,

Ali Hadri,

Imzot Nikë Prela,

Anton Çetta,

Mehmet Gjevori,

Zekeria Cana,

Pajazit Nushi,

Sabri Hamiti,

Rexhep Ismajli,

Muhamet Shukriu,

Eqrem Kryeziu,

Jusuf Gërvalla.


SHBA:

Xhim Xhema,

Sami Repishti,

Xhozef Diogardi.


Maqedoni:

Shukri Rrahimi,

Ali Aliu.


Mali i Zi:

Mehmet Bardhi,

Ferhat Dinosha.


Preshevë:

Riza Halimi.


Itali – arbëreshët:

Antonio Bellushi


Shqipëri:

Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu,

Eqrem Çabej,

Ismail Kadare,

Bujar Hoxha,

Azem Hajdari,

Naltmadhnia e Tij Leka I-rë,

Ernest Koliqi.


Nga bota:

Noel Malkolm,

Mishel Ruks,

Robert Elsie,

Leonard Foks.


Nga tradita:

At Gjergj Fishta,

At Shtjefën Gjeçovi.

PRESIDENTI RUGOVA, PRITJE TË VEÇANTË PASARDHËSVE TË PJESËMARRËSVE TË LIDHJES SË PRIZRENIT

Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, në 9 Qershor 2003, priti në një takim të veçantë pasardhësit e pjesëmarrësve të Lidhjes së Prizrenit nga Kosova dhe Shqipëria.

Me këtë rast Presidenti Rugova vlerësoi lart kontributin paraardhësve të tyre, pjesëmarrës të ngjarjes së madhe historike të Lidhjes së Prizrenit, e cila po kremtohet në Kosovën e lirë me pietet të madh.

Presidenti tha se do t’i dekorojë të gjithë pjesëmarërsit e Lidhjes së Prizrenit, për të çuar përpara idenë e tyre, për realizimin e pavarësisë së Kosovës.

Trashëgimtarët e pjesëmarrësve të Lidhjes së Prizrenit e falënderuan Presidentin Rugova për pritjen dhe për organizimin e 125 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit që është bërë nën patronatin e tij.

Falënderime shprehën Avdyl Hoxha, trashëgimtar i Ymer Hoxhës nga Juniku dhe gjithë të tjerët.

Në këtë takim ishin edhe trashëgimtari i Binak Alisë, i cili ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të Lidhjes së Prizrenit, pastaj Skënder Korenica, trashëgimtar i Ahmet Korenicës, Rrustem Mulosmani (76 vjeç) nga Malësia e Gjakovës (Shqipëri), trashëgimtar i Mic Sokolit, i cili tha se ndien veten shumë krenar që pati mundësinë të vijë në këtë përvjetor të rëndësishëm dhe për herë të parë vinte në Kosovë.

KUFIRI I ËNDRRËS

(Reportazhi i Ardhmërisë – III)

Behlul JASHARI

Një qiell i akullt hënor po mbushej me dritën e mëngjesit mbi Dukagjin. Ishte imazhi që po i fanitej prej dritares së trenit, që me rrugën nga Janina e kishte kaluar edhe natën. Vajza nga Lurasi, që po mbaronte studimet në Gjirokastër, për herë të parë po udhëtonte në veri të atdheut, në kërkimet, për punim diplome, të kufijve të botës shqiptare nëpër shekuj. Nëpër pjesën e hekurudhës së sapondërtuar po hynte në Gjakovë.

“Sapo e paskam kaluar kufirin e hekurt që ishte dikur midis Shqipërisë dhe Kosovës”, ishte mendimi i parë që i erdhi pas zgjimit nga dremitja në ulësen e kupesë. “Ishte si fundi i botës, kufiri fatkeq që i ndante shqiptarët…”

Tek po përpiqej ta maste me sy madhësinë e qytetit ku po ndalonte treni, më shumë e pëlqente një krahasim të përsëritur shumë vjet: “Kosova brenda vitit shtohet për një qytet, lind fëmijë aq sa ka banorë Gjakova”.

Zbriti vetëm për pak  sa t’i shkelin këmbët në tokën e Kosovës, që nga Çamëria e parafytyronte si një takim me legjendën… “Rekord i arit në Trepçë”, ishte titulli me shkronja të mëdha në ballë të faqes së parë të botimit të mëngjesit të njërës nga gazetat që i mori t’i lexojë në vazhdimin e rrugës për në Prishtinë, ku kishte paralajmëruar arritjen për atë ditë…

Nga qendra hekurudhore në Fushë-Kosovë nëpër metronë që çon në Prishtinë arriti në Qytetin Studenti. E gjeti lehtë Zyrën e Shërbimeve Studentore, që i kishin thënë se ndodhet pranë Fakultetit Filozofik, para të cilit nga larg shihet një përmendore e lartë e Naimit.

“O, po, ju kemi pritur, e kemi marrë telegramin tuaj, ku keni paralajmëruar një qëndrim studimor. Ju kemi siguruar vend në konviktin e studentëve nr. 9”, i tha plot përzemërsi sekretarja e Zyrës Studentore.

Zyra, që e priste plot mirëpritje, po i bënte një përshtypje të veçantë me fotografitë e pikturat e varura nëpër mure, si në një ekspozitë.

“Është një pjesë e historisë”, i tha nikoqirja, duke i treguar në veçanti pamjet nga demonstratat studentore të viteve 1968, ‘81…  ’97…

Pikturën, që ishte aty e kishte parë origjinalin në Galerinë Kombëtare në Tiranë. Është “Molla e Kuqe”, një shenjë e paharrueshme e gjeografisë e historisë shqiptare.

“A do të hyjë edhe Molla e Kuqe në punimin tënd të diplomës, ajo ishte shenjë e kufirit me serbët?” – pyeti nikoqirja.

“Pikërisht edhe për Mollën e Kuqe jam nisur këndej”, tha studentja që kishte marrë udhën e largët, deri te “kufiri i ëndrrës”. Shprehja “Kufiri i ëndrrës” i erdhi nga titulli i një libri me motive të dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në vitet 1877-78…

Gjumi e kishte zënë derisa po shfletonte një atlas të gjeografisë shqiptare, dhe ishte zgjuar herët për të shkuar në Bibliotekën Kombëtare e Universitare. Rrugës u ndal në një klub studentësh, që me kafenë e mëngjesit të shfletojë gazetat e ditës. Më shumë u ndal në shkrimet që lidheshin me interesimet e saj. Gazeta “Rilindja” paralajmëronte se “së shpejti do të fillojnë bisedime shqiptaro-serbe për rirregullimin e kufirit”, ndërsa gazeta “Bota shqiptare” shkruante se “rritet përditë e më shumë numri i shqiptarëve në Turqi që kërkojnë të kthehen në tokat prej nga janë shpërngulur të parët e tyre”…

Gjithçka kërkoi në Bibliotekë ia sollën nga arkivat në tavolinë. Kishte kaluar shumë orë shfletimi e kërkimi të përgjigjes në pyetjen se kah do të ketë qenë vija e kufirit të natyrshëm shqiptar në veri para vitit 1877, para dëbimeve masive të mbi një milon a më shumë shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit?

Kronikat thoshin: “Elementi shqiptar më së shumti jetonte në Qarkun e Toplicës. Toplica shtrihej në mes të Jastrebovcit të Vogël, në veri të Kopaonikut, në perëndim të Sikobicës, maleve të Arbanasit, i afrohej Moravës Jugore”… Kronikat përmendnin Jabllanicën, Qarkun e Toplicës e të Nishit, të Pirotit… “Elementi shqiptar shtrihej edhe përtej Sanxhakut të Nishit”, thoshin disa kronika, e disa të tjera se “kalonte edhe  lumin Moravë”…

Gjithë ato vende që përmendnin kronikat i kishte vijëzuar në një hartë, dhe po kërkonte vendin për të vënë shenjën e Mollës së Kuqe.

Si nga një shetitje në histori po dilte nga Biblioteka, ku do të kthente edhe disa herë ditëve të ardhme. Kishin mbetur edhe vetëm pak minuta deri në orën e takimit me shoqen e shokët që sapo i kishte njohur në Prishtinë.

E pritnin në kafiterinë “Orëjeta”, ballë hotelit “Evropa”, prej nga do të shkonin në Teatrin e Operës e Baletit, për të parë një shfaqje të trupës së artistëve nga Shkodra…

Qielli i akullt sikur po shkrihej bardh në errësirën mbi dritat e neonit shesheve e rrugëve të qytetit. Po reshte një borë e butë. Mbi bredhin e madh plot ditëza në rrugën “Nëna Tereze” nga bora që e kishte mbuluar nuk mund të shiheshin më të gjithë numrat e fundit të urimit. Mund të lexohej vetëm: Gëzuar Vitin e Ri dymijë e…”

Mbishkrimi mbi bredh ia përkujtoi të shkojë në telekom t’ia urojë në telefon Krishtlindjet familjes në Luras, dhe t’u paralajmërojë mikpritësve në Prizren shkuarjen në festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut. Sa shumë vjet kishin kaluar…

(Botuar në Gazeta “Bujku” Prishtinë – e shtunë, 3 Janar 1998, faqe 6)

*Per me shume fotografi shihni ne Facebook Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, krenaria Kombetare, Lidhja e Prizrenit

“HEDA ALBANIA” – JU FLET ASISTENTJA E SHËNDETIT TUAJ

June 10, 2020 by dgreca

Një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja për gazetën Dielli, (Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York), i studiuesve shqiptarë:Aldi Pupuleku, Denisa Baci, Erand Llanaj, Ina Mexhitaj, Irma Kuka, Julia Darragjati dhe Teuta Muhollari. pjesë e platformës dixhitale shëndetësore “HEDA ALBANIA”https://www.heda.al/: Në këtë rrëfim ekskluziv të ndarë në dy pjesë, studiuesit paraqesin konkluzionet më të fundit shkencore rreth kërcënimit global të COVID-19, fazat e zhvillimit, statistika, dukuri dhe veçori të virusit, analiza krahasuese ndërmjet vendeve të ndryshme dhe mbi të gjitha interpretime grafikësh e skeda shumë të domosdoshme për publikun në kushtet e një pandemie virale dhe mediatike. Në pjesën e dytë të raportimit, ekipi i studiuesve i “HEDA ALBANIA” do të na raportojë për luftën ndaj COVID-19 në shtete ku jetojnë e punojnë çdo ditë si Shqipëria, Italia, Spanja, Hungari dhe SHBA.

“HEDA ALBANIA” SHËNDETI NE FOKUS

HEDA (www.heda.al) është platforma online shëndetësore e cila ofron mbështetje, siguri dhe vërtetësi për të gjithë publikun duke promovuar shëndet të mirë e të sigurtë për të gjithë. Informimi dhe ndërgjegjësimi i publikut mbi çeshtje shëndetësore janë qëllimi kryesor i kësaj platfome. Bashkëpunëtorët që aktualisht kontribuojnë pranë kësaj platfome janë profesionistë të fushave të ndryshme si : mjekë, farmacistë, psikologë, psikoterapeutë, doktorantë, post-doktorantë, lektorë e profesorë të angazhuar në institute kërkimore, universitete, organizata ndërkombëtare, kompani farmaceutike, akademi shkencore etj, të shpërndara në mbarë botën.  Platforma HEDA Albania është e vetmja platfomë informuese shëndetësore dhe shkencore shqipfolëse e cila ju përgjigj dhe vazhdon t’i përgjigjet emergjencës botërore COVID-19. Në terma të prekshëm, ekipi Anti-COVID i krijuar enkas për të mbuluar këtë emergjencë, ka publikuar vetëm gjatë kësaj periudhe mbi 130 përmbledhje artikujsh shkencorë; 6 përditësime shkencore mbi epidemiologjinë dhe klinikën e COVID-19; 10 udhëzues skematikë dhe më shumë se 20 postera me informacione të përmbledhura në një imazh. Mobilizimi i këtij grupi studiuesish  ngjalli kureshtje e interes mes studiuesve të tjerë shqiptarë në mbarë botën dhe bëri që grupit tonë t’i vijnë në ndihmë dhe forca të reja.

1.ë cilën fazë të zhvillimit dhe të kërcënimit prej COVID-19 gjendet bota

Pandemia e COVID-19 e shkaktuar prej koronavirusit të ri SARS-CoV-2 ka prekur tashmë më shumë 7 milion njerëz nga të cilët më shumë se 400,000 kanë humbur jetën. Gjithsesi. masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së këtij infeksioni nga shumë vende në botë, bënë që situata të përmbahej disi në disa prej këtyre vendeve. Edhe pse në momentin e shkrimit të këtij botimi (7 Qershor 2020) kurba globale e vdekjeve është pjerrje për së poshtmi, ajo e infektimeve është ende duke duke manifestuar pjerrje për së sipërmi – gjë që tregon rritjen numrit të infeksioneve. Ky fakt risjell në vëmendjen tonë realitetin dhe na rikujton se virusi NUK është zhdukur, por gjendet ende mes nesh. Madje situata në disa vende situata vazhdon të jetë ende jashtë kontrollit, si p.sh. në Indi, Brazil apo ShBA. Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet fakti se në vende të caktuara (si p.sh. në Iran, Arabi Saudite, etj.) me klimë të nxehtë dhe temperatura të larta (mbi 35°C) po vihet re se siutata epidemike po evoluon pavarësisht faktorëve temperaturorë që priteshin ta zbusnin. E gjitha kjo, po demonstron më së miri dhe njëherazi sfidon ‘legjendat urbane’ se situata do të përmirësohet (për shkak të rritjes së temperaturës) në vendet të cilat janë duke pritur ardhjen e stinës së verës. Studime serologjike të cilat janë kryer në vende të cilat u përballën me vdekshmëri të lartë, si: Anglia, Spanja, Italia po tregojnë se vetëm 5-9% e popullatës është e infektuar me COVID-19. Këto rezultate tregojnë se ‘imuniteti i tufës’ është praktikisht i pamundur për t’u arritur në këtë moment dhe në këto rrethana në të cilat ndodhemi. Bazuar në këto tendenca të dinamikës së pandemisë, mund të vazhdojmë të pafrikë të nënvizojmë mesazhin për të qenë të ‘KUJDESSHËM dhe VIGJILENTË’ sa më shumë të jetë e mundur. ‘Virusi nuk është zhdukur, është KËTU, mes nesh…’

2.Si parashikohet e ardhmja e COVID-19? A do të ketë valë të dytë apo të tretë? Cilët mund të jenë skenarët e mundshëm me të cilët do të na duhet të përballemi?

Pesë muaj pas shpërthimit të epidemisë, edhe pse njohuritë që kemi arritur të akumulojmë janë rritur me një shpejtësi të pa precedentë, ende nuk disponojmë mjaftueshëm detaje mbi sjelljen e virusit në matrica të ndryshme shëndetësore, mjedisore apo stinore. Këto informacione janë pa as më të voglin diskutim të nevojshme për të qartësuar dinamikën e pandemisë në të ardhmen. Megjithatë, mund të nxjerrim mësime duke qenë se ekzistojnë hulumtime që tregojnë se njerëzit janë prekur sezonalisht nga koronaviruse të tjera që kanë prodhuar një impakt më të lehtë në shëndetin e popullatës. Shembujt më tipik të koronaviruseve të tilla që janë në gjendje të infektojnë njeriun janë infeksionet prej koronaviruseve HCoV-OC43 dhe HCoV-HKU1, të cilat po njësoj si infeksioni i shkaktuar nga SARS-CoV-2 janë infeksione kryesisht asimptomatike dhe janë shkaktari më i zakonshëm i të ftohtit të zakonshëm (=ang. common cold). Duke përdorur të dhëna ekzistuese të këtyre koronaviruseve mbi sezonalitetin, imunitetin post-infeksionit apo eventeve ndër-imunitare (=imunitet i gjeneruar prej një koronavirusi që mund të mbroj nga një koronavirus tjetër) janë përdorur për të bërë hulumtime dhe parashikime (me përqasje përafruese) në lidhje me situatën që po përballemi, duke parashikuar valë të tjera pas-goditëse të infeksionit COVID-19 të cilat me shumë gjasa do të ndihen përgjatë sezonit të dimrit. Për këtë arsye, edhe ne (ekipi Anti COVID-19 i HEDA [HEalth Development for Albania]) kemi përgatitur një shkrim të shkurtër (dedikuar kësaj perspektive) me ilustrime në platformën tonë, krijuar posaçërisht për tu ardhur në ndihmë gjithë shqipfolësve në këtë situatë të jashtëzakonshme (https://www.heda.al). Më poshtë po i paraqesim edhe për ju këto 3 skenarë në një mënyrë të përmbledhur.

Këta tre skenarë paraqesin realitetet potenciale që mund të përjetojmë në muajt në vazhdim. Skenari i dytë është ai më i mundshëm, por ajo që do të përjetojmë saktësisht në valën e rradhës nuk e dimë. Pikërisht për këtë arsye, kultura jonë e të vepruarit në të ardhmen duhet të orientohet drejt parandalimit të ‘skenarëve të zinj’ dhe investimit serioz në shëndetin publik, shkencë dhe edukim në gjithë globin.

Për këtë kemi bërë një apel si ekip dhe si profesionistë shqiptarë, një apel dhe reflektim për të gjithë shoqërinë tonë shqipfolëse që përmblidhet si vijon:

Në këtë moment po futemi në një epokë tjetër të re dhe po vendosemi përpara zgjedhjes se si do të duam të duket Shqipëria pas kalimit në skenarin hipotetik e së ardhmes i një SARS-CoV-3 i mundshëm apo një pathogjen tjetër me potencial pandemik të shfaqet- ne si shoqëri të jemi në gjendje ta kontrollojmë brenda pak javësh e të vazhdojmë jetët tona. Pyetja që lind  është: A do ti japim vetes si vend dhe njerëzim arsye për të qenë krenar për zgjedhjet tona kolektive apo jo?

3.Pse bota po përjeton vështirësi në gjetjen e vaksinës?

Sfida më e madhe për nxjerrjen në qarkullim të një vaksine është koha që nevojitet për të konfirmuar nëse një vaksinë është efikase dhe e sigurtë për përdorim në njerëz. Për të arritur këtë, grupeve kërkimore shkencore ju duhen shpesh herë vite punë për të arritur zhvillimin e një vaksine, me qëllimin e vetëm shmangien e efekteve të padëshiruara mbi shëndetin e popullatës. Procesi i zhvillimit, testimit dhe liçencimit të një vaksine për përdorim të gjerë ne popullatë është i ngadaltë por i bazuar në evidenca shkencore dhe klinike pasi gabime të vogla mund të jenë me pasoja fatale për shoqërinë. Pak kontekst është shpesh herë i nevojshëm për të kuptuar realisht situatën në lidhje me vaksinat. FDA miratoi një vaksinë kundër virusit vdekjeprurës Ebola vetëm vitin e kaluar (43 vjet pas zbulimit te virusit). Shumë përpjekje janë bërë gjithashtu edhe për vaksinën kundër virusit HIV edhe pse ende nuk e kemi një të tillë në qarkullim. Mesatarisht duhen rreth 10 vjet për të zhvilluar një vaksinë. Urojmë dhe jemi optimistë që ky nuk do të jetë skenari i COVID-19. Prodhuesit e vaksinave po ‘garojnë’ për të zhvilluar vaksinën kundër SARS-CoV-2 dhe aktualisht 10 prej tyre janë në prova klinike. Një pjesë e ekspertëve të sëmundjeve infektive argumentojnë se 18 muaj për zhvillimin e një vaksine është kohë jo e mjaftueshme për të siguruar efikasitet të një vaksine përgjatë çdo hapi të krijimit të saj. Natyrshëm, ekspertët më optimistë besojnë se qindra miliona doza të vaksinës mund të jenë gati në fund të vitit 2020. Si përfundim, mund të themi se e gjithë puna e bërë nga komuniteti shkencor deri më tani është e vyer dhe për tu vlerësuar. Megjithatë mos të harrojmë që edhe nëse vaksina del në kohë dhe është efikase, historia ka treguar që shpesh grupe të caktuara shoqërore kanë penguar mbulesën vaksionre dhe kanë dëmtuar procesin e vaksinimit. Shpresojmë që kjo gjë të mos përsëritet.

4.Duke ju referuar të dhënave globale të numrit të vdekjeve në botë prej COVID-19, a mund të thuhet se përveçse një ankth, panik apo frikë globale e gjitha ishte një zmadhim i problemit real? A ish e gjitha një konspiracion apo një rrezik real global?

COVID-19 është një infeksion që paraqet një rrezik real për shëndetin publik në gjithë globin. Shifrat e mëdha të vdekjeve të prodhuara në një kohë të shkurtër, kolapsi i sistemeve të tëra shëndetësore, personeli shëndetësor i rraskapitur prej pagjumësisë, mbilodhjes, kolapsit mendor etj., anëtarë familjesh të ndarë prej njeri-tjetrit, kufizim i lëvizjes së lirë, pasoja psiko-sociale, kolaps i sitemeve ekonomike, njerëz që vdesin në kushtë vetmie dhe izolimi pa asnjë të dashur apo familjar pranë tyre, etj. janë arsye të mjaftueshme për të kuptuar lehtësisht magnitudën e kësaj pandemie. Pandemia e COVID-19 është një problem real i faktuar shkencërisht (por jo vetëm) që ende vazhdon të përbëjë një rrezik global.

Teoritë konspirative që kane qarkulluar në portale të ndryshme gjatë kësaj periudhe kanë krijuar shpesh mosbesim tek shkenca. Diseminimi i informacionit shkencor gjatë kësaj periudhe ka qenë thelbësor. Nëpërmjet dhënies së informacionit te saktë duhet te luftojmë teoritë anti-shkencore, pasi janë te dëmshme po aq sa vetë virusi. Nje shoqëri e mirëinformuar dhe e përgjegjshme është thelbësore ne fazën e bashkjetesës me virusin, sic është ajo aktuale.

Filed Under: Featured Tagged With: HEDA ALBANIA, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT