• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2021

Emër

March 15, 2021 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/Fjala për “emër” është e ngjashme në gjuhë që nuk kanë lidhje me njëra tjetrën. Por shumica e gjuhëve në të cilat fjala “emër” është e ngjashme nuk janë në të vërtetë aq të palidhura. Në shumicën e gjuhëve evropiane, fjala “nome” duket disi e ngjashme me anglishten “name” – kjo ngjashmëri rrjedh nga fakti që të gjitha gjuhët indo-evropiane janë të lidhura dhe rrjedhin nga një paraardhës i përbashkët gjuhësor.
Por, po për gjuhët jo-indo-evropiane? Fjala japoneze është “neemu” ose “namae” dhe indonezishtja është “nama” – janë huazime nga sanskrishtja që u prezantuan nga misionarët hindu dhe budistë. “Nama” dhe “namae” vijnë direkt nga “naama” sanskrite “neemu”. 
Në përgjithësi, fjalët e ngjashme për “emër” në fakt janë për shkak të një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me një gjuhë të përbashkët rrënjë, ose huazimit prej saj, dhe jo nga origjina të ndryshme. 
“Circe” në mitologjinë greke, forma e latinizuar “Kirke”, ndoshta do të thotë “skifter” në shqip. Në mitologji, “Circe” ishte një magjistare që ndryshoi ekuipazhin e Odiseut në derra, siç tregon Homeri. Odiseu e detyroi Circen që t’i ndryshonte përsëri, pastaj qëndroi me të për një vit para se të vazhdonte udhëtimin e tij.
Shqipja “skifter” nga latinishtja “accipiter” (zog grabitqar). “Sk” është ndikimi fillestar nga “shqiponjë”. Një tjetër fjalë shqipe, “mirakë” është sinonim për skifter, fajkua e sokol. Por është edhe “qift,-i”; shpend grabitqar, me krahë të zinj e me sqep të kthyer, që ushqehet me kafshë të vogla e me zogj: e morri si qifti, ose si Circe rrëmbeu Odisenë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, emer

Mons. dr. Zef Oroshi, një mozaik i historisë shqiptare me një taban të lartë fetar, kombëtar e kulturor

March 15, 2021 by dgreca

  • Sot më 15 mars të vitit 2021, shfletojmë dhe kujtojmë Prelatin e Kishës Katolike shqiptare, mons. dr. Zef Oroshi, në 32 përvjetorin e kalimit në amshim të tij-
    Shkruan: Lekë Mrijaj/
  • Në historinë e një vendi, jo të gjithë personazhet, shtetërorë, apo klerik të kishës katolike që janë pjesë e saj, lënë gjurmë dhe realizojnë kthesa shumdimensionale historike, fetare, kombëtare e kulturore.  Në këtë mozaik të historisë së Shqipërisë, hyjnë edhe një nga personalitetet komplekse që la një protokol e arkiv historik, kulturor, patriotik, diplomatik në historinë tonë është mons. Zef Oroshi.  Emri dhe vepra e tij, nuk është lidhur ngushtë vetëm me besimin fetar të Kishës Katolike Shqiptare, por edhe me kulturën dhe historinë e re dhe të lavdishme të kombit shqiptar. Gjeneologjia e familjes dom Zef Oroshit, daton ndër fiset e hershme dhe fisnike të fisit Orosh të Mirditës, të përmendur shumë herë për besë e trimëri. 

Veprimtaria e tij është shumë dimensionale duke prekur disa segmente, letërsi, teologji, liturgji, politikë, diplomaci, shkenca filologjike etj. Disa prej segmenteve të veprimtarisë së tij janë studiuar nga studiues të ndryshëm e fillimisht nga studiuesi e publicisti, z. Tomë Mrijaj e shumë poet të tjerë të inspiruar edhe disa këngëtar duke reflektuar përmes kumtesave (edhe në Sesione shkëncore), këngëve rapsodike (me anë të telave të çifltelisë).

Mons. dr. Zef Oroshi, ishte një klerik, katekist e teolog i kishës apostolike, erudit karizmatik, njeri i dijes, misionar, orator, poliglot, publicist, atdhetar i shquar i kulturës shqiptare si dhe një nxënës shumë i dashur i dishepullit të tij – mësuesit të tij, dom Ndre Mjedës, ashtu siç thuhet edhe në dëshmitë e të tjerëve vet dom Zefi, gëzonte, autoritet e përkrahje, si në qarqe të larta nderkombëtare në Amerikë, po ashtu edhe në ato kishtare ortodokse e katolike e kulturore.

Njëkohësisht ishte ai i pari i cili nga gjuha greke e përktheu veprën “Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve”, të cilën vepër menjëherë pas shqipërimit në vitin 1979, ia dhuroi me autograf Selisë së Shenjtë në Vatikan, gjatë një audiencë private Papa Palit VI-të, ndaj edhe më vonë nga Papa Pali VI-të mori titullin : MONSINJOR. 

Mons. dr. Zefi, ishte themeluesi i parë i kishës katolike shqiptare “Zoja e Kshillit t’Mirë”, sot “Zoja e Shkodrës”, 361 West Hartsdale Avenue, Hartsdale, New York, 10530, gjë që në atë kohë edhe vetë gazeta prestigjioze “New York Times”, mons. dr. Zef Oroshin e konsideronin si një ndër pionierët e bashkimit të shqiptarëve pa dallim feje. Ai, në vitin 1973 ka pritur në Nju Jork, Shën Nënë Terezën, me të cilën së pari e kishte takuar në Itali qysh në fillim të viteve ’60-ta.

Është studiuesi i mirënjohur shqiptar e Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Tretë Shqiptare të Prizrenit në SHBA, publicisti, Tomë Mrijaj një biograf, kumbarë i cili ia ka dedikuar personalitetit të shquar të Kishës Katolike e diasporës sonë, themeluesit kyç të Kishës së Parë Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”, në SHBA mons. dr. Zef Oroshit.

Ndaj veç tjerash po e veçoj librin “Një jetë e shkrirë për fe dhe atdhe” i cili z. Mrijaj, veç biografisë jetësore e shugurimit, në mënyrë koncize dhe të konkretizuar ka pasqyruar prova e fakte për mons. Zef Oroshin, gjë qe në mënyrë koncize ka përshkruar veprimtarinë e kauzën e tij tipike të “TRINOMIT- FE, ATDHE, KULTURË”, pikërisht ndjekjen dhe përcjelljen e tij nga maskarenjtë e ideologjisë së kuqe famkeqe mesjetare “Enver-Hoxhiane” (të mbështetura nga kriminelet e filozofisë marksiste, leniniste komuniste e staliniste siç ishin Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Ramiz Alija e shumë të tjerë të cilët i njeh edhe historia jonë shqiptare) e cila ideologji famkeqe persekutonte intelektualët më elitarë të sojit të korifejve rilindas siç ishte edhe dom Zef Oroshi, cili në tre ditët e Pashkëve të vitit 1951, do t’i kalonte pyllin e Molungut në mes maleve të Mirditës, që për të ishte bërë një mburojë e Zotit dhe Kishë e mrekullueshme, ku, çonte meshë në gjirin e natyrës. 

Me nismën e dom. Zef Oroshit, në bashkëpunim me parashutistat dhe luftëtarët e qëndresës, u mbajt një kuvend sekret në katundin Ungrej, Mirditë, nën pjesmarrjen e delegatëve nga Shkodra, Dukagjini, Puka, Luma, Mirdita, Lezha dhe Kurbini, kuptohet nën asistimin e parashutistëve: Gjon Gjinaj e Ndue Mëlyshi, të cilët diskutuan rrethanat e kohës ndaj me 9 Mars 1951 u zgjodhën antarë të Komiteti Kombtar të Maleve siç ishin: Haki Bushati, Jak Perjaku, Dom Zef Oroshi, Karlo Çoba, Ndrek Kakarriqi, Sul Hafizi, Preng Kol Gjomarkaj, Shaban Reqi dhe Ded Kol Ndreca.

Dom Zef Oroshi për tetë muaj kaloi mes grupeve të rezistencës antikomuniste nëpër male, duke mbajtur lart moralin e luftës kundër komunizmit dhe ideologjisë së saj ateiste, i cili gjatë një mbrëmje të idhët me plotë mundime dhe i plagosur edhe në fyt nga komunistët (siç dëshmohet edhe nga të dy dokumentarët – dosja e dëshmitarëve të familjes së dom Zefit, të realizuar javë më parë, familja e tij e mbetur në atdhe e qe përjetuan një katrahurë e ferr të vërtetë. Pikërisht veç nënës Dila e motrës Lukja arrestohet edhe vëllau i tij Ndou, arrestohet, torturohet e vdes nën tortura e izolimet e hetuesisë në Shkodër, ndërsa familjarët e tjerë përjetojnë një kalvar të gjatë e të mundimshëm internimesh e persekutimi shënimi im L.M.). 

Dom Zefi kufirin e ish Jugosllavisë, në vitin 1952, e kaloi nën mbështetjen e Llesh Tarazhit duke u zhvendosur së pari në Kosovë për të kërkuar statusin e azilit politik të cilin e vëndosën të plagosur në Mitrovicë ( në fund të nëntorit të vitit 1952, ishte vizituar nga pader Tom Xhaja, famullitar i Kishës “Shën Gjon Pagëzuesi” në Zllakuqan e bashkfamiljari ynë, Nikollë P. Mrijaj, Ofiqar i Zyrës së Vëndit në ish/ Komunën e Zllakuqanit, me të cilin bashkfamiljari ynë Nikolla për dy herë radhasi me vonē e kishte ri/ takuar gjatë viteve ’80-ta në New York) i cili me vonë ka kaluar në Itali për nëntë vite dhe nga viti 1962 Amerikë deri me 15 mars 1989 ikjën e tij në amshim të të cilit eshtrat i prehën në New York të Amerikës.

Dom Anton Kçira deshmon se mons. Zefi, gjatë arratisjes së tij nga Shqipëria  dhe ardhjes së tij në Kosovë nga ana e ipeshkvit Shkup-Prizren, imz. Çekada, i kishte ofruar mons. Zefit të shërbej si meshtar në famullinë e Zllakuqanit të Klinës , por për shkak të rrethanave që ishin, përndjekjes dhe pasigurisë së tij, ai nuk e kishte pranuar propozimin e imz. Çekadës, sepse mendjen e kishte të migroj dhe të veproj lirshëm në rrafshin fetar, kombëtar, njerëzor e kulturor në botën e lirë perëndimore, i cili përmes Kosovës migroj në Itali dhe tutje në SHBA., duke zhvilluar një veprimtari të pastërt gjithëpërfshirëse kombëtare).

Në vazhdim të librit:”Monsinjor Dr. Zef Oroshi – Një jetë e shkrirë për fe dhe atdhe” autori Tomë Mrijaj thotë se: ” Mons. Zef Oroshi ishte një mik i ngushtë prof. Ernest Koliqit të cilët bashkëpunonin s’bashku me ide e punime shkrimore me revistën autoritative kulturore-shkencore “Shejzat”, që asokohe dilte në Itali. 

Ndaj me kalimin në amshim të prof. Ernest Koliqit, ishte atdhetari, meshtari i përvujtur, përkthyesi, shkrimtari, studiuesi, teologu dhe filozofi i mprehtë Mons. Oroshi i cili në faqet e revistës prestigjioze “Shejzat”, në numrin special të vitit 1975, ia ka dedikuar prof. Ernest Koliqit, qe do të thotë se shkruan plotë 12 faqe me deshmi, artikull i cili titullohet: “Fiket Ernest Koliqi, një pishtar i letërsisë e i kulturës shqiptare”, duke e analizuar personalitetin e shquar të kombit në shumë rrafshe shumëdimensionale.

Mons.dr. Oroshi, kishte miqësi të ngushtë me intelektualë e veteran të arsimit shqiptar dhe studiues e albanolog si prof. Karl Gurakuqin, poliedrikun dhe burrin e madh të shtetit Imzot Fan Stilian Nolin, gjë qe z. Mrijaj i përshkruan përjetimet e dom Zefit e Fan S. Nolit, duke e përshkruar tamam në frymën (e Koncilit të Dytë të Vatikanit) dashamirëse ekumenike të tij si një Ipeshkëv i besimtarëve të vet, por edhe si një atdhetar i madh, intelektual erudit të sojit të Dom Gjon Buzukit, imz. Pjeter Budit, imz. Nikollë Kazazit, imz. Pjeter Bogdanit etj., e qe mbetët një I LUMË për njohësit e tij.

Filed Under: Politike Tagged With: Lek Mrijaj, Mons. Zef Oroshi

E VËRTETA!

March 14, 2021 by dgreca

NGA AGUSTIN MIRAKAJ/

Çdo dite që kalon, gjithnjë e më shumë njerëzit po e kuptojnë se me të vërtetë po jetojmë në një kohë të jashtëzakonshme. 

Kurrë nuk kam jetuar në një kohë kur aftësia për të kuptuar një të vërtetë ështe aq e rëndësishme sa realiteti që na rrethon.

Çfarë është e vërteta? E vërteta është besimi. Ne duhet të besojmë që vendi ynë do të behet.

Kush janë mashtruesit? Mashtruesit janë ata që sot drejtojnë dhe administrojnë pushtetin, ata të cilët përdorin armën e tyre djallëzore “fshesën” (me preteksin se emigrimi sjellë mirëqënie) ju larguan qëllimisht nga Atdheu për të mos pasur shpresë se një dite vendi ynë do të bëhet.

Kush janë Patriotët? Patriotët janë atdhetarët që mendojnë e punojnë për vendin e vet pa cënuar integritetin territorial. Janë ata që në ditën më të vështirë i përgjigjen Atdheut duke e mbrojtur atë (si familjen) me gjithë fuqinë që i madhi Zot i jep.

Kush është armiku? Armiku ishte komunizmi e sot është socializmi, ku për dekada ata kanë mbjellë varfëri, denigrim dhe shkatërrim në trojet tona.

Kujt i besojmë? VETVETES! Forcës shpirtërore që na ngriti në kembë për të na dhënë mundësinë të dalim nga skëterra dhe izolimi totalitar. Diktaturat sjellin shkatërrim si e keqja (komunizmi) atëherë dhe socializmi i tashëm e shkatërrojë ëndrrën e SHQIPËRISË ndryshe.

Besoji Zotit fuqiplotë. Ai nuk do t’ju zhgënjejë kurrë me forcën e tij di si të veprojë me të keqen. Dashuria juaj për të VËRTETËN, lirinë dhe Zotin është arsyeja pse ne do të ruajmë shpresën e cila do të sjellë ditë shumë më të mira për vendin tonë të bekuar.

Filed Under: Komente Tagged With: Agustin Mirakaj, e verteta

NJË UVERTURË E SHPIRTIT, KËNGËS DHE FUQISË PËR SHËN GJERGJIN

March 14, 2021 by dgreca

Nga At Arthur E. Liolin/

THIRRJE PËR ARMË: 1908 – 1918/

Vitet e para të komunitetit dëshmuan demonstratën rreth një gojëtari të flaktë dhe të aftë: Fan S. Nolit i cili filloi një karrierë vërtet të paparë. I thirrur në shërbim të Perëndisë, ai u shugurua prift në 8 mars 1908 dhe themeloi katedralen e Shën Gjergjit si famulli të Dielën e parë të Ortodoksisë në Boston. Kohët kërkuan përpjekje të ngutshme për të krijuar një kishë që u drejtohej emigrantëve shqiptarë në gjuhën e tyre, duke siguruar tekstet liturgjike dhe duke ruajtur ndërgjegjshmërinë e parimeve si në atdhe dhe vetëkëmbënguljen e mësuar këtu në Amerikë.

Këta dhjetë vjet të parë të oktavës sonë panë pavarësinë e Shqipërisë më 1912, që u ndez pjesërisht nga vullnetarë shqiptaro-amerikanë, të cilët mbanin idealin mbi kapelat e tyre: “Liri a vdekje”. Në Boston dhe në rrethinat përqark u publikuan gazetat e para: Kombi (1906), Dielli (1909) dhe u ndoqën me sukses të menjëhershëm nga Adriatiku, Illyria, Përparimi, si dhe u formua Federata mbarëshqiptare e Amerikës “Vatra”, të cilën Noli e udhëhoqi bashkë me Faik Konicën më 1912. 

Noli i palodhur udhëtoi në Bullgari, Rumani, Rusi, Itali, Angli dhe Francë në ndihmë të organizimit të komuniteteve në Evropë. Periudha jonë e parë përfundon në 1918, kur Noli u takua me presidentin amerikan Udrou Uilson në 4 korrik në Maunt Vernon dhe mori premtimin: “Unë kam një zë në Konferencën e Paqes në Paris dhe do ta përdor atë në mbështetje të Shqipërisë.”. Paguesit tanë, mbështetësit e Nolit, të rinj emigrantë, mbështetën punën e tij të madhe me rrogat e tyre javore prej 5 dollarësh.

PËRCJELLJA E PISHTARIT: 1919-1928

Një kohë mundësish dhe arritjesh, ky dhjetëvjeçar pa Nolin të impresionojë Ligën e Kombeve në Gjenevë dhe të sigurojë kufijtë e Shqipërisë të sotme. Në Amerikë, famulli të reja lindën në Natik, Uster, Filadelfia, Xhejmstaun dhe Sauthbrixh. Klerikë të rinj u shuguruan për Shën Gjergjin, ndërkohë që Noli ishte në rrugë: at. Naum Cëre, një ikonograf i formuar, at Damian Angjeli, at Vangjel Çamçe (më vonë peshkop në atdhe) dhe at. Kolli Kristofori (emigranti i parë shqiptar në Amerikë, që erdhi më 1886). Profesor Thoma Nasi organizoi korin e parë ndërsa shërbente si dirigjent i një bande që jepte koncerte në Shqipëri.

Më 1922, famullia jonë, – që ishte mbledhur në salla të ndryshme për shërbesat e saj, – pronësoi ndërtesën kishtare në Emerald Street, ndërsa në Shqipëri në Kongresin e Beratit klerikët shqiptaro-amerikanë shpallën Kishën Autoqefale. Noli u shenjtërua si peshkop në Korçë më 1923 dhe shërbeu për pak kohë si ministër i Shqipërisë më 1924, përpara se të merrte udhën e strehimit politik në Gjermani dhe Austri ku përktheu Shekspirin dhe shkroi poezi.

NË SHTËPI NË BOSTON: 1929-1938

Në kishën tonë në South End, këngëtarët ruajtën tonet e hershme, ndërsa at. Jakob Grigorief i Salemit ndihmoi në paraqitjen e korit ashtu si e njohim sot. Noli u kthye të rimerrte detyrat e tij si kreu i një dhiakonie amerikane; u formuan shoqëri grash (Bashkimi, Vajzat e Shën Gjergjit) dhe shtëpia përmbushi tradita kulturore fetare të vjetra në Uest End, South Boston, Somerville dhe në zona të tjera ku familjet tona jetonin dhe rritnin fëmijët. Numri i grave ishte më i madh gratë dhe nënat e burrave nuk ëndërronin më të ktheheshin në vështirësitë që kishin lënë, por ishin të vendosura të bëheshin qytetare dhe të siguronin stabilitetin e familjeve të tyre. Gjatë kohës së krizës, shitës frutash parkonin karrocat e tyre përballë kishës – një bllok që ne e ndanim me një sinagogë ortodokse judaike. At Dhosi Katundi na shërbeu derisa formoi famullinë e Shën Gjonit. Motrat e mbretit Zog erdhën për të nderuar Nolin gjatë vizitës në kishë, kur bëne turne në Amerikë. 

BIJ DHE BIJA TË AMERIKËS: 1939-1948

Retë e luftës që u mblodhën mbi Evropë, filluan këtë periudhë me pushtimin e papritur të Shqipërisë të Premten e Madhe më 1939, dhe ne pamë emigrantët e fundit drejt Amerikës të vinin me shumicë. Bij dhe bija tonat shkuan në Luftën e Dytë Botërore duke shfaqur mbështetjen tonë dhe duke siguruar lutjet tona. Etërit Vani Çani, Stavro Shkëmbi, Stefan Lasko dhe të tjerë shërbyen në altar. Ndërkohë anëtarët hapën dyqane kafeje, cigaresh apo artikujsh të ndryshëm dhe iu përshtatën mënyrës amerikane të jetesës. Ushtarët e porsardhur dhe marinarët formuan organizatën e tyre të veteranëve. Shqipëria nisi rrugën e socializmit dhe pavarësisht se ne ishim të interesuar së tepërmi për fatin e atdheut, faktorët politikë na e përqëndruan vëmendjen më tepër në skenën amerikane.

Një numër i vogël famullish tani po organizoheshin si një diocezë shqiptare për të përballuar shqetësimet dhe problemet e përbashkëta, duke filluar një fond për priftërinjtë studentë, dhe një kushtetutë e njësuar ishte në zhvillim. Rinia organizoi Organizatën Kombëtare Shqiptare-Amerikanë (Albanian-American National Organization) dhe Organizata Çlirimi i Shqipërisë (Free Albania Organization) u përball me sfidat e kohës të pas luftës. U publikuan akoma më shumë libra të kishës: Festal Menaion, Triodion, një libër me himne korale, dhe përdorimi i anglishtes në shërbesa pati zanafillën më 1948.

VITET E ARTA: 1949-1958

Një katedrale “e re’ shkëlqimtare në Ist Broaduei u bë shtëpia jonë më 1949: burra dhe gra tani kremtonin së bashku ndërkohë që familjet tërhiqeshin drejt kishës gjatë kësaj periudhe me pjesëmarrje të lartë në gjithë vendin. Në vazhdimësi të shërbesës së përkushtuar të at Thimi Theodhosit, At Krist Ellis solli një standart cilësor e delikat në jetën e katedrales. Ne sponsorizuam një skuadër bejzbolli, krijuam një kushtetutë të re për dioqezën dhe dr. Andreu Elia organizoi një program shkollor për të dielën, që u zhvillua në një ndërtesë të re të kërkuar për këtë qëllim. Shërbesat në anglisht nisën në mënyrë të rregullt dhe Noli filloi të predikonte për një “Kishë Ortodokse Amerikane”, si dhe për të drejtat civile dhe vlerat e një diete vegjetariane.

Një i biznesmen i ri shumë i aftë, Anthoni Athanas drejtoi festimin e përvjetorit të 50-të, që tërhoqi qindra njerëz në maj të 1858-s. Gjatë kësaj kohe, dioqeza kishte botuar mbi 20 libra kishtarë në anglisht dhe u përpoq të njihte nevojat e të rinjve.

SPROVA DHE VËSHTIRËSI 1959-1968

Rritja e mbarë dhe lulëzimi i ngrohtë u pasua nga vdekja e Nolit, e cila vetë u pasua nga një periudhë vështirësish dhe problemesh ligjore të cilat i hodhën familjet kundër njëra-tjetrës duke ndryshuar pozitat e tyre nga të bashkuar, në të ndarë. Drejtori Geri Riska lundroi në këtë stuhi me disiplinë dhe inteligjencë, po kështu bishopi Stefan Lako nuk u dogj nga furra ku ndodhej komuniteti. At Sotir Dilogjika shërbeu si udhëheqës me besnikëri në këtë stuhi të brendshme, ndërsa kombi po përjetonte tragjedinë e vet që filloi me vrasjen e presidentit Kenedi dhe vazhdoi me sprovën e kohës së Vietnamit.

Si të parët tanë ilirët, ne përshkuam këtë periudhë me emocione të sukseshme të drejtësisë, pasionit, neverisë, mbijetesës stoike e madje dhe këmbënguljes heroike. Por dolëm faqebardhë!

NJË PAMJE E RE: 1969-1978

Një pjekuri e re filloi të karakterizojë këtë periudhë ndërkohë që pleqtë e kishës ua dorëzuan frerët e udhëheqjes së bashkësisë bijve të tyre: tani mësues, biznesmenë dhe inxhinierë të kompletuar. Dhomat e pritjes të katedrales u rimodeluan duke na siguruar hapësirën aq të nevojshme për auditorin dhe për konferenca. Duke na lidhur me tepër së bashku, shërbyen Sotir Nikola, Artur Kotelli dhe Ronald Nason në rolin e udhëheqësve, duke ndihmuar në përqëndrimin ndaj besimit ortodoks. Shkolla përjetoi një rilindje të dytë nga shërbimi i mësuesve të talentuar, adoleshentët u mblodhën gjatë pushimeve dhe korri lulëzoi përsëri.  Bishop Dhimitri dhe metropolitani Theodhosi siguruan stabilitetin tonë shpirtëror nën udhëheqjen e bishop Stefanit që na drejtoi në Kishën Ortodokse të Amerikës dhe horizontet tona u zgjeruan përsëri. Konferencat vjetore të kryepeshkopatës mbaheshin në qytete të ndryshme, jo vetëm në Boston, por ne ishim ndër të parët në  hapjen e instituteve dhe organizimin e seminareve për delegatët. 

Arrita me gruan si pastor dhe pashë familjen të rritej me bashkësinë, e cila gradualisht po bëhej më e larmishme dhe më qytetare në natyrë. Besimtarët tani vinin nga më tepër se 35 rajone dhe distrikte të Bostonit të Madh dhe sillnin miq, të afërm dhe komshinj me krenari. Gratë jo-shqiptare filluan ta konsideronin ortodoksinë si të tyren dhe shumë u vajosën, ndërsa roli ynë shpirtëror në qendër të Bostonit bëhej më i madh. Sponsorizuam festime dyqindvjeçare dhe krijime të medias, vazhduam me zbukurimin e struktures së kishës, u mblodhëm nëpër piknikë, shfaqje të modës, Mardi Gras, modernizuam komunikacionin, organizuam dhe rinovuam zyrat e kishës. Filluam të ndanim me bindje dhe krenari besimin. Dyqani fetar nën metronë mbrojtëse të Mildredit u rrit dhe u zgjerua në një sfere etnike.

DIAMAND NË SHKRETËTIRË: 1979-1988

 Me gjithë pjesën tjetër të kombit amerikan, komuniteti ynë përjetoi një “kërkim për rrënjët”. Përvjetori i lindjes së Nolit u festua me një seri ngjarjesh që përfshinë kurorëzimin e simpoziumit në Harvard. Grupe njerëzish filluan të vizitonin Shqipërinë duke zhvilluar pika diskutimi. Jubileu ynë i diamandtë më 1983-shin ishte një vit i dalluar dhe Thoma Sotiri, si drejtor, thirri udhëheqës nga gjithë dioqeza, jo vetëm nga Bostoni. Kori ynë nxori rekordin e parë të muzikës të Kishës Ortodokse Shqiptare, një fond qendror u themelua për të ndihmuar misionet dhe famullitë në vështirësi dhe përbërja e komunitetit karakterizohej nga të mira të shumta materiale dhe martesa ndëracore. Çështje të reja na dolën përpara: pozita e kishës ndaj marrdhënieve me joortodoksët, aborti, homoseksualiteti, marrdhënie më të mira me grekët, tërheqja dhe kthimi në besim i të larguarve: gjithë sfidat që përballnin shumicën e amerikanëve ortodoksë etnikë apo të kthyer. Florenca Pano na ndihmoi të mendonim për besimtarët në një përpjekje vibrante përtej kufijve të fesë. Dajana Mari Prifti drejtoi jubileun e diamandtë me përvojë, ndihmuar nga këmbëngulja e Lin Filipsit në mbledhjen e artikujve historikë nga gazeta për të paraqitur jetën e famullisë.

Katedralja jonë restauroi xhamat me ngjyra të dritareve, rimodeloi faltoren në një stil shqiptaro-bizantin dhe ndamë shërbimet e agjërimit me famullitë motra shqiptare për të adoptuar “ndjenjën familjare” që dukej sikur e kishim larguar. Një lloj nostalgjie për të kaluarën karakterizoi qëndrimet tona, ndërsa në mënyrë të padëshirueshme përballnim të ardhmen: si shqiponja me dykoka, ne jemi një popull që sheh prapa po aq sa sheh përpara, kështu që nuk është çudi. Pastori juaj u bë njeriu i parë i fesë në 25 vjet që vizitoi Shqipërinë ende ateiste dhe të izoluar, duke ndërmarrë një detyrë diplomatike, kulturore dhe shpirtërore për të rindërtuar lidhjet dhe për të shtruar rrugën për një të ardhme me më shumë bashkëpunim.

Në çdo nivel, ne bëmë shumë pyetje ndaj vetes ndërsa përplaseshim me sfida të pashmangshme që dilnin përpara. A duhet të konsolidojmë disa nga kishat në Boston për t’i shërbyer sa më mire këtij komuniteti të larmishëm? Si mund të ribashkohemi me vëllezërit dhe motrat ortodokse shqiptare këtu dhe në Shqipëri? Cili është roli ynë ndërkohë që ortodoksia amerikane i afrohet 200-vjetorit të saj dhe kombi shkon drejt shekullit të ardhshëm? Ç’nevoja ka rinia nga ne? A mund të jemi të vërtetë ndaj trashëgimisë së lashtë që kemi dhe në të njëjtën kohë të ungjillëzojmë komshinjtë që janë të pakishë? Si mund të jemi të qëndrueshëm në besim e megjithatë të jemi të hapur dhe të bashkëjetojmë me njerëz të besimeve të tjera? Kur festuam jubileun e 80-të, nën gëzimin e plotë të ofruar nga drejtoresha Ruth Karçenes, mësuam dhe përgjigjet e këtyre dhe shumë pyetjeve të tjera që na solli e ardhmja. 

NJË  HOMAZH PRIFTËROR: 1988-1998            

Vitet e para të formimit të katedrales sonë u shënuan nga sfida e emigracionit të ri dhe gjithçka përmban kjo dukuri dhe, po kështu, kanë qenë dhjetë vjetët e fundit. Vlerësimi që i bëhet kësaj kishe – dhe priftit të saj të parë, Fan S. Nolit – theksohet nga rrjedha e vazhdueshme e visitorëve nga Shqipëria: mësues, diplomatë, mjekë, gazetarë, shkrimtarë, muzikantë, poetë dhe tre presidentë të vendit.

Më 1988 propozime zyrtare iu bënë priftit tuaj të vizitonte atdheun e të parëve: hera e parë që një njeri i fesë lejohej të hynte në Shqipëri që nga mbyllja me forcë e gjithë shtëpive të adhurimit më 1967.  Ishte një periudhë vështirësish përçarëse pasi ky vend i Ballkanit sapo kishte filluar të dilte nga një izolim i zymtë e i gjatë. Katedralja dhe kryesia jonë ofruan me shumë bujari burimet e veta në mbajtjen dhe zhvillimin e iniciativave fetare, bamirëse, educative, kulturore dhe diplomatike në rrugët përkatëse.

Tashmë dukej se Perëndia po hapte një derë dhe katedralja jonë ishte një mendeshe jetësore. Shumë shpejt kulla e saj do të simbolizonte një Statujë Lirie shpirtërore për shumë refugjatë që do të vinin.

MUND TË KISHIM QENË NE

Gjatë viteve pasardhëse komuniteti ynë u pergjegj në rrugë të panumërta ndaj nevojave të besimtarëve të porsaardhur, nevoja shtëpiake apo të jashtme. Kush mund të harrojë detyrën e pafund, të mërzitshme, e megjithatë të gëzueshme të paketimit të ushqimit dhe veshjeve në kuti, jo vetëm për kushërinj të largët, por dhe për 88 familje lebrozësh. Ngjarjet biblike kërcyen jashtë faqeve të shkrimeve! Planifikimi i dërgimit të pakove u kthye në projekt javor, shumë i lodhshëm, por i kryer me dëshirë. Libërtha të katekizmit, broshura me lutje, libra liturgjish dhe Biblat u dërguan në depo të lagështa dhe aeroporte të errëta në pritje të fluturimeve të vona jashtë shtetit. Shumë prej nesh kuptuan në mënyrë më të plotë nga kjo gjë se ç’është bamirësi e vërtetë: jo diçka e boshtë dhe e largët, por diçka vetjake, tronditëse dhe e menjëhershme. Emra të vendeve të largëta si Korça dhe Kosova u bënë të afërta për brezin e ri të bostonianëve. Dhe jo vetëm këtu, por dhe në Uster, Nju-Jork, Trumbull, Filadelfia, Xhejmstaun, Kliveland, Çikago, Detroid dhe kudo ku patriotët tanë banojnë në Amerikën e Veriut. Ndihma për  nevojat mjekësore për të porsaardhurit  afroi lajmin në një fokus më të qartë. Emrat tani kishin fytyra, iluzioni hapi rrugën për realitetin. Sociologjia dhe teologjia u ndërthurën së bashku. Ne po jetonim momente të veçanta dhe historike.

Personalisht, pata kënaqësi në lutje kur, si bariu juaj, dëshmova natyrën bujare dhe të qetë të kësaj tufe. Në mendjen e gjithsecilit qëndronte një ide e frikshme: “mund të kishim qenë ne aty, si ata”. Dhe, ndërsa të porsaardhurit mbushinin Bostonin, nevojat e vazhdueshme për kulturim, përkthim dhe udhëheqje drejt sistemit të një shoqërie dhe “kulture të re” shfaqën atë që ne kishim më të mirë. Shërbesa në dy gjuhë plotësuan nevojat e të krishterëve ortodoksë të porsapagëzuar, shumë prej të cilëve përqafonin besimin si të rritur. Në shumë drejtime, filluam të njihnim njerëzit në vërtetësinë e tyre: një mësim që nuk mund të merret nga asnjë libër. Patëm shtrëngime dhe shqetësime patjetër, por më tepër një kushtim i shenjtë drejtësie na shtyu që të vazhdonim të përpiqeshim.

NJË KËNDVËSHTRIM MË I GJERË

Bordi i këshilltarëve të katedrales mori një pamje të re, ndërkohë që brezi i ri filloi të merrte në dorëzim punët komplekse të mirëmbajtjes së kishës. Mbarësisht, mbledhjet u bënë më të shkurtra, por më të mprehta dhe më vendimtare. Strategjitë e investimit dhe dhënia shërbimtare u zgjeruan në teori dhe në praktikë. Mbajtëm një shumicë “tele-thonash”, ide të njohura nga shumica e të diplomuarve nga kolegjet, ndërsa gjenim kënaqësi në bisedat e shkurtra me besimtarë pranë dhe larg. Seriali vizatimor “Brickworks” (Vepra e tullave) në buletinin tone javor dhuroi zëra të vegjël për tiparet fizike të kishës, ndërkohë që gurët filluan të flsinin. Orët e kafesë u kthyen në mundësi për biseda të lira dhe shkëmbime pikëpamjesh. Zyra jonë u bë qendër shërbimesh sociale, burim etniciteti dhe pikë financiare me printera modernë, makina kopjimi, kompjutera dhe shërbime poste elektronike, në shtesë të funksioneve të zakonshme të famullisë. Humbja e trishtë e ndërtesës së vjetër të shkollës për shkak të një zjarri më 1990 dhe një marrëdhënie e zorshme ligjore e gjatë vunë në provë durimin e shumëve prej nesh. Përfundimisht episodi pati rezultat pozitiv më 1993. Siguruam shtëpitë nga të dy anët e katedrales dhe plotësuam qëllimet dhe mundësitë. Rigjeta siguri në sensin e lojës së drejtë dhe vetkontrollit të jetuar dhe të shfaqur nga besimtarët tanë në një mënyrë kaq të krishterë. U ndjeva krenar të jem prifti juaj.

Fushata për të ndërtuar një pjerrinë për invalidët më 1996 u bë model suksesi për kishat e zones, duke përshtatur në larmishmëri arkitekturën e vendit me skicën e saj delicate dhe tërheqëse, në të njëjtën kohë u drejtohej nevojave dhe kodeve të ndërtimit. Për një kohë jo shumë të gjatë, stolitë me zbukurime dhe rifreskimi i lyerjes së brendshme qendisën shtyllat e altarit dhe sallën, po ashtu gjallëria e stilit rilindës të karpetit në vitin 1997 dhe pakësimi i stolave i dhanë hapësirë pamjes së vendit të shenjtë. Vizitorët ngeleshin të habitur. Takimke të njëpasnjëshme me fqinjët dhe zyrtarë të qytetit siguruan bazat e domosdoshme për të marrë përsipër mjedis parkingu kaq të nevojshëm më 1998, ndërsa “Vendparkimi Pelikan i Petros” (“Petro the Parking Lot Pelican) na kërkonte t’i mbushnim sqepin me dhurata.

Vlera qytetare dhe roli shoqëror i katedrales sonë në fqinjësi u vu në dukje nga organizata prestigjioze Historic Boston Inc. e cila, pas fitimit të çmimit në një konkurs për projekte dhe restaurime, na mbështeti me vleftën e duhur dhe po ashtu Këshilli i Qytetit të Bostonit paraqiti përfshirjen tone në Regjistrin Kombëtar të Vendeve Historike në Uashington DC. Rreth një shekull përpara, kjo structure kishte qenë e veçantë për Xhulia Uard Houn dhe për Helen Kellen, më vonë për kryepeshkopin Fan S. Noli dhe për ju, familjet tuaja dhe shumë të tjerë. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit artikuj për këtë vend të shenjtë janë shkruar në “The New York Times”, “Boston Globe”, “Boston Herald”, “Patriot Ledger”, në gazeta anembanë vendit dhe jashtë, ndjekur nga lajme lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare, në television dhe radio. Madje seriali televiziv “Spencer”, filmi “Good will hunting” gjetën vend për të filmuar këtu dhe rreth e rrotull dhe përdorën sallonin tone të mbledhjeve për skuadrat e tyre.

Është kisha jonë

Shkolla e kishës filloi të mbushet me ide dhe energji të reja nga grupi i përkushtuar i mësuesve. Vizitat në MFA (Muzeu i Arteve Figurative) për të pare imazhin e Jezusit, ashtu siç ishte parë nga kulturat e ndryshme gjatë kohërave, u dhanë ikonave ortodokse më tepër dallim dhe veçanti. Ekskursione në kishë nga mësues dhe priftërinj inkurajuan studentët ta përjetojnë katedralen si vetë vendin e tyre të adhurimit dhe jo thjesht si një vend ku prindërit e tyre luteshin. Vizita në manastire dhe kuvende ortodokse gjatë sezonit pas Pashkës thelloi ndërgjegjësimin e jetës shpirtërore, dhe konkursi i diplomimit fitohej vazhdimisht nga studentë që mbizotëronin ndaj të rriturve… çdo herë. Imazhet e fëmijëve ulur rreth pastorit në faltore gjatë kohës së pyetje-përgjigjeve zbuloi “gjëra nga më të pabesueshmet”. Shërbesat lidhnin mesazhin mbijetues të Ungjillit me ngjarjet kryesore dhe çështjet e ditës dhe ne organizuam “liturgji të përbashkëta” me kishën e Shën Gjonit gjatë të dielave të verës. Në faltore, liturgjitë e mesjavës paraqitnin një “shërbesë dialogësh”, një bashkëbisedim ndërmjet pastorit dhe besimtarëve. Bashkësia jonë gjatë Pashkës më të fundit u shtua si kurrë ndonjëherë më pare. Vajzat e Shën Gjergjit ftuan zonjat e shoqatës në gjirin e tyre gjatë panaireve, të cilët u bënë mundësi dëshmimi ndaj mjedisit rrethues dhe kori vazhdoi lavdet madhështore gjatë dhjetëvjeçarit duke shtuar të rinj në gjirin e tij. Të porsaardhur filluan të japin një aromë të veçantë në katedralen tonë kozmopolitane.

Marrëdhëniet ndërmjet fqinjëve u forcuan nga leksionet dhe ekspozitat në librarinë publike, pjesëmarrja në shërbimet ikumenike dhe nga mbështetja e bamirësive nga çdo anë e kontinentit: magazina ushqimore, shërbesa në burgje, shtëpitë e fëmijës, strehim për të pastrehët, seminare dhe misione. Metropolitani, me hirësi e bëri të Dielën e Palmave jo vetëm një vizitë tradicionale para Pashkës, por dhuroi një gëzim madhështor gjatë vizitës së Pashkës për 90-vjetorin e Ditës së Festimit të Emrit, duke nënvizuar një ndjenjë të re në komunitetin tone: “Për të gjithë, tek të gjithë!”

Në të vërtetë ne vijmë nga origjina kombëtare të ndryshme, ndonëse në veçanti njëra është shumë e dashur për ne. Jetojmë në shumë qytete rreth qendrës e megjithatë kjo katedrale qëndron si një kodër besimi mbi një gadishull të vacantë që njihet për shpirtin e pavarur, lirinë e mendimit dhe adhurimin. Ajo ka mirëpritur shumë të ardhur para nesh dhe me ndihmën e Perëndisë do të presë shumë më tepër për lavdi të Zotit dhe Shpëtimtarit tone Jezu Krishtit.

  • Dielli -arkiv- Fort i Nderuari At Arthur E. Liolin

26 Shtator 1998

Filed Under: Histori Tagged With: at arthur Liolin, Kenges, Shen Gjergji, uvertire e shpirtit

Kosova opens embassy in Jerusalem after Israel recognises its independence

March 14, 2021 by dgreca

THE DUARDIEN-

Move makes Kosovo first Muslim-majority territory to acknowledge city as Israel’s capital…Kosovo has officially opened its embassy in Jerusalem after becoming the first Muslim-majority territory to recognise the city as Israel’s capital.

The move was in exchange for Israel recognising Kosovo, a major victory for Pristina’s efforts to gain full global recognition of the independence it declared in 2008 following a war with Serbia in the 1990s.

The embassy was opened during a brief ceremony during which Kosovo’s flag was raised in front of the building in Jerusalem, the Kosovo foreign ministry said in a statement.

Serbia has refused to acknowledge the independence of its former province, so while Kosovo has now been recognised by much of the western world, its rejection by Belgrade’s key allies Russia and China has locked it out of the United Nations.

Israel had been another key holdout until last month, when it established diplomatic ties with Kosovo. In exchange, Kosovo followed the controversial lead of the former US president Donald Trump by recognising Jerusalem as the Jewish state’s capital.

Trump had discussed the Israel-Kosovo deal in Washington during economic talks with Serbia and Kosovo in September. Kosovo’s decision prompted criticism not only from Muslim-majority countries such as Turkey, but also from Europe.

The status of Jerusalem remains one of the biggest flashpoints in the long-running Israeli-Palestinian conflict. The Palestinians claim East Jerusalem as the capital of their future state, and most countries have their embassies in Tel Aviv.

In one of Europe’s most intractable disputes, Serbia has rejected Kosovo’s independence since it broke away in a 1998-99 war that was ended only by a Nato bombing campaign against Serbian troops.

Both Kosovo and Serbia face mounting pressure from the west to resolve the impasse, seen as crucial to either side joining the EU. More than 13,000 people died in the war, mostly Kosovo Albanians, who form a majority in the former province.

Filed Under: Kronike Tagged With: Jerisalem, opens emmbassy, The Guardien

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT