• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2020

E sotmja shqiptare si peng i të nesërmes serbe

November 29, 2020 by dgreca

Former Kosovo President Hashim Thaci, who resigned and was taken into custody of a war crimes tribunal, appears for the first time before the Kosovo Specialist Chambers in The Hague, Netherlands November 9, 2020. Jerry Lampen/Pool via REUTERS

Nga Zeno Jahaj/

Themeluesit dhe udhëheqësit shtetërorë të Kosovës, të rrëmbyer e të plaçkitur tinëzisht, u çuan në Hagë, në të ashtuquajturën “Gjykatë Speciale”, me targë kosovare, por pa simbolet shtetërore të Kosovës.

Shtetarët kosovarë, të ardhur nga lufta çlirimtare, ndoshta mund të jenë hakmarrë me tepri. Por zor se ekziston skenar më i mirë për t’i poshtëruar. Jo vetëm ata vetë, por të ardhmen e Kosovës.

Skenari i poshtërimit buron nga viti 1999. Në atë vit, Serbia dështoi së zbatuari “Memorandumin SANU”, të përgatitur rreth 15 vjet më parë nga Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve (!) për spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova. Europa e arsyes, këtë herë për arsye morale, nuk e la Serbinë të zbatonte platformat e saj naziste. Duke e ndëshkuar me armë.

Athëherë Serbia kaloi në platformën tjetër: “Poshtërimi ndërkombëtar i shtetformimit kosovar.” Çka shohim me poshtërimin e shtetarëve kosovarë tash disa vite e, sidomos më qartazi sot, është e shkruar e zeza mbi të bardhë në këtë platformë.

Nuk janë sekrete. As vetëm të kohëve moderne. E gjithë historia serbe në Ballkan është histori platformash. Të shkruara. Është ndër kombet e pakta në Ballkan që ka mbijetuar dhe është zgjeruar vetëm në saj platformash genocidi, shpërnguljeje “paqësore” e tjetërsimi ndaj kombeve të tjerë.

Platforma e parë nisi me dyndjen e hordhive serbo-sllave në Ballkan në shekullin e 6-të a të 7-të. Ishte një platformë thjesht ushtarako-fetare: përkatësisht shpërngulje me dhunë metodike e banorëve të natyrshëm shqiptarë, autoktonë sa vetë historia. Çka pushtonin me ushtri mbretërit, i shënjtëronte ushtria e priftërinjve. Çka ushtria e pushtonte të fundit, Patriarkana e Pejës, Beogradit dhe Karlovcit e shenjtëronte të parën. Sikundër shihet, Patriarkana serbe është e Pejës, pastaj e Beogradit dhe e Karlovcit!

Kështu kishte ndodhur me platformën tjetër të radhës, të hartuar nga një shtetar serb, e emërtuar “Naçertanje”, domethënë “Program”, “Platformë”. Thelbi i saj, i përmbledhur qartazi nga historiani i famshëm kroat, Ivo Banac, ishte: asimilim dhe zgjerim. E shkruar në vitin 1844 ajo duhet të udhëhiqte, siç udhëhoqi, njohjen e shtetit serb në Kongresin e Berlinit më 1878. Një 1

platformë që e bëri punën e vet. Serbia mori ç’deshi. Përkundrazi, Shqipëria u shpërfill edhe pse mbante një kongres paralel në Prizren, në kryeqytetin historik të saj. Sepse shqiptarët ishin një kohë më prapa nga serbët, një brez më prapa se platforma serbe. Sepse serbët luajtën me kohën, ndërsa shqiptarët e lanë kohën të rridhte.

Për të ardhur te Programi i Cubriloviç, i vitit 1937, i emërtuar pa asnjë dilemë hipokrizie apo diplomatike: “Dëbimi i shqiptarëve”! Cubriloviç, vrasës në grup i Arkidukës austro-hungarez Ferdinand në Sarajevo, ngjarje që i vuri zjarrin botës në vitin 1914, profesor artesh, akademik dhe shtetar serb, e kishte, kësisoj, përvojën e duhur: leksioni i tij ishte platforma më efikase për spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova që u zbatua përgjatë gjithë Luftës së Ftohtë.

Në vigjilje të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe në prag të shpërthimit të kazanit 100 vjeçar të urrejtjeve nacionale, platformat individuale u zëvendësuan me platforma kolektive. Objektivi i tyre ishte menaxhimi i interesave nacionale në kushtet e reja gjeopolitike. Lindi kështu platforma tjetër, Memorandumi “SANU” i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (!) i vitit 1986. Ishte pikërisht platforma që frymëzoi Millosheviçin t’i quajë shqiptarët “minj” dhe të ankohej te europianët “pse nuk po na leni t’i vrasim…”!

Prej këtej Platforma apo Plani “Patkoi 1999” (jo çuditërisht edhe ky një term nga bota e kafshëve!), për të përzenë me dhunë popullsinë shqiptare nga Kosova. Patkoi ishte një gardh mbytës në tri anë me portë në anën e katërt, drejt Shqipërisë a Maqedonisë, më saktë nga sytë këmbët.

Çka shohim sot, me poshtërimin e të gjithë shtetarëve kosovarë në gjykatën “kosovare”, në bazë të platformës “Poshtërimi ndërkombëtar i shtetformimit kosovar”, nuk është veçse baza e një platforme tjetër: “Destabilizim përpara shtetnjohjes”. Një platformë ku do të hyjnë në lojë “republikat” komunale serbe në Kosovë, ushtria serbe e shërbimeve të inteligjencës, të shitur e të blerë, pse jo dhe kompani “private” ushtarake ruse, të regjura në luftërat hibride për shkëputjen e Donbasit nga Ukraina.

Platforma tjetër e radhës është “Rikthimi në Jeruzalemin serb”, përkatësisht ripushtimi i pjesshëm dhe/ose i plotë i Kosovës. Prandaj shpenzimet ushtarake serbe për vitin 2019 kapnin 2.2% të Produktit të Përgjithshëm të vendit, në krahasim me 1.6% që kapnin në vitin 2018. Prandaj Serbia është pajisur me raketat e sofistikuara ruse S-400, raketat Pantsir, dronë të brezit

2

më të fundit (aeroplanë pa pilot) “Bayraktar TB2”, etj. Ndërkohë Beogradi, kosherja klasike e inteligjencës së superfuqive, sot mbetet post i përparuar i asaj ruse.

Serbinë nuk e sfidon askush. As Rumania, as Hungaria, as Bullgaria. Bosnjë-Herzegovina apo Kosova jo e jo.

Armatimet, shërbimet e shpenzimet marramendëse ushtarake që po akumulon Serbia përllogariten të përdoren në një kuadër që lidhet me shpërbërjen e NATO-s. Sinjalet janë dhënë. Makroni i Francës, sapo e ka quajtur NATO-n “të goditur në tru”. Pastaj, si për t’u rikthyer në ekuilibrat e dy luftrave botërore, deklaroi se, në rast konflikti ushtarak midis Greqisë e Turqisë, Franca do të ndihmojë dhe mbështesë ushtarakisht Greqinë! Domethënë një sinjal optimist edhe për aleatin e hershëm serb.

Vetë NATO, për herë të parë në historinë e saj, u gjend në mëdyshje se kë të vlerësojë rrezik e kërcënim: administrate Trump ishte e dyzuar nëse ishte Kina, Rusia apo të dyja së bashku. Në këtë amulli, shpenzimet ushtarake duhet të rriten mbi 2% të Produktit të Përgjithshëm, për çka shumica e aleatëve ose janë kundër, ose nuk janë në gjendje ta përballojnë.

Metamorfoza të tilla gjeopolitike janë dhuratë për Serbinë. Kur kosovarët menduan se NATO do ishte e përjetshme në Kosovë, e harruan Serbinë. Pikërisht atëherë Serbia bënte gati platformën e radhës: zhdukjen e fakteve kompromentuese të krimeve serbe, blerjen me flori të figurave influente të tipit Dick Marty e të tjerë, për të krijuar “fakte” për gjoja krime shqiptarësh, këtej e andej kufirit shqiptar.

Sigurisht duhet të jetë paguar mirë edhe një farë Carla Del Ponte, libri i së cilës “Gjuetia: Unë dhe kriminelët e luftës”, është një platformë më vete se si mund të poshtërohet edhe Shqipëria. Ish kryeprokurorja, e blerë nga Serbia, nuk shkroi asnjëherë për masakrat e regjimit serb në hapësirën jugosllave, për monstruozitetin e të cilave botës ende i mbahet fryma. Gjeti vetëm të sajojë një shtëpi kanibale në Shqipëri! Sepse në çdo shtet tjetër nuk dihet se në ç’shtyllë poshtërimi, turpi apo penale do të kishte përfunduar. Politika shqiptare është fajtore që nuk e ka paditur këtë monstër në gjykatë ndërkombëtare, ende as sot pas 12 vjetësh.

Serbia ngrohet në këtë zjarr antishqiptar. Serbët tani bëjnë sehir, se punuan për këtë ditë që në vitin 1999, për të sajuar, deformuar, blerë e shitur: “Shteti shqiptar shkatërrohet fare lehtë,

3

mjafton të ekzistojë vullneti te shërbimet serbe. Nuk është vështirë të futësh në grindje shqiptarët mes tyre toskë, gegë, të krishterë, myslimanë, linja fisnore, fetare. Nëse i mban në konflikt mes tyre, ata e harrojnë ëndrrën për Shqipërinë e Madhe. Shqiptarët duhet të mbahen në konflikt, shërbimet serbe e shkatërrojnë shtetin në Shqipëri fare lehtë. Vritni një politikan shqiptar, akuzoni konkurrentin e tij, krijoni luftë fisnore, krahinash apo politike mes tyre.”

Ndërkohë, serbët kanë kohë të mjaftueshme për të vënë në jetë platformat e radhës.

Shqiptarët prandaj janë një kohë më prapa se serbët. Sepse merren me blozën që ka lëshuar Serbia sipas platformës që ka përgatitur një kohë më përpara. Sepse vetë shqiptarët nuk kanë frymëzuar, as kanë ideuar apo hartuar ndonjëherë platforma kundër kombeve të tjerë. Nuk është e qartë nëse kjo tregon vlerë, dobësi apo mungesë kulture strategjike. Por një gjë është e qartë: shqiptarët, në çdo kohë janë gjendur një kohë më prapa nga të tjerët dhe, nëse nuk na vjen keq, syleshë.

Pse? Sepse “Serbët mbajnë shënim, ne shqiptarët mbajmë mend!” – më thotë një miku im nga Kosova.

Nëse ne nuk do të luajmë me kohën, nëse nuk do të kuptojmë proceset, atëherë do të ndodhë ajo që Presidenti i sapozgjedhur amerikan Biden ka vlerësuar me gjenialitet për ne shqiptarët, afro dy dhjetëvjeçarë më parë: “Jo vetëm shqiptarët, por të gjithë myslimanët e rajonit, kanë qenë viktima të një plani jo aksidental, por të mirëmenduar. Ju dhe trashëgimia etnike që përfaqësoni, mund të mbeteni si pjesë e harruar e qytetërimit perëndimor edhe për 100 vjet të tjera…ju jeni përdorur si gurë shahu për 400 vite me radhë. Kanë përfituar shumë nga përçarjet tuaja, nga grindjet tuaja…ju duhet të vendosni se ku do të shkoni…nëse nuk arrini të tregoheni më të mëdhenj sesa shtypësit tuaj…atëherë jeni të pashpresë dhe do të kaloni edhe një shekull tjetër si ai që kaloi.”

Filed Under: Analiza Tagged With: E nesrmja peng, Serbia, Zaho Jahaj

DEMASKIMET PUBLIKE NE GRABIAN SHPREHJE MIZORIE E REGJIMIT

November 29, 2020 by dgreca

NJË  JETË  NË  DIKTATURË/

(Kujtime të një “armiku të klasës”)/

  “Ktu vaji e trishtimi/

Veç ndihet ndër shpija/

Ktu ndihet tingllimi /

I hekrave të mija/

E gjama e nji të shkreti/

Qi bjen vala e detit.”/

NDRE  MJEDA 

DEMASKIMET PUBLIKE NW GRABIAN SHPREHJE MIZORIE E REGJIMIT

Një problem i përgjithshëm në tërë këto vite të gjata internimi mbeti për ne çështja e strehimit. Nuk mbaj mend gjatë gjithë jetës sime të kem patur një shtëpi sado modeste, por të mjaftueshme. Në Grabian na kishin dhënë një dhomë e një aneks në katin e dytë, pa kuzhinë, pa banjo, pa një vënd ku mund të derdhej një pikë ujë. Gatuanim përjashta në shi e diell, ndërsa banjon e bënim në fund të shkallëve, në një korridor me lartësi pesë metra. Merren me mënd problemet e nevojshme personale të njeriut të sëmurë, të plakut, të fëmijëve, gruas me një WC që ishte në rrugë njëzetë – tridhjetë metra larg  derës së apartamentit.

Janë të paimagjinueshme për një qytetar të botës së kompjuterave kushte të tilla primitive inkomoditeti, ndofta shumëkush nuk do t’i besojë. Fatmirësisht e vërteta është e gjallë dhe kushdo mund t’i vërtetojë me sytë e tij po të marrë mundimin të vizitojë Grabianin. Këto shtëpi dykatëshe të

projektuara në Bullgari për familje bujqësore, ishin llogaritur për një familje, lart e poshtë. Por Partia e Pushteti “popullor” mendonin se hapësira e madhe në banesë mund të kultivonte individualizmin borgjez, me gjithë pasojat e tij të dëmshme në formimin e njeriut të ri. Prandaj duheshin mbajtur njerëzit sa më të shtrënguar me njëri-tjetrin, që “uniteti” rreth partisë të ishte më i madh…. Kështu që në një hyrje futeshin dy familje, me të gjitha pasojat që një pjesë e mirë, jo vetëm e të internuarve, por edhe e shumë qytetarëve të lirë i ka shijuar vetë. Në sektorin e Gradishtit, xhaxhai im për vite me radhë e kishte kthyer dritaren e vetme të dhomës së vetme në derë. Një palë shkallë nga jashtë e nga brënda shërbenin për të hyrë e për të dalë. Aty një herë natën, gjyshja e shkretë u rrëzua e theu dorën. Në këtë mënyrë plotësoheshin kërkesat e strehimit në një vend ku vilat e udhëheqësve janë proverbiale, ku harxhohen dyzetë milion dollarë për një muze e ku miliarda lekë groposen në tokë në trajtën e kupolave…

Në kushtet e mia familjare në ato vite, problemin e fjetjes e zgjidha duke ndërtuar dy shtretër prej dërrase me dy kate, ku flinin dy vajzat e vogla dhe nëna me babanë. Pra e ktheva shtëpinë në kazermë ushtarake, duke vënë në jetë parullën e famshme “I gjithë populli ushtar”. Kërkesës së përsëritur disa herë, për të ndërtuar përpara shtëpisë një kuzhinë me kallama e baltë, kryetarja e këshillit popullor, “shoqja” Nurie, një personifikim i koncentruar i së keqes njerëzore, i përgjigjej negativisht me pretekstin se prishej pamja e pallatit, ndërsa vetë “zonja” e ndërronte hyrjen sa herë që bëhej ndonjë pallat i ri. U gjend më në fund kryetarja e këshillit të bashkuar, që na njihte që në Pluk, se e kisha patur brigadiere, që dha urdhrin e shumëpritur prej vitesh, për të ndërtuar një kasolle që do të shërbente si kuzhinë e si vend gatimi dhe dhomë fjetjeje për prindërit. Kështu u zgjidh dhe problemi i strehimit në Grabjan.

Jeta në interrnim në vitet 80 ishte një torturë e vërtetë. Për çdo nevojë, që të dilte jashtë sektorit, duhej të merrje leje në Degën e Punëve të Brëndshme, madje duhej të shoqëroheshe nga polici, qoftë dhe kur do të shkoje tek mjeku. Tek xhaxhai im që banonte në sektorin e Gradishtit, një

orë e gjysëm larg nuk kam mundur të shkoj për vizitë as një herë në gjashtë vjet. Tek familja e gruas kam shkuar dy herë për vizitë, një herë kur vjehrri ishte sëmurë dhe të dytën kur vdiq. Simbas rregullores që na lexohej herë pas here, vetëm për vdekje të njerëzve të afërm ose për vizitë mjekësore tek specialisti mund të jepeshin leje. Kjo ishte “vazhdimësia” ramiziane, trampolina nga do të hidheshim drejt Evropës.

 Akoma më e rëndë se rregulloret ishte atmosfera terrorizuese, që rëndonte mbi ne për vite të tëra. Ne ishim tabela e qitjes në çfarëdo mbledhje, një gogol që mbahej më këmbë për të trembur zogjtë që të mos hanin farën. Në sytë e popullit të thjeshtë ne servireshim si njerëzit më të këqinj, armiqtë, ata që mundoheshin ta përmbysnin pushtetin popullor, ata që s’e duan Partinë dhe Enver Hoxhën, ata që mund të helmojnë depot e ujit, mund t’i vënë zjarrin stallave apo lëmit, ata që mund të sabotojnë prodhimin duke prerë bimët gjatë prashitjes së tyre, që mund të thajnë bimë nga përmbytja me ujë, që mund… e ky mund zgjatej në pafundësi duke vërtetuar “gojtarinë” e kuadrove të Partisë që i predikonin këto gjëra. Kështu tek shumica që s’mendonin me kokën e tyre, por i besonin verbërisht për një arsye apo për një tjetër propagandës partiake, krijohej urrejta që shfaqej pastaj në shumë drejtime. Ajo shprehej me izolimin e plotë, askush nuk guxonte të hynte e të dilte në shtëpi për çfarëdo rasti, fatkeqësie apo gëzimi, madje ka akoma komunistë që nuk na thonë as mirëmëngjes, megjithëse kemi mbi dhjetë vjet që banojmë në të njëjtën lagje. Madje dhe në fushë, kur uleshim për të ngrënë drekë, nuk duhet të ishim pranë njëri-tjetrit. Çdo fjalë e jona keq interpretohej dhe i raportohej operativit të Sigurimit ose sekretarit të Partisë, që nxitonin t’a përcillnin “lart”. Mbikqyrja ishte e pandërprerë, në format më të ndryshme e në çdo çast; nuk mungonin dhe provokimet e shumëllojshme nga brigadierë apo njerëz të ngarkuar me këto detyra.

Për të qenë objektivë duhet të them se jo të gjithë kuadrot e komunistët i përqafonin dhe i zbatonin me zell këto metoda e porosi. Ndershmërisë dhe korrektësisë së tyre duhet t’u japim meritën që i takon me kënaqësinë që sjell mendimi se jo të gjithë denigruan moralisht e u bënë leva të diktaturës.

Lufta e klasave dhe terrori policor merrnin tonet e tyre më të larta në të ashtuquajturat “demaskime politike”, që herë pas here, në vartësi të gjëndjes politike të Vendit organizoheshin nga komiteti i partisë së rrethit në bashkëpunim, ose më mirë të themi me orientim të Degës së Punëve të Brendshme. Në këto mbledhje demaskimi, ishin të detyruar të shkonin të gjithë. Proçedura e tyre ishte stereotipe. Në fillim e hapte mbledhjen sekretari i Partisë i sektorit dhe ia jepte fjalën të deleguarit të komitetit të Partisë së rrethit, që fillonte paraqitjen  e tij. Këto ishin çaste cfilitëse për të gjithë ne, sepse e dinim se nga një çast në tjetrin mund të na thirrej emri për të dalë përpara sallës. Ishte përshtypja sikur një shpatë e padukshme vërtitej nga duar të panjohura mbi kryet e gjithë “të deklasuarve” për të goditur njërin apo tjetrin. Kush e kishte radhën? Të gjithë me zemër të ngrirë ishim si ata lojtarët në ruletë që presin se në ç’numër do ta ndalojë fuga lëvizjen e saj.

Kjo manovër djallëzore ishte taktika e drejtuesve të mbledhjes. Mbasi fliste disa fraza mbi punën e stinës dhe “sukseset madhështore të popullit nën udhëheqjen e Partisë” i deleguari afrohej tek momenti i ankthshëm kur zbulonte se x ose y, ishin në radhët tona armiq dhe njerëz që mundoheshin “të villnin vrer apo t’i kundërviheshin atmosferës revolucionare që mbizotëronte…”.

Më vjen ndot, tani që shkruaj këto radhë, duke kujtuar ato mbledhje famëkeqe, një nga shpikjet më të ndyra e më barbare të organeve të dhunës, shkeljet më flagrante të personalitetit njerëzor e të drejtave të njeriut. Sapo i thirrej emri, njeriu i gjorë duhet të dilte para sallës plot e të qëndronte në këmbë për orë të tëra. Atëherë fillonte akt -akuza e bazuar krejtësisht mbi gënjeshtra të spiunëve ose hamendje të oficerëve të Degës. Këto servireshin me petkun partiak, mbrohej vërtetësia e tyre me frazën bajate “A gënjen Partia?”, një tjetër provokim i hapur i makinës së pushtetit karshi individit të pambrojtur. Mbasi mbaronte akt-akuza, që fillonte me biografinë stërgjyshërore e të farefisit e vinte deri në ditët e fundit me fjalët apo veprimet e të pandehurit, fillonte breshëria e diskutimeve nga populli që përfaqësohej këtu nga disa persona të ulët, pa karakter e servilë.

Është interesante se në të gjitha këto demaskime, në të cilat kam marrë pjesë pa më rënë në kokë personalisht, kam parë gjithmonë të flasin pothuajse të njejtët persona, sigurisht të trajtuar e të indoktrinuar nga padronët e tyre. Motivet e veprimeve të tyre duhen kërkuar në shumë shkaqe, përfitime materiale apo mbulim veprimtarie keqbërëse, karrierizëm pa skrupull e fanatizëm partiak, padije e sadizëm. Në fjalorin e tyre shpaloseshin të gjitha: besnikëria ndaj Partisë dhe Enver Hoxhës; salla buçiste nga duartrokitjet, me to detyrohej të bashkohej dhe i pandehuri në këmbë. Vazhdonin shpifjet, talljet, mallkimet, propozimet për transferimet në zonat e thella malore, për dhënie gjyqit, për rrahje, pështyrje e deri në dënime kapitale. Por këtu ndërhynte i deleguari ose sekretari, të cilët si përfaqësues të “zemërgjerësisë” së Partisë sqaronin se vullneti i masës së popullit ishte mbi gjithçka, por se Partia nuk dashkërka të dënojë njerëz, por të “edukojë”.

I bukur edukim, ç’frazë mizore e luajtur pa turp mbi shqiptarët e thjeshtë! Ka pasur raste që është kaluar në tepri të paimagjinueshme e të pabesueshme për një qytetar të Evropës së sotme.  Familja Tase mbas një demaskimi të tillë, vetëm sepse një pjesëtar i saj nuk përlasi duart për Enver Hoxhën, u qëllua me gurë nga gjithë ata njerëz, fëmijë e të mëdhenj. Një skenë biblike që vazhdoi mjaft, një betejë mes një turme të egërsuar e një familjeje të urtë, një njollë turpi në ndërgjegjen e asaj popullsie që qe e pranishme në ato skena pa reaguar aspak, një shembull tronditës i skajshmërisë së institucioneve të diktaturës së kuqe në Shqipëri.

Ishin këto disa nga aspektet e dhimbshme të viteve të internimit deri më 1990, kur demokratizimi e hoqi këtë praktikë, sa të shëmtuar e të panevojshme, aq edhe të padrejtë e të paligjshme në aspektin juridik.

Arbitraritet dhe dhunë, kjo qe fytyra e vërtetë që tregoi ndaj nesh Shteti socialist shqiptar për dhjetëvjeçarë të tërë… Kjo qe e shkuara që e mbajtëm mbi supet tona që sa lindëm e deri tani që flokët na u zbardhën e jeta filloi të tatëpjetën drejt fundit të pashmangshëm.

A ishte i drejtë ky qëndrim, a mban përgjegjësi kush për jetën tonë të shkatërruar, për gjymtimin tonë fizik e shpirtëror, pasojë e kësaj jete, a arrin dot ta kuptojë në tërë përmasat e saj tragjedinë tonë Evropa e qytetëruar?

Ç’mund të bëhet për ne që humbëm aq shumë në këtë luftë të pabarabartë me një makinë të përbindshme që shkeli mizorisht ëndrrat dhe iluzionet tona mbi jetën, këtë dhuratë të madhe të Krijuesit? A do të ketë ngushëllim dhe ripërtëritje  për ne që u transformuam në kufoma të gjalla, pa i pasur borxh askujt, asnjë fije floku? A do të ketë vënd për ne në një shoqëri që thuhet se po rindërtohet e në një botë që synon drejt së mirës, drejt zhdukjes së diktaturave?

Dhjetëra pyetje godasin pa mëshirë trurin e lodhur që kërkon qetësi në këtë çast bilanci e përkundet në mirazhin e së ardhmes ku hedh shtat pema e bukur e shpresës se fëmijët e mi nuk do të pësojnë në jetë ato që pësova unë.

Grabian, Qershor 1991                                                                                        

Fund

Filed Under: Politike Tagged With: Demaskimet, Eugene Merlika

NGA JETA NË LIBËR,

November 29, 2020 by dgreca

NGA LIBRI NË DASHURINË VELLAZËRORE…/

– Ilirjan, persoanzh në librat e të vëllait, shkrimtarit Visar Zhiti –

  Ilirjan Zhiti, dashamirës i librit, që i pëlqente poezia, madje ka botuar përmbledhjen “Zili do ta kisha dhe një murg”, shkruante sentenca, etj, më parë ka qenë personazh në librat e të vëllait të tij, Visar Zhiti, në burgologjitë “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë”, ku tregohen qendrime të tij, kurajoja, se si i shkonte të vëllait në burg, i çonte libra dhe ushqime për të mbijetuar, etj. 

Janë copëza kohe, që ikin, por ajo që mbetet është dashuria njerëzore… Po i botojmë në nderim të Ilirjan Zhitit, i cili 40 ditë me parë mori udhën e amëshimit…

TAKIMI I PARË NË BURG: 

Në një nga ditët e mëpastajme më morën nga qelia dhe më lanë vetëm në ajrosje. Aty te muri i madh. Do të më pushkatonin kështu, apo do të më nxirrnin në fotografi prapë për dosjen e dënimit? Dhe atëherë, kur më vunë pas murit, dyshova se mos aparati fotografik ishte ndonjë lloj arme. Prisja plumbin me atë “trak” të thatë e të shterpët që do të fiksonte fytyrën time të dënuar, një herë përballë e pastaj në profil.

Këtu ose më tej në mur, u hap një sportel dhe përtej pashë… tim vëlla. Ah, portreti i tij si në një kornizë të rëndë, gropë e ngritur lart. Edhe ai ashtu si unë, me një polic anash.

– O-o-o-o-o! – u mahnita. – Ti, Ilirjan?

– Bo-bo, sa qenke fryrë, si të kanë bërë… shëndoshur, – e ktheu fjalën me dëshpërim im vëlla. – Si je?

– Ja, më ka fryrë asgjëja, dergjja. Pushim këtu. Më dënuan 10 vjet. Po ju si jeni?

– Na ka forcuar të gjithëve halli yt. Sëmundjet e mamasë, zemra e saj, tensioni i babait kaluan në dorë të dytë. Çdo e keqe ka të mirën e vet, – buzëqeshi për mua hidhur. – Si e kalove këtë kohë?

– Flisni për gjëra të tjera, – ndërhyri polici i tij.

– Kaloi, – thashë shpejt e shpejt, – gjallë.

– Jo biseda të tilla, ju thamë, – tani ndërhyri polici im. – Do ta ndërpresim takimin. Na vjen keq.

Im vëlla po çapëlente sytë për të më parë sa më tepër e të mbushej me mua, ashtu si unë me të. Atyre u mungoja veç unë, mua më mungonin të gjithë. Përveçse vëllezër, ishim edhe shokë dhe gjithmonë flisnim kundër regjimit, shumë më tepër se me miqtë e ngushtë, të përbashkët. Por tani goditja ishte humnerore. 

– Të kam sjellë dhe libra, por… Gjakftohtësia…

– Takimi mbaroi, – thanë policët, që përsëriteshin një andej dhe tjetri në këtë anë të murit si në një pasqyrë barbare. S’mundëm të shtrëngonim duart vëlla me vëlla para se të mbyllej ajo zgavër magjike në mur. Tragjedia ime ishte e vërtetë. Unë e kisha humbur botën dhe njerëzit e mi do të më shfaqeshin pas vrimave dhe hekurave gjithnjë e më pak, gjithnjë e më rrallë…

RRËFIM I NËNËS

Mora urbanin për në Kinostudio. Kisha Ilirianin me vete, se ku i gjeja dot unë. Tirana është bërë e madhe. Kërkova Bashkim Shehun, të birin e kryeministrit, shkrimtar në vërsën e djalit tim është, e donte im bir, pavarësisht se Mehmeti na kallte datën, na shoi me partinë. “Ai është”, – më thanë. Sa zbriti nga autobusi, e ndala. Ia thashë. I erdhi keq dhe u zbardh në fytyrë. “Atje ku ka hyrë tani ai, – vazhdoi, – unë s’bëj dot gjë. E kam të ndaluar, të pamundur. Po më pyetën, do të flas mirë, ashtu siç e kam njohur.” Dhe u ligështua në fytyrë. Më përqafoi. U vra i ati, vetë a e vranë, dhe e futën në burg, s’e di a është takuar me tim bir, i shkreti. 

Shkova prapë në Tiranë, kërkoja Ismail Kadarenë. Më thanë kur vinte në atë kafenenë e shkrimtarëve, jo, klub a lidhje, se s’ia angllandis dot emrin, ku mblidhen dhe llafosin, dhe pinë kafe. E dija atë pallat, është martuar Mbreti aty.

Prita ca më lart, tek sheshi. U ngjita më lart. “Po vjen”, – më tha Iliriani, që e kisha në krah. E ndala vetë, ia thashë hallin. U ndie ngushtë. Më vuri dorën në sup. “Mbahu”, – më tha. “Ç’të mbahem, – i thashë, – dhe ku?” U kthye nga e shoqja. I tregoi për mua. Se si më vështroi ajo, me dëshpërim, si ca ikona. – “S’jam në gjendje ta ndihmoj dot, besomë, jam vetë keq e s’e di kush mund të bëjë tani, – po më thoshte ai. – E takove kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve? Unë s’mundem, se… – ah, ia mbaj mend fjalët, – kurajë, – dhe bëri duart kështu, – bëftë Zoti”, – më tha, më përqafoi edhe ai dhe u ndamë… Sa e donte djali im! 

Përmes lotëve pashë nga statuja e madhe e Skënderbeut. T’i lutesha atij, ndoshta ishte më pak i ngurtë se njerëzit. Për se e mbante atë shpatë? Ngrita kokën nga qielli. Lëvizi. M’u rrotullua. Sa larg është Zoti nga ne, na ka harruar. Po s’i prishëm ne kishat dhe xhamitë, jo, por shteti i komunistëve, që u përmbystë e i zëntë nën vete! Zëvendësuan kishat dhe xhamitë me komitete partie dhe komitete ekzekutive dhe… na ekzekutojnë.

TË NDIHMOSH NJË POET:

– Ty po ta tregoj të parit, sapo e shkrova, – më tha Faslli Haliti, me të cilin jo vetëm na qe forcuar miqësia, por na ishte bërë dhe       e domosdoshme deri në mërzi. Më zgjati fletët e një poeme, “Dielli dhe rrëkerat”, – lexoje, – tha. Fillim pasditeje dhe ai dukej sikur sapo kishte dalë gjallë nga një makth ose do të shkonte drejt tij. 

E mbarova rrugës, duke ecur. Fletët më dridheshin.

– E guximshme dhe goditëse. Të shtang, – thashë.

– E kam shkruar nga pozitat e së mirës, – u ngazëllye Faslliu mësuesmërisht.

– E fortë, – thashë unë.  

Dhe vërtet, për shkak të kësaj poeme filluan mbledhjet e zymta të Partisë me letrarët e Lushnjës, unë isha i ikur, student në Shkodër, kritika për nxirje të realitetit, por poema nuk është kundër socializmit dhe udhëheqësit të saj, drejton klasa punëtore te ne, ç’është ai shi që bie ashtu si në kapitalizëm?! Mos u ul, rri në këmbë, i tha sekretari i parë Faslliut në mbledhjen që zgjati nja 9 orë, deri pas mesnate. 

Im vëlla, Ilirjani, e kishte marrë vesh më parë komplotin që po i kurdisej atij, ia tregoi Bujari, gjoja disa shokë të tij gjimnazistë ishin shqetësuar për atë poemë revizioniste dhe kishin shkruar një letër, të cilën, thoshin, e kishte përgatitur më parë ai kritiku i njohur… Shkojnë e lajmërojnë Faslliun, që u alarmua dhe u nis vrik për në Tiranë, në Komitetin Qendror, kështu tregoi më pas, takoi Ramiz Alinë, i cili, për çudi, e priti mirë dhe e qetësoi, ndërkaq, me t’u kthyer, prapë mbledhje, poeti u dëbua në fshat, që të njohë jetën, të mësojë nga kooperativistët, të mblidhte dhe ai bar bashkë me ta, pleh kimik, organik, të prashiste. 

Kur të merr malli të shkruash, ç’bën? E pyeti im atë, që e njihte këtë dhembje, të qenët i ndaluar, madje përgjithmonë.

  Asgjë, lyej derën, iu përgjigj pikëllueshëm ai. 

MES MALEVE NË FERRIN E SPAÇIT

…Te porta e madhe e hekurt, në hijen e maleve. Përmatanë Nëna ime, e vërtetë, në këmbë, me kurorën në argjend të errët të gërshetave mbi krye, Perëndeshë e gjorë, vëllezërit, Shpëtimi, që po shikonte vëngër gjithçka përreth, dhe Iliriani, si më i hollë e më i gjatë, i zymtë, dhe motra, dukej që kishte qarë Arbëresha… po im atë (gjallë është?), s’mundi të vinte dot, herë tjetër, mirë është, mirë… unë, ashtu i qethur, i mpakur, ndihesha si Gishtoja i përrallës, fajtor, por ç’kisha bërë? Që u shkaktova gjithë atë vuajtje… Jetim, por ja ku ishim… të gjithë, barku i Shën Mërisë. 

Sipër portës, në të dyja anët, ngriheshin vendrojat. Ushtarët me automatik… si të hipur në re të drunjta, vëzhgonin takimin.

U përqafuam si mundëm, me hekurat në mes, që na nguleshin në brinjë, ijë, gjoks, thellë në zemër. Morëm telegramin tënd, t’u bëftë mamaja, dhe erdhëm. Mirë je? Po, po, po ju? Hallin tënd kemi. Nuk lejohet jataku këtu, që të ta sillnim. Atë në Kukës shkoi e mori Ilirjani… Shkova dhe në fshat, mora rrobat e tua e u ktheva me to në kurriz më këmbë… Eh, po mos u mërzitni, ja më afruan, Spaçi është më afër se Kukësi. Kur u nisët? Që dje, të keqen mamaja, e shkreta unë, pa ty në shtëpi… Çfarë të të sjellim? – pyeti motra. Asgjë… ka…

Kapterët po kontrollonin ushqimet e sjella. Vajin. Nuk lejoshin shishet dhe vazot e qelqta. S’e dinim. Eh, të thyeme janë sikur thikat, dihet kjo, jeni dhe nga qyteti. Djathi, ça ka mrena? Djathë prapë… Ta shofim, bajonetën, ej, sill bajonetën, copërloje! Byrek, kulaç, mesha ime, i kanë bërë nëna, motra… Sheqer, sallam, çaje! I shqyen dhe paketat e cigareve. Shumë keni sjellë. Jeni harxhuar… S’lejohen kaq, e kalojnë peshën e lejueme, e dini rregulloren? Hera e parë, z… S’ka herë të parë, ka ligje… Merrini gjysmat. Po mbajini ju. Ne s’kena dert për to, kena Partinë. Jepjani ndonjë tjetri, shokut të djalit… Nuk thoshin dot: ndonjë të burgosuri tjetër.

E sa vjet je dënuar ti? Shpërbleja familjes… e shikon ç’bajnë?

Po zbrisja mespërmes gumëzhimave, me dy trasta në dorë. Unë s’kam më rrugë për në shtëpi, as rrugë… Kam një ferr që as Dantja nuk e njeh. Rrathët e tij i kanë prerë, këputur dhe, ashtu të shtrirë, i kanë bërë copa rrugësh, që s’të çojnë gjëkundi. Do t’u vë emra, se mbase marrin kuptim, arrijnë diku… 

KUR POLICI U LARGUA…

– A të kanë torturuar? – më pyeti befas im vëlla. Ndoshta kjo ishte ajo që i mundonte më shumë.

– Jo. Pastaj gjithçka është torturë. Ngaqë jemi larg shtëpisë, – shtova për t’i qetësuar disi. – Po juve ju ngacmon kush në punë? – desha të di. Buzëqeshi i trishtë. Ia pashë dhëmbin e thyer. Ende s’e kishte rregulluar. Kushtonte. Po ku e theu atë dhëmb? Si nxin vendi bosh, zgavër…

– Punëtorë krahu jemi tani. S’kanë ç’na bëjnë më. Ilirianin e çuan në fermë te serrat e Plukut, Arbëresha pa punë, unë jam te “Tokat e vdekura” në Bedat, afër kënetës ndërtohet një fshat i ri.

– Ashtu? – buzëqesha hidhur unë. – (Mund të ndërtohet një fabrikë, një burg, një urë a çmendinë, por një fshat? Ta prishësh po. Duhet e kaluara, përrallat, varret, bestytnitë, po këta bëjnë edhe atdhe të ri… mendova për një çast, por s’kishte kuptim të bisedonim çështje të tilla tani…)

– E rëndë është puna këtu? – pyeti me zë të ulët Shpëtimi.

– Përballohet, – thashë qetë.

– Ç’është ajo gryka në mal, dukej nga larg, – u hodh gjithë shqetësim nëna. – Hyni dhe dilni?

– Galeria. Atje punojmë.

– Thellë?

– Nëntoka të mbron nga të ftohtët, nga shiu, era, – thashë, – (nga jeta… – desh thashë.) Por po dridhesha duke pasur mendjen poshtë, te këmbët, sikur po më fryheshin…

– Të merr uria atje? – ngulmoi nëna.

– Jo. Tërë këto ushqime që sillni ju… uh!

FLETORET E FSHEHTA

Mbërritën në shtëpi në mbrëmje. I prisnin me padurim. Kishte ardhur dhe motra me të shoqin e fëmijët. “Nëna, nëna… ça na solle?… Më jep dhe mua një karamele tjetër…”

– Hë, u lodhët? Si ishte?

– Mirë, të fala, përqafime. 

– Shëndeti, shpirtërisht, ç’thoshte? Si ishte takimi i zgjatur?

– …na bëri dhe kafe.

– Ashtu? Pati ndonjë gjë tjetër? Se si më dukeni, si…

– Eh, ja, ashtu… 

– Ndonjë lajm?

– …poezi… 

– …

– Të djalit. 

– ?!

Dhe, kur fjetën fëmija, pasi zunë dritaret me batanije, që të mos dukej drita jashtë, u mblodhën kokë më kokë. Nxorën nga i kishin fshehur ato që ngjanin me shtresa këpucësh, tabanë, u prenë penjtë e qepjes leckave, i çmbështollën, fletore të përthyera më dysh, i hapën, u dridheshin duart, lexonin ç’ishte shkruar, me stilolaps e shkronja shtypi, një titull, strofa e parë, shfletuan, një strofë tjetër, poezia e gjithë. Lexoje dhe një herë. Babai dëgjonte. Ai pothuajse qe verbuar. Terri i plasaritej me vija drite, që zhdukeshin shpejt. “Jam ndarë për së gjalli me djalin, – thoshte. – Unë, edhe po të jem, s’do ta shoh dot kthimin e tij”. Vazhdoi leximi i poezive deri afër mëngjesit. U pataksën. “S’qenkan lirika përmallimesh, trishtime burgu, por akuza të rrezikshme, metafora më të forta se ato kur e dënuan, hapur, kërkëllijnë si zinxhirët… “Bo-bo!” – i ra ballit babai dhe s’e hoqi më dorën prej andej. Nëna qante heshturazi. Edhe motra. Shpëtimi me Tomin nxinin. 

– S’lexoj dot më, – gati rënkoi Iliriani. 

– …

– Po ku do t’i lëmë? 

– Duhet një vend i sigurt dhe i fshehtë. 

– Bëj unë një arkë metalike në ofiçinë dhe… do të hap një gropë në kopshtin tim.

DASMA LARG E ILIRJANIT, NJË KËNGË:

Rende për në depon e ushqimeve, nxore pakon e madhe të llokumeve nga thesi yt, e ruaje për këtë ditë, e diel dasme, e shqeve me duart e harbuara, i dhe një rojës së burgosur të depos, pa i thënë asgjë, dhe e mbajte frymën te Valeri. “Dua një këngë, – i the i ngashëryer, (Sot po martohet im vëlla…) – merre dhe një llokume tjetër.” “Shkojmë te Sherifi?” I dhe llokumen e urimit. Po këto të tjerat? T’i hamë të gjitha. Ashtu kokë më kokë të tre, pas murit para shkallëve të korridorit të zyrave të riedukimit. 

– Ejani, – tha këngëtari, – futemi në atë që gjoja është dhoma e kulturës. M’i kanë lënë mua çelësat, ngaqë di t’i bie fizarmonikës, – dhe, me të mbyllur derën, i hodhi rripat e atij instrumenti krahëve. Sikur dyfishoi krahërorin e vet. Zbrazi frymë. Se si t’u duk, si në një torturë. Fluturoi lehtë gishtat nëpër tastierë, tinguj, një melodi, kaq e ëmbël… muaj mjalti… kështu kishe lexuar nëpër libra, të porsamartuarit shkojnë e mbyllen në një dhomë hoteli, shohin shiun nga xhamat, pyllin, veturat, çifte kuajsh e s’dalin fare, bëjnë dashuri natë e ditë. Në diktatura s’lejohet. Zëri i këngëtarit të rrëqethi. Ajrin e shndërroi në cicërima gjithë flatrime zogjsh, që s’dihet se si ikën. Po i këndonte dashurisë, zëri forcohej, malli bashkë me të, por jo me tone të larta, jo, jo, nuk duhej të dëgjohej jashtë, një ngjirje mahnitëse sikur zëri të qe fërkuar në kurrize dritash në botën e tejme, me qytete të gjallësh. Kënga ecte e lumtur nëpër këmbësore, anash vitrinave llamburitëse, po, po, kishte prapë të tilla, ku rrotulloheshin veshje grash me shkëndijime të befta, fustane të ujvarta, çizme me majë të hollë sa takat – me t’i veshur duhej të vallëzoje vetvetiu – magnetofonë që përsëritnin këtë këngë, krehra, lëviznin vetë mbi floknaja muzgjesh, të kuq buzësh, mund të shkruaje xhamave me të: “Të dua”, por papritur fjala e kuqe shndërrohej në vazhdë gjaku. Këngëtari kishte anuar kokën e rëndë mbi fizarmonikë, e ngriti dhe buzëqeshi. Nisi të këndonte anglisht këngën e vet, atë që kishte kompozuar me mend në qelitë e Buu-uh- rrr-bbrrr-e-e-l-i-i-t-t, “When I am dead, my dear!”. “Është poezi e Kristina Rosetit”, – tha shpejt dhe zëri i tij nisi të ndizte qirinj, flakët e të cilëve, nga shkaku i lotëve, ngjanin si brerore të rubinta. Pastaj solli bregun e detit, dallgët që kërkonin të shuanin një emër të shkruar mbi rërën e lagur, emër vajze, i së fejuarës së këngëtarit – detin, detin të kesh rival në dashuri. – Dhe “Këngën e nënës, – iu lutët ju, – do ta këndosh?” “Patjetër!” Të ecësh krah për krah me nënën, nën borërimën e dhembshme të moshës, njeriu plaket, e ka dramën e vet, të bukur e madhështore. Pse shpiken dënime të tjera? Ah, zëri shtrihej, donte të mbulonte gjithësinë, pastaj hovte, hidhej nga njëri yll në tjetrin dhe vishej me argjend, po, po, e gjete, këngëtari ynë ka zë të argjendtë me gdhendje pikëllimi dhe t’u nëpërmendën servise fisnikësh, korniza, shandanë, pasqyra, bastunë dhe pena pranë një telefoni të zi, të mbledhur kutullaç si një kotele. Ti je supersticioz, macet e zeza s’ke qejf të të dalin përpara. Po është mace shtëpie! U ngrit dhe iku te pragu i dasmës, ku dëgjohej kënga. Si ta ruajmë këtë zë? Është yni!

Shfryu fizarmonika ose ai, a të dy bashkë një brengë, aq të madhe tani, teksa Sherifi e la mbi tryezën e pluhurosur. Buzëqeshi dhembshëm. “S’mund të bëja dot më shumë, kaq mundesha”, – dukej sikur thoshte. “Po ti bëre shumë, falemnderit, më dhe këngën, atë që s’duhej të mungonte tek unë sot. Të jam mirënjohës përgjithmonë.”

…

Kush e solli atë letër nga toka dhe iku? Nga nëntoka, nga ferri i saj. O Zot, ç’letër e mrekullueshme, pikërisht tani, me vulën e burgut. Po pse tani? Ta kishte lënë për pas dasme, meqë nuk e solli dot para saj. Ta ketë bërë me qëllim postieri?! “Ç’do të thotë burg, të lutem, thuama”, – pyeti një re e vogël puplore. “Herë tjetër, – iu përgjigjën, – po shko dhe mbaji fustanin nuses nga pas.” 

Ngashërime, po qanin, jo me zë, jo, mosni, është dasmë. Letra… nuk e lexonin dot, sa prekëse. Leko, Frisko, u thoni të pushojnë, se juve ju dëgjojnë ata… Zonjë, je mamja e tre djemve dhe e një çupe, secilit i takon gëzimi i vet që është i të gjithëve. Jemi dëshpëruar bashkë, kur ishte për t’u dëshpëruar, të gëzohemi bashkë tani që duhet të gëzohemi. Është dhe porosia e tij, e ka shkruar në letër. Këndoni, ju lutem, një valle, dasma vazhdon…

DOSJA E DIKURSHME…

Po shfletoja. Gjyqi, dialogët e rëndë. I dija, nuk i harroja dot. GJYKATA E LARTË, hë, ç’thanë kur bëra apelimin… atëherë në shekullin e shkuar, jo se besoja në drejtësi a në zbutje të tyre, por doja t’i shihja deri në fund sa të këqij ishin dhe si i shkelnin edhe ligjet e tyre. Ethja për t’i njohur e… 

Vajti im vëlla, Iliriani, madje i kundërshtoi dhe e kërcënuan se mund ta dënonin edhe atë. Pa ta shoh ç’kanë shkruar, qenka e gjatë:….

Filed Under: Opinion Tagged With: ILIRJANI, nga Jeta ne Liber, Visar Zhiti

AMERIKA MIKE E PËRHERSHME E KOMBIT SHQIPTAR

November 29, 2020 by dgreca

-Fitorja e Joe Biden, shpresë për Nëntorin e Tretë Shqiptar/

MA. AGIM ALIÇKAJ/        

          Nëntori është muaji i lavdisë kombëtare, 28 Nëntori është festë e bashkimit të të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, territori apo bindjeje politike. Na bashkon flamuri i bukur kuq e zi me shqiponjën dykrenare, flamuri i përpjekjeve mbinjerzore për liri dhe ekzistencë në trojet tona. Kombit tonë të shumëvuajtur, pas nëntorit të  Skenderbeut dhe të Ismail Qemalit, i duhet Nëntori i Tretë, nëntori i bashkimit kombëtar.

         Ky ishte edhe nëntori i shpresës për një fillim të ri, ngritje dhe forcim të Republikës së Kosovës, pas dështimeve të njëpasnjëshme, të turpëshme dhe të panevojshme 12 vjeçare, që nga shpallja e pavarësisë së mangët. Shpresat na i ngjalli fitorja në zgjedhjet amerikane e mikut dhe përkrahësit të pakompromis të pavarësisë së Kosovës dhe të drejtave njerëzore dhe nacionale shqiptare kudo, presidentit në ardhje Joseph Biden. 

         Me fajin e politikanëve tanë, sidomos me nënshtrimin total dhe përkrahjen e pashembullt nga ish-presidenti i Kosovës dhe kryeministri i Shqipërisë, Serbia shoveniste ia arriti të infiltrohet në administratën e presidentit në shkuarje Trump. Ata, në bashkëpunim me ndërmjetsuesin për bisedime Kosovë-Serbi, ambasadorin jodiplomatik, pro-serb Grenell, e përgaditën marrëveshjen për ndarjen e Kosovës, pra e sjellën shtetin e Kosovës buzë shkatërrimit. Me largimin e Grenell, përpjekjet dhe investimet 21 vjeçare serbe në Trojet tona dhe Amerikë dështuan me turp. Përgatitjet serbe për festim madhështor në Beograd të fitores së tyre në zgjedhjet amerikane shkuan kot. Serbia kriminale nuk e meriton të ketë vend në Amerikë. Duhet larguar sa më parë. Amerika është e jona.

         Dëshiroj ta përsëris thënien time nga shkrimi i dates 22 Maj të këtij viti: Kundërshtimi i politikës së gabuar të ambasadorit Grenell është veprim pro-amerikan dhe detyrë kombëtare. Politikanet të cilët ju nënshtruan kërkesave të tij  nuk e kryen detyrën kombëtare. Ata duhet të marrin mësim nga fenomeni Grenell. Është gabim i pafalshëm, që për interesa personale, të shiten interesat kombëtare te zyrtarë ndërkombëtarë arrogant dhe të padrejtë, të influencuar nga armiku, qofshin ata edhe të Amerikës, vendit mik dhe të dashur që na ndihmoi ta krijojmë shtetin tonë të ri. Të gjithë zyrtarët amerikanë, pa dallim janë të përkohshëm. Ata kan interesat e veta. Në rastin konkret, Grenell kishte vetëm interesin e tij të karrierës dhe kampanjës zgjedhore. Marrëveshja për të ashtuquajturin “normalizim ekonomik” e cila në momentin e fundit e zëvëndësoi marrëveshjen për ndarjen e Kosovës, ishte në interes të Serbisë si shpërblim për kontributin dhjetra milionësh dhe votat e premtuara serbe të cilat shkuan huq. Njohja e pavarësisë nga Izraeli kishte rëndësi të veçantë por edhe ajo u bë më shumë për interesa të kampanjës së presidentit Trump dhe të Izraelit. Kjo marrëveshje anti-shqiptare është e dështuar. Fatmirësisht, i dështuar doli edhe ambasadori Grenell. Të dështuar janë edhe të gjithë ata politikanë shqiptarë që morën pjesë në te. 

         Shqiptaro-amerikanët që e përkrahën kampanjën e presidentit Trump nuk kanë pse të dëshpërohen. Mjafton që në Serbi nuk ka festë. Ai i kishte të mirat dhe të këqijat e veta. I humbi zgjedhjet me fajin e vet, ndër tjera edhe për shkak të egos së sëmuar, arrogancës së pakontrolluar dhe ofendimeve të ulëta dhe të panevojshme ndaj tjerëve, siç ishte rasti me senatorin John McCain, heroin amerikan dhe përkrahësin e madh të popullit shqiptar. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë me të dyja partitë politike, nëpërmjet Kongresit amerikan. Kjo është formula e suksesit tone në Amerikë. Nuk ka dilemë fare se presidenti i zgjedhur Biden është shumë i mirë për çështjen tonë kombëtare. Është i informuar, i ashpër dhe i vendosur në qëndrimet e veta. Veçse neve na duhet të ndryshojmë, duhet të punojmë për shtetet tona, për kombin tone dhe jo për interesa personale dhe klanore. Biden nuk ka kohë t’i kryej punët tona. Kemi shans historik për fitore përfundimtare. Sa për Amerikën, nuk ka nevojë të brengosemi. Mendoj se Biden do të qeverisë nga qendra dhe nuk do t’i nënshtrohet presionit majtist. Nëse jo, populli amerikan pas katër vitesh e rregullon këtë punë sipas nevojës dhe interesave të veta. Kushtetuta dhe demokracia amerikane funksionojnë në mënyrë perfekte dhe të përherëshme. 

         Bisedimet e gjerë tanishme me Serbinë, për shumë arësye, janë shembull i keq i inferioritetit, qyqarllëkut dhe paaftësisë së klasës politike në qeverisje të Republikës së Kosovës. Kjo duhet ndryshuar menjëherë. Serbia në krye me shovenistin Vuçiç janë të sëmuar nga urrejtja e verbër për shqiptarët. Ata i urrejnë dhe nuk i njohin për qenje njerëzore as edhe shërbëtorët e tyre në Prishtinë dhe Tiranë. Pranimi i fajit për gjenocid ndaj shqiptarëve me kërkim falje, kthimi i të humburve, kompensimi i dëmeve të luftës dhe gjykimi i të gjithë kriminelëve të luftës, paraqesin minimumin për vazhdim të bisedimeve. Krimet kundër njerëzimit nuk vjetrohen kurrë. Duhet kërkuar  nga ndërmjetësuesit evropian dhe amerikan të ndikojnë mbi Serbinë për shërim dhe rehabilitim psikiatrik kolektiv. Nuk ka si bëhet marrëveshje me kriminel dhe njerëz të sëmuar. Nuk ka kompromise shtesë. Të gjitha kompromiset shumë të dhimbshme edhe ashtu të tepruara dhe të dëmshme kanë përfunduar me marrëveshjen e presidentit Ahtisaari. 

         Nëse Evropa dhe Amerika dëshirojnë dhe mendojnë se mund ta tërhjekin Serbinë nga sfera dominuese e Rusisë, Kinës dhe shteteve si Irani, duhet t’i ofrojnë shpërblime dhe stimulime të veta. Nuk është e drejtë, as e arsyeshme as e kuptueshme dhe as e ndershme t’i ofrojnë tokat shqiptare, për të katërten here gjatë historisë 150 vjeçare. Nuk ka ndryshim të kufijve dhe as asociacione njënacionale. Kjo është kundër vlerave demokratike dhe interesave evropiane dhe amerikane. Në asnjë mënyrë dhe për kurrëfarë arësye nuk bën të bisedohet për të drejtat e minoritetit serb në Kosovë pa inkuadrim të të drejtave të popullit shqiptar të Kosovës lindore të cilat duhen të barazohen 100%. Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është e mirëseardhur por nuk është e domosdoshme. Kosova, Shqipëria dhe të gjitha trojet shqiptare në gadishullin Ilirik duhet të orientohen drejt bashkimit kombëtarë në kuadër të Evropës së bashkuar. Kjo mund të bëhet pa kërkuar ndryshim të kufijve. 

         Duhen ndryshime urgjente të klasës politike, posaçërisht të asaj qeverisëse. Duhen zgjedhje të lira sa më parë që është e mundur. Pas të gjitha ngjarjeve të dhimbshme dhe veprimeve jodemokratike të vitit të fundit, vetëm vota e popullit ka të drejtë dhe mund të krijojë legjtitmitet për qeverisje. Partitë politike të cilat ishin në pushtet dhe dolën të dështuara duhet të lirohen nga politikanët e korruptuar, të shantazhuar dhe të shitur. Partitë me kuadrot e pakomromituar e të shkolluar, profesional dhe të aftë të cilat ishin në opozitë duhet të tregojnë maturi, pjekuri dhe vendosmëri në  luftë për pushtet. Luftimi energjik i armikut serb, i korrupsionit dhe nepotizmit, si dhe paraqitja e programeve të qarta të zhvillimit ekonomik, social dhe vlerave kulturore kombëtare duhet të jenë bazë e fushatës zgjedhore. Të gjithë bashkë duhen të ruhen shumë nga ekstremizmat e të gjitha llojeve, sidomos  nga ai fetar dhe majtist. Toleranca fetare është njëra ndër vlerat më të rëndësishme kombëtare. Komunizmi ishte njëra nga fatkeqësitë më të mëdha gjatë gjithë historisë.

         Kombi i bashkuar shqiptar, është i fortë dhe i pathyeshëm.

         Gëzuar festa e flamurit kombi i ndritur shqiptar!

*Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Federates Panshqiptare te Amerikes”Vatra”.

Filed Under: Ekonomi, Featured Tagged With: Agim Aliçka, shqiptar

MË 29 NËNTOR U HAPËN PORTAT E FERRIT

November 29, 2020 by dgreca

NGA AGUSTIN MIRAKAJ- Qielli i Shqiperisë u mbulua nga reja e zezë përgjithmonë. Egërsirat që zbritën nga mali pas ikjes së gjermanëve të fundit nga Shkodra, futën në dorë gjithçka. Demonet e kuq, hapën portat e ferrit në emër të çlirimit të vëndit duke iu vërsulen pa mëshirë Shqipërisë e shqiptarëve.

Një pushtim i frikshëm, një pushtim i tmerrshëm. Komunistët u sollën ditë të zeza shqiptarve të thjeshtë, patriotëve të nderuar, atdhetarëve të flaktë, pronarëve të ligjshëm, intelektualëve të ndershëm, klerikëvë, objekteve të kultit fetar, familjeve të mëdha…

Komunizmi është një ideologji shkatërrimtare. Komunistët instaluan hakmarrjen, dhunën, torturën, vrasjen masive të intelektualëve e plaçkitjen e pasurisë duke masakruar, torturuar, vrarë, burgosur, internuar këdo që ua thoshte mendja e tyre e ndyrë.Skllavëria e tmerrshme mbuloi Atdheun tonë. Zija, përndjekja dhe uria u bënë menu e vetme për popullsinë civile. Shpresa se Shqipëria do bëhej mori fund. Intrigat, spiunllëqet dhe kurvëlliku shtetëror u kthye në kryefjalën e ligjshmërisë. Celulat e errësirës të bashkuara mish e thua me dreqin sllav, kthyen ne bordello spiunin shqiptar për të krijuar e njeriun e ri komunist, pa fe, pa moral, pa atdhe. Një qënie komuniste e pështirë. Për 45 vjet demonët e kuq sunduan mbi lirinë, mbi ligjin, mbi të drejtën, mbi inteligjencën shqiptare duke i damkosur, linçuar, përndjekur e shkatërruar fizikisht e shpirtërisht.E moj Shqipëri e mjera ShqipëriKomunistët e tu të veshën në të ziTë plaçkitën, të shtypën të mbollën mërzi Të vranë shpresën, të vranë lirinëNuk të lanë të marrësh frymëpër të mposhtur dreqninë.

Filed Under: Histori Tagged With: 29 Nentor, Agustin Mirakaj, PORTAT E FERRIT

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT