• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2021

Tungjatjeta o shqiptarë!

May 4, 2021 by dgreca

Që të shkarkohet sot Presidenti Ilir Meta është e pamundur, për shkak të proçedurave deri në Gjykatën Kushtetuese, pra një vit humbje kohe me luftë nervash, fjalësh, e emrave nga emrat…

– …në këtë tabllo shqiptarët janë ca sehirxhinj a tifozë të thekur palësh, por jo të vetes. Por edhe nëse Ilir Meta shkarkohet, shqiptarëve nuk u ngrihen rrogat, nuk u përmisohen kushtet e jetesës, nuk u vjen uji 24 orë….

NGA ILIR LEVONJA/

Nisma për shkarkimin e Presidentit të Republikës është një nga gjërat më të panevojshme për shqiptarët. Eshtë e tillë pikë së pari, pasi nuk është çështje e tyre. Shqiptarëve nuk u ndodh gjë as për mirë e as për keq. Në fund të fundit nuk e zgjodhën ata, ky është tashmë ai ekuivok social që deri në 2012 sillte ngërç politik për shkak të numrit 84. Pra deri para viti 2012 duheshin 84 vota, që dmth, edhe nga opozita. Me një fjalë synimi ishte dalja në pah e një kandidati qoftë ky burrë a grua, i cili ofron konsensus, a besim midis kampeve, gjë që mund dhe të refkletonte në shoqëri. Madje i shkonte shumë për shtat edhe statutit presidencial në lidhje me unifikimin e palëve në pergjegjësitë shtetërore. Kosova përshembull e ruan edhe sot, me këtë model zgjodhi Presidenten Vjollca Osmani, një nga kanditaturat më të votuarat në zgjedhjet e përgjithshme. Shqipëria e ndryshoi në 2008 pas ngërçëve të shumta parlamentare, jo vetëm nga emrat por edhe nga pa aftësia shqiptare në lidhje me bashkëpunimin sidomos kur bëhet fjalë për kombin. U ndryshua me inisiativën e PD dhe mbështjen e PS. Kësisoj në 2012, me një shumicë të thjeshtë, pra 73 vota i sollën Shiqpërisë të parin President puro partiak Bujar Nishanin. Në 2017, tashmë me shumicë të konsoliduar të majtë, sollën Ilir Metën, Presidentin aktual. Pra Ilir Meta ashtu si para ardhësi i tij Bujar Nishani, nuk ka se si përfaqësoj shqiptarët. Shqiptarët do t’i përaqësonte një president i cili të mund ta zgjidhnin vet. Megjithëse që nga dalja e opozitës nga parlamenti, ka bërë opozitën reale. Por në të njëjtën kohë edhe lojra politike po si ato të Edi Ramës, Bashës, Sali Berishës etj. Spektaklin më të madh duhej ta luante opozita parlamentare aktuale. Për më tepër që shumë nga ata edhe nuk fituan as votat minimale të kalimit të pragut elektoral. Akoma kur duket krejt bizare se si mundet një parlament logjikisht i vdekur për shkak të zgjedhjeve të reja, të ndërrmarri nisma të tilla, kur vendi ka nevoja imediate si punësimi, rritja e pagave, riparimi i dëmeve nga tërmeti, pandemia etj., të merret me shkarkimin e Presidentit të Republikës. Pra shërbimin më të madh që mund t’i bënin vendit, do ishte dorëheqja nga mandati personal por i krizave kombëtare. Këtë ata nuk e bëjnë. Ndaj sot shqiptarët janë të deytruar të dëgjojnë, të njëjtën retorikë. Atë të luftës personale të emrave me emrave, jo të politikanëve që i shërbejnë vendit. Që të shkarkohet sot Ilir Meta është e pamundur, për shkak të proçedurave deri në Gjykatën Kushtetuese, pra një vit humbje kohe me luftë nervash, fjalësh, e emrave nga emrat. Ku në këtë tabllo shqiptarët janë ca sehirxhinj a tifozë të thekur palësh, por jo të vetes. Por edhe nëse Ilir Meta shkarkohet, shqiptarëve nuk u ngrihen rrogat, nuk u përmisohen kushtet e jetesës, nuk u vjen uji 24 orë. Pastaj Ilir Meta sikur do vetshakrkohej nëse fitonte Edi Rama. Tani sapo filloi lojën hap kutitë si Edi Rama dikur. Shqiptarët asgjë, do mbeten prapë ca sehirxhinjë të denoncuesit dixhital, kush ka dhe kush nuk ka të drejtë, ndërkohë që jo më fëmijët e tyre, por nipërit e mbesat do vazhdojnë të shikojnë të njëjtën tabllo emrash, me të njëjtat mjete, me të njëjtën strategji fyerjesh e sharjesh, por që pavarisht gjithçkaje ata ishin, ata janë, ata do të mbeten aty. Kurse ju, aeroporteve, porteve, metrove, veç me tungjatjeta malli o shqiptarë.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Ilir Levonja, Ilir Meta, shkarkimi i Presidentit

Edhe Kosova në stërvitje ushtarake Amerikane, NATO-s…

May 4, 2021 by dgreca

-Kosova, pjesëmarrëse në mesin e 27 Shteteve në ushtrimin ushtarak “Defender Europe 21”. Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës radhiten përkrah ushtrive të shteteve anëtare të NATO-s nën udhëheqjen e partnerit strategjik Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kosova do të jetë gjithashtu në mesin e 16 vendeve pritëse…/ 

PRISHTINË, 4 Maj 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Kosova për herë të parë do të jetë pjesëmarrëse në stërvitjen ushtarake më te madhe në rajon “Defender-Europe 21”. 

“DEFENDER-Europe 21” është stërvitje vjetore e përmasave të mëdha ushtarake amerikane në Evropë dhe Afrikë, i përbashkët, shumëkombësh, i dizajnuar për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprimin ndërmjet ushtrisë amerikane, NATO-s dhe partnerëve tjerë. 

Me këtë rast, ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) radhiten përkrah ushtrive të shteteve anëtare të NATO-s nën udhëheqjen e partnerit strategjik Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Kosova do të jetë gjithashtu në mesin e 16 vendeve pritëse, me ç‘rast trupat e ushtrive të shteteve anëtare të NATOS do të zbarkojnë në Kosovë; në mesin e tyre ushtarakë të ushtrisë Amerikane, pjesëtar të forcave nga Komanda Evropiane e SHBA si dhe Komanda Supreme Operacionale e NATO-s. 

Komanda e Lartë (HICON) dhe Audienca Sekondare do të jenë të vendosur në Aeroportin e Gjakovës, kurse Ushtrimi Fushor do të realizohet në Zonën e Trajnimit në “Baba i Bokës” në komunën e Gjakovës. 

Validimin e kapaciteteve të këmbësorisë do t’a bëjë ekipi vlerësues i KDS në bashkëpunim me ekipin ushtarak amerikan të Brigadës të Ndihmës së Forcave të Sigurisë (Security Force Assistance Brigade- SFAB).   

Pjesa kryesore e ushtrimit do të realizohet nga data 17 deri 29 maj 2021. 

Për detajet e pjesëmarrjes së Kosovës në këtë ngjarje, Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj së bashku me Komandantin e FSK-së Gjenerallejtënant  Rrahman Rama do të mbajë konferencë për media, me datë 6 Maj, 2021, duke filluar nga ora 14:30. 

Konferenca për media me tematikë Ushtrimi ushtarak “DEFENDER – Europe 21”  dhe Kosova do të mbahet në Ministrinë e Mbrojtjes, thekson ftesa e dërguar sot. 

Filed Under: Politike

Tubëz poetike nga Anton Çefa

May 4, 2021 by dgreca

Tubëz poetike/

Nga Anton Çefa/

UNË VUEJ PËR TY ATDHE/

Unë vuej për ty Atdhe:/

-kur me gënjeshtra të shtrembnojnë fytyrën,/

-kur shpifja përlyen nderin që ti e ruen me krenari,/

-kur me shamje fyese të akuzojnë pa të drejtë,/

-kur fymja “të përshëndetë” tash e parë,/

-kur ne shqiptarët të braktisim,/

dhe, ma e keqja: të trathtojmë./

Unë vuej për ty Atdhe./

GJUHA SHQIPE

Gjuhë shqipe,

Praninë tande e jetoj kudo,

Te nji nanë me foshnje në prehen,

Te fëmija i njomë në djep,

Te urtija e një plaku të moçëm,

Te fjala e lashtë e Kanunit,

Te vjetërsia e “Mesharit” të Buzukut,

Te jehona e zaneve të largëta

Te fjala melodioze e arbëreshëve.

Kam mall gjithnji për fjalën tande

Për melodinë e bukur të tingujve,

Për jehonën e lashtë të kohëve.

Mendimet e tua i veshë kurdo

Me kumbimin e kumonëve të shpirtit.

Themelet i ke sa mbi shkambij,

Sa mbi fusha e ara,

Lumej e dete,

Themelet i ke kudo.

SHKODËR, TI MUROSE ROZAFËN

Shkodër, ti murose Rozafën

nga ashti i dhimbjes e nxore

dhe rishtas e fute në dhé

nji andërr e bardhë e kombit.

Varrose qumshtin e nanave

në themele kështjellash e legjendash.

Çfarë varreze madhështore, ti Shkodër,

jetën e krijon,

dhe e pret rishtas nga vdekja.

FJALA

Renditje tingujsh fjala.

Fjalë e mirë lavdi e folësit,

fjalë e randë plagosje në shpirt.

Fjalë burri peshë guri,

gur i çmuar si biluri.

Fjala e të fortit gjethe ullini,

bleron si kokrrat e randueme në degë. 

BULON NË SHPIRT

Bulon në shpirt poezia,

prekë të padukshmen

dhe i falë jetës nji kuptim që dhemb.

Nën shkëlqimin e metaforës

si në nji fosil

rri i mshehun mesazhi i jetës.

ALKIMI E GURIT

 Te guri vizova fjalën

Si bir shkambi që asht,

Mbështeta te ai të mirën, 

të vërteten, 

të bukuren.

Te guri i vuna sinorët fjalës e vetes,

Shpirtit e zemrës,

Mendimit dhe ndjenjës.

Deh, mos ma lueni gurin e sinorit !

Filed Under: LETERSI Tagged With: nga Anton Çefa, Tubëz poetike

SHQIPËRI- Startoi stërvitja “Defender Europe 2021”

May 4, 2021 by dgreca

-Udhe të mbarë pjesmarrësve!/

-Po çfarë detyrimesh kemi ne si qytetarë dhe institucione shtetërore?/

-“Host Nation”,Institucionet shqiptare dhe  Defender  EUROPE 2021…/

Refleksione nga Shefqet KËRCELLI,[ushtarak në rezervë]

Opinioni ynë publik në këto ditë të nxehta votimesh, është informuar se në mbarë Europën, do zhvillohet stërvitja “Defender Europe 2021”,(shkurt DF2021).

Tashmë burime zyrtare të Komandës Amerikane në Europe dhe Afrikë, përfshi Komandantin e Trupave Amerikane në Europë, Gjeneral-lejtant Christopher G. Cavoli, kanë prezantuar qëllimin e kësaj stërvitje, trupat që do përfshihen dhe territorin ku do zhvillohet. Ndërkohë për këtë stërvitje janë prononcuar Ambasada e SHBA në Tiranë dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë sonë të Mbrojtjes.  Në vija të përgjithëshme kjo stërvitje  është një stërvitje e përbashkët vjetore në shkallë të lartë, ndërkombëtare, e udhëhequr nga SHBA për të forcuar gatishmërinënë dhe ndërveprimin mes SHBA, NATO dhe ushtarakëve partnerë. Këtë vit, më shumë se 28,000 forca ndërkombëtare nga 27 vende do të organizojnë afërsisht operacione të njëkohshme përmes më shumë se 30 zona stërvitjeje në më shumë se një dyzinë nga Baltiku drejt Ballkanit dhe Rajonit të Detit të Zi, që janë strategjikisht të rëndësishme. “Ndërsa jemi afërsisht duke monitoruar situatën e COVID, ne kemi vërtetuar që kemi kapacitete të trajnojmë të sigurt këto forca, pamvarësisht pandemisë. Edhe në këtë situatë, kombet tona kanë besim mbi forcat tona, të cilat janë të gatshme të mbrojnë paqen”,- tha Gjeneral lejtnant Kristofer Kavoli, Komandanti i Ushtrisë të SHBA, Europë- Afrikë. 

Vendi ynë, anëtar i NAto-s, që nga viti 2009, përveç ofrimit të gjashtë bazave detare, tokësore dhe ajrore, do të angazhojë 1000 trupa në këtë stërvitje, tha Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi. Ai u shpreh se, ““Qëllimi i pjesëmarrjes së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në këtë stërvitje do të jetë demonstrimi i aftësive të forcave të armatosura për t’u rritur, koordinuar, për t’u stërvitur e trajnuar së bashku me forcat amerikane dhe ato të NATO-s, në aktivitete, operacione të përbashkëta, në një ambient operacional kompleks. Kryefjala jonë për këtë stërvitje do të jetë gatishmëri, ndërveprueshmëri dhe operacionalitet me forcat aleate, siç bëjmë prej dekadash tashmë në operacionet dhe misionet e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara”. Defender Europe 2021, është një ngjarje historike sepse është stërvitja më e madhe në Shqipëri dhe në rajon”. 

 Në një intervistë për DW pyetjes së gazetarit:- Shqipëria do të jetë vendi kryesor mikpritës i një stërvitjeje kaq gjigande ushtarake. Çfarë prisni nga Shqipëria që të arrihen synimet e manovrës DEFENDER-Europe 21?

Kolonel Joseph Scrocca, Drejtor për mardhëniet me publikun i Komandës së SHBA në Europë ju përgjigj: “DEFENDER-Europe 21″ do të fillojë në Durrës, në javën e parë të majit. Shqipëria do të presë një stërvitje të përbashkët të logjistikës në bregdet, të njohur me inicialet JLOTS (Joint Logistics Over-the-Shore-Logjistikë e përbashkët në bregdet) e cila do t’i mundësojë ekipit të shërbimit amerikan të përdorë anije për të ngarkuar dhe shkarkuar pajisje dhe personel në porte jo të përshtatshme apo të dëmtuara si edhe në plazhe të zhveshura.

Kjo është një ngjarje e rëndësishme, sepse do të jetë hera e parë që një JLOTS ndodh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ky trajnim historik demonstron aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të shërbyer si një partner strategjik i sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe rajonet e Detit të Zi, ndërkohë që ne ngrejmë gatishmërinë operacionale dhe ndërveprimin me aleatët tanë të NATO-s dhe partnerët pjesëmarrës në Defender-Europe 21, gjë që nxjerr gjithashtu në pah rëndësinë strategjike që ka Porti i Durrësit.

Rreth  5.000 forca amerikane do të stërviten dhe veprojnë në Shqipëri nga muaji prill deri në qershor, të cilat do të veprojnë në vende të shumta në Shqipëri, përfshirë bazën ajrore në Kuçovë, në Farkë dhe në zonën e trajnimit në Bizë.

Por, çfarë duhet të bëjmë ne si popull e si shtet që të dalim faqebardhë në këtë stërvitje, ta kurorëzojmë ate më sukeses, të përmbushim detyrimet tona e të ndjehemi krenarë?

Si ishushtarak, pjesmarrës dhe ndjekës i stërvitjeve të përbashkëta me SHBA dhe NATON, dhe mikpritës i anijeve të tyre në portet tona, do shpreh disa mendime, që i shërbejnë përdorimit efikas të gjithë burimeve njerzore, ushtarake, tradicionale,institucionale,ekonomike, etj.

Së pari, mikpritja jonë…

Jo më kot në përfshihemi në “Host nation”. Larg klisheve, demagogjisë e propogandës absurde, apo politikës së madhe për këtë miqësi historike, ne si shqiptarë duhet, ta tregojmë veten se, jemi mikpritës, të sjellshëm, korrektë, besnikë e qytetarë të denjë të aleancës. Ta përdorim fjalën faleminderit, sa herë duhet. Nuk është nevoja ti biem gjoksit, se si i kemi pritur të gjithë miqtë edhe armiqtë, por këta janë aleatë dhe miq të vërtetë. Në testimet e zhvilluara në vitet 1991-1995, shqiptarët ishin më proNAto në Europë, në kufijtë e 90-93%, tani mund të kenë zbritur në kufijtë e 80%, për arësye të politikave të mbrapshta të ofiqarëve tanë. Kjo është thjesht statistikë, por ne fjalën miqësi duhet ta ulim në terren real, në rrugë, ambiente, restorante, kudo ku ka jetë në qytetin tonë. Në vijim të kësaj po sjell katër shembuj, nga mikpritja e qytetarëve durrsakë, në vitet 1992-1995. 

1- Gusht 1992. po zhvillohej stërvitja “Sarex-1”. Në majën e malit të Robit, ishte VK e stërvitjes. -Na duhej një flamur amerikan, ta vendosnim në shtizë, bashkë me atë shqiptar, pasi për momentin nuk e kishim. Atëhere bashkë me Nebiun{Vlashin}, i biem lokaleve e rrugëve të Durrësit, mos gjejmë nonjë. Diku përballë materinitetit të vjetër ishte një bilardo. Një zonjë grua, mbante leket e atyre që losnin. Pamë një flamur amerikan të varur në mur, dhe ju drejtuam zonjës,-a na jepni për disa ditë, qoftë dhe më lekë. Çfarë thoni, na u kthye, -ju mund ta merrni këtë flamur, e ta mbani sa të doni. Na lehtësoi, e falenderuam zonjën durrsake, e palosëm flamurin dhe shkuam e vendosëm tek vendi. Në mëngjes fillonte stërvitja. Na nderoi qytetarja durrsake, që spo ja gjejmë emrin tani. Besoj se është jashtë.

2-Garnizoni Plepa gëlonte nga ushtarët e Br.Plepa dhe 1 mijë marinsa amerikanë të Komandës Amerikane të Europës, një brez para këtyre që po vijnë këto ditë. Organizonim aktivitete të ndryshme mbasdite, kulturore e sportive. Më pak kulturore, se dhe anglishtja ishte dobët ke ne. Na lindi një ide, të marrëm estradën e Durrësit, për një shfaqje. Shkoj takoj Landin e Fadilin. Jemi gati, kur të duash, ma kthyen. Mbasi bisedova me Bardh Hoxhën, i them, a kanë nga ato pakot ushqimore të marinsave ti japim nga një këtyre mjeshtrave.- po, thotë Bardhi. Nese, mbaroi shfaqja. Edhe amerikanët e ndoqën, pamvarësisht sa e kuptonin humorin tonë. Kur po dilnim, Bardhi më dha 15 pako ushqimore. Grupi ishte 16, ne i thamë 15 amerikanëve. Ti kërkonim dhe një, na vinte zor. I ndjeri Fadil,[HASA] më thotë, ece o Çeto, mos e vra mendjen, mu më jep një dopjo raki, dhe je në rregull…

3-shtator 1995. 2 vite më parë na ndodhi një incident i paparashikuar, krejt rastësor. Ushtarakët amerikanë ngurronin që ti nxirrnin trupat vizitë në Durrës. Atëhere u mblodhëm si grup oficerash që banonim në Durrës, bëmë një plan, the thamë do i nxjerrim se sbën. U lidhëm me policinë dhe çunat motoçiklistë të  Durrësit. Caktuam itinerarin, zonën e vizitës dhe orarin. Për çdo grup 20 veta, 3-4 oficerë. U hipëm IFA-ve dhe dolëm. U kryen vizitat normal. Kthimi ora 12.00. Ju mbush mendja amerikanëve, Durrësi qytet i qetë. Nga ajo mbasdite nuk rreshtën vizitat dhe dollarët në Durrës.

5-qershor 2010. Përfaqsues të institucioneve tona detare, trajnoheshin për zbatimin e ligjit në det, nga specialistë me zë të Rojes Bregdetare të SHBA.  Në program kishte dhe trajnim në një anije. Ku të shkojmë ku mos shkojmë. I drejtohemi zotit Bujar Hoti, për ndihmë. E menjëhershme përgjigja, -nuk thua që shyqyr që erdhën amerikanët! jeni të mirëpritur! Rimorkiatori ‘Epidamn’, u bë një skenë intersante për kapjen e shkelsve të ligjit detar….

Të tillë raste mipritje e qytetarie ka me qindra në Vlorë, Sarandë, Shëngjin….

I solla këto shembuj konkretë, për të sqaruar se miqësia lind dhe farkëtohet në terren e jo si ajo miqësia e tradita që themi ne në planin makro, që na karakterizon prej shekujsh!? Ne si shqiptarë, kudo që jemi, duhet të tregojmë kulturën, edukatën e qytetarinë tonë, sa herë që takojmë ushtarakët e NATO-s, miqtë e aleatët tanë. Le shikojë bota vlerat tona. 

Në këtë drejtim, një shtysë miqësisë shqiptaro-amerikane do ti japë dhe shoqata e miqësisë Shqipëri-SHBA, me qendër Durrës, e cila është në prag të miratimit. Shoqata do ketë në gatishmëri grupe vullnetarësh për të ndihmuar vizitat dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta me ushtarakët miq. 

Deri tani u morëm me zgjedhjet,  të cilat ishin të rëndësishme, por jo pak rëndësi ka dhe kjo stërvitje që lidhet më çështjen tonë kombëtare, dhe ndodh njëherë në 30 vjet. Të nderuar bashkëkombës, nuk janë falanga pushtuese, po janë miqtë, shokët, aleatët, vellëzërit tanë, që vijnë për paqen e sigurinë e vendit tonë. Pastaj ne jemi dhe popull luftarak, që i ka qef armët, ndaj nga situata zgjedhore të kalojmë e ti shohim konkretisht të gjithë faktorët institucionalë shtetërorë e njerzorë që ndikojnë në mbarëvajtjen e kësaj stërvitje?

Duhet të kuptojmë mirë një gjë:-Stërvitja “Defender Europe 2021”, nuk është as e Ministrisë së Mbrojtjes, as e ushtarakëve shqiptarë, as e Edi Ramës, as Ilir Metës, as Niko Peleshit apo Lul Bashës. Është e krejt Popullit shqiptar. Dhe pa bashkëpunim institucional shtetëror nga lart boshtë, vertikalisht e horizontalisht, në gjithë skakierën burokratike të shtetit shqiptar, nuk ka zhvillim normal të kësaj stërvitje. Stërvitjes s’duhet ti jepet asnjë konotacion politik, madje situata politike duhet të qetësohet sa më shpejt, sepse është një faktor  kryesor për ecurinë normale të stërvitjes.

-Faktori i I-rë-

Presidenti i RSh. A e ka marë  në dorë situatën e kësaj stërvitje? A po përmbush detyrimet kushtetuese për këtë çështje? Minimumi duhet të kishte marë një informacion nga Ministri dhe Shefi i Shtabit për këtë stërvitje. Presidenti është faktor kryesor në kordinimin dhe zhvillimin normal të kësaj stërvitje në rang vendi. Ai mund ta zbusë situatën politike dhe ti orientojë strukturat shtetërore drejt kësaj ngjarje madhore dy mujore. Nuk po them të ngrihet në nivelin e Presidentit Moisiu apo Nishani, të cilët ndoqën e mbuluan me kujdes çdo aktivitet ushtarak në vend, për sa kohë ishin në detyrë, ose dhe Sali Berisha, kur ish president ndoqi disa stërvitje i veshur me uniformë kamuflazhi. Si djalë oficeri dhe nga një zonë patriote, Ilir Meta, mund të bëjë shumë për këtë stërvitje. Gjithashtu ai duhet të kërkojë të përmbushen me korrektësi pikat e dekretit të parlamentit shqiptar më datën 18 mars 2021, nga të gjitha institucionet. Do fitojë dhe për vete ca pikë.

-Parlamenti shqiptar e tha fjalën më 18 mars, tani deputetnave të rinj i ngelet për detyrë të ndjekin e zbatojnë masat përkatëse që rrjedhin nga dekreti i miratuar nga parlamenti i mëparshëm më 18 mars 2021.

Faktori i II-të-Ekzekutivi shqiptar

Është faktor kryesor. Shpejt Z.KM, të ulë tonet politike, e ta kthejë timonin drejt stërvitjes. Është fakt që rastësia e kësaj stërvitje i bëri mirë situatës në Shqipëri, qetësisë e mbajtjes në kontroll, se nuk diheshin si do zhvillohen ngjarjet. Populli ynë thotë, frika i ruan vreshtin. Zoti KM duhet ta marrë situatën në dorë për çdo aspekt të kësaj stërvitje. Të marrë informacion nga çdo dikaster për detyrat e kryera dhe vështirësitë. Ai duhet të mbajë non stop një linjë hapur me të gjithë ambasadorët e vendeve pjesmarëse të NATO-s, në këtë stërvitje dhe ti pyesë për çdo problem. Është rast i pastër për të bashkëpunuar me presidentin. Të paktën zbatoni njëhërë porosinë e Skënderbeut, që e doni aq shumë. Mirë do ishte, që për dy muaj të merte, ta atashonte pranë vetes  një kordinator  ndërministror, mundësisht ish ushtarak me nivel, si psh J. Bazo, B.Kollçaku, V.Qiriazi, D.Tola. Do ta ndihmonin shumë në përballimin e kësaj situate.

-Rëndësi të veçantë kanë Shërbimet inteligjente, të sigurisë e rendit publik. Duhet patjetër një bashkëpunim koherent midis tyre për mbajtjen nën kontroll të çdo situate. E kjo që nga kontrollet në çdo pikë hyrëse të kufirit tonë tokësor, detar e ajror. Jemi në një situatë të pazakontë nga pandemia, por ne si shqipëri, në nonjë rast kemi dhe qimen e derrit, e hamë golin në minutën e fundit. Një akt terrorist të kryhet, do e japin të gjithë mediat ndërkombëtare në gjithë hapësirën e tyre, kundërshtaretë tonë do paguajnë për këtë. Na shkon gjithë ajo punë dëm. Ndaj kujdes. Le ta fillojmë nga siguria rrugore. Më ka qëlluar në makinë me ushtarakë të huaj të shofim skena e kundërvajtje të ndryshme në rrugë. Njëri madje u shpreh. e mo, se në shqipëri jemi. Më erdhi inat, po skisha ç’bëja, fakti ishte fakt.  Dhe ata dukeshin të stërvitur për të drejtuar makina në rrugët tona. Shohim që trafiku nacional po rëndohet edhe prej sezonit turistik. Do ishte mirë që  hyrje daljet në shqipëri, barërat e këqija, të pengohen që në vendin e tyre, pa shkelur këtu. Mos harrojmë se sa më shumë ne forcojmë miqësinë me partnerët tanë strategjikë, aq më shumë hidhen në sulm e vjellin vrer, agjenturat e huaja, kundershtarët tanë, mbetje të Traktatit të Varshavës, Stasit,  dhe ata që kanë gëlltitur një lugë çorbë të prishur.

Probleme ka dhe trafiku brenda qytetit, Vizat e bardha, kalimtarët. Shohim që disa makinangarës shtojnë shpejtësinë ke vizat e bardha. Gjoba e ndëshkimi i ndreq këta njerëz. Një shembull të mirë kemi  nga policia bashkiake Durrës,  që po ndihmon në sigurimin normal të qarkullimit në qytet, duke ndihmuar policinë rrugore. Nuk bëhet fjala per sigurine në lagje e ambiente publike. Pjesë e kësaj stërvitje, është dhe siguria detare. Institucionet tona detare, Drejtoria e Përgjithëshme Detare, QNOD, Komanda e Forcës Detare, Policia Kufitare, Antikontrabanda Detare, Siguria portuale, shërbimet inteligjente, duhet të zbatojnë me rigorozitet detyrat e tyre, të përcaktuara ligjërisht, pa penguar zhvillimin normal të trafikut detar ekonomik e turistik. Hapësirat e porteve e moleve e lejojnë pa problem këtë. S’ka nevojë ti  trashim gjërat. Në këtë fushë kanë përgjegjsi disa Ministri, të cilat përfshihen si në Kodin Detar të RSH, në ligjin për “Rojen Bregdetare”, në VKM për QNOD, në ligjin “Për kapiteneritë e porteve”, etj… Nxirrini nga sirtarët miq dhe zbatoni.

-Kur themi ekzekutivi, në plan të parë është MM dhe Forcat tona të Armatosura.  Këto struktura kanë pasur kohën e mjaftueshme për të hartuar e planëzuar veprimet e duhura në kuadër të kësaj stërvitje. Është  fakt që tashmë ne kemi mjaft kuadro të përgatitur në vendet e NATO-s, sidomos në SHBA, shumë të tjerë në operacione paqeruajtëse. Ndërkohë vende të NATO-s, na kanë afruar teknikë, pajisje dhe armatime. E pra, këta kuadro së bashku me pajisjet që disponojnë duhet të shpalosin aftësitë  e tyre teorike, teknike e profesionale për zhvillimin me cilësi të stërvitjes dhe arritjen e objektivave të caktuara. Është rasti që dhe ata oficerë skutha, që kanë përfituar nga asistenca teknike e NATO-SHBA, ta shkrepin njëherë, të bëjnë një punë të mirë, jo si deri tani parazitë e kurse. Respekti dhe mirënjohja për NATO-n shprehet me vepra, e jo me llafe. Duke zbatuar me korrektësi standartet e rregullat e NATO-s, e jo si drejtuesi i repartit “N”, që skishte marë asnje masë për sigurinë e repartit. Ene këndej, pëllet,- rroftë NATO! Bëj dhe ti diçka të mirë konkretisht, se kështu i bie të kakarisësh në perëndim, e vezën ta bësh në lindje. Ka dhe nga ata që detyrimet nuk i përmbushin, kurse për tu kërmitur me nonjë kontratë për miqtë e vet, janë të parët. Ushtria shqiptare duhet të dalë në shesh të stërvitjes me ushtarakët më të aftë dhe me të gjitha mjetet që ka në gatishmëri. Tashti është koha ta tregojë veten secili. Po shoh që të gjitha ushtritë e NATO-s kanë mobilizuar rezervistë. E kam parë dhe herë të tjera. Ata mbajnë në regjistër dhe i mobilizojnë për çdo vit, 1-2 muaj, ushtarakë të niveleve e profesioneve të ndryshme. PO Ne? Kemi shumë kuadro dhe specialistë të zotë, që nën emrin e reformave të klikave të korruptuara ushtarako-civile, janë hedhur në rrugë. Kemi dhe qindra ushtarakë që kanë kryer operacione paqeruajtëse dhe misione luftarake. Ata janë aset për shtetin e kombin. Mbahen në rregjistër dhe përdoren për çdo nevojë e situatë të shtetit. Në çdo rrezik e situatë emergjente. Detyra të rëndësishme ka Sektori i Bashkëpunimit civilo-ushtarak, që duhet të planëzojë e kordinojë aktivitete të përbashkëta midis komunitetit dhe trupave të NATO-s. Mendoj se do ishte e arësyeshme pjesmarrja e një grupi vëzhguesish ushtarakë nga FSK. Kemi një rast unikal, djem dhe vajza shqiptarë janë pjesë e katër ushtrive në Ballkan, pjesmarrëse në stërvitjen DFE2021. Le të tregojmë vlerat më të mira. Ajo forca shqipe, tregohet në terren, me profesionalizmin e aftësitë tona. respektin dhe bashkëpunimin me ushtarakët aleatë.

-Ministria e Shëndetsisë. Ka bërë një punë të lavdërueshme për vaksinimin e popullsisë dhe personelit të FA. Mendoj se mund të bashkëpunojë me grupet mjekësore të NATO-s, për të bërë vaksina banorëve të zonave ku zhvillohet stërvitja. Janë zbatuar të tilla praktika dhe më parë, mjekët ushtarakë kanë eksperinca për këtë. Mendoj se duhet vepruar sa më shpejt. Nuk ka me mirë se ti bësh pleqve të Bizës e Kuçovës vaksinën antiCovid….nga mjekët e NATO-s.

-Ministria e Bujqësisë dhe ushqimit, ka rast të mirë të prezantojë produktet shqiptare, sidomos agrobiznesit,  gjithashtu dhe forcimin e vemëndjes ndaj sigurisë ushqimore. Të heqim dorë nga stili i të futmes për këto punë., se na del në krahun tjetër pastaj.

-Ministria e Financave duhet të krijojë lehtësirat e procedurave që përdoren në hyrjen e mallrave e pajisjeve ushtarake në vendin tonë. Të zvogëlojë burokracitë në procedura e dokumentacion. Ndërkohë strukturat e zbatimit të ligjit të jenë në nivelin më të lartë.

-Minstria e Turizmit dhe mjedisit. {MTM}. Është rasti më i bukur për të promovuar turizmin në vendin tonë. A e kuptoni zonja dhe zotërinj! Janë 6 mijë ushtarëkë të huaj, nga njëri cep i globit tek tjetri. Një djalosh nga Virxhinia po më tregonte se i kishte rënë kryq e tërthor zonës së Plepave, Shkëmbit të Kavajës, dhe po më tregonte fotot që kishte realizuar. Ja kishte përcjellë prindërve e miqve në Amerikë. Një natyrë e bukur, ushqim i veçantë, njerëz të mrekullueshëm, tregonte rreshteri. Ai kishte një javë që kishte erdhur dhe foli me superlativa. Janë me  mijëra  foto e selfije që emetohen çdo ditë individualisht në çdo cep të globit nga këta ushtarë, ndërkohë që pamje nga stërvitja do transmentohen nga stacionet kryesore në botë, përfshi CNN, BBC, DW, Euronews, etj.. A e kupton çdo të thotë kjo? Të jesh në qëndër të vëmendjes së botës për dy muaj. Duhet të sillemi mirë, të tregojmë vlerat më të mira si popull. Këtu marrin rëndësi të gjithë operatorët privatë të sektorit të turizmit. Doni ta ngrini piacën tuaj. Ju erdhi në dorë. tregojeni klasin tuaj. gatim, akomodim, relaks, çfarë afroni…Dhe tjetër. Tashmë këto ministri skanë pse harxhojnë para për të promovuar turizmin jashtë, me ato ekspozitat e panairet e tyre e të rujnë ca dieta. Duhet nxjerrë urgjent një urdhër i brendshëm nga MTM dhe bashkitë përkatëse, që vizita e ushtarakëvë pjesmarrës në stërvitjen “Defender Europe 2021”, në të gjitha institucionet historike, muzeume, amfiteatre, zona të mbrojtura, etj, të kësaj natyre, të bëhet falas. Fitojmë shumë në planin tjetër. Promovojmë turizmin shqiptar në gjithë botën falas. Po ashtu, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, {MKRS}, në bashkëpunim me federatat përkatëse dhe subjektet private mund të afrojë aktivitete të larmishme sportive, që i luajnë dhe amerikanët. psh gara atlektike, gara noti, boks, ndeshje basketbolli me ekipe të Kategorisë së parë, hipizëm, volejboll, zhytje në disa parqe zhytje që kemi ne, fluturim, etj  një plan i shpejtë, mund të shtrihet për dy  muaj.

-Media. është mëse e qartë se mbulimin mediatik do e realizojë zyra e shtypit e Komandës së SHBA dhe Europë, Ambasadat amerikane në territoret e stërvitjes dhe media që caktojnë ata vetë. Këtë organizim e kanë bërë për arësye sigurie, si dhe shmangien e thashethemeve e Fake News.  Billi e di mirë këtë. NATO-ka standartet e rregullat e veta, të cilat duhen zbatuar në ushtrinë tonë. O çekist, përktheje si e ka NATO, dhe mos shpik rregulla e teori me leng qepe. Që mos hynin në gojët e ndrikullave tona, ata qëndrën e infromimit publik per kete stervitje  e vendosën në Shkup.

-Po diaspora  jonë, sidomos e SHBA. Duhet të jetë e mirëpritur këto dy muaj.  Kush ka në plan me ardh në Shqipëri, mirë do ishte të udhëtojë këto dy muaj në atdheun mëmë.

Komunitetet  fetare… Zakonisht në stërvitjet e tjera, ushtarët amerikanë kanë kërkuar të shkojnë në kisha e xhami. Mirë do jetë që dhe objektet tona të kultit të shkëlqejnë dhe të mbajnë nonjë përkthyes anglishte. 

-Kemi disa kompani private shqiptare që operojnë për të furnizuar trupat e NATO-s. Është koha të tregojnë korrektësinë dhe disiplinën e tyre në zbatimin e kërkesave dhe kontratës me ta. Ka mjaft kompani në Ballkan që kanë tregues më të lartë të performancës së tyre në këtë fushë. Duhet të mendojmë seriozisht për cilësinë e atyre që afrojmë, aftësive konkuruese dhe mardhënieve me ta… 

Në vend të Epilogut….

-Për herë të parë, mbas luftës së II-të Botërore zbarkojnë kaq trupa, me një mision e qëllim paqësor. Mbrijnë kaq Gjeneralë të lartë, të Ushtrisë më të fuqishme në botë. Nqs stërvitja do kurorëzohet me sukses, të tjerë zyrtarë të lartë do vizitojnë Shqipërinë, ndoshta dhe sekretari i mbrojtjes Lloyd Austin. E pra, nqs SHBA&NATO, vë në dispozicion të gjithë arsenalin e vet diplomatik, ushtarak e njerzor për sigurinë dhe paqen në Ballkan, në duhet tja kthejmë me vlerat tona më të mira, bujarinë, respektin dhe mirënjohjen tonë. Sikur rilindasit dhe kryengritësit e viteve 1908-1912, të çoheshin nga varri, do na thonin, po-bëtë atë që ne ëndërronim, po se gjenim, se gjithandej kishim kundërshtarë dhe armiq! Ndërsa sot, jemi miq të aleancës më të fuqishme në botë. I përgjason një zgjimi kombëtar të shekullit të XXI-të. Është një stërvitje historike për kombin shqiptar. Ndërkohë stërvitjes si mungon as elementi human. Reparte të specializuara të inxhinjerëve e ndërtuesve të ushtrisë amerikane, po ndërtojnë disa objekte shkollore e kopështe. Duhet me i thanë faleminderit. Kemi nja rast të bukur për sa më shumë lidhje midis djemve e vajzave nga Shqipëria e SHBA.

           Ps. Dëgjoj nga gojët e liga, se ata kanë interesa tek ne. Po ja u them o qyqarë. Ne kemi qënë dhe jemi në sferën e II-të të interesave amerikane. mos u fryni kot. Se ti ske burime strategjike, te dores se pare…Ndaj ne duhet të jemi ata që duhet ti afrojmë, që mos na hajë ariu, ujku, çakalli, dhelpra dhe lakuriqi i natës. Kujdes, mos harro se  e kemi ngrene shpesh golin në sekondën e fundit.

Filed Under: Featured Tagged With: Defender Europe 2021, Shefqet Kercelli, shqiperi

Torturat barbare të grave të burgosura, nga “burrat” e diktaturës

May 3, 2021 by dgreca

Shkruan: Eneida Jaçaj/

Populli shqiptar është shquar për nacionalizmin e lartë ndër shekuj, duke sakrifikuar jetën për të ruajtur territoret nga pushtuesit e huaj. Që prej periudhës mesjetare të Zotit të Arbërisë, udhëheqësit ushtarak, Skenderbeut, e deri në epopenë e lavdishme të luftës çlirimtare që bëri popullit shqiptar, 28 nëntor 1944, nacionalizmi është konsideruar si panteoni i identitetit dhe kulturës shqiptare. Por, paradoksi dhe çudia që kalon majën më të lartë të arsyetimit, nis më 1945-ën, kur u instalua regjimi komunist. 

   Pas çlirimit të vendit, populli shqiptar vuajti më shumë se në periudhën e luftërave për liri, përjetoi torturat më çnjerëzore, burgosjet, vrasjet gjakatare, duke iu mohuar e drejta për të jetuar. Shqiptarët e kuptuan se burgu më i rëndë, është ai që gjendet brenda vetes! Kombi që luftoi për liri prej shekujsh, u pushtua sërish! Por këtë herë, nga dora e origjinës së vet!! Shpirtra të ndrydhur të tmerruar, të vrarë psikologjikisht e fizikisht, skllevër në vendin e tyre, të varfër, të brengosur e leckosur, të detyruar për të dëgjuar çdo ditë si refrenin më të shëmtuar të jetës, dokrat e një doktrine të shpikur nga një mendje e sëmurë. Vitet e mbrapshta të izolimit të diktaturës së egër, ndrydhjes së mendimit, censurës, mohimit të së drejtës për liri dhe për të jetuar, lanë pasoja të rënda psikologjike në shpirtrat e njerëzve; shkatërruan qindra jetë dhe familje, si dhe vendin e lanë shumë mbrapa për nga zhvillimi ekonomik, vonuan integrimin, pasoja të cilat i ndiejmë edhe sot.

Torturat çnjerëzore

Në këtë shkrim dua të ndalem te shtypja e femrës dhe torturat barbare ndaj grave intelektuale. Gratë intelektuale, që ngritën kryet kundër skllavërrimit të femrës, ato që luftuan për të mbajtur lart dinjitetin dhe personalitetin e femrës, që luftuan për një Shqipëri demokratike, u burgosën dhe u torturuan nga “burrat” e diktaturës. Torturat ndaj grave nuk ndryshonin nga ato të burrave. Ato vriteshin, gjakoseshin, torturoheshin me metodat më barbare, vetëm sespe ishin të arsimuara, të përgatitura dhe kishin ide europiane për demokratizimin e vendit. Sipas të dhënave të Qendrës së Rehabilitimit dhe Torturave, deri tani rezulton një total prej 9778 grash të përndjekura gjatë regjimit komunist, prej ku 90 gra janë të ekzekutuara dhe gjashtë të vdekura në burg. Gjatë regjimit komunist, gratë nuk kishin të drejta edhe pse propagandohej me gjasme se komunizmi i respektonte femrat, si qenie të brishta të shoqërisë. Në Shqipëri 8 Marsi nisi të festohej pasi u imponua si festë zyrtare në vitin 1975, nga Kombet e Bashkuara. Gratë nuk e dinin se kjo ishte festa për të drejtat e tyre. Ajo ishte një festë false! 

  Regjimi komunist është zanafilla nga ku ka marrë jetë, zhvillimi i një mentaliteti dhe kulture për të mbajtur të shtypur masën dhe femrën në veçanti. Burri si qenie njerëzore, i cili duhet të tregojë xhentilesë dhe fisnikëri ndaj gruas, në diktaturë ka dëshmuar plotësisht të kundërtën. Kjo është një kulturë që është trashëguar edhe sot, pasi dëgjojmë plot raste të grave të dhunuara nga burrat. Një mendësi anadollake, që duhet të marrë fund! Hyrie Metalia është një e përndjekur, e cila rrëfen torturat gjatë kohës së burgosjes. “Më kanë internuar me fëmijë të vogël, s’kam pas qumësht me i dhënë fëmijës. S’kishte as dyqan, as furnizime, kemi jetuar si mos më keq. Kisha 5 vajza e një djalë. Ai i frontit më ka shtyp djalin 7 vjeç me makinë, që i shkoftë shpirti atje ku nuk thuhet!”, ka rrëfyer ajo. Gjithashtu i torturonin me punë të rënda, nga e cila nuk siguronin dot as bukën e gojës. “Na çuan në internim për të punuar në Tërbuf e Lushnjë. Rininë time atje e kalova, duke hapur kanale. Më kanë torturuar policët dhe aty më mbajtën tre vjet dhe prej aty më çuan në Karavasta. Qëndrova tre vjet atje, në kënetë me ujë, kam jetuar për gazep rininë time. Atje më vdiq edhe nëna, isha rrit jetime, ma vranë babën në oborr..”, thotë Bukurie Kaloshi. Rastet janë të pafundme. Por rasti që më ka mbetur në mendje është ai i Marie Tucit, të cilën e futën në një thes me një mace të egër, ndërsa burrat e Sigurimit e qëllonin me kamzhik derisa ajo gjeti vdekjen. Mendësia e vjetër për të mbajtur të shtypur femrën, duke ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike, ka lënë pasoja edhe në ditët e sotme. Janë ndërmarrë shumë nisma për emancipimin e gruas, dhe për rastet e dhunës në veçanti, që femra të mos shihet si plaçkë ku burrat të nxjerrin mllefin e pasigurisë dhe dështimit. Është arritur shumë, por ka akoma ende për të bërë, që burrat të ndryshojnë mendësinë dhe të mos pengojnë zhvillimin e femrës. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Grate e burgosura, nga burrat e diktatures, Torturat barbare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT