• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2021

KRYETARI I VATRËS, NË MBËSHTETJE TË KANDIDATIT PËR KONGRES COLIN SCHMITT

June 22, 2021 by dgreca

Nga Sokol PAJA- DIELLI/

Të Hënën më datë 21 Qershor 2021 në New York, kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA z.Elmi Berisha së bashku me bashkëpunëtorët e tij më të afërt mbështetën fuqishëm kandidatin për Kongres Colin Schmitt. Patriotë shqiptaro-amerikanë, miq, të ftuar, biznesmenë, media, specialistë fushatash elektorale, lobues dhe përfaqësuesit më në zë të komunitetit shqiptar në New York dhe jo vetëm, organizuan një mbrëmje festive të udhëhequr nga kryetari i VATRËS z.Berisha në mbështetje të pakursyer ndaj kandidatit për Kongres Colin Schmitt i cili kandidon në Zonën 18-të New Jorkut. Takimi i shumëpritur ishte shumë emocionues për vlerësimin që kandidati për Kongres Colin Schmitt kishte për shqiptarët të cilëve u premtoi se tek ai do të kishin një mik dhe një zë të fuqishëm në Uashington. Mbështetja për kandidatin Colin Schmitt është një shenjë vlerësimi dhe respekti që kandidati për Kongres Schmitt ka ndaj komunitetit Shqiptaro-Amerikan, tha z.Berisha i cili siguroi se kjo kandidaturë është e duhura për të ringritur jo vetëm zonën lokale por edhe ekonominë kombëtare. Fitorja e z. Schmitt tha kryetari i VATRËS do të përkthehet në një sukses të madh edhe për shqiptaro-amerikanët. Kandidati për Kongres Colin Schmitt në hapje të takimit elektoral u ndal te platforma e tij elektorale ku në themel të programit janë: Rehabilitimi i ekonomisë lokale e rajonale, krijimi i vendeve të punës, forcimi i sigurisë së jetës, përkrahja ndaj policisë dhe organeve ligjzbatuese dhe rritja e sigurisë publike. “Shqiptarët do ta kenë zërin e tyre të fortë në Uashington. Unë do të loboj fuqishëm për çështje shqiptare në Uashington. Unë do ta mbështes pavarësinë e Kosovës dhe do loboj që Kosova të njihet dhe nga ato shtete që ende nuk e kanë njohur. Tek unë do keni një mik të madh dhe një lobues të fortë. Nëse fitoj, të gjithëve ju që jeni këtu sonte do u ftoj në betimin tim në Kongres. Nuk do ju braktis kurrë dhe do jem përherë në krahun tuaj. Na duhet një komb i bashkuar, jo një komb i ndarë. Amerika nuk ka nevojë për politika socialiste që shkatërrojnë vendin por për vende pune, zhvillim ekonomik dhe sigurinë e fortë publike” tha ndër të tjera kandidati për Kongres Colin Schmitt. Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra z.Elmi Berisha pasi falënderoi miqtë dhe bashkëpunëtorët e ngushtë shqiptaro-amerikanë ndër të tjera tha: “Është koha të ringrihemi. Është koha të mendojmë për familjet tona, për ekonominë tonë, sigurinë dhe për të ardhmen e vendit tonë. Miku im Colin Schmitt është kandidati i duhur për të ardhmen, një mik i shqiptarëve, do ta forcojë lidhjen e miqësisë shqiptaro amerikane. Te kandidati për Kongres Colin Schmitt shohim një investim amerikan afatgjatë për çështjen shqiptare. Shqiptarët i dedikojnë një mirënjohje të thellë Administratës Amerikane që nga koha e Presidentit Uillson 100 vjet më parë e deri më sot. Mirënjohje Presidentëve Bush, mikut të madh të shqiptarëve Bob Dole e mbështetësve të panumërt që shqiptarët kanë pasur në Kongres, Senat dhe në Shtëpinë e Bardhë. Nëse s’do kishim mbrojtjen dhe mbështetjen e Amerikës, ne nuk do ekzistonim si shtet e mbase as si komb” u shpreh kryetari i VATRËS. Takimi u mbyll me një darkë solemne të shtruar nga kryetari  z.Elmi Berisha me premtimin e mbajtjes së një miqësie të fortë të kandidadit për Kongres Colin Schmitt me shqiptaro-amerikanët të cilët i vlerësoi dhe i quajti faktor shumë të rëndësishëm në këto zgjedhje. 

Filed Under: Featured Tagged With: Colin SCHMITT, Elmi Berisha, Mbeshtetje

KUJTESA-“NËNË TEREZA, SHENJTORJA E PERIFERIVE” PROMOVOHET TË MARTËN NË VATËR

June 21, 2021 by dgreca

Ditën e Martë më 22 Qershor 2021, në orën 6.00 PM, në selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” do të organizohet promovimi i librit “Nënë Tereza, Shenjtorja e Periferive” e PhD Ines Angeli Murzaku. Libri është një studim shkencor mbi Nënë Terezën, i bazuar në dokumenta origjinale, letra të shkruara nga dora e Nënë Terezës. Libri është një libër teologjik, përdor metodat teologjike, filozofike e misionare për të kuptuar e interpretuar figurën e Nënë Terezës dhe veprën e saj që e tejkalon bamirësinë. Libri është i bazuar në teologjinë e periferive të Papa Françeskut, një periferi që manifestohet në forma të ndryshme, me dimensione të ndryshme, me aktorë të ndryshëm. Nënë Tereza me zërin e saj i dha zë atyre që nuk kishin zë, i dha sy të verbërve. Autorja PhD Ines Murzaku është Profesore (Full Professor) e Historisë Kishtare, Drejtoreshë e Programit të Studimeve Katolike dhe Themeluese e Departamentit të Studimeve Katolike në Universitetin Seton Hall në New Jersey. Ka një doktoraturë kërkimi nga Pontifical Oriental Institute në Romë, pjesë e Konsorciumit Pontifikal Gregorian University dhe ka mbajtur pozita vizituese (visiting profesor) në Universitetet e Bolonjës dhe Kalabrisë në Itali dhe Universitetin e Münster në Gjermani. 

Në këtë promovim do të referojnë dhe përshëndesin:

Elmi Berisha – Kryetar i VATRËS

Paulin Zefi – Historian

Dr. Pashko Camaj – Nënkryetar i VATRËS

Dr. Paulin Marku – Studiues

Agim Rexhaj-President Nderi i Vatrës

Marjan Cubi- Anëtar i Kryesisë së Vatrës

PhD Ines Murzaku – Themeluese e Departamentit të Studimeve Katolike në Universitetin Seton Hall, New Jersey.

Veprimtaria do të moderohet nga gazetari i “Diellit” Sokol Paja.

Jeni të ftuar të bëheni pjesë e këtij promovimi.

Filed Under: Politike Tagged With: Mother Teresa, PhD.Ines Murzaku, Promovimi ne Vater

“SHËN JERONIMI ILIR” I DON LUSH GJERGJIT

June 21, 2021 by dgreca

Nga Sokol PAJA – DIELLI/Mhill Gjuraj Anëtari i Këshillit të VATRËS, në një prononcim për Diellin ka vlerësuar kontributin e madh të Don Lush Gjergjit për rigjallërimin fetar e shpirtëror dhe ngritjen e institucioneve fetare në Kosovë.

Z.Gjuraj vlerëson edhe librin e fundit të Don Lush Gjergjit “Shën Jeronimi Ilir” i cili i dedikohet një prej Doktorëve të shkëlqyeshëm të Kishës Katolike. “I shpreh mirënjohjen dhe admirimin e thellë për misionin fisnik e hyjnor, në funksion të përhapjes së fjalëve të Zotit dhe mësimeve të shenjta e veprave kushtuar Shenjtores Shqiptare Nënë Terezës” vlerëson Don Lush Gjergjin në Diellin e Vatrës z.Mhill Gjuraj. Libri Shën Jeronimi ilir (347-420) i Don Lush Gjergjit doli në shtyp me rastin e 1600-vjetorit të kalimit në amshim të Jeronimit të Stridonit. Shën Jeronimi lindi në vitin 247 në Stridon të Ilirisë (Dalmacisë). Në libër paraqiten mjeshtërisht aspekte të cilësuara historike, biblike, teologjike dhe shpirtërore. Parimi i njohur i Shën Jeronimit ishte: “Mosnjohja e Biblës është mosnjohja e Krishtit”. Mhill Gjuraj Anëtari i Këshillit të VATRËS, në prononcim për Diellin ka deklaruar se: “Shën Jeronimi Ilir” është një libër i shkëlqyer. Jam ndjerë shumë i respektuar prej Don Lushit për veprën që na ka sjellë dhe mbi të gjitha dedikimin që më ka bërë. Jam befasuar nga libri ku Shën Jeronimi nuk shquhet në libër vetëm si filolog i ditur, përkthyes shumë i zoti, si një mjeshtër i veçantë i fjalës së shkruar por edhe si krijues gjenial që ka arritur mjeshtrisht të depërtojë në skutat më të largëta teologjike e kishtare. Nëpërmjet këtij libri lexuesi mëson shumë rreth aspekteve të veçanta të jetës së Shën Jeronimit” shprehet Mhill Gjuraj për Diellin e Vatrës. “Ky botim zë një vend të veçantë në kolanën e veprave të jashtëzakonshme letrare, përkthimeve e botimeve teologjike e kishtare që Don Lush Gjergji na lë trashëgimi për brezat dhe institucionet fetare e bibliotekat fetare dhe publike në Kosovë” u shpreh z.Mhill Gjuraj për gazetarin e Diellit Sokol Paja. Shën Jeronimi ka qenë një biblicist i spikatur, si dijetar i lartë, dhe sekretar personal i Papë Damasit. Ai përktheu Biblën në gjuhën latine. Ai ia kushtoi 25 vite të jetës së tij përkthimit. Shën Jeronimi është Doktor i shkëlqyeshëm i Kishës së bashku me Shën Ambrozin (330-297) dhe Shën Augustinin (354-430). Veprimtaria kryesore e Shën Jeronimit ishte fokusi dhe lufta e tij ndaj mëkatit, veseve e epsheve si grykësi që dëmtojnë jo vetëm besimtarët por çdo njeri duke e afruar me djallin dhe jo me Zotin. Duke iu referuar librit për Shën Jeronimin, Don Lush Gjergji në aspektin përmbajtësor e ndan në kapitujt e mëposhtëm: a. Përthimi i tërësishëm i Biblës; b. Egzegeza – shpjegimet e teksteve biblike me kompetencë dhe njohuri të rrallë, me thellësi dhe mprehtësi jetësore për jetën fetare dhe morale; c. 122 letra personale e 32 korrespondenca që ai i definonte si libër, që janë thesar shpirtëror, kulturor dhe letrar që krahasohen me ato të Ciceronit; d. De viris illustribus, si ndër veprat më të rëndësishme letrare kishtare; e. Vepra dhe shkrime  të tjera. Sipas anëtarit të Këshillit të Vatrës z.Mhill Gjuraj “Roli i Don Lush Gjergjit ka qenë jashtëzakonisht i madh për ringritjen shpirtërore e fetare të besimtarëve në Kosovë. Ai ka punuar me mund, përkushtim, e sakrifica. Falë dashurisë, urtësisë, falë forcës së besimit të madh tek feja, Atdheu dhe Zoti, Don Lush Gjergjit brezat do i jenë mirënjohës për çka ai i ka dhënë Kosovës”. Don Lush Gjergji sipas Mhill Gjurajt promovoi harmoninë mes besimtarëve, mirëkuptimin, respektin reciprok, respektin ndaj shtetit, institucioneve dhe solidaritet mes njerëzve në Kosovë.

Filed Under: Politike Tagged With: don Lush Gjergji, Mhill Gjuraj, Shen Jeronimi Ilir, Sokol Paja

AT GJERGJ FISHTA ARKITEKT I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE…

June 21, 2021 by dgreca

AT GJERGJ FISHTA ARKITEKT I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE VAZHDON TË JETË I PA DËSHIRUAR NË VENDIN E VET/

 Nga Frank Shkreli* /

20 Qershori (i vitit 1919) shënon përvjetorin e fjalimit të At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqës në Paris mbi “Shqiptarët e të Drejtat e tyre”. Fjalimi ka si autor At Gjergj Fishtën, Sekretar i Delegacionit shqiptar por është lexuar në frëngjisht në Konferencën e Paqës nga Imzot Luigj Bumçi, Kryetar i delegacionit shqiptar.  Viti 2021 shënon 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, me 15 mars, 1991 — pas një ndërprejeje prej gjysëm shekulli nga regjimi komunist i Enver Hoxhës — dhe hapjen e parë të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, me 1 tetor, 1991. 

Këto data më sollën në kujtesë një artikull që kam shkruar kohë më parë mbi vizitën e At Gjergj Fishtës në Shtetet e Bashkuara e që ndoshta ia vlen të përmendet në lidhje me këto përvjetorë të rëndësishëm të historisë së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe rolit që ka luajtur At Gjergj Fishta si njëri prej arkitektëve kryesorë në zanafillën e këtyre marrëdhënieve, në fillim të shekullit të kaluar.  E shoh të arsyeshme të kujtoj vizitën e At Gjergj Fishtës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1922, si dhe veprimtarinë e tij lobuese me atë rast, në mbështetje të interesave të Shqiptarëve – për të cilat pakë njerëz janë të informuar dhe më pak dëshirojnë të flasin e të shkruajnë për të — përfshir lobimin që Fishta zhvilloi gjatë vizitës së tij të parë në Washington me zyrtarët më të lartë amerikanë në favor të njohjes diplomatike të Shqipërisë si shtet i pavarur nga Shtetet e Bashkuara.  Këto shënime janë bazuar në disa të dhëna dhe korrespondenca në librin e vjetër përkujtimor, “At Gjergj Fishta 1871-1940”, botuar nën kujdesin e At Benedikt Dema, me rastin e vdekjes së At Gjergj Fishtës me 30-dhjetor, 1940. Nga këto të dhëna na del se historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane e ka fillimin shumë më heret se këto tre dekadat e fundit, megjithëse protagonistët aktualë të këtyre marrëdhënieve do të donin të na bindnin sot se historia e këtyre marrëdhënieve fillon me ta (e ndoshta po mos të jemi të kujdesshëm edhe mbaron me ta).

Komuniteti shqiptaro-amerikan me të drejtë njihet si mbrojtës historik i kauzave kombëtare shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke filluar nga veprimtaritë e diasporës më të vjetër shqiptare në Amerikë. Këto veprimtari, në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve në trojet e tyre në Ballkanin Perëndimor dhe kudo në botë, e që në fjalorin e sotëm politik njihen si “veprimtari lobingu”, për shqiptarët e Amerikës kanë filluar me takimin e Fan Nolit me Presidentin amerikan Woodrow Wilson, kur ish-Presidenti Wilson, sipas Nolit, i kishte premtuar se, “një zë do të ketë në Konferencën e Paqës në Paris dhe atë zë do ta përdorte në mbështetje të Shqipërisë”.  Shumë është shkruar për këtë rast si dhe për veprimtaritë lobiste të komunitetit shqiptaro-amerikan, sidomos gjatë 40-viteve të fundit, në mbrojtje të drejtave dhe interesave kombëtare të shqiptarëve kudo. 

Por falë urrejtjes, shpalljes së tij si armik e tradhëtar i popullit, harresës dhe anashkalimit zyrtar të personit dhe veprës së At Gjergj Fishtës për pothuaj një gjysëm shekulli nga regjimi komunist sllavo-aziatik – por edhe në 30-vjet të regjimeve post-komuniste, përfshir median dhe historiografinë shqiptare të influencuar nga komunizmi — pak njerëz mund ta dinë se përveç kontributeve të shumta në fusha të ndryshme, si në letërsi, gjuhë, kulturë dhe politikë shqiptare, Gjergj Fishta ka dhënë një kontribut të çmueshëm edhe në atë që sot e quajmë “lobing”, në mbrojtje të interesave kombëtare, në konferenca dhe takime ndërkombëtare të nivelit të lartë. Veçanërisht, roli që ka luajtur Gjergj Fishta në njohjen e pavarësisë së Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara dhe në lidhjen diplomatike midis dy vendeve.

Përpjekjet lobiste të Fishtës janë bazuar në disa të dhëna dhe korrespondenca përfshir në librin përkujtimor, të lartë përmendur, “At Gjergj Fishta 1871-1940”, botuar nën kujdesin e At Benedikt Dema, me rastin e vdekjes së At Gjergj Fishtës me 30-dhjetor, 1940.   Bazuar në korrespondencën e pasqyruar në këtë botim të veçant përkujtimor — midis Fishtës, At Justin Rrota dhe At Pal Dodaj — Gjergj Fishta njoftonte Kuvendin françeskan në Shqipëri  arrijtjen e tij në Amerikë, duke shkruar se, “Me 8 të këtij muaji (Mars, 1922) në ora 2:30 mbasdite vuna kambën në Amerikë, në New York”.

Nga të dhënat që paraqiten në këtë libër, del se vizita e At Gjergj Fishtës në Amerikë kishte dy objektiva:  Një, të “kujdesej për interesat e Shqipënisë”, sipas porosisë së Imzot Luigj Bumçit, Kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris.  Objektivi i dytë ishte që Fishta të takohej me personalitetet më të dalluara të diasporës shqiptare në Amerikë.  I rëndësishëm është fakti se — nga korrespondenca e Poetit Kombëtar që ai ka shkëmbyer nga Amerika me pjesëtarë të Urdhërit Françeskan në Atdhe — pas takimeve me përfaqësues të shquar të komunitetit shqiptaro-amerikan si Faik Konica gjatë vizitës së tij të parë në Amerikë në vitin 1922 – mësojmë, ndër të tjera, edhe për veprimtarinë lobiste të At Gjergj Fishtës në Washington. (I vetdijshëm për rëndësinë historike të këtyre letrave, At Pal Dodaj ka shkruar se përmbledhja e letrave të Fishtës që dërgonte nga Amerika më 1922 do t’u interesojë, eventualisht, studiuesve të historisë, megjithse deri më sot nuk duket që ky dokumentacion të ketë tërhequr interesimin e historiografisë pseudo-komuniste që gjithnjë dominon në interpretimin e historisë së Kombit shqiptar). Sidoqoftë, le t’i këthehemi disa prej komunikimeve midis Fishtës në Amerikë dhe Kuvendit Françeskan në Shkodër të cilat pasqyrojnë veprimtarinë lobiste të Fishtës në Washington.

Provinciali i Kuvendit Françeskan në Shqipëri në atë kohë, At Pal Dodaj shënon në librin përkujtimor (më sipër), “At Gjergj Fishta – 1871-1940”, se në një letër të datës 8-V-22, dërguar atij nga At Gjergj Fishta prej Washingtonit, Fishta flet për veprimtarinë e tij lobiste në favor të njohjes diplomatike të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara, si dhe për takimet që kishte zhvilluar ai me Senatorë katolikë amerikanë, me ndihmën e françeskanit amerikan, Godfried Shilling, i cili në atë kohë gëzonte influencë të madhe në qarqet politike dhe diplomatike të Washingtonit, sipas të dhënave në këtë libër:

“Këtu në Washington kam kontaktue me nji senator katolik, siç të kam shkrue (29.4. 1922), dhe i jam lutë me u interesue pranë Qeverisë së Tij për njohjen e Shqypnisë si Shtet i Pamvarun”, thuhet në letrën e Fishtës. “Ai ka folë sot me Senatorin e Partisë Republikane, Henry Cabot Lodge…”, (politikan me autoritet i asaj periudhe dhe mbështetës i madh i rolit amerikan në punët botërore — shënim i autorit), “…i cili më tha se njohja e Shqypnisë asht e mundshme, prandej Qeveria e Tiranës, t’a paraqesi kërkesën e Saj me shkrim në Nensekretariatin e Shteteve të Bashkueme t’Amerikës.”  Në faqen tjetër të letrës, sipas At Palë Dodaj, Fishta ishte shprehur se, “Ndërkaq, vizita eme në Washington ka pasë, si përfundim, njohjen e Shqypnisë prej anës së Shteteve të Bashkueme të Amerikës. Të gjitha përpjekjet e maparshme të Qeverisë sonë, si edhe ato të (Federatës Panshqiptare) “Vatra”, s’kanë pasë sukses…Kjenë Senatorët katolikë — të cilëve ua pata paraqitë çashtjen, sidomos, nga pikëpamja fetare– ata të cilët me ndërhymje të veta siguruan njohjen zyrtare të Shqypnisë nga Qeverija amerikane”, citohet letra e At Gjergj Fishtës dërguar nga Washingtoni në adresën e At Pal Dodajt.  Data e njohjes zyrtare e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Washingtonit dhe Tiranës, përputhet plotësisht me vizitën e At Gjergj Fishtës në Washington si dhe me përmbajtjen e letrave të tija, cituar më lartë. Albania – Countries – Office of the Historian (state.gov)

Sipas Zyrës së Historianit të Departamentit Amerikan të Shtetit — me anë të një telegrami që mban datën 25 Korrik, 1922 — Sekretari Amerikan i Shtetit (DASH) në atë kohë, Charles Evans Hughes, informon Komisionerin Amerikan në Shqipëri, Maxwell Blake se në datën 28 Korrik, 1922 ai mund t’i, “Dorëzojë Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë njoftimin me shkrim për njohjen de jure të Shqipërisë, nga ana e Shteteve të Bashkuara.”  

Sipas Zyrës së Historianit të (DASH) njohja e shtetit shqiptar nga Washingtoni u pasua me vendosjen zyrtare të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona më 4 Dhjetor, 1922, kur Përfaqësuesi i Jashtzakonshëm dhe Ministri Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Ulysses Grant-Smith i paraqiti letër-kredencialet Qeverisë së Shqipërisë në Tiranë, pikërisht me 4 Dhjetor, 1922, theksohet në tekstin e Zyrës së Historianit të (DASH).

Thonë se njerëzit e mëdhenj të një Kombi, siç është Fishta, vlerësohen më shumë pas vdekjes se kur janë gjallë.  Fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhur me At Gjergj Fishtën pasi edhe sot pas 30-vjet “post-komunizëm”, Poeti i Kombit dhe Mbrojtësi më i vendosur i të drejtave, vlerave dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve edhe sot e kësaj dite është i stigmatizuar si tradhëtar, si një personi i pa dëshiruar në Shqipëri – persona non grata në vendin e vet – atdheun, për të cilin punoi e veproi aq shumë.  Unë e kam shumë të vështirë gjithnjë të konstatoj se ku e ka hallin Tirana zyrtare me At Gjergj Fishtën, i cili me veprat e tija përjetësoi çdo gjë me të cilat mund të krenohet Kombi Shqiptar ndër shekuj, qoftë veprimtaria e tij shumë dimensionale, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar në përgjithësi, qoft kontributi i tij në njohjen dhe vendosjen e lidhjeve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në fillim të shekullit të kaluar, në veçanti.  Unë ende nuk e kuptoj se pse sot, gjoja në demokraci, “At Gjergj Fishta sakrifikohet pikërisht si përfaqsuesi madhor i vlerave kombëtare”, siç është shprehur me një rast i ndjeri Profesor Arshi Pipa.  

Kemi arritur në një pikë të historisë pas kaq vitesh, që të themi me keqardhje të madhe, se me ketë klasë politike në Shqipëri dhe në Kosovë, e cila kontrollon çdo aktivitet të jetës së shqiptarëve në një sistem që guxojnë ta cilësojnë si “demokraci”- e kemi humbur shpresën se shqiptarët, si komb madje edhe 30-vjet pas komunizmit – do të jenë të lirë të vlerësonin më në fund njerëzit e mëdhenj të Kombit si At Gjergj Fishta për meritat historike që kanë. Me ketë nivel kulture bolshevike që tregon kjo klasë aktuale politike e shqiptarëve sot, ajo nuk është e denjë të përfaqësojë një komb të përparuar, që dëshiron të jetë i lirë dhe demokratik, në fillim të shekullit 21! Si të tillë, kot e kini se nuk mund të bindni askënd se ndani vlerat me botën perëndimore.  Fatkeqësisht për Kombin shqiptar, po shihet tashti se vlerat tuaja i kanë rrënjët thellë në trashëgiminë e Enver Hoxhës, nga e cila duket se e kini shumë të vështirë të distancoheni.

Kot e kini se me Enver Hoxhën dhe me gënjeshtrat tuaja nuk do të bëheni kurrë pjesë e botës së qytetëruar. Pyetja për këtë klasë aktuale politike, “post-komuniste” e të gjitha ngjyrave, vazhdon të jetë: me cilat vlera doni të shkoni drejtë Evropës dhe drejtë lidhjeve të ngushta me Shtetet e Bashkuara: me vlerat anti-kombëtare të sllavo-aziatikut Enver Hoxha a po me vlerat e At Gjergj Fishtës, “Përfaqsuesit madhor të vlerave kombëtare” dhe të vlerave të vërteta pro-perëndimore ndër shqiptarët, si dhe të njërit prej arkitektëve kryesorë marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, një shekull më parë.  Sa më parë që t’i përgjigjeni kësaj pyetjeje – për mirë ose për keq — aq më e qartë do të bëhet rruga në të cilën kini ndër mend ta çoni Kombin shqiptar në të ardhmen!

Frank Shkreli   

Ndoshta mbrojtësi më i vendosur, historikisht, i interesave dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve – i këtij populli, të drejtat e të cilit i mbrojti si askush tjetër në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar — At Gjergj Fishta, për pothuaj një shekull tani i shpallur “armik i popullit” dhe “reaksionar”, nga ish-regjimi komunist i Enver Hoxhës, ndërkohë që vazhdon të trajtohet si persona non grata në vendin e vet nga regjimet e të ashtuquajturit tranzicion “post-komunist” i tre dekadave të kaluara.     

Profesor Arshi Pipa është shprehur, se ajo që e dallon patriotizmin e At Gjergj Fishtës nga të tjerët është, “karakteri militant, luftarak, i patriotizmit” të tij. Të tjerët, sipas Arshi Pipës, më shumë kanë mbrojtur, ndërsa Fishta ka mbrojtur dhe ka sulmuar. “Ai ka sulmuar të gjithë ata, persona ose shtete të vogla, ose fuqi të mëdha, të Lindjes e të Perëndimit, të Krishtit ose të Muhametit, që kanë synuar robërimin, pushtimin, copëtimin e Shqipërisë. Ata që kanë cenuar tagrin e popullit shqiptar, ata që kanë fyer dinjitetin dhe krenarinë kombëtare”, ka shkruar i ndjeri Profesor Pipa për patriotizmin e At Gjergj Fishtës.

—————————————————————————————                                                    

Më poshtë, fotot e Personaliteve të larta politike amerikane, emrat e të cilëve i përmend At Gjergj Fishta në korrespondencën e tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në viti 1922

See the source image Senatori Republikan, Henry Cabot Lodge, Kryetar i Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme kur Fishta vizitoi WashingtoninFather Godfrey Schilling at Mt. Tabor

Françeskani amerikan Godfried Shilling me të cilin u takua At Gjergj Fishta në Washington, 1922

See the source image

        Charles Evans Hughes, Sekretari Amerikan i Shtetit (1921-1925)

Larger memorial image loading...

Ministri (Ambasadori) i parë amerikan në Tiranë:  4 Dhjetor 1922 – 8 Shkurt, 1925  

At Gjergj Fishta dhe Konferenca e Paqës – fjalim monumental në historinë e Kombit shqiptar, 20 Qershor 1919

Filed Under: Emigracion Tagged With: At Gjergj Fishta, Frank shkreli, Marrdhenie, shqiptaro-amerikane

SHKOLLA SHQIPE”KUQ E ZI” NË ASTORIA NEW YORK I MBIJETOI PANDEMISË

June 20, 2021 by dgreca

-Sotë në Father’s Day u organizua ceremonia e mbylljes të vitit Shkollor 2020-2021 . Kryeredaktori i Gazetës Dielli në emër të Vatrës falenderoi mësuesit, nxënësit dhe prindërit për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare.

-Për 5 nxënsit më të mirë VATRA u dhuroi nga biblioteka e saj librin e “Poem Kosovar” të Dhimitër Pasko(Mitrush Kuteli)…

20 Qershor 2021- Astoria –Queens-New York-Sot në orën 9 e 30 paradite në mjediset e Shkollës shqipe”Kuq e Zi” me drejtues z. Kristaq Papa, u organizua ceremonia e ndarjes së dëftesave të nxënësëve, të cilët e ndoqën këtë të vit të vështirë mësimor përmes programit virtual në Zoom. Edhe pse nuk kanë mundur të vijnë të gjithë nxënësit dhe prindërit për shkak të pushimeve, ceremonia dhuroi emocione. Së bashku me vatranin Veis Belliu, ndoqëm veprimtarinë. Fëmijët, të shoqëruar nga prindërit, sillnin tufa me lule dhe urimin”Happy Father’s Day”!

Kristaqi dhe e shoqja Pavlina, një ndihmëse e papërtuar e Kristaqit gjatë procesit mësimor, i pritën të gëzuar fëmijët dhe të gjitha bisedat zhvillohen në gjuhën shqipe.

Njëri nga nxënësit,Tomas Ford, është rast i veçantë i kësaj shkolle: Është fëmijë i dy prindërve, me kombësi të ndryshme, nënën e ka shqiptare nga Saranda, ndërsa babain amerikan. Duke qeshur ai e përfaqon Kristaqin dhe e uron në gjuhën shqipe. Pyetjeve në shqip, u përgjigjet plot siguri me një shqiptim fare të pastër. Është nëna, Ledia, që mbanë përdore vajzën e vogël Sara(të cilën do ta sjellë sapo të rritet dhe pak në shkollën shqipe)-, që e falenderon Kristaqin, ndërsa ia ia kthen: Jo zonjë, më duhet mua t’ju falenderoj se ishit një nga nxitëset për ta vazhduar mësimin edhe në kohë pandemie, duek dhënë një shembull për prindërit e tjerë!

Ledia Ford(Kulla), bijë e një mësuesi shqiptar, e ka në gjak shqiptarizmin, prandaj ka vendosur t’ua mësojë gjuhën shqipe fëmijëve.

Flet I biri, Tomas: Unë, këtë Verë, do të shkoj me pushime në Sarandë, edhe në Vlorë, dhe atje do të flas e do të mësoj më shumë shqipen e folur.

I ndjekim me radhë fëmijët tek hyjnë njeri pas tjetrit: Erion e Mason Papa, Amelia Semini, Alba Bundo, Klara dhe Gabriel Shuku, Ema Gegollari, të gjithë të shoqëruar nga prindërit.

-Ndjehem keq,- thotë Kristaqi- se sot nuk i kam këtu dy nxënës shumë të mirë Emilia dhe Aria , mbesat e Vasil Gallanit, si dhe nxënës të tjerë, por kam shumë shpresë që të ribashkohemi të gjithë në fillimin e vitit të ri shkollor me 15 Shtator 2021, së bashku me mësuesen File Shehu, e cila ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në shkollën shqipe”Kuq e Zi”.

Në fjalën e rastin e mbylljes së programit, drejtuesi i shkollës shqipe, Kristaq Papa, i falenderoi emër për emër nxënësit dhe në mënyrë të veçantë prindërit e tyre, të cilët kanë qenë mbështetës në këtë proces mësimor, duke ndihmuar fëmijët e tyre edhe nëpër shtëpia. Më pas ai tregoi vëshrirësitë e këtij viti shkollor, ndërsa për cilësinë e programit, tha se do ta shihnim vetë gjatë programit që do të ndiqnim… Fëmijët recitojnë bukur poezi nga gjuha shqipe, madje edhe grupi që sapo ka mbaruar Abetaren, ishte shumë i sigurtë. Ndërsa grupi i nivelit të katërt shpalosën njohuritë e tyre në gjuhën shqipe plot siguri, histori, e kulturë. Analizat morfologjike dhe sintaksore, përcaktimi i gjymtyrëve të fjalisë dhe përcaktimi i kategorive gramatikore, formimi i fjalive aty për aty, ishin në nivel të kënaqshëm. Prindërit ndjeheshin të kënaqur dhe i shoqëronin përgjigjet me duartrokitje.

Kryeredaktori i gazetës Dielli, Dalip Greca, që e ka ndjekur ecurinë e shkollës shqipe “Kuq e zi” që nga çelja e saj me 7 Mars 2015, me rastin e Festës së Mësuesit, përshëndeti ekipin mësimor, nxënësit dhe prindërit, të cilët të gjithë së bashku arritën që ta kurorëzonin një vit të vështirë mësimor, ku njerëzimi u përball me Pandeminë.

Për 5 nxënësit më të mire( Tomas Ford, Erion Papa, Amelia Semini, Mason Papa, Alba Bundo), në emër të Vatrës, Kryeredaktori dhuroi librin “Poem Kosova” të Dhimitër Paskos(Mitrush Kuteli), një botim dhuratë për Vatrën nga i ndjeri Petraq Ktona. Greca u përcolli të pranishmëve këngën e parë të poemës dhe më pas ua dhuroi librin.

                         ***

       Shkolla Shqipe”Kuq e Zi” në Astoria –Queens, New York,  është çelë në ditën e Festës Kombëtare të Mësuesit,7 Mars 2015, gjashtë vite të shkuara dhe ka ruajtur rregullsinë e procesit mësimor.Kjo shkollë e hapur në Astoria- Queens, New York, ka shënuar një ngjarje të rrallë të diasporës shqiptare në historinë më shumë se 150 vjeçare të komunitetit shqiptar të Amerikës. Shkolla shqipe janë hapë, mbyllë, e rihapë, në shumë shtete e qytete të Amerikës, përgjatë një shekulli. Përmendim shkollat në Boston, që më 1911, shkollat e New York-ut, Chikagos, Ohios, Detroitit, por në Astoria, një zonë e dominuar nga komuniteti grek, nuk ka pasë shkollë shqipe.Një grup shqiptarësh që jetojnë në Astoria, Nju Jork, me në krye Kristaq Papën, ndihmuar nga Kristaq Foto, që me bujari lëshoi mjedisin për klasën e parë pranë Kafesë”Kuq e Zi” , dhe një grup aktivistësh shqiptar, që dhanë mbështetjen e duhur, zgjodhën Festën e Mësuesit për ta çelë shkollën shqipe. Faleminderit bashkatdhetarë që mbani të ndezuar atdhetarizmin dhe Gjuhën Shqipe në SHBA.(Korrespondenti i Diellit)

  • Më shumë fotografi i gjeni në Facebook

Filed Under: Ekonomi Tagged With: dalip greca, Kristaq papa, Shkolla Kuq e Zi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 38
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT