• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2021

Gjergj Pjeter Balaj nderroi jetë , VATRA ngushëllon Familjen BALAJ

July 26, 2021 by dgreca

Njoftohet se ditën e Dielë, me 25 Korrik 2021,ndërroi jetë në moshën 52 vjecare, krejt papritur, bashkatdhetari ynë, aktivisti i dalluar, vatrani i përkushtuar Gjergj P. Balaj.

     Sic shkruhet edhe në njoftimin mortor të publikuar nga Kisha Katolike “Zoja e shkodrës” në NY:” Gjergji ishte atdhetar, fetar dhe aktivist i njohur. Kjo është një humbje e madhe për Famullinë dhe gjithë Komunitetin tonë Shqiptar. Lutuni për Familjen Balaj të gjejnë force te i madhi Zot. Famullija “Zoja e Shkodrës” i shpreh ngushllimet e sinqerta Familjes dhe gjithë Farefisit Balaj.Gjergji, pastë dritë në amshim, dhe të gjallëve u dhashtë Zoti forcë.

Jepja o Zot pushimin e pasosur, e i shndritë drita e pambarueme. Pushofte në paqe. Ashtu Kjofte.”

           Nga ana e saj Federata Vatra e kishet një ndër aktivistët e palodhur, pjesë e degës së Vatrës në Hudson Valley; ishte delegat në Kuvendin e Vatrës të 19 Janarit 2020 në Michigan.

          Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA ngushëllon Aidën dhe fëmijët, babain Pjetër dhe axhën Zef Balaj, anëtar i Kryesisë së Vatrës dhe të gjithë familjarët dhe miqtë.

I ndjeri do të pushojë në shtëpinë mortore, Yorktoën Funeral Home 945 East Main Street, Yorktown, NY 10588, të Marten me 27 Korrik 2021, nga ora 2pm – 9pm.

Mesha e Dritës dhe salikimet e fundit do të kremtohen ditën e Mërkurë  me 28 Korrik 2021, në orën 1:00pm në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës” prej ku mbas meshës trupi i të ndjerit do të përcjellët në varrezat “Gate of Heaven”, 10 West Stevens Ave, Haëthorne, NY.

Gjergj Balaj: 22 Shkurt 1969 – 25 Korrik 2021

Filed Under: Featured Tagged With: Gjergj Balaj, nderroi jete

LUIGJ ÇEKAJ-POETI I PËRNDJEKUR I SHKRELIT TË MALËSISË SË MADHE

July 26, 2021 by dgreca

                    “Libri juaj ka qenë një zbulim poetik për mua”-Ismail Kadare/

Nga Frank Shkreli/Gazeta DIELLI

Luigj Çekaj ndërroi jetë në fillim të këtij viti në moshën 70-vjeçare. Ai vinte nga Çek-Dedajt e Shkrelit të Malësisë së Madhe — fshati Bzhetë — nga e ka origjinën edhe familja ime. “Në Shkrel te shtëpia e prindërve të mij”, është një ndër poezitë e Luigjit, dedikuar vendlindjes. Atje, ku “Te muri në vend të lahutës, bimë vjerrëse varen.  Atje ku piqej buka, tani zogu ndjen uri.” 

Kur ishte në moshën 2-vjeçare, babai i Luigjit, Kolë Gjoka Çekaj, për t’i shpëtuar përndjekjes nga diktatura komuniste dhe dënimit me vdekje, arratiset në ish-Jugosllavi, në rrethin e Ulqinit, të cilin si bashkvendas që ishte, familja ime e strehoi për një kohë të gjatë dhe u kujdes për te derisa ai vendosi të emigronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si biri i një të arratisuri, i mituri Luigj Çekaj jetoi ashtu me dhimbje, me njollën absurde të të prekurit dhe të përndjekurit, politikisht.  Merrni me mendë, prej 2 vjeç, poeti i ardhëshëm do të jetonte nën tmerrin e persekutimit të diktaturës komuniste e që, eventualisht, shkoi edhe deri në arrestimin e tij.  Në moshën 2-vjeçare kishte humbur babain, i cili u arratis për pikëpamjet e tija anti-komuniste. Pastaj, siç ka shkruar poeti Gjekë Marinaj në parathënjen e librit me poezi,të autorit Luigj Çekaj, “Vjeshta në Aeroporte”, se ndërkaq, Luigji i vogël kishte humbur edhe duart e së ëmës në pranga sepse kishte refuzuar të padiste të shoqin tek policia.

“Për herë të parë e të fundit në moshën dy vjeç më arrestuan.

Si natën e pushkatimit të Lorkës adoleshenca e hënës

Stoli të papërsëritshme në kujtesën time ngeli,

shkëlqimi i prangave në duart e nenës! (Kujtim nga Fëminia, 1964)

Luigji i vogël, si 2-vjeçar dhe më vonë, po humbte gjithçka.  Poeti i ardhëshëm me trupin e tij të njomë, humbi edhe vendlindjen më në fund, duke përfunduar në kampet e Tepelenës, si përfundim i vendimeve të autoriteteve komuniste.  Kryeredaktori i gazetës Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, Z. Dalip Greca në parathënien e librit të Luigjit, “Unë vij nga Shkodra”, ka shkruar, “Babai i Luigjit, për t’i shpëtuar kurthvdekjes kishte kapërcyer kufirin, ndërsa familja shkonte për t’u kryqzuar. Hakmarrja u zbraz mbi gruan e pambrojtur të Kolë Çekaj, e cila do të plasej në birucat e ftohta. Ç’mund të mbetej në kujtesën e një fëmije 2-vjeçar, që provonte burgun në moshën e lodrave? …”. 

Ndërsa pyetja ime drejtuar nostalgjikëve të sotëm të regjimit të Enver Hoxhës — të cilët na thonë se, “komunizmi ka qenë në anën e duhur të historisë”, ose “komunizmi ka berë më shumë të mira se të këqia” – është se çfarë kërcënimi paraqiste për regjimin enverist 2-vjeçari Luigj Çekaj në vitin 1952, poeti i ardhëshëm i Malësisë? Si mund të mbrohet dhe të justifikohet një regjim i tillë edhe sot në Shqipëri 30-vjet gjoja post-komunizëm, në një vend anëtar të NATO-s, i cili pretendon gjithashtu edhe antarësimin në Bashkimin Evropian?  Pse, ende 30-vjet pas ndryshimit të sistemit, nuk ka një distancim zyrtar nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, i cili i hidhte fëmijt 2-vjeçar, si Luigj Çekaj dhe të moshave të tjera të mitura, në kampe përqendrimi, shumë prej të cilëve kanë gjetur vdekjen atje? Pse kjo heshtje zyrtare! Deri kur?

Për hir të Madhit Zot, ashtu i njollosur për jetë, si bir i një të arrartisuri nga “parajsa” komuniste e Enver Hoxhës, Luigj Çekaj mbijetoi disi kampet, burgjet dhe diskriminimet komuniste gjatë gjithë jetës së tij – mbijetoi edhe “Stinën e dhimbjes”: 

“Në prill të ’75-sës — Përjashtim nga Universiteti

Në Maj vjen urdhëri — Të pushohet nga puna

Dhe në Qershor –Të dëbohet nga qyteti…”

Luigj Çekaj, gjithmonë e kishte pasion letërsinë por mundësia për të botuar iu dha vetëm pas ndryshimit të sistemeve në Shqipëri.  Kështuqë, menjëherë pas ndryshimit të atmosferës politike, në vitet 1991-1993, ai filloi të kontribonte si redaktor i poezisë në gazetën e pavaruar, “Besa” në Shkodër.  Pas kësaj, ai vendosë të largohej, përfundimisht, nga vendlindja dhe shkon në Amerikë si emigrant politik, për tu bashkuar me babain e tij, Kolë Gjokën.  Luigj Çekaj vendoset në Bronx të Nju Jorkut, ku jetonte dhe babai i tij. Me të ardhur në Amerikë, gjatë viteve 1994-1998, ai angazhohet me revistën “Trojet tona”, ndërsa më vonë iu bashkua kolegjiumit të revistës “Jeta Katolike Shqiptare”, organ i Kishës Katolike Shqiptare, “Zonja e Shkodrës” në Hartsdale të shtetit Nju Jork. Në vazhdim të veprimtarisë së tij letrare në Në Nju Jork, ku jetoi familjarisht sa ishte gjallë, Luigj Çekaj ka botuar librat: “Vjeshta në aeroporte”, poezi, 1998 dhe “Unë vij nga Shkodra” në vitin 2004 — “Libri që renkon nga dhimbja” — ku ka përmbledhur mbresat e kujtimet e tija nga jeta në Shqipërinë komuniste dhe në Amerikën e lirë e demokratike.  “S’na kontrolluan si të dyshimtë rojet,

                        Bile as pasaportën s’na e nxuri kush me gojë!

                        Ne që sa herë shpirtin na e pruri në fyt

                        Sigurimi i dreqit në Velipojë  — (Ditën e Hyrjes sime në Washington, 2 Prill, 1993)

Më kujtohet se kur ishte i angazhuar pranë revistës, “Jeta Katolike Shqiptare”, unë banojsha në Washington, por me anë të një letre më kërkonte mendimin tim — si një ish anëtar i redaksisë së kësaj reviste që isha në fillim të 1970-ave — për ndryshimet që kishte bërë në formatin dhe përmbajtjen e revistës “Jeta Katolike Shqiptare”, në përgjithësi.  Me letrën në fjalë, Luigji më kishte dërguar edhe dy tre numra të revistës “Jeta Katolike Shqiptare”, të redaktuar prej tij dhe më kërkonte mendimin tim për formatin e ri të saj. Në pamje të parë, revista kishte ndryshuar për më mire, falë angazhimit të Luigjit dhe ketë e kisha pasqyruar në përgjigjen time, ku ndër të tjera i kam shkruar: “Të them të vërtetën, duke u bazuar në shikimin e vetëm disa numrave të revistës që kam lexuar deri tani, më vjen shumë mirë që rifilloi botimi i saj. Për më tepër, u kënaqa se revista e re, “Jeta Katolike Shqiptare”, nën drejtimin tëndë është shumë e rindërtuar, më e mirë, më e këndshme dhe e lezetëshme për syrin, në krahasim me formatin e vjetër të revistës – një përmirësim i dukshëm, pra, si nga formati ashtu edhe nga përmbajtja. Ju dëshiroj suksese të mëtejshme.”  

Për ringjalljen e revistës “Jeta Katolike Shqiptare” aty nga mesi i 1990-ave, një meritë e madhe i shkon Luigj Çekajt dhe bashkpuntorëve me të cilët punoi në atë kohë në redaktimin dhe botimin e kësaj reviste, duke ia rritur vlerën si një organ serioz që pasqyron jo vetëm veprimtarinë e Kishës Zoja e Shkodrës por edhe të komunitetit më të gjërë shqiptaro-amerikan në Nju Jork dhe rrethe.  Më vonë, poeti dhe shkrimtari i Shkrelit të Malësisë së Madhe, Luigj Çekaj është angazhuar edhe pranë Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Amerikë, ndërsa për një kohë ka shërbyer edhe si sekretar i kësaj shoqate intelektualësh shqiptaro-amerikanë. Luigj Çekaj është shquar dhe vlerësuar nga komuniteti i intelektualëve shqiptaro-amerikanë si një kontribues i vyer ndaj kulturës shqiptare në Amerikë dhe më gjërë. Por jo vetëm nga shqiptaro-amerikanët. 

Veprat e Luigj Çekajt kishin renë në dorë të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, i cili ka vlerësuar librin e parë të Luigjit me poezi, “Vjeshta në Aeroporte”. Në një letër dërguar poetit malësor nga Parisi, Z. Kadare ka vlerësuar me këto fjalë poezinë e tij: “Libri juaj ka qenë një zbulim poetik për mua. Së pari për nivelin e tij poetik dinjitoz, e pastaj për rezinjatën me të cilën ju dëshmoni për kalvarin tuaj… Ju flisni për dhembjen me fisnikëri, sepse dhembja njerëzore nuk e përjashton kurrë fisnikërinë. Kumti juaj në këtë rast, qoftë artistik, qoftë ai moral, ka një peshë të dyfishtë”, thuhet në letrën e Kadaresë, dërguar poetit Luigj Çekaj, me datën 28 nëntor, 1998. 

Në veprat e tija Luigji shpreh, njëkohësisht, dhimbjet dhe dashurinë, së pari për nenën e vet të shumë vuajtur, për Shkodrën e tij të dashur, “Në qytetin e Nju Jorkut, unë vij nga Shkodra, i pezmatuar” dhe dashurinë e tij për Shqipërinë:

“Shqipëri, asgjë në botë veç nënës,

Nuk kam dashur më shumë se ty.

Ti me frymën tënde më ke kthyer në qenie ajri,

Ti me duart e tua më ke bërë njeri,

Gjërat unë i ndjej thellë në shpirt.” (Motivi për Shqipërinë)

Por në veprat e tija shfaqen edhe ndjenjat për Amerikën, ku më në fund gjeti strehimin, por edhe liri e pak paqë të merituar, më në fund.  “Mes Shqiptarëve të Nju Jorkut, sigurisht”, shkruan Luigji, përfshir ne që na konsideronte si kushërinjtë e tij nga Bzheta e Shkrelit të Malësisë së Madhe që ishim vendosur në Amerikë dekada më parë e të cilëve poeti e shkrimtari u kushton atyre një artikull të gjatë, “Dy fjalë të mira edhe për kushërinjtë e mi të mirë”.  Në librin, “Unë vij nga Shkodra”, ai përmendë pothuaj të gjithë ne emër për emër, ndërsa ka kujtuar takimin e parë me secilin prej nesh në Amerikë duke shënuar mbresat që i kishim lenë atij në takimin e parë me të.  “Me kushëririn Fran Shkrelin u pash me hënë të mirë, sy për sy dhe shpirt për shpirt”, shkruan Luigji në librin e tij, “Unë vij nga Shkodra”.  “Biseda me Franin atë mbrëmje shkoi vërtetë shumë mirë. Pothuajse gjithmonë ramë në një hulli të këthjelltë mendimesh të përafërta! Nuk patëm në asnjë rast mosmarrëveshje të çastit, apo kundërshtime të mirëfillta arsyetimesh të kundërta, madje aty rreth orëve të mesnatës kur darka mbaroi dhe erdhi koha të ndaheshim me Fran Shkrelin, unë më shumë se me një kushëri, u ndava si me një mik timin të kahershëm”, ka kujtuar Luigj Çekaj takimin tonë të parë në Amerikë.

Gjatë gjithë asaj bisede në takimin e parë me të, më kujtohet se me qëllim – duke mos dashur të trazoja plagët e vjetëra të vuajtjeve të tija e të familjes — nuk e pyeta asgjë për të kaluarën e tij dhe, sidomos, për vuajtjet e nënes së tij dhe familjes në Shqipëri, pasi pak a shumë e dinim situatën e përgjithshme nepër të cilën kishin kaluar ata dhe të tjerë si ata, që kishin ndonjë të afërm të familjes të arratisur në Amerikë.  Por gjatë atij takimi të parë me mua, as ai vet nuk deshi të fliste për vuajtjet e tija dhe të familjes së tij në Shqipërinë komuniste.  Por, duke u ndarë me Luigjin atë natë, ashtu siç shënon ai në librin e tij, unë nuk u durova pa i thenë: “Ju sonte nuk më folët asgjë të përveçme për të kaluarën tuaj personale në Shqipëri, deshta me thënë për kalvarin e gjatë të dhimbjeve tuaja të pambarimta. Ma merr mendja se bëre mirë që nuk fole, i thashë, se i di të gjitha dhe se intelektualët e një vendi nuk janë nëna fëmijsh jetimë që kujtojnë e zgjidhin hallet e veta me të qara…”.

Vërtetë,  i tillë ishte poeti e shkrimtari Luigj Çekaj, kurrë nuk ankohej për vuajtjet dhe kalvarin e gjatë nepër të cilin kishte kaluar ai dhe familja e tij nën regjimin diktatorial i Enver Hoxhës, as nuk ankohej për gjëndjen jo aq të mirë shëndetësore, as për sëmundjen e rëndë që më në fund i mori jetën, në moshën 70-vjeçare, në fillim të këtij viti, në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara.  Profesori i ndjerë, Agron Fico, në një shkrim vlerësues kushtuar poetit Luigj Çekaj — botuar vite më parë — pasi ka vlerësuar meritat letrare të veprës së tij, është shprehur më së miri për ndjenjat njerëzore të shprehura në veprat Luigj Çekajt: “Luigj Çekaj është poet i fuqishëm lirik, është kryepoet që edhe pse trajton kalvarin dhe dramën e vuajtjeve dhe persekutimeve të familjes dhe të brezit të vet, në thelb dëshmon për ndjenja të thella humane të dashurisë njerëzore dhe shoqërore.  Lirika e poetit Luigj Çekaj është meditative, përsiatjet janë jo thjesht nocione publicistike – politike, por darë dhe çekanë ndaj regjimit të pashpirt, të egër, regjimit totalitar-komunist: “Statujat e diktatorëve nuk qëndrojnë mbi piedestale. Ato janë ngulur si shpata në gjokset e njerëzve të pafaj”, “Statujat e diktatorëve.”

Luigj Çekaj simpatizohej nga të gjithë, pa dallim, me të cilët ai vinte në kontakt: për sjelljet e tija prej një zotërije të vërtetë, për fisnikërinë e natyrës së tij prej malësori, si dhe për njerëzinë dhe çiltërinë e përzemërt, duke berë shumë miq këtu në Shtetet e Bashkuara, shqiptaro-amerikanë nga të gjitha trojet shqiptare.  Me jetën plot vuatje të rënda dhe me veprat e tija të vlerësuara nga intelektualët e dalluar shqiptaro-amerikanë me të cilët bashkpunoi ngusht pas arritjes së tij në Amerikë — por edhe nga shkrimtarë të mëdhej të Kombit si Ismail Kadare — Luigj Çekaj si njeri, si poet e shkrimtar — nderoi gjithashtu veten dhe familjen e tij të ngushtë dhe më të gjerë.  Shkreli dhe Malësia e Madhe janë krenarë me ‘të, ndërsa komuniteti shqiptaro-amerikan është përgjithmonë mirënjohës për kontributin e tij të vyer që ka dhënë për aq pak vite sa jetoi dhe punoi në gjirin e komunitetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara para se, fatkeqësisht, sëmundja t’ia shkurtonte jetën, parakohësisht, në fillim të këtij viti.

                        Luigj Çekaj –1950-2021

                                      Lugina e Shkrelit, Malësi e Madhe

Filed Under: LETERSI Tagged With: Frank shkreli, I SHKRELIT, LUIGJ ÇEKAJ-POETI I PËRNDJEKUR

KUSH JANË VIKTIMAT E AKSIDENTIT NË KROACI

July 26, 2021 by s p

10 shqiptarë të Kosovës humbën jetën e 45 të tjerë u plagosën në aksidentin e autobuzit në Kroaci, të dielën me 25 Korrik 2021. Prej tyre 9 viktima u identifikuan e një tjetër ende nuk është identifikuar. 15 të plagosur ndodhen në gjendje të rëndë në spital.

9 viktimat e indetifikuara janë:

  1. Sevdail Rruatemi, lindur më 1973, Pakshticë e Epërme, Podujevë.
  2. Naser Sylemetaj, lindur më 1974 .
  3. Launora Kolmekshaj, lindur më 1982 Junik, Deçan.
  4. Kujtim Kastrati, lindur më 1981 Radoste.
  5. Hamet Hoxha, lindur më 1966 Randobravë, Gjakovë.

6-7 Erlinda Binakaj 19 vjeç dhe e ëma Valentina Binakaj, 45 vjeç, nga Deva e Gjakovës.

8-Kujtim Kastrati nga Malësia e Vogël

9- Anjeza Bellanica, 18 vjeç nga Krusha e Madhe.

Filed Under: Opinion Tagged With: Kroaci, Viktimat e aksidentit

MËRQIA- KISHA E KUVENDIT TË ARBRIT, NË TË KALUARËN DHE SOT

July 26, 2021 by s p

Prof. Dom Nikë Ukgjini*

Nevoja e një Kuvendi Arbërorë

Ndër tiparet dalluese të marrëdhënieve të papatit në lidhje me Arbërinë ka qenë, në të gjitha kohët përpjekja  e tij për të qëndruar pranë vështirsive  e rreziqeve qe u janë kërcënuar, nga armiqtë e jashtëm e sidomos gjatë  pushtimit 500 vjeçarë të perandorisë  osmane.

Mbështetur në burimet e Selisë së Shenjte të shek.. XVI – XVIII vuajtjet më të mëdha dhe rreziqet e shpërbërjes së popullit të Arbrit ndodhnin gjatë pushtimeve osmane. Përhapja e Islamit në tokat arbërore, ishte një dukuri e shkaktuar prej bashkëveprimit të një numri faktorësh të natyrave, politike, ekonomike, kulturore e fetare. Disa aspekte të politikes së shtetit osman kundrejt vendeve të përfshira në pushtim rrjedhimisht edhe ndaj Shqipërisë, shërbyen si shkaqe të mirëfillta, që inkurajuan procesin e përhapjes së fesë islame ndaj shqiptarëve, duke përdorë forma të ndryshme nga dhuna e presionet  ekonomike e deri të joshja për islamin në forma të shumëllojshme.

Në shek. XVII arbërorët përjetonin  një përhapje tëjashtëzakonshme të Islamit i cili në Arbërinë e mesme dhe atë veriore kishte arritë në përmasën e 50% të popullatës që kishin braktisë besimin katolik e duke kaluar në besimin islam. Procesi i rrënimit dhe tkurrjes se katolicizmit, në Gegëri, (fjala është edhe për Maqedoninë e sotme)  si rrjedhojë e përparimit të procesit te islamizimit dhe ortodoksisë sllave, manifestohej gjithashtu edhe në pakësimin e numrit të dioqezave dhe të famullive, sidomos në kryedioqezën e Tivarit dhe atë të Shkupit.

Në këtë drejtim, relacionet e Imzot Pjeter Bogdanit, (1656-1877) nga gjysma e shek. XVII e në vazhdim, flasin për braktisje masive të fesë katolike dhe përqafim të islamit dhe ortodoksisë sllave në Kryedioqezën e Tivarit dhe të Shkupi dhe ku në vitin 1665, në kryedioqezën e Tivarit numëroheshin vetëm 2.400 besimtarë, ndërsa në qytetin e Tivarit nuk kishte asnjë familje katolike.

Ndryshimet në strukturën fetare të arbërorëve si rezultat i depërtimit të islamit dhe ortodoksisë sllave, u reflektuan edhe në aspektet të tjera, arkitekturës, urbanistikes se vendbanimeve, alfabetit, gjuhës e kulturës, dokeve e zakoneve etj. Një gjë e tillë, sipas studiuesit Ferid Duka,  kuptohet qartë edhe nga njoftimet që na jep në lidhje me qytetet e ndryshme të Arbërisë udhëpërshkruesi osman i gjysmës se dytë të shek.. XVII E. Çelebiu e në veçanti kur flet për Shkodrën.

Rrjedhojat e ngjarjeve politike dhe fetare, e detyruan Imzot Pjetër Bogdanin, në cilësinë e kryeipeshkvit të Shkupi,  në vitin 1689, të jetë organizator kryesor i kryengritjeve të shqiptarëve në Kosovë së bashku me gjeneralin austriak, Pikolimin, e ku në luftën e Kaçanikut, të vitit 1690, për shkak të epidemisë së kolerës, shqiptarët pësuan humbje të rëndë, çfarë ndikoj në përshpejtimin e  braktisjen e katolicizmit, përqafimin e islamit dhe ortodoksisë sllave në Maqedoninë e sotme.

Duke i referuar, barrës së rendë të shkaktuar shqiptarëve nga pushtuesit si nder faktorët qe stimulonin islamin, Arqipeshkvi i Tivarit, Imzot Vinçenc Zmajeviq, në  raportin e tij të viti 1702, parashikonte rrënimin e shpejt dhe të plotë të popullatës katolike. Më qëllim që të shpëtonte besimtaret e vet nga rreziku i mëtejshëm të mohimit të fesë katolike dhe problemit të kriptokatolicizmit, si rrjedhojë e pushtimit të egër osman, Zmajeviqi arsyetonte para Papa Klementit XI, Albanit, mbajtjen e një Kuvendi Mbarëkombëtar, si një analizë e domosdoshme dhe shumëpalëshe. Më qëllim që të ndalej tatëpjeta e Katolicizmit, si rezultat e përhapjes gjithnjë e më shumë të fesë islame dhe fenomeneve të tjera brenda kishe katolike, me nxitjen e përkrahjen  e Papa Albanit nga i cili gufonte gjaku arbërorë, u mbajt në rezidencën e ipeshkvit të Lezhës, Nikollë Vlladanjit në Mërqi, të Lezhës në vitin 1703 Kuvendi Mbarëkombëtar i Arbrit.

 Kuvendi në fjalë i kryesuar nga delegati papnore Vinçenc Zmajeviq, me praninë e të gjithë ipeshkvijve të tokës së Arbrit, vendosi si një vetëmbrojte kombëtare, midis të tjerash, që t‘i jepej fund dhe dilemave për çështjeje të kalimit të katolikëve në islam, kriptokatolizimit si fenomen tashme i përhapur në gjitha trojet shqiptare dhe përdorimit sa më shumë i gjuhës shqipe nga misionaret që vepronin në Arbëri etj..

Një pyetje e mprehetë shtrohet: si u lejua mbajtja e Kuvendit të Arbrit, kur vala e kryengritjeve  të armatosura të arbërorëve, kundër perandorisë osmane ishte e pranishme në çdo hapsirë të vendit tonë dhe vendet evropiane. Përgjigja mund të jetë se tendosja që karakterizonte në përgjithësi marrëdhëniet në mes administratës osmane dhe krerëve te Kishës Katolike Arbërore, nuk përjashtonte momentet e mirëkuptimit në mes të dyja palëve, veçanarishtë, kur në poste të rëndësishme të perandorisë qëndronin vezirët apo pashët me njëvetëdije më të lart të gjakut arbërorë. Për rastin në fjalë kemi të bëjmë me periudhat e qetësimit të gjendjës më Paqen Karlovcit 1698, prezencën në Portën e Lart të vezirit të Madh me gjak arbëror, Mustafë Qypriliu dhe pashait të Dukagjinit, Hydaverdi Pashë Begolin nga Peja me origjinë nga fshati Sumë në veri të Arbërisë i cili mbahej si Pasha i lart për gjithë Arbrin dhe konsiderohej mik i mirë i Zmajeviqit. Por, evidentimi i burrave të armatosur në veri të Arbërisë, sipas zonave dhe famullive, nga abatit i Mirditës, Gjergj Stampaneo, dërguar Selisë së Shenjtë në vitin 1685, nuk shërbeu vetëm si motiv për realizimin kryengritjeve të Imzot Pjeter Bogdanit, në Kosovë, por ishte edhe si vigjilencë e shtuar për sigurimin e mbajtës së Kuvendit të Arbrit. Në këtë kuptim duhet marrë edhe hartat e P. Coronellit, të vitit 1688 dhe Rossi-Contanelli të vitit 1689.

Por, për çdo eventualitet, për ta kuptuar rrjedhën paraprake, të gjithë kësaj ngjarje është e domosdoshme të behën kërkime për gjetjen e korrespondencës të padalë akoma në dritë, në mes Portës së Lartë dhe Romës, për të mësuar detajet e gjithë rrugëtimit të ngjarjes që solli lejimin e  mbajtjes së këtij Kuvendi.

Famullia e Mërqisë, vendi ku u mblodhën burrat e dheut

Vetë pozicioni gjeografik, politik e historik i Lezhës ka qenë arsyeja që në këtë dioqezë në momente të caktuara historike janë zhvilluar aktivitete të rëndësishme, me karakter politik, shoqëror dhe fetar, si Besëlidhja e Lezhës në vitin 1444, dhe Kuvendi i Arbrit në vitin 1703. Për dioqezën e Lezhës ka qenë dhe mbetet një nder i madh miratimi nga Papa Albani që Kuvendi i Arbrit  të mblidhej në Lezhë, në Kishën mbi një faqe mali të Mërqisë,  ku shkëlqente rezidenca  ipeshkvore më e bukura në Arbëri e ndërtuar që në vitin 1668, nga ungji i Nikollë Vlladanji, Imzot Gjergj Vlladanji.

Ky gjest i Papa Klementi si një figurë më kryesore botërore e kohës, i dha dioqezës dhe fshatit një vlerësim të jashtë zakonshëm, duke i vendosur emërtimet e tyre në analet e historisë kishtare botërore. Ndërsa mbajtja e Kuvendi i Arbit në Lezhë, në kuptimin më të përgjithshëm, tregon se shpirti i  Gjergj Kastriotit i cili mblodhi burrat e dheut në Besëlidhjen Shqiptare në Lezhë dhe po aty që varrosur në vitin 1467, “jeton i gjallë në zemrat e shqiptarëve, si brenda vendit, ashtu në ngulmimet jashtë tij”, do thoshte Mark Vuji.

Pas rënies së Lezhës në vitin 1478 nën pushtimin osman, dioqeza sipas relacioneve kishtare, nuk kishte një rezidence të fiksuar për shkak të përndjekjeve turke, por, selia ipeshkvore qarkullonte nga një famulli në tjetrën, si në Mërqi,  Velë, Dibër dhe në fund në famullinë e Kallmetit nga vitet 1845 e në vazhdim, vit ky kur qe ndertuar Katedralja e Kallmetit me iniciativën e Imzot IvanTopich.

Famullia e Mërqisë, kushtuar Shën Gjon Kryepremit, si administratë kishtare,  gjendet në verilindje të qytetit te Lezhës dhe kufizohet me famullinë e Kallmetit, Veles, Balldrenit dhe famullin e Lezhës.

Në dokumentet të deritanishme të njohura historike, emri i Mërqisë, sipas prof.. Kasem Biçokut, figuron në defterin e Sanxhaku të Ohrit të vitit 1583, dhe i përkiste krahinës së Petro Gjonimës, me 80 shtëpi, që përbenin 6.55 % banorëve të krahinës. Shquhej si prodhuese e madhe e drithërave, verës e ullinjve. Sipas Defterit një pjesë e popullatës që nga kjo kohë, kishin kaluar në besimin islam.

            Dokumentet historike, ku mund ta ndërtojmë ngrehinën e kësaj famullie në vazhdim, janë relacionet e vizitorëve Apostolik dhe relacionet e ipeshkvijve të Lezhës, drejtuar Selisë së Shenjtë në Romë.

Shënimin e parë nga relacionet dërguar Selisë së Shenjtë e shkëpusim nga delegati Apostolik, Imzot Marin Bici, i cili në vitin 1610, duke folur për gjendjen e Kishës Katolike në Arbri ndalon edhe në Mërqi. Pa dhënë shënime për Kishën si objekt, do shprehej së famullia ishte e dominuar nga ushtarët turq dhe te kroi (vraga) në Mërqi, mbaheshin kuvendet e Alibeiut dhe krerëve të popullit, e kunjë rast edhe vetë ai kishte shkuar atje me ndërmjetësimin e Ndoc Gjankut nga Merqia,  duke e marrë lejen për t’i vizituar kishat të tjera të dioqezës se Lezhës, të cilat gjendeshin të mjerueshme. Duke u shprehur për Ipeshkvin e Lezhës, Inocenti Stoiçi, (1596-1620), Bici, konstaton së ai për shkak të torturimeve turke, dioqezën udhëhiqte nga Raguza. Ky veprim për Bicin cilësohej si i pa pranueshëm.

Duke folë në vazhdim për ipeshkvin Stoiçi, shprehet se në fillimet e tij rezidencën e kishte afër një Kishe poshtë kalasë të Shën Katarines, në një shtëpi prej kashte. Ndërkohë Lezha nga një qytet më shumë lavdi, ishte shndërruar në një fshat, më shumicën e shtëpive të rrënuar e të dëmtuara keq, të banuara prej turqish që janë më të dhunshëm se në çdo vend tjetër, konstaton Bici.

Më ardhjen në selinë ipeshkvore të Benedikt Orsinit (1621-1654) dioqeza filloi të rimëkëmbej. Nga relacioni e tij vitit 1629, kuptojmë se gjatë pushtetit të tij, shumë Kisha dhe qela që ishin gjysmë të shkatërruar nga sulmet turke, qenë meremetuar. Më këtë rast përmendet edhe meremetimi i Kishës dhe qelës në Mërqi. Nga relacioni i mëvonshëm i Gjergj Vlladanjit i vitit 1663, kuptojmë së Orsini qe i pari ipeshkëv i cili rezidencën e tij e kishte vendosur në Mërqi. Orsini, meqenëse flet në vija të përgjithshme, për ndërtime dhe meremetime brenda dioqezës, dhe nga ana tjetër kuptojmë se rezidencën e kishte vendosur në Mërqi, me këtë rast, nuk përjashtohet mundësia që vet Orsini ta ketë ndërtuar Kishën e sotme të Kuvendit Arbrit. Dhe themelet e Kishës dhe qelës që sot gjenden në patologun poshtë varreve, mund të jenë të kohës para Bicit. Kjo nisur edhe nga një arsye e thjeshtë, së kroi(vraga) të cilin e veçon Bici në relacion, me pozicioni natyrore që ka, do furnizonte lirshëm me ujë më rënie të lirë të dy objektet poshtë varreve.

Nga relacioni i Ipeshkvit Gjergj Vlladanji,(1656-1689), i vitit 1663, kuptojmë se ai për një kohë të caktuar selinë e tij e kishte zhvendosur në Velë, për shkak se ishte mu në mes të besimtarëve që jetonin nëpër vargmalet e Mirditës dhe nuk ishin akoma të nënshtruar islamizimit në krahasim në pjesën fushore që kishin filluar të nënshtronte pushtetit turk, siç shprehet Vlladanji. Dhe tek në vitin 1665, me urdhrin e Selisë së Shenjtë, Vlladnji, kthehet në Mërqi, aty në vitin 1668, ndërtoi rezidencën e vet, me një materiae shumë të mirë, ku kishte 6 dhoma dhe një sallë të madhe, dhe cilësohej si ma e bukura në Arbëri. Relatori Apostolik, Stjefen Gaspri, në 1671, shprehet se Kisha e Mërqisë, ka famullitar, dom Pjeter Negrin dhe është ndërtuar me mur guri, por është në gjendje të keqe. Më këtë rast, Gaspri, për të parën herë nga gjithë relatorët jep statistikat e besimtarëve, duke thenë se famullia ka 80 shtëpi me 500 besimtar. Ndërsa Abati i Mirditës, Gjergj Stampaneo, në letrën e tij të vitit 1685 dërguar Selisë së Shenjtë, duke shprehur se  Rezidenca e ipeshkvit qëndron në Mërqi, jep edhe numrin e burrave katolik që janë të aftë për armë, në zonën e Lezhës, nga Pellana deri ne Mërqi, e ku rezultojnë së janë 1. 500 burra. Evidentimin e Mërqisë dhe Raboshtës e gjejmë edhe të harta e  P. Coronellit, të vitit 1688 ku Raboshta kishte  20 shtëpi më pak turq, kurse Mërqija kishte më shumë turq (shqiptarë të islamizuar). Edhe në hartën e Giacomo Rossi dhe Giacomo Contanelli, të vitit 1689, nxitur nga Francesk Albani si sekretar i kurjes Romake, evidentohen, Mërqia e Raboshta.

Në prag të Kuvendit të Arbrit, pasardhësi Nikollë Vlladanji (1692- 1728) në relacionin e tij të vitit 1694, shprehet se famullia e Mërqisë, përbehet nga Raboshta e Domja, dhe gjithësejt ka 60 familje 560 besimtar, më famullitar Mark Krythai cili jeton s’bashku me ipeshkvin në rezidencën e tij. Nga ky relacion kuptojmë, së Kisha është e ndërtuar prej guri, ka portikun dhe sakristin për mbajtjen rrobave të shenjta. Brenda është në rregull. Ka altarin kryesor dhe dy të vegjël dhe një kambana,  por pa kambanore  të mirëfilltë.

Në relacionin e Kuvendit të Arbrit mbajtur më 14-15 janar 1703, ku kryesues qe kryeipeshkvi i Tivarit, Vinçenc Zmajeviq, ai nder të tjera, shkroi se dioqeza e Lezhës, kishte dy rezidenca, njëra në pjesën malore të Mirditës dhe tjetrën në Mërqi. Famullia përfshinte Mërqinë e Raboshtën dhe kishte 60 shtëpi me 410 besimtar. Kisha ishte në gjendje shumë të mirë dhe kishte të gjitha pajisjet shërbestare; një kryq argjendti dhe një sakresti; altarin e madh në krye më figurën e Shën Gjon Pagëzuesin dhe një kambanë të madhe. Më tej Zmajeviq,  shprehej se rezidenca është e ndërtuar shumë mirë dhe nuk e ka shoqen në Arbri. Vendi është shumë i mirë dhe syri të shef fushën e Lezhës, Sapës, Shkodrës dhe Krujës deri në Kepin e Redonit që duket si kalorës. Famullia ka shumë tokë pune, vreshta, ullinj e livadhe. Ka famullitar Demeter Negrin (Ziun).

Në relacionet e tyre, pas Kuvendit të Arbrit, ipeshkvi Nikollë Vladanji 1710, e Gjon Gallata në vitin 1735, nuk evidentojnë ndryshime në këto mjedise. Gallata thotë së Mërqia kishte famullitar dom Simon Negri. Në vitin 1743, numëron 97 shtëpi më 869, besimtar dhe për shkak të shtimit të popullatës, kishte edhe dy priftërinj të tjerë si ndihmëse.

            Shënime me interes gjejmë te ipeshkvi Anton Kryeziu (1750-1765), në relacionin e tij 1753 i cili banonte edhe në Velë. Ai shprehet se në këtë Kishë ka qenë mbajtur Kuvendi i Arbrit me delegatin Apostolik Vinçenc Zmajeviq dhe Kisha është në gjendje të mirë, por qela e madhe e ndërtuar shumë mirë, tani është e pabanueshme për shkak të dhunimit të turqve. Kisha, shprehet Kryeziu,  ka dy kambana, njëra 50 libra peshe e tjetra 30. Kjo zyre famullitare jep ndihmë me ushqime të ndryshme edhe kishave të tjera nga pasuria që posedonte. Rektor i kësaj Kishe ishte  Dom Mark Popa dhe ndihmësit e tij dom Nikollë Negri dhe dom Pal Stambaneo. Famullia kishte 82 shtëpi me  932 besimtar dhe 20 shtëpi myslimane.

Pasardhësi, Imzot Mikel Kryeziu (1786 -1797) në relacionin e tij të vitit 1787, njofton, se Kisha e Mërqisë si shumë kisha të tjera në Zadrimë e Kurbin, ka qenë e dëmtuar keqas, gjatë luftës për një autonomi më të zgjeruar shqiptare të pashallëkut të Shkodrës, në mes Karamahmud Pashë Bushatliut dhe besnikut të sulltanit, Mehmet Pashë Çaushollit gatë viteve 1785-1796. Kryziu në vitin 1789, thotë se Kisha është aq e prishur sa duket se do të rrënohet në mos sot o nesër dhe mezi qëndron në këmbë. Popullata është varfëruar nga plaçkitjet turke dhe për ringritjen e Kishës duhet ndihma e Propagada Fide në Romë. Famullia ka 136 familje me, 886 besimtar.

 Për fillimin e rindërtimit të Kishës, dhe sfidat më të cilat ndeshet ky rindërtim, flet Kryezui në relacionin e viti 1792.

            Kryeipeshkvi i Durrësit, Tommazo Mariani, në cilësinë evizitorit, në 1795, jep informacion se, rezidenca dioqezane dhe shkolla janë akoma në Velë. Në Mërqi ku u mbajt Kuvendi i Arbrit i udhëhequr nga Zmajeviqi, qëndron një pallat i bukur ndërtuar nga Gjergj Vlladanji, por Kisha famullitare është e shembur dhe duhet rindërtuar. Selia e Shenjte ka ndarë një fond, por kërkohet ndihma edhe nga kleri dhe besimtaret. Por duhet marr licenca për rindërtim, nga kadiu i Lezhës, sepse ky objekt ka një rendësi të veçantë për shkak të Kuvendit të Arbrit, thekson Tommazo.

Imzot, Nikollë Malçi(1797- 1825), nga rezidenca në Velë, më 10 shkurt, viti 1800, flet për rindërtimin e ri të përfunduar të Kishës së Mërqisë, me ndihmën e Propaganda Fides. Por meqë nuk mjaftuan financat populli mezi arriti t’i përfundojë muret dhe çatinë e saj. Në relacionin e vitit 1801, me 4 shtator, Malçi flet se kisha ishte e ndërtuar krejtësisht e re me mure të gurit dhe e mbuluar mirë. Famullitar, kishte Dom Mark Bardhin.

Imzot Ivan Topich, (1842- 1853), administrator i Shkupit, 5 maj të vitit 1844, rrëfen në Mërqi ka 106 shtëpi më 810 besimtar. Kisha e ringritur kishte një kambanë të madhe, kurse qela është duke u rrënuar nga dhembi  kohës. Në relacionin e më vonshëm të vitit 1846, Topich, flet për zbukurimet e brendshme të Kishës, me orendi veneciane, xhama vitrat me motive të ndryshme fetare, altari dhe cibori (kelkshenjti) dhuratë nga shqiptaret e Italisë, kurse tavani i zbukuruar sipas traditës shqiptare. Zbukurimet e mëtejshme janë realizua edhe në kohen e Luigj Çurqisë ( 1853-1858), me ndihmën e Austrisë, shkruan, Pal Dodmasei, ( 1858-1868),  në vitin 1865 dhe shton se Mërqia kishte 82 shtëpi me 659 besimtarë. Dodmasej, thotë së nga Kakarqi shkova në Mërqij. Atje Kisha ishte e bukur e ndihmuar për pajisje nga brenda nga Austria, në kohën e ipeshkvit  Mons. Luigi Çurçia, në vitin 1853 dhe famullitar ishte Mark Gallat. Me këtë rast, më në fund  Kisha e Mëlqisë e kishte fituar dinjitetin e merituar.

Mërqia pas pavarësisë së vendit tonë

Por ai shkëlqim sikur nuk zgjati shumë. Në vitin 1912, e në vazhdim rifillon kalvari i ri i shkatërrimit të këtij objekti. Sipas relacionit të Luigj Bumçit,(1911-1943), famullitar ishte  dom Jak Kukulla. Qela qe djegur dhe shkatërruar me 19, mars 1912, nga turqit në ikje. Sipas delegatit Apostolik, për Shqipërinë, Ernesto Kocit në relacionin e tij vitit 1918, gjitha kishat dhe qelat në dioqezë kishin nevojë të restaurohen, sepse shumica prej tyre kanë qenë të dëmtuar nga esadistet shqiptar në vitin 1915 dhe dhembi i kohës.

Në vitet në vazhdim, këto objekte të Kuvendit të Arbrit nuk patën trazime të theksuar, pos nevojës për mirëmbajtës të zakonshëm nga degradimet e kohës.

Në regjistrin e vitit 1945, të kohës së Komunizmit, mësojmë së Mërqia kishte 440 banor dhe 78 kryefamiljar dhe famullitar ishte dom Zef Shtufi. Ndërsa në vitin 1959,kur famullitar ishte Dom Ndoc Sahatçia, famullia numëronte, 84 familje me  650 banorë. Në këtë kohë, Kisha e Mërqisë ka qenë zgjeruar në pjesën e altarit të sotëm dhe ka pasur një kambanare të gjatë në anën e majtë të hyrjes.

Me mbylljen e kishave në Shqipëri në vitin 1967, edhe këto dy objekte më rendësi historike e patën fatin e keq si shumë objekte të tjera të kultit. Kisha e qela e Kuvendit të Arbrit, për një kohë të caktuar qenë shndërruar në stallë bagëtish dhe më vonë duke i lënë në mëshirën e fatit ato u shkatërruan, e sidomos qela që mbeti nën qiellin e hapur me katër muret e saj.

Pas hyrjes së demokracisë në vitin 1991, meqenëse Dioqeza e Lezhës, si dhe të gjitha dioqezat të tjera në Shqipëri, ishte ende e pa organizuar mirë, Kisha e Mërqisë e cila ishte në gjendje rrënimi, u meremetua plotësisht nga famullitari atëhershëm, Dom Dodë Gjergji, duke u inaugurua ditën e Shën Gjon Kryepremit më 29 gushte të vitit 1996. Por, qela nga e cila kishte mbetur vetëm në muret jashtëm, nuk u arrit të meremetohet as sot e kësaj dite.

Projekti ynë

Pas sistemimit dhe restaurimit të Kishës të poetit Mjeda në Kukël, (2014), kishave mesjetar të Balldrenit (2019) dhe asaj të Pllanës, (2020), duke kuptuar rolin që ka në historinë e popullit Kuvendi i Arbrit, një grup vullnetmirë, hartuam projektin për krijimin e një qendre përkujtimore në Mërqi. Projekti i Arbrit do shtrihet në gjithë hapësirën e oborrit të Kishës ekzistuese, rehabilitimin e mureve të rrënuar të qelës si dhe rehabilitimin e pjesshëm të Kishës në fjalë. E shohim të domosdoshme, edhe kryerjen e gërmimeve në rrënojat e Kishës së vjetër poshtë varrezës, si dhe në rrënojat e Kishës paleokristine në Sukën e Gjelit, poshtë Mërqisë, të zbuluara nga arkeologet shqiptar e gjerman në vitin 2008.

* KONFERENCË SHKENCORE JUBILARE: PAPA KLEMENTI XI DHE SHQIPËRIA.

TIRANË, 15 KORRIK 2021

MBAJTUR TE AKADEMIA E SHKENCAVE E SHIQIPËRISË.

Filed Under: Histori Tagged With: dom Nike Ukgjini, Merqia, Papa Klementi

NORA GJAKOVA, MEDALJA E DYTË E ARTË PËR KOSOVËN NË TOKIO 2020

July 26, 2021 by s p

Një sukses i madh për shtetin e Kosovës në Lojërat Olimpike të Tokios në Japoni. Xhudistja nga Peja, Nora Gjakova të shtunën me 26 korrik fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 57 kg për femra. Xhudistja Nora Gjakova siguroi medaljen olimpike pasi mundi japonezen Tsukasa Yoshida në gjysëmfinale. Kjo është hera e dytë që Kosova merr pjesë në Lojërat Olimpike.

Në Rio, më 2016, xhudistja Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e artë. Të shtunën me 24 Korrik xhudistja Distria Krasniqi fitoi medaljen e parë të artë teksa mundi në finale japonezen, Funa Tonaki. Xhudistja Krasniqi para se të shkonte në finale mundi Urantsetseg Munkhat të Mongolisë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Nora Gjakovën për medaljen e artë që e fitoi sot në Tokio. Sipas presidentes, fitorja e Gjakovës në një ditë zie për Kosovën, është dritë. “Në këtë dite zie për popullin tonë, Nora Gjakova i solli dritë Kosovës.  Faleminderit Nora e artë, që duke ecur rrugës së Majlindës e Distrias po i jepni motiv një populli të tërë për t’u ringritur edhe në vështirësi.  Xhudistet tona po arrijnë majat që shumë shtete i kanë ëndërruar. Ato janë epiteti më i mirë i Kosovës së ditëve tona. Përzemërsisht, ju faleminderit”, ka shkruar Presidentja Vjosa Osmani. Ekipi Olimpik i shtetit të Kosovës ka pritshmëri që të rrisë më tej numrin e rekordeve e medaljeve, arritje  e cila bën krenarë të gjithë shqiptarët kudo në botë për këtë paraqitje historike.

Filed Under: Featured Tagged With: Kampione Olimpike, Nora Gjakova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT