• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2020

Kush i paguan avokatët pranë Gjykatës në Hagë?

November 22, 2020 by dgreca

Nga Shkumbin Ahmetxhekaj-*

Ish-udhëheqësit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me aktakuza për krime lufte në Dhomat e Specializuara në Hagë, mund të mbesin pa mbulesë të plotë financiare nga shteti për mbrotjen e tyre. Ata kanë angazhuar avokatë të njohur ndërkombëtarë, e që kostoja e tyre, mund të tejkalojë tarifat e përcaktuara nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës.

Bashkë me miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në gusht të vitit 2015, Kuvendi i Kosovës po ashtu kishte miratuar një ligj, sipas të cilit, çdo i akuzuar potencial nga Dhomat e Specializuara ka të drejtën për ndihmë financiare dhe mbulim të shpenzimeve të mbrojtjes.

“Të gjithë personat e akuzuar kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësit të pavarur, me përvojë dhe kompetencë, që paguhen nga buxheti i Kosovës, i alokuara për qëllimet e këtij ligji”, thuhet mes tjerash në këtë ligj.

Por, me udhëzimin administrativ MD – Nr. 02/2020, të datës 24 korrik 2020, të nënshkruar nga ministri i Drejtësisë Selim Selimi, përcaktohet se mbulimi financiar i avokatëve, bëhet në bazë të tarifave të përcaktuara nga Oda e Avokatëve të Kosovës; tarifave për avokatë në Holandë; tarifave të shtetit prej nga vjen mbrojtësi dhe tarifave për mbrojtje juridike të personit të akuzuar potencial të Dhomave të Specializuara.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, thotë se rregullativa ligjore është e qartë. Sipas tij, ata që në Hagë kanë avokatë të famshëm ndërkombëtarë, do të duhet të paguajnë vetë një pjesë buxhetit.

“Mbrojtja e avokatëve ndërkombëtarë mund të jetë shumë, shumë e shtrenjtë, por kjo nuk do të thotë që të njëjtit (të akuzuarit) mund të marrin avokatët më të shtrenjtë për t’i përfaqësuar ata. Këtë mund ta bëjnë, por përmes buxhetit të tyre”, tha Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Sa kushton mbrojtja?

Shumat që kërkohen nga avokatët mbeten konfidenciale, por bazuar në përvojat e mëhershme, bëhet fjalë për miliona euro.

Micheal O’Reilly ka qenë pjesë e ekipit mbrojtës të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë proceseve gjyqësore në Tribunalin e Hagës për Krimet në ish-Jugosllavi.

Në një shkrim për Irishtimes, O’Reilly, më 23 maj 2015, kishte shkruar se Haradinaj ka paguar 11 milionë euro për mbrotjen e tij.

“I thash atij se do t’i kushtonte 5 milionë euro për të pasur mbrotjen që i duhet. Në fakt, i kushtoi 11 milionë euro dhe të gjitha ishin donacion nga populli i Kosovës. I thash atij se ky gjykim do t’ia merrte dy vjet të jetës së tij (edhe jetës time) në fakt, ia mori tetë, katër nga të cilat i kaloi në burg”, kishte shkruar O’Reilly.

Tashmë, ish-krerët më të lartë të UÇK-së kanë publikuar ekipet e tyre mbrojtëse, e që përbëhen nga emra prominent.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të mbrohet nga Pierre-Richard Prosper, David Hooper dhe Dastid Pallaska.

Ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka zgjedhur për avokat britanikun Ben Emmerson, i cili e ka mbrojtur në Tribunalin e Hagës edhe ish-kryeministrin Ramush Haradinaj. Në ekipin mbrojtës të Veselit është edhe britaniku tjetër, Andrew Cayley.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka angazhuar avokaten nga Malajzia, Venkateswari Alagendra.

Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi, ka zgjedhur si përfaqësues ligjor në mbrotjen e tij kundër pretenedimeve të Prokurorisë së Specializuar, britanikun David Young.

Avokat më pak të njohur ndërkombëtarisht ka ish-pjesëtari tjetër i UÇK-së, Salih Mustafa që është i akuzuar për krime lufte. Mustafën do ta mbrojë holandezi, Julius Von Boné.

Transparencë për shpenzimet e mbrojtjes

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar sqarime nga Ministria e Drejtësisë lidhur me atë se si do të veprohet me rastet kur të akuzuarit do të kërkojnë mbulesë financiare më të madhe se sa parashikohet në tarifat e përcaktuara, por nuk ka marrë asnjë përgjigjje.

Në bazë të udhëzimit administrativ, ministria do të krijojë një komision, i emëruar nga ministri i Drejtësisë, që do të udhëhiqet nga sekretari i përgjithshëm i ministrisë, e që do të ketë në përgjegjësi miratimin ose refuzimin e kërkesave për financim të mbrojtjes ligjore.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi, kërkojnë që Ministria e Drejtësisë të jetë transparente në pagesat që do t’i kryejë për avokatët mbrojtës.

“Transparenca dhe llogaridhënia janë bazike për të siguruar se të gjithë personat e akuzuar mund të marrin mbrojtjen financiare, në mënyrë të drejtë, të barabartë dhe jo siç ka ndodh deri më tash, kur kjo është bërë në baza selektive”, tha Ehat Miftaraj nga IKD.

“Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës duhet të ndryshojë menjëherë taktikën e deritanishme, në mënyrë që çdo lloj i ndihmës financiare të jetë publike dhe kërkesat për ndihmë financiare të jenë po ashtu publike. Kjo do të shmangte mundësinë që persona të caktuar të jenë të privilegjuar e disa të tjerë jo, siç ka ndodhur deri më tani”, shtoi ai.

Por, transparenca që po kërkohet nga kjo organizatë, është vënë në pikëpyetje, pasi më 16 nëntor, Ministria e Drejtësisë, ka bërë amendamentimin e udhëzimit administrativ të datës 24 korrik, 2020, e ku ka publikuar formën e kontratës që do të nënshkruajë me avokatët mbrojtës.

Aty përcaktohet se marrëveshjet do të mbesin konfidenciale.

“Ministria pranon që kjo marrëveshje si dhe çdo komunikim në të ardhmen në mes të avokatëve dhe klientit ose në mes të avokatëve dhe ministrisë, janë rreptësisht konfidenciale”.

Si bëhët kërkesa për financimin e mbrojtjes juridike?

Të gjithë të akuzuarit ose të autorizuarit e tyre duhet të plotësojnë një kërkesë zyrtare për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes juridike. Në këto shpenzime mund të përfshihen të gjitha shërbimet që i kryen ekipi mbrojtës, duke përfshirë madje, edhe shpenzimet e zyrës dhe telefonatave, gjë e cila nuk ishte parashikuar në udhëzimin e parë administrativ, e që u lejua në udhëzimin e fundit, të datës 16 nëntor. E njëjta lëndë më tej procedohet nga komisioni i caktuar për këtë çështje.

Por, pos mbulimeve të shpenzimeve të përfaqësimit ligjor, shteti do të paguajë edhe për të gjitha shpenzimet e vizitave të familjarëve të personave të akuzuar nga Dhomat e Specializuara. Kjo është e rreguluar me një udhëzim të veçantë administrativ, të datës 23 korrik 2020.

“Çdo person i akuzuar potencial, brenda një viti, ka të drejtë të vizitohet me mbështetje të nevojshme financiare, më së shumti nga dymbëdhjetë anëtarë të ngushtë të familjes, dhe jo më shumë se tre anëtarë të familjes për një vizitë”, përcaktohet në udhëzim.

Në këtë kategori përfshihen bashkshortët, fëmijët, prindërit, vëllezërit dhe motrat.

Në kuadër të Ligjit për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, është përfshirë edhe realizimi i së drejtës për kompensimin e personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, të shpallur të pafajshëm me vendim të plotfuqishëm.

Deri më tash, për proceset e para në Hagë, janë ndarë 61 mijë euro nga Qeveria e Kosovës.

Ndërkaq për vitin e ardhshëm, në projektbuxhet janë parashikuar 6,7 milionë euro për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes të të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara.(Kortezi-Radio Evropa e Lire)

Filed Under: Featured Tagged With: avokatet, Gjykata e Hages, Kush i paguan, Shkumbin Ahmetxhekaj

PRAPASKENAT- KOLIQI SJELL PRANVERËN E PËRGJAKUR TË VITIT 1997 ….

November 22, 2020 by dgreca

KONSTANDIN KOLIQI BËN DETYRËN E FUNDIT NDAJ SHOQËRISË: NA LA KUJTIMET PËR PRANVERËN E PËRGJAKUR TË VITIT 1997/

Rreth librit Konstandin Koliqi “Prapaskenat e vitit 1997” Fenix, Tiranë 2020/

Nga Enver Memishaj/

Ka shumë autorë që kanë shkruar për pranverën e përgjakur të vitit 1997, por kujtimet e shumicës prej tyre kanë frymën e partisë që ata simpatizojnë, inatet personale, hakmarrjen, zilinë dhe pak prej tyre dallohen nga objektiviteti siç janë kujtimet, analizat dhe kronologjitë që ka paraqitur Gëzim Zilja, tashmë botërisht të njohura e të përmbledhura në tre libra voluminoze. Tani së fundi vjen të dëshmojë për atë vit edhe Konstandin Koliqi me librin e tij ““Prapaskenat e vitit 1997”, libër që është shkruar “Për ata që duan të vërtetën”, thotë autori. Pjesa e parë titullohet: “Dëshmi nga viti i shkatërrimit të shtetit shqiptar”, pjesa e dytë: “Shkrime dhe artikuj ndër vite” dhe mbyllet me pjesën e tretë: “Copëza përditshmërie…” 

Idenë kryesore autori autori na e jep që në hyrje: “Të ndërtojmë të ardhmen pa harruar të kaluarën e vitit të zi, 1997!”, një gjykim i ftohtë mbi ngjarjet historike të atij viti, gjykim i një qytetari, shqetësim i një  intelektuali me vizion europian. 

Kujtimet e Koliqit për pranverën e përgjakur të vitit 1997, dallojnë nga shkrimet e analizat e autorve të tjerë pasi ato janë kujtime të një koloneli të shërbimit sekrete të shtetit, njeriut dhe oficerit që di të vëzhgojë, që di dhe gjen prapaskenat e atyre ngjarjeve, që sollën shkatërrimin e shtetit. Janë ngjarje për çfar pa e çfar dëgjioi kolonel Konstandin Koliqi gjatë asaj pranvere ku ishte dërguar me shërbim në Jug të Shqipërisë, prandaj ky libër duhet të tyërheq dhe duhet të lexohet që nga qytetari i thjeshtë deri te nëpunësi i lartë i shtetit, pasi ky libër ështe një manual për sot dhe për nesër. 

*     *     *

Pjesa e parë e librit hapet me analizën: “Përgatitja e terrenit që solli katastrofën”, ku ndërmjet të tjerave autori shkruan se ish komunistët tashmë me emra të rinj socialistë e socialdemokratë, shfrytëzuan zemrimin e drejtë të popullit për humbjen e parave në firmat piramidale për të marrë pushtetin me çdo çmim.  Shumë oficerë të sigurimit u kthyen nga emigrimi dhe mbanin ligjirata nëpër klube dhe rrugë, për ta marrë armët e për të marrë pushtetin që ua kishin marrë armiqtë e popullit!!!

Autori përshkruan shpartallimin e policisë së pa armatosur më 10 shkurt 1997, si dhe thirrjen e Gjinushit dhe Cekës: “O djem rrëmbeni pushkët, ja vdekje , ja liri”, autori flet edhe për disa gra shamizeza që dilnin në krye të turmës, por që autori këtij atikulli në shumë shkrime i kam quajtur: jo gra shamizeza, por gra zaqezeza, të tilla janë gratë komuniste që me fëmijë për dore dilnin në krye të turmës…   

“Në 15 ditëshin e dytë të janarit ’97, thotë Koliqi, shkarkohet nga detyra kryetari i SHIK-ut, z. Enver Memishaj, një zotri që e njihte, në mënyrë të shkëlqyer Vlorën, mentalitetin e popullit të saj, forcën e ideve komuniste atje, aktivitetin e ish oficerëve të sigurimit, por që njihte edhe detyrën e tij në mënyrë po kaq të shkëlqyer. U zëvëndësua nga i ndjeri Shkëlqim Agolli, nga Korça, që për 45 ditë që qëndroi në atë detyrë, besoj se edhe rrugët e Vlorës nuk arriti që t’i mësojë. Më vonë ky u vra në Greqi…”

Hyrjen e studentëve në grevën e urisë në Universitetin e Vlorës autori e përshkruan kështu: “Rreth godinës ku ishin futur studentët në grevë ishin vendosur rojet e armatosura, rreth 200 veta! Tashmë ishin shfaqur fytyra të reja në rrugët dhe mitingjet e vlonjatëve. Këta vinin nga fshtrat e Vlorës, kryesisht nga zona e Lumit të Vlorësdhe ishin të armatosur…”

Pra këtu duhet të vëmë re se ende pa u djegur godina e SHIK –t (Shërbimi Informativ Kombëtar), u shfaqën njerës të armatosur dhe po kështu fshtarët e Lumit të Vlorës kishin zbritur në qytet, përse?

Më tutje me penelata realiste autori përshkruan daljen në skenë të Zan Caushit, që sot dergjet në burgun e Burrelit dhe marrjen e vendimit nga Komiteti i Shpëtimit për dënimin me vdekje të 111 “armiqve të popullit” dhe spiunë të Berishës. “Në listën, vendim, ishin 111 emra të dënuarsh, unë isha i 17-i në listën e tyre!”, thotë z. Koliqi, po ashtu bandat kanë “nderuar” edhe autorin e këtij artikulli duke e renditur në listën e të dënuarve me vdekje!!!

Para kësaj gjendje thotë autori mblodha shokët e mi, oficera të shërbimit sekret,  dhe u thash: “Këtu do të shkojë gjaku në gju, ne s’mund të bëjmë gjë… ju jeni të rinj mblidhni plaçkat dhe ikni në Tiranë, unë do të qëndroj këtu, për të kryer detyrën time deri në fund”.     

Dhe Kostandin Koliqi qëndroi në krye të detyrës, pa menduar për vdekjen që e kanoste në çfdo hap që hidhte në tokën e Vlorës, nga bandat komuniste. Është me inters përshkrimi që bën autori për sulmin mbi godinën e SHIK-ut, pasi nga ky slulm antikombëtar e antishqiptar rrjedh gjith katastrofa që i sollën komunistët popullit tonë, duke shfrytëzuar zemrimin e popullit nga humbja e parave në firmat piramidale. Vrasjen e oficerëve të shtetit shqiptar Besnik Hidrit e Lekë Qokut, sot dëshmorë të atdheut dhe të dekoruar, autori e ka përshkruar me lot dhe zemrimin e një atdhetari që po sheh jo vetëm shkatërrimin e shtetit por edhe shkatërrimin e humanizmit dhe qytetarisë së shqiptarëve të thirrur nga komunistët. Po me ngjyra të gjalla e emocione autori përshkruan edhe masakrime të tjera që bandat komuniste bënë ndaj oficerëve dhe nëpunësve të shtetit. 

Syrit të një koloneli të shëbimit sekret nuk mund t’i shpëtonin veprimet antikombëtar që kryen bandat si grabitja në muzeun arkeologjik të Durrësit, grabitja e shkatërrimi bibliotekës së Vlorës, qëllohet me plumb portreti i Ismail Qemalit, katri radës vihet në dipozicion të Zan Caushit e se si Vlora dhe gjith Jugu i Shqipërisë bie në dorë të banave komuniste 

Autori librit arrin në përfundimin se në Vlorë, në Jug dhe në gjith Shqipërinë, në vitin 1997, bandat e komunistëve, populli i indoktrinuar nga ideologjia komuniste, nën shembullin e njesiteve terroriste komuniste të gjatë Luftës Antifashisre duke shfrytëzuar zemrimin popullore kishin rrëmbyer armët për të marrë pushtetin nga armiqtë e popullit të emërtuar Partia Demokratike. 

 Në krye të turmave për hakmarrje e për pushtet, për ambicje personale, dolën shumë njerës pa moral që dogjën Shqipërinë për ta marrë ata pushtetin si Skënder Gjinushi, Neritën Ceka, Daut Gumeni, Namik Dokle, Sabit Broka, Bahri Boriçi, Rexhep Mejdani,Gramos Ruçi, ndërmjet tyre ishin dhe dy gazetare Zenepe Luka dhe Rudina Xhunga që me artikujt e tyre i vunë flakën Vlorës, etj.

Ky është përfundimi që arrin autori në analizën që iu bën atyre ngjarjeve. 

Por autori është objektiv kur gjen fajtorin për katastrofën që ndodhi, herë në mënyrë direkte e herë me xhentilencën që e karakterizon na lë të kuptojmë se në fund të fundit shkatërrimi i shtetit erdhi nga pa afëtsia e drejtuesve të atij shteti, nga se nuk drejtuesit e lartë nuk e kuptuan kurrë se çfarë po ndodhte në Vlorë, nuk ditën të manovrojnë me metoda demokratike për të ndalur zemrimin popullore, nuk kishin përvojën e duhur, dhe nga vetbesimi pa baza te vetja, pra shkurt ishte faji i qeverisë që lejoi firmat piramidale dhe u tragua e pa aftë për të mbajtur pushtetin. 

Libri ilustrohet me shumë fotografi të kohës. Kopertinëa e librit të detyron të qëndron gjatë për të vëzhguar e shijuar atë kompozim që fut në mendime, e kjo falë talentit të autores së kompozimit Sabina Koliqit, vajza e autorit. Përgëzime Sabina. Vlerësime të larta për redaktorin e librit zotrinë e ndeuar Behar Gjoka, dekoruar  “Nder i Burrelit”, po ashtu nderime të veçanta për Nikoleta Kovaçin, recensuese e librit.   

*       *      *

Në pjesën e dytë të librit autori ka renditur kronologjikisht artikuj të botuar ndër vite në shtypin e përditshëm. Kjo pjesë na flet fare qartë për sheqetësimin atdhetar, qytetar e intelektual të Kostandin Koliqit për fatet e vendit të tij. Tashmë nuk flet më një oficer i lartë i shërbimeve sekrete, sepse bandat komuniste e kishin shkartkuar nga detyra por flet një qytetar që e lidh fatin, jetën e tij me atdheun e tij. 

Kështu ai i drejtohet presidentit të Republikës të mos gradojë rebelë, bën thirrje që qytetarët duhet të shkojnë në votime, i bën një mesazh publik Edi Ramës. Si një specialist i shërbimit sekret jep mendime për dosjet, për luftën kundër terrorizmit, kundër krimit. Bën replika me durrësakun Duka, bën analiza të thella si “Dukuria Rama”, meditime si “Dueli dhe kanuni” etj. 

*      *     *

Në pjesën e tretë të librit shohim shqetësimin e një pensionisti, se tashmë Kostandin Koliqi ka dalë në pension, për problemet shoqërore e politike të vendit të tij, statuse në fb, portale etj. 

Kjo pjesë që e mbyll librin na paraqet portretin e plote, karakterin dhe personalitetin e një oficeri madhor, e një nëpunësi të lartë, e një qytetari me vizion europian që shqetësohet hallet dhe problemet e popullit të tij. Edhe në pension Kostandin Koliqi nuk ka preferuar shëtitjet buzë detit në Durrës ku banon, por aktivitetin, mendimin dhe gjallërinë ne favor të popullit të tij. 

Ky pra është njeriu model, shembulli i qytetarit aktiv që nuk parapëlqen qetësinë e një pensionisti por jetën plot vrull e gjallëri  dhe personalitete si Kostandin Koliqi, nuk mund të quhen pensionistë sepse ata janë gjithëmonë në punë, për të mirën e paqen e shoqërisë sonë. 

Kostandin Koliqi i shërbeu vendit të tij përmbi 40 vjet si oficer kariere, kolonel i shërbimev sekrete, i specializuar në shërbimet sekrete të NATO-s (Ushtria amerika, gjermane dhe turke) dhe tani së fundi kryen detyrën e fundit ndaj atdheut na le kujtimet e tij me libërin “Prapaskenat e vitit 1997”. Urime me emocione të veçante Kostandin Koliqi. Jam krenar që kam një mik si ty. Falje se nuk e kam talentin të përshkruaj madhështinë tëndë si dje në shërbim të shteti shqiptar ashtu edhe sot në aktivitet, megjithse në pension. 

Filed Under: Histori Tagged With: Enver Memishaj, Kostandin Koliqi

Pse u krijua Legaliteti?!

November 22, 2020 by dgreca

Me rastin e 77 vjetorit të krijimit të OKLL, 21 nëntor 1943-2020/

*Nga Ekrem Spahiu/

Nga pikëpamja historike, Partia “Lëvizja e Legalitetit” e ka zanafillen që nga “Triumfi i Legalitetit”, më 24 dhjetor 1924, kur u rikthye legjimiteti i zgjedhjeve të dhjetorit 1923 të fituara nga Ahmet Zogu. 

Në kontekstin e Luftës së II Botërore, zogistët, përveçse kanë kontribuar drejtpërdrejt në luftë, janë përpjekur me të gjitha mënyrat për bashkimin e gjithë faktorëve politiko-ushtarakë në luftë të përbashkët kundër pushtuesit. Përfaqësuesi i zogistëve Abaz Kupi, në Konferencën e Pezës më 16 shtator 1942, pat deklaruar përpara delegatëve se: “jam bashkuar me ju, me punue për të mirën e Shqipërisë e me luftue çdo okupator, por në rast se do të formohen partira, unë jam mprojtësi i Legalitetit qysh para 7 Prillit 39, jam me Mbretin Zog”. 

Gjithashtu, Abaz Kupi ka rol parësor edhe për thirrjen, organizimin dhe mbarëvajtjen e Konferencës së Mukjes, mbajtur më 1-2 gusht 1943, ku u vendos dhe u shpall bashkimi për shpëtimin e Shqipërisë. Udhëheqja komuniste e pranoi Marrëveshjen e Mukjes deri kur të deleguarit e Partisë Komuniste Jugosllave, Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha, u njohën me përmbajtjen e saj dhe urdhëruan Enver Hoxhën që ta prishte atë. Për këtë qëllim, pas një muaji, më 4 shtator 1943, u mblodh Konferenca e Labinotit, në të cilën jo vetëm u prish zyrtarisht Marrëveshja e Mukjes, por edhe iu shpall luftë të armatosur çdo rryme apo tendence tjetër politike, thënë ndryshe, u fillua përgatitja e kushteve për një përplasje mes palëve, deri në luftë civile.

Ndërkohë që mbretërorët vazhdonin të luftonin kundër fashizmit pa bujë e pa reklamë, duke qenë të suksesshëm, komunistët, jo vetem shfrytëzonin suksesin dhe emrin e mirë të krijuar nga veprimet luftarake zogiste, por fshehurazi ushtronin një propagandë sistematike kundër tyre. Zogistët, të shqetësuar për këtë sjellje të komunistëve, nëpërmjet Abaz Kupit, lëshuan më 19 nëntor 1943, një trakt të posaçëm drejtuar Këshillit Nacional-Çlirimtar, ku i kërkonin me këmbëngulje mbajtjen e një qëndrimi të qartë për ecurinë e mëtejshme të luftës kundër okupatorit, prej të cilit nuk morën asnjë përgjigje. 

Në këto rrethana, dukej sheshit se udhëheqja komuniste kishte vendosur tjetër prioritet, përgatitjen e gjithanëshme për pushtetin e nesërm. Në këto kushte, forcat mbretërore, duke parë se përpjekjet për bashkimin e gjithë faktorëve politiko-ushtarakë në luftë kundër okupatorit dështuan, për të konfirmuar legjitimitetin e tyre politik dhe për të penguar Partinë Komuniste në realizimin e qëllimit të saj për eliminimin e forcave nacionaliste thirrën më 20 nëntor 1943 në Herraj të Tiranës, një Kuvend Kombëtar për krijimin e një lëvizje politike. 

Në këtë mbledhje morën pjesë delegatë të ardhur nga e gjithë Shqipëria, si dhe nga trevat etnike shqiptare përtej kufijve politik, duke përfshirë edhe delegatë nga çetat zogiste. Ndër më të përmendurit ishin: Abaz Kupi, komandanti i rezistencës në Durrës më 7 prillit 1939 dhe protagonist kryesor i konferencave të Pezës e Mukjes; atdhetari Ndoc Çoba, pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës dhe në Konferencën e Pezës; patër Lekë Luli, diplomati Rauf Fico, arsimtarët Gaqo Goga e Osman Myderrizi, avokat Selim Damani, Xhemal Naipi, Mulë Delia, Hysen Meça, Xhemal Herri, etj. 

Platforma që u miratua në Kongresin themelues ishte shumë e qartë: fuqizimi i organizimit ushtarak dhe luftë pa kompromis kundër okupatorit; kthimi në pushtet i Mbretit Zog, pasi vetëm ai e gëzonte këtë të drejtë legjitime; krijimi i një Shqipërie të lirë, etnike dhe demokratike; vendosja e shtetit ligjor; sigurimi me ligj i drejtave e lirive themelore të njeriut; reforma shoqërore për përmirësimin e jetës së popullit; etj. 

Të nesërmen, më 21 nëntor 1943, zogistët deklaruan formimin e partisë së tyre, Organizatën Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit” (OKLL). Për drejtimin e OKLL u zgjodh kryesia me kryetar Ndoc Çobën, ndërsa Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Legalitetit u zgjodh Major Abaz Kupi. 

Forcat luftarake zogiste në atë kohë ishin rreth 10.000 luftëtarë, ndërsa në dispozicion të tyre ishin regjistruar rreth 25.000 vetë. Për më tepër, këto forca e afirmuan veten në beteja të suksesshme kundër okupatorit, ku spikat qëndresa mbrojtëse e batalionit të komanduar nga A. Kupi në Durrës më 7 Prill 1939, luftimet e Matit, Liqenit të Germanit e Zallit të Germanit, Qafë Shtamës, Gurrës, Suçit, Krujës, Vorze -Shkalla Tujanit, Prezës, etj.

OKLL u shtri në Tiranë, Shkodër, Dibër, Mat, Durrës, Kavajë, Shijak, Kosovë, Vlorë, Berat, Sarandë, Korçë, etj. Shërbimi propagandistik i saj nxori deri në fund të luftës 21 numëra të gazetës “Atdheu” me një tirazh 210.000 copë. U shtypën dhe u shpërndanë 250.000 trakte, etj.

Drejtuesit e OKLL, në mbështetje të platformës së themelimit, mbajtën komunikim të vazhdueshëm me Mbretin Zog duke e informuar deri në detaje mbi situatën në Shqipëri.  Ndërkohë, ata ndërkombëtarizuan veprimtarinë e tyre luftarake përmes letrave drejtuar Presidentit të SHBA, Franklin Delano Roosevelt dhe Kryeministrit të Britanisë së Madhe, Winston Churchill me anë të të cilave jepnin pamjen reale të zhvillimeve ushtarake e politike në Shqipëri.

 Është fakt historik dhe shumë domethënës që, pranë forcave të Abaz Kupit, ishte atashuar misioni Anglez i udhëhequr nga diplomatë e ushtarakë të rangut të lartë si Bill Maclean, David Smiley dhe Julian Amery. Duhet thënë se, Britania e Madhe dhe SHBA bashkëpunuan me të gjitha formacionet e rezistencës pa marrë parasysh bindjet politike.


Ndërkohë, që organizatat me frymëzim kombëtar kërkonin gjithnjë një marrëveshje kombëtare për luftë kundër okupatorit, udhëheqja komuniste pikërisht kësaj marrëveshjeje i trembej. Programi qartazi kombëtar i Legalitetit dhe personalitetet e spikatura që e udhëhiqnin, i shkaktonin panik Lëvizjes Nacional-Çlirimtare të udhëhequr nga Partia Komuniste, të cilat llogarisnin të ardhmen si pushtet dhe jo si marrëveshje kombëtare. Prandaj ajo nisi një luftë sa të nëndheshme, aq edhe të hapur për asgjësimin e Legalitetit. Për këtë qëllim, udhëheqja komuniste thirri Kongresin e Përmetit më 24 Maj 1944, ku vendimi kryesor i tij ishte, “…t’i ndalohet Mbretit Zog kthimi në Shqipëri dhe të mos njihet asnjë qeveri, që mund të formohej brenda ose jashtë vendit”. 

Ky vendim ishte absurd, partiak, i njëanshëm, e për rrjedhojë i pavlefshëm si nga pikëpamja juridike, ashtu edhe këndvështrimi politik e historik. Nga pikëpamja e të drejtës publike dhe kushtetuese, është fakt i pamohueshëm se Mbreti Zog kishte qeverisur vendin legalisht. Ky legjitimitet, u fitua jo vetëm për shkak të kontributeve të spikatura të tij, të pranuara dhe të mbështetura në nivel kombëtar, por mbi të gjitha edhe përmes mjeteve të ligjshme, në përputhje me të drejtën kushtetuese, në nje shtet demokratik, sovran e të lirë. Për më tepër, Mbreti Zog nuk abdikoi kurrë nga froni mbretëror, por për shkak të zhvillimeve që nuk vareshin nga vullneti i tij, ai pat deklaruar në Parlament se; “…nuk kam lënë mjet pa përdorur për sigurinë e Shqipërisë” dhe, me vendim të Kuvendit Kushtetues, më 9 prill 1939 u largua nga vendi për të shmangur dorëzimin e tij pa kushte. 

Mbretërorët, krahas rezistencës në ditët e prillit 1939, përpjekjeve për bashkimin e gjithë faktorëve në luftë kundër okupatorit dhe angazhimit të tyre drejtpërdrejtë në frontin e luftës, në të njëjtën kohë bënin sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e opinionit kombëtar e ndërkombëtar për kthimin e regjimit legal të mëparshëm. 

Në këto kushte, bazuar në argumentet sa më lart, Legaliteti vijoi të mbështetej në dy kollona bazë, qëndresës kundër okupatorit dhe kërkesës për marrëveshje kombëtare. Nëse kjo marrëveshje, do të ishte arritur siç e kërkonte kjo forcë politike, sigurisht që Shqipëria do kishte patur tjetër rrjedhë duke u orientuar për nga Perëndimi, të cilit i përkiste. Duke parë se këto dy kollona nuk po reflektoheshin nga forcat e tjera politike, drejtuesit e lartë të Legalitetit parashikuan shkarjen e vendit në përplasje civile dhe, për këtë arsye, riformatuan mënyra të tjera qëndrese, brenda apo jashtë vendit.

*ish-deputet & kryetar i PLL   

Major Abaz Kupi dhe Maclean

Major Abaz Kupi dhe Kolonel Bill Maclean

Filed Under: Histori Tagged With: Ekrem Spahiu, pse, u krijua Legaliteti

LIRIMI NGA BURGU DHE LIDHJA SHPIRTËRORE ME GJYSHET

November 22, 2020 by dgreca

NJË  JETË  NË  DIKTATURË/

(Kujtime të një “armiku të klasës”)/

  “Ktu vaji e trishtimi/

Veç ndihet ndër shpija/

Ktu ndihet tingllimi /

I hekrave të mija/

E gjama e nji të shkreti/

Qi bjen vala e detit.”/

NDRE  MJEDA /

LIRIMI NGA BURGU DHE LIDHJA SHPIRTËRORE ME GJYSHET

NGA EUGJEN MERLIKA-

Jeta në burg është një gjymtim për njeriun. Privacionet e të gjitha formave, largësia nga familja, shqetësimi për të, rreshti disa herë në ditë, mendimi i të qenit pa faj aty brenda, të gjitha këto krijojnë një kompleks shpirtëror që e ngrys njeriun, e thinj para kohe, i errëson mendimin. Jo më kot Dostojevski e quante “shtëpi e të vdekurve”. Po ç’forcë e mban gjallë atë, që kur dënohet me njëzet vjet burg, po ta dijë se do t’i bëjë të gjitha çmendet ose vret veten? Ka vetëm një ilaç: shpresa, ajo i mban njerëzit të fortë, i bën t’i bëjnë ballë së keqes me gaz. Shpresa fillon tek njeriu që kur hyn në atë derë dhe e shoqëron gjatë gjithë kohës.

Kështu dhe ne në çdo festë prisnim lirimin, dhe momentit të parë të dëshpërimit për mungesën e tij ia zinte vëndin pritja me shpresë për festën tjetër. Kështu në nëntor 1982, Zoti i dha vullnetin e mirë Enver Hoxhës të dekretonte faljen e parë pas njëzetë vjetësh. Ajo falje më përfshinte dhe mua.

Jeta është një bashkësi e së mirës me të keqen. Gëzimin për lirimin nuk e ndjemë shumë ne që dolëm, sepse lamë në burg shokët tanë, me të cilët kishim kaluar çastet e dëshpërimit, dhimbjen për të afërmit e vdekur, kishim gjetur ngushëllim në fjalën e njëri-tjetrit e tani na dukej se po i tradhtonim duke i lënë aty, brenda telave.

U ktheva në shtëpi atë ditë nëntori të 1982-shit me kokën e qethur (zv.komandanti i kampit kish dhënë urdhër të prerë të qetheshim një javë para lirimit, megjithëse dihej ai vendim i marrë nga udhëheqja) me një trastë në dorë, me shikim të humbur në ato fusha, të cilat më kujtonin çaste pune të lodhshme e nën sytë kuriozë e me shprehje të ndryshme të njerëzve në autobuzë e në rrugë. Më dolën përpara njerëzit e shtëpisë, nëna u ul dhe puthi tokën, fëmijët m’u hodhën në qafë, babai më përqafoi, gruaja, kunati.Lotë, urime e pak gaz.

Dy vjet e gjysëm larg familjes, sa fatkeqësi e dhimbje kishin rënë mbi të, një periudhë tej së zakonshmes mbi shpatullat e atyre fëmijëve e pleqve. Vite të ngarkuara me sëmundje, vdekje, shtypje policore, urrejtje klasore, vështirësish të jashtëzakonshme jetese, mungese përkrahjeje. Më duhej tani të mbyllja shumë plagë, por a kisha fuqi? Veprimi i parë që kreva sapo zbrita nga autobuzi në Lushnjë ishte vizita te varri i freskët i gjyshes sime të mirë. Zoti nuk desh që t’i japë një gëzim në fund, lirimin tim. Para syve të mendjes ajo është e gjallë çdo ditë për mua, e kam dashur shumë, më shumë se prindërit, dhe pamja e fundit e takimit tonë më është ngulitur në tru. Erdhi e më takoi në hetuesi mbas dënimit tim, së bashku me fëmijët e vegjël, babanë e gruan. Më dha kurajo e më përsëriti pak a shumë ato fjalë që më thoshte dikur, kur unë i vogël qaja brenda në qeli, e ajo luftonte me policin jashtë.

Gjyshet e mia të nderuara, objektet e dashurisë, dhëmbshurisë së pafund, sa shumë u kujdesët për mua, sa shumë ndjenjë derdhët mbi mua, sikur deshët të kompensonit, ju, të vetmet, atë që bota dhe fati e jepnin me pikatore. Njëra më rriti me duart e saj, hoqi kafshatën nga goja e s’la të më dhimbte stomaku nga uria, më njohu ajo e para me historinë e tridhjetë vjetëve të paraluftës, me historinë e vërtetë të Vendit tim. Ajo ishte enciklopedi e gjallë, të fliste me detaje për figura të shquara historike, për burra të mençur, trima e fisnikë, të cilëve iu kishte nxjerrë aq shpesh kafe e u kishte shtruar tavolinën. Tregonte ndodhi e biseda nga më të ndryshmet, për Nolin e Ahmet Zogun, Avni Rystemin (kështu i thoshte ajo) e Abdi Toptanin, për Bajram Begun e Hasan Prishtinën, për Ndre Mjedën e Patër Gjergj Fishtën, për Zija Dibrën e Elez Isufm, për Stavro Vinjaun e Qazim Koculin, për Bazin e Canës e sa e sa burra të tjerë që ishin përpjekur t’i vinin themelet këtij kombi në vite të vështira. Por mbi të gjitha në kujtesën e saj spikaste figura e Gurakuqit, një burri që për nga fisnikëria e mençuria i kishte shokët e rrallë. Mua më kanë mbetur në mendje shumë episode e shije të tij që ajo i përmendte shpesh: “Eh moj Caje, ta ka fajin ky, duke treguar gjyshin tim, i kam thanë me kohë mos u marto, në Shqipni nuk bahet politika tue pasë familje”. Sa profetike, sa e mençur, sa e thellë kjo shprehje e atij burri që s’u martua kurrë e që pyetjes në lidhje me këtë gjë i përgjigjej: “Jam martue me Shqipninë”. Sa shumë i vërtetoi ky shekull këto fjalë, sa shtrenjtë i paguam, deri dhe unë pasojat e asaj jete politike të burrit të saj. Sa mbrapa qytetërimit mbeti shoqëria jonë, që shkarkoi tmerrësisht mbi gra e fëmijë të pafajshëm pasojat e pasioneve, ideve e të jetës politike të protagonistëve…

Figura e Luigj Gurakuqit më lidhte dhe me gjyshen tjetër, të venë e Sotir Gjikës, publicist e gazetar, drejtor i gazetës “Kuvendi” që botohej në Romë. Atë natë kobzezë të 2 Marsit 1925 Luigji, mbasi kishte ngrënë darkë në një restorant me një mikun e tij, i kishte thënë atij se do të shkonte te Sotiri, sepse i kishte premtuar vajzës së tij një kukull e do t’ia çonte. Por plumbi mizor nuk e la ta plotësonte premtimin ai burrë shpirtmadh. Mbi varrin e tij do të fliste Sotiri, por në pamundësi që të ngrihej nga shtrati, në vënd të tij foli gjyshja ime, e shoqja.

Gjyshja ime, që nuk mundi të më njihte deri sa vdiq, që gjithë jetën u rropat me mundim për të shkolluar dy fëmijët e saj jetimë, që sakrifikoi gjithçka për të ndërtuar një të ardhme për mua e së fundi vdiq duke ditur se Poçi i saj kishte përfunduar në burg. Mbas një viti ajo mori edhe dajën tim,dhe kështu për nënën time u shua dhe shpresa e fundit për të gjetur një shtëpi të sajën, me të cilën tashmë e lidhnin vetëm kujtimet dhe varret. Diktatura do të peshonte dhimbshëm në ndarjet e njerëzve, nëna ime u largua njëzet e tre vjeçe nga familja për të mos u takuar më me njerëzit e saj. Besoj se duhet të ketë një drejtësi hyjnore, para së cilës të përgjigjen ata që ndërtuan një rend të tillë gjërash…

Kthimi im në shtëpi duhej të rivendoste një minimum qetësie që mungonte gjatë viteve të burgut tim. Në vështirësitë e panumërta të këtyre dy viteve, familjes sime i kishin qëndruar pranë vetëm xhaxhai me të shoqen dhe familja e gruas. Vetëm ata më trokitën pa frikë në derën e Spaçit apo Zejmenit, u munduan me praninë e tyre të lehtësonin sadopak plagët. Në rrethana të tilla, fisnikëria e atij që të gjendet pranë, është një melhem që nuk ka të paguar me gjithë arin e botës. Prindërit dhe vëllezërit e gruas nuk e braktisën motrën në fatkeqësi, nuk i ofruan mundësinë e ndarjes, qoftë dhe formale, siç bënë qindra familje të tjera duke shkaktuar qindra drama me pasoja rrënuese për ndjenjat, personalitetin e botën shpirtërore të të burgosurve, fëmijëve e familjeve të tyre. Ata e mbështetën, e ngushëlluan, i qëndruan pranë motrës së tyre me kurajo e pa përfillur dhe rrezikun e mundshëm, që mund t’u vinte nga zhvillimi me konsekuencë i luftës së klasave prej njerëzve pa asnjë princip moral në vetvete. Këtyre njerëzve që dhanë provat e dashamirësisë në orët më të errëta të natës së gjatë të diktaturës, ju mbetem borxhli përjetë.

Grabian, qershor 1990

Vijon

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugjen Merlika, Lirimi nga Burgu, Nje jete ne Diktature

A ËSHTË KY KRYEDIPLOMATI AMERIKAN NË ADMINISTRATËN E PRESIDENTIT TË ZGJEDHUR XHO BAJDËN?

November 21, 2020 by dgreca

    Nga Frank Shkreli/

Ne foto: Nënpresidenti Joe Biden duke biseduar me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Tony Blinken ndërsa helikopteri i tyre zbret në Aeroportin e Prishtinës në Kosovë, të Premten, 22 Maj 2009./

Portali i lajmeve The Hill, me burime të besueshme në Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe në qeverinë amerikane në Washington — njofton se Presidenti i zgjedhur Xho Bajdën ka emëruar tanimë Sekretarin (e ardhëshëm) Amerikan të Shtetit, ndërkohë që vazhdon përpjekjet për të përzgjedhur antarët e tjerë të administratës së tij të ardhëshme.  

Sipas portalit në fjalë, i cili citon një burim të mirë informuar me procesin e përzgjedhjes së kabinetit të ri, Z. Xho Bajdën ka vendosur të emërojë diplomatin veteran dhe bashkpuntorin e tij të ngusht, Z. Tony Blinken në detyrën e Kryediplomatit të ardhëshëm të Shteteve të Bashkuara.  Sipas burimit në fjalë, pritet që Z. Bajdën të njoftojë, zyrtarisht, javën që vjen, të preferuarin e tij për Sekretar Amerikan të Shtetit.  

Disa burime të tjera thonë se Z. Bajdën po konsideron ish-diplomatin Tony Blinken edhe për detyrën e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, por duket se të gjitha shënjat tregojnë se Z. Blinken do jetë Kryediplomati i ardhëshëm amerikan – një zyrtar që gëzon respekt nga të dy palët në Kongres – duke pasur gjithashtu parasysh se zyrtarët e lartë të administratës së ardhëshme duhet të miratohen nga Senati, i cili mund të kontrollohet nga republikanët për katër vitet e ardhëshme, diçka që do të vendoset përfundimisht me zgjedhjet për Senat, që do të zhvillohen në shtetin Xhorxhia, në janar 2021.

Kush është Tony Blinkey? Sipas biografisë zyrtare botuar në faqën e Departamentit Amerikan të Shtetit kur ishte në detyrë, në mandatin e dytë të ish-presidentit Barak Obama, Z. Antony J. Blinken ka shërbyer si Zevëndës Sekretar i Shtetit — numri dy i diplomacisë amerikane – si zevëndës i Z. Xhon Kerry.  Blinken, Antony J. (state.gov)

Z. Blinken ka mbajtur pozicione të larta të politikës së jashtme në dy administrata, për dy dekada. Ai ka shërbyer si Ndihmës i Presidentit dhe Zëvendës i Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë. Në atë kapacitet, ai ka kryesuar Komisionin Ndër-qeveritar të Kongresistëve, forum kryesor ky i administratës për formulimin e politikës së jashtme. Gjatë mandatit të parë të Administratës Obama, ai ishte Zëvendës Ndihmës i Presidentit dhe Këshilltar i Sigurisë Kombëtare i Zëvendës Presidentit Xho Bajdën.  Z. Blinken ka shërbyer për gjashtë vjet si zyrtar i lartë administrativ në Kongres (2002 – 2008) si Drejtor i Personelit demokrat për Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit Amerikan. 

Z. Blinken ka qenë gjithashtu anëtar i stafit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Presidentit Clinton në Shtëpinë e Bardhë nga 1994-2001. Nga 1999 në 2001, ai ishte ndihmës i posaçëm i presidentit dhe drejtor i lartë për çështjet evropiane – Këshilltari kryesor i Presidentit Klinton për marrëdhëniet me vendet e Evropës, me Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

Nga viti 1994 deri në vitin 1998, Z. Blinken ishte Ndihmës i posaçëm i Presidentit Klinton dhe Drejtor i Lartë i zyrës që merrej me përpilimin e fjalimeve me rëndësi të presidentit mbi politikën e jashtme dhe më pas ka shërbyer edhe si Drejtor i Planifikimit Strategjik: si mbikqyrës i përpilimit të politikës së jashtme, komunikimeve dhe politikës së jashtme në përgjithësi të Presidentit Klinton. Z. Blinken ka filluar shërbimin e tij në diplomaci në Departamentin e Shtetit ku nga viti 1993 në 1994 ai ka shërbyer si Ndihmës i posaçëm i Sekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Kanadeze. Pas largimit nga Administrata e Klintonit, ai ka punuar si zyrtar i Lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare një qëndër me rëndësi studimesh botërore në Washington. Para se t’i bashkohej Administratës së Presidentit Klinton, Z. Blinken ushtronte profesionin e avokatit në New York dhe në Paris. Ai ka qenë aktiv edhe në fushën e gazetarisë, duke shërbyer si korrespondent i revistës “The New Republic”, ndërkohë që ka botuar artikuj me subjekt të politikës së jashtme, përfshir “New York Times”, “The New York Times Magazine”, “Foreign Affairs”, e të tjera.  Ai është diplomuar në Harvard College, Magna cum Laude dheka kryer jurisprudencën në Universitetin Columbia.

Gjatë fushatës për president, Z. Tony Blinken ishte zëdhënsi kryesor i Presidentit të zgjedhur Bajdën për politikën e jashtme. Është e qartë se  në cilëndo detyrë të lartë të politikës së jashtme ose të sigurisë kombëtare —  si Sekretar i Amerikan i Shtetit ose Këshilltar i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë – që Xho Bajdën do ta emëroj atë, Tony Blinken ka përvojën dhe duket se do të ketë edhe mbështetjen e emërimit të tij në detyrën e kryediplomatit amerikan edhe nga Senati, që mund të jetë në dorë të republikanëve, sesjonin e ardhëshëm të Kongresit amerikan.  

Përsa i përket njohurisë së Z. Blinken për punët e Shqipërisë, të Kosovës dhe të Ballkanit – ai duhet të jetë i informuar shumë mirë për gjëndjen në dy shtetet shqiptare dhe në Ballkanin Perëndimor, në përgjithësi. Mjafton t’i hedhim një shikim të shpejt karjerës së tij në Washington, gjatë dy administrave të mëparshme dhe detyrave tjera të tij të rëndësishme, brenda dhe jasht qeverisë: Të gjitha detyrat e tija të larta kanë qenë të lidhura ngusht me politikën e jashtme të Shteteve të  Bashkuara, duke pasur në fokus të veçanti politikën amerikane karshi Evropës dhe NATO-s gjatë dekadave të fundit. 

Gjithashtu, është interesant fakti se gjatë 1990-ave – periudha më  kritike e politikës së angazhimit amerikan ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi — Tony Blinken ishte pjesë e stafit të Presidentit Klinton në Shtëpinë e Bardhë, gjatë njlë periudhe që u morën vendime me rendësi, sidomos për Kosovën.  Emërimi i Z. Blinken në cilëndo detyrë qoftë, është një ogur i mirë për politikën e ardhëshme amerikane ndaj Kosovës due Shqipërisë, për vet faktin se ai ka punuar për Zevendës Presidentin Xho Bajdën — si këshilltar i sigurisë kombëtare — kur ky ishte numri dy i këtij vendi, ndërkohë që dy vitet e fundit ka shërbyer si zëdhënës numër një i politikës së jashtme gjatë fushatës së Z. Bajdën për president.  Në një intervistë para disa koshë, Z. Blinken e përmblodhi rolin e Shteteve të Bashkuara në botë nën administratën e Z, Bajdën me tri fjalë: Rivendosja e “rolit udhëheqës” të Amerikës në botë, “bashkpunim dhe demokraci”.

 Z. Xho Bajdën kur ishte senator por edhe më vonë, ishte njëri prej mbëshetësve politik amerikanë më të vendosur të Kosovës, Shqipërisë dhe të të drejtave të shqiptarëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.  Kështuqë, në cilëndo detyrë të politikës së jashtme ta emërojë Presidenti i zgjedhur, Z. Blinken — qoftë si kryediplomat i Amerikës ose si Këshilltar i Presidentit për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë – për shqiptarët është një gjë tepër pozitive që Zoti Tony Blinken është një person i mirë-informuar për gjëndjen në Shqipëri, në Kosovë si dhe për gjithë shqiptarët në Ballkanin perëndimor, ashtu siç është i mirë-informuar edhe bosi i tij i ardhëshëm, Presidenti i zgjedhur Xho Bajdën. Kur të vijë puna tek çeshtjet shqiptare, nuk besoj se as njëri as tjetri të kenë nevojë të kërkojnë nga stafi i tyre dosje të posaçme mbi ndonjë problem shqiptar. Joe Biden supporting Albanians early time – YouTube

Frank Shkreli

                                Photo of Antony J. BlinkenAntony J. Blinken, i besuar i Presidentit të zgjedhur Xho Bajdën dhe i përfolur si i emëruar prej tij në detyrën e Sekretarit Amerikan të Shtetit ose Këshilltar i Presidentit për Sigurinë Kombëtare në administratën e ardhëshme amerikane.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Joe Biden, Tony Bliken

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT