• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2021

SHKOLLA SHQIPE NË PATRA TË GREQISË

July 23, 2021 by s p

Iliaz Bobaj drejtor i Shkollës Shqipe në Patra, Greqi, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, funksionimin e mësimit shqip në Patra të Greqisë, sfidën për ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Greqi nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe dhe projektet në të ardhmen e shkollës shqipe në Patra të Greqisë. Me Iliaz Bobaj bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

SHKOLLA SHQIPE NË PATRA

Shkolla shqipe ‟Naim Frashëri”, në qytetin e Patrës, Greqi, u themelua dhe çeli dyert e saj para 13 vjetësh. Ajo u hap për fëmijët e emigrantëve shqiptarë, të ardhur pas vitit 1990 në Greqi, por jo vetëm për ata. Në shkollën tonë mësojnë shqip edhe disa fëmijë grekë, madje edhe vendas të rritur dhe kushdo që dëshiron të mësojë gjuhën shqipe. Themelimi i saj nis në vitin 2008, kur një grup mësuesish( Iliaz Bobaj, Kristiana Veliu dhe Liri Shehu), pas disa viteve përpjekjesh, mundëm ta hapnim për herë të parë shkollën shqipe në këtë qytet. Patëm ndihmë vetëm nga një organizatë joqeveritare(‟Lëvizja”), e cila, me dashamirësi, na vuri në dispozicion mjediset e saj, ku zhvilluam mësimin dy vitet e parë. Ishte një mrekulli hapja e kësaj shkolle, tërësisht me forcat tona dhe me përkushtimin tonë. Më vonë grupit tonë të vogël të mësuesve iu bashkua edhe Anjeza Cuku Domi dhe më pas edhe disa mësues të tjerë. Natyrisht patëm edhe përkrahjen e shumë prindërve, të cilët nuk e besonin se mund të hapej dhe të funksiononte një shkollë e tillë. Por ne vetëm se e forcuam shkollën tonë, duke bërë gjithçka në mënyrë vullnetare. Nxënësit tanë të parë, erdhën të etur për të mësuar gjuhën e tyre, gjuhën tonë të bukur. Në 13 vitet e funksionimit të saj, në bankat e shkollës sonë kanë kaluar qindra e qindra nxënës. Sot shkolla jonë është jo vetëm shkolla shqipe më e madhe në Greqi, por edhe një nga shkollat më të mëdha dhe më të konsoliduara të diasporës shqiptare. Madje edhe e vlerësuar nga disa organizma shtetërore dhe joshtetërore. Me siguri, sfidat e së ardhmes do të jenë edhe më të mëdha se ato të fillimit dhe ecurisë së saj. Por një gjë mund ta them me bindje: ajo do të vijojë të forcohet dhe të konsolidohet më tej.

ORGANIZIMI I MËSIMIT, TRADITA DHE HSTORIA E SHKOLLAVE SHQIPE NË GREQI

Shkolla e parë shqipe në Greqi, pas vitit 1990, u hap në Selanik, në vitin 2001. Ishte mësuesja e palodhur Mimoza Dako, e cila dha shembullin e saj e para dhe me shumë sakrifica, hapi shkollën e parë, duke u bërë edhe pararendësja e këtyre shkollave, të cilat më pas, do të shtoheshin së tepërmi dhe do të bashkëpunonin, duke u formuar edhe ligjërisht Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi. Por, sidoqoftë, nuk është organizimi i kësaj lidhjeje që diktoi punën, por individët e palodhur dhe të përkushtuar për mësimin e gjuhës sonë amtare. Ata kanë qenë dhe mbeten shtyllat e këtyre shkollave. Më vonë u hapën shkolla shqipe në Korinth, në Athinë, në Patra, në Kretë, në Kallabakë, në ishuj, etj. Këto shkolla nuk gjetën ndonjë traditë, por e formuan dhe e fituan vetë atë, si domosdoshmëri për ecurinë e tyre. Por jo gjithçka ka shkuar pa probleme. Këta dy vitet e fundit, për shkak edhe të pandemisë, por jo vetëm asaj, numri i nxënësve në disa shkolla është pakësuar së tepërmi, duke mbetur me 3-5-7 nxënës, disa me 10-15 nxënës dhe ç’është më e keqja disa shkolla shqipe edhe janë mbyllur. Dhe askush nuk e di, nëse do të gjenden mundësitë e rihapjes së tyre, apo do të mbyllen përgjithmonë, gjë që do të ishte një humbje e madhe për to dhe për mbajtjen gjallë të gjuhës sonë amtare. Kjo kërkon një mobilizim dhe përkushtim shumë më të madh të mësuesve, një bashkëpunim më të frytshëm me prindërit, me organet vendore dhe me shkollat e tjera dhe mbi të gjitha me shtetin shqiptar.

GJUHA SHQIPE SI FORMË E IDENTITETIT KOMBËTAR

Dy janë ‘’shtyllat’’, ku mbështetet identiteti kombëtar i një kombi: gjuha dhe historia e kultura kombëtare. Por edhe historia dhe kultura kombëtare mbështetet mbi gjuhën, kështu që gjuha del primare në shprehjen e identitetit kombëtar. Këtu qëndron edhe rëndësia dhe vlera e saj e pazëvendësueshme. Këtë identitet kërkojmë të ruajmë tek brezat e ardhshëm, që ata të mos asimilohen, por të ruajnë identitetin e tyre kombëtar. Në këtë pikë roli i shkollës shqipe është i pazëvendësueshëm dhe ne mundohem ta mbajmë atë të gjallë, të fuqishme. Por ne bëjmë aq sa mundemi. Megjithatë, edhe pse shkolla jonë është shkolla më e madhe dhe më e konsoliduar, numri i fëmijëve që ndjekin shkollën tonë, në raport me  numrin e fëmijëve shqiptarë që jetojnë në Patra dhe në rrethinat e saj, është ende mjaft i ulët. Por jo gjithçka është në dorën tonë. Ne ofrojmë gjithçka pa shpërblim dhe asnjë fëmijë nuk paguan asnjë cent për mësimin e gjuhës shqipe. Shteti ynë ka qenë tepër indiferent, tepër i vonuar në këtë çështje madhore. Për vite dhe dekada, ai nuk është bërë i gjallë. Vetëm vitet e fundit ka filluar të sjellë tekste mësimore dhe organizon një seminar vjetor, por jo me ndonjë veçanti, ashtu, sa për t’u grumbulluar mësuesit e diasporës. Veç kësaj, edhe pse marrëdhëniet shtetërore me Greqinë janë përmirësuar dhe janë mjaft normale, shteti ynë nuk ka bërë asnjë marrëveshje me shtetin grek, që mësimi shqip të zhvillohet në mjediset e shkollave publike greke. Edhe aty ku është arritur kjo gjë, është realizuar nga vetë mësuesit, pa ndihmën e shtetit tonë. Shteti ynë nuk ka bërë asnjë përpjekje edhe për të paguar mësuesit, të cilët vazhdojnë të punojnë falas në shkollat tona.

BASHKËPUNIMI PRINDËR – NXËNËS – MËSUES DHE E ARDHMJA E SHKOLLËS SHQIPE

Ky është çelësi i suksesit tonë. Madje në këtë bashkëpunim, ne kemi edhe dy hallka të tjera shumë të fuqishme: shoqatën e shqiptarëve të Patrës ‘’Emigranti’’, me të cilën punojmë dhe organizojmë në sinkronizim të plotë dhe bashkëpunimin e bashkërendimin e punës sonë me organet shtetërore vendore, por edhe qendrore në shtetin helen. Siç iu thashë edhe pak më lart, shkolla jonë është mjaft e organizuar dhe ka fituar një përvojë të madhe gjatë këtyre 13 viteve të funksionimit të saj. Stafi pedagogjik është i konsoliduar. Ne bashkëpunojmë me të gjitha familjet shqiptare të zonës, për të tërhequr kontigjentin e fëmijëve shqiptarë pranë shkollës sonë dhe kjo na ka dhënë shumë rezultat. Por duhet të jesh shumë këmbëngulës, pasi ka shumë prindër indiferentë ndaj fëmijëve të tyre. Madje ka edhe fëmijë shqiptarë që nuk flasin fare shqip. Në këto kushte ne bëjmë aq sa mundemi, por kurrsesi nuk rrimë duarkryq. Për të na ndihmuar në punën tonë, ne jemi e vetmja shkollë, që organizojmë çdo vit këshillin e prindërve të shkollës. Por pika jonë më e fuqishme, është bashkëpunimi me organet vendore të pushtetit lokal por edhe qëndror. Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Bashkinë e Patrës, me Këshillin Bashkiak dhe me Drejtorinë e Arsimit. Falë këtij bashkëpunimi, me vendim të Këshillit Bashkiak të qytetit në Patrës, ne na vihen në dispozicion çdo vit dy shkolla publike greke, për mësimin e gjuhës shqipe. Në këtë mënyrë, kushtet e zhvillimit të mësimit të gjuhës shqipe në shkollën tonë, janë të njëjta me ato të nxënësve vendas. Falë gjithë këtij organizimi dhe bashkëpunimi, ne organizojmë edhe shumë aktivitete me shkollën tonë, si: ekskursione në Shqipëri, Kosovë, në mjediset e kulturës greke dhe vende të tjera, organizojmë festën e çeljes së vitit shkollor, festën e Vitit të Ri, festën e Abetares, Festën e Flamurit, festën e mbylljes së vitit mësimor, etj. Përsa i përket ardhmërisë së shkollës sonë, ju them me bindje se ajo është e sigurtë dhe se shkolla jonë do të vijë duke u forcuar. Ne jemi shumë optimistë dhe këtë optimizëm e mbështetim në punën tonë të palodhur.

SFIDAT E MËSIMIT SHQIP MES TEKNOLOGJISË, PANDEMISË DHE VËSHTIRËSIA E FËMIJËVE ME DY GJUHË

Natyrshëm që pandemia edhe tek ne solli shumë probleme, por ne u organizuam menjëherë, falë edhe teknologjisë dhe nuk e ndërpremë asnjë orë mësimin online. Edhe pse ishim pak skeptikë në fillim, ia dolëm mbanë. Madje, numri i nxënësve, sidomos në klasat e para, erdhi duke u shtuar dhe provimet vjetore, të cilat ne i bëjmë çdo vit, na befasuan me rezultatet e tyre aq të mira dhe optimiste. Problemi i dygjuhësisë, nuk është aspak problem për mësimin e gjuhës amtare. Aspak. Përvoja jonë ka treguar se nxënësit shqiptarë e mësojnë gjuhën tonë amtare veçanërisht mirë, pavarësisht gjuhës tjetër. Kuptohet, nuk mungojnë vështirësitë, sidomos ato të shqiptimit të saj, por gjithsesi ato janë plotësisht të kapërcyeshme.

 MESAZHI PËR ‟VATRËN”, ‟DIELLIN” DHE DISAPORËN SHQIPTARE NË USA.

Para se t’iu përshëndes, do të ndaloj pak këtu, pasi do t’iu sjell diçka të veçantë, që më lidh me ju. Xhaxhai im, Iliaz Bobaj(i parë), i njohur në SHBA me emrin Elias Lazarati, emigrant në SHBA që në vitin 1916 dhe bashkëpunëtor i Fan Nolit, ka qenë anëtar i ‟Vatrës”, të cilën e ka dashur dhe e ka çmuar si pak kush. Gjatë kësaj periudhe (1916- 1928), ai ka shkruar shumë artikuj patriotikë tek ‟Vatra” e tij e dashur, tek ‟Vatra” jonë e dashur. Para një viti kam botuar në Shqipëri edhe monografinë për të dhe i kam thënë me hollësi këto fakte, duke e përmendur shumë herë ‟Vatrën”. Ai është bërë anëtar i ‟Vatrës” menjëherë pas ardhjes në Amerikë si emigrant, në vitin 1916 dhe ka qenë në sektorin e pritjes dhe përcjelljes së emigrantëve shqiptarë, që emigranin në SHBA. Mik dhe bashkëpunëtor me Fan Nolin, Sotir Pecin, Mihal Gramenon, Sevasti dhe Parashqevi Qiriazin, Veli Hashorvën, me Frashërllinjtë e emigruar në Amerikë, Kristo Dakon, etj, ai ishte dhe mbeti një anëtar i denjë dhe adhuruas i flaktë i ‟Vatrës”, derisa vdiq në vendlindje në moshën 33 vjeçare. Më tej, ju e kuptoni, që ne jemi rritur duke e patur ‟Vatrën” e Amerikës në shtëpinë tonë, në familjes  tonë, në shpirtin tonë. Kësisoj ‟Vatra” juaj është dhe do të mbetet edhe vatra jonë dhe ‟Dielli” juaj do të mbetet një dritë për ne. Me aq sa kam lexuar dhe kam dëgjuar në shtëpinë tonë për ‟Vatrën” dhe ‟Diellin”, ato janë pjesë e historisë së diasporës shqiptare në Amerikë, por edhe pjesë e historisë së familjes sonë atdhetare. Tani urimi im për ‟Vatrën” dhe ‟Diellin” është një urim tejet i përzemërt: ‟Vatra” juaj dhe e jonë, qoftë përherë e ndezur për shqiptarët e Amerikës dhe për kombin shqiptar! ‘’Dielli’’ qoftë përherë plot dritë për shqiptarët e Amerikës dhe për kombin tonë fisnik! Sa herë kujtoj ‘’Vatrën’’, më vijnë ndërmend vargjet e Nolit tonë të madh: ‟Mbahu Nëno, mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë”. Qofshi përherë pranë Nënës sonë të dashur Shqipëri, ju bijtë e denjë të ‟Vatrës”!

KUSH ËSHTË PROFESOR ILIAZ BOBAJ

U linda në Lazarat të Gjirokastrës, në një familje me tradita atdhetare dhe kulturore, ku mora gjithçka të bukur që kishte vendlindja ime, sidomos frymën e bukur atdhetare, traditën e bukur dhe të papërsëritshme të atij fshati unikal, frymën e lirisë. U rrita dhe u shkollova në qytetin e Delvinës. Kam kryer studimet e larta për matematikë dhe fizikë. Por gjithë jetën, krahas punës si mësues, jam marrë me atë që më ka pushtuar shpirtin që në moshë të njomë, me letërsinë. Jam autor i 32 librave me fabula, poezi, tregime, tregime satirike, fjalë të urta, epigrame, ese, letërsi për fëmijë. Po ashtu jam autor i 28 përkthimeve nga autorë të mëdhenj botërorë( midis tyre edhe nobelistë), në shqip, por edhe nga shqipja në gjuhë të huaja. Jam anëtar i shumë organizmave letrare botërorë dhe fitues i shumë çmimeve, në atdhe, në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, në Greqi, në Europë dhe në botë. Edhe diçka tjetër që më lidh me Amerikën: jam anëtar i Akademisë Shqiptaro – Amerikane të Shkencave dhe të Arteve, të drejtuar nga profesori i nderuar, z. Skënder Kodra. Gjithsesi, gjatë këtyre viteve që jetoj si emigrant në Greqi, shkolla shqipe në Patra, mbetet ‟dobësia” ime dhe frymëzimi im. Duke e mbyllur këtë intervistë të bukur, doja t’iu falënderoja përzemërsisht dhe t’iu uroja çdo të mirë, çdo sukses. Qoftë e bekuar ‟Vatra” e Amerikës!

Filed Under: Interviste Tagged With: Iliaz Bobaj, Shkolla Shqipe Patra - Greqi, Sokol Paja

ECJA DREJT SË DJATHTËS –DËSHMI MORALE DHE MENÇURIE

July 22, 2021 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

 Libri më i fundit i autorit të njohur me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Thanas L. Gjika, titullohet, “Ecja Drejtë së Djathtës – Dëshmi Morale dhe Mençurie” Botimet Jozef 2021, 372 f. Në këtë libër, autori përmbledh shkrime shkencore dhe publicistikë të viteve të fundit, që synojnë përballimin e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare me të kaluarën e saj komuniste, pothuaj gjysëm shekullore të vendit, si dhe dënimin e krimeve të njërit prej regjimeve më të egra të diktaturës komuniste të shekullit të kaluar, ndërsa nenvijon edhe nevojën e ecjes drejt së djathtës së shëndoshë politike në Shqipëri.

Në këtë libër, lexuesi gjen dhe vlerësime autorësh e veprash, portrete, kujtime dhe shkëmbime letrash të autorit me disa personalitete të diasporës shqiptare – kolegë e miq të tij — si Profesor Sami Repishti, Visar Zhiti, Jozef Radi, Lekë Përvizi, Luan Rama e disa të tjerë. Njohja e tij me Lasgush Poradecin e kujtime të tjera interesante nga mosha e tij shkollore.

Edhe ky libër, në vazhdën e punimeve të vyera të mëparshme të Thanas Gjikës, përfshirë studimet historike mbi fillimet e Krishtërimit në trojet ilire, analizat politike dhe shoqërore si dhe publistikën e tij të pasur, ndihmon lexuesin e sotëm në trojet shqiptare dhe në diasporë që të kuptojë më mirë shtrembërimet e të vërtetave historike gjatë periudhës fatzezë të komunizmit. Këto shtrembërime, fatkeqsisht, mbrohen edhe sot nga një mori pseudohistorianësh dhe nostalgjikësh enveristë në nivelet më të larta shtetërore dhe akademike të Shqipërisë socialiste. 

Në këtë libër, ashtu si në krijimtarinë e mëparshme të Thanas Gjikës vihet re dëshira e tij për të venë në dukje vlerat artistike dhe ideore të disa shkrimtarëve dhe publicistëve që jetojnë në atdhe dhe në diasporën shqiptare, të cilët fatkeqësisht, njihen pak ose aspak nga lexuesit shqiptarë dhe aq më pak promovohen nga institucionet zyrtare në trojet shqiptare. Mund të jetë që shumica e këtyre shkrimtarëve dhe publicistëve të diasporës – konsiderohen si disi “ndryshe”, “të prekur” dhe “të përndjekur”, nga ish-regjimi komunist, por edhe sepse shumë prej tyre kanë jetuar dhe vepruar jashtë Atdheut për një kohë të gjatë dhe të cilët shpesh trajtohen si të huaj në vendin e vet. Por siç ve në dukje studjuesi Gjika në librin e botuar kohët e fundit, edhe këta kontribues, qofshin shqiptaro-amerikanë, shqiptaro-francezë, shqiptaro-belgë, shqiptaro-italianë, shqiptaro-kanadezë, etj janë dhe duhej të ishin pjesë e historisë, e shoqërisë dhe kulturës shqiptare, pa nënvlerësime, paragjykime, akuza e shpifje, pasi për derisa kanë shkruar e vazhdojnë të shkruajnë shqip, janë pjesë dhe kontribues të kësaj kulture. Por, deri tani, sipas Thanas Gjikës këta krijues e studjues shqiptarë të diasporës, kryesisht vazhdojnë të jenë të refuzuar dhe të nënvlerësuar prej kulturës dhe historisë kombëtare, pjesë e të cilës këta shqiptarë me dy kombësi e ndjejnë veten se janë – pjesë e pandarë e trupit kombëtar, të kulturës, gjuhës dhe historisë së shqiptarëve – e kësaj kulture mijëra vjeçare. 

Siç ka shkruar Ernest Koliqi, “Kultura asht shpirti i kombësisë. Kush nuk njeh historinë e vendit të vet, nuk njeh vetveten. Kush nuk ka dijeni për fytyrat e jetës shqiptare që shfaqen në vjersha, në tregime, në përshkrime e përshtypje, në syzime e studime të shkrimtarëve shqiptarë, nuk di me u dhanë zhvillim shkaseve që ndien në gjak të vet. Kush nuk etshohet nga nevoja të dijë çka bluajnë mendjet ma të ndritura të bashkgjakasve të vet, (edhe të atyre jashtë atdheut-F.Sh) si e shohin dhe si e paraqesin në pëlhurnat e tyre botën piktorët tonë, me çfarë tingujsh tregojnë valavitjet shpirtënore të veta muzikantët shqiptarë, d.m.th., ai që kurrë s’kapë në dorë nji libër shqip nuk soditë me andje nji piksim dalë nga nji dorë shqiptare, as nuk shuan mallet e veta në melodi ku shfrejnë mullajt e zemrës së madhe të Kombit…”(Ernest Koliqi, revista “Shejzat”). 

Në të parin çerek të shekullit XXI, Shqipëria, Kosova dhe autoritetet përkatëse në këta dy shtete shqiptare duhet të promovojnë dhe të konsolidojnë një shoqëri gjithëpërfshirse, pa dallime politike, ideologjike, krahinore e të tjera, duke përfshir edhe forcimin tepër të nevojshëm të lidhjeve me diasporën e vjetër dhe të re shqiptare. 

Fatkeqësisht, këto lidhje sot nuk ekzistojnë me shtetin amë, ashtu siç duhej të ekzistonin. Ky është, në përgjithsi, edhe një prej mesazheve kryesore i librit më të ri të autorit Thanas Gjika, titulluar: “Ecja Drejt së Djathtës – Dëshmi Morale dhe Mençurie” — një përmbledhje artikujsh studimorë dhe publistikë të autorit dhe të disa kontribuesve të tjerë nga diaspora shqiptare, sidomos diaspora shqiptaro-amerikane. Me pikësynimin për dënimin, më në fund, të krimeve të komunizmit në Shqipëri, për përballimin me të kaluarën komuniste dhe për nevojën e ecjes drejt së djathtës së shëndoshë. 

Mjaft më me ndarje e përçarje, në baza ideologjike, midis shqiptarëve, brenda dhe jashtë atdheut! Shqiptarët, një grusht njerëz, brenda dhe jasht trojeve shqiptare, kanë nevojë për unitet — për një strategji mbarëkombëtare – duke përfshirë edhe ata që megjithse larg vendlindjes, përpiqen të japin kontributin e tyre ndaj historisë dhe kulturës së përbashkët mbarëkombëtare, pa marrë parsysh se ku jetojnë aktualisht, por të cilët, me gjithë zemër e shpirt, punojnë dhe shkruajnë për një letërsi të përbashkët kombëtare dhe veprojnë për një atdhe të vetëm!

May be an image of 1 person

                                           Autori Thanas Gjika

                                        Ballina e librit më të ri të autorit Thanas L. Gjika

Filed Under: Politike Tagged With: Ecja Djathtas, Frank shkreli, Thanas Gjika

VISAR ZHITI: POEZIA DREJT BURGUT

July 22, 2021 by dgreca

C:\Users\User\Desktop\Liviu_antonesei_foto.jpeg

LIVIU ANTONESEI (1953)/

shkrimtar, studiues, publicist, politikan demokrat, profesor pranë Universitetit të Iasi-it. Autor i dhjetra librave me poezi, prozë, ese dhe studime shkencore. Personalitet i shquar publik i Rumanisë së sotme./

VISAR ZHITI: POEZIA DREJT BURGUT

Nga Liviu Antonesei

Pas botimime së fundmi në Rumani të dy librave të shkrimtarit Visar Zhitit, atë me poezi  “Flatra e mundur (“Aripa Franta”) dhe romanit “Funerali i pafundmë” (“Cortegiul de sfarsit”), përkthime të shkëlqyera të Dr. Luan Topçiut, sipas kritikës rumune, vazhdon jehona e tyre në median e shkruar dhe atë elektroike të Rumanisë.

Sapo ka dalë një artikull nga Liviu Antonesei, i cila ka patur dhe shumë komente vlerësuesi në Rumani . 

C:\Users\User\Downloads\IMG_9349.jpg
C:\Users\User\Downloads\IMG_9353.jpg
C:\Users\User\Downloads\IMG_9351.jpg

Befasi? Një poet shumë i madh nga Shqipëria, i cili vuajti jashtëzakonisht shumë për shkak të poezisë së tij. Apo ndoshta është më mirë të thuash për poezinë e tij dhe për poezinë në përgjithësi.

Falë një dhurate me libra që më bëri kritiku, historiani i letërsisë dhe përkthyesi Luan Topciu, fillova të hyj në kontakt me veprën e shkrimtarit të madh bashkëkohor shqiptar Visar Zhiti, poet, tregimtar, romancier dhe eseist. 

Kam lexuar deri më tani një antologji të shkëlqyeshme poetike, “Flatra e Thyer”, përkthyer nga Luani, dhe romanin mahnitës, botuar së fundmi, “Funerali i pafundmë”, me të njëjtin përkthyes. 

Ndërsa shkrimtarët rumunë kanë tendencë të kenë komplekse epërsie ndaj letërsive që i konsiderojnë më të vogla, unë i këshilloj ata të bëjnë një kurë modestie duke lexuar së bashku me Kadarenë dhe Thanas Medin, këtë shkrimtar të madh, emrin e të cilit ndoshta nuk e kanë dëgjuar akoma.

Para se të bëhej shkrimtar i madh i sotëm, autor i rreth 30 vëllimeve, i përkthyer në shumë vende, fitues i çmimeve të shumta letrare shqiptare dhe ndërkombëtare, Visar Zhiti kaloi nëpër disa sprova për të cilat cilësori kafkian është shumë i butë. Ai kishte botuar poezi në revista që kur ishte student, kështu që në vitin 1979 ai paraqiti në shtëpinë botuese atë që do të ishte vëllimi i tij debutues. Thjesht redaktorëve nuk u pëlqen libri dhe bëjnë një raport refuzimi për shkak të zymtësisë në to, poezive pesimiste. 

Gjërat mund të ishin ndalur këtu, por ato nuk u ndalën, sepse redaktorët “vigjilentë” dërguan raportin në Komitetin Qendror të Partisë së vetme, dhe poeti u arrestua, u gjykua në vitin 1980 dhe u dënua me dhjetë vjet burg politik. Vërejtjet në letër u shndërruan në “poet dekadent dhe armik i popullit“. Nga dy poezitë që po botoj, njëra shoqërohet në dosjen e çështjes me nënvizimin: “një metaforë kundër diktatorit Enver Hoxha“, mendoj se është hera e parë që konstatoj se gjykatat mund të merren, të paktën në Shqipëri, me analiza poetiko-stilistike ! Pas tetë vjet burgimi, Visar Zhiti lirohet dhe punon gati tre vjet si një punëtor fabrike.

Pothuajse çdokënd një përvojë e tillë, aq më keq e gjatë, pa marrë parasysh sa e vështirë, do ta kishte shtypur, por jo Visar Zhitin, i cili duket se ka dalë i fuqizuar, duke i dhënë Nietzsche-s të drejtë  – ajo e cila nuk të vret, të bën më të fortë. 

Menjëherë pas rënies së regjimit komunist, punoi në shtypin opozitar, drejtoi një shtëpi botuese, ishte parlamentar, Ministër i Kulturës dhe diplomat i vendit të tij në Itali, Vatikan dhe Shtetet e Bashkuara. Dhe mbi të gjitha, ai ka botuar rreth 30 libra, siç thashë më parë. 

Ja, dy nga poezitë, njër që e çoi në burg dhe tjetra poezi nga burgu, por do të kthehem, në botimet e ardhshme dhe me poezi të tjera nga burgu, për dashurinë ose për tema të tjera. Do të shihni që koha dhe përvoja nuk kanë ndryshuar asgjë thelbësore në krijimin e tij, formula është zbuluar që nga koha e poezive të para.

Visar Zhiti

SFINKSI

I tmerrshmi sfinks me krifa muzgu

qëndron i zymtë mbi shkretëtirën.

Madhështia e tij e rëndë prej guri

e bëri, ah, të palëvizshëm!

Luanët bredhin nëpër pyje

në shpella ere dhe në shira,

por sfinksin nën rërë yjesh

e torturon madhështia.

Mishin pa fund të skllevërve

e bënë kthetra sfinksash pompozë.

Shkretëtira tund në apogje

të tmerrshmen madhështinë e kotë.

MOLLA E DËNIMIT

Nën këmbë

më hapet dita si një humnerë e madhe.

Me se ta mbush që të dal në ditën tjetër?

Me qindra herë hedh veten time

dhe shkel mbi veten.

Oh, si po shkretohem!

Mbeta pa ngrohtësinë e fjalëve njerëzore

si pa zjarrin.

Gjithë ditën e ditës i zbathur

eci, eci unë

dhe s’shkoj asgjëkund.

Nën këmbët e mia s’ka fare rrugë.

Askush këtu s’më thotë “mirëmëngjesi”,

por më përplasin një fshesë

që të fshij dyshemenë

e fatkeqësisë sime.

Kurse unë si i marrë ulërij në heshtje:

tungjatjeta, Botë!

Dhe në më ke harruar,

s’të kam harruar.

Ballë për ballë u gjenda me një Mollë

e si të mos jem i gëzuar?

Molla,

Molla, 

Molla

që e zbriti në tokë dashurinë e Adamit

dhe Evës nga marramendthi qiellor

prej parajse.

Ra nga dega

dhe na tregoi tërheqjen universale.

Molla,

e kuqe si buzët e puthura,

ç’enigma ka brenda, ç’joshje

që s’i mposht dot

as lufta?

Molla –

ëndërr e kapshme mbi kokat e njerëzve.

Edhe Mollët i arrestojnë!…

Kur të marrin në dhomat e hetue… zisë,

bërtet hetuesi (hutuesi): Ti, ti, t-i-i-i,

ke lexuar librin “Molla” nga Jevtushenko.

– Jo, – them unë.

– Ne kemi prova 

                      që i ke përkthyer ca vjersha,

– Jo! – gënjej unë.

Gjithë natën më lënë në këmbë në një qoshe.

Mbi fytyrë më përplasin tymin e cigareve

që e vjellin nga goja –

Tym i luftës civile,

nga ç ‘shpirt del kështu 

                            apo nga gërmadhat tona?

Ç’të bëj? Mblidhem në vetvete

si Molla që fshihet pas gjetheve.

Se do ruajtur fara

që është brenda.

Duhet shpëtuar fjala

duhet shpëtuar kënga

deri sa gropat e ditëve të mbillen me mollë.

Le të na i pushkatojnë ballet,

gjaku ynë do të hedhë rrënjë

dhe do të lulëzojë…

*  *  *

Shkrimi është përkthyer nga Dr. Luan Topçiu. Arritjet dhe sukseset e shkrimtarit Visar Zhiti janë dhe sukses i letërsisë së sotme shqipe, tani e lirë, e pasuruar me atë letërsi martire që erdhi nga burgjet dhe internimet, që solli të vërteta të mëdha dhe atë moral që i duhet çdo letërsie.

i

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: Liviu Antonesei, VISAR ZHITI: POEZIA DREJT BURGUT

Në GJND para 11 viteve: Kosova fituese përballë Serbisë

July 22, 2021 by s p

Kalandar-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 22 Korrik 2021/ Para 11 vitesh, në 22 Korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës  së Pavrësisë së Kosovës  në 17 Shkurt 2008  “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”.

“Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikushme të së drejtës ndërkombëtare”, theksohej më tej.

Atëherë, para 11 vitesh, ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, e cilësonte vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si “të qartë” dhe që “nuk lë vend për dyshime”, se pavarësia e Kosovës është bërë në përputhje me të drejtën ndrëkombëtare.

“Gjykata konstatoi, me shumicë dërmuese, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Mendimi i Gjykatës është eksplicit dhe i qartë, dhe nuk lë vend për dyshim”, thuhej në deklaratën e ministrit Hyseni, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur në favor të Kosovës në të gjitha pikat”, vazhdonte më tej deklarata.

“Tani presim njohje të mëtejme të Kosovës. U bëjmë thirrje shteteve që e kanë shtyrë njohjen e Republikës së Kosovës në pritje të Mendimit të Gjykatës, që tani të vendosin për njohjen (e Kosovës)”, thuhej në deklaratën e ministrit të Jashtëm të Kosovës.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë u dha pas një ankese që Serbia i kishte dërguar kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Filed Under: Histori Tagged With: GJND, kosova, pavaresia

Tre filma nga Kosova në Festivalin Ndërkombëtar të Sarajevës

July 22, 2021 by s p

-Në kërkim të Venerës, Luaneshet e Kodrës dhe Pa vend në Festivalin Ndërkombëtar të Sarajevës/ 


PRISHTINË, 22 Korrik 2021-Gazeta DIELLI – Behlul Jashari/ Tre filmat nga Kosova, ‘Në kërkim të Venerës’ me regji nga Norika Sefa, ‘Luaneshat e Kodrës’ me regji nga Luana Bajrami dhe ‘Pa vend’ me regji nga Samir Karahoda, do të jenë pjesë e konkurencës zyrtare të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Sarajevës.


‘Në kërkim të Venerës’ kishte premierën në Rotetardam ku fitoi çmimin Special të Jurisë; ndërsa ‘Luaneshat e Kodrës’ dhe ‘Pa vend’ ishin filmat e parë nga Kosova që shfaqën premierat në Festivalin e Kanës, në programin ‘Director’s Fortnight’ dhe në kategorinë kryesore.


Kjo do të jetë prezencë e madhe e filmbërësve tanë, ku vitin e kaluar Kosova rrëmbeu zemrën e Sarajevës me filmin ‘Exil’ të regjisorit Visar Morina.
Tre filmat janë mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës. 

Filed Under: Kulture Tagged With: Festivali i filmit, kosova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT