• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2020

Kombi shqiptar përjetë mirënjohës kongresistit Engel

July 20, 2020 by dgreca

Nga Harry Bajraktari-*

Pas 30 vjetësh si anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel nuk do të rikthehet vitin e ardhshëm në Kongresin Amerikan.

Ky është një lajm i keq për komunitetin tonë, për kombin shqiptar, por edhe për zonën e tij zgjedhore, për shtetin e New York-ut, për Kongresin Amerikan dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për tri dekada tashmë, Engel ka qenë një mbështetës i të drejtave të njeriut, një amerikan i madh dhe një ligjvënës i shquar. Si Kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Kongresin Amerikan, ai është shquar si një mik i madh i popujve liridashës dhe demokracisë në botë.

Gjatë 30 viteve që ka shërbyer në Kongresin Amerikan, Engel është karakterizuar së pari nga dashuria e tij e madhe për Amerikën. Ka besuar gjithmonë se roli udhëheqës amerikan do ta bënte botën më të mirë dhe vetë popullin amerikan më të sigurtë. Gjatë gjithë karrierës ka treguar mbështetje për Izraelin, Kosovën, popullin shqiptar dhe të gjithë popujt në botë që u është mohuar një shtëpi dhe e drejta e vetëvendosjes.

Humbja e tij në zgjedhjet e fundit është sidomos e rëndë për shqiptaro-amerikan që e kanë dashur dhe janë mësuar që ta kontaktojnë sa herë që kombi ynë është përballur me kohë të vështira. Mirëpo, ky nuk duhet të jetë një moment vajtimi, por krenarie. Në demokraci, të gjitha karrierat politike janë të destinuara të mbarojnë një ditë. Sot, është dita që të vlerësojmë udhëtimin e jashtëzakonshëm në politikë dhe ndihmën historike që Engel dha për Kosovën dhe popullin shqiptar.

Gati 30 vjet më parë, kur Engel sapo kishte nisur punën si një kongresist i ri, trokita në zyrën e tij në Bronx, për t’i folur për vuajtjet e popullit të Kosovës. Ai nuk më njihte, por me priti me bujari dhe më dëgjoi me vëmendje. Ishte fillimi i një bashkëpunimi 30-vjeçar. Por edhe i një miqësie të madhe midis nesh. Më e rëndësishmja, ai nuk u bë thjesht mik me mua, po u bë mik me komunitetin shqiptar në SHBA. U bë një mbështetës i madh dhe i vendosur i lirisë dhe demokracisë në trojet shqiptare në Ballkan.

Në atë kohë, pak njerëz e dinin se ku ishte Kosova në Washington dhe politika zyrtare amerikane ishte ende kundër pavarësisë. Kongresisti Engel që nga fillimi deri në fund pati një besim të palëkundur te vetëvendosja e Kosovës si e vetmja zgjidhje. Në ato vite të para, shqiptarët e Kosovës ishin si shprehej ai vetë: “populli më i shtypur në Europë”. Shumë shpejt u dha me passion pas kësaj kauze që u bë diçka personale për të. Ai e vizitoi Kosovën disa herë, duke filluar nga viti 1993, kur ende vuante nën thundrën e regjimit fashist të Slobodan Millosheviqit. Në 1996, kongresisti Engel ngriti flamurin amerikan në mes të Prishtinës duke dhënë sinjalin se SHBA nuk e kishte harruar Kosovën duke u dhënë njerëzve shpresë dhe kurajo.

Në vitin 1998, pas vrasjes së Adem Jasharit u nis për në Kosovë, mirëpo, rojet ushtarake serbe nuk e lanë që të hynte në kufi. Atëhere kongresisti Engel mbajti një konferencë shtypi me gazetarët ndërkombëtarë që kishte marrë me vete dhe tha: “Millosheviqi nuk po na lë që të hyjmë sot në Kosovë, po shumë shpejt do të vijë dita kur do ta nxjerrim Millosheviqin jashtë nga Kosova dhe pastaj do të jemi ne që nuk do ta lëmë që të hyjë”.

Këto ishin fjalë profetike, sepse një vit më vonë vërtet Kosova ishte e çliruar, SHBA kishte udhëhequr NATO-n në luftë dhe vetë Engel kishte këshilluar ngushtë presidentin Clinton gjatë zhvillimeve që sollën çlirimin.

Unë pata nderin që bashkë me kongresistin Engel dhe një grup shqiptaro-amerikanësh e miq të komunitetit, të ishim nga delegacionet e para që vizitonin Kosovën pas çlirimit. Kishim me vete edhe Anthony Athanas në një udhëtim shumë emocional dhe të paharrueshëm për të gjithë. Ishim me Engelin në Kosovë, kurse Millosheviqi ishte jashtë dhe nuk guxonte të hynte.

Më vonë, ashtu si me Presidentin Bill Clinton, kongresisti Engel do të lobonte Presidentin Ë Bush për të njohur dhe mbështetur pavarësinë e Kosovës. Engel ishte nga zyrtarët e parë të huaj që vizituan Kosovën pas pavarësisë, si republika më e re në Europë.

Kam rreshtuar këtu një numër shumë të vogël të veprimtarive të shumta të kongresistit Engel gjatë viteve të tij në Kongres, por puna e tij ka qenë shumë më komplekse dhe voluminoze dhe do të kërkojë libra për t’u përshkruar.

Kongresisti Engel është themeluesi dhe drejtuesi i përhershëm i Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan, mjeti më i fuqishëm politik që kemi pasur që nga Noli dhe Konica.

Që në vitet e para si kongresist ai u bë një mbështetës i hapur i pavarësisë së Kosovës, shpesh duke qenë zëri i vetëm që e shqiptonte atë si e vetmja zgjidhje e pranueshme e konfliktit. Ishte ndër të parët që priti Ibrahim Rugovën në Washington DC, në 1991 dhe lidhi me të një miqësi që vazhdoi deri në fund të jetës së Presidentit të Kosovës. Me kolegët e tij, ai luajti një rol të drejtpërdrejtë në sigurimin e fondit të parë federal kushtuar posaçërisht Kosovës. Shuma prej 5 milionë dollarësh kishte në fakt një vlerë të paçmueshme. Ajo shpalli zyrtarisht angazhimin amerikan për Kosovën

Në 1994, ai drejtoi dëgjesën e parë kushtuar në mënyrë të posaçme Kosovës, në Komitetin e Dhomës për Çështjet e Jashtëme dhe së bashku me kongresistin Ben Gilman ushtruan presion mbi Administratën Clinton që të mbështeste më fuqimisht Kosovën kundër shtypjes nga Millosheviqi.

Ai udhëtoi në Kosovë, në prill 1993, dhe u kthye përsëri aty në korrik 1996, për të inauguruar hapjen e Zyrës Amerikane të Informacionit, të njohur nga populli si “Zyra Amerikane”. Ai ishte identifikuar me këtë projekt që nga fillimi dhe u deshën vite që të bëhej realitet.

Ai ngriti flamurin amerikan në mes të Prishtinës, në atë korrik 1996, duke ngritur bashkë me të peshë edhe zemrat e shqiptarëve të Kosovës, në një prej periudhave më të rënda për ta. Ishte koha kur shqiptarët ndiheshin të lënë në mëshirën e Millosheviqit pas Marrëveshjes përjashtuese të Dejtonit. E kam dëgjuar kongresistin Engel t’i referohej shpesh herë asaj si “Ambasada e parë e SHBA-së”, në Kosovë.

Me kolegët e tij të kaukusit, ai e detyroi Administratën Clinton që të kushtëzonte murin e jashtëm të sanksioneve ndaj Beogradit me zgjidhjen e situatës në Kosovë. Ai punoi shumë që të pengonte emërtimin zyrtar të UÇK-së si terroriste nga Administrata duke i shkaktuar një goditje të rëndë përpjekjeve të propagandës dhe lobimit serb.

Sugjerimet nga kongresisti Engel ishin kyçe në procesin kur Administrata Clinton shqyrtonte alternativat me të cilat mund të ndalte spastrimin etnik në Kosovë dhe mbështeti fuqimisht ndërhyrjen ushtarake në 1999. Ai udhëhoqi kolegët e tij në debate dhe rezoluta madhore në Kongresin Amerikan lidhur me luftën.

Pas çlirimit të Kosovës, u bashkua me ne në vizitën e parë të organizuar si grup në Kosovën e lirë për të shkatërruar keq nga lufta. U përqafuam me lot në sy, kur kaluam për herë të parë kufirin dhe shkelëm në tokën e lirë, vetëm pak javë pasi trupat serbo-jugosllave ishin larguar të mposhtur nga NATO.

Që atëhere, kongresisti Engel ka shkuar pothuajse çdo vit në Ballkan dhe ka vijuar punën e tij në dekadën që vijoi për të bindur Administratën Bush që të njihte pavarësinë e Kosovës. Dhe që prej pavarësisë ka lobuar nga një vend në tjetrin që të njohin republikën e re dhe organizatat e mëdha që ta pranojnë Kosovën si anëtare, përfshi këtu edhe Bankën Botërore, FMN-në, FIFA-n etj. Ai është ende duke lobuar për ne pranë Interpolit dhe UNESCO-s.

Pas pavarësimit të Kosovës, ai punoi ngushtë me një tjegtër agjensi qeveritare amerikane, Programin për Sfidën e Milleniumit, për t’i siguruar vendit të drejtën për të konkurruar për një paketë shume të madhe ndihmëse. Në vitet e fundit, Kosovës i janë akorduar 50 milionë dollarë për të përmirësuar furnizimin me energji dhe transparencën qeveritare. Dhe nëse gjithshka shkon mirë, shifra mund të shtohet me disa dhjetëra milionë të tjerë.

Muajin e kaluar, në 4 Korrik, kongresisti Engel udhëtoi përsëri në Ballkan. Ai iu bashkua Ambasadorit të SHBA-së në prerjen e shiritit për inaugurimin e ambasadës së re amerikane në Kosovë, për të cilën qeveria e SHBA-së investoi 280 milionë dollarë. Nuk ka dëshmi më të fuqishme të përkushtimit amerikan për Kosovës dhe synimit për prani afatgjatë në rajon sesa kjo seli moderne. Në fakt, ambasada është shenjuar si “ndërtesë e gjelbër”, një shembull frymëzues për të ndihmuar Prishtinën që të ecë në një drejtim më të ndjeshëm ndaj mjedisit.

Nga inaugurimi i korrikut 1996 në inaugurimin e korrikut 2019, kemi të njëjtin njeri, të njëjtin udhëheqës dhe mik, të njëjtën devotshmëri dhe përkushtim ndaj kauzës sonë. Nuk ka të dytë si kongresisti Engel.

Puna e tij nuk kufizohet te Kosova. Si themelues i Kaukusit të Çështjeve Shqiptare, ai u përqendrua menjëherë me problemet e demokracisë në lindje të Shqipërisë. Ndihmoi në jetësimin e Fondit Shqiptaro Amerikan të Ndërmarrjeve dhe ka punuar ngushtë me çdo qeveri shqiptare në 27 vitet e fundit.

Ai loboi shumë që Shqipëria të bëhej anëtare e NATO-s dhe u ftua personalisht nga Presidenti Ë Bush në ceremoninë e nënshkrimit në Washington DC.

Ai ka udhëtuar shpesh në Shqipëri, si vëzhgues zgjedhjesh, si pjesë misionesh faktmbledhëse, si dhe për t’u takuar me të gjithë udhëheqësit politikë të vendit përgjatë viteve.

Kongresisti Engel loboi që Presidenti Sali Berisha të ftohej në Shtëpinë e Bardhë, në 1995, si dhe për të siguruar ndihma për Shqipërinë gjatë dhe pas krizës së vitit 1997.Në mes të konfliktit të atij viti të rëndë, ndërsa Shqipëria rrezikohej të rrokullisej në luftë civile, ai udhëtoi për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara në negocitat e drejtuara nga ish-kancelari Franz Vranitzky, duke ndihmuar që të arrihej kompromisi politik që shpëtoi Shqipërinë. Më etj u angazhua që të garantoheshin paprekshmëria e kufijve dhe e integritetit territorial të Shqipërisë.

Kongresisti Engel ka punuar në vite me shqiptarë të Malit të Zi dhe ka vizituar vendbanime shqiptare atje, sidomos Ulqinin dhe Tuzin. Ai ka punuar me udhëheqësit e shqiptarëve të këtij vendi. Ai ka qenë shumë herë edhe në Maqedoninë e Veriut, ku ka zhvilluar marrëdhënie të rëndësishme bashkëpunimi me një numër udhëheqësish shqiptarë dhe ka ndihmuar që të sigurojë një përfshire më të madhe të shqiptarëve në qeverisje, nëpërmjet jetësimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Në ditën e tij të parë, si kryetari i ri i Komitetit të Dhomës për Punët e Jashtme, ai u takua me një grup shqiptaro-amerikanësh nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, për të diskutuar me ta pikëpamjet dhe aspiratat e tyre politike.

Në korrik, rrugës për në Prishtinë, ndaloi në Luginën e Preshevës, për t’u takuar me udhëheqës lokalë të komunitetit shqiptar në Serbi. Ai kërkoi nga ky komunitet prej kohësh i injoruar dhe harruar që t’ia shpjegonin shqetësimet dhe shpresat që kishin për të ardhmen e tyre politike.

Askush, ndonjëherë më parë, në historinë e gjatë të kombit shqiptar, nuk ka qenë kaq shumë i përfshirë, për një kohë kaq të gjatë dhe këtë nivel suksesi.

Ai është mbi gjithshka një njeri shumë i mirë dhe i përkushtuar ndaj familjes. Ai është miku im më i mirë në botë dhe ndjehem i bekuar që e kam njohur e kam punuar me të për 30 vjet.

Do të doja ta falenderoja sot kongresistin Engel për kontributin dhe përkushtimin e tij të madh për çështjen kombëtare shqiptare. Do t’i jemi përgjithmonë mirënjohës. Vitin që vjen, ai nuk do të jetë më anëtar i Kongresit, por do të vazhdojë të jetë, ashtu si edhe më parë, një Ambasador i madh i Popullit Shqiptar.

Zoti të bekoftë kongresisti Engel! Krenohemi me ju!

*Harry Bajraktari është themelues dhe botues i gazetës Illyria (1991-1998), një drejtues i komunitetit shqiptaro-amerikan, filantrop dhe përfitues i shumë çmimeve, duke përfshirë Nderin e Urdhrit të Kombit nga Presidenti i Shqipërisë, Medaljen Presidenciale të Kosovës për Meritat & Bardhë Thirrja Presidenciale e Shtëpisë për Amimin e Shërbimit.

Filed Under: Featured Tagged With: harry bajraktari, Kombi Shqiptar, Kongresisti Eliot Engel

BASHA NË PRISHTINË:SHQIPËRIA DHE KOSOVA, POTENCIALE TË SHUMTA PËR BASHKËPUNIM

July 20, 2020 by dgreca

-Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha,në Kosovë takime me drejtuesit institucionalë e politikë. Ka shprehur mbështetjen totale të tijën dhe të Partisë Demokratike për të gjitha qëndrimet e krerëve të institucioneve dhe politikës në Kosovë/

-Basha: Unë ndodhem gjithmonë me kënaqësinë shumë të madhe në Prishtinë që është në fakt edhe qyteti im i dytë pas Tiranës, jo vetëm për faktin se gjatë periudhës 2000-2004 kam jetuar, ka qenë shtëpia ime, por edhe sepse e bëtë të tillë me vendimmarrjen tuaj për  të më shpallur Qytetar Nderi të Prishtinës, para disa vitesh/

-Nga takimet me liderët politikë: Të dyja vendet, Shqipëria dhe Kosova, do të vazhdojnë së bashku në rrugën euroatlantike, në aleancë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari*

PRISHTINË, 20 Korrik 2020/Shqipëria dhe Kosova kanë potenciale të shumta për bashkëpunim, tha sot në Prishtinë kryetari iPartisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, në vizitën pas ftesës së kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti, me të cilin kishin takim edhe në 3 korrik në Tiranë.

Në vizitën në Kosovëme liderin e opozitës në Shqipëri Lulzim Basha  janë edhe Edi Paloka, nënkryetar i PartisëDemokratike, Besnik Mustafaj, ish-ministër i Jashtëm dhe kryetar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, Kreshnik Çollaku, anëtar i Kryesisë së PDSH, Arben Çejku, ish ambasador dhe drejtues i Qendrës Shqiptare për Mirëqeverisje.

Në axhendën e vizitës në Kosovë sot ishin takimet e veçanta me kryeministrin Avdullah Hoti, presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani, kryetarin e AAK Ramush Haradinaj, kryetarin e Nismës Fatmir Limaj, me drejtuesit e LDK-së  dhe tëPDK-së.

Të martën, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, takohet me Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe me Kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Gjithashtu, Basha do të zhvillojë homazhe pranë varrit të Presidentit historik Ibrahim Rugova në Velani-Prishtinë, varrit të Isa Boletinit në Boletin, si dhe te Memoriali i Jasharëve në Prekaz.

THAÇI-BASHA, PËR ZHVILLIMET POLITIKE NË KOSOVË E SHQIPËRI

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur në takim Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Bashën, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë e Shqipëri dhe për mundësitë e bashkëpunimit më të mirë ndërshqiptar.

Presidenti Thaçi ka theksuar se destinacioni i Kosovës është që sa më shpejt të bëhet pjesë e NATO-s, dhe Bashkimit Evropian.

“Çdo përvojë pozitive nga Shqipëria dhe përvojë personale në këtë proces, në veçanti për liberalizimin e vizave, është i rëndësishëm për ne si institucione të vendit”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka theksuar se është e rëndësishme që të vazhdohet me krijimin e një konsensusi sa më të gjerë në angazhimet për perspektivë evropiane, për hapat konkretë, në veçanti tash për liberalizimin e vizave dhe për dialogun me Serbinë.

“Për neve është me rëndësi jetike që të kemi një koordinim mes spektrit politik në Kosovë, një konsensus sa më të gjerë, sa më gjithëpërfshirës, në mënyrë që të jetë një angazhim i unitetit të qytetarëve, shoqërisë civile, politikës, partive, institucioneve. Gjithmonë kontributi i Shqipërisë ka qenë i mirëseardhur”, ka theksuar presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka thënë me tej se është jetike që faktori ndërkombëtar të jetë i koordinuar.

“Gjithashtu është jetike për neve që faktori ndërkombëtar të jetë i koordinuar, së pari Bashkimi Evropian të jetë unik, por edhe një koordinim i ngushtë mes Uashingtonit dhe Brukselit, në mënyrë që të jetë një proces i sigurt, i besueshëm dhe pastaj edhe i pranueshëm prej qytetarëve të Kosovës, i cili duhet të përmbyllet jo në aspektin teknik, sepse aspektet teknike i kemi diskutuar tash e nëntë vite 2011-2019, por të përmbyllet me njohje reciproke sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndërsa, Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ka shprehur mbështetjen e tij për presidentin Thaçi dhe për qëndrimet konsekuente në mbështetje të dialogut dhe në mbështetje të krijimit të unitetit në mes të të gjithë forcave politike në Kosovë.

“Është pikëpamja ime dhe e Partisë Demokratike se bashkërendimi midis gjitha forcave politike të Kosovës dhe bashkëpunimi i tyre vetëm e forcon dhe e fuqizon Kosovën me sfidat me të cilat po përballet aktualisht”, ka thënë Basha, duke vijuar me tej se si parti e orientimit euroatlantik thekson bindjen dhe besimin se bashkërendimi i ngushtë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian ka qenë dhe mbetet një parakusht për suksesin e çdo iniciative në raport me stabilizimin përfundimtar dhe perspektivën evropiane dhe euroatlantike të të gjitha vendeve të rajonit tonë.

“Shpreh bindjen së një bashkërendim i tillë do ta fuqizojë dhe do ta përshpejtojë procesin e dialogut me synim njohjen reciproke midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë”, ka thënë Basha. 

Lideri i opozitës së Shqipërisë ka shprehur mbështetjen totale të tijën dhe të Partisë Demokratike për të gjitha qëndrimet e krerëve të institucioneve dhe politikës në Kosovë.

“Shpreha mbështetjen totale timen dhe të Partisë Demokratike, të opozitës së bashkuar, për të gjitha qëndrimet e krerëve të institucioneve dhe politikës në Kosovë, në veçanti për ata që kanë sakrifikuar për 22 vite për lirinë e Kosovës dhe që ju duhet të vazhdojnë të sakrifikojnë në plan personal për të siguruar vazhdimësinë e fryteve të lirisë, pavarësisë dhe dinjitetit njerëzor për gjithë qytetarët e Kosovës, e në veçanti për presidentin Thaçi dhe për të gjithë bashkëpunëtorët e tij”, ka shtuar Basha.

Presidenti Thaçi e ka falënderuar kryetarin Basha për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por edhe për kontributin në procesin e konsolidimit të shtetit të Kosovës dhe atë të njohjeve ndërkombëtare dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

HOTI-BASHA: KOSOVA, VETËM DIALOG POLITIK ME SERBINË PËR NJOHJE RECIPROKE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti priti sot kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, me të cilin, pas takimit, mbajti një konferencë për media. Me këtë rast, kryeministri Hoti tha se ndihet i nderuar për prezencën e z. Basha sot, të cilin e quajti “mik shumë të shtrenjtë”.

“Unë sot isha i nderuar që bashkë me zëvendëskryeministrat dhe anëtarët e kabinetit të presim kryetarin e opozitës dhe mikun tim shumë të shtrenjtë, z. Lulzim Basha. Ndamë me të shqetësimet tona edhe për menaxhimin e situatës me COVID, edhe për çështjet e rimëkëmbjes ekonomike, dy prioritetet tona kryesore si Qeveri”, tha kryeministri Hoti, i cili njoftoi se e kishte informuar z. Basha në detaje për aktivitetet që po i bëjnë ekspertët shëndetësorë për menaxhimin e situatës me COVID, të cilën, fatmirësisht, ditëve të fundit kemi filluar ta sjellim nën kontroll.

Në fjalën e tij para mediave, kryeministri Hoti tha se e informoi kryetarin e PD-së, z. Basha edhe për aktivitetet që po i bëjmë për t’ju dalë në ndihmë bizneseve dhe qytetarëve, me një program të pasur të rimëkëmbjes ekonomike dhe për proceset e rëndësisë nacionale, siç është procesi i dialogut dhe proceset e tjera, nëpër të cilat po kalojmë si klasë politike në Kosovë dhe se ndau me të shqetësimet për këto procese.

“E falënderoj edhe një herë shumë për vizitën dhe për mbështetjen që gjithmonë e kemi pasur nga z. Basha personalisht në momente kyçe të shtetndërtimit të Kosovës, në funksione të ndryshme që ka pasur në Qeverinë shqiptare”, deklaroi kryeministri Hoti.

Ndërsa, lidhur me dialogun Kosovë–Serbi, kryeministri Hoti tha se ky proces ka filluar pas më shumë se 20 muajsh të bllokadës dhe se në ditët e para të qeverisjes sonë e kemi qartësuar platformën dhe qasjen tonë për procesin e dialogut dhe e kemi komunikuar me publikun, e kemi komunikuar me Kuvendin, me partitë opozitare me të gjithë.

“Është etabluar pozicioni i Republikës së Kosovës në këtë proces dhe është mirëkuptuar plotësisht nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Kemi filluar me Samitin e Parisit dhe me video-konferencën të dielën e javës që shkoi dhe mandej takimin e fundit në Bruksel të enjten, për dy tema specifike, duke ditur gjithmonë se cili është synimi final i procesit të dialogut që është vetëm njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve. Normalizimi i marrëdhënieve është derivat i njohjes reciproke. Çdo zgjidhje që ne e bëjmë në marrëveshjen finale për normalizim të marrëdhënieve duhet të jetë derivat i njohjes reciproke. Pra, si dy vende të pavarura se si i adresojnë çështjet që i kanë në mes tyre”, vijoi ai.

Siç e bëri të qartë kryeministri Hoti, dialogu është vetëm politik për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve dhe se të enjten është një takim tjetër në Bruksel, ku do të jetë prezent Koordinatori shtetëror për dialog, të cilin do ta emërojë së shpejti për të biseduar dhe për të draftuar marrëveshjen finale për njohje reciproke.

“Ky është objektivi ynë i vetëm në këtë proces. Çdo koment tjetër që dëgjoni, unë besoj që ose nuk janë të informuar plotësisht, ose dëshirojnë vetë t’i shtrembërojnë gjërat ashtu se si dëshirojnë ata. Sot, unë kam dërguar ftesat për takimin e nesërm për Forumin e liderëve të partive politike, gjithashtu kam dërguar shkresë në Kuvendin e Kosovës për ta informuar Kuvendin për Samitin e Parisit dhe për të gjitha zhvillimet deri më tash në proces të dialogut. Ashtu siç e kam thënë prej ditës së parë do të jem plotësisht transparent në këtë proces. Por, dialog teknik nuk ka. Ka vetëm dialog politik për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”, përfundoi kryeministri Hoti.

Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, e falënderoi kryeministrin Hoti për ftesën dhe për bashkëbisedimin shumë të hapur, miqësor dhe vëllazëror.

“Unë ndodhem gjithmonë me kënaqësinë shumë të madhe në Prishtinë që është në fakt edhe qyteti im i dytë pas Tiranës, jo vetëm për faktin se gjatë periudhës 2000-2004 kam jetuar, ka qenë shtëpia ime, por edhe sepse e bëtë të tillë me vendimmarrjen tuaj për  të më shpallur Qytetar Nderi të Prishtinës, para disa vitesh”, u shpreh kryetari i PD-së, Basha.

Z. Basha foli edhe për masat që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë për ta menaxhuar sa më mirë pandeminë me COVID-19 duke thënë se me pakon ekonomike që është njoftuar në raport me prodhimin e brendshëm bruto të Kosovës me buxhetin e Kosovës, një paketë e tillë e vendos Kosovën në krye të vendeve të rajonit dhe përbën një shembull edhe për Shqipërinë ku situata është po kaq kritike.

Ndër të tjera, z. Basha e përgëzoi kryeministrin Hoti për lidershipin dhe rinisjen e dialogut me Serbinë në shinat dhe kornizën për të cilën ky dialog u konceptua duke shprehur mbështetjen tij të plotë dhe të Partisë Demokratike të Shqipërisë në këtë përqasje parimore që, siç tha ai, ka dhe mund të ketë vetëm një përfundim, njohjen reciproke.

Po ashtu, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha ritheksoi se, se pas zgjedhjes së tij si kryeministër në zgjedhjet e ardhshme, vendimi i parë që do të ndërmarrë do të jetë heqja e taksës dhe traut në “Rrugën e Kombit”.

“Ky është vendim i padrejtë që rëndon në ekonominë e Kosovës dhe Shqipërisë dhe ngadalëson shkëmbimin ekonomik dhe shanset për bashkërendim të faktorëve ekonomikë mes dy vendeve tona”, theksoi z. Basha.

DEKLARATA E KRYETARES SË KUVENDIT TË KOSOVËS VJOSA OSMANI

Ishte kënaqësi që të mirëpres në shtëpinë e tij të dytë, zotin Lulzim Basha, Kryetarin e Partisë Demokratike. Natyrisht, që patëm një diskutim shumë të mirë për punët tona të përbashkëta, për sukseset që kemi arritur në të kaluarën, për frytet e këtij bashkëpunimi, për pozitat që ai mbante në të kaluarën, por edhe ashtu të flasim edhe si mund të rrisim këtë bashkëpunim më tutje. Natyrisht, që është e domosdoshme që Kosova edhe Shqipëria të bashkërendojnë veprimet e tyre në shumë aspekte. Ka aq shumë hapësira ku mund të përmirësojmë raportet tona bilaterale, qoftë në aspektin ekonomik, tregtar por mbi të gjitha ajo që diskutuam ishte bashkërendimin e raporteve tona ndërkombëtare, pra raporte me shtetet e tjera, sepse një bashkërendim në politikën e jashtme ndërmjet Kosovës edhe Shqipërisë, gjithnjë është treguar i suksesshëm, kur ai ka qenë i sinqertë edhe kur ai ka qenë në linjë të plotë me interesin e shtetit tonë edhe interesin e qytetarëve tanë. E falenderova zotin Basha për qëndrimin e tij konsekuent dhe të Partisë Demokratike dhe zërin e tyre të çmuar kundër ideve dhe aventurave të rrezikshme për ndryshim kufijsh. Është tejet e nevojshme që çdokush në Shqipëri të flasë me zë po aq të qartë kundër ideve të tilla, të cilat jo vetëm që shkojnë kundër interesit të Republikës së Kosovës, kundër sakrificës së shumëvjeçare të popullit të Kosovës për të jetuar në një shtet sovran dhe të pavarur, por edhe shkojnë kundër investimit ndërkombëtar që Kosova të jetë shtet i suksesshëm në kufijtë e saj aktual, si shtet sovran por edhe funksional përbrenda. Prandaj edhe njëherë mirë se keni ardhur në Prishtinë!  Shpresoj shumë që do të keni vizitë produktive dhe dyert e Kuvendit të Kosovës do të jenë gjithnjë të hapura për një bashkëpunim të mirë dhe të sinqertë me ju dhe natyrisht, me secilin qytetar të Shqipërisë.

DEKLARATA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA

Faleminderit zonja Kryetare. Për mua është nder dhe kënaqësi e veçantë që ndodhem sot në ambientet e Kuvendit të Kosovës dhe të pritem nga ju, në cilësinë e Kryetares së Kuvendit të Kosovës. Së pari, për atë që përfaqësoni si një drejtuese politike e brezit të ri, drejtuesja e dytë zonjë në drejtim të institucioneve kushtetuese të Kosovës, dhe, natyrisht edhe në rrafshin personal, për njohjen tonë për gati 20 vjeçare.

Është kënaqësi t’ju takoj sot në zyrën e Kryetares së Kuvendit dhe t’ju uroj edhe njëherë personalisht: Suksese në detyrën sfiduese të drejtimit të një nga institucioneve më të rëndësishme të Republikës së Kosovës.

Dua t’ju falenderoj, po kështu, për qëndrimet tuaja të qarta në mbështetje të axhendës së të gjithë forcave politike të Kosovës, sa i përket procesit të dialogut midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe t’ju rishpreh dhe njëherë ju, atë që shpreha dhe në takimet me Presidentin e Republikës dhe me Kryeministrin Hoti, se për mua dhe për Partinë Demokratike, për opozitën e bashkuar, mbështetja totale e axhendës së institucioneve të Kosovës dhe e forcave politike të Kosovës dhe e qytetarëve të Kosovës, është orientimi dhe parimi kryesor i qëndrimeve tona. Padiskutim, ne konsiderojmë se dialogu ka qenë, është dhe duhet të jetë rruga për të ecur përpara, porse objektivi i pandryshueshëm i këtij dialogu, është njohja reciproke midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Në këtë kontekst zhvillimet e këtyre 10 viteve të fundit na kanë mësuar me sukses edhe me sfida, ajo që është e rëndësishme është që siç jemi bashkë në gëzime, të dimë të jemi bashkë edhe në sfida, dhe në këtë kontekst ju garantoj se për ne është e qartë si drita e diellit, se ndihma më e mirë që Shqipëria mund të japë, ashtu sikundër në ditët e pavarësimit të Kosovës dhe njohjes së saj ndërkombëtare, apo të koordinimit të projekteve të mëdha infrastrukturore që bashkuan dhe  afruan vendet tona, duke çarë malet e duke bërë të mundur qarkullimin e lirë të njerëzve, ashtu dhe në sfidat e tanishme, roli i Shqipërisë sot duhet të jetë edhe nesër me patjetër do të jetë mbështetje totale për Republikën e Kosovës, për institucionet e Kosovës dhe për qytetarët e Kosovës, duke respektuar plotësisht pavarësinë, sovranitetin dhe duke bërë gjithçka për ruajtjen e integritetit territorial të Republikës së Kosovës si vlera dhe investime të përbashkëta kombëtare të shqiptarëve, si shprehje e vullnetit të drejtpërdrejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe si një investim esencial i partnerëve tanë Euroantlantikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, jo thjesht dhe vetëm për zgjidhjen e krizës së Kosovës, por për paqtimin e Rajonit të Ballkanit dhe integrimin e vendeve të Ballkanit dhe në NATO. Edhe një herë ju falenderoj nga zemra për pritjen e ngrohtë sot dhe ju uroj shumë suksese në detyrën tuaj!

Pyetje: Në këtë kohë pandemie sa janë të mirëseardhur kosovarët në Shqipëri gjatë turizmit, meqënëse e thatë se në Shqipëri është situata jo më mirë se në Kosovë, si dhe në anën tjetër në këtë kohë pandemie, a janë rritur çmimet, meqënëse ka goxha shumë ankesa për rritjen të çmimeve?

Lulzim Basha: Dua të ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i drejtohen plazheve të bukura të Shqipërisë që janë të hapura, janë edhe plazhet e Kosovës, plazhet e çdo qytetari të Republikës së Kosovës. Në këtë kuadër, kam pasur rastin javët e fundit të vizitoj nga Velipoja në Divjakë e në Vlorë e në Sarandë dhe jo vetëm kombinimi i nxehtësisë verore me bukuritë natyrore të Shqipërisë, por edhe çmimet që vërtet kam parë aty, më duket se përbëjnë një arsye më shumë për t’iu afruar dhe jo për t’iu larguar bregdetit shqiptar. Natyrisht, pandemia ka sjellë vështirësitë e veta si kudo në botë, por mund t’ju them në tërësi, sektori i mikpritjes turistike shqiptare është mëse i përgatitur dhe mikpritës ndaj pushuesve, dhe në këto kohë të vështira për fat të keq, sytë i kemi nga vëllezërit dhe motrat tona, qoftë pushuesit e Shqipërisë, pushuesit nga Kosova. Pushuesit shqiptarë apo pushuesit në tërësi të Maqedonisë së Veriut i kanë dyert e hapura. Nesër do t’i korrigjojmë disa gabime, siç është taksa e Rrugës së Kombit, por megjithatë, pavarësisht vështirësive të momentit, dua të përsëris ftesën time dhe thirrjen time drejtuar pushuesve nga Kosova edhe në emër të industrisë turistike shqiptare, operatorëve turistikë, që i kam takuar gjithë këto kohë: Ju presim me krahëhapur dhe shpresoj e besoj se do bëjnë më të mirën, që edhe pushuesit nga Kosova të ndihen, si zakonisht, në shtëpinë e tyre përgjatë gjithë vijës bregdetare të Shqipërisë.

BASHA NË TAKIM ME KURTIN: PD ËSHTË DHE DO TË JETË GJITHMONË NË KRAH TË KOSOVËS

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë vizitës në Kosovë ka takuar edhe liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, ku e siguroi këtë të fundit se me ardhjen në pushtet, PD do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës.

“Gjatë qëndrimit në Kosovë, ndava disa orë të këndshme me Kryetarin e VV Albin Kurti, ku diskutuam për të gjitha zhvillimet e rëndësishme ekonomike. politike dhe rajonale.

U ndalëm gjerësisht në bisedën tonë tek situata ekonomike dhe shëndetësore të shkaktuar nga pandemia e COVID-19. Është shumë e rëndësishme që të koordinojmë përpjekjet dhe të ndërmarrim nisma të përbashkëta, për sa i përket përballjes në aspektin shëndetësor të COVID-19, por edhe për situatën ekonomike, e cila ka sjellë probleme të shumta. Me fokus të veçantë nënvizuam rëndësinë e hapave që duhen ndërmarrë për të ndalur largimin e dhimbshëm të të rinjve, e për t’u krijuar atyre mundësi të punojnë dhe jetojnë në Shqipëri e Kosovë.

Ndamë të njëjtin mendim, se nevojitet një intensifikim i bashkëpunimit mes dy vendeve, projekte dhe nisma konkrete, dhe jo ide që mbeten në letër.

E sigurova zotin Kurti, se unë dhe Partia Demokratike e Shqipërisë, sot në opozitë dhe nesër në drejtim të vendit, do të jemi në krah të Kosovës, dhe maksimalisht të angazhuar për t’i ofruar çdo ndihmë, dhe për të marrë çdo vendim në mbështetje të saj.

Theksova rëndësinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, domosdoshmërinë e moscënimit të integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe arritjen e një marrëveshjeje që do të çojë në njohjen respektive, mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë”, u shpreh Basha, cituar nga Rilindja Demokratike.

BASHA NË SELINË E LDK-së

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në selinë e LDK-së: Investimi 30 vjeçar i LDK, si shtyllë e stabilitetit politik në Kosovë, do të përkthehet sërish në bashkëpunim me forcat e tjera politike për të arritur objektivat e përbashkët në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

DEKLARATA E NËNKRYETARIT TË LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS, AGIM VELIU PAS TAKIMIT ME KRYETARIN E PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA

Ne sot patëm kënaqësinë që në selinë e LDK, të prisnim Kryetarin e Partisë Demokratike, zotin Lulzim Basha me bashkëpunëtorët. Ne diskutuam në përgjithësi situatën aktuale që është në Kosovë në lidhje me Covidin, por edhe me zhvillime të tjera politike që janë zhvillime edhe brendapërbrënda Kosovës dhe zhvillimet që lidhen me pozicionimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Po ashtu, e diskutuam edhe bashkëpunimin tonë shumëvjeçar që, si parti simotra dhe anëtarë të Partive Popullore Europiane që jemi, është fjala për një bashkëpunim mëse 30–vjeçar dhe diskutuam për mundësitë e thellimit të këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

DEKLARATA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA

Falenderoj nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për pritjen e ngrohtë dhe vëllazërore, sikundër dua të përsëris edhe publikisht urimet e mij më të mira për rikuperimin sa më të shpejtë të Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës z.Isa Mustafa.

Në selinë e Partisë sonë simotër, Lidhjes Demokratike të Kosovës gjeta rastin të nënvizoj dhe njëherë vlerësimin tim dhe të Partisë Demokratike për rolin që kjo forcë politike luan si një shtyllë e stabilitetit politik në Kosovë, për investimin 30 vjeçar në pavarësimin, shtetformimin, demokratizimin dhe udhëtimin e Kosovës drejt objektivave të saj për antarësimin në NATO dhe në Bashkimin Europian, çka përbëjnë edhe shtratin e përbashkët të partive tona simotra, anëtare të Partisë Popullore Europiane dhe të Unionit Demokrat Ndërkombëtar. Sikundër shpreha besimin që ky investim 30 vjeçar, që e ka pajisur Lidhjen Demokratike të Kosovës me një përvojë të jashtëzakonshme dhe me një vlerësim mbarëqytetar, që kalon kufijtë e bindjeve politike të qytetarëve të Kosovës, duke nisur nga trashëgimia e Presidentit Ibrahim Rugova e duke vazhduar me investimin e LDK-së deri në ditët e sotme, do të arrijë të përkthehet në bashkëpunim edhe me forcat e tjera politike, në një të mirë për çdo qytetar të Kosovës e në veçanti për ato objektiva që kanë të bëjnë me përballimin me sukses të pandemisë së Covid-it, përballimin, në veçanti, të krizës ekonomike dhe pasojave sociale që kjo pandemi po sjell anë e mbanë rajonit e më gjerë, por, po kështu, edhe në plotësimin e aspiratave të qytetarëve të Kosovës  për lëvizjen e lirë në Bashkimin Europian dhe, natyrisht, për udhëheqjen me sukses të një investimi të përbashkët të institucioneve dhe faktorit politik të Kosovës dhe partnerëve tanë strategjikë të  Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, dialogun  me Republikën e Serbisë, me synim njohjen reciproke midis dy vendeve si një investim në të ardhmen europiane dhe euroatlantike të të gjithë vendeve të rajonit. Ju faleminderit!

HARADINAJ-BASHA: KOSOVA E SHQIPËRIA SË BASHKU NË RRUGËN EUROATLANTIKE, NË ALEANCË TË PËRHERSHME ME SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shkruar: Prita sot në takim vëllazëror kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, me të cilin diskutuam për zhvillimet politike në të dyja vendet dhe temat e interesit kombëtar. Vlerësuam se faktori shqiptar në tërë rajonin tonë po fuqizohet vazhdimisht, dhe se implementimi sa më i shpejtë i marrëveshjeve të nënshkruara mes Kosovës dhe Shqipërisë, përpos impaktit të madh në zhvillim ekonomik do t’i shërbenin forcimit të lidhjes sonë të pashkëputshme.Të dyja vendet do të vazhdojnë së bashku në rrugën euroatlantike, në aleancë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

LIMAJ-BASHA: BASHKËRENDIM MES TIRANËS DHE PRISHTINËS

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka shkruar: Pata nderin dhe kënaqësinë që sot në selinë e Nismës Socialdemokrate të pres në takim liderin e opozitës në Shqipëri, z. Lulzim Basha, me të cilin bashkëbiseduam për zhvillimet politik dhe nevojën e domosdoshme për bashkërendimin e aktiviteteve mes Tiranës dhe Prishtinës.

E njoftova z. Basha që Kosova është në një moment delikat e të rëndësishëm dhe për këtë na duhet bashkim dhe unitet i faktorit politik të Kosovës, duke përcaktuar qartë pikat që na bashkojnë në funksion të interesit shtetëror.

Gjithashtu, diskutuam edhe për dialogun Kosovë – Serbi, marrëdhëniet Kosovë Shqipëri, si dhe për identifikimin e interesave të përbashkëta për të cilat duhet të angazhohemi së bashku në arenën ndërkombëtare, në mënyrë që të kontribuojmë për unitet në vendet tona, ashtu siç ka qenë traditë deri më tani.

*Me shume fotografi shihni ne Facebook Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: Basha ne Prishtine, Shqiperia dhe Kosova

ARSHI PIPA, MISIONARI, POETI, STUDIUESI

July 20, 2020 by dgreca

Disa shënime rreth Arshi Pipës … me rastin e 100 vjetorit të lindjes-

Shkruan: Hektor Çiftja, Profesor i Gazetarisë, Universiteti Aleksander Xhuvani, Elbasan-*-

Në vend të hyrjes-

Ky muaj (Korrik 2020) shënon 100 vjetorin e lindjes së prof. Arshi Pipës. Si lexues i zellshëm i tij nuk mund të mos hidhja në kompjuter disa rreshta për këtë figurë që të cilën e çmoj lart, sidomos si studiues dhe si një përfaqsues dinjitoz i shqiptarëve që na kanë nderuar në kohëra në auditoret studimore dhe kulturologjike të perandorive kulturore. Dëshiroja të shkruaja një biografi të këtij studiuesi, jo aq një biografi të jetës private, gjë që tashmë na e ka sjellë me shumë seriozitet studiuesi Uran Kalakula, por një biografi që të dalë nga studimet dhe shkrimet e tij publike. Edhe për këtë kërkova të gjej ndihmë në vetë librat e Pipës dhe mu shfaq përpara një biografi e shkëlqyer që ai ka shkruar për Nolin në vitet e fundit të jetës së tij, në gjuhën angleze në revistën “Telos”. Por mu shfaq përpara edhe përmbledhja me poezi në disa gjuhë e vetë Pipës “Autobiography” e përfunduar në vitin 1988 dhe e publikuar nga shtëpia botuese PHOENIX në Tiranë në vitin 2000.

Dëshiroja ta përfundoja shkrimin në këtë muaj të 100 vjetorit të lindjes. E kuptova shpejt që iniciativa kërkonte shumë e më shumë kohë dhe shumë e më shumë nivel ekspertize nga ana ime. Vendosa atëherë të shkruaj vetëm për 3 gjëra: periodizimin e veprës së tij, konceptin e misionarit dhe raportin me komunizmin siç del nga kjo vepër.

Gjej rast t’i kërkoj ndjesë lexuesit për ngutjen në të shkruar dhe publikur. Entuziazmi, emocioni, e kishte mposhtur arsyen kur i kërkova studiuesve të ndonjë portali të më publikonin draftin, padiskutim të papërfunduar dhe krejtësisht të papërkryer. Por gjykova që ky shkrim i imi në këtë 100 vjetor të shërbejë si një tjetër ftesë për lexim, një tjetër ftesë për të mësuar nga personalitet të cilit, ndër të paktit e kulturës shqiptare i ka hije përcaktim “AUTOR”

Kronologji e jetës së Arshi Pipës

Në një nga shkrimet e tij mbi Konicën, Pipa shprehet: “jemi të mendimit se personaliteti i shkrimtari asht gjithmonë çelsi i artit të tij”[i]. Vetë vepra e Pipës gjithashtu mund të kuptohet më mirë dhe më qartë nëse vendoset në kontekstin e formimit akademik që ai mori dhe të kushteve sociale dhe historike, por edhe të vetë kushteve fizike që ai shkroi dhe komunikoi.

Në këtë shkrim do ti qasemi personalitetit shumëplanësh të tij duke e parë nga njëra anë si figurë të përmasave kombëtare, dhe nga ana tjetër, si figurë të përmasave ndërkombëtare.

Misionari

Arshi Pipa, në profilet eseistike të hershme që hartoi për Migjenin, Nolin, Fishtën, midis të tjerash përsërit me adhurim rolin e tyre prej “misionari”, misionarë në atdhetarizëm, misonarë në ndriçimin e popullit të tyre. Në të gjitha shkrimet e veta, duket se edhe vetë Pipa e adhuron dhe merr përsipër këtë rol misionari, por padyshim në kontekste dhe rrethana të tjera nga autorët e mësipërm. Si një studiues i shkolluar në filozofi në perëndim dhe me një vokacion të veçantë për filozofinë perëndimore ai nuk mund të bëntë gjë tjetër veçse ti shihte problemet e vendit të tij dhe të kulturës së vendit të tij nga një perspektivë shumë më e gjërë sesa një perspektivë thjesht kombëtariste. Megjithatë-siç shprehet vetë Pipa në studimin për Nolin- internacionalizmi i tij mbart në vetvete një komponent të mirëfilltë politik, i cili deri në ditët tona, ose është anashkaluar, ose është keqintepretuar.

Vepra e Pipës, qoftë kjo në poezi, eseistikë, fiolozofi, studime letrare, studime albanologjike dhe politologji karakterizohet nga:

1. një përkushtim ndaj çështjeve të natyrës atdhetare si ato që kanë të bëjnë me problemin kombëtar ashtu dhe me problemet e kombit shqiptar. Këto Pipa i shkruan në frymën e një edukimi që ai mendon se filozofi duhet ti japë popullit të vet, njëherë duke i mësuar se ç’është kritika letrare dhe shija apo gusti letrar, njëherë duke i i rrëfyer tmerret e burgjeve dhe të diktaturës; diku sesi duhet të kuotojnë komunizmin e diku sesi duhet ti lexojnë personalitetet e kulturës shqiptare

2. Së dyti, ideologjia përshkuese e të gjitha veprave të Pipës është një ideologji jashtëzakonisht demokratike dhe humanitare/ humaniste, e shprehur deri-diku hapur- si në “Skicë për konceptimin e jetes”- e diku si kuadër i të menduarit të studiuesit kur diskuton probleme të kulturës kombëtare dhe-si regull- përshkon pothuajse tërë veprën e tij. Kjo ideologji demokratike dhe humanitare/ humaniste ka të gjitha tiparet e një marksizmi të akademik perëndimor të shprehur në çështje të kulturës. Ndoshta e vetmja gjë elitiste tek ai është shija, apo gusti letrar, që origjinon tek talenti dhe kultivohet nga leximet e shumta e të mira (siç demonstrohet tek “Montale e Dante”), apo dhe nga mësimet e filozofëve të mëdhenj Bergson, Kroçe, Viko, De Sanctis etj

3. Volumi më i madh i veprës së tij përbëhet nga shkrime në të cilat problemet e kulturës shqiptare shihen nga një perspektivë multikulturaliste perëndimore: tek Migjeni heton ndikimet kulturorologjike, po kështu edhe tek De Rada, e njëjta gjë edhe në folklor. Duket se autorët shqiptarë më të adhuruar prej tij janë De Rada, Migjeni, dhe Noli, të tre këto shihen si manifesitime të multikulturalizmit të epokës dhe vendit nga vijnë, një multikulturalizëm/ sinkretizëm kulturor që në këto autorë shprehet me instrumente të letërsisë dhe poezisë, por është i hetueshëm edhe në personalitetin e tyre krijues.

4. Njëherazi, studimet në italianistikë, studime këto të sukseshme të bëra në universitetet amerikane dhe në gjuhën angleze provojnë se kjo prirje drejt multikulturalizmit, prirje që siç do të shohim ishte veçori e brendshme edhe e personalitetit të Pipës marrin një formë tjetër, krejtësisht ndërkombëtare.

Objektivi im në këtë paragraf është të skicoj një biografi intelektuale të Pipës përmes një analize kritike të shkrimeve dhe fjalimeve të tij. Për shkak të natyrës së kësaj eseje, do të prekim shkarazi fëmijërinë e tij të hershme dhe orgjinën e familjes së tij.

“më josh gjithmonë purizmi, duke qenë hibrid/

babai fliste çamërisht, nëna/

gegërishten e Shkodrës, ata nuk i përzien dialektet”.

Le të nisim duke shqyrtuar implikimet e metaforës në vargun “duke qenë hibrid”. Uran Kalakula, biografi i tij na tregon se i ati i Arshiut, Mustafa Nuri ishte nga Libohova, një nga qendrat më jugore të Shqipërisë. Edhe biografia e të atit na e tregon si një njohës të shumë kulturave, profesioni si jurist kishte bërë që të punonte dhe të jetonte në shumë qendra jo-shqiptare të perandorisë otomane. Madje pat qenë martuar edhe me një gjeorgjane, martesë nga e cila lindi Myzaferi, vëllai i Arshiut nga ana e të atit. Nëna a Arshiut i përkiste një familjeje tradicionale nga Shkodra, kryeqendra kulturore e Shqipërisë së veriut.

Kozmopolitanizmi i Pipës ka edhe rrënjë gjeografike. Ai u lind në Shkodër, qytet i njohur dhe simbol i ekzistencës dhe bashkëjetesës së kulturave. I tillë dhe u rrit, arsimin fillor e mori në shkollën e jezuitëve, shkollë fetare dhe ku jepej mësim me ngulm edhe kultura klasike, ndërsa pasditeve ndiqte mejtepin, një lloj arsimi fillor që ofrohej në mënyrë institucionale nga institucionet e besimit islam[iv]: një tjetër shembull i kulturave dhe edukimeve me rrënjë gjeografikisht ekstreme të sjella në një. Arsimin e mesëm parauniversitar e bëri në një institucion shtetëror po në Shkodër. Ai e rikujton kështu në poezinë e tij “Autobiografia”

I grew on the shores of the lake

where the Venetian fortress

casts an Ilyrian shadow.

Mottled history ruins my veins.

My grandmother who raised me

was a great storyteller.I recall

her tales, her rhymes,

her gentle voice,……….

U rrita në brigjet e liqenit

në të cilin një fortesë veneciane

hedh një hije ilire.

Historia me të gjitha ngjyrat dhe format rrjedh në damarët e mi.

Gjyshja e cila më rriti

ishte një tregimtare e jashtëzakonshme. I kujtoj

rrëfimet, rimat

zërin e saj të butë…

Preludio fiorentino (1939-1944)

Në librin e tij me poezi në disa gjuhë “Autobiografia”, periudhën e krijimtarisë së vet poetike që lidhet me kohën kur studioi në Firence, pra me vitet 1939-1944, Pipa e ka quajtur në gjuhën italiane “Preludio Fiorentino”, e cila e kryer në një shqipe të varfër do të nënkuptonte “preludi i periudhës në Firence”, me fjalë të tjera fillimi, ose pjesa e parë e një historie të gjatë jete dhe krjimtarie. Si periudhë të parë, Pipa konsideron vitet 1936-1938, pra kur ishte 16-17 vjeç. Ai i quan këto vite “Juvenilia” dhe ishte koha kur shkroi poezitë e librit “Lundërtarë” të cilin e botoi në vitin 1944. Gjatë kohës së studimeve në Itali, ai shkroi poezitë të cilat më vonë u botuan në vëllimin “Meridiana”, në vitin 1969[v]

Qëndrimin e tij në Firence, Pipa e kujton kështu në poezinë e tij:

At fifteen I read Marx.

About that time

I wrote my first poem, it won a prize,

the only one I ever got, it was agianst the war.

……………………………………….

My poems were for her angelic sister

I went to Florence uncertain what to study,

economics or literature.

The compromise was philosophy

……………………………………………..

……………………………………………..

These were the days when I was reading Lenin.

Unfortunately for him, I read last

his empiro-criticism book,

the result was brain constipation.

Idealism I regurgirated

by coping with Bergson. I was to appear

in black shirt and then to praise

his recent conversion to Christian mysticism.

I did neither one, thus igniting the wrath

of my Chatholic profascist adviser. I disconcerted

Garin by telling him what

philosophy had taught me: more love

for poetry, and a sence for style.

Kur isha pesëmbëdhjetë lexova Marksin,

shkrova poezinë e parë, kjo fitoi edhe çmim,

të vetmin që kam marrë ndonjëherë, poezia ishte kundër luftës

….

poezitë e mia i kushtoheshin motrës së saj engjëllore

Shkova në Firence, i pasigurt se çfare të studioja,

ekonomi apo letërsi

bëra kompromis midis të dyjave, zgjodha filozofinë

…

ato ishin ditët kur unë lexoja Leninin.

Për të keqen e tij, vepra e fundit që lexova ishte libri mbi kritikën ndaj empirizimit

si pasojë pata një kapsllëk mendor.

pa e ditur “pse-në” kalova tek idealizmi

në kohën që u mora me Bergson-in. Detyrimisht pastaj u shfaqa

ne këmishë të zezë e më pas lëvdova

konvertimin e tij në

mistikën kristiane.

në fakt nuk u pajtova me asnjërën nga këto, duke ndezur në këtë formë mëninë

e profesorit tim katolik dhe fashist. E çorientoja

Garin-in duke i thënë atë, dhe nj

që më kishte mësuar flozofia: më shumë dashuri

për poezinë dhe një ndjesi për stilin.

Jam i mendimit se edhe në skicimin e një biografie intelektuale dhe të Pipës, kategorizimi nën temrin “Preludio Fiorentino” qëndron. Kështu, duke dashur të bëj një klasifikim të studimeve dhe eseistikës së Pipës sipas periudhave, nën kategorizimin e mësipërm do të përfshiheshin të gjithë ato shkrime të cilat vërtet u botuan pak më vonë, në periudhën 1943, 1944, 1945, por kanë vulën e dallueshme të studimeve në Itali. Përmendim këtu “Për nji kritikë letrare”, Art e moral dhe vetëdije letrare”, “Shpirti kritik”, “Mbi përkëthimet”, “Bergson: Metafizikë e poezi”, “Paramnezija”, “Philosophia Perennis”, “Faik Konica”, “Bariu i Popullit”,”Shënime kritike mbi librin “Fan. S.Noli “Mall e brengë””, “Shënime kritike mbi librin “Israelitë e Filistinë”, “Fishta: njeriu dhe vepra”, “Historia e dhimshme e “shpirtit të ri”, “Nderim Migjenit”. Në përgjithësi këto esé janë parashtrime pikëpamjesh filozofike, janë profile personalitetesh shqiptare të kulturës, ose gjykime në fushën e kritikës letrare. Një numër relativisht i madh shkrimesh serioze, po të kemi parasysh harkun e shkurtër kohor (1943-1945), thellësinë e gjykimit dhe përkujdesjen e lartë për shprehjen artistike. Disa autorë si Ibrahim Rugova nuk kanë nguruar ti përfshijnë në historinë e kritikës letrare shqiptare.

Kur u shkruan këto esé, trualli i mendimit letrar dhe kulturologjik në Shqipëri kishte filluar të ishte shumë pjellor të paktën që nga mbarimi i Luftës së Parë Botërore. Personalitetet e mëdhej si Kuteli, Konica, Kokona, Merxhani e plot të tjerë kishin qenë mjaft aktivë dhe prolifikë në fushë të botimeve. Por këto shkrime të Pipës ranë në sy për thellësinë e mendimit, dhe sidomos për prezantimin në një kontekst imediat të kulturës dhe aktualitetit shqiptar të frymës së filozofisë së idealizmit italian në letërsi dhe arte. Pra këto shkrime janë me vlerë edhe për lexuesin e sotëm[U3] . Jam i mendimit se, nisur nga terreni pjellor kur u botuan, nga ndikimi mjaft i dukshëm i studimeve në Firence të cilat gjithësesi ndikonin në origjinalitetin, (edhe pse aspak në vlerën dhe performancën gjuhësore dhe stilistike) e tyre, nga mosha kur u botuan, (24 vjeç nuk është mosha më e përkryer për të dhënë maksimumin në studime letrare) si edhe duke gjykuar nga çfarë Pipa do të na jepte deri në fund të jetës së tij, këto shkrime pra janë vetëm kaq: një “preludio fiorentino”, por një prelud i mrekullueshëm i cili ka kapacitetin të provokojë dhe ngjallë edhe sot kënaqësi intelektuale.

Dallohen qartë në këto shkrime të Pipës disa tipare që i hasim dendur në të gjitha punimet e tij në moshe të pjekur. Së pari misionari atdhetar: ai shtron me forcë përpara shqiptarëve nevojën për një kritikë letrare, e argumenton dhe e përsërit dendur atë, shtron nevojën për përkthime të mira dhe shpjegon se çfarë kupton ai me këtë gjë, shtron nevojën për letërsi të mirë, diskuton dhe mbron me entuziazëm tezën e moralitetit në art, i shpjegon shqiptarëve se si zhvillimi kulturor vjen nga shpirti dhe fryma kritike, ju paraqet kush është Henri Bergson, filozofi që kishte pushtuar në atë kohë sallonet e Evropës dhe se çmendonte ai për të (“Morali dhe feja tek Bergson kishte qenë dhe teza e tij e laurës ne Firence), ç’është filozofia dhe si duhet kuptuar ajo në shkrime si “Philosophia perennis” e kështu me rradhë.

Le të vijmë tani tek profilet që ai harton për personalitetet e mëdhenj të kulturës shqiptare si Konica, Noli, Migjeni e Fishta. Përveç adhurimit që ai di ta shprehë hapur dhe me një përkujdesje të jashtëzakonshme për fjalën e bukur, nuk do të mungojnë edhe komentet, në shumicën e rasteve ato janë të natyrës etike. Konica do të qortohet duke thënë se

“…i mungonin Faikut ato ideale qi e derdhin njerín në nji humanitet ma të gjanë se bota e vetvehtes. Nuk gjejmë në tê hove dëshirash altruiste, zell apostulli(nënvizimi im, H.Ç).Konica roi e vdiq i pamartuem, nuk e njofti pra familjen si vlerë etike. Popullin aj s’e ndjeu afër tue qenë aristokrat. Fén e injoroi. Ndër idealet etik qi mund t’i epshin landë krijimit të Faikut, vetëm nji ngelte, atdheu. Atdheut aj i shërbeu si ma i madhi bir i tij. Vepra e tij atdhetare imponon nderim”

Ja pra çka çmon dhe kërkon Pipa tek të tjerët, dhe tek vetja, apostullin e popullit, demokratin, atdhetarin. Tek Noli shprehet se

” Arti për art” mund të ishte “credo-ja”e nji Konice. Formula e Nolit qe gjithmonë: “Arti për edukatë”

Këtë çmonte lart Pipa, artin në funksion të një shoqërie më të mirë. Noli do të lëvdohet në të njejtin artikull duke e quajtur “bariu i popullit”, pra misionari. Ai shprehet:

“Apostullati i tij zhvillohet rreth këtyre idealeve: atdhé e njerëzim”

I tërë profili që Pipa realizon për Nolin është një himn për vlerat e misionarëvë të atdheut dhe të misionarëve në emër të idealeve të humanizmit, ndriçimit mendor dhe demokracisë. Paragrafi me të cilin mbyllet “Bariu i popullit” e shpreh shumë qartë botëkuptimin e Pipës në këtë periudhë.

“Bota nuk asht edukue endé aq sa ta kuptojë politikën si një funksion t’etikës. Dhe deri sa makiavelizmi i pabesë do të vijojë me drejtue jetën e shteteve asht e kotë, asht e dhimbshme, qi njerzit e pastër të përzihen në politikë. Hipokrizia politike ka tallë e mashtrue gjithmonë idealet ma të naltat njerëzore. Ata qi ma tepër e kanë dashtë njerëzin, ata janë kryqëzue prej saj. Humanitari ti rrijë lark intrigavet të sundimit, të vazhdojë apostullatin e tij në heshtje e durim. Filozofia të qindrojë aty ku e këshilloi ati i saj i madh, në fushën e pastër të mendimit e prej andej të lëshojë dritë- O kohna të republikës së Platonit ku filozofi drejton shtetin! Ju jeni gjithmonë larg!…”

Ne profilin tjetër “Fishta: Njeriu dhe vepra”lexojmë:

“Ai e deshti atdheun më të tanë fuqinë të djegun nga malli i lirisë, i këndoi dhe i madhnoi malet përmendore t’amshueme të vërtyteve të fisit shqiptar. Atdheu për te qe ba nji ideal i dyfishtë: më njenën anë ishte nevojë e shpirtit të tij të gjanë, e i ngjallte pezmatim për padrejtësinë qi i bahej Shqipërisë prej të huejvet, ishte ngjitja e mishnueshme e arbnorit për trojet e veta, për amblësinë e votrës qi Fishta aq pak e njofti, ishte ngushullim, mandej qi vinte nga shpresat, ngushullim për vehte e për popullin jetim qi mirë e ndiente mungesën e lirisë”

Është paragrafi i mësipërm një tjetër ilustrim se çfare shihte Pipa si vlerë tek të tjerët, por edhe se çfarë kërkonte tek vetja në këtë periudhë. Profili mbi Migjenin nuk është më pak ilustrues në këtë drejtim[xxiv]. Ja si e komenton, midis të tjerash, Pipa poezinë e Migjenit “Rezignata”

“Dhe nuk ka randsi fati i mjerë i apostullit,(nënvizimi im H.Ç) por asht e tmerrshme me vrejtë se si mundimet e tija për të mirë e njerzis dështojnë tue mbarue ndër lotë qi shtojnë mjerimin e botës.”

Edhe një herë na del si vlerë etike të qenit apostull për njerëzimin dhe popullin. Këto ishin vetëm disa nga shembujt e shumtë që gjenden në këto proza dhe që na ilustrojnë kuadrin etik të të menduarit të Pipës të atyre viteve.

Por ka edhe më. Në të gjithë shkrimet e kësaj periudhe Pipa këmbëngul në cilësinë e stilit dhe të fjalës. Këtë e deklaron shumë shpesh si kur flet për kritikën letrare ashtu edhe kur merret me profilet e autorëve të medhej. Për Pipën të kuptuarit e artit është i pandashëm nga të kuptuarit e personalitetit të shkrimtarit dhe njëherazi nga karakteri prej misionari që shkrimtari duhet të ketë. Por këto gjykime të Pipës do të trajtohen edhe njëherë gjërësisht në shkrime të tjera kur të flasim për ndikimin që filozofia e idealizmit italian në letërsi pati në veprën e tij.

Burgu (1946-1956)

Prison chastised my arrogance of freedom,

wiping out my elitis left-overs,

brutish life gave relish to life,

and forced labor taught me what labor is

…..

Periudha e kaluar në burgjet shqiptare padyshim që ishte periudhë vuajtjesh që vështirë mund të përshkruhen me saktësi. Po për Pipën ishte edhe një periudhë në mbarim të së cilës ai la tre vepra signifikante: “Libri i burgut”, poemën tregimtare “Rusha” botuar në Mynih në 1968, dhe “”skicë e një konceptimi për jetën” dhe “Mbi gjeniun”, botuar të dyja mbas vdekje.

Periudha e burgut, kuptueshëm, la një gjurmë shumë të dukshme në veprën e Pipës. Por gjithashtu, në këtë periudhë u bënë më të theksuara disa tipare të botëkuptimit të Pipës që i kemi përmendur më sipër. Tek “Autobiografia” (1989) ai shkruan”

….

Prison chastised my arrogance of freedom,

wiping out my elitis left-overs,

brutish life gave relish to life,

and forced labor taught me what labor is.

It was in prison I studied Espinoza

in the original my sister sneaked in,

the volume bound with a Stalin cover.

Sharing suffering with all sorts of people

humbled my pride, gave me a chance

to broaden my humanity’s scope

and then reach out and beyond.

Family deaths paved the way.

….

….

Burgu e goditi fort arrogancën e lirisë sime,

hoqi tutje ato mbeturina elitiste

Jeta mizore e ringjalli vetë jetën tek unë,

dhe puna e detyruar më mësoi se çështë puna.

Në burg studiova në origjinal Espinozën

që motra e kish futur vjedhurazi,

libri kishte Stalinin në kopertinë.

Duke ndarë vuajtjen më të gjithë llojet e njerëzve

krenaria ime u bë më e përunjur, pata dhe rastin

të kuptoj se çështë humanizmi

të dal mbi veten, të shkoj përtej saj.

Vdekjet në familje e shtruan këtë rrugë

…………

Mëse një herë Pipa i fton lexuesit që shkrimet e tij të të gjitha natyrave ti lexojnë edhe si shkrime autobiografike. Kemi pra arsye që edhe esetë e tij “Skicë për konceptimin e jetës” dhe “Mbi gjeniun” ti shqyrtojmë duke hetuar ato elementet që kanë të bëjnë me biografinë e tij intelektuale.

Në fakt “Skicë për konceptimin e jetës” e cila u shkrua tërësisht në burg, në kushte aspak akademike, është një traktat i mirëfilltë filozofik. Autori e nisi si vazhdimësi të punimit “Morali dhe feja tek Bergson”, por në fakt e përfundoi si një punim filozofik më vete.

…Unë doja, në fillim, të bëja një përmbledhje të “Dy burimeve të Moralit dhe Fesë”, duke ja shtuar si një kapitull plotësues të paraqitje së filozofisë bergsoniane hartuar nga S. Caramella, sepse kjo paraqitje ishte ndalur tek evolucioni krijues dhe nuk i përmendte fare “Dy burimet e Moralit dhe Fesë”. Por duke u përpjekur të kujtoj me mend përmbajtjen e tezës sime, u detyrova ta rishikoj pozicionimin tim të atëherëshëm. Dhe duke u shmangur pjesërisht nga teza ime rinore, ose më mirë duke e tejkaluar atë, fillova të mendoj përse Bergson-i nuk i kënaqte kërkesat e mia morale me zgjidhjen e bërë në atë vepër, e përse, në përgjithësi, nuk më kënaqte filozofia e tij. Kështu, nga kritika, kalova në një qëndrim personal në lidhje me problemin moralo-fetar. Dhe, meqenëse moraliteti më dukej shprehja themelore e shpirtit, si një sintezë në veprimin moral të mundësive njerëzore reale dhe ideale të jetës së arsyes, kam kaluar te një shqyrtim i jetës së gjithë shpirtit, duke arritur te një konceptim personal për jetën dhe realitetin…

Diskutimi dhe kritika e “Skica…”, këtij traktati të mirëfilltë filozofik, shkon përtej synimit të punimit tonë. Nga ana tjetër, koha relativisht e vonshme e botimit të saj-2011- nuk ka qenë e mjaftueshme për të dëgjuar fjalën e specialistëve dhe akademikëve. Po le ta lexojmë këtë punim të shkruar dhe përfunduar në burgun e Burrelit në vitin 1955 për të parë kuadrin e të menduarit të Pipës gjatë dhjetëvjeçarit në burgjet e dikaturës.

Në parathënien e “skicë…” lexojmë:

“…

Pastaj erdhën vitet e gjata të burgut tim.

Kohët e para, nuk kam mundur të përqëndrohem aq sa duhej, që të mund të mendoja në kuptimin e mirëfilltë. Me mendimin gati të humbur në labirintin e vështirësive që pengonin studimin seroz dhe në anën tjetër, duke jetuar, i detyruar nga domosdoshmëria e ngutshme e momentit, në një fluks të rrëmujshëm emocionesh politike dhe, më në fund, duke mos pasur kthjelltësinë e shpirtit, shkaktuar nga një sërë fatkeqësish familjare, për të mos përmendur këtu arsye të tjera të rëndësishme, më shumë personale, më është dashur për të gjitha këto, të jetoj larg filozofisë. Jam ngushëlluar me artin, duk u shprehur në të, (këtu duhet ta ketë fjalën për poezitë e “Librit të burgut”-shën.im. H.Ç.) si dhe me studime të një angazhimi më të vogël (ndoshta e ka fjalën për “Letër didaktike”, një vepër e cila ka humbur dhe që e përmend Uran Kalakula në biografinë e tij. Po në këtë kohë kemi edhe përmbledhjen folklorike “Satira popullore shqiptare”, edhe kjo e humbur.-shën. im. H. Ç. ).

Kam jetuar e ndier më shumë sesa kam menduar”

Mbas këtij përshkrimi dhe arsyetimi për vitet e burgut që gjejmë tek “Parathënie e autorit” në traktatin “Skicë…” vjen një tjetër pohim mjaft domëthënës për të kuptuar kuadrin e tij të të menduarit në dekadën e burgut:

” Dhe, nësë kam menduar dhe reflektuar për diçka, ky ka qenë problemi moral, i cili më është imponuar si një domosdoshëmri më e madhe, sa më shumë që kërkoja të orientohesha në vendin ku po mbytesha, për të shpëtuar veten nga rreziku tepër kërcënues, në një jetë me kushte shumë të këqija, nga degjenerimi, nga kafshëzimi. (Nën. im. H.Ç. ). Jam reflektuar në fytyrën e shokëve të mi të dhimbjes dhe jam trembur, jam tmerruar. Një herë pata jetuar në Olimpin e mendimit të kulluar dhe të poezisë së kulluar. I tërhequr pastaj në vorbullë e jetës, ajo më kish fundosur në ferr. A do ta kisha imagjinuar ndonjiherë që njeriu, kjo qënie që zoti e krijoi sipas shëmbëlltyrës së vet, mund të jetë kaq afër kafshës? Tashti po e kuptoja se ç’domethënie kishin ato hyjni pagane, gjysmë njeri e gjysmë kafshë, si centaurët e sirenat!…

Në burg kam njohur gjithë poshtërsitë e njeriut, gjithçka që është trashëgim shtazor tek ai, nga egoizmi i egër, që arrin të urojë vdekjen e shokut për t’i vjedhur bukën, tek frika e marrë shtazore, që errëson jo vetëm arsyen, por deri edhe ndjenjat.

Por në këtë ferr shëmtie kan ndeshur, si një oaz të vërtetë në mes të shkretëtirës, shpirtin e pastër, të butë, fëmijëror, çiltërsinë e virtytshme, dhe pranë tyre Farinata-t dhe Kapaneus-at e kohëve tona.

Kam njohur kështu nga eksperienca ime të mirën dhe të keqen, të gjitha shkallëzimet e këtyre. Edhe po të kisha jetuar njiqind vjet, kurrë nuk do të kisha mundur të mbledh kaq të korra me kaq shumë varietete psikologjike.”

Kur lexojmë deri kaq në një parathënie të një traktati filozofik, vjen natyrshëm pyetja se si lidhen këto përvoja me atë se çfarë shkruan dhe mendon një i burgosur politik i cili ka studiuar filozofi dhe letërsi. Përgjigjen Pipa e jep menjëherë:

” Dhe, nëse nga njëra anë kjo eksperiencë ka kaluar në art (me siguri tek “Libri i burgut” dhe “Rusha”-nën.im. H.Ç.) në anën tjetër kjo ka ushquer dhe mbarsur mendimin tim (nën. im. H.Ç.).

Pak nga pak kthjelltësia është kthyer: mbi fundin e rëgjyrtë të mjerimit e të dhimbjeve të përditshme, është ngritur si një ylber mendimi i rigjallëruar.

Është ngritur mbi një burg. Kanë prangosur trupin tim, por nuk kanë arritur të prangosin mendimin tim. Dhe-gjë vërtetë e mrekullueshme-kur trupin tim e kanë bërë pothuajse një kufomë, atëherë mendimi ka fituar lirinë.

Le të vazhdojmë edhe me një ilustrim tjetër për të treguar se në ç’mënyrë dhe cila përvojë është transfiguruar në produkt të shkruar filozofik:

“Më kanë mbyllur në burg të vuaj.Unë nuk u mbaj mëri atyre që më kanë bërë të vuaj, madje i falenderoj, dhe sinqerisht. Ka të drejtë të mallkojë vuajtjen ai që shtypet nga ajo. Por ai që e mund, do të duhej ta bekonte. Ndërsa njëra degjeneron në vuajtje, tjetra ripërtërihet. Poshtë ajo të çon tek krimbi, lart te hyjnia.

Asgjë e madhe s’është bërë kurrë në botë që të mos ketë lindur, të paktën pjesërisht, nga vuajtja. Pisha e madhërishme malore i ka rrënjët në shkëmb; sa i është dashur të lodhet që të arrijë deri atje! E përse shkëlqen nga ai gëzim i pastër qiellor balli i shenjtorit? Përse ka kaq ëmbëlsi në melodinë e dhimbjes, më e lartë edhe se melodia e gëzimit? Një element dhimbjeje është i domosdoshëm për kompozimin e vetë gëzimit. Vuajtja pastron dhe shenjtëron. Ose, si tha Beethoven-i: “Durch Leiden Freude!” . (“Gëzim nëpërmjet shimbjes”-shën.im. H.Ç. )

Kemi dhënë me citimet e mësipërme disa dëshmi se përse mendojmë se “skicë…” mund të shihet si edhe ditar i mendimeve dhe bindjeve të Pipës gjatë periudhës së burgut. Kujtojmë edhe një herë se kjo vepër është shumë më tepër se kaq: së pari është një vepër e mirëfilltë filozofike, për vlerat e së cilës duhet të flasim ekspertët, është një vepër mbi filozofinë e artit, gjë që do ta trajtojmë më gjërësisht kur të flasim për ndikimet që idealizmi italian pati në kuadrin e të menduarit të Pipës. Por, kjo është patjetër edhe një ditar ndjenjash, mendimesh dhe creod-je personale e shprehur me një gjuhë mjaft të arrirë. Po cilat janë ato elemente të credo-s jetësore të Pipës të cilat do të na ndihmojnë edhe për të kuptuar veprën e tij të mëvonshme studimore? Gjejmë në këtë traktat filozofik pohime të plota dhe të shtjelluara për

patriotizmin dhe internacionalizmin, për familjen si vlerë etike , për humanizmin si vlerë dhe përkushtim

për artin si formë supreme e të shprehurit e cila duhet të jetë në funksion edukativ, në kuptimin që i japin estetët kësaj fjale.

Përpara se të japim dhe të diskutojmë shembuj ilustrues për sejcilën nga këto vlera, nënvizojmë paraprakisht se nuk gjejmë në këto pohime zhvendosje apo luhatje në vlerat morale që Pipa deklaron në shkrimet e dy fazave të para të krijimtarisë së tij, përkundrazi, edhe nëse ndonjë vlerë shprehet e paqartë në periudhën përpara burgut, gjatë dekadës në fjalë nuk gjejmë zhgënjim, por përforcim dhe konsolidim të besimeve. Kështu, nëse tek profilet në revistën “Kritika” hasim një preokupim për patriotizmin si vlerë etike mbasi Noli, Migjeni, Konica, Fishta komentohen nisur nga mënyra sesi i shërbejnë atdheut, tek “Skicë…”shprehet besimi tek atdhedashuria si një vlerë e mirëfillte, si një vlerë në vetvete, madje edhe si detyrim moral.

” …shprehja e veprimit në këtë stad është veprimi patriotik. Ai që e do atdheun e vet me ndjenjë, do ta dojë ashtu siç është, me të gjitha vlerat e tij, por edhe me të metat e tij: do të egzagjerojë të parat dhe do të nënvlerësojë të dytat. Nëse do të jetë i aftë të bëjë një dallim ndërmjet këtyre përbërësve dhe t’i vlerësojë siç e meritojnë, kjo do t’i detyrohet ngritjes së tij personale, jo simpatisë shoqërore: arsyes më shumë se simpatisë. Kjo rrugë të çon tek barazia.

Patrioti i përkryer do ta dojë atdheun deri në atë pikë, sa mund të sakrifikojë edhe jetën për lavdinë e tij. Me këtë sakrificë supreme ai vërteton në mënyrë të prekshme se domëthënia e thellë e vetvetes nuk qëndron brenda kufizimit të trupit të tij, por në atë të atdheut të tij. Egoizmi individual është mundur përfundimisht. Dhe, në të njejtën kohë është mundur çdo pozicion i mendimit që përpiqet t’ja bashkëngjisë veprimin egoizmit…

Por Pipa ka ide të qarta për marrëdhënien midis patriotizmit dhe besimit fetar. Në citimin e mëposhtëm do të shohim një sistem vlerash të cilin do ta hasim të shtjelluar edhe më gjatë kur të flasim për gjykimin që Pipa ka për elementet ideologjikë qe gjejmë në personalitetin e Fan Nolit

Patriotizmi mund të jetë i përzier me besimin. Kur besimi është kombëtar,-ashtu siç qe në rastin e popullit hebre dhe siç është tek populli japonez,-besimi e thith patriotizmin, i cili hyn tek ai si një faktor, më i rëndësishmi i faktorëve. Por, nëse besimi është mbikombëtar, (nën.im.H. Ç), prirja do të jetë që patriotizmi ta nënshtrojë besimin (nën.im.H. Ç). Kështu mund të ndodhe që dy kombe të të njejtit besim, të bëjnë luftë. Dhe mund të ndodhë që vetë patriotizmi të ngrihet në vlerë fetare; elemetët nuk i mungojnë për këtë: sakrifica e jetës merr gjithmonë një domethënie fetare dhe adhurimi i martirëve, këtu, ashtu si tek besimi dhe në çdo sferë tjetër, mund të ngrihet në dinjitet kulti, fakt ky që është praktikuar shpesh edhe në kohët e fundit. Dhe shpjegohet tashti sesi, për kombe të përbërë nga elementë të besimeve të ndryshme, vetëm patriotizmi mund të përfaqsojë tërësinë e veprimit. Vlera lartë e patriotizmit dhe humanizmi i tij i ngrohtë e drithërues nuk duhet, pra, të nënvlerësohen: ndjenja e atdheut është ende e veçantë për njerëzimin, egoizmi në të vazhdon të egzistojë. Por, sa më e lartë është kjo formë e egoizmit kolektiv të jetës kombëtare ndaj egoizmit meskin të individit? Kufizimet e këtij të fundit janë thyer përfundimisht, edhe pse kufizime të tjera, më të gjëra,janë ngritur. Mirëpo, qëllimi i njerëzimit, aty ku të gjitha pengesat do të thyhen, tashmë po duket. Atë që besimi s’mundi ta bëjë, do ta bëjë ndjenja dinamike patriotike e pastruar si duhet. Rruga drejt njerëzores nuk kalon nëpërmjet besimit, por nëpërmjet atdheut (nën.im.H. Ç)

Siç e kemi parë tek revista “Kritika”, por siç do ta shohim edhe tek shkrimet e periudhës së mëvoshme, Pipa, tek personalitetet e kulturës kërkon gjithmonë të hetojë dhe të diskutojë një dimension etik, dhe ky dimension i përhershëm është të qënit apostull në marrëdhënie me bashkëkombësit, e veçanërisht të qënit apostull i kulturës. Nga ana tjetër, edhe shkrimet e mëvonshme të periudhës së mërgimit dhe të atyre që korespondojnë me qëndrimin e tij në Sh.B.A, mund të kuptohen më qartë nësë presupozojmë se kuadri i të menduarit dhe të besuarit të Pipës ka qenë ai i një apostulli për popullin e tij. Tek “skicë…”, kjo del e qartë në trajtimin filozofik që Pipa i bën konceptit të gjeniut:

“… Unë kam menduar ta tejkaloj njeriun, jo te ndonjë “mbinjeri” imagjinar,as te një lloj specie e re, që ndoshta egziston tjetërkund, por jo në planetin tonë: por te vetë njeriu, tek ai njeri që quhet gjeni, që në fakt përfaqëson idealin, që është njëherazi real dhe ideal. Unë kam synuar jo tek ajo që është, por tek ajo që duhet të jetë, jo tek natyra, por tek tejkalimi i natyrës mbi vetë natyrën…

…

Dhe nëse e kam dëgjuar zërin e gjeniut, nëse e kam bërë timin mesazhin e tij, e kam bërë këtë ngase atje kam dalluar vetë zërin e njerëzimit, por të zmadhuar, të fortë, të qartë, sepse tek gjeniu kam dalluar atë që është më e mira tek unë, jehonën e shpirtit tim, aspiratën time të paqartë, që tek ai është qartësi lëbyrëse, nevojën e gjithë qënies sime për të marrë pjesë në ato vlera që i japin kuptim jetës sime dhe që tek ai gjenden në përmasa heroike, kurse tek unë në përmasa normale“

Dhe më poshtë vjen ajo çka në e quajmë “apostullat” tek Pipa.

“…dhe e kam dashur sinqerisht këtë njeri të populit, edhe pse injorant, edhe pse i keq, sepse shpesh nuk është faji i tij që është i keq e aq më tepër i paditur; unë e kam afruar, për ta mësuar (nën.im.H. Ç), për të çliruar tek ai arsyen e prangosur, dhe për ta zhvilluar; edhe pse ishte i keq, kam dashur ta edukoj, që të kuptojë se çështë e mira, dhe për të mbjellë në shpirtin e tij, edhe pse të pabindur, me durim, me dashuri, ato fara mirësie nga të cilat do të lindë shëlbimi i tij. “

Por çfarë kupton Pipa me edukim të njerëzve, të popullatës. Natyrisht jo thjesht mësuesinë, por atë që u mundua të bëjë vetë nëpërmjet shkrimeve dhe atë që priste nga personalitetet, kur shkruante për to: Ai priste edukimin e virtytit në kuptimin më të gjërë të kësaj fjale

“Çdo njeri është i aftë të jetë i virtytshëm, dikush për hir të një prirjeje të natyrshme, dikush tjetër për hir të edukimit. Të parin duhet ta udhëheqësh, të dytin ta riformosh ose ta ndryshosh. Unë i besoj edukimit, madje ( e theksoj),duke e bërë edukimin, në kuptimin më të gjërë të fjalës, jo vetëm momentin metodologjik të moralit, por vetë moralin në veprim, në të dy polet e tij, individual dhe masiv,si pedagogji dhe politikë (nën.im.H. Ç). Dhe nuk më shkurajon fakti se ligësia është aq e madhe në këtë botë, saqë edukimi nuk merr shumë pah. Unë e di se njerëzimit i janë dashur miliona vjet që të bëhet kështu siç është: një përzierje e së mirës me të keqen-ku mbizotëron kjo e fundit- dhe se edukimi nuk mund të gërryejë aq lehtë bërthamën e tij; se duhet kohë, shumë kohë, për të zhbërë e për të ribërë çka është bërë më parë; se, nga si është, tek si duhet të jetë në jetë, është një rrugë e gjatë dhe frytet e edukimit piqen vonë, ashtu si ato të pemës së ullirit. Por, që edukimi është i efektshëm, që ai mund ta riformojë njeriun, që mund, në mos ta çrrënjosë, të paktën të bëjë që të heshtë tek ai kafshëria, kjo është fare e qartë….”

Pipa është i qartë dhe mjaft realist në atë se çfarë pret nga vetja dhe të tjerët. Citimi i mëposhtëm shpreh qartë edhe vlera të tjera të cilat përbëjnë credo-n e Pipës dhe që do të reflektohen siç do e shohim në kapitujt që do të vijnë edhe në gjykimet e tij letrare siç ndodh kur flet për Kadarenë apo edhe për Nolin.

“Fanatiku i mendimit të kulluar mund ta kalojë tërë jetën duke shkruar libra, duke zbrazur herë pas here kupa kafeje për të nxitur trurin. Por kjo nuk është rruga e drejtë.

Kam një familje me të cilën jam i lidhur, me lidhje mishi e gjaku: do të filloj nga përmbushja e detyrave të mia të familjes. Dhe mund ti përkas një grupi shoqëror, një kishe apo një partie politike, që më imponojnë detyra edhe më të gjëra. Dhe, nëse s’kam kishë apo parti, kam sigurisht atdhe. Prindërve të mi u detyroj qënien time si person fizik, atdheut personin tim moral.Vetëm një qënie e pamoralshme mund të shmanget nga detyrimet e tij ndaj atdheut: mosmirënjohja këtu prek imoralitetin (nën.im.H. Ç)”

Arshi Pipa, në shumë shkrime të veta flet për një përmasë të humanitetit, një përpasë kjo që ai e heton dhe e përdor kriter vlerësimi pothuajse për të gjithë autorët që shkruan. Se çfarë kupton ai me “humanitet” apo “njerëzore”, shprehet më poshtë tek “Skicë…”

“Njerëzorja nuk është vetë një ideal formal, një “ide” që rri varur në ndonjë qiell të utopisë e pret ta zbresin në tokë; njerëzorja ka një përmbajte të përcaktuar mirë, të gjallë, të zjarrtë, e cila përbehet nga përmbajtjet e ndryshme etike, ashtu siç janë realizuar në histori, me diçka më tepër, që është fryma universale, vula e përhershme e shpirtit. Njerëzorja fillon nga familja, për të përqafuar të gjithë specien; ajo gjendet tek dhimbja e shenjtë e nënës, ashtu si tek devotshmëria ndaj kauzës vetjake; tek sakrifica e jetës së martirit për atdheun, ashtu si tek ajo e Giordano Bruno-s për idealet e shkencës. Dhe, sigurisht, në këtë formën e fundit ajo arrin një intensitet të atillë, sa që, vetëm kur e mendon, të duket se gjoksi po të shpërthen nga emocioni. Njerëzorja, në çdo akt njerëzor që ka vulën e universales dhe të së përjetshmes, të udhëheq te tejkalimi i vetvetes.

Tek “Mbi gjeniun”gjejmë një tjetër pohim:

…Patriotizmi është një ndjenjë fisnike me frymëmarrje të gjerë; por ka të metën se është i pjesshëm. Atdheu qëndron përballë njerëzimit, si pjesa përmballë së tërës. Veprimi nuk mund të jetë i plotë derisa të mos e arrijë të tërën. Këtë e arrin veprimi moral, i cili vulos universalitetin dhe vazhdimësinë. Dhe, sigurisht, njeriu i zakonshëm është i zoti ta realizojë veprimin moral, kur përdor mirë arsyen…

Kjo paraqitje me shembuj dhe citime nuk kishte ndopak synim të përshkruante “Skicë…” si një traktat filozofik. U munduam ta trajtojmë atë si një ditar mendimesh i mbajtur në burg. Nga ana tjetër, elementët që kemi vënë në dukje janë mjaft ilustrues për të demonstruar ato vlera etike që do të bëhen kuadri i të menduarit të Pipës me të cilin do të përpiqemi, në shkrimet e tjera, të krijojmë një sistem të profilit më të gjërë studimor të tij.

Periudha e “Mërgimi-t” (1957-1965) si edhe e qëndrimit në “Sarajevë (1957-1958)

“…larg atdheut, prej të cilit auktori u-detyrue të ikë, qi të mundet pikërisht me ba dhe me botue libra të këtillë. Ai nuk asht i sigurtë se do t’i premtojë jeta për me hy edhe nji herë n’atdhe. Por asht i bindun se librat e tij do të hyjnë. E asht i bindun gjithashtu se lycej klasikë prap do të ketë në Shqipni”

Në burg Pipa preku ekstremin e vuajtjeve fizike dhe shpirtërore. Në vend që të dobësohej siç ndodh rëndom në raste vështirësish dhe fatkeqësish, u përforcuan tek ai karakteristikat e humanitarit. Në Sarajevë, ku vendoset mbas arratisjes, i rikthehet letërsisë romake. Mbas humanitarit pra, vjen humanisti. Përktheu një tufë lirikash latine, dhjetë autorë, njëqindeshtatë poezi, 2204 vargje. Duke dashur “t’a lajë ma thellë vulën e mendjes së vet”shkruan edhe nja 35 faqe “Prospekt historik i lyrikës latine/ Shënime mbi lyrikën popullore”. E për më tepër, pothuajse çdo poezi shoqërohet me komentin e përkthyesit, shpjegimet kanë të bëjnë më metrikën e poezive dhe me kontekstin kulturor dhe historik të tyre. Kemi pra më shumë sesa një përkthim.Kemi adhurim për kulturën klasike, për vlerat që trasmetonte ajo, shohim pra, tek Pipa, Humanistin. Përveç kulturës personale dhe njohjes së thellë të letërsisë antike ai shfrytëzoi, siç mesojmë në shënimin në kopertinë të vëllimit, edhe Bibliotekën Popullore të Sarajevës dhe Bibliotekën e Seminarit të Latinishtes pranë Fakultetit të Filozofisë së Sarajevës. Bashkëpunon atje me studiuesin e njohur të latinishtes Petar Pejôinovic.

Antologjia “Lyrika Latine” në aspektin kronologjik vjen menjëherë mbas “Skicë për konceptimin e jetës…” të shkruar në burgun e Burrelit. Kujtimet, domosdo, nuk ishin aspak të largëta, përkundrazi. Por ato vlera, ato elemete të credo-s dhe të botëkuptimit në të cilat besonte dhe i shpreh në burg, sapo gjen rastin, i vë në jetë. Dhe si! Azili politik në Sarajevë një njeri si Pipa do ta bënte domosdoshmërisht të përfundonte në bibliotekë. Përmendëm pak më sipër se Pipa besonte tek filozofia e “artit për edukatë”. Por ai besonte edhe tek virtyti, dhe se virtyti mund dhe duhej të edukohej. E risjellimin edhe një herë në vëmendje citimin:

“Unë i besoj edukimit, madje ( e theksoj),duke e bërë edukimin, në kuptimin më të gjërë të fjalës, jo vetëm momentin metodologjik të moralit, por vetë moralin në veprim, në të dy polet e tij, individual dhe masiv,si pedagogji dhe politikë”

Dhe në Sarajavë ai nuk mund përpos të gjente rastin të jepte shembullin e “moralit në veprim” . Shtysa e brendshme, e thellë, e nënvetëdijshme për të hartuar antologjinë e “Lyrikës…” ishte adhurimi për kulturën klasike greke dhe romake dhe mbi të gjitha vlerat që ajo përçon në kohëra:

“Ai që shkruen kto radhë e çmon tepër kulturën klasike për me kqyrë me indiferencë fatin e saj. Ai mendon se kultura klasike, burimi i kulturës sonë, asht baza e çdo kulture të vërtetë. Ai mendon se dekadenca e letërsisë shqipe gjatë breznis së rritun mbas luftës së parë botore, në krahasim me letërsinë shqipe të kohës së mëparshme, shpjegohet, ndërmjet të tjerash, edhe me arsyen se kultura humaniste e asaj kohe u-la “në hije”. Në kohnat e fundme, në “Shqipnin e re” ajo asht lanë-pak me thanë-mas dore, në dobi të “kulturës industiale”

“Pengesat artificjale që sot i vehen kulturës ndër disa vende nuk do të vazhdojnë për jetë të jetës. Do të kalojë edhe kjo kohë e soçme, e travajueme, e mundshtueme, me pasjone e shpërthime ideologjike që grisin trupin e njerëzimit. Ajo “humanitas” (nënvizimi im H.Ç), shenj i kulturës klasike dhe ideal etik i ma të mirëve dhe ma të denjëve ndër njerëz, do të mund të arrihet kryekëput kur njerëzimi të konsolidohet, me të gjitha divergjencat e pajtueme, në njisin e vet të natyrshme gjeografike. Tue pritë durueshëm kët ditë, ose së paku tue e paranderrue, njeriu i lavruem të japë çka mundet në kët vështrim”

Kemi me këtë libër atë fenomen të evoluimit të Pipës që në nyrje të këtij kapitulli e quajtëm “ndërkombëtarizim”. Ai beson se njerëzimi do të “konsolidohet…” në “njisin e vet të natyrshme gjeografike”. Ndërsa tek “skicë…” ai filozofon dhe shprehet me simpati në favor të një “qeverie botërore”

Shtysa e dytë për hartimin e kësaj vepre, ajo e dukshmja, ajo që kapërcen veteveten dhe egoizmin e shprehur në të kënaqurit me shijimin dhe diskutimin e autorëve klasike, është nevoja e perceptuar e Pipës për të hartuar një antologji të lirikës romake të tillë që të plotësonte nevojat e shkollave, sidomos të gjimnazeve filologjikë, (liceve klasikë). Është natyra e një teksti shkollor ajo që ka përcaktuar, midis të tjerash, edhe kriterin e përzgjedhjes së autorëve dhe renditjen e tyre, përmasën e teksteve që përfaqësojnë sejcilin, lënien jashtë të ilustrimeve nga poezia elegjiake, si edhe përdorimin e autorëve dhe përkthimin e teksteve në funksion të shpjegimit të metrikës së vargut latin. Pothuajse çdo tekst poetik është shoqëruar me komente të gjata të natyrës filologjike. Në vitin 1958, kur u përfundua ky libër, Pipa shprehet se në Shqipëri, mësuesve të gjimnazeve ju mungonte një tekst i tillë.

Libri nuk ka sesi të konsiderohet thjesht përkthim dhe përmbledhje. Kjo do të ishte më e pakta që mund të thuhet. Ajo është një vepër e mirëfilltë pedagogjike dhe me një skrupulozitet prej studiuesi. E dëshmon këtë midis të tjerash hyrja e punimit “Prospekt historik i lyrikës latine”, rreth 43 faqe, dhe “shënime për metrikën” në fund të librit, rreth 20 faqe. Të dy këto tekste janë në rastin më të mirë informative dhe shpesh herë ispirues për të lexuar autorët latinë. Pipa, edhe në këtë rast, nuk mund të rrijë pa u ngritur në nivelin e studiuesit. Tekstet përfshijnë edhe shumë gjykime personale, por që Pipa, në respekt të rigorozitetit shkencor, i vë në dukje si të tilla.

Autori përfundon duke thënë se ka ndërmend që një gjë të tillë, pra një antologjie për shkollat e mesme, ta hartojë edhe për lirikën greke. Mesa dimë deri tani, një gjë e tillë nuk u realizua.

Në Sh. B. A.

Nga Sarajeva emigroi në Sh.B.A. Biografi i tij Uran Kalakula na thotë se për një farë kohë bëri punë të rëndomta, e pastaj fillon në një universitet, fillimisht duke dhënë mësim kurse të filozofisë e më pas të italianistikës. Në ditarin e tij poetik “Autobiography” Pipa e rikujton këtë periudhë me vargjet: (përkthimi është i imi dhe është në një stil shumë të lirë dhe pa pretendime cilësie)

Age has softened my temper,

I was adamant in my youth.

Captivity my purgatory,

exile a milder surrogate,

freedom in the new world its own

caricature, marriage a blunder,

academia a relentless struggle

not to sink in the Stygian marsh.

Mosha ma ka zbutur temperamentin,

Në rini isha aq i pasionanat dhe i vendosur.

Burgu ishte purgatori im,

mërgimi një surrogat më i butë i të parit,

liria në botën e re një karikaturë

e vetvetes, martesa një pakujdesi,

jeta akademike një luftë e pambarim

që të mos zbrisja më në kënetën e ferrit

Nuk ishte më shumë sesa 50 vjeç kur shkroi këto vargje, duhet të kenë qenë rreth 15 vjet mbasi kishte dale nga burgu dhe kishte fituar një grant për të studiuar dhe mbledhur materiale për De Radën dhe letërsinë arbëreshe. Vizita studimore nga universitetet amerikane në Itali (1970-1971) duhet të ketë provokuar rikthimin mendor dhe shpirtëror në vlerat europiane. Këto vargje, në gjuhën angleze, pra për një auditor anglishtfolës, kanë një vulë danteske. “adamant” (i vendosur,këmbëngulës) është është fjalë e fjalorit të anglishtes, por me prejardhje italiane. Më tutje vjen “purgatory”, purgatori, i cili përdoret në të njejtën vlerë shprehëse si tek Dantja, jeta në botën Sh. B.A. përshkruhet si një karikaturë e lirisë. Por në shkrimin tonë ne jemi të fokusuar tek vepra studimore, të cilën kuptueshëm do ta zhvillonte në mjediset akademike amerikane. “Academia a relentless struggle/not to sink in the Stygian marsh” shprehet ai. Përsëri ngjyra dantekske. “Stygian” i referohet lumit Styx i cili në mitologjinë greke ishte njëri nga lumenjte i cili i çonte te vdekurit në kënetën e Had-it. Styx përmendet me të njejtën referencë tek “Komedia hyjnore” e Dantes. Hamendësojmë se periudha nga viti 1958 e deri të paktën deri në vitin 1966, kohë kur fiton një vend me kohë të plotë si profesor në universitetin e Minesotës duhet të ketë qenë periudhë ku i duhej të mbijetonte duke përdorur ndoshta të vetmen aftësi, atë intelektuale, në kushtet e një tregu të punës akademike që ishte kompetitiv dhe dinamik, kuptueshëm sifues për një emigrant.

Të thuash se për të mbijetuar, ish i burgosuri politik shqiptar dha mësim kurse të filozofisë, të italianistikës dhe estetikës në universitetet amerikane, me materialin që kemi sot në dorë, është nënvlerësim. Sigurisht italianistika dhe filozofia e mirëfilltë, po të gjykojmë nga vëllimi i veprave që kemi në dorë, nuk duhet të ketë qenë ajo çka ai kishte për zemër të bënte. Kthimi fizik në Shqipëri nuk ishte më as një “paraandërr”, por një mundësi e përjashtuar. Dijet në fushën e albanologjisë hynin pak në punë për të mbijetuar. Kemi në këtë fazë përpjekjen, por edhe aritjen tjetër të madhe të Pipës, prezantimin intelektual në qarqe akademike që ishin, në thelbin e tyre, të huaja. Nuk kemi shumë vepra në albanologji në këtë periudhë, por kemi një debutim serioz në fushën e italianistikës dhe filozofisë. Në jetëshkrimin që ka lënë ai vetë, është relativisht i madh numri i botimeve, pjesëmarrjes në konferenca dhe materialeve studimore-mësimore të lëna në këtë fushë. Në shkrimet për filozofinë, trajton gjatë filozofin italian Pico della Mirandola (filozof italian i rilindjes evropiane, 1463-1494), siç thotë edhe njohësi dhe bashkëpunëtori i tij Peter Bartl në një parashtrim që bën për veprën e Pipës[xlii]. Ndërsa në italianistikë kulmoi më studimin ““Montale dhe Dante” (Minneapolis 1968) i cili u përkthye në vitin 1975 edhe në italisht. Një shikim i shpejtë në literaturën e kësaj fushe na tregon se ato kanë patur një jehonë të konsiderueshme në mjediset akademike dhe janë shumë të referuara në revistat dhe botimet e specializuara. Pavarësisht kritikave, gjë kjo e zakonshme dhe e shëndetshme në lëmin e akademizmit, të gjithë studiuesit bien dakort për euridicionin e Pipës nga njëra anë dhe nga ana tjetër për seriozitetin (“scholarship” ) e studimeve të tij. Kishte arsye pra, Pipa, ti përkushtohej asaj karriere akademike që i dha dhe mbijetesën.

I gatshëm për një prezantim intelektual të vetvetes në rrafshin ndërkombëtar, e gjejmë në periudhën 1966 e deri në fund të karrierës zyrtare si anëtar në organizatave presitigjioze akademike.

Ça ira (1966-1989)

Me këtë titull gjejmë të përkufizuar tek (Autobiography) periudhën gjatë të cilës ai qëndroi në universitetin e Minesotës. “Ça ira” (gjithçka do të bëhet mirë) ishte titullli i një kënge shumë të përhapur franceze me të cilin Pipa sugjeron peridizimin e viteve (1966-1989)

Kur flet për veprën e Camajt tek “ Contemporary albanian literature” Pipa shprehet:

Në shumë aspekte, Martin Camaj është tipik si një intelektual i Evropës lindore i cili për arsye politike lë vendin dhe endet nga një vend në tjetrin. Por sapo vendoset diku- ketë herë nuk është më i ri- e ndjen se e ka të pamundur të hedhë rrënje në tokën e re. Nostalgjia për vendlindjen e ndjek pareshtur. Dhe në ndodhtë të jetë shkrimtar, ai e shpreh këtë nostalgji duke synuar ta moduloje atë mbi një temë themelore, atë të Humusit (nën im. H.Ç)të tij kulturor.

Një gjë e tillë mund të thohet padyshim për vetë Pipën, por në rastin tone jo më në fushën e poezisë, por në fushën e studimeve albanologjike. Kur vendoset në universitetin e Minesotës në vitin 1966, ai duhet të ketë ndjerë se në aspektin praktik u stabilizua. Kishte nisur tashmë një karrierë të suksshme dhe të mjaftueshme në mësimdhënie dhe në studimet në italianistikë dhe filozofi dhe me angazhimin në hapjen e programeve të plota në master e doktoraturë në italianistikë kishte arsye të ndjehej krenar dhe i vetërealizuar. Por studiuesi përballet me një tjetër fenomen, të ngjashëm me atë që përshkruan tek Camaj: …”sapo vendoset diku-këtë herë nuk është më i ri- e ndjen se e ka të pamundur të hedhë rrënjë në tokën e re. Nostalgjia për vendlindjen e ndjek pareshtur”. Peter Bartl, historiani i njohur dhe një nga bashkëpunëtorët e tij na thotë se krenaria më e madhe e Pipës ishte që arriti të bëhet iniciator dhe drejtues i programeve universitare të mësimit të shqipes dhe kulturës shqiptare:

“Ai ishte veçanërisht krenar që ia arriti qëllimit, që duke filluar nga viti 1981 të mund të zhvillonte kurse të rregullta diplomimi në Albanologji (gjuhë dhe kulturë shqiptare”

“Humusi” i tij kulturor ishte padiskutim kultura shqiptare. nga viti 1966 deri në vitin 1975 merret me atë që do të jetë magnum opus i jetës së tij studimore; “Trilogia Albanica”, rreth 800 faqe mbi metrikën e vargut popullor shqiptar, mbi aspektet sociologjike dhe ideologjike të veprës së De Radës, mbi sociologjinë e letërsisë shqipe, veprën e Migjenit, si edhe një indeksim dhe katalogizim të studimeve në fushë të albanologjisë, shto këtu edhe një periodizim të letërsisë shqipe nga fillimet e saj deri në vitet ’70-të. Praktikisht është tërë historia e letërsisë shqiptare, por e shkruar nga një këndvështrim tjetër. Kjo histori prodhimi kulturor dhe letrar nis me të çmuarit lart të folklorit jo vetëm si pasuri kombëtare-duke bërë një analizë shumë shkencore dhe akademike të vargut popullor shqiptar ai hedh hipotezën se natyra e këtij vargu mund të jetë një tjetër dëshmi për të provuar lashtësinë dhe autoktoninë e shqiptarëve-por edhe si pararendës të drejtpërdrejtë të letërsisë së shkruar (motivi për tu marrë me metrikë e vargut popullor shqiptar atij i erdhi nga studimi i metrikës së veprës së De Radës). Vëllimi i dytë, ai i cili ka edhe numrin më të madh të faqeve i kushtohet poetit italo-shqiptar De Rada. Ky vëllim është monumental sa i përket materialit të shfrytëzuar, dokumenteve autentike, materialit shumë të bollshëm bibliografik që e shoqëron si edhe sa i përket metodologjisë së ndjekur. Hetimi i përbërësve ideologjikë dhe influencave kulturore në veprën e poetit është temë qëndrore në vepër.Vëllimi i tretë e ka shumë më të qartë përpjekjen për të shkruar një histori të letërsisë shqiptare, por duke e parë nga një perspektivë e mirëfilltë socio-kulturore. Kapitulli mbi bibliografinë e studimeve në fushën e gjuhës, historisë dhe kulturës dhe qytetërimit shqiptar së bashku me kapitullin mbi periodizimin e letërsisë shqipe mund të kishin përbërë një vëllim më vete, vëllimin e katërt të serisë.

Në hyrje të “Albanian literature- a social perspekctive” Pipa shprehet se:

“Studimet shqiptare në të kaluarën kur Shqipëria nuk kishte qendra të mirëfillta të të mësuarit ishin pothuajse eksluzivitet i të huajve. Situata ka ndryshuar kohët e fundit, dhe veçanërisht në dy fusha, histori dhe arkeologji, janë studiuesit shqiptarë ata që udhëheqin. Nën një ndikim të kombinuar nga njëra anë prej Çabej, përfaqsuesi në Shqipëri i shkollës klasike austriake në gjuhësi dhe nga ana tjetër gjuhëtarëve sovietikë, në Shqipëri është shfaqur një ekip gjuhëtarësh të rinj, shumica e të cilëve është specializuar në dialektologji. Edhe arkeologjia gjithashtu ka përparuar me shpejtësi si rezultat i gërmimeve të reja të cilat kanë nxjerrë në dritë materiale nga më interesantet. Disa nga këto gjetje janë të tilla që hedhin dritë edhe në periudhën e lashtësisë së historisë së Shqipërisë. Megjithatë, historianët shqiptarë tentojnë ti interpretojnë këto të dhëna nga një këndvështrim i ngushtë nacionalist. Një gjë e tillë shpjegon se përse historiografia shqiptare ka mbetur akoma mbrapa dhe iniciativat në këtë fushë mbeten tek të studjuesit e huaj: shkolla e Mynihut e drejtuar nga Stadtmuller dhe, në Itali Valentini (për periudhën bizantine dhe veneciane)

Ishte pra ky dhjetëvejcar (1966-1978) në të cilin u prodhua një korpus studimor me një këndvështrim njëherazi atdhetar dhe internacionalist dhe trajtimi i kësaj periudhe meriton një shkrim të posaçëm

Epilogue (1990-1997)

Po ashtu njëshkrim të posaçëm meriton edhe prodhimi studimor dhe publicistik i Pipës në vitet (1990-1997) të cilin unë e quaj “Epilogue”. Nuk mund të mos përfshihen në biografinë intelktuale të Pipës -studime per kosoven1984 1987 the politics of language, stalinizmi shqiptar-1990, 1991 Contemporary albanian literature, “Dielli” (nga viti 1990 deri në qershor të 1992), kontributi në “Albanica”, në “Telos, Editorial Board, 1988, dhe Telos, special issue: Perestroika and East Europe” 1979. Por një gjë të tillë do ta bëjmë nëshkrimet e mëvonshme…

Korrik 2020// nga Hektor Çiftja

*E falenderojmë profesor Hektor Çiftja që e dërgoi studimin për Diellin, të cilin Prof. Arshi Pipa e editoi për më shumë se një vit, ndërkohë që ishte bashkëpunëtor që në krye të herës, kur erdhi në SHBA.

Filed Under: Opinion Tagged With: Arshi Pipa, Misionari, Prof. Hektor Çiftja

KINA AKUZOHET PËR STERILIZIM TË FEMRAVE DHE PERSEKUTIM TË UJGURËVE

July 20, 2020 by dgreca

– Sipas investigimeve të kohëve të fundit nga Fondacioni Përkujtimor i Viktimave të Komunizmit, ritmi i shtimit të popullsisë në dy prefekturat ma të mëdha të ujgurëve në Xinjang asht paksue më ma se
80 përqind ndërmjet 2013-2018.

MBRETNIA E BASHKUEME KRITIKON  KINËN PËR ABUZIME TË RANDA TË DREJTAVE TË NJERIUT KUNDËR UIGHURËVE-

Përktheu për Diellin: Gjon Kadeli/

Ministri i Jashtëm Dominic Raab e akuzoi Kinën për abuzime tejet të randa të të drejtave të popullsisë Ujgure muslimane dhe shtoi se , nuk përjashtohet mundësia e vendosjes të sanksioneve kundër Kinës. Lajmet se po bahen sterelizime të detyrueshme të femnave dhe të persekutimeve të ndryshme,”ishin dicka që nuk ka ngja për nji kohë të gjatë.”
Mbretnia e Bashkueme do të bashkpunojë me aleatët për të marrë masat e përshtatshme, tuej insistue lidhun me këtë gja.
Ambasadori kinez në Londër i ka hedhun poshtë këto akuza. Besohet se nji milion Ujghurë janë dërgue në qendra të ndryshme gjatë vjetëve të fundit, në ato që kinezët i quejnë “kampe
riedukimi.””Ministri në fjale u duk shumë i shqetësuem.”
Kur u pyet nëse trajtimi i këtyne njerëzve mund të konsiderohet legalisht “Cfarosje në masë.” Zotni Raab tha se Komuniteti ndërkombëtar duhet të tregohet i “matun”përpara se të bajë nji
pretendim të ktillë. Por ai shtoi “pamvarsisht se cfarë terme(fjalë) legale përdoret, asht e qartë, se abuzime të randa të drejtave njerëzore po bahen kundër grupit etnik turk që banojnë në zonën
veriperëndimore të Kinës.
Simbas kërkimeve që janë ba kohët e fundit nga Fondacioni Përkujtimor i Viktimave të Komunizmit, ritmi i shtimit të popullsisë në dy prefekturat ma të mëdha të ujgurëve në Xinjang asht paksue më ma se
80 përqind ndërmjet 2013-2018.Ujgurët janë grupi etnik turk që jetojnë në Kinë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjon kadeli, Kina, Mbreteria e Bashkuar, Ujguret

KUJTESË- KOMPOZITORI I OPERES SË PARË SHQIPTARE “JUDA MAKABE”

July 20, 2020 by dgreca

2020- VITI I AT GJERGJ FISHTES–8o VJET-1940 – 2020/  /

Shpate e perkrenare

    AT GJERGJ FISHTA O.F.M. ASHT MENDJA, ZEMRA E SHPIRTI I POPULLIT SHQIPTAR !

  PLLAKAT NGA FRITZ RADOVANI (2019)

Vllazen e Motra Shqiptarë! 

Me daten 22 Nandor asht Dita e Alfabetit Shqip, që u punue në Shoqninë “Bashkimi” të Shkodres në vitin 1908, nga Poeti Kombtar At Gjergj Fishta, dhe u aprovue në Kongresin e Manastirit. 

Ai Alfabet na mësoi me shkrue fjalët Nanë, Babë e Shqipni… 

Veprat tjera të Atdhetarit At Gjergj Fishta i sherbyen gjithmonë Bashkimit Shqiptarve nen tingujt e Hymnit Flamurit Kombtar, Flamurit të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!

Në këte 80 vjetor që i madhi At Fishta mbylli sytë pergjithmonë, mendoj se, Shqiptarët duhet të kujtojnë Veprat e Tij të Perjetëshme tue i kushtue: 

“VITIN  2020  VITI  I  AT  GJERGJ  FISHTES”

Melbourne, 20 Nandor 2019.                             

Me respekt, Fritz RADOVANI

Kujtoj…Sot, mbas sa vjetësh: KOMPOZITORIN E OPERES SË PARË SHQIPTARE “JUDA  MAKABE” 

AT  MARTIN  GJOKA O.F.M.

(2 Prill 1890 – 3 ShKURT 1940)

130 VJETORI I LINDJES… 

80 VJETORI I VDEKJES… 

Asht le në Tivar nga prindët Filip e Marije Gjoka, me emnin Mati. 

Në moshen 15 vjeçare ka shkue në Kolegjin e Françeskanve të Shkodres. Ka vazhdue studimet deri në 18 vjeç. Vazhdoi në Salzburg t’ Austrisë, ku perveç studimeve teologjike studjoi nga prirja per muzikë pjanoforten, flautin dhe violinen. Kompozimet e para ua dedikoi dy miqve, Palok Kurtit dhe At Shtjefen Gjeçovi, me titujt “Liria” dhe “Atdhe dhe gjuhë shqiptare”. U kthye në Shkoder pak ditë para shpalljes së Pamvarsisë kur kompanjeli i Fretenve u lidh me drita me minaren e Xhamisë së Fushës së Çelës nga At Gjergj Fishta. Jep mësim në kolegjin “Illyricum” të Fretënve në Shkoder, në landët histori e gjeografi, dhe gjuhë gjermane. 

Krijoi orkestren në 1922, që fitoi dhe konkursin kombtar më 1930. 

At Gjoka ishte i pari që kompozoi muzikë klasike në Shqipni në zhanrre të ndryshme. Gjatë vjetit 1936 e transferuen nga Shkodra në famullinë e Planit. U kthye mbas 3 vjetve. Tue ndjekë traditën e kompozitorëve si Bach dhe Handel, Gjoka kompozoi muzikë polifonike dhe korale, si dhe la të papërfundueme një simfoni me vlerë të madhe kombtare me titull “Dy lule mbi vorr të Skanderbeut”, 1922. 

Për shkak të mungesës së institucioneve muzikore veprat e tij mbetën t’izolueme per një kohë. Mbas 1944 nuk bisedohej ma per ta.

Shkodra u bâ qendra mâ e randësishme e jetës muzikore në Shqipni, gjatë periudhës midis dy luftave botnore. 

Veprat e njohuna t’ Át Fishtës “Juda Makabe”-1915 dhe “Shqyptarja e qytetnueme”-1917, u vuene në skenë me muzikën e Át Martin Gjokes, gjithashtu edhe vepra të Át Vinçenc Prennushit dhe Át L. de Martinos.

Nxanës të At Gjokës ishin të gjithë muzikantët e mavonshem tue fillue nga Prenkë Jakova, Tonin Harapi, Çesk Zadeja, Tish Daija,  Tonin Rrota, Pjetër Dungu,  Simon Gjoni, Zef Gruda, Lukë Kaçaj, Gjon Kujxhia etj.

Vepra të njohuna janë: “O ata t’lumtë që dhanë jetën”, “Atmes”, “T’falem Shqypni..; “Lamtumirë, o vendet e mia”; “Grueja shqyptare”, “Atmes: Porsi Shqipe n’hove t’veta” etj. Në muzikën instrumentale, simfonike e operistike: “Liria”, “Atdhe e gjuhë Shqiptare”, “Shqiptari e muzika” etj. 

Nuk mungon tek krijimtaria e At Gjokës edhe tema lirike baritore e ajo për fëmijë. Larmisë tematike i përgjegjet një larmí e madhe formash muzikore. Ai lavroi pothuej në të gjitha gjinitë vokale e instrumentale. 

Në gjinitë vokale lavroi kangën e tipit popullor e të përpunueme, kangën për fëmijë e lirike, koralet, baladën, rapsodinë, potpurinë, melodrama e deri tek opera. Në gjini instrumentale e simfonike: pjesë për pianoforte, harmonium, flaut, pjesë orkestrale, fantazia e deri tek simfonia. 

Melosi i Tij âsht i mbështetun mirë në trevat e Veriut, folklorin e të cilit e studioi thellë dhe e asimiloi në mënyrë krijuese. Pak kush e njihte si Ai.

Kur shndeti i Tij u dobësue më 3 shkurt 1940 vdiq në Shkodër në moshën 50 – vjeçare nga nji infarkt fatal. Populli i Shkodrës me nderime të mëdha e dashuni e përcolli At Martinin në vorrezat e Kishës së Fretënve. Gjatë Meshës kori ekzekutoi pjesë nga vepra e Tij prej muzikës kishtare.

Asht nder krijuesit e muzikës sonë, nder ma të mëdhajt e Shekullit XX.

https://upload.wikimedia.org/wikipedia/sq/thumb/f/f5/MGjoka.jpg/220px-MGjoka.jpg

Banda muzikore e Shoqnisë “Illyricum” me drejtues 

At Martin Gjoken (1922) Shkoder.

Shenim nga F.Radovani: At Martin Gjoka O.F.M., na ka lanë në muziken tonë të perfundueme Operen e Parë Shqiptare “JUDA MAKABE”, me tekst të At Gjergj Fishtës. Ajo njihej mirë nga Prof. Zef Zorba, i cili në vitin 1992 ishte dakord me e vue në skenen e Teatrit “Migjeni”n’Shkoder, po fatkeqsisht nuk u pergjegj askush per shpenzime, megjithë perpjekjet e drejtorit z. Ndoc Çefa… Shkodra i mbeti borxh kompozitorit madh dhe muzikantit të pavdekshem At Martin Gjoka.E ky nuk asht “borxhi” i parë!

Melbourne, 20 Korrik 2020. 

Filed Under: ESSE Tagged With: AT MARTIN GJOKA O.F.M., Fritz radovani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT