• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kush i paguan avokatët pranë Gjykatës në Hagë?

November 22, 2020 by dgreca

Nga Shkumbin Ahmetxhekaj-*

Ish-udhëheqësit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me aktakuza për krime lufte në Dhomat e Specializuara në Hagë, mund të mbesin pa mbulesë të plotë financiare nga shteti për mbrotjen e tyre. Ata kanë angazhuar avokatë të njohur ndërkombëtarë, e që kostoja e tyre, mund të tejkalojë tarifat e përcaktuara nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës.

Bashkë me miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në gusht të vitit 2015, Kuvendi i Kosovës po ashtu kishte miratuar një ligj, sipas të cilit, çdo i akuzuar potencial nga Dhomat e Specializuara ka të drejtën për ndihmë financiare dhe mbulim të shpenzimeve të mbrojtjes.

“Të gjithë personat e akuzuar kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësit të pavarur, me përvojë dhe kompetencë, që paguhen nga buxheti i Kosovës, i alokuara për qëllimet e këtij ligji”, thuhet mes tjerash në këtë ligj.

Por, me udhëzimin administrativ MD – Nr. 02/2020, të datës 24 korrik 2020, të nënshkruar nga ministri i Drejtësisë Selim Selimi, përcaktohet se mbulimi financiar i avokatëve, bëhet në bazë të tarifave të përcaktuara nga Oda e Avokatëve të Kosovës; tarifave për avokatë në Holandë; tarifave të shtetit prej nga vjen mbrojtësi dhe tarifave për mbrojtje juridike të personit të akuzuar potencial të Dhomave të Specializuara.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, thotë se rregullativa ligjore është e qartë. Sipas tij, ata që në Hagë kanë avokatë të famshëm ndërkombëtarë, do të duhet të paguajnë vetë një pjesë buxhetit.

“Mbrojtja e avokatëve ndërkombëtarë mund të jetë shumë, shumë e shtrenjtë, por kjo nuk do të thotë që të njëjtit (të akuzuarit) mund të marrin avokatët më të shtrenjtë për t’i përfaqësuar ata. Këtë mund ta bëjnë, por përmes buxhetit të tyre”, tha Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Sa kushton mbrojtja?

Shumat që kërkohen nga avokatët mbeten konfidenciale, por bazuar në përvojat e mëhershme, bëhet fjalë për miliona euro.

Micheal O’Reilly ka qenë pjesë e ekipit mbrojtës të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë proceseve gjyqësore në Tribunalin e Hagës për Krimet në ish-Jugosllavi.

Në një shkrim për Irishtimes, O’Reilly, më 23 maj 2015, kishte shkruar se Haradinaj ka paguar 11 milionë euro për mbrotjen e tij.

“I thash atij se do t’i kushtonte 5 milionë euro për të pasur mbrotjen që i duhet. Në fakt, i kushtoi 11 milionë euro dhe të gjitha ishin donacion nga populli i Kosovës. I thash atij se ky gjykim do t’ia merrte dy vjet të jetës së tij (edhe jetës time) në fakt, ia mori tetë, katër nga të cilat i kaloi në burg”, kishte shkruar O’Reilly.

Tashmë, ish-krerët më të lartë të UÇK-së kanë publikuar ekipet e tyre mbrojtëse, e që përbëhen nga emra prominent.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të mbrohet nga Pierre-Richard Prosper, David Hooper dhe Dastid Pallaska.

Ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka zgjedhur për avokat britanikun Ben Emmerson, i cili e ka mbrojtur në Tribunalin e Hagës edhe ish-kryeministrin Ramush Haradinaj. Në ekipin mbrojtës të Veselit është edhe britaniku tjetër, Andrew Cayley.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka angazhuar avokaten nga Malajzia, Venkateswari Alagendra.

Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi, ka zgjedhur si përfaqësues ligjor në mbrotjen e tij kundër pretenedimeve të Prokurorisë së Specializuar, britanikun David Young.

Avokat më pak të njohur ndërkombëtarisht ka ish-pjesëtari tjetër i UÇK-së, Salih Mustafa që është i akuzuar për krime lufte. Mustafën do ta mbrojë holandezi, Julius Von Boné.

Transparencë për shpenzimet e mbrojtjes

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar sqarime nga Ministria e Drejtësisë lidhur me atë se si do të veprohet me rastet kur të akuzuarit do të kërkojnë mbulesë financiare më të madhe se sa parashikohet në tarifat e përcaktuara, por nuk ka marrë asnjë përgjigjje.

Në bazë të udhëzimit administrativ, ministria do të krijojë një komision, i emëruar nga ministri i Drejtësisë, që do të udhëhiqet nga sekretari i përgjithshëm i ministrisë, e që do të ketë në përgjegjësi miratimin ose refuzimin e kërkesave për financim të mbrojtjes ligjore.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi, kërkojnë që Ministria e Drejtësisë të jetë transparente në pagesat që do t’i kryejë për avokatët mbrojtës.

“Transparenca dhe llogaridhënia janë bazike për të siguruar se të gjithë personat e akuzuar mund të marrin mbrojtjen financiare, në mënyrë të drejtë, të barabartë dhe jo siç ka ndodh deri më tash, kur kjo është bërë në baza selektive”, tha Ehat Miftaraj nga IKD.

“Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës duhet të ndryshojë menjëherë taktikën e deritanishme, në mënyrë që çdo lloj i ndihmës financiare të jetë publike dhe kërkesat për ndihmë financiare të jenë po ashtu publike. Kjo do të shmangte mundësinë që persona të caktuar të jenë të privilegjuar e disa të tjerë jo, siç ka ndodhur deri më tani”, shtoi ai.

Por, transparenca që po kërkohet nga kjo organizatë, është vënë në pikëpyetje, pasi më 16 nëntor, Ministria e Drejtësisë, ka bërë amendamentimin e udhëzimit administrativ të datës 24 korrik, 2020, e ku ka publikuar formën e kontratës që do të nënshkruajë me avokatët mbrojtës.

Aty përcaktohet se marrëveshjet do të mbesin konfidenciale.

“Ministria pranon që kjo marrëveshje si dhe çdo komunikim në të ardhmen në mes të avokatëve dhe klientit ose në mes të avokatëve dhe ministrisë, janë rreptësisht konfidenciale”.

Si bëhët kërkesa për financimin e mbrojtjes juridike?

Të gjithë të akuzuarit ose të autorizuarit e tyre duhet të plotësojnë një kërkesë zyrtare për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes juridike. Në këto shpenzime mund të përfshihen të gjitha shërbimet që i kryen ekipi mbrojtës, duke përfshirë madje, edhe shpenzimet e zyrës dhe telefonatave, gjë e cila nuk ishte parashikuar në udhëzimin e parë administrativ, e që u lejua në udhëzimin e fundit, të datës 16 nëntor. E njëjta lëndë më tej procedohet nga komisioni i caktuar për këtë çështje.

Por, pos mbulimeve të shpenzimeve të përfaqësimit ligjor, shteti do të paguajë edhe për të gjitha shpenzimet e vizitave të familjarëve të personave të akuzuar nga Dhomat e Specializuara. Kjo është e rreguluar me një udhëzim të veçantë administrativ, të datës 23 korrik 2020.

“Çdo person i akuzuar potencial, brenda një viti, ka të drejtë të vizitohet me mbështetje të nevojshme financiare, më së shumti nga dymbëdhjetë anëtarë të ngushtë të familjes, dhe jo më shumë se tre anëtarë të familjes për një vizitë”, përcaktohet në udhëzim.

Në këtë kategori përfshihen bashkshortët, fëmijët, prindërit, vëllezërit dhe motrat.

Në kuadër të Ligjit për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, është përfshirë edhe realizimi i së drejtës për kompensimin e personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, të shpallur të pafajshëm me vendim të plotfuqishëm.

Deri më tash, për proceset e para në Hagë, janë ndarë 61 mijë euro nga Qeveria e Kosovës.

Ndërkaq për vitin e ardhshëm, në projektbuxhet janë parashikuar 6,7 milionë euro për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes të të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara.(Kortezi-Radio Evropa e Lire)

Filed Under: Featured Tagged With: avokatet, Gjykata e Hages, Kush i paguan, Shkumbin Ahmetxhekaj

VATRA BESON SE AGRESORI NUK DO TË BARAZOHET ME VIKTIMËN

November 5, 2020 by dgreca

DEKLARATË E FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS “VATRA”\

             New York, 5 nëntor 2020- Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA” po ndjek me vëmendje dhe shqetësim situatën që po kalon Republika e Kosovës dhe institucionet e saj pas konfirmimit të aktakuzave nga Dhomat e Specializuar në Hagë për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarin e  PDK Kadri Veseli, ish kryetarin e Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi dhe personave të tjerë nën akuzë. Vatra e vlerëson pozitivisht dorëheqjen e Presidentit Hashim Thaçi si dhe delegimin e kompetencave tek ushtruesja e detyrës së presidentit, Dr. Vjosa Osmani.

             Vatra e shqiptarëve të Amerikës e ndjen për obligim Kombëtar, që t’i bëj thirrje aktorëve politik në Kosovë që të forcojnë bashkëpunimin, të rrisin unitetin dhe të respektojnë institucionet shtetërore.                   Qytetarët e Kosovës duhet të ruajnë gjakftohtësinë dhe të besojnë se askush nuk mund të kriminalizojë ushtrinë e një populli që kërcënohej me gjenocid. I gjithë faktori shqiptar në Ballkan kërkohet të jetë i bashkuar dhe në një zë për çështjen tonë Kombëtare.

          Federata Vatra shpreh bindjen se të akuzuarit, ish drejtues të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të jenë në gjendje të mbrojnë kauzën e drejtë të Luftës për Liri  të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës , aleate e NATO-s, kundër gjenocidit serb nën drejtimin e kriminelit Sllobodan Millosheviç dhe bashkëpunëtorëve të tij.

             Vatra i apelon Gjykatës Nderkombëtare të Hagës që të mos ushtrojë standarte të atilla hetimi e gjykimi, që barazojnë agresorin serb, që ushtroi gjenocid mbi popullin e pafajshëm dhe të pambrojtur shqiptar, –  dhe viktimën Kosovë, e cila luftoi për mbijetesë. Janë 1643 të pagjetur, varrhumbur, që ia kanë lënë të hapura plagët e Luftës popullit të Kosovës. Ku është Drejtësia. Përse nuk heton Gjykata e Hagës?

          Pasuesit e agresorëve në Serbi janë hedhur në ofensivë dhe ia kanë arritë të barazojnë agresorin me viktimën. Kjo është e padrejtë dhe e dhimbshme. Shqiptarët nuk sulmuan, por u mbrojtën. Falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve Perëndimor, u shmang katastrofa humanitare dhe spastrimi etnik,që kërcënonte popullin e Kosovës. Nuk kishte ndodhë që në kohën e nazizmit që të kryheshin masakra çnjerëzore, vrasje masive, djegie, përdhunime çnjerëzore, dëbim i dhunshëm i një populli të tërë, siç ndodhi me shqiptarët e Kosovës.

             Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA” shpreh bindjen se Qeveria e Kosovës do të jetë e aftë për të përballuar sfidat që i dikton situate e krijuar, dhe se të akuzuarit do të jenë të aftë të mbrojnë kauzën e  drejtë të Lirisë…

                                                                                  KRYETARI:ELMI BERISHA

Filed Under: Politike Tagged With: Deklarate e vatres, Gjykata e Hages, Vatra

Artikujt e fundit

  • “UNË JAM ANEMONE” NJË LIBËR NË KËRKIM TË DREJTËSISË DHE DËNIMIT TË KRIMEVE SERBE NË KOSOVË
  • DRITAN ABAZOVIQ, DRITE NE ERRESIREN POLITIKE TE BALLKANIT
  • Përvoja 15 vjeçare e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit New York
  • Lunxhëria visi me heshtje dhe kambana me gjuhë
  • Piktorja gjen optimizmin e jetës përmes ngjyrave, stili abstrakt shkon përtej mendimit
  • Po Dibres, Jo “SKAVICES”!
  • Si i grabiste regjimi komunist emigrantët
  • Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Rifat Latifi priti sot në takim shefen e Zyrës së Greqisë
  • “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit: vështrim i shkurtër historiko-kulturor”
  • JOSHJA E PYLLIT TË KUQ
  • Nertila Sinameta mes Shqipërisë, Italisë dhe Kinës
  • SHENJTORËT SI PROMOVUES TË FQINJESISË SË MIRË
  • PRESIDENTI JOHN F. KENNEDY, BERLIN, 26 Qershor1963: “ICH BIN EIN BERLINER”, “Unë jam qytetar i Berlinit”
  • 7 KORRIK 2022, KUR “PRANVERA E PROTESTAVE” VJEN NË VERË
  • BISEDA E PRESIDENTIT BILL CLINTON ME HASHIM THAÇIN RUAJTUR NË BIBLIOTEKËN PRESIDENCIALE “WILLIAM JEFFERSON CLINTON”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT