• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2020

VATRA PËRMES VITIT TË VËSHTIRË TË KORONAVIRUSIT

December 28, 2020 by dgreca

NGA ELMI BERISHA- Kryetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”/

Të dashur vatranë, së bashku kemi kaluar përmes një viti tepër të vështirë që na ka vënë pengesa të jashtzakonshme, duke na izoluar nga njeri-tjetri, komuniteti, vendlindja. Pandemia e Coronavirusit na mori jetë vatranësh. Shkuan vatranët e devotshëm Jonuz Ndreu dhe Zef Perndocaj, Andon Rrumbullaku e të tjerë. I përcollëm me dhimbje. Pushofshin në Paqe! Disa nga ju miq vatranë keni humbur të dashurit Tuaj, Ju ngushëlloj të gjithëve! Disa nga vatranët dhe familjet e tyre kanë përjetuar dhimbje nga sëmundja që ka shkaktuar COVID-19. Me shpirt kam qenë pranë tyrë. E kalofshit sa më lehtë!

    Edhe pse i kemi pasë nëpër këmbë pengesat e pandemisë ne jemi përpjekur që të përshtasim punën tonë dhe ta mbajmë gjallë Vatrën, kemi bërë që të dëgjohet emri dhe historia e saj, jo vetëm këtu në SHBA e Kanada, por edhe në Evropë, trojet tona etnike.Kemi kontribuar për çështjen kombëtare.

Unë u jam mirënjohës vatranëve, veçanërisht delegatëve të Kuvendit të 19 Janarit 2020, që ma besuan mandatin për ta udhëheqë VATRËN.Kam mendimin se Kuvendi i 19 Janarit ka shënuar një moment historik edhe  për faktin që për të parën herë mandatoi në krye të saj një shqiptar nga Kosova.

Unë ashtu siç Ju premtova në Kuvendin e Detroitit, kam një projekt afatgjatë: Vatra e shekullit XXI. Projekti ynë synon modelin e ri të “qeverisjes” dhe organizimit, drejtimit dhe delegimit të vendimmarrjes, zgjerimit të Kryesisë, Këshillit të Vatrës, zgjerimit të Degëve të reja dhe mbi të gjitha dëgjimi i çdo zëri, respektimi i çdo ndjeshmërie dhe përqafimi i çdo vizioni apo ideve të reja.Falenderoj Kryesinë e vatrës që edhe pse në kushte të vështira ka bashkëpunuar dhe ka marrë përsipër detyra e kontribute.

        Disa punë i kemi bërë:Hapja e degës së re në Manhattan nën drejtimin e anëtarit të Kryesisë së re të Vatrës Agustin Mirakaj, riorganizimi i degës në  Worchester nga studiuesi Thanas Gjika, krijimi i grupit organizator për krijimin e degës në Bostonin historik, ku lindi VATRA, janë gjurmë që tregojnë se Vatra e ka tejkaluar izolimin që na vuri pandemia pas Kuvendit. Ne synojmë ngritjen e degëve edhe në qendra të tjera në shtetet kryesore të Amerikës, ku banojnë shqiptarët, por edhe shtimin e anëtarësisë në degët ekzistuese..


VATRA DHE KUJTESA HISTORIKE

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra ishte prezent me evenimente historike për kombin dhe shtetin shqiptar duke organizuar konferenca on-line rreth ngjarjeve më të rëndësishme që kanë shënjuar kombin tonë. Edhe pse në kushte pandemie globale në kushtet kur ishte e pamundur veprimtaria fizike, Vatra nëpërmjet organit të saj mediatike Gazeta Dielli, arriti ti sillte komunitetit dhe lexuesve në faqet e saj figura historike që nga shpallja e pavarësisë, mbretëria, qëndresa antikomuniste, demokracia dhe kohët moderne të shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë. Dekorimi me medalje i Familjes Haradinaj dhe Jashari në Kosovë për qëndresën historike dhe luftën e jashtëzakonshme për Liri e Pavarësi ishte një akt vlerësimi që jo vetëm çmon vlerat njerëzore e Kombëtare, por i bën mirë edhe Vatrës. Ne jemi treguar të vëmendshëm që çdo date historike ta sjellim në vëmendje dhe e kemi përkujtuar ose nëpërmjet organizimeve on-line, aktiviteteve në Vatër apo intervistave, profileve, reportazheve, analizave, komenteve apo dosierëve në faqet e Gazetës Dielli. Pavarësia e Kosovës, Pavarësia e Shqipërisë- Festa e Flamurit,ditëlindja e Diellit e Vatrës, revoltat e Spaçit, qëndresa antikomuniste e shumë evenimente të tjera u sollën në Vatër fizikisht, virtualisht dhe mediatikisht. 

VATRA DHE MARRËDHËNIET DIPLOMATIKE 

Mendoj se pas Kuvendit ka marrë një zhvillim pozitiv ndihmesa e VATRËS në fushën diplomatike me veprimtari e aktivitete të ndryshme.Në rolin e Kryetarit të Vatrës unë kam shfrytëzuar përvojën afro 30-vjeçare në fushën e diplomacisë në Uashington. Duke përfituar edhe prej marrëdhënieve personale me miqtë e njohjet në Senat e në Kongres, po përpiqemi që Vatrën ta kthejmë në një pikë strategjike të koordinimi duke e ndërthurur në vendimmarrjet diplomatike në interes të kombit shqiptar. Kujtoj këtu praninë e delegacionit vatran në Uashington, i cili ishte vazhdimisht pranë qeverisë së Kosovës me këshilla e lobime në interes të Kosovës përpara se të firmosej marrëveshja Serbi-Kosovë, e nënshkruar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Donald Trump.

Vatra jonë ka marrë mbështetje të sinqertë dhe aktive, të cilat u shoqëruan me vizita dhe me takime të rëndësishme, gjate vitit 2020 në Vatër, ku mund të veçojmë disa prej tyre si: vizitën e Kongresistit Amerikan, Eliot Engel; Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi; Ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare; Ambasadorja e Shqipërisë në Uashington Floreta Luli Faber; Konsulli i Shqipërisë në New York, Najada Sojli; Ambasadorja e Kosovës në Uashington Vlora Çitaku; Konsulli i Kosovës në New York, Ambasadorja Teuta Sahatçija; si dhe Frymëzim Isufaj. Falë lobimit dhe përpjekjeve të vazhdueshme në fushën e Diplomacisë, Vatra përmes meje, nënshkroi Memorandum Mirëkuptimi me Ministrinë e Jashtme dhe të Diasporës së Kosovës, z. Meliza Haradinaj Stublla, me qëllim avancimin e një agjende Kombëtare dhe diplomatike të përbashkët, një memorandum pritet, që pas zgjedhjeve të 25 Prillit 2021, të nënshkruhet edhe me Tiranën zyrtare, me Ministrinë e Diasporës së Shqipërisë. Gjatë vitit 2020, Vatra si institucion u prit edhe nga Presidenti i Shqipërisë, z. Ilir Meta, nga Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, z. Ruçi, lideri i Opozitës z. Lulzim Basha si dhe nga lideri historik i Partisë Demokratike dhe demokracisë në Shqipëri Prof. Dr. Sali Berisha. Vatra, përmes meje, këmbënguli së fundmi, se është një domosdoshmëri përfshirja e zonjës së hekurt Madlen Ollbajt në bisedimet Kosovë-Serbi,si një garanci dhe sukses i vazhdueshëm i Shtetit të Kosovës dhe kombit shqiptar.

                     VATRA DHE KERKIMI SHKENCOR

Vatra po merr një drejtim të rëndësishëm në kërkimin shkencor. Nevoja për një punim historik dhe arkivor të plotë mbi historinë dhe trashëgiminë e Vatrës për më shumë se një shekull veprimtari pa ndërprerje, në Tiranë u arrit marrëveshjae Kryetarit të Vatrës  me Akademik, Prof. DR. Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë për botimin e historisë së Vatrës në dokumentet historike, me një kolanë dokumentesh, të hulumtuar nëpër arkiva brenda dhe jashtë Shqipërisë, e përbërë prej pese vëllimesh rreth veprimtarisë patriotike-historike të shqiptareve të Amerikës. 

Unë mendoj se edhe vlerësimi i kryetarit të Vatrës me titullin e lartë akademik “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti “Luarasi” Tiranë dhe angazhimin  si pedagog i jashtëm pranë këtij Universiteti,i bën mirë Vatrës.Një arsye më shumë pse Vatra ka marrë një profil akademik pas Kuvendit të 19 janarit, është afrim i intelektualëve në radhët e Vatrës,i njerëzve të letrave, gazetarëve me qellim që në të ardhmen e afërt të krijohet një departament shkencore pranë Bibliotekës së Vatrës për kërkime të thelluara Albanologjike.Mendoj se  karakterin shkencor Vatrës do t’ia jap projekti për hapjen e Shkollës së Vatrës pranë qendrës së saj dhe nënshkrimi i marrëveshjes sapo të stabilizohet pandemia globale me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës për pasurimin e titujve shkencor të librave në bibliotekën e Vatrës. 

VATRA DHE PANDEMIA GLOBALE

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra në kushtet e pandemisë globale Covid-19, nën përkujdesjen e veçantë të kryetarit të Vatrës dhe kryeredaktorit të Diellit e bashkëpunëtorëve të tij dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm duke sjellë në faqet e organit mediatik të Vatrës, Dielli, një informacion të pasur, përmes intervistave me mjekë shqiptarë kudo në botë. 

Gazeta Dielli gjatë kësaj periudhe u bë burim i parë i lajmeve në fushën e mjekësisë për mediet në Tiranë, Prishtinë e Shkup. Mjekët shqiptarë më të suksesshëm në USA, Kanada, Angli, Gjermani, Spanjë, Itali, Francë, Belgjikë, Zvicër, Austri, Greqi, Kroaci, Suedi, Norvegji etj. Me inicimin e Kryetarit të Vatrës dhe me profesionalizmin e drejtuesit të gazetës “Dielli”, me kontributin e jashtzakonshëm të gazetarit Sokol Paja, u kontaktuan dhe u intervistuan rreth pandemisë Botërore Covid-19 për të informuar publikun nëpërmjet medieve on-line dhe të shkruara, në faqet e “Diellit” u paraqitën heronjtë shqiptarë të fushës së shëndetësisë dhe jo vetëm. Gjate pandemisë janë intervistuar personalitete të larta dhe specialiste të ndryshme si: mjekë, infermierë, punonjës të shëndetësisë, profesorë universitetesh, punonjës të njësisë kërkimore-shkencorë, laborantë, punonjës të ndryshme që operojnë në katedra mjekësie dhe disa prej tyre janë pjesë e ekipeve kërkimore shkencore në zbulimin e vaksinës anti-covid si dhe persona që drejtojnë departamente kërkimi shkencor apo janë pjesë e laboratorëve më të avancuar në kërkimet e thelluara mjekësore. Mjekët shqiptarë u paraqitën në gazetën Dielli si heronj që meritojnë gjithë përuljen e qënies sonë për rrezikun, devotshmërinë, punën e palodhur, sakrificat sublime, profesionalizmin dhe humanizmin e jashtëzakonshëm. Këtu mund të veçojmë dhe të falënderojmë përzemërsisht për punën dhe kontributin e tyre të çmuar, dy vatranët e spikatur gjatë periudhës së Covid-19, nënkryetarin, Dr. Pashko Camaj, i cili është dhe profesor në “Lehman College” dhe Dr. Skënder Myrtezani, profesor në “Cornell University” te cilët ishin dhe gjenden aktualisht sa më afër vatranëve, komunitetit shqiptar dhe lexuesve të Diellit duke ndare eksperiencën dhe dijen e tyre shkencore e profesionale.

 Dr. Skënder Murtezani është mjeku shqiptar që ka dhënë kontribut të veçantë për shqiptarët. Ai vazhdon që të jetë që nga fillimi në frontin e luftës me koronavirusit. Dr. Murtezani  ka testuar rreth 2700 pacientë, nga të cilët 305 kanë dalë pozitivë të trajtuar, 10 të hospitalizuar, vetëm 2 pacientë kanë ndërruar jetë.Formulat e trajtimit dhe mjekimit që ai ka përdorë kanë qenë fikase. Veç këtij kontributi, ai është mjeku shqiptar në SHBA shumë i kërkuar nga Televizionet Kombëtare në Shqipëri, Maqedoni etj. Ka dhënë deri tani 26 intervista përmes të cilave ka këshilluar se si të mbrohen qytetarët nga koronavirusi.

                        VATRA DHE VIZIONI I SË ARDHMES

Vatra do vazhdojë të mbështesë e promovojë çdo lider zyrtar që vjen nga Tirana zyrtare e Prishtina zyrtare. Vatra do bashkëpunojë ngushte me qeveritë shqiptare në Tiranë e Prishtinë, të dala nga zgjedhje demokratike të lira e të ndershme dhe të njohura nga bashkësia ndërkombëtare. Vatra do mbështesë pa kushte çdo ide dhe veprim kombëtar që i shërben shtetit shqiptar, kombit shqiptar demokracisë në Kosovë e Shqipëri dhe mbi të gjitha zbatimit të ligjit reformave të thella dhe lirive e të drejtave themelore të njeriut. Vatra ka vijuar me sukses të përmbushë misionin dhe rolin e saj Kombëtar, diplomatik në përmbushje të nevojave të vetë Federatës, komunitetit vatran dhe mbi të gjitha qytetarëve shqiptar në Kosovë dhe në Shqipëri. Po punohet fort që të kemi një program dhe agjendë kombëtarë e ndërshtetërore për të ndihmuar reciprocikisht kryerjen e reformave si në Shqipëri dhe në Kosovë. Vatra po luan një rolin e saj në Uashington për të qenë prezent në çdo tryezë bisedimesh dhe sa herë merren vendime në dobi të Shqipërisë, Kosovës, shqiptarëve në Ballkan  e çdo shqiptari anë e mbanë botës. Vatra ka ofruar dhe do të ofrojë eksperiencën, ekspertizën, personalitete profesionistësh te formuara në Amerikë dhe vatranët e spikatur në dobi të përmbushjeve  të reformave dhe të një ndihme më të specializuar në përmbushje të nevojave që kanë institucionet në  Shqipëri dhe në Kosovë. Roli diplomatik i Vatrës në Shtëpinë e Bardhë është dhe do të jetë historik. Shqiptarët janë një faktor i paanashkalueshëm. Vatra ka asistuar dhe do të jetë  gjithmonë aty në proceset e mëdha diplomatike, politike  e  zhvillimore të shteteve tona Kosovë e Shqipëri. Ne kemi nënshkruar Memorandumin me Ministrinë e Jashtme dhe të Diasporës së Republikës së Kosovës, ku kemi garantuar  se Vatra do të jetë e pranishme  në Uashington dhe do të jetë aty me fuqinë e saj lobuese sa në të mirë dhe prosperitetit të Kosovës dhe Shqipërisë. Në thelb ne synojmë një strategji mbarëkombëtare integruese që identifikon të gjitha nevojat tona si komb dhe si shtete në mënyrë që të ofrojmë bashkëpunim dhe ekspertizë  me qëllim që  të  jemi dinjitozë dhe të zhvillojmë politika të përbashkëta zhvilluese në të mirë të kombit e qytetarëve që jetojnë në shtet tona Shqipëri e Kosovë. Qëllimi i këtij memorandumi është qëllimi i vullnetit të  mirë dhe bashkëpunimit e lobimit reciprok në proceset zhvilluese dhe integruese. Ne do të ofrojmë për shtetin e Kosovës dhe të Shqipërisë ekspertët tanë, akademikë, profesorë, kërkues shkencorë në përmbushje të nevojave që do të paraqiten në raport me nevojat dhe proceset zhvilluese. 

Federata Pan-shqiptare e Amerikës Vatra përgjatë periudhës një vjeçare që drejtohet prej meje ka qenë më prezent se kurrë më parë në hapësirat mediatike dhe kanalet e komunikimit masiv. Ne kemi qenë të pranishëm në mediat më prestigjioze nga Amerika e deri në hapësirat shqiptare në Ballkan si Zëri i Amerikës, Gazeta Dielli, Gazeta Illyria, Gazeta Panorama, Gazeta Koha Jonë, Gazeta Nacional, Televizionet News 24, Ballkan-web,Gazeta Shqiptare, RTK, TV 21 etj. 

Federata Pan-shqiptare e Amerikës Vatra përgjatë periudhës një vjeçare ka dhënë një ndihmesë të konsiderueshme nëpërmjet gazetës së saj Dielli në promovimin etë gjitha shkollave shqipe në botë si formë e identitetit tonë kombëtar shqiptar. Shkollat në USA, Kanada, Angli, Gjermani, Itali, Spanjë, Zvicër, Austri, Suedi, Norvegji, Finlandë, Greqi, Turqi etj.,kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë të pranishme në gazetën tonë DIELLI.

GEZUAR 2021 !(Dielli ne Print-Dhjetor 2020)

Filed Under: Featured Tagged With: analiza, Elmi Berisha, Viti i Pandemise

Ngujim e jo karantinë!

December 28, 2020 by dgreca

Sëmundja që ka kapllaisë mbarë botën asht nji zezditë e tmerrshme, ajo ka mbërthye dhe popullin tonë, kjo sëmundje ngurzezë vazhdon të quhet me emna të ndryshëm, si: virus, koronavirus, pandemi, COVID-19, etj. Të gjitha këto janë fjalë të hueja, në vend të tyne duhet t’i përdorim fjalët tona ose të përpiqemi të gjejmë e të krijojmë fjalë të reja që shkojnë me natyrën e shqipes. Për fjalën karantinë që po përdoret dendun kemi fjalën e bukur shqipe – ngujim: u ngujue në shtëpi, janë ngujue në kullë, mos u ngojo, ishin ngujue prej belasë (bela, belum, lat. luftë), etj. Edhe emnin e kesaj sëmundje duhet ta quejmë me emnin shqip murtajë ose lingim. Murtajë (lat. mortes- vdekje) dikur quhej nji sëmundje shumë e randë dhe shfarosëse, ajo zhduku familje e katunde të tana. Kjo sëmundje e kishte goditun tri herë Llashticën (Gjilan) në sh. XVI dhe XVII. Me këtë rast ata lëshuen vendin dhe u vendosën larg katundit, sot ky vend quhet “Lugu Kolybeve”. Aty ndejtën disa muej derisa u zhduk murtaja, këtu afër kemi mikrotoponimin “Vorri i Gërrgës” (Gregor, Grigor, Gligor) i cili mbase vdiq nga kjo sëmundje. Sëmundje ma pak e rrezikshme se murtaja ishte lingimi që i përngjan shumë sëmundjes së sotme me përmasa botnore prandaj do të ishte mirë që sëmundjen e sotme ta quejmë lingim, – i: shpëtuem nga lingimi, u zhduk lingimi, theu qafën lingimi, etj. Për fjalën maskë, – a duhet ta gjejmë e ta përdorim nji fjale shqipe.

Kohëve të fundit po përdoret shumë në mjetet e folshkrimit shprehja apo shkurtesa VIP (very important person) këtë shprehje të huej duhet ta krijojmë e përdorim në atë mënyre që ajo të tinglloj shqip – në këtë rast ta përdorim shkurtesën PDP (persona të dorës së parë). Gjuha jonë asht themeli i kështjellës sonë kombëtare dhe saherë që përdorim fjalë dhe shprehje të hueja, – dijeni se heqim nga nji gur prej mureve kësaj ngrehine.

Qamil. S. Dardhankodra 

Llashticë, Gjilan/ Toronto, Kanadë

Filed Under: Analiza Tagged With: jo karantine, Ngujim, Qamil Llashtica

KOSOVË-KUVENDI, SEANCË NË PRAG TË VITIT TË ZGJEDHJEVE TË JASHTËZAKOSHME

December 28, 2020 by dgreca

-Kuvendi i Kosovës sot në seancë të jashtëzakonshme para shpërndarjes dhe zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Vitin e Ri 2021 pas rënies së dy qeverive brenda vitit 2020/

PRISHTINË, 28 Dhjetor 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Kuvendi i Kosovës para shpërndarjes po zhvillon sot seancë të jashtëzakonshme për Buxhetin e Shtetit për vitin 2021, që është vit i zgjedhjeve parlamentare  të jashtëzakonshme pas rënes së dy qeverive në vitin 2020 të pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 Tetorit 2019.

Në 2020-tën qëveria me kryeministër Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje e zgjedhur në 3  Shkurt 2020 u rrëzua me mocion mosbesimi të inicuar nga partneri i koalicionit qeverisës – Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila mori drejtimin e qeverisë me kryeministër Avdullah Hotin të zgjedhur në  3 Qershor, por në dhjetor Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshme votën e një deputeti të minoriteteve, Etem Arifi, pasi kishte të humbur mandatin për shkak të një dënimi të formës së prerë nga gjykata, i cili tashmë ndodhet në burg. Vota e tij ishte vendimtare për zgjedhjen e qeverisë pasi mundësoi arritjen e minimumit të nevoshem  prej 61 votave të parlamentit 120 anëtarësh.

Seanca e sotme e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës ka këtë axhendë:

1. Votimi i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021,2. Votimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Seance e Jashtzakonshme

Shqiptarja, pjesë e grupit organizues të dozave të vaksinës në SHBA

December 28, 2020 by dgreca

Nga Lisana SUBASHI*/

Alma Doraci, e lindur në qytetin bregdetar të Durrësit, prej 25 vitesh jeton në Bloomington të shtetit Indiana, SHBA së bashku me bashkëshortin dhe dy djemtë e saj, Soren dhe Aldridge Zajmi. Alma Doraci është pjesë e grupit që është përgjegjës për organizimin e shpërndarjes së vaksinës anti-covid dhe tregon detaje se funksionon shpërndarja. Sipas ekspertes Doraci benefitet e kësaj vaksine janë shumë të rëndësishme se disa efekte anësore që janë normale si çdo vaksinë tjetër. Teksa kujton fillimet e saj në emigrim tregon për “Diaspora Shqiptare” se në mendje i vijnë shumë kujtime.

“Të flas për fillimet e emigrimit më vijnë në mendje kujtime te panumërta, vite të tera dhe është e vështirë t’i përgjigjesh shkurtimisht, por do të përpiqem.

Një gjë duhet të kuptoni që në ato vite teknologjia, kompjuteri, interneti ishin akoma koncepte të reja për shqiptarët dhe ato nuk ishin të disponueshme siç janë tani ku mjafton të kesh wi-fi dhe të duket sikur botën e ke në duar. Pse e përmenda këtë? Kishim dëgjuar për Amerikën si vend i zhvilluar, vend i ëndrrave, i dritave etj., por asgjë konkrete nuk dinim. Largimi nga Shqipëria nuk ishte i lehtë nuk e dinim çfarë na priste e si do ta ndërtonim jetën. Por si të thuash po rendnim drejt një shprese, drejt një rreze drite, drejt një destinacioni që Zoti na e dhuroj.

Fillimi ishte i vështirë, vitet e para ishin vite prove; duhej mësuar gjuha angleze, traditat ishin të pa njohura për ne, mënyra e jetesës dhe e mendimit ishin shumë të ndryshe nga ato që kishim ne si shqiptarë. Familjarët, miqtë e shokët na mungonin. Çdo gjë duhet ta ndërtonim nga zero duke u përpjekur për t’u ingranuar në jetën e re në një vend të huaj. Disa muaj pasi arritëm në qytetin e Bloomington, unë fillova punë si teknike në farmacinë e spitalit. Të them të drejtën u befasova nga puna që bëhej aty. U befasova nga roli dhe ndikimi i padiskutueshem i farmacistëve në vendosjen e mjekimit, konsultat e panumërta, dijet e thella dhe shkencore të farmacistëve në Amerikë.  Kjo ishte aresyeja që pas pak vitesh vendosa të ndjek studimet për farmaci dhe arrita të diplomohem me resultate të larta si “Doctor of Pharmacy”.

Jeni pjesë e grupit përgjegjës për organizimin e vaksinës anti-Covid. Na tregoni disa detaje mbi proçedurën e administrimit dhe pergatitjes se dozave?

Unë jam në grupin që është përgjegjës për organizimin, bërjen e dozave gati për administrim, si dhe administrimin e vaksinës në qytetin ku banoj unë. Është një punë e madhe që kemi kohë që e kemi nisur dhe është intensifikuar më shumë këto kohët e fundit. Po përmend vetëm një aspekt të vogël, ne kemi në disponim Vaksinën kundra Covid-19 të prodhuar nga kompania Pfizer dhe së shpejti do të kemi dhe atë të prodhuar nga Moderna. Vështirësitë janë të shumta, udhëzimet janë shumë specifike për të siguruar temperaturën e nevojshme për të ruajtur vaksinën në kushte optimale dhe efikase. Po të marim si shembull vaksinën e prodhuar nga Pfizer e cila duhet mbajtur në ngrirës në temperaturë ndërmjet -60 dhe -80 degree celsius (për këtë kërkohet figorifer special) kur nxirret nga freezer mbahet ne frigorifer jo më shumë se 5 ditë dhe pasi nxirret nga frigoriferi pregatiten shiringat që duhet të përdoren brenda 6 orëve. Ky është vetëm një fraksion i vogel i një pune kolosale,shpërndarjen por e solla si shembull për të kuptuar se sa në detaje duhet të organizohen gjërat deri në momentin që të arrijë pacientin për administrimin e vaksinës. Jam e impresionuar nga puna e përkushtuar e të gjithëve punonjësve të shëndetësisë për ta përfunduar këtë fushatë të vaksinimit me sukses.

Si po shkon procesi i vaksinimit?

Deri tani po shkon më mirë se sa e parashikonim. Të parët që po vaksinohen janë infermierët, mjekët, dhe personeli i spitaleve. Faza e dytë do të përfshijë të moshuarit e kështu me rradhë. Jo vetëm personeli i spitaleve, por shumë njerëz na pyesin dhe presin me padurim të vaksinohen. Ne po punojmë me orë të zgjatura për të përballuar kërkesat dhe për të përshpejtuar vakinimin pa cënuar rregullat dhe mbrojten e popullatës. Ekziston një aplikim dhe pyetësor on-line ku çdo njeri duhet të plotësojë përpara se të vaksinohet dhe të nënshkruaj që është dakort të vaksinohet. Vaksinimi me vaksinën të prodhuar nga Pfizer duhet të bëhet në ditën e parë dhe pas 21 ditësh kurse ajo e prodhuar nga Moderna bëhet në ditën e parë dhe pas 28 ditësh.

A keni siguri se vaksina do e stabilizojë situatën pandemike?

Po, vaksinimi i popullatës do të ndihmojë në uljen e rasteve dhe kontrollimin e kësaj pandemie. Statistikat e fundit të 20 Dhjetorit të vitit 2020 tregojnë 76 milion raste me Covid-19 ku më shumë se 1.6 milion njerëz kanë humbur jetën në këtë pandemi në të gjithë botën. Përditë të sëmurë me Covid+ shtrohen nëpër spitale. Shumë prej tyre janë në gjendje te rende. Ne që punojmë në spital shohim përditë jetë njerëzish që shuhen, njerëz që vuajnë, njerëz që nuk arrijnë të marin dot frymë, familjarë që nuk kanë mundësi t’i jenë pranë njerëzve të dashur në orët e fundit të jetës së tyre. Kësaj gjendje duhet t’i themi STOP!

Si e parashikoni ju situatën pas festave, a mund të pritet një valë në rritje e infektimeve?

Kam frike se kjo pyetje është një pyetje retorike. Rastet e Covid-19 janë rritur gjithmonë pas festave të paktën flas për këtu në SHBA. Kjo u vu re pas 4 Korrikut, pas ditës së halloween, pas ditës së falenderimeve. Tani me Krishtlindjet dhe Vitin e Ri dhe po mundohemi të sensibilizojmë popullatën që të mos nënvlerësojnë situatën e rënduar nga kjo pandemi. Njerëzit duhet patjetër të kuptojnë që ky vit është shumë më ndryshe nga vitet e tjerë dhe shumë gjëra duhen modifikuar e duhen bërë ndryshe. Një këshillë do të doja t’ju jepja;  rrini në shtëpinë tuaj, festoni vetëm me familjen tuaj të vogël këtë vit që vitin tjetër t’i festoni mes njerëzve tuaj të dashur.

Cila është këshilla që keni për ata persona që janë kundër vaksinës anti-covid?

E kuptoj që shumë njerëz hezitojnë për të bërë vaksinën. Mendoj që hezitimi vjen nga disa burime. Mos informimi është njeri prej tyre. Disa hezitojnë, sepse mendojnë që vaksina u prodhua shumë shpejt dhe nuk pati kohë të provohet. Është e vërtetë që u prodhua në një kohë të shpejtë, por kjo vjen sepse u përdoren metoda të reja dhe të avancuara të teknologjisë moderne. Iu dhanë prioritet studimeve të bëra për vaksinën kundër Covid-19 dhe shqyrtimi i dokumentave nga FDA kaloi në krye të listës.

Një hezitim tjetër tek njerëzit vjen nga frika e efekteve anësore të vaksinës. Unë do të thoja që çdo medikament apo vaksinë (qoftë i ri i sapo hedhur në treg apo që ka qenë në qarkullim me vite të tëra) ka efekte anësore. Sipas studimit të kryer nga Pfizer, vaksina është provuar të jetë efikase. Benefiti që marim nga vaksinimi i tejkalon këto efekte anësore.

Unë do të inkurajoja të gjithë njerëzit të vaksinohen sidomos ato që kanë riks më të madh infektimi siç mund të jenë personeli shëndetësor, personat me sëmundje kronike etj..

Djali juaj është pjesë vullnetare e personalelit spitalor anti-covid, apo jo?

Pandemia e Covid-19 ishte dhe vazhdon të jetë një plagë shumë e rëndë në të gjithë botën. Shumë njerëz punojnë me orare të zgjatura për t’i shërbyer të semurëve, ka infermierë dhe personel shëndetësor që nuk shkojne as në shtëpite e tyre për dite me rradhë. Ka njerëz dhe midis tyre edhe djali im që e ndjejnë si përgjegjësi humane të ndihmojnë më se të munden personelin mjekësor apo pacientët duke rrezikuar veten e tyre. Djali im është student në pre-med me shpresë që një ditë do t’i bashkohet armates së madhe të mjekëve. Është shumë i ngarkuar me studimet e tij, por më vjen mirë që i krijon kohë vetes edhe për të shkuar e për të ndihmuar ato që kanë nevoje tani më shumë se kurre. Jam krenare që ka një shpirt human, një shpirt që duhet të karakterizoi të gjithë mjekët e pse jo të gjithë njerëzimin.

A janë fëmijët të lidhur me vendlindjen e tyre?

Sigurisht që janë. Bisedat për Shqipërinë, historinë e saj, traditat, natyrën e bukur nuk mungojnë kurrë në familjen tonë. Gjatë kohës se shkolles ato kanë bërë disa projekte të ndryshme ku flasin për Shqipërinë dhe për kulturën shqiptare të cilat kanë qenë shumë të mirëpritura nga profesoret dhe nxënësit e tjerë. Gatimet shqiptare nuk mungojnë nëpër festat familjare. Të dy fëmijët e mi kanë shumë dëshirë të vijnë në Shqipëri kurdo që ti jepet mundësia.

Ktheheni shpesh në Shqipëri?

Jo aq shpesh sa do të kisha dëshirë. Mundohem të vij një herë në dy ose tre vjet por do vija me shpesh po të kisha mundësinë. Zemra më ka mbetur në atë qytetin tim të dashur bregdetar.

  • Kortezi-Diaspora Shqiptare

Filed Under: Featured Tagged With: Alma Doraci, Lisana Subashi, Vaccsinat

KUJTESA- Si u shkrua një kryeartikull nga Petro Marko

December 28, 2020 by dgreca

Nga Pertefe Leka/
Në Kujtesën tim- Një takim   i parë dhe i fundit me kolosin e letrave Petro Marko në Prill  të vitit 1991  në redaksinë  e gazetës “Republika”. Sapo kishin  filluar të dilnin   numrat e parë të kësaj gazete  dhe  në leximin  e disa  artikujve më kishte bërë përshtypje një  shkrim për këngëtarin  e famshëm të operas,Lukë Kaçaj , i denuar nga  rregjimi i kohës , pse propagandonte Fishten e Madh . Në shkrim tregohej  së edhe pse i arrestuar Luka,  me karakterin e Malësorit,   ia kishte  recituar hetuesit vargjet nga poezitë  e poetit, për të vertetuar se sa kombëtar  dhe sa i vertetë ishte Poeti  Gjergj Fishta. Duke e njohur ngjarjen, sepse e njihnim në Shkodër , Anen  Jakova ,Zonjën e tij , si  gruan me të bukur dhe me karakter të forte, që e përballoj me dinjitet burgun e të shoqit, më nxiti   të shkruaja, për fundin  e kësaj  ideologjie  famekeqe  që i solli kaq të këqia njerëzimit, e denoncuar publikisht   gjysëm shekulli më parë, nga B.Merxhani . Për këte u  paraqita të zyrat e kësaj redaksie me një shkrim në dorë me titullin” Pse nuk jam marksist“ sipas artikullit të B.Merxhanit në Revistën “Perpjekja Shqiptare”(isha e njohur me këte revistë sepse  Im atë mësues, i kishte  ruajtur me kujdes të gjithë numrat e publikuara   dhe më afronte  shpesh të lexoja   shumë shkrime  në të  me   vlera edukative  dhe kulturore. Më kishte rënë në sy edhe artikulli “ Pse nuk jam marksist”, por  e mbytur  nga ideologjia e kohës nuk i kisha dhënë rëndësinë e duhur  asaj   teorie të gabuar që po na helmonte çdo ditë).
 Kur  hyra  brenda  në dhomën e  Editorit  ishin  instaluar aparate të thjeshta, telefon dhe makinë shkrimi, gjeta  të ulur  Zotin Petro Marko. E njoha menjëherë nga  fotot e publikuara,  dukej i lodhur por sytë i shkëlqenin.Si   u përshendeta, e në komunikim e sipër  i tregova  së çfarë  më shtyu  të shkruaja me këte titull. Sa dëgjoi titullin e shkrimit  u ngrit në kembë me një energji ,por  i emocionuar më tha “ Oh ç’ ma  kujtove mësuesin tim …Branko më kishte thënë, tani je i ri, por më vonë do të më kuptosh …”     tani  do të shkruaj për këte .
 Me 28 prill 1991 në gazetën “Republika” dolën të dy shkrimet në një faqe, ku në vazhdimësi të artikullit tim ishte  publikuar “Si u shkrua një kryeartikull” nga P.Marko  dhe një foto  e tij  me B.Merxhanin . Në artikullin e tij, P.Marko, ndër të tjera shkruante:
 “Si i ri që isha e admiroja Brankon për karakterin e kulturën e gjerë  dhe penden e tij .Ai u bë mësuesi  im.Branko mendonte  për një revistë që të bëhej “shkollë “për rininë e etur për dije Kështu  lindi revista kulturore e përmuajshme “Përpjekja Shqiptare”.
 Botimi i kësaj reviste për publikun intelektual  dhe për rininë shkollore u cilësua si një eveniment I rëndësishëm kulturor rreth së cilës u bënë bashkëpunëtorë  nga  elita intelektuale më e shquar e kohës:Aleksander Xhuvani,Lumo Skendo ,Skender Luarasi,Lasgush Poradeci,Eqrem Çabej,Ernest Koliqi,Vangjel Koça,Veli Stafa dhe të rinjtë : Sh.Musaraj,Nexhat  Hakiu,Vedat Kokona, Musine Kokalari …….
Lënda merrej nga dijetarë, filozofë e shkencëtarë botëror.Kjo revistë fitoi terren, sepse po kryente funksionin e një instituti studimor, prandaj nuk mbeti pa rënë në sy të qeverisë .
 Petro Marko vazhdon në shkrimin e tij : “Pasi botuam tre numrat e parë u thirrëm të dy në ministrinë e brendshme, ku vetë Musa Juka na tha: Kam urdhër  nga lartmadhëria t’ju komunikoj së në qoftëse doni që revista juaj të  vazhdojë  të botohet , duhet të bëni një deklaratë në faqen e parë së nuk jam komunist” Si i ri që isha nxitova të përgjigjem : Nuk kam bërë deri më sot asnjë deklaratë që jam komunist ,që të bëj një tjetër e ta mohoi “
 Brankoja më pjekuri u përgjegj : “ Zoti Ministër ,kërkoj një fare kohë që të mund të mendohem dhe të vij e të përgjigjem “ ……… Revista nuk u botua për tre  muaj……
 Pas tre muaj heshtje Brankoja më tha  : “ E gjeta .Unë vërtetë nuk jam as marksist,  as fashist, jam një demokrat, prandaj ulu të diktoj të shkruash.” U ula para makinës së shkrimit dhe për habinë time dëgjova titullin “ Pse nuk jam Marksist” Pa iu kundërvënë mësuesit tim të respektuar shkrova në makinë kryeartikullin e tij .Kur mbaroi së diktuari, i thashë :”Atëhere  unë  po e heq emrin tim nga revista “Branko më përkëdheli flokët dhe  më tha : “Je akoma i papjekur, je shumë i ri , më vonë do të më kuptosh, jam më së i sigurtë “
P. Marko  e njihte mirë filosofinë pozitiviste të B.Merxhanit,   e njihte atë edhe si polemist me T.Zavalanin e N. Çikën …. dhe  që fitoi autoritet për zhvillim miqësor të pikëpamjeve  që donte vetëm  të ndërtonte dhe jo të asgjësonte.Petro e kishte shtypur vetë në makinë artikullin  “Pse nuk jam marksist “  një shkrim , i mirëstudiuar dhe I argumentuar me fakte, së socializmi ishte  një utopi, dhe  eksperiment pa të ardhme..,Petro  e dinte  edhe  se Neo-Shqiptarizma e Merxhanit ishte një levizje kulturore  ku  Shkruante:
 “ Politikë s’ka ! Vetëm Kulturë !”
 E  kishte dëgjuar me dhjetra here citatin e Niçes nga Merxhani “ Njeriu  duhet të organizojë kaosin  që gjendet brenda vetes në “Unin” e tij .E kishte kuptuar. më së  miri kerkesën e Merxhanit që të krijojme një jetë mendore për Shqipërinë me një gjurmim shkencor serioz  të vazhduar, për realizimin dhe spjegimin e vonesave historike ….. Nuk e kishte kundërshtuar mësuesin e tij se për Shqipërinë ishin të domosdoshme reformat e Ataturkut , dhe do të  ishin një bekim për shqiptarët të behej një  transformim i tillë …. Petro të gjitha i këto i mësoi,por  ishte i vendosur në idetë e tij.
 Si  i ri,idealist e revolucionar internacionalist , më mendimin e barazisë dhe të lirise njerëzore,   u nis drejt Spanjës më 1937. Atje bashkohet me vullnetarët e brigadës “Garibaldi” dhe po atje merr pjesë në mbledhjen e shkrimtarëve antifashistë ku ishin dhe Ernest Hemingway,P.Neruda……Kthehet  në Shqipëri  me 1940 më mision  nga Kominterni   si komunist. Nuk shkon shumë dhe burgoset nga italianet, si antifashist  dhe internohet  në Palermo Ustika . Sa çlirohen  me përleshje nga Ustika , po në Itali , e arrestojne Gjermanët 1944 dhe shpeton nga ndërhyrja e mësuesit të tij në shkollën tregtare të Vlorës, nga  shkrimtari  i mirënjohur shkodrane ,Ernest Koliqi. Peripecitë e tij   s’kanë të sosur, por kurrë nuk mposhtet .Ai i kishte shfaqur edhe  më përpara pikëpamjet e tij si patriot luftarak e atdhetar I devotshëm , kur  ishte në fakultetin e Letersise në Athinë. Atje kishte pasë ferkime me rektorin I cili ia njihte për turp  që Petroja si Himariot të ishte mësues i shqipes,( Petron e kishte emëruar mësues, I nderuari  patriot e luftëtar shkodrani, i Hilë Mosi,  atë kohë,  Ministër Arsimit.Petro e  ka përshkruar me  respekt  figurën e  mësuesit shkodranë Kolë Kamsi që i mësoi gjuhën e bukur shqipe:”Kamsi ishte i heshtur, por punëtor i madh.E them me plot gojën së na e mësoi shqipen  mirë, gramatiken, poetët tanë,historinë e shkrimit të shqipes dhe kulturën tonë.” ) Pergjegjja e Petros  ndaj rektorit  ishte   .”.turp për ju që ende jetoni në kohë të Bizantit “.  replikë  që i kushtoi  përjashtimin. ….Po ashtu kur u mbyll revista “ABC” nga regjimi i Zogut , ku botonte  me Migjenin ,Zavalanin e Merxhanin, pas  një gjyqi  e internojne në Porto Palermo , por edhe prej aty  lirohet shpejt nga interesim  i B. Merxhanit
 Por më e rënda për P. Markon ishte  arrestimi nga shokët e idealit vet   komunist. Fillimisht  e denuan me pushkatim por fati  e deshi që  bëri  burg ,nga ndërhyrja e shokut të shkollës në Vlorë, H. kapo. Të gjitha  këto   i përballoi  me një qendrim stoik  por  I pagoi  me varfëri ekonomike, persekutime e përndjekje të vazhdueshme, deri me burgosjen  e djalit poet,Jamarbër  …Tashma  besoj së  i kishte ndër mend   porositë e Mësuesit tij  të cilin  e vlerësonte si  “Korifej  I publicistikës shqiptare.”
  P.Marko nuk ishte më pak se mësuesi i tij. Ai la një pasuri të  Madhe të përjetshme  në krijimtarinë  artistike .Ai në moshën 17 vjeçare kishte botuar vjershën  “Flamurit”, në gazetën “Shqipëria e Re “ të Kostancës.Proza e P.Markos  e shtrirë  në më shumë së  20 vepra , si Romane, Tregime ,Vepra  Autobiografike…. me vlera artistike e historike e pasqyrojnë më së miri  triumfin  e dashurisë e të humanizmit .Njësimi i personazheve me veten e tij, solli  vërtetësi në traditën e letërsisë sonë, duke mbetur i pamposhtur  nga mizoritë e botës, nepër të cilën kaloi.        Petro Marko ishte   një  ndër personalitetet më të persekutuara të kohës , që mbijetoi me dinjitet. Pena e tij nuk pushoi së shkruari   deri në ditën e fundit të jetës ,me  27 Djetor 1991 .

Filed Under: ESSE Tagged With: Kryeartikulli, Pertefe Leka, Petro Marko

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT