• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2021

Italia do ta mbështesë Kosovën…

June 22, 2021 by dgreca

-Ministri i jashtëm italian, Di Maio në takim me kryeministrin Kurti: Italia do ta mbështesë Kosovën pa rezervë në sundimin e ligjit, shtetndërtimin demokratik dhe rrugën e integrimit evropian/

 PRISHTINË, 22 Qershor 2021-Gazeta DIELLI/ Italia do ta mbështesë Kosovën pa rezervë në rrugën e integrimit evropian, sundimin e ligjit, shtetndërtimin demokratik dhe rrugën e integrimit evropian, ka thënë ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Luigi Di Maio në takimin me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Në takimin e mbajtur në godinën qeveritare ishin të pranishëm edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njëherësh zëvendëskryeminstre, Donika Gërvalla, ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, ambasadorja e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

Kryeministri Kurti e falënderoi ministrin Di Maio për vizitën dhe për përkrahjen që Italia i ka dhënë Kosovës që nga paslufta. Ai u shpreh mirënjohës për ndihmën me vaksina kundër COVID-19 në kuadër të programit COVAX dhe i kërkoi që Italia ta përfshijë Kosovën në listën e vendeve të sigurta për udhëtim.

Kryeministri Kurti foli për programin qeveritar, reformat e nisura në drejtësi, procesin e vettingut dhe luftën kundër krimit e korrupsionit. Ai tha se dy shtetet duhet të intensifikojnë bashkëpunimin bilateral në shumë fusha. Duke pasur parasysh pozitën e përshtatshme gjeografike të Kosovës, kryeministri Kurti ftoi kompanitë italiane që të zgjerojnë investimet nga Shqipëria në Kosovë.     

Ministri i jashtëm italian Di Maio e uroi kryeministrin Kurti për rezultatin e lartë zgjedhor që, siç tha ai, tregon për një qeveri të fortë dhe stabile që mund të realizojë ndryshimin.  Ai tha se reformat që ka nisur Kosova, sidomos në luftën kundër krimit dhe korrupsionit janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Në takim u diskutua edhe për takimin e 15 qershorit në Bruksel dhe procesin e ri të dialogut që, sipas bashkëbiseduesve, duhet të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë. 

Filed Under: Kronike Tagged With: Italia, mbeshtetje Kosovos

Përvoja e Shkollës Shqipe “Alba Life” në rritjen e cilësisë në mësimdhënie

June 22, 2021 by dgreca

Nga Nga Qemal Zylo*/

Si themelues dhe drejtues i Shkollave Shqipe “Alba Life”, që operojnë në të gjitha lagjet e Nju Jorkut për një periudhë rreth 14 vjeçare do të mundohem të sjellë në mënyrë të përmbledhur përvojën tone në drejtim të rritjes së cilësisë së mësimdhënies.

Sigurisht që puna  e stafit të shkollës sonë, qe këtë vit arriti ne 17 vetë, nuk ka qenë e lehtë pasi aktualisht gjuha shqipe nuk është pjesë e programeve amerikane të nxënësve si gjuhë e dytë, prandaj ne jemi ndeshur edhe me vështirësi për regjistrimin e nxënësve, por me përkushtim kemi munduar të zgjidhim edhe veshtiresite e shtrirjes së madhe që ka Nju Jorku duke hapur degë në çdo lagje.

Viti i kaluar pati edhe vështirësi të tjera për shkak të pandemisë botërore, e cila na detyroi të fillonim mësimin në platformën në Online e te punonim me fort.  Si rezultat gjatë vitit numri i nxënësve u rrit.  Ne zhvilluam mësim në 13 klasa të ndara sipas nivelit të gjuhës dhe grupmoshës. Kemi pasur nxënës jo vetëm nga NY, por edhe nga shtete të tjera te Amerikes. Po ashtu ju kemi ardhur në ndihmë edhe shkollave shqipe në Halifax Kanada dhe shkollës në Chicago USA.  Sipas kërkesës së tyre regjistruam nxënësit që kishin dëshirë nga keto shkolla dhe ata zhvilluan mësim rregullisht në Online në shkollën shqipe “Alba Life” me një program serioz dhe cilësor.  

 Gjate gjithe aktivitetit te saj shkolla jone vemendjen kryesore e ka perqendruar ne rritjen e cilësisë së mësimdhënies pasi ky është edhe faktori kryesor që e bën nxënësin dhe prindin të jetë i interesuar për mësimin e gjuhës shqipe. Dihet mirë që fëmijëve në fundjavë ju pëlqejnë më shumë aktivitetet sportive dhe argëtuese, prandaj ora e mësimit të gjuhës shqipe duhet të bëhet cilësore që të ngjalli interes tek nxënësit. Dhënia cilësore e mësimit dhe përgatitja me metoda didaktike e pedagogjike nga mësuesit e kualifikuar kanë bërë që Shkolla Shqipe “Alba Life” nga një shkollë të vetme që e hapi 14 vjet më parë në Staten Island të bëhet me shkolla në të gjithë Nju Jorkun. Ky është një sukses dhe një sfidë qe ju kemi bërë vështirësive. 

Sipas planit të drejtorisë së shkollës çdo vit në javën e fundit të muajit gusht kemi organizuar seminare me mësuesit e shkollës sonë për t’u njohur me të rejat në programet mësimore e regjistrimet e reja si dhe për të shkëmbyer përvojat e mësuesëve, por vitin e shkuar duke patur parasysh që ishte vit i pandemisë punuam me fort e bëmë një punë më intensive gjatë gjithë muajit gusht. 

Zhvilluam seminare për përgatitjen e mësuesëve për të përdorur platformën “Google Meet” për të dhënë mësim në Online.  Çdo mësues përgatiti dhe prezantoi një mësim të hapur para se të fillonte shkolla dhe e shfaqi para stafit të shkollës. Kjo metodë bëri që secili mësues të ndihej më i sigurtë për t’i përballuar vështirësitë teknike që kishte platforma “Google Meet”. 

Shkolla Shqipe “Alba Life” iu parapriu shkollave të tjera me mësimin në Online dhe filloi mësimin qysh fundjavën e parë të shtatorit dhe vazhdoi rregullisht gjatë gjithe vitit shkollor. 

Gjate vitit mësimor zhvilluam edhe 5 programe artistike në Online kushtuar: Pavarësisë së Shqipërisë, Fundvitit 2020, Pavarësisë së Kosovës, 7 Marsit dhe mbylljes së vitit akademik 2020-2021. Po ashtu sipas orientimeve të KKAD-se zhvilluam edhe një prezantim për përdorimin e platformës “Google Meet” dhe dy mësime të hapura me klasat e nivelit të dytë dhe të gjithë materialet e veprimtarive të mësipërme i kemi regjistruar dhe vendosur në youtube dhe F/B për të shërbyer si shkëmbim përvoje midis shkollave të tjera.

Përgatitja e mësimit në Online nga mësuesit e Shkollës Shqipe “Alba Life” është bërë duke përzgjedhur e përshtatur të gjitha materialet didaktike e tekstet e miratuara në ministritë përkatëse të Shqipërisë dhe Kosovës.  Ato u kombinuan edhe me platformën: “Schoolme” që QBD na vuri në dispozicion. Çdo mësues ka bërë një përgatitje për çdo orë mësimore me rreth 15 deri edhe 30 faqe në Power Point të shoqëruara me figura dhe vidio të ndryshme.  Ato e kanë bërë më interesante orën e mësimit pasi siç dihet nuk është e lehtë të mbash para ekranit një fëmijë një orë të tërë pa një përgatitje cilësore.

Nga vëzhgimet që drejtoria ka bërë rregullisht në të 13 klasat e shkollës ka vërejtur se gjithmonë nxënësit hynin më parë në Online dhe nuk largoheshin nga ekrani edhe kur mësimi mbaronte dhe shkëmbenin mendime me mësuesit e tyre dhe shfaqnin interesa për gjëra të ndryshme. Ky eshte nje tregues i rëndësishem qe ne e vlerësojmë shumë.

Një interes të veçantë tek nxënësit kanë pasur diskutimi në pjesën e parë të orës së mësimit i detyrave të shtëpisë si një kërkesë e domosdoshme e procesit didaktik. Detyrat e shtëpisë apo projektet në kërkime të ndryshme sipas interesave të grupmoshës së nxënësve, që mësuesit japin në mbarim të orës mësimore janë një element shumë i rëndësishëm që e mban nxënësin në kontakt me gjuhën shqipe gjatë gjithë javës.  

Nxënësit sidomos ata të nivelit të dytë ndjejnë kënaqësi dhe interes kur ata diskutojnë me mësuesit dhe me njeri tjetrin për tema të ndryshme. Kështu projekte shumë tërheqëse kanë qenë ato të pemës së familjes, të ushqimeve, veshjeve, muzikës tradicionale dhe të historisë shqiptare.  Po ashtu leximi në shtëpi e diskutimi në klasë i tregimeve të moçme shqiptare të shkrimtarit të shquar Mitrush Kutelit që QBD na i vuri në dispozion në Online, e kanë bërë më të larmishme orën e mësimit. 

Dua të përmend një esse shumë të bukur që kishte përgatitur një nxënësne programin e funditit. Ai u regjistrua në shkolle ne shtatorin e shkuar dhe ne esse paraqiti progresin e tij njëvjeçar në mësimin e gjuhës shqipe në Online. Mënyra e te shkruarit dhe të folurit në shqip përloti të gjithë pjesemarresit dhe  ata panë nga afër përvojen e shkollës në mësimin e gjuhës shqipe.

Në rritjen e cilësisë së procesit mësimor kanë ndikuar pozitivisht edhe takimet virtuale me disa figura të rëndësishme.  Me mjaft interes nxënësit e shkollës sonë kanë ndjekur përshëndetjet e Presidentit të parë të Kosovës z.Fatmir Sejdiu, Kongresistit Joe DioGuardi, Ambasadorit Amerikan William Walker, Ambasadores së Shqipërisë znj. Floreta Faber, Ambasadorit Frymëzim Isufaj, Konsull i Përgjithshëm i RK ne NY si dhe përshëndetjen e kolegut tonë të Shkollës Shqipe në Zvicër z.Vaxhid Sejdiu, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i KKAD-se  që ka marë pjesë së bashku me disa anëtarë të tjerë të këshillit, kolegët e mi të nderuar. 

Duke patur parasysh që përgatitja e mësuesit është faktori kryesor në rritjen e cilësisë së mësimdhënies, drejtoria e shkollës përveç seminarit që zhvillojmë çdo muaj gusht ajo ka organizuar edhe disa takime virtuale frytdhënëse gjatë vitit për të diskutuar problemet e mësimdhënies dhe shkëmbimin e përvojës midis mësueseve. Shkëmbimi i përvojës të mësueseve me stazh me më shumë vite pune në shkollën tonë dhe mësimet e hapura kanë ndihmuar shumë në përmirësimin e metodës së mësimdhënies të mësueseve të reja të shkollës.  

Mjaft prindër na kanë shkruar dhe përgëzuar se sa shumë ka ndikuar metoda e mësimdhënies në formimin e fëmijëve të tyre duke i përgatitur ata për të njohur rrënjët e të parëve, Atdheun e tyre dhe historinë e lavdishme. Nxenesit kanë fituar shkathtësi dhe shprehi gjuhësore, nëpërmjet kallëzimit, shpjegimit, demonstrimit, vidiove virtuale, përsëritjes si dhe ushtrimet nëpërmjet teksteve përkatëse.

                Kjo përvojë e jashtëzakonshme e Shkollës Shqipe “Alba Life” ka sjellë rritjen e cilësisë në mësimdhënie duke tërhequr vazhdimisht shumë nxënës nga të gjitha lagjet e Nju Jorkut dhe kjo punë profesionale është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë mësueset e Shkollës Shqipe “Alba Life”, të cilat gjej rastin t’i falënderoj publikisht në këtë takim të mësuesëve të Diasporës.

Ju falënderoj për vëmendjen tuaj të dashur kolege dhe ju uroj suksese në këtë mission të përbashkët Kombëtar.

Nga fjala e mbajtur në takimin në Online me mësuesit e Diasporës organizuar nga Qendra e Botimeve për Diasporën

*Kjo kumtese eshte referuar me 22 qershor, 2021-ne takimin e mesueseve te Diaspores qe QBD ne bashkepunim me  Ministrite  e Diaspores, te  Arsimit dhe te Jashteme te Shqiperise e te Kosoves zhvilluan ne online.

New York, USA

Filed Under: Mergata Tagged With: Alba Life, Pervoja, Qemal Zylo, Shkolla shqipe

Për ridimensionimin e gjykimit objektiv mbi historinë tonë kombëtare

June 22, 2021 by dgreca

Lindita KOMANI/

Nuk jam historian, por kjo nuk më pengon të kem një mendim lidhur me sa dëgjoj në reportazhin-dokumentar të realizuar nga Top Channel me titullin “Dritëhijet e Mid’hat Frashërit”.

Historiani Pëllumb Xhufi shprehet në të (minuta 32*):

– Në rast se Shqipëria do të dilte me Ballin Kombëtar apo me Legalitetin nga Lufta e Dytë Botërore, është mëse e sigurtë, të paktën jugu i Shqipërisë do i jepej Greqisë.

Nga e di historiani Xhufi këtë me siguri? Më shumë se pandehmë kjo nuk mund të jetë dhe pandehma si kjo nuk i hyjnë në punë historisë që bazohet tek e vërteta dhe ngjarjet e ndodhura dhe jo tek po sikur.

Me aq sa jam në gjendje të kuptoj, mendoj që historia e plotë e Luftës së Dytë Botërore dhe sjelljes së shqiptarëve në të, që është ndoshta edhe pjesa më e kontestuar e historisë sonë, do të shkruhet në mënyrë objektive vetëm kur të ketë ndodhur një gjë e rëndësishme dhe që gjithsesi e kemi përpara:

– Kur Shqipëria të bashkohet me Kosovën e ndoshta edhe më shumë se kaq.

Atëherë do të mund të ridimensionohet gjithçka, si ngjarjet ashtu edhe dritëhijet e gjithë figurave politike-ushtarake të kohës. Pse e them këtë?

Sepse nëse akuzat për kolaboracionizëm-bashkëpunim janë për nacionalistët, kolaboracionizëm bënë edhe komunistët, me jugosllavët dhe sovjetikët dhe e pamë se ku na çoi ky kolaboracionizëm. Dhe ndërkohë që pandehma për jugun e Shqipërisë mbetet vetëm e tillë, pandehmë, kemi faktin historik: verilindja e Shqipërisë – Kosova – ra edhe për 55 vjet nën sundimin serbo-jugosllav me gjithë pasojat e rënda që solli kjo.

Sigurisht që kur historia shkruhet nga fituesit e luftës në nivel Shqipërie (pa Kosovë), që ishin kolaboracionistët me jugosllavët dhe sovjetikët, historia do të shkruhet e do të lexohet siç është bërë. Por mjafton të shihet vetëm si u sollën amerikanët e britanikët pas LIIB me ballistët e legalistët që emigruan në perëndim dhe si i stërvitën për t’i sjellë në Shqipëri për të rrëzuar komunizmin, për të kuptuar që ridimensionimin të parët dhe me shumë bazë e bënë pikërisht amerikanët dhe britanikët.

Ishin po këta amerikanë dhe britanikë që mbështetën rënien e komunizmit kudo në lindje dhe këtë nuk e bënë pas 45 vitesh por që në çastin e parë kur e panë që komunistët kudo në Lindje u përcaktuan që do të ishin Lindje dhe jo Perëndim. Popullorçe do të mund të thonim: i ranë kokës me grushta kur e kuptuan se ç’bënë. Në këtë aspekt, për mua pyetja e madhe në raport me Shqipërinë është: Pse amerikanët dhe britanikët zgjodhën të mbështesnin komunistët dhe jo nacionalistët? Sepse dëmin më të madh kjo zgjedhje e tyre e gabuar e shkaktoi, gabim që u kushtoi 46 vjet për ta zhbërë dhe pasojat i ndiejmë ende sot 46 + 30 vjet më pas.

Koha tregoi pikërisht që amerikanët dhe britanikët mbështetën antikomunistët, nacionalistët në vijimësi. Edhe ndër shqiptarët. Qenë mbështetësit e pavarësimit të çdo shteti përbërës të Jugosllavisë, të çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës.

Parë nga këndvështrimi i vitit në të cilin jetojmë, çfarë duhet të themi për kolaboracionistët komunistë me jugosllavët dhe sovjetikët? Do të ishte mirë që historianët ta hapnin pak më shumë mendjen në këtë drejtim. Megjithatë, vihet re që në retorikën e tyre, sidomos të atyre që kanë qenë më agresive në qëndrim ndaj “kolaboracionizmit”, ka një lloj vlerësimi disi më ndryshe, të paktën duke bërë dallimin mes bashkëpunimit për ideologji që nuk ishte rasti në Shqipëri dhe bashkëpunimit për arsye pragmatike politike. Por këtij ridimensionimi në vlerësim i mungon ende përmasa kombëtare në tërësi si dhe vlerësimi tek për tek i çdokujt që për fatin e vet në atë kohë u gjend në kushtet që të duhej të përfshihej politikisht e ushtarakisht për të mbrojtur interesat kombëtare.

Duke pasur parasysh që fatmirësisht: (1) fashizmi dhe nazizmi nuk qenë kurrë një ideologji që u përqafua nga shqiptarët në masën që të quhej se ishte me ndikim, dhe më tej, (2) që numri i hebrenjve – viktimat kryesore të fashizmit dhe nazizmit ishte më i lartë në mbyllje të luftës në Shqipëri sesa ishte në hyrje të saj, që ata u pritën, u strehuan dhe u mbrojtën si miq e familjarë në shtëpitë e shqiptarëve, në një këndvështrim kombëtar, gjykimi kur t’i vijë koha që të bëhet i drejtë dhe i plotë, mendoj se do të jetë i bazuar në pragmatizmin që ka kërkuar dhe kërkon çështja kombëtare që t’i shkohet deri në fund, ashtu siç e kërkon e mira jonë e përbashkët si shqiptarë.

*Reportazhi-dokumentar mund të shihet këtu:

Filed Under: Histori Tagged With: Lindita Komani, Ridimensionimi i Historise, Top Channel

Kryeministri Kurti priti në takim kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani dhe kryetarin e Bujanocit, Nagip Arifi

June 22, 2021 by dgreca

PRISHTINË, 22 Qershor 2021-Gazeta DIELLI/Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetaren e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, kryetarin e Komunës së Bujanocit, z.Nagip Arifi dhe këshilltarin komunal të Medvegjës, z.Fehmi Beha, me të cilët bisedoi për çështjen e të drejtave të shqiptarëve në këto tri vendbanime dhe në viset e tjera në Serbi.

Kryetarja e Preshevës, znj. Ardita Sinani e njoftoi kryeministrin Kurti me gjendjen e keqësuar në Preshevë e rrethinë, si pasojë e vërshimeve të muajit të kaluar që shkaktuan dëme materiale, siç tha ajo, në vlerë prej 325 mijë euro.

Ajo theksoi problemin që kanë shqiptarët e kësaj komune me mungesën e investimeve dhe kushtëzimet e pengesat që u bën pushteti i Beogradit investitorëve të huaj që shprehin interesim që të investojnë në këtë vendbanim shqiptar.

Kryetari i Komunës së Bujanocit theksoi problemet e qarkullimit të lirë të shqiptarëve në pikat kufitare të Kosovës me Serbinë, si dhe pasojat e mosnjohjes së diplomave të Kosovës.      

Ndërkaq, këshilltari në Komunën e Medvegjës, Fehmi Beha, foli për metodën e heshtur dhe të rrezikshme të diskriminimit që po u bën pushteti shqiptarëve të kësaj komune, me pasivizimin e adresave, duke i lënë kështu qindra shqiptarë pa dokumentacion as të Serbisë e as të Kosovës.

Në takim u diskutua edhe për takimin e 15 qershorit në Bruksel, për të cilin kryeministri Kurti tha se ishte takim për dialogun e ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi statusin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Kryeministri tha se në procesin e dialogut të ri do të angazhohet për reciprocitet të drejtash të pakicave kombëtare në Kosovë e në Serbi.   

Takimi i kryeministrit Kurti me përfaqësuesit politikë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit është në vazhdën e takimeve për ruajtjen e marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit institucional për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve.

Filed Under: Rajon Tagged With: Ardita Sinani, Kryeministri Kurti, kryetare e Presheves, Kryetarin e Bujanovcit Nexhip Arifi

Austria, partner strategjik i Kosovës

June 22, 2021 by dgreca

-Presidentja Osmani: Austria mbetet partner strategjik dhe një prej aleatëve më të afërm të Republikës së Kosovës. Diaspora e Kosovës në Austri përbën urë të fortë miqësie ndërmjet dy shteteve/*

PRISHTINË, 22 Qershor 2021-Gazeta DIELLI/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur sot vizitën zyrtare në Austri, me ftesë të Presidentit austriak, Alexander Van der Bellen,. 

Pas nderimeve më të larta shtetërore, takimin e parë Presidentja Osmani e ka realizuar me Presidentin austriak, Alexander Van der Bellen. 

Të dy bashkëbiseduesit kanë përmendur marrëdhëniet miqësore ndërmjet shteteve dhe njëherësh kanë shprehur gatishmërinë për avancimin e tyre. Me këtë rast, Presidentja Osmani falënderoi përzemërsisht Presidentin Van der Bellen për mbështetjen e Austrisë për Kosovën që nga njohja e pavarësisë e deri në ballafaqimin me pandeminë.

“Austria mbetet partner strategjik dhe një prej aleatëve më të afërt për Republikën tonë. Institucionet tona dhe populli ynë ju janë përherë mirënjohës”, ka theksuar Presidentja Osmani. Më tej, ajo ka potencuar se pret vazhdimin e mbështetjes austriake edhe në rrugën evropiane të Kosovës, procesin e liberalizimit të vizave sikurse edhe anëtarësimit në organizata të tjera ndërkombëtare.

“Ne te Austria shohim shtetin mik që na ka mbështetur në faza të ndjeshme përgjatë historisë. Përpjekjet tona për pavarësi kanë gjetur mbështetje të fuqishme nga shteti austriak qysh në kohën e presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova. Pastaj më mbështetjen ndaj të rinjve tanë që kanë studiuar në universitetet austriake, për të vazhduar me mbështetjen në procesin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Sot, sërish na duhet mbështetja austriake që ne të lëvizim lirshëm dhe që ta forcojmë edhe më tej subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Besoj fuqishëm që Austrinë do ta kemi në krah”, ka theksuar Presidentja Osmani pas takimit me Presidentin Van der Bellen.

Duke u fokusuar te mundësitë e reja për bashkëpunim, përveç bashkëpunimit në fushën e investimeve ekonomike, arsimit, si dhe bashkëpunimin kulturor, Presidentja Osmani theksoi se fokus i veçantë i kësaj vizite është edhe shkëmbimi i njohurive dhe përvojave më të mira në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe promovimit të Agjendës së Gjelbër.

Presidentja Osmani ka përmendur po ashtu diasporën kosovare në këtë shtet, e cila përbën urë të fortë miqësie ndërmjet të dy shteteve.

Në lidhje me Dialogun, Presidentja Osmani ritheksoi qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës që Dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë brenda kufijve aktual.

Presidentja Osmani do të takohet edhe me kancelarin Sebastian Kurz, sikurse edhe me ministren për veprime klimatike, mjedis, energji, mobilitet, inovacion dhe teknologji Leonore Gewessler me të cilët përveç diskutimit të aspekteve politike do të shqyrtohet edhe mundësia e bashkëpunimit në projekte konkrete ndërshtetërore.

Gjatë qëndrimit në Austri, Presidentja Osmani do të takoj edhe zyrtarë të tjerë shtetërorë e institucionalë.

Është paraparë një takim me  Shoqatën e Miqësisë Austri – Kosovë, diasporën kosovare, si dhe me Odën Ekonomike Austriake. Ndërsa në Akademinë Diplomatike të Vjenës, Presidentja Osmani do të mbajë një ligjëratë me temën: Forcimi i shtetësisë së Kosovës- Sfidat dhe Storjet e Suksesit.

Per me shume fotografi shihni ne Facebook: Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: Alexander Van der Bellen, Presidentit austriak, Presidentja Vjosa Osmani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 38
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT