• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2021

SHKRIMTARËT NË DIASPORË- SKIFTER KËLLIÇI BOTON ROMANIN E RI

March 9, 2021 by dgreca

– Romanin e ri humoristiko- aventuror “Katër dhe një qenush pas gjurmëv”, shkruar më 2013/


Pas romanit ‘C 35 US rënë në tokën shqiptare’ me temë shqiptaro-amerikane, shkrimtari Skifter Këlliçi, që prej 21 vitesh jeton dhe punon në Ëaltham (Boston), boton  romanin humoristiko-aventuror  për fëmijë dhe të rritur  ‘Katër dhe një qenush pas gjurmëve’, shkruar më 2013.
Ngjarjet e romanit zhvillohen ne nje qytet të vogël shqiptar, pas trazirave të marsit të vitit 1997, që sollën edhe hapje të  depove të armëve, djegie, grabitje dhe vrasje… Vendi kalon kështu një periudhë të rëndë dhe të pasigurtë.
Ndërkohë, një grup banditësh prej dy vetësh plagosin rëndë arkëtarin e një banke të një qyteti të vogël, grabisin një shumë të madhe të hollash dhe zhduken me makinë. Por ndjejnë se nga pas ndiqen  nga një makinë policie. Mirëpo, pa pritur, makina e grabitësve rrokulliset në një kthesë dhe dy banditët bashkë me çantën me të hollat e grabitura, drejtohen në  një nga shtëpitë e para të një fshati, ku ndodhen dy vellezër binjakë, Luani dhe Skënderi, që kanë ardhur të kalojnë atje disa ditë të pushimeve verore  te daja i tyre.
    Binjakët janë vetëm në shtëpi dhe shohin nga dritarja e saj dy banditët e maskuar, që drejtohen nga shtëpia e dajës, pa e ditur se ata janë aty, ndaj dhe   shtrëngohen  të fshihen.
 Këtu fillon edhe aventura e binjakeve, të cilëve u shtohet edhe Beni, bashkëmoshatar dhe më pas Gimi i vogël, së bashku me qenin Lulu, që, fshehurazi prindërve të tyre, ndjekin gjurmët e banditëve, të cilët çantën me para shtrëngohen  ta groposin në një vend, ku po ndërtohet një park lojërash për fëmijë, që një ditë ta marrin përsëri.
Por fëmijët  nuk e dinë se krahas tyre në gjurmë te banditëve  kanë rënë edhe organe të policisë…
Romani përshkohet nga ngjarje të vrullshme dramatike, me të papritura edhe  plot humor, një pjesë të të cilave në mjedise shkollore i ka përjetuar vetë autori dhe vëllai i tij binjak.     

Filed Under: LETERSI Tagged With: “Katër dhe një qenush pas gjurmëv”, Skifter Kellici

FRYMËZIMET RINORE TË MËSUESES MIRELA NASI,ITALI

March 9, 2021 by dgreca

Mirela Nasi është një emigrante shqiptare që prej vitesh punon e jeton me familjen e saj në Macerata, në zonën e Anconas në Itali. Bashkë me bashkëshortin, Robertin, i cili është sipërmarrës i suksesshëm në zonë, kanë ndërtuar çerdhen e tyre familjare këtu në Itali, kanë rritur edhe djalin e tyre që tani është 26 vjeç dhe punon si shumë të rinj të tjerë që janë rritur në shtetin fqinj.

   Me hapjen e shkollës shqipe në Macerata, duke qenë edhe aktiviste e shoqatës së njohur “Iliria”, Mirela punon si mësuese, ku jep një kontribut të çmuar që fëmijët e lindur në Itali nga prindër shqiptarë të mund të mësojnë gjuhën shqipe. Këta fëmmijë mesojnë në shkollat italiane, kurse në fundjavë frekuentojnë shkollën shqipe, ku mësuese Mirela dhe koleget e saj punojnë me pasion e përkushtim.

   Po mësuese Mirela ka edhe një pasion tjetër, poezinë. Ndonëse shkruan prej kohësh, duke qenë e ndrojtur dhe e pasigurtë në vetvete, ajo nuk ka bërë përpjekje të botojë ndonjë libër. Rastësisht u njoha me disa poezi të saj dhe i sugjerova të punonte për një libër. U skuq si ato gjimnazistet e ndrojtura dikur që shkruanin dhe i fshihnin poezitë, megjithatë e priti me kënaqësi këtë sugjerim. Tani ajo po përgatit librin e saj të parë. Poezia e saj është rinore dhe i këndon dashurisë, mallit për vendlindjen e motiveve të tjera të dashura për autoren. Nga ky libër zgjodha këtë cikël, që po ia paraqes gazetës së mirënjohur “Dielli” për botim.

     Ndue Lazri*

     gazetar, Itali

***

Mirela Nasi

HIRE  FEMËRORE

Marramendëse, plot finesë bukurie,

gjithçka tek ti në harmoni hyjnore,

refleks i një bote të madhe dashurie,

univers i tërë hiresh femërore.

Aroma jote ka esenca mirësie,

përmendore që vjen prej botës së lashtë,

pulson qenia jote, bekim perëndie,

lëkura jote mantel i mëndafshtë.

Det që valëzon, i ëmbli shikim,

ndjesi magjike prekja në lëkurë,

nota të hedhura në kompozim,

melodi e shtrirë përmbi partiturë.

Buzë përvëluar, drithërim i fshehur,

pasion që djeg gjer në thellësi,

etje e pashuar për eksplorim të dehur.

emocion unik, deri në madhështi.

Bukuri e rrallë, që na ke pushtuar,

serenatë trëndafili ujitur me vesë,

gjithë botën përballë ke gjunjëzuar.

romancë e çdo nate deri në mëngjes.

Shpirt që vezullon dhe yjet kanë zili,

magjike,ëngjëllore, mrekulli e vërtetë,

natyra të lindi, që ti në përjetësi

të marrësh dashuri e të dhurosh jetë.

LOT DASHURIE…

Në vuajtje u kthye përditshmëria,

gënjehemi me grimca nga zbrazëtia,

Sa vuajmë nga brenda askush s’e di.

sylotuar, plagosur  thellë në ndjesi…

Kohë e vështirë, me shpirt të ngrirë,

diku të harruar, nervash të mpirë.

Netëve takohemi, puthemi me mall,

përballë ftohtësisë bëhemi zjarr.

Syri dhe zemra lëshojnëshkëndia,

flakëruese si vetë dashuria.

Kjo natë dimri na mbledh si buqetë

dy brigje zemrash, në afsh të nxehtë.

Mall i trazuar në shpirtin e dallgëzuar,

shkrijnë borën dy zemra bashkuar.

Rrjedh pa fund dashuria këtë natë

tretur muzgjeve, pa fllad, pa mëkat.

***

ME HESHTJEN FLAS

Në heshtjen e natës pres e pres…

e heshtur, me heshtjen, deri në mëngjes,

ndër kujtime të bukura veten humbas,

mes tyre gjej gëzim, buzëqesh e nuk flas.

Para syve familja, albumi plot ngjyra…

më mbushet shpirti, më çelet fytyra,

panorama e jetës qesh si luleborë,

në heshtje them: kemi jetën në dorë.

Jeta është dhuratë që nuk ka çmim,

udhëtim me biletë vajtjeje, pa kthim,

Në heshtje, me heshtjen flas këtë natë,

rrugëtimi i jetës i shkurtër, i gjatë,

kuptimin e saj është e kotë ta kërkosh,

kuptimin ia jep nëse di ta jetosh.

Nga krevati ngrihem dhe për një çast

tek dritarja  në heshtje me hënën flas,

të dyja bisedojmë siç dimë veç ne,

kësaj nate në pritje të ditës së re.

***

HUMBAS NË SYTË E TU

Humbas në sytë e tu, dehur në gotë vere,

humbas e tëra, e dashuruar, si atëhere,

humbas në sytë e tu, harruar në marrëzi,

humbas tek pulsi yt, dorëzuar në dashuri.

Humbas në sytë e tu, lundroj e sfidoj rrymën

humbas në diell, me ngrohtësinë shkrij brymën.

Humbas në heshtje, në sytë e tu të shkruar…

humbas në lumturi, thellësisht e dashuruar.

Humbasim në sytë tanë si në përjetësi,

ti në shikimin tim, unë e tëra tek ti,

humbasim të dy, vështrimesh kryqëzuar…

në këtë det mrekullie, ëmbëlsisht harruar.

Humbasim në këtë romancë që flet pa zë,

kemi ardhur të dy e jemi bërë një,

humbasim në sytë tanë, zhytur në shkëlqim…

unë në zemrën tënde, ti në shpirtin tim.

***

NOSTALGJI…

Në sytë e  mi çel buzëqeshja kristal,

si uji i një burimi që kurrë nuk u ndal,

diell edhe yje në buzëqeshje e shikim,

këngë dashurie, mall për fshatin tim.

Me buzëqeshje flas, përherë me çiltërsi,

buzëqeshja bëhet këngë, aty je dhe ti

shëtisim ëndërrimesh deri në agim,

ëndrra na çon larg, atje në fshatin tim.

Qesh me botën e grisur, të arnuar,

puthem, me fshatin tim dashuruar,

ndjenjat, emocionet rrezatojnë në fytyrë,

harrohem fshatit, në të bukurën natyrë.

Atje puthen malet me fushat, lëndinat

në valle për dore janë zënë kodrinat,

qëngjat përhidhen livadhit me rrëmujë,

pastaj vrapojnë burimesh për të pirë ujë.

Mallëngjyer shtegëtoj, si zogu në hapësirë,

atje në fshatin tim, lëndinash erëmirë,

ku deh aromë e bukës herët në mëngjes,

dhe zemra më rreh kur njerëzit përshëndes.

Ndoqa fatin tim, këtu në dhe të huaj,

në heshtje mendoj e në heshtje vuaj,

jam vajzë fshati, atje kam prindërit, folenë,

ndaj ndjej nostalgji për vendlindjen, atdhenë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Mirela Nasi, Ndue Lazri

Urdhri “Shotë Galica” 8 grave të Kosovës

March 9, 2021 by dgreca

Presidentja në detyrë e Kosovës Vjosa Osmani akordon urdhrin “Shotë Galica” për 8 gra/

-Urdhri “Shotë Galica” u ndahet personave, të cilët kanë avokuar, kanë bërë vepra trimërie apo akte guximi  për barazinë gjinore/

PRISHTINË,  8 Mars 2021­- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ U.d. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ka dekoruar me urdhrin “Shotë Galica”, tetë gra, të cilat me aktivitetin e tyre kanë dhënë kontribut në avokimin dhe avancimin e barazisë gjinore si dhe në kauzën e përpjekjet për drejtësi.

Sipas u.d. Presidentes Osmani, secila nga këto gra e organizata, shquhen për guximin në kërkim të të drejtës së tyre, mbrojtjes së integritetit dhe të të vërtetës. Ajo ka thënë se vetëm duke pasur gra të guximshme e barazi gjinore, shoqëritë si kjo e jona mund të avancohen. Ajo ka theksuar se këto gra dhe shoqata përbëjnë modelin e aktivisteve që fatin e tyre personal e kanë shndërruar në kauzë për të mirën e përgjithshme, duke u përpjekur për të ngadhënjyer e vërteta dhe duke u bërë prijetare në avancimin e barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut në përgjithësi.

Urdhri “Shotë Galica” u ndahet personave, të cilët kanë avokuar, kanë bërë vepra trimërie apo akte guximi  për barazinë gjinore.

Të dekoruarat janë:

Vasfije Krasniqi – një heroinë e vërtetë e ditëve tona. Gruaja e cila dhimbjen e shndërroi në guxim dhe shembull se si mund dhe duhet të sfidohen stereotipet e paragjykimet shoqërore.  Gruaja e cila foli publikisht për tmerrin e përjetuar gjatë luftës së fundit dhe dhunimin seksual nga forcat serbe dhe meritorja për trasimin e rrugës për të gjitha gratë e mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Për guximin e treguar në luftën e saj për drejtësi, znj. Vasfije Krasniqi dekorohet me urdhrin presidencial “Shotë Galica”. 

Shyhrete Tahiri – Sylejmani – gruaja që ndoqi hap pas hapi rrugën deri në sjelljen e drejtësisë për padrejtësinë që i është bërë asaj dhe shumë grave e vajzave të Kosovës. E mbijetuar e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë, Shyhrete Tahiri – Sylejmani dekorohet për guximin e saj që publikisht të kërkojë dënimin e përdhunuesve. Znj. Shyhrete Tahiri- Sylejmani  dekorohet me urdhrin presidencial “Shotë Galica” për ngritjen e zërit të saj që ndihmoi të fuqizohet zëri i shumë vajzave e grave të tjera anë e mbanë vendit tonë. 

Shehrije Balaj – gruaja e parë që dëshmoi në Beograd kundër forcave serbe që e përdhunuan atë gjatë luftës në Kosovës. Ndonëse vdiq në vitin 2018, ajo mbetet heroinë e ditëve të sotme. Për guximin e saj, znj. Shehrije Bala dekorohet me urdhrin presidencial “Shotë Galica”.

Marte Tunaj – është ndër gratë e para në Kosovë që ka dëshmuar për dhunimin e kryer gjatë kohës së luftës nga forcat serbe. Në momentet më të vështira të luftës së UÇK-së, ajo iu përgjigj organizmit të tij dhe dha kontribut të jashtëzakonshëm. Ajo nuk jeton më, por vepra e saj është e pavdekshme. Për shembullin e dhënë dhe guximin, znj. Marte Tunaj dekorohet me urdhrin presidencial “Shotë Galica”.

Shoqata “Thirrjet e nënave” – Shoqate e cila për vite tashmë merret me procesin e zbardhjes se fatit te personave të pagjetur e të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.  Thirrja e nënave mbetet thirrja më e kumbueshme në vendin tonë për drejtësi. E nënat e Gjakovës nuk u dorëzuan kurrë dhe nuk do të dorëzohen derisa drejtësia të vje në vend. Për qëndresën, vendosmërinë e punën e palodhshme ndër vite, shoqata “Thirrjet e Nënave”, dekorohet me urdhrin “Shotë Galica”.

Shpresa Loshaj – një pishtare e vërtetë, një guximtare e pashoq, një luftëtare për gjithpërfshirje e aktivizëm në përpjekjet për mbrojtjen e lumenjve të Kosovës.  Për punën e saj të palodhshme, për mosluhatjen në qëndrimet e saja, si dhe për guximin për të sfiduar padrejtësitë, si dhe për guximin e treguar në mbrojtjen e pasurive natyrore të Kosovës, znj. Shpresa Loshaj dekorohet sot me urdhrin “Shotë Galica”. 

Arjeta Musliu – gruaja që vendosi që dhembjen e saj ta kthejë në forcë, duke hapur kështu qendrën këshilluese ‘Ri-Jeta’, që tu dal në ndihmë të gjithë të rinjve që përballen me përdorimin e substancave narkotike. Arjeta është shembull se si sfidat e jetës shndërrohen në motiv për të ndihmuar të tjerët në nevojë, dhe si dhimbja vet mund të na ndihmojë të lehtësojmë dhimbjen e të tjerëve. Për përkrahjen e qindra familjeve, prindërve e në veçanti nënave, znj. Arjeta Musliu dekorohet sot me urdhrin “Shotë Galica”.

Fahrije Hoti – Ajo është themeluesja e ndërmarrjes “Krusha”, në të cilën janë të punësuara pesëdhjetë gra, shumica e të cilave kanë mbetur të veja nga lufta e fundit në Kosovë. Themelimi i shoqatës “Gratë e veja” në vitin 2003 për përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur ishte hapi i parë. Dy vite më vonë, Fahrija filloi një iniciativë vetjake për konservimin e ushqimeve dimërore. Kjo iniciativë në vitin 2010 u shndërrua në ndërmarrjen e njohur “Krusha”. Znj. Fahrije Hoti dekorohet me urdhrin presidencial “Shotë Galica” si gruaja që nuk u ndal kurrë së besuari dhe së guxuari përkundër të gjitha paragjykimeve.

Filed Under: Featured Tagged With: 8 gra, Bell Jashari, Shote Galica, Vjosa Osmani

ALIDA

March 9, 2021 by dgreca

NGA DINE DINE*

Një ditë vere po shëtisnim me Qaniun në sheshin poshtë,në burgun e Spaçit. Në anën tjetër të kodrës,  vumë re krejt pa pritur, një çift që ruante dhitë.Them “pa pritur”sepse, zakonisht i shihnim të vetmuar.Ajo që na bëri përshtypje ishte se atë ditë ata bënin edhe lodra me dorë me njëri tjetrin;ndiqeshin,kapeshin,lëshoheshin e përsëri vraponin.

       -Po bëjnë dashuri-tha Qaniu.E shikon?!Pak e çuditshme për këto anë!….

       Mbase janë të afërm e bëjnë lojra  për të kaluar kohën,i them sa për të vazhduar bisedën.

       -Jo! tha ai –ata janë eksituar keq se duket sikur po kacafyten rreptë me njëri tjetrin. E shikon?Tani u fshehën pas kasolles që të mos i shohim ne.Po mire bëjnë bre Dinkë,janë të lire-vazhdoi me dialektin e tij korçar,duke ma lëmuar   pak  edhe emrin.Vetë Zoti i ka krijuar këto gjëra!Në këto shpate malesh e kodrash,thuaj si të  duash,është diçka shumë romantike të bësh dashuri,sepse je larg njerëzve e thashethemeve.

Në internim,atje ku kam jetuar tërë jetën,një here të kolliteshe e merte vesh i gjithë sektori!O Zot!Dhe të mos guxoje të bije në dashuri me ndonjë nga ato me biografi të mire,se të merrte dreqi!Prandaj ne tani lak-mojmë këta të shkretë,që jetojnë majë këtyre shkrepave e ndoshta robtohen edhe për bukën e gojës e s`duan t`ia dine dhe ja,ndjehen të lu-mtur!..Ore,po ja kjo është lumturia!Atë njeriu e ka brënda vetes.Besoj se kanë gjetur mënyrën të mbushin barkun e janë të kënaqur,se nuk kanë pretendime;dhe bëjnë dashuri pa ju hyrë gjëmb në këmbë.Pra,i plotësojnë ato që ne i quajmë kërkesa të domosdoshme,natyrale dhe njerëzore,kërkesa fiziologjike.Është e vërtetë që në kooperative s`marrin pare por vlerësohen me pike.I mbytin në pike!Po të marrin shumë pike ju thonë që megjithëse kanë punuar,nuk e kanë realizuar planin e shtetit dhe u heqin gjysmat…Por ata nuk mërziten aq shumë,se duan të mbijetojnë.Ama…shpirtit i japin!..Them për ata si ky çifti që sapo pamë,që kanë mundësi të bëjnë edhe ndonjëçikë dashuri……Eh sa poshtë kemi rënë!Lakmojmë ata të shkretët që me nder,nuk kanë as brekë në bythë,paçka se e kanë gjetur një mënyrë jetese!E vije re si hidheshin e përdridheshin…..kurse ne ndjehemi aq fatkeqë!Sepse na mungon liria!Nganjëherë them se njeriu është fatkeq gjithmonë.Kur e kemi një gjë vuajmë, se nuk e vlerësojmë.Kur nuk e kemi ,e dëshirojmë e jemi përsëri fatkeqë.Njeriu është vërtet një qënie paksa e çuditshme!…..                                                                                                                                       

      Me Qaniun nuk kishim pasur kurrë rast të filozofonim për tema të tilla,ndaj nuk e ndërpreva për asnjë çast.Pasi u mendua pak më propozoi të pinim një kafe e,më pas rifilloi:

     – Sot dua të të tregoj nja dy histori dashurie.Në fakt vetëm njëra është e tillë,kurse tjetra është thjeshtë një histori seksi.Si u çvirgjërova!Si e solli rasti,sepse nuk ishte një meritë e imja!      

        Pasi mbarova shkollën e mesme,me sugjerimin e miqve fillova punë në ndërtim.Në   sektorin B,ku banoja prej vitesh,një ditë më thërresin në zyrat e bujqësisë.Sekretari i partisë që ngjallte gjithënjë frikë,më priti me përzëmërsi dhe më kërkoi që të bëja qëndrën e emulacionit,me që sektori nuk kishte dizenjator.”Sa here që do të kemi nevojë do të të thërresim e do të të paguajmë si në  ndërtim-më thanë.Me përgjegjësin e ndërtimit merremi vesh ne,që ata mos të  të pengojnë kur ne të kemi nevojë.Kemi dëshirë ta bëjmë si ajo e sektorit R.Unë do të të çoj me triçikël që ta shohësh vetë.” Nuk fola fare…sepse, nuk i dihet kurrë sesi mund të interpretohet një fjalë e thënë pa të keq në atë kohë të një diktature të paimagjinueshme….U nisëm menjëherë.                          

       Kur u kthyem,sapo hyra në zyrë,mu përballë meje një vajzë e re tek të tetëmbëdhjetat ,me sy të kaltër e me një pamje ëngjëllore që më tronditi që në atë çast!U përpoqa të mos i kushtoj vëmëndje por fytyra,e ndjeja, më kishte tradhëtuar plotësisht.Më dukej se më ishin ndezur faqet flakë e s`po dija si të  dilja nga ajo situatë e papritur,kur sekretari i partisë,sikur ta kishte kuptuar hallin tim,më njoftoi se tani e tutje do të kisha punë me Alidën,se ajo merrej me garat e brigatave e gjithçka tjetër që duhej për qëndrën e emulacionit.Kush nuk do të ishte i lumtur të kishte fatin të punonte me Alidën?!.Ai u largua nga zyra dhe unë mbeta si guhak,duke vështruar sytë e saj.Për çudinë time edhe ajo po vështronte pa ju trëmbur syri.Më dukej se po më rrihnin tëmthat e fytyra më ish skuqur,por më vinte zor ta drejtoja shikimin nga muret që ishin të xhveshur,me përjashtim të”shokut Enver” që qëndronte përballë meje.Në çast trurin ma përshkoi një mendim:Ç`mrekulli të kesh fatin të punosh me një bukuri të tillë!E kisha humbur toruan kur, Alida më këshilloi të afrohesha edhe pak e të shikoja nëse kishte ndonjë problem me shkrimin.U afrova instinktivisht,ndoshta më tepër sesa duhej dhe ndjeva aromën e parfumit të saj.Nuk di ta përshkruaj atë moment!Po të isha poet dota përjetësoja në një poezi.S`di sa kohë ndenjëm “duke parë shkrimin”,sepse unë tashmë nuk e kisha mëndjen aty…”Asnjë problem nuk ka” thashë sa për të thyer heshtjen!Ajo ktheu kokën e po më vështronte drejt e në sy!Buzëqeshi lehtë për një hop e më pas tundi kokën në shënjë miratimi…Isha shumë i turpshëm,e kjo më pengoi ti afroja buzët pranë buzëve të saj.Ndjehesha aq i emocionuar e i lumtur sa më dukej se mjaftonte ti lëvizja pak krahët,e do të fluturoja nga gëzimi.

       Qaniu heshti për pak çaste,pastaj mori frymë thellë e filloi të rrëfejë përsëri: -Nejse…..u nisa për në shtëpi me fletët e shkruajtura të emulacionit socialist dhe gjatë rrugës mendoja i ngazëllyer nëse ndonjëherë mund të bëhej e imja!Fill pas këtij mendimi arrita në përfundimin se bëra shumë mirë që nuk e përqafova,sepse kurrë nuk dihet ç`ndodh;femrat janë të pa parashikueshme!Mund të bënte ndonjë gjest refuzimi e kështu zhgënjimi do të ishte fatal.Isha me fat që herë pas here mund të konsultohesha,sepse dihet:punët e mira bëhen avash avash-thashë me vete.

        Qëndrën e emulacionit e fillova që atë natë dhe ndëjta deri vonë,në mënyrë që ta vija punën përpara.Të nesërmen u ngrita herët dhe vura re se kartonat ishin llangosur me lajle e lujle,ku dominonte e verdha dhe një e kuqe e hapur në atë mënyrë që shkrimi të dallohej mirë.Kur i hodha një sy shkrimit, vura re se e kishte vështirësisht të lexueshëm,si këmbë pule,në kontrast me syt`e saj të bukur.Atë ditë,dy herë u duka në zyrën e saj,gjoja për të deshifruar shkrimin në disa vënde,por të  dy herët u ndesha me fytyrën e vrazhdë të një nëpunësi që e njihja,por që për çudi më përshëndeti përzëmërsisht,gjë që ma lehtësoi disi qëndrimin.Sa here që e shihja më dukej akoma më e bukur.Ndoshta ishte ajo që thotë Shekspiri “dashuri me shikim të pare”.E ndjeja që kisha rënë brënda me të dy këmbët dhe mezi prisja rastin ta provokoja sado pak,për të kuptuar nëse edhe ajo po provonte të njëjtën gjë.Pas kësaj gjithçka do të ishte më e lehtë.Mirëpo si i thonë fjalës,unë isha “hëm qeros hëm kokoros”,desha që gjithçka të bëhej në fshehtësi të plotë,gjë që ishte shumë e vështirë. Dihet që tek njerëzit e zakonshëm,thashethemet janë pjesë e jetës së tyre;vulgu nuk rron dot pa `to…Jo se një intelektuali nuk i pëlqejnë; edhe ai, herë-herë dëshiron të bëjë thashetheme sepse është brënda natyrës së njeriut,por përgjithësisht ka atë vetëdijën se është një humbje e pafrytshme kohe,kur mendon se ka ndonjë ide origjinale që mund tua shpalosë të tjerëve e të kalojë kohën e lire.Sidoqoftë mendoja që të ruhesha sadopak nga përgojimet,veçanërisht tani në fazën e parë,kur nuk kisha asnjë siguri nëse edhe ajo ushqente të njëjtat ndjenja.

       Qëndrën  emulacionit e mbarova në një kohë rekord,sepse dihej,  do të shihja Alidën e do të kishim rastin të shkëmbenim dy fjalë.Më  lindi një nevojë për punën dhe e thirra. Pa e bërë fjalën dysh, më  ndoqi   për     të vendosur kartonat e bërë  gati  sipas  rradhës që do  të   ekspozohesh-in nëpër stenda.Ishte hera e parë që në sektorin tonë përdoreshin ngjyrat. Kur i hapa dhe vura të parën në stendë ajo mu duk se u habit: “Uaa, sa bukur”,shqiptoi me një gjysëm zëri.     

–Vërtetë  të  pëlqen?-ndërhyra unë sa për të hapur muhabet. Shumë,shumë-vërejti ajo me   një zë që dukej sikur pëshpëriste.                                                      

          Atëhere mora një çikë më tepër guxim:”Sikur edhe unë të të pëlqeja kaq shumë…..sa i lumtur  do  të  isha “,shqiptova  me  një  çerek zëri sikur të flisja me vete,e fjalët e mija ti merrte era.Ndërkohë,po shti-resha sikur isha preokupuar me stendën që ti vija kartonat në gone.Meqë nuk mora përgjigje ashtu,instinktivisht,ktheva fytyrën drejt saj. O zot ç`buzëqeshje të ëmbël që kishte!Po më vështronte!…….Atë  çast   s`më mbetej tjetër,veçse ta përqafoja,ta puthja,ta përkëdhelja!Vura re.Rreth e rrotull s`kish  njeri. Kjo,  më  dha  kurajo  që  të avancoja sadopak.-Alida- i pëshpërita,sepse isha shumë i emocionuar- ke ndonjë kundërshtim ti që,pa na vënë re njeri në këtë botë, të takohemi ndonjëherë e të bisedojmë?

        Ajo më vështronte drejt e në sy!Në një çast miratoi me kokë.Unë përsëri u bëra me krahë.”Dua të të  dëgjoj zërin-i thashë –thuaje një fjalë që ta dëgjoj me veshët e mij”.Atëhere ajo shqiptoi një “Po” që mu duk si një psherëtimë ëngjëlli!Edhe pse ishte mesi i ditës,s`po u besoja as syve as zërit të saj,sepse më dukej sikur po shihja një ëndërr që e dëshiroja aq shumë!Një çast desha ta mbyt me komplimenta që i kisha majë gjuhës!Edhe pse më dukej   se do ti dëgjonte me ëndje,mendova ta lë me aq.Kur po ndahesha,pasi hodha prapë një shikim për rreth i kapa dorën,ja shtërngova,ja afrova pranë zëmrës,pranë gojës e ja putha;ja putha pa hasur në kundërshtim,e u largova me të shpejtë si i zënë nga Amoku!Kisha një ndjenjë eksitimi që s`e kisha provuar kurrë më parë!Gjatë ditëve që pasuan ndjehesha aq  lumtur,sa nuk shihja gjë tjetër,veç syve të saj të kaltër që më ndiqnin hap pas hapi!Më dukej se e gjithë bota ishte kaltërsi!  

        – Miku im,me sa pashë, po e përjetonte atë kohë sërish,Psherëtiu thellë e mu duk i mallëngjyer.Ju luta të vazhdonte e ai nuk mënoi  për të vazhduar:

        -Për nja dy javë o Dinkë-foli Qaniu,nuk u tundova që ta shihja,edhe pse e kujtoja ç`do çast.”Me fatin nuk bëhet shaka”-mendova me vete-kur një natë,aty nga ora dhjetë e gjysëm e darkës troket dera.Sapo kishim rënë në gjumë.Ngrihem e tek porta shoh një fare Rustem Aliaj,anëtar partie që më spjegon se me rastin e festës së korrjeve,partia kishte organizuar një mbrëmje dëfrimi me të ngrëna e me të pira.U duhej një fizarmonikë dhe meqë fatkeqësisht,nuk kishin njeri tjetër që ti argëtonte, më kishin ftuar mua.Ja them nënës.Ajo ishte shqetësuar se mos më arrestonin dhe u gëzua si një fëmijë, kur i tregova për shkakun e asaj  vizite  të orës së vonë.

         U vesha shpejt e shpejt,mora fizarmonikën dhe bashkë me Rustemin arritëm tek mensa ku bëhej mbrëmja….(Vijon)

  • Fragmenti eshte marre shkeputur nga “ALIDA” me autor Dine Dine(Nasufi). Po e shfletojme ne Dielli…na ndiqni

Filed Under: LETERSI Tagged With: ALIDA 1, Dine Dine

Nyja Gordiane e Maqedonisë së Veriut

March 9, 2021 by dgreca

tablo rreth regjistrimit të popullsisë)

Albulenë Halili &

Shemsedin Ibrahimi*

“Totalitarizmi mund të lulëzojë atje ku njerëzit refuzojnë sistematikisht që të merren me realitetin dhe janë të gatshëm të zëvendësojnë arsyen me ideologjinë dhe trillimet.”Hana Arend

Prolog

Nyja Gordiane e Maqedonisë së Veriut është regjistrimi i popullsisë. Ai përbën njërin nga proceset më të rëndësishme për shqiptarët, që nga pavarësimi i vendit nga ish Jugosllavia, por njëkohësisht është thelbësor edhe për të ardhmen e vetë shtetit.

Maqedonia e Veriut po përgatitet që operacionin më të rëndësishëm për vendin, regjistrimin e popullsisë, ta realizojë pas një vonese pothuajse dydekadëshe. Kjo vonesë per se dëshmon mungesën e vullnetit, por edhe paaftësinë e këtij shteti për të realizuar një operacion, i cili në një shtet e shoqëri normale, do të qe vetëm një operacion i thjeshtë statistikor. Kjo vonesë e parëndomtë për një shtet evropian, në të njëjtën kohë hedh dyshimin rreth legjitimitetit të strukturave shtetërore gjegjëse, se regjistrimi, i cili nuk ka mundur të realizohet për dy dekada, do të mund të realizohet si dhe të realizohet sipas standardeve të duhura.

Por, pyetja thelbësore që duhet të parashtrohet tani është: përse në Maqedoninë e Veriut regjistrimi nuk është vetëm një operacion statistikor?

E para, për shkak të natyrës së këtij shteti, të rregulluar kësisoji që në gjenezë të tij, numri i banorëve të etnive që jetojnë në Maqedoninë e Veriut përcakton gjithçka, duke nisur nga kushtetuta, ku përcaktohet se kujt i përket sovraniteti, të drejtat kolektive, përfaqësimi në institucione, ndarja territoriale, listat zgjedhore, përdorimi i gjuhës shqipe, shpërndarja buxhetore e kështu me radhë. Pra, përqindja e etnive që jetojnë në këtë shtet është kategori kushtetuese. 

Ndërkaq arsyeja e dytë madhore është se gjithmonë ka pasur tendenca që këto numra të manipulohen me qëllim të ruajtjes së status quo-së.

Sfondi historik

Nëse u hedhim një vështrim historik të dhënave zyrtare statistikore të regjistrimit të popullsisë, do të vijmë në përfundim se në Maqedoni, duke filluar nga viti 1949, tendenca e strukturave të ndryshme shtetërore republikane dhe federative të asaj kohe kanë qenë në drejtim të minimizimit të numrit të etnisë shqiptare, rritjes së numrit të etnisë maqedonase dhe asaj turke dhe mospërfilljes së etnive të tjera, të cilat në të shumtën e rasteve janë regjistruar si maqedonas. E gjithë kjo është bërë duke përdorur forma të presionit dhe të manipulimit strukturor.

Presioni kryesisht është përqendruar në dy kahe. Njëri kah ka qenë manipulimi konceptual, duke krijuar bindje pasigurie, në kuptimin e krijimit të hamendjes për numrin e të tjerëve dhe pa e vënë kurrë në diskutim numrin e “popullsisë shumicë”. Kjo vërtet ka krijuar pasiguri dhe frikë të shqiptarët, të cilët pas Luftës së Dytë Botërore u shpallën bashkëpunëtorë të fashistëve, armiq të shtetit dhe në një formë – të padëshiruar. Duke u shpallur të padëshiruar, atyre iu ofrua opsioni i largimit nga vendi nëpërmjet marrëveshjeve tashmë të nënshkruara midis ish-Jugosllavisë dhe Turqisë për shkëmbimin (lexo: shpërnguljen) e popullsisë myslimane. 

Shqiptarët, të ndodhur në udhëkryq historik, e patën shumë vështirë të qëndrojnë gjatë dhe disa prej tyre edhe iu nënshtruan kësaj trysnie. Kështu, sipas të dhënave statistikore, në vitin 1953, numri i shqiptarëve është përgjysmuar dhe është rritur numri i turqve edhe pse logjikisht turq nuk do të duhej të kishte në Maqedoni, meqenëse ishte realizuar marrëveshja e këmbimit të popullsisë myslimane (lexo turke). Çuditërisht, gjatë këtij viti dyfishohet numri i kësaj etnie. Nuk ka statistikë e as metodologji që është në gjendje që ta shpjegojë këtë, porse me fjalor dhe metoda politike, për të mos thënë gjenocidale.

Tabela 1. Të dhëna nga regjistrimi i popullsisë gjatë viteve 1953-2002

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, shteti i pavarur (Maqedonia, Republika ish-jugosllave e Maqedonisë) përveç sistemit e elitës institucionale e politike, nga regjimi pararendës trashëgoi edhe mendësinë shtetërore dhe qasjen ndaj shqiptarëve, të cilët mbetën qiraxhinj në shtëpinë e vet.  

Edhe sot, Maqedonia e Veriut ka një shoqëri multietnike, por sistemi kushtetues, pra shteti i krijuar në gjysmën e territoreve historikisht shqiptare, është monoetnik. Sipas preambulës, të amendamentuar me ndryshimet kushtetuese në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, ky shtet u takon qytetarëve të ndarë në dy kategori: popullit maqedonas dhe qytetarëve të cilët jetojnë brenda kufijve të saj të cilët janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vlleh, (…). 

Së dyti, po në preambulë thuhet se këta qytetarë, “në përputhje me traditën e Republikës së Krushevës dhe vendimet e KAÇKM-së dhe të Referendumit të 8 shtatorit të vitit 1991, vendosën ta konstituojnë Republikën e Maqedonisë si shtet të pavarur, sovran (…)”. Shikuar historikisht, për hir të së vërtetës, në asnjërën nga këto ngjarje historike nuk pasqyrohet vullneti i shqiptarëve. Këto ngjarje janë bërë: ose pa shqiptarët, ose kundër tyre.

Që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut janë realizuar dy regjistrime të popullsisë: në vitin 1994 dhe 2002. Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është kryer në vitin 2002. Numri i përgjithshëm i banorëve sipas këtij regjistrimi ka qenë 2 022 547 milionë banorë, përqindja e maqedonasve – 64.2%, ndërkaq ajo e shqiptarëve – 25.2%. 

Përgjatë gjithë këtyre viteve, në hapësirën shqiptare ka pasur zëra se shqiptarët në Maqedoni të Veriut përbëjnë: më shumë se një të tretën e numrit të përgjithshëm të popullsisë, se numri i popullsisë shqiptare është 33%, 47 %, më i lartë se 40%, etj.

Në vitin 2011 ishte planifikuar që të realizohet procesi i regjistrimit, por ai pati dështuar për shkak të mospajtimeve midis partnerëve të koalicionit qeveritar rreth metodologjisë dhe siç thuhej, vështirësive teknike.

Perspektiva

Procesi i regjistrimit është caktuar që të realizohet gjatë periudhës 1-21 prill 2021. Ligji për realizimin e procesit të regjistrimit të popullsisë u miratua në Kuvend në janar të këtij viti. Votimi i këtij ligji u bojkotua nga opozita maqedonase OBRM-PDUKM dhe E majta (Levica). Vlen të theksohet se i tërë spektri politik shqiptar pa dallim, ka votuar pro këtij ligji. Por, ajo që është edhe më e rëndësishme se ligji është metodologjia për përgatitjen dhe realizimin e regjistrimit, e cila u shpall nga drejtori i Entit shtetëror për statistikë pa shqyrtim publik, ditë pas votimit të ligjit në kuvend. Sipas kësaj metodologjie, familjarët nuk do ta kenë të drejtën të deklarojnë përkatësinë etnike dhe fetare të afërmve të tyre që janë në mërgim. Pra regjistrimi i të afërmve të cilët nuk gjenden në vend në kohën e regjistrimit, lihet në mëshirën e një sistemi onlajn jofunksional dhe me shumë probleme.

Vetja dhe Tjetri

Gjatë gjithë këtyre viteve regjistrimi i popullsisë është parë si gogol nga strukturat shtetërore, ndaj dhe është shmangur deri sa më kjo nuk ishte e mundur. Këto struktura në një farë mënyre kanë qenë gjatë gjithë kohës të vetëdijshme për realitetin demografik në vend. Ndonëse Maqedonia e Veriut nuk e ka realizuar procesin e regjistrimit që nga viti 2002, strukturat shtetërore gjegjëse kanë të dhëna të mjaftueshme për të pasur projeksione mbi gjendjen aktuale demografike dhe lëvizjet e popullsisë. 

Projeksionet mbështeten në natalitetin, mortalitetin dhe rritjen e popullsisë në vend. Përveç këtyre, pjesëmarrja e shqiptarëve në pushtet, do të duhej të mundësonte sigurimin e projeksioneve të pavaruara të cilat përpilohen nga të dhëna e indikatorë zyrtarë nga dikastere të ndryshme shtetërore, siç janë ministritë, agjencitë, kompanitë e shpërndarjes së energjisë elektrike, ato të telekomunikacionit, ndërmarrjet publike komunale e kështu me radhë.

Sa i përket natalitetit, të dhënat nga tabela e mëposhtme dëshmojnë se rritja natyrore sipas përkatësisë etnike për vitet 2008-2010, te shqiptarët është pozitive krahasuar me atë tek etnia maqedonase, ku vite me radhë është i pranishëm një trend rënës. 

Tabela 2. Lëvizja natyrore e popullsisë në vitet 2008-2010  

E njëjta gjë ndodh, sipas të dhënave zyrtare statistikore edhe me vitet pasuese 2015-2019, edhe pse te këto të dhëna mungojnë shifrat e vdekshmërisë sipas përkatësisë etnike, gjë që na pamundëson që të kemi rezultate lidhur me lëvizjen natyrore të popullsisë për këto vite dhe të bëjmë krahasime me periudhën paraprake.

Tabela 3. Numri i foshnjeve të lindura gjatë viteve 2015-2019 sipas përkatësisë etnike të nënës

Tabela 4. Struktura e lindjeve gjatë viteve 2015-2019 sipas përkatësisë etnike të nënës

Në figurat më poshtë, tabelat 3 dhe 4 janë paraqitur vizualisht për dy vite të zgjedhura nga botimi i fundit vjetor i Entit për Statistika, pra vitet 2015 dhe 2019, me qëllim të krahasimit.

Figura 1. Lindjet sipas përkatësisë etnike në vitin 2015

Figura 2. Lindjet sipas përkatësisë etnike 2019

Më poshtë kemi hartën me të dhëna ku pasqyrohet rritja natyrore e popullsisë gjatë vitit 2019 sipas rajoneve statistikore sipas të cilave është e ndarë Maqedonia e Veriut. Nga harta shihet qartë se rajonet ku jetojnë shqiptarët kanë rritje natyrore më të madhe të popullsisë në krahasim me rajonet tjera. 

Figura 3. Rritja natyrore sipas rajoneve statistikore për vitin 2019

Te projeksionet shqiptare duhet të merren parasysh po ashtu deklaratat e përfaqësuesve shqiptarë, si ato në pushtet, ashtu edhe ato të opozitës. Këtu duhet pasur parasysh deklaratat si ajo e zv. ministrit të Punëve të Brendshme A. Nuhiu, i cili para një muaji pati thënë se: “sipas pasaportave valide, 30.4% janë shqiptarë duke marrë parasysh se ka edhe shqiptarë që nuk posedojnë pasaporta në shqip”. Në të njëjtën periudhë kohore, ish ministri i Arsimit Ademi, deklaroi se numri i nxënësve për vitin shkollor 2017/18, ka qenë 121 mijë e 272 maqedonas respektivisht 64,22%, ndërsa i atyre shqiptarë 60,709 respektivisht 32,15%”.

Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë duke u bazuar në të dhënat e grumbulluara nga regjistrimi në shkollat e mesme thonë se mbi 35 përqind e nxënësve të regjistruar në nivel të republikës janë shqiptarë. Numri i nxënësve maqedonas mund të jetë edhe më i vogël nëse merren parasysh se shumë nxënës shqiptarë, por edhe nxënësit e bashkësive etnike turke, rome, vllehe, serbe e boshnjake që mësimin e vijojnë në paralelet me mësim në gjuhën maqedonase.

Edhe nga opozita shqiptare kemi analiza dhe përfundime që janë në të njëjtën vijë. Deputeti i opozitës shqiptare H. Snopçe pati deklaruar në janar të këtij viti se: “Nëse merren të mirëqena të dhënat e vitit 2002 dhe nëse statistikisht i analizojmë lëvizjet e lindshmërisë dhe vdekshmërisë prej vitit 2003 deri në vitin 2019, unë ju garantoj se shqiptarët nuk janë më pak se 29 %, por janë mbi 29 %.”

Sa i përket palës maqedonase, diskursi i tyre mund të mos jetë i harmonizuar, por interesi i tyre i përbashkët dhe qëllimi final gjithsesi se po. 

Pas shpalljes se regjistrimi do të realizohet, vlen të veçohen dy deklarata mjaft indikative të kreut të shtetit. E para, se: “liderët e partive politike do të duhet të nënshkruajnë deklaratë politike dhe se rezultatet nga regjistrimi nuk do të sjellin rishikimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit apo Kushtetutës”, dhe e dyta, se ai është kundër përfshirjes së grafës etnike në formularin e regjistrimit. Kjo gjithsesi se është shprehje e panikut dhe frikës nga përballja me rezultatet e regjistrimit, po qe se ai kryhet siç duhet, që do të shpërfaqte realitetin e mohuar përgjatë gjithë historisë së këtij shteti. 

Në këtë vijë, është edhe deklarata e drejtorit të Entit shtetëror për statistika, i cili në një artikull të Balkan Insight në vitin 2020, pati deklaruar se etnia nuk është faktori thelbësor në Maqedoninë e Veriut. 

Ka reagime të ndryshme, por emërues i përbashkët i këtyre reagimeve është numri i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Që në vitin 2012 ish-udhëheqësi i OBRM-PDUKM, Lupço Georgievski kishte deklaruar se shqiptarët përbëjnë 30% të popullsisë. 

Opinioni maqedonas është i ndarë në dy pjesë sa i përket procesit të regjistrimit. Ata që e përkrahin OBRM-PDUKM, të cilët pretendojnë se numri i shqiptarëve është më i vogël se 20% dhe e shprehin frikën se rezultatet nuk do të jenë të sakta dhe ky numër do të jetë shumë më i madh. Pjesa tjetër janë përkrahësit e LSDM-së, të cilët janë për realizimin e regjistrimit dhe deklarohen se nuk do t’i kontestojnë rezultatet, por se në fund, të njëjtat nuk do të ndikojnë në të drejtat e fituara të asnjë etniteti. Në këtë vijë ishin edhe deklaratat e mësipërme të presidentit të vendit.

Pleksja e procesit

Nuk ka mbetur as edhe një muaj nga fillimi i procesit dhe çështjet që dalin në pah mund të ndikojnë ndjeshëm rezultatin e regjistrimit. Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në një takim me homologen e tij bullgare në mars të këtij viti, duke u përgjigjur lidhur me ankesat bullgare për shkeljen e të drejtave të bullgarëve dhe pamundësisë së tyre për ta kultivuar dhe shprehur identitetin e tyre deklaroi se “organizatat qytetare duhet të takohen dhe të kërkojnë nga këshillat  regjistrues të shtojnë një rubrikë për regjistrimin e bullgarëve”. Bullgaria deri tani ka ndarë me mijëra pasaporta bullgare në Maqedoninë Lindore duke mos përjashtuar as ish zyrtarë qeveritarë të Maqedonisë. Sipas një të dhëne, të vitit 2006, në gazetën maqedonase “Veçer” thuhet se që nga viti 1990 e deri në nëntor të 2006, 10 198 maqedonas kanë marrë pasaporta bullgare. Sipas të dhënave zyrtare të prezentuara në tetor të vitit të kaluar në parlamentin bullgar, në periudhën prej janarit 2010 deri në tetor 2020 janë ndarë gjithsejt 66 mijë shtetësi bullgare për shtetas maqedonasë. 

Epilog

Në Maqedoninë e Veriut të gjithë flasin për numrin e shqiptarëve e askush nuk flet për numrin e të tjerëve në këtë shtet. Çka do që të kishte ndodhur me numrin e  përgjithshëm të popullsisë, do të kishte prekur të gjitha grupet etnike në këtë vend. Pra, nëse kanë emigruar shqiptarët, kjo nuk do të thotë se nuk kanë emigruar edhe maqedonasit, turqit, serbët, etj. Nëse është zvogëluar numri i shqiptarëve si pasojë e emigrimit, kjo s’do të thotë se nuk është zvogëluar edhe numri i të tjerëve në këtë vend.

Parashikimi i parë, lidhet me numrin e përgjithshëm të popullsisë, i cili, sipas të gjitha parametrave matëse, pritet të jetë diku rreth 1 milionë e gjysmë. Vitin e kaluar vetë drejtori i Entit shtetëror të statistikave pati deklaruar se: “Kam frikë se nuk ka më shumë se 1.5. milionë banorë në shtet, por këtë nuk mund ta vërtetoj”. 

Megjithatë, ky regjistrim mund të mos e shpërfaqë të vërtetën demografike dhe pabarazinë e mohuar sistematike mbi të cilën rri ulur këmbëkryq ky shtet, por një gjë është e vërtetë, ai nuk do të nxjerrë numër më të vogël të shqiptarëve, sepse pikërisht te shqiptaret të gjithë treguesit e matshëm janë rritës. 

Mbarëvajtja dhe rezultatet e regjistrimit mund të sjellin dy skenare të mundshme, si vijon:

– Në skenarin më të mirë, pra në qoftë se procesi i regjistrimit përshkohet nga respektimi i rregullave dhe parimeve të pranuara botërisht për të kryerjen e këtij procesi, rezultatet e regjistrimit pritet që të shpërfaqin një realitet krejtësisht të ri e të mohuar për një kohë të gjatë.

Çështja problemore atëherë do të ishte, duke marrë për bazë argumentimin më lart, se ky realitet i ri duhet të përligjet dhe të sanksionohet edhe juridikisht, pra që në aktin më të lartë juridik, kushtetutën e vendit, e cila është po ashtu pjesë thelbësore e problemit të këtij shteti, duke e shfuqizuar burimin e të gjitha marrëzive që rrjedhin nga koncepti non sens i popullit 20%.

– Në skenarin më të keq mund të ndodhin dy variante edhe atë: OBRM-PDUKM të mos i njohë rezultatet e regjistrimit dhe të propozojë një datë tjetër të mbajtjes së tij, që do të kishte ndërlikime brenda dhe jashtë në aspektin e legjitimitetit institucional, ose rezultatet e dala na regjistrimi të jenë si pasojë e ndonjë manipulimi sistematik të krijuar dhe zbatuar me vite që formalisht të ulin numrin e shqiptarëve. Kjo e fundit, do t’i elektrizonte dhe zhgënjente ata, kurse veprimet për të ardhmen askush nuk do të mundte t’i parashikonte.

Në të dy skenarët e paraqitur më lart, shqiptarët duhet të veprojnë me një zë, të ofrojnë alternativat, rrugëzgjidhjet dhe strategjinë e ardhshme. Partitë politike shqiptare, dhe jo vetëm ato, por edhe universitetet shqiptare, OJQ-të, mediat, sektori privat dhe inteligjencia duhet të mobilizohen, që t’i paraprijnë procesit. 

Faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut duhet:

  • Të krijojë mekanizma që nuk do të lejojnë që procesi i regjistrimit të zhvillohet pa përfshirjen e plotë të ekspertizës dhe politikës shqiptare që në fillim e deri në përfundimin e regjistrimit;
  • Të bëjë fushatë për të promovuar rëndësinë e regjistrimit të popullsisë shqiptare si një proces shumë i rëndësishëm dhe historik i shqiptarëve;
  • Të krijojë debat gjithpërfshirës, ku nuk do të diskutohet vetëm për regjistrimin e shqiptarëve, por të diskutohet si një proces i përgjithshëm shoqëror, ku shqiptarët janë faktor kyç.

Po ashtu, ata duhet të jenë të përgatitur për të dy situatat:

– Në rast se rezultatet nuk janë në përputhje me projeksionet e tyre dhe treguesit e institucioneve të tjera të cilat janë paraqitur më lart në këtë artikull; apo edhe në rastin e kundërt, pra,

– Në qoftë se këto projeksione e evidenca dalin të vërtetuara.

Ndodhemi, pra përpara një procesi kombëtar historik dhe kemi nevojë për qasje policentrike e fushëveprim shumëvektorësh që do t’i përfshijnë të gjithë aktorët e shoqërisë sonë. Ashtu siç kemi nevojë për vigjilencë, unitet dhe një strategji bashkëkohore për të ardhmen tonë dhe brezave që do të lëmë pas.

—
Shënim:

Tabela 1 dhe 2 janë marrë nga Profesor I. Zeqiri, tabela 3 dhe 4 dhe figura 3 janë marrë nga Enti Shtetëror i Statistikave, ndërkaq figura 1 dhe 2 janë krijuar nga autorët e këtij teksti nga të dhënat zyrtare të marra nga Enti statistikor.

*E dergoi per Dielli:Albulena Halili

Filed Under: Analiza Tagged With: Albulena Halili, maqedonia e Veriut, nyja gordiane, Shemsedin Ibrahimi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT