• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2021

PAGËZIMI: IKONA E LUMTURISË SË AMSHUAR

March 7, 2021 by dgreca

Nga Don Robert Kola/

Apostujt dhe pasardhësit e tyre mbahen nga Kisha edhe si “mësues të hirit.”[1] Natyra dhe hiri janë si dy faqe që përbëjnë një fytyrë të vetme në jetë. Nëse mohohet njëra faqe, fytyra gjithmonë dëmtohet. Në Kishë, si dje si sot, ngatërrimi rreth hirit dhe natyrës është përplasja më tronditëse. Duke shkërmoqur herezinë e Pelagijes, e cila shquante veprimin natyror mbi hirin, Shën Augustini i drejtohet me këto fjalë: “Në këtë qëndron rrënja e tmerrshme e gabimit tuaj: ju synoni që të dalloni dhuratën e Krishtit në shembullin e tij, ndërsa dhurata është vetë Personi.”[2]

Mjafton të hidhet një shikim për rreth nesh dhe do të hetojmë së kur hiri ndahet nga Personi i Krishtit, gjithë mësimi, katekeza, edukimi, shpërfaq vetëm moralizim dhe disiplinë.

Shën Gregori i Nazianzenit, si rrallë midis etërve të Kishës, u shqua si mësues i hirit. Me të drejtë ai quhet nga tradita e Kishës: “Teolog.” Këtë titull Kisha e përdori vetëm për Shën Gjonin Ungjilltar dhe Shën Simonin i quajtur Teolgu i Ri. Shën Gregori po ashtu mbahet edhe si “poeti i Trinisë së Shenjtë.” 

Vëzhgimet e tij teologjike i thuri sidomos gjatë homelive, në kremtimet liturgjike të mistereve, në bashkësinë e besimtarëve që e udhëhiqte si bari. Nga vatra e liturgjisë mori dritën dhe lartësimin e shikimit në njohjen e Krishtit të Ngjallur. Po në këtë dritë i përflaku edhe besimtarët. 

Këtu po shkëpus vetëm pak rreshta nga një homeli e tij të mbajtur në festën e “Dritave” apo të  “Shndritjes,” siç quhet në traditën lindore festa e Pagëzimit të Krishtit. 

Shën Gregori duke kundruar misterin e Pagëzimit të Krishtit, në të cilin shquhet edhe misteri i ynë i lindjes së re, rreth tij, veçon:

Pagëzimi ose shndritja është shkëlqim i shpirtit.

Është ndërrim i jetës.

Është pyetje drejtuar Hyjit nga ana e ndërgjegjes sonë. (khrs. 1Pj 3, 21)

Kjo shndritje është ndihmë ndaj ligështisë sonë.

Kjo shndritje është zhveshje nga mishi ynë.

Është besnikëri ndaj Shpirtit të Shenjtë.

Është bashkim me Fjalën.

Është ringritje e përngjasimit tonë, sipas shëmbëllimit të Hyjit.

Është larje e mëkateve.

Është shpërndarje e errësirës.

Pagëzimi është mjet i cili udhëheq tek Hyji.

Është shtegtim së bashku me Krishtin.

Është mbajtësja e fesë.

Është përsosje e mendjes

Është çelësi i mbretërisë.

Është ndërrimi i jetës.

Është zhdukja e skllavërisë sonë.

Është lartësimi i qenies sonë të brishtë.[3]

Në sakramentin e Pagëzimit, Shën Gregori vëren dhuratën dhe hirin më të mrekullueshëm që ofron Hyji. Dhurata e pagëzimit është aq e lartë sa nuk mund të shprehet ndryshe, pos si ajo që mbahet më e “Shenjta e shenjtëve” apo si “Kënga e këngëve.” Rreth saj ai thoshte: “Pagëzimi është hiri më i bukuri dhe më i madhërishmi nga dhuratat e Hyjit. Ashtu siç thuhet për ato gjëra që përmbajnë një kuptim të lartë, si fjala vjen: “Shenjta e shenjtëve” apo “Kënga e këngëve”, ashtu edhe pagëzimi është shndritja më e shenjta ndër të gjitha të tjerat që qëndrojnë mes nesh.

Thirret me emërime të ndryshme, ashtu si edhe vetë Krishti i cili e dhuron këtë të mirë. Edhe dhurata e tij, po ashtu, thirret me emra të ndryshëm, qoftë për gëzimin e madh që na shkakton, kur e pranojmë, qoftë për të mirat e shumëllojshme që vijnë prej tij dhe nxisin kënaqësinë e thurjes së shumë emërtimeve, ndaj kësaj dhurate. 

Ne e quajmë dhuratë, hir, pagëzim, lyerje, shndritje, veshje e pashkatërrueshmërisë, larje e rilindjes, vulë. Pra, gjithë ajo çka është e çmueshme: dhuratë, sepse është dhuruar falas; hir, sepse jepet pranë asaj që mbesim borxhli; pagëzim, sepse mëkati është varrosur në ujë; lyerje, sepse është e shenjtë dhe jepet falas; shndritje, sepse është e shkëlqyer; veshje, sepse është veli që mbulon marrëzinë tonë; larje, sepse pastron; vulë, sepse është roja dhe shenja e  Atij që sundon mbi ne. 

Pagëzimit, së bashku me ne, i gëzohet edhe qielli. Edhe engjëjt kremtojnë, pasi janë të ngjashëm me natyrën e shkëlqimit të tij. Pagëzimi është ikona e lumturisë së amshimit.“[4]

Duhet theksuar, jo dhe pa dhimbje, që në teologjinë perëndimore (nisur nga shek. VIII), filloi të zbehet teologjia mistagogjike, pasojë e të cilës, ndër të tjera, ishte dhe humbja e kuptimit që kishte simboli: në Perëndim duke u nisur nga kjo periudhë, simboli filloi thjesht të mbahej vetëm si një shenjë (signum) dhe në traditën latine përkthehej si “indicia.”[5] Kuptimi semantik i shenjës do të ndikojë dhe në kuptimin e përmbajtjes teologjike të sakramentit. Duke qenë se “logjika e shenjës kërkon saktësimin e përfshirjes të një realiteti, ndërsa ajo e simbolit kërkon të përfshijë shumësinë e kuptimeve,”[6] ndikoi që në traditën perëndimore teologjia e sakramentit të përqendrohet vetëm rreth natyrës së saktësimit të tij. Të kujtojmë vetëm diskutimet rreth saktësimit të formës dhe materies së sakramentit, duke lënë në harresë gjithë poliseminë e kuptimit që ofron simboli. “Shenja kërkon të përkufizojë dhe të përmbyllë një njëmendësi, ndërsa simboli hap horizonte të pambarueshme, përfshin nduar-nduarshmërinë e kuptimeve dhe ka natyrë polisemike […] Asnjë koment nuk mund të përfshijë dhe të përmbyllë kuptimin e shumëfishtë që përvijon simboli i pagëzimit i pranuar në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë, apo të gostisë eukaristike në të cilën Jezusi thotë: “Ky është korpi im që do të flijohet për ju, merrni e hani.”[7]

Kisha ka ruajtur edhe në traditën tonë perëndimorë në Ritualin romak të Pagëzimit, disa prej tropareve më të lashta të Kishës, në të cilat këndohet dhe madhërohet aq thellë dhe bukur hiri i Pagëzimit. Në njërin prej tropareve, Kisha i këndon gurrës së Pagëzimit:

Kjo është gurra e jetës që mbarë botën ujit

e që buron prej varrës së Krishtit.

Shpresoni në Mbretërinë e qiellit

ju që u rilindët nga ky burim.[8]

Sa thellë e dëshmoi këtë edhe martiri, Vinçenc Prennushi, i cili duke i kënduar dhuratës së fesë, në një poezi të veten, shquan gjithë dritën e saj që nuk fiket as në salvime të tmerrshme. Poeti dhe martiri,  ndër të tjera, i këndon hirit që pranoi në pagëzim: 

N’ ditë t’ Pagzimit me i’ petk bore

M’ a mloi shtatin kuer kjeçë fmi,

E me ‘i rreze, qi kurr s’ shkimet

M’u ba drit n’ t’ tana salvimet.[9]

Simboli është “epifani e një misteri”[10] dhe “i përket universit të parabolës,”[11] kundrimi dhe përsiatja përmes mendësisë së simbolit nuk lejon “kurrë të fiket zjarri i vatrës mistike të jetës.”[12]

Pra, pagëzimi është hir, është shndritje shpirtërore; me këtë akt hapen rrugët e lidhjes së drejtpërdrejtë me dashurinë e Hyjit dhe të Bitit të tij, Krishtit: Dashuria jote le të jetë ngushëllimi im, sipas premtimit që i bëre shërbëtorit tënd (76); hapen mundësitë e njësimit me Të, të baninimit në shtëpinë e tij, siç thuhet në Psalmin: 

“Lum ai që banon në shtëpinë tënde: 

i këndon pa fund lavdet për ty” (Ps 84, 5)

ose

E mira ime është të rri pranë Hyjit;

në Zotin tim unë e kam strehimin (Ps 73,28).

Me pagëzim zë fill jeta drejt dashurisë së mirëfilltë ndaj Krijuesit: Hyj, sipas dashurisë sate, ma jep jetën. (159); Aibëhet mirëfilli tenda jonë e shpëtimit, jo vetëm gjatë jetës sonë tokësore, po edhe në botën e përjetshme.

Pra, me pagëzim shënohemi si të shenjtë, si thoshte Nëna jonë Tereze: “Duhet të bëhemi të shenjtë jo pse duam të ndihemi të shenjtë, po pse Krishti duhet ta jetojë jetën e vet në mënyrë të plotë në ne […] Shenjtëria është bashkimi me Zotin, në lutje e në aksion”.


[1] SHËN ATANAZI, Letrat Pashkore, në Liturgjia e Orëve II, Qendra Don Bosko, Tiranë – Shkodër – Prishtinë 2006, f. 287.

[2] S. AGUSTINUS, Contra Iulianum. Opus imperfectum, 1002.

[3] GREGORIO DI NANIANZO, Tutte le Orazioni, përkth., në it., C. Moreschini, Bompiani, Il Pensiero Occidentale, Milano 2002, f. 923.

[4] GREGORIO DI NANIANZO, Tutte le Orazioni, f. 924.

[5] A. M. ORSELLI, Controversia iconoclastica e crisi del simbolismo in occidente fra VII e IX secolo, në: Culto delle immagini e crisi iconoclasta, Quaderni di synaxis, EdiOfts 1986, f. 116.

[6] M. SCOUARNEC, I simboli cristiani, Milano 2000, f. 13

[7] Po aty, f. 13.

RENDI I PAGËZIMIT PËR FEMIJËT DHE RENDI I KREZMIMIT, Boton: Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë, f. 92.

[9] AT VINÇENC PRENNUSHI, Gjeth e lule, Botime Françeskane, Shkodër 2006, f. 140.

[10] G. DURAND, L’uomo religioso e i suoi simboli, në: Le origine e il problema dell’homo religiosus, Vol., 1, në përkujdesje të J. Ries, JacaBook, Milano 1989, f. 84.

[11] Po aty., f. 84.

[12] J. HUIZINGA, L’autunno del Medio Evo, Firenze 1966, f. 287.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Don Robert Kola, Pagezimi

Në nderim të pedagogut shkodran Lec Zadeja

March 7, 2021 by dgreca

Një jetë kushtue arsimit e edukimit të brezave/

Nga Pjeter Logoreci/

Për çdo shkodranë, sidomos moshat e mesme e shkue, figura karizmatike e mesuesit Lec Zadeja asht e njohtun, jo vetëm nga paraqitja e tij, por shumë kush mund t’a ketë takue atë në ndonji orë mësimi zyrtar apo privat, në ndonji sallë konference shkencore, aktivitet kulturor, historik apo sportiv.  Në shoqninë e ambientet shumë kulturore të qytetit, por edhe në fshat, Lec Zadeja ishte kudo prezent e aktiv edhe mbas pensionimit. 

Personalisht, mësues Lecin, e njoha në rrethet shoqnore ku mblidhej ajka e intelektualëve të qytetit të Shkodres, ku edhe ai bante pjesë. Në këtë shkrim për figuren e tij, dishroj me i sjellë brezave të ri, ato çka ndiva e çka msova prej tij e miqve të tij intelektual.

Lec Zadeja, i biri i Luigjit e nanë Shaqes, kje lindë në Shkodër me 6 qeshor 1927. I ati ishte me zejë marangoz, ndërsa e ama Shaqja, grue shpijake. Ishin nji familje e thjeshtë qytetare ku njihej humori, mbasi Luigji ishte figurë e dashtun si gaztor e per bejta, por edhe si personazh i përhershëm ndër karnavalet e qytetit. Luigj nuk e pat jeten e gjatë dhe vdiq nga tuberkulozi kur Leci, 14 vjeçar, pat ma nevojë se kurrë për baben e vet. Mbas dekës së babës, për Lecin u kujdes daja i tij, Pjetri. 

Qysh i vogël, Leci u dergue në nji foshnjore afër shpisë, që njihej me emnin e msueses, si “Shkolla e Lenës”, e prej aty në Kuvendin e Motrave Servite. Mësimet e fillores i mori në “Shkollen e Dugajve të reja” deri sa ju gjet vend në Shkollen Fillore Françeskane. Ndër françeskanë vazhdoj edhe Gymnazin “Illiricum” e ishte pjestar i grupit koral Scola Cantorum që drejtonte At Martin Gjoka. Kur kjo shkollë kje mbyll prej komunistëve, për të krye maturen ju desht me hy në Liceun e Shtetit ku u diplomue në nandor 1947.

Për nevoja të ekonomisë familjare, Leci filloj të punojë (nënpunës) daktilografist për Shpinë e Kulturës në  Shkoder e,  mbas, në Fabriken e Çimentos, deri sa u punësue aty ku ishte deshira e tij, në Seksionin e Arsimit si mësimdhanës e edukator në kurset e sapo hapuna për pedagogjinë. Me mbarimin e Kurseve Pedagogjike, vazhdoj me dhanë  mesim në shkollen 24 Maji e atë të mbramjes. 

Nga përvoja e krijueme e dhuntia pedagogjike, u caktue drejtor i shkolles 7 vjeçare të Oblikës, ku punoj me përkushtim deri sa u thirr ushtar. Mbas shërbimit ushtarak në Tiranë, arriti të plotësojë ambicjen e tij, të marrë diplomen për Gjuhë e Letersi në Institutin Pedagogjik Aleksandër Xhuvani në kryeqytet. 

I paisun me virtyte të nalta, talent, disiplinë e dëshirë për punë, drejtoj me aftësi shkollen e Gruemirës, të Mjedës e dha eksperiencen e tij si mësues në shkollen e Gurit të Zi, në Seksionin e Arsimit të Rrethit  Shkoder si inspektor, por  edhe në Institutit e lartë Pedagogjik si shef i administratës.  Ndër kohë plotësoj studimet e larta për Gjuhë / Letersi në ILP e dha mësim në shkolla të ndryshme në qytet; Shkollën Pyjore, Mjeksore…deri sa duel në pension pas 35 vjet pune në arsim. Por edhe pse në pension Leci ishte pedagogu i parë që dha landen e Latinishtes në Universitetin e Shkodres. 

Lec Zadeja ishte një burrë shumë i dashtun dhe i respektuem në Shkodër. Studentët, xansit, kolegët e shkodranët ishin familja e tij. Ishte burrë i dijtun dhe gjithmonë i gatshëm me ndihue kedo që i drejtohej për ndihmë. Ishte atdhetar i flakët e luftonte me të gjithë qenien e tij për t’ju ba të dijtun rinisë (xansave) trashigiminë kulturore, gojore apo monumentale që Shkodra e Shqipnia ka. 

Jetonte i vetëm me nanen në nji shpi të thjeshtë përdhese, por karakteristike shkodrane, me oborr, pus, lule borë e lule vile, me derë të vogël e karakteristike oborrit, që tregonte për vjetërsinë e saj. Oborri kishte lulishtë e shteg kalldrëmi që të qonte në hymje të shpisë, ndërsa ambientet e mbrendëshme ishin një muze i vertetë etnografik. Leci kujdesej për çdo detaj, e sidomos ndër festa, kush i shkonte mik, përjetonte nji ceremoni pritje, që veç ndër shkodranë me traditë qytetare mund ta gjeje. 

Unë i shkojshe çdo vjet, diten e Shën Kollit, që ishte dita e tij e emnit, e Leci, perveç se me raki e kafe, më nderonte me reçel shpije që e punonte vetë. Ishte veçanërisht krenar që pat kushri i Dom Ndre Zadejën, poetin e amelcisë, për jeten e të cilin, kishte mbledh material e informacione që arriti ti botojë në dy vëllime në vjetin 1995/96, tuj ja shtue kto vepra kulturës shqiptare. Leci filloj të shkruente qysh vitet 1943/ 1944 nën pseudonimin  LEJA. Ishte korespondent i disa gazetave si: Sporti, Mësuesi, Puna, Bashkimi, Jeta e re, Illiricum, ku botonte shkrime e dhjetra artikuj mbi jeten sociale, kulturore e arsimore të qytetit, muzetë, traditat, spartakiadat, përvjetore të ndryshem personazhesh apo klubesh e institucionesh, por edhe mbi luften kundër analfabetizmit. 

Ishte bashkëpunëtor i Revistave: Kumbona e së Dieles, Fjala e Paqës, Rreze Drite, Vegim Drite, Phonix, Buletini Katolik Shqiptar (që botohej në San Françisko), por edhe i Radio Tiranës, Radio Shkodres e Radio Marisë. Në aktivitetin e tij si gazetar, ai botoj si mbrenda por edhe jashtë vendit shumë skica, reportazhe, portrete apo materiale shkencorë. Në periudha të vështira ekonomike, Leci ishte i detyruem që punimet e tija ti lidhë ndër vëllime (dispencë), tuj pritë mundësinë ekonomike me i botue. Janë të njohtuna punimet e tij (të mbetuna në dispencë): 

Zhvillimi i arsimit parashkollor 1945/74.

Zhvillimi i arsimit pa shkëputje nga puna gjatë viteve 1945/55.

Mësuesi edukator dhe veprimtar shoqnor  gjatë viteve 1945/74.

Studimet mbi Drejtimet kryesore të arsimit parashkollor 1945/60.

Librin “Luigj Zadeja, bejtaxhi shkodran.

Librin “Karnavalet e Shkodres nga viti 1860 / 2005.

Lec Zadeja dha ndihmesë të madhe në hartimin e Historikut të Arsimit që pregaditi Instituti i Studimeve Pedagogjike. Me hapjen e institucioneve fetare ai ndihmoj fuqishëm në daljen e  shtypit periodik katolik dhe ishte pjestar i Komisionit të pregaditjes së librit “Martirizimi i Kishës katolike nga vitet 1944 / 90”. Gjithashtu, Leci ishte anëtar i Komisionit që pregaditi ardhjen e Papës Gjon Pali II, e së fundit, kje ngarkue nga Arqipeshkvija e Shkodres me detyren (deri 2006) e Kronistit të Kishës Katedrale.

U nderue me urdhëna e Dekorata.

  • Medalje pune me 10.2.1960
  • Medalje pune me 1.3.1961
  • Titullin (distinktivin) I dalluar për punët kulturale, marrë me 25.5.1962
  • Urdhërin Naim Frashëri KL III marrë me 24.2.1967
  • Urdherin Naim Frashëri KL II marrë me 23.3.1977
  • Titullin Mësues i Merituar marrë me 15.7.1995
  • Quhej nga qytetarët e Shkodres “Bibloteka që ecë”

Me rastin e 70 vjetorit të Lecit (6.6.1997), në shej respekti, kolegët e Universitetit, organizuen festimin e përvjetorit, ndërsa rapsodi Dedë Shyti i kushtoj atij nji kangë ku ndigjoheshin vargjet: Mos u ndal por me guxim / vazhdo si axha yt trim/ prej shokve t’ tu t’madhin urim /Lec Zadeja u bash 100…

Lec Zadeja vdiq me 14.12.2011, në moshen 82 vjeçare tuj lanë kujtime të mira e respekt ndër të gjithë ato që e njohën. 

P.S.: ky shkrim përmban kujtime përsonale dhe disa referenca nga libri “Lec Zadeja” i autorit Ludovik Shllaku.

Filed Under: ESSE Tagged With: Let Zadej, Pjeter Logoreci

ÇFARE FSHEH PLANI I QEVERISE KINEZE LIDHUR ME TRANSFERIMIN E UIGUREVE NE KRAHINA TE TJERA TE KINES?

March 6, 2021 by dgreca

Perktheu Gjon Kadeli/

Kina ka fillue nje proces transferimi te qinda mija puntoreve Uigure e te grupeve te tjera etnike te krahines Xinjiang ne pune te reja,shpesh here larg nga shtepite e tyne. Ky veprim asht tuej shkaktue paksimin e numrit te banoreve te asaj krahine qe perbahet me shumice nga Uiguret.
Qeveria kineze pretendon se nuk asht tuej u perpjekun te ndrushoje popullsine e krahines perendimore,sepse tranferimi  i puntoreve ka te baje me shtimin e te ardhunave te tyne dhe per t’i dhane fund papunsise se vazhdueshme ne zonat fshatare, si edhe me paksue vorfnine.
Por, simbas nje studimi te ba nga nje grup personash te nivelit te nalte britanik rreth kesaj ceshtjeje,qellimi nuk asht ai qe pretendohet. Ne baze te te dhanave qe kemi mbi kete gja, tuej perfshi ketu edhe kampet e riedukimit, te ndertueme ane e man krahines se Xingjangut gjate vjeteve te fundit, plani ka te baje me nje process detyrues shume te rrezikshem dhe se qellimi i vertet asht shperbamja (asimilimi) i pakicave kombetare, tuej ndryshue menyren e jeteses dhe
te mendimit te ketyne njerezve.
Ne nje film qe asht dergue nga nje person nga Xinjangu i Kines vehen ne dukje perpjekjet e shumta detyruese qe bahen gjate transferimit te Uigureve nga krahina e tyne ne pune neper fabrika e pune te tjera ne zona ,deri ne 4 mije kilometra larg shtepive te tyne.
Ne filmin ne fjale vehet ne dukje se si zyrtaret kineze folshin me nje burr, i cili shifej qarte se ngurronte shume per te dergue vajzen e tij Buzajat ne vende aq te largta. Baba ne fjal thote “patjeter ka ndonje njeri tjeter qe deshiron te shkoje.” Ai prap perpiqet me i bind ata tuej thane “ne mund te jetojme ketu sic kemi jetue deri tashti.”.
Mandej zyrtaret kinez folen drejt per drejt me vajzen e tij 19 vjecare Bazajnat. Ata i thane asaj se nese ajo rrin ketu do te martohet dhe keshtu, nuk do te mundet kurr te largohet nga ky vend.Zyrtaret kineze ju drejtuen perseri vajzes tuej i thane “mendo perseri, a do te
shkojsh.”.Nen presionin e madh te zyrtareve qeveritare dhe te gazetareve te
televizorit shttnore, ajo e luejti kryet disa here dhe u pergjejgj “nuk do te shkoi>” Megjithe kete, presioni vazhdoi, deri sa ma ne fund, tuej qa, pranoi tuej thane “une shkoi vetem ne qofte se shkojne edhe te tjere”.
Filmi mbaroi tuej tregue se si po perqafohesgin me sy te perlotun kur vajza Bazanjap e te tjerat te mobilizueme lane familjet e kulturen e tyne mbrapa
Ajo qe vihet ne dukje ne kete film asht nje fushate masive detyruese kineze per te shpergulun Uiguret e grupet te tjera etnike nga vendlindja e tyne.(Perkthyer nga  nhe artikull i BBC)

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjon kadeli, Plani i fshehte kinez, Uiguret

Kush do ta zgjojë ndërgjegjen e shoqërisë shqiptare ose degrada e gazetarisë të Tiranës

March 6, 2021 by dgreca

NGA ELIDA BUÇPAPAJ/

Prita mos reagonte dikush rreth intervistës së Oliver Schmitt marrë nga Adi Krasta tek A Show.

Mendoj se gazetarët e Tiranës duhet ta shmangin mënyrën e një hardtalk për të intervistuar një historian Perëndimor, jo për kompleks inferioriteti, por sepse e drejta e pyetjeve hard fitohet duke ushtruar profesionin me integritet.

Në një Shqipëri copë-copë trendi i gazetarit populist është nonsens, pasi ajo që ka ndodhur në vendin e shqipeve këto tri dekada tranzicion torturues, është produkt i asaj që kanë gatuar të gjithë aktorët e skenës politike, përfshi edhe shtyllën e katërt, që ka humbur totalisht pavarësinë.

Me hardtalk meritojnë të pyeten gazetarët e Tiranës të cilët kanë 30 vjet që e shpërdorin këtë mision të shenjtë të krijuar për të marrë në mbrojtje shtetin e së drejtës dhe qytetarët.

Nëse në Shqipëri gjallon kjo kastë politike, nëse në Shqipëri sistemi është i kapur, nëse në Shqipëri nuk ka shtet social, nëse në Shqipëri korrupsioni gëlon në çdo segment të shtyllave të institucioneve që kanë humbur çdo lloj pavarësie, nëse asnjë peshkaqen nuk ballafaqohet me ligjin, do të thotë jo vetëm se drejtësia nuk ekziston por edhe se gazetaria nuk funksionion, se gazetaria ka tradhtuar obligimin kushtetues dhe humbur rolin për të cilin është krijuar si mburojë kundër shpërdoruesve të pushtetit.

Me hardtalk mund të intervistohen historianët shqiptarë që vijojnë të censurojnë historinë duke e çuar drejt shuarjes memorien historike.

A u është bërë ndonjë hardtalk nga gazetarët shqiptarë atyre që kanë hartuar historinë shqiptare prej 1944?

A i kanë kërkuar këta historianë ndjesë shoqërisë për gënjeshtrat e shpërndara në librat e historisë me të cilat mëkohej brezi i ri në çdo nivel shkollor?!

A duhet shoqëria shqiptare të lexojë më në fund historinë sikur e ka përjetuar dramatikisht dhe tragjikisht për 45 vjet?

Intervista e Oliver Schmitt-it nga Ad Krasta ishte si një lloj ballafaqimi ad absurdum!

Të gjitha pyetjet që ia drejtonte Oliver Schmitt-it Adi Krasta duhej t’ia drejtonte palës shqiptare.

Edhe për mesjetën e shkuar, edhe për mesjetën e sotme të errësuar nga gënjeshtrat.

A ishte diktatura hoxhiste kriminale e pyeti Krasta Oliver Schmitt-in?

Të isha në vendin e Oliver Schmitt do t’i përgjigjesha me të njëjtën pyetje Adi Krastës.

Do t’i thoja, ti Krasta që ke jetuar në diktaturë çfarë përgjigje i jep kësaj pyetje.

Se gazetarët nuk janë vetëm për të bërë pyetje!

Por Oliver Schmitt u përgjigj se “diktatura hoxhiste ishte ilegjitime, pasi ishte vendosur përmes dhunës me luftë civile !”

Diktatura është një krim kundër njerëzimit, thotë Chibli Mallat, profesor dhe ekspert i të drejtës ndërkombëtare.

Pra, kur thua diktaturë nënkupton krime kundër njerëzimit dhe anasjelltas.

Si krime kundër njerëzimit klasifikohen njëmbëdhjetë syresh që kanë në shenjestër civilë, pra njerëz vulnerabël, pa asnjë lloj mbrojtje, që bile edhe Zoti nuk i mbron dot! Krime kundër njerëzimit janë vrasja, burgosja, tortura, përdhunimi, persekutimi për motive politike, fetare, racore, transferim me forcë etj., të gjitha akte shnjerëzore të kryera me vetëdije. Sikur lufta e klasave dhe diktatura e proletariatit.

Unë po i drejtoj vetes disa pyetje: A kanë ndodhur në Shqipëri prej 1944 vrasje, burgosje, tortura, varje në litar, internime, vrasje dhe burgosje të klerikëve, kundërshtarëve politikë, a i kanë internuar familjet e të dënuarve nëpër lagera, a ua kanë djegur të ardhmen fëmijëve të të dënuarve, duke i lënë pa shkollë, pa punë, duke ua shkelur të drejtat elementare të njeriut dhe a janë kryer këto vepra barbarike me vetëdije të plotë?

Dhe pyes rishtas veten: A janë duke u fshirë nga kujtesa kolektive krimet kundër njerëzimit të kryera nga diktatura hoxhiste prej 1944?

Të gjitha pyetjet e mia janë në fakt pyetje retorike që e kanë përgjigjen me vete, që kanë një përgjigje pohuese!

Po, diktatura në Shqipëri ka kryer krime kundër njerëzimit, veprimtari antihumane të pa dënuar këto tre dekada as nga politika, as nga elita, as nga shoqëria civile, as nga shtylla a katërt dhe as nga historianët të cilët sikur kanë censuruar dhe retushuar, të detyruar nga regjimi totalitarist, historinë shqiptare për 45 vjet kanë vijuar të njëjtën gjë edhe gjatë 30 viteve postdiktaturë, duke e varrosur të vërtetën historike si një temë tabu.

Po çfarë kanë bërë gazetarët e Tiranës që e kanë lënë ende këtë të vërtetë historike dhjetra pashë nën dhé ?

Kanë pritur  30 vjet historianin Oliver Schmitt për ta pyetur “a ishte kriminale diktatura hoxhiste”?!

A e ka kryer misionin gazetaria shqiptare gjatë këtij tranzicioni vajtues apo ka humbur  përgjegjshmërinë duke hyrë në marrëdhënie klienteliste me politikën?

A nuk bëjnë moderatorët, anchormen dhe anchorwomen e Tiranës gazetarinë e shpatullave të ngrohta, dmth sulmojnë njërën palë duke patur marrëdhënie morboze dhe okulte me palën tjetër?

A e përçudnojnë gazetarët e Tiranës të vërtetën, a e gjymtojnë, a e përgjysmojnë, a e deformojnë duke ia humbur gjurmët?

Edhe keto pyetje janë retorike me përgjigje të ditur pohuese. Po! Po! Po! Po!

Kur historiani i huaj Oliver Schmitt pohoi se diktatura hoxhiste ishte ilegjitime, sepse kishte ardhur në pushtet me dhunë dhe luftë civile, që do të thotë me luftë vëllavrasëse shqiptari kundër shqiptarit, shqiptari burgoste shqiptarin, shqiptari e vriste shqiptarin, shqiptari e spiunonte shqiptarin, atëhere e përse mbaruan pyetjet?

A mban dikush përgjegjësi për një qeverisje ilegjitime 45 vjeçare të mbështetur në dhunë, frikë dhe terror?

A duhet dënuar regjimi totalitarist me kushtetutë, po moralisht, po në sistemin shkollor ?

A duhet të barazohet nazizmi me komunizmin sikur e ka bërë BE?

Përse Shqipëria nuk e kujton sikur  Europa 23 gushtin si Dita e Kordeles të Zezë në memorie të viktimave të nazizmit dhe stalinizmit?

A  mban politika përgegjësi për shbërjen e memories kolektive,

për shfarosjen dhe fshehjen e historisë,

për kthim në tabu një periudhe gjysmë shekullore që barazohet me mijra e mijra vjet burgosje, vrasje dhe internime,

për kthimin në pushtet të bijve të nomenklaturës totalitariste,

të cilët edhe sot e kësaj dite as nuk i dënojnë veprat kriminale të etërve dhe as u kërkojnë ndjesë viktimave, por përkundrazi.

“Na kanë terrorizuar në katër breza. Shuma e përgjithshme e dënimeve, për gjithë familjen dhe fisin e Gjeneral Prenk Pervizit arrin në 750 vjet, shtatë shekuj e gjysmë!”, dëshmon monumenti i gjallë 92 vjeçar Lekë Pervizi!

Po sa shekuj vrasje, burgosje, tortura, internime llogariten në 45 vjet diktaturë komuniste në Shqipëri?

A i llogaritin të ashtuquajturit gazetarë të Tiranës apo do të vijojnë ta mbajnë gazetarinë të monopolizuar nga emra fix si një show entertainment për trushplarje!

A do të ketë zgjim të ndërgjegjes të shoqërisë në Shqipëri?

Kush do ta zgjojë ndërgjegjen e shoqërisë në Shqipëri?

Natyrisht jo ata që domenin e informimit publik e shohin sikur kasta politike shqiptare pushtetin!

Henry Grunwald, ish kryeredaktori i Times thoshte me të drejtë se “Gazetaria nuk mund të heshtë kurrë: ky është virtyti më i madh dhe faji i saj më i madh i gazetarisë. Gazetaria duhet të flasë dhe të flasë menjëherë, kur jehona e mrekullisë, e triumfit apo shenjat e tmerrit janë akoma në ajër.”

Në Shqipëri ka 76 vjet që gazetaria hesht ose  flet si qendrat e zërit të propagandës për të çoroditur dhe për ta zgjatur amnezinë e shoqërisë shqiptare.

Nëse gazetaria do të fliste sikur i takon, do të thosh: Shqiptarë ngrihuni ta rrëzojmë këtë sistem kalbësirë 76 vjeçar që na ka marrë peng të ardhmen e sa e sa brezave dhe vijon të na e ketë marrë peng ardhmërinë!

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, GAZETARIA, Oliver Schmitt

Senati miraton paketën stimuluese prej 1,9 trilion dollarësh

March 6, 2021 by dgreca

Senati amerikan miratoi të shtunën planin e Presidentit Joe Biden prej 1.9 trilionë dollarësh për ndihmën për koronavirusin, pas një seance që zgjati që nga nata e kaluar.

Plani përfundimtar përfshin 400 miliardë dollarë në formë pagesash prej 1,400 dollarësh për shumicën e amerikanëve, nga 300 dollarë në javë për 9,5 milion njerëz që kanë humbur punën dhe 350 miliard dollarë ndihma për shtetet dhe qeveritë lokale që kanë mbetur me mangësi në buxhetet e tyre për shkak të pandemisë.

Presidenti Joe Biden tha të shtunën se miratimi nga Senati i projektligjit nënkupton se pagesat 1,400 dollarëshe për shumicën e familjeve amerikane do të fillojnë këtë muaj dhe dispozitat e projekt-ligjit do të përshpejtojnë prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave.

Zoti Biden, duke komentuar në Shtëpinë e Bardhë, tha se pagesa do të marrin mbi 85% e familjeve amerikane; një çifti me dy fëmijë që kanë deri në 100,000 dollarë të ardhura në vit i takon të marrë rreth 5,600 dollarë.

Senati e miratoi projektligjin me 50 vota pro dhe 49 kundër, në linja thjesht partiake. Një senator republikan nuk ishte i pranishëm. Asnjë republikan nuk votoi pro për këtë paketë stimuluese, ndër më të mëdhatë në historinë e vendit.

Beteja ende nuk ka mbaruar, pasi projektligji duhet të kthehet të martën në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila miratoi një version pak më të ndryshëm një javë më parë. Projektligji duhet të kalojë nëpër një proces rakordimi mes Dhomës dhe Senatit.

Paketa stimuluese është një përparësi për Presidentin Biden ndërkohë që vendi vazhdon betejën me pandeminë, e cila ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 520,000 amerikanëve.(Zeri i Amerikes)

Filed Under: Kronike Tagged With: Paketa 1.9 trilion, senati

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT