• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2020

SHQIPTARËT NË AUSTRALI, IDENTITETI PËRMES GJUHËS SHQIPE…

November 20, 2020 by dgreca

RUAJTJA E IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR PËRMES MËSIMIT TË GJUHËS SHQIPE NË AUSTRALI/

Lutfije Capri Kadriu rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Australi nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me Lutfije Capri Kadriu bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

SI ORGANIZOHET DHE FUNKSIONON MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË AUSTRALI

Në Australi jemi me fat që jetojmë në një vënd ku shteti na mundëson që të kemi mësim në Gjuhën Shqipe. Financimi dhe promovimi i shkollave në gjuhë të huaj bëhet nga Shteti. Regjistrimet bëhet me anë të; VSL – Victorian School of Languages ( Shkolla e gjuhëve të huaj në Victoria). Gjithashtu promovimet bëhen me anë të radio programeve që kemi psh. Në Melbourne kemi radio programin në gjuhën Shqipte 3ZZZ, është një program që mbahet nga njerëz vullnetarë, në këtë moment, folës të këti programi janë z.Nizami Rexhepi dhe z. Burim Brao. Vitin e kaluar e festuan 30 vjetorin e programit. Kemi edhe programin në gjuhën Shqipe radio SBS që financohet nga Shteti, vlen të cekim se iniciator i hapjes së këti programi ishte Z. Shpend Osmani nga Kosova i cili kishte përvojë në atë lëmi. Në moment folësit e këti programi janë z.Sani Kajtazi dhe z.Majlinda Lulo. Kushti për hapjen e një klase është të kemi mbi 10 nxënës. Mësimet mbahen gjdo të Shtune 3-4 orë. Kurse kombet me popullsi të lartë ndjekin mësimet në gjuhën amtare gjatë javës .

NË CILAT QYTETE ORGANIZOHET MËSIMI SHQIP DHE KURRIKULAT MËSIMORE

Sipas të dhënave shkolla e parë në Gjuhën Shqipe u hap në vitin 1964 në Melbourne. Mësuesi ishte Z. Mitat Jusufi nga Manastiri i cili emigroi në vitin 1961. Hapja e shkollës në vitin 1964 ka qenë si një iniciativë që fëmijët të mësojnë gjuhën, shkrim dhe lexim me qëllim që të kenë mundësi të komunikojnë me të afërmit e tyre kur të vizitojnë vendlindjen. Në vitin 1985 i mbaruam studimet në vendlindje unë si mësuese e artit, kurse bashkëshorti si mësues i Fizikës dhe Kimisë. Në vitin 1987 emigruam në Australi dhe në të njëjtin vit u punësova si mësuese e Gjuhës Shqipe. Shkolla e parë për mua ishte në lagjen Thomaston, mësimdhënësit që un zëvendsova ishin: Z. Sali Selimi dhe  Z.Shpëtim Lloga i cili ishte iniciator që unë të jap mësim pasi që isha e diplomuar. Nxënësit më pritën me gëzim të madh pasi që prej vitit 1964 mësimdhënësit ishin meshkuj kurse unë isha e para mësuese femër në Shkollën Shqipe. Kjo ishte dhe shkaku  i dyfishimit të  nxënësve në klasë. Në të njëjtin vit kishte interesim edhe nga njerëzit më në moshë që deshin të mësojnë Shqip si psh, martesë me Shqiptar , dhe të rritur që nuk kanë pasur rastin të mësojnë gjuhën amtare. Për këtë klasë mësimdhënësit ishte Z.Skender Kadriu ( bashkëshorti). Në atë kohë nuk kishim mjete mësimore, kishim disa libra që i sollëm me vetë dhe planprogramin e mësimit e pregatisnim vetë. Programin e pregatisnim në mënyrë që të jetë e përshtatshme për nivelin e diturisë të nxënësve. Për çdo temë të mësimit e kishim detyrim të sqarojmë Shkollën pse dhe çka përfiton nxënësi nga ai mësim. Në një klasë kishim mosha të ndryshme dhe kjo për mësimdhënësit ishte pak më e vështirë.

NUMRI I NXËNËSVE, KLASAVE, MËSUESVE, BASHKËPUNËTORËVE.

Pas disa viteve Komuniteti Shqiptari filloi ti furnizojë shkollat me Abetare. Në çdo lagje na mundësohet të hapim klasa përderisa kemi mbi 10 nxënës për klasë. Lagjet dhe mësimdhënësit: Brunsëick- Z.Majlinda Lulo , pas saj vazhdoi  Z.Renata Lluka. Në Dandenong – Z. Mynever Fasi. Në Shepparton- Z.Miranda Hoxhallari. Shoqata Iskamike – Z.Genita Hajdari pas saj vazhdoi Z.Përparim Sylaj. Shoqata Katolike në Adelaide kanë mësimdhënësit që punojnë vullnetarisht dhe ato janë Z. Kadri Milaj, Z. Pjerin Kaftalli, Znj. Rita Preci, Z. Beqir Sokoli, Znj. Violeta Matana dhe si përgjegjës Z. Tonin Pecaj. Në këtë kohë kemi shumë më shumë mësimdhënës të kualifikuar por fatkeqësisht numri i nxënësve zvogëlohet. Kurse sot në kohën e Covid për fat të keq janë mbyllur të gjitha Shkollat. 

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR

Gjuha Shqipe ka një rëndësi të madhe në identitetin e kombit Shqiptar. Të jetosh  në një shtet ku të jepet e drejta për të praktikuar gjuhën duhet pranuar me duar hapur. Mbyllja e shkollave në  Gjuhën Shqipe është një turp për ne si komb. Mosmësimi në gjuhën amtare në diasporë është një ulje e vlerave të kombit Shqiptar pasi që pa gjuhë nuk ka identiteit dhe nuk ka komb. Kemi pasur klasa me mbi 20 nxënës ndonjëherë zbresin në 10 mirëpo duke i lutur prindërit dhe duke ju treguar rëndësin e gjuhës numri po rritej. Prej vitit 1998- 1999 isha mësimdhënëse në lagjen Altona North kisha një klasë me nxënës të rregullt këto nxënës ishin nga prindërit patriot me vlera kombëtare. Ia vlen to kujtojmë këto familje që me vite i mbajtën shkollat hapur: Familja – Memishi, Thaqi, Kurti, Kadriu, Selman, Shaqiri. Nga dy deri tre nxënës prej çdo familje .

ROLI DHE PESHA E SHQIPTARËVE NË AUSTRALI

Në Australi kemi një komunitet që përbëhet prej disa Shoqata.  Të gjithë shoqatat punojnë për të mirën e Komunitetit, për të mirën e Kombit Shqiptar, njësoj si Shqipet nëpër diasporë sidomos Shqipet në Amerikë. Kur është puna për atdheun tonë të bëjmë bujë jemi gjithmon gati. Si psh. Tërmeti në Shqipëri, të gjithë shoqatat bashkë me Komunitetin tubuam para për ti ndihmuar atdheut. Në Australi kemi dy ambasadorë Shqiptar. Z. Hajdin Isuf Abazi nga Kosova dhe Z. Edmond Trako nga Shqipëria. Kurse ish Ambasadorin e kishim po ashtu nga Kosova Z.Sabri Kiçmarin. Si komb ndihemi krenar që kemi Ambasadorë Shqiptar. Gati në çdo aktivitet që kemi si Komunitet Ambasadorët na nderojnë me pjesëmarjet e tyre gjithashtu i marrin parasysh kërkesat tona. Ambasadorët bashkë me Komunitetin i furnizojnë shkollat me Abetare.  Shpresojmë në të ardhmen të bëjmë më shumë për Shkollat në gjuhën Shqipe.

SI PRITET NË AUSTRALI MËSIMI I GJUHËS SHQIPE

Lirisht mund të them se viteve të fundit ka humb interesimi. Në të kaluarën para disa viteve  1998 kishim një Komunitet që i kushtonte më shumë rëndësi mësimit në gjuhën Shqipe. Në çdo festival që festonim Flamurin Kombëtar nxënësit ishin në qendër të vëmendjes dhe ne si mësimdhënës na dhuronin nga një tufë lule si gjest falenderimi. Na jepej edhe rasti  të mbanim fjalim për me promovu Shkollat dhe për me i falenderuar prindërit me emra dhe mbiemra për kontributin e tyre. Ky gjest i inkurajonte prindërit më shumë. Nxënësit përveç valles me veshje kombëtare ato edhe recitonin vjersha dmth 80% festivali i Flamurit i përkushtohej nxënësve. Gjithë vitin një orë para përfundimit të mësimit ja përkushtonim festës së Flamurit duke i pregatitur vallet, vjershat dhe himnin kombëtar. Kjo i nxiste nxënësit të mos mungojnë në klasë. Shpresoj në të ardhmen të gjithë si bashkësi të mbështesim Shkollat dhe të nxisim prindërit se kjo është për të mirēn e Kombit tonë. Roli i çdo Shqiptari është të angazhohen dhe ti sjellin fëmijët në shkollë. Në shkollë nuk mësojnë vetëm shërim dhe lexim, por mësojnë për Histori, për Gjeografinë, për kulturën dhe heronjtë të kombit shqiptar. Mësojnë për dialektin e secilit dhe krahasimin me gjuhën zyrtare, mësojnë për germat e alfabetit të Gjuhës Shqipe psh, mësojnë për ç dhe ë , i mësojmë se sa rëndësi kanë këto germa në alfabetin tonë unik, nëse i zhdukim këto germa alfabeti jonë do të jetë njëjtë si alfabeti i tjetrit. Besoj dhe Shpresoj të rihapen Shkollat në Gjuhën Shqipe jo vetëm në Australi por në të gjithë Diasporën .

MESAZHI PATRIOTIK PËR DIASPORËN NË AMERIKË

Të gjithë Shqiptarët anembanë botës krenohen me Shqipet në Amerikë dhe me Shqipet në Australi. Si mërgimtar si në Amerikë ashtu dhe në Australi kishim shprehjen e lirisë: kur atdhetarët tonë Shqiptarët Kosovar ishin në rezik dhe kur bota nuk e dinte se çka ndodhte me Kosovën. Ne ishim zëri i Kosovës. Me anë të protestave dhe me anë të ndihmave i ndihmuam vëllezërit e motrat tona shqiptarë. Kurse tani është koha të bashkohemi dhe të gjithë me një zë, të kërkojmë bashkimin e Shqipērisë me Kosovën. Vetëm të bashkuar do jemi forcë. Si fund një mesazh nga zemra: Për gjithë Shqiptarët anembanë botës, keni respekt për çdo fe dhe për çdo shqiptar, pa marrë parasysh fenë, armiku si armë lufte e përdor fenë. Vetëm në këtë mënyrë do dalim fitues. 

Filed Under: Featured Tagged With: Lutfije Capri Kadriu, Sokol Paja

Liria, trashëgimi me vlerë

November 20, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Mbrojnë karierën duke shkelur mbi trupa e kufoma. Nuk u ka mbetur mënyrë tjetër për të triumfuar. Sa fatkeqësi, kur faji nuk pranohet! “Diplomatët” komisarë të PPSh-së nuk reformohen, as shypi gjoja i lirë, por vazhdojnë të helmojnë brezin e ri me shkrime e libra me lavdi të rreme të përgjakur nga koha kur të gjitha ministritë, e Jashtme, e Brendshme, Sigurimi i Shtetit, çonin ujë në të njëjtin mulli, PPSh, ku bluhej mielli i bukës së hidhur. Hidhërimi vazhdon, kur lexohen këto bëma që paraqiten si bukë e ëmbël; Qeveria ushqen popullin me lugën e saj të ndryshkur; me ideologji kovid-komunizmi; e ardhmja i përket virusit global. Me polici e masa gjobe e arresti, frenohet sot çdo kundërshtim e pakënaqësi, njësoj si dikur kur me frikë e burgime shuheshin zërat e atyre që mendonin ndryshe. Sa pak dallim. Sa shumë të ngjashëm. Me vetë-izolimin sot sikur pajtohen dhe për këtë vendi krenohet; banorëve u thuhet të mos lëvizin se askush nuk i pranon; kufijtë mbyllen. Vendi mbetet ishull.
Dhe nga frika, njeriu duket se ka ende keqardhje për shpirtin e varfër të mjerë dhe të ndrojtur, i cili është tepër zemërgjerë për t’i rezistuar shtypësve të tij. Ai këndon këngën e të mallkuarit: “Unë nuk mund të luftoj përsëri; Kam shumë për të humbur; Kam shumë pronë; Unë kam punuar shumë për të marrë atë që kam; Ata do të më heqin nga biznesi nëse rezistoj; Unë mund të shkoj në burg; Unë kam familjen time për të menduar.” Krijesa të tilla të varfra të mjerueshme kanë vlera të gabuara dhe fshehin frikën prapa përgjegjësisë së pretenduar – duke refuzuar verbërisht të shohin se trashëgimia më e lavdishme që dikush mund t’i lërë pasardhësve është liria; dhe se e vetmja siguri e vërtetë është liria

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi-Liria, liria

KOSOVA KËRKON TË ZHDUKURIT E LUFTËS

November 20, 2020 by dgreca

-Ministrja Hardinaj-Stublla bën kërkesë zyrtare për ta vizituar lokacionet e varrezave masive në Serbi/

PRISHTINË, 20 Nëntor 2020–Gazeta DIELLI/ Ministrja Kosovare e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka bërë kërkesë zyrtare për të realizuar të shtunën, me 21 nëntor, një vizitë në vendet e varrezave masive ku ditëve të fundit u gjetën trupat e shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë, e që së shpejti pritet të nisë procesi i zhvarrosjes së tyre.
Ajo ka shprehur vendosmërinë e saj për të qenë afër familjarëve që kanë humbur më të dashurit e tyre në mënyrën më ç’njerëzore nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, duke lartësuar sakrificën dhe dhimbjen e tyre duke kërkuar përgjegjësinë dhe drejtësinë, 21 vjet pas!

Shefja e diplomacisë Kosovare pret që ta realizojë këtë vizitë dhe përmes saj ta sheh nga afër procesin e gërmimeve dhe ta sensibilizojë ndërkombëtarisht të vërtetën kriminale për fshehjen e qëllimshme që është bërë dhe po bëhet nga Serbia të varrezave masive të shqiptarëve nëpër Serbi.

KOMUNIKATË PËR SHTYP E EULEX-it:

Sqarimi për Kizhevakun: ekspertët e EULEX-it e përshkruajnë mënyrën se si e identifikuan ata lokacionin e saktë ku u zbuluan mbetjet mortore…

Të hënën më 16 nëntor 2020, ekspertët nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur zbuluan mbetje mortore në Kizhevak, ku ndodhet një gurore e madhe në Serbi.

Ekspertët e EULEX-it kanë kryer gërmime në Kizhevak që prej vitit 2015. Pas disa sezonave të pasuksesshme të gërmimeve në Kizhevak, në vitin 2020 ndodhi një përparim falë shfrytëzimit të imazheve fotografike nga ajri.

“Problemi ishte se këto janë lokacione guroresh të mëdha dhe se peisazhi ka pësuar ndryshime të vazhdueshme me kalimin e kohës për shkak se kjo gurore ka qenë në përdorim ende për një numër të viteve,” tha Javier Santana, arkeolog forenzik i EULEX-it. Procesi i identifikimit të vendndodhjes së saktë të mbetjeve mortore ishte komplikuar edhe më shumë për shkak të faktit se në këtë minierë janë katër deri pesë galeri ku secila ka një lartësi prej përafërsisht 13 metrash.

Pas kërkesës së EULEX-it për t’i marrë imazhet fotografike nga ajri të vitit 1999, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ia siguroi imazhet fotografike nga ajri Komisionit Qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur në fund të vitit 2019.

“Ne i pranuam imazhet fotografike nga ajri në fund të vitit 2019. Mes fundit të vitit 2019 dhe fillimit të vitit 2020, koordinatori i EULEX-it për zhvarrime Krassimir Nikolov dhe unë i kemi analizuar fotografitë. Në bazë të analizave tona ne u kthyem në atë lokacion në muajin shkurt 2020 dhe e piketuam vendndodhjen e saktë të këtij lokacioni. Kjo është koha kur filloi puna gjatë këtij viti”, tha Santana.

Pas identifikimit të lokacionit, ekspertët nga EULEX-i, Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur kanë kryer punën në terren në Kizhevak, e cila solli deri te zbulimi i mbetjeve mortore.

“Puna në Kizhevak është larg nga të përfunduarit. Procesi është shumë i ndërlikuar dhe merr shumë kohë. Për të pasur mundësi të vazhdohet puna, duhet të ketë një urdhër gjykate. Pas kësaj, hapi tjetër është që të vazhdohet me zhvarrimet dhe gjetjen e mbetjeve mortore. Pasi të gjinden mbetjet mortore, duhet të bëhet autopsia dhe do të merren mostrat e eshtrave për testet e profilit të ADN-së. Në rastet ku të afërmit e ndonjë personi të zhdukur i kanë dhënë mostrat e gjakut dhe do të ketë raport për përputhje pozitive të ADN-së, procesi i identifikimit përfundon. Pastaj, familjet informohen për identifikimin dhe atyre u dorëzohen mbetjet mortore të personit të zhdukur”, tha Koordinatori i EULEX-it për zhvarrime, Krassimir Nikolov.

“Zbulimi i mbetjeve mortore në Kizhevak është një zhvillim tejet pozitiv dhe shpërblim për përpjekjet tona të vazhdueshme për ndriçimin e fatit të më shumë se 1640 personave, të cilët janë ende të pagjetur në Kosovë. Çështja e personave të zhdukur është çështje e të drejtave të njeriut. Ajo ka të bëjë me të drejtat e njeriut të afërmëve për të kuptuar se çfarë u ka ndodhur më të dashurve të tyre”, tha Zëvendës Drejtorja e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Tarja Formisto. Formisto u bëri thirrje edhe një herë të afërmëve të gjithë personave të zhdukur që t’i japin mostrat e gjakut për ta lehtësuar procesin e identifikimit.

Nga fillimi i mandatit të EULEX-it deri më 19 nëntor 2020, EULEX-i i ka kryer 662 operacione në terren për gjetjen e personave të zhdukur, përfshirë 169 zhvarrime. Janë identifikuar mbetjet mortore të 457 personave, përfshirë edhe ato të 317 personave të zhdukur.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, kosova

TRE TRANZICIONE PRESIDENCIALE ME PASOJA PER AMERIKEN

November 19, 2020 by dgreca

Përktheu Rafaela Prifti/

Përse u miratua Amendamenti 20 i Kushtetutës Amerikane dhjetë vjet pas propozimit të projekt-ligjit? Cili president cilësohet si model i tranzicionit presidencial? Çfarë mund të sjellë dimri i ndasisë?

Thomas Balcerski, autor dhe mësues në Eastern Konektikut përshkruan tre episode famëkeqe të tranzicionit administrativ në historinë e Amerikës.

Dy javë pas përfundimit të zgjedhjeve Presidenti Donald Trump nuk e pranon humbjen ndaj ish-zv Presidentit Xho Biden. Disa zyrtarë të lartë të administratës së Trumpit, përfshirë edhe ish-shefin e përgjithshëm të Shtëpisë së Bardhë Xhon Kelli, kanë bërë thirrje për një proces paqësor tranzicioni. Megjithatë, shumë nga republikanët në Kongres qëndrojnë në krah të Presidentit.

Në realitet, Trumpi është president në dalje e sipër. Presidenca e tij ka shpërfillur precedencat e mëhershme në shumë aspekte por në këtë pikë ai është si gjithë presidentët e tjerë paraardhës. Mandati i tij do përfundojë dhe ai do dalë nga Shtëpia e Bardhë për të filluar kapitullin tjetër të jetës së tij. Dhe mënyra sesi sillet në këtë periudhë mnnd të jetë ajo që i jep vulën administratës së tij duke qenë gjithashtu edhe një moment kritik në historinë amerikane. Vendi ka përjetuar disa episode famëkeqe tranzicioni.  Tre të tilla kanë qenë: Xhejms Bjukenan dhe Abraham Linkolni gjatë dimrit të përcarjes 1860-1861, Herbet Huver dhe Franklin Delano Rusevelt gjatë përkeqësimit të krizës ekonomike të viteve 1932-1933, Bll Klinton dhe Xhorxh W. Bush pas zgjedhjeve të shumëkontestuara të vitit 2000.

Rrethanat e diktojnë më shumë se më parë nevojën për tranzicion efektiv. Përkeqësimi i epidemisë së COVID-19 kërkon angazhim total nga dega ekzekutive dhe kooperim të presidentit aktual me presidentin e zgjedhur për hir të vendit. Për të mos lejuar thellimin e tragjedisë, Trumpi dhe Biden duhet të shmangin gabimet e tre tranzicioneve me nam të keq.

1860-1861: Xhejms Bjukenan dhe Abraham Linkoln

Inagurimi i Abraham Linkolnit si presidenti i 16-të i Shteteve të Bashkuara në Uashington DC pasardhës i Presidentit Xhejms Bjukenan u bë pas Zgjedhjet e vitit 1860 ishin një sfidë serioze për tranzicionin presidencial. Në nëntor të atij viti Linkolni kishte fituar mjaft vota në Kolegjin Elektoral ndaj tri rivalëve të tjerë duke siguruar mandatin e ardhshëm të presidentit. Pa kaluar një muaj, Karolina Jugore u mblodh në një kuvend shtetëror nga ku vendosi unanimisht shkëputjen nga Bashkësia e Shteteve (Unioni). Pas saj, gjashtë shtete të jugut e ndoqën atë shembull. Presidenti Bjukenan që kishte humbur zgjedhjet tregoi dobësi në përballjen me krizën. Ai deklaroi se nuk e mbështeste shkëputjen e shteteve të jugut por besonte se qeveria nuk kishte forca ta ndalonte këtë veprim dhe iu drejtua Kongresit për zgjidhje. Mbledhja e ‘të urtëve’ në Uashington DC doli me një varg me propozime të hartuara me qëllim që skllavëria të kishte mbrojtje kushtetuese. Ky dokument njihet si Kompromisi Kritenden (mbiemri i Përfaqësuesit ligjor të Kentakit, Xhon Kritenden, që propozoi masat ligjore – Shënim i Përkthyeses)

Por Presidenti i zgjedhur Linkoln me mençuri refuzoi të pranonte çdo lloj kompromisi të dalë nga administrata e papëlqyer e Bjukenan. Në ditën e inagurimit, Linkolni shkoi për vizitë në Shtëpinë e Bardhë dhe të dy vajtën me një pajton në ndërtesën e parlamentit. Pavarësisht nga fjalimi i paqtë inagurues, lufta shpërtheu kur forcat e Konfederatës hapën zjarr në Fort Sumter në prill 1861.    

Kongresi republikan ishte aq i mllefosur me veprimet e fundit të Bjukenan kur ishte ende në postin e presidentit por nuk ishte rizgjedhur për mandatin tjetër, sa ia tërhoqi privilegjin e postimit pa pagesë duke e detyruar administratën e tij të paguante vetë për veprimet postare dhe madje nuk pranoi të paguante as për portretin zyrtar të z. Bjukenan.  Ai nga ana e vet i doli në mbrojtje pozitës së tij në prag të luftës, të cilën historianët e quajnë si librin e parë të kujtimeve nga një president por kjo nuk mjafroi për ta rehabilituar emrin e tij. Për pasivitetin e tij gjatë kohës kur po e shihte se Unioni po shkërmohej në këmbët e tij, ai renditet si presidenti më i keq në historinë e Amerikës.

1932-1933: Herbert Huver dhe Franklin D. Rusevelt

Në vitet 1932, periudha e Depresionit të Rëndë e kishte rrëzuar ekonominë amerikane në nivele të ulta të panjohura më parë. Bankat e kishin humbur kredibilitetin, bujqit nuk kishin treg për produktet e tyre dhe papunësia kishte arritur në 25 %.  Në nëntor, Rusevelti doli me një program të quajtur Pakti i Ri që financohej nga fonde shtetërore, dhe fitoi shumë më tepër vota se fushata e Huverit për vullnetarizm kolektiv të individëve. Ditën pas zgjedhjeve në orën 9:34 të mbrëmjes Huveri pranoi humbjen me zor me anë të një telegrami: “Për hir të qëllimit tonë të përbashkët, unë do jem i përkushtuar ndaj çdo hapi të mundshëm të dobishëm.” Në ditën e inagurimit të Franklin Delano Rusevelt në 1933, ai dhe paraardhësi Herbert Huver shkuan bashkë në ceremoni. Në të vërtetë Huver nuk kishte lënë gjë pa bërë që ta sabotonte Paktin e Ri të Ruseveltit. Praktikisht, ai donte t’i anulonte pjesë të tëra të programit social përpara se Rusevelti të hynte në Shtëpinë e Bardhë. Nga ana e tij, Rusevelti nuk pranoi të bashkëpunonte për asgjë me presidentin ‘në dalje e sipër.

Ndërkohë, pasojat e Depresionit të Rëndë u përkeqësuan. Në ditën e inagurimit Huveri dhe Rusevelt udhëtuan “si në gjemba” nga Shtëpia e Bardhë drejt Parlamentit. Rusevelti bëri vetëm disa komente për përgatitjet madhështore përgjatë rrugës ku do mbahej parada. Fatmirësisht, ky do ishte fundi i kohëzgjatjes së periudhës midis dy administratave, e caktuar në një kohë kur amerikanët udhëtonin me kuaj ose vaporë. Në vitin 1933, Kongresi më në fund miratoi ligjin e propozuar për herë të parë nga Senatori Xhorxh Norris në 1923 – që arriti të hynte si amendamenti 20 në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara.  Midis të tjerave, amendamenti e përshpejtoi kohën e daljes së presidentit prej postit zyrtar nga data 4 mars në 20 janar.

2000-2001: Bill Klinton dhe Xhorxh W Bush

Ndërsa President Bill Klinton dhe Presidenti i zgjedhur Xhorxh W. Bush qëndrojnë përpara Shtëpisë së Bardhë për herë të parë pas përfundimit të zgjedhjeve në 19 Dhjetor 2000, në Uashington, DC, pak kush e dinte atëherë luftën e brendshme që kishte filluar prej datës 7 nëntor. Në një prej garave më të paparashikuara në historinë amerikane, ish-Presidenti Al Gore dhe Guvernatori i Teksasit Xhorxh Bush kishin fituar shtete kyce që janë vendimtare për fatin e zgjedhjeve. Fituesi i shtetit të Floridës nuk mund të deklarohej megjithëse rrjetet kryesore mediatike ia kishin dhënë fitoren zotit Gore dhe e kishin ndërruar pastaj në favor të Bushit.

Duke menduar se kishte humbur, zoti Gore i telefonoi Bushit për t’i uruar fitoren. Gjatë rrugës për të mbajtur fjalimin e ‘humbjes’ pranë Momumentit të Luftës në Nashvil, asistentet vrapuan ta njoftonin të mos dilte përpara publikut. Sipas lajmeve, në Florida diferenca në numrin e votave ishte aq e vogël sa nuk numd të parashikohej fituesi, dhe kështu filloi një betejë ligjore disajavore derisa më në fund Gjykata e Lartë e ndaloi rinumërimin e votave në Florida, dhe z. Gore e dha pranimin duke iu drejtua publikut përpara kamerave në datën 13 dhjetor. Ndërkohë që priteshin rezultatet e zgjedhjeve, agjencia federale që hap rrugën për presidentin e ri, nuk njohu asnjë kanditat. Vendimi vonoi vënien në zbatim të Aktit të Tranzicionit Presidencial që përfshin lokalet e zyrave, pajisjet si edhe fondet përkatëse për administratën e re. Megjithatë Bushi u lejua të vinte në mbledhjet informative të sigurisë ndërsa Gore ishte i pranishëm si Zv President. Në 2004 Komisioni i Posaçëm për  aktet e 11 Shtatorit konkludoi se ngadalësia në tranzicion i ‘ndrydhi’ aftësitë e administratës për të emërimet e zyrtarëve në poste kyçe të sigurisë kombëtare.

Megjithatë nuk kishte pak episode dramatike – administrata e Presidentit Klinton nuk u largua pa bërë zhurmë. Dolën fjalë se personeli kishte shkulur telat e telefonave, kishin dëmtuar tualetet, dhe kishin kryer një akt mëse “fëminor” duke hequr shkronjën W nga tastierat e kompjuterave të Shtëpisë së Bardhë (personeli i Klintonit i ka hedhur poshtë shumicën e këtyre akuzave.) Zyra e Llogarisë paraqiti një raport të dëmeve prej 15,000 dollarëve. Si kundërbalancë, Bushi iu përkushtua punës për një tranzicion profesional kur erdhi koha për ta kaluar ‘stafetën’ te presidenti i zgjedhur Barak Obama. Nga ana e vet, Obama e ka cilësuar atë si ‘standarti më i lartë’ i tranzicioneve dhe e ndoqi atë model në kohën e tranzicionit nga ai te Trumpi.   

Zoti Trump mundet fare mirë ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve duke ndjekur traditën e gjatë të ‘unifikimit’ të vendit që nis nga inagurimi në vitin 1896. Dhe prej aty mund të ndjekë shembullin e presidentëve përpara tij që marrin pjesë në ceremoninë e inagurimit të pasardhësit.  Por nëse e shkuara mund të shërbejë si prolog, për mbarë vendin pritet të ketë thellim të krizës dhe një periudhë të trazuar trancizioni. Ashtu si edhe përpara në historinë tonë, duhet të jemi të përgatitur për dimrin e ndasisë midis administratës së vjetër dhe asaj të re – dhe për pasojat që kjo do t’i sjell vendit.

Filed Under: Featured Tagged With: me pasoja, Rafaela Prifti, Tre tranzicione presidenciale

Depolitizimi i pushtetit-mision i demokracisë pluraliste

November 19, 2020 by dgreca

Duke marrë parasysh pushtetin autoritar për tre dekada edhe në pluralizëm në Mal të Zi, idea e depolitizimit të pushtetit  do të jetë  sfidë për qeverinë e re në procesin e reformimit dhe të demontimit të strukturave ekzistuese në nivel qendror dhe ate lokal, duke vlerësuar si kriter profesionalizmin  e jo përkatësinë partiake, që do të jetë dëshmi praktike e ndryshimëve në qeverisje si kudo në botën demokratike 

Shkruan: Nail Draga

Por, më të drejt bëhet pyetja se çka mund të bëjë në këtë drejtim Qeveria e re e cila ka obligime dhe përgjegjësi në udhëheqjen e Malit të Zi në mandatin e saj, në këtë kohë të krizës së përgjithshme ekonomike, shoqërore e shëndetësore, për të realizuar në praktikë premtimet e dhëna elektoratit votues gjatë fushatës parazgjedhore. Nuk ka dilemë se përgjegjësia kryesore bie mbi kryetarin e qeverisë, por as ministrat nuk mund të jenë pa përgjegjësi, sepse ata do të japing lloragi për veprimet në resorët përkatës. Madje opinioni pret me padurim fillimin e punës së kësaj qeverie, për të parë ndryshimin apo vazhdimësinë e qeverisë së mëparshme. 

Duke marrë parasysh se koalicioni i shumicës parlamenatre është përcaktuar për qeverinë e ekspertëve, do të thot se janë mënjanuar figurat politike që është risi në skenën politike, mbetët të shihet se sa do të kenë ata mundësi praktike për ta realizuar këtë mision.

Angazhimi i personave të ndryshëm në qeveri në cilësinë e ministrave pa përkatësi partiake,  është përgjegjësi kryesisht e kryeministrit sepse ai ka zgjedhur ekipin me të cilën do të punojë, duke marrë parasysh referencat e tyre profesionale. Një veprim I tillë jep për të kuptuar se ata nuk do të jenë në presionet partiake, dukuri e cila iu mundëson autonomi personale dhe profesionale për të vendosur për të zgjedhur kuadrat e ndryshme në resorin përkatës. Dhe si të tillë ata do të jenë baza e fillimit të depolitizimit të pushtetit duke filluar nga lart që do të jetë risi në qeverisjën shtetërore në Mal të Zi. 

Por,duke marrë parasysh përbërjen heterogjene të shumicës parlamentare, interesat personale si dhe animozitetin e dëshmuar, nuk ka dilemë së do të ketë divergjenca brenda tyre,  andaj mbetët të shihet se a do të jenë pengesë ne realizimin e angazhimeve konkrete  në këtë drejtim. 


Sovraniteti i qytetarit

Në sajë të fitorës së opozitës në zgjedhjet parlamentare të mbajtura me 30 gusht 2020, për të parën herë qytetari votues është sovran, ku vendosi me ndërgjegje me votën e vet ndryshimin e pushtetit. Si të tillë janë ata relaksuar duke dëshmuar  guximin e munguar vite më radhë, sepse pushteti i mëhershëm kishte monopolizuar edhe votën e qytetarëve. Ndërsa ndarjët politike dhe ata fetare në bashkësinë ortodokse  në Mal të Zi arritën nivelin më të lartë, në këtë vit zgjedhor, që u manifestu me shëtitjet fetare, ku si shkak ishte ligji për lirinë e bashkësive fetare, që definitivisht përcaktoj edhe rezultatin e tyre zgjedhjeve në favor të opozitës. 


Ekipi i ekspertëve si „fushë e minuar“

Sistemi ekzistues me përvojën tridhjetëvjeçare pothuaj është „betonuar“, përmes kuadrave partiake,  andaj  qeveria e re  duhet të angazhohet ne demontimin e tij, por nuk ka dilemë  se  ekipi i ekspertëve  nuk do ta ketë të lehtë, sepse duhet të eci ne “fushën e minuar“, andaj edhe sukseset do të jenë të diskutueshme. Pikërisht në ketë aspekt duhet të dëshmohet qendrimi dhe angazhimi konkret në fushën e depolitizimit të strukturave dhe të institucionve qeveritare.

Çdo angazhim në këtë aspekt qoftë edhe minimal, duhet  mbeshtetur, sepse edhe rruga ma e gjatë fillon me hapin e parë. Andaj mbetet obligim i shumicës  së re parlamentare që të angazhohet në këtë drejtim, për të ndryshuar  status quon ekzistuese që është „prodhim“ shumëvjeçar  nga qeverisja e mëparshme.


Neoliberalizmi dhe dështimi i privatizimit


Ndërsa  nga fusha e ekonomisë, qeverisja e re duhet të merret jo vetëm me strukturën e saj por duke eliminuar konceptin e neoliberalizmit, duke ofruar qasje tjetër dhe zgjidhje në këtë drejtim. Po ashtu duhet të rishqyrtohen marrëveshjet dhe kontratat në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore, të cilat në sajë të procesit të tillë janë plaçkitur  në forma të ndryshme, duke lënë pa punë një numër të konsideruar të punësuarish. Në këtë aspekt, deri më tash askush nuk ka dhënë përgjegjësi, edhe pse ka raste  të shumta të dështimit,  ku kryporja  e Ulqinit  paraqet rast të veçantë të hulumtimit, sepse ishte e vetmja fabrikë e tillë në vend, por gjoja u privatizu  dhe u plaçkit në formën ma të vrazhdë të mundur.

Partitokracia pengesë e depolitizimit

Andaj, duhet bërë përpjekje  për të filluar me procesin e depolitizimit sepse kemi të bëjmë me një të drejtë të mohuar të qytetarëve, sepse deri më tash ka dominuar autokratizmi në udhëheqje dhe sistemi i partitokratisë në qeverisje. Kemi të bëjmë pikërisht me partitë e ndryshme politike të cilat nuk zgjedhin mjete për të fituar ndonjë mandat qoftë të këshilltarit apo të deputetit, duke u bërë pjesë e qeverisjës, për përfitime të ndryshme. Dhe të tillët nuk marrin parasysh vlerat dhe parimet por interesin personal apo të klanëve të ndryshme.

Është koha e fundit për të  vlerësuar profesionalizmin  e jo përkatësinë partiake  si kriter bazë  i punësimit që do të jetë hapi vendimtar në procesin e depolitizimit të  pushtetit, përfundimisht edhe në pluralizëm, si në nivelin lokal dhe ate qendror, si kudo në vendet demokratike.

(Nëntor 2020)

Filed Under: Analiza Tagged With: i pushtetit, Nail Draga

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT