• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2020

Randësia për shqiptarët e zgjedhjeve të ardhme në Shtetet e Bashkueme

August 12, 2020 by dgreca

Shkruan: Prof. Sami Repishti, PhD.*-

Ridgefield, CT.- Kontaktet e shumëzueme, distancat e pakësueme, nevoja jetësore për shkembime, ndihma dhe bashkëpunim kanë ba sot botën tonë nji konglomerat të ndërlidhun ngushtë njeni me tjetrin. Para nji gjendje të këtill, çdo popull studjon të kaluemen historike, vlerëson të tashmen e dëshirueme ose jo, dhe planifikon për nji të ardhme që pershtatet interesave jetësore të tij. Nji nga elementët e kësaj perspektive ashtë edhe zgjedhja e “aleatëve”, popuj me të cilët komunikojmë ma mire, ndjehemi ma afër e dëshirojmë të mbetemi afër njeni-tjetrit edhe në të ardhmen, sidomos në situata të vështira.

   Kështu ngjet edhe me popullin shqiptar në të dy anët e kufinit arbitrar shtetnor që na ndanë sot në dy pjesë: Shqipëria Prendimore dhe Shqipëria Lindore, në kuptimin gjeografik gjinden sot në nji situatë të padëshirueshme dhe që shpresohet se në kondita ma të favorëshme kjo “situatë” mund të reparohet pa dhunë dhe përfundimisht. Kështu shoh unë të ardhmen e popullit shqiptar, dhe për këte vizion, ndoshta të largët, punoj çdo herë që më  paraqitet rasti.

   Zgjedhjet e ardhme në SHBA, 3 nandor 2020, janë nji rast i këtill Në krye të shtetit amerikan, shpresohet të vij nji figurë politike e nivelit të naltë, i nderuemi ish N/Presidenti i Amerikës, Joseph R. Biden, Jr., nji personalitet politik, karriera e të cilit fillon që në moshën 28 vjeçare si anëtar i Kongresit Amerikan dhe besohet të arrijë kulmin në moshen 74 vjeçare me zgjedhjen e tij President i Amerikës, në votimet e 3 nandorit 2020. 

   Për ne shqiptarët, nji ngjarje e këtill ashtë shumë e dëshirueshme sepse kemi të bajmë me nji personalitet të aftë e profesional që njeh mirë edhe problemin tonë në Ballkan. Dhe këte, ai e ka thanë ma shumë se nji herë.

   Në nji fjalim të mbajtun në Hotel Sheraton, N.Y.C., me 28 prill 2002, ish Senatori Joseph R.Biden, Jr., në prezencën bi-partiake Kongresmen Tom Lantos (D.,Ca.) dhe Kongresmen Benjamin Gilman (R.,N.Y.)  dhe të ftuemëve shqiptarë: i ndjeri Pjetër Årbnori (Shqipëri), Ramush Haradinaj (Kosovë) dhe i ndjeri Arben Xhaferi (Maqedonia e Veriut), ai deklaroi:

” ….Interesat e qarta të vetë Shteteve të Bashkueme të Amerikes gjatë shekullit 21 fillojnë me nji Europë të pandame, të plotë, dhe të bashkueme, sepse ‘ kurdoherë që Europa zbret ne kaos’ bijtë e bijat tona vdesin, ekonomia e jonë dobësohet, dhe na paguejmë çmimin që kerkohet. Të paisun me kulturë, histori, dhe prirje natyrore të përbashkët, na jemi të pa aftë me u largue prej saj, dhe prej asaj që ngjet në Europë. Fati i shtatë miljonë shqiptarëve në Gadishullin Ballkanik ashtë gjithashu kritik për interesat e vetë Amerikës. Në se legjitimiteti etnik i popullit shqiptar nuk do të njihet dhe nuk do të mbrohet, të gjitha njësitë që përbajnë atë regjon do të bijnë, dhe në se ne nuk jemi gati me stabilizue Ballkanin, jemi na, Amerikanët, që do e paguejmë shtrenjtë!” (Panorama,26.III.2020) 

    Pak ditë para këtij takimi, unë pata nderin me deshmue para Komitetit Senatorial që kryesonte i nderuemi Senator Biden. Në fund të dëshmisë, ai më ftoi të afrohem te tryeza. Në nji bisedë 2-3 minutash, Senatori Biden më pyeti: “Doktor, më thuej pse të gjitha këto probleme në Ballkan?” 

   Unë pergjegja me bindje: “Senator! Serbia ashtë nji shtet militarist që në esencë drejtohet nga klasa militariste e dehun nga sukseset e luftave të kalueme, dhe e vendosun me ripërtri lavdinë e perandorisë së shekullit 14, të carit Stefan Dushan.  Asnji nga shtetet që rrethojnë Serbinë nuk përban nji kërcenim për Serbinë; të gjitha këto shtete jetojnë me frikën se nji ditë mund të jenë viktima të nji sulmi të pa provokuem serb.” Senatori më falënderoj dhe u largue.

   Në votimet e përgjithëshme të nandorit 2006, unë urova fitoren e tij elektorale: 

’I nderuemi Senator Joseph R. Biden, Jr.  Urimet e mia ma të mira për nji fitore bindëse të Partise Demokratike në zgjedhjet e fundit. Koha kërkonte ndryshime, dhe populli amerikan u shpreh me za të naltë.

   Tue pasë parasyshë eksperiencën dhe profesionalizmin që ju keni tregue për dekada me rradhë në fushen e të drejtave të njeriut dhe sherbimin tuej në Senatin Amerikan ashtë e arsyeshme që na të presim ardhjen tuej në pozitën e kryetarit të Komitetit Senatorial për Punët e Jashtëme, në legjislaturën e re. (Ashtu ngjau!)

   Unë kam ndjekë veprimtarinë tuej në fushën për të drejtat e njeriut gjatë viteve të sherbimit tuej, dhe veçanërisht të drejtat e njeriut për popullsinë shqiptare në ish-Jugosllavi. Si nji ish i burgosun politik, unë jam i bindun se nën udhëheqjen tuej, ky aspekt i politikës amerikane do të forcohet për të mirën e të gjithë atyne që kanë kaq shumë nevojë.    Sinqerisht i jueji, …..”

    Me 17 shkurt 2008, Kuvendi i Republikës së Kosovës shpalli pavarësinë e Kosovës, shtet i lirë, sovran, dhe demokratik, në mes të nji entuziasmi të panjohun ma parë, Reagimi i botës së jashtëme ka njohë dy qendrimet e mundëshme: pozitive, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkueme, dhe negative nën influencën ruse e kineze, pa marrë parasyshë qendrimin obstruksionist të qeverive te ndryshme serbe, qendrim që vazhdon edhe sot me nji fushatë të egër diplomatike për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, ose tërheqjen e saj nga ata që fillimisht e njohën. Në këte periudhë jashtëzakonisht delikate për Kosovën, Shtetet e Bashkueme ndërmorren inisiativen me mbrojtë pavarësinë, dhe për këte qellim, Kongresi amerikan organizoi nji “Hearings” vetëm tri javë mbas shpalljes zyrtare në Prishtinë. Personaliteti që kryesoi këte séancë ka qenë i nderuemi Senator Joseph R. Biden, Jr. kryetar i Komitetit Senatorial për Punët e Jashtëme, i cili e cilësoi gjendjen me fjalinë monumentale: “Pavarësia e Kosovës ashtë nji piramidë udhë-rrëfyese në rrugën për nji të ardhme paqësore dhe prosperitet”. 

    Nji element inkurajues për nji ndërmarrje të këtill ka qenë edhe lobimi i bashkësisë shqiptare në Amerikë, sidomos i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (a.k.a. NAAC). Lobimi ashtë nji faktor me randësi në jetën politike dhe shoqënore amerikane, dhe sherben si element shoqënues i organeve të Administratës, ligjërisht i njohun dhe i përkrahun. Qellimi i lobizmit në Amerikë ashte mbajtja dhe përforcimi i vemendjes së organeve qeveritare mbi probleme të ndryshme që shpesh herë mbulohen në grumullin e problemeve të shumëta ditore të këtij vendi. Lobizmi ashtë kumbonë zgjimi i vemendjes qeveritare. Formalisht. “Lobizmi” ashtë kërkesa/lutja që bahet tek anëtarët e trupit legjislativ me qellim influencimi në legjislacion. Nga shpërdorimet, lobizmi shpesh keq-kuptohet, por në esencë ashte faktor pozitiv: sqarimi i problemeve pjesërisht të lanuna mbas dore.

    Fjala e hymjes së “Hearings”, (e riprodhueme tanësisht nga gazeta ILLYRIA e New York-ut, Nr.1728, datë 7-10.III.2008) e mbajtun nga Kryetari, Senator Biden, vijon ma poshtë (përkthye shqip nga origjinali anglisht):

    “ Statusi i Kosovës ka qenë sfida e madhe dhe e fundit që mbeti pa u zgjidhë mbas shpërbamjes së Jugosllavisë. Në balancë, gjendja ligjore e Kosovës tregonte se populli i saj nuk kishte perpsektivë me sigurue investime të hueja të nevojshme me rindertue ekonominë e tyne ose nji bazë politike mbi të cilën të ndërtohej shoqënia e tyne.

    Për dy vjet me rradhë, Kombet e Bashkueme u përpoqën me ndërmjetësue nji marrëveshje mbi pavarësinë e Kosovës. Për fat të keq, Serbia dhe padroni i saj, Rusia, hodhën poshtë nji plan që do të kishte garantue nji pavaresi të mbikëqyrun, dhe mbrojtje të fuqishme për pakicën serbe.

   As edhe nji herë të vetme gjatë këtyne dy viteve me negociata për të ardhmen e Kosovës, Serbia nuk paraqiti argumente mbi të ardhmen e Kosovës ose pse nji sundim i vazhdueshëm serb mbi Kosovën do të përmirësonte jetët e shqiptarëve etnikë, të cilët përbajnë ma shumë se 90 përqind të popullsisë së Kosovës.

    Në botën tonë moderne, sovraniteti nuk ashtë nji e drejtë stërgjyshore; sovraniteti ashtë mirëbesimi i shenjtë reciprok në mes të qeverisë dhe mbar popullsisë së nji vendi. Slobodan Milosheviqi shkelmoi këte mirëbesim kur ai u përpoq me spastrue etnicitetin e Kosovës, dhe qeveritë serbe që erdhën ma vonë nuk banë diçka me rivendosë atë mirëbesim. Beogradi dëshironte vetëm sundimin mbi Kosovën, jo të lejonte kosovarët me u vetëqeverisë.

    Na jetojmë në nji botë ku historia ka peshë, por edhe qeniet njerëzore peshojnë gjithashtu. Kosova nuk mund të mbetej ma gjatë nji kujtim tokësor i së kaluemes së lavdishme imperiale. Kështu, me zgjidhë problemin e statusit të Kosovës nepërmjet nji deklarate unilaterale të pavarësisë së Kosovës nuk ashtë nji zgjidhje ideale. Unë besoj se ishte nji zgjidhje e nevojshme, dhe jam kryenaltë që Shtetet e Bashkueme të Amerikës kanë qenë nga të parët vende që kanë njohë zyrtarisht shtetin e pavarun të Kosovës.

    Qeveria e  re e Kosovës duhet të ruej trashëgimin e madhnueshëm të së kaluemes serbe në Kosovë, por na duhet të mbrojmë të ardhmen e Kosovës. Qeveria e Kosovës, e zgjedhun demokratikisht, ka pranue nji mbrojtje të fortë të pakicave etnike në Kosovë, dhe ka fillue nji seri takimesh që synojnë pajtimin me serbët e Kosovës. Populli i Kosovës ka tregue se çfar vendi duen ata të krijojnë. Në se dalin me sukses, Kosova do të përparojë.

    Nuk ashtë nji ndermarrje e lehtë. Kosova përballet me vështirësi epike, si niveli i naltë i papunësisë, korrupsioni i tejpërhapun, dhe tensionet që akoma vazhdojnë. Por vendi zotënon rezerva dhe energji të mëdha, nji popullsi të re, dhe dëshirën me ndertue nji atdhe me shumicë myslimane demokratike në nji shtet pro-perëndimor. Në se populli i saj vazhdon me mbrojtë të drejtat e njeriut dhe me luftue korrupsionin, udhëheqsit kosovarë do të meritojnë përkrahjen tonë të plotë në përpjekjet e tyne me u antarësue në shoqëninë e kombeve dhe në institucionet euro-atlantike. Beogradi duhet të marre hapat e duhun me të cilët edhe vendet tjera ballkanike do të vlerësojnë përparimin e tyne për anëtarësim në BE dhe NATO.

    E kundërta ka ndodhë! Serbët kanë ra viktimë e udhëheqësve të tyne të cilët, me citue Abba Eban, “nuk kanë humbë rastin me prishë nji mundësi….” Në vend që të ecet përpara me guxim drejt Europës, udhëheqsit e Beogradit ngulin kambë mbi të kaluemen që përfaqson vetëm nji politikë që pruni  shkatërrim.

    Unë jam veçanërisht i shgënjyem me aktet e zyrtarëve të qeverisë serbe që erdhën në fuqi mbasi rrëzuen nga throni nji tiran, por kanë fillue tashti të ndjekin të njajtat taktika dhe bajnë po ato deklarata që ata vetë kundërshtuen pak kohë ma parë. Refuzimi i vazhdueshëm i kryeministrit Koshtunica me thirrë për arrestimin e kriminelëve të luftës të arratisun, si dhe refuzimi i tij me firmue Marrëveshjen e Stabilitetit dhe Shoqënimit me Bashkimin Europian kanë damtue randë standartin ndërkombëtar të Beogradit. Udhëheqës të tjerë serbë kanë qenë ma pak shkelës të rregullave me aksionet e tyne, por kanë dështue megjithate në marrjen e nji qendrimi që mund të lejojë ecjen përpara të vendit tyne.

    Dhuna që u përdorue mbas deklaratës së pavarësisë së Kosovës ishte e parapame, e evitueshme, dhe si rezultat i disa individëve që ndezin gjakërat e egërsisë publike, dhe mospranimin e përgjegjsisë për rrjedhimet që pasuen. Qeveria e Serbisë duhet të ndalojë përdorimin e pavarësisë së Kosovës si çfajsim për damtimet që i shkaktojnë kombit tyne. 

     Serbia duhet të filloj procesin  e eliminimit të politikës saj të dështueme në këto 15 vitet e fundit dhe me fillue rrugën e nji të ardhmje si pjesë e Europës.

   Na nuk mund të lejojmë ngerçin qeveritar që ka kapë Beogradin të përhapet edhe në Kosovë e Bosnje-Herzegovinë. Amerikanët, europianët dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë kanë investue shumë me qellim që të mos shohim ambiciet demokratike të këtyne vendeve të mbyten që në lindje.

    Çdo përpjekje nga ana e Beogradit me mbjellë kaos në Kosovën e Veriut, ose në Republika Srpska të Bosnjes duhet kundërshtue menjiherë dhe me vendosmëni nga BE, dhe NATO. Aktet serbe duhet të influencojnë vendimet e investuesve të huej, të cilët mund të kenë në program-projekte në atë vend.

    Për tetë vjet me rradhë, populli i Kosovës – dhe i gjithë rajoni- janë përpjekë me ndertue ekonomitë dhe shoqënitë e tyne mbi bazat e nji pasigurie. Sot, na kemi mundësi me heqë velin e dyshimit. Europianët dhe amerikanët duhet të ndërgjegjsohen për thirrjet që vijnë me kërkesa për nji mosangazhim të përkohëshëm nga rajoni, tashti që Kosova ashtë shtet në vete. Tensionet do të vazhdojnë me u ngritë gjatë këtyne muejve të ardhshëm. Qoftë edhe në kondita e rrethana ideale, ruejtja dhe stabiliteti ne Gadishullin Ballkanik do të kërkojë ndihmën ekonomike të konsiderueshme për zhvillim, ruejtjen e paqës dhe diplomaci të fortë.

   Unë pres që në të ardhmen të ndigjoj mendimet e deshmitarëve, me mësue se si janë planet e Shteteve të Bashkueme të Amerikës për përkrahjen e Kosovës në këto ditë e javë sfiduese nga të papritunat para nesh.

    Na duhet të pranojmë pavarësinë e Kosovës si nji gur piramide udhë-rrëfyes, ashtu siç ashtë në fakt. E mirëkuptueme si duhet, pavarësia e Kosovës do të heq edhe gurin e fundit pengues (në rrugën e mirëkuptimit) që mbetet në mes të Ballkanasve dhe nji të ardhmje paqësore me prosperitet”.

  Me nji mik të këtill në Washington,D.C. e ardhmja e Kosovës ashtë e sigurtë! 

  Fjala e Senatorit Biden nuk kaloi pa efekt. Ish Ministri i Jashtëm i Sllovenisë, D.Rupel, me njohjen e pavarësisë së Kosovës deklaroi para votuesve sllovenë :”Ky vendim (i njohjes së pavarësisë së Kosovës) nuk ashtë kundër Serbisë. Sllovenia nuk e mori këte vendim për interesat e saj; ne vendosim sot mbi bazën e politikës europiane e ndërkombëtare”, tha ai. 

   Kundërshtimi i fortë erdhi nga qendrimet e Rusisë dhe Kinës komuniste.

   Në këte atmosferë të tensionueme, zyrtarët amerikanë i banë thirrje Serbisë me ndjekë rrugën që shpie në integrimin europian dhe jo në izolim. N/Sekretari i Shtetit, diplomati Daniel Fried reagoj kundër veprimtarive serbe që synojshin largimin e Serbisë nga Europa, dhe pengimin e njohjes së Kosovës nga vendet europiane. “Pavarësia e Kosovës”, theksoi ai, “ashtë rezultat i thyemjes së Jugosllavisë në shumë shtete trashëgimtare. Situata e Kosovës përfshinë faktorë që nuk paraqiten në raste tjera…. Duhet të ndihmojmë Kosovën me forcue institucionet shtetnore moderne, dhe funksionale. Duhet të ndihmojmë me krijue nji atmosferë të favorëshme për investime dhe pak nga pak me zhdukë korrupsionin”….Ai bani thirrje Rusisë për qetësi, në mënyrë që të ndigjohen këto fjalë pa asnji dyshim nga Serbia dhe nga serbët në Kosovë”, raporton gazeta ILLYRIA (N.Y.)

*******

   Me qellim që të ndihmojmë zgjedhjen President i Shteteve të Bashkueme të Amerikes ish N/Presidentin Joseph R. Biden, Jr. me 3 nandor 2020, nji grup aktivistësh demokratë shqiptaro-amerikanë ka formue grupimin e bashkëmendimtarëve të bashkësisë sonë dhe ka lëshue këte “Deklaratë”:

“ Na, të neënshruemët, përkrahim Joseph R. Biden, Jr. në fushatën e tij për President të Shteteve të Bashkueme të Amerikës. N/Presidenti Joseph R. Biden, Jr. ka tregue vazhdimisht gjatë karrierës së tij, nji afinitet të fortë për popullin shqiptar, nji angazhim me ndihmue të gjithë Amerikanët në përpjekjet e tyne për sukses, dhe nji devocion për institucionet tona demokratike. Shtetet e Bashkueme të Amerikës kanë sot nevojë për nji President të ardhshëm që personifikon këto cilësi. Përkrahja gjatë gjithë jetës së tij politike e dhanun për Shqiptarët ka qenë veçanërisht impresionuese. Si udhëheqës në Kongres, ai perqafoi tranzicionin demokratik të Shqipërisë në demokraci, dhe bani thirrje për Shtetet e Bashkueme të përkrahë zhvillimin e Shqipërisë që në ato ditë.

    Kur populli i Kosovës luftonte për lirinë dhe pavarësinë e vet, Joseph R. Biden, Jr. mori anën e tyne. Kur qeveria serbe u përgjegj kërkesave shqiptare me nji spastrim të egër etnik, Joseph R. Biden, Jr. mbështeti ndërhymjen ushtarake amerikane, dhe Pavarësinë e Kosovës. Ai ka përkrahë gjithmonë demokracinë dhe të  drejtat e njeriut për Shqiptarët në të gjithë Ballkanin, gjatë ushtrimit të detyrës së tij si Senator ashtu edhe si N/President i Shhteteve të Bashkueme……..

   Për këto arsye dhe shumë të tjera, na përkrahim Joseph R. Biden, Jr. për President të Shteteve të Bashkueme të Amerikës në këto momente kritike për Kombin tonë, dhe për botën mbar”.

========

* Autori ashtë aktivist për të drejtat e njeriut. Åi voton demokratet.

Filed Under: Politike Tagged With: Sami repishti, SHBA, Zgjedhjet e 2 Nandorit

MASHTRIMI I MADH (2)

August 12, 2020 by dgreca

(Demokracia e trukuar dhe komunizmi rozë)

“Shqipërinë do t’a gëzojmë ne dhe fëmijët tanë”–

Ramiz Alia–

Shkruan:Eugjen MERLIKA*-

Pjesëmarrja në jetën politike e atyre që nuk ishin pajtuar kurrë me komunizmin qe një tjetër aspekt i farsës së mashtrimeve që pësoi ajo shtresë shoqërore, për të cilën u fol aq shumë në vitet e para të së ashtuquajturës demokraci. Ndoshta nuk do të ishte folur aqë, sikur drejtuesit komunistë të kishin patur mprehtësinë të kuptonin se fati i keq i shqiptarëve të dënuar nga diktatura i interesonte pak ose aspak “botës së lirë”. Sigurisht nuk mund t’a dinin as ata, as të përndjekurit e të gjymtuarit e diktaturës së kuqe se jetët e tyre, të kaluara kampeve e burgjeve, nuk përbënin asnjë shqetësim për atë botë. Ata viheshin në të njëjtin rrafsh me të tjerët, e si të tillë, nuk do të kishin asnjë përparësi në opinionet publike e zyrtare të Perëndimit, për kalvarin e vuajtjeve që komunizmi i kishte detyruar të përshkonin..

Shumë kush mund të thotë se ajo shtresë nuk pati njerëz të pregatitur për të marrë pjesë në drejtimin e Shtetit dhe se periudhën e qeverisjes së PD së disa prej tyre arritën deri në postet më të larta të administratës shtetërore. Kjo është pjesërisht e vërtetë, por duhet vënë në dukje fakti se e gjithë klasa politike pas komuniste, me përjashtim të një pjese të socialistëve, ishte e improvizuar dhe diletante, mbasi përvojën politike nuk mund t’a kishin marrë nga spitalet, fabrikat apo institucionet arsimore ku kishin shërbyer. Në këtë kontekst prirja, për të ngushtuar mundësinë e pjesëmarrjes së ish të dënuarve të ndërgjegjes në jetën politike, ishte e maskuar por reale. Vetë ligji për kontrollin e figurave, i hartuar dhe i shpallur me të madhe si një masë që do të kufizonte pjesëmarrjen e ish zyrtarëve komunistë në Kuvend, në të vërtetë drejtohej në përzgjedhjen e elementëve që vinin nga ish “klasat e përmbysura”. Këta duhej të ishin besnikë të PD ose drejtuesit të saj, përndryshe skartoheshin si të papërshtatëshëm, gjoja simbas dokumentave që kishte në dorë shërbimi i fshehtë e të cilat ishin trashëguar nga Sigurimi i Shtetit komunist. Se sa mund të përpunoheshin këto dokumenta merret me mënd kur nuk ekzistonte asnjë mundësi apelimi ndaj vendimeve të Komisionit.          

Dëmshpërblimi i ish të dënuarve me punë të detyruar gjatë regjimit komunist mbetet ende mbas 13 vitesh të rrëzimit të tij një problem pa zgjidhje. PD në pushtet e njohu si detyrim nga ana e Shtetit por bëri pak për t’a vënë në rrugën e zgjidhjes. Kompensoi një pjesë fare të vogël në të holla e pjesën më të madhe e kaloi në “letra me vlerë”, të cilat, në pjesën dërmuese, u kthyen pa asnjë farë vlere për mbartësit e tyre. Një pjesë e vogël e tyre u shit në treg me një të gjashtën e vlerës e shkoi për të pasuruar ata që blinin objektet e privatizuara, pjesa tjetër u gllabërua nga fantazma anglo-adriatika e askush nuk është në gjëndje të thotë se ç’fund pati. PS që zëvendësoi PD qe më e “sinqertë” në aktin e mashtrimit, mbasi për ish funksionarët e saj me z.Nano në krye, njohu shpërblimet në masën dhjetëfish nga vlera që kishte caktuar Qeveria e Meksit, për disa vite burg të dhëna nga Gjykata e Tiranës në vitet 93-94. Ishin paraparë e paralajmëruar edhe këto dënime në fjalën e Ramiz Alisë si”ndëshkime të vogla, sa për sy e faqe ndaj nomenklaturës së lartë komuniste”. Por kur vjen puna për morinë e viteve të të tjerëve, në kompensimin e të cilëve të gjymtuarit e burgjeve varin shpresën e ditëve të fundit të jetës, Nano dhe kolegët e tij përdorin të gjithë arsenalin e tyre të gënjeshtrave e justifikimeve për të zvarrisur në pafundësi zgjidhjen e problemit. Ju vijnë në ndihmë në këtë demagogji të ulët, për të mos thënë kriminale, “specialistët” si Shkëlqim Cani apo ekspertët e FMN, në heshtjen bashkëpuntore të përfaqësuesvet të organizmave evropiane apo diplomacisë së aleatëve të mëdhenj Perëndimorë…

Çfarë zhgënjimi i llahtarshëm mbas një gjysëm qinvjeti kalvari të kaluar edhe sepse shpirtërisht e moralisht e kishin ndjerë veten pjestarë të botës Perëndimore! Sa larg ishin iluzionet e tyre për atë botë  nga mospërfillja e përgjithëshme me të cilën u shërbyen  prej saj. Vite më parë, në një komision me përfaqësues amerikanë që shqyrtonin kërkesat e kandidatëve për studime në shkollat e larta ushtarake të SHBA, përzgjedhja binte më shumë mbi fëmijët e komunistëve. Një pyetjeje të një antari shqiptar se përse pranoheshin pak fëmijë të ish të përndjekurve, kryetari amerikan ju përgjigj se “ata janë të mbushur me mllef dhe ky paraqet rrezikshmëri.” Sigurisht nuk mund të përgjithësohet ky episod, por mbetet trgues i një mendësie jo të dobishme në lidhje me ata që gjithënjë kishin ëndërruar një jetë tjetër. Në përfytyrimin e tyre këtë jetë e kishin binjakëzuar me botën Perëndimore, parimet, vlerat dhe institucionet e saj.

Frika nga hakmarrja e kësaj shtrese të popullsisë, e hasur jo vetëm në kastën e lartë të komunistëve, por edhe në mjediset katolike e socialiste të Evropës, e bashkuar me prirjen për të mos vënë në pah krimin komunist, në gjithë gjërësinë e thellësinë e tij, bënë që përparësia, që duhet  të kishte ajo në sistemin demokratik, të mbetej vetëm një shpresë e vakët dhe e pasendërtuar. 

Ajo frikë e hamendësuar nga shumë anë në rrjedhën e këtyre viteve nuk u përligj, mbasi hakmarrjet që priteshin nga njerëzit, të cilëve nomenklatura komuniste ju kishte gjymtuar jetën, nuk u vërtetuan. Kjo ndodhi për shpirtmadhësi, për frikë ndaj ligjit, falë një prirjeje për të mos ndërlikuar më shumë jetën, apo për motive të tjera, të cilat gjithkush mund t’i përceptojë simbas botkuptimit të tij. Por besoj se askush nuk mund të mohojë faktin se qëndrimi i asaj shtrese të popullsisë qe një leksion stili e morali në shkallën më të lartë, që tregoi epërsinë e saj të pakundërshtueshme shpirtërore ndaj xhelatëve të tyre, gjë që çuditërisht askush nuk ka dëshirë t’a verë në dukje.

Ata mjedise të së majtës evropiane, të bashkuar me ish komunistët, në të cilët kanë hyrë me të drejta të plota edhe pasardhësit e PPSHsë, thellë në vete gjejnë me vend dhunën kundër “fashistëve”, paçka se ajo dhunë rëndoi mbi tre breza njerëzish të pafajshëm. Kështu ata bënë çmos që të shmangeshin proçeset për dhjetra mijëra dënime të ndryshme në kundërshtim të plotë me Kartën e të Drejtave të Njeriut dhe ndihmuan drejt për së drejti që klasa politike komuniste, me ndonjë makiazh të vogël emërtimi, të ruante funksionin e saj drejtues edhe në sistemin e ri. Ky qëndrim ishte në përputhje me konceptet e parimet që kishin shoqëruar historinë e tyre të mbas luftës. Simbas Viktor Zaslavskit, një studjues i njohur, profesor i sociologjisë në Universitetin Luiss të Romës, drejtuesit e të majtave evropiane, sidomos komuniste, “ karshi popullsive të tiranizuara të Bllokut sovjetik tregonin një indiferentizëm absolut, sikur të bëhej fjalë për mish për top që duhej të bëhej theror në fushën e betejës së  historisë, që të kishin mbështetjen e shtypësve të tyre, për të zënë pushtetin në Perëndim. Ishte një qëndrim cinik, mbi të cilin shumë pak, në të majtën, kanë bërë një provim të vërtetë ndërgjegjeje.”.

Ja pra pse flitet pak ose aspak në Evropë për krimet e komunizmit, ja pse hasim në dukuri të tilla që ish kuadro të Sigurimit të Shtetit gëzojnë strehim politik e pensione në Itali, ndërsa një dorë pleqsh në moshë të thyer, vëllezërit Popa, megjithëse kishin rrezikuar jetën për të hyrë në Ambasadën italiane e për të jetuar në Italinë e ëndërruar, të riatdhesohen pa asnjë mundësi jetese në Shqipërinë e drejtuar nga Fatos Nano e shokët e tij.

 Në fjalën e z.Alia ravijëzohet qartë një strategji për të ardhmen e shoqërisë shqiptare që nuk ndryshon aspak nga ajo e projektuar dhe zbatuar prej partisë komuniste që nga lindja e saj deri në fundin e rremë. Është strategji e bazuar mbi terrorin e mashtrimin, mbi grabitjen e mos respektimin e asnjë të drejte njerëzore. “Të burgosurit dhe të persekutuarit janë të moshuar, nuk kanë fuqi dhe janë të pa rrezikshëm. Duhet të kemi kujdes nga fëmijët e tyre. Por këta, duke ju dhënë nga një pashaportë dhe duke ju bërë presion do t’i largojmë nga Shqipëria. Ata që do të pretendojnë, kundërshtojnë apo do të këmbëngulin, do të lëndohen e do të ndëshkohen.

Pasuria e tyre na përket Neve , sepse Ne e bëmë.”

Ata që sot trumbetojnë me forcë se komunizmi tashmë i përket së shkuarës,në leximin e kësaj pjese besoj se do të kenë rast të rishikojnë dhe një herë bindjet e tyre. Komunizmi i “reformuar” vazhdon t’a shohë Shqipërinë me të njëjtat syze që e kishte parë paraardhësi i tij. “Lufta e klasave” do të vazhdojë  siç vazhdon ndarja e shqiptarëve në “të mirë” e në “të këqij”. Ndryshojnë vetëm metodat, fasada e tyre. Ato bëhen më të holla, më dinake mbasi duhet të ruajnë formën “demokratike”, por në fakt janë më mizore, më të pamëshirshme në thelbin e tyre. Nuk është vështirë që nga fjalët e Alisë të përfytyrohet një Vend që braktiset nga bijtë e bijat e tij, në një dramë të fuqishme në të cilën regjizori pa emër e fytyrë vë në skenë diçka që i shëmbëllen një lloj spastrimi klasor, një lloj ndarjeje, kriteri bazë i të cilit është vetëm prejardhja, të lindurit me një mbiemër të caktuar që diku, në disa regjistra të fshehtë, është vënë në një rreth të kuq.  Dikur këta qytetarë të kategorisë së dytë, mbasi u ishte marrë pasuria, mbaheshin të mbyllur. Tani duhet të përzihen sepse nuk duhet të jenë të pranishëm në rindarjen e pasurisë, që “u takon” atyre, të tjerëve. Ata duhet të ikin, të enden nëpër botë në kërkim të një jete më të mirë, mbasi Vendi i tyre, Shqipëria, duhet të vazhdojë të mbetet pronë e komunistëve të cilëve”u takon” t’a gëzojnë brez mbas brezi duke grabitur, duke e përçarë, duke e poshtëruar në sytë e botës, duke e sunduar në të gjitha format. Kush do t’i kundëvihej kësaj “aksiome”  do të ballafaqohej me ndëshkimin  që do të kthehet në origjinën e tij, në plumbat pa emër të njësiteve guerrile, ose dinamitin në pragjet e shtëpive. Vrasjet pa emër të viteve nëntëdhjetë e deri në ditët e sotme, ndoshta e kanë zanafillën në atë Fjalë ogurzezë të të fundmit Kryetar të Shtetit zyrtar komunist…

Tani e tutje ky Shtet duhet të ndërrojë petk, duhet të heqë uniformën ushtarake ala Mao, duhet të veshë kostumin e kollaren, për të hyrë në sallonet e Brukselit e të Strasburgut. Në fjalorin e tij nuk duhet të ketë më “luftë klasash”, “luftë kundër kapitalizmit”, “diktaturë e proletariatit” e të tjera shprehje të këtij lloji. Atje do të hyhet duke hymnizuar “lirinë”, “demokracinë”, “tregun e lirë”, “solidaritetin atllantik”, “të drejtat e njeriut”. Të gjitha këto duhet t’i shërbejnë si gjethe fiku një synimi të qartë, një besimi të palëkundur, një vendimi të pakundërshtueshëm të kupolës komuniste, të shkruar me gërma të kuqe si gjaku, me të cilin do të mbrohet, po të jetë nevoja: Shqipërinë do t’a gëzojmë Ne dhe fëmijët tanë. 

Kjo do të ishte, në projektin ramizian, Shqipëria demokratike. Nuk do të përbënte ndonjë çudi nëse do të quhej vetëm një projekt, sado cinik e kriminal që është. Nuk mund të pritej diçka tjetër nga një kastë që ishte rritur me pushtetin në dorë, mospërfillëse ndaj interesave të popullit që e mbante në kurriz. Asnjëherë deri atëhere udhëheqja komuniste shqiptare nuk kishte qënë kaq e sinqertë në paraqitjen e saj, kaq e zhveshur nga demagogjia, kaq e tejdukëshme në qëllimet e saj. Asnjëherë nuk e kishte shpalosur kaqë hapur thelbin e qënies së saj, që ishte vetëm ideja e pushtetit mbi një popull që ishte marrë nëpër këmbë e qorollisur aq gjatë n’emër të “interesave” të tij.

Mars 2004

Pj. II- Vijon

Filed Under: Analiza Tagged With: Eujen Merlika, Mashtrimi i Madh 2

VISAR ZHITI: Fishta lajmëroi ardhjen e komunizmit 9 vjet para triumfit në Rusi

August 12, 2020 by dgreca

2020- VITI I AT GJERGJ FISHTES-

Shpate e perkrenare

           -8o VJET-1940 – 2020-

AT GJERGJ FISHTA O.F.M.

ASHT MENDJA, ZEMRA E

SHPIRTI I

POPULLIT SHQIPTAR !

                                                              PLLAKAT NGA FRITZ RADOVANI (2019)

Vllazen e Motra Shqiptarë! 

Me daten 22 Nandor asht Dita e Alfabetit Shqip, që u punue në Shoqninë “Bashkimi” të Shkodres në vitin 1908, nga Poeti Kombtar At Gjergj Fishta, dhe u aprovue në Kongresin e Manastirit. 

Ai Alfabet na mësoi me shkrue fjalët Nanë, Babë e Shqipni… 

Veprat tjera të Atdhetarit At Gjergj Fishta i sherbyen gjithmonë Bashkimit Shqiptarve nen tingujt e Hymnit Flamurit Kombtar, Flamurit të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!

Në këte 80 vjetor që i madhi At Fishta mbylli sytë pergjithmonë, mendoj se, Shqiptarët duhet të kujtojnë Veprat e Tij të Perjetëshme tue i kushtue: 

“VITIN  2020  VITI  I  AT  GJERGJ  FISHTES”

Melbourne, 20 Nandor 2019.                              Me respekt, Fritz RADOVANI

Kujtoj…Sot, mbas pak vjetësh:

SHKRIMTARI  VISAR  ZHITI  SHKRUEN:

145-vjetori i lindjes/ Átë Gjergj Fishta është dhe veprimtar, patriot i flaktë, edhe nën pushtuesin, aspak bashkëpunëtor me të në dëm të vendit të tij, politikan i atdheut, deputet,akademik

i kulturës italiane, duke e parë si kolonë të kulturës europiane. Ai ka qenë i propozuar dhe për çmimin “Nobel”.

Nga Visar Zhiti:

Fishta lajmëroi ardhjen e komunizmit 9 vjet para triumfit në Rusi”

ÁTË NË LETRAT SHQIPE

Përpara emrit Gjergj Fishta gjithsesi na vjen për mbarë të shtojmë atë fjalëzën e shkurtër dhe parake “Átë”, se vërtet At Gjergj Fishta ka diçka të përhershme prej áti, jo vetëm si klerik dhe atë në letërsinë shqipe, por në vetëdijen e shqiptarit. Ai është përcjellës i amaneteve, i kumteve që vërshojnë nga goja e kombit, nga buzët e plagëve të shekujve dhe u bë dhe vetë zë i madh, i ngritur në lartësitë e një epike madhështore, me fuqinë e Mujsit dhe të Halyllit (kupto: Muji dhe Halili), legjendë moderne ndërkohë, me rrënjë shkëmbi, plot dije dhe urti, me dhembje dhe dufe, dhe befas shndërrohet në lirik, me një romantizëm po aq dhe europian, me një gjuhë të begatë dhe onomatopeike dimrash e lumenjsh. 

Por Átë Gjergji ka dhe zemërim perëndish, që nga dashuria e kthen atë në satir(ik), ndoshta është satiristi më i mirë në Ballkan i kohës së tij. Dhe pikërisht këtu, kur ai është qortues, sikur bëhet i pakohë, madje ngjan fare aktual, sikur sapo e shkroi një satirë të tij dhe kjo e bën të ndihet i gjallë vazhdimisht.

Átë Gjergj Fishta është dhe veprimtar, patriot i flaktë, edhe nën pushtuesin, aspak bashkëpunëtor me të në dëm të vendit të tij, politikan i atdheut, deputet, akademik i kulturës italiane, duke e parë si kolonë të kulturës europiane. Ai ka qenë i propozuar dhe për çmimin “Nobel”.

At Gjergj Fishta është një fenomen në kuptimin metaforik, por dhe të zakonshëm, ai u bë shumë i njohur qysh në gjallje, deri dhe anekdotik. Kur dikush, p.sh., ka nisur të recitojë diçka prej tij, menjëherë të tjerë kanë ditur ta vazhdojnë, madje dukej sikur krijohej kori antik, t’i thoshe një varg, tjetri vargun tjetër, kështu ka ndodhur me të, nëpër popull, në teatër, por dhe në autobus, në pllaja, në kuvende burrash, por dhe në burg. Heshtja e dhunshme që e mbuloi gjatë diktaturës, e shoqëruar me denigrime e fyerje si askush, nuk e trandën monumentin e tij, ai, siç thoshin latinët, e sprovoi veten duke mposhtur jo dy vdekjet, por më shumë se aq. Vepra e At Gjergj Fishtës është qëndresë dhe kushtrim lirie, dinjitet kombëtar dhe shkëmb. Peizazhi më i fuqishëm i shpirtit shqiptar. Së bashku me pararendësin e tij Naim Frashëri, që ai e adhuronte, të dy së bashku ata sikur bëjnë dy kokat e shqiponjës në Flamurin tonë.

23 Tetor është datëlindja e tij. Natyrisht kritika letrare, studiuesit, shkrimtarët dhe jo vetëm ata, personalitete të vendit e kanë thënë e do të thonë fjalën për të, gurra fishtiane nuk shter, por për ta përkujtuar, ne kemi zgjedhur një veprim ndryshe, jo studim a vlerësime, por po pranojmë antologjinë e njërit prej lexuesve të tij më pasionantë, Zef Skanjeti, që vazhdimisht e hap Veprën e Atë Gjergj Fishtës, mrekullohet prej saj dhe dëshiron t’i japë lexuesit pjesë, që sipas tij, janë dhe aktuale, nga njëra anë për rëndësinë e kumtit e dritën udhërrëfyese dhe nga na tjetër si dukuri, pengesa, që duhen qëlluar me shigjetat e mprehta fishtiane. Thjesht për të ndjerë se sa i madh është, pazgjidhshmërisht me Shqipërinë dhe shqiptarët.

DREDHA E DJALLIT

Te satirat në “Anzat e Parnasit”, përveç të tjerave nënvizojmë fuqinë profetike të mirëfilltë si “Dredha e Djallit”, ku paralajmëron ardhjen e dreqit të kuq (komunizmit) në Shqipëri qysh më 1908, pra 9 vjet përpara se ai të triumfonte në Rusi, më 1917 (Shënim nga Z. S.)

……………………………………

E shka t’lânë kta kater ujq,

Qi i kercnohen shoqi-shojt,

Thonë, do t’dalë nji dreq i kuq,

Qi pa dhimbë do t’i a njesë thojt.

Edhe m’duket se për né,

Mor’ Shqyptarë, ky djáll i zi

Sa mâ para ka me lé,

Pse na dreqnit kem’ kojshi…

Qe, pra, tash se per ç’arsye

Punë n’Shqypni s’jet pa u shpërthye,

Due me thânë, pa u partallisun

Çdo pûnë mbarë qi t’jetë nisun

E kjo nâmë, ase kjo rrfé,

Ka me ngjatun, thom, ndër né

Dersá menden na t’a rrisim

E me dije mos t’a shndrisim;

Dredha e djallit, pse s’âsht tjetër

Si e kam kndue nder libra t’vjetër

Veç padija dhe krenija,

Qi shkojn njitë si trupi e hija.

SHKODËR, (RI)VARRIMI I GJERGJ FISHTËS

(nga libri “Thesaret e frikës” i poetit Visar Zhiti)

shkruar gegërisht

N’varrin e shembun dhe t’harruem u gjetën copra kocash, mbetun nga mëkati i pakalbun.

Çka mund t’bahet me to, o At’, veçse skeleti i dorës, që mbi dhe ka shkrue eposin e vdekun të t’gjallëve e nen dhe eposin e gjallë të t’vdekunve? 

Baj Kryq dhe dora m’zhvishet, bien mishi, m’bahet skelet si dora jote e kombit. E mbushim me zanin tand si shpatën me millin. Se e gdhendëm drunin e fatit tonë. Ranë bujashka fjalësh n’varrin që s’do të vdesi ma.

============

Shenim FR: Botohet pa asnjë ndryshim. Fritz Radovani-

Melbourne, 10 Gusht 2020.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ardhja e komunizmit, At Fishta, Visar Zhiti

MESAZH LAMTUMIRE PËR LEK GOJÇAJ…

August 11, 2020 by dgreca

– I PAMUNDËSUAR PËR TA LEXUAR NË CEREMONINË PËRCJELLËSE –

NGA MARJAN CUBI-DIELLI-

Lekë Gojçajn e kisha mik dhe më ka ligështu në shpirt ikja e tij e parakohshme. Na kishte lidhë ngushtësisht në shpirt Shenjtëresha me gjak shqiptar Nënë Tereze dhe Dr. Ibrahim Rugova..

Tek Leka shihja ndërlidhjen e patriotizmit me përkushtimin fetar. E kam parë këtë në shumë momente:

-E kam përjetuar në Vatikan më 1988 në audiencën me Papa Gjon Pali II, ku ishim të pranishëm. Kujtoj se mesazhi i Papës derjtuar shqiptarëve, na mbushi shpirtrat me jetë!

E kam parë tek përpjekjet e Lekës me vëlla Pashkun, për të përjetësuar Nënën Tereze në SHBA dhe Trojet Etnike me Shtatoret, që nisën në të gjallë të saj.

E kam përjetuar, në udhëtimin tonë drejt Kalkutës –Indi dhe pjesmarrjen në homazhe dhe ceremoninë e varrimit të Nënë Terezes-Shtator 1997. Nëna Terezë ndërroi jetë me 5 shtator 1997, ndërsa ceremonia e varrimit do të organizohej me 13 shtator. Ne u nisëm nga aeroporti Kenedy në orën 8 të mbrëmjes të 9 shtatorit dhe arritëm në Kalkuta me 11 shtator. Përgjatë të gjithë udhëtimit Leka fliste plot pasion për jetën dhe përkushtimin e Nënës Terezë mes të varfërve.Me mijëra e mijëra njerëz prisnin në radhë, ndër ta dhe fëmijë të vegjël me lule ndër duar, për të hyrë tek Kisha e Shën Thomait, ku ishte vendosë trupi i Nënë Terezës. Radhët kanë vazhduar për gjashtë ditë. Ishin radhë të pafundme, por njerëzit qëndronin pa u ankuar për lodhjen e pritjeve të gjata.

          Sjell në mendje mëngjesin e 13 shtatorit 1997, kur Leka, më takon dhe më tregon se ka qëndruar pa gjumë tërë natën nga emocionet e forta të shkaktuara nga përjetimi i asaj çfarë kishim parë gjatë atyre ditëve, ku qytetarë nga e gjithë bota nderonin bijën e gjakut shqiptar, nënën e të varfërve të Botës, Nënë Tereza.

Leka kishte thurur në mendjen e tij vargje, që i kushtoheshin Nënë Terezës.Kujtoj:

Oj Kalkuta e Indisë

Je qyteti i varfërisë

Tani u bëre i historisë…

Nënë Tereze, bijë e Shqipërisë

Ti qe drita e fëmijërisë

U bëre Shënjtëreshë e Lumnisë

Lutu për Tokën e Shqiptarisë…!

Homazhe prane arkmortit me Trupin e Pajete te N Terezes-Nga e djathta Pashk e Lek gojcaj, Marjan Cubi, Simon Simolacaj.

Ishin ditë të paharruara ato që kaluam së bashku me vëllezërit Lek dhe Pashko Gojçaj dhe Simon Simolacaj. Në orën 9 të mëngjesit të 13 shtatorit zumë vend në stadiumin e qytetit, ku ishin të pranishëm rreth 25 mijë besimtarë. Kishin ardhë aty kryetarë shtetesh, personalitete të larta fetare dhe qytetare,ishte dhe presidenti i Shqipërisë Rexhep Meidani, Kryeministri i asaj kohe i Kosovës Bujar Bukoshi dhe personalitete të tjerë. Në orën 10 të mëngjesit ushtarakët bartën arkivolin me trupin e Nënës Terezë dhe e vendosën në qendër të stadiumit, ku ishte ndërtuar altari, ku u zhvillua mesha e Dritës. Gjithçka ishte e mbushur me emocione. Krerët e lartë fetarë përcollën Lutje. Më pas personalitete shtetërore vendosën lule, në fillim Kryetari i Shtetit Shqiptar, Prof. Rexhep Meidani. I pranishëm edhe Imzot Rrok Mirdita, shqiptarë nga Europa dhe Amerika, jo vetëm nga Nju Jorku, por edhe nga Detroiti.

Me 14 shtator , në orën 3 pasdite , Dom Anton Kçira, ngriti meshë tek varri i Nënë Terezës. Në këtë meshë morëm pjesë edhe ne shqiptarët e Amerikës, shqiptarë nga Gjermania, si dhe Motrat Misionare. Të nesërmen morëm rrugën e kthimit dhe pas 18 orësh fluturim, zbritëm në New York.

    Me Lekën ishim edhe në Rambuje , Shkurt 1999, ishim bashkë me një delegacion në vizitë në Kosovë , menjëherë pas luftës, ishim bashkë në Shqipëri në vizitën historike të Papa Gjon Palit II në Shqipëri, të pranishëm në shugurimin e 5 Arqipeshkeve, ndër ta dhe Imzot Rrok Mirdita…Ishim me Lekën dhe bashkatdhetarë të tjerë në nëntor 2000, duke ndjekur zgjedhjet lokale në Kosovë…Gëzim të veçantë provoi Leka me 2 Korrik 2002, në inaugurimin e Shtatores së Nënës Terezë në Prishtinë, kur dr.Rugova çmoi dhe vlerësoi lartë veprën e vëllezërve Gojçaj…

        Do të isha bashkë me Lekën e vëlla Pashkun në Lumturimin e Shejt Nëna Terezë, prill 2003. Në shtator 2010, ne përjetuam bashkë Shejtërimin e Shetjtëreshës Tereze, ndërsa në shtator 2014, shkuam në Tiranë dhe përjetuam vizitën e Papa Françeskut dhe Lumturimin e 39 martirëve.

Unë mendoj se Leka me vëlla janë nga më bujarët e shqiptarëve: Ata nuk kursyen asgjë për Fe e Atdhe: 100 Mijë dollar i dhuruan për ndërtimin e Kishës Zoja e Shkodrës në New York, 100 Mijë dollar i dhuruan për Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë; mijëra dollar për Shtatoret e Nënë Terezës në SHBA dhe Trojet Etnike shqiptare, dhuruan për xhamia e teqe, investuan në vendlindje në objekte sociale; ata dhuruan mijëra dollar në fushatat për presidentë, senatorë e Kongresmenë amerikanë, për t’i kyçur e përkushtuar ata në çështjen Shqiptare. Ata dërguan prej Amerike edhe arkmortin për të ndjerin Dr. Ibrahim Rugova.

Rrallë gjenë njerëz të tillë kaq të përkushtuar, bujarë e fisnikë.

Të qoftë e lehtë toka e Amerikës i dashur mik Lek Gjeto Gojçaj!

Pusho në Paqë!

Filed Under: Featured Tagged With: Marjan Cubi, MESAZH LAMTUMIRE PËR LEK GOJÇAJ

Kosova, bashkërendime institucionale në siguri

August 11, 2020 by dgreca

-Kryeministri Hoti kërkoi bashkërendim veprimesh institucionale në fushë të sigurisë/

PRISHTINË, 11 Gusht 2020-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka mbajtur sot një takim virtual me drejtuesit e institucioneve të sigurisë së vendit, me të cilët ka biseduar për gjendjen e përgjithshme në vend dhe për bashkërendimin e veprimeve institucionale në fushë të sigurisë.

Pjesëmarrës të këtij takimi ishin ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Kreshnik Gashi, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Në këtë bashkëbisedim, kryeministri Hoti i falënderoi përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë në vend për përkushtimin dhe angazhimin e shtuar të tyre për përballimin e gjendjes së krijuar si pasojë e pandemisë COVID 19. Po ashtu, ai kërkoi që ky përkushtim dhe ky mobilizim i këtyre institucioneve të vazhdojë edhe më tutje, ndërkohë që kërkoi edhe koordinimin me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, e në veçanti me KFOR-in, si një partner strategjik i Kosovës në fushë të mbrojtjes dhe sigurisë.

Filed Under: Kronike Tagged With: kosova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 43
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT