• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2021

Çmimi “Nobel” për Paqen për 2021 dy gazetarëve me kurajo për lirinë e shprehjes

October 8, 2021 by s p

Unioni i Gazetareve Shqiptare

Komiteti Nobel u jep çmimin e paqes 2021 gazetarëve nga Filipinet dhe Rusia për “përpjekjet për të mbrojtur lirinë e shprehjes”.Çmimi Nobel për paqen për vitin 2021 u është dhënë gazetarëve dhe aktivistëve të fjalës së lirë Maria Ressa nga Filipinet dhe Dmitry Muratov nga Rusia.Kryetari i komitetit, Berit Reiss-Andersen, tha se vlerësimet ishin bërë për “përpjekjet e tyre për të mbrojtur lirinë e shprehjes, e cila është një parakusht për demokracinë dhe paqen e qëndrueshme”.Maria Ressa është një gazetare dhe autore filipino-amerikane, bashkëthemeluese dhe CEO e Rappler, e cila kaloi gati dy dekada si reportere investigative në Azinë Juglindore për CNN.Në vitin 2020 ajo u dënua për cyberlibel sipas një ligji të diskutueshëm të Filipineve kundër krimit në internet, një veprim i dënuar gjerësisht nga grupet e të drejtave dhe gazetarët si një sulm ndaj lirisë së shtypit.The Guardian e quajti atë një “gazetare guximtare” dhe bindjen e saj një veprim “të krijuar për të qetësuar mediat”.Dmitry Muratov është një gazetar rus dhe kryeredaktor i gazetës “Novaya Gazeta”, e përshkruar nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve si “gazeta e vetme me të vërtetë kritike me ndikim kombëtar në Rusi sot”, të cilën ai e redaktoi midis 1995 dhe 2017.Muratov fitoi një Çmim Ndërkombëtar të Lirisë së Shtypit në 2007 për guximin e tij në mbrojtjen e lirisë së shtypit përballë sulmeve, kërcënimeve dhe burgimit.

Filed Under: Uncategorized

MENTALITETI I TË NËNSHTRUARIT

October 8, 2021 by s p

Angazhimi i individëve apo intelektualëve të guximshëm   për të ndryshuar gjendjen në favor të popullit përkatës, mbetet aspiratë e vazhdueshme  në fusha të ndryshme shoqërore. Në këtë aspekt  çështje të veçantë paraqesin pjesëtarët e popullit të ndarë, ku shqiptarët në Mal të Zi, paraqesin rast për hulumtim, sepse  kemi të bëjmë më të  drejta të kufizuara si më parë në monizëm  edhe tash në pluralizëm. Dëshmi e një konstatimi të tillë kemi  fushën e arsimit në gjuhën shqipe,  sepse në praktikë janë programët mësimore e tekstët shkollore të imponuara, që  janë në kundërshtim me barazinë qytetare e nacionale sipas  standardëve demokratike europiane 

Nail  Draga 

Nëse i bëhët një retrospektivë pozitës dhe statusit të shqiptarëve në Mal të Zi del qartë se kemi të bëjmë me sfida të vazhdueshme për të mbijetuar. Ishte koha e krizës politike e shoqërore, ku shqiptarët  vazhdimisht ishin të rrezikuar. Ndonëse pas Luftës së Dytë Botërore  u  hapen shkollat  në gjuhën shqipe,  më pas  u paraqiten  pengesa të natyrave të ndryshme, sepse shkollimi i shqiptarëve nga ana e pushtetit nuk shihej me simpati. Ishte pikërisht  pushteti i kohës, që  punoj në unifikimin e shkollave në gjuhën sllave, duke mbyllur  shkollën në gjuhën shqipe siç ishte viti 1956/57 në qytetin e Ulqinit, e gjetiu në viset shqiptare Mal të Zi. 

Kemi të bëjmë pikërisht me  kohën  e hegjemonizmit shtetëror e udhëhequr me mentalitetin  kolonialist, ku kundër shqiptarëve realizoheshin skenarë të ndryshëm, sepse bëhëj presion special, ku përveç politikës së asimilimit  bënte pjesë edhe emigrimi i dhunshëm, që si qellim final ishte spastrimi etnik i hapësirës etnogjeografike shqiptare në ish Jugosllavi.

Imponimi i programëve mësimore

Të gjithë jemi dëshmitar se në shkollat më mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi si në monizëm   edhe në kohën e pluralizmit  është  mohuar identiteti në lëndët e identitetit kombëtar. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse kemi të bëjmë më programe shkollore unitare të imponuara  e poashtu edhe tekse shkollore  nga autorë  sllavë  të përkthyera në shqip. Në këtë aspekt përjashtim bën vetëm teksti shkollor  nga gjuha shqipe. Si të tilla këto tekste janë të përshtatshme vetëm për nxënësit në gjuhën sllave e jo për nxënësit shqiptar. Pra, kemi të bëjmë më mohimin e të drejtave për nxënësit shqiptarë që  të mësojnë për identitetin  e tyre kombëtar sidomos për lëndët e identiteit kombëtar siç janë  historia kombëtare, kultura muzikore, dhe  arti figurativ. 

Ndonëse një veprim i tillë është në kundërshtim me të drejtat e garantuara më Kushtetutë(neni 79) dhe standarde ndërkombëtare europiane, pushteti në Mal të Zi nuk ka treguar gadishmëri për ndryshime pozitive  në këtë drejtim, për të realizuar në praktikë barazinë qytetare e nacionale edhe për shqiptarët në këtë mjedis. 

Do të ishte e logjikshme që në një mjedis demokratik çdo kërkesë e cila është në favor të barazisë nacionale të shqiptarëve në Mal të Zi që nuk cenon të tjerët duhet të jetë e pranueshme për  pushtetin në këtë mjedis. Por, në Mal të Zi   ende mungon kapaciteti demokratik i pushtetit duke mbetur peng i paragjykimeve  ndaj shqiptarëve si në kohën e monizmit  edhe pse kanë kaluar tre  dekada në pluralizëm(!?). 

Dështimi i partive politike të shqiptarëve

Çështja e  arsimit në gjuhën shqipe  në periudhën e pluralizmit  ka mbetur pa realizimin e objektivave,  përkatësisht nuk është avancuar sipas kërkesave të ligjshme të shqiptarëve. Në këtë aspekt subjektet politike të shqiptarëve, këtë çështje e kanë cekur sidomos në fushatat zgjedhore sa për të thënë por konkretisht nuk kanë bërë asgjë, nga del se ka munguar serioziteti dhe guximi profesional për të trajtuar këtë çështje. 

Ndonëse përfaqësuesit e tyre ishin pjesë e pushtetit qendror(1998-2020), në fushën e arsimit  kanë dështuar, sepse asnjëherë  nuk kanë trajtuar  çështjet programore arsimore  sidomos nga lëndët e  identitetit kombëtar. Dhe nga një gjendje e tillë  nxënësit shqiptar në shkollat më mësim në gjuhën shqipe  vazhdojnë të mësojmë për të tjerët e jo për vetën, që të përkujton  vendet koloniale. Në këtë aspekt  teksti mësimor nga lënda e historisë dhe kulturës  muzikore është dëshmi autentike e një konstatimi të tillë.

Në lidhje më këto çështje shqiptarët nuk janë konsultuar asnjëherë nga resori arsimor qeveritar, sepse ata nuk trajtohen si partner, por iu imponohen programet mësimore dhe tekstet shkollore, nga del se deri më tash mungon  vullneti i pushtetit për ndryshime cilësore në fushën e arsimit. 

Pasi dallohën nga gjuha, historia, kultura   dhe prejadhja etnike shqiptarët si popull autokton janë të veçantë në mozaikun e popujve në Mal të Zi, andaj duhet të kenë të drejta të posaçme arsimore, në favor të mbrojtjës dhe zhvillimit të identitetit kombëtar në një mjedis multinacional sipas standardëve ndërkombëtare.

Pikërisht duke marrë parasysh këtë realitet arsimor, ka qenë e udhës që partite politike të shqiptarëve në këtë mjedis të angazhohen ne arritjen e memorandumit të   bashkëpunimit me ministritë e arsimit në Shqipëri e Kosovë që do të ishte në favor të arsimit në gjuhën shqipe në këtë mjedis. Mos angazhimi I tyre në këtë drejtim  dëshmon mungesën e guximit për tu ballafaquar më çështjet e identitetit kombëtar sipas standardëve ndërkombëtare. Çdo deklarim politik në këtë drejtim nuk mund të arsyetohet më asgjë, sepse partite politike nacionale mbrojtjen dhe avancimin  e çështjës kombëtare duhet ta kenë  mision të përhershëm programor.

Tekste  të dëmshme për shqiptarët

Nëse rastësisht do të pyesësh nxënësit shqiptar në shkollë me mësim në gjuhën shqipe për ndonjë datë, ngjarje apo personalitet nga historia apo kultura shqiptare do të zhgënjehësh shumë, sepse  ata nuk kanë përgjigje pozitive. Dhe arsyetimi më i shpeshtë është  se nuk na mësojnë mësimdhënësit sepse këto çështje nuk janë paraparë me program  shkollor. Madje cekin se tekstet shkollore janë  nga autorë  sllav të cilët janë për shkollat në gjuhën sllave, ndonëse  janë përkthyer në shqip dhe si të tillë nuk kanë të bëjnë fare  me historinë dhe traditën shqiptare. Kemi të bëjmë pikërisht me tekstet shkollore  nga lënda e historisë dhe kulturës  muzikore, si për shkollë fillore dhe të mesme, që  janë  të papranueshëm dhe të dëmshëm  për ne shqiptarët, sepse arsimohen nxënës pa identitet kombëtar. 

Madje për vite më radhë  na është imponu  si virus një padituri duke u  bërë shprehi  e kohës   me pasoja të mëdha  sot dhe në të ardhmën. Sepse, kemi të bëjmë me politikën arsimore e cila për ne shqiptarët  është e papranueshme duke qenë dëshmi  e mentalitet e të nënshtruarit edhe në periudhën pluraliste, që është absurd për kohën tonë! 

Politizimi i arsimit 

Në rrethana të krijuara shoqërore edhe në pluralizëm vite me radhë është e pranishme kriza morale  edhe pse periudha e pluralizmit ka ofruar mundësi të mëdha të prezantimit të vlerave  identitare. Por, jemi dëshmitarë së autoriteti i mësimdhënësit ka rënë në nivelin më të ulët shoqëror, sepse në këtë profesion me ndonjë përjashtim të rastit janë orientuar studentet më të dobët. Ndërsa nga ana tjetër, drejtimi i shkollave është politizuar maksimalisht, duke vendosur kuadrat partiake pa marrë parasysh vlerat profesionale dhe autoritetin shoqëror në mjedisin përkatës. 

Me përjashtim të rastëve të veçanta në këtë aspekt mësimdhënësit nuk kanë treguar disponim dhe angazhim konkret por në heshtje kanë vazhduar të realizojnë programet mësimore, të cilat për ne shqiptarët janë të imponuar. Një qendrim i tillë oportunist jep për të kuptuar se  të ata ende vazhdon qasja psikologjike e kohës së monizmit, përkatësisht i mentaliteit të nënshtruarit, duke mos marrë nisma në këtë drejtim. Deri më tash nuk kemi pasur rast të degjojmë  apo të lexojmë ndonjë reagim, në këtë drejtim si nga mësimdhënësit  apo të aktivit profesional, për të njoftuar opinionin e gjerë. Në këtë aspekt nuk kanë më pak përgjegjësi as prindërit sepse ka munguar reagimi i tyre për çështjet programore dhe përmbajtjët e teksteve shkollore, që i përdorin fëmijet e tyre. Sepse asnjë prind nuk mund të qendrojë indiferent kur fëmisë së tij i mohohet edukimi dhe identiteti kombëtar, në emër të gjoja shtetit të qytetarëve. Pikërisht nga programi  dhe tekstet e tilla shkollore nxënësi shqiptarë është inferior ndaj të tjerëve sepse mëson pothuaj çdo gjë për të tjerët e asgjë për vetën, që është absurd për kohën tonë dhe më pasoja tek popujt e ndarë në mjediset   multinacionale.

Më heshtje  nuk ndryshohet  gjendja

Duke qenë dëshmitar se  edhe në pluralizëm sistemi arsimor nuk ofron  barazi  për të gjithë qytetarët  në edukim  e identitet kombëtar ku rast tipik janë shqiptarët në Mal të Zi, mbetët  obligim i yni intelektual për të ofruar modele të pranueshme për të eliminuar    diskriminim arsimor sipas standardëve demokratike ndërkombëtare sikurse në vendët multinacionale e multikulturore. 

Përfundimisht,  nëse vazhdojmë  të  jemi të heshtur apo statist  vetëm për qëllime  personale gjendja e jonë  nuk do të ndryshojë, ndërsa   përgjegjësia bie mbi të gjithë por në veçanti në ata  që janë përfaqësues të zgjedhur të shqiptarëve në këtë mjedis, sepse arsimi në shqip, nuk është çështje personale apo partiake por faktori bazë i mbrojtjës së identitetit tonë  kombëtar.                 

 (6 tetor 2021)

Filed Under: Analiza Tagged With: Nail Draga

Hajredin Fratari: Bashkimi kombëtar vjen duke hequr barrierat Shqipëri-Kosovë!

October 8, 2021 by s p

Intervistë me sipërmarrësin e njohur dhe themeluesin e “Konfindustrias shqiptare”, Hajredin Fratari

Çerçiz Loloçi

Hajredin Fratari, nipi i kombëtarëvet Hajredin Fratari nga Mallakastra dhe Avni Gjilani nga Kosova, i biri i nacionalistit Rauf Fratari, u lind në Tiranë më 30.09.1942. Kreu Teknikumin e Ndërtimit dhe punoi si teknik në Berat. Vazhdoi shkollën, një filial nafte në Kuçovë, mandej Universitetin e Tiranës, natën, dega e Inxhinierisë së Ndërtimit, më 1966. Punoi inxhinier ndërtimi në Pukë, mandej në Tepelenë. U arrestua më 15.09.1979 dhe pas një hetuesie intensive me tortura për 13 muaj, u dënua me 25 vjet burg (15 vjet për “sabotim”, 10 vjet për “agjitacion e propagandë” dhe 5 vjet internim, (vendimi nr. 27 viti 1980). E vuajti dënimin në burgun e Tiranës, në të Ballshit, në një kamp përqendrimi me mëse 1100 të burgosur dhe në burgun e Qafë-Barit. Pjesëmarrës në revoltën e të burgosurve në burgun e Qafë-Barit, maj 1983. U torturua për 31 ditë me radhë për pjesëmarrje ne revoltë. U dërgua në burgun e Burrelit për një vit e gjysëm (1983-1985) dhe në burgun-kamp të Bulqizës (1986). U lirua më 11.09.1987.

Ku kanë nisur përpjekjet tuaja të para në fushën e sipërmarrjes së lirë?

Më muajin maj ose qershor 1990 ka filluar veprimtaria ime sipërmarrëse, sapo qeveria bëri të mundur me ligj krijimin ndërmarrjet private. Duhet të kishe 10 mijë lekë të vjetra që të hapje një numër llogarie në një bankë që të merrje lecensë. Mu deshën 2 muaj që të bëja 10 mijë lekë të të vjetra dhe u hap ndërmarrja e parë e ndërtimit në Shqipëri.

Sapo mora licensën gjëja e parë është se më vjen një djalë nga SHBA dhe më kërkoi t’i ndërtoja një vilë në Kopshtin Botanik. E kërkonte urgjent dhe për gjithë natën bëra preventivin dhe projektidenë e vilës dhe i thashë do fillojmë me bodrumin. Preventivi i bodrumit bënte 360 mijë lekë, do paguash 30 përqind dhe unë do filloj punimet sa më parë.  Emigranti shkoi në Bankën Qendrore dhe pagoi gjithë vlerën dhe ky objekt përfundoi brenda një muaji. Të thashë 30 përqind e jo gjithë vlerën e vilës, i thashë emigrantit nga SHBA. Po po, unë të njoh prej kohësh ndaj kërkoj të ndërtosh diçka për mua, më tha ai. Ndërkohë një brigatë tjetër e imja punonte për kryegjyshatën dhe ndërtova falas tre tyrbetë e para në selinë qendrore. Kam investuar rreth 2 milionë lekë për selinë e kryegjyshatës. Një kthesë në veprimtarinë time ishte ngritja e Frigoriferit Metalik, të cilin e mora për një afat 9 muajsh dhe e realizova për 6 muaj. Nga kjo punë unë përfitova 100 mijë USD. Në atë kohë fillova të bleja makineri dhe pajisje të tjera që i duheshin një firme ndërtuese.

Nga ajo kohë e deri më sot, çfarë do të vlerësonit si arritjen më të madhe në sipërmarrjen tuaj?

Ndërmarrja ime u rrit viti pasi viti, u plotësua në staf dhe në një ekip profesionistësh dhe prej tyre punët më të mira kanë qenë komplekset që kam ndërtuar në Yzberisht, në Kopështin Botanik dhe te ish artistikja Migjeni. Gjatë kësaj periudhe kam punuar edhe me fonde publike, konkuroja si gjithë të tjerët dhe fitoj objektin si oferta më e mirë. Nga 1997 hoqa dorë nga punët me tendera publikë sepse u rrit shumë edhe korrupsioni. Me ndërmarrjet time kam realizuar edhe disa ndërtime spitalore dhe objekte të tjera.

Megjithëse me prejardhje nga nga një familje atdhetarësh ndër breza, ju nuk jeni përfshirë në politikë?

Mbas vitit 1992 vura re që Partia Demokratike që aspironim shumë nuk dëshironte të kishte në gjirin e saj njerëz që kishin orgjinë nga familje atdhetarësh e të përkushtuar që kishin kontribuar ndër breza për Shqipërinë. Unë kisha fatin të isha nipi i dëshmorit të parë, të shtetit shqiptar, Hajredin Fratari vrarë më 1914 nga rrebelët, ai është njëherësh dëshmori i kombit dhe dëshmor i atdheut. Megjithatë kur PD kishte nevojën për kontributin tim, siç ishin zgjedhjet e vitit 1997, 2001 e 2005 kam ndihmuar mjaft për të bërë fushata në Tepelenë, në Mallakastër, në Tiranë. Mendoj se PD nuk ka dashur kurrë që të kishte brenda saj pjestarë nga familjet tona. Pra megjithëse jo shumë të dëshiruar në partinë e re të krijuar pas viteve nënëtëdhjetë, unë e pashë të domodoshme të përfshihem drjtpërdrejt në garën elektorale apo për të ndihmuar në fushata dhe kandidatë të tjerë. Përfshirja më e fundit nga familja ime ka qenë në zgjedhjet e fundit parlamentare të vajzës sime, Lediana Fratari, që konkuroi në Tiranë për Partinë Demokratike. Megjithëse e vënë në listë në kufirin e fundit ajo zhvillua një fushatë qytetare, me ide dhe propozime konkrete, çka u vlerësua me një numër të konsiderueshëm votash duke lënë pas shumë emra të tjerë të kësaj force politike.

Pavarësisht mospërfshirjes në politike, ju keni qenë aktiv në themelimin e një shoqate profesionistësh ‘Konfidustria shqiptare”; na thoni diçka për veprimtarinë e saj?

Në dhjetor 2005, së bashku me disa profesionistë themelova shoqatën “Konfidustria shqiptare”, një organizatë që mblidhte gjithë industrialistët e vendit. Shoqata bashkëpunonte kryesisht me konfidustrian italiane dhe vazhdon ende të funksionojë duke u marrë me projekte të donatorëve të huaj dhe të Komunitetit Europian.

Si ish i përndjekur politik, si do t’i vlerësonit raportet me PD dhe forcat e reja demokratike të krijuara pas viteve nëntëdhjetë?

Të gjithë ish të përndjekur dhe ish pronarët ishin shtylla kryesore e Partisë Demokratike dhe e forcave të reja politike të krijuara pas viteve nëntëdhjetë, por u zhgënjyen shumë nga PD sepse bëri shumë pak këtë shtresë. Këto dy shtresa do të përfitonin shumë në radhë të parë duke anulluar ligji 7501 që pranarët të merrnin tokat dhe pronat e tyre, ndërsa të përndjekurit të merrnin punë e papaguar gjatë viteve të burgut. Për ta shpërblyar këtë shtresë ishte shumë e thjeshtë, por qeverisjet e demokratëve nuk ishin të interesuar të bënini një gjë të tillë. Strehimi i të përndjekur politikë do të merrte një zgjidhje përfundimtare, majfton që të jepeshin disa parcela shtetërore për disa ndërtues, të cilat të të kishin si detyrë edhe banesat për këtë shtresë.

Sipas jush a egziston aktualisht një klimë e mirë biznesi?

Për të paraqitur limën e biznesit mjafton t’u referohesh raporteve ndërkombëtare si ai i Bankës Botërore apo raporti më i fundit i Dhomës Amerikane të Tregëtisë që thotë se vetëm në Shqipëri nuk bën dot biznes. Referuar vendeve të rajonit si në Mal të Zi, Maqedonia e Veriut, e të tjera vende që kanë taksën 9 përqind, ato janë bërë edhe shumë tërheqëse për investitorët e huaj dhe ata vendas. Në Shqipëri kjo taksë është 35.2 përqind dhe duke përfshirë edhe atë që jepet nën dorë shkon shkon deri në 40 përqind.

Një dimension pak i njohur ka qenë përfshirja juaj në krizën kosovare…

Natyrisht se për të huajt ajo ishte një krizë kosovare, por për në ishte thjesh krizë shqiptare dhe pikërisht me këtë aspect do kuptuar edhe mikpritja e mijëra njerëzve që u përfshinë në konflikt me regjimin e Millosheviçit. Kur ndodhi kriza kosovare, une po shkoja në Itali. Sa zbrita në Romë më telefonon motra dhe më thotë se në stadiumin e lojërave me dorë kanë ardhur shumë shqiptarë nga Kosova. (Siç mund ta dini nëna ime është me origjinë nga Kosova dhe lidhja ime me shtetin tjetër po shqiptar ishte pak më e veçantë). Mora disa familja nga Kosova dhe i sistemova brenda mjediseve të mia. Kur kthehem mbas dy ditësh pata shumë kërkesa dhe hapa një pallat nëntë katsh te rruga e Elbasanit dhe mora 390 veta dhe i strehova atje derisa përfundoi lufta. Kam bërë edhe një apel ndërkombëtar si rotarian dhe erdhën shumë ndiha nga vende të ndryshme të Europës.

Ka një praktikë botërore ku shoqatat e sipërmarrjes janë kritike ndaj praktikave qeverisëse; pse mungon kjo praktikë në vendin tonë?

Qeverisjet e ndryshme si të Partisë Demokratike dhe ato të Partisë Socialiste janë munduar që t’i blejë shoqatat e biznesit për t’i pasur si leva të saj. Në këtë mënyrë ato u shërbejnë interesave të tyre të ngushta ose të krerëve të tyre dhe pak komunitetit të biznesit, që janë kontributorë të rëndësishëm në një shtet demokratik. 

Në këndvështrimin e një sipërmarrësi, a mendoni se mund të bëhet më shumë për heqjen e barrierave shtetërore midis Shqipërisë-Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut e Malit të Zi ku shqiptarët janë bashkëqeverisës?

Mendoj se kjo është e qëllimshme nga influence serbe sepse është shumë e thjeshtë që të hiqet trau mes Kosovës dhe Shqipërisë, ashtu siç u unifikua abetarja, mund të bëhet edhe unifikimi doganor. S’ka nevojë për bërtitje për bashkim kombëtar, por të hiqen pengesat midis tre vendeve dhe tregu shqiptar do të kishte një frymëmarrje tjetër edhe për thithjen e investimeve të huaja, por edhe për të rritur më shumë ekonominë shqiptare.

Filed Under: Politike Tagged With: Cerciz Loloci, Hajredin Fratari

Albin Kurti intervistë për mediumin amerikan “Bloomberg”

October 8, 2021 by s p

-Kryeministri Kurti për “Bloomberg”: “Miliardat e BE -së për Ballkanin Perëndimor duhet të ndërlidhen me vlerat e BE–së”/

Prishtinë, 7 Tetor 2021- Gazeta DIELLI/

Në margjina të Samitit të Bashkimit Evropian me shtetet e Ballkanit Perëndimor në Bërdo të Sllovenisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka dhënë intervistë për mediumin amerikan “Bloomberg”. Në intervistë, kryeministri Kurti ka theksuar se fondet e Bashkimit Evropian për të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë të ndërlidhura me vlerat e BE-së.

Në vijim intervista e kryeministrit Kurti dhënë për “Bloomberg”:

“Miliardat e BE-së për Ballkanin Perëndimor duhet të ndërlidhen me vlerat e BE-së”, thotë lideri i Kosovës.

Bashkimi Evropian duhet të ndërlidhë ndarjen e dhjetëra miliona eurove, të rezervuara për gjashtë vendet e Ballkanit që shpresojnë t`i bashkohen bllokut, me të dhënat e tyre mbi sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit, tha Kryeministri i Kosovës.

Deklaratat e Kryeministrit Kurti janë një thirrje e rrallë për më shumë mbikëqyrje të BE-së nga një rajon që është gjithnjë e më shumë i pakënaqur me ngurrimin e bllokut për të përshpejtuar procesin e pranimit të anëtarëve të rinj.  

Ato përkojnë edhe me konfrontimin mes Komisionit Evropian dhe anëtarëve të tij  – Polonisë dhe Hungarisë, që rrezikojnë të humbasin ndihmën në vlerë të miliarda eurove për shkak të ngecjes në demokraci dhe shkeljeve të sundimit të ligjit.

“Nuk duhet të ketë fonde të BE-së, pa vlera të BE-së,” tha ai gjatë një interviste në margjinat e samitit në Slloveni. “BE-ja nuk duhet të heq dorë nga natyra e saj transformuese, për atë transaksionale”.

Ndonëse Komisioni ka aprovuar 30 miliardë euro (35 miliardë $) për shtetet e Ballkanit Perëndimor, që do shpenzohen përgjatë shtatë viteve të ardhshme, nuk ka caktuar një datë të saktë për zgjerimin, gjë që kërkohej nga shtetet aspiruese si dhe nga disa shtete anëtare.


Kjo ka ngritur shqetësimin që qasja e ngadalshme ndaj zgjerimit të BE-së mund të hap rrugën për rivalët e bllokut meqenëse disa shtete, përfshirë këtu Serbinë, kanë lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën.  

“Është shumë e rëndësishme që këtyre shteteve t’ju bëhet e qartë se sa shumë kujdesemi për ta”, u tha të mërkurën gazetarëve Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. “Ne jemi partneri i preferuar i tyre”.


Kurti tha se ndonëse e kupton një masë hezitimi të shteteve anëtare për zgjerimin e mëtejshëm të bllokut për shkak të mosmarrëveshjeve dhe përplasjeve sa i përket vlerave demokratike të anëtarëve që u pranuan më herët gjatë këtij shekulli, ai paralajmëron kundër përhapjes së këtij hidhërimi në procesin e zgjerimit.“Mendoj se është mirë që BE-ja të kthehet tek esenca e vetë – që është zgjerimi” tha ai. “Dhe kurdo që thuhet zgjerim i BE-së, së pari dhe para së gjithash është Ballkani Perëndimor, me të cilin BE-ja arrinë harmoninë e vetë si kontinent”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Albin Kurti

Konsolidimi i pavarësisë dhe demokracisë që përshpejtojnë bashkimin e kombit

October 8, 2021 by s p

Nga  Skënder Sadri KAPITI

Skënder Kapiti: Ngushëllime të afërmëve të atyre që humbën jetën nga  zjarret në Turqi - Bota Sot

Nëse njerëzit e një populli nuk kanë besim te vetvetja dhe nuk janë të ndërgjegjësuar fort për rëndësinë e përkatësisë së tyre kombëtare, atëherë ata mbeten kozmopolit dhe të pushtuar nga ksenomania që është respektimi, imitimi dhe deri dhe adhurimi i gjërave të të huajve, duke arritur qoftë dhe padashje që të bien dhe pre e vullnetit dhe e të këqijave të tyre. Dhe kur shumica prej tyre kanë për kulturë hipokrizinë dhe si moral durimin e të padurueshmes, tolerimin e të palejueshmes dhe sidomos lehtë mashtrimin për pak interes personal, si dhe lehtëmashtrimin nga paraja,joshja dhe korrupsioni , që do të thotë rënia pre ndaj korrupsionit e më pas duke dhe e mbajtur dhe ushqyer atë, si dhe kur njerëzit kanë dhe zbatojnë ndërvete si ligj të pashkruar inatin, egoizmin, tradhtinë dhe hakmarrjen atëherë ai popull lëviz ngadalë si komb. Për konsolidimin e kombit nuk mjaftojnë vetëm geni dhe gjuha e etnisë po duhet që mbi to që janë dhe themelet më të forta të kombit të ndërtojmë Kullën e kombit, shtetkombin e bashkuar që s’ka të përfunduar, pasi pandërprerë kërkohet nga kombi Besimi, edukimi, punë e përpjekje për evoluimin patriotik, moral, material dhe të demokracisë, por të një demokracie që përzgjedh jo një elitë të keqe e të korruptuar ,po që përzgjedh një elitë aristokrate, patriotike dhe fisnike, se ndryshe ajo bën të keqen me mashtrimin dhe korrupsionin. Kryesore dhe parësore për një komb të bashkuar është Pavarësia. Pavarësia është vepra më e madhe që realizon një popull me krijimin dhe bashkimin e tij në një shtet kombëtar, është një ndërgjegjësim i vazhdueshëm i tij për përkatësinë dhe rëndësinë e saj, përkatësi për të cilën ata ndjehen krenarë dhe ku brenda kësaj përkatësie të pavarur ata realizojnë personalitetin e talentin e vet dhe dinjitetin e nderin e vet drejt një qëllimi të përbashkët për sigurimin e jetës, lirisë dhe lumturisë. Pavarësia është një ndërgjegjësim kundër nënshtrimit, egoizmës dhe ksenomanisë, është shpëtimi prej humbjes, është dështim i disfatës dhe përçarjes. Pavarësia është zhbllokim i dijeve, mundësive dhe i energjive të kombit,është reforma e fillimit të reformave dhe të reformimit të vazhdueshëm të tyre, është atdhetarizmi i çliruar prej vargonjve të pushtuesit, është demokracia e çliruar nga diktatura, padrejtësia dhe korrupsioni dhe ndëshkim i politikës dhe pushtetit që i shkakton ato.. Pavarësia është pika ku fillon ngritja, pika ku fillon lirshëm liria, ku fillon lulëzimi, është zanafilla ku fillon konsolidimi dhe triumfi drejt ngritjes e ngjitjes lart si një proces i pakëputur dhe i pandalshëm në përjetësi. Pavarësia është realizimi i ëndrrës së brezave të së shkuarës që vuajtën, sakrifikuan e luftuan aq shumë për të, e që kemi fatin ta gëzojmë ne dhe brezat që do të vijnë pas nesh. Ne po dhe ata që do vijnë pas nesh duhet t’u japim ekzistencë brezave të së shkuarës prej vazhdimësisë sonë duke tejkaluar ëndrrat e tyre të guximshme për lirinë, begatinë, lumturinë dhe krenarinë kombëtare. Pavarësia është fillimi i një epoke të re që na ngarkon me detyrë dhe përgjegjësi për të bërë në vazhdimësi ndryshimin madhështorë në garë me kohën dhe popujt e tjerë për të mos mbetur të fundit e garës në rrugën e qytetërimit. Pavarësia është krenari për çdokënd prej nesh siç është krenari e çdo biri e bije për prindërit e vet. Pavarësia është shteti si djepi ku prindërit rrisin fëmijën e vet, është si toka që ushqen njeriun, është si liria për jetën dhe punën e njerëzve në atdheun e vet. Po nëse Pavarësia fillon e venitet atëherë faji për këtë nuk është pushtuesi prej të cilit jemi çliruar dhe as të huajt e tjerë ,po jemi vetë që i akuzojmë ata për alibi sa për të qetësuar ndërgjegjen. Nëse Pavarësia fillon e venitet qoftë dhe përkohësisht faji numër një është politika ,filozofia tinëzare e korrupsionit, papërgjegjshmërisë, tradhtisë dhe e egoizmit të saj të kobshëm që është e tillë dhe aktualisht e që po na pengon duke na vonuar konsolidimin tonë. Është mjerim dhe e pakëndshme por duhet ta themi se Shqipëria me 102 vjet Pavarësi dhe Kosova me Pavarësinë e re 6 vjeçare kanë mbetur të fundit në rrugën e konsolidimit të Pavarësisë dhe Demokracisë dhe sa më shumë të zgjatet kjo rrugë aq më shumë venitet Pavarësia dhe aq më shumë venitet dhe aspirata e Bashkimit Kombëtar, aspiratë venitjes së të cilës i paraprinë papërgjegjshmëria, pandjesia patriotike e politikës së interesit të ngushtë për pushtet që u pa me rastin e 6 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ku në Shtetin Amë, në Shqipëri, nuk u zhvillua asnjë aktivitet festiv apo përkujtimor dhe minimalisht as nuk u duk as shtimi apo vendosja e simbolit kombëtar të Flamurit Kombëtar dhe as ai Shtetit të Kosovës jo se jo, gjë që sikur tregoi atë se për politikën e Tiranës, Kosova është jashtë vëmendjes së saj , dhe kjo nuk duhej kurrsesi të jetë përveçse e përkohshme dhe kalimtare, pasi është gjaku dhe lufta, vuajtjet dhe sakrificat më të shumta të shqiptarëve të Kosovës ato prej të cilave erdhi Pavarësia edhe e Shqipërisë në vitin 1912. Kur nuk bëhet diçka për festa,të paktën thjesht ceremoniale kombëtare, morale dhe shpirtërore të shkon mëndja se nuk bën gjë konkrete e serioze në funksion për integrimin panshqiptar dhe për bashkimin siç tregoi dhe “sakrifica” ekonomike e 100 mijë eurove për Preshevën në takimin e Janarit në Prizren të dy qeverive shqiptare. Kjo është ashtu si dhe ajo që ka bërë e kemi dëgjuar gjithmonë nga gjithpolitika e të gjithpushteteve edhe të para këtij të sotmi vetëm retorika patriotike spekulative për interes pushteti në Shqipëri. Shqipëria asnjëherë nuk e ka kryer detyrën si një qendër e orientimit panshqiptarë veçanërisht e konsideruar e tillë nga shqiptarët e trojeve etnike në Ballkan, po më shumë dhe vetëm i ka shërbyer politikës së ngushtë për pushtet në Shqipëri madje edhe për motive ideologjike. Edhe pasiviteti dhe indiferenca e politikës së saj sot në lidhje me Kosovën ka brenda saj djallëzinë për ftohje dhe largimin politik dhe të katalizimit të të njëjtit reaksion të politikës kosovare me qëllim të ndoshta dhe artificialisht të nxitjes së krijimit të entiteteve shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës si dy shtete të ndryshme; politikë kjo e miopisë, interesit të ngushtë, po pse jo edhe që edhe të lind dyshimi si politikë e zgjatimeve të tentakulave të politikës antishqiptare të gatuar gjetiu e që ka gjetur gjithmonë strehë historikisht në politikën e Tiranës zyrtare, e cila nuk ka nguruar madje dhe të veprojë dhe hapur kundër interesave të shqiptarëve jashtë kufijve të saj dhe që historia i di po dhe do t’i shënojë. Pritja dhe vizioni pritës që ka shumica politikës si në Shqipëri dhe Kosovë se prosperiteti, konsolidimi dhe Bashkimi do arrihet kur të integrohemi në BE është një kamuflim që bën ajo për të fshehur dështimet e veta dhe qëllimin tinëzar të vet për tu përzgjatur e zvarritur në pushtet, se vetëm pushtetin, ajo, dhe politikanët tanë aspirojnë. Askush nuk mund të profetizojë për të ardhmen e të tjerëve kur nuk di as se çfarë bën në shtëpinë e vet. Është kryekëput faji i politikës sonë që ne Europa po na shikon e trajton si dy shtet-provinca periferike siç ishim ne dikur si Vilajete në Perandorinë Otomane, dhe kjo, edhe justifikohet se vjen si meritë e kryetëparëve tanë politikanë që na janë bërë bajraktarë modern, pasi dy vendet tona janë të parat e Europës për moszbatim të ligjit, në korrupsion e varfëri, jemi dy vende që nuk kemi realizuar as nivelet e as standardet moderne demokratike shtetformuese dhe pothuajse dy vende dhe të falimentuara ekonomikisht dhe financiarisht pasi mbahen me borxhe e donacione si dhe prej parave të mbi 2 milionë emigrantëve që punojnë në perëndim. Prandaj dhe kryesisht për këto arsye BE refuzon integrimin , dhe po për këto arsye ne i lutemi Europës që të na “pushtojë” për të na pranuar. Është vetëm dështim për politikën tonë po dhe pastaj dhe për të gjithë ne që gjithmonë të jemi dakord për të marrë vetëm atë se çfarë të na japin të tjerët dhe të bëhemi e të bashkohemi siç duan dhe kur duan të tjerët. Venitja që vjen nga korrupsioni dhe dështimet sjellin mosbesm, humbje shprese dhe dëshpërim, prandaj kërkohet rilindje e ringritje për të bërë reforma e ndryshimin për përmirësim dhe për realizimin e konsolidimin e Pavarësisë. Pavarësia e vërtetë realizon integrimin shpirtëror dhe moral, integrimin gjuhësor dhe kulturor dhe atë material të mirëqenies së kombit në shtetin e pavarur. Por, Pavarësia nuk i shpëton dot ligjit të varësisë dhe të tolerancës e bashkëpunimit, se Shteti i pavarur i kombit të bashkuar në të, varet dhe duhet të tolerojë dhe të tjerët, ku dhe të tjerët janë ata të cilët dhe varen po që duhet dhe ata të na pranojnë dhe të na tolerojnë ne. Ky është personaliteti, dinjiteti dhe reciprociteti që vjen nga Pavarësia; Pavarësi e cila dhe realizon sovranitetin jo vetëm të shtetit si sovranitet të jashtëm , po edhe si pavarësi që realizon dhe sovranitetin e brendshëm si të individit e të shoqërisë, ku atë të individëve të tij si autonomi personale të tij për lirinë, të drejtën dhe talentin krahas atij të realizimit të sovranitetit demokratik të shoqërisë, si mbiqeverisje të shtetit me kushtetutën e vullnetin e tij e cila edhe kontrollon po edhe ndëshkon çdo qeverisje dhe çdo pushtet. Në mbyllje them se ne duhet tu japim disfatën dhe humbjen atyre që dëshirojnë disfatën dhe mossuksesin tonë. Ne duhet të përmbushim kryedetyrën tonë që është tani dhe mbetet në vazhdimësi emancipimi e konsolidimi i vazhdueshëm i kombit, pavarësisë, demokracisë, edukimit dhe rritjen e mirëqenies e prosperitetit dhe që i paraprijnë Bashkimit të Kombit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Skender Kapiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT