• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2020

Spastrim etnik pa pikë gjakimi në Luginën e Preshevës

December 22, 2020 by dgreca

Nga Akri Çipa*/

Me përjashtime të vogla, dy dekadat e fundit e kanë gjetur Luginën e Preshevës të harruar në politikat e shteteve shqiptare. Përballë kësaj indiference, rreth 80 mijë shqiptarë autoktonë janë përballur dhe vazhdojnë të përballen me forma të ndryshme represioni, mungesë investimesh dhe një perspektivë pesimiste për të ardhmen.

Përtej gjesteve simbolike, shumë pak kohë është shpenzuar nga dy shtetet shqiptare për të ravijëzuar një politikë koherente në lidhje me Luginën. Autoktonia dhe prezenca e shqiptarëve aty është përpjekur të luftohet me gjithfarë mjetesh nga institucionet qendrore serbe, duke filluar nga anashkalimi i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në projektet zhvillimore ekonomike, deri në përdorimin e mjeteve burokratike për të anormalizuar jetesën e shqiptarëve në shtëpitë e tyre. Sot, Lugina e Preshevës është nga zonat më të prapambetura ekonomike në Serbi. Përtej elementeve bazike, banorët nuk mund të marrin shërbime mjekësore përveçse duke udhëtuar dhjetëra kilometra, kryesisht në qytetin e Nishit. Investimet në arsim janë inekzistente.

Si një pjesë integrale e kombit shqiptar dhe si përjetuesit më të mëdhenj të diskriminimit shtetëror serb, shqiptarët e Luginës së Preshevës meritojnë një vëmendje më të madhe institucionale si nga Shqipëria, ashtu edhe nga Kosova. Kohët e fundit ka pasur mëtime për ta ndrequr këtë gabim.

Për fat të keq, opinioni publik shqiptar u kujtua për shqiptarët e Luginës vetëm kur kjo e fundit u bë subjekt i diskutimeve për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si pjesë e një marrëveshjeje hipotetike për të zgjidhur konfliktin ndërmjet tyre. Megjithatë, përtej kësaj hipoteze që u refuzua forcërisht, ka pasur rishtazi një sërë përpjekjesh për ta riparë qasjen e Shqipërisë dhe Kosovës.

Ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj, pati një rol aktiv në përbashkimin e entiteteve të ndryshme politike në Luginën e Preshevës përgjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare në Serbi. Në të njëjtën kohë, si Ministri Cakaj, edhe Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, kanë ngritur si çështje format më të targetuara dhe eksplicite të diskriminimit shtetëror ndaj shqiptarëve në Serbi. Në takimin e përbashkët të qeverive më 2 tetor, Shqipëria dhe Kosova u dakordësuan për ngritjen e fondit të përbashkët në mbështetje të Luginës.

Këto hapa janë të nevojshëm dhe duhen përshëndetur si një moment i ri. Por është e dukshme që këto përpjekje duhen shumëfishuar dhe thelluar nëpërmjet një qasjeje më të gjerë dhe afatgjatë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi dhe për faktorizimin e tyre.

Një nga shfaqjet më problematike të diskriminimit shtetëror serb është fshirja e adresave të vendbanimeve të shqiptarëve në Luginë. Nëpërmjet verifikimeve jo transparente dhe tendencioze, institucionet serbe kanë shfrytëzuar ligjin për vendbanim dhe vendqëndrim për të pasivizuar adresat e përhershme të vendbanimit. Kjo ka sjellë “zhdukjen” nga regjistrat e Luginës të qindra e mijëra shqiptarëve.

Duke pasivizuar adresat e vendbanimeve, Serbia po shkel në mënyrë flagrante të drejtat themelore të shqiptarëve në Luginë duke iu pamundësuar atyre marrjen e letërnjoftimeve të reja, marrjen e shërbimeve mjekësore ose asistencave sociale. Në mënyrë të përçudnuar, institucionet serbe po i shndërrojnë këta subjekte në qytetarë të dorës së dytë duke iu hequr të drejtën e votës. Përmes proceseve burokratike dhe diskriminimit sistemik, shteti serb është duke realizuar, pa zhurmë dhe pa derdhur asnjë pikë gjak, një spastrim të mirëfilltë etnik në Luginën e Preshevës.

Ngritja e fenomenit malinj të pasivizimit të adresave në raport me komunitetin ndërkombëtar është tejet e nevojshme. Ministritë e Jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës kanë gjetur në këtë drejtim një konsistencë vokale. Megjithatë, kjo problematikë dhe simotrat e saj nuk ekzistojnë në vakuum. Ato janë produkt i institucioneve dhe politikave shtetërore të Serbisë. Pikërisht për këtë arsye, këto çështje duhen ngritur në nivelet maksimale edhe në kontaktet bilaterale me Serbinë.

Për Shqipërinë është e pafalshme që të mos ngrihet në nivel institucional ky shqetësim me palën serbe. Kjo mungesë bëhet edhe më e theksuar duke marrë parasysh intensifikimin e kontakteve ndërmjet dy shteteve në vitet e fundit – edhe për hir të platformave rajonale që po synohen. Raportet e Shqipërisë zyrtare me Serbinë nuk mund të anashkalojnë politikat e jashtme destabilizuese të Serbisë ndaj fqinjëve dhe politikat e brendshme diskriminuese ndaj shqiptarëve.

Kosova, nga ana e saj, duhet t’i ngrejë shqetësimet për Luginën e Preshevës në të njëjtin nivel me shqetësimet e presupozuara nga Serbia për pakicën serbe në Kosovë. Kjo do të thotë që Lugina të imponohet si një pikë diskutimi në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Përballë këmbënguljeve malinje të palës serbe për Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe, përfaqësuesit e Kosovës duhet të bëjnë të qartë se detyrimet e Serbisë ndaj minoritetit shqiptar janë po aq substanciale sa ato të Kosovës ndaj minoritetit serb. Nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet asnjë lloj bishtnimi ndaj këtyre përgjegjësive.

Është e rëndësishme që nëpërmjet një qasjeje të re nga Tirana dhe Prishtina zyrtare të motivohen dhe përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës për një ndërgjegjësim më të madh dhe aktivizëm të shtuar. Kjo nënkupton kontakte të shumëfishuara me Këshillin Kombëtar Shqiptar, institucionin e vetëqeverisjes së komunitetit shqiptar në Serbi. Hapja e degës së Këshillit në Medvegjë, me mbështetjen e autoriteteve të Shqipërisë, është një fillim i mirë, por sigurisht jo i mjaftueshëm.

Së treti, është e nevojshme që Shqipëria dhe Kosova të formojnë një strukturë të posaçme për të bashkëvepruar dhe mbështetur shqiptarët e Luginës së Preshevës. Në takimin e përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës në tetor të këtij viti, Kryeministri Hoti njoftoi krijimin e një zyre për Preshevën në varësi të tij. Normalisht një pozicion i tillë në varësi të Kryeministrisë ka më shumë vizibilitet. Megjithatë, do të ishte e udhës që një zyrë e tillë të hapej nga Ministria e Jashtme dhe të shndërrohej në një strukturë të qëndrueshme institucionale. E njëjta strukturë duhet të ngrihet edhe në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë ose, edhe më mirë akoma, ajo mund të konceptohet si një iniciativë e përbashkët e dy Ministrive të Jashtme.

Fondi i përbashkët për Luginën, i dakordësuar nga Shqipëria dhe Kosova, mbetet modest në vetvete. Të dy shtetet, në bashkëpunim edhe me diasporën, kanë mundësi për ta rritur shumë më shumë kontributin e tyre. Kjo mbështetje duhet të fillojë nga elementët më bazikë në arsimin shqip, median dhe aktivitetet kulturore, për t’u zgjeruar më pas me pak vullnet dhe koordinim me përfaqësuesit lokalë në fusha të tjera zhvillimore.

Nëpërmjet tre rrugëve – intensifikimit të marrëdhënieve me vetë përfaqësuesit dhe strukturat lokale, reagimit në rrugë zyrtare ndaj Serbisë për politikat diskriminuese dhe ndërkombëtarizimit të formave të diskriminimit shtetëror serb – mund të rikonceptualizohet roli i Luginës. Lënia në harresë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës pas luftës në Kosovë është një mëkat i madh që nuk duhet të rëndojë më mbi politikëbërësit shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë. 

Shkrimi është publikuar fillimisht në Sbunker.

  

Filed Under: Analiza Tagged With: Akri Cipa, Lugina e Presheves, Spastrimi Etnik

Vizita e Vjosa Omanit në Shqipëri tkurri hovin e politikes qyqare në të dy shtetet!

December 22, 2020 by dgreca

Reagim- Vizita e Vjosa Omanit në Shqipëri  tkurri hovin e politikes qyqare në të dy shtetet!/

lu 1

Shkruan  Luan ( Asllan) Dibrani/

Gazetarët arrogant të pa cipë, të pa formuar mirë  më kanë irrituar gjithmonë duke më shqetësuar deri në atë masë që të reagoj  publikisht kundër tyre ,prandaj edhe këta  tipat me paraqitjen  e tyre kundër Vjosa Osmanit me rastin e vizitës së saj në Shqipëri.

FOTO/ Vjosa Osmani nis vizitën zyrtare në Shqip� - Syri | Lajmi i fundit

Kjo vizite dhe diskutimi i saj javën qe po  e leme pas,  hapi debate  të shumta  andaj  në  Shqipëri,Kosovë  e ma gjerë. Kujtojmë se pas vizitës së saj në Tiranë, ku u injorua nga kryeministri Edi Rama dhe disa  zëra qeverisës ,aty  krah tyre me kritika  boshe dolën edhe disa gazetar ,deputet të Kosovës dhe shërbëtoret e politikes qorre mbi 30 vjeçare në të dy shtetet ,qe i sollën vendeve tona paqartësi  pa vizion ,varfëri ,kriminalitet  dhe anarki !.

Zëri i disa gazetare kundër Vjosa Osmanin siç janë  Mero Baze (Gazeta Tema) Frrok Çupi , Dritan Hila, Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu,Bajram Gecaj i PDK-së  etj  e quan  “jeniçere,fyese,te pa ditur,jo mirënjohëse,zjarrvënëse,tradhtare,argate e Albin Kurtit etj.  Përmes opinionit te tyre thuhet se Kurti dhe Osmani “janë jeniçerë” të cilët po bëhen të famshëm duke sulmuar politikën e Tiranës.

Vjosa Osmani  e gjykoj indiferentizmit  te Shqipërisë për shumë vite ndaj Kosovës dhe  neglizhencën qe kanë praktikuar te dy qeveritë  në të kaluarën për shume tema por edhe për gjenocidin serb  në Kosovë…

– Jo zoti Mero, Frrok Çupi , Dritan Hila, Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu –Bajram Gecaj i PDK-së  etj, thellohuni pak në filozofinë e politikes se kaluar të boshllëkut  dhe indiferentizmit  te Shqipërisë për shumë vite ndaj Kosovës ,po edhe ndaj vetvetes ,prandaj zonja Vjosa Osamani  shprehi  mospajtimet e saj  me politiken shumë vjeçare si të Shqipërisë ashtu edhe të Kosovës,  gjë qe shpalosi dhe kritikoj  neglizhencën qe kanë praktikuar te dy qeveritë  në të kaluarën për shume tema por edhe për gjenocidin serb  në Kosovë..

Ajo nuk  gjykoj vetëm politiken  e Shqipërisë ne raport me ndërkombëtarizimin e Kosovës qe te radhitet përkrah popujve të lirë e të barabartë në organizatat ndërkombëtare si në OKB, në UNESCO, në INTERPOL dhe institucione tjera qe Kosova mbeti vendi ma i izoluar në botë ,po gjykoj drejt  me fakte edhe Kosovën me qellim te krijimit të një uniteti me një zë pran faktorëve ndërkombëtar. 

Vjosa Osmani është mike amerikane dhe bashkëpunëtore  e tyre për  interesin  kombit për ta lëvizur  politiken  e pluhurosur  te Shqipërisë dhe te Kosovës.

Mero Baze dhe ju te tjerë sa premtimet iu dhanë Kosovës për  liberalizimin  e vizave  me mashtrimet  e Evropës, madje  edhe duke iu dhuruar  dhurata .Dëshmia ma e mirë është dhe ma  e freskët  tkurrja  e  kufijve në mes Kosovës dhe Malit te zi ,po ashtu në mes Kosovës dhe Maqedonisë!!! Sot akoma  kosovarët janë pa viza?

Shtrohet pyetja sa beri presion Shqiperia në faktorët ndërkombëtar, qe kjo gjë të riparohet politikisht,kur dihet qe standardet janë plotësuar !. Tutje, gazetari Bazo thotë se Shqipëria që nga vitet e 90’ta nuk ka lënë asgjë pa bërë për të mirën e Kosovës. Ndërsa sjellja e Osmanit është fyese ndaj Shqipërisë dhe mosmirënjohje e madhe. Ka gjithnjë politikanë në Kosovë që duan të bëhen të famshëm duke sulmuar politikën e Tiranës. Është një lloj kompleksi i viktimizimit të tyre, duke dashur të shpjegojnë dështimet e tyre me politikën e Shqipërisë, dhe jo me problemet e Kosovës. Zoti Mero ,Zonja Osmani nuk donë te bej karrierë sipas opinionit tuaj se ajo ma e ka krijuar karrierën dhe  është një  figurë nder ma te mirat qe njeh kombi i ynë. Ka studiuar në SHBA. Vjosa Osmani është mike amerikane dhe bashkëpunëtore  e tyre për  interesin  kombit për ta lëvizur  politiken  e pluhurosur  të Shqipërisë dhe të Kosovës. 

Kritikën e saj mos e  merrni si fyes, por mesazh si të veprohet në politiken e jashtme, te të dy vendeve drejt daljes nga  varfëria  për një prosperitet ma te mire  e jo te boshatisen vendet tona nga  rinia dhe shtresat intelektual duke u tretur në mërgim…    

Vjosa Osmani nuk ka pse të shqetësohet prej epiteteve dhe etiketave bosh të këtyre zërave shërbëtor e një politike ditore dhe të degraduar politikisht e kombëtarisht . Ata thjesht i shërbejnë me zellin e mercenarit padronit të tyre Edi Ramës, po edhe njerëzve si Isa Mustafes në Prishtinë  etj .

Zonja Osmani ne diskutimin e saj  në Kuvendin e Shqipërisë mbrojti UÇK-në dhe gjykoj  gjenocidin serb  ,qe shkaktoi ideologjia çubrilloviçiane – milloshoviçiane dhe se fundi vuçiçane.

Zonja Osmani beri kërkesën me burrërore qe një politikan Shqiptar ka pasur kurajën te veje në dukje qe nga çlirimi i Shqipërisë ne 1912. PARLAMENTI SHQIPTAR ka detyre vëllazërore , morale , dhe historike qe ta mbështesë deri ne presjen me te fundit  kërkesën  e zonjës Vjosa Osmanit. Qe  30 vjet  polik shterpe  e Kosovës dhe Shqipërisë nuk dha përgjegjësi as kush nga kriminelet serb, me përmasa gjenocidi ,qe shkaktoi ideologjia çubrilloviçiane-milloshoviçiane- dhe se fundi vuçiçane.

 Vjosa Osmani, beri kritiken e vet ndaj Gjykatës Speciale, qe po e dëmton imazhin UÇK, për disa njerëz të shtabit të përgjithshëm që janë shumë të rëndësishëm simbolikisht dhe funksionalisht. Ajo tha se  duhet që Shqipëria të luajë rolin e vet. Të bëjë atë rezolutë minimale të njohjes së gjenocidit serb. E treta tha që minishengeni është bërë gabim. Shtrohet pyetja  çka ka te hedhet poshtë këtu  ne këto parime leksionesh  kombëtare qe iu trasoj një politikane kosovare për tu zgjuar nga gjumi? 

Dritan Hili gazetar thekson “ nuk ka qasje më të gabuar se të futesh në analizën e politikave të brendshme të një shteti, nëse nuk jeton aty”. Nuk ka politike më të gabuar sesa të përpiqesh të imponosh sjelljen e një shteti tjetër, çfarëdo marrëdhënie të kesh me të. Të dyja të çojnë në qorsokak. Të dyja këto gabime i bëri presidentja në detyrë e Kosovës, OsmaniI reagoj edhe Dritan Hilit, se  Vjosa Osmani nuk erdhi vizitë në Shqipëri për përçarje,po erdhi tu mësoj dhe shtyje drejt një uniteti kombëtar.

Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit i frikësohet njerëzit e  zhvatjes, kriminalitetit ,anarkisë,hajnisë e korrupsionit!!!…

Përfshirë edhe Kurtin që ka bërë një vrime në ujë në të gjitha kauzat e tij. Tani duke u kthyer në Shqipëri, dhe tek vizita e Osmanit, rishtas kemi një qasje përçarëse. Te dy figurat po neperkemben nga kjo klase politike  gazetareske ,po edhe nga  disa politikaj qe fatkeqësisht gjenden ne ato pozicione .Vetëvendosjes po i frikësohen  te dy qeveritë  në Kosove  e Shqipëri. Me te drejt  e kanë ketë shqetësim se Vetëvendosja do te vije dita qe  do ti thyej këto barriera  të koordinuar në demin e popullit tonë  si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë  kundër vlerave tona kombëtare. Zonja Vjosa Osmani,vazhdo  je personaliteti ma i veçanet ,ma i shkëlqyer ,zërat  e tille jemi mësuar ti dëgjojmë gjithmonë  prandaj  koha është për  zgjuarje  e jo zhvatje, kriminalitet ,anarki,hajni e korrupsion!!!… 

Filed Under: Analiza Tagged With: Luan Asllan dibrani, vizita ne Shqiperi, Vjosa Osmani

Kriset dialogu me Serbinë, minishengeni ballkanik thembra e Akilit për Kosovën

December 22, 2020 by dgreca

Nga Eneida Jaçaj/ Po ndodh ajo që fatkeqësisht me shumë gjasa pritej! Dialogu Kosovë-Serbi, i iniciuar në Uashington më 4 shtator, dhe i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, parimisht shpresohej se do të sillte paqe dhe normalizim mes dy vendeve, duke i hapur dritën jeshile bashkëpunimit ekonomik. Gjithsesi, pavarësisht përpjekjeve të SHBA dhe BE për të vendosur ura bashkëpunimi mes dy shteteve, diaologu është parë edhe me hije dyshimi, pasi Serbia nuk e njeh Kosovën. SHBA-BE menduan t’i drejtojnë vendet drejt një marrëveshjeje ekonomike, e cila më pas mund të konkretizohej edhe me njohjen e Kosovës, nga Serbia. 

Por, gjatë këtyre ditëve ka patur përplasje deklaratash mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti, ka thënë se nuk do të ketë marrëveshje pa njohje reciproke, ndërsa kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, i është përgjigjur se, sa të jetë ai në qeverisje nuk do e njohë Kosovën. Këto përplasje në distancë dëshmojnë se dialogu Kosovë-Serbi po kriset dhe nuk do të ketë të ardhme. Situata është acaruar fill pas akuzave ndaj luftëtarëve të UÇK për krime njerëzore. Por ajo çka është më e rëndësishmja për t’u theksuar në gjithë këtë kakofoni mendimesh e qëndrimesh është minishengeni ballkanik, që mbetet të jetë thembra e Akilit për Kosovën. Krerët më të lartë të shtetit kosovar po kërkojnë me çdo kusht njohjen e Kosovës nga Serbia, në një kohë kur ende qëndron në këmbë projekti për minishengenin ballkanik. Pse i druhet Kosova minishengenit ballkanik dhe pse lidhet kaq ngushtë njohja e Kosovës me ketë projekt?

Minishengeni ballkanik

Liderët e Kosovës po këmbëngulin që dialogu me Serbinë që të ketë ecuri, duke realizuar të gjitha pikat e marrëveshjes, duhet që Serbia të njohë me patjetër pavarësinë e Kosovës. Përpos faktit që Kosova është në të drejtën e saj, në fakt në këtë rast i intereson njohja e Kosovës nga Serbia, pasi lidhet direkt me minishengenin ballkanik. 

Kujtojmë se në vitin 2019, kryeministri Edi Rama së bashku me kryeministrat e Serbisë, Maqedonisë së Veriut arritën në Ohër një marrëveshje për projektin e minishengenit ballkanik, i cili konsiston në lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve. Projekti ka për qëllim bashkëpunimin rajonal meqenëse Bashkimi Europian po vonon integrimin. Kosova nuk u përfshi në këtë marrëveshje mes vendeve të rajonit, u la në hije, pasi Serbia por edhe Bosnja-Hervegovina nuk e njohin Kosovën, dhe nuk mund të ketë projekt kur shtetet janë në konflikt me njëri-tjetrin. 

Kryeministri Abdullah Hoti por edhe ish-Presidenti Hashim Thaçi, e kanë kundërshtuar këtë projekt, me argumentin se do të risjellë minijugosllavinë, pasi Serbia e ka tregun më të zhvilluar dhe do të kontrollojë tregjet e vendeve të tjera të rajonit. Por kjo është një deklaratë që bëhet në kushtet kur Serbia nuk po e njeh Kosovën, dhe kjo e fundit nuk mund të bëhet pjesë e projektit, me të drejta të barabarta në aspektin e bashkëpunimiyt ekonomik rajonal. Pra, me pak fjalë, Kosova dëshiron të bëhet pjesë e këtij plani, por së pari duhet të njihet nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina. Këtë e ka konfirmuar vetë Hashim Thacci, se Kosova është e gatshme të bëhet pjesë e projektit, por fillimisht duhet njohja nga Serbia. Dhe kjo është arsyeja përse po këmbëngulet për njohjen e Kosovës, pavarësisht akuzave tensionuese ndaj projektit nga liderët e Kosovës. Kryeministri Edi Rama e vlerëson si projekt, por ka mbetur në udhëkryq pasi nëse nuk përfshihet edhe Kosova, do të bëjë figurë të keqe para shqiptarëve të Kosovës. Nga ana tjetër, Vuçiç pati deklaruar se Rama nuk është gati, pasi ndihet në presion nga liderët e Kosovës. Sigurisht që Serbisë i intereson zbatimi i këtij projekti pa përfshirjen e Kosovës, duke zhvilluar dhe zgjeruar tregun ekonomik të saj, në raport me tregjet e tjera të rajonit. 

Vjosa Osmani

Minishengeni ka ashpërsuar marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, dhe kjo u dëshmua edhe me vizitën e Presidentes në detyrë, Vjosa Osmani, në Tiranë, e cila shkoi për t’i dhënë një shuplakë Ramës. Ajo i kërkoi Ramës miratimin e një rezolute që dënon genocidn serb ndaj popullit të Kosovës. Por kjo kërkesë e saj erdhi si një provokim për të parë sesa i gatshëm është Rama të dalë kundër Serbisë, në një kohë kur ende flitet për marrëveshjen e Ohrit, minishengenin ballkanik, pasi Shqipëria ka miratuar disa rezoluta ndër vite për dënimin e genocidit serb ndaj popullit të Kosovës.  Dhe sigurisht Kosovës nuk i intereson që vendet e tjera të rajonit të bashkëpunojnë ekonomisht, dhe ajo të lihet jashtë. Në këto kushte, ekspertë të çështjeve ekonomike mendojnë se kjo nismë paraqet improvizim politik përderisa Kosova nuk trajtohet aty e barabartë për shkak se nuk njihet nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina. Megjithatë do të ishte një projekt shumë pozitiv për rritjen e bashkëpunimit rajonal, duke përfshirë edhe Kosovën. Shpresojmë të ndodhë kështu, megjithëse njohja e Kosovës nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina duket shumë larg, mbase edhe e pamundur! 

Filed Under: Politike Tagged With: Eneida Jaçaj, Kriset dialogu me Serbine, Minishengeni

Palath, pelazg, e bardhë

December 22, 2020 by dgreca

Astrit Lulushi

NGA ASTRIT LULUSHI/

Për origjinën, kur shkenca ngec, bibla merret si pikë fillimi, dhe pastaj historia bëhet e ngatërruar. Konflikti i Adamit dhe Evës me Satanin është një vepër e krishterë e shekullit të 6-të, e përkthyer nga një origjinal arabisht. Nuk bën pjesë në kanunin e ndonjë kishe. Libri, së pari u përkthye në gjermanisht nga ku u përkthye në anglisht, dhe fillon menjëherë pas dëbimit nga Kopshti i Edenit dhe përfundon me testamentin e përkthimin e Enokut. Theks i madh është vendosur mbi hidhërimin dhe pafuqinë e Adamit në botën jashtë kopshtit, ku Gjarpri i ndëshkuar përpiqet të vrasë Adamin dhe Evën, por parandalohet nga Zoti, i cili përsëri e ndëshkon Gjarprin duke e bërë atë memec. Satani gjithashtu përpiqet të mashtrojë dhe të vrasë Adamin dhe Evën disa herë. Por Zoti i shpëton dhe e krahason këtë ngjarje me Ringjalljen e ardhshme të Krishtit. Kaini vrasësi i parë, përshkruhet si tepër ‘i keq’. Pasardhësit e tij bëhen Nefilimë – (të parët), “njerëzit e fuqishëm” të Zanafillës.
Zoti parashikon edhe disa ngjarje të tjera biblike në të ardhmen, përfshirë Noen dhe përmbytjen e madhe. Pasardhësit e Noas themeluan nga një komb, dhe secili komb formoi gjuhën e vet. Konfuzioni ndodhi në kohën e Pelegut, birit të Eberit, që ishte biri i Semit, birit të Noes. Pelegu ishte i pari i Pellazgëve, i cili fillimisht u vendos poshtë malit Ararat, vend pushimi mitik i Arkës së Noes, siç përmendet në Librin e Zanafillës.
Është pranuar se Pellazgët ishin paraardhësit e lashtë të fiseve proto greke. Herodoti dhe autorë të tjerë antikë tregojnë që Pellazgët erdhën përpara se Grekët të vendoseshin në Greqi, Azinë e Vogël dhe në shumë pjesë të Italisë. Me emrin e Pellazgëve në kohërat antike u quajt Gadishulli i Peloponezit, dhe ndoshta kulti i perëndeshës Athena-Pallada, nga vjen fjala “Palladium”, imazhi prej druri i një perëndeshë. Qyteti që zotëronte palladiumin konsiderohej të ishte nën kujdesin e perëndeshës. Rreth palladiumit, që ruhej në Trojë, ekzistonte një legjendë që ai ra nga qielli. Pasardhësit e Eneas e sollën atë në Romë dhe që atëherë palladiumi u mbajt në tempull. Hesiodi thotë se Enea ishte një paraardhës i Adriatikut Veneti (Heneti) në Etruria. ‘Pelasg’ vepron si përfaqësues i popullsisë autoktone të Italisë. Është e mundur që një pjesë e Pellazgëve, gjatë zhvendosjes, të kenë shkuar fillimisht në Arkadia dhe prej andej në Itali. Kjo u dha shkas autorëve të mëvonshëm t’i thërrisnin me një emër të ri Pellazgët italianë – Arkadët. Është gjithashtu domethënës, për shembull, që emrat e popujve baltikë të Letonisë, Lituanisë dhe popullit të Italisë – Latinët kanë të njëjtën rrënjë – Lat, duke ruajtur lidhjen me emrin antik të Pellazgëve (Palathi)
Etimologjia e emrit “Pellazg” është e ngjashme me shqipen e “bardhë”, me të njëjtin përkthim ruajtur në kuptimin origjinal në gjuhët latine dhe balto-sllave. Krahaso baltas (lituanisht) – beliy (rusisht) – do të thotë ‘e bardhë’, balts (letonisht) – do të thotë ‘e bardhë’, blanc, alba (latinisht) – do të thotë ‘e bardhë’.
E njëjta origjinë, që do të thotë ‘e bardhë’ është termi ‘Baltika (Baltik)’ – përmes formës më të lashtë ‘Plada’, që rrjedh nga etnonimi – Palathi (Pellazgë). Gjithashtu në kufirin me Lituaninë dhe Letoninë janë edhe Bjellorusët, në etnogjenezën e të cilëve morën pjesë edhe fiset Balltike. Nuk është rastësi që një nga emrat historikë të Bjellorusëve ishte Baltorusët, që do të thotë ‘rusë të bardhë’. Pasardhësit e Pellazgëve ose të lidhur me Pellazgët, mund të jenë shfaqur në Shtetet Balltike në 1300 – 1200 para erës sonë, pasi morën pjesë në Luftën e Trojës. Pellazgët luftuan në anën e Trojanëve dhe pas disfatës, një pjesë e tyre, si Lelegët, Brezhanët, Dardanët, Veneti, etj., të kryesuar nga Enea migruan nga Troja në Itali, duke sjellë këtu emrin e etruskëve (Etruria).

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, e bardhë, Palath, pelazg

MBI 250 MJEKË SHQIPTARË NË ZVICËR TË PËRFSHIRË NË BETEJËN NDAJ CVODI-19

December 22, 2020 by dgreca

MBI 250 MJEKË SHQIPTARË NË ZVICËR TË PËRFSHIRË NË BETEJËN NDAJ CVODI-19

Dr. Faton Zeneli, mjek i Kirurgjisë Abdominale në Spitalin e Sankt Gallenit në Zvicër rrëfen ekskluzivisht për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, situatën e pandemisë në Zvicër dhe gjëndjen e shqiptarëve në shtetin helvet. Sipas dr.Zenelit janë më shumë se 250 mjekë shqiptarë që janë angazhuar në frontin e “luftës” në betejën ndaj Covid-19. Me Dr. Faton Zenelin bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

SITUATA E COVID-19 NË ZVICËR

Si çdo vend tjetër edhe Zvicra po ballafaqohet me pandeminë globale Covid-19. Duke patur parasysh valën e parë të pandemisë, e cila ishte më e lehtë, falë masave që  ndërmori Shteti i Zvicrës, vala e dytë disi filloi me një hov më të madh përhapje. Se çfarë po ndodh aktualisht në Zvicër, dimë që diku mbi 80% të Terapive Intensive janë të mbushura me pacientë Covid. Shifrat momentale të infektimit sillen diku rreth 400.000 të infektuar, prej tyre 311.000 të shëruar dhe gati 6000 të vdekur. Për këtë arsye po përflitet që pas 18.12.2020 të merren masa edhe më të ashpra në lidhje me vetëmbrojtjen ndaj Covid-Pandemisë. Ardhja e Vaksinave është shumë e mirëpritur, mirëpo egziston një habi në popull duke pasur parasysh se komplikacionet e mëvonshme janë ende të paqarta. Nga fundi i vitit e me së largu nga Janari 2021 do të fillohet me vaksinimin e popullsisë së pari me moshat e treta, pastaj punonjësit e shtëpive të pleqëve dhe pastaj punonjësit shëndetësor.

COVID DHE SHËNDETI MENDOR I POPULLSISË

Duke qënë se jemi në Valën e dytë të Pandemisë, ekspertët kanë mundur të nxjerrin të dhëna, përsa i përket dhunës në familje dhe shoqëri. Për momentin deri sa po shkruajmë, raportohen diku rreth 30% më shumë raste se pas valës së parë të pandemisë. Përsa i përket shëndetit mendor, po vuajnë më së shumti moshat mbi 65 vjeç, që nga aspekti social ndihen të izoluar dhe vuajnë nga sëmundje kronike. Përsa i përket divorcit, nga viti në vit ka patur rritje, ndërsa edhe këtë vit është rritur numri i divorceve (mbi 15000 divorce në vit). Sa i përket specialitetit që unë ushtroj në mjeksi, për momentin në shumë spitale janë reduktuar operacionet e planifikuara, dhe kryhen vetëm operacionet urgjente ose mund të operohen pacientët me tumore nëse aspekti kirurgjik është mëse i nevojshëm.

SITUATA E KOMUNITETIT SHQIPTAR NË ZVICËR

Duke u bazuar në të dhënat statistikore zyrtare, në Zvicër jetojnë mbi 300.000 shqiptarë. Falë Zotit integrimi i gjeneratave të reja është i shpejtë dhe pa asnjë pengesë. Mbi 250 mjekë për momentin veprojnë në Zvicër, informacionet dhe vetëdijësimi lidhur me pandeminë Covid-19  nuk është duke munguar. Lëvizjet e shumta të emigranteve dhe malli për Atdheun po e bëjnë menaxhimin e pandemisë paksa më të vështirë. Diku rreth 30% e komunitetit shqiptar ende nuk besojnë në Pandeminë Covid 19. Me thënë të drejtën, kjo përqindje e madhe na ka vënë në vështirësi edhe neve si staf mjekësor. Sido që të jetë, ne jemi të hapur që të flasim më shumë dhe vetëdijësimi të arrijë kulmin e të kuptuarit të pandemisë dhe rrezikut. Duhet një kujdes i shtuar dhe ndërgjegjësim për qasjen ndaj pandemisë.

TURIZMI NËN EFEKTIN E PANDEMISË GLOBALE

Aktualisht po i përmbahemi masave të ndërmarra nga autoritetet shëndetësore të shtetit Zvicërian. Unë jetoj në qytetin e Ëinterthurit, Kantoni i Zürichut, ndërsa punoj në Spitalin e St.Gallenit-Kantoni Sankt Gallen. Jo më pak se një vit më parë në këtë kohë (2019),  njerëzit kishin të tjera shqetësime, se si ti gëzonin të afërmit e tyre me dhuratat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, ndërsa tani sheh njerëz të maskuar duke u mbrojtur nga të gjitha anët dhe me sy të  kthyer nga Ministria e Shëndetësisë së Zvicrës, se çfarë masash do ndërmarrin në fundin e javës. Normal se në qytetet e Zvicrës por edhe në malet e Zvicrës mungojnë turistët, në krahasim me vitet e tjera. Në përgjithësi ka diku 20-30% më pak turistë se në vitin e kaluar. Prej 12.12.2020 u ndalua puna e restoranteve, pubeve mbas orës 19 :00 në mbrëmje, ndërsa të dielave do qëndrojnë mbyllur edhe marketet e mëdha nëpër stationet e trenit, ku orari i punës para një viti ishte 365 ditë hapur. Priten të merren masa edhe më të ashpra nga 20. 12.2020. Jo vetëm qyteti ku jetoj, por në çdo qytet, jeta dukej disi me ndryshe. Njerëzit janë të hutuar.  

VAKSINAT ANTICOVID NË ZVICËR

Brenga kryesore më herët ishte, pse nuk ka vaksinë kundër Covid, ndërsa tani kur vaksina është bërë publike, lindin pyetje të tjera: A duhet të vaksinohemi? Cilat janë komplikimet që sjell vaksina? Sa është e dëmshme vaksina tek unë me sëmundjet kronike që vuaj? Vaksina Anticovid, normal si në çdo vend tjetër, ashtu edhe Zvicra, bazohet më së shumti në të dhënat ose studimet që janë bërë me vaksinën anticovid. Për momentin Sëissmedic ka tri vaksinat, të cilat i kontrollon përbërjet para se të jepet drita jeshile dhe në fund vendos për  fillimin lidhur me vaksinimin e popullatës. Mbetet shumë për tu parë në të ardhmen sesi do të zhvillohet situata e pandemisë. Për momentin jemi në valën e dytë dhe nëse Ministria e Shëndetësisë i ashpërson masat lidhur me vetmbrojtjen dhe fillon sa më shpejt ashtu siç parashikohet me vaksinimin, mendohet se Pranvera e 2021 do të jetë më shpresëdhënëse dhe do të jemi çliruar prej virusit vdekjeprurës.

NJË URIM PËR DIASPORËN NË USA

Lexuesve të gazetës Dielli si dhe të gjithë Shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i deshiroj së pari shumë shëndet dhe motivim për ta përballuar të keqen që na mundon prej 1 viti. Ju bëj thirrje të gjithë bahskëkombasve të mi që të respektojnë protokollet e shëndetësisë dhe të vetëdijësohen për rrezikun që sjell neglizhenca në përballje me këtë pandemi globale. Bashkë do ia dalim ta mposhtim virusin vdekjeprurës.

Filed Under: Opinion Tagged With: 250 Mjeke shqiptare en Zvicer, Dr. Faton Zeneli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT