• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2020

Identiteti evropian i shqiptarëve

August 11, 2020 by dgreca

Nga Ismail KADARE*- Është folur shpesh për atë pjesë të Shqipërisë që, ndonëse s’guxon të dalë haptas, është kundër Evropës. Është folur për mafien dhe krimin e organizuar, që, duke mos njohur komb e atdhe, s’kanë si të çajnë kryet për to. Është folur për politikanë të korruptuar, që, ashtu si mafia, tmerrohen nga ligjet e demokracisë e nga standardet e Ballkanit evropian. Është folur për fjalimet antiamerikane në parlamentin shqiptar më 1997-ën, që kanë shkaktuar, me siguri, lot nostalgjikë në sytë e stalinistëve shqiptarë. Janë të njohura udhëtimet gjysmë të fshehta të politikanëve shqiptarë të të dy krahëve në vende disa herë të cilësuara si terroriste, me qeveri të dyshimta, që s’i duan as popujt e vet e me të cilat s’na lidh asgjë. Të gjitha këto dihen. E keqja është se kujtesa e politikës shqiptare është e shkurtër dhe, veç kësaj, disa nga politikanët tanë dinakërinë e tyre e kujtojnë për zgjuarsi. Është e kuptueshme që dhe haxhiqamilizmi, dhe komunizmi shqiptar do të linin pas vetes një frymë të sëmurë kundërevropiane. Është e kuptueshme që shumë njerëz do të ndihen keq në familjen e sotme të popujve. Problemi i mirëkuptimit ose moskuptimit shqiptar me kontinentin, është në thelb mirëkuptimi ose moskuptimi me vetveten. Raportet me Evropën s’mund të jenë veçse të qarta e pa dy- fytyrësi. Mesazhi i Evropës më 1997-ën dhe 1999-ën, ishte i qartë. Ajo na quante të vetët, ashtu siç ishim, me atë identitet që kishim. E vetmja kërkesë e saj ishte ajo që iu bë gjithë popujve të tjerë të ish-Lindjes komuniste: emancipimi, demokracia. Trillet, nazet dhe dyshimet nuk janë pa një burim. Një pjesë vijnë nga keqkuptimet tona të vjetra, një pjesë nga dredhitë e sotme. Ende disa vite më parë ishin të kuptueshme. Por në pranverë të këtij viti, ato janë të tepërta. Pengesat që s’na lënë, ose na duket se s’na lënë t’i afrohemi Evropës, përpara se t’i kërkojmë jashtë, duhet t’i kërkojmë brenda nesh. Nuk është pengesë asnjëra nga fetë e, sidomos, nuk është myslimanizmi ndaj të cilit dyshimi ngjan më i lehtë. Është thënë me të drejtë se të tri besimet janë të barasligjshëm në Shqipëri. Duke mos qenë pengesë asnjëri, po aq mund të thuhet se asnjëri s’është lokomotivë që na tërheq drejt Evropës. Në pengojnë, ata pengojnë të tre bashkë e, në tërheqin, këtë e bëjnë të tre njëlloj. Një shqiptar mysliman, është po aq i natyrshëm si shqiptar dhe si evropian, sa një katolik e po aq, sa një ortodoks. Në acarimet e shpesh në përpjekjet me turqit osmanë, shqiptarët myslimanë ishin në vijën e parë. Feja e njejtë me pushtuesin nuk ua mjegulloi idenë e lirisë. Bilbilenjtë, ata që në mënyrë aq të padenjë u përgojuan në Kuvendin shqiptar më 2006-ën, ishin një nga familjet martire, 13 djem oficerë të së cilës u varën brenda ditës nga pushtuesi me të njëjtën fé. E njëjta gjë ka ndodhur me shqiptarët ortodoksë. Martirët e vijës së parë kundër trysnisë mizore të shovinizmit fqinj, ishin pikërisht ata. Papa Kristo Negovani, At Stath Melani, Petro Nini Luarasi, janë vetëm disa nga emrat e mëdhenj që feja e njëjtë me kundërshtarin nuk ua zbehu për asnjë çast idenë e lirisë. Rexhep Qosja ka të drejtë kur thotë se nëse shqiptarët do të kishin ruajtur besimin fillestar, rikthimi i tyre në Evropë do të kishte qenë më i lehtë. Por kjo keqardhje e tij, nëse mund ta quanim kështu, bie ndesh me këmbënguljen se gjysma jonë i përket ndërkaq qytetërimit lindor. Me këtë pranohet ngadhënjimi i vonuar i shtetit osman. Me këtë pranohet se në gjithë gadishullin ballkanik i vetmi popull që u thye, qoftë edhe përgjysmë, ishim ne. Në qoftë se kjo do të ishte e vërtetë, ne do të ishim të detyruar ta pranonim. Por kjo, për fat, nuk është kurrsesi ashtu. Siç u tha më lart, kombet nuk ndryshohen as nga pushtimet e as nga konvertimet. Nostalgjia e tërthortë që po shfaqet sot tek ne për otomanizmin nuk është vetëm e habitshme. Ajo është në radhë të parë poshtëruese. E po ashtu fantazma e Haxhi Qamilit, që përherë e më shpesh shfaqet në trojet shqiptare. Shtatorja që iu ngrit në qendër të Tiranës, më 2001, një shefi otoman, i shpallur si kinse themeluesi i qytetit, ka qenë fyerja më e madhe për kryeqytetin e shtetit, për historinë dhe ndërgjegjen shqiptare. Vetëm një popull që nuk e meriton lirinë mund t’i ngrejë shtatore pushtuesit të vet. Bashkia e Tiranës, e drejtuar në atë kohë “nga haxhi qamilët”, siç i cilësoi me të drejtë arkitekti Maks Velo, e ngriti atë shtatore natën dhe pa lajmëruar askënd, si keqbërësit. Banorët e pallateve rreth sheshit, ku ajo ende ngrihet sot, e mbajnë mend njeriun që printe vallen rrotull shtatores atë natë. Ky njeri mban një nga postet më të rëndësishme në qeverinë e sotme. Kjo shtatore është mishërimi i korrupsionit politik dhe moral të shkallës më të errët. Historianët e kanë shpallur të rremë këtë gjoja themelues. Emri i Tiranës si vend vendbanimi, është shumë më i vjetër se koha e këtij pashai. Klisheja krejtësisht e gabuar e përftimit të Shqipërisë si vend ndërmjetës, një sanduiç midis Lindjes dhe Perëndimit, një qytetërim as ashtu, as kështu, thënë ndryshe një “vend i as-as-it”, s’na bën kurrfarë nderi. Së pari, sepse nuk është e vërtetë, së dyti, sepse, të lakmosh një cilësim të tillë, është njëlloj si të vetëshpallesh “gjysmak”, që në shqip midis të tjerash do të thotë “tarrallak”. Ideja e përhapur andej-këndej dhe fatkeqësisht e përkrahur nga Qosja, se “fati ynë historik është i paracaktuar për të sendërtuar zbutjen e kundërshtimeve midis Lindjes dhe Perëndimit”, të kujton një nga njollat e historisë shqiptare, kapardisjen e Shqipërisë komuniste për kinse misionin e saj planetar për mbrojtjen e marksizëm-leninizmit. Ide të tilla delirante, ato me të cilat Shqipëria, për një kohë të gjatë, u bë gazi i botës, u kanë ardhur në majë të hundës shqiptarëve. Por jo politikanëve tanë. Me sa duket, reflekset e vjetra të zyrave të Enver dhe Nexhmije Hoxhës, u vijnë në mendjet e tyre prej mitomanësh. Janë këto, me sa duket, që shkaktojnë çoroditjen kryesore në politikën shqiptare. Një pjesë e madhe e politikanëve flasin gjithë ditën për Evropën dhe Perëndimin, por mendjen, me sa duket, e kanë nga Lindja. Nga Lindja në të gjithë gamën që ajo ngërthen: Lindja e Mesme, ish-lindja sovjetike, e po të mos mjaftojë kjo, edhe ajo kineze maoiste. Janë këto reflekse, që i shtyjnë këta politikanë, që, në vend që të përqëndrohen në çështjet e ngutshme madhore përpara të cilave ndodhet kombi shqiptar: mirëqenia, hyrja në Evropë dhe statusi i Kosovës, fillojnë e joshen nga fantazira pa kuptim, për të cilat nuk kanë as mundësi, as shtat e as tagër moral nga populli i vet. Të brengosesh se si do të pajtohet Perëndimi me Lindjen, të kinse ndërhysh, për shembull, në kinse rolin e ndërmjetësit, në mosmarrëveshjet SHBA – Iran, për energjinë bërthamore, kjo, në rastin më të thjeshtë quhet ëndërr në diell, kurse në rastin më të keq, e ka emrin korrupsion politik. Misioni i shqiptarëve në këtë planet, fati apo e thënia e

    tyre, është një dhe i pandryshueshëm: mbrojtja e interesave të vendit të tyre, që quhet Shqipëri dhe i popullit të tyre, që mban emrin shqiptar.

Mua më duket se problemet janë tepër të qarta dhe gjithçka është  në krah të kombit, akuzat që ngrihen janë marrëzi, ndërsa komentet kundërshtuese më duket se nuk kanë bazë.

Fragment: Marrë nga Sprova” Identiteti evropian i shqiptarëve”

Filed Under: Opinion Tagged With: i shqiptareve, Identiteti evropian, Ismail Kadare

Rilindjen, gazetën e vetme shqiptare të Kosovës para 30 vitesh e ndaloi Serbia

August 11, 2020 by dgreca

– Kosovës para 30 viteve Serbia ia ndaloi edhe gazetën e vetme të përditshme në gjuhën shqipe në atë kohë Rilindja. Në 8 Gusht 1990 gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja nuk doli, natën ishte ndaluar në shtypshkronjë nga forcat okupatore serbe. Por, Rilindja edhe kur u ndalua nuk u ndal…Revistat u bënë si gazeta duke nisë nga Fjala që doli të nesërmen edhe me informacione ditore – shkrime të gazetarëve të Rilindjes, e pastaj revista Bujku u bë gazetë e përditshme e rezistencës…/

-Edhe pse pati dëbime e mbyllje të dhunshme, gazeta tradicionale e historike Rilindja arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare/

-Si në raste tjera, pas ridëbimit e rimbylljes së gazetës Rilindja në 21 Shkurt 2002 nga UNMIK, edhe sot e shohim të nevojshëm një sqarim për opinionin: Ndonjë portal që ka “huazuar” emrin, po edhe logon, nuk është as nuk mund të jetë gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila mund të ridalë vetëm në një proces të ligjshëm privatizimi, ku të gjithë punëtorët e saj realizojnë të drejtat e tyre, ashtu si është kërkuar edhe në shkresat drejtuar institucioneve të Kosovës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI*

PRISHTINË, 8 Gusht 2020/  Para 30 viteve, në 8 Gusht 1990, gazeta  Rilindja – në atë kohë e vetmja e përditshme në gjuhën shqipe e Kosovës nuk doli, natën ishte ndaluar në shtypshkronjë nga forcat okupatore të Serbisë, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënin shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën, e edhe pas ndalimit nuk u ndal…

Dhe nuk ishte ndalur, gazeta Rilindja kishte dalur më shumë se një muaj përkundër masave të dhunshme të Serbisë, që e përfshinin edhe ate në ditën e 5 Korrikut 1990 të suprimimit të institucioneve të Kosovës e mbylljes së Radio Televizionit të Prishtinës. “Okupim klasik”, ishte reagimi dhe kundërshtimi i Rilindjes në komentin në faqen e parë në ditën e 6 Korrikut. Beogradi, edhe pse në ditën e masave të dhunshme kishte marrë vendimin, kurrë nuk arriti ta bëjë gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë”. Asnjë punëtor i gazetës Rilindja nuk e pranoi këtë, të gjithë e kundërshtuan dhe e hodhën poshtë. Kryeredaktor i gazetës Rilindja vazhdonte të jetë Nazmi Misini, i mbështetur nga punëtorët e ndërmarrjes, që nuk pranuan dhe kundërshtuan fuqishëm masat e dhunshme të Serbisë.

Masat e dhunshme pasonin 2 Korrikun historik 1990, kur në shtetrrethim dhe para snajperëve serbë, Kosova me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj shpallte pavarësinë, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Në prag të ditës së Deklaratës Kushtetuese për pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të dielën e 1 Korrikut, në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja isha redaktori kujdestar për ngjarjet e ditës.

Në atë ditë të 1 Korrikut 1990 pjesë e sulmeve të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve ishte edhe një “referendum për Kushtetutën e re serbe” të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpallja e “shtyerjes” së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmërur për 2 Korrik, e për të cilën përfaqësuesit e popullit-delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për Deklaratën Kushtetuese…

“Shtyrja” shpallej si vazhdimësi e bllokimeve e ndërprerjeve të punimeve të Kuvendit të Kosovës…“Reprizë nuk do të ketë”, me këtë titull shkruajta komentin në mbështetje të delegatëve që të mbahet gjithësesi mbledhja e Kuvendit me axhendë vullnetin e kërkesat e popullit – Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të Kosovës.

“Kuvendi i Kosovës është i popullit dhe në të mund të vendoset vetëm sipas vullnetit e kërkesave të popullit”, theksonte komenti që u botua në numrin e 2 Korrikut 1990 të gazetës Rilindja, e cila që nga faqja e parë kishte raportime e shkrime me tiujt “Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”, “Populli vendosë në Kuvendin e vet”, “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit”…

Raportohej se “vazhdojnë tubimet legale dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë” dhe se “kërkesë unanime” ishte që mbledhja e Kuvendit të Kosovës “të mbahet sot dhe të ketë në rend dite këkesat gjithëpopullore”. Poashtu raportohej se në Gjakovë përfundoi Kongresi i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili përkrahu delegatët e Kuvendit të Kosovës edhe për iniciativën për shpalljen e Kushtetutës së re të Kosovës, e cila Kushtetutë e Republikës së Kosovës e miratuar në 7 Shtator 1990 pasonte Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut të po atij viti.

Edhe në një film dokumentar të shfaqur në seancën solemne të Kuvenditë të Kosovës në 25 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese shihej gazeta Rilindja në duart e delegatëve, në mbledhjen para dyerëve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës të 2 Korrikut 1990.  

Rilindja ishte me delegatët e Kuvendit të Kosovës në ngjarjen historike për të cilën raportoi gjerësisht me ekip gazetarësh e fotoreporterësh dhe kishte edhe redaksionalin tim me titull “Fillim i së nesërmes”, të botuar në ballinë në 3 Korrik 1990, ku theksonte se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota”…

Në ditën kur Serbia ia ndaloi Kosovës gazetën e vetme të përditshme në gjuhën shqipe Rilindja bëja edhe një shkrim rezistence e proteste. “Rilindja e popullit jeton edhe e pashkruar”, me këtë titull shkruaja reportazhin herët në mengjesin 8 Gushtit 1990 duke ecur rrugëve e shesheve të Prishtinës dhe duke përshkruar reagimin e popullit në nisjen e ditës pa gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja.

Me reportazhin e shkruar rrugëve më shumë në mendje e në fragmente me laps në një copë letre, përkundër ndalimit shkova në Pallatin Rilindja dhe pasi e daktilografova me makinë shkrimi nga redaksia e gazetës ngjita shkallëve të kateve më lart për te kryeredaktori i revistës për kulturë Fjala, Milazim Krasniqi.

 I tregova reportazhin dhe idenë që bashkë me lajmet kryesore që do i merrnim nga terreni nga korrespondentët e gazetës Rilindja (në atë kohë isha redaktor-shef i korrespondentëve) t’i botonte në Fjala. Revistën Fjala, për herë të parë edhe si gazetë, e nxori që të nesërmen, pa pritur dyjavëshin kur dilte.

Në katër faqet e mesme me reportazhin dhe lajmet e ngjarjeve të ditës ishte “Rilindja e fshehur brenda Fjalës”, siç thonin shumë njerëz që e mbanin në duar e lexonin revistën që u botua e shtyp në tirazh rekord.

Botimi i shkrimeve-informacioneve të gazetarëve të gazetës së ndaluar Rilindja që e nisi së pari revista Fjala me shpeshtime daljesh edhe si gazetë vazhdoi edhe te revistat tjera – Shkëndija, Kosovarja, Zëri i Rinisë…dhe për të pasur informacione edhe në ndonjë ditë më shumë gjatë javës doli edhe ideja që të nisë të ridalë edhe revista Bujku, e cila ishte e përdymuajshme për fshatin e bujqësinë dhe kishte vite që nuk kishte dalë fare. Fjala, Shkëndija, Kosovarja, Bujku e të tjera revista ishin të Ndërmarrjes së Revistave, që ishte një nga gjashtë ndërmarrjet sa kishte Ndërmarrja Shoqërore e Përbërë Rilindja, pjesë e së cilës dhe më e madhja ishte Gazeta Rilindja…

Ishte 17 Janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës Bujku dolën disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor të revistës, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës Rilindja…

Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrë Bujkun, jo si revistë, por si gazetë dhe të përditshme “përkohësisht”.

Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persek…Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen që filloi të tronditë botën – fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”.

Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd – kryeqytetin e federatës së atëherëshme, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës Bujku shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen e ndaluar.

E nxjerrë pikërisht nga gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja, me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale, Bujku ishte gazetë e rezistencës, e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik.

Gazeta e përditshme Bujku doli deri në prag të vitit 1999, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.

Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të  gazetës Rilindja nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme Rilindja në Prishtinë,  duke punar nëpër shtëpitë e tyre,  dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli nga  22 Shkurti derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova. Kryeredaktor i gazetës Rilindja që dilte në Prishtinë në kohë lufte në Kosovë ishte Binak Kelmendi, e para tij kryeredaktorë të gazetës Bujku, pas të parit – meje, ishin edhe Xhemajl Rexhepi, Ruzhdi Demiri, Hydajet Hyseni e Avni Spahiu.

Ekipi Rilindjes, ku ishim bashkë me korrespondentin në Maqedoni Bedri Sadiku, hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 Qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup, të cilën e solli prej atje korrespondenti i Zërit të Amerikës, Isak Ramadani bashkë me gazetarin tjetër nga Shkupi, Arben Ratkoceri.

Në faqen e parë, ku shkruhej se “Dje në orën 5.17  Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”, editoriali i Blerim Rekës kishte titullin “Normandizimi i Kosovës dhe kapitullimi serb”.

Në Kosovën e lirë, gazeta Rilindja u rikthye në Prishtinë dhe vazhdoi të dalë përditë, kryeredaktor fillimisht ishte Berat Luzha, pastaj Ramush Tahiri dhe i fundit isha unë.

Gazeta Rilindja nuk u ndal, vazhduam të punojmë e ta nxjerrim edhe kur administratori i UNMIK për të na bërë presion të largohemi na e ndali ujin në Pallat disa muaj dhe na jepte afate ultimative për vetëlargim, që nuk i pranuam. Edhe në ato kushte, gazeta Rilindja doli përditë deri në 21 Shkurt 2002, kur na ndalën edhe rrymën elektrike dhe pastaj na i mbyllën me grila hekuri të gjitha hyrjet në Pallatin e Rilindjes.

Gazetën Rilindja e dëbuan e mbyllën kundërligjshëm e padrejtësisht pak ditë pasi festoi 57 vjetorin,  ditën e saj – 12 Shkurtin.

Në numrin festiv të Rilindjes së 12 Shkurtit 2002 në faqen e parë “‘Sundimi i Ligjit’ apo ‘Sundimi i Bandave’? Kosova Duhet të Vendosë”, ishte titulli i shkrimit ekskluziv nga Ambasadori Xhon Menzis, Shef i Misionit, Zyra e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

“Sot shënohet 57 vjetori i gazetës ditore ‘Rilindja’, gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në Kosovë”, niste ambasadori amerikan shkrimin-editorialin, ku mes tjerash theksonte edhe se, “si shef i misionit të Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë, unë e di mirë rolin që  e ka ‘Rilindja’ në shoqërinë demokratike që është duke u krijuar në Kosovë”.

“Në këtë përvjetor të 57-të të gazetës ‘Rilindja’, e uroj Z. Behlul Jashari, Z. Ramush Tahiri dhe gjithë kolektivin për punën e mirë që e bëjnë me shkrimet mbi çështjet e ndërlikuara politike në Kosovë, shkrime këto të drejta dhe të balancuara. Nuk është punë e vogël të botohet një gazetë për 57 vite me radhë dhe ju mund të jeni krenarë që e keni arritur këtë. Ne duhet të punojmë së bashku duke përdorur fuqinë e penës, fuqinë e diplomacisë dhe fuqinë e opinionit publik në mënyrë që të sigurojmë mosndryshimin e vazhdimësisë së përparimit demokratik të Kosovës, dhe që sundimi i ligjit do të mbizotërojë gjithnjë mbi sundimin e bandave”, theksonte në përfundim të editorialit Ambasadori Amerikan Menzis…       

 Edhe pas dëbimit, përsëri Rilindja nuk u ndal, me punë nëpër shtëpia si në kohë lufte, për të ruajtur emrin e traditën e për të vijuar të jetë histori e Kosovës, doli në raste të veçanta me numra të jashtëzakonshëm e protestues, të kohëpaskohëshëm, edhe kur kishte festa. 

Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e afër 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 Dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, në ballinë me kryetitullin e ëndërres dhe  të ardhëmes: Kosova shtet në OKB. Dhe me paralajmërimin: Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë.

 Pas 10 vitesh nga botimi i fundit i printuar në letër, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në ndërrim motesh – në mbrëmjen e 31 Dhjetorit  2018 të pritjes së 2019-tës, ridoli simbolikisht (botim digjital) për protestë dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim, sipas shembullit të gazetave në rajon e në botë që kishin status të njëjtë ndërmarrje shoqërore e që janë privatizuar e vazhdojnë të dalin…

Në arsyetimin e  kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati,  dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

 “Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesë.

Gazeta shqiptare tradicionale e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para më shumë se 75 viteve, në 12 Shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.

Edhe pse pati dëbime e mbyllje të dhunshme, gazeta tradicionale e historike Rilindja arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare.

Si në raste tjera, pas ridëbimit e rimbylljes së gazetës Rilindja, edhe sot e shohim të nevojshëm një sqarim për opinionin: Ndonjë portal që ka “huazuar” emrin, po edhe logon, nuk është as nuk mund të jetë gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila mund të ridalë vetëm në një proces të ligjshëm privatizimi, ku të gjithë punëtorët e saj realizojnë të drejtat e tyre, ashtu si është kërkuar edhe në shkresat drejtuar institucioneve të Kosovës.

Kërkesa për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila është themeluar si një organ i pavarur publik, në bazë Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e themeluar nga  UNMIK – Misioni  i OKB i pas luftës në Kosovë.

Ndërmarrja Shoqërore Gazeta Rilindja në vitin 2017 ka hyrë në procesin e likuidimit, gjatë të cilit punëtorët e saj kanë bërë kërkesat e tyre bazuar në ligje në Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.

*(Behlul Jashari – në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja nga Shtatori 1973 – gazetar, reporter i lirë, komentator, redaktor, kryeredaktor i parë-themelues i gazetës së përditëshme të rezistencës Bujku që nisi të dalë në 18 Janar 1991 dhe kryeredaktor nga Janari 2002 i gazetës Rilindja, e cila me numrin e fundit të shtypur ka dalë në 30 Dhjetor 2008, ndërsa pas 10 viteve kishte edhe një ridalje simbolike protestuese, botim digjital, në 31 Dhjetor 2018)

Filed Under: Histori Tagged With: 30 vjet, e ndali Serbia

VETËM SË BASHKU DO TË REALIZOJMË ËNDRRAT DHE ASPIRATAT KOMBËTARE!

August 11, 2020 by dgreca

 –Koalicioni i Organizatave Shqiptaro Amerikane nga Mali i Zi-

DEKLARATË –

Të dashur bashkatdhetarë,

Ne, përfaqësuesit e Koalicionit të Organizatave të Komunitetit Shqiptar në Amerikë, me origjinë nga Mali i Zi, bazuar në angazhimet tona gjatë dy javëve të fundit, japim këtë deklaratë:

1. Siç e dini, fillimisht ne u angazhuam dhe thirrëm për një marrëveshje në mënyrë që të

gjitha Partitë dhe Organizatat shqiptare në Mal të Zi të bashkohen në një listë të vetme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Mal të Zi. Duke u nisur nga suksesi dhe rezultati pozitiv i bashkimit të Subjektet shqiptare për Komunën e Malësisë – Tuz vitin e kaluar, ne kishim arsye të bindshme se kjo është mënyra më e mirë që si një subjekt i bashkuar të jemi më të fortë dhe kështu të mbrojmë interesat tona për një të ardhme më të mirë të shqiptarëve në Mal të Zi. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi. Por kjo nuk duhet të na ndalojë në punën dhe angazhimet tona për një zhvillim më të mirë, që subjekti politik shqiptar të jet i bashkuar dhe mbështetur nga votuesit tanë. Megjithëse dëshirat tona nuk u realizuan, koalicioni i formuar në Guci para disa ditëve është shpresëdhënës që të vazhdojmë të përpiqemi dhe të punojmë për një bashkim të subjektit politik me mbështetjen e elektoratit shqiptar.

2. Megjithëse mund të kemi pasur arsye që të pozicionohemi dhe të mbështesim njërën prej dy listave, kësaj herë ne nuk do ta bëjmë atë. Arsyeja kryesore për këtë është se ne vazhdojmë të jemi forcë për unitet dhe jo për ndarje. Por presim, dhe kërkojmë që të gjithë subjektet politike shqiptare t’i përmbahen parimëve demokratike dhe të jenë në dispozicion për të paraqitur platformën e tyre të ideve dhe planeve për arritjen e tyre.

3. Për këto arsye ne bëjmë thirrje për të gjithë elektoratin shqiptar, vëllezërit dhe motrat tanë në atdhe, të votojmë me mençuri, të votojnë me zemrën dhe të votojnë vetëm për subjektin politik shqiptar. Siç e dimë të gjithë, subjektet politike malazeze, si DPS, kane qenë e suksesshme në depërtimin e radhëve tona dhe përdorimin e partneritetit me individë të ndryshëm për të avancuar axhendën e tyre. Kjo kurrësesi nuk është një axhendë që përfshin një nesërme më të mirë për shqiptarët në Mal të Zi. Prandaj, vota juaj për subjekte tjera politike sikurse për DPS, është votë kundër vetëvehtes, kundër te mires sonë. Mos të humbasim këtë moment historik që së bashku, edhe pse të ndarë në dy lista, duke votuar subjektin politik shqiptarë, mund të sigurojmë një përfaqësim më të denjë në parlamentin malazez. Në dy-tre ditët e fundit, kemi parë dhe deklarata të ndryshme të cilat thonë se ne po zgjedhim palë dhe me këte po dëmtojmë procesin demokratik. Fjalët i tilla i mbane ere

por puna jonë dhe angazhimet tona do të flasin qartë dhe me zë të lartë, se ne jemi një forcë për unitet dhe një ardhme më të mirë për popullin tonë.

Kjo është koha jonë për të realizuar ëndrrat dhe aspiratat tona dhe që një herë të i tregojmë udhëheqësisë sonë politike se do të ketë një çmim për të paguar nëse interesi i tyre personal vazhdon të jetë mbi interesat tona kombëtare. Ne kërkojmë përgjegjësi për besimin që votuesit vendosin tek ju. Të lëmë ato çka na ndanë dhe të jetë ky një fillim i ri! Ndërsa vazhdojmë të përgatitemi për zgjedhjet e ardhshme, ne premtojmë se një numër i konsiderueshëm i votuesve nga diaspora do të jenë me ju, për të votuar me ju, që të votojnë për të ardhmen tonë, të fitojnë dhe të gëzohemi së bashku. Ne premtojmë se do të jemi me ju dhe në të ardhmen, gjatë kohërave të mira dhe të vështira, ashtu si jemi të gatshëm të jemi me ju edhe në këtë kohë krize me pandeminë Covid-19. Ne do të qëndrojmë gjithmonë me ju. Ky është vetëm fillimi i angazhimit tonë, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra që premton mundësi për zhvillime ekonomike nga të cilat do të përfitojmë të gjithë. Së bashku, te votojmë subjektin politik shqiptare, për një të ardhme më të mirë dhe më premtuese.

VOTONI ME ZEMER, VOTONI PËR TË ARDHMËN

VOTONI LISTAT SHQIPTARE

E derguar me respekt nga,

Mark Gjonaj, NYC Councilmember

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës-VATRA (International)

Keshilli Koordinues i Diaspores-KKD (International)

Albanian American Association Ulqini

Albanian American Community Association

Albanian American Cultural Foundation

Don Gjon Buzuku Association- Chicago

Don Gjon Buzuku Association- New York

Fondacioni Don Simon Filipaj

Fondacioni Plave Guci

Fondacioni Hoti i Kujit

Illyrian Business Organization- IBO

Shoqata Ana e Malit

Shoqata Kraja

Shoqata Atdhetare Malesia e Madhe- Michigan

Shoqata Malesia e Madhe- New York

Trieshi Humanitarian Fund

Nje thënjë e vjetër thotë: “Nëse dëshiron të shkoni shpejt, shkoni vetëm,

Nëse dëshironi të shkoni larg, shkoni së bashku”

VETËM SË BASHKU DO TË REALIZOJMË ËNDRRAT DHE ASPIRATAT KOMBËTARE!

New York 10 Gusht 2020

Filed Under: Komunitet Tagged With: -Koalicioni i Organizatave Shqiptaro Amerikane nga Mali i Zi-, deklarate, Mali i Zi

“DOKTOR” NDREC MOLLA, FISNIKU I MIRDITËS

August 11, 2020 by dgreca

Nga Jurgen Vladi – New York-

Në këtë vit të dhimbshëm të kësaj epidemie globale,shoqëruar me humbjen e të afërmve tanë, shumë gjëra dalin në dritë mbi të vërtetën e disa njerzve të thjesht por që kanë pasur një rol të rëndësishëm në shoqërinë e sunduar nga regjimi komunist. Emigracioni i ka hedhur shqiptarët në të gjithë kontinentet.

 Në humbjen e këtij viti unë do të sjell një figure fisnike, humane, njerzore, që para meje i është lakuar disa herë emri. Një shqiptar i veçantë.Ky është mjeku Ndrec Molla nga Malejt e Mirditës. I ndjeri Ndrec ishte i biri i adjuntatit të Mbretit Ahmet Zogu. Ai ishte ndër të parët mirditorë që u edukua në fushën e mjeksisë si Infermjer.  Kthimi në vendindje në vitin 1950, ku do të kthehej pikërisht në Rubik, së bashku me disa tjerë  do të themelojnë Spitalin e Rubikut pasi kjo ishte qendra kryesore ku kishte Minerën dhe fabrikën dhe do t’ju shërbente minatorve.. Me themelimin e qytetit të Rrëshenit, Ndreca do ishte po ai i pari Mirditor së bashku me stafin jo vendës që do të themelojnë Spitalin e Rrëshenit.

Mirditorët janë njerëz që shquhen për shumë cilësi fisnike. Unë vij nga e njëjta krahinë; jemi komshij dhe i njoh shumë mirë. Unë kam bindje dhe ua bëj me dije se këto veti apo karekteristika shoqërore do të trashgohen edhe tek Ndreca.

Duke qenë se në Mirditë lufta civile (term i imi) vazhdonte pasi populli nuk kishte pranuar vendosjen e pushtetit komunist ,do kishte përplasje midis Forcave të Ndjekjes dhe antikomunisteve mirditore. Në përpjekjet e luftimeve ata që ishin plagosur kërkonin ndihmën mjeksore në mënyrë të fshehtë, pa rënë nv sy të komunistëve dhe forcave të ndjekjes. Në lidhje me këtë po ju sjell në vëmendje këtë histori.

Në vitin 1997 si emigrant në restorantin “Petrina” në 86 Street pata rastin ti shërbeja një klienti që porositi një dopio Grapa dhe një kafe. Menaxheri m’u drejtua mua duke më thanë se mr. Zefi është shqiptar. Pasi u përshëndetëm dhe u prezantuam, unë i thash: Jam Vladi  nga Lura Dibrës,  Plaku më jep edhe njëherë dorën dhe më përqafoi.  Zefi ishte nga Oroshi i Mirditës. Plaku i kishte të dy gjymtyrët e këmbëve të prera. Me Zefin do të qëndroja gjatë.Ai me fliste me shumë mall dhe disa herë i rridhnin lot, tek tregonte kujtime të kohës së shkuar. Zefi ishte larguar nga Mirdita më 1947 dhe ishte kthyer disa herë si diversant ku ishte plagosur dhe heren e fundit kishte humbur te dyja kembet.Zefi me tregoi edhe historinë si në atë kohë i plagosur ishte strehuar në një familje në Lurë dhe mjeku Ndrec Molla i kishte nxjerr plumbat nga gjunjët me Mashna(vegël për të trazuar prushin në votër).

Ngjarjen e solla për t’ju treguar atë që më tregoi një bashkvuajtës por që ishte shumë mirënjohës për të gjithë ata që e kishin ndihmuar. Por mjeku Ndrec Molla ishte një njeri i lindur për humanizëm. Ai ishte i lindur për mjek dhe ai e kishte kuptuar të qenurit e mjekut, dhe të “mjekut pa kufi.” Partia nuk e pranonte të qenurit e mjekut pa kufij pasi pjesën raksionare e kërkonte të vdekur. Por Zefin nuk e ndalonte asgjë për ti shërbyer njeriut, si atij partizanit, ashtu dhe diversantit, apo si njeriut të partisë ashtu dhe njeriut të raksionar. Për këto gjëra kalvari i vuatjeve të atij, që unë nuk i dij, por shpresoj, që t’u ketë lënë  bijve dhe trashgimtarve të ve, humanizmin dhe fisnikërinë e shpirtit. Ai do të transferohej sa në Iball të Pukës, në Lurë të Dibrës, në Macukull të Matit etj. Aty ku e thërrisnin ai ishte i gjendur me këmbë, me kal apo sipër makinave me minerale të Mirditës. Unë emrin e Ndrec Mollës e mësova nëpërmjet të ndjerit doctor Ndrec Vladit kur u themelua Spitali i Lurës. Ku Lura i ishte mirnjohës Ndrec Mollës për atë që ka bërë për Lurën.  

Ndërkohë duke qenë se është koha ku sot mjekët vlerësohen për kontributin e tyre  ku Ndrec Molla, ju ka shërbyer edhe atyre ish diversantëve apo atyre njerzve që emigruan në Amerikë aty ku ka pasur mundësi.  Organizata Pan Shqiptare Vatra si një institucion atdhedashurie duhet ta vlersojë dhe mbi figura të shquara antikomuniste të organizojë takime speciale për të nxjerrë në pah vlerat e jashtëzakonshme të këtyre shqiptarëve që na bëjnë përjetë krenar.

Ndërkohë për Bashkinë e Mirditës do ishte në nderin e saj, që pa u vonuar, ti vendosë emrin e spitalit të Rrëshenit themeluesit të birit të saj dhe Mirdita do jetë e nderuar duke nderuar birin e saj për shërbimet që ju bëri Mirditës ..

Ndrec Molla vdiq në Francë si emigrant dhe falë familjes dhe kumunitetit Shqiptar u varros në vendlindje në Maj më 12 Qershor 2020.  Shqiptarët e diasporës dhe jo vetëm do ta kujtojnë përherë me respekt e nderim këtë figurë të jashtëzakonshme humanizmi dhe patriotizmi.

Filed Under: Histori Tagged With: Dr. Ndrec Molla, Jurgen Vladi

PARTIZANI-Vjen “Gjeneral” Daja, iken “ushtar” Telushi

August 10, 2020 by dgreca

Nga Albano KOLONJARI- 25 vjet karriere ne drejtimin e skuadrave shqiptare, tri tituj kampione me tre skuadra te ndryshme, i japin Ilir Dajes te drejten per te qene “Gjenerali” i tranjereve shqiptare.  Me prezantimin e tij ne krye te Partizanit, Ilir Daja regjistroi edhe nje rekord te tijin personal. Daja eshte i vetmi tranjer shqiptar qe ka patur mundesine te drejtoje tre ekipet e kryeqytetit, Dinamo, Tirana dhe Partizani. “Ne historine e futbollit shqiptar kam fituar tre tituj kampion me tre skuadra te ndryshme. Sot me jepet mundesia qe te jem i vetmi tranjer qe kam drejtuar tre ekipet e kryeqytetit. Partizani eshte vleresim por edhe pergjegjesi. Eshte nje klub me shume trofe ne futbollin shqiptar dhe ka nje projekt shume interesant, per te vazhduar te jete konkurues edhe ne te ardhmen, ndaj jam i kenaqur qe mu besua ky projekt”, u shpreh Ilir Daja gjate koference per shtyp ne zyrat e Klubit te Partizanit. “Skenderbeu eshte nje klub i madh sidomos ne dekaten e fundit. Ne cdo skuader dua te marr maksimumin. Kete do te bej dhe te Partizani. Te çdo klub kam fituar respektin e tifozeve, por dhe te kundershtareve. Ky jam une:”, theksoi ai. Po kush jane objektivat e Partizanit per sezonin 2020-2021? “Ne do te dalim me objektive konkrete ne fillim te kampionatit. Ajo qe tifozeria e Partizanit pret eshte te shprehemi maksimalisht ne loje, sepse vetem keshtu ka garanci rezultati dhe gjithcka vjen gradualisht”. Ilir Daja nuk beri te ditur se kush do te jete ne stafin e tij:”stafin do ta bejme te ditur ne diten ne vazhdim”. Por persa i perket merkatos se Partizanit Daja u shpreh se:”Kjo eshte pune e klubit. Nga e dhenat qe kam pritet qe Partizani te kete nje pergjigje pozitive. Ne te kundert klubi ka nje plan B. Une nuk jam nje trajner-manaxher si ne Angli. Duke pare largimet qe jane bere, besoj se ne cdo repart ka nevoje per permisim sepse edhe pritshmerite do te jene maksimale”.Largohet “Ushtar” Telushi.Vetem pak momonete pas prezantimit te teknikut Daja ne krye te klubit Partizani ka bere te ditur qe dy lojtare Bruno Telushi dhe mbrojtesi Esin Hakaj nuk jane me ne planet e klubit “Legjende”. Largimi i “ushtar” Telushit ishte i pritshem, qe ne momentet qe “benjamini” i tij Skender Gega mori drejtimin e skuadres se Kukesit. Pritet qe Telushi gjate diteve ne vazhdim te veshe pikerisht bluzen e klubit verilindor. Gjate dy sezoneve me Partizanin Telushi arriti te shenoje dhjete gola duke u kthyer ne nje nga lojtaret me popullore tek skuadra e kuqe. Mesazhi i Bruno TelushitDua te bej publikeNga dita e sotme nuk do jem me pjese e projektit te Partizanit.Sic e dini kontrata ime kishte perfunduar ne muajin….maj..Gjate gjithe kesaj kohe kam pritur me padurim dhe me deshiren e madhe te jem pjese e Partizanit.Dje me ne fund ne nje takim me drejtorin dhe me presidentin me tha se nuk jam ne planet per te ardhmen.Qe nga dita e pare qe kam veshur fanellen e Partizanit dhe deri me sot kam qene besnik dhe jam stervitur dhe luajtur me te gjitha mundesit e mia per ate fanelle dhe per ato tifoze 🔴Me keqardhje po largohem jo I vlersuar per ate qe une kam dhene ne fushe.Po largohem si kampion🔴Jam profesionist dhe do shikoje sfida te tjera.Ne cdo ekip qe do shkoj do punoj me te njejtin perkushtim.Dua te falendoroj shoket e ekipit.Tranjeret me te cilet punava.Tifozat e mrekullushem 🔴Te gjithe dashamirsit e mi.Me shume respekt

Bruno Telushi #ushtar

Mesazhi i Esin Hakajt

Pershendetje,Sot zyrtarisht nuk jam me lojtar i Partizanit . Dua te falenderoj presidentin ,drejtusat , tifozet dhe shoket e ekipet per mbeshtetjen . I uroj suksese ekipit te Partizanit .

Filed Under: Sport Tagged With: albano kolonjari, Iken telushi, Vjen Daja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 43
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT