• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2021

DIKTATORI HOXHA DHE PRESIONET MBI POETET

November 11, 2021 by s p

(Copëza ngjarjesh nga një mbledhje historike,  më 11 korrik 1961)

Nga Skifter Këllici 

PROLOG 

Nga postulatet e “famshme” të diktatorit

“Populli ështe lidhur me Partinë si mishi me thoin”,”C’thotë populli bën Partia”….

Sa here i kemi degjuar keto shprehje hipokrite nga goja e vetë  Enver Hoxhës.Po  të kishte qenë ende  gjallë,të paktën deri në dhjetor të vitit 1990,  do ta kuptonte se sa  mashtrimtare dhe të neveritshme ishin këto shprehje,kur të shihte se si u shembën  shtatoret e tij, kudo që ndodheshin,sidomos në Tiranë më 20 shkurt te viti 1991 dhe se si u fshinë menjëherë nga kujtesa e popullit.  

Por Enver Hoxha përdorte po kaq hipokrizisht edhe një shprehje tjetër:”Të qëndrojmë  gju më gju me popullin”.Dhe c’është  e vërteta,kudo që shkonte në vizita,në qytete fshatra,qendra pune e prodhimi, ai dëshmonte se “qëndronte pranë popullit”.

Takohej, kuvendonte,qante hallin me fshatërë dhe punëtorë,ndonëse jeta e tyre bëhej gjithnjë dhe më e rëndë nën trysninë e ashpër të diktaturës së ushtruar prej tij.

Por  Enver Hoxha takohej edhe me intelektualët,shkrimtarët,artistët…Kjo ndodhte kur shkonte për të parë  edhe shfaqje artistike,ndonëse në dy prej tyre, më 1964 në Korcë dhe më 1979 në Tiranë, me të parë dramat “Rrethimi i bardhë dhe “Njollat e murrme” përkatëssiht të shkrimtarëve,Naum Prifti dhe Minush Jero, i kritikoi ato dhe urdhëroi që të mos shfaqeshinmë më për gabime ideore,megjithëse të dytën e kishte parë dhe madje me dorën e tij i kishte dhënë Teatrit të Korcës “Flamurin e Festivalit të Teatrove Profesioniste” bash Mehmet Shehu,ish-kryeministri,të cilin  vite më pas do ta shpallte armik dhe… poliagjent.

Enver Hoxha takohej me shkrimtarët dhe artistët edhe në kongreset e tyre.Kështu ka ndodhur në Kongresin e Parë, më 1954, të  Dytin, më 1979 dhe në Kongresin e Tretë, ,më 1983.

Në Kogresin e Parë,-tregon shkrimtari ynë i njohur,Naum Prifti,-ai ishte  ulur krahas byroistëve të tjerë në radhën e parë.Pastaj se kush erdhi e  coc i tha në vesh njerit  prej tyre,Pastaj ai  ia përcilli atë fjalë tjetrit që ishte në krah dhe kështu fjala erdhi deri te veshët e diktatorit.Ai menjëherë brofi nga karrikja ku ishte ulur bukur mirë dhe doli nga salla, i ndjekur zdruq-zdruq nga byroistetë e tjetë.Më pas mësuam a se ata ishin larguar për një mbledhje  të rrufeshme nën kryesinë e tij, sepse sapo ishin njoftuar se Panajot Plaku,ushtarak i lartë dhe anëtar i Komitetit Qendror, ishte arratisur në Jugosllavi e doemos kjo gjëmë e papritur kishte shumë më tepër rëndësi se Kongresi …

Në dy kongreset e fundit kam qënë i pranishëm edhe unë si shkrimtar.Më 1979 mori pjesë  në dy seanca dhe qëndronte në presidium pranë Dhimitër Shuteriqit, atëherë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.I ulur pranë shkrimtarëve Fatos Arapi dhe Agim Cerga,e kam parë që shkëmbente biseda të ngrohta me të.C’ëshë e verteta,u shfaq në në nga pushimet midis seancaveedhe në hollin e e selisë së Kuvendt Popullor,ku zhvillohej ky kongres dhe bëri dhe  bëri foto me tërë shkrimtarët dhe artistët që ndodheshin në sallë.

Në Kongresin III të LSHA-së, më 1983 ai mori pjesë vetëm  ne seancën plenare, i shoqëruar nga Ramiz Alia.Ndodhesha diku në një ndënjëse nga ana e djathtë e sallës dhe e pashë nga afër në lozhën ku u ul.E vërteta është se  dukej thuajse  fikur.Shihja tiparet e fytyrs së tij të mplakur,faqet pakëz të kuqe, sic dukej të ritushuara,sytë që thuajsë nuk  lëviznin fare dhe dorën që e tundte me shumë vështirësi,kur na përshëndeti.Pikërisht pas dy vitesh ai do të fikej përfundimisht.

Por, sidoqoftë, erdhi.Ishte një nga daljet e tij të fundit në publik,ndonëse këtë radhë pa qëndruar as edhe një grimë “gju më gju me popullin”.

Por një nga takimet, ku ai vërtet ka qëndruar gju më gju me krijuesit,me të cilët ka diskutuar edhe gjallërisht, ka qënë ai i 11 korrikut të vitit 1961.Dhe, sic do të shohim më poshtë, jo rastësisht. 

Takimi

.  

Nga një anë Llazar Siliqi, Kolë Jakova, Andrea Varfi, Aleks Caci, Luan Qafëzezi…nga ana tjetër Ismail Kadare, Fatos Arapi, Dritëro Agolli, Dhori Qiriazi…

Janë dy grupime poetësh, të ndryshëm, jo vetëm nga mosha, por edhe nga mendësia poetike,stili, konceptimi.Ja përse midis tyre ka nisur një luftë  e  pashpallur,që është shndërruar në një debat të hapur  në shtyp, shprehur kryesisht me krijime  poetike, që përjshtojnë njera-tjetrën.Vringëllimat  e shpatave gjatë  këtij dueli dëgjohen deri lart në kupolën e kuqe, deri te vetë Enver Hoxha.

Në sallën qendrore të UT organizohet, pra kjo mbledhje e gjerë me intelektualët.Qëllimi i saj:”Diskutimi rreth vendimit të KQ të PPSH-së “Mbi letërsinë dhe artet”(7 qershor 1961).Referatin kryesor e mban Ramiz Alia,sekretari i KQ për ideologjinë.Në këtë mes  nuk ka asgjë të befasishme, sepse deri atëherë Ramiz Alia,ashtu si Enver Hoxha, është takuar jo rrallë me shkrimtarë  me intelektualë,poetë e skrimtarë dhe po takohet sërishmi.Por këtë radhë ky referat është vetëm ballorja e këtij takimi, ku nuk u diskutua me  intelektualët,sepse  pas referatit,takimi u shndërrua në një debat të ndezur vetëm  midis poetëve të vjetër dhe poetëve të rinj.

Pa pritur, disa caste para fillimit të mbledhjes, në sallë futet Enver Hoxha, duke lënë të shtangur jo vetëm pjesëmarrësit,por edhe vetë drejtuesit e mbledhjes.

Nuk është lajmëruar se  kreu i Partisë do të marrë pjesë në këtë mbledhje, ndryshe do të ishin marrë masa të rrepta nga Sigurimi  i Shtetit.,që në fakt u shfaq menjëherë ne mjediset rreth sallës.

Ka një arsye.Diktatori do që të shohë nga afër dhe të dëgjojë se c’do të thonë pikërisht poetët e vjetër e si  do t’u përgjigjen poetët e rinj.

Duke kthyer vështrimin në traditën e poezisë sonë 

Poezia e re e realizmit socialist,ashtu si tërë letërsia shqipe ndikuar nga letërsia dhe arti sovjetik,lindi qysh në vitet e e luftës kundër pushtuesve nazifashistë, që solli pastaj vendosjen regjimit tiranik komunist.Sidoqoftë, vazhduan të botoheshin poetët e mëdhenj të Rilindje Kombëtare- Naim Frashëri, Ndre Mjeda,Fan Noli,Cajupi,…Migjeni…por u sulmua ashpër Fishta, si poet antikombëtar dhe u harrua Poradeci e poetë të tjerë.

Poetët më në zë u bënë pikërisht ata që përmendëm në hyrje të këtij cikli. Një pjesë prej tyre kishin nisur të shkruanin edhe gjatë viteve te regjimit zogist.Kishin mbaruar jo vetëm shkollën e mesme, ku kishin studiuar gjuhë të huaja që u kishin dhënë mundësi të njihnin në origjinal vepra të shquara të poetëvë më të mëdhenj të huaj, por edhe kishin vazhduar shkolla të larta të  të përfunduara, ose të lëna përgjysmë, pë t’u kthyer në atdhe për t’u hedhur në radhët e Luftës antifashiste.Dhe  në radhët partizane  vazhduan krijimtarinë letrare, kryesisht në poezi e më pas disa prej tyre studiuan për letërsi në vendet socialiste.

E verteta është se, me gjithë traditën  jo të vogël në fushën e poezisë, sidomos me veprat e Nolit, Poradecit e Migjenit, veprat  e tyre, të ndikuara dhe nga dogmatizmi i poezise sovjetike, me përjashtime të vogla,  nuk arritën ndonjë nivel të lartë.

Këtë e vë në dukje, vec të tjerëve, edhe studiuesi kanadezo-gjerman, Robert Elsi, në veprën e tij  “Histori e letërsisë shqipe”, ku thekson:”Pjesa më e madhe e shkrimeve me shumicë ne vitet pesëdhjetë e në fillim të viteve gjashtëdhjetë, dëshmuan shterpësi dhe mjaft konformizëm në cdo kuptim.(Vepër e cituar,faqe 383, botim në shqip, Pejë 1997).

Në veprat poetike të poetëve të mësipërm,himnizoheshin lufta heroike e popullit tonë kundër pushtuesit të huaj  dhe…  sukseset e mëdha që po arrinte Shqipëria e re socialiste nën udhëheqjen e Partisë së Punës,me  Enver Hoxhën në krye.

Mirëpo, e ndrydhur në kanunet e realizmit socialist,ajo në më të shumtën e rasteve mbeti një poezi e sipërfaqshme,pllakateske, dhe nuk qe në gjendje të vazhdonte traditën e poezisë shqipe të Paraclirimit.

“”Tematika e krijimeve të kësaj periudhe,-vijon Elsi,- përsëritej rreth një qarku të caktuar, kurse lexuesi ushqehej vazhdimisht me tekste të thjeshtëzuara e pa ndonjë kujdes të vecantë për elementet themelore të stilit…Edukimi politik i masave dhe ushqimi i tyre me ndjenjën kombëtare quheshin më të rëdësishme se vlerat estetike.Ky qendrim synonte të thellonte frymën revolcionare dhe të forconte bindjet socialiste të “njeriut të ri”,(po aty).

Bëjnë përjashtim disa nga vjershat e Lame Kodrës,(pseudonimi i Sejfulla Malëshovës), të nxjerra nga vëllimi “Vjersha”, që mbeten të freskëta edhe sot, duke na kujtuar motivet noliane, nga të cilat edhe  ishte ndikuar, poema “Prishtina” e Llazar Siliqit,”Kënga e partizanit Benko”, e Fatmir Gjatës, etj.

 Mirëpo Malëshova që premtonte në fushën e poezisë,u sulmua për gabime të rënda ideore nga diktatori Hoxha dhe bashkë me zhdukjen e tij fizike erdhi edhe zhdukja e tij  si krijues.

Dhe ja,  nga fundi i viteve 50-të dhe fillimi i viteve 60-të,në shtypin letrar u dukën emrat e poetëve të rinj,Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Dhori Qiriazi,Vehbi Skënderi….Ata nuk u shfaqën të drojtur, por me zë të plotë e të tingëllueshëm, që u pa qysh në vëllimet e  tyre, edhe sot me vlera të dukshme,”Shekulli im”, “Hapat e mia në asfalt”,”Shtigje poetike”, “Balada intime”.

Këtë e dëshmom përsëri studiuesi  kanadez Robert Elsi,icili në veprën e mësiprme nënvizon:”Ishte brezi i dytë i shkrimtarëve të Shqipërisë së Pasluftës ai që erdhi përherë e më tepër duke kuptuar se bindjet politike, edhepse të rëndësishme në kontekstin e shoqërisë shqiptare të periudhës,nuk mjaftonin pë të qenë kriter i meritave artistike”,(faqe 383).

Pikërisht këto vëllime poetike, e sidomos tri të parat, u përpinë nga lexuesit, vecanërisht, lexuesit e rinj, sepse sillnin nota të reja, të freskëta  e, mbi të gjitha,me  nivel të lart artistik, qoftë nga forma, mjetet artistike, ashtu dhe  nga fjalori poetik.

Në veprën e tij “Alternativa letrare shqiptare”,botuar në Shkup më 1995,poeti dhe studiuesi kosovar, Agim Vinca, sendërton mjaft qartë idetë e mësipërme, duke na dhënë konkretisht dallimin rrënjësor të nivelit artistik të poetëvë të vjetër, krahasuar me poetët e rinj, emrat e të cilvë i cituam më sipër.Kështu, për shembull, ai ndalet te poema “Miku” e Llazar Siliqit,(1951),dhe përmend prej saj këto vargje: 

”Me makina punt’ e randa ,

ata bajnë, si vllazën rrojnë,

bashkë gëzojnë,

si asht ma mirë jetën e cojnë”.

Këtyre vargjeve studiuesi në fjalë u kundërvë një fragment nga “Poema e maleve”, ku autori i saj, poeti i ri Dritëro Agolli,shkruan :

”Unë e di, fisi im, ti ende jeton vështirë,

fëmijët e tu brekushe me arna mbajnë,

dhe cokollata një herë në muaj hanë a s’hanë”.

(“Vitet 60-të dhe beteja për novatorizëm”, faqe 50 e veprës së mësipërme.)

Sic shihet, Dritëro Agolli, jo vetëm nuk e lustron realitetin,si në vargjet e Llazar Siliqit, që kanë , vec të tjerash edhe fjalor të varfër poetik,por e pasqyron atë në mënyrë më bindëse e, natyrisht,edhe  më me emocion.

E, meqë po ndalemi te  fjalori poetik,duhet të vemë në dukje se poezia e deriatëhershme, duke synuar të jepte madhështinë e epokës,e paraqiste atë me epitete tashmë të vjetëruara  si vigan,trim,sypatrembur,zanë, shtojzavalle…

Poetët e rinj Kadare, Agolli, Arapi,që vinin nga studimet universitare në vendet e Lindjes,duke u njohur me poezinë klasike të Pushkinit,Lermontovit, a  të poetëve bashkëkohorë,  Majakovski,Esenini…,si dhe poetëve perendimorë, të përkthyr në rusisht, e mbi të gjitha, duke qenë të talentuar,sillnin një mënyrë të re konceptimi në krijimet poetike, krejt e ndryshme deri atëherë në poezinë tonë.

Të jem i sinqertë,deri në vitiin 1960, ndonëse kisha mbaruar studimet për gjuhë-letërsi në UT,i dhënë më shumë pas rubrikave artistike dhe sportive  që mbuloja në Radio Tirana, ku kisha nisur të punoja, ndiqja kryesisht shtypin sovjetik dhe lexoja më shumë letërsi të huaj në gjuhën ruse.Lëtërsisë shqiptare dhe, për më tepër, poezisë së saj nuk i kushtoja vemendje.Por ja që poezitë e Kadaresë të botuara atë vit në vëllimin “Shekulli im”,që tingëllonin krejt  ndryshe në  formë dhe përmbajtje nga poezitë të deriathershme të poetëve të tjere shqiptarë, më bënë shumë përshtypje Dhe jo vetëm mua.Ishte një brez i tërë bashkëmoshatarësh të mi,(unë isha atëherë  vetëm 22 vjec), që u rrrëmbyem nga këto poezi e më pas të poetëve të tjetrë, midis të cilëve të Fatos Arapit.

Nuk kishte si të ndodhte tjetërsoj,kur  Kadareja në poemën e tij “Endërr industriale”,qytetin e ri që po ndërtohet e përshkruan në këtë mënyrë:

”Ky qytet do të veshë kombinezonin proletar,

s’ do të gogësijë duke pirë caj,

i futur në pizhame.”

Duke shkruar për dashurinë, ai shprehet kështu:

”Do të kujtoj 

mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu,

dënesën e mbytur, rrëzuar mbi supin tim,

si dëborë e pashkundshme…”.

Po të njejtat ngjyrime gjejmë edhe në poezinë erotike të  Fatos Arapit , i cili  shkruan:

”Miliona dashuri u nisën në takime,

Po ecin përmbi taka të holla, të shpejta.

Dëgjoni trokëllimën e rrëmbyer të tyre,

Nën trokëllimën ritmike të këmbëve të lehta,

Me gëzim të kthjellët, drejt dashurisë rend jeta…”

Pikërisht kjo mënyrë e re, ky stil poetik që befasoi lexuesit në fillim të viteve 60-të , nuk u pëlqeu poetëve të brezit të vjetër, të cilët shihnin në këto dukuri, shkarje të dukshme nga traditat e poezisë shqiptare të deriathershme.

Kurse  në të vërtetë duhet të themi se në këtë rast kemi të bëjmë me vazhdimin e traditave më të mira të të poezisë shqipe, duke filluar nga Noli,Poradeci e sidomos Migjeni.

Eshtë pikërisht kjo arsyeja që e shtynte aso kohe kritikun dhe poetin Drago Siliqi të botonte në fillim të  vitit 1960 një artikull me interes “ Në kërkim të së resë”,ku ai, duke trajtuar probleme të poezisë bashkëkohore, shkruante:

“Formën në poezi e përbën, në radhë të parë,i gjithë sistemi i sintezës figurative që përdor poeti për të përgjithësuar tiparet kryesore të fenomenit që pasqyron.Forma,pra, me fjalë të tjera, është mënyra e të shprehurit të përmbajtjes dhe këto dy nocione gjenden gjithmonë të gërsheturara me njera-tjetrën .Në nocionin e formës hyjnë pastaj edhe gjuha,ritmi,rima,dhe vecoritë tjera stilistike të poetit.”

Ky pohim i  drejtorit të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” në atë kohë ishte dhe një afirmim i rrugës që po ndiqnin poetët poetët Kadare, Agolli,Arapi dhe disa të tjerë,dhe, ndonëse jo hapur,një kundërvënie ndaj poetëve të vjetër,të cilët nuk pajtoheshin me këto kahje  të reja të poezisë sonë..

Pikërisht në këto rrethana zhvillohej edhe takimi i 11 korrikut të vitit 1961.Kishte ardhur koha e një ballafaqimi të madh midis poetëvë të vjetër dhe poetëvë te rinj.

Tani mbi ta si gjyqtar vihej Partia.Ajo dërgonte atje  shefin e ideologjisë në Komitetin Qendror, Ramiz Alinë.E nuk mjaftonte kjo, por në atë sallë ku do të bëhej ky takim, shfaqej si papritur e pakujtuar edhe vetë Enver Hoxha.

Sulmi i poetëvë të vjetër

Varfi,Siliqi,Qafëzezi

Si prolog i takimit ishte “Diskutim  rreth vendimit të KQ të PPSH-së. mbi letërsinë dhe artet”,( 7 qershor 1961), botuar në shtypin tonë.Në këtë diskutim, midis të tjerash shkruhej:”Trajtimi i heronjve pozitivë…shkrimtarët të rrrojnë sa më afër me popullin..Për këtë qëllim të përdoren sa m gjerë e me vend lejet krijuese, të shftytëzohe koha e punës fizike…pjesëmarrja në ekipet me afat të gjatë, bashkëpunimi me organet e shtypit…është e domosdoshme të shumëfishohen përpjekjet e vetë shkrimtarëve dhe artistëve që të lidhem  sa më ngushtë me popullin…të shkrihen me jetën e popullit”.

Këto ishin pak a shumë disa nga tezat kryesore që pëmend Fatos Arapi në librin e tij me mjaft interes, “Kujtohem që jam,(faqe 63, 1997), të cilit do t’i referohemi disa herë gjatë këtij cikli.

Takimi i 11 korrikut të vitit 1961 u hap me referatin e Ramiz Alisë ,sekretar i KQ të PPSH-së.Duke ritrajtuar tezat e mësipërme , ai u ndal në dukuritë e reja që viheshin re në poezinë shqiptare.”Theksi i referatit, -nenvizon Fatos Arapi në librin e tij,godiste më tepërtë rinjtë”.(faqe 71).

Dhe kur pas këtij referati nisën diskutimet, të parët që e morën fjalën qenë përfaqësuesit më  në zë të poetëvë të vjetër, midis të cilëvë edhe komunistë.Kishin marrë edhe më shumë zemër, sepse referati në fjalë u hapte shtigje te reja .Kurse për poetët e rinj krijohej një atmosferë e rëndë , aq më tepër kur në sallë ndodhej vëte Enver Hoxha dhe shumica e anëtarëve të Byrosë Politike të KQ.

Gjjithnjë duke u mbështetur të veprën e Fatos Arapit, “Kur kujtohem që jam”,po paraqes disa fragmente nga diskutimet.

Andrea Varfi:”

Të jesh artist i realizmit socialist,dhe të ndjekësh në të njejtën kohë novatorizmin për hir të novatorizmit, është krejt pa kuptim dhe punë e dështuar që në fillim…

Cilësia dhe vetëm cilësia artistike të bën  novator dhe original dhe aspak akrobacitë dhe majmunizimet  e të huajve.Futuristët, me shokë,deshën të varrosnin cdo gjë të trashëgimit kultural dhe artistik të së kaluarës.Edhe sot,izmat e ndryshme që pjell borgjezia imperialiste në kalbëzim, nuk lë gur pa luajtur në kët drejtim…”

Sic shihet, diskutimi mbarte  nota shumë të ashpra dhe kuptohet mirëfilli se i drejtohej vetëm poetëvë të rinj, që me prirjet e tyre, sipas Varfit, po vazhdonin madje edhe rrugën e futuristëve.

Llazar Siliqi:

”Unë jam i mendimit se ne e kemi një letërsi dhe art novator dhe nuk ka mbetë puna që atë ta fillojmë me e krijue sot, pa mohue përpjekjet e matejshme që ne të gjithë duhet të bajmë për ta cue edhe ma përpara letërsinë dhe artin tonë novator…

Karakteri novator kuptohet disa herë, nga njena, anë si ndryshim, ose ma saktë si thyemje e  formës dhe, nga ana tjetër,novatorizmi dhe fryma e kohës kontestohet atje ku  ka fjalë të reja si asfalt,najlon dhe tematikë ndërkombëtare.Mendoj se edhe  kërkimi  i tepruem i figurave dhe ngarkimi me figura , kur kjo shndërrohet në një kërkesë të domosdoshme  për cdo varg,mund të cojë në rrugë jo të drejtë si dhe mund ta bajë  të vështirë kuptimin e njërshëm nga lexuesi”.

Por shumë më i ashpër qe në diskutimin e tij poeti Luan Qafëzezi, i cili, ndër të tjera theksoi:

”Në vitet 1960-61,vargjet e lira filluan të duken përsëri në shtypin tonë të përditshëm dhë periodik, por këtë herë me një formë të re, më me pretendime , duke dashur të thyejnë të gjitha normat tradicionale të metrikës sonë nën preteksin e një farë “ novatorizmi”…

Përdorimi i vargjeve të lira nga disa poetë nuk duhet shikuar si një ceshtje thjeshtësisht formale, si një cështje teknike dhe pa rëndësi.Përkundrazi,kur përdoret pa kriter , duhet parë si fenomen negativ dhe, në qoftës e nuk frenohet me kohë,mund t’i sjellë dëme poezisë sonë.Edhe disa dëme ia ka sjellë që tani.Ne prapa këtij “modernizimi”shikojmë një një goditje që i bëhet esencës kombëtare të poezisë sonë.Thjesht, në këtë lloj poezie gjen mjegullime,paqartësira,përcartje dhe figura ekstravagante.Tema e saj kryesore është tema  ndërkombëtare,shekulli i 20-të,kozmosi e të tjera, duke u  larguar kështu nga jeta shqiptare e përdidtshme, nga problemet që preokupojnë Partinë në mënyrë direkte.(F.Arapi,vepër e cituar , faqe 73-74-75).

Pa qenë nevoja të zgjatemi, shihet qartë se diskutimet e poetëvë të mësipërm qenë tendencioze, madje edhe të mveshura me një farë  ligësie.Me një fjalë, ata mohonin tërëesisht poezinë e kolegëve të tyre të rinj.Për më tepër, këtë e bënin para vetë Enver Hoxhës, të bindur që ai do t’u jepte plotësisht të drejtë.

Tani e kishin radhën poetët e rinj.Duhej tëjo vetëm të mbroheshin, por edhe të kundërsulmonin, sepse, në fakt, mbrojtja  më e mirë në të tilla raste, është sulmi.Ishte e rrezikshme,por  edhe e domosdoshme.

Dhe kështu ndodhi…

Flasin Kadare, Arapi, mungon Agolli

“Seanca e paraditës mbaroi.Salla u boshatis dhe unë po rrija i vetëm dhe i dëshpëruar ende në karrige.Parandieva rrezikun që u kërcënohej të rinjve.Andrea,Llazari,Luani kishin thënë aq, por ishte e natyrshme që nenteksti dhe cfarë lexohej midis radhëve të shkruara, ishte akoma shumë i rëndë.”

Kështu shkruan Fatos Arapi në librin e tij “Kur kujtohem që jam”(faqe 75). Më tutje vazhdon::

“E mori dreqi këtë punë”,-mallkova veten nëpër dhëmbë dhe u cova të dal jashtë.Në krye të sallës bisedonin midis tyre më zë të ulët Nexhmia Hoxha dhe Fiqrete Shehu…Ateherë Nexhmia më tha:”A do të diskutosh,Fatos?” “Jo,-iu përgjigja i dëshpëruar.” “Pse?-pyeti Nexhmia.-Partia ka nevojë të dëgjojë fjalën tuaj”(Kështu tha”tuaj”,që nënkuptonte:”Partia ka nevojë të dëgjojë fjalën e të rinjve” ,(faqe 76).

Më pas Arapi rrëfen se si u takua me Ismail Kadarenë dhe Dhori Qiriazin dhe se si duke ngrënë drekë në një restorant  të Tiranës,vendosën që dy të parët  të diskutonin në seancën e pasdites të kësaj mbledhjeje, që ishte edhe seanca e fundit.Fatos Arapi,kujton se Agolli nuk ishte në mbledhje.Flitej se kishte shkuar në Durrës.Megjithatë, sic do ta shohim,do të thoshte fjalën e tij në artikullin “Traditë, natyrisht,por jo shtampë”,(Drita”,27 gusht 1961).

Po rendis  më poshtë disa fragmemte nga diskutimet e poetëvë në fjalë , që, ndonëse të rinj në moshë, ditën, jo vetëm të mbronin veten, por të hidhnin poshtë me argumente të matura dhe të zgjuara akuzat pa vend të poetëve të  brezit të vjetër.

Ismail Kadare:

”Problemi i ngritur kohët e fundit në diskutime dhe në faqet e gazetës “Drita”,në esencë të tij është problem fiktiv, i fryrë me qëllim nga disa njerëz.Bile,me sa duket, këta njerëz nuk e kanë hallin te vargjet e lira,por te poezia e disa poetëve të rinj, të cilën poezi nuk e pranojnë dhe duan ta hedhin poshtë në cdo mënyrë…Vargu i lirë lidhet pa tjetër te ne nga disa me emri e modernizmit .Po sikur të ngriheshim e të thoshim,po të të niseshim nga poezia formaliste,se vargjet më të rregullt kanë qenë të lidhur më monarkitë dhe kanë lulëzuar me tërë akademizmin e tyre,sidomos pranë oborreve mbretërore?Këto përfundime,kur nisesh nga formalizmi,të cojmë në qorrsokak…

Unë mendoj se në kohën tonë nuk është bërë te ne asnjë shpikje forme.Te ne permbajtja e re ka sjellë gjetjen e disa mënyrave të reja shprehjeje., disa herë me sukses e disa herë pas sukses.Asgjë tragjike nuk ka ndodhur, asnjë traditë s’është mohuar,asnjë klasik s’është përbuzur.

 Në qoftë se arti është i  vërtetë, ai do të ketë pa tjetër të renë , novatoren.Novatorja mund të jetë edhe brenda strofave të rregullta,ashtu sic mund të jetë konseravatorja  në mes të vargjevetë lira.”(Revista “Nëntori”,11,1961).

Fatos Arapi në diskutimin e tij shkoi ,sic do të shohim edhe më tutje duke zbuluar se te poetët e vjetër fshihej synimi që t’i zhvendosnin poetët e rinj  gati në opozitë:

”Shpesh herë na qortojnë se gjoja jemi mosmirënjohës, nëncmojmë gjithcka që është krijuar te ne dhe në mënyrë të vecantë gjithcka që është krijuar te ne pas Clirimit e këndej.Akuza, sic shihet, është e rëndë.Ta themi hapur, ajo i nxjerr poetët e rinj në pozita antimarksiste.

Në qoftë se se dikush kë bërë traditë të tij “personale” të shkruajë vjersha të dobëta, dhe këtë traditë kërkon të na e shesë si traditë kombëtare, këtë ne nuk e pranojmë kurrë.Tjetër punë pastaj në qoftë se mendon që respekti kundrejt tij tregohet duke shkruar vjersha  edhe më të dobëta…Por mua më duket se problemi i vargut të lirë nuk ngrihet drejt…lihet përshtypja sikur është ky varg i lirë që i ndan tradicionalistët  nga jo tradicionalistët,klasikët nga jo klasikët, të ashtuquajturit modernë…

Nuk e ka fajin vargu.Dhe nëqoftëse dikush, duke bërë poezi të këqia ka diskretdituar veten e tij,ai nuk ka diskredituar tetërrokëshin  tonë të mrekullueshëm.Ky poet duhet të kuptojë se vargu i thyer nuk i ka rrëmbyer atij lavdinë poetike që s’e ka pasur…Shyqyr që na doli vargu i lirë , sepse disa kështu kanë rreth kujt të bëjnë zhurmë dhë të tregojnë se ekzitojnë, janë gjallë…(Revista “Nëntori”,11, 1961).

Eshtë e kuptueshme se pas këtyre dy diskutimeve që dukeshin se ishin vazhdimi logjik i njeri-tjetrit, me argumente të qarta, ku mbrohej ajo që ishte për t’u mbrojtur,tradita, fjalë me të cilën poetët e vjetër kishin spekuluar  në diskutimet e tyre, duke u rrekur t’i vinin poetët e rinj në bankën e të akuzurve, u krijua një mjedis i tendosur.

Për më tepër, kur në presidium ndodhej vëtë Enver Hoxha dhe referatmbajtësi, Ramiz Alia, për të mos përmendur,sic thamë, dhe anatërë të tjerë të Byrosë Politike.

Ishte hera e parë që  në një takinm letrar të bëheshin diskutime krejtësisht të kundërta me njeri -tjetrin., të cilat  dëshmonin se problemet ishin shumë të mprehta.Mund ta kishte marrë fjalën Ramiz Alia për të bërë  konkluzionet.Por kjo ashtu, sic kishi rrjedhur ngjarjet, u bë e vështirë për të, aq më tepër që  Ismail Kadareja dhe Fatos Arapi me diskutimet e tyre, në një mënyrë a në  një tjetër, i ishin kudërvënë edhe vetë  shefit të ideologjisë në Komiteti Qendror.

Ja përse në fund të takimit u ngrit vetë Enver Hoxha.Më këtë veprim ai dëshmoi se nuk kishte ardhur  në këtë takim thjesht për të përshndetur, por për  të gjetur një rrugë të mesme paqëtuese. Shkurt, për t’u bërë, sic do të shohim në pjesën e tretë, gjykatës midis poetëv të vjetër e poetëve të rinj.

Nuk është problem ceshtja “të rinj” dhe “të vjetër”

Flet diktatori  Hoxha

Kjo është një nga shprehjet ku e vuri menjëherë theksin Enver Hoxha, që atë ditë ishte veshur me një kostum të bardhë,si të dëshmontë se kërkonte të vendoste mirëkuptim në këtë mjedis që po bëhej i ndezur.

Dhe kështu ishte.Që ai të kishte lexuar  referatin e Ramiz Alisë, mbajtur në këtë takim, ku do të diskutohej  vendimi i  KQ të PPSH-së “Mbi letërsisnë dhe artet”,(7 qershor 1961) dhe ta kishte aprovuar atë , as që vihet në dyshim.Pra,që ai të kishte miratuar, gjithshtu, edhe kritikat që Ramiz Alia do t’i drejtonte poetëvë te rinj, edhe kjo nuk vihet në dyshim.

Si pasojë, ai edhe mund të mos kishte ardhur në këtë mbledhje.Por ja,pra ,që erdhi, se kështu e pa të arsyeshme, pikërisht  disa caste para fillimit të takimit,kur askush nuk e priste.

“Shoku Andrea Varfi,- nisi të fliste pa letër  Enver Hoxha,-kur zuri të diskutonte,- theksoi se atij i pëlqen tetërrokëshi.Edhe mua më pëlqen tëtërokëshi , edhe dhjetërrokëshi.Dhe kur dëgjova diskutimin e e shokut Andrea,i thashë në pushim e unë jam dakord me pikëpamjen e tij.Atëherë Andrea iu kthye shokëve dhe u tha me shaka:”Flisni tani po të  doni”.Por në fakt u gabua.Dhe e verteta është se dolën shokë e folën, diskutuan,dhe mbrojtën me zjarr pikëpamje të kundërta…

Të them të drejtën, vec për një gjë nuk më erdhi mirë, që doli sikur ceshtja shtrohet “ të vjetër” e” të rinj”.Të rinjtë, me dinamizmin dhe gjallërinë e tyre, bëjnë mirë që na shkundin ne, të vjetrëve.Prandaj, unë nuk besoj kurrë që shkrimtarët e artistët e vjetër duan të pengojnë krijimtarinë e më të rinjve, vecse ata ,duke patur kaluar më parë nëpër këto shtigje , kanë frikë se mos nga hovi i madh, ju shkisni  nga rruga…Por unë jam i bindur se ju, shokë të rinj …nuk do të ecni kurrë në rrugë të gabur…..

Unë kam lexuar disa vjersha të Ismail Kadaresë.Kam lexuar   p.sh.. atë që ai  i ka kushtuar kalasë së Gjirokastës, (“Princeshës Argjiro”),dhe mua më ka pëlqyer.Kam lexur edhe vjersha të tjera të Kadaresë, të cilat më kanë pëlqyer dhe kam përshtypjen se ai është një i ri me talent.

Mendimi im personal është se gjersa vjershat tuaja të kenë përmbajtje marksiste,me të vërtetë patriotike, mobilizuese, edukative dhe formë të bukur, terheqëse, të qartë, ato s’ kanë sepse të mos pëlqehen…Afirmohuni me vargun tuaj dhe në rast se ju do populli,ai varg është i mirë.(Revista “Nentori”,11,1961).

Me fjalë të tjera, EnverHoxha, duke u vënë parballë poetëve të rinj dhe poetëvë të vjetër, kërkonte të vendoste paqe.U jepte të drejtë të dyja palëve.Pra, nga një anë këshillonte të vjetërit të mos sulmonin të rinjtë, por, nga ana tjetër, u vinte një farë kushti këtyre të fundit që, nëse poezia e tyre do të pëlqehej nga lexuesi , të cilin ai e quante populli, ajo poezi ishte e vlefshme.

“Në këtë mënyrë ai “kërkonte unitet”-,vë në dukje Fatos Arapi në librin e tij”Kur kujtohem që jam”.

Të mos harrojmë jemi në korrrik të viti 1961,kur  nëntë muaj më parë ishte zhvilluar Mbledhja e Moskës e 81 partive komuniste, në të cilën Enver Hoxha kishte dalë kundër vijës politike të revizionistëve sovjetikë  dhe disa muaj më pas, në në tetor  të atij viti, kur kundërshtitë ideologjike midis partive komuniste të të dy vendeve, do të bëheshin të njohura botërisht nga vetë Hrushovi në Kongresin e 22-të të PK të Bashkimit Sovjetik. 

“Në një farë kuptimi,-vazhdon Fatos Arapi,-fjala e Enver Hoxhës linte në hije raportin e Ramiz Alisë, i cili ishte disi i ashpër më  të rinjtë.I papritur duhet të ketë qenë qendrimi i tij për drejtuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve.Dhimitër Shuteriqi nuk diskutoi fare.Në fund të mbledhjes ai dukej në presidium shumë i lodhur dhe i shqeteësuar.Më vonë nga gojë të këqia u tha se ai kishte ardhur në mbledhje me dy referate  në xhep.Do të mbante atë nga ana e të cilit anonte peshorja.(Faqe 82).

Lind vetevetiu pyetja:”Përse Enver Hoxha mbajti një qendrim të tillë, pra, përse u dha dorën të rinjve?

Logjikisht,duke miratuar referatin e Ramiz Alisë, do të mjaftonte që në fund të takimit të theksonte se poetët e rinj duhet të të kenë parasysh këshillat e poetëve të vjetër, që të mos thellojnë gabimet e tyre, që po i  shpien drejt  një krijimtarie poetike të mbarsur me ndikime moderniste, ashtu sic vunë në dukje me  Andrea Varfi, Llazar Siliqi e   Luan Qafzezi… e kuptohet që poetëve të rinj do t’u mbyllej rruga për një kohë të gjatë.

Dhe, duke marrë parasysh se c’ndodhi disa vite më pas kur nisi i ashtuquajturi revolucionarizim i jetës së vendit,me qarkullimin e kuadrit dhe të shkrimtarëve e artistëve për të njohur nga afër jetën e vendit  dhe më 1973 pas Plenumit të 4-t të KQ të PPSH-së,kundër ndikimeve borgjezo-revizioniste, është e kuptueshme se nuk dihet se kur ne do të kishim  pasur në dorë ato vepra aq të njohura të Ismail Kadaresë, Fatos Arapit e shumë e shumë poetëve të tjerë që u shfaqën më pas në lëtërsinë tonë.

Enver Hoxha në këtë takim përkrahu poetët e rinj, kryesisht se ai e shihte se ata ishin shumë më të talentuar se poetët e vjetër.Kjo nuk ishte shumë e vështirë për t’u kuptuar,aq më tepër nga ai vetë.Vërtet kishte shkuar për studime në Francë, ku nuk kishte mundur të jepte asnjë provim, por të mos harrojmë se kishte mbaruar Liceun  francez të Korcës, ku ishte njohur jo vetëm me krijimtarinë e poetëvë më të mirë të Rilindjes Kombëtare shqiptare, por, mbi të gjitha, me letërsinë dhe poezinë franceze dhe evropiane.

Si pasojë, nuk e kishte të vështirë  të dallonte se c’ndryshim të madh artistik kishin krijimet  e poetëvë të vjetër me krijimet  e poetëve të të rinj, qoftë edhe nga ato pak shembuj që sollëm në pjesën e parë të këtij cikli.

Ai kishte nevojë për talentin e rë rinjve, packa se të shprehur në mënyrë moderniste.Ata do t’i duheshin atij që të thurnin vargje  për Partinë,vepra që do të mbeteshin, pikërisht falë  talentit të tyre.

Dhe në fakt kështu ndodhi.Poetët tanë të rinj, krahas poezive lirike intime dhe erotike do të detyroheshintë shkruanin edhe vepra ku t’i këndohej “rrugës heroike të Partisë sonë të lavdishme për ndërtimin e socializmi, luftës së saj madhështore dhe të guximshme  kundër revizionizmit modern, për ruajtjen e fitoreve të popullit tonë të arritura  nën drejtimin e saj dhe, mbi të gjitha, të atij vetë, si krijuesi i kësaj partie, i këtyre fitoreve”.

Nuk gabonte:ishin më pas poemat “Përse mendohen këto male,”Shqiponjat fluturonjnë lart”, të Kadaresë, “Devoll,Devoll!”, “Baballarët”, të Dritëro Agollit, “I përkasim komunizmit”, të Fatos Arapit, ndonësë në të nuk përmendet gjëkundi fjala “parti”, e më pas poetëve të tjerë të rinj që iu kushtuan Partisë dhe atij vetë, të cilat edhe sot mbeten në historinë e letërsisë shqipe si ndër më të mirat,pavarësisht nga fryma politike së cilës poetë e mësipërm nuk mund t’i shmangeshin kurrsesi.Këta poetë ishin të detyruar në një mënyrë, a në një tjetër të paguanin këtë harac.

Jo më kot në librin e tij “Alternativa letrare shqiptare” poeti dhe kritiku  njohur kosovar,Agim Vinca shkruan kështu rreth kësaj cështjeje:

”Këtë përkrahje shkrimtarëve të rinj,Kadareja e shpjegon si një manovër për t’i përvetësuar ata(poetët e rinj,shënimi im- S.K.) , si një karrem që u hidhej atyre në mënyrë që prej talentit të tyre të përfitonte pastaj regjimi dhe vetë diktatori.Pavarësisht nga paraqitja, sipas Kadaresë,djallëzore që kishte,këtë qëndrim  të shefit të Partisë dhe të shtetit sikurse edhe me klimën liberale që u krijua në fund të viteve 50-të dhenë fillim të viteve 60-të,…shkrimtarët shqiptarë e shfrytëzuan për t’ia ndërruar dukshëm fizionominë deri atëherë tejet uniforme letersisë shqipe dhe vecanërisht krijimtarisë poetike”.(Vepër e cituar, faqe 71).

Jehonë e këtij takimi nga Ernest Koliqi e Martin Camaj.

Duhet të vemë në dukje se zhvillimet e letërsë shqipe ndiqeshin me vemendje dhe nga shkrimtarë e studiues shqiptarë që ishin detyruar të linin atdheun me uzurpimin e pushtetitnga regjimi komunist.Të tillë ishin, p.sh.,. Ernest Koliqi e Martin Camaj.Në revistën “Shejzat’,(Viti VII, 1963), që botohej në Itali, shkruhet  një artikull i gjatë kushtuar takimit të Enver Hoxhës me poetët e vjetër dhe poetët e rinj, të cilin Fatos  Arapi e përfshin  të plotë në librin e tij “Kur kujtohen që jam”, ku jepen vlerësime të tyre për këtë takim.

Po citojmë disa fragmenete nga ky artikull:

“Në letërsinë shqipe kanë pasë qenë ba hapat e parë të mbarë dhe kanë qenë vu gurët e themelit të gjinive letrare përpara ardhjes  së komunistëve në fuqi.Kjo asht kaq e vertetë sa edhe sod-mbas zhbimjes,sharrimit e shartimit të shkrimtarëve ma të mirë, që gjetën të kuqt,përpjestimi i të rinjve me te vjetrit në Shqipni qindron ende afërsisht tre me dy në fitim të të rijve.

E tash,për të pa se qysh i ve në hulli e shtrumë Enveri pendëtarët  e Shqipnisë sod, le t’i hudhim nji sy premtimit të tij patetik në mbledhjen e gjanë me shkrimtarët (Revista “Nëntori’,nr 8,gusht 1961), mbas vendimeve të Kongresit të 4-t të PPSH-së,(Partis Komuniste Shqiptare):

“Prandej këtë dashuri, këtë besnikëri dhe patriotizëm, që ushqeni për popullin dhe atdheun,(lexo partinë),partia do t’ua shpërblejë dhjetë, dhe njëqind herë më shumë me kujdesin e saj.Partia është me ju, partia është cdo cast me të renë dhe ju për cdo hap tuajin do të kini kurdoherë ndihmën e parkrahjen e paakufishme të Parisë dhe  Komitetit Qendror.”

Më poshtë në këtë artikull theksohet:

“Duhet shënue këtu se kjo mbledhje ngjet mbas vendimeve të Kongresit të 4-t të Partis mbajtë për shkak t’akrobacisë politike qi bani udhëheqsia e kuqe e Tiranës tue shqelmue Moskën dhe tue u lëshue në prehën të Pekinit.Mandej duhet vërejtë se bari kryesuer qi Enveri i kon turmës së privilegjueme të shkrimtarëve të hutuem e të friksuem se mos binë në kurthe befas , asht temjani dehës “superhipokrit” i nacionalizmit….

Hec e thuej tash se këta shkrimtarë e artista nuk janë… “ushtarë që dalin prej kazermës simbas buris së burizanit për në paraqitjen e forcës në resht e gërthasin me sa za kanë-“nji dy,këtu, këtu,këtu..!”

I gjitha halli qi e shtrëngon partinë me u lëshue penin…  asht frika  se mos e “mprehin pendën , dhe krijojnë nji kundërrevolucion, si atë të tetorit të 1956-ës në Hungari..”

Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, ndonse larg artdheut,  bënin një analizë të drejtë të gjendjes së krijuar pas  mbledhjes së 11 korrikut..Poetët e rinj e të vjetër,edhe po të  mos  donin,  ishin të detyruar të bëheshin ushtarë të bindur të Partisë.Sidomos të rinjtë, talenti i të cilëve i duhej diktatorit më shumë se kurrë.

Megjithtë, debati vazhdon në shtyp

Guarakuqi kundër Agollit

Fillimi i viteve 60-të duhet vënë në dukje  ka qenë  periudha e një farë  lirie shtypi nëpermjet debatesh në shtypin letrar, ku shfaqeshin edhe mendime të kundërta, (natyrisht, jo kundër Partisë).Eshtë për t’u habitur se si nga Kupola e kuqe nuk erdhi ndonjë sinjalizim,për t’i ndërprerë këto debate që lexoheshin me kurreshtje dhe interes dhe në një farë mënyre të kujtonin debate dhe rrahje mendimesh të intelektualëve tanë   që ishin parë në shtypin tonë gjatë viteve ’30.Por duhet shtuar se aso kohe frynte një farë liberalizmi, që u shfaq sidomos në krijimtarnë letrare dhe vecanërssht në poezi.

Them kështu, sepse pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik më 1961,dhe sidomos në vitet 1963 -64,censura hyri në veprim.Kjo solli si pasojë që ne një plenum të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të kritikoheshin ashpër dy drama,përkatësisht të Fatos Arapit dhe Qamil Buxhelit,”Drama e partizanit pa emër” dhe”Dueli”,të cilat nuk panë kurrë dritën e skenave.Më keq,sic përmenda më sipër, ndodhi me dramën “Rrethimi i bardhë”, të Naum Priftit,që u shfaq në në Teatrin e Korcës më 1964.

I ndodhur për vizita në këtë këtë rreth, atë e pa vete Enver Hoxha dhe po vetë dha urdhër që ajo të mo shfaqej më për gabime të rënda ideore. 

Po të kthehemi të debatet në shtyp për poezinë. Kam ruajtur që atëhërë disa artikuj që u botuan menjëherë pas takimit të 11 korrikut, të cilat pasqyrojmë  një diskutim të gjerë , sido që jo rrallë përsëri  të ashpër,por, megjithatë  konsrtuktiv, që, sic e cilëson poeti dhe kritiku Agim Vinca, “mund të cilësohet një polemikë me të vërtetë letrare.((“Alternativa letrare shqipatare”,faqe 59).

Edhe pse diktatori Hoxha, u dha pasaportën poetëvë të rinj, prapaseprapë ata mbetën nën shënjestrën e poetëve të vjetër.Do të përpiqem ta rindërtoj këtë debat edhe nëpërmjet  studimit të Agim Vincës, botuar në librin e mësipërm.

Ato që kritiku dhe poeti Mark Gurakuqi nuk kishte arritur,me sa duket , t’i shprehte në takimin e 11 korrikut, gjeti rast t’i trajtonte në një artikull të gjatë, me titull “Traditë dhe novatorizëm,(“Drita”,13 dhe 20 gusht 1961), ku, ndër të tjera, shkruante:

”Në këto vitet e fundit, kryesisht disa poetë të rinj kanë fillue të shkruejnë në një mënyrë tjetër nga c’shkruhej ma parë.Hapin e parë e bani Ismail Kadareja e mandej disa të tjerë si Fatos Arapi,Dritëero Agolli,Halil Qendro,e madje edhe Dhori Qiriazi e Sander Gera, që zakonisht shkruenin simbas modeleve klasike.Nuk po përmend  disa emna fillestarësh”.

Më pas gjuha e Mark Gurakuqit nuk ka asnjë ndryshim nga gjuha që përdorën Andrea Varfi e Luan Qafëzezi në diskutimet e tyre para Enver Hoxhës.Madje ai tregohet i ashpër kur nis e analizon poezinë e Kadaresë:

“Për mue,-shkruan ai,-kjo asht në një  pjesë të mirë të saj,një poezi e diskutueshmne për disa arsye, sic asht ajo e reduktimit të figurës si mjet më vetë e,në disa raste,e shmangjes së saj nga tradita e  poezisë sonë…”

Për ta ilustruar mendimin e tij, ai merr si shembull poezinë “Lac” dhe ndalet te vargjet:”Shoh se si një mbrëmje vere,/do të zbresë nga mali një malsor ,/si kompas mbi këmbët e gjata.” Më tutje vecon vargjet :”Ky qytet do të veshë kombinezonin proletar,/s’do të gogësijë duke pirë caj,/i futur në pizhame…”.

“Sa i ruejnë tiparet e një poezie kombëtare disa vjersha të  Kadaresë?”-shtron pastaj ai pyetjen.

Mirëpo, të shtrosh këtë pyetje dhe  në këtë mënyrë ,do të thotë ta ngushtosh shumë konceptimin e kombëtares, për të mos thënë se nuk e kupton këtë konceptim të ri, ose, për më keq, se nuk do që  ta përceptosh..Dhe kjo sepse ai nuk duron figura të tilla, të cilat për herë të parë e më guxim po përdoreshin nga poeti i ri, që thyente tabunë vendosur me një ligj të pashkruar nga poetë e vjetër, duke përfshirë  edhe vetë Mark Gurakuqin..

Të njejtin qendrim mban ai edhe ndaj poezisë së Dritëro Agollit dhe Fatos Arapit.Duke e vlerësuar Agollin si “ndër poetët ma të talentuem”,qysh në vëllimin e  tij të parë “Në rrugë dola”, Gurakuqi, papritur vëren se “edhe ai ka fillue të kapet pas kërkimit të figurës”.Dhe si shembull për këtë merr vargjet:”Citjanet mjegulla i ngriti e bredh,/ashtu si plakë,/kur lumin hedh…”.

Dhe më poshtë:”Dhe fletët e trishta i hodhi zabeli,/si fjalë idili. /si fjalë gazeli..”.Të gjithja  këto gjetje edhe sot të goditura, Mark Gurakuqi i quan si figura “të kërkueme të papërceptueshme e alogjike , sepse “c’punë ka mjegulla me citjanet e plakës”(Po aty).

Më poshtë në artikullin e tij ai nuk kursen as Fatos Arapin, i cili duhet thënë se deri në atë  kohë ende nuk kishte botuar vëllimin e e tij të parë poetik, por kishte tërhequr vëmëndjen e kritikës dhe lexuesit me poezitë e godituar   në shtypin letrar.

Mark Gurakuqi e cilëson Arapin poet “që nuk parakuptohet e nuk shijohet shumë”,për shkak se në të hasen “gjurmë të një përceptimi të mjegullt poetik, ku figura nuk asht në funksiontë idesë.”(Po aty).

Eshtë për të ardhur keq, por duhet thënë se  në këtë artikull të gjatë studimor shprehej  një farë zilie, sic më thoshte më pas një miku im që u bë edhe përgjegjës i redaksisë së poezisë ne Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë. Gurakuqi, sipas tij, dhe të tjerë poetë të vjetër, i kishin  zili poetët e  rinj,  jo sepse përdornin figura, që shpinin në “shfaqje manierizmi”,por sepse ata vetë nuk ishin më gjendje të krijonin poezi me të tilla figura.

Natyrisht ,sic thekson Agim Vinca- “audatur et altera pars”,(shprehje latine:”Të dëgjohet edhe pala tjetër.”)

Dhe pala tjetër nuk vonon të përgjigjet

Agolli kundër Gurakuqit

Ishte Dritëro Agolli  ai që iu  pëgjigj Mark Gurakuqit në nëj artikull me titull shumë kuptimplotë”Traditë, natyrisht, por jo shtampë”,botuar në gazetën “Drita”, më 27 gusht 1961.

Ky ishte i pari artikull serioz kritik që botonte poeti ynë i ri, aso kohe gazetar  i “Zërit të Popullit”.Dhe, c’është më intreresante, në këtë artikull ai më shumë se sa mbron poetët e rinj, duke përfshire edhe veten, kritikon krijimtarinë e poetëve të  vjetër , duke shpallur kështu hapur luftën kundër konservatorizmit dhe dogmatizmit  që kishte mbërthyer deri atëherë poezinë shqipe.

Në këtë artikull Agolli nënvizon se poezia e deriathershnme e poetëve të vjetër vuante nga skematizmi,nga varfëria e mjeteve shprehëse, përsëritja,trajtimi i zbehtë i dukurive  jetësore, imitimi i verbër i traditës që përmblidhej në atë që ai e përcaktonte si shtampa poetike, të cilat qarkullonin “si monedha nga një poet tek tjetri e jo rrallë përsëriteshin edhe tek e njejta vepër”,(po aty).

Këto gjykime ai i përcillte me shembuj nga poezitë e vetë Mark Gurakuqit dhe potëve të tjerë konservatorë, Luan Qafëzezit. Kolë Jakovës,Aleksandër Banushit, Llazar Siliqit, të cilët, vec të tjerash, kishin një konceptim jorealist të jetës, ndërtuar me personazhe të stolisur me epitete stereotipe që i kemi përmendur dhe në pjesën e parë të këtij cikli, si “kreshnikë,syshqiponjë,trima me fletë,zemërshkëmb, etj.,kurse sjelljet dhe reagimet e tyre ideoemocionale të kujtojnë heronjtë e baladave të shekullit XV.”(“Traditë , natyrisht, por jo shtampë’, “Drita”,27 gusht 1961).

Dritero Agolli theksonte më tej se, të kënaqur me krijime të nivelit mesatar,nën preteksin e ruajtjes së traditës,që s’është vecse një iluzion i bukur,e frenojnë procesin e rinovimit  të poezisë ,  ngushtojnë përmbajtjen e tematikës…varfërojnë teknikën e mjetet shprehëse dhe, për pasojë, e ftohin lexuesin prej poezisë.”(Po aty).

Ky artikull shkruar me profesionalizëm dhe zgjuarsi, ishte vazhdimi  jo vetëm i diskutimeve të Ismail Kadaresë dhe Fatos Arapit në takimi e 11 korrikut, ku ai kishte munguar,por dhe vazhdimi një artikulli tjetër të rëndësishëm të poetit dhe kritikut, Drago Siliqi, i cili do të humbiste jetën tragjikisht në një katastrofë ajrore më 1963, me titull “Në kërkim të së resë”,që ishte botuar po në gazetën “Drita’, më 18 ,25 qershor dhe 2 korrik,artikull  cituar  në pjesën e parë të këtij cikli.

 Sic thekson Agim Vinca, Drago Siliqi në këtë artikull”…merret  me shpjegimin dhe intrepretimin e e këtij fenomeni, duke e shikuar atë në lidhje të ngushtë me procesin letrar të kohës, në kohën kur ai, kërkimi i së resë, ishte bërë “cështje dite”.(“Alternativa letrare…”faqe 68).

Triumfi i së resë dhe… haraci i saj

Në këtë betëjë të gjatë poetët e rinj fituan.Natyrisht, në radhë të parë nga mbështetja që u dha vëtë Enver Hoxha për arsyet që kemi përmendur më lart.Si cdo diktator,  ai do t’i shfrytëzonte poetët e rinj,  që t’i thurnin himne partisë e, doemos dhe udhëheqësit të saj gjenial, pra,vetë atij, detyrë prej skllavi që poetët e rinj, sic e kemi vënë në dukje, ishin të detyruar ta zbatonin..Ja sepse redaktorët, “për të qenë brenda”, ishin,edhe ata, të detyruar t’u kërkonin poetëve që vëllimet e tyre të nisnin  pa tjetër me poezi kushtuar Partisë dhe shokut Enver.

Po jap një shembull tipik që ma ka treguar miku im,kritiku i njohur letrar,Adriatik Kallulli:”Kur Bilal Xhaferi;-kujton ai,- më solli vëllimin e tij poetik, “Lirishtja e kuqe”, vura re se nuk kishte përfshirë në të as edhe një poezi për Partinë.E këshillova që të shkrunte një të tillë.Dhe pas disa ditësh ai më solli një poezi që fillonte me këtovargje.:”Parti,/emrin tënd të shkruar e kam,/në pëllëmbën e dorës sime.”.Thikë me dy presa.Pra:” E dua kaq shuëmë partinë, sa e kam me vete kudo në dorë,”por edhe:”Dua,s’dua, partia nuk më ndahet, përderisa shkronjat e saj  më janë ngulur në dorë.”

Megjithatë, poetët tanë më të mirë vazhduan rrugën e tyre drejt  krijimit të një poezie  që shtronte kërkesa të reja duke kapërcyer madje  edhe kufijtë që kishte shpallur  vetë diktatori.

Dhe e paguan rëndë.Më 1965 në gazetën  “Drita” botohej poema “Baballarët”  e Dritëro Agollit.”Pati pëshpëritje dhe pakënaqësi për një farë “patriarkalizmi” në poemë,- vë në dukje Fatos Arapi në librin e tij “Kur kujtohem që jam”, (Faqe 150).Dhe vazhdon:”Para një gote konjaku Agolli pinte i vetëm.Ishte i dëshpëruar.Shkova drejt tij…Në cast Dritëroi tha :”Kështu i duan këta? Unë i bëj më të mira”.(Po aty).

Më pas, me sa dihet, ai e ripunoi poemën, që më 1969 fitoi madje edhe cmim të parë në konkursin letrar me rastin e 25-vjetorit të Clirimit.

Po në ato vite do të pësonte goditje edhe në prozë.Vëllimi i tij me tregime”Zhurma e erëravë të dikurshme”, që u prit mirë nga lexuesit, do të kritikohej.Duke u ndalur përsëri në një bisëdë më Dritëroin, Fatos Arapi përshkruan një takim me të: “Si nëpër ajër, me cigare në buzë, nervozizëm të brendshëm, ai më tha:”Edhe mua ma ndaluan librin…Nexhmia”.Ky vëllim do të kritikohej edhe në Plenumin e 15 – të KQ të PPSh-së e madje edhe në Kongresin e Dytë të LSHA -së, më 1969.

 Vëllimi poetik “Më jepni një emër”,i Fatos Arapit, jo vetëm nuk do të qarkullonte, për gabime të rënda ideore, por ai  vetë, nga pedagog i letërsisë në UT, do të përfundonte mësues në një shkolle mbrëmjeje.Kjo ndodhte pas Plenumit të 4-t famëkeq të  vitit 1973.
Ismail Kadareja, pasi ishte kritikuar rëndë më 1969 për botimin në faqet e “Nëntorit “ të novelës “Përbindëshi”,që do të hiqej edhe ajo nga qarkullimi, më 1975 , me urdhër të drejtperdrejt të diktatorit, do të dënohej të shkonte fshatrave të Myzëqesë pas botimit të poemës “Pashallarët  e kuq”.

Vini re:Pikërisht ata poetë që u kritikuan më 1961 nga poetët e vjetër për “izmat” e tyre dhe u morën në mbrojtja nga Enver Hoxha.!..E kishin kapërcyer kufirin e caktuar nga ai!…

Do ta pësonin edhe shumë poetë të rinj për të cilët Kadareja, Agolli e Arapi ishin shembujt më të mirë se si mund të shkruhej poezi me frymë bashkëkohore .Të tillë ishin B. Xhaferi, vëllimi poetik i të cilit, “Lirishtja e kuqe” dhe romani “Krasta Kraus”, u ndaluan dhe ai  u detyrua të arratisej në Greqi e që andej në SHBA., ku u gjend i vdekur në një spital në rrethana misterioze.(Hamendësohet të ketë pasur dorë Sigurimi i Shtetit). H. Qendro, redaktori i vëllimit me tregime “Zhurma e erëravë të dikurshme”,të Agollit  dhe poet me talent,u internua për vite e vite  në fshatrat e Progonatit, F. Haliti,u  degdis në humbëtirat e  Lushnjës,Xh. Spahiu, dy herë i kritikuar nga vetë Enver Hoxha  për poezi surealiste, shpëtoi cuditërisht pa u dënuar.  H.Mece u dërgua me dënim në Vlorë,M. Zeqo u hoq nga gazeta “Drita”.Të dy për dukuri   hermetike në poezitë e tyre, kurse një tjetër, Frederik Reshpja, poet i talentuar,përfundoi madje në burg dhe pas tij edhe poetët J.Bllaci.Z.Morava.P.Taci.

Në  përpjekje për t’u arratisur më 1963, fat tragjik pësoi poeti ushtarak,Trifon Xhagjika,i cili u dënua me pushkatim.Këtë fat pësuan edhe  poetët e rinj V.Blloshmi dhe G. Leka, që u pushkatuan mizorisht më 1978 nga diktatura.

”Afirmohuni me vargun tuaj dhe, në rast se ju do populli, ai varg është i mirë:,” u bënte thirrje Enver Hoxha poetëve të rinj në takimin e 11 korrikut të vitit 1961.

Mashtronte.Populli i kishte afirmuar poetët e rinj.Por jo  ky diktator.Ja sepse, herë pas here, sic e pamë, kur shihte edhe shkarjen  më të vogël nga kanunet e tij, vringëllonte pa mëshirë, kosoren mbi kokat e tyre.

Sidoqoftë, poetët, atëherë të rinj, Kadare,Arapi,Agolli, e pas tyre të tjerë që u frymëzuan nga krijimtaria e tyre, ngadhënjyen..Këtë e dëshmon edhe veprat që krijuan në atë periudhë të plumbtë,e cila, me gjithë censurën e fortë, tingëllon  e freskët, e gjallë,kumbuese edhe në ditët tona.

Filed Under: ESSE Tagged With: Skifter Kellici

(MOS)FAKTORIZIMI I SHQIPTARËVE PËRBALLË LOJËRAVE OBORRTARE MAQEDONASE

November 11, 2021 by s p

Lojërat oborrtare  të segmenteve të caktuara politike të shqiptarëve, të veshur lirë me kimonot e industrisë karamelizuese,  kanë trimëruar LSDM –në  dhe VMRO-në që  të projektojnë ide për shtetndërtim pa shqiptarët. Por, edhe logjika e segmenteve të caktuara të politikës shqiptare në Maqedoni për të zaptuar një copë pushtet në oborrin e kryeministrit maqedonas, ende pa ndodhur faktorizimi i vërtetë i shqiptarëve, ka degjeneruar kuptimin e përfaqësimit dinjitoz- institucional të tyre.

Nga Emin AZEMI

Nga segmente të caktuara të politikës shqiptare, por edhe të një pjese të shoqërisë shqiptare në Maqedoni, LSDM dhe VMRO ende perceptohen  si faktorizues dominantë, pa të cilët nuk ngrohë dielli në oborret e varfëra të shqiptarëve, Deri më tani nuk ka ndodhur (me ca përjashtime) që ky faktorizim të bëhet në saje të unitetit brendashqiptar dhe ofertës së përbashkët kundrejt politikës maqedonase. Duke e hetuar këtë dobësi të shqiptarëve, Gruevski më parë dhe Zevi tani, , prodhojnë karamele për të joshur ambiciet karamelizuese oborrtare të aparatçikëve shqiptarë. Këta të fundit, të joshur nga kjo industri informale karamelësh, jo rrallë këmbejnë kauzat e tyre kombëtare-partiake me ndonjë favor të vockël që mund ta marrin nga politikanët sllavë.

Shtetndërtimi maqedonas a është i mundur  pa shqiptarët

Lojërat oborrtare  të segmenteve të caktuara politike të shqiptarëve, të veshur lirë me kimonot e industrisë karamelizuese,  kanë trimëruar LSDM –në  dhe VMRO-në që  të projektojnë ide për shtetndërtim pa shqiptarët. Deklaratat e mëhershme të Gruevskit se maqedonasit duhet të marrin shumicën e vendeve në Parlament për t’u ikur kushtëzimeve të shqiptarëve, apo livadhisjet e Zaevit nëpër vendbanimet shqiptare për të ‘’peshkuar’’ sa më shumë shqiptarë ‘’indiferentë’’, flet edhe njëherë për falsitetin e marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase, që zakonisht projektohen mbi interest unitare të njërës palë dhe mbi inferioritetin e palës tjetër.

Sado që t’i trajtojmë si nevoja për  për konsum të brendshëm dhe për efekt elektoral këto angazhime të politikanëve maqedonas, ato si e të tilla, megjithatë, janë sinjal i keq se Maqedonia vazhdon farsën e shtendërtimit të njënashëm, duke i trajtuar shqiptarët si kontributorë, por jo edhe si shteformues të Maqedonisë. Në defektet e këtij keq-drejtimi kanë shumë faj edhe forcat kryesore  politike shqiptare, të cilat me sjelljet dhe qëndrimet e tyre, jo rrallë kanë lajthitur edhe faktorin politik maqedonas, tek i cili kanë injektuar një lojalitet blanko për shumë çështje, e sidomos për çështje të karakterit ndëretnik. Në disa raste fitohej përshtypja se ndonjë politikan shqiptar, në tentativën e tij të pasuksesshme për të korrigjuar imazhin e keq të Maqedonisë në botë, bënte edhe ministrin e Jashtëm, por pa dimensionin e përfaqësimit të interesit dhe legjitimitetit shqiptar. Shumë kancelari të botës që janë vizituar nga politkanë të tillë, sot janë shumë të bindur se shqiptarët në Maqedoni nuk kanë kurrfarë problemi me politikën refuzuese maqedonase dhe çdo përpjekje tani për ta prezentuar këtë politikë ndryshe nga ajo që është reklamuar kohë më parë, del komike  dhe e paefektshme.

Marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe maqedonasve mund të degradohen edhe në të ardhmen në përmasa brengosëse nëse nuk intervenohet shpejt në gjetjen e një kompromisi afatgjatë, duke ndërhyrë në ato çështje që barasvlerësojnë cilësinë  e përfaqësimit përmes projekteve konkrete e shumë urgjente dhe kapacitetin e shtetndërtimit, përmes kuadrove profesionalë e jo aparatçikëve të dëgjueshëm që frik e frikë bëhen të ‘’ditur’’ duke kaluar natën nëpër ofiqinat e fotokopjimit të diplomave.

Argatët shqiptarë në oborret politike maqedonase

Sigurisht që në të kaluarën Gruevski nuk do ta përdorte diskursin e tij ksenofobik sikur të mos ishte edhe një qëndrim jo shumë i qartë i bashkësisë ndërkombëtare kundrejt Shkupit zyrtar, për faktin se ajo si tepër i ka kushtuar vëmendje raporteve të jashtme të Maqedonisë dhe fare pak është marrë me raportet e brendshme të saj. Marrja gjatë gjithë kohës e bashkësisë ndërkombëtare (Brukseli, Uashingtoni) me kontestin që ka Maqedonia me Greqinë dhe sfidat që ajo i kishte në rrugën e (mos)integrimeve euro-atlantike, krijoi një bindje të sforcuar tek forcat nacionaliste maqedonase se politikat e tyre retrograde, të orientuara kryesisht kundër shqiptarëve, mund të kalojnë pa u ndëshkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Të urojmë që këto lajthitje të mos ndodhin edhe tani në vlugun e këtyre turbulencave politike për shumicë të re/ të vjetër parlamengtare, sidomos kur politikat e përgjumura të Zaevit mund të prodhojnë argatë të rinjë të industrisë së karamelave, kur shqiptarët si zakonisht tregohen degustues të zellshëm të produkteve të tilla.

Logjika e segmenteve të caktuara të politikës shqiptare në Maqedoni për të zaptuar një copë pushtet në oborrin e kryeministrit maqedonas, ende pa ndodhur faktorizimi i vërtetë i shqiptarëve, ka degjeneruar kuptimin e përfaqësimit dinjitoz- institucional të tyre. Gara për t’i nxjerrë syrin njeri tjetrit dhe vrapi për të siguruar sa më shumë vota në favor të partisë së Zaevit, i bënë një pjesë të shqiparëve të Maqedonisë do fare kopje të zbehta të sanço pançove pa brekë, të cilëve do t’ua kishte zili edhe Servantesi po të ishte gjallë.

Jo pak shqiptarë, tash dhe në të kaluarën, kush më shumë e kush më pak, kush më hapur e kush më tinëz, kanë bërë gara  që të jenë më afër partive të caktuara maqedonase dhe axhendave të tyre  për të siguruar edhe një mandat qeverisës dhe shumë më larg projekteve e ideve që do të mund të galvanizonin ecjen e shqiptarëve me energji të përbashkëta drejt një ardhmërie të përbashkët.

Politikanët dhe aktivistët e ndryshëm mund ta konsiderojnë  legjitime zgjedhjen e rrugëve dhe strategjive për të synuar pushtetin, por kur ato bëhen jotransparente dhe shumë ordinere, për qëllime të ngushta grupore e individuale, atëherë janë të kota përpjekjet e tyre për të na bindur se të gjitha këto manovrime i bëjnë për të mirën e shqiptarëve. Mjafton të shikohet në retrospektivë se cilat kanë qenë marrëdhëniet e politikanëve shqiptarë me situatat e caktuara në prag të zgjedhjeve.Me saktësi matematikore mund të vërehen se ata u ngelin besnik manirave të tyre për të bërë politikë të pasinqertë e besëprerë ndërmjet veti, por shumë të hapur e të sinqertë me partnerët maqedonas.

Perceptimi i vetvetes si oborrtarë të vegjël me ambicie të mëdha për përfitime personale, i bën aparatçikët e caktuar shqiptarë edhe më të lexueshëm para publikut shqiptar, sepse përvoja dhe memoria kolektive ka siguruar një minimum standard mbamenjejej sa për të dalluar sinqeritetin nga dallavera, interesin publik nga ai personal. Patriotizmi i harxhuar i këtyre tipave mund të zgjojë ndonjë adrenalinë të fjetur dikund-dikund, por jo edhe kundërvënie ndaj politikave karameizuese të Zaevit e Gruevskit.

Në funksion të strategjisë për të zgjedhur gjoja midis shiut e breshrit, disa megafonë dhe reprezentë të shoqërisë civile, që zakonisht flasin njëfarë gjuhe të unitarizmit të tejkaluar maqedonas, ua kanë imponuar votuesve shqiptarë edhe një alternativë që shkon përtej kampusit elektoral shqiptar, duke e prezantuar LSDM-në si ventilin e vetëm ku mund të shfryhen frustrimet dhe pakënaqësitë e shqiptarëve.Përpjekja për ta paraqitur shoqërinë shqiptare pa alternativë politike e civile, ndërkohë që ajo është prezente dhe shumë aktive, e bënë edhe më problematike marrëdhinen që mund të krijojë politika maqedonase me një pjesë të shqiptarëve, duke ua hequr atyre akrepat e orës politike. Nëse ndodhë kjo, atëherë tiktaku i kohëmatjes për një pjesë të shqiptarëve në të ardhmen mund të trokas në ndonjë sahatkullë të Strumicës a Vallandovës, ndërkohë që brirat e politikës shqiptare mund të thyejnë rekorde absurd të brendapërleshjes për do funksone që reahtojnë individë, por jo edhe shqiptarët. Këta të fundit kanë nevojë të faktorizohen përmes projekteve urbane, sociale, kulturore e ekonomike të përfaqsuesve legjitimë të tyre, e jo përmes sponzorizimeve jeniçere që impjanet parapolitike  i paketojnë si ‘’produkte vendore’’, paçka se etiketat e tyre mund të  jenë shtypur që moti në ofiçinat politikave asimiluese.

Mungesa e platformave kombëtare dhe dominimi i atyre partiake

Mungesa e platformave kombëtare dhe dominimi i atyre partiake për përdorim ditor, ka bërë që cilësia e përfaqësimit institucional të shqiptarëve të limitohet në kornizat e një vasaliteti të pakuptimtë. Fuqia politike e faktorit vendimmarrës maqedonas gjithmonë është varur nga shkalla e kohezionit brendashqiptar dhe për fat të keq kjo fuqi ka ardhur duke u rritur fal mungesës së bashkëpunimit dhe bashkërendimit të forcave politike të shqiptarëve.

Në emër të organizimit autokton e autentik të jetës politike, shqiptarët e Maqedonisë u larguan nga idetë pak a shumë panshqiptare dhe kjo nuk mbeti pa u reflektuar pastaj në marrëdhëniet politike e institucionale me maqedonasit.

Prishtina, si qendër, që për vite të tëra nuk shkolloi vetëm profesorë, mjekë, inxhinierë shqiptarë nga Maqedonia, por krijoi parakushte edhe për një pikë referuese të zhvillimeve të shumta në politikë dhe në jetën kombëtare përgjithësisht, gradualisht dhe padrejtësisht filloi të zëvendësohet nga Tetova. Kjo e fundit arriti të grumbullojë partiakisht trurin e shqiptarëve, por jo edhe të ridimensionojë fuqinë ndikuese të intelektualëve në politikë, siç e bëri Prishtina me dekada të tëra. Kjo qasje tepër e ngushtë që kishte për bazë ekskluzivisht përshtatshmërinë dhe dëgjueshmërinë partiake në dëm të kapaciteteve intelektuale e krijuese shqiptare, kryesisht atyre të shkolluar në Prishtinë, i bëri dëm të pariparueshëm politikëbërjes shqiptare në Maqedoni.

Kjo zhveshje e politikës nga bagazhi intelektual i ndihmoi procesit të degradimit të ideve nga niveli i shteformimit në skema konjukturale që kushtëzoheshin prej marrëdhënieve politike të partneritetit shqiptaro-maqedon brenda koalicioneve bashkëqeverisëse. Një skematizim i tillë i organizimit politik të shqiptarëve, solli surrogate të papëlqyeshme të teknologjisë së pushtetbërjes, duke nxjerrë në pah pragmatizmin partiak para kauzave afatgjate kombëtare.

Deri më tani nuk ka ndodhur që një parti politike shqiptare , fituese e zgjedhjeve në elektoratin shqiptar, të ketë refuzuar pjesëmarrjen në bashkëqeverisje me ndonjë parti tjetër maqedonase, për shkak të ofertës substanciale që ajo ka ofruar. Deri më tani nuk ka ndodhur që partia më e madhe politike shqiptare që ka dal e para në zgjedhje, të ketë përfshirë në platformën e saj (bashkë)qeverisëse edhe ndonjë gjetje interesante nga platformat e partive tjera simotra shqiptare në Maqedoni.

Rrëshqitja e shkallëshkallshme e shqiptarëve në hendeqet e kolacionimeve me maqedonasit

Dy opsionet dominante maqedone që kishin prejardhje të ndryshme ideologjike – VMRO dhe LSDM – me kalimin e viteve u bënë fatpërcjellëse të pashmangshme të shkëlqimit dhe rënies së lavdisë politike të shqiptarëve të Maqedonisë. Si një hije që ndjek udhëtarin e lodhur në shkretëtirë, ishin pikërisht këto dy opsione dhe për pasojë politikëbërja shqiptare, me apo pa vetëdije, u bë peng i ambicies së pashpjeguar për ‘’bashkëshortësi’’ të përjetshme me këto dy parti kontradiktore maqedone.

Kjo rrëshqitje e shkallëshkallshme e filozofisë politike të shqiptarëve të Maqedonisë në pragamtizmin banal të bashkëjetesës së dy tendencave etnike që pajtoheshin vetëm për çështje të politikës së ditës dhe për ndarjen e ndonjë trofeu që sjell pushteti, pamundësoi krijimin e frymës së bashkërendimit dhe bashkëpunimit brendakombëtar të shqiptarëve. Ndasia brendashqiptare sikur u bë lajtmotiv i politikave të papjekura që bashkëqeverisjen me partitë maqedone e shndërroi në dogmë nga e cila as sot e gjithë ditën nuk po lirohemi.

Ky dogmatizim i teknologjisë së bashkëqeverisjes ka nxjerrë nga përdorimi energji të shumta krijuese e intelektuale të shqiptarëve në Maqedoni dhe diasporë .

Shqiptarëve të Maqedonisë iu nevojitet një front i vetëm veprimi e mendimi, në mënyrë që politikat e tyre të mos jenë zgjatime karikaturale të doktrinave djathtiste e majtiste maqedonase. Hapësirë për opozitarizëm të shpifur brendashqiptar nuk ka gjithaq, sepse ajo hapësirë duhet mbushur me idetë e parrumbullaksuara të një zgjimi kombëtar dhe një kundërvënie intelektuale doktrinave maqedone të cilat ende shkëlqimin e tyre e masin me errësirën e sinkopave shqiptare.

Në Maqedoni plot mandate deputetësh e kryeministrash janë fituar duke i sharë shqiptarët. Kjo “vjelje” rentabile e votave nacionaliste për të siguruar mandat politik mbi urrejtjen dhe mosdurimin ndëretnik, ka funksionuar në të kaluarën si mjet që kompensonte ofertat e mirëfillta për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie.Por, nuk e paskemi ditur që kjo sezonë gjahu mbi shqiptarët, të përsëritet sërish në Maqedoni.

Nuk duhet patur kurrfarë dileme se dallimi i VMRO-së dhe LSDMës në raport me shqiptarët qëndron vetëm në ideologjitë e tyre dhe secila në mënyrën e vet arrin të prolongojë pikërisht ato çështje që avancojnë statsusin e shqiptarëve.Prandaj është koha që shqiptarët t’iu kthehen partive të tyre dhe të kërkojnë me ngul nga ato të jenë reprezentuese të denja të interesave të shqiptarëve. Çdo iluzion tjetër që krijon përshtypje të rrejshme për gjoja dashamirësinë e partive maqedone kundrejt shqiptarëve, duhet të na shërbej si shkollë politike që na mëson të dallojmë demagogjinë prej vizionit, multietnicizmin e rrejshëm prej bashkëjetesës së sinqert, shqipfolësit e partive maqedone prej politikanëve të ndershëm shqiptar etj. etj.

Që palët e konfrontuara në Maqedoni të mos kenë edhe në të ardhmen spiranca avokatie ku do të mund t’i lidhnin barkat e tyre të lodhura, njëri në Sofje te Borisovi e tjetri në Moskë te Putini, atëherë imponohet si e domosdoshme një prani më e shtuar e diplomacisë amerikane në Maqedoni, që do të rezultonte në formimin e një qeverie kalimtare këtu, me një rol më domethënës të shqiptarëve, e cila brenda dy viteve do të arrinte t’i “hekuroste” shumicën e gungave në relievin e trazuar politik të Maqedonisë.

Paradoksi i marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase qëndron tek mosdefinimi i pozicioneve që do të bënte diferencimin substancial në mes të lojalitetit blanko dhe kooperativitetit. Shqiptarët në Maqedoni janë të shquar për një lojalitet gandist kundrejt politikave shtetformuese maqedonase, mirëpo, çuditërisht, nuk e kanë rrumbullakësuar për vete procesin e shtetformimit.

Shqiptarët në Maqedoni ishin edukuar politikisht të jenë lojalë ndaj shtetit, sepse moslojaliteti i tyre, siç iu kanë thënë,  po e prishka shtetin. Nga zelli i madh për të mos lejuar prishjen e shtetit, shqiptarët u bënë aq shumë lojalë sa harruan ta faturojnë për interesa të tyre këtë qasje ekstreme lojaliste.

Sa iu shpagua shqiptarëve kostoja e lojalitetit, duke filluar nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta e deri më sot?  Nëse në vitet nëntëdhjetë shqiptarët vepronin nën ombrellën e një kushtetute që nuk po e shprehte realitetin shumetnik të shtetit, po në vitet njëzetë e këndej, si është realiteti?

Lojaliteti i shqiptarëve si terapi gjeopolitike

Nëse në vitet nëntëdhjetë Gligorovi u thoshte shqiptarëve: rrini urtë, mos kërkoni shumë, se po e irritoni VMRO-në nacionaliste, tani shqiptarëve u thuhet gati e njëjta gjë, por me një konotacion dhe ambalazh tjetër. Tani u thuhet shqiptarëve se duhet të rrinë urtë sepse rrymat proruse dhe pro-serbe e shfrytëzojnë këtë si adut për ta destabilizuar Maqedoninë dhe, për pasojë, për ta rrezikuar kauzën e saj evropiane. Lojaliteti i shqiptarëve përdoret si terapi gjeopolitike, sepse  vetëm shqiptarët qenkan ata që po i përcaktokan kauzat evropiane të shtetit! Madje, me çmim që ata të jenë ekstremisht lojalë, ndërkohë që autorët dhe redaktorët maqedonas, në librat e tyre shkollorë, pa fije turpi dhe papengueshëm, mund  t’i trajtojnë shqiptarët si ardhacakë dhe si uzurpatorë.

Në njërën anë shqiptarëve u kërkohet të jenë lojalë ndaj shtetit të Maqedonisë, kurse, në anën tjetër, ata trajtohen si një trup i huaj i këtij shteti.Madje, shqiptarët si “ardhacakë” dhe si “uzurpatorë” qenkan përcaktuesit gjeopolitik të Maqedonisë evropiane (!).

Tani thuhet se janë bërë ndryshime kushtetuese, por shqiptarët sërish nuk janë një komb shtetformues në Maqedoni. Janë avancuar shumë çështje, siç është çështja e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe ajo e përfaqësimit adekuat, por  të gjitha këto çështje nuk janë bërë kategori kushtetuese. Mjafton të shikohet Ligji për Shtetësi ku kusht për marrjen shtetësisë së Maqedonisë është njohja e gjuhës letrare maqedonase. Askund nuk përmendet gjuha shqipe dhe, për pasojë, plot shqiptarë janë refuzuar të pajisen  me shtetësi vetëm sepse nuk e kanë zotëruar mirë (me shkrim dhe me gojë) gjuhën letrare maqedonase. Sikur gjuha shqipe të ishte kategori kushtetuese, shqiptarët do ta merrnin me automatizëm shtetësinë e Maqedonisë, por kjo nuk po ndodh, sepse sovraniteti shtetëror ende buron nga shtylla shtetformuese e popullit maqedonas.

Shqiptarët në mes të të drejtave ligjore dhe kufizimeve kushtetuese

Kushtetutshmëria e një të drejte është më e lartë se ato që definohen  me ligje, sepse këto të fundit dinë të jenë edhe kontradiktore dhe me shumë dubioza, siç është, bie fjala, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, në tëcilin askund nuk përmendet gjuha shqipe, për arsye të boshllëqeve kushtetuese, kështuqë shqiptarët, megjithatë, rangohen si qytetarë të rendit të dytë, pas maqedonasve, të cilët janë shtylla e kombit shtetformues.

Në planin praktik kjo është lehtësisht e vërejtshme dhe e prekshme, madje edhe tepër eksplicite, për arsye se liderët maqedonas, bie fjala, mund të takohen kur t’u teket dhe të vendosin si t’u teket, pa marrë mundin që për këtë të kenë edhe miratimin paraprak të politikanëve shqiptarë. Ky miratim mund të vijë post-festum, por kjo flet për diçka tjetër.

Për çka flet kjo?

Kjo flet se maqedonasit e shohin veten si shtyllë të kombit shtetformues, kurse shqiptarët i shohin si mbështetës (“потпирачи”) të këtyre shtyllave.

Në dipotrinë maqedonase, shqiptari duhet të jetë ekstremisht lojal ndaj shtetit ( të maqedonasve) dhe ata (maqedonasit) vendosin se sa të drejta (ose sa kg. të drejta) duhet t’i kenë shqiptarët. Të drejtat e shqiptarëve aktualisht u ngjasojnë marrëdhënieve në mes të shitësit dhe blerësit që blen mall me veresi. Ky i fundit, për të mos hyrë shumë borxh, është i detyruar që groshën të mos e blejë me kilogram, por kokrra-kokrra, shalqirin ta blejë me flegra, kurse akulloren ta shijojë duke e lëpirë xhamin e ëmbëltores.

Në dioptrinë maqedonase në Maqedoni nuk jeton kombi autokton shqiptar,  por “një pjesë të kombit shqiptar” që ndodhet dikund, jashtë territorit të Maqedonisë. Kjo i bie që shqiptarët në Maqedoni, pasi që janë pjesë e kombit shqiptar, janë do kalimtarë të rastit që i kanë hapur çadrat dhe përkohësisht janë vendosur në tokën e “shenjtë maqedonase”. Me fjalë të tjera, shqiptarët , sipas Kushtetutës aktuale,  e kanë statusin e banorëve nën çadra me stacionim të përkohshëm, kurse madhësia e çadrave si edhe hapësira që zënë ato aktualisht përcaktohen  me ligj.

Në dioptrinë maqedonase nuk ka gjuhë zyrtare shqipe në Maqedoni, por ka një popullatë  prej 20 për qind që e flet atë gjuhë.

Nesër me iu tekë romëve me u bë 20 për qind, komod mund ta përdorin zyrtarisht gjuhën e tyre, sepse këtë ua garanton ligji.

Perceptimi për lojalitetin ekstrem të shqiptarëve ndaj shtetit të Maqedonisë  shpërfaqet edhe në një rrafsh tjetër. Nëse dje gruevizmi shërbente për të kamufluar feudalizmin oligarkik të një kaste njerëzish që politikën e mbindërtonin mbi një doktrinë mafioze për t’u pasuruar, zaevizmi sot po e përdor një doktrinë krejt tjetër, e cila mund të jetë shumë më e dëmshme, sepse përmes asimilimit politik të shqiptarëve, ai po mundohet të katapultojë koncepte të paqarta si “një shoqëri për të gjithë”, me kusht që fuqia faktorizuese e shqiptarëve të reduktohet në përfaqësime grupore dhe individuale.

Shqiptarët nuk i kanë fajet pse Zaevi qëndron keq në sondazhe kundrejt VMRO-së (edhe sipas sondazhit të fundit)  dhe është e pandershme që ata (shqiptarët)  të përdoren vetëm si “doping” në garën politike LSDM-VMRO.

Për rrjedhojë, ashtu siç ndodh me efektet e antidopingut që, pa humbur kohë, i diskualifikon pjesëmarrësit në garat sportive, ngjashëm ndodh edhe me këtë arenën tonë qesharake politike, ku shqiptarët, menjëherë pas zgjedhjeve, nga “fusha sportive” i vendosin në “tribunën e shikuesve”. Ka plot shqiptarë sot që, duke qenë në “tribunën e shikuesve”, mundohen të na bindin se Zaevi është burrë më i mirë se Gruevski dhe mjaftohen me faktin se Gruevski nuk është fizikisht në pushtet, por harrojnë se  hija e tij, gruevizmi, vazhdon të mbetet gjallë nëpër institucione të caktuara.

Gruevizmi ende është pjesë e praktikave të pushtetit aktual, sidomos në sistemin e drejtësisë, ku ka plot procese të montuara nga koha e Gruevskit (Monstra, Kumanova, Alfët, etj.) por që vazhdojnë të prodhojnë efekte dëshpëruese edhe në kohën e Zaevit. Të gjithë ata shqiptarë që kanë votuar për Zaevin këtë e kanë bërë edhe me bindjen se këto procese të montuara do të rishqyrtohen dhe drejtësia do të vendoset në binarët normalë, duke i liruar nga burgimet e përjetshme njerëzit e pafajshëm, siç janë djemtë e rastit “Monstra”, të rastit “Kumanova”, të rastit “Alfa”(Rexhail Qerimin nga Opaja e Kumanovës dhe Almir Drpljani nga Shkupi) dhe një rast tjetër që ka të bëjë me një shqiptar nga Xhepçishti i Tetovës.

Aspiratat ekstra-territoriale të serbëve të Kosovës dhe shtetformësia e shqiptarëve të Maqedonisë

Procesi shtetformues i shqiptarëve në Maqedoni duhet  patjetër të përmbyllet, sepse është tendencë e kohës që kjo çështje të mos ngelë barrë e gjeneratave të ardhshme, të cilat do t’i kenë problemet e njëjta si ne tani, nëse statusi i tyre vazhdon të trajtohet me ligje kontradiktore e konfuze.

Një parlament dydhomësh dhe një kushtetutë që do të derivonte statusin shtetformues të shqiptarëve do të ishin zgjidhjet optimale për shqiptarët në Maqedoni. Në të kundërtën, shqiptarët në Maqedoni do të mund të ndjekin modelet dhe formulat  e zgjidhjes së çështjes serbe në Kosovë, sidomos tani, në prag të përmbylljes së dialogut Kosovë –Serbi. Bashkësia ndërkombëtare, BE dhe SHBA, para se ta detyrojnë Prishtinën zyrtare të bëjë kompromise në favor të kërkesave që përkufizojnë statusin ekstra territorial të serbëve të Kosovës, do të duhej të bëhen gati të dëgjojnë edhe kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni për avancimin e statusit të tyre shtetformues.

Matematikisht dhe logjikisht do të duhej të hidhen në kantar këto kërkesa dhe të shihet se cilat janë më të kapshme dhe më pak të dëmshme për stabilitetin e rajonit: kërkesat për status ekstraterritorial të serbëve të Kosovës apo  kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni për avancimin e statusit të tyre shtetformues?

Shkup, 11.11. 2021

Filed Under: Komente Tagged With: Emin Azemi

RAPORTI SEKRET I CIA-S (1949) / KRIJIMI I NJË “FRONTI TË BASHKUAR SHQIPTAR ANTIKOMUNIST” NË MËRGIM ME UDHËHEQËS MIT’HAT FRASHËRIN : ROLI I MBRETIT ZOG DHE DIPLOMACISË SË SHBA-VE

November 11, 2021 by s p

Nga Aurenc Bebja

Central Intelligence Agency (CIA) ka deklasifikuar në vitin 2007 dokumentin që përshkruan negociatat ndërmjet Mbretit Zog dhe diplomacisë amerikane për krijimin e një “Fronti të Bashkuar Shqiptar” në mërgim më 1949 me qëllim bashkimin e shqiptarëve jashtë atdheut dhe rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

I dashur Pilgrim :

Kam kënaqësinë të bashkangjit për dosjet tuaja (1) një memorandum bisede të nënshkruar që u zhvillua në Aleksandri, Egjipt me 5 maj 1949, (2) një deklaratë të nënshkruar që përcakton pikat që duhet të përfshihen në një deklaratë që do të publikohet së shpejti pas shpalljes së formimit të një Fronti të Bashkuar dhe (3) një deklaratë plotësuese e nënshkruar (firmosur). Ju lutem vini re se në hyrje të deklaratës së fundit përmenden emra të cilët ndoshta dëshironi t’i eliminoni (fshini).

Komentet e mia për këto deklarata ju kanë ardhur më parë me telegram.

Sinqerisht i juaji,

Shqiptarët jashtë vendit.

Mbreti Zog u shpreh fort në favor të formimit të një Fronti të bashkuar të të gjithë të mërguarve shqiptarë antikomunistë. Ai ra dakord që çështja e regjimit të ardhshëm t’i lihet zgjedhjes së lirë të popullit shqiptar. Mbreti Zog pranoi që Frashëri të ishte udhëheqës.

Sekret

Memorandumi i bisedës me mbretin Zog I, 5 maj 1949.

Një takim me Mbretin Zog I u mbajt në Aleksandri Egjipt më 5 maj 1949. U shpjegua se Shtetet e Bashkuara do të shikonin me favor formimin e një fronti të bashkuar të të gjithë shqiptarëve antikomunistë jashtë vendit. U vu në dukje se refugjatët nga disa vende të tjera të dominuara nga sovjetikët, si Bullgaria dhe Hungaria, kishin arritur një shkallë uniteti që u mundësoi udhëheqësve të tyre t’u jepej e drejta morale për t’u konsideruar si zëdhënës i popujve të tyre. Shpresohet që edhe shqiptarët jashtë vendit të kenë sukses të ngjashëm.

Mbreti Zog u informua se Midhat Frashëri kishte deklaruar se favorizonte formimin e një fronti të tillë të bashkuar dhe se do të punonte aktivisht për këtë qëllim. U shpreh shpresa se Zogu I do të mbante një qëndrim të ngjashëm. U vu në dukje se Mbreti Zog mund të ndihmonte shumë në këtë punë duke miratuar frontin e propozuar dhe duke inkurajuar ndjekësit e tij për të marrë pjesë. Për më tepër, u ndje se Mbreti Zog do të jepte një kontribut të rëndësishëm për unitetin e shqiptarëve jashtë vendit duke lëshuar një deklaratë publike ku thuhej se ai mirëpriste një front të bashkuar nën kryesinë e Frashërit, se çështja e regjimit të ardhshëm të Shqipërisë do të lihej pezull në pritje të një plebishiti të lirë nga populli shqiptar, dhe ndërkohë prerogativat mbretërore duhet të konsideroheshin të pezulluara.

Mbreti Zog u informua për opinionin amerikan se Midhat Frashëri duhet të ishte udhëheqësi i frontit të bashkuar dhe se grupi i tij duhet të formonte bërthamën e lëvizjes. Ishte shpresa e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara që Mbreti Zog ta mbështeste me gjithë zemër këtë propozim, qëllimi i vetëm i të cilit ishte krijimi i një fronti të bashkuar nga shqiptarët jashtë vendit.

Mbreti Zog u shpreh fort në favor të formimit të një Fronti të bashkuar të të gjithë të mërguarve shqiptarë antikomunistë. Ai ra dakord që çështja e regjimit të ardhshëm t’i lihet zgjedhjes së lirë të popullit shqiptar. Mbreti Zog pranoi që Frashëri të ishte udhëheqësi i frontit të bashkuar dhe deklaroi se do të mbështeste lëvizjen. Ai mendonte se Frashëri duhet të siguronte si shoqërues një person të partisë Legjitimiste (Legalitetit) si dhe një person me merita nga Partia e Pavarur, në mënyrë që komiteti të kishte 2 myslimanë, një ortodoks dhe një katolik. Mbreti Zog deklaroi se ai nuk mund t’i deklaronte (vinte) prerogativat e tij mbretërore në pezull, pasi kjo do të ishte e pamatur, si dhe jo besnike ndaj zotimit të tij ndaj popullit shqiptar. Një veprim i tillë, tha ai, do të rrezikonte vazhdimin e njohjes së misioneve antikomuniste/mbretërore/diplomatike shqiptare në Egjipt, Turqi dhe gjetkë. Më thelbësisht, ai mendonte se një veprim i tillë do të ishte i barabartë me heqjen mënjanë të detyrës që Asambleja Kombëtare Shqiptare i kishte vënë atij përpara pushtimit fashist italian. Ai tha se Kuvendi (Asambleja) me atë rast e kishte ngarkuar që të përfaqësonte kombin jashtë vendit deri në çlirimin e tij. Ai rekomandon për hir të lëvizjes që Frashëri të vizitojë Egjiptin, Sirinë, Turqinë, Italinë, Greqinë dhe kudo ku ka grupe të konsiderueshme të mërguarish shqiptarë, të bisedojë me ta, të sigurojë prej tyre deklarata me shkrim mbështetjeje dhe kështu të njihet si lider i frontit të bashkuar. Mbreti Zog doli vullnetar për të ndihmuar në sa më sipër dhe për të bërë një deklaratë publike sipas linjave të dëshiruara kur ajo të konsiderohej e dobishme.

Mbreti Zog u shpreh fort për rëndësinë që Midhat Frashëri duhej të vinte në Egjipt dhe të merrte nga goja e tij sigurinë e ndihmës së tij.

14 qershor 1949

Konfidencial

Zogu I, Mbreti i shqiptarëve

14 qershor 1949.

E mirëpres me shumë kënaqësi formimin e “Frontit të Bashkuar Shqiptar”, si mjet për arritjen e bashkimit mes shqiptarëve jashtë vendit, si dhe për të sjellë rehati morale për shqiptarët në vendin e tyre, e cili tani është nën dominimin e një qeverie komuniste me bindje të huaj.

Unë do të jap me të gjitha forcat e mia mbështetjen time për “Frontin e Bashkuar Shqiptar”dhe komitetin e tij. Unë do t’i bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që t’i bashkohen kësaj lëvizjeje, qëllimi i së cilës është rimëkëmbja e pavarësisë së Shqipërisë me gjithë integritetin e saj.

Unë deklarova publikisht në vitet 1940, 1946 dhe radhazi në disa raste, se regjimi i ardhshëm i Shqipërisë do t’i lihet tërësisht në pëlqimin e popullit shqiptar, i cili, nëse është e nevojshme, do të jetë në gjendje t’i bëjë të njohura aspiratat e tij me anë të një plebishiti të lirë pas çlirimit të vendit.

Unë e konsideroj këtë metodë plotësisht në përputhje me parimet demokratike.

Deklaroj se nuk ushtroj asnjë nga të drejtat e mia mbretërore kundër “Frontit të Bashkuar Shqiptar”, kundër veprimtarisë së tij apo komitetit të tij të kryesuar nga Midhat Frashëri, me kusht që megjithatë të mos dalin kundër aspiratave të Kombit Shqiptar dhe se ato të synojnë rimëkëmbjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe integritetin e territorit të saj.

Kjo deklaratë e tanishme në pikat e përgjithshme do të publikohet ditën kur partitë e ndryshme të përmendura në intervistën tonë të parë do të kalojnë në përbërjen (formimin) e komitetit të “Frontit të Bashkuar Shqiptar”.

Zogu I, Mbreti i shqiptarëve

Pas procesverbalit që rrëfen intervistën (takimin) që pata me z. Berry në prezencë të z. Miner me 5 maj 1949, dhe pas deklaratës që kam firmosur me 14 qershor 1949, do të doja të shtoja një shtojcë që është pjesë përbërëse e deklaratës sime dhe që mund të përmblidhet në tre pika :

1/ Duke qenë se përfaqësoj legjitimitetin dhe ligjshmërinë, do të jem i prirur që të gjitha çështjet me interes parësor të sillen në vëmendjen time për konsultim nga komiteti drejtues i “Frontit të Bashkuar Shqiptar” në bashkëpunim të plotë dhe nëse kjo është e nevojshme nëpërmjet autoriteteve kompetente amerikane.

2/ Në përputhje me parimet e legjitimitetit dhe ligjshmërisë të përmendura më sipër dhe të investuara në mënyrë kushtetuese, do të ngarkoj një qeveri me prirje krejtësisht neutrale, gjatë periudhës tranzitore pas çlirimit të Shqipërisë, të organizojë operacionet paraprake që do të kërkojë plebishiti, dhe nëse është i dobishëm nën kontrollin aleat.

3/ Unë sanksionova (miratova) zgjedhjen e Midhat Frashërit si Kryetar i Komitetit Drejtues të “Frontit të Bashkuar Shqiptar” për arsye të besimit të plotë që kam në patriotizmin e tij, por në rast se Midhat Frashëri jep dorëheqjen ose për ndonjë arsye tjetër të paparashikueshme, duhet të konsultohem për zgjedhjen e zëvendësimit të tij të mundshëm dhe gjithashtu formimin e komitetit drejtues nëse ai do të modifikohej.

Këto tre pika sqarojnë dhe kushtëzojnë deklaratën time, e cila duhet të publikohet vetëm pasi të jetë arritur marrëveshja e partive të ndryshme kombëtare shqiptare.

Aleksandri, 15 qershor 1949.

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurenc Bebja

DITA BOTËRORE E LIRISË DHE KUJTIMI I VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT BOTËROR NË AMERIKË, 2021

November 11, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli

See the source image Çdo vit këtu në Shtetet e Bashkuara shënohet 7 Nëntori — data e Revolucionit Bolshevik rus më 1917 — si Dita Kombëtare e Viktimave të Komunizmit botëror, në kujtim të rreth 100-milion personave të vrarë, shekullin e kaluar, nga regjimet komuniste, anë e mbanë botës, përfshir masakrat dhe barbarizmat komuniste të Enver Hoxhës në Shqipëri. Pa harruar edhe ato sllavo-bolshevike – si masakra e Tivarit — dhe anë e mbanë trojeve shqiptare nën ish-Jugosllavinë komuniste — atje ku janë regjistruar disa prej krimeve më të tmershme që ka njohur njerëzimi, përfshir disa prej krimeve më mizore, të regjimit terrorist serb kundër popullësisë së pafajshme shqiptare në Kosovë.  Disa prej këtyre viktimave të komunizmit në Shqipëri ishin edhe 38 martirë të Kishës Katolike Shqiptare, të shpallur të lumtur, në Shkodër me 5 Nëntor, 2016.  Kisha Universale Katolike, por në veçanti Kisha Katolike Shqiptare në trevat shqiptare dhe në diasporë, shënuan 5 Nentorin si ditën e kujtimit të 38 Martirëve të lumë, të përsekutuar dhe të vrarë, barbarisht, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Kjo ditë është cilësuar si një ditë e madhe për Kishën Katolike dhe një ditë e shënuar gjithashtu edhe për Kombin shqiptar duke i kujtuar këta “Martirë, pishtarë drite, që ndriçojnë në qiellin e njerëzimit”, jo vetëm për Kombin të cilit ata i përkasin, por si shembëll qendrese për liri e demokraci, për mbarë njerëzimin. Njëri prej tyre ishte Kryeipeshkvi i Durrësit, Imzot Vinçenc Prenushi.

Djathtas, At Vinçenc Prenushi, që kryeson listën e gjatë të priftërijnve katolikë të vrarë, të vdekur e të masakruar nga regjimi komunist shqiptar, me të Madhin At Gjergj Fishta, në vitin 1937.

Vinçenc Prenushi, klerik i lartë katolik, drejtor i shtypshkronjës françeskane, drejtor i Kolegjit Françeskan, Guardjan i Kuvendit, drejtor i «Bijave të Marisë», drejtor për gati njëzet vjet i revistës «Zâni i Shna Ndout», Provincial i Françeskanëve (1926-1936), Ipeshkëv i Sapës (1936-1940), Kryeipeshkëv i Durrësit (1940), Primat i Kishës, poet, folklorist, përkthyes, Martir i Kishës, i Lumë. Vdiq në spitalin e burgut të Durrësit, më 19 mars 1949, sipas Profesor Arshi Pipës, shokut të tij të qelisë, “Mbasi ishte torturuar në mënyrën më të dhimbshme, duke e rrokullisur në një pëlhurë të mbushur me gjilpëra, derisa sipërfaqja e trupit ishte çjerrë”. (Kujto.al) — A mund t’a marrë me mend lexuesi nëse nuk kishte shkuar në jetën e amëshuar At Gjergj Fishta para se të vinin në fuqi talebanët komunistë të Enver Hoxhës – se si do e kishte pësuar ai në duartë e xhelatëve komunist, siç ishte i ashtuquajturi prokuror i regjimit komunist, Arianit Çela!?  Një sistem që mbijeton edhe sot në “demokracinë shqiptare” mbeturinat e të cilit edhe sot 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, mund të gjënden aty këtu në detyra të larta të qeverisë e të shtetit e sidomos në sistemin e “reformuar” të drejtësisë shqiptare, “post-komuniste”, para syve të ndërkombëtarëve. Ndryshe nga bota perëndimore, në Shqipërinë” demokratike” as nuk bëhet fjalë për kujtimin e viktimave të komunizmit, as dje, as sot dhe siç janë duke shkuar punët, as nesër.

Ndërkaq, këtu në Shtetet e Bashkuara 9 Nëntori kujtohet si Dita Botërore e Lirisë, një festë federale e zyrtarizuar si e tillë nga ish-Presidenti Xhorxh W. Bush në vitin 2001, për të kujtuar shembjen e Murit të Berlinit, atij simboli të shëmtuar të komunizmit botëror, që ndau familjet dhe komunitetet anë e mbanë kontinentit evropian dhe më gjërë, për pothuaj një gjysëm shekulli. https://www.federalregister.gov/documents/2001/11/15/01-28804/world-freedom-day-2001. Por shembja e të cilit, më në fund, për një pjesë të madhe të Evropës, fatbardhësisht, ka shënuar fillimin — pas pothuaj një gjysëm shekulli robëri komuniste — e ngritjes së demokracisë dhe të lirisë si dhe shëmbjen e komunizmit zyrtar në Evropën Lindore dhe Qëndrore. “Shembja e Murit të Berlinit më 9 Nentor, 1989 shënon një pikëkëthesë në Luftën e Ftohtë dhe një pikë referimi tepër domethënse të fitorës së lirisë, mbi tiraninë”, është shprehur ish-Presidenti republikan, Xhorxh Bush në deklaratën e tij 20-vjetë më parë, duke shtuar se, “Muri i Berlinit ishte një simbol i shëmtuar që ndante njerëzit e lirë dhe ata që jetonin nën regjimet shtypëse komuniste.  Ne nderojmë frymën, vendosmërinë dhe guximin e të gjithë atyre që luftuan për liri, jo vetëm në Gjermaninë Lindore, por  të gjithë ata që kanë jetuar nën regjimet diktatoriale komuniste”, thuhej në deklaratën e ish-Presidentit republikan të Amerikës, Z. Xhorxh Bush, kur përcaktoi 9 Nëntorin,  si festë federale të Shteteve të Bashkuara, në vitin 2001.

20-vjet më vonë këtë javë, më 9 Nëntor, 2021, Presidenti aktual, demokrati Xho Bajdën shënoi këtë ditë me një deklaratë në të cilën thotë se ishin aspiratat e qytetarëve të Evropës Lindore e Qendrore për liri e demeokraci, ato që shëmben Murin e Berlinit. A Proclamation on World Freedom Day, 2021 | The White House
“Ishin aspiratat për liri të njerëzve të Evropës Qendrore dhe Lindore, ato që, përfundimisht, rrëzuan Murin e Berlinit dhe që mposhtën përpjekjet e Bashkimit Sovjetik për t’a mbajtur Evropën të ndarë, me forcë.  Në Ditën Botërore të Lirisë, ne përkujtojmë këtë ngjarje historike dhe nderojmë të gjithë ata, që në mënyrë paqësore, u ngritën dhe kërkuan lirinë e tyre, por edhe të gjithë ata që vazhdojnë atë trashëgimi duke punuar, paqësisht, për t’i dhënë fund tiranisë dhe shtypjeve edhe në botën, në të cilën jetojmë sot. Që nga shembja e Murit të Berlinit në vitin 1989, kemi parë përparime të mëdha në avancimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, si dhe në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike në vendet ish-komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore, por edhe në mbarë botën” ka thekësuar Z. Bajdën.

“Megjithatë, demokracia është ende e brishtë dhe në shumë vende ajo mbetet nën kërcënim”, u shpreh Presidenti Bajdën. “Liderë autoritarë kanë vendosur pushtetin e tyre mbi të drejtat e qytetarëve të tyre dhe në mbarë botën ne shohim autokratë që shkelin sundimin e ligjit, sulmojnë lirinë e shtypit dhe minojnë pavarësinë e gjyqësorit”, shprehet Presidenti Bajdën në deklaratën e tij me rastin e Ditës Botërore të lirisë, 2021.  Presidenti Bajdën tha mëtej në deklaratën e tij se, “Përballë ringjalljes së autoritarizmit dhe të sulmeve ndaj të drejtave të njeriut në mbarë globin, Shtetet e Bashkuara po punojnë në mbështetje të një rendi demokratik dhe të qëndrueshëm brenda dhe jashtë vendit. Mbetet po aq e rëndësishme sa kurrë më parë për t’iu kundërvënë një sërë kërcënimeve ndaj demokracisë, paqës dhe stabilitetit”, theksoi Z. Bajdën, “ përfshirë shtypjen, në nivel ndër-kombëtar, të drejtave themelore të njeriut si dhe korrupsionit, sulmeve kibernetike, dezinformimit, autoritarizmit dixhital, pabarazisë dhe padrejtësisë, shkeljen e të drejtave të votuesve dhe shanatazhimit ekonomik”, theksoi ndër të tjera, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Xho Bajdën, me rastin e Ditës Botërore të Lirisë, në kujtim të shembjes së Murit të Berlinit. Z. Bajdën e përfundoi mesazhin e tij me një thirrje drejtuar popullit amerikan, që në këtë ditë, “Të kujtojë shpresën që simbolizon shembja e Murit të Berlinit dhe të ritheksojmë së bashku dedikimin tonë ndaj lirisë dhe demokracisë.”

Ndërkohë, Fondacioni Amerikan për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit, me qëndër në Washington, duke filluar nga 7 Nentori i këtij muaji organizon, zakonisht, ceremoni përkujtimore dhe konferenca akademike, ku marrin pjesë anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, ekspertë dhe historianë të dalluar në këtë fushë të ardhur nga Evropa dhe Amerika. Për më tepër, ka filluar një lëvizje në Amerikë për të kujtuar 7 Nentorin — Ditën e fitores së Revolucionit Bolshevik rus — si Ditë Kombëtare për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit, anë e mbanë botës. 15 shtete amerikane kanë miratuar tanimë, ose janë në proces të miratimit të 7 Nëntorit, si Ditë Kombëtare në Kujtim të Viktimave të komunizmit në botë, me qëllim për të mësuar të vërtetën, për të kërkuar drejtësinë dhe për të ruajtur kujtesën për viktimat e pafajshme të komunizmit anë e mbanë botës, përfshir viktimat e komunizmit shqiptar dhe atij sllavo-aziatik, sipas Fondacionit Amerikan për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit në botë. Po Shqipëria dhe Kosova kur do ti bashkohen Shteteve të bashkuara dhe Evropës, përfshir ish-shtetet komuniste, për të kujtuar viktima shqiptare të komunizmit?! “Ata që të tjerëve ua mohojnë lirinë, nuk e meritojnë as për veten”. (Abraham Linkolni)

Frank Shkreli     

See the source image
A picture containing text, shark

Description automatically generated

See the source image

A person in a suit smiling

Description automatically generated with low confidence

Presidenti Xhorxh W. Bush               Presidenti Xho Biden nënshkroi deklaratën

shpallli 9 Nëntorin, Dita Botërore      e këtij viti, kushtuar Ditës Botërore të Lirisë

e Lirisë, më 9 nëntor, 2001

A person with a beard

Description automatically generated with medium confidence

     Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (1861-1865) Abraham  

     Linkolni: “Ata që të tjerëve ua mohojnë lirinë, nuk e meritojnë as për veten”.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

NJËQIND VJET HISTORI

November 11, 2021 by s p

– Ditë e shënuar për kishën shqiptare ortodokse “Shën Trinia” në Boston-

Nga Fuat Memelli


Prej disa ditësh bordi i kishës kishte filluar përgatitjet për festimin e kësaj ngjarje të shënuar në historinë e saj: përkujtimin e 100 vjetorit të kishës Shën Trinia. Siç dihet në Boston sot ka dy kisha shqiptare, ajo e Shën Gjergjit ose kisha e Nolit siç quhet ndryshe dhe Kisha e Shën Trinisë. (Ishin tre por njëra prej tyre u dogj para disa vjetësh.) Shumica e besimtarëve të saj, janë nga qarku i Korçës, pasi ky komunitet ka qënë ndër të parët që erdhi në Amerikë, por sigurisht që ka besimtarë ortodoksë edhe nga rrethe të tjera. Para se të ndalemi te veprimtaria që u organizua me këtë rast, le t’i hedhim një sy rrugës 100 vjeçare të kësaj kishe.
VËSHTRIM I SHKURTËR HISTORIK
Mitropolit Ilia Ketri, me origjina nga Sinica e Devollit, që është lindur e rritur në Amerikë e që e flet bukur gjuhën shqipe, na jep disa të dhëna për rrugën e kësaj kishe. Dekada e dytë e shekullit të njëzetë, ishte tepër problematike për kishën shqiptare në Amerikë. Mosmarrëveshje midis krerëve qofshin këta klerikë apo laikë, shqetësime sociale, vështirësi ekonomike, paqendrueshmëri politike në Shqipëri dhe varfëria e përgjithshme e komunitetit të emigrantëve, krijoi një gjendje krize kishtare. Këto rrethana e çuan kishën drejt një situate antikanonike, domethënë jo në bazë të kanuneve të Sinodheve dhe Etërve të shenjtë. Pikërisht në këtë periudhë, prifti shqiptar, i përndershmi At Nikola Kristofori, nga Katundi i Kolonjës, dorëzuar në 1917 nga kisha ruse në New York, mblodhi shumë besimtarë nga fshatrat e Vakëfeve të Korçës dhe hapën kishën “Shën Trinia” në South Boston. Forca e madhe e besimit të këtyre njerëzve, përforcoi stabilizimin e kishës.Një eveniment i rëndësishëm në historinë e kësaj kishe, ishte lidhja me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Në vitin 1938, famullia e “Shën Trinisë” kërkoi emërimin e të përndershmit Saqelar At Anastas Sotiri nga Fortlumturia e tij Imzot Kristofor Kissi, Kryepeshkop i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Me bekimin e tij, At Anastas emigroi në Boston dhe shërbeu në këtë kishë deri në vitin 1951. Në të njëjtin vit anëtarët e kishës pranuan si episkop Hirësinë e tij Imzot Mark Lipa me prejardhe nga Korça, i emëruar nga Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës. Shërbimi i tij deri në 1982 kur ndrroi jetë, dha një shkëlqim shpirtëror, përparim shoqëror dhe organizim shumë të mirë. Jeta fetare u kurorëzua me dashuri, harmoni dhe bashkëpunim. Po në vitin 1982, u emërua veqil episkop ( zëvëndës peshkop) At Ilia Ketri. Në vitin 2002, ai u dorëzua Peshkop i shqiptarëve të Amerikës, ndërsa në vitin 2019, mori titullin Mitropolit nga Patriakana e Stambollit.
MBRESA NGA FESTA
Të shtunën që kaloi, Qendra Kulturore për Pensionistë “Vatra” , me pronarë Agron Gjerasin dhe bashkëshorten e tij, Edlirën, ishte mbushur nga 100 besimtarë të moshave të ndryshme. Kërkesa për pjesëmarje ishte edhe më e madhe, por për arsye të situatës së Covid-19, kaq u lejuan për të respektuar masat e sigurisë. Të gjithë pjesëmarrësit ishin të vaksinuar. Qendra ishte zbukuruar si për ditë feste. Organizatorët e kishës “Shën Trinia” si Brunilda Shosho, Jonela e Endri Dhami, Gjergji e Ksenia Dako, Mandila Andrea, Elena e Tomi Kero, atë ditë kishin shkuar para të gjithëve për të përgatitur e zbukuruar ambientin, si dhe për të shtruar tavolinat. Takimin përkujtimor e hapi Jonela Dhami, presidente e këshillit të kishës. Duke vlerësuar punën e madhe të paraardhësve ajo theksoi:” Ata besimtarë nuk kishin atëherë GPS, për t’u treguar si të shkonin në kishë, por shkonin aty vazhdimisht dhe mësonin fjalën e Perëndisë. Sot kanë ndryshuar kushtet dhe ne kemi mundësi shumë më të mëdha.” Më pas ajo vijoi:” Mes jush shoh sot shumë fytyra të reja. Këto fytyra do të vazhdojnë traditën e bukur të kësaj kishe dhe do t’ja përcjellin niprave e mbesave.” Më pas foli prifti në detyrë i kësaj kishe, At Paul Zuniga, i cili prej një viti shërben në këtë kishë. Midis të tjerash ai theksoi se Kisha “Shën Trinia” e themeluar në vitin 1921 nga emigrantë shqiptarë të zonës së Korçës, me qendër në Bostonin e jugut, ka një histori të pasur që i ka rrënjët në pasurinë shpirtërore dhe kulturore, tradita të cilat ne duhet t’i ruajmë në të ardhmen. Për kontributin 26 vjeçar në kishën “Shën Trinia” si besimtar i devotshëm, si psalt dhe së fundmi si epitrop i kësaj kishe, Aleko Dhimës iu dorëzua një dhuratë mirënjohje në emër të kishës nga sekretarja e kësaj kishe, Elena Kero. Një përshëndetje të veçantë përcolli edhe Mitropoliti Ilia Ketri, i cili ka shërbyer në këtë kishë qysh në moshë fare të re. Pasi bëri një përmbledhje të rrugëtimit të kësaj kishe gjatë 100 viteve, ai theksoi vizionin e tij për të ardhmen, ku ndër të tjera theksoi : ”Njeriu sot kërkon stabilitet, komunitet, mardhënie me Perëndinë, të dashurojë e të dashurohet. Të ndjejë që vlerësohet nga tjetri me respekt dhe meritë personale. Këto i gjen në besimin tek Zoti, duke i shërbyer atij me shpresë dhe dashuri. Vizioni im është që kisha të mbushet me besimtarë çdo të djelë. Prindërit dhe të moshuarit, fëmijët me mësimet fetare, kori me meloditë e tij të bukura, të gjithë antarët duhet të japin kontributin e tyre me gëzim e dashuri.”Në fund të fjalës së tij Hirësi Ilia i dorëzoi Qendrës Kulturore të Pensionistëve “Vatra”, një fotografi të madhe të Faik Konicës.Më pas u shtrua një darkë ku pjesëmarrësit uruan njëri-tjetrin dhe bënë foto të shumta. Atmosfera u bë edhe më e bukur nga këngëtarët Brunilda Sota dhe Rik Hoxha. Shumë besimtarë kënduan e kërcyen. Ishte një gëzim që u kishte munguar për arsye të kovitit. Me një foto kolektive si dhe me këngë patriotike e korçare, u mbyll ngjarja e shënuar e 100 vjetorit të kishës shqiptare Shën Trinia në Boston, e cila është një vatër e ngrohtë shpitrërore e besimtarëve orthodoksë. Siç ka thënë Volteri “Nëse Perëndia nuk do ekzistonte, do ishte e nevojshme ta shpiknim”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fuat Memelli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • …
  • 66
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT