• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2021

ITALIA NËN “PUSHTIMIN” E MUTACIONIT ANGLEZ, BRAZILIAN DHE JUGAFRIKAN TË COVID-19

February 24, 2021 by dgreca

-Dr. Arben Gjeka nga Torino-Itali flet ekskluzivisht për gazetën DIELLI në SHBA-

Dr. Arben Gjeka mjek në Qendrën e Koordinimit të Emergjencave Mjeksore në Torino, Itali, në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, analizon Italianë në përballjen me pandeminë globale, procesin e vaksinimit anticovid, shqiptarët në Torino dhe punën si mjek në kushtet e shpërthimit masiv të pandemisë globale. Me Dr. Arben Gjekën bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol Paja.

VARIANTI  BRITANIK  I COVID-19 NË 88% TË ITALISË

Ka disa javë që situata në Itali është stabilizuar, me një indeks pozitiviteti < 5% dhe Rt <1.  Masat e kufizimit kanë funksionuar në bazë të ngjyrës (kriticitetit) që Ministria e Shëndetësisë i cakton një Rajoni në bazë të indeksit Rt, incidencës (nr. të personave të infektuar për 100.000 banorë), përqindja e shtretërve të zënë në terapinë intensive dhe në repartet covid jo në gjendje kritike. Aktualisht janë vetëm 6 Rajone në zonën me ngjyrë portokalli (Abruzzo, Liguria, Provinca Autonome Bolzano, Provinca Autonome Trento, Toscana dhe Umbria). Të gjithë rajonet e tjerë janë në zonën e verdhë. Ka një rritje të sinjalizimeve të tre varianteve të koronavirusit që Istituti i Lartë i Shëndetësisë po monitoron që nga muajt e fundit të vitit 2020 dhe që po bëhen një preokupim: varianti anglez, brazilian dhe jugafrikan të cilët ka disa javë që janë identifikuar në persona kovid pozitiv në Rajone të ndryshme të Italisë. Sipas rezultateve të një hetimi të shpejtë të datës 4 dhe 5 shkurt nga Istituti i Lartë i Shëndetësisë, në bashkëpunim me laboratoret Rajonale, varianti Anglez është i përhapur në pjesën më të madhe të territorit Italian, të paktën në 88% të Rajoneve. Por ajo që u konstatua ishte fakti që kjo përhapje nuk është uniforme: në disa zona prevalenca e variantit Anglez arrin në 59%. Është një shpërndarje e rëndësishme nga fakti që ky variant ka një indeks infektiviteti të lartë. Përhapja e këtyre varianteve, në mënyrë të veçantë varianti anglez, preokupon ekspertët, disa prej të cilëve kanë kërkuar një lockdoën për disa javë në mënyrë që të ulet numri i të infektuarve, sepse parashikojnë që së shpejti problemi do të bëhet serioz. Në një deklaratë të Istitutit të Lartë të Shëndetësisë thuhet: “Evidenca të reja na bëjnë të hipotizojmë një rritje të rasteve të rënda për shkak të përhapjes së variantit Anglez. Personat e infektuar nga koronavirusi rrezikojnë të ri infektohen nga variantet”. Unë jetoj në qytetin Torino (Rajoni Piemonte); aktualisht jemi zonë e verdhë por javët e fundit kemi vënë re një rritje të trendit të infektimit të moshës 6-10 vjeç. Moshat e reja po infektohen me një shpejtësi më të madhe karshi moshave të vjetra. Numri mesatar i te infektuarve me covid në ditë është 718, por po vëmë re edhe ulje të lehtë të shtrimeve në terapinë intensive dhe subintensive. Aktualisht varianti Anglez po qarkullon edhe në Rajonin tonë me përqindje që arrin 59% dhe një mesatare prej 17%; për fat të mirë vaksina është efikase karshi këtij varianti. Ky variant është shumë më infektues por për momentin nuk ka evidenca mbi rritjen e agresivitetit. Në Piemonte janë identifikuar 23 raste me këtë variant. Përsa i përket popullatës, në Itali pjesa dërrmuese e qytetarëve respektojnë rregullat. Si në gjithë botën, edhe këtu kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia covid ka goditur rëndë shumë kategori personash dhe sipërmarrësish sidomos sektoret e hotelerisë,  turizmit, ristoracionit; u shpresua në hapjen e pistave të skive javën që kaloi por Qeveria nuk e lejoi duke provokuar një zemërim të kategorisë të prekura nga ky vendim.

VAKSINIMI KUNDËR COVID-19 NË ITALI

Vaksinimi në Itali filloi në datën 27 dhjetor 2021 (Vaçine Day) për mjekët në vijën e parë. Mbas autorizimit të vaksinës Astra Zeneca nga EMA, në 30 janar 2021 u autorizua përdorimi edhe nga AIFA – Agjensia Italiane e Barnave por vetem për moshat 18 – 55 vjec. Kjo bëri që të rishikohej edhe plani i vaksinimit i cili aktualisht parashikon vaksinimin e popullatës në 4 faza: Faza 1-A: vaksinimi i të gjithë operatorëve publik të shendetit (mjekë, infermierë dhe operatore spitalore), si dhe Shtëpitë e Pleqve me objektiv përfundimi në 21 shkurt 2021. Faza 1-B: vaksinimi i të gjithë profesionistëve të shëndetit (dentistë, farmacistë, veterinerë, biologë, specialistë të kimisë dhe fizikës, obstetrikë, teknik të radiollogjisë, teknik të rihabilitacionit, informatorët farmaceutik) me objektiv përfundimi në 15 mars 2021. Faza 1-C: Over 80 (që nuk jetojnë në shtëpitë e pleqve) që fillon në 21 shkurt 2021 me vaksinat Pfizer dhe Moderna. Faza 2: Over 60, personat me sëmundje kronike, personat me risk personal dhe shkollor me prioritet të lartë; vaksinimi do të filloje me mbylljen e fazës 1-C me vaksinat Pfizer dhe Moderna. Faza 3: Personeli shkollor, Forzat e Rendit, burgjet, personat që jetojnë në komunitet, personat me patollogji të ndryshme të gradës së moderuar duke filluar nga 8 shkurti 2021 me vaksinën Astra Zeneca. Faza 4: Pjesa e mbetur e pupullatës me vaksinën Astra Zeneca dhe vaksina të tjera që mund të autorizohen. Koha për fillimin e vaksinimit do të përcaktohet nga Komisari i Jashtëzakonshem për Emergjencën Covid-19. Objektivi fillestar ishte të vaksinoheshin 80.000 – 120.000 persona në ditë për të arritur në një vaksinim të 70% të popullatës (imunitet tufe) brenda 12 muajve nga fillimi. Aktualish janë vaksinuar 2.046.189 persona me dozën e parë (3.4% e popullatës) dhe 1.322.811 me dozën e dytë (2.2% e popullatës). Këto janë shifra të ulëta në krahasim me objektivat fillestar. Shkaqet janë, në radhë të parë mungesa e zbatimit të kontratave nga kompanitë farmaceutike me riduktim të furnizimit të dozave dhe në radhë të dytë mungesa e personelit vaksinues. Dje, Instituti i Lartë i Shëndetësisë dhe Agjensia Italiane e Barnave autorizuan fazën e dytë dhe të tretë të eksperimentimit të vaksinës Italiane ReiThera dhe fillimin e prodhimit dhe shpërndarjes nga shtatori i këtij viti me 100 milion doza në vit.

NJË SHQIPTAR NË QENDRËN E KOORDINIMIT TË EMERGJENCAVE MJEKSORE NË TORINO

Me fillimin e Pandemisë u gjenda në grupin e gjashtë mjekëve që u zgjodhën për të menaxhuar Qendrën e Koordinimit të Emergjencave Mjeksore në Torino 24 orë/24. Krijimi i këtij grupi të mbyllur mjekësh kishte dy qëllime: 1- ulja e rrezikut të përhapjes së infeksionit Sarscov2 në centralin operativ, qendër nevralgjike në menaxhimin e emergjencave 2 -rritja e nivelit profesional në këtë menaxhim, azhornimi ditësor me protokollet e reja kombëtare dhe rajonale. Përsa i përket aspektit profesional, me pak fjalë doja t’ju shpjegoja në çfarë konsiston roli i mjekut në qendrën e koordinimit të urgjencave – emergjencave mjekësore: – Mjeku i centralit operativ të emergjencave, duhet të ketë një eksperiencë të provuar në fushën e emergjencës urgjences. -Centrali është i ndarë në disa seksione ku punojnë infermierë profesional me eksperiencë spitalore dhe territoriale në fushën e emergjencës urgjencës: seksioni i vlerësimit telefonik të kërkesave të filtruara nga centrali unik rajonal 112, seksioni i mjekut, seksioni i menaxhimit të qytetit të Torinos, seksioni i menaxhimit të provincës së Torinos, seksioni i menaxhimit të helikopterëve të emergjencës dhe seksioni standbay i centralit remot për operacionet e ndihmës mjekësore (CROSS) – janë dy në Itali – Torino dhe Pistoia – aktivizohet në rast maksiemergjence nga departimenti kombëtar i mbrojtjes civile. Roli kryesor është ai i mbikqyrjes dhe mbështetjes (suportit) të aktivitetit infermierist në centralin operativ për të garantuar përgjigjen korrekte kërkesave për ndihmë si dhe mbështetja e personelit mjekësor dhe jo në territor. Organizimi i trasferimit në struktura të tjera spitalore të pacienteve që paraqesin nevoja urgjente për një trasport të asistuar, organizimi i trasportit të avancuar neonatal në emergjencë për Torinon dhe Provincën, kordinimi i operacioneve të trasportit të lidhura me marjen (eksplantin) e organeve njerëzore dhe trasplantin, monitorimi dhe menaxhimi i postës elektronike të certifikuar, aktivizimi i suportit psikollogjik në emergjencë, mbajtja e kontakteve me entet, institucionet, shërbimin publik, shërbimin e sigurisë dhe mbrojtjes civile dhe shoqatat që marrin pjesë edhe në mënyre okazionale në shërbim të urgjencave publike.

PSE VERIU I ITALISË U GODIT RËNDË NË FAZËN FILLESTARE TË PANDEMISË?

Përhapja e virusit favorizohet nga faktorë demografike, ambientalë dhe zakonet kulturale. Kurthi gjeografik dhe klimatik: lugina e lumit Po sidomos në zonen e Codogno dhe Vò, por mbi të gjitha, fakti që Veriu i Italisë u godit më me shumë forcë dhe shpejtësi nga pandemia ishin edhe faktorë të tjerë: rrjeti kapilar i autostradave në zonën padane, përqindja e madhe e personave në këtë zonë që përdorin përditë trenin për të shkuar në punë, ndotja e lartë atmosferike, dendësia e madhe e popullatës në Veneto dhe Lombardia dhe përqindja e madhe popullatës me moshë të shkuar. Mos të harrojmë që Italia u gjet e pa përgatitur; plani pandemik në Ministrinë e Shëndetësisë nuk ishte azhornuar që nga viti 2006, materialet mbrojtëse për personelin mjekësor ishin të pakta dhe u ezauruan që në javët e para të pandemisë. Shërbimi i Mjekëve të Familjes dhe vazhdimësisë asistenciale u paralizua për mungesë të dispozitivave të mbrojtjes individuale.

SITUATA E KOMUNITETIT SHQIPTAR NË TORINO

Komuniteti shqiptar e përballoi pandeminë si gjithë qytetarët Italianë. Rastet e para shqipetare të infektuar ishin disa miqte e mi në Rajonin e Aostës. Në fillimin e vitit 2020 para se Italia të merrte masat e izolimit, u bë gabimi i parë; u mbyllën shkollat pa marrë masa të tjera, kështu që 10 – 20 mije Milanezë shkuan në Aosta për të bërë ski atë fundjavë.  Bashkëshortja e mikut tim punonte në një lokal në lokalitet turistik (bar – restorant) dhe u infektua se bashku me një kamarier tjetër (shqiptar) dhe natyrisht infektoi edhe gjithë familjen (bashkeshortin, vajzën dhe dhëndërrin). I ndihmova në aktivizimin e shërbimit të higjenës dhe epidemiologjisë që u bënë tamponat familjarisht dhe i vunë në izolim shtëpiak dhe monitorim telefonik nga mjeku i familjes. Policia bashkiake i ndihmonte me furnizime ushqimore dhe hedhjen e plehrave gjatë gjithë periudhës së karantinës. Për fat të mirë e kaluan sëmundjen në gjëndje të lehtë dhe të moderuar, pa komplikime. Natyrisht, si në valën e parë por edhe në valën e dytë shumë bashkatdhetarë miq, shokë apo dhe të panjohur nga Italia dhe Shqipëria me probleme kovidi, më kanë kontaktuar për këshilla shëndetësore telefonike.

MESAZH PËRSHËNDETËS PËR SHQIPTARËT NË USA

Përshëndes përzemërsisht të gjithë shqiptarët në USA. Kam përshtypjen që duke qënë më larg atdheut janë më të organizuar dhe më të lidhur me njëri-tjetrin. Në Itali, ndoshta distanca e vogël me Shqipërinë ka bërë që mos të jemi shumë të lidhur mes shqiptarëve. Frekuentojmë normalisht lidhjet familjare dhe miqësore. Sigurisht, situata që po kalojmë por dhe koha moderne e teknologjisë ka bërë që të krijohen grupe në media sociale ku mbahen lidhjet dhe komunikohet më lehtësish. Diaspora shqiptare në USA ka qënë gjithmonë model i veçantë dhe shembull për të gjithë shqiptarët jashtë atdheut. Nderime dhe respekt për të gjithë patriotët tanë në USA.

KUSH ËSHTË DOKTOR ARBEN GJEKA

Doktor Arben Gjeka ka lindur në Seman (Fier), ne 8 dhetor 1967. Është pjesë e asaj gjenerate  që jetoi regjimin komunist, tranzicionin dhe demokracinë. Shkollën 8 vjeçare e kreu në Fier. Frekuentoi Shkollën e Mesme Mjekësore “Jani Minga” në Vlorë 1982 – 1986 dhe Fakultetin e Mjeksisë në Tiranë në periudhën 1986 – 1991. Në vitin 1991 – 1993 punoi si mjek me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Policisë – Reparti 751 Vlorë, por me situatën që po kalonte  Shqipëria në atë periudhë preferoi të emigrojë në Itali ku u diplomua në Universitetin e Torinos në vitin 1997. Në vitin 1998 mori licencën profesionale dhe filloi punë si mjek i vazhdimësisë asistenziale. Ne 1999 u emerua Zv/Drejtor i një Laboratori Analizash Mjeksore. Në vitin 2000 – 2001 frekuentoi Kurs trajnimi Rajonal për Emergjencën dhe në 1 qershor 2001 filloi punë në Emergjencë me kontrate ⅓ e orëve në Pronto Soçorso (Urgjence Spitalore), ⅓ e orëve në Emergjence Territoriale dhe ⅓ e orëve në qendrën e kordinimit të urgjencave mjekësore. Nga 1 prilli 2010 punon në emergjencë si Dirigente Medico (Medicina e Chirurgia D’Açettazione e D’urgenza). Azhornohet gjithë kohën që mundet në fushën e emergjencës,  bën pjesë në disa grupe pune ku përpunohen protokolle dhe guidelines për përdorim të brendshëm. Interesi i tij është përqëndruar në terapinë e dhimbjes në ambient paraspitalor dhe në TÇC (Tactical Combat Casualty Care) e TEÇ (Tactical Emergency Casualty Care). Në këtë periudhë pandemie, dha edhe kontributin e tij modest në një grup Mjekësh Shqiptare nga gjithë bota: “Mjekët Shqiptarë në luftën kundër Coronavirusit COVID-19” grup FB me mbi 6000 mjekë, me publikim protokollesh, përkthim artikujsh, këshilla dhe diskutime me kolegët.  

Filed Under: Featured Tagged With: Dr.Arben Gjeka, Italia, Sokol Paja

Lasgushi- Poet i Bukurisë Magjike dhe Shqipërisë Etnike

February 23, 2021 by dgreca

Kujtime nga Naum Prifti*/

Për Lasgushin, kultura e njeriut dhe horizonti i tij nuk ishin koncepte abstrakte. Ai e shihte manifestimin e tyre kudo dhe dinte të argumentonte lidhjen e tyre bindshëm.

“Në anën lindore të Pogradecit, në fund të bulevardit, aty ku ndahet rruga e Drilonit nga e Korçës, dalloheshin dy ndërtesa të reja njëkatëshe me tulla. Përpara tyre, Lasgushi ndaloi hapin dhe drejtoi bastunin si tregues.

-I sheh ato dy ndërtesa? Dikur aty ishin dy baraka druri të shëmtuara që nuk shiheshin me sy. Te njëra shitej vajguri, te tjetra qymyr a gërqele. Kur ishte sekretar i parë Pirro Gusho dha urdhër të prisheshin dhe mirë bëri. Po shiko se çfarë ka ndërtuar. Në vend të ngrinte një ndërtesë të bukur, të lartë që mund të hijeshonte qytetin, ndërtoi dy kolibe të vogla prej tullash. Pse? Sepse aq dinte, koncepti i tij nuk shkonte përtej ustallarëve të Mokrës. Unë Pirron e kam nip dhe e dua, po nuk mund të mos e kritikoj për këtë shëmti që i la qytetit në një nga pikat më të bukura. Pa patur koncepte për të ardhmen dhe dijeni urbanistike, si mund të rregullohet qyteti?

Fliste me duf dhe dukej i zemëruar sepse në qytet deri në atë kohë, nuk dukej asnjë ndërtim modern.

Dhe Lasgushi, në kuptimin e mirë të fjalës, ishte sqimëtar. Për vargjet, ai kujdesej të zgjidhte fjalën me kujdes dhe e lëmonte atë për të pasur kadencë dhe muzikalitet. Lasgushi mërzitej e nervozohej kur redaktorët vinin dorë mbi vargjet e përkthyera prej tij. Nga kjo shtysë Lasgushi hartoi një satirë të mprehtë, e cila qarkulloi gojë më gojë në mjediset letrare të Tiranës.

“Redaktorët trukokallë,

Redaktojnë vjershëtorët,

Pa më thoni se kush vallë

Redakton redaktorët?”

Për Lasgushin poetët gjermanë, anglezë, francezë, si klasikë dhe bashkëhohorë kishin vend të vecantë. Ai fliste me admirim për Gëten, Hajnen, Bernsin, Brehtin eti. ku rrezatonte horizonti i tij kulturor në letërsi dhe filologji. Ai ishte nga studentët e rrallë shqiptarë, në mos i vetmi , që gjatë studimeve në Universitetin e Gracit, Austri, ndoqi edhe një kurs të gjuhës sanskrite. Besohet se albanologu i njohur Norbert Jokl, me të cilin Lasgushi kishte miqësi, e nxiti të regjistrohej në atë kurs. Jokli shpresonte se njohja e saskrishtes, si rrënja e gjuhëve indo-evropiane do ta shtynte Lasgushin të lëvronte edhe filologjinë. Por Lasgushi kishte lindur për të qenë poet.

Ai më rrëfente sesi takoi një lab dhe iu lut të dëgjonte disa nga këngët e krahinës së tij. “Labi këndonte dhe unë e dëgjoja. Njëra prej tyre më la mbresë të veçantë; “Qaj e qaj moj Këndrevicë,/ E larta mbi male gjithë.” Vargjet e tjera ishin të zakonshme, dhe pa vlerë, tha ai, se folklorin e bëjnë njerëz pa shkollë, por misioni i poetit është të njoh se ku janë fshehur xhevahiret. Forma e rrallë e ndërtimit sintaksor, ku mbiemri del përpara emrit, “E larta mbi male gjithë”, i jep bukuri poetike të jashtëzakonshme vargut.” Lasgushi e huazoi modelin në poezinë “Vasha dhe trimi”.

“Vate prill’ i trimërisë,

Më zu maj i dashurisë.

M’u shfaq vashëza në gjumë,

E ëmbla mbi shoqe shumë…”

Gëtja, Homeri, Shekspri dhe Danteja si shumë autorë e kanë vjelur folklorin dhe kanë krijuar vepra arti në sajë të kulturës së tyre dhe talentit. Një shkrimtar injorant nuk vlen edhe pse e quan veten shkrimtar, madje edhe kur te tjerët e lavdërojnë për t’ia bërë qejfin”.

Lasgushi e ktheu bukurinë fizike të vendlindjes në objekt artistik, duke i falur poezisë shqipe krijime jashtëzakonisht të bukura. Ndërsa, Naimi i këndon bukurisë fizike të Shqipërisë me male, kodra, çuka e pyje, në tërësi dhe në mënyrë përgjithësuese, Lasgushi ishte konkret me emra e topologji. Mali i Thatë, Liqeni i Ohrit, Drini, Shën Naumi janë të pranishme në poezinë e tij. Liqeni, (Lasgushi e toskërizonte Liqeri) si një medaljon i kaltërt mes maleve, me tejpamshmëri të jashtëzakonshme, përflaket kur dielli në ulje ndriçon retë nga poshtë, qetësia e armshuar që bie mbi të aq dominuese sa mund të dëgjohet kërcitja e lopatës së një varke, janë disa nga detajet e spikatura në poezisë lasgushiane.

Poezia feks me nuanca, ngjyra, tinguj, dhe kontrasti me muzgun krijojnë muzikalitet dhe harmoni me natyrën, veten dhe gjithësinë.

“Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pakufir.

Po përhapet dal-nga –dalë një pluhurë si një hije.

Nëpër Mal e në Lëndina Shkrumb i natës që po bije.

Duke zbritur që nga qielli përmbi Fshat po bëhet fir…

E kudo krahin’e gjërë më s’po qit as pipëlim:

Në katund kërcet një portë… në liqer hesht një lopatë…

Një shqiponjë- e arratisur fluturon në Mal-të Thatë…

Futet zemr’ e vetëmuar mun në fund të shpirtit t’im.

Tërë fisi, tërë jeta, ra … u dergj.. e zuri gjumi..

Zotëroi më katër anë errësira…

Po tashi:

Duke nisur udhëtimin mes-për mes në Shqipëri,

Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shendaumi.”

Në kohën kur punoja te Revista Ylli, Lasgushi erdhi në redaksi i zemëruar si rrallë herë. Më tha se kishte marrë vesh se profesor Zijaudin Kodra, pedagog në Fakultetin e Letërsisë Shqipe, duke komentuar vargun për Drinin plak që shkon mes-për- mes Shqipërisë, e kishte cilësuar si licencë poetike meqë poeti nuk merrte parasysh gjeografinë fizike, ku “në fakt Drini shkon anash, përngjat kufirit të Shqipërisë”. I vetëdijshëm se protestat për këtë koment të profesor Kodrës, nuk do t’i botoheshin në asnjë gazetë, Lasgushi gjeti rrugën më praktike duke ia shprehur pakënaqësinë shkrimtarëve dhe studiusve. Unë isha bashkë me poetin Vehbi Skënderi, kur Lasgushi ceku temën e Drinit.

“E kam mik Profesor Zijaudinin dhe e dua”, na tha, “por nuk jam aspak dakord me komentin që u ka bërë vargjeve të mia për Drinin. Kur e lexoi këtë poezi albanologu Norbert Jokl, tha; “Ja sa bukur poeti u lë trashëgim brezave të ardhme Shqipërinë etnike, ‘ ndërsa një profesor shqiptar e quan licencë poetike, sikur unë nuk e di dramën e copëtimit të viseve shqiptare më 1913. Jo, nuk e vura as për hatër të rimës e të ritmit, po sepse ashtu është e vërteta. Andej matanë kufirit është gjysma tjetër e Shqipërisë dhe Drini shkon mes-përmes saj, ndërsa lumenjtë e tjerë thuajse pa përjashtim, shkojnë nga lindja në perëndim.”

Askush tjetër nuk i këndoi aq bukur dhe me mjeshtëri natyrës shqiptare sa Lasgushi te poezia “Mbarim Vjeshte”.

Lasgushi është poeti më i madh lirik, dhe një hark lidhës nga letërsia e Rilindjes te ajo e Pavarësisë.

Poezitë e Lasgushit u hoqën nga antologjitë e shkollave tetëvjeçare dhe të mesme si të demoduara, sepse motivet e tij nuk përkonin me kërkesat e realizmit socialist, aureolën që gëzonte si poet nuk mundën t’ia hiqnin kurrë.

Nuk mundën t’a ndanin poezinë e Lasgushit nga mendja e zemra e shqiptarëve   në kohën e Enverit dhe në asnjë kohë tjetër, sepse Lasgushi ishte një yll. Ylli i tij  do shkëlqejë në qiellin e letërsisë shqiptare për të gjithë ata që kanë kohë të ngrenë sytë e ta gjejnë në qiellin e lartë ky ai ndriçon me të njëjtën forcë e bukuri siç ka vezulluar edhe më parë.*(Botoi: Flas Shqip.Ca)

Filed Under: ESSE Tagged With: Lasgushi- Poet i Bukurisë, Naum Prifti

Piktori Nazmi Hoxha si dhe dy fjalë për portretin e poetit Vehbi Skënderi nga Artisti

February 23, 2021 by dgreca

Shkruan: Elida Buçpapaj/

Piktori i shquar shqiptar Nazmi Hoxha që jeton e punon me familjen në SHBA ka një fond të artë të veprave të tij, që variojnë nga kompozimet, peizazhet, nudot dhe portretet, duke përfshirë figura të historisë dhe kulturës shqiptare dhe jo vetëm.

Piktori fut në objektivin e tij emra që kanë lënë shenjë në ndërgjegjen e kombit për të zgjuar ndërgjegjen e shqiptarëve.

Janë kryevepra që do të nderonin çdo galeri botërore arti punimet e tij, që janë universi dhe kozmosi personal i piktorit, të cilat ai i ka personalizuar, si me koloritin, përdorimin e ngjyrave eterike, ashtu edhe pikvështrimin.

Piktori ka krijuar tashmë një galeri të gjallë të portreteve, ku dallohet Fishta, Nënë Tereza, Anton Cetta, Petro Zheji, Adem Jashari, Bekim Berisha, portreti i Malsorit dardan.

Kush përballet me portretet e Artistit bie menjëherë nën efektin e artit të vërtetë, që të zgjon nga letargjia, që të bën të reflektosh, t’i gjesh gabime kohës dhe vetes ku jetojmë sot.

Ndërkohë piktori i ka kushtuar një vemendje të veçantë poetëve që janë aq afër profetëve duke portretizuar Migjenin, Lazgush Poradecin, Frederik Rreshpjen.

Nga punimet më të fundit të Artistit është edhe portreti i poetit Vehbi Skënderi.

Midis Vehbi Skënderit dhe Nazmi Hoxhës ka patur një empati të krijuar posa poeti vizitoi për herë të parë ekspozitën e Nazmi Hoxhës dhe u magjeps prej asaj pikture që nuk e kishte ndeshur askund, sepse piktori e kishte përmbysur thënien e Aristotelit se Natyra është e paimitueshme, për të thënë se arti është i paimitueshëm.

Pikërisht këtë vlerë zbuloi poeti Vehbi Skënderi tek piktori Nazmi Hoxha, andaj e quajti kryepoet. Midis poezisë dhe pikturës ka një lidhje si midis shpirtit dhe shpirtit. Leonardo Da Vinçi i madh jo më kot thosh se “Piktura është poezia që më tepër shihet se ndjehet, ndërsa poezia është piktura që më tepër ndjehet se shihet”.

Ndërsa Vehbi Skënderi tek Nazmi Hoxha i zbuloi edhe poezinë, edhe pikturën në simbiozë me njëra tjetrën dhe prandaj bëri atë definicion.

Dhe definicionet e poetëve mbeten të përhershme.

Kur emocionohen poetët nga ajo që shohin është diçka e rrallë dhe prandaj emocionit i japin një emër që të jetojë edhe kur poetët ikin nga kjo botë.

Sikur është larguar edhe poeti Vehbi Skënderi. Të cilin e ringjalli Artisti Nazmi Hoxha, duke i dhënë të drejtë Platonit.

Nazmi Hoxha i dha frymë poetit Vehbi Skënderi! E zbriti nga Parajsa në studion e tij në New York dhe prej andej e bëri të kudogjendur në botën virtuale, që edhe kjo duket sikur është ndërtuar si një ngrehinë platoniane.

Vehbi Skënderi duhet ta shohë portretin e tij nga bota e përtejme dhe prej andej me atë natyren e tij entuziaste dhe aq delikate, elegante e të ndjeshme,  i dërgon mesazhe mirënjohje Artistit !

Jam e sigurt se poeti Vehbi Skënderi po loton kur e sheh veten e tij të portretizuar nga kryepoeti! Vehbi Skënderi kështu ishte, qante si fëmijë dhe qeshte si fëmijë!

Sepse shpirti i tij ishte i pastër si shpirt një fëmije, i pa prekur nga pislliku dhe kalbësia që ia shihte syri dhe ia provonte lëkura!

Pikërisht me këtë shpirt të kthjellët e portretizon Artisti Poetin, ndërsa flokët e poetit i ka bërë prej reje, prej atyre reve që ndodhen vetëm në Parajsë, për të krijuar kësisoj lidhjen mes tokësorëve dhe qiellorëve.

Filed Under: ESSE Tagged With: artisti, Elida Buçpapaj, Nazmi Hoxha, piktori, poeti, VEHBI SKËNDERI

Deputetët e LDK-së do ta votojnë Vjosa Osmanin si Presidente të Kosovës

February 23, 2021 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj*/

Jam duke krahasuar statistikat e zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 me zgjedhjet e 6 tetorit 2019, kur LDK e kishte projektuar Vjosa Osmanin në postin e kryeministres. Në këto zgjedhje VV mori rreth 220 mijë vota ose 26% , ndërsa LDK 206 mijë vota ose 25 %, me një diferencë shumë të vogël.

Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 Vjosa Osmani ishte votuar nga 176 mijë qytetarë të Kosovës duke patur një ndikim direkt në rezultatin e LDK-së që ishte vetëm një hap larg fitores.

Pra 176 mijë qytetarët që votuan Vjosa Osmanin tek LDK më 2019, e kanë rivotuar Listën Guxo të Vjosës tek VV  në zgjedhjet e 2021.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit VV dhe Lista Guxo e Vjosa Osmanit u votuan nga 379 mijë qytetarë ose nga 48 % e atyre që morën pjesë në zgjedhje, ndërsa LDK nga rreth 100 mijë votues ose 13 %.  Dmth VV, falë Listës Guxo të Vjosa Osmanit, fitoi 22 % më tepër se në zgjedhjet e 6 tetorit 2019.

Nëse këto 22 % do t’i shtoheshin 13 % që ka fituar aktualisht do të përktheheshin me një fitore të qartë të LDK-së, por me një kusht – që kjo parti të hynte në zgjedhjet e 14 shkurtit pasi të kishte kryer katharsis të plotë përmes kongresit të jashtëzakonshëm duke e rikandiduar Vjosën, diçka që nuk ndodhi.

Elektorati i LDK-së hyri në zgjedhjet e 14 shkurtit i zhgënjyer shterrshëm nga të gjitha mashtrimet e lidërshipit të kësaj partie prej 2007 që arritën kulmin me rrëzimin e qeverisë Kurti ardhur në pushtet nga aleanca parazgjedhore LDK-VV si dhe lufta me stil thaçist kundër Vjosa Osmanit nga enturazhi i Isa Mustafës.

Po ju sjell një shembull.

Ju kujtohen sulmet prej rrugaçi të Driton Selmanajt, deputet i LDK-së, kundër Vjosa Osmanit në Parlamentin e Kosovës, kur LDK votoi për rrëzimin e qeverisë Kurti? Për ato sulme Isa Mustafa e gradoi Driton Selmanajn  nënkryeministër të qeverisë ilegjitime të Avdullah Hotit, ndërsa elektorati i LDK-së e ndëshkoi Driton Selmanajn duke mos e votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit, sikur ka ndëshkuar shumë deputetë që nuk e respektuan votën e këtij elektorati.

Rrethi i ngushtë i Isa Mustafës ka mbetur kryesisht jashtë parlamentit, përveç Agim Veliut, ministër i Brendshëm, Arben Gashit dhe Armend Zemajt, figura të konsumuara bashkë me Abdullah Hotin. Nga rezultati i zgjedhjeve nuk ka asfare dyshim se nuk gëzojnë aspak simpatinë e elektoratit të LDK-së.

Elektorati i LDK-së votoi masivisht Listën Guxo të Vjosa Osmanit e cila i ka qendruar loyale premtimeve.

Humbja drastike e partisë së themeluar nga Rugova ishte rezultat i humbjes së besimit të elektoratit të LDK-së, që me fuqinë e votës shkaktoi revolucion, duke e detyruar gjithë kryesinë të japë dorëheqjen dhe ta çojë LDK-në drejt kongresit të jashtëzakonshëm.

Kongresi i jashtëzakonshëm do të duhet të jetë një reformim i plotë dhe çlirim i LDK-së nga mendësia dhe metodat autoritariste-uzurpuese të lidërshipit të vjetër drejt një partie me format europian, në gjurmët e themeluesit të saj, presidentit Ibrahim Rugova.

Treguesi i parë i reformimit të LDK-së do të jetë votimi që kjo parti do t’i bëjë Vjosa Osmanit si Presidente e Kosovës.

Nuk ka shans që Kosova të shkojë në një krizë të re numrash, sepse, nëse do të ndodhë që  LDK-ja do të votojë kundër Vjosa Osmanit, atëhere në zgjedhjet e ardhëshme të jashtëzakonshme ky formacion politik do të shkojë drejt shkrirjes nën nivelin e AAK.

Votimi i Vjosa Osmanit si Presidente e Kosovës edhe nga grupi i deputetëve të LDK-së do të jetë shenja e parë se kjo parti i është kthyer pritshmërive të elektoratit të saj.

Elektorati i LDK-së ka një format shumë të përgjegjshëm që meriton nderim!

Ky elektorat e nxori jashtë loje klanin e zi të Isa Mustafës dhe të pararendësit, klan që e kishte marrë peng partinë e Rugovës prej 2007!

*VOAL

Filed Under: Analiza Tagged With: elektorati i LDK-së, Elida Buçpapaj, Vjosa Osmani

QEMAL DEMA- NDERIM KUJTIMIT TË SHTRENJTË TË NJË MIKU

February 23, 2021 by dgreca

“Miqësia dyfishon gëzimet dhe ndan ankthet për gjysmë”- BACON/

SHKRUAN: EUGJEN MERLIKA-ITALI/23 Shkurt 2021/

22 shkurti për mua u hap me një lajm të hidhur, nga ata që trondisin themelet e shpirtit e mbeten gjatë në mëndjen që, si një zog i plagosur endet në kërkim të një strehe për të mbledhur thërrime jete, të kthyera në kujtime, të ngulitura në zemër e në kujtesë. Janë copëza jete të shpërndara në dhjetëvjeçarë të gjatë, në faza të ndryshme të saj, që si në një film të përfytyresës i lëshojnë vendin njëra tjetrës, së bashku me ndodhitë e së shkuarës.

Ai lajm I hidhur u sendëzua në një mesazh të ardhur me Watsap që nga New Yorku i largët: “Xhaxhi Eugjen, me dhimbje të madhe, ju njoftojmë që babi im i shtrenjtë dhe I dashur ndërroi jetë në krahët tonë, i rrethar me dashuri më 21 shkurt në mbrëmje. Lindita”. 

Kështu  ndërroi jetë edhe Qemal Dema, njëri nga ne të mbijetuarit e komunizmit shqiptar, një mik e shok i hershëm i  kampeve të internimit e i burgjeve të “parajsës socialiste” shqiptare, jeta e të cilit filloi kalvarin që fëmijë, sepse të parët e Tij kishin patur mënçurinë të kuptonin se e keqja që i kërcënohej Shqipërisë nuk duhej pranuar, se duhej luftuar me rrënjë. Por ata që u munduan t’a bëjnë qenë të pakët, sepse Shqipëria ishte e pushtuar dhe ishte mjaft e vështirë të depërtohej në t’ ardhmen e saj, të gjindej e vërteta që fshihej mbas atyre që “luftonin” pushtuesin, apo më mirë shqiptarët largpamës.

Qe një tragjedi e egër ajo që pllakosi Shqipërinë. Ata që e paralajmëruan dhe u munduan t’a shmangnin e paguan me kokat e tyre e më shumë me gjysmë shekulli skllavëri bashkëkohore të familjarëve të tyre, të grave e fëmijëve, të motrave e vëllezërve. Mbi ta rëndoi për 47 vite shpata e mprehtë e “luftës së klasave”, që i degdisi në kampet e pafund të internimeve e të burgjeve me punë të detyruar, me mohime të çfarëdo të drejte njerëzore, me një jetë të tërë të kaluar nën mizorinë e terrorit, të pasigurisë, të frikës. Këta qenë therorët e gjallë të një padrejtësie makabre, që mbretëroi sovrane “mbi tokën e fshikulluar nga përndjekjet”.

I ndjeri Qemal qe njëri nga ata mbi të cilët furia terroriste komuniste u vërsul me të gjithë ortekun e saj shkatërrimtar. Ishte vetëm nëntë vjeç kur Dibra e tij mori ngjyrën e kuqe të miqve të Sërbit e Demajt, që kishin luftuar kundër brigatave partizane t’ardhura nga jugu i Shqipërisë, u shpërngulën për në kampet e sapokrijuara që mbinin si çibanë në çdo cep të Shqipërisë. Qemali ishte më i madhi i meshkujve të familjes e atij i u përcaktua fati i viktimës së parë të fisit të Demajve, fat që nuk i u nda deri në ditët e fundit të  shkërmoqjes së “perandorisë të së keqes”në brigjet e Adriatikut. Por Qemali kishte trashëguar vetitë më të mira të të parëve të tij, e në moshë të njomë në kampin e Tepelenës, n’atë “kamp pushimi”simbas ndonjë historiani të epokës komuniste e mbas komuniste, ai provoi burgimin e parë.

Dy herë i burgosur, pa i bërë keq asnjë mize në jetën e tij, dy herë viktimë e një drejtësie kriminale që kishte shpikur nenin 55/1 të kodit penal, për të ndëshkuar çdo mendim të qënë apo të paqënë, të shprehur apo të pashprehur kundër një regjimi të dhunës skajore e të varfërisë proverbiale. Ai do të kalonte jo pak, por njëzet vite të jetës së Tij n’ato burgje të diktaturës, për të ngritur “veprat e socializmit” falas si skllevërit e Egjyptit të lashtë që ngrinin piramidat, së pari si djalosh që nuk i kishte dirsur ende mustaqja e së dyti si baba i katër vajzave, të lindura në një nga sektorët më të këqij të kampeve të internimit, në Gradishtin e famshëm të viteve 50 e 60, pa drita, pa ujë që sillej me fuçi në një qerre prej një tjetër fshati në kodër, pa rrugë, pa shkollë, me bukën që vinte dhe ajo me një qerre, pa asgjë që të bënte të mendonje se këtu jetonin njerëz…  

Tani që po shkruaj këto rrjeshta për mikun e viteve të gjata më kalojnë para sysh thërrimet e jetës të kaluar së bashku, lodra e shahut në Gradishtin e mjerimit, puna e rëndë në fushat e liruara nga ujët e Tërbufit, paraqitja e përditëshme para kapterr Andreas, nëna fisnike e Qemalit dhe dy vëllezërit e tij më të vegjël me të cilët luanim futboll në një fushë të improvizuar së bashku me shokë të kampit. Më pas u largova nga Gradishti, duke lënë aty një pjesë të familjes tek e cila kthehesha herë mbas here. Kështu kaluan vitet, Qemali krijoi familjen me Fluturën, një vajzë që vinte nga një tjetër fshat internimi e që ishte bijë e një fisi të njohur në Dibër, atë të Ndrejajve. Lindën vajzat që u rritën në kushtet e Gradishtit ashtu si shumë bashkëmoshatarë e bashkëmoshatare të tyre. 

Kaluan vitet. Erdhën kohët mizore të gjysmës së dytë të viteve 70 me përndjekjet sistematike e të planifikuara që stërmbushën burgjet e tmerrshme. Ishin ditë,  muaj e vite të mbushura me ankthin e arrestimit, me mendimin se në mëngjez duhej të përshëndeteshim me familjarët, ndërmjet tyre bashkëshortet e fëmijët, sepse në darkë nuk dihej a do të ktheheshim në shtëpi. Gjykatat dhe hetuesitë ishin kthyer në kasaphana mishgrirëse që kalonin në duart e tyre rregullisht banorë të pafajshëm. N’atë periudhë krahas Kurt Kolës, Ahmet Kolgjinit, Eqerem e Fatmir Mujos, Mojs e Lekë Mirakajt, Naim Staraveckës, Fatbardh Kupit, Dine Dines, Eugjen Merlikës, Agron Kalasë, Tefta Tasit, Besa e Mynevere Dumes, Mehdi Bylykbashit e ndonjë tjetri të cilit i kërkoj falje për mos përmëndjen, të gjithë njerëz t’arrestuar në sektorët e ndryshëm të së njëjtës ndërmarrje, edhe Qemali u rikthye në “shtëpinë e përbashkët” të viktimave të paracaktuar që fëmijë për të kryer rolin e gogolit në shkretëtirën e çmëndurisë enveriane, së cilës i thureshin vargje, i kompozoheshin këngë, i ngriheshin monumente.

Për Qemalin kjo përvojë e përsëritur qe veçanërisht e vështirë, sepse vetëdijes së përkatësisë botës së kundërshtarëve të komunizmit, e për pasojë të viktimave të tij të pashmangëshme i shtohej edhe dhimbja e thellë për fatet e fëmijëve të mitur. Përse do të vuanin krijesat e tij të pafajshme? Deri kur do të ngopej regjimi me kufomat e krimeve të tij? Ishin pyetje pa përgjigje që secili në vetminë e tij i drejtonte Zotit të gjithfuqishëm.

Janë të ngjajshme jetët tona, të kaluara me të njëjtat dëshira për pak liri, me mundimet e përditëshme të jetës së skllavit, me frikën e arrestimit për vite të tëra, me trysninë oqeanike të pushtetit për të depersonalizuar njerëzit, me qëndresën e karaktereve që shkuan deri në flijim skajor, në dhjetë vite burg për të mos i u nënështruar së keqes të njëjtësuar me rroben e sigurimsave që medaljet e tyre të trimërisë i kishin të shënuara në dosjet e fëlliqësisë së tyre, duke “rekrutuar” njerëz të dobët, për t’i kthyer në varrmihës të shokëve të tyre. Ky ishte morali i asaj kaste kriminale që ende vazhdon të nderohet, t’i njihen “meritat”, të vazhdojnë të qeverisin Shqipërinë nëpërmjet bijve të tyre moralë e biologjikë. Ndërsa Qemalit, e jo vetëm atij, shteti mbas komunist i mbajti paratë e dëmshpërblimit të viteve të burgut, sepse dhjetë vite më parë, qeveria Meksi u kishte njohur të drejtën e një farë ndihme që jepej për banesat, mbasi ata vinin nga kasollet që nuk kishin më asnjë vlerë, ndërsa pjesa tjetër e popullsisë privatizoi me çmime simbolike apartamentet që u kishte dhënë shteti. Ato para që u ishin dhënë për të kompensuar në një farë mase strehimin i u mbajtën nga llogaria e dëmshpërblimit të viteve të burgut, në kundërshtim me të gjithë ligjet juridike që nuk pranojnë si të ligjëshëm retroaktivitetin e një ligji kur ai shkon në dëm të qytetarit. Kjo ishte demokracia zhgënjyese që vazhdon t’i quajë ish të përndjekurit si qytetarë të dorës së dytë, mbasi nuk mund t’i përcaktojë më me devizën enveriane të “armiqve të kllasës”.

Por Qemali, ashtu sikurse edhe shumë shokë të tij, nuk i u nënështrua kurrë, gjatë gjithë jetës së Tij, trysnisë së shtetit komunist dhe as përfaqësuesve të tij. Ai mbeti një shpirt i lirë e i pastër si bora e bardhë e Korabit të vendit të lindjes. Në vitet e gjata të burgut të dytë në kampin e Spaçit, ku u takuam përsëri, ai ishte si një vëlla i madh për ne të tjerët që ishim pak më të rinj. Tek ai gjenim gjithmonë buzëqeshjen karakteristike e zemrën e hapur për të pritur çdo lloj problemi që mund të kishim ne e familjet tona. Shpirti Tij i bardhë mbartëte në gjërësinë e hapësirës së tij të gjitha dertet tona edhe se kishte të mjaftueshme problemin e familjes që kishte lënë në mëshirë të fatit e në kujdesin e bashkëshortes së tij fisnike. Solidariteti me bashkëvuajtësit ishte njëri nga tiparet më të bukura të shpirtit të Tij. Ndanim së bashku atë pak ushqim që na sillnin bashkëshortet tona të mrekullueshme, heroinat e vërteta  të një epoke ogurzezë, që quhej komunizmi shqiptar. Ato i hiqnin nga goja e fëmijëve për të na sjellë diçka nga racionet e tyre të varfëra. E ne ndanim kafshatat e filxhanin e kafesë e i bënim urimet njëri tjetrit për mbarësinë e familjeve tona të raskapitura.

Qemali i ndjerë i kaloi vitet e burgut me urtësi, kurajë, durim e stoiçizëm, krenar për karakterin e Tij, por gjithmonë i thjeshtë, i dashur, gojëmbël. Karakteri i fortë tregonte një Njeri që nuk shkeli kurrë mbi parimet e Tij njerëzore dhe as mbi traditat fisnike të popullit të Tij, një Burrë me plot kuptimin e fjalës, që nuk u ndruajt kurrë  t’a shohë vehten në sy para pasqyrës së ndërgjegjes. Ajo ishte pasuria e Tij e çmuar morale e deri në çastet e fundit, kur mbylli sytë mes shoqes së jetës e familjes tashmë të madhe, ku spikasin vajzat e Tij, tani gra të realizuara në jetën profesionale e familjare në New Yorkun e Statujës së Lirisë, ai erdhi i qetë, pa brejtje ndërgjegjeje, i nderuar e i respektuar nga të gjithë ata me të cilët ndau fatin e hidhur në tokën ku lindi, por edhe vitet e qetësisë relative larg Atdheut, duke lënë deri në çastin e fundit porositë e Tij amanetësore.

Ai çast tepër i veçantë, i përjetuar në gjirin e njerëzve më të dashur  në kufirin mes jetës e mbasjetës, me qetësinë e tij hyjnore, kur njeriu pushon frymëmarrjen, lë në botën e shkuar trupin e tij e niset për të zbuluar atë “vënd nga s’na u kthye kurrë udhëtari”, ndoshta ishte shpërblimi i Perëndisë  për shpirtin e Tij të bardhë e për jetën e Tij të trazuar e të hirtë.

Ai ishte një njeri i thjeshtë, një nga ata që nuk shquhen për bëma të veçanta, për veprime të bujëshme, për vepra që shkruhen në histori. Ai qe e mbeti deri në fund një Njeri i Ndershëm. Mendoj se Vëndi i ynë ka më shumë nevojë se asnjëherë, për Njerëz të tillë e për shembullin e tyre, se sa për fyej të pispillosur që mbushin internetin e shumë sfera të jetës shqiptare.

Po e mbyll këtë kujtesë të thjeshtë për një mik të zemrës që çdo javë ngrinte zilen e telefonit e kërkonte të dinte gjëndjen time, për të shkëmbyer mes nesh gjithshka të re që përjetonim, me një shprehje të vyer të majës së piramidës së artit botëror të letërsisë, William Shakespeare-it:

“Si shkon kjo botë, të jesh i ndershëm do të thotë të jesh i zgjedhur në mes të dhjetëmijë vdekësorësh”

Itali, 23 shkurt 2021

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, KUJTIMIT TË SHTRENJTË, QEMAL DEMA- NDERIM, TË NJË MIKU

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 36
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT