• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2021

RRËFIMI I NDREC GJERGJIT

July 11, 2021 by dgreca

-DEPARTAMENTI AMERIKAN I SHTETIT I OFROI MBËSHTETJE MBRETIT LEKA NËSE HIQTE DORË NGA KOSOVA…/

NGA DALIP GRECA*/

       Ndrec  Gjergji (Nikolla) është një ndër përfaqësuesit më besnik të mbretërorëve shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i fundmi i brezit të vet. Jeta e tij në Shqipëri kishte kaluar përmes përballjes së vështirë me diktaturën komuniste, ishte 11 vjeç kur e internuan në kampin e vdekjes në Tepelenë, ndërkohë që 9 pjestarë të familjes u ekzekutuan, ndër ta edhe babai i tij…

          Ishte fare i ri, 25 vjeçar, kur e votuan për të udhëhequr degën e Legalistëve në Bruksel, por ai me modesti nuk e pranoi pozicionin e kryetarit, duke mbetur sekretar i Legalistëve. Për shumë vite ishte pjesë e Komitetit Qëndror të Lëvizjes së Legalitetit, ndërkohë që për gati dy dekada mbajti postin e sekretarit administrativ.Kur Mbreti Leka vizitonte Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ndreca ishte badigardi i tij besnik.Ishte i pranishëm kur departamenti i shtetit e kontaktoi më 1990 dhe i ofroi mbështetje për ta dërguar në Shqipëri Mbretin Leka, nëse hiqte dorë nga Kosova…

Dëshmia për vdekjen e Mbretit Zog, rrëfimi për çastet e mbrame të heroi të 7 prillit gjeneral Abaz Kupit dhe ngjarje të tjera të diasporës shqiptare. 

Rrëfimi për të parën herë- si Ndreca shpëtoi bashkatdhetarin dibran të kërcënuar nga vjedhësi afrikano-amerikan, të cilin e asgjësoi dhe pas 12 ditësh përfitoi pafajsinë…dhe se si i asgjësoi dy grabitës të rrezikshëm, që e sulmuan atë vetë i shtatë në shtëpinë e një bashkatdhetari…Gazeta The New York Times për Ndrec Gjergjin,- trim e besnik…Ndiqeni rrëfimin që ai dha për gazetën”Dielli”.

11 VJEÇ NË KAMPIN E INTERNIMIT NË TEPELENË

Ndrec Gjergji u lind në fshatin Mali i Bardhë të Kurbinit, Shqipëri në prill 1935. Dera e Nikollë Ndreut shquhej për qëndrim kombëtar përgjatë të gjithë historisë, që nga koha e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Në kohët e reja familja Ndreu- Qypi u lidh ngushtësisht me Monarkistët, që kur Mbreti Zog u kërkoi fiseve të Kurbinit që të dërgonin djemtë për t’i shkolluar në kurset speciale të përgatitjes për ushtarakë. Gjyshi i Ndrecës, dërgoi, Gjon Nikollë Qypin, axhën e Ndrecës. Që në atë moment iu dha besa mbretit, besë që e vijon edhe sot. Axha i Ndrecës doli nga shkolla ushtarake me gradën nëntoger, më pas u gradua kapiten. Gjatë Luftës së II Botërore familja u përpoq që të ruante asnjanësinë, me përjashtim të axhës Gjon, që u rreshtua me nacionalistët dhe shkoi të luftonte në Kosovë, në mbrojtje të shqiptarëve të Kosovës, ku ishte radhitur në radhët e batalionit”Scanderbeg”. Ai mbeti i vrarë në luftime në rrethinat e Pejës gjatë vitit 1944, atje u varros dhe sot nuk i dihet varri.

Megjithë asnjanësinë e tyre gjatë luftës, fisi i Ndrecës shihej me dyshim nga sunduesit e rinj komunistë. Ata mbetën qysh në krye të herës të vëzhguar e të dyshuar nga pushtetarët e rinj. Kur luftëtarët, ata që thirreshin nga Sigurimi”diversantët” trokitën në derën Nikollëve për besë e bukë, nuk u refuzuan. Komunistët u kërkuan që t’i dorëzonin, por ata nuk i prenë në besë dhe pranuan pasojat që erdhën pas konfliktimit me pushtetin. Në vitin 1949 Gjergj Nikolla me pesë djem të shtëpisë Qypi, braktis shtëpinë dhe u ngjitën në mal për t’mos u kthyer më aty. Krijohet kështu çeta antikomuniste e përbërë nga pjesëtarë të një fisi:  Gjergj Nikolla, Bardhok Ndreu, Ndue Lala, Zef Gjergji, Pal Lala, Pjeter Lala dhe Marka Gjoni.Masa e parë që mori sigurimi ishte internimi i pjestarëve të tjerë të familjes, rreth 16 vetë. Fillisht në Berat e më pas në Tepelenë.

Ndëshkimi ishte i pamëshirshëm: Babai i Ndrecës mbeti i vrarë nga forcat e ndjekjes; axha po ashtu, gjyshi Nikollë Ndreu vdiq në burgun e Tiranës…Ndreca fëmijë nisi të endej së bashku me familjen nëpër kampet e internimit; në fillim në Berat, pastaj në Tepelenë. Ishte vetëm 11 vjeç, por vuajtjet e atij kampi shfarosës ai nuk mund t’i shlyej nga kujtesa as sot në moshën 86 vjeçare. Gratë dhe burrat shkonin në mal dhe ngarkoheshin me dru, ndërsa fëmijët e pambrojtur, i korrte kosa e vdekjes nga jeta mizerabël dhe ushqimi i pamjaftushëm, dhe së shumti ballgur me krimba. Më 1951 e liruan nga kampi i Tepelenës sipas një aministie të qeverisë komuniste për fëmijët  nën 14 vjeç. U kthye sërish në Malin e Bardhë së bashku me vëllanë e vogël Lekën dhe kushëririn Kolë. U strehuan tek pjesa e mbetur e familjes.

             ***

Pjestarët e familjes Qypi të vrarë nga diktatura komuniste:

Gjergj Nikolla, vrarë me 5 maj 1952

Prend Gjergji, vrarë me 24 korrik 1948

Zef Gjergji, vrarë me 20 qershor 1951

Marka Gjoni, vrarë me 20 qershor 1951

Kole Gjoni, vrarë me 10 nëntor 1951

Jak Mark Lala, vrarë me 10 nëntor 1951

Pjetër Llesh Lala, vrarë me 5 maj 1952

Mark Preng Ndreca, vrarë në tetor 1947

Nikollë Ndreu, vdes në moshën 84 vjeçare në burgun e Tiranës.

ARRATISJA NË MAQEDONI

Ndërsa regjimi komunist ashpërsonte masat represive ndaj familjeve antikomuniste, këyre nuk u kishte mbetë gjë tjetër veçse arratisja. U hartua plani dhe Ndreca u gjend në një grup prej 12 vetash, që udhëhiqej nga Ibrahim Bami, kundërshtar i komunistëve, ndërkohë që shtigjeve u printe Pjetër Nikolla, që ishte njohës i mirë i terrenit. Ai u jepte kurajo. Ndreca sapo i kishte mbushë 16 vjeç, por ndjehej njësoj si të rriturit, plot kuarajo. U dorëzuan në postën më të afërt në kufirin maqedon. Për 3 ditë qëndruan në Gostivar.Më pas i trasferuan në Shkup, ku qëndruan tri javë. Pas intervistave të gjata, u pranuan si refugjatë politik dhe si të atillë i trajtuan. Pas 3 javësh kërkuan që të shkonin në Prizren, ku ishte vendosur kushëriri, Bardhok Ndreu Qypi, që ishte arratisur një vit para tyre.Ua dhanë lejen. Ndreca u lejua që të vazhdonte shkollën në Prizren. E mbaroi me rezultate të mira arsimin 8 vjeçar. Ai kujton jetën e vështirë nën vëzhgimin e organeve policore jugosllave. Kur paraqitën kërkesën për të shkuar në perëndim, i trasferuan në kampin e Gerovës, ku kushtetet e jetesës ishin tepër të vështira. Ish Jugosllavia merrte fonde të mëdha nga Perëndimi për refugjatët politik, natyrisht që pjesën më të madhe i përfitonte shteti, ndërsa refugjatëve u jepej sa për të mbajtur shpirtin gjallë. Ndreca qëndroi dy vjet në kampin e Gerovës. Bashkë me të ishte edhe kushëriri Bardhoku, me të cilin nuk u nda, ishin bashkë edhe në Paris, në Bruksel, e New York, bashkë deri në fund të jetës. Nga Gerova udhëtuan drejt Parisit në fillim të vitit 1956. Jeta e refugjatit politik në Paris ishte tepër e vështirë. Duke qenë të pakualifikuar, i dërgonin në punë të rëndomta që kërkonin lodhje fizike. Ndreca filloi punë në një fabrikë të madhe druri, ku punonin më shumë se 400 punëtorë. Qeratë e banesave ishin tepër të larta për buxhetin e varfër të refugjatëve si Ndreca e Bradhoku. Ndreca kujton se dhe racizmi ishte shumë i theksuar ato kohë në Francë, veçanërisht në Paris.Të huajt në përgjithësi nuk shiheshin me sy të mirë. Nuk kishin besim t’u jepnin banesa me qera. Në këto kushte vendosën ta lëshonin Parisin dhe të udhëtonin drejt Brukselit, në Belgjikë. 

NË BRUKSEL ZGJIDHET SEKRETAR I DEGËS MË TË MADHE TË LEGALISTËVE

Me strukturat e Organizatës së Lëvizjes së Legalitetit, Ndreca ra në kontakt sapo shkoi në Francë. Ai u përfshi në radhët e Legalistëve qysh në krye të herës. Organizata kishte në krye Hajdar Tonuzin, një legalist besnik me të cilin Ndreca do të ribashkohej në ShBA dhe do të punonin bashkë për shumë vite.Kur shkoi në Bruksel u vu në kontakte me degën e Lëvizjes së Legalitetit, e cila ishte ndër më të fuqishmet e kohës. Dega e Brukselit drejtohej nga kryetari Ibrahim Bami dhe sekretar Rexhep Kumbarçe. Ndër ngjarjet që përjetoi në Bruksel, Ndreca kujton përjetimin e dhimbshëm të vdekjes së Mbretit Zog me 9 qershor 1961. Legalistët e Brukselit pajtuan një autobuz dhe udhëtuan drejt Parisit. Ishte një humbje e madhe, jo vetëm për legalistët.Ndrec Gjergji kujton homazhet në sallën e madhe të spitalit, ku ishte vendosë trupi i pajetë i Mbretit, sallë që e kishte vënë në dispozicion spitali Foche, ku ai kishte mbyllë sytë.Shërbimet funerale kishin nisë me 10 prill. Shqiptarët parakalonin kryeulët para arkivolit me xhama dhe lotonin. Me 11 prill , në orën 13.00 nisi ceremonia e varrimit. Arkivoli mbahej mbi supet e shqiptarëve, ai ishte mbuluar me Flamurin kombëtar, ndërsa mbi stemën Mbrteëore, lexoheshin qartazi me germa të arta fjalët që Mbreti i kishte pasë aq për zemër ”Atdheu mbi të gjitha”. Me një kortezh madhështor trupi i pajetë u përcoll në varrezat”Thiais Parisien”. Aty do të qëndronin eshtrat e Mbretit të Shqiptarëve deri më 17 nëntor 2012, kur me vendim të Qeverisë Berisha, do të ktheheshin në Shqipëri….

Pas vdekjes së Mbretit nisi riorganizimi i degëve të Legalitetit për të siguruar vazhdimësinë.Shumë shpejt Ndreca ra në sy për seriozitetin e kryerjes së detyrave që i ngarkoheshin, dhe në zgjedhjet e reja, ai e pa veten në krye të të zgjedhurëve, duke siguruar vota më shumë se çdo kandidat tjetër. Në fakt ishte kandidati më i preferuar, që i plotësonte të gjithë kushtet; ishte i ri, vinte nga një familje që jo vetëm ishte përballë me shtetin komunist, por edhe ishte përgjakë me të- Babai ishte vrarë në rrethim të pazakontë nga forcat e ndjekjes dhe ushtria, gjyshi i dënuar me burgim të përjetshëm kishte vdekë në burgun e Tiranës, axha i vrarë…Ai kujton se ishin 80 delegatë që votuan dhe emri i Ndrecës qëndroi në krye të të propozuarëve për drejtimin e degës. Ishte viti 1961. Ishte 25 vjeç. Iu duk herët për të marrë drejtimin e degës dhe u kërkoi delegatëve të bënin paktin e mirëkuptimit: Kryetari të mos përcaktohej nga numri i votave që kishte marrë, por të vendosej me mirëkuptim nga kryesia e zgjedhur. Dhe ashtu u bë. Ndreca i kërkoi Vehap Shehut,një antikomunist i njohur prej Lume, që me vota ishte renditë i dyti, që ai ta merrte postin e kryetarit, pasi vetë ai ishte i ri dhe pa përvojë; pranë tij do të mësonte më shumë. Në kryesinë e degës ishte përfshirë edhe studenti Idriz Basha, ai pranoi detyrën e zv/kryetarit të degës. Në postin e sekretarit të degës Ndreca punoi pa u lodhur. 

    Ndreca me aktivitetin e tij kishte fituar admirim edhe në strukturat e larta të Lëvizjes së Legalitetit. Në Bruksel, pas riorganizimit të degës, kishte shkuar nga Nju Jorku, sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes së Legalitetit, Dr.Nuçi Kota. Ai ishte njohur me punën shumë të mirë të Ndrecës dhe kur ishte kthyer në qendër e kishte propozuar anëtar të Komitetit Qendror.

     Sigurimi i shtetit shqiptar është përpjekur që të depërtojë përmes agjentëve të kamufluar në radhët e Legalitetit. Një ndër ata ishte edhe Isuf (Cufe) Mullaj, historitë e të cilit Sigurimi i ka “shitur” si heroizëm të rrallë. Në fakt Cufja ka shkuar në Bruksel para Ndrecës. Madje ishte sekretar i degës, që kryesohej nga Ibrahim Bami. Edhe në vitin 1961, kur Ndreca u zgjodh sekretar, Cufja ishte pjesë e kryesisë.Përveç Cufes, Sigurimi kishte depërtuar në radhët e degës së Brukselit edhe me agjentin tjetër, Anton Konomi, edhe ai kishte arritur të anëtarësohej në radhët e Legalitetitt. Cufe Mullaj tregohej aktiv, përpiqej të binte në sy për gjithçka,jo vetëm në veprimtaritë e degës, por edhe në ato të Qendrës, kur ai u bë pjesë e Komitetit Qendror të Organizatës Lëvizja e Legalitetit. Në festat e Flamurit apo aktivitetet e tjera merrte përsipër detyra. Kur i jepej rasti e shante Enver Hoxhën më shumë se kushdo, për t’u hequr si antikomunist e për të fituar më shumë besim. Cufja tregohej i gatshëm për të ndihmuar anëtarët e degës, duke iu gjendur pranë në çdo rast, tregohej i gatshëm kur mbarteshin nga njera shtëpi në tjetrën, ai pa u lodhur ngarkonte shkarkonte orenditë, në raste gëzimesh apo fatkeqësish, paraqitej për ndihmë. Në këtë mënyrë kishte bërë për vete simpatizues të shumtë, por dikur ra në sy, dhe do të kishte përfunduar keq nëse nuk do ta kishte kuptuar kurthin, që iu ngrit. Gjithësesi Ndreca, kishte ikur nga Brukseli, kur Cufja me ndihmën e Sigurimit, arriti të kthehej në Shqipër me 7 nëntor 1964. Atë kohë Ndreca ndodhej në Nju Jork, kishte emigruar në SHBA në mes të vitit 1963 me garanci të Kishës dhe Komitetit Shqipëria e Lirë. 

PRANË GJENERAL ABAZ KUPIT, HEROIT TË 7 PRILLIT 

Ndrec Gjergji së bashku me kushëririn e tij Bardhokun pasi lanë Brukselin u vendosën në Nju Jork, ku jetonin një pjesë e konsiderueshme e legalistëve. Ndërsa kushëriri, Bardhoku nisi punën si argjendpunues në një argjendari,Ndreca u punësua në Picerinë e Ramiz Danit, shoqëruesit besnik të Abaz Kupit, që nga lufta e derisa mbylli sytë. Heroi i 7 prillit jetonte pranë Ramiz Danit së bashku me të birin, Rustemin. 

Ndreca ndjehet me fat se sapo erdhi në Nju Jork, e derisa mbylli sytë Abaz Kupi, ai ka pasë fatin që të ndodhej pranë tij dhe t’i shërbente në restorant.Shërbimi ndaj heroit të 7 prillit, i jepte një kënaqësi të veçantë.Kujton se Abazi kishte orarin e tij të veprimeve: Nga ora 10 e mëngjesit dilte për një shëtitje 2 orëshe në parkun aty pranë, në Kew Garden. Ecte përgjatë parkut,ulej, ecte sërish derisa shkonte ora 12 e drekës. Në orën 12 fiks kthehej në restorant. I ofrohej një gotë uiski derisa i bëhej gati dreka. Pushonte në dhomën e tij për rreth 2 orë dhe pasdite diltë sërish për një shëtitje në park.Njerëzit që e rrethonin përpiqeshin t’i shërbenin me dashuri dhe të mos i mungonte asgjë. Për 24 orë ishte i rrethuar nga njerëz që e donin dhe respektonin. Asgjë nuk i mungonte. Edhe vetë zonja e tij, Havaja po të ishte pranë tij nuk do të mund t’ia bënte atë shërbim,- arsyeton Ndreca.

Ai kujton se në biseda mes miqësh, Abaz Kupi, fliste me hidhërim për gjendjen e popullit shqiptar nën diktaturën e Enver Hoxhës.Natyrisht kishte atje dhe familjen, gruan, vajzat dhe djalin,Bardhin, që vuanin në kampet e internimit dhe burgje. Ka pasë raste që edhe shpërthente: Çfarë ka bërë Havaja ime, që e mbajnë në kampet e internimit? Po vajzat? Po djali?… ai regjim me dhunë jeton dhe nga dhuna do të bjerë, do të hajë veten. Abaz Kupi besonte se një ditë regjimi komunist në Shqipëri do të binte, por ishte plotësisht i bindur se ai vetë, nuk do t’ia arrinte…kishte bindjen se komunizmi në Shqipëri do të binte si strategji ndërkombëtare.

 Kohën pranë Abaz Kupit, Ndreca e kujton me nostalgji. Ai sjell ndërmend edhe fundin e heroit. Sëmundja iu shfaq aty nga fundi i dhjetorit 1975. Qëndroi për dy javë në spital në Long Island.Kishte dhimbje të forta dhe po humbte kontrollin. Ekzaminimi i mjekëve arriti në përfundim se gjendja ishte e rëndë. Duhej operua me urgjencë për shkak të problemeve të aortës, por garancitë e jetës ishin fare të pakta, risku ishte i lartë, 94 përqind nuk mund të shpëtonte. Shpresat qëndronin vetëm në një 6 përqindësh. U pyet familja; djemtë Petriti e Rustemi si dhe Ramiz Dani. Ata vendosën që të kryhej operacioni sepse ai nuk mund të shpëtonte pa e kryer operacionin.Fatkeqsisht nuk i mbijetoi ndërhyrjes.U shua në spital me 9 Janar 1976.

Për Ndrec Gjergjin, ikja e Abaz Kupit, ishte një humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për nacionalizmin shqiptar.U shua një simbol që i kishte shërbyer me devotshmëri Kombit të vet.Abaz Kupi ishte shpresë jo vetëm për Legalistët por edhe për të gjithë nacionalizmin antikomunist.Përcjellja e heroit ka qenë madhështore. Ndreca ishte pjesë e komisionit të ceremonive. Shërbimet funerale kanë zgjatë për tri ditë. Shqiptarët kishin udhëtuar nga Europa, Kanadaja dhe shtetet e Amerikës së veriut për t’i dhënë lamtumirën heroit. Erdhën përfaqësues zyratar edhe nga Anglia, të dërguar nga Julian Amery dhe David Smiley,që kishin qëndruar e luftuar pranë shtabit të Abas Kupit në vitet e Luftës së Dytë Botërore.Ngushëlloi dhe mori pjesë në ceremonitë mortore edhe z. Alexander Macmillan,i biri i ish Kryeministrit të Anglisë, i cili udhëtoi nga Londra, enkas për këtë rast.Shtëpia mortore në 81 street dhe Madison Avenue në Manhattan, nuk kishte përjetuar në historinë e saj aq shumë vizitorë. Më shumë se 100 kurora me lule sollën shqiptarët.Të gjithë shqiptarët e ndershëm e qanë dhe e nderuan Abaz Kupin.Ceremonia e varrimit u krye me 14 Janar. Në varrimin e tij mori pjesë dhe Mbreti Leka, i cili udhëtoi nga Madridi së bashku me Ministrin e atëhershëm të Oborrit Avokat Selim Damani. Shërbimet fetare i udhëhoqën dy imamë të xhamisë dhe dy klerikët e tjerë, Babai i Teqesë së Detroit-it dhe prifti katolik Dom Zef Oroshi.Të katër klerikët bënë lutje dhe vlerësuan shpirtin kombëtar të Heroit.

Abaz Kupi, edhe pas vdekjes, ka qenë dhe mbetet figurë bashkuse për Legalitetin dhe Komunitetin shqiptar.Çdo vit tek varri i tij janë bashkuar me Legalitetin dhe kanë nderuar veprën e Gjeneral Abaz Kupit. Meritë për këtë, përveç Legalitetit, kanë familjet Kupi, Dani dhe familja e Ndrecës. Edhe gjatë këtij viti të pandemisë riti përkujtimor u krye pranë varrit në masa kufizuese.

SEKRETAR ADMINISTRATIV PËR DY DEKADA

        Kur erdhi në New York më 1964 Ndreca u përfshi aktivisht në veprimtaritë e Lëvizjes së Legalitetit. Jeta politike në New York ishte shumë e gjallë. Këtu ishte qendra e organizatës. Dilte edhe gazeta”Atdheu”. Atë kohë Organizata Lëvizja e Legalitetit udhëhiqej nga Dr.Nuçi Kote dhe zëvendës i tij avokat Selim Damani, ndërkohë që Faik Bukmiri ishte sekretari administrativ. Kur Faiku u sëmur, fakeqsisht ndërro jetë, u thirr Ndreca që ta zëvendësonte. Fillimisht e kundërshtoi me logjikën se nuk kishte arsimin e duhur që e kërkonte ai pozicion, pasi kishte shumë ngarkesë dhe kërkonte dije. Faik Bukmiri i kishte të gjitha cilësitë që kërkonte ai pozicion, kishte kryer Akademi Ushtrake në Itali, kishte kulturë e dije, prandaj duhej kërkuar një person i atij niveli, por argumentet e tij nuk u morën në konsideratë. I thanë se do ta kryente përkohësisht këtë detyrë për një vit, deri sa të vinte kongresi i radhës. Dhe ai nuk tha”Jo”. I hyri punës dhe bashkoi vullnetin me ndërshmërinë dhe ia arriti. Kur u zhvillua Kongresi puna e tij u vlerësua pozitivisht dhe e lanë sërish në atë detyrë edhe për dy vjet të tjera deri në kongresin e ardhshëm. Kështu nga kongresi në kongres ai mbeti në atë detyrë për 18 vjet. Detyra e sekretarit administrativ kishte ngarkesë të madhe; përmblidhte të gjitha punët administrative; mbajtjen e dokumentacionit të qendrës dhe të degëve dhe arshivimi, zbardhja e procesverbaleve të mbledhjeve, vendimeve, mbajtja e lidhjeve me degët në SHBA, Kanada dhe Evropë,- në kohën e tij- ishin 19 degë; mbajtja e lidhjeve me organizatat e komunitetit, veçanërisht me Vatrën, shpesh herë i ngarkohej dhe arka, depozitimet në Bankë etj…Ndreca kujton se degët më të fuqishme  të Legalitetit në kohën kur ai mbante pozicionin e sekretarit administrativ ishin: Dega e New Yorkut, Dega e Francës, ajo e Brukselit, dy degët në Kanada;Toronto dhe Peterborough, dega e Detroitit, Waterbury etj.Këto degë jepnin dhe kontribute të mëdha financiare. Legaliteti ishte Partia më e fuqishme dhe më e organizuar në të gjithë emigracionin politik shqiptar, jo vetëm pse kishte degë që e ushqenin me anëtarësi e finaca por kishte edhe gazetën e saj të rregullt”Atdheu”, kishte Radion”Zëri i Atdheut”, kishte zyrat në Manhattan, në 51 Street dhe 8 Avenue etj.Ndreca ka punuar me tre drejtues të Legalitetit: Dr. Nuçi Kota, Avokat Selim Damani dhe Dr. Fuat Myftia.Me të gjithë ka shkuar mirë.

KUR LEGALITETI VËRSHOI NË VATËR….

Legaliteti është Partia Politike që me orientim të Mbretit Zog u anëtarësua në Vatër. Ndreca kujton se urdhëri ishte dhënë që kur ishte gjallë Mbreti. Kristo Thanas dhe Anthony Athanas kishin shkuar tek Mbreti Zog për t’i kërkuar ndihmë, ai ishte treguar i gatshëm dhe kishte këshilluar Legalistët e Amerikës dhe Kanadasë që të mos e linin Vatrën të shuhej por të bëheshin pjesë e Federatës për ta shpëtuar atë nga lufta që i bënte Tirana komuniste përmes Misionit Shqiptar dhe organizatës rivale”Shqipëria e Lirë”, që financohej nga qeveria komuniste së bashku me gazetën e saj”Liria”. Deri në fillim të viteve ’60 Legalistët nuk pranoheshin në Vatër dhe cilësoheshin si armiq, tradhtarë të Atdheut. Sipas disa vatranëve ekstremistë, të ndikuar nga lufta që u bënte nacionalistëve Misioni Shqiptar dhe propaganda që bëhej me të gjithë mjetet, legalistët nuk duhej të lejoheshin t’i afroheshin Vatrës.

Por pas udhëzimit që iu nis të gjitha degëve të Legalitetit në ShBA dhe Kanada, anëtarësimet u bënë masive. Degë të tilla të Vatrës si ajo New York-ut, e Waterbury, Detroit, dy degët e Kanadasë, në New Jersey, etj.,u mbizotëruan nga Legalistët. Personi ndërmjetës mes Legalitetit dhe Vatrës në NY ishte kolonel Xhemal Laçi, i cili punoi fort dhe i dëgjohej fjala në të dy krahët. Propaganda që  bëhej ishte e hapur: Të mos e lëmë Vatrën të bjerë në influencën e komunistëve, ta ruajmë Vatrën nacionaliste dhe antikomuniste. Dhe nga ai moment çdo legalist e konsideronte veten edhe vatran. Vatra nisi ta marrë veten dhe të fuqizohej. 

Ndrecë Gjergji ruan konsiderata të larta për zonjën Nexhmije Zajmi, një nga shtyllat e Vatrës që e ndjente veten pranë nacionalistëve. Për një kohë legalisti Ramiz Dani ishte kryetar i degës më të madhe të Vatrës, asaj të New York & New Jersey, sekretar ishte Zef Pashko Deda, legalist që për disa kohë drejtoi edhe gazetën”Atdheu”, ndërsa nën/kryetare e degës ishte Nexhmije Zajmi. Pas një viti z. Ramiz Dani, u tërhoq dhe propozoi zonjën Nexhmije Zajmi në krye të degës dhe ashtu u bë. Më pas zonja Zajmi u zgjodh nënkryetare e përgjithshme e Vatrës. Edhe legalisti me banim në Kanada, Ibrahim Kulla ka kryer funksionin e nënkryetarit të përgjithshëm të Vatrës për dy mandate.Legalisti Hajdar Tonuzi për shumë vite ka kryer detyrën e arkëtarit të Vatrës, të nën/kryetarit dhe për një vit, pas vdekjes së Peter  Chikos, kreu detyrën e kryetarit. Në vitin 1969, kur Vatra ftoi arbëreshët e Italisë dhe nacionalistët e njohur shqiptar në Itali e Evropë, legalisët luajtën një rol aktiv. Abas Kupi, figura simbol e Legalitetit, ishte në tryezën e nderit.

Ndrec Gjergji ndjehet krenar që jetën ia ka kushtuar kombit të vet duke shërbyer me devocion tek Legaliteti, por edhe tek Vatra.Ai edhe sot vijon të jetë një vatran i përkushtuar dhe i kryen detyrimet ndaj Vatrës, së bashku me një grup legalistësh. Ai është mirënjohës për vlerësimet që i kanë bërë: Kryetari i ndjerë i Vatrës Agim Karagjozi, por edhe  kryetarët e mëpasëm Gjon Buçaj dhe Dritan Mishto, që e kanë vlerësuar kontributin e tij me Mirënjohjen e Vatrës. 

TRIM DHE BURRË I BESËS

Ndrec Gjergji është i njohur në diasporën shqiptare për besnikërinë dhe trimërinë e tij. Për këtë arsye Mbreti Leka e kishte roje personale sa herë vinte në SHBA; me revole në brez dhe pushkën në makinë, tregonte besnikërinë e tij. Kujton se në ’90-tën, kur po pushonin së bashku me Mbretin në Coutyard Hotel(Sot Marriott) pranë aeroportit  La Guardia në New York, sportelisti njofton se dy përfaqësues nga departamenti i shtetit kërkojnë të ngjiten në dhomë. Pas verifikimeve ata u paraqitën.Ishte koha kur Dr. Sali Berisha dhe profesor Gramoz Pashko ishin ftuar në Washington. Ndreca ishte dëshmitar i bisedës, kur Mbretit iu afrua mbështetje dhe rikthim në Shqipëri me kusht që të hiqte dorë nga Kosova, pasi çështja e saj nuk ishte në axhendë për atë kohë. Ndreca dëshmon se e pa Lekën të skuqur në fytyrë dhe i kundërshtoi prerë: Jo, kurrë nuk heq dorë nga Kosova! 

Ka plot ngjarje në komunitet që tregojnë se Ndrc Gjergji ishte trim dhe njeri i besës. Për të ka shkruar edhe gazeta e njohur The New York Times. Po përmendim dy nga shumë ngjarje të tjera: Në ndërtesën ku ai jetonte në vitin 1964, i kërkon ndihmë bashkatdhetari nga Dibra, Isuf Dema, me të cilin jetonte në një ndërtesë. Dema ishte sulmuar në shtëpinë e tij nga një ganster, që e kishte ndjekur kur ishte larguar nga një kafe aty pranë drejt shtëpisë. Gangsteri afrikano-amerikan i ka kërkuar para. Isufi ka nxjerrë aq sa kishte në xhep, 35 dollarë. Por gangsteri ka këmbngulur për të tjera. Kur Isufi i ka thënë se nuk kishte ai e ka sulmuar brutalisht me grushta dhe e ka dëmtuar në fytyrë duke e kërcënuar me thikë. Në një moment Isufi i ka shpëtuar dhe ka kërkuar ndihmën e Ndrecës me telefon. Ky menjëherë shkoi dhe me gishtin në këmbzën e revolverit, i kërkon të hidhte thikën dhe të dorëzohej. Kundërshtari e ka sulmuar Ndrecën me thikë dhe në këto kushte ai e ka vrarë. The New York Times shkroi se shqiptari Ndrec Gjergji vuri në rrezik jetën e tij për të shpëtuar bashkatdhetarin. Policia e arrestoi Ndrecën për 12 ditë, por kur ata e zbuluan se i vrari ishte një vjedhës i rrezikshëm dhe shumë i kërkuar, i sapo dalë nga burgu, e shpallën të pafajshëm Ndrec Gjergjin.

 Një rast tjetër, Ndreca me 7 bashkatdhetarë të vet kishin shkuar vizitë tek një shqiptar tjetër. Kur ata po luanin për qejf të tyre, në mesnatë, sulmohen me armë nga dy afrikano-amerikanë, që kërkojnë t’i plaçkisin brenda shtëpisë. Në një moment të favorshëm, Ndreca nxjerr revolverin dhe i vret të dy, për të mos krijuar problem për të zotin e shtëpisë i largojnë kufomat. Policia i zbulon dhe arreston Ndrecën së bashku me dy bashkatdhetarë të tjerë(PK dhe CM). Kur policia zbulon identitetet e dy vjedhësve të vrarë, persona të rrezikshëm dhe shumë të kërkuar, sërish Ndreca shpallet i pafajshëm…. Gazetat e New York-ut shkruan se shqiptarët eliminuan dy vjedhës të rrezikshëm.

NDRECA, NJË FAMILJAR SHEMBULLOR

Ndrecë Gjergji e krijoi familjen që kur ishte në Bruksel. Atij i rekomanduan një vajzë nga një familje e njohur nacionaliste, familja Mazreku, me origjinë nga Shkodra, por që më pas ishte vendosë në Prizren, vajzë e besimit katolik. Familjen Mazreku e kishte tërheqë nga Prizreni Peshkopi i Shkupit për ta pasë pranë dhe për ta bërë pjesë të komunitetit katolik shqiptar të Shkupit.Nusen, Ndrecës ia rekomanduan profesorët që kishte pasur kur kreu shkollën në Shkup.Ai i pat ruajtë lidhjet me profesorët e dikurshëm. Viktoria ishte nxënëse në të njëtën shkollë, kur kishte studiuar Ndreca.Ishte vështirë për të gjetë një shoqe jete në Mërgim. Kishte pasë raste kur djemte legalistë në moshën e martesës shkonin ne kolonitë e vjetra shqiptare, deri edhe në Turqi. Kështu që Ndreca kishte kërkuar ndihmën e profesorëve për t’i rekomanduar një vajzë të mirë, të edukuar, nga një familje e mirë. Dhe ia rekomanduan Viktorinë. Ai u njoh me Viktorinë, fatin e jetës së tij, u njoh me familjen e saj, me babanë dhe nënën Marie, me vëllanë dhe motrën e saj.Viktoria udhëtoi drejt Brukselit gjatë një eskursioni turistik, ku nxënësit e shkollës së saj në Shkup, ishin lidhur me nxënësit e një shkolle në Bruksel.Nxënësit e të dy qyteteve shkuan tek njeri tjetri. Pasi shkolla e Brukselit shkoi në Shkup, ishte radhë e shkollës së Shkupit që t’i kthente vizitën. Së bashku me 27 nxënësit e tjerë ishte dhe Viktoria që udhëtoi në Bruksel. Nuk u kthye më në Shkup, por u takua dhe u martua me fatin e saj, Ndrecën. Dasma u bë më 1961 në Bruksel.

Kur emigruan në Nju Jork, Viktoria ishte shtatzanë dhe lindi vajzën e parë, Mirjanën. Ishte gëzimi i parë i çiftit. Më pas lindi dhe vajza e dytë , Maria. Familja bëri shumë për edukimin dhe shkollimin e vajzave. Të dyja vajzat u shkolluan në St. John’s College në Nju Jork dhe dolën me rezultate të shkëlqyera. Sot kanë profesionet e tyre dhe njëra punon farmaciste e tjetra në adminstratë. Ato kanë krijuar familjet e tyre dhe jetojnë të lumtura.

Vitin e kaluar, me 5 shkurt 2020, një targjedi e rëndë e goditi Ndrecën, shoqja e tij e jetës, Viktoria, pas një sëmundje të rëndë,ndërroi jetë.

Ndreca e ndjeu thellë dhimbjen- një jetë e tërë së bashku. Familja, miqtë, e vajtuan dhe e nderuan me pjesmarrje masive në funeral me 9 shkurt dhe gjatë meshës dhe ceremonisë së varrimit me 10 Shkurt në varrezat Lutheran of All Saints Cemetery ne Queens 67-29 Metropolitan Avenue, Middle Village….

Gjyshi Ndrecë, ka pikë të dobët, nipin Viktor, që është 14 vjeçar dhe e do fort.Në Ditën e Lindjes, me 25 qershor 2021, gjyshi Ndrec festoi së bashku me familjen.

Nju Jork, Qershor 2021

*Publikoi Gazeta Dielli-Nju Jork dhe Gazeta “TELEGRAF” Tirane

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Mbreti LEKA I, Ndrec Gjergji, rrefimi

ISUF LUZAJ- dhe Atdheu që i përbuz Mendimtarët

July 11, 2021 by dgreca

C:\Users\Admin\Desktop\Isuf Luzaj-Mendimtari.jpg

   “Eshtë detyra e Mendimtarëve që të mos mbajnë krahun e ekzekutorëve.” -Albert Camus/

  Shkruan: Melsen Kafilaj/                                                                                                                            

Tashmë është legjitimuar nga shekujt dhe historia njerëzore ajo shprehja që “Profetët dhe Mendimtarët ose i dëbojnë prej Atdheut të tyre ose i vrasin me gurë.” Dhe sa më i madh profeti, mendimtari dhe mesazhi që ai përçon, aq më e madhe përndjekja dhe aq më e ashpër për rrjedhojë edhe forma e dëbimit a ndëshkimit… Në rajonin e Evropës Juglindore ekziston një vend i cili tradicionalisht i ka përbuzur, linçuar, syrgjynosur apo vrarë mendimtarët e vet. Një fat të tillë të hidhur përbuzjeje dhe syrgjynimi (si gjatë Komunizmit, po ashtu edhe në Demokraci) e ka pësuar edhe njëri prej bijve më të shkëlqyer të këtij vendi; mendimtari Isuf Luzaj.

Ndërsa bluaja këto mendime në kokën time dhe ngjisja shkallët për ndjekjen e një aktiviteti kulturor, mu shfaq përballë një stendë gjigande me gërma kapitale: “Konferencë Shkencore për vetitë e shkëlqyera të lëngut të kërrmillit në trajtimet bio-estetike.” Konferencë për lëngun e kërrmillit?! Jo. Nuk isha në ëndërr. Të pranishmit në masë po ngjiteshin një e nga një dhe po i drejtoheshin sallës ku do të organizohej ky “event i madh shkencor”…U çmerita! Një shoqëri e cila është e angazhuar më tepër për të kuruar Fytyrën (Dukjen) dhe jo veset dhe të metat e saj (Natyrën) është një shoqëri e destinuar për faliment vleror.Një dorë e padukshme më kishte dhënë një shuplakë të fortë dhe e kishte revoltuar befas ndërgjegjen time. 

Fatkeqësisht, në Shqipërinë tonë të varfër (mendërisht akoma edhe më të varfër) të organizosh konferenca shkencore për heronj të tillë mendimi si Branko Merxhani, Kristë Maloki, Mehdi Frashëri, Arshi Pipa apo dhe Isuf Luzaj përbën një herezi të madhe. Një akt i tillë, i cili sipas logjikës së Pushtetit, “del kundër rrymës”, “prish status quo-në” apo dhe zgjon “tema me natyrë sensitive”… Ajme! Se kemi parë ende në sy diellin e Intelektit dhe jemi ende në fazën ku mendimtarët trajtohen sipas nocionit të “kampeve ideologjike”, duke i klasifikuar në “Ne dhe Ata”, duke u diferencuar, stigmatizuar apo edhe duke ju gjendur “cene” për ti diskretituar, por pa u marr në thelb me esencën dhe vlerat e botëkuptimit të tyre…Një problematikë të tillë e kam hasur edhe me mendimtarin Isuf Luzaj.

Ka të paktën disa vite që përpiqemi institucionalisht (në nivel universitar dhe akademik) për të organizuar një konferencë shkencore për nder të këtij mendimtari të madh por deri në këtë moment që shkruajmë këto radhë na ka rezultuar diçka e pamundur. Por kush kërkon që ta mbaj larg prej katedrave universitare dhe qarqeve shkencore shqiptare mendimtarin e përbotshëm Luzaj?! Cilët janë ata individë, instrumente dhe mekanizma që profesorin e nderuar nga 2 Amerikat dhe 2 Presidentë Amerikanë ta refuzojnë dhe përbuzin në Atdheun e vet, ndërsa veprat ia “çensurojnë” për të mos hyrë dhe për të mos u bërë pjesë e kurseve universitare ?! Cili Njeruc dhe Liliput ka frikë nga hija e madhështisë dhe pesha e mendimit të këtij titani Kaniniot ?! A do ta refuzojmë edhe për shumë kohë këtë kolos i cili Bergsonit, Borgesit, Maritain-it, Sartrit dhe plotë mendimtarëve të tjerë me klas botëror kur ju prezantohej, u thoshte me plotë gojë: “Jam Shqiptar?!”

Edhe për sa vite të tjerë me radhë një mëndje prodhimtare si ajo e Tij do të lihet në azilin e harresës ndërsa vepra të tilla me peshë filosofike (të cilat duhet të hulumtoheshin) si: “Ekzistenca dhe Boshësia”, “Sëmundjet e Shekullit Tonë”, “Filosofia e Bukurisë”, “Rindërtimi i Fuqive Shpirtërore”, etj përbuzen dhe nuk ju kushtohet interesi, respekti dhe serioziteti i duhur shkencor?! 

Mendoj që organizimi i një konferencë shkencore në nivel kombëtar për këtë intelektual “par excellence” është më e pakta që mund të bëjmë. Por pse të mos ketë gjithashtu edhe një katedër të studimeve humanistike në Shqipëri, e cila të mbaj emrin e nderuar “Isuf Luzaj ?!” Kemi një parti politike Social-Demokrate. Pse jo akademia e saj politike (nuk e di nëse e ka një të tillë apo jo) të mos ketë emrin e njërit prej themeluesve të saj të parë (1943), pra Isuf Luzajt ?! Luzaj qe gjithashtu edhe një lëvrues i shkëlqyer i esesë. Pse të mos kemi një konkurs në rang kombëtar dhe për esenë më të mirë letraro-filosofike të akordohet çmimi “Isuf Luzaj?!” Do të doja të vazhdoja edhe më tej me propozimet por kam frikë se Atdheu që i përbuz mendimtarët nuk reflekton dhe për rrjedhojë është i destinuar që ti përsëris sërish të njëtat gabime…

Luzaj kishte shpresë tek bërja e Rinisë Mendonjëse. Ai besonte se përmes saj ne mund ta bëjmë Shqipërinë e së Nesërmes.Profesori do të zhgënjehej shumë sikur ta thërrisja në medium dhe ti tregoja që Rinia Shqiptare tek e cila ai aq fort besonte, sot nuk është gjë tjetër veçse një Rini Tik-Toku dhe Instagrami, pa kurrëfarë patriotizme, vizioni a ideali…Do të zhgënjehej shumë edhe me mësonjësit dhe politikanët tanë të sotëm, të cilët ai i kërkonte që të ishin të virtytshëm, me integritet, të pakompromistë dhe në shërbim të Mëmëdheut por që këto 30 e kusur vite demokracie nuk kanë dëshmuar gjë tjetër veçse se janë themel-prishës dhe matrapazë të zellshëm të Interesit Kombëtar. E megjithatë, jam i sigurt që Profesor Luzaj do ta mblidhte veten në mënyrë stoike prej të tilla lajmesh të mynxyrshme  dhe duke rrudhur ballin e gjerë prej mendimtari do të na këshillonte si komb me po të njëjtin ton optimist: 

“Gjithçka ndryshon.Vepro tani! E gjithë ndërmarrja varet veç nga ti !”

Filed Under: ESSE Tagged With: Atdheu qe perbuz mendimtaret, Isuf Luzaj, Melsen Kafilaj

ERDOGANI DHE “PALLATI MBRETËROR VEROR” ME TREQIND DHOMA:ZËMËRIM NË TURQI

July 11, 2021 by dgreca

Nga MONICCA RICCI SARGENTINI-PERKTHEU:EUGJEN MERLIKA/

Qarkullojnë për të parën herë fotografitë e selisë së “sulltanit”, ndërsa gruaja e tij kërkon racionimin e ushqimeve./

Plazhi privat është i bardhë, deti një ëndërr, vila që ngrihet pak më tej, për të thënë pak është luksoze: 300 dhoma mbi një truall prej 85 mijë metër katrore, në gjirin Okluk Cove në rrethin Marmaris, në bregun jugor të Turqisë, njëra ndër më të zgjedhurat e Vendit.

Mëndjemadhësia e Rexhep Tajip Erdoganit, të paperëndueshmit president turk, nuk ka të sosur. Mbas “pallatit të bardhë” në kryeqytetin Ankara, një kompleks me më shumë se njëmijë dhoma, arriti “pallati veror”, i ndërtuar në vëndin që mirëpriste selinë e pushimeve të ish presidentit Turgut Ozal. Një tjetër vënd banimi po ndërtohet në qytetin Ahlat, në rrethin Bitlis.

Gjithshka me harxhet e taksapaguesve, natyrisht, që në një periudhë të një krize ekonomike të fuqishme, tregojnë se nuk u pëlqen aspak madhështia presidenciale. Nëse mbahet parasysh se Zonja e Parë, Emine Erdogan, ka ftuar popullsinë të pakësojë racionet e ushqimit në piata për të shmangur  shpërdorimet në një çast të vështirë për Vendin, mund të kuptohet lehtë se përpara një pallati të kushtuar 640 milion lira turke (rreth 62 milion euro), para të marra nga buxheti presidencial, të hapen polemika.

Rezidenca verore është përuruar më 2019, por fotografitë kanë qarkulluar vetëm tani, kur arkitekti turko-belg, Sefik Birkiye ideatori i mbivilës i ka publikuar në siton e tij web. Pamjet janë marrë pastaj nga gazeta e opozitës Sözcü dhe janë bërë pronësi e përgjithëshme. Veprimi i profesionistit sigurisht nuk i ka pëlqyer presidentit mbasi ka parë zëmërimin që është ngritur. Sidoqoftë Birkiye është shumë i vlerësuar nga Erdogani që e kishte zgjedhur për të projektuar Pallatin presidencial të Ankarasë.

Ngrenë krye edhe mjedisorët sepse zona i është nënështruar një shpyllëzimi masiv për të ndërtuar edhe pesë godina të përmasave të ndryshme që duhet të strehojnë personelin, veç një piste për helikopterë, kurse një hapësirë prej  10.966 metër katrorë është mbushur me rërë e çakull të veçantë duke u kthyer në një plazh vetanak.

Jeta nuk është e lehtë edhe për banorët e zonës të detyruar t’i nënështrohen rregullave të rrepta të sigurisë. Gjiri i Okluk Cove shpesh i ndalohet anijeve të peshkimit kur presidenti shkon në  vilën e tij verore. Mbikqyrja shtohet kur vijnë për vizita kryetarë Shtetesh a qeverish të huaja, siç ka ndodhur për kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe presidentin azer Ilhan Aliyev.

“Corriere della Sera”, 7 korrik 2021    Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Erdogan, Eugjen Merlika, Monica Ricci, Pallati me 300 dhoma

HUMBJA E KUJTESËS NË SHKËMBIM TË MIRËQËNIES

July 11, 2021 by dgreca

Nga GUIDO SANTEVECCHI-PËRKTHEU:EUGJEN MERLIKA/

            Të kujtuarit në Sheshin Tienanmen të “kokave të thyera e të gjakosura”, edhe sot i sjell në mëndje botës tmerrin e 1989-ës. Xi Jinping sidoqoftë ka përdorur përfytyresën e fuqisë  asgjësuese për të paralajmëruar se të huajtë nuk do t’arrijnë kurrë të ndalojnë ngjitjen e Kinës së tij. Ai që do të guxonte t’a bënte “do të thyente kokën e do të derdhëte gjak  kundër murit të madh të 1,4 miliard kinezëve”, tha ai. Në përkthimin nga gjuha kineze, zënia në gojë e gjakut është hequr. Por mbledhja oqeanike, e thirrur për të përkujtuar njëqindvjetorin e Partisë komuniste, ka mundur t’i dëgjojë fjalët e belegut. Turma është përgjigjur me një duartrokitje të bindur e prekëse (pa kujtesë historike).

            Marrëveshja shoqërore e pranuar nga kinezët nënkupton që teknokratët qeveritarë të vendosin në mënyrë të pakundërshtueshme e, si shkëmbim, të sigurojnë rritje ekonomike të vazhdueshme. Kështu dje Xi ka mëtuar plotësimin e premtimit të qindvjetorit: Partia-Shtet ka nxjerrë nga varfëria absolute 770 milionë qytetarë, ka ndërtuar një “shoqëri mjaft të mirëqënë”, të mbështetur në qëndrueshmërinë politike e në numëra të pambaruar të ekonomisë së dytë të botës. Simbas sekretarit të përgjithshëm të Pkk gjithshka tjetër nuk vlen. Në vështrimin e tij edhe bota duhet të mendojë vetëm për tregun.

            Është ky mesazhi që Xi ka dërguar dje: komunizmi prej dyzet vitesh është kthyer në kapitalizëm të planifikuar nga teknokratët qeveritarë; të gjithë kinezët kanë mundësi të arrijnë mirëqënien; mjaft që të mos interesohen për zgjedhjet themelore, që të mos dëgjojnë kundërshtimet ndërkombëtare për shtypjen në Hong Kong, dhunimin e të drejtave njerëzore në Hsinijang, kërcënimet ushtarake Taivanit dhe praktikat tregëtare agresive; mjafton që të mbështillen nga humbja e kujtesës politike e të gëzojnë rezultatet. Fjalia mizore e kokave të thyera është një këshillë për bashkësinë ndërkombëtare: tregëti dhe aspak ideale.

            Së fundi në thirrjet e Pekinit është kthyer në modë shprehja “nihilizëm historik”, për të vulosur çdo kritikë  ose dyshim mbi drejtimin e ecjes. Duhet të jetë ende ndonjë mosbesues nëse administrate e siberhapësirës kineze (çensura) u mburr se kishte fshirë nga webi dy milion komentesh nihiliste para qindvjetorit. Xi Jinping është i pushtuar nga ankthi i fundit të Bashkimit Sovjetik, ka detyruar drejtuesit e Partisë t’a studjojnë dhe mendon se, në përimtim të fundit, ai sistem u shemb sepse në Moskë askush nuk pati guxim të luftonte në çastin e krizës. Ai luan para kohe: nga 2012 drejton një fushatë kundër korrupsionit sepse vjedhjet sistematike po e  delegjitimonin Partinë; fjalimet mbi sovranitetin kombëtar, mbi përbetimet e fuqive të huaja në Hong Kong, mbi leksionet e demokracisë për të poshtëruar Kinën bëjnë pjesë në strategjinë e tij të brëndëshme. Xi u thotë kinezëve se Perëndimi do të donte të ndante Partinë nga populli e nga ëndrra e mirëqënies  dhe e nxit të krijojë një mur të madh rreth pushtetit të tij.

“Corriere della Sera”, 2 korrik 2021    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, GUIDO SANTEVECCHI, Humbja e Kujteses

Russia Dismisses Albanian Spying Reports as ‘NATO, Propaganda’

July 10, 2021 by dgreca

Russia has shrugged off reports that two spies entered Albania in May, and were being investigated for spying on the US-led military exercise Defender Europe.

By Fjori Sinoruka-BIRN/

Russia’s Foreign Ministry on Friday accused Albanian media of “fuelling hype around the criminal cases opened by local prosecutors against two Russians allegedly suspected of espionage”, calling the whole affair “NATO propaganda”.

In late June media in Albania reported that two Russian citizens were under investigation by the Prosecution in Tirana for alleged espionage during the US-led military exercise Defender Europe 21 held in Albania in April and May.

Local media said that one of the Russians had entered Albania on May 12, after which a drone was found on him, and he had declared his destination as Durres, which was where the Defender Europe 21 exercise was taking place. According to Euronews Albania, he was one of two Russian nationals who entered Albania and were being investigated by the Tirana Prosecution.

The Prosecution told BIRN last week that it was still investigating “the existence of the fact” on this issue. After BIRN tried to contact the Albanian ministry over the issue, it could not obtain a response. BIRN contacted the Prosecution of Tirana also about the case, which said it was “still under investigation”. State Police did not want to comment when asked by BIRN.

However, the Russian Embassy in Albania said it had sent an inquiry to the Albanian Foreign Ministry. “The incident appears to be an exercise in #NATO propaganda,” it concluded.

Diplomatic relations between Tirana and Moskow have been chilly lately. In January Albania expelled a Russian diplomat, Aleksei Krivosheev, for not respecting COVID-19 rules.

In 2018, Albania declared two Russian diplomats “non grata”, claiming their activity was not compliant with their diplomatic status.  Russia then expelled two Albanian diplomats from the Albanian embassy in Moscow.

Filed Under: Analiza Tagged With: Albanian Spying, Fjori Sinoruka- BIRN, Reports as ‘NATO, ssia Dismisses

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT