• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2020

KRENARI

September 2, 2020 by dgreca

Shkruan: Astrit Lulushi-
Mbase, asnjë nga pasionet tona natyrore nuk është aq i vështirë për t’u nënshtruar sa krenaria. Maskojeni, luftoni me të, rriheni, mbyteni, mortifikojeni sa të doni, ajo është akoma gjallë dhe çdo herë do të nxjerrë e do të tregojë vetveten; do ta shihni se iu pengon të rriteni, të ecni; sepse, edhe sikur të mendoni se e keni kapërcyer plotësisht, ndoshta duhet të krenoheni me përulësinë tuaj. Krenaria shfaqet para çdo rrënie. Mos e çmend veten me të menduarit vetëshkatërrues; kjo frikë është burg më vete, dhe ti i mbyllur në burgun tënd. Humbja e krenarisë është hapi i parë i çlirimit dhe ju vini këmbën në udhën drejt paqes dhe qetësisë së shpirtit tuaj. Kudo që kërkon për krenari, gjen vetëm veten tënde. Njerëz të caktuar janë bërë për fat të keq. Disa thjesht kanë nevojë për shpresë dhe vetmi për të shlyer shpërblimin që u jep krenaria. Kur keni gjetur veten, Zoti është i tepërt.Por krenaria është e rëndësishme; nuk ka njeri pa ves. Njerëzit me shumë krenari zhvillojnë ndjenjë epërsie ndaj të tjerëve; krenaria, mendon ndonjë, nuk duhet të jetë e gjitha e keqe; por, është e keqe, gjithësesi; prandaj renditet në vendin e 7-të veseve. Një përkufizim i krenarisë vjen nga Shën Augustini: “dashuria e dikujt për përsosmëri”. Një përkufizim i ngjashëm vjen nga Meher Baba: “Krenaria është ndjenja përmes së cilës manifestohet egoizmi”.Krenaria herë shikohet si e korruptuar ose ves, ndonjëherë si e duhur ose virtyt. Ndërsa disa filozofë, si Aristoteli, e shohin krenarinë si virtyt, disa fe e konsiderojnë formën mashtruese të krenarisë si rrënjën e çdo të keqeje; si në rastin kur njëri bie në gjunjë e s’ka turp nga ato që thonë se ka bërë; e një tjetër, njësoj i paturpshëm, që merr pamjen e themeluesit të shtetit, dhe kërkon mandat të qeverisë mes kësaj krenarie. Aq tregues janë bëmat e tyre, apo vendi, sa s’është nevoja t’ua thuash emrat.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, krenari

PROF. DR. SAMI HAXHIBEQIRI, HISTORIA E VEÇANTË E KIRURGUT TË PARË SHQIPTAR NË ISH-JUGOSLLAVI

September 2, 2020 by dgreca

Nga Sokol PAJA – DIELLI-

Prof. Dr. Ilirijana Haxhibeqiri – Karabdić, Shefe e Kardiokirurgjisë në  Qendrën Klinike Universitare të Sarajevës në një rrëfim të ndjerë për të atin e saj.

Prof. Dr. Sami Haxhibeqiri është një ndër personalitetet më të shquara të mjekësisë shqiptare. Sukseset e mjekësisë  në Kosovë në përgjithësi, sidomos fushën e kirurgjisë, në veçanti, janë të të lidhura me emrin e tij. Ai ishte njëri ndër themeluesit dhe mësimdhënësit e parë shqiptarë në Kosovë. Kuadri i mesëm dhe  i lartë mjeksor është produkt i angazhimit dhe punës profesionale të tij.

Prof.Dr.Sami Haxhibeqiri u lind më 7 qeshor 1933, në Mitrovicë në një familje bujare e arsimdashëse. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollimin e mesëm në Prishtinë. Studioi në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Shkupit, ku u diplomua në nëntor 1959. Më 7 nëntor të vitit 1965, kreu specializimin nga lëndën e Kirurgjisë së përgjithshme në Beograd. Është kirurgu i parë shqiptar në ish-Jugosllavi. Si specialist i Kirurgjisë së përgjithshme, në vitin 1968, emërohet kryeshef i parë shqiptar i një reparti mjekësor në institucione spitalore në Kosovë. Ishte kryeshefi i parë shqiptar i kirurgjisë në spitalin e përgjithshëm të Mitrovicës. Në vitin shkollor 1963/64, kur u hap paralelja e parë me mësim në gjuhën shqipe në Shkollën e Mesme për Infermierë, Dr. Sami Haxhibeqiri emërohet edhe mësimdhënës, ku ligjëron disa lëndë profesionale si: Anatomi, Fiziologji, Patologji, Patofiziologji, Interno, Kirurgji. Në këtë institucion të mesëm arsimor ka punuar disa vite me radhë. Për arsye të vullnetit të pashoq dhe dëshirës për aftësim të mëtejshëm profesional në Kirurgjinë Torakale, shkon për specializim në Kamenicë të Sremit, ku gjatë viteve 1968-1970 punoi me profesorët me të shquar të ish-Jugosllavise: Prof. Dr. Ivan Fajgel, Doc. Ervin Ginsberg etj. Vlen të theksojmë se në spitalin e Kamenicës së Sremit Dr. Sami Haxhibeqiri ishte i pari shqiptar, i cili ka bërë operacion të suksesshëm në zemër të hapur. Aftësimin profesional në këtë fushë e vazhdoi në Akademinë Ushtarake – VMA në Beograd tek Akademiku i mirënjohur Prof. dr. Isidor Papa. Në 1972, kreu specializimin e dytë, atë të Kirurgjisë Torakale dhe bëhet Kirurgu i Parë shqiptar në fushën e Kirurgjisë Torakale në ish-Jugosllavi. Njëkohësisht ishte në timin e parë të kirurgëve të cilët operonin zemrën në ish-Jugosllavi. Në vitin 1970 zgjidhet si ligjërues në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë dhe është një ndër themeluesit e Universitetit të Prishtinës-Fakultetit të Mjekësisë. Në vitin 1973, emërohet drejtor i Spitalit Rajonal të Mitrovicës. Siç theksuam më lart, që nga paslufta (1945), ishte drejtori i parë shqiptar në një institucioni shëndetësor. Deri në vitin 1980, sa ishte drejtues i Spitalit të Mitrovicës, në saje të angazhimit të pashoq, struktura e punonjësve ka ndryshuar, pra u rrit dukshëm numri i punonjësve shqiptarë në këtë institucion (mjekë, motra medicinave etj.). Gjatë kësaj periudhe Prof. Dr. Samiu krijoi plejadën e parë të kirugëve shqiptarë që kanë kryer Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë duke ju dhënë specializime dhe duke i aftësuar profesionalisht. Gjatë kohës sa ka punuar si kirurg dhe pedagog, ka publikuar mbi 45 punime profesionale-shkencore në vend dhe në botë, ishte laureat i shpërblimeve më të larta shtetërore nga presidenti Josip Broz Tito, ku ka përfaqësuar Kosovën në kongreset e kirurgjisë në nivel ndërkombëtar me kumtesa shkencore nga fusha i kirurgjisë së përgjithshme edhe asaj torakale, si: në Moskë, në Zhenevë, në Paris, në San Francisko, në Pekin, në Tokio, në Amsterdam, në Honolulu etj. Në vitin 1989, Dr. Sami Haxhibeqiri ishte njëri ndër nënshkruesit e peticionit të 215 intelektualëve shqiptarë të Kosovës. Në vitit 1990, u përjashtua nga puna- Klinika per  Kirurgji Torakale si i pari punonjës i Qëndrës Klinike Universitare në Prishtinë.  Gjatë periudhës që ka punuar në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Mitrovicë kanë diplomuar qindra maturante (infermieri e mami), ndërsa gjatë punës si profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, 1127 studentë, përkatësisht mjekë, e kanë dhënë para tij provimin nga lëndën e kirurgjisë. Si mësimdhënës në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme dhe shumë të thella. Shumë suksese në këto institucione janë të lidhura me emrin e tij. Prof.Dr.Sami Haxhibeqiri ka dhënë ndihmën e tij profesionale, kombëtare, humanitare e patriotike në të gjithë Kosovën. Ishte i pari specialist kirurg që shkoi në Drenicë dhe Shalë të Bajgorës për ta ndihmuar popullatën, duke iu ofruar shërbime mjekësore atyre dhe ushtarëve të UÇK-së. Prof. Dr. Sami Haxhibeqiri ishte fitues i shumë dekoratave, medaljeve dhe mirënjohjeve në nivel federativ për kontribut të dhënë shkencës dhe shëndetësisë në ish-Jugosllavi. Pas vdekjes Fakulteti i Mjekësisë në Prishtinë ka themeluar çmimin për Etikë Mjekësore që mban emrin e tij. Kuvendi Komunal i Mitrovicës disa herë e ka dekoruar me mirënjohje për veprën jetësore të tij. Është vendosur pllaka në vendin ku gjatë viteve ’90 ishte themeluar dhe ka vepruar ordinanca popullore“Dr. Sami Haxhibeqiri”. Spitali Rajonal i Mitrovicës është pagëzuar me emrin e këtij kirurgu të mirënjohur, kirurgut të parë shqiptar të Kosovës, të pishtarit të mjekësisë kosovare “Dr. Sami Haxhibeqiri”, të mësimdhënësit të devotshëm të arsimit të mesëm e universitar në Kosovë. Prof. Dr. Sami Haxhibeqiri për kontributin e tij të vyer për kombin shqiptar është shpallur edhe Deshmor i Kombit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Prof. Dr. Ilirijana Haxhibeqiri – Karabdić, PROF. DR. SAMI HAXHIBEQIRI, Sokol Paja

Pse njohja ndërkombëtare e Mbretërisë Shqiptare?

September 2, 2020 by dgreca

NGA EKREM SPAHIU- Me rastin e 92 vjetorit, 1 shtator 1928 – 2020Në 92 vjetorin e Mbretërisë Shqiptare dhe në kontekst të zhvillimeve të sotme shqiptare, në mënyrë legjitime mund të shtrohet pyetja: pse Mbretëria Shqiptare u njoh menjëherë nga aleatët natyralë të Shqipërisë?Në këto 108 vjet të shtetit shqiptar, spektri qeverisës i Shqipërisë në momente të veçanta ka qenë i paqëndrueshëm, madje dhe ka munguar plotësisht. Shqipëria provoi një qeverisje rreth njëvjeçare të themeluesit të saj Ismail Qemalit që ndërkombëtarët e pasuan me një qeveri gjashtëmujore të një princi joshqiptar të përzgjedhur prej tyre. Në Luftën e Parë Botërore Shqipëria u gjet krejt pa qeveri kombëtare. Qeveria disa mujore e Fan Nolit pothuajse nuk u njoh ndërkombëtarisht. Në Luftën e Dytë Botërore Shqipëria u gjet përsëri pa qeveri kombëtare. Qeveria e diktaturës komuniste 45 vjeçare u njoh vetëm nga vendet komuniste dhe, formalisht, edhe nga pak vende perëndimore, por asnjëherë nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar.Përkundër, qeveria disavjeçare e Ahmet Zogut si kryeministër e president dhe Mbretëria 11 vjeçare Shqiptare u njohën nga të gjitha shtetet perëndimore, më së pari nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar. Njohja e shteteve është një ndër elementët më të rëndësishëm që përcakton vetē ekzistencën e shtetit si subjekt i njohur i të drejtës ndērkombëtare. Në këtë kuadër, njohja ndërkombëtare e qeverisë plotëson njohjen e shtetit dhe e jetëson atë. Njohja ndërkombëtare e shtetit kushtëzohet nga pranimi i të drejtës së një populli të ketë shtet. Njohja ndërkombëtare e një qeverie kushtëzohet nga shkalla e legjitimitetit të saj për të përfaqësuar shtetin. Shteti mund të funksionojë edhe pa njohje, por një shtet i tillë ose e ka jetën të shkurtër, ose shndërrohet në diktaturë. Përvoja e Shqipërisë e konfirmon plotësisht këtë përfundim.Të gjitha vendet e Ballkanit midis dy luftrave ishin monarki, përveç Shqipërisë. Si të tilla ato përfaqësonin më mirë dhe përcillnin më me efektivitet interesat kombëtare të vendeve të tyre. Mbretërit përfaqësonin gjithë kombin në krahasim me politikanët që përfaqësonin vetëm forcën e tyre politike. Mbretërit ofrojnë përfaqësim afatgjatë, jo interesa afatshkurtra siç përfaqësojnë politikanët. Mbretëritë, duke qëndruar mbi politikën, sigurojnë stabilitet politik duke i dhënë të drejtën një figure qëndrore të ndërhyjë për të mos e lënë vendin të bjerë në kaos politik. Politikanët bëjnë premtime për vendin të cilat të nesërmen i kompromentojnë, ndërsa mbretëria nuk është e interesuar të zhvleftësojë veten.Shqipëria e vitit 1928 kishte ardhur në një domosdoshmëri të tillë. Pas vitit 1914, deri në Kongresin e Lushnjes, Shqipëria ishte pothuajse pa qeveri dhe kombi pa një shtet amë. Kjo do të sillte pasoja të rënda kombëtare për shtetin dhe kombin shqiptar deri në rrezikun e vënies në pikëpyetje të ekzistencës së tyre. Do të ishte kryesisht për meritë të filozofisë politike të Presidentit amerikan Uillson që Shqipëria shpëtoi pa u goditur deri në shpërbërje.Një Shqipëri e shpërbërë do të ishte goditje fatale për kombin shqiptar. Një Shqipëri e shpërbërë do të ndryshonte gjithashtu të gjitha balancat gjeopolitike në Ballkan. Në këto kushte, Shqipëria e shqiptarët shpëtoheshin vetëm nga një dorë e fortë e centralizuar. Nga një Shqipëri e centralizuar lehtësohej dhe Ballkani, madje edhe Europa nga një konflikt të cilit nuk i dihej fundi. Në funksion të këtyre imperativave gjeopolitikë e kombëtare, si dhe në respekt të vlerave e kritereve për njohje ndërkombëtare, Mbretëria Shqiptare u njoh nga një numër relativisht i madh shtetesh për kohën. Por shumë më e rëndësishme se sa numri, është fakti që Mbretëria Shqiptare u njoh nga të gjitha shtetet me histori të gjatë demokratike të cilat si kriter themelor kanë legjitimitetin. Ndërkohë, Europa ishte shumë e interesuar për një Ballkan të qëndrueshëm dhe, në këtë mes, edhe për një Shqipëri të qëndrueshme. Në këtë kuadër, do të ishte e rrezikshme që një vend me histori dhe përkatësí natyrale europiane siç ishte Shqipëria, të pushtohej nga bolshevizmi. Në këto kushte kombëtare dhe ndërkombëtare, Mbretëria ishte alternativa më e mirë e mundshme për të zgjidhur jo vetëm ngërçin kombëtar shqiptar, por edhe problemin ndërkombëtar që mund të shkaktonte shthurja e Shqipërisë. Ishin pikërisht këto domosdoshmëri të kohës që përbënë bazën e njohjes ndërkombëtare të Mbretërisë. Ajo u njoh menjëherë nga aleatët natyralë të saj. Italia ishte e para që e njohu Mbretërinë Shqiptare. Brenda muajit shtator kur ajo u shpall, u njoh zyrtarisht nga Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austria e Gjermania. Sigurisht ishte një sukses diplomatik që u njoh edhe nga Greqia, Franca, Jugosllavia, Bullgaria, Rumania, Spanja e deri edhe Uruguaji, Japonia, Lituania, etj. Një njohës dhe pjesmarrës aktiv në zhvillimet politike në Shqipërinë të atyre kohëve, Eqrem bej Vlora, vlerësonte se: “Në këtë botë egoiste askush nuk të dhuron gjë badihava. Ahmet Zogu e ka merituar suksesin e tij me vështirësitë, mundimet dhe rreziqet që iu desh të përballojë”.Nga letër këmbimet për njohjet e Mbretërisë Shqiptare, po pasqyrojmë vetëm atë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Mbreti Zog i drejtohet Presidentit të SHBA – Calvin Coolidge dhe të Ministrit të Jashtëm Amerikan Frank B. Kellogg. ___________________________________________________________875.91 /280 : Telegram

The Secretary of State to the Minister in Albania (Hart)WASHINGTON, September 12, 1928 – 5 p.m35. Your No. 58, September 6, 11 a.m., and Department’s 30, September 5, 6 p.m. Upon receipt of this telegram please address a note in the following terms to the Minister for Foreign Affairs:”My Government has taken note of the action of the Constituent Assembly of Albania in changing the form of the government of Albania to that of a constitutional monarchy and in proclaiming President Ahmed Zogu ‘Zog First, King of the Albanians.’ I now take pleasure in informing Your Excellency, under instructions from my Government, that the Government of the United States extends recognition to the Kingdom of Albania, it being understood that the exchange of notes of June 22, 1922, between the United States and Albania 7 and the provisions of Albanian law enacted in pursuance therewith will continue in force.” The following telegram is being sent today by the President to the King of the Albanians :”It is with pleasure that I extend to Your Majesty and to the people of Albania congratulations on the occasion of your accession to the throne. The American people join with me in expressing best wishes for Your Majesty’s good health and happiness and for the prosperity of Albania.”The Department will communicate with you later concerning new letters of credence.

KELLOGG__________________________________________________________Sekretari i Shtetit për Ministrin në Shqipëri (Hart)Uashington 12 Shtator 1928Sapo të merrni këtë telegram lutem adresoni një notë për Ministrin e Punëve të Jashtme me përmbajtjen si më poshtë:“Qeveria ime ka marrë shënim veprimin e Asamblesë Kushtetuese të Shqipërisë për ndryshimin e formës së qeverisë së Shqipërisë në atë të një monarkie kushtetuese dhe shpalljen e Presidentit Ahmed Zogu, ‘Zogu i Parë, Mbret i Shqiptarëve”. Tani kam kënaqësinë të informoj Shkëlqesinë Tuaj, sipas udhëzimeve nga Qeveria ime, se Qeveria e Shteteve të Bashkuara i jep njohje Mbretërisë së Shqipërisë, duke kuptuar me këtë se shkëmbimi i notave të 22 qershorit 1922, midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe dispozitat e ligjit shqiptar të dekretuara në zbatim të tij, do të vazhdojnë të mbeten në fuqi.Telegrami i mëposhtëm është dërguar sot nga Presidenti për Mbretin e Shqiptarëve:“Është kënaqësia ime t’ju çoj Madhërisë Tuaj dhe popullit të Shqipërisë urimet me rastin e ardhjes tuaj në fron. Populli Amerikan bashkohet me mua për të shprehur urimet më të mira për shëndet të mirë dhe lumturinë e Madhërisë suaj dhe për prosperitetin e Shqipërisë”.Departamenti do të komunikojë me ju më vonë lidhur me letrat e reja kredenciale. KELLOGG___________________________________________________________875.001Zog/19 :

TelegramKing Zog to President CoolidgeTIRANA, September 14, 1928 – 1 p.m.Deeply moved by the congratulations and the good wishes Your Excellency has so kindly expressed on the occasion of my accession to the throne of Albania, I hasten to present to you the assurance of my most profound gratitude for this act of cordial friendship toward my person and for the Albanian people. On this occasion it is a pleasure for me to convey to you an expression of the sentiments of gratitude which my people continue to cherish toward the noble people of the United States for the humane assistance which they gave through the medium of the American Red Cross to my people at a critical time.Furthermore, the Albanian people are most grateful for the generous hospitality which the great Republic of the United States so liberally extends to the Albanians in the United States, thus bestowing upon them the benefits of American culture and welfare.Please accept, Excellency, my most sincere good wishes for your happiness and for the greater prosperity of the noble people of the United States.ZOG __________________________________________________________Telegrami i Mbretit Zog për Presidentin CoolidgeTiranë, 14 Shtator 1928 Thellësisht i emocionuar nga urimet dhe dëshirat e mira që Shkëlqesia Juaj ka shprehur kaq mirësisht me rastin e ardhjes time në fronin e Shqipërisë, unë nxitem t’ju paraqes sigurimet e mirënjohjes time më të thellë për këtë akt të miqësisë së përzemërt ndaj meje personalisht dhe për popullin shqiptar. Me këtë rast, është kënaqësi për mua t’ju transmetoj shprehjen e ndjenjave të mirënjohjes, të cilat populli im vijon të ushqejë ndaj popullit fisnik të Shteteve të Bashkuara për asistencën humane që dhanë përmes Kryqit të Kuq Amerikan për popullin tim në një kohë kritike. Për më shumë akoma, populli shqiptar është tepër mirënjohës për mikpritjen bujare që Republika madhështore e Shteteve të Bashkuara iu dha kaq lirshëm shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara, duke iu ofruar atyre përfitimet e kulturës dhe mirëqënies amerikane. Pranoni, ju lutem, Shkëlqesi, urimet e mija më të sinqerta për lumturinë tuaj dhe për prosperitet më të madh të popullit fisnik të Shteteve të Bashkuara. ZOG

Filed Under: Featured Tagged With: Ekrem Spahiu, Mbreti Zog

KOSOVA:JO MODELIT TE QIPROS E GJIBLARTARIT!

September 2, 2020 by dgreca

Mos pranoni modelin e Qipros ose të Gjibraltarit, por vetëm atë të Algjerisë së pavarur të Dë Golit  OSE vetëm bashkim me Shqipërinë, Jo me Serbinë kolonialiste–

Shkruan:Prof.Dr.Mehdi HYSENI-

Nëse takimi i palëve negociuese serbo-shqiptare mes Beogradit dhe Prishtinës është vazhdim i Dialogut të Brukselit (2011-2018), logjikisht nënkupton se nuk mund të ketë vetëm karakter të lidhjes së ndonjë apo disa marrëveshjeve  ekonomike dhe tregtare mes Serbisë dhe Kosovës, por, para së gjithash, do të jetë me përmbajtje të thellë politike dhe diplomatike për interesat multilaterale të Uashingtonit, të Beogradit dhe të Prishtinës.

Mirëpo, pala shqiptare, duhet të ngulmojë, që debati i këtij takimi, së pari, të orientohet dhe të përqëndrohet në “temat” e pazgjidhura politike mes Prishtinës dhe Beogradit. Ky është problemi, JO veriu  i Kosovës e as të drejtat e minoritetit serb në këtë pjesë territoriale të Kosovës.

Duhet të kuptojnë jo vetëm negociuesit e Prishtinës, por edhe të gjithë liderët drejtues të shtetit të brishtë të Kosovës, se për t’u zgjidhur problemet ekonomike e tregtare me Serbinë, apo me ndonjë shtet tjetër fqnijë, së PARI, duhet të ZGJIDHEN PROBLEMET POLITIKE. Ky është kusht themelor për të lidhur marrëveshje dhe traktate ekonomike, tregtare dhe kulturore  për normalizimin  e marrëdhënieve të gjithëmbarshme mes Serbisë dhe Kosovës.

Pavarësishte se kush e përbën delegacionin negociues të Kosovës me kryeministrin aktual Abdulla Hoti. Ky kryeministër, mund ta luajë rolin historik në takimin negociues serbo-shqiptar në Uashington, duke e njohtuar për herë të PARË  Presidentin  e SHBA-së, Donald Tramp, se Kosova 100 vjet ishte koloni e Serbisë (1912-1999). Me  shpalimin e kësaj së vërtete të hidhur dhe tragjike historike të Kosovës shqiptare, do të duhej, të hapej takimi i Uashingtonit, më 4 shtator 2020.

1      

Në Uashington, pala shqiptare e Kosovës, fare nuk duhet të kërkojë nga pala negociuese serbe, që Beogradi zyrtar ta njohë Republikën e Kosovës, sepse kjo është çështje vetëm e Serbisë nëse ka vullnet dhe interes mund ta njohë Republikën e pavarur të Kosovës. Duhet ditur se, sipas normave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare, askush nuk mund ta detyrojë Serbinë që ta njohë Kosovën.

      2. 

Duke qenë se Kosova 100 vjet ishte koloni ilegale e Serbisë, ashtu siç janë edhe sot: Presheva, Bujanoci, Medvegja, Bujanoci dhe Novi Pazari, të gjitha këto territore indigjene të Shqipërisë etnike, PALA NEGOCIUESE e Kosovës, SË PARI, në praninë e Presidentit amerikan, Donald Tramp, duhet ta emërtojë problemin që ka pasur, dhe ende e ka me Serbinë kolonialiste gjenocidale. Ky është problemi i pazgjidhur me Serbinë. Këtë duhet ta dijë edhe presidenti Tramp, edhe qeveria amerikane, në mënyrë që në këtë kontekst, të përqëndrohej dhe të zhvillohej debati mes palëve negociuese, mbase, edhe pas njohjes unilaterale të Kosovës nga ana e Amerikës dhe e më se 100 shteteve të tjera, problemi kolonial i Kosovës, i Preshevës, i Bujanocit, i Medvegjës dhe i Novi Pazarit ka ngelur i padebatuar dhe i pazgjidhur  si nga ana e OKB-së, ashtu edhe nga ana e BE-së. Ky problem serioz në zemër të Evropës ka ngelur i pazgjidhur, për shkak se asnjë qeveri dhe, asnjë nga liderët e deritashëm zyrtarë të Kosovës, ende nuk e kanë emërtuar, nuk e kanë përkufizuar dhe, nuk e kanë shtruar për zgjidhje  as në sfondin kombëtar e  as në atë ndërkombëtar  ( OKB dhe BE).

Nuk ka asnjë dilemë se, ky është gabimi më i madh i politikës dhe i diplomacisë së Kosovës, sepse PROBLEMI KOLONIAL I KOSOVËS  (1912-1999) askund, në asnjë fjalë dhe, në asnjë fjali qoftë të Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008), qoftë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës (15 qershor 2008), në asnjë paragraf, në asnjë nen, në asnjë dispozitë, dhe  as në pjesën e historikut të saj, ku duhej të thuhej  se, Kosova jo më pak se 100 vjet ishte koloni ilegale e Serbisë (1912-1999).

3.

Pra, Avdulla Hoti me “korin diplomatik” negociues në takimin e Uashingtonit me palën negociuese serbe të Beogradit, nuk duhet të tregohet apolitik e as “zemërgjerë”, që t’i pranojë asnjë nga kërkesat e saj qoftë ekonomike dhe tregtare, pa shqyrtimin dhe pa zgjidhjen e problemit kolonial të Kosovës me Serbinë. Ky është kushti themelor për lidhjen e marrëveshjeve ekonomike, tregtare, kulturore dhe të bizneseve të tjera, përkatësisht për NORMALIZIMIN e MARRËDHËNIEVE NDËRSHTETËRORE MES SERBISË DHE KOSOVËS.

4.

Pra, të mos bëhemi naivë, duke u mashtruar, duke u shërbyer dhe duke u ushqyer me përralla politiko-propagandistike, me gënjeshtra, me intriga, me shpifje dhe me premtime të kota politike e diplomatike, se gjoja paska “ardhur moment historik”, që në Ushington të pajtohemi me Serbinë, duke lidhur marrëveshje e protokolle ekonomike, tregtare, teknike etj., me qëllim që territorin verior të Kosovës, të shpallet “zonë e lirë.  ekonomike ndërkombëtare”.  Nëse ndodh një gjë e tillë,  statusi politiko-juridik dhe administrativ i Veriut të Kosovës, do të mbetet sikurse statusi kontestues kolonial shumëshekullor i pazgjidhur i Gjibraltarit mes Britanisë së Madhe dhe Spanjës, me rrezik që  e tërë Kosova të përfundojë sërish nën kthetrat e sundimit të egër koloniual shekullor të Serbisë.

5.

Mos u bëni të verbër, duke besuar se , së pari, me lidhjen e marrëveshjeve ekonomike e tregtare, do të arrihet ndonjë reciprocitet apo normalizim i marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë derisa ajo nuk e njeh Republikën e pavarur të Kosovës, as de fakto e as de jure, e as në planin ekonomik e tregtar, nuk do të ketë kurrfarë normalizimi të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.

Nëse delegacioni i kryeministrit Avdulla Hoti, do të pranonte modelin e  ndonjë “zone të lirë nën mbikëqyrjen ndërkombëtare”,  atëherë Veriu i Kosovës nuk mund të kthehet më kurrë nën sovranitetin territorial  administrativ dhe shtetëror të Republikës së Kosovës, por me gjasë, do të mbetet me status kontestues sikurse Gjibraltari i sotëm mes Britanisë së Madhe dhe Spanjës.

6.

Për të mos ndodhur kjo tragjedi e Kosovës, kryeministri Avdulla Hoti, do të duhej t’i “tejkalojë” temat ekonomike dhe tregtare me negociuesit e palës serbe në takimin e Uashingtonit, dhe  në vend të tyre, të kërkojë nga Presidenti i nderuar Donald Tramp :

(i)                      Që Uashingtoni zyrtar ta trajtojë Kosovën si problem kolonial ende të pazgjidhur mes Beogradit dhe Prishtinës. Ndryshe, vazhdimi i Dialogut të Brukselit nuk ka kurrfarë kuptimi, kurrfarë rëndësie e as kurrfarë interesi as për Kosovën, as për Amerikën, as për BE-në e as për OKB-në derisa bashkësia ndërkombëtare nuk ndërmerr sanksione politike, ekonomike dhe diplomatike kundër Serbisë kolonialiste, e cila, edhe pas humbjes së luftës kolinaliste dhe gjenocidale në Kosovës (1989-1999) nuk po heq dorë nga politika, nga propaganda dhe nga diplomacia kolonialiste ndaj Kosovës së pavarur dhe sovrane.

(ii)                  Që Qeveria amerikane të ushtrojë trysni në Kombet e Bashkuara, që ta njohë Repubikën e pavarur të Kosovës (17 shkurt 2008, të cilën deri tani e kanë njohur mbi 100 shtete anëtare të OKB-së) në bazë të së drejtës historike, të së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara, sipas së cilave  kolonializmi ndëshkohet dhe sanksionohet si vepër penale ndërkombëtare dhe anticiviliuzuese.  Andaj, në përputhje me këto instrumente të së drejtës ndërkombëtare dhe rendit juridik pozitiv ndërkombëtar, Amerika, OKB-ja dhe BE-ja ta detyrojnë Serbinë, që të heqë dorë nga sundimi kolonial i saj në territoret shqiptare në Ballkan (1878-2020).

(iii)              Pa e trajtuar dhe pa e zgjidhur këtë problem kolonial mes Serbisë dhe Kosovës,  asnjë marrëveshje qoftë ekonomike a tregtare e përfunduar gjoja si kompromis politik mes palëve negociuese serbo – shqiptare, nuk do të kenë kurrfarë efekti politik e as juridik për normalizimin e marrëdhënieve të këtyre dy shteteve. Ai do të jetë vetëm një iluzion i shkretë, një mashtrim dhe një gabim i pakorrigjueshëm i palës shqiptare të Kosovës, të cilin nuk do të mund ta korrigjojë më as “politika paqësore” e Rugovës, dhe asnjë ushtri e Kosovës. Kjo duhet të kihet parasysh, që, në asnjë formë të mos pranohet  ndërkombëtarizimi i Veriut të Kosovës, gjoja në emër të ndonjë “zone të lirë ekonomike nën protektoratin ndërkombëtar”.

(iv)               Nëse  këto kërkesa i refuzon pala negociuese në takimin e Uashingtonit, atëherë, pala negociuese shqiptare e Kosovës, patjetër, duhet t’ia shtrojë presidentit Donalt Tramp:

(v)                   Kërkesën e ligjshme, sepse Kosovës nuk  i mbetet tjetër alternativë, përpos bashkimit me Shqipërinë si një komb, si një territor dhe si një shtet i përbashkët. Kjo duhet t’i thuhet presidentit Donald Tramp. –Jo të heshtim sikurse deri më sot, duke mos kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare shkolonizimin e Kosovës, të Preshevës, të Bujanocit, të Medvegjës, të Iliridës, të Çamërisë dhe të Malsisë shqiptare nën Mal të Zi (1878-2020).

Filed Under: Opinion Tagged With: kosova, Prof.Dr. Mehdi Hyseni

Kosovës i duhet ndihma gjermane për të përmbushur potencialin e BE-së

September 2, 2020 by dgreca

Nga: ALUSH GASHI & DAVID PHILIPS/

Gjermania ka siguruar mbështetje të madhe  dhe vendimtare për stabilitetin dhe shtetndërtimin e Kosovës në dekadat e fundit.

Por në rolin e saj aktual si kryesuese e Këshillit të Bashkimit Evropian, Gjermania mund të luajë një rol edhe më përmbajtësor duke u përqendruar në dialogun Beograd-Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve.

Një marrëveshje për njohjen e ndërsjellë do të fuqizonte pavarësinë e Kosovës brenda kufijve të saj aktual dhe do t’i jepte fund konfliktit të fundit të dhunshëm që ndodhi në Evropë në shekullin e 20-të.

Një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës do të stimulohej me vendimin e BEsë për të aprovuar liberalizimin e vizave për mbajtësit e pasaportave të Kosovës.

Udhëtimi pa viza do të sinjalizonte që Kosova është e mirëpritur në familjen Evropiane.

Bashkëpunimi Gjermani-Kosovë përfshin dekada.

Gjermania mirëpriti shqiptarët e Kosovës dhe të tjerët që u larguan nga Jugosllavia në vitet 1990.

Kur Serbia e intensifikoi shtypjen e saj në Kosovë, autoritetet federale Gjermane me zemërgjerësi ofruan strehë për viktimat e konfliktit të dhunshëm.

Pas ndërhyrjes së Natos, në të cilën Gjermania morri pjesë, Gjermania ishte gjithashtu ofruesi kryesor i ndihmës humanitare.

Ajo mbështeti përpjekjet e rindërtimit të agjencive të Kombeve të Bashkuara (KB) gjatë kalimit të Kosovës nga ndihma shpëtimtare drejtë zhvillimit.

Për ta përgatitur Kosovën për vetëqeverisje, Gjermania punoi përmes Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për të ndihmuar në zhvillimin e institucioneve demokratike të Kosovës. Gjermania mbështeti misionin e sundimit të ligjit të BE (EULEX), duke siguruar gjykatës, prokurorë dhe ekspertë civilë.

Marrëveshjet për të drejtat e minoriteteve të Kosovës, të cilat përfaqësonin standardin e artë në pluralizëm dhe gjithëpërfshirje, i hapën rrugën shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, të cilën Gjermania e mbështeti.

Gjermania mbetet një mbështetëse e vendosur e integrimit të Kosovës në strukturat Euro-Atlantike.

Zyrtarët e Kosovës dhe anëtarët e qeverisë federale Gjermane punojnë ngushtë së bashku.

Anëtarët e Bundestagut gjerman janë angazhuar në Kosovë përmes kontakteve bilaterale, si dhe përmes Këshillit të Evropës dhe organeve të ndryshme parlamentare.

Idea për të ndarë Kosovën, e cila u ngrit gjatë negociatave të fundit, u kundërshtua ashpër nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e tjera.

Shqiptarët e Kosovës ndjehen borxhli ndaj kancelares gjermane Angela Merkel për ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit të Kosovës

Paratë gjermane

Bashkëpunimi ekonomik në mes të dy vendeve ka qenë poashtu prezent.

Gjermania është një nga donatorët më të mëdhenj bilateral në Kosovë, duke siguruar më shumë se €600 milion për ndihmë dhe asistencë humanitare që nga viti 1999.

Vitet e fundit, Gjermania është shfaqur si një nga partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës.

Shtrirja e tanishme e bashkëpunimit për zhvillim përfshinë administratën publike, energjinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Pandemia e koronavirusit ka rifokusuar ndihmën e Gjermanisë për sektorin e shëndetit publik të Kosovës.

Por, edhe më shumë mund të bëhet për të ndërtuar në këtë bashkëpunim të gjerë dhe të evidentuar.

Përmes Procesit të Berlinit, i filluar në vitin 2014 për të mbështetur zgjerimin e ardhshëm të BE-së, Gjermania dhe partnerët e BE-së mund të zgjerojnë ndihmën për institucionet demokratike të Kosovës dhe zhvillimin ekonomik.

Ato mund të shërbejnë si një platformë për të luftuar korrupsionin, gjë e cila është thelbësore për prosperitetin dhe demokratizimin.

Trupat gjermane shërbyen si partner sigurie duke marrë pjesë në Forcën e Kosovës (KFOR), kur ushtarët Serbë u tërhoqën nga Kosova.

Gjermania mbështeti Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB, e cili e vendosi Kosovën në rrugën e pavarësisë.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është themeluar në vitin 2009 dhe Gjermania mund të ndihmojë FSK-në të zhvillojë kapacitetet e saj, duke rritur pjesëmarrjen e saj në Programin e Partneritetit për Paqe të Nato dhe duke përgatitur Kosovën për anëtarësim në Nato.

Megjithëatë, qytetarët e Kosovës i kushtojnë rëndësi të madhe liberalizimit të vizave dhe i kërkojnë mbështetje Gjermanisë.


Megjithëse Kosova i plotëson të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, mbështetja politike është e nevojshme që poseduesit e pasaportave të Kosovës të mund të udhëtojnë lirshëm nëpër Evropë.

Të gjitha vendet e BE-së kanë gjetur tashmë mënyra për të njohur pasaportën e Kosovës, përveç Spanjës, një nga pesë vendet anëtare që nuk e njohin pavarësinë e saj, së bashku me Qipron, Greqinë, Rumaninë dhe Sllovakinë. Gjermania duhet të bëjë presion ndaj pesë mosnjohësve për të hedhur poshtë kundërshtimet e tyre.

Njohja e tyre gjithashtu do ta shtyjë dialogun e lehtësuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës, i udhëhequr nga i dërguari i posaçëm i BE Miroslav Lajëák dhe shefi i punëve të jashtme Josep Borrell. Në veçanti, Lajëák ka lidhje të ngushta me Gjermaninë.

Katalizatori

Edhe pse një marrëveshje e ndërmjetësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve do të katalizonte njohjen, njohja nuk varet nga një marrëveshje e tillë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë ka mbështetur ligjshmërinë e deklaratës së pavarësisë së Kosovës, duke gjetur se ajo ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Nëse Spanja shqetësohet se njohja e Kosovës vendos një precedent për pavarësi në rajonin spanjoll të Katalonjës apo më gjerë, GJND ishte e qartë se deklarata e Kosovës ishte “sui generis”, që do të thotë ” e veçantë në vetvete” dhe “unike”. Çështja e Kosovës nuk përcakton një precedent, as nuk është e kthyeshme. Ndërkohë, Kosova dhe BE nënshkruan një Marrëveshje të Stabilizim Asociimit (MSA) më 27 tetor 2015. MSA siguron një kornizë gjithëpërfshirëse për dialogun ndërmjet Kosovës dhe BE-së për lidhjet politike dhe përafrimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Pasi marrëveshja të implementohet plotësisht, Kosova do të hyjë në bisedimet e pranimit që dërgojnë në anëtarësimin përfundimtar në BE.

Si kryesuse e Këshillit të BE-së deri në Dhjetor 2020, Gjermania është e vendosur në pozitë të mirë për të ndihmuar në intensifikimin e ndërmjetësimit të dialogut, inkurajimin e shteteve mos-njohëse të pavarësisë, dhënien e liberalizimit të vizave dhe mbështetjen e zbatimit të MSA-së.

Kosova zotohet të bëjë pjesën e saj.

Sidoqoftë, ajo ka nevojë për ndihmë nga Gjermania, SH.B.A. dhe qeveritë e tjera miqësore për të realizuar potencialin e saj si anëtar i komunitetit Euro-Atlantik

*Alush Gashi është këshilltar politik dhe për punë të jashtme për kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti. Ai më parë shërbeu si ministër i shëndetësisë dhe anëtar i parlamentit. David Phillips është drejtor i Programit për të Drejtat e Njeriut dhe Ndërtimin e Paqes në Universitetin Columbia në New York. Ai ishte gjithashtu këshilltar senior në departamentin e shtetit të SH.B.A.-së, duke punuar ngushtë me ambasadorin amerikan Richard C. Holbrooke. Phillips është autori i librit, të quajtur: Clirimi i Kosovës: Diplomacia shtrënguese dhe ndërhyrja e SHBA.

Filed Under: Analiza Tagged With: Alush Gashi, David L Phillips, kosova, ndihma Gjermane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT