• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2021

Kosova mbështetje të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës

November 4, 2021 by s p

-Kryeministri Kurti priti në takim Zëvendës Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit, Molly Montgomery, u shpreh mirënjohës për vlerësimin e Presidentit Biden, që vazhdimi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe arritja e një marrëveshjeje duhet përqendruar në njohjen reciproke/

PRISHTINË, 4 Nëntor 2021- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Mbështetja e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partneriteti i shumanshëm, u vlerësuan lart nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takimin me Zëvendës Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit, Molly Montgomery.

Znj. Montgomery theksoi marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën, e veçanërisht lidhjen e fortë personale që Presidenti Biden ka me Kosovën.

Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ajo falënderoi Kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës për bashkëpunimin  dhe mbështetjen në çështjen e strehimit të qytetarëve afganë.

Kryeministri Kurti tha se kjo ndihmë ishte obligim humanitar yni dhe se ne duam t’i qëndrojmë në krah ShBA-ve, aleatit tonë strategjik.

Ai e falënderoi për mbështetjen e dhënë për Forcën e Sigurisë së Kosovës për pajisje dhe trajnime, si dhe shprehu vullnetin për bashkëpunim të mëtejmë. Po ashtu e njoftoi për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, ku përfshihet edhe ndarja e mbi 100 milionë eurove për ushtrinë.

Kryeministri Kurti u shpreh mirënjohës për vlerësimin e Presidentit Biden, që vazhdimi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe arritja e një marrëveshjeje duhet përqendruar në njohjen reciproke.

Gjithashtu, u bisedua për situatën e mirë në menaxhimin e pandemisë COVID-19, mbarëvajtjen e procesit të vaksinimit dhe administrimin e rreth 1.6 milionë dozave.

Kryeministri Kurti falënderoi ShBA-në për ndihmën në procesin e sigurimit të vaksinave kundër Covid-19.

Duke ritheksuar aleancën e palëkundur me ShBA-në, Kryeministri shprehu përkushtimin e Qeverisë për të zgjeruar bashkëpunimin edhe më tej në fushën e edukimit, agrikulturës dhe investimeve.

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, USA

BURIME DOKUMENTARE PËR KISHËN AUTOQEFALE ORTODOKSE KOMBËTARE SHQIPTARE

November 4, 2021 by s p

Prof. Dr. Musa Ahmeti/

Historia e krishterimit ndër shqiptar është e lashtë sa vetë krishterimi dhe si e tillë ajo është në vëmendje të shumë studiuesve shqiptar e të huaj. Nuk mungojnë studime me interes të veçantë, të mbështetura në burime arkivore e dokumentare, në dorëshkrime të lashta biblike që nga shekulli IV (gjashtë, siç është dorëshkrimi i: CODEX Beratinus PURPUREUS [Φ] 043) e këndej, në monografi, sinteza e punime të ndryshme gjithëpërfshirëse për të ardhur deri te epistolari i personaliteteve të shquara kishtare shqiptare që më punën dhe veprën e tyre këmbëngulëse drejtpërdrejtë ndikuan në themelimin e Kishës Autoqefale Ortodokse Kombëtare Shqiptare. Gjatë kërkimeve tona shkencore kemi ndeshur në një material mjaft me interes nga kjo fushë, pra epistolari, i botuar, i cili është me vlerë të paçmuar dhe paraqet momente mjaft interesante për kohën ku u shkrua në njërën anë, ndërsa në anën tjetër është aktual edhe sot e kësaj dite për vetë zhvillimet që po ndodhin rreth Kishës Autoqefale Ortodokse Kombëtare Shqiptare. Materialin që përgatitëm për botim e sjellim besnikërisht siç është shkruar, pa asnjë ndërhyrje në tekst, pra as të natyrës gramatikore, drejtshkrimore apo të gabimeve të mundshme të shtypit. Po ashtu botojmë faksimilet e origjinalit si ilustrime për të gjitha ata që dëshirojnë të krahasojnë botimin tonë.

Dokumenti i parë është letra e imzot Fan Nolit (në atë kohë peshkop i Amerikës Veriore) dërguar Arkimandritit Visarion Xhuvani më 7 mars të vitit 1920 nga Boston, (Mass. USA). Një letër shumë përmbajtësore ku Noli që në rreshtat e parë, pa një ndjekur traditën e letrave personale shkruan: “Një zonjë Amerikane e kryqit kuq e cila arriu këto dit në Boston, më dha lajmën gazmore qi jini vendosur në Elbasan, që meshoni shqip, qi përpiqeni t’a çlironi kishën tonë nga zgjedha e huaj” duke u futur direkt në temë, përkatësisht duke shprehur gjithë interesin e tij për Kishën Autoqefale Ortodokse Kombëtare Shqiptare. Në të njëjtën kohë Noli shpreh respektin e thellë dhe besimin e patundur që ka për Arkimandritit V. Xhuvanin ku këtë pohon hapur në letrën e tij në këtë formë: “shofin në fytyrën tuaj një nga ushtarët më të mirë të ungjillit në Shqipri.” Pra dy atdhetarë të shquar shqiptar, dy personalitete të larta në hierarkinë kishtare, njëri Arkimandrit e tjetri peshkop, bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë punët për Kishën Autoqefale Ortodokse Kombëtare Shqiptare.

Dokumenti e dytë është “Nji nga letër-përfaqsimet e Delegatvet për kongresin K. të Beratit” që është shkurtër po me mjaft interes. Ky dokument mban datën e 18 (9 data e vjetër) gushtit të vitin 1922 dhe ka të bëjnë me një moment tjetër shumë të rëndësishëm, zgjedhjen e dy delegatëve për Kongresin e Beratit, emrat e të cilëve dolën nga “mbledhja e përgjithshme e Orthodhoksëvet Durrsit” e që ishin: “Hirsia e Tij Arhim. Vissar Xhuvanin, Theollog dhe Deputet i Durris dhe Kryetar i Mitropolis Shejte te Durrsit” dhe “Gjergj Manushin tregëtar,” të cilët ishin të autorizuar “për me proponue, bisedue dhe me votue në kongresin kishtar të sipërpërmendun qi [mbante, m.a.] Kisha Krishtjane Orthodhokse e Shtetit Shqiptar.” Në fakt ky ishte një procesverbal nga mbledhja e Mitropolisë së Otodokësve të Durrësit të cilët pos që mbështetnin të zgjedhurit e tyre, ata në praninë e të gjithëve  kishin “këndue në ndëgjesën e të gjithëve [duke, m.a] u pëlqye dhe u nënshkrue prej të gjith popullit dhe klerit orth. të Durrsit si dhe prej Pleqsis” që do të thotë se ata në mënyrë demokratike, publike dhe shumë transparente ishin zgjedhur për të përfaqësuar popullsinë e besimit ortodoks, të cilët nuk kishin asnjë imponim nga jashtë. Përkundrazi dy të zgjedhurit ishin bashkëkombës të tyre, shqiptar nga gjaku, gjuha e origjina, të cilët do të ishin dakord që “Kisha Krishtjane Orthodhokse  të jetë qeverisun mbas nomevet te Shtetit t’onë” vendime këto të dalura nga mbledhja e sipërcekur.  

Dokumenti i tretë është “vendimi” i cili i drejtoher“Gjith klerit të shenjt Orthodhoks, Pleqësijavet të nderçme dhe popullit Fisnik Orthodhoks të Shqipnis” me rastin e “Prokllamimi i kishës Autoqefale Orth. kombëtare në kishën e Tiranës me 28-XI-1921.” Ky është një dokument shumë herë i diskutuar dhe i debatuar. Për shkak të rëndësisë së veçantë që ka, e sjellim të transliteruar dhe të shoqëruar me faksimile që të gjithë të interesuarit që nuk e kanë pasur në dorë deri me sot, të kanë mundësi ta e konsultojnë, qofshin ata studiues, klerikë apo lexues të zakonshëm. 

Këto tre dokumente kanë një lidhmëni logjike, njëherësh ato janë dëshmi të pakundërshtueshme historike të një periudhe shumë të rëndësishme të historisë sonë kombëtare në përgjithësi e në veçanti për Kishën Autoqefale Ortodokse Kombëtare Shqiptare. 

***

NJI LETËR E FAN NOLIT

Veprat patriotike pa rekllamë t’Elbasanit

bajnë përshtypje të lavdërushme

n’Amerikë

Nji letër e Fan Nolit

Më 1920, kur nuk ishte intrigue

Boston, Mass 7 Mars 1920 

Fort i Përnderçim Arkimandrit dhe i dashur vlla në Krishtin.

Një zonjë Amerikane e kryqit kuq e cila arriu këto dit në Boston, më dha lajmën gazmore qi jini vendosur në Elbasan, që meshoni shqip, qi përpiqeni t’a çlironi kishën tonë nga zgjedha e huaj, që kini fituar simpathinë dhe përkrahjen e popullit për veprën tuaj fisnike, dhe shum gjëra të tjera të mira, të cilat e ngrenë nderin tuaj dhe të Elbasanit shumë lart. 

Po kjo nuk është hera e parë që e dëgjonj emrin tuaj për të mirë. Miku ynë Z. Kristo Luarasi më shkroj gjër e gjatë nga Sofja për ju dhe për meshën që bëtë atje. Letra e tij u-botua në gazetën “Djelli” dhe i gëzoj pa masë besnikët e kishës shqipe përkëtej Oqeanit, të cilët shofin në fytyrën tuaj një nga ushtarët më të mirë të ungjillit në Shqipri.

Dëshëronja t’ju shkruanja prej kohe, po nuk dinja ku ndodheshit, dhe kjo është hera e parë që dëgjonj që arritë shëndoshë e mirë në Shqipri dhe që i jini përveshur punës së shenjtë për të ndriçuar popullin tonë të mjerë. 

Ju lutem shum të kini mirsinë të më lajmëroni hollsisht si vete misioni juaj dhe të cilat janë ndjenjat e popullit për kishën kombëtare aqë në Elbasan sa dhe kudo gjetkë në Shqipri. 

Këtu s’marrim lajme nga Atdheu veç fare rrallë, dhe që kur krisi lufta, Zonja amerikane, për të cilën ju fola më sipër, më solli të vetëmin dhe të parin oshtim të lëvizjes kishtare s’andejmi. Po tani, me ndodhjen tuaj në Elbasan kam shpresë të dëgjonj më dendur, më tepër, dhe më mirë dita me ditën.

Ju përshëndosh vllazërisht dhe mbetem shërbëtor dhe vllaj juaj në Krishtin.

F. S. Noli

Peshkop i Amerikës Veriore

Fort të përnderçmit Arhimandrit Vissar. Xhuvanni

ELBASAN. Albanie.

***

PROKLLAMIMI I KISHËS AUTOQEFALE ORTH. KOMBËTARE NË KISHËN E TIRANËS ME 28-XI-1921

Pas nji inisiativës s’onë me shum mundime dhe therori u ba ky vendim:

V E N D I M

28 Vjesht’ e IIItë 1921

Gjith klerit të shenjt Orthodhoks, Pleqësijavet të nderçme 

dhe popullit Fisnik Orthodhoks të Shqipnis.

VLLAZËN,

Shofim nevojën e madhe për një bashkim të plotë të Krishterëvet Orthodhoksë të gjith Shqipnis. Marim para sysh edhe kuptojmë interesat e vërteta për jetën, mirsin, përparimin dhe nderin fetar të popullit Orthodhoks të Shqipniës, sikurse ngjan edhe në mbretnijat e tjera. Duam të jemi edhe nënshtetas të ndercim si mirëdashës e përkrahës të Shtetit tonë Kombëtar. Kështu kemi plotësisht dëshirë të madhe të ruajmë dhe gjith nomet e Orthodhoksis edhe ata ma te vegjëlit. Po edhe duam të jemi giith motin të bashkuem me Patriarqin Ikumenik të shenjt si janë të bashkuem gjith miliunët e Orthodhoksëvet, të Rusisë, të Greqisë, të Rumanisë, të Serbisë” etj.

Prandaj kemi për themel të pa tundun edhe gjith nomet e pa tundun e të përjetshëm të Apostojvet të Shenjt e të lavdueshëm si edhe të Sinodhevet Ikumenike të Shenjta të cilat me një zâ thonë dhe urdhërojnë, urdhënat që shënojmë më posht, të cilët janë shtimun në veprim prej gjith botës Orthodhokse, që duan të ruajn titullin e shenjt Orthodhoks të drejt, të vërtet dhe të pa zgrymun, dhe urdhënimet e tepër të shenjta të Orthodhoksisë janë këto:

“Eteras Vasilias (kratus) Eklisia mi dhiatatestho ta tis eteras Vasilias”. Dhe “Elefthera Eklisia en Elefthero Krati”. Dhe “tes Politiqes metavoles akolluthisatosan qe Eklisiastiqe tiafte” d. m. th. “Një kishë e një Shteti tjatër mos japi urdhër një kishe shtetit tjatër”. “Një kishë e lirë me një shtet të lirë”. Dhe “ndryshimevet politike le t’u venë pas dhe ndryshime Kishëtare. Nga gjithë këto punë me rëndësi të madhe u mblodhëm, biseduam, pëlqyem dhe vendosëm premas si mbas propozimit te Hirësis Tij Arqimandritit tonë theollogut z. Visar Xhuvanit Elbasanasit këto që pasojnë):

I) Pranojmë dhe shpallim prej ditës së soçme vet-qeverimin Kombëtar të Kishës shenjt Orthodhokse të Shtetit Shqiptar.

II) Pranojmë që sa më shpejt të mbajmë një mbledhje të përgjithëshme pan-Orthodhokse Kishtare m’atë qytet më të cilin ka me e pamën t’arsyeshme Ministria e nderçëme e Punëvet të Mbrendëshme.

III) Ndeë këtë mbledhje të pergjithëshme të përfaqësohet gjith Kleri dhe populli Orthodhoks (dhe dhimo-gjerondiat) të Prefekturavet dhe nën Prefekturavet të shtetit tonë me nga një, dy, ose tre përfaqësonjës fuqi plotë.

IV) Këta përfaqësonjës të kenë të drejtë (plireksusiotita) për me bisedue e me vendue e për me përfundue vendime Kishëtare të pa tundme fuqi plotë dhe vepruëse (telesidhikus apofasis ametaklitus).

V) Këtyne vendimeve kanë me u bindur plotësisht gjith Kleri Orthodhoks pleqësiat (dhimogjerondiat) dhe populli oithodhoks për çeshtje Fetare dhe administrate Kishëtare. Kjo mbledhje kishëtare dhe e përgjitheshme ka me zgjedh nji këshillë të përherëshme vepruëse qi ka me administruë Fetarisht, mbas rregullavet të caktueme gjith klerin, pleqësiat dhe popullin orthodhoks të Shqipniës. Dhe kjo këshillë do ketë paskëtaj lidhje dhe bashkim të plotë vetëm Dhogmatikë me Patrikanët (bashkim feje të plotë) keështu dhe me gjith orthodhoksin e botës.

VI) Kjo kryekëshillë e naltë e përgjithëshme kishëtare orthodhokse dhe kombëtare ka me zgjidhun gjith çështjet kishëtare me Patrikanët, dhe ka me qenë shtyll e pa tundme rujtëse e orthodhoksis të Shqipnis dhe e njoftme zyrtarisht prej gjith botës dhe rregullisht.

VII) Në kishën tonë orthodhokse të Tiranës paskëtaj priftërinjt në meshët të shenjtë dhe në shërbime të tjera kanë me u lutun: “PASIS EPISKOPIS ORTHODHOKSON” gjith episkopët Orthodhoks” ne vent te Jakovit dhespotit të dbuarë dhe antikombëtar deri, sa te hypinj në front Arhtepiskopi tonë Kanonik.

VIII) Hirsis Tij Arhimandrit Theollog, Visar Xhuvanit i lutemi të vepërojë më çdo vent dhe për çdo punë që duhet për realizmin e vendimevet të sipër-shënuarë, duke lypë përkrahjen morale dhe materiale për gjithë këto punë me randësi fetaro Kombëtare. 

Kemi nderin me ju lut qeverisë së nderçëme të shtetit tonë të ketë mirësinë me i pas në vërejtje të mirë këto vendimet tona; kështu i lutemi dhe gjith klerit dhe pleqësijavet si dhe popullit orthodhoks, me pas mirësinë të pëlqejë e të përkrahi gjiih këto ven-dime të shenjta.

Me përqafime vëllazënore

Zavëndësi i Mitropolitit në Tiranë:

Stefan Tirana (Mima) 

Parësia: 

Kozma Lasko, Stef. Ath. Koja, Spiro Zhava, Spiro Janko, Leonidha Nishku, Pavllo Koja, Stefan Buçani……

(Pasojnë edhe tërë emërat e popullit të Tiranës).

Këshilla Jeratike: 

Kryetari: Arhimandriti i Orthodhoksvet

Dr. Vissar Xhuvani 

Antarët: prifti: Papa Jorgji Rusi, prifti: Papa Simon Athanasi

Vërtetojmë nënshkrimet dhe vendimet të popullit të Tiranës Krye-Plaku: Spiro Zhava

Rroftë kisha e shenjt orthodhokse vet-qeverimtare 

kombëtare e Shqiptarëvet

Në kishën Kathedhrale Evangjelizmos të Tiranës 28 Vjesht’e III të 1921”.

***

NJI NGA LETËR-PËRFAQSIMET E DELEGATVET PËR KONGRESIN K. TË BERATIT

Sot më 9 të Gushtit (d. e vjetër) 1922 mbledhja e përgjithshme e Orthodhoksëvet Durrsit tue marrë parasysh se Hirsia e Tij Kryetari i Mitropolis Arhimand. Z. Vissar Xhovani, foli për mbledhjen në Berat t’orthodhoksëvet të Shtetit tonë Shqiptar, zgjodhë perfaqesonjës fuqrplotë 

1. Hirsin e Tij Arhim. Vissar Xhuvanin, Theollog dhe Deputet i Durris dhe Kryetar i Mitropolis Shejte te Durrsit 

2. Gjergj Manushin tregëtar, për me proponue, bisedue dhe me votue në kongresin kishtar të sipërpërmendun qi Kisha Krishtjane Orthodhokse e Shtetit Shqiptar: 

a) Të qeveriset mbas rregullavet (kanonevet) t’apostojvet shejtë dhe mbas të 7 sinodhëvet Ekumenik. 

b) Te jetë gjithmon në marrëdhanje me Patrikhanën Ekumenike Orthodhokse për hollsinat qi i përkasin (Dogmës). 

c)Të jetë e qeverisun si gjith Kishat Orthodhokse të gjith Shtetevet Orthodhoks. 

ç) Të jetë e qeverisun mbas nomevet te Shtetit t’onë Shqiptar dhe 

d) çdo paratypij qi ka ndodhë në kishën orthodhokse të Shqipëtarvet të vi në udhën e rregullshme këshilloj i nepet fuqiplotsië këtyne dy zotnivet përfaqesuesvet sipërpërmendun si dhe për çdo hollsinë qi ka të bjâ me punët e sipërshenjume. Këto dy delegat të venë dhe të vinë me spenximet e veta dhe do kenë nga nji kopie të këtië vendimi i cili ka me u komunikue, Kryetarit Bashkis Z. Arhitektit, Kost Paftali inisiatorit të mbledhies, prej Kryesis së Mitropolis së shejnë të Durrsit. Dhe kështu u kompozu ky vendim (proces-verbal) dheu këndue në ndëgjesën e të gjithëve u pëlqye dhe u nënshkrue prej të gjith popullit dhe klerit orth. të Durrsit si dhe prej Pleqsis (Dhimogjerondiës).

Durrës 9 Gnsht 1922.

(Pasojn nënshkrirnet e klerit dhe popullii si dhe vërtetimi i pleqsis).

Vërtetohet se asht nji me orixhinalin.

Për Kryetarin e Mitropolis Shejt të Durrsit.

V. Russi

Durrës 12-8-1922 

Vula: Mitropolia Shejtë e Durrsit

Filed Under: Politike

Kryeministri Kurti takoi udhëheqësin e drejtoratit të BMZ, Volker Oel

November 3, 2021 by s p


Prizren, 3 nëntor 2021/


Rëndësia e impiantit të parë për trajtimin e ujërave të ndotura urbane, i inauguruar sot në Prizren, u vlerësua në takimin ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me z. Volker Oel, udhëheqës i drejtoratit të Ministrisë Federale gjermane për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik (BMZ). Ky projekt i mbështetur nga shteti gjerman, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Komuna e Prizrenit, do të lehtësojë sfidat në rritje e sipër, që lidhen me mungesën e ujit në Kosovë, u tha në takim. Kryeministri Kurti theksoi se krahas stabilitetit institucional, Kosova ka një rritje ekonomike të paprecedentë. Në bazë të projeksioneve dhe statistikave të deritanishme deri në fund të këtij viti Kosova do të ketë rritje dyshifrore. Sipas vlerësimit të Bankës Qendrore të Kosovës, ekonomia jonë do të rritet për 9.9%. Ndërsa krahasuar me vitin paraprak, të hyrat tatimore për periudhën janar – shtator janë rritur për 33%. Ai veçoi rritjen e besimit të qytetarëve në institucione, që ka ndikuar edhe në rritjen e konsumit dhe shpenzimeve. Po ashtu theksoi që ardhja e mërgatës gjatë stinës së verës ka dhënë një shtysë të madhe. Z. Oel shprehu mbështetje për qasjen e Qeverisë kundër korrupsionit dhe luftimit të krimit të organizuar, por edhe politikat për të ofruar perspektivë për të rinjtë e Kosovës. Kryeministri bëri të ditur se Qeveria po ndan fonde për biznese të reja dhe theksoi domosdoshmërinë e investimeve në sistemin dual të arsimit. U bisedua për Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) në Prizren, si një katalizator i rëndësishëm për sektorin e inovacioneve dhe modernizimin e ekonomisë në Kosovë. Duke folur për Fondin e Ekselencës, kryeministri tha se një fond i tillë do të mbështesë iniciativat e shumta zhvillimore, dhe do të ndihmojë arritjen e objektivave prioritare si vend. Ai vuri theksin te motivimi i mërgatës për të ardhur dhe kontribuar në Kosovë. U bisedua për potencialin e migrimit qarkor për të sjellë njerëz dhe mundësi të mëdha për zhvillimin e Kosovës. Për sa i përket tranzicionit energjetik, përfaqësuesit e qeverisë gjermane konfirmuan mbështetjen për projektin “Solar 4 Kosova”. Në takim morën pjesë edhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Zëvendësministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj, këshilltarja politike e Kryeministrit, znj. Fëllanza Podrimja, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, z. Jörn Rohde, Zyrtarja e Lartë për politika për Kosovën në BMZ, znj. Michaela Brinkhaus, dhe e dërguara e BMZ në Ambasadën gjermane, znj. Vera Baumann.

Filed Under: Uncategorized

Homazh për Ramadan Pasmaçiun dhe veprën e tij

November 3, 2021 by s p

Uran Butka/

Ramadan Pasmaçiu lindi më  në Berat në një familje te njohur qytetare. Mësimet e para i mori ne vendlidje. Te mesmet ne Teknikumin e Naftës në Kuçovë. Atje nisi provat e para në letërsi. Me rekomandim të Lidhjes së Shkrimtarëve u dërgua në Universitetin e Tiranës ne degën e Gjuhës e të Letërsisë. Pas diplomimit, u emërua drejtor i shkollës së Shëngjergjit të Tiranës, ku u shqua për kontributin në fushën e mësuesisë dhe të edukimit, por edhe të publicistikës. Kjo ishte arsyeja që u  u tërhoq si gazetar I kultutës në gazetën “Bashkimi” . Më tej shërbeu si gazetar te gazeta “Mësuesi” dhe për 18 vjet kryeredaktor i revistës “Yllkat”. Këto veprimtari I dhanë mundësi të njihte mirë jetën dhe njerëzit e thjeshtë, për të cilët shkroi  ese dhe reportazhe, por edhe tregime e novela, që u pritën ngrohtë. Kështu u bë  i njohur njoh si publicist  dhe  krijues i suksesshëm. Në vitet ’60 u pranua anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve e të Artistëve të Shqipërisë. Ka lëvruar me sukses të gjitha gjinitë letrare në fushën e poezisë dhe të prozës me vepra te arritura në letërsinë për femijë dhe të rritur si “Dy shokët, “Mësuesja”, “Dashuria e nënës”, “Xhufi”, “Metamorfozë”,”Kasollja”, “Leka”, “Përralla të vërteta”, etj mjaft nga  të cilët u nderuan me çmime kombëtare etj. Ai meritoi edhe çmimin e madh “Migjeni” për romanin në katër vëllime “Udhëve të fëmijërisë”, ku shpalos artistikisht jetën e përditshme të bukur, por edhe me varfëri e brenga të fëmijërisë. Ky është një nga librat më të arritur në letërsinë shqiptare për moshën e vogël dhe adoleshente. 

    Kështu jeta e Ramadanit mori drejtimin e shkrimtarisë.

    Me përmbysjen e regjimit ditatorial,  krijimtaria e tij mori një hov të ri me veprat madhore “Ju flas me zemër të hapur”, “Flaka e shpresës”, “Shtjellat e bardha”, “Kush rron duke shpresuar” etj

    Në fushën e krijimtarise ai la kumte te pashlyera, po ashtu edhe në rrafshin e marrëdhenieve njerëzore dhe shoqërore. Ishte dhe mbeti njeri i dashur me njerëzit, i qeshur, i komunikueshem, njeri I sakrifices, punëtor i palodhur dhe  me humor të shëndetshëm ( mjafton te kujtosh humorin dhe çiltersine tek libri “Ju flas me zemer te hapur”, ishte njeri i thjeshte , por i kulturuar, demokrat  dhe mbi të gjitha qytetar dhe shqiptar i mirë. Mjafton te lexosh botimet : Flaka e Shpreses” dhe “Shtjellat e bardha” , ku ai derdh dashurine në Shqipërinë, edhe veçan per Beratin e beratasit, si edhe vepren e fundit voluminoze, thuajse autobiografike, “ Rrënjët e zemrës”” ku Ramadani shkrimtar dhe njeri, sheh brenda vetes, por edhe brenda shpirtit të familjareve të tij te dashur, shokëve të jetës, miqve, armiqve, bashkëkohesve të përkatësive të ndryshme politike, të vuajturve dhe kundërshtarëve të regjimit hoxhist. 

     Ramadani iku i plotë, sepse bëri sa mundi dhe la gjurmë në jetë dhe krijimtari, që mbeten në memorje dhe  transmetojnë edhe në ikje e në përjetësi – mirësi e dashuri.

     Viti 1975

    (Fragment nga romani i Ramadan Pasmaçiut “ Rrënjët e zemrës”)  

    Në atë vit të zymtë e të paharruar – 1975, lufta e klasave po shënonte një tjetër kulm. Shumë intelektualë me “kleçkë” në biografi, dëboheshin egërsisht  nga qendrat e banimit të përhershëm, si të deklasuar dhe syrgjynoseshin  provincave dhe skajeve të thella.

    Një ditë, qysh  pa gdhirë, arriti te shtëpia e vogël  njëkatëshe  në rrugën Fortuzi të Tiranës një kamion I mbuluar me një mushama ngjyrë gri të përbaltur. I rrëmbeu shpejt me gjithë foshnjën  gjashtë muajshe dhe me ato të pakta plaçka që mundën  dhe u zhduk me rrëmbim. Nuk e kishte aspak të ndryshëm përgjasimin  me kamionët fashistë e nazistë , që mbusheshin me atdhetarë në kampet e shfarosjes.

Ata i zhvendosën në Tropojë.

   Mirëpo, papritur sekretari i parë i rrethit urdhëroi t’i hiqnin menjëherë prej andej, se qenë pranë kufirit dhe si armiq të popullit, mund të arratiseshin. I ngritën dhe çuan shpejt në Fierzë dhe i futën tek dhomëza e rojes në një ndërtesë në zonën B. Të nesërmen i thirrën  në një mbledhje të popullit. Urani kërkoi të shkonte vetëm atje, por ime motër, Merjema s’mundej, ishte me foshnjën në gji. “Në asnjë mënyrë, thanë. Do të jeni të dy patjetër.!”.  Morën vajzën dhe shkuan. 

    Salla ishte e madhe, e ftohtë, që të fuste tmerrin. E mbushur përplot me punëtorë, nëpunës dhe arsimtarë.  Në krye,  përpara një tavoline të gjatë e të mbuluar me beze të kuqe, kishin zënë vend funksionarët e partisë  të Bajram Currit e të Fierzës dhe një i deleguar nga qendra në Tiranë. Ishte një nga ato lloj mbledhjesh, që organizoheshin nga partia dhe Sigurimi I Shtetit për të diskretituar armiqtë e klasës si edhe për t’u kallur  frikën njerëzve, që të rrinin urtë dhe të ulnin kokën.

    Në fillim ngritën më këmbë Merjemën, që mbante në duar fëmijën dhe e pyetën:

– A e di pse të kanë sjellë këtu?

– Më ka sjellë qeveria që të punoj si mjeke.

– Po arsyen pse ju dëbuan nga Tirana, e di? Këtë duhet t’ia thuash klasën punëtore me gojën tënde!

    Ajo nuk arriti të përgjigjej. Foshnja ia dha papritur  të qarit dhe u mek. Ai gjyq i turpshëm dhe i egër u ndërpre për disa çaste. Pas pak u ngrit një punëtor i gjatë dhe i parruar, me nje kasketë në kokën e pakrehur, brofi më këmbë dhe i tha me zë të lartë:

– Në çerdhe jemi këtu, apo në mbledhje? Mbyllja gojën asaj grinjares, a merr vesh, se s’po na len me folë!

Mjekja  heshti, veç fytyra iu skuq sakaq. Vështroi vajzën e djersitur dhe u përpoq ta qetësonte.

– Jepi pak gji- i tha ngadalë Urani.

– Më është prerë qumështi, -ia ktheu ajo, duke belbëzuar.

Urani i pëshpëriti me zë të ulët: “Mua mund të më arrestojnë. Kështu veprojnë zakonisht pas mbledhjeve të tilla Po ti mos e humb. Kthehu menjëherë në Tiranë te nëna”.

     Pastaj u ngrit dhe  dhe tha me zë të lartë: Ç’e trazoni gruan? Ja ku më kini mua. Unë jam i biri i Safet Butkës që ka qenë profesor dhe antifashist i internuar në Ventotene, që ka luftuar kundër pushtuesve dhe që u vetëflijua  për të ndaluar vëllavrasjen”

U bë një qetësi, që s’pritej dhe që  nuk zgjati. E tërë salla sikur u lëkund tek shpërthyen  thirma të papërmbajtura e të shfrenuara: 

– Armik i partisë! Armik i popullit! 

– Ti nuk e ke vendin këtu, , po në Spaç!- thirri nga podiumi njëri nga sekretarët e partisë.

Menjëherë pas tij, foli  drejtori i gjimnazit të Fierzës, një thatanik hundëpetë:

– Po ky është kulmi, or shoku sekretar! Ai po na i bën ballistët patriotë e luftëtarë kundër fashizmit! Ky qëndrim është në kundërshtim flagrant me mësimet larpamëse të shokut Enver!

Atë çast u hodh i deleguari I Tiranës:

– E saktë ajo që thua. Nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se Fierza  është kantier i madh ndërtimi. Mund të na hedhin edhe digën në erë! Si mund të mbahen  reaksionarë si këta këtu?

Po ja që pas të deleguarit kërkoi leje dhe e mori fjalën një mekanik flokëthinjur:

– Shokë, thirri ai. Unë jam kolonjar, e njoh mirë familjen Butka. Vetë shoku Enver e  ka ngritur lart Sali Butkën, Gani Butkën e sa të tjerë, që kanë dhënë jetën për Shqipërinë.

Përsëri plakosi një heshtje, por disi më e gjatë se e para.

– Dale, dale! – U duk se u zbut paksa I deleguari. – Ne e organizuam këtë mbledhje për të marrë mendimin e klasës punëtore. Është partia qjo që do t’I shoshitë gjërat më thellë dhe do të vendosë. 

Mbledhja u mbyll me aq.

Më pas Komisioni I Dëbim-internimeve në Tiranë vendosi që ata të  nguleshin për arsye politike  në Martanesh, ku mbetën 11 vjet me radhë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Uran Butka

MBI OQEAN ME ‘DORËSHKRIMET E FSHEHTA TË BURGUT’ TË VISAR ZHITIT

November 3, 2021 by s p

  • E marrë në tërësi kolana e veprave të shkrimtarit Visar Zhiti është një sinjal që na paralajmëron se së shpejti Shqipëria do ta ketë Nobelistin e saj në Letërsi./

Nga Dalip Greca/

Edhe pse qëndrimi im këtë herë në Shqipëri ishte i limituar dhe i kushtëzuar, edhe pse bileta e udhëtimit ishte pa bagazh, siç iket në raste dhimbjesh,- vetëm me çantën e kompjuterit dhe valixhen e dorës, nuk hoqa dorë nga zakoni i vjetër i blerjes së librave të rinj për të pasuruar bibliotekën familjare në Nju Jork. Një ndër librat që bleva në aeroport ishte libri i Visar Zhitit’ Dorëshkrimet e fshehta të burgut’, botuar nga ‘ONUFRI’-Tiranë 2021.Në bibliotekën time qëndrojnë disa prej librave të Visarit si: Kujtesa e Ajrit(1993), Kohë e krisur- 1993; Hedh një kafkë në këmbët tuaja-1994, Si shkohet në Kosovë-2000; Shekulli Tjetër- 2008, Panteoni i nëndheshëm ose Letërsia e Dënuar(2010), Rrugët e Ferrit-ribotimi i vitit  2012, Kartela e Realizmit të Dënuar- 2020, dhe ‘Dorëshkrimet e Fshehta të Burgut’ 2021.

        Libri Dorëshkrimet e Fshehta m’u bë shoqërues i ngrohtë në atë udhëtim rreth  8 orë mbi oqean, nga Zyrihu në New York. Edhe pse një pjesë të poezive i kisha të njohura nga publikimet e mëparshme, i rilexova dhe i ndjeva brenda vetes. Herë pas here kthehesha pas dhe rilexoja dëshmitë e bashkëvuajtësve, që përcillnin dëshmi se si ato poezi u ruajtën në memorie, si u shkruan(madje edhe në hetuesi), si u nxorën nga burgu, si i mori fshehurazi familja në shojet e opingave të Visarit dhe si u ruajtën në kushtet e terrorit dhe si erdhën ato poezi në ditët e sotme për të sjellë shpirtin poetik të autorit të tyre, guximin e tij për të krijuar poezi të ruajtura në kujtesë edhe gjatë hetuesisë apo gjatë viteve të burgut në Qafë Bari dhe Spaç. 

Andreas Dushi me plot të drejtë në përcjelljen hapse të librit,i quan këto poezi-Martire; bashkëshortja e Visarit, Eda Agaj Zhiti, të emocionon me rrëfimin e saj”Dorëshkrimi i Visarit…Ç’guxim! Sa bukur!…”, Hasan Bajo, shoku i studimeve dhe bashkëvuajtësi i Visarit-autor i romanit”Lulet e Pjeshkës’- edhe pse e kisha lexuar më parë rrëfimin e tij në  Dielli- më dukej se e lexoja për të parën herë duke e rilexuar mbi oqean-, Lek Mirakaj na e kishte rrëfyer përjetimin e tij edhe në Vatër- në mendje më patën mbetë fjalët e tij: ne duhej t’i fshihnim me kujdes në torbat tona të ushqimit ose brenda kashtës së dyshekëve….nëse ato poezi binin në dorën e komandës, Jo vetëm Visari, por dhe ne lexuesit(dhe ruajtësit), do të viheshim para situatash të paparashikuara.

Dëshminë e Dine Dines, “Si i fshihnim ne të burgosurit poezitë e Visar Zhitit në Spaç e Qafë Bari” e kisha lexuar më shumë se një herë kur e kisha publikuar në gazetën Dielli, por edhe atë m’u desh ta rilexoja sa herë që u rikthehesha poezive të ç’burgosura. 

Rrëfimet -dëshmi të bashkëvuajtësve Astrit Xhaferri, Kaso Hoxha, Skënder Tufa, Valer Dyrzi, Maks Rakipaj, Ilir Malindi, apo rërfimi prekës i motrës së Visarit Arbëresha se si u ç’burgosën fletoret me poezi të fshehura brenda opingave apo në çantat bosh të ushqimeve, si i ‘burgosën’ përkohësisht poezitë nën tokë për t’i liruar në kohë lirie,- ia shtojnë vlerat botimit.

   Libri me 607 faqe mbyllet ne analizën e plotë dhe profesionale të Shkrimtarit dhe studiuesit Dr. Luan Topçiu me titull” Poezia e Burgut -Frymë që këputi Prangat”- përcjell një vlerë më vete në funksion të vlerave tërësore të këtij botimi ”sui generis”.

E marrë në tërësi kolana e veprave të shkrimtarit Visar Zhiti është një sinjal se së shpejti Shqipëria do at ketë Nobelistin e saj në Letërsi. 

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • …
  • 66
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT