• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2020

GJENOCIDI SERB MBI SHQIPTARËT

June 28, 2020 by dgreca

Shkruan:Nikë Gashaj/

Viktimat e luftës në Kosovë 1998 – 1999/

        Regjimi shtetëror politik i Serbisë, respektivisht i RFJ nuk ka pas aftësi, as forcë që me matricën e paqës të zgjidhi konfliktet e brendëshsme dhe pëçarjet, në veçanti ndaj shqiptarëve në Kosovë.

        Forcat ushtarake-policore dhe formacionet paraushtarake të Serbisë/ RFJ, gjatë luftës në Kosovë 1998-1999. kanë bë krime të mëdha. Ato kanë bër vrasje masive, masakra, shfarosje dhe persekutime të popullsisë shqiptare nga Kosova me qëllim të spastrimit etnik. Për atë dëshmojnë dhe të dhënat vijuese: rreth 12000 pjesëtarë të nacionalitetit shqiptarë janë vra, masakrua dhe përndjekur. Nga ai numër janë 1741 gra dhe 1396 fëmijë. Në Kosovë ka 660 varresa me shumicë nga ajo luftë. Gjithasht janë përdhunua rreth 20.000 gra. Më tutje, janë persekutuar më shumë se një milion shqiptarë nga Kosova. Përveç, vrasjeve, masakrave dhe përndjekjeve të qytetarëve nga shtëpit e tyre, janë shkatërrua një numër i madh i objekteve për banim, si dhe objektet fetare, arsimore, kulturore dhe ekonomike(Burimet:Agjencia arkivore shtetërore e Kosovës, Tubimi i shqyrtimit të viktimave në luftë në Kosovë 1998-1999, e mbajtur në Prishtinë, më 24.02.2017, si dhe të dhënat statistikore nga UNHCR).

                       Masakrat e popullësië civile në Shqipëri 1913

Në maj 1913 Fuqitë e Mëdha u kërkuan trupave serbe e malazeze të tërhiqeshin nga Shqipëria Qendrore dhe Veriore të pushtuara prej tyre. Serbia, nga zemërimi që po humbte portet e Shkodrës dhe të Durrësit, la pas një vazhdë shkatërrimesh gjatë tërheqjes së trupave të saj. Ashtu që në shtator 1913 shpërtheu një valë e re mizorish. Më 20 shtator ushtria serbe mori me vete të gjithë gjedhët e Malësisë së Dibrës. Barinjtë u munduan të mbroheshin dhe luftuan, por u vranë të gjithë.

Serbët vranë gjithashtu dy prijës të fisit të Lumës, Mehmet Ademin e Xhafer Elezin, dhe nisën të plaçkitnin e të digjnin të gjithë fshatrat që hasnin gjatë rrugës(dhjetë). Në të gjithë këta fshatra serbët kryen akte masakrash të tmerrshme dhe dhunime grash, fëmijësh e pleqsh… Duke hyrë në fshatrin e Porçasit, ushtria serbe i nxori të gjithë burrat jashtë fshatit dhe pastaj dërgoi atje gratë që t’u merrnin para si shpërblim për lirimin e tyre; burrat e gjorë i kishin mbyllur në xhami, të cilën e hodhën në erë me katër predha. Në fshatin e Sulpit 73 shqiptarë pësuan një vdekje të tmerrshme , kurse 57 të tjerë nga fshati Çolopek u vranë në mënyrë të shëmtuar. Prefekti i Krushevës i kërkoi ushtrisë serbe haptas që të digjnin të gjitha fshatrat në ndodheshin midis Krushevës dhe Ohrit.

Në një letër të një ushtari serb , që u botua më 22 tetor të atij viti, thuhet: Nuk kam kohë t’ju shkruaj gjatë, por do t’ju tregoj për gjërat e tmerrshme që po ndodhin këtej. Jam tmerruar prej tyre dhe vazhdimisht pyes veten se si mund të bëhet njeriu kaq barbar, sa të kryejë mizori të tilla. Është e tmerrshme. Nuk ma mban të them më shumë, por mund t’ju them se Luma (një fshat shqiptar anës lumit me të njëjtin emër),  nuk ekziston më. Nuk kanë mbetur veçse kufoma, pluhur e hi. Ka fshatra me 100, 150 dhe 200 shtëpi, ku nuk gjendet më këmbë njeriu. Njerëzit i mbledhim në tufa me nga dyzet a pesëdhjetë vetë dhe pastaj i shpojmë me bajoneta deri tek i fundit(Edwin Jacques: Historia e Popullit Shqiptar nga Lashtësia deri në ditët sotme, Carolina, USA, 1995, f. 379).

Bie erë plaçkitje gjithandej. Oficerët u thanë ushtarëve që të shkonin në Prizren e të shisnin gjënë e vjedhur. Gazeta që botoi këtë letër shtonte: “Miku ynë na tregon  për gjëra më  të frikshme se këto(!), mirëpo ato janë aq të tmerrshme dhe sfilitëse,  saqë preferojmë të mos i botojmë”.

Atë tetor një ushtri serbe prej 60.000 vetësh shkretoi krahinat e Dibrës, Strugës, Liqenit të Ohrit dhe Gollobordës në Shqipërinë Qendrore, si  edhe Gashin, Krasniqin e Valbonën në veri.

B. Peel Uillet, një agjent i ndihmës amerikane, shkroi një raport rreth vëzhgimeve të tij.

Në Shqipërinë Veriore trupat serbe shkatërruan njëqind fshatra pa paralajmërim, pa asnjë provokim dhe pa kurrfarë arsyeje…12.000 shtëpi u dogjën e u hodhën në erë, 8.000 bujq u vranë ose u dogjën të gjallë, 125.000 mbetën të pastrehë. Të gjithë bagtinë e rrëmbyen. Kështu bënë edhe  me drithërat e sapokorrura. Bujqit, si kafshë të përndjekura, merrnin arratinë për në Elbasan, Tiranë, Shkodër e fshatra të largët. Tani sa jam kthyer nga një udhëtim , përmes këtyre zonave të goditura. Pashë fshatra të rrënuar dhe shtëpi të djegura ose të hedhura në erë. Pashë refugjatë të uritur. Pashë gra e fëmijë që vdisnin nga uria.

              Komisioni Karnegi përmblodhi vëzhgimet e tij si më poshtë:

Trupat e rregullta serbe nuk lanë gjë pa bërë, që nga dita e parë kur pushtuan Shqipërinë, me qëllim që t’i detyronin banorët të linin kombësinë e tyre ose të shtypnin me egërsi racën shqiptare. Shtëpi e fshatra të tërë u bënë shkrumb e hi, popullsia e pafajshme dhe e paarmatosur u masakrua në masë, u kryen akte të shëmtuara dhune, plaçkitje dhe mizorie, – të tilla ishin mjetet që përdorën dhe vazhdojnë të përdorin ushtarët serbë, me qëllim që të transformojnë rrënjësisht karakterin etnik të rajoneve të banuara dikur vetëm nga shqiptarë.

Kjo luftë shfarosëse e sërbëve përgjatë kufirit verior të Shqipërisë u përshkrua edhe nga Edit Durham, bamirësja britanike që kaloi vite të shumta midis fiseve të malësisë.

Një shqiptar, të cilit i ra rruga nga Podgorica, deklaroi se në vilajetin e Kosovës në shumë vende toka ishte mbuluar me trupat e grave e të fëmijve dhe se kishte parë një gjymtyrë që ende përpëlitej mbi tokë.

Një oficer serb ishte mburrur gjithë gëzim: “ Fisin e Lumës e shfarosëm. “ Pastaj ai përshkroi masakrën e paparë të burrave, grave e fëmijëve, si edhe djegjen e fshatrave. Oficerët serbë kishin rënë në ujdi që “kur vendi të bëhet sërish i yni, nuk do të ketë më asnjë këmbë myslimani”.

Mirëpo, më 7 nëntor 1913 Austria dhe Italia u kërkuan serbëve që të evakuonin tokat shqiptare të pushtuara, kështu që ata, pa dëshirë, u tërhoqën në kufijtë e përcaktuar nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës. Disa muaj më vonë, më 28 qershor 1914, një nacionalist serb e shfryu zhgënjimin e tij të thellë duke vrarë Princin Austriak, Franc Jozefin, në Sarajevë. Kështu, falë ngathtësisë së Evropës në trajtimin e çështjes shqiptare, fuçia e barutit në Ballkan shpërtheu në një Luftë Botërore.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjenocidi Serb, mbi shqiptaret, Nik Gashaj

FILLON PUNËN KOALICIONI I SHQIPTARËVE PËR FITOREN E TRUMP NĒ MICHIGAN

June 28, 2020 by dgreca

 NGA VALENTIN LUMAJ/

Në Michigan, në kuadër të fushatës zgjedhore Presidenciale, ka filluar riorganizimi i shqiptarëve në mbështetje të fitores së Presidentit Trump. Michigani njihet si një nga shtetet e lëkundura e të pasigurta apo “swing states”, që mund t’i dhurojë fitoren njërit apo tjetrit kandidat. Për një kohë të gjatë, votën presidenciale në MI e patën fituar Demokratët deri ne 2016 kur Trump korri një fitore të ngushtë me 10700 vota më shume se kudërshtarja Clinton. Kur behët fjale se Michigani ka një popullsi prej afro 10 milionë banorë, me mbi 7 milionë votues të regjistruar , kjo fitore kaq e nghshtë e bën edhe më të nevojshme angazhimin e shqiptarëve në këtë fushatë. Në Michigan janë rreth 35 mijë shqiptarë të cilët gëzojnë nënshtetesinë amerikane dhe shumica e tyre janë të rregjistruar për të votuar. Prandaj në rastin më të mirë,  vetëm vota e shqiptarëve, me një mobilizim të përgjithshëm këtu, mund të sigurojë rizgjedhjen e Presidentit Trump. Egziston një përceptim se mbas ndërhyrjes se Bill Clinton në çlirimin e Kosovës , shqiptarët në përgjithësi mund të jenë pozicionuar në fafor të demokratëve. Por me kalimin e kohës gjërat kanë ndryshuar, shqiptarët kane filluar të ndergjegjësohen se çlirimi i Kosovës konsiderohet si vepër e Amerikës dhe jo e Klintonit apo demokratëve. Po ashtu fitorja e Trump ne 2016, solli edhe një herë rikthimin e vlerave konservatore, qëndrimi i Presidentir Trump në mbrojtje të institucionit të familjes, përkrahja ndaj Kishës dhe të gjitha institucioneve fetare, mbrojtja  ndaj persekutimit fetar, qëndrimi kundër abortit dhe marrja pjesë ne March for Life, po ashtu vleresimi qe Presidenti I ka bërë Nënës Tereze, kanë ndikuar që shqiptarët në Michigan dhe më gjerë, të pozicionohen përkrah këtyre vlerave në mbështetje të Presidentit. Nën influencen e Biden, kongresistit Engel apo zyrtarëve të tjerë demokratë, ka pasur tentativa të  disa shqiptarëve në New York apo Micigan, të cilët në papërgjegjshmërinë  e tyre janë munduar nëpëmjet letrave që të akuzojnë apo përlyejnë figurën e Presidentit Trump dhe të përzgjedhurit të tij Grenell, në lidhje me qëndrimin e tyre ndaj çështjes Kosovare. Koha po tregon të vërtetën dhe gjërat po kjartësohen. Kemi një humbje të papritur të Engel, Grenell është në krye të misionit të paqes Kosovë-Serbi, po ashtu administrata Trump ka konfirmuar për të disatën herë se nuk mbështet shkëmbimin e territoreve. Këto janë fitore të vogla por domethënëse të Trump në opinionin shqiptar. Sigurisht, një përfundim i suksesshëm i bisedimeve të paqes Kosovë-Serbi, do të jepnin nje impakt edhe më të madh në mbështetjen ndaj Trump nga shqiptarët por edhe amerikanët.

Në këtë situatë të ndezur zgjedhore, aktivistë dhe përfaqësues të kulteve fetare ne Michigan, kanë filluar punën në  organizimin dhe ndërgjegjësimin e popullatës shqiptare në  mbështetje të Presidentit Trump. Me datë 8 qershor 2020, pati një takim të parë të iniciuar nga përfaqësuesja me origjinë shqiptare e fushatëes se Trump, Znj. Evi Kokalari me pjesemarrjen e drejtorit te koalicionit per fitoren e Trump ne MI, Sean Moscynsky, të perfaqësuesve te kulteve fetare dhe aktivistë të Komunitetit. Kjo iniciativë u vazhdua ditën e djeshme, e shtunë 27 Qershor, me një drekë pune në një nga restorantet e qendrës se qytetit Northville. Në këtë takim morën pjesë Sean Moscynsky, drejtori i koalicionit për fitoren e Trump në MI, Danny Gustafson, Drejtor Rajonal i Fushatës, Irena Vulaj, menagere rajonale e fushatës, kryetari I Degës së Vatrës MI, Mondi Rakaj, Nën/Kryetari i Federatës VATRA, z. Alfons Grishaj, dhe aktivistët e komunitetit Dritan Demiraj dhe Valentin Lumaj. Mbjedhja ishte e frytshme. Janë bërë disa propozime dhe po punohet në implementimin e tyre. Jemi shumë afër legalizimit të emrit të kësaj lëvizjeje nën të cilën do të punohet në vazhdim. Po ashtu po bëhen përpjekje për sigurimin një zyre të posaçme për këtë lëvizje. Një vend të rëndesishëm zuri edhe propozimi i bërë qysh në mbledhjen e parë, për një takim të Presidentit Trump enkas me shqiptarë këtu në MI, ku mendohet që të ftohen rreth 20 mijë shqiptarë, por gjithsesi këto janë tematika në vazhdim dhe duan punë për t’u implementuar. Mbledhja e djeshme u përqëndrua në identifikimin dhe  regjistrimin e votuesve shqiptarë, të cilët nuk janë regjistruar.  Kjo do të realizohet nëpërmjet takimeve direkte të anëtarëve të grupit të punës me miq e të njohur, në ambiente familjare, fisnore, shoqërore e derë më derë apo nëpërmjet mediave visive lokale, në mënyrë që të rrisim shancet për një fitore të sigurtë të Trump në Michigan. Ka pasur edhe më herët përpjekje për të krijuar lëvizje të tilla, por që kanë qenë individuale dhe kane mbetur rrugës. Ftojmë shqiptarët e Michiganit dhe jo vetëm, të cilët janë mbartës të vlerave dhe idealeve te djathta konservatore, që besojnë tek Presidenti Trump dhe Partia Republikane si mbështetes te çështjes shqiptare, që t’i bashkohen lëvizjes tonë.

Valentin Lumaj, Michigan më 28 Qershor 2020.

Filed Under: Histori Tagged With: Koalicioni i shqiptareve, per Fitoren, Presidnet Trump

VJENË- PJETËR LOGORECI: HISTORI SHKODRANE NË FOTOGRAFI

June 28, 2020 by dgreca

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë/

      Imazhi i trungut Logoreci jeton akoma në veprimtarinë për përparim kombëtar. Nipi i Mati Logorecit, Pjetër Logoreci në Vjenë dhe Fotoalbumi Historik me vlera kombëtare nga puna e tij 6 vjeçare në arkivat e Vjenës. 

       Pjetër Logoreci, pinjoll i familjes së madhe Logoreci, vazhdon traditën e shkëlqyer në shërbim të kulturës, artit dhe progresit kombëtar. Vjena, ku studiuan figura të njohura historike mes tyre edhe Logorecët, e ruan vazhdimësinë edhe në ditët tona nga pasardhësi i tyre, nipi i Mati Logorecit, Pjetër Logoreci. Të cilët një shekull ma parë, në Vjenë studiuen vëllezërit Kolë dhe Gjon Logoreci, i pari për ekonomi e financë dhe tjetri për agronomi.  

         Pjetri me lojën në skenën e Teatrit Popullor të Vjenës dha një shkëndi nga shkëlqimi i Aleksandër Moisiut një shekull më parë. Tani Pjetri krahas aktiviteteve të tij në institucionet e kulturës austiake, del me veprën e tij që është rezultat i kërkimeve të tij në arkivat austriake, të titulluar   “Histori e Shkodrane në Fotografi“.  Një album i mrekullueshëm e cilësorë i ndarë në 5 kapituj, duke filluar me Shkodrën, jetën, fasadat, personalitete e të përditëshmen e Shkodrës. 

          Në bisedën e tij, Logoreci, shprehë kënaqësinë e tij  mbi hulumtimet e bëra në Arkivin e Shtetit Austriak, Arkivin e Bibliotekës Nacionale të Vjenës, Arkivin e Bashkisë së Vjenës, Arkivin e Bibliotekës së Universitetit të Vjenës dhe Arkivin e Bibliotekës së Universitetit të Gracit. Albumi i pasuruar me shumë foto të panjohura, që iu përkasin viteve 1908 deri 1916, është rezultat i një pune kërkimore 6-vjeçare. Çdo fotografi ka kartelën e vet, ku tregohet çfarë është, kush e ka bërë, kur është marrë dhe çfarë duket. 

         Veçohet kapitulli i dytë me fotografi nga pushtimi i Shkodres prej Malit të Zi, në të cilat pasqyrohet gjendja e mjerueshme e popullsisë, masakrat ndaj saj, plaqkitjet, vuajtjet në uri, bombardimi e shkatrrimi i qytetit nga pushtuesit. Në liber botohen fotografi nga skenat makabre, vrasjet, kufomat në këtë luftë për mbrojtjen e qytetit, ku çdo familje shkodrane kishte një person të mbetur në llogoret e Taraboshit në mbrojtje të territorit, dinjitetit dhe nderit shqiptar.  Në bisedën me Pjetrin ai shprehet i emocionuar duke i ndjerë në shpirtë ato momente vuajtjesh për të cilat flasin aq shumë ato fotografi të kohës.

“Kur kam parë fotografinë e Portalit të Katerdrales së Shkodrës që mban emrin Shën Stefan, të njëjtë si Katedralja e Vjenës, kam mbetur i shtangur. Portali është një vepër arti, i punuar nga dora e Kolë Idromenos, me financimin e Austrisë e cila ka financuar edhe në ndërtimin  Katedralës së Shkodrës. Për të shmangur abuzimet me financimet në ndërtimin e objekteve, konsullata austriake në Shkoder ka dokumentuar në fotografi të gjithë objektet e ngritura me këto donacione. Kështu gradualisht nga aty më lindi frymëzimi që të bëja një album për Shkodrën, edhe pse e dija që ishte vështirë, këkonte kohë, mund dhe shpenzime.”  

           Siç shihet nga dokumentet dhe fotografitë e panjohura që sjell libri, Idromeno kishte realizuar shumë vepra arti të cilat u dëmtuan në kohën e komunizmit, bie fjala tavani i Katerdrales i gdhendur me dru, shtatoret e ndryshme apo pikturat murale.  Përveç Katedrales, Shkodren e stolisin dhe shumë fasada të njohura e madhështore siç ështe shetitorja kryesore e qytetit apo objekte të tjera disa prej të cilave u shkatërruan në kohën e komunizmit.

Shumë ndërtime të bukuar që ka Shkodra dalin të ideuara dhe të punuara nga Kolë Idromeneo, por edhe nga Gjergj Fishta dhe qyteti ju detyrohet shumë këtyre njerëzve, sidmos Idromenos.  Logoreci shprehet i zhgënjyer nga indiferenca e pushtetarëve të Shkodrës dhe e shtetit,  ndaj varrit të Idromenos apo të Marubit e një sërë personalitetesh të tjera, në varrezen e Rrmajit, që janë lënë të degraduara plotësisht. Këto emra të mëdhej të kulturës e shqiptarizmës janë kyçi i kulturës shkodrane dhe nuk duhen lënë në harresë, duhet të gjendet mundësia që objektet ku eshtrat e tyre prehen në amshim, të restaurohen.

      Albumi është një kujtim me vlerë i një kohe të shkuar dhe homazh ndaj figurave madhore historike nga ajo periudhë.  Është porosi për brezat që vijnë mbi nevojën e vlerësimit dhe respektit të luftës heroike për liri dhe progres kombëtar ku Shkodra është dalluar gjithnjë për aktivitetin e ndihmesen e saj në themelimin e kulturës e tabanit kombëtarë.
         

Promovimi i veprës pritet të mbahet në Vjenë sapo të krijohen kushtet normale nga pandemia.  Secili mërgimtar ka nevojë ta ketë librin në bibliotekën e tij. Veprimtaria e Pjetër Logorecit në Vjenë është e vazhdueshme dhe me interes kombëtar. Vite më parë, ai ishte realizuesi i nxjerrjes dhe bartjes së eshtrave të Don Nikollë Kaçorrit, nënkryetarit të qeverisë së parë të Shqipërisë së pavarur të vitit 1912, e shpallur në Vlorë me kryetarin e saj të parë Ismail Qemalin.
            Pjeter Logorecin e urojmë për veprën dhe i dëshirojmë atij sukses në hulumtimet e radhës. 

Filed Under: Kulture Tagged With: Hazir Mehmeti, Histori shkodrane, Pjeter Logoreci, Vjene

Martin Vulaj: Nëse Europa merr drejtimin e dialogut, çështja e Kosovës do të zvarritet gjatë

June 28, 2020 by dgreca

Komuniteti amerikano-shqiptar i druhet shumë rimarrjes së drejtimit të dialogut Kosovë-Serbi nga Bashkimi Europian pas dështimit të Shtëpisë së Bardhë për të realizuar takimin e 27 qershorit, nga i cili kishte aq shumë pritshmëri.

Ish-drejtuesi i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në SHBA, Martin Vulaj, në një intervistë për Ora News shpreson shumë që ky skenar të pamundësohet pasi nëse ndodh çështja e Kosovës do të zvarritet për një kohë të gjatë.

Ai sjell shembullin e Turqisë, e cila për vite me radhë vijon negociatat për anëtarësimin.

Vulaj: Uroj që jo. Brukseli, Europa në përgjithësi e ka pasur në dorë çështjen e Kosovës për një kohë shumë të gjatë. Dështimi i saj e ka detyruar Amerikën që në mënyrë të njëanshme në bashkëpunim me partnerët e saj të insistojë për pavarësinë e Kosovës. Edhe në fazën e  dytë prej 2011 dhe deri tani nuk ka pasur asnjë progres të prekshëm. Amerika është e vetmja shpresë për ti dhënë fund këtij kapitulli, me mbaru shtetësinë e Kosovës dhe për ta anëtarësuar në NATO dhe OKB. Nëse na ik ky shans dhe kthehet çështja te Europa do të zgjasë për një periudhë të gjatë. Berisha ka pasur një shprehje Albanofobia, edhe unë besoj se kjo ekziston në Europë. E kemi parë çfarë ka bërë me Turqinë që e ka zvarritur për një kohë të gjatë. Edhe në fund me këtë veprim të fundit ligjor kam frikë se do të bëget një barazpeshim mes fajtorëve dhe viktimave, me i dhënë shkas Serbisë me ec përara dhe me e lënë Kosovën pas. Nëse lihet në dorë të europianëve kjo do të ndodhë. Progres në atë vend ka pasur vetëm kur Amerika ka marrë rolin e udhëheqësit.

Për të shmangur çdo të papritur, Vulaj thotë se Kosova duhet të organizohet menjëherë për të kapur këtë shans të fundit.

Nisur edhe nga takimi online me Grenell, Vulaj parashikon njoftimin e një datë të re takimi javën e ardhshme, i cili do të mund të realizohet jo më larg se 6 javë.

Vulaj: Hoti ishte në pozitë shumë të vështirë, ishte një goditje dramatike.Baza e saj është ligjore por qartësisht është një veprim politik dhe një goditje që shkon shumë përtej Thaçit, një goditje që ju drejtua dhe Amerikës dhe pasojat e saj po i vuan Kosova fatkeqësisht. Me Hotin nuk kam folur por e ka ndjerë nevojën me u kthy në vend. Ishte një pasiguri që po e përjetojmë ende, deri diku mirëkuptohet. Por është shumë e rëndësishme tani që pala kosovare të konsolidohet dhe të reagojë shumë shpejt që të shpëtojë këtë proces.Grenell shpreson që javën e ardhshme të arrihet kjo, të ricaktohet takimi i anuluar për 1 muaj, 6 javë më së largu.

Duke zbuluar detaje nga takimi me Grenell, ai tha se Ambasadori kishte pritur deri në fund që pala kosovare do të shkonte në Shtëpinë e Bardhë pavarësisht aktakuzave nga Haga.

Vulaj: Grenell ishte i zhgënjyer me anulimin e takimit, priti që ndoshta pala kosovare mund të vinte pavarësisht asaj që ndodhi. E ka kuptuar që ishte një goditje dramatike për vendin, e ka parë jo rastësi që ka ndodhur tre ditë para takimit që ishte thirrur. Kishte edhe një frikë që Amerika mund të tërheqë vëmendjen nga Kosova, pasi është një përpjekje për të zgjidhur situatën mes Kosovës dhe Serbisë. Ai shprehte drojën se Presidenti mund të frustrohet dhe mund ti japë detyra diku tjetër. Pasi folëm dje ai kishte takuar Trump dhe ai ja kishte dhënë dritën jeshile që të provojë dhe njëherë që të kthejë bisedat në binarët e duhur. Por i ka thënë që nëse palët nuk janë gati për të ecur përpara drejt një zgjidhje me përfundim njohjen reciproke atëherë ndoshta do ti japë detyra të tjera në administratë.

Dua të thekson se ka pasur shumë spekulime rreth planeve të ndryshme  politike. Më ka pohuar më shumë se njëherë se kurrë nuk ka ekzistuar asnjë plan për një zgjidhje të shpejtë, kurrë nuk është konsideruar ndarja e Kosovës. Ka thënë që plani i tyre është një plan me dy faza. Faza e parë është përmirësimi i marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë. Kanë firmosur marrëveshjen për hekurudhën dhe linjën ajrore, tani do të firmoset një marrëveshje për autostradën që lidh Kosovën me Europën përmes Serbisë, me kriju një klimë të përmirësimit ekonomik dhe punësim. Krijohet një klimë ku mund të bëhet një marrëveshje politike me ndihmën e Europës dhe me një injeksion financiar.

Vulaj tha ndër të tjera se do të dëshironte shumë të shihte një tryezë mbarëkombëtare për sfidat e shqiptarëve në rajon.

Vulaj: Do të doja një tryezë mbarëkombëtare nën patronazhin e Shqipërisë, kreu i shtetit shqiptar të ftojë të ftojë gjithë elementin shqiptar në rajon, me kriju një strategji mbarëshqiptare për rrugëdaljen jo vetëm të kësaj situate por të ballafaqohet me sfidat që kanë shqiptarët në rajon drejt një të ardhme ku mund të bëjnë progres dhe të integrohemi në Europë si europianë që jemi.

Intervista në studion e TV Ora News  me gazetarin Sebastian Zonja, përgatiti për online Besjana Kuçana

Filed Under: Politike Tagged With: kosova, Martin Vulaj

INTERVISTA- KRYETARI I VATRËS: MORËM PREMTIME TË MËDHA NGA AMBASADORI GRENELL

June 28, 2020 by dgreca

Takimi i Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë nuk është anuluar por shtyrë për një datë të re. Kreu i Federatës pan-shqiptare të Amerikes “Vatra”, Elmi Berisha, në një lidhje me skype nga SHBA, tha për TV Ora News se takimi i ri pritet të ndodhë shumë shpejt dhe në fokus të tij do të jetë zhvillimi ekonomik.

Berisha: Anulimi i takimit ka gjetur mirëkuptim nga Grenell dhe administrata Trump. Duhet të bëhet një kordinim i ri.Takimi besoj se do të realizohet shumë shpejt në të ardhmen e afërt.Në bisedimet me Grenell dhe kryeministrin Hoti jam siguruar se takimi do të bëhet shpejt, ne e mirëpresim takimin sepse nuk ka të bëjë fare me propagandat dhe fabrikimet  që janë shpërndarë kohët e fundit nga ata që nuk e duan Shqipërinë dhe Kosovën. Ky takim nuk do të ishte as i pari dhe as i fundi në Shtëpinë e Bardhë.Substanca e takimit është ekonomike dhe duhet menduar si të shkohet përpara me një mini marshall-plan që do të ndryshonte jetën e qytetarëve në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.

Duke folur rreth takimit online që komuniteti shqiptaro-amerikan pati me Ambasadorin Grenell, Berisha foli për premtime të mëdha nga i dërguari i posaçëm i ShBA-së për të drejtuar dialogun Kosovë-Serbi.

Berisha: Dje kishim një takim të mirë me Grenell, kemi marrë disa premtime të mëdha dhe jemi pajtuar me cilësinë dhe mënyrën e ndërsjelltë të bashkëpunimit mes Vatrës dhe administratës Trump. Unë dhe Vatra kemi besim të madh dhe besojmë se duke bashkëpunuar me administratën Trump shqiptarët gjithmonë do të triumfojnë dhe do të ruhet interesi i tyre. Për Kosovën,Grenell na siguroi se asnjëherë më parë Trump apo Grenell nuk kanë biseduar rreth ndarjes së Kosovës apo korrigjimit të kufijve. Është një fabrikim.

Berisha deklaroi se nuk do të lejojnë një status-quo.

Berisha: Kemi kërkuar që Amerika të vazhdojë, administrata të mos ndalojë gjatë procesit. Ne duhet të kordinohemi me Prishtinën dhe Tiranën dhe të jemi aty kur takimi të bëhet, mos të humbim kohë. Nuk do të lejojmë ne status-quo.

Ai u shpreh besimplotë që SHBA do të të insistojë që Kosova të lëvizë drejt Kombeve të Bashkuara.

Berisha: Ambasadori ka një përvojë të bujshme në Kombet e Bashkuara dhe politikat ndërkombëtare. Kemi biseduar rreth planit sesi Kosova të mos pengohet nga Rusia dhe Serbia pë anëtarësim në OKB. Këto janë plane të dyta pas atyre ekonomike. Shtëpia e Bardhë besoj se do të insistojë që Kosova të lëvizë drejt Kombeve të Bashkuara me mirëkuptimin e serbëve dhe rusëve.

Daniel Serwer, ekspert i Ballkanit në SHBA thote se “nëse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli nuk japin dorëheqje, Kosova do të përballet me sfida të tjera”.

Por Berisha thotë se ditët e vështira dhe të zeza për shqiptarët kanë përfunduar njëherë e mirë.

Berisha: Aspak. Një pjesë e dhimbjeve vjen dhe nga Specialja në Hagë që kërkojnë ta ngatërrojnë viktimën dhe agresorin. Vetëm kjo pjesë është e dhimbshme, sa i përket ditëve jo të mira për Kosovën nuk qëndron. Kanë përfundu njëherë e përgjithmonë ditët e vështira dhe të zeza për shqiptarët. Shqiptarët kurrë nuk kanë qenë më mirë dhe vetëm do të përparojnë dhe ecin përpara. Këto janë mendime personale të njerëzve por edhe tendencioze pavarësisht se kush i thotë. Uashingtoni nuk do të ndryshojë substancën drejt zhvillimeve në Ballkanin Përëndimor dhe posaçërisht marrëdhënieve vëllazërore dhe të përhershme me Shqipërinë dhe Kosovën.Enigma e disa ekspertëve që Kosova do të jetë më keq se është sot është propagandë. Kosova do të ecë përpara dhe do të jetë një vend i integruar sëbashku me Shqipërinë, Kosova do të ketë integritetin e saj territorial dhe do të ndihmohet fuqishëm nga SHBA.

Sikundër edhe shtetarët e Kosovës, edhe Vatra insiston se dialogu duhet të duhet të udhëhiqet nga Amerika dhe jo BE.

Berisha: Jo. Nuk kam asnjë kundërshti rreth involvimit të Europës në zgjidhjen e çështjes së Koosvës. Por Europa ka pasur 100 vjet kohë me na drejtu dhe ndihmu dhe e ka bërë Amerika.Insistojmë që Amerika duhet të jetë lidere e bisedimeve, kurse Europa gjithësesi pjesë e saj.

Kreu i Vatrës foli edhe për humbjen elektorale të mikut të shqiptarëve.

Berisha: Kongresisti Eliot Engel fatkeqësisht humbi në primaret por për 35 vjet me radhë  ka qenë një nga zërat më të fuqishëm në Uashington për Kosovën, Shqipërinë dhe gjitha viset shqiptare dhe të drejtat tona. Me siguri që Engel do të vazhdojë të na ndihmojë dhe në të ardhmen, është shumë e rëndësishme të vazhdojmë promovimin e çështjes tonë kombëtare.

Një koment dhe për votën e emigrantëve.

Berisha: Vatra prej 25 vitesh kërkon nga të gjitha qeveritë në Tiranë dhe Prishtinë që të na ofrohet e drejta e votimit siç e meritojmë. Besoj se do të bëhet realizimi i kësaj kërkese. Do të ishte një dhuratë morale dhe njerëzore shumë e mirë për diasporën shqiptare kudo që jeton.

I pyetur sesa e vështirë është të bësh bashkë ndasitë politike mes shqiptarëve kur ata shkojnë në SHBA, Berisha pati këtë koment.

Berisha: Vatra e luan rolin e një ombrelle që bashkon forcat shqiptare kudo, Vatra është krijuar për këtë çështje me influencu dhe me lobu në Uashington gjatë kohës së formimit të shtetit të parë shqiptar, në vazhdimësi e ka lujtur këtë rol. Deri në shtetësinë e Kosovës, Vatra ka qenë promovuesi kryesor dhe një nga organizatorët më të fuqishëmn të çështjes kombëtare nëpërmjet shqiptarëve dhe pastaj në Uashington.

Intervista në studion e TV Oranews me gazetarin Sebastian Zonja, përgatiti për online Besjana Kuçana

Filed Under: Opinion Tagged With: Interviste, Kryetari i Vatres, Ora News TV

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT