• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2021

BARBARIZMAT GREKE NË ÇAMËRI….

March 29, 2021 by dgreca

– PËRCJELLJE NGA EDITORI I NJË ARTIKULLI 42 VITE PASI U SHKRUA-/

Nga Dalip Greca/

Studiuesi Idriz Lamaj, autor i qindra artikujve, i disa librave historikë, monografive e dokumenteve origjinale historike si librat:(“Dokumente engleze mbi konfliktin shqiptaro-malazez rreth Plavës dhe Gucisë 1879-1880)”, “Komiteti Shqipëria e Lirë”,”Xhaferr Deva-Në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të Mërgatës”, “Për Vatrën dhe Vatranët” etj… mbetet një arkiv i pasur dokumetar,plot letra, letërkëmbime të personaliteve që jetuan në Mërgatën e kohës së tij. Një pjesë e bibliotekës të tij të pasur i është dhuruar Vatrës, ndërkohë që edhe dosjet e dokumentacionit të emigrimit të një pjese të madhe të emigracionit shqiptar që erdhën në SHBA me ndërmjetësimin e Komitetit Shqipëria e Lirë dhe Kishës, po ashtu janë sistemuar në Vatër. Përse e bëmë këtë hyrje që nuk ka lidhje me artikullin që po botojmë? Arsyeja është se unë i kërkova mikut tim Idriz Lamaj që t’më siguronte sa më shumë letra dhe dokumente të editorëve të Diellit me të cilët ai ka pasë letërkmëbim. Xhevat Kallajxhiu, ish editori 10 vjeçar i Diellit(në kohë pas pensioni), është një figurë me përmasat e rilindasve, që më ka tërhequr shumë, dhe një pjesë të materialeve m’i ka dërguar Lamaj dhe Tonin Mirakaj. Në Diellin e shkurtit 2021, studiuesi Lamaj botoi arikullin”Xhevat Kallajxhiu-Editor i Diellit në kohë të vështirë”, ndërtuar edhe mbi letërkëmbime të Kallajxhiut me personalitete me peshë të Mërgatës. Pas shkrimit i kërkova z. Lamaj kopje të letërkëmbimeve me qëllim pasurimi të arkivit të Vatrës për studiuesit që vijnë pas nesh. Në kërkim e sipër ai gjeti dhe artikullin që po publikojmë sot.

Artikulli u shkrua për gazetën Dielli me porosi të editorit të atëhershëm të Diellit, Xhevat Kallajxhiu, cili i kërkoi Lamajt, që të shkruante diçka për Çamërinë. Kërkesa e tij u bë dhjetor 1977. Artikulli u shkrua, por për arsye politike të kohës nuk u botua në Dielli. Disponojmë letërkëmbimin e plotë mes Kallajxhiut dhe Lamajt.

          E pyeta studiuesin Lamaj:Përse nuk e publikoi Kallajxhiu në Dielli 42 vite të shkuara artikullin? Përgjigja e tij: “Në dhjetor të vitit 1977, z. Kalljaxhiu me kërkoi të shkruaja diçka për Çamërinë, duke më lënë të kupotja që ishte një temë jo shumë e preferuar për ndjenjat e Vatrës ndaj regjimit komunist në Tiranë dhe duhej trajtuar me kujdes. Unë i kisha dërguar disa shënime për të cilat i pata lënë  dorë të lirë për përdorimin e tyre, sipas pozitës në të cilën ndodhej…. Kallajxhiu më shkroi me 6 janar 1978:  “… çështjen e konfliktit  kufitar shqiptaro-grek e kam mbyllur dhe s’do të bëjë më fjalë. Prandaj edhe shënimet që me keni dërguar ju, do t’i ruaj me një anë, nuk do t’i përdor tash …”

         Patët qejfmbetje nga vendimi i editorit për t’mos e botuar materialin e përgatitur prej jush?-, e pyeta sinqerisht Idrizin.

         Përgjigja: Aspak.Me z. Kalljaxhiu kam pasë miqësi dhe letërkëmbim të pasur;e kemi kuptuar fort mirë njëri-tjetrin dhe rrethanat poltike të kohës….

   Kur ma përcolli artikullin Idrizi përveç letërkëmbimit më editorin e atëhershëm, më shkroi: Nëse e sheh se ka vlera për sot, botoje, por theksoje të lutem-Merita i takon Xhevat Kallajxhiut, i cili ma porositi, por nuk mundi ta btojë për shkak të situatës politike dhe përplasjeve të kohës.

    ….Pasi ta lexosh, i dashur lexues i Diellit, më gjyko nëse kam bërë mirë që e kam botuar pas 40 e ca vjetësh, apo jo. Në gjykimin tim shkrimi mbetet një dëshmi e fortë që nuk e vjetron koha. Faleminderit Xhevat Kallajxhiu, që e porosite artikullin! Faleminderit Idriz Lamaj që pate mirësinë ta ruaje dhe ia dërgove Diellit!

***

DESHMIT E MASAKRAVE GREKE NË ÇAMËRI NË MEMORANDUMIN E  VITIT 1947

PËRGATITI: IDRIZ LAMAJ/Gazeta Dielli

Memorandumi i Komitetit Antifashist  i emigrantëve Çamër në Shqipëri:

         – Ne, Komiteti i Emigrantëve çamër në Shqipëri, me besim në parimet demokratike dhe humanitare të Kombeve të Bashkuara (U. N. O.), në emër të emigrantëve çamër në Shqipëri, parashtrojmë para Komisionit hetimor të drejtat tona të humbura, shtypjet, persekutimet dhe masakrat që kryen grekët për të çfarosur  minoritetin shqiptar në Greqi. 

          Në vazhdim të protestave dhe kërkesave tona drejtuar aleatëve të mëdhenj dhe Kombeve të Bashkuara, na kërkojmë drejtësi përsa parashtrojmë: 

          Rregjimet shoveniste greke, prej 32 vjetësh me radhë, duke shkelur brutalisht çdo parim njerëzorë, dhe duke mos përfillur aspak traktatet ndërkombëtare, kanë përdorur kundrejt minoritetit shqiptar në Greqi një politikë çfarosjeje. 

          Qysh prej pushtimit grek të Çamërisë me 13 shkurt 1913, Banda e  D. Janaqit  e shtytur dhe e përkrahur nga autoritetet e vendit, masakroi pa më të voglën arsye, 72 burra të krahinës të Paramithisë në përruan e Selanit.

          Këto masakra qenë fillimi i çfarosjes së minoritetit shqiptar dhe zbulojnë orjentimin që mori politika greke kundrejtë popullësisë tonë. Ndjekjet, përsekutimet, burgimet, internimet, torturat, plaçkitjet dhe grabitjet, nën pretekstin e çarmatimit gjatë viteve 1914 – 1921, veprimtaria terroriste e komitëxhinjëve, provokacioni i 1921-së i Gjen Barias, të gjitha këto tregojnë realitetin e mjerimeve në të cilën u vu popullata jonë në kohën e pushtimit grek. Koska, Lopsi, Varfanji, Karbunari, Kardhiqi, Paramithija, Margelleçi, Arpica, Grykohori etj., janë një pjesë e fshatrave që kanë paguar më shtrenjtë këtë terror. 

          Me 1922-23, qeveritarët e Greqisë vendosën të impononin shpërnguljen e elementit musliman të Çamërisë në shkembim me grekët e Azisë së Vogël, duke i konsideruar si turq. Ky akt i turpshëm i qeveritarëve të Athinës u has në rezistencën tonë dhe me ndërhyrjen e Lidhjes së Kombeve, e cila duke konstatuar kombin shqiptar të popullësisë tonë, hodhi poshtë vendimin e qeverisë Greke. 

          Por megjithë ndërhyrjen e Lidhjes së Kombeve dhe të angazhimeve solemne të marrura nga nga qeveria greke në Lozan, me 16 janar 1923, prapë grekët vazhduan politikën e tyre të çfarosjes. Ata përdorën çdo mjet për të vështirësuar qendrimin në Çamëri të elementit shqiptar, ç’pronësuan qindra famlije në 6. 000 hektarë tokë pa më të voglin shpërmblim si në Dushk, Gumenicë, Kardhiq, Karbunar etj.

          Qeveria e Athinës instaloi emigrantët e Azisë së Vogël në Çamëri me qëllim që ta popullojë me grekë dhe ta krijoj mundësinë e emigrimit të popullatës autoktone shqiptare. Familje të tëra detyroheshin të braktisnin vatanin për në Turqi, Shqipëri, Amerikë e gjetkë dhe fshatra si Petrovica, Shëndellia u braktisën krejt nga banorët shqiptarë. 

          Në këto rrethana ne nuk gëzuem asnjë të drejtë kombëtare dhe na pengohesh akoma edhe gjuha amtare;  në vend të zhvillimit të kulturës kombëtare dhe përparimit, përkrahesh fanatizmi dhe injoranca, në vend të shkollave hapeshin edhe subvencionoheshin  klubet fetare në gjuhë arabe. 95 përqind të popullatës sonë qendrojshin akoma analfabetë. Krahina e Çamërisë, një vend i pasur dhe i begatshëm, kishte mbetur mbrapa pa zhvillim ekonomik, pa komunikacion dhe në duarët e  fajdexhinjëve grekë, akaparatorëve: Koçoni, Pituljet, Kaflla, Zhulla, Ringa etj., që varfëruan dhe skllavëruan gjithë vendin.

          Në luftën kundër fashizmit, dhe tamam në përfundim të saj, forcat  gjakatare të Llakës së Sulit, të komanduara nga Gjeneral Napoleon Zervas, sulmuan dhe masakruan pabesisht  banorët shqiptar muslman të Çamërisë. Masakrat në Çamëri  janë një shkelje flagrante e parimeve njerëzore dhe një mospërfillje e turpshme e parimeve dhe karakterit të luftës aleate antifashiste. Masakrat në Çamëri edhe gjatë pushtimit gjerman, u kryen nga autoritetet dhe bandat e tyre të vendit, të cilëve u vinin urdhërat prej Athinës për të zhdukur elementin Shqiptar në Greqi. Ja një fakt konkret; me largimin e forcave gjermane nga Filati, forcat e Theodhor Vitos hynë në Filat. Kështu një përfitim i tillë u siguroi forcave Zerviste krahët duke u dhënë mundësi për të filluar terrorin dhe masakrat në një stil të gjerë në të gjitha krahinat e Çamërisë.

          Forcat e Divizionit të 10-të  të E. O. E. A.,  nën komandën e Kolonel Vasil Kamaras dhe pikërisht ato të regjimentit të 16-të  të këtij divizioni të udhëhequra nga avokat Stavropullos Balluni Zoto, kriminelët me damkë  Pretezenjt etj., me 27 qershor 1944 hynë në qytetin e Paramithisë. Në kundërshtim me premtimet e dhëna dhe marrëveshjes së bërë midis Myftiut Hasan Abdullaj nga një anë dhe Shapera me Dhespotin e Paramithisë nga ana tjetër si agjentë të Zervos, filluan masakrat më të tmershme. Burra, gra  dhe femijë të pambrojtur qenë objektivi i monarko-fashstëve grekë. Numëri  i të masakruarëve në qytetin e Parathimisë dhe rrethe  arrin në 600 veta. 

          Me 20 Korrik 1944, forcat e regjimentit 40-të nën Komandën e Agores hynë në Pargë, ku masakruan 52 burra, gra dhe fëmijë.

          Forcat e E.O.E.A, – së  nën komanden e Theodhor Vitos, Ilija Kaqo, Hristo Mavrudhi, Hristo Kaqo, Hari Dhiamanti etj., mbasi rrethuan qytetin e Filatit, me 23 shtator 1944, ditën e shtunë  në mëngjez hynë në qytet. Po në atë ditë hynë dhe në Spatër. Plaçkitën dhe grabitën të gjitha familjet dhe gjithë çfarë gjetën. Në mbrëmjen e natës 23, duke u gdhirë 24 shtatori i 44-s, hynë dhe forcat e komanduara nga Kranjaj e të tjerë. Me arritjen e këtyre forcave filluan menjëherë masakrat, 47 burra, gra dhe fëmijë u masakruan në Filat dhe 157 numërohen të masakruarit, të vrarët dhe të humburit në Spatar, ku një pjesë e mirë e tyre ishin mbledhur nga katundent e tjera. Të gjitha gratë e reja dhe vajzat u çnderuan prej kriminelëve të Zervos. Pak ditë më vonë kriminelët grekë grumbulluan të gjithë burrat që kishin mbetur, dhe me vendimin e qjyqit fallco: Koçinja Kryetar, Stavropullos Prokuror dhe katër anëtarë, 47 shqiptar të pa fajshëm u maskruan. Në Granicë të Filatit janë mbuluar kufomat e 46-të vetave të vrarë dhe të therur me thika dhe 45 të tjerë në fushë të Filatit tek ara e Xhelo Metos…

          Familje të tëra janë zhdukur me prindër, fëmijë dhe foshnja në djep. Gratë dhe vajzat  u çnderuan. Me qindra deklarata të atyre që shpetuan  përshkruajnë vrasjet dhe vuajtjet e pasosura. Nga ato del qartë  kriminaliteti dhe qellimi i veprimeve kriminale në Çamëri. Ja disa shembulla:

          Sanie Bollati, në Paramithi është djegur me benzinë mbasi ju pren sisat dhe i nxorën sytë. Ymer Muratin e vranë dhe bënë copa copa në Paramithi. Në shtepinë e Sulo Tarit ishin grumbulluar më se 40 gra, dhe Çili Popova (nga Popova), i veshur ushtarak me një grup ushtarësh hyri brënda, muarën gratë dhe vajzatë më të bukura dhe tilluan t’i çnderonin në një dhomë tjetër.Ulurimat e vajzave, të grave arrinin kulmin. Kjo poshtërsi vazhdoi gjithë natën. Seri Fejzo, Fizret Sulo Tare etj., ishin objekt i këtyre poshtërsive.

          Hilmi Beqirin nga Filati, mbasi e plagosën para familjes së tij e lanë dhe ikën. Familja, për ta sigurar, e strehon tek dentisti Mavrudhiu, ai e mban për disa orë, por më vonë lajmron ta marrin dhe e çojnë tek Stavro Muhaxhiri, kurse vet largohet për tek Shuaip Metja, ku ishin mbledhur shumë familje. Andartët informohen, e marrin, më parë i xjerrin dhëmbët e floririt me daltë dhe pastaj e vranë. 

          Malo Muho, plak 80 vjeçar i sëmurë prej katër vjetësh, vritet me sopatë para së shoqes. Trutë i ranë në prehër të së shoqes, e cila pasi ja mblodhi, e mbuloi me jorgan dhe iku.

          Në Spatar, Abdyl Nurqe merret, çohet në Filat zbathur, zvarriset nëpër rrugë të qtetit, dhe më në fund vritet para shtëpisë së Nidh Tafeqit. 

          Familja e Lile Rustemit nga Sullashi e përbërë prej 16 vetash, shumica fëmijë, zhduket krejtësisht pa shpëtuar as edhe një.

          Xhelal Minit nga Paramithija i presin kokën me bajoneta mbi trupin e Myfti Hasan Abdullahut.

          Sali Muhedini, Abedin Bakos, Muhamet Pronjës dhe Malo Sejdiut ju presin gishtërinjtë, hundën, gjuhën dhe këmbët. Dhe, kur këta ulurijnë nga dhëmbja e madhe, andartët Zervistë këndojnë këngën e Komandantit të tyre, dhe kënaqeshin kur shikonin këto tmerre. Më në fund i varën në çengal të  kasapëve.

          Eshref Himi, qytetar nga Paramithija,deklaron sa vijon për masakrat në Paramithi:

          “Të Martën, më 27 Qershor 1944, në orën 7 të mëngjezit, hyjnë në Paramithi ushtria greke e komanduar nga Kolonel Kamara, Major Kranja, Kapiten avokat Nikolla Çenos, etj. Porsa hynë në qytet, u dha urdhëri që askush të mos lëvizte nga vendi sepse nderi, liria dhe pasuria nuk do të prekeshin në asnjë mënyrë. Pas dreke filluan menjëherë arrestimet ndër gra, burra dhe fëmijë, kurse nga ana tjetër filloi vjedhja. Të gjithë burrat deri të nesërmen u vranë.

          Pasi me mbajtën 4 ditë në burg, vazhdon Eshrefi, me lanë të lirë për të varrosur të vrarët. Në vendin e quajtur Kisha e At Jorgjit, munda të njof 5 nga personat e vrarë, të tjerët ishin bërë të panjohur për shkak të torturave të pësuara. Të 5 viktimat e njohur prej meje janë: Met Qere, Sami Asim, Mahmut Kupi, Adem Beqiri e Haki Mile. Pas dy ditësh me shpunë pas “Galatajt” në afërsi të shtëpisë së Dhimitër Nikollas ku kishin vrarë 8 veta. Nuk munda t’i njoh pasi ishin bërë copa copa. Ngado shiheshin kufoma njerzish. E quajtura Sanije Bollati, pasi pësoi tortura të frikshme e dogjën të gjallë me benzinë. Kjo tragjdi ndodhi të mërkurën në mengjez”.  

          Deshmitë Eshref Himit janë të tmershme dhe vazhdojnë njëra pas tjetrës. Ai përfundon në burg:

          “Në burg gjeta 380 përsona ndër të cilët gra dhe fëmijë. 120 nga këta vdiqën urie. 4 përsona dhe unë qëndruam 15 ditë në burg dhe mandej na përcuallën për në Prevezë prej kah shkuam në Janinë dhe qendruam 40 ditë. Atje pësuam tortura të pa parashikuara”

          Dervish Sulo nga katundi Spatar të Filatit përshkruan në këtë mënyrë masakrat në Spatar:

          “Në mëngjezin e një të shtundje të shtatorit 1944 e gjithë popullata u grumbullua përpara xhamisë së fshatit Spatar. Ushtarët filluan grabitjet dhe çnderimet ndër gra, vajza e deri në plaka. Paçe Çulani, 50 vjeçare, u çnderua, ia pren flokët mandej veshët dhe më në fund e vranë në baçen e saj në afërsi të Muços. Në shtëpinë tonë ishte instaluar familja e Sako Banushit nga Skropojna prej tetë vetash, gra burra dhe fëmijë. Pasi çnderuan gratë, të cilave iu shpuan gjirët me thika, të gjithë u masakruan.

          “Në shtëpinë e Damit Muhametit u vranë 5 gra dhe tre fëmijë. Në shtëpinë e Fetin Muhametit u torturua dhe mandej u çnderua Hane Isufi së bashku me një grua tjetër. Në shtëpinë e Dule Sherifit ju pre koka plakut 80 vjeçar, Sulejman Dhimicës dhe së shoqes së tij. Në shtëpinë e Meta Brahos u dogjën të gjallë 20 përsona, gra, fëmijë dhe burra. Kije Nurçia, 76 vjeçare, u therr me thikë. Në vreshtin e Zules dhe në kopshtin e Avdyl Nurçes pashë 30 përsona të masakruar. Në shtëpinë e Haxhi Latifit u çnderua Hava, Ajshja dhe Nazo Arapi, mandej kjo e fundit u masakrua.”

          Viktimat dhe humbjet sipas statistikave të deritanishme, gjatë masakrimeve të 1944 – 1945 të shqiptarëve në Greqi, arrijnë numrin 2, 877,  të ndarë si vijon:

          Filati dhe rrethe 1286, Gumenica dhe rrethe 192, Paramithi dhe rrethe 673, dhe Magelliç e Perg 626. Ky qe fati i të gjithë atyre që nuk mundën të largohen nga Çamëria me përjashtim të disa grave që edhe sot janë dëshmitare të gjalla të kësaj masakre rëqethëse në Paramithi, në Perg, në Spatar dhe në Filat. Nga goja e tyre del qartë gjenocidi i grekëve kundër shqiptarëve  në Çamëri. 

          Kjo kasaphanë e frymëzuar prej ndjenjave më të ulta të urrejtjes shoviniste dhe fetare përfundoi në shpërnguljen me forcë të afro 23, 000 çamëve, qe u strehuan në Shqipëri në kondita të tmerrshme. 68 katunde me  5, 800 shtëpi u grabitën, u shkatrruan dhe u dogjën. Nga llogaritja e dëmeve, del të jenë grabitur në Çamëri nga forcatë fashiste të Zervës,  17, 000 kokë bagëti të imta, 1, 200 të trasha, 21, 000 kv bereqet dhe 80, 000 kv. Vaj, gjithashtu edhe prodhimi i vitit 1944-1945, që arrin në 11, 000, 000, kgr. bereqet dhe 3, 000, 000 kgr vaj. Gjatë emigracionit 110, 000 kokë bagëti e imtë dhe 2, 400 bagëti e trashë ngordhën dhe humbën.

          Shihet  qartë katastrofa e madhe ekonomike që pësoi popullata e jonë duke mbetur nëpër rrugët e emigracionit vetëm me rrobat e trupit.

          Në mbështjetje të kësaj situate të konstatuar, Misioni i UNRRA-së në Shqipëri pati aprovimin nga qendra e Washingtonit për akordimin në favor të emigrantëve, 1, 450, 000 dollarë si ndihmë imediate ndaj gjendjes sonë të vështirë.” Përfundon një paragraf i memoramdumit në fjalë….

           ***  

                         PROVOKACIONI I GUSHTIT

          Propaganda e regjimit komunist të Tiranës ka shkruar gjër e gjatë për Provokacionin e Gushtit  të Vitit 1949 duke dhënë një motiv plotsishtë të kamufluar të realitetit të ngjarjeve historike të asaj kohe që natyrishtë, populli shqiptar i pagoi shtrenjtë. Prej vitit 1945 deri në vitin 1949,regjimi i ri komunist në Shqipëri, i dirigjuar në secilën fushë nga jugosllavët, mbështeti lëvizjen komuniste në Greqi për marrjen e pushtetit në dorë. Natyrisht, armatimi dhe trajimi i forcave  komuniste greke në territorin e shtetit shqiptar mbahej sekret dhe drejtohej nga jugosllavët. Konfliktet midis Bullgarisë dhe Jugosllavisë lidhur me udhëheqjen e Federatës ose Konferedatës komuniste Ballkanike (në të cilën duhej  të përfshihej Greqia), dhe disa faktor të tjerë, sjellin ndërhyrjen politike amerikane në shpetimin e Greqisë nga rënia nën regjimin komunist; gjë që shkaktoi menjëherë  ndërhyrjen sovjetike në Ballkanë, dhe solli si rezultat “prishjen e marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare”,  për arsye të mosaftësisë së tyre në realizimin e planeve sovjetike në zgjërimin e pushtimit territorial të Ballkanit. 

          Tani  të kthehemi të  PROVOKACIONI I GUSHTIT TË VITIT 1949, sipas  Memorandumit të Komitetit Antifashistë të Emigrantëve  Çamër në Shqipëri, botuar në Tiranë në vitin 1947, dhe të ribotuar prej Shoqërisë Çamëria në Hartford, Connecticut të SH. B. A., me 1949: 

          – Me 2 Gusht 1949, forca të rregullta të ushtrisë greke të përbëra nga 3 batalione, të përforcuara me artileri dhe 15 aeroplanë bombarues, sulmuan tokën shqiptare, në sektorin e Bozhigradit, në një front prej 700-800 metra gjërsi. Rojet kufitare të ushtirisë shqiptare bënë një qëndresë heroike, u hodhën në kundërsulm, e dëbuan ushtrinë greke dhe rivëndosën situatën. Në luftimet e 2 gushtit, në mbrojtje të atdheut mbetën në fushë të luftës, kapiteni Memo Nexhipi nga Dukajt  e Tepelenës, aspirant Ferid Bresari nga Vendresha e Skraparit dhe 4 ushtarë të rojeve kufitare.

          Më 3, 4 e 5 gusht ushtria greke në reparte të rregullta të këmbësorisë, artilerisë dhe aviacionit kreu provokacione në sektorin e Bozhigradit, Leskovikut e Sarandës. Në luftimet e zhvilluara mbetën të vrarë në tokën shqiptare 12 ushtarë grekë, u kapën 2 oficerë dhe u rrëzuan nga artileria shqiptare 2 aeroplanë, njëri në sektorin e Bozhigradit dhe tjetri të Sarandës. Në këtë rast u kap i gjall piloti Panajot Bellafis me gradë nënkolonel.

          Më 12 gusht, në ora 3. 00 të mëngjezit, forcat greke, të mbështetura nga artileria dhe aeroplanat sulmuan sektorin e Bilishtit. Në orën 13.00 po të asaj dite, një brigadë e ushtrisë greke e mbështetur nga artileria dhe 6 aeroplana sulmuan tokën shqiptare drejt primadës 32-34, po në sektorin e Bilishtit. Në të dy këto raste forcat shqiptare qëndruan trimërisht dhe i dëbuan jashtë kufirit duke i shkaktuar humbje të rënda ushtrisë greke.

          Me 13 gusht, nga disfatat e pësura më parë,  dy brigada të ushtrisë greke, të mbështetura nga artileria e rëndë, sulmuan më tërbim duke kaluar kufirin në sektorin e Bilishtit, por forcat shqiptare, të përqëndruara mirë në pozitatë e tyre, i thyen keqas dhe i vunë në ikje duke lënë 26 ushtarë të vrarë. Të nesërmën, më 14 gusht, brigade e 41 e Divizionit të 9 të ushtrisë greke, duke patur në dispozicion artilerinë dhe një skuadër aeroplanash, iu vërsulën përsëri Bilishtit nga të gjitha anët. Ushtria shqiptare jo vetëm që përballoi me sukses sulmin, por u hodh mbi llogoret e armikut: Ushtria greke u tërhoq duke lënë 60 të vrarë dhe shumë të plagosur. Këtu, jo vetëm ushtria e rregullt shqiptare, por edhe populli i thjeshtë i vëndosur deri në vdekje në mbrojtje të Atdheut, tregoi një qendresë  heroike në mbrojtjen e kuotës 1309,  dhe theu sulmet e batalioneve greke.

          Edhe ditët e tjera, në sektorin e Llapanicës, në atë te Posta e Gurit, ose në Trestenik e vënde të tjera, u bënë luftime të ashpra. Tafil Ferati, MuharremVeizi, Myftar Shato Leskaj, Nasi Remarçka, etj. luftuan fyt përfyt dhe mbetën në tabe (llogore) të armikut. Këta atdhetarë të devoçëm, dhe shumë si këta, paguan me gjakun e tyre avanturat e politikës të Enver Hoxhës, dhe i treguan armikut grek se kufiri i shtetit të sotëm shqiptar nuk kapërcehet pa gjak. 

          Ç’prej datës 2 gusht deri në ora 12 të datës 15 gusht, forcat shqiptare iu shkaktuan forcave pushtuese greke më tepër se 300 të vdekur dhe qindra të plagosur.

          Keto të dhëna i kemi marrë me rezervë nga shtypi zyrtar i Shqipërisë: Zëri i Popullit”, 4, 7, 14, 16 gusht 1949; “Luftëtari”, 18 dhe 22 shtator 1949; Komunikatë e ATSH, në “Zëri i Popullit”, 6 gusht 1949;Komunikate operative e Ministrisë se Forcave të Armatosura të  RPSH, 7 gusht 1949. Kam  bë edhe  një krahasim të shpejtë në të dhënat e studimeve MILITARY REPORT ON ALBANIA, të asaj përiudhe.

          Me u marrë me këto luftime që padyshim i shkaktuan Shqipërisë dëme të mdha materiale dhe humbje njerzore duhet një prencizitet dhe kujdes i veçantë.

                           ***

          Shënimi i redaksisë së ‘Diellit’ (16 Qershor 1978, fq. 7-të) thotë më të drejtë:"… hyrja e ushtrive greke në tokat shqiptare më 1949, u shkaktuan nga veprimi i çmëndur i regjimit të Tiranës, që ndihmonte çetat komuniste greke dhe e kishte bërë Shqipërinë si qendër strehimi dhe strevitje për to.” Këtu nuk duhet të dyshojmë aspak se, sikur forcat ushtarake greke mos të thyheshin nga forcat shqiptare, ato (grekët) do të aneksonin Shqipërinë e Jegut. Nga disa dokumente të Kombeve të Bashkuara shihet se Greqia, nën protekstin e shtypjes së forcave rebele komuniste greke kishte për qëllim të realizonte ëndrrën e vjetër shoveniste të ‘Vorio Epirit’.

          Gjithashtu, verifikohet me një duzinë dokumentash arkivore, intervenimi i shpejtë i qeverisë amerikane pranë Mbretit të Greqisë për shuarjen e konfliktit me Shqipërinë. Kemi kaluar nëpër duar shumë shkrime në të cilatë shihet qartë se qeveria amerikane  asnjëherë nuk iu ka vu veshin shpifjeve, propagandës,  as sulmeve të çthurura dhe të ulta të Enver Hoxhës dhe regjimit të tij diktatorial. Por, para dhe mbas Gushtit të vitit 1949, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë  bë presion të fortë ndaj çdo kërcënimi që i është kurdisur shtetit shqiptar,dhe në secilën veprimtari diplomatike  kanë mbrojtë integritetin territorial të Shqipërisë së sotme.

          Ata që polemizohen për të kaluarën e hidhur më mirë të vështrojnë në episodin e tashëm tragjik të marrëdhënieve miqësore midis regjimit staliniste të Shqipërisë dhe Greqisë impërialiste.

          Shtypi zyrtar i Greqisë dhe diplomatët e saj herë mbas here, derdhin lotë si shtrydhje qelbi për përsekutimet e minoritetit mikroskopik grek në Shqipëri. Enver Hoxha me turp përulet sot  para Athinës,  ashtu siç është përulur para Beogradit dhe Moskës, dhe me gojën e tij pohon gënjeshtrën kur thotë: “… minoriteti grekë në Shqipëri ka përjetuar shumë ditë dhe vite të vështira.” Shoku Enver le të pyesë miqtë e tij në Athinë, çfarë ditësh dhe vitesh përjetuan dhe përjetojnë shqiptarët në Greqi?

….Populli shqiptar kurrë nuk do të harrojëÇAMERINË E MASAKRUAR NGA GREKËT(Idriz Lamaj)

                                                                             Dhjetor 977

Filed Under: Featured Tagged With: Barbarizmat greke, Cameri, Dalip Greca-Percjellja, Idriz Lamaj, Xhevat Kallajxhiu

COVID 19 i mori jetën ish kryeministri socialist Fino

March 29, 2021 by dgreca

Në Shqipëri, ish kryeministri i vendit, deputeti socialist Bashkim Fino, u nda nga jeta sot në orët e para të mëngjesit. Prej shumë ditësh i shtruar në spital pas infektimit me Koronavirus, situata e tij shëndetësore ishte përkeqësuar.

Zoti Fino, 59 vjeç, drejtoi për disa muaj, Qeverinë e Pajtimit Kombëtar, në një periudhë tejet delikate për vendin, kur rënia e skemave piramidale në vitin 1997, provokoi revolta të armatosura. Ai mbuloi më pas detyra të rë rëndësishme qeveritare, si zëvendëskryeministër, dhe tre herë të tjera si ministër.

Kryeministri Edi Rama njoftoi ndërprerjen e aktivitetetve elektorale të Partisë socialiste. “E pabesueshme, po shumë fatkeqësisht e vërtetë, miku im, miku ynë i mirë Bashkim Fino nuk jeton më! Nuk kam fjalë. Sot për familjen tonë të madhe është një ditë zie, aktivitetet tona elektorale do të ndalen, në nderim e kujtim të vëllait tonë të dashur”, shkruajti zoti Rama në Facebook.

Pak më vonë, Qeveria shpalli për sot Ditë zie kombëtare, në nderim të ish kryeministrit.

Edhe kryetari demokrat Lulzim Basha njoftoi ndërprerjen e aktiviteteve të tija elektorale për ditën e sotme ndërsa në një mesazh ngushëllimi, shprehet “i trishtuar” nga lajmi për vdekjen e zotit Fino. “Jam i bindur se kontributi i Bashkim Finos në politikën shqiptare do të vlerësohet gjithmonë si një zë i rëndësishëm në funksion të stabilitetit politik dhe shoqëror të vendit”, u shpreh zoti Basha.

Nga ana e tij, presidenti Ilir Meta foli për një lajm tronditës. “Ndarja e papritur nga jeta e mikut, kolegut, politikanit të moderuar dhe e Kryeministrit të Pajtimit Kombëtar në vitin e vështirë 1997, qytetarit aktiv e familjarit shembullor, Bashkim Fino, na ka tronditur të gjithëve këtë mëngjes. Dhembje e madhe, që na ka lënë pa fjalë!”, shkruajtu kreu i Shtetit në një mesazh ngushëlllimi në Facebook.

Filed Under: Kronike Tagged With: Bashkim FINO, COVID 19 i mori jetën ish kryeministri socialist Fino, Ish kryeministrit

SHQIPËRIA PËRBALLË COVID, NGA VAKSINIMET TE RREZIKU I INFEKTIMEVE MASIVE GJATË FUSHATËS ELEKTORALE

March 29, 2021 by dgreca

Prof. Dr. Arvin Dibra, Profesor i Kirurgjisë, Departamenti i Kirurgjisë, Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti  i Mjekësisë Tiranë, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja, për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, analizon natyrën e sfidave me të cilat është përballur kirurgjia në Shqipëri gjatë pandemisë, si ka ndikuar pandemia negativisht në formimin profesional mjekësor të studentëve dhe të specializantëve, si fushata e vaksinimit është e pamjaftueshme në raport me nevojat e një vendi me një popullsi të vogël dhe frika që mund të stimulohen valë të reja infektimesh masive gjatë fushatës elektorale. Me Prof. Dr. Arvin Dibra bashkëbisedoi gazetari i DIELLIT, Sokol Paja. 

SFIDAT E SHËRBIMIT TË KIRURGJISË GJATË PANDEMISË

Në gjykimin tim natyra e sfidave me të cilat është përballur kirurgjia në Shqipëri dhe gjithandej në periudhën tashmë mbi njëvjeçare të gjendjes së pandemisë nga infeksioni SarsCov 2 kanë qenë të shumta, dhe besoj se secili vend, veç të përbashkëtave, ka pasur edhe sfida specifike të lidhura kryesisht, me mënyrën sesi sistemi shendetësor të cilit i përket ka zgjedhur apo ka qenë i detyruar të menaxhojë pandeminë. Në Shqipëri unë mendoj se natyra e problematikave mund të konsiderohet në disa drejtime. I pari, ai teknik profesional, që vendos kirurgun përballë një pacienti Covid pozitiv apo, çka në eksperiencën tonë duket me impakt akoma më të gjërë e të thellë, pacienti post Covid që e ka kaluar sëmundjen relativisht rëndë dhe që mbart pasoja që vështirësojnë dhe komplikojnë traumën kirurgjikale. Ndërsa drejtimi tjetër lidhet me mënyrën e modifikimit të organizimit spitalor, me uljen e mundësisë për një akses të thjeshtë ndaj strukturave shëndetësore për pacientët që vuajnë nga sëmundje të tjera dhe që është përkthyer në një ulje të kujdesit shëndetësor. Kjo prodhoi, sidomos në pacientët që vuajnë me kancer, rritje të rasteve që në vëmendjen e kirurgut vijnë shumë vonë, shpesh kur nuk është më e mundur të realizohet një ndërhyrje kuruese dhe me pasojat që besoj kollaj imagjinohen. Impakti psikologjik i karantinës dhe i vështirësive që nxori në pah kjo periudhë, në një numër çuditshëm të madh pacientësh, ka qenë i tillë që i ka detyruar të vendosin në një plan të dytë një sëmundje të pranishme në organizmin e tyre për tu ruajtur nga një infeksion potencial siç është ai nga Sars Cov 2. Natyrisht duhet shtuar këtu edhe modifikimi i strukturimit të burimeve spitalore, veçanërisht të atyre njerëzore, kryesisht mjekë anestezistë dhe infermierë që në momente të ndryshme ka sjellë vështirësi në punën e përditshme të kirurgjisë. 

PROBLEMATIKAT E STUDENTËVE DHE MJEKËVE NË FORMIM

Në opinionin tim, por që tashmë ndahet botërisht nga kolegët, impakti i kësaj pandemie në formimin profesional mjekësor si të studentëve ashtu dhe të specializantëve ka qenë dukshëm negativ. Studentët e mjekësisë janë reduktuar praktikisht vetëm në aktivitet online në të cilin pavarësisht tentativave për të zhvilluar forma të ndryshme mësimore, praktika klinike dhe kontakti human janë të një rëndësie madhore e për pasojë problemi mbetet i madh. Në rastin e specializantëve, duke pasur një ulje të numrit të rasteve të operuara si shtrime të planifikuara (pasi një numër patologjish që nuk përbëjnë nevojë imediate për ndërhyrje janë ndërprerë), impakti gjithshtu ka qenë i ndjeshëm. Një tjetër problem lidhur me përgatitjen e specializantëve është vendimi për përqëndrimin e të gjitha urgjencave të kirurgjisë të përgjithshme larg QSUT. Një vendim ky që nëse në momentet e para të amullisë për përballimin e flukseve të pandemisë mund të kishte një farë kuptimi, pas majit të vitit të shkuar e ka humbur fare arsyen. Kjo impakton ndjeshëm në formimin e mjekëve specializantë të cilët, ndonëse shkojnë periodikisht për të shërbyer në urgjencën e Spitalit të Traumës, nuk e kanë as sasinë as cilësinë e dëshiruar të nxënies nga ky proces. Duhet të mendojmë se në një shkollë që zgjat 6 vjet si mjekësia apo 4 vjet për specializimet, kohëzgjatja që po merr pandemia është me influencë serioze.

HUMBJET DRAMATIKE NË PERSONELIN SHËNDETËSOR

Fatkeqësisht numri i të infektuarve dhe të humbjeve të jetës nga personeli shëndetësor ka qënë i lartë dhe mjaft dramatik. Kemi humbur dhjetëra kolegë, një pjesë e mirë e të cilëve edhe në moshë të re. Nuk mund të them që në spitalin ku punoj të ketë influencuar në cilësinë e shërbimit të dhënë pasi ka mbizotëruar ndjenja e sakrificës për të kompensuar mungesat por çfarë dallon ndër ne në këtë periudhë ka qenë ndjenja e dëshpërimit për kolegët e pacientët e humbur. Ndjenja e pafuqisë dhe e pamundësisë për ti dhënë atyre ndihmën e mjaftueshme për ti rikthyer mes nesh, e bashkuar me nevojën herë pas here për të kontribuar financiarisht në mënyrë vullnetare private për përpjekje të dëshpëruara për të shpëtuar kolegun, në të vërtetë ka mbjellë fort trishtim ndër ne.

NDËRHYRJET KIRURGJIKALE TEK PACIENTËT COVID POZITIV

Për fat të mirë, numri i ndërhyrjeve në pacientë Covid pozitiv nuk ka qenë i lartë dhe nuk ka evidentuar vështirësi në pjesën më të madhe të rasteve. Disi më i ndjerë është impakti i traumës kirurgjikale në pacientët që kanë kaluar Covidin në forma të rënda pasi, kompromentimi i mushkërive, i koagulimit të gjakut apo dhe organeve të tjera, rrit rriskun kirurgjikal dhe shpesh detyron në shtyrjen e ndërhyrjeve. 

SHQIPËRIA PËRBALLË COVID-19, SFIDA DHE PROBLEMATIKA

Gjendja në Shqipëri sot përsa i përket pandemisë është mjaft serioze. Kemi luhatje valë valë të rritjeve drastike të numrit të të infektuarve, të shoqëruara me ulje të kapaciteteve për trajtim dhe me shifra të larta të humbjeve të jetës. Të dhënat krahasuese të vdekjeve në periudha të ngjashme të vitit në raport me vite më parë në fakt duket të jenë shumë shqetësuese. Mbi këtë duhet edhe të konsiderojmë impaktin e rëndë ekonomik të kësaj periudhe mbi familjet shqiptare. Ekonomia nuk ecën dhe njëkohësisht kostot për përballimin e trajtimit mjekësor janë vërtetë të larta dhe besoj për pjesën më të madhe të qytetarëve të papërballueshme. Fatkeqësisht edhe fushata e vaksinimit duket që ecën me ritme mjaft të ngadalta në raport me çfarë do të dëshironim.

FUSHATA ELEKTORALE RREZIKON KOLAPSIN E SISTEMIT SHËNDETËSOR

Natyrisht që të pasurit një fushatë elektorale në këtë periudhë kontribuon negativisht në aftësitë e shtetit tonë për të menaxhuar pandeminë. Vëmendja zhvendoset, vendimmarrjet janë të kushtëzuara nga kostot politike që mund të kenë dhe pavarësisht rregullave duket qartësisht e pamundur që ato të respektohen. Frika që mund të stimulohen valë të reja infektimesh masive në fakt është e arsyeshme. 

PROCESI I VAKSINIMIT DHE POLITIKA

Unë mendoj që fushata e vaksinimit në këto tre muajt e parë të vitit është fort e pamjaftueshme në raport me nevojat. Kur mendon pastaj për numrin e vogël të banorëve që ka vendi ynë kjo ngadalësi bëhet mjaft revoltuese. Një tjetër këndvështrim shqetësues është edhe ai i një fushate vaksinimi thuajse inegzistente në Kosovë. Në të vërtetë unë mendoj se veçanërisht në pikën ku kemi mbërritur, ne nuk e kemi luksin e të injoruarit të asnjë vaksine që jep shpresa për funksionim. Natyrisht do më pëlqente që të kishim mundësinë e produkteve të certifikuara nga FDA apo EMA por deri tani, në tre muaj akoma nuk është arritur të mbyllet vaksinimi i personelit shëndetësor, ndërkohë që do duhej të ishim duke menduar për mbulimin e forcës së punës, të studentëve etj etj. Mendoj se me një hetim të mirë të të dhënave dhe të eksperiencës së vendeve që deri tani i kanë aplikuar, duhet të jemi të hapur për çdo vaksinë efektive. Nuk dua të mendoj që procesi i vaksinimit po politizohet. Do ishte fort neveritëse. Besoj gjithsesi se së shpejti secili prej nesh do e kuptojë nëse ishte kështu apo jo.

Filed Under: Interviste Tagged With: Dr. Avni Dibra, Sokol Paja

Rrëfim nga kujtesa fëmijërore- 22 vjet nga Masakra e Belegut

March 29, 2021 by dgreca

Rrëfim nga kujtesa fëmijërore- 22 vjet nga Masakra e Belegut

Shkruan: Endrit BINAKAJ /

(I mbijetuar i Masakrës së Belegut, autor i dy librave për masakrën)/

Masakra e Belegut 29 mars 1999/

Ndonëse kanë kaluar më shumë se dy dekada nga momenti i ndodhjes së Masakrës së Belegut, memoria ime ka ngelur e freskët, ende e qartë si kristali i një fëmije që sapo kishte mbushur 9 vjet. Ende në shiritin e kujtesës sime më rrëshqasin natyrshëm ato skena vuajtjesh, maltretimesh, frikë nga e panjohura, se po vriteshim tash a tash.

Sa herë që vjen 29 marsi, dhe jo vetëm, unë kthehem në marsin e vitit 1999, në vitin e rëndë të vrasjeve, torturave, masakrave deri në shfarosje totale, por edhe të kthesës së madhe të shqiptarëve për fitoren e luftës për liri. Kthehem dhe shndërrohem në Endritin 9 vjeçar, në Belegun e djegur e të shkatërruar, në Kosovën e kapluar më flakë e erë gjaku të njomë.

E kujtoj si sot, ishte ditë e hënë marsi, pranvera kishte lëshuar rrënjë, pemët kishin filluar të çelnin sythet e tyre, fushat dhe kodrinat po rinoheshin me petkun e gjelbëruar. Por, vetëm qielli nuk ishte në sinkron me token. Ai po shfaqej i zymtë, retë e zeza e kishin pushtuar vendin tim, kukuvajkat po paralajmëronin tragjedinë e madhe. Dita e 29 marsit 1999 ishte kobshme për vendlindjen time, si fëmijë atëbotë e them pa modesti më bëhej sikur e kisha mposhtur frikën, me siguri qe po, e kisha mposhtur, krismat e plumbave dhe gjëmimet e topave ishin bërë tinguj të zakonshëm për veshin tim, tanket dhe autoblindat e paramilitarëve me helmeta ishin bërë pamje e përditshme e syve të mi.

E kujtoj futjen e policisë brenda oborrit të shtëpisë sime, pushtimin e tij nga paramilitarë serb me tyta armesh mbi civilë shqiptarë që të vetmin mëkat që kishin bërë ishte se po jetonin në tokën e paraardhëseve të  tyre që kishin jetuar brez pas brezi këtu, në atdheun tonë autokton. Të hutuar e në ankth, na mblodhën të gjithë, u nisëm në karvanin e pa kthim drejt qendrës së fshatit, duke ecur rrugës, një autoblind na printe e ne ishin në mes, anash ecnin në këmbë me armë të gjata ushtarët serbë të armatosur deri në dhëmb, ndërsa në fund të kolonës qëndronte edhe autoblinda tjetër, si për ta siguruar rrugën se tufa e shqiptarëve civil që po shkonte drejt ferrit, të mbërrinte e sigurt atje. Rrugës në asnjë moment nuk ia lëshova dorën nënës sime, e cila tashmë kishte barrë të rëndë të kujdesej për mua dhe motrën, babai nuk e dinin se çfarë i kishte ndodhur, siç nuk do ta dinim deri në qershorin e vitit 1999, e mendonim si të vdekur, ashtu siç na vinin lajmet në Shkodër, ku qëndrova me familje për tre muaj si refugjat. Rrugëtimi i ferrit nga shtëpia deri në vendin e grumbullimit në qendër të fshatit, ishte i tmerrshëm, çdo gjë po digjej, qiellin e atij muzgu tragjik po e ndriçonin flakët e shtëpive që po digjeshin në çdo skaj të rrugës kafshë të ngordhura, kukama e dënesje nënash, në prani të familjes kishin pushkatuar në pragun e shtëpisë, Naim e Nezir Vishajn, po ashtu edhe profesor Daut Aliçkajn. Tmerri i vërtetë kishe filluar. 

Të hutuar dhe në ankth, policia dhe ushtria serbe kishin filluar aksionin e plaçkitjes, torturës dhe maltretimit të banorëve jo vetëm të Belegut por edhe të fshatrave tjera që lufta i kishte degdisur për ato momente në Beleg. Atë natë marsi, burrat u ndanë nga gratë dhe fëmijët. Në çdo moment pritej pushkatimi dhe therja jonë, nuk ndodhi atë natë, sikur ishte vullnet nga Zoti që ne fëmijët dhe gratë të shpëtonim, për ta treguar e rrëfyer vuajtjen tonë për liri, por nga pushkatimi nga paramilitarët serbë nuk shpëtuan 46 burra që nga mosha 16 vjeçare e deri tek pleq të shtyrë në moshë. 

Në mëngjesin e 30 marsit, filloj eksodi i madh për në Shqipëri, në rrugën pa kthim. Ishte momenti i fundit kur fëmijët po i shikonin fytyrat e baballarëve të tyre, çast i trishtueshëm kur nënat po merrnin mallin me veti për bijtë e tyre që nuk do t’i takonin kurrë. Momente prekëse që i kisha përjetuar si fëmijë, është shumë e vështirë të gjesh ndonjë përshkrim adekuat të asaj ndjesie, e dhimbshme, e tmerrshme sa që edhe lotët ishin shterur e zëri kishte ndërruar tonalitetin, nuk mund as të bërtisje.

Në natën e 29 marsit, për të vazhduar edhe më 30 mars 1999, ishin ndaluar nga forcat serbe 46 burra për t’u ekzekutuar më pas, jo vetëm banorë të fshatit Beleg por dhe të fshatrave tjera përreth që lufta i kishte zënë aty atë ditë marsi.

Ky është një përshkrim i shkurtër i gërmuar thellë nga kujtesa e një fëmije që sapo kishte filluar ta jetoj pranverën e nëntë, i atij skenari të tmerrshëm të Masakrës së Belegut, e cila llogaritet si njëra nga krimet më të llahtarshme të regjimit serb në luftën e fundit në Kosovë.

Nga 46 të ekzekutuarit në këtë masakër deri më tani janë identifikuar vetëm 12 trupa, ndërsa pjesa dërmuese, pra 34 mbesin ende të zhdukur. Ndonëse dihen autorët e krimit të cilët i kam dokumentuar në dy librat e mi për këtë masakër, përsëri drejtësia vendore e sidomos ajo ndërkombëtare nuk kanë bërë asgjë në zbardhjen dhe dënimin e merituar për autorët e këtij krimi makabër.

Dëshmitarët e Masakrës së Belegut, disa herë i kanë deponuar dëshmitë dhe faktet e tyre në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, por ende nuk ka ndonjë proces gjyqësor ndaj kriminelëve që vranë, masakruan dhe torturuan banorët e fshatit Beleg.

Sot, 22 vjet nga momenti i ndodhjes së Masakrës së Belegut, familjarët, të afërmit e të ekzekutuarve në Beleg mbesin me ankth, në pritje të ndonjë lajmi për trupat e tyre, varret kanë mbetur të hapura, me epitafe të shkruara, por mungojnë një grusht eshtra. Kaq kërkojnë familjarët e tyre, që sadopak t’iu zbutet dhimbja, si një vend për t’i ndje më afër, se per t’i vajtuar ata nuk e meritojnë, janë martirë të kësaj toke të lirë.

Aktualisht në të gjithë vendin janë të zhdukur rreth 1643 persona, Serbia e di saktë vendndodhjen e tyre, andaj duke qenë se jemi në prag të një marrëveshje me shtetin armik, si një i mbijetuar i masakrës dhe si qytetar i kësaj Republike iu bëj apel dhe thirrje në emër të gjithë familjarëve që t’i bëhet presion Serbisë për kthimin e të gjitha eshtrave të personave të zhdukur në Kosovë.

Familjarët e të rënëve jo vetëm në Beleg por edhe në nivel të Kosovës, asnjëherë nuk do të jenë të qetë përderisa kriminelët nuk e marrin dënimin e merituar.

Ankthin ata e kanë bërë pjesë të jetës, tash e 22 vjet.

Ky ankth shpresoj të mos vazhdoj në pafundësi.

Lavdi të rënëve në Masakrën e Belegut!

Të rënët në Masakrën e Belegut

Deri më tani nga Masakra e Belegut janë të identifikuar këta persona:

  • Shaqë (Curr) Binakaj
  • Hysni (Curr) Binakaj
  • Nezir (Ibish)Vishaj
  • Naim (Daut) Vishaj
  • Daut (Murat) Aliçkaj
  • Gëzim (Selmon) Vishaj
  • Jetmir (Arif) Mazrekaj
  • Qazim (Osë) Hulaj
  • Sadri (Adem) Zukaj
  • SHefqet (Curr) Belegu
  • Shaban (Haxhi) Kadriaj
  • Ali (Haxhi) Kadriaj

Ndërsa, shumica e të rënëve në këtë masakër ende nuk janë gjetur. Dhe, ende nuk dihet se KU JANË:

  • Zymer (Miftar) Binakaj
  • Brahim (Adem) Zukaj
  • Hamid (Dervish) Zukaj
  • Rexhep (Lum) Neziraj
  • Faton (Hasan) Vishaj
  • Fatmir (Halil) Vishaj
  • Ramë (Shaban) Kilaj
  • Sadri (Hajdar) Vishaj
  • Mujë (Isuf) Vishaj
  • Malë (Isuf) Vishaj
  • Zenel (Ukë) Vishaj
  • Hazir (Himë) Zukaj
  • Shaban (Ramë) Nitaj
  • Nekë (Halil) Binakaj
  • Hajdar (Hamëz) Mazrekaj
  • Ali (Avdyl) Mazrekaj
  • Bashkim (Lush) Hadergjonaj
  • Afrim (Lush) Hadergjonaj
  • Xhevdet (Bajram) Hadergjonaj
  • Muhamet (Bajram) Hadergjonaj
  • Mehmet (Halil) Tolaj
  • Xhevat (Ukë) Tolaj
  • Misin (Hajdin) Tolaj
  • Arif (Haxhi) Mazrekaj
  • Isa (Tahir) Tolaj
  • Sahit (Bekë) Mazrekaj
  • Hasan (Sahit) Mazrekaj
  • Sundim (Sahit) Mazrekaj
  • Naim (Hysen) Tolaj
  • Ragip (Osmon) Morina
  • Beqir (Idriz) Dervishaj
  • Tafë (Bekë) Dinaj
  • Smajl (Ramë) Ukëhaxhaj
  • Haxhi (Shaban) Kadriaj

Filed Under: ESSE Tagged With: 22 Vjet, Endrit Binakaj, Masakra e Belegut

Na mundi Anglia-Tre Luanët, leksion futbolli Shqiponjave

March 29, 2021 by dgreca

-Të mërkurën, San Marino-Shqipëri, Angli-Poloni dhe Andorra-Hungari

Përgatiti Albano Kolonjari/DIELLI

Në Shqipëri pas ndeshjes Shqipëri- Angli 0-2, tranjeri Reja u vendos në “ciklonin” e kritikave. Por të gjithë specialistët tanë të futbollit shumica e të cilëve kanë kohë që nuk drejtojnë një ekip, harruar se ne, na mundi Anglia. Shqipëria luajti mirë por jo mjaftueshëm për të ndalur Anglinë. Në planin mbrojtës Shqipëria realizon një ndeshje të mirë përballë lojtarëve anglezë që luajnë në nivele shumë të larta, lojtarë të cilët janë të fortë fizikisht dhe shumë të disiplinuar taktikisht. Anglezët ishin shumë të përqëndruar dhe luajtën me shumë vemëndje gjatë 90-të minutave, dhe kjo bëri edhe diferencën në fushën e lojës. Dhe golat erdhën pikërisht nga përqëndrimi që ata bënin në cdo top që luanin futbollistët tanë, duke shfrtëzuar me saktësi dy gabime që bëmë në mbrojtje. Por ky është futbolli. 

Kane. Goli i tij i fundit me Anglinë e kishte shënuar 500 ditë më parë, në një eliminatore të Euro 2020, përballë një tjetër skuadre shqiptare, asaj të Kosovës. Goditja e tij me kokë  në Tiranë përfundoi një seri prej 496 minutash pa shënuar. Klasi i Kane, megjithatë, mbetet i përhershëm, kështu që nuk ishte për t’u habitur që ai ishte njeriu që zhbllokoi rezultatin pasi Anglia kishte luftuar për të prishur për shumë minuta një mbrojtje të qëndrueshme të Shqipërisë.  Në minutën e 38-të të takimit, anglezët kalojnë në avantazh me një gol të shënuar nga Kane i cili përfitoi nga një kros i shkëlqyer nga krahut i majtë nga Shaw, ku mbrojtja shqiptare bëri gabimin e vetëm duke e mos e mbuluar Kane ashtu sic duhet. 0-1 për Anglinë. Në pjesën e parë duhet të përmëndet loja e mirë e Shaw të rikujtuar, forma mbresëlënëse me të cilin ai po kalon  së fundmi për Manchester United dhe e meritoi përfshirjen e tij në formacionin e Tre Luanëve.  Southgate mund ta ketë të fiksuar në mendjen e tij formacionin ideal ideal të Euro 2020 por Shaw, i cili ka asistuar gola në tre fitoret e fundit të Angli, po shfaqet si një rival i mirëfilltë i Ben Chilwell lojtarit të Chelsea.

“Ne kontrolluam ndeshjen. Pas rreth 25 minutash ndryshuam pak formën e mesfushës dhe dukeshim më të rrezikshëm. Ata kishin një formacion ndryshe nga ai që kanë luajtur për 25 ndeshjet e fundit kështu që mendova që të ndryshoja skemën e mesfush”. u shpreh Gareth Southgate, tranjeri i Anglisë. Në fakt Shqipëria e fillon mirë. Lojtarët janë të vendosur mirë në fushën e lojë dhe nuk lejojnë hapsira për Anglezët. Në pjesën e parë Shqiponjat e Shqiperisë,  bënë një lojë mjaft të mirë. Në minutën e 13-të të lojës, Myrto Uzuni humb rastin për shënim, duke e dërguar topin mbi kuadrat. “Ata kaluan në avantazh për një gabim tonin. Ne e bazuam ndeshjen tek kundërsulmi, dhe Uzuni e pati rastin por fatkeqësisht nuk shënoi. Ne e bazuam ndeshjen tek mbyllja e hapësirave në pjesën e parë, ata nuk bënë asnjë gjuajtje në portë por shënuan duke shfrytëzuar një gabimin tonë”, u shpreh Edi Reja pas ndeshjes. Në pjesën e dytë Raheem Sterling “përgjoi” një pasimin të Berat Djimsiti dhe pasoi tek Kane, ky i fundit tek Mount që shumë i “ftohtë përballë Berishës shënon golin e dytë. 15 mintat e fundit flasin për kuqezinjtë. Në minutën e 59-të të takimit, trajneri Edy Reja bën tre zëvendësime, duke larguar Cikalleshin, Brojën dhe Memollën dhe duke hedhur në fushë Manaj, Gjasulën dhe Lenjanin. Kjo i jep Shqipërisë më shumë frymarje, por kuqezinjtë nuk arrijnë tek goli. “Në fund të lojës kemi pasur mundësi ta bëjmë 3-0 dhe duhet ta kishim vrarë ndeshjen. Nuk më pëlqente mënyra se si e menaxhuam lojën në 15 minutat e fundit, duke abuzuar përpara kur nuk na duhej. Të kënaqur me fitoren, por ka fusha që ne mund t’i shtrëngojmë “, u shpreh Gareth Southgate. Duhet marrë në konsideratë kundër kujt luan, është ekip i fortë, kanë forcë, mbyllin hapësirat dhe kur përplasesh me ta fluturon tutje. Është e vështirë të ulësh topin se të hidhen sipër, nuk na linin të merrnim frymë. Por duhet të jemi të fortë fizikisht si ata, ne e bëmë ndeshjen si e përgatitëm, sipas meje nëse nuk pësonim në pjeësn e parë, me kalimin e minutave bënim diçka. Golin ia dhamë ne, pastaj patën mundësi, por për një ekip të këtij niveli, kemi bërë një ndeshje të nivelit të mirë, nuk mund të themi asgjë”, tha Reja.

Rezultatet

Shqipëri-Angli 0-2

38’ Kejn, 63’ Maunt

Poloni-Andorra 3-0

30’, 55’ Levandovski, 88’ Sviderski

San Marino-Hungari 0-3

13’ (p) Szalai, 71’ Sallai, 88’ (p) Nikolics

Renditja: Anglia 6 pikë, Polonia 4, Hungaria 4, Shqipëria 3, Andorra 0, San Marino 0.

Ndeshjet e ardhshme (31.03.2021)

San Marino-Shqipëri

Angli-Poloni

Andorra-Hungari

Filed Under: Sport Tagged With: Albano Kolonjari Futboll, Anglia, Na mundi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT