• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2020

Dardanët ndihen të vjedhur- Gjyqtari polak “dhuratë” Sllovenisë…

November 16, 2020 by dgreca

Liga e Kombeve- Gjyqtari polak “dhuratë” Sllovenisë- Dardanët ndihen të vjedhur

Përgatiti:Alban KOLONJARI- Kosova humbi me rezultatin 2-1 përballë Sllovenisë. Takimi u luajt ditën e dielë në mbrëmje në stadiumin “Stozice” të Lubjanës. Pas një pjese të parë të barabartë 0-0, Kosova kalon e para në avantazh me anë të sulmuesit të saj kryesor Vedat Muriqi. Pesë minuta më vonë sllovenat barazojnë me anë të Jasim Kurtiq që përfiton nga një “përgjumje” e mbrotjes së Kosovës. Teksa mendohej që ky takim do të përfundonte në barazim, Sllovenia shënon golin e dytë nga pika e bardhë e 11 metrave. 120 sekonda nga përfundimi i kohës shtesë, gjyqtari polak Bartosz Frankoësk penalizon Fidan Alitin për prekje të topit me dorë branda zonës kosovare. Pamjet televizive tregojnë se dora është e ngjitur me trupin dhe dhënia e penalltisë në favor të Sllovenisë është e dyshimtë.  Josip Iliçiq, tregohet i saktë, realizon dhe i jep Sllovinisë të drejtën për të qënë e para në grupin e 3-të të Ligës C. “Gjyqtari e dha këtë penallti vetëm për të qenë në qendër të vëmendjes.  Të dënosh kështu një skuadër në minutën e 94-të, nuk e di se ç’të them. Unë e pashë se ishte dora e ngjitur, por edhe mos të ishte shumë e ngjitur unë isha mbrapa tij dhe njëkohësisht edhe  Hadergjonaj dhe nuk kishte rrezik”, shprehet Rrahmani. Kosova regjistroi ndeshjen e 10-të pa fitore, duke u rënë kembanave të alarmit. Sulmuesi Bernard Berisha u shpreh: “Nuk duhet të humbim shpresat. Duhet të vazhdojmë me kokën lart, dhe ta duhet ta mbyllim  këtë aktivitet me një fitore”. Ditën e mërkurë Kosova luan përballë Moldavisë në Kosovë në stadiumin “Fadil Vokrri”. Përsa i përket ndeshjes me Slloveninë, Bernard Berisha shprehet se:” zhvilluam një lojë shumë të mirë dhe nëse vazhdojmë kështu shumë shpejtë do të kthehemi tek fitoret dhe tek ato momente kur fitonim 10-15 heë radhazi”. Në këtë takim Kosova u drejtua nga ndihmëstrajneri, Muharrem Sahiti, pasi tranjeri i Kosovës Bernard Challandes është në quarantine sepse ka rezultuar pozitiv me koronavirus. 

“Nuk patëm fat ta mbanim rezultatin deri në fund, por ishin penalltia dhe ndërhyrja ndaj Kryeziut dy detajet që vendosën ndeshjen. Kemi punuar këto ditë për të ndryshuar mentalitet, pasi duhet të kthehemi tek ai mentaliteti i vitit të kaluar, mentaliteti fitues. Por futbolli është i tillë dhe mund të humbësh edhe në minutat e fundit”, u shpreh ndihmëstrajneri, Muharrem Sahiti,   

Liga C.

Të mërkurën

Greqi-Slloveni

Kosovë-Moldavi

Sllovenia 13

Greqia 11

Kosova 2

Moldavia 1

Filed Under: Featured Tagged With: albano kolonjari, Dardanet, ndjehen te vjedhur

Domosdoshmëria për një strategji afatgjatë në thellimin e marrëdhënieve me SHBA

November 16, 2020 by dgreca

Nga Akri Çipa*-

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara mbërthyen interesin e publikut të gjerë, në Amerikë dhe jo vetëm. Duke presupozuar të mbyllur tashmë procesin elektoral, pavarësisht zgjatimit të disa proceseve burokratike dhe ligjore, diskutime të shumta kanë filluar nga të dyja anët e Atlantikut për ardhmërinë e politikës së jashtme amerikane në administratën e Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Fitorja e ish-zëvëndës presidentit Biden u mirëprit gjerësisht në Shqipëri dhe në Kosovë dhe ka pasur një ekzaltim të përgjithshëm. Kjo lidhet pikë së pari me vetë historinë e zotit Biden. Si një mbështetës i hershëm i ndërhyrjes amerikane si kundërpërgjigjë ndaj fushatave të gjenocidit serb dhe të zgjatimeve të saj në vitet 90’, ndaj zotit Biden ka një ndjenjë mirënjohjeje të sinqertë në Ballkan. Në fillim në raport me luftën në Bosnjë dhe më pas në lidhje me Kosovën, ai ka qënë një zë i fuqishëm dhe i qartë në favor të lirisë dhe paqes. Në skenën amerikane janë të rrallë politikanët aktivë që mund të thonë se kanë qënë më eksplicitë se zoti Biden në raport me çlirimin, pavarësinë dhe forcimin e shtetësisë së Kosovës.

Me ardhjen e administratës Biden vlen të celebrohet kjo histori personale. Njëkohësisht, ekziston më shumë se kurrë nevoja dhe mundësia për një përgatitje serioze kundrejt sfidave me të cilat përballet Ballkani dhe qasjes së nevojshme për të forcuar raportet e Shqipërisë dhe Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe kapërcyer sfidat rajonale. Në këtë aspekt, ka tre elemente kyç të cilat duhet të konsiderohen dhe me të cilat duhet të ballafaqohemi në një plan afatgjatë: ndryshimet thelbësore në arenën ndërkombëtare; konteksti i zhvillimeve në politikën amerikane; problematikat e brendshme që reflektohen ndërkombëtarisht.

Si një mbështetës i hershëm dhe i përkushtuar i strukturave transatlantike, Presidenti i ardhshëm amerikan ka theksuar rëndësinë që do ketë Europa në vizionin e tij. Pikërisht për hir të këtij fakti ka indikacione se vëmendje të përkushtuar do të marrë dhe gadishulli ballkanik. Megjithatë, bota që do gjejë zoti Biden në vitin 2021 ndryshon kryekëput nga ajo e kohës së tij si anëtar i Senatit amerikan ose qoftë edhe si Zëvendës President. Kjo u theksua rishtazi dhe nga këshilltari i tij Tony Blinken, zëri mjaft influencues për politikën e jashtme dhe, sipas gjasave, një nga drejtuesit e ardhshëm të kësaj politike në administratën e re. Konditat dhe realitetet që përcaktuan në një pjesë të madhe politikën e jashtme amerikane në katër vitet e fundit mbeten po ato.

Në këtë sens, qasja ndaj Ballkanit gjatë administratës Biden do të influencohet drejtpërdrejtë nga kjo situatë. Kina do të vazhdojë përpjekjet për t’u imponuar ekonomikisht në Ballkan dhe për të penetruar Europën nëpërmjet rajonit tonë. Rusia do të vazhdojë të kundërshtoje proceset integruese euroatlantike të vendeve të rajonit dhe të kundërshtojë fuqimisht shtetësinë e Kosovës. Ndërkohë që administrata e zotit Biden do të privilegjojë koordinim më të madh me Bashkimin Europian, kompeticioni i drejtpërdrejtë me fuqitë e tjera të mëdha do të vazhdojë të dominojë rajonin. Rajonalizimi dhe forcimi i fuqive rajonale do të pasqyrohet padyshim në Ballkan, sikurse është konkretizuar tashmë dhe në zonat përreth.

Elementi i dytë që vlen të merret parasysh është ndryshimi i brezave në politikën amerikane, një proces sa i natyrshëm aq edhe përcaktues për të ardhmen. Mbështetës të mëdhenj të çështjes shqiptare po shkojnë drejt braktisjes së politikës aktive ose janë subjekt i presionit të shtuar të rivalëve partiakë. Prandaj, duhet pasur një kujdes i shtuar në aktivizimin diplomatik. Gurthemeli i mbështetjes amerikane ndaj Kosovës dhe ndaj gjithë spektrit të interesave shqiptare mbetet mbështetja mbipartizane në politikën amerikane. Përpjekja për ta partizuar dhe individualizuar këtë marrëdhënie duhet të refuzohet me forcë dhe vendosmëri.

Për shkak të polarizimit politik, në Shtetet e Bashkuara po gjejnë vend gjithmonë e më shumë zëra radikalë nga të gjithë krahët politikë. Në të dy ekstremet e spektrit politik në Shtetet e Bashkuara ka elemente me qëndrime të dyshimta për sa i përket kursit të politikës së jashtme amerikane, qëndrimeve revizioniste ndaj historisë së rishtë dhe interesa që konfliktojnë në mënyrë të rrezikshme me interesin shqiptar në rajon.

Në rradhë të parë, në Amerikë ka një të djathtë izolacioniste dhe regresive që i ka dhënë historikisht luftës në Kosovë ngjyresa të thjeshta fetare dhe e cila e ka sulmuar ndërhyrjen historike të NATO-s për qëllime politike të ditës. Një eksponent i këtyre pikëpamjeve, koloneli në pension Douglas Macgregor, arriti deri aty sa të nominohej nga presidenti Trump si Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Gjermani. Nga ana tjetër, segmenti më radikal i së majtës e ka parë luftën për çlirim të popullit shqiptar në Kosovë dhe fushatën e aleancës kundrejt spastrimit etnik serb nën lentet e një abstraksioni internacionalist socialist dhe e ka sulmuar si reflektim i të ashtuquajturës qëllim “imperialist” amerikan. Këto kritika janë ricikluar edhe ndaj zotit Biden në fushatën e fundit.

Rreziku që pikëpamjet dhe qëndrimet e këtyre ekstremeve të vazhdojnë të dalin nga margjinat është real. Sinjali më i dukshëm ishte fushata mediatike revizioniste që pasoi takimin në Uashington të presidentit Trump me kryeministrin Hoti dhe presidentin Vuçiç dhe që synonte të relativizonte historinë dhe rolin çlirimtar të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve perëndimore.

Së fundmi, vlen të rikujtohet se aleancat dhe marrëdhëniet ndërshtetërore të qëndrueshme ndërtohen, në rradhë të parë mbi introspektimin – aftësinë për ta analizuar veten dhe problemet e brendshme dhe për të reflektuar mbi to.

Problemet e mbartura demokratike të Shqipërisë dhe Kosovës si dhe mungesa e një uniteti politik në raport me proceset përcaktuese për ardhmërinë e vendit janë elemente nevralgjike që pasqyrohen përtej politikës së brendshme. Në mjaft raste, janë pikërisht këto shfaqje që shfrytëzohen nga fqinjët tanë për të ndërtuar fushata malinje lobimi në Uashington, Bruksel, Paris dhe më gjerë.

Pikërisht nga kjo pikë e fundit duhet nisur ndryshimi. Baza më e fortë e intensifikimit të marrëdhënieve me SHBA-në kalon nga forcimi i institucioneve, shteti i të drejtës dhe mirëqeverisja në Shqipëri dhe Kosovë. Stabiliteti i brendshëm që vjen si pasojë e demokratizimit dhe ekonomi të shëndosha janë garancia më e mirë e faktorizimit rajonal të shqiptarëve përtej kufijve shtetërore. Ravijëzimi i një politike të jashtme të qartë dhe afirmimi i interesave kombëtare kah orientimit transatlantik, mbi të gjitha në konditat e arenës aktuale ndërkombëtare, është domodoshmëri. Dhe duhet të jetë e tillë si fakt, jo vetëm si retorikë.

Në të njëjtën kohë, është i domosdoshëm përafrimi dhe edukimi i brezit të ri të vendimmarrësve amerikanë, të cilët mund të kenë interes dhe njohuri të përcipta për Ballkanin, çështjet shqiptare dhe kontekstin e veçantë të aleancës së shqiptarëve me Amerikën. Në këtë aspekt, nevojitet syçeltësi, koordinim dhe një strategji për të ndërtuar marrëdhënie afatgjata si me brezin e ri të politikëbërësve, ashtu dhe me kastën e re të ekspertëve dhe diplomatëve që do të profilizojnë politikën e jashtme amerikane gjatë administrates së ardhshme dhe përtej saj.

Presidenca Biden është një moment kyç për Shtetet e Bashkuara, por edhe për rajonin tonë. Ndërkohë që paraqiten prirje negative dhe situata komplekse në arenën ndërkombëtare, katër-vjeçari i ardhshëm mund të paraqesë njëkohësisht edhe mundësi historike. Faktori shqiptar duhet të tejkalojë konfliktet me vetveten, sikurse dhe romanticizmat, për të reflektuar dhe vepruar në shfrytëzimin e këtij momenti dhe avancimin e interesave kombëtare.

*Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Akri Çipa, Shqiperia-SHBA, Strategji afatgjate

SHQIPËRIA FITON NDESHJEN, KAZAKËT SHËNOJNË GOLIN E RRALLË NË TIRANË

November 15, 2020 by dgreca

Përgatiti:Albano KOLONJARI-

Minutën e 25-të të takimit Shqipëri-Kazakistan (3-1) portieri Berisha por edhe lojtarët kuqezinj nuk do ta harrojnë lehtë. Kazakët shënojnë një gol të pabesueshëm dhe që pa frikë hyn në një nga golat më të bukur të dekadës së fundit.  Abiken përfitoi nga dalja e Berishës dhe një goditje direkte dhe prefekte nga mesi i fushës realizon një gol spektakolar. Goli i pësuar hapi probleme për kuqezinjtë të cilët deri në atë moment udhëhiqnin me rezultatin 2-0. Kuqezinjtë goditen psikollogjikisht dhe vuajnë deri në fund të pjesës së parë. Diferenca fizike ndihet në fushën e lojës. Miqtë janë më të qartë dhe të vendosur mirë në fushën e lojës, ndërsa Shqipëria vuan vendosjen e lojtarëve të saj në role jo natyrale dhe role të cilat ata nuk luajnë me skadrat e tyre, (Hysaj, Uzuni, Kallaku)  “E nisëm ndeshjen mirë, por goli i pësuar në minutën  e 25-të  na kushtëzoi.

Ata morën shumë zemër. Skuadrat u hapën shumë në fushë, u krijua një diferencë mes lojtarëve. Nga pikëpamja fizike ata ishin superiorë” shprehet tranjeri kuqezi Edi Reja. Për të kërkuar fitoren përballë kazakëve tranjeri Reja, ja besoi portën kapitenit Berisha, mbrojtjen Veseli, Ismajli dhe Gjimishti. Në mesfushë, Hysaj, Abrashi, Kallaku Memushaj dhe Uzuni, në sulm Cikalleshi dhe Manaj. Në pesë minutat e para, duket sikur kuqezinjtë “flenë” gjumë, dhe miqtë nga kazakistani synojnë portën e mbrojtur nga Berisha.  Pak nga pak Kombëtarja jonë zgjohet dhe kontrollon lojën. Në të 16-tën minutë Sokol Cikalleshi kalon në avantazh kuqezinjtë. Harkim nga e djathta nga ana e Memushajt, Cikalleshi nuk fal duke goditur saktë me kokë. (goli i tij i tetë kuqezi).  Ky ishte edhe goli i parë i Shqipërisë në stadiumin “Air Albania”. Goli i jep zemër kuqezinjëve. Në të 23-tën minutë realizon mbrojtësi Ismajli që përfiton nga një top i mbetur në zonën e Kazakistanit dhe dërgon topin në rrjetë. 2-0. Pikërisht në këtë moment ndërsa kazakët nisin ndeshjen nga mesi i fushës Abiken shikon që portieri Berisha ishte pozicionuar keq gjuan dhe shënon një gol fantastik. 2-1. Tekniku Reja edhe në këtë ndeshje qëndroi besnik formulës së tij 3-5-3, pavarësisht se nuk kishte në pozicion lojtarët e duhur për këto skema. “Zgjodha në mesfushë lojtarë që e luanin mirë me topin, për të pasur superioritet në mesin e fushës”, u shpreh Reja. Në pjesën e dytë mesfushori Amir Abrashi tregohet fantastik. Pas një këmbëngulje për t’u admiruar ai fiton një penallti që shndrohet në gol nga Manaj 3-1. Gjithsesi loja e kuqezinjëve nuk ishte ajo që pritej dhe për më tepër përballë një kundërshtari modest me tetë mungesa në ekipin e parë. “Ishte një rezultat i mirë por loja nuk ishte e mirë. Skuadra nuk arrin të shprehet maksimalisht për shkak të fushës së lojës. Lojtarët më janë ankuar dhe e kanë të vështirë të bëjnë 2-3 pasime radhazi” thotë tekniku Edi Reja. Pas kësaj deklarate me të drejtë lind pyetja:Pse kombëtarja duhet ti luajë ndeshjet në një stadium ku fusha nuk është në gjëndjen e saj më të mirë?

Në takimin tjetër të grupi tonë, Bjellorusia fitoi 2-0 me Lituaninë, duke kryesuar grupin me 10-të pikë. Shqipëria ndodhet në vendin e dytë me 8-të pikë. Ditën e mërkurë do të luhet takimi Shqipëri-Bjellorusi ku kuqezninjve do to duhet patjetër fitorja për të zënë vendin e parë në grup.  “Nuk do të vlente kjo fitorja, nëse nuk triumfojmë ndaj Bjellorusisë. Duhet të përgatitemi mirë se Bjellorusia është një skuadër shumë më e fortë fizikisht se Kazakistani, duhet të punojmë shumë për këtë ndeshje” thotë tekniku Reja pas ndeshjesh Shqipëri-Kazakistan 3-1.

Berisha:”Nuk ka asnjë koflikt për shiritin e kapitenit”

Ishte një moment që mund ta menaxhonim më mirë lojën. Ai gol e ndryshoi pak iniciativën. Gjëra që ndodhin. Do ishte problem për cdo portier ai. Goditja ishte shumë e mirë. Topi mori një trajoktore tjetër dhe të kthehesha në anën tjetër ishte e pamundur.

Gjuajtja ishte shumë e fortë dhe ndodhi gjithcka shumë shpejt. Pas atij goli nuk kanë bërë asgjë më shumë, nuk kanë krijuar ndonjë rast. Te ne nuk ka asnjë problem me Hysajn. Është një lojtar dhe shoku im më i mirë“.

Rei Manaj.

Rëndësi ka që fituam. Ndihem fajtor që s’i shënova ato dy raste. Edhe fusha s’ishte aq ideale për një ndeshje me kaq rëndësi. Me 3-1 jemi të kënaqur. Me Sokolin kemi bërë gjithmonë mirë. Normalisht, do na duhen të gjithë futbollistët”.

Armir Abrashi-

Tashmë, kemi një finale me Bjellorusinë.Nuk e dija që e kisha kartonin e dytë të verdhë, megjithatë nuk ka problem se të tjerët janë gati dhe e di se do të fitojë. Me çdo lojtar luaj mirë, në pjesën e parë kishim shumë duele. Në pjesën e dytë, Gjasula ka kualitet e qetësi dhe jep mundësinë të jem më  ofensiv dhe kështu fitova edhe penalltinë. Pozicionin e pjesës së parë, isha para mbrojtjes, por në të dytën isha më ofensiv me futjen e Gjasulës dhe në këtë formë fitova dhe disa topa. Mund të kishim shënuar edhe ndonjë gol më shumë, megjithatë sërish në rregull me rëndësi fitorja

Filed Under: Featured Tagged With: albano kolonjari, Kazakistani, Shqiperia fiton

MIKLIMET N’EVROPË MBI SHTETET E BASHKUARA TË BIDEN-IT

November 15, 2020 by dgreca

Nga ANGELO PANEBIANCO/

E përktheu nga Corriere della Sera” Eugjen Merlika /

Përgjigje ende nuk ka. Por ndoshta, të paktën mund të hartohen pyetjet e drejta.

Çfarë pëfaqëson për ne evropianët kryesia Biden? Është faqja amerikane e medaljes dhe ajo evropiane. Bëhet fjalë, në rradhë të parë, të kuptohet nëse Administrata Biden do të ketë apo jo fuqinë për të qepur lidhjet ndëratllantike të shqyera nga kombëtarizmi trumpian. Nuk do të kishte vetëm pasoja për politikat e brëndëshme, por edhe për marrëdhëniet ndërkombëtare të Amerikës nëse, simbas shumë parashikimeve , Biden-i do të vërtetonte se do t’ishte një president i dobët, një mbret tra i hollë, i pazoti të përballë sa skajshmërinë e “radikalëve”(krahut skajor të së majtës) të partisë së tij, po aq sa dhe republikanët pro – Trump. Kush e di? Ndoshta parashikimet nuk do të dalin të sakta e Biden-i nuk do të shkojë të zgjasë listën e presidentëve të dobët të historisë amerikane. Ndonjë herë është detyra e marrë përsipër që i jep shtysën një njeriu. Në rradhë të dytë duhet të kuptohet se si do të zhvillohen marrëdhëniet ndërmjet Administratës dhe Kongresit. Parashikimi I përgjithshëm është për një polarizim politik – që nga një anë përsiat e nga tjetra ashpërson, polarizimi I shoqërisë amerikane – që do t’a bënte shumë të vështirë çdo lëvizje të Administratës. Ndoshta po e ndoshta jo. Nuk është e sigurtë se do t’ishte një dëm për Biden-in nëse republikanët do të ruanin kontrollin e Senatit ( varet nga votimi i dytë në janar në Gjeorgji). 

Nuk është e pamundur që republikanë të ndryshëm, mbas humbjes së Trump-it, të jenë të gatshëm të shkëputen nga qëndrimet e tij. Nëse, mbas pak kohësh, do të dëgjojmë Trump-in të shajë “tradhëtarët”, do të thotë se së paku një pjesë e republikanëve do të jetë ripozicionuar në pritje të një riorganizimi të partisë. Nuk duhet harruar se pavarësisht nga pasuesit e shumtë që ka, Trump-i është gjithsesi një i mundur (a do të kishtë qënë kështu pa Covidin?) dhe humbja shtyp e dobëson karizmën e humbësit. Në këto kushte, një kontroll republikan mbi Senatin dhe nevoja e traktativave të vazhdueshme ndërmjet Administratës e senatorëve republikanë do të mund të ndihmonin Biden-in t’a mbante drejt timonin e politikave të tij, duke mbajtur larg krahun e majtë të Partisë demokratike.

Në çdo rast, është e dukëshme që Biden sidoqoftë i leverdis Evropës. Do të mundohet të qepë marrëdhëniet ndëratllantike, duke filluar prej atyre mes Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë. Për një Evropë që edhe mbas aqë thirrjesh nuk është në gjëndje të kujdeset për sigurine e saj, ky sidoqoftë është një lajm i mirë. Por nuk duhen bërë shumë miklime. Lidhjet ndëratllantike janë të domosdoshme për Evropën por, me gjasë, nuk do të kenë më karakterin e dikurshëm. Është e vështirë që udhëheqja amerikane të jetë kaq e fuqishme dhe e efektëshme, siç ishte në kohën e luftës së ftohtë dhe ende më tepër, në periudhën “njëpolare” (dhjetëvjeçarët që pasuan fundin e Bashkimit Sovjetik).

Rënia relative e fuqisë amerikane (shprehje të së cilës, në mënyra të ndryshme, kanë qënë si presidenca Obama po ashtu si dhe ajo Trump) ndoshta mund të ngadalësohet nga Biden-i. Por është e pamundur të ketë ndryshim prirjeje. Kemi hyrë, për të qëndruar, në një epokë shumë polëshe: sot lëvizin në mënyrë të pavarur disa fuqi të mëdha e të mesme, siç nuk do të kishin mundur t’a bënin n’epokën e mbizotërimit amerikan dhe ushqejnë ëndrra rish-perandorake. Qepja e lidhjeve ndëratllantike, megjithëse e domosdoshme, nuk do të mjaftojë të sigurojë Evropën përballë belegëve e rreziqeve të shumëpolësisë së re.

Faqja tjetër e medaljes lidhet me atë që mund të bëjë në këto kushte Evropa. Mund të thuhej: mos pyet se çfarë mund të bëjë Amerika për Evropën. Pyet se çfarë mund të bëjë Evropa për vetveten dhe botën perëndimore në tërësinë e saj. Edhe këtu përgjigjet e mundëshme janë mjaft të ndryshme. Le të marrim vetëm temën e sigurisë. Ndjellamirët përfytyrojnë një Evropë që, e vetëdijshme për rreziqet dhe për faktin se një aleancë e ripërtërirë me Shtetet e Bashkuara, nuk do të mjaftojë për të garantuar sigurinë, do të rimarrë shpejt udhën e bashkimit politik, me të gjitha pasojat e nevojshme: edhe me themelimin e “aparateve” t’efektëshme evropiane të forcës që të përforcojnë ose t’i qëndrojnë krah për krah ndihmesës evropiane për NATO-n. Por sa realiste është shpresa e ndjellamirëve? Për shembull, cili politikan do të shkojë e t’u tregojë votuesve evropianë, duke mbajtur ndonjë shpresë t’arsyeshme për t’u rizgjedhur, se ata duhet të heqin dorë nga një pjesë e mirëqënies për të financuar “mbrojtjen evropiane”? Për më tepër: fuqia kryesore ushtarake e Evropës, Britania e Madhe, ka braktisur Bashkimin ndërsa Vëndi më i fuqishëm ekonomikisht, Gjermania, (mbas tre të katërtat të shekullit) nuk ka kaluar ende traumën e nazizmit e të luftës së Dytë botërore. Italia – Vëndi tjetër i mundur në luftë – nuk është më mirë. Mbetet vetëm Franca. Është i vetmi Shtet evropian – siç dëshmon prova e forcës me turkun Erdogan – i aftë t’i kundërvihet jo vetëm me lloqe kërcënimeve të mujsharëve. Ose që së paku përpiqet. Por nuk është realiste të përfytyrohet një Evropë që, në fushën e sigurisë të struket mbas Francës ose të pranojë me qejf një bashkëzotërim franko-amerikan. Mungojnë kushtet për të rigjetur, duke i a përshtatur kohëve, siç do të dëshëronte Macroni (por pa kundëramerikanizmin e de Gaulle-it) ëndrrën e lashtë goliste të një zotërimi francez mbi kontinentin e Vjetër.

Qepja e lidhjeve ndëratllantike i shërben përfytyresës ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara, sigurisë së Evropës edhe shëndetit të mirë të shoqërive liberale (perëndimore. Por nuk mjafton. Do të duhej edhe një përpjekje e Evropës që nuk duket se ka rezervat e nevojshme morale e psikologjike. Ngritja e problemit është e thjeshtë. Zgjidhja nuk është ashtu.

!Corriere della Sera”, 10 nëndor 2020      E përktheu Eugjen Merlika      

Filed Under: Analiza Tagged With: ANGELO PANEBIANCO, Eugjen Merlika, Fitorja e Biden, Miklimet

MË MIRË NJË FUND I ANKTHSHËM SE SA NJË ANKTH PA FUND

November 15, 2020 by dgreca

Shkruan:EUGJEN MERLIKA/

NJË  JETË  NË  DIKTATURË/

(Kujtime të një “armiku të klasës”)/

  “Ktu vaji e trishtimi/

Veç ndihet ndër shpija/

Ktu ndihet tingllimi /

I hekrave të mija/

E gjama e nji të shkreti/

Qi bjen vala e detit.”/

NDRE  MJEDA /

MË MIRË NJË FUND I ANKTHSHËM SE SA NJË ANKTH PA FUND/

Më 1974, në moshën tridhjetë vjeç, u martova me një vajzë të re që, kundra opinionit, pranoi të lidhë jetën me mua. Ajo sapo mbaroi atë vit shkollën e mesme dhe ne filluam jetën së bashku, në vështirësi për banesë, por me shpresë për një jetë më të qetë. Mendonim t’a ndërtonim atë jetë mbi frutin e djersës sonë të ndershme e, mbi të gjitha, të gjenim ngushëllim në harmoninë familjare. Mbaj mend vetëm një dhjetëditor të bukur në plazhin e Durrësit, pastaj retë e zeza e mbuluan, duke paralajmëruar shtrëngatën dhe një dimër të zgjatur pa fund.  

Me atë periudhë të vështirë lidhen dhe kujtimet e vajzës së xhaxhait që ne e kishim rritur në shtëpinë tonë dhe e kishim si fëmijën tonë. Ajo vazhdonte vitin e parë të gjimnazit në Lushnjë. Është e paimagjinueshme për botën e qytetëruar dhe aktualisht e pabesueshme dhe për rininë tonë, që një nxënëse në klasën e nëntë të përjashtohet nga shkolla vetëm sepse një shoqe e saj i kishte treguar në klasë një fletë reviste që paraqiste një femër në plazh me rroba banjoje! Ky ishte “sakrilegji”  që do të gjente si shkak këshilli pedagogjik e organizata e partisë për të këputur dëshirat e dy vajzave ende të parritura mirë, për të vazhduar mësimet. Kështu plotësohej “plani” i viktimave të luftës ideologjike e politike kundër “shfaqjeve të huaja”. Ky ishte versioni zyrtar i përjashtimit nga shkolla të Silvës. E vërteta ishte një tjetër, sa dramatike aq dhe e rëndomtë në sistemin kriminal në të cilin jetonim : Sigurimi i shtetit kishte dashur të bënte bashkëpuntore të saj Klorën, nënën e vajzës.  Kundërshtimit të saj për të bërë punën e spiunes ata i u përgjigjën me urdhërin e përjashtimit të vajzës nga shkolla. Ai urdhër u zbatua nga drejtuesit e shkollës, që merrnin mbi ndërgjegje një krim : atë të dënimit me mohimin e së drejtës për të vazhduar shkollën të një fëmije të pafajshëm. Do t’isha kurioz të di nëse i ka munduar ndonjëherë në vetvete ky fakt, apo është kaluar thjesht me justifikimin e zbatimit të një urdhëri që vinte nga organe që s’kishin asnjë lidhje me arsimin…..

Duhet të pohoj me sinqeritet se për mua qe një dhimbje e thellë kthimi i motrës tek prindërit e saj në Gradishtë e që në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare të kapte kazmën për të rrëmihur tokën e për të nxjerrë bukën e gojës. Mbaj mend se më shpëtuan lot nga sytë, kur shumë rrallë në jetën time prej burri, qoftë dhe në vdekjet, kam derdhur lotë.

Më 1975 filluan pushimet nga puna. Në kuadrin e luftës kundër burokratizmit, unë dhe shokët e mi, specialistë ndërtimi me kategori të lartë u kaluam në bujqësi si punëtorë fushe. Kjo ishte llogjika e Rrapi Gjermenit që, për të plotësuar numrin e “burokratëve” të hequr nga aparatet, simbas orientimit të Komitetit Qendror, fuste emrat tanë në listat e shkurtimeve. Dëmi ekonomik i

shtetit ishte i dukshëm. Ne kishim mbajtur peshë në brigadat e ndërtimit me punën tonë të ndërgjegjshme e të kualifikuar, dhe papritmas këto brigada cungoheshin. Vërejtjeve të personelit inxhiniero-teknik në këtë drejtim iu kundërvu “lufta e klasave” në emër të së cilës merreshin këto masa, e për të cilën askush nuk mund të kundërshtonte. Kjo ishte një nga të këqijat e vogla në krahasim me ato që na prisnin në vitet e ardhme.

Në mars 1975 u arrestua Kurt Kola, një mik i imi. Filloi ajo periudhë ankthi që zgjati plot gjashtë vjet. “Më mirë një fund i ankthshëm se sa një ankth pa fund”. Nuk më kujtohet tani se kujt i përkasin këto fjalë; por gjatë këtyre viteve unë dhe shokët e mi të kampeve, e sigurisht familjet e tyre, e kemi vërtetuar plotësisht saktësinë e shprehjes. Çdo tre muaj arrestohej njëri prej nesh, në sektorë të ndryshëm të fermës së Lushnjës ku ishim shpërndarë. Më duket se diçka më shtrëngon fytin e s’më lë të mbushem me frymë dhe tani që i kujtoj ato vite të llahtarshme. Çdo ditë kur niseshim për në punë përshëndeteshim në heshtje me njerëzit e shtëpisë se ndoshta nuk ktheheshim në darkë. Ishte një torturë cfilitëse mendimi se nga një çast në tjetrin do mund të të viheshin hekurat në duar, për të të shkëputur nga gjiri i familjes. Më e tmerrshmja ishte se nuk dije si t’i ruheshe së keqes. Proçeset bëheshin për agjitacion e propagandë, dhe ky përcaktim ishte kaq i gjërë, sa që mund të të fajësonin edhe pa hapur gojën fare, mjafton të shikoje me bisht të syrit një bukë të djegur apo një domate të kalbur në banakun e shitësit. Këtu gjenin terren të aktivizoheshin dhe fundërrinat e shoqërisë, njerëzit pa kurrfarë vlere veç poshtërsisë që, vullnetarisht, e vinin në shërbim të së keqes, për të mbjellë dëshpërimin e personave, të familjeve, të fëmijëve, të mbarë shoqërisë. Kishte mes tyre dhe shokë nga tanët, që i quanim njerëz të mirë, shokë të vuajtjeve që nga fëmijëria, njerëz që i respektonim, i prisnim e i shkonim në shtëpi, por që, fatkeqësisht, ishin kthyer në varrmihësit tanë. Provokatorët gjenin mënyrat më të ndryshme për të zbatuar  detyrat e tyre, e ne u kthyem në memecë. Çdo gjë për të cilën bisedohej, nga punimi i tokës, tek vegla e punës, tek brigadieri, tek muzika, tek filmi, tek mallrat e dyqaneve, shërbimet e ndryshme, gjithçka që thuhej futej në veprimtari armiqësore. Prandaj e vetmja bisedë pa zarar ishte sporti e veçanërisht futbolli, për të cilin diskutonim me orë të tëra, pa kaluar në tema të tjera që ishin bërë tabu të paprekshme. Nuk guxonim të dilnim në qytet se mos “binim në sy”. Ishte problem rasti i vdekjeve ose i dasmave në shoqëri, ku grumbulloheshin shumë njerëz, sepse një fjalë e thënë pa qëllim mund të raportohej brenda pak orëve e stërholluar nga disa persona.

Për vite të tëra nuk shkova njëherë me gruan në kinema. I shmangeshim takimit me shokët, vetmia e trishtuar ishte e vetmja gjëndje normale e jona. Ndiqnim me sy të zgurdulluar çdo gaz që kalonte rrugës e sidomos targat 6701 e 6702 të cilat ishin bërë për ne si kuçedra që përpinin njerëz. Ankthi përpinte gjithë sektorin kur vinin ata me oficerët e Sigurimit brenda. Kush e kish rradhën sot? Kjo pyetje si një varré binte mbi trurin e secilit dhe vetëm kur largohej makina, lirohej frymëmarrja. Gjëndja bëhej tragjikomike po të merrej parasysh se secili e kishte atë ankth në shpirt e nuk guxonte t’ia shprehte askujt, as shokut përbri, as familjarëve vetë… Ndërkaq muajt e vitet kalonin duke gllabëruar në burgun e zi shokët tanë me radhë. Mbas Kurtit, Ahmeti, Eqeremi, Qemali, Fatmiri, Naimi, Mojsi, Deda, Leka…

Tashmë ankthi kishte marrë një tjetër formë torture. Frikës së arrestimit i shtohej presioni shkatërrues në të gjitha format, për t’u degjeneruar e për t’u bërë bashkëpunëtorë në krim, për të spiunuar dhe akuzuar shokun, mikun, deri dhe njeriun e afërm të gjakut. Ishte veprimtaria e Sigurimit të Shtetit, e njerëzve zotër të këtij vendi, që gëzonin të gjitha privilegjet, i shërbenin me zell këtyre privilegjeve dhe atyre që ua kishin dhënë. Përballimi i luftës me ta kërkonte gjakftohtësi, përvojë, vendosmëri, e mbi të gjitha karakter të fortë. Njerëzit me karakter të dobët u dorëzuan në këtë luftë, për t’i shpëtuar së keqes së tyre projektuan shkatërrimin e shokut, burgosjen e tij. Ishte një luftë e ashpër që i bëhej  ndërgjegjes së njerëzve, ishte përpjekja për të shkatërruar në themel gjithçka pozitive kishte shpirti i shqiptarit, e në rradhë të parë besën e mikpritjen. Ishte një tërmet që lëkundte themelet e kombit e krijonte një çarje vertikale që shkonte deri në thellësi të ndërgjegjes. I hiqej karakterit kombëtar ajo forcë që e kishte bërë të përballonte furtunat e historisë së bashku, mbillej përçarja, urrejtja, lufta mes njëri-tjetrit.

Këtë trysni, që për vite me rradhë kushtëzoi qënien time, vendosa ta shmang me një vendim skajor: të pranoj arrestimin dhe pasojat e tij për veten dhe familjen. Lija në shtëpi tre pleq, gruan dhe dy vajza të vogla. Në dorën e Zotit!

Arrestimi u krye më 25 Prill 1980, në punë. Erdhi Gazi i Degës me gjashtë veta, oficerë dhe policë. Ende sot ato gra lushnjare që punonin aty në stallat e Institutit e kujtojnë atë skenë. Shefi i sigurimit Kosta Ndini më pyeti: “Ti je nipi i Mustafa Krujës?”. Përgjigjes time pohuese ia ktheu me formulën e zakonshme: “Në emër të popullit je i arrestuar”. Tani që sjell para syve të mendjes atë çast fatkeq, më kujtohet shprehja e famshme e zonjës Roland para gijotinës: “Popull! Sa krime bëhen në emrin tënd!..”

Mbas arrestimit u paraqita te hetuesi. Ky ishte një djalë i ri nga Skrapari. Hetuesinë me të e kalova mirë. Ndryshe nga shumë shokë të mij që i urrenin hetuesit e tyre, unë për Bashkim Cakën nuk kam as zemërimin më të vogël; nesër po ta takoj mund të rri me të e të pi ndonjë gotë birrë.

Tensionit të ditëve të para për akuzën, i zuri vendin zhgënjimi i plotë kur mora vesh se shoku im i ngushtë ishte akuzuesi kryesor për krimin tim të “agjitacionit e të propagandës, për minimin e rrëzimin e pushtetit popullor”.

Si një film më kalonte para sysh jeta jonë. Njohja jonë datonte para më shumë se një të katërt shekulli. Kishim qenë bashkë shokë klase që në të parën gjimnaz, shokë vuajtjesh në të njëjtat kushte të internimit. Kishim ndarë bashkë kafshatën e gojës, gëzimet dhe hidhërimet. Me të vërtetë rrugët tona u ndanë, sepse ai u bë arsimtar dhe vazhdoi universitetin me korrespondencë, ndërsa unë u bëra murator dhe s’pata mundësi të vazhdoja shkollën e lartë. Por ne mbetëm shokë, miq. Nuk kishte tavolinë që të shtrohej në shtëpinë time pa praninë e tij. Unë nuk dyshoja se mbas sjelljes së tij prej Urjah Hipi fshihej pabesia, nuk mund t’a merrnja me mend se shoku im e ngrinte ndërtesën e pozitës së tij shoqërore si arsimtar mbi gërmadhat e fatkeqësisë sime apo të shokëve të tjerë. Kur ishte ai ushtar unë sa herë e pata ndihmuar, isha pranë tij në fatkeqësinë e burgosjes së të atit. Ai ishte i zgjuar, me kulturë, plot mirësjellje e dhembshuri me njerëzit e familjes sime; si kishte mundësi të më groposte mua? Në emër të çfarë ideali arrinte ai në këtë humnerë shoqërore, si flinte i qetë në shtratin e tij bashkëshortor? Si i duronte shikimet e pafajshme të vogëlusheve të mia? Si mund të dilte para nënës sime, për të cilën thoshte se kishte shumë respekt? A ekzistonte Ferri i Makbetit për tipa të tillë?

Grabian, qershor 1990

Vijon

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Fund i ankthshem, se nje ankth pa fund

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT