• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2021

Presidentja Osmani: Kosova beson në vlerat e OKB-së…

December 10, 2021 by s p

-Presidentja Osmani priti në takim ndihmës sekretaren e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe ndihmës administratore e UNDP-së znj. Mirjana Spoljaric – Egger/

PRISHTINË, 10 Dhjetor 2021-Gazeta DIELLI/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ndihmës sekretaren e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, njëherësh ndihmës administratore e UNDP-së, znj. Mirjana Spoljaric – Egger, të cilën e ka falënderuar për mbështetjen që kjo organizatë i ka dhënë Kosovës që nga vitit 1999.

Sipas Presidentes Osmani, me këtë mbështetje UNDP-ja ka kontribuar në rritjen e perspektivës së zhvillimit në vend dhe në këtë kontekst ka përmendur se pandemia ka goditur shumë biznese të udhëhequra nga gratë. Ajo ka theksuar nevojën e përfshirjes më të madhe të grave në tregun e punës për të realizuar potencialin e plotë për zhvillim ekonomik të një vendi. Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova beson në vlerat e OKB-së dhe vizionin e saj për zhvillim të qëndrueshëm.

Në takim me znj. Spoljaric- Egger, Presidentja Osmani ka theksuar se për një zhvillim të qëndrueshëm, duhet të investohet në kapitalin njerëzor. Sipas saj, objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm përfaqësojnë një udhërrëfyes për një mirëqenie më të mirë. Të dy bashkëbisedueset kanë folur edhe për transformimin digjital, tranzicionin në energjinë e gjelbër dhe financimin inovativ. Ne këtë drejtim, Presidentja Osmani theksoi nevojën për financim të konsiderueshëm për të realizuar tranzicionin e drejtë energjetik në Kosovë, i cili ka në konsideratë shtimin e kapaciteteve prodhuese nga burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe koston e përballueshme të energjisë për qytetarët.

Filed Under: Komente

Poezi nga Agim Desku

December 10, 2021 by s p

TEATRI DANTEAN 

Poezi nga Agim Desku

TEATRI DANTEAN 

Kisha dëshirë t’i ngjaja çlirmtares së atdheut

Të secilit brez dhe secilës betejë të tokëjonës

Ndoshta isha bërë edhe unë hero i ditëve t’para 

Jo të mbes peng i të vetmes fjalë që dhemb 

Kisha dhënë çdo gjë nga e vërteta e hidhur

Për t’i  thënë diellit  edhe unë u bëra flakë

Të njëjtë e kemi dritën që i falim njerëzimit

Edhe plagët i kemi mijëra vjeçare të vjetra 

Pranë sysh na flasin pikturat e Ekzodit

Lotët që kurrë nuk arrita t’ia fshijë nënlokës

Dhe Ti u riktheve në trëndafil të çames sime

Për ta vetëdijësue botën se mrekullia ekziston 

Ashtu siç jetoj unë për të bukurën e shenjtë

Në engjëll fluturove të vie edhe  para fluturave

Teatrin dantean e munde këtë të keqe t’fisit tim

Mua m’i ringjalle ëndrrat për me jetua i lirë 

Dëshira për t`u bërë kalorës venedikian erdhi

Kur çlirimtarët na zgjuan nga ky ferr i zi

Për pak mbetëm peng i ëndrrave që s’kthejnë

Tani jetoj i lirë së bashku më engjëjt e poetit. 

LOJË SHAHU

Çfarë i kërkuan mbretëreshës Teutë në lojën e shahut

Të shndërrohet në heroinë të betejave për tokën e shejtë 

E kam vështirë të luaj pa ushtarë të saj nëpër metropolet evropiane

Nuk fitohen betejat vetëm me fronin e mbretit

Gjashtëmbëdhjetë shekuj para Krishti ka fillua loja ime

Në mbretërinë pellazge të Tanagrës të gjithë flisnin shqip

E lexova Homerin kur shëtiste i lirë në dritën e fenerit rrugëve të Athinës

Me flakën e dritës pellazge shënoj Iliadën dhe Odiseon

Tragjedi shekspiriane po luhen edhe sot në tavolinën e lojës se shahut

Ma kërkojnë që toka ime prapë të mbetët edhe pa Zotin tim

Sepse ne që nuk kemi mbret nuk i dimë rregullat e lojës së shahut

Tradhtitë e zunë ngushtë fisin tim dhe të Gjergjit

E di që jemi të vonuar në beteja edhe në lojën e shahut

Këmbëkryq kaluam kohën pa pasur guxim të jemi arti vetë

Kështu as Zoti nuk na ka dashur sepse ai e do vetëm të guximshmin

Ende jetës si duket i falemi ëndrrat që vrasin të bukurën e detit

Kur do ta zëmë kohën e lojës së betejave për dritën e diellit

Nëse piktorët ende pikturojnë fytyrat korbiane

Si do të na fal atdheu kur rapsodët këndojnë tradhtitë 

Nëpër legjenda nuk jetohet i lirë pa fitoret e lojës së shahut.

DERI NË PIKËN E FUNDIT

-Sërish Fishtiane 

-Do i pyes hyjnitë pse njeriu ka urrejtje për njeriun 

Deri në pikën e fundit dua me u bërë valë deti

Asnjë këngë e qyqes të mos këndoj sërish këtej

Dallgë bëhem veç njeri dy fytyrësh mos me pa

Të tillët s’na kanë lënë të ecim bashkë me botën 

Nuk është vonë me thënë s’dojmë më përralla

Si ato të pesë shekujve që na kanë lënë në ferr

Apo edhe fjalët e mbrama kur i themi për të parat

Për njëri-tjetrin flasim zi e ma zi si të ishte armik 

Deri në pikën e fundit jemi mbushur mëkate

Djajtë më s’janë djajë kur i sheh fytyrave të njeriut

Dhe njëri nga ne sërish u bë demon a perandor

Dikur të flisnin pas shpine e sot të dalin përballë 

E vërteta që dhemb më nuk i ngjanë as përrallës

Më besoni më rjedhin lotët për të madhin Fishtë

Pse nuk e jetoj kohën time të ferrit a të lirisë

Më i pa se si ende jetojnë fytyra tradhëtarësh

Udhët u çelēn tani jeto me çmendurinë e djallit

Antartiku do të shkrihet thonë metereologët

S’kam kujt t’i them më Atlandtida ime

Duhet më u mësua të dashuroj verbërisht 

Të jetoj si në kohën e gurit pa ditë me urrejtë

Njëqind vjet më ecën rreth botës pa u ndalë

Mjafton me e gjetë fjalën që t’i shëron dhembjet 

Të jetoj mes njerëzve me fytyrë njeriu a engjëlli. 

THEMBËRA E AKILIT

A po e shfletoj historinë

Larg

e shfletoj historinë

Pluhurin çdo ditë ia fshi

Kam frikë

nëse s’di ta ruaj

Të ma vërshoj

ndonjë lum i huaj

Këmbëkryq

i rri historisë sime

E përqafoj

dhe e puthi n’ballë

Krenohem për betejat

që na i ka falë

Duke shërua plagë

deri këtu kemi ardhë

Pa i harrua betejat

e shekujve të Gjergjit

Që emrin tim

ta thërras të lirë

Agim

Më duhet ta mbaj

besën e Konstadinit

Ta shoh

a është gjallë

Apo rron veç thembra e Akilit.

ITAKA

Nëse sërish i duhemi fjalës së artë

Para syve të agimit të jemi të zgjuar

Me diellin do t’i pëlcasim zotnat 

E marrë është Itaka pse u bë tokë e huaj

Nuk vdiçëm edhe kur e vërbuan Homerin

Gjallë na mbajti flaka e qiriut të Naimit

Asnjë fuqi djajësh nuk na mundën

Pse patëm besë e fe edhe para Krishti

Dhe një atdhe ku zot e mbret ishim vet

Asgjë e bukur nuk i përngjanë fatziut

Kur fytyrën e barazon më të tradhtarit

E na iku Itaka deri sa lindën luftëtarët

S’është vonë t’i mundim këta bij zagarësh

Legjendat e thonë sa herë na ikën zotnat

Dhe ç’na vrau krenaria kur ishim vetë diell

U lamë në detin e plagëve të Gjergj Elez Alisë

Det kryqëzimi i shpatave për çdo bajloz

Do të ju rrëfej brezave Lulin e Migjenit

Krenarinë e vdekjes burrërisht për Doruntinën

Kam besim në ngrohtësinë e diellit

Të eci i lirë Rrugës së Kombit tim.

Ç’MË MUNGON SOT ( Përmet)

Në Ditēn e Poezisë çfarë më mungon 

Më mungon fytyra e dashur e nënës

Sytë e saj të ëmbël si gjuhë shqiponje

Kur u nisa udhëtimit të gjatë për mërgim

Ah ç’më thoshte udha e mbarë o biri im 

Dhe mua lotët mu bënë lum e det i jetës

Sot në këtë ditë të shenjtë të poezisë sime

Jetoj me kujtimet që ma ngacmojnë muzën

Herë më shndërrojnë në flutur e në Promethe 

Në ca kujtime jetoj mbretërisht si hero

Në disa dëshiroj ta rikthej kohën nga fillimi

Në Kullën e Oso Kukës ku u ndjeva pak burrë

Tutje në Tivar u masakruan 4500 plisbardhë 

Vallë të lindim popull tjetër a si jemi shqiptarë 

Ç’më duhet jeta po nuk e shkruaj historinë

Të Marie Shllakut e Shotë Galicës në heroinë

Zjarret e Prekazit çdo ditë bën meteorē 

Pa e harrua artin e shpatës së Gjergjit

Nuk i harroj fytyrat tradhtare të ashtit tim

Sa më bënë të dashur në miqësinë e qenve

Pafajësisht tokën e rëndojnë këmbët e ndyera 

Ngado që udhëtoj ngritëm t’i takoj yjet

Si mos ta pikturoj buzëqeshjet e Ernës

Vetmia e detit më fundos çdo çast nën Titanik

Nëse se rikujtoj zërin kur më thirrnin Agim 

A ka acar apo ka flakë Ana tjetër e diellit 

Në çdo Ditë të Poezisë dua ta kem afër syve

Çlirimtar më duhet të  bëhem njëherë gotës

Për pafajësinë time i mbetët mëkati botës. 

PSE S’KA NJË VARR PËR MUA

( Tragjedisë së Tivarit ) 

Eca 

Kolonës së vdekjes

Pafajësisht 

Ndalova në tokën mëmē

Për një çast mbretëroi stuhi

Më s’pash diell as hënë 

Ah, çfarë ishte kjo tokë

Fare pa liri 

Ecnim drejt një fundi

Të pafund 

Drita askund nuk shihet

Veç plumbat vrasës fluturojnë

Zotnat kanë frikë nga sytë e mi

Nuk udhëtojmë në të njëjtin drejtim

Kot i bërtas diellit

Puthjet ia fala Drinit 

Le t’i marrin zogjtë shtegtarë

Të pushojnë në lumin e dëshirave 

Lexoj ditarin e ditës

Askund s’shkruan për vdekjen

Në Tivar vdekja më pret

Nëse mbetëm gjallë nëpër tokën mëmë 

Udhëtojmë pa buzëqeshje

Për t’u takua me larinë

A udhëtohet pa dashuri

Pa dritën e syve të mi 

Pa këngë të zogjve

Pa faculetën e çlirimtares në xhep 

Eca me shpirtin e Adamit

E kujtova shpatën e Gjergjit

E mendova rrugës të pi gji zanash

Ndoshta të rikthehem në Promethe 

Por u gjenda pranë detit i palarë

Përballë bajlozve të tij 

Ah ta kisha një lapidar

T’i shkruaj emrat tonë

Mbi 4500 shqiptarë në Tivar

Pushojmë pa liri e diell

Në tokën e diellit. 

U RRITA NË YLLIN E DAVIDIT 

Ç’mu bë dritë Nata e Abrahamit

Kur tokën e shkela me këmbët e engjëjve

Në ëndërr e kisha lënë takimin me Ernen

Nëna ia kishte pikturua djepit Yllin e Davidit 

Sytë m’u çelën kur thitha gji zanash

Në lot gëzimi më pagëzuan Agim

Fytas me ferrin i kujtova shekujt e mallkimit

Mbi kokë më shkëlqente drita e diellit 

Perandorët u sjellën e ç’mu pështjellën pranë

Vendosën rregull se janë të pamposhturit

Orët e liga çdo çast i mbretëronin heshtjet

S’e besoja takimin e perëndive që s’ekzistonte 

Nuk e di si më erdhi tē bëhem çlirimtar

Tani kur perandorët e thyen qafën në ikje

I kujtoj fytyrat e engjëjve që ma sjellin nënën

Pranë portës së hapur më ndezet drita e jetës 

Heronjtë a ka kush t’i mbron nga syri i keq

A janë ngrohur në Natën e Zjarreve prekaziane

Cilët perandorë i zhdukën nga faqja e dheut

Nëse sërish lindin heronj 

Këtë tokë e rritin engjëjt e ozonit

E mbrojnë çlirimtarët me zemër

E bëjnë të lumtur buzëqeshjet e nënave

I falin dashuri veç heroinat e lirisë.

NË DITËLINDJEN E LULEVE 

– Lutem për shi

Sot ju kërkoj luleve të Kopshtit të Edenit

Të ndalojnë për një ditë dhembjen e plagëve të jetës

Fali edhe flakë po deshe nga dita më e bukur që ke

Sot ke ditëlindjen dielli im më shkronja ari të 19 gushtit

Mjaft acar dhe plagë ka toka e urryer nga demonët

Më sjell pak shi për lulet e thara

Së jam në luftë me bajlozët e stuhive

Sot s’dua të vdes nga mërzia e betejave të humbura

Dua të ndaloj për një çast e të ngriti gotën bashkë më yjet

E dinë sytë e mi ku je diell

Më lart se vet hyjnitë që gëzojnë për një çast jetën e bukur

Sot dua të ngriti gotën për dashuritë e popullit tim të shenjtë

Nuk dua të vdes nga flaka e zjarrit tënd o dielli im

E di se njëri nga ne e mbanë fjalën më mirë

Edhe kur vijnë dimrat e acartë 

Ti më ngroh më shumë së tërë jeta ime

Edhe unë mbijetoj kur ferret e jetës më prangosin

Sa bukur të festoj sot në ditëlindjen tënde dielli im

Dua për një çast të pi deri sa të bëhem gotë e thyer venedikiane

Edhe kështu jam i dehur pa ngrohtësinë tënde o diell

Më lejo të rri me kujtimet që herë më rikthejnë në jetë

Besoje fytyrën time të buzëqeshur më mirë se vet hëna

Sot e ndalova edhe vargun mos të shpërthen kur kujtoj demonët vrastarë

Dua të jem vetëm luftëtar i trëndafilave të tokës se shenjtë 

Lutem që të bie shi për secilën lule të Kopshtit të Edenit o diell.

POEZIA IME

Poezi sa herë të shkruaj ,mbështjell të kam në emrin tim

Secilën plagë ti ma shëron edhe atëherë kur jam buzë vdekjes,

edhe kur qeshi edhe kur qajë.

Poezi je mikja ime edhe kur nuk më flet .

Unë të flas, e di ku je, në cilin vullkan shpërthen.

Eh, sa bukur më rri vargut tim, kur më krisën shpirti 

Aty më je mbretëreshë.

Vetëm e imja je

Askujt nuk ia falë emrin tënd

As për një jetë a botë të tërë hyjnore.

Pezi është edhe emri yt mike që me ty ndaj 

Ma të bukurën e yjeve.

Ëndrrat nuk më zhduken kurrë nga fjalët e tua 

Si zë zane.

Sa bukur ma sjell botën e buzëqeshjes

Fatin e ndajë me ty Tanagra ime

Me mijëra kilometra udhëtime e kujtime.

Ti rri si i vetmi varg shqip, e vetmja rreze drite

 Ikim bashkë me kujtimet diku ku ti e zë diellin

 Nën hijen e fjalëve dhe ëndrrave tua shkruajmë

 Për ty poezia ime njëmijë e një kujtime.

Eci poezi përkrah lirisë së bashku në një cak

Të pangopur nga dashuria për vargun që më sjell

Dolli vere e jete që më mësove çfarë është dashuria e mikes.

Eh, nuk ndalem në asnjë cep bote deri tek yjet të takoj

Se si ndritë si kandil shpirti dhe tek hëna 

Si më bëhesh buzëqeshje lumturie, pranverë kujtimesh.

Po, me ty poezi u shndërrova në lule pranvere

Në aromë të fisit tim shqip,në të Bukurën e Dheut.

Filed Under: LETERSI

Tragjeditë e hegjemonizmit serbomadh dhe Dobrica Qosiqi

December 10, 2021 by s p

Nga Skënder MULLIQI


Shekulli 20 ishte tragjikë për popujt e ish –Jugosllavisë,e cila u shpërbe me dhunë nga Serbia. Ky shtet ishte mbytur në mitologji të rreme për Kosovën, si paranojë e popullit serb, së ata janë viktima të “mashtrimeve botërore “. Prijetar i këtyre ideve ishte Dobrica Qosiqi, kurse zbatues te këtyre planeve ishin Millosheviqi , Shesheli, Koshutunica ….Kurse sot rrugën e tyre është duke e vazhduar, Aleksandar Vuqiqi.Këto ide ultranacionaliste filluan në fund të viteve të 80-ta, kurse viteve të 90-ta, të shekullit të kaluar sollën luftën më tragjedi njerëzore dhe materjale .Pretendimet territoriale që i kishte Serbia ndaj ish republikave jugosllave solli luftën më të madhe locale pas Luftës së Dytë Botërore. Pamë vrasje ne masë të gjerë të shkallës së gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe të myslimanëve të Bosnjës. Serbia bëri spastrime etnike duke u shërbye më “Naqertanien”, të Ilija Garashaninit të vitit të largët 1844, deri të “Memorandumi” i SANU të vitit 1986, ku ideator ishte babai i kombit serb, Dobrica Qosiq.Politika e Memorandumit ishte derivat i paranojës kolektive të politikave të prapambetura të elitave politike në Serbi. Ky shtet bëri shumë dëme por e humbi luftën. Qosiqi ia hapi derën idesë për “Vuajtjet serbe” në Jugosllavi. Ai mori bajrakun si mbrojtës i interesave serbomëdha. Lidhur më këtë temë shoviniste serbe edhe botojë shumë libra, ku pikënisje ishte Kosova.”Çeshtja serbe” ishte product i apetiteve territoriale të Serbisë. Këtë mision shovinist serbomadh e morën si mision ta realizojnë ASH,të Serbisë në krye më Qosiqin. Ideja shoviniste që solli edhe luftën ishte ”Të gjithë serbët në një shtet”. Lufta dhe krimet e bëra nga politikat e tilla fashite bënë që disa nga protagonistët e saj të shkojnë në Hagë, gjykatë kjo e cila u formua për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.Serbia shpëtoj lehtë , duke pasur parasysh krimet monstruzore të cilat I bëri Millosheviqi , më paramilitarët e tij në Bosnje dhe në Kosovë.Shumë kriminelë kan mbetur kurrë pa u dënuar nga gjykata e luftës në Hagë. Ky shtet ka merituar të dënohet për gjenocid.Nuk u dënua nga Haga edhe pse padi bën Bosnja dhe Kroacia. Kosova nuk bëri padi së I kishte në pushtet njerëzit që rastësishtë kan hyrë në politikë, dhe u orjentuan të punojnë më shumë për realizimin e interesave përsonale. Serbia humbi luftën në Kosovë, Slloveni dhe në Kroaci . Maqedonia shpëtoj pa luftë, kurse në Bosnje më marrveshjën e Dejtonit e ndal lufta, por nuk u zgjodhën problemet ndëretnike në këtë reupublikë. Serbia arriti të bëhët hisedare atje do të thosha përmës Republika Serpska e cila po kërkon të shkëputet nga BH-ja. Ky shtet sikur fillojë pak sa të demokratizohet më ardhjën në pushtet, të Zoran Gjingjiqit, por i cili shpejt u vra nga nacionalisitet serbomëdhenjë. Tash së fundi më Vuqiqin në pushtet, u lanqua teza tjetër shoviniste për “Botën Serbe” . Është ky emërtim i ri më ide të vjetra për pushtime territoriale ndaj tokave shqiptare .Këtij shteti është duke i dalur në krahë miku tradicional Rusia , të cilat po i kërcënojnë më luftë Malin e Zi , Bosnjën dhe Kosovën .Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuqiq, po e konsideron veten si udhëheqës i të gjithë serbëve. Si gjithmonë shteti serb për ti arritur objektivat pushtuese e kan futur në lojën politike edhe Kishën Ortodokse Serbe, e cila i ka lënë moti predikimet fetare për çka është edhe e thirrur. Pikërisht më popët serb në Cetinje dhe e provokojë rënd Malin e Zi. Kisha serbe ishte udhëheqja shpirtërore e luftës në Kosovë, më të cilën logjikë është duke u shërbye edhe tash. Ne veri të Kosovës , Serbia ka vu në shërbim të saj minoritetin serb, dhe strukturat paramilitare dhe kriminale .Shumë nga drejtuesit e këtyre strukturave kriminale që zhvilluan gjithë farë llojësh të kontrabandave, madje paten edhe orjentime radikale jo vetem politike, por ata shkaktuan shumë incidente ,deri të vrasjët e shqiptarëve në veri. Mu për ate edhe Amerika më në fund i shpalli disa nga këta kriminelë përsona non grata. Një Serbi centraliste e pa reformuar do të jetë së pari problem për popullin e vet, pastaj do të jetë problem edhe për fqinjët më të cilët rrethohet. Kosova, shovenizmit serbomadh i ka mbetur si Kartë e vetme , por tashmë është “Kartë e djegur’. Më duket së Vuqiq është duke përdoruar Kosovën edhe për kunsum të mbrendshem politike .Kjo farë ideja për “Botën Serbe”, është ide anticivilizuese dhe antipërendimore, e dihet para së gjithash është ide antishqiptare. Është ide paranojake e rrezikshme për rajon. Vuqiqit po i luhatet pushteti në Serbi, nga opozitari agresiv Gjillas, para zgjedhjeve të pranverës. Nga ky kënd duhet shikuar edhe kërcënimet e Vuqiqit më luftë në veri, i cili ka shumë mundësi të shpallët nga Amerika përson non grata, që opozita më lehtë ta largojnë nga pushteti.

Filed Under: ESSE

REFUZIMI I GJUHËS, MOHIM I IDENTITETIT KOMBËTAR

December 10, 2021 by s p

Dukuria e shëmtuar nga një numër i konsideruar shqipfolësish  në Mal të Zi të cilet nuk e përdorin shqipen në dokumentet personale, duke refuzuar të drejtën kushtetuese, dëshmon injorancën, servilizmin apo vazalitetin ndaj pushtetit si ndërgjegje e vetëdije të ulët kombëtare që  nuk arsyetohet më asgjë ne pluralizëm. 

Nail  Draga

Çështja e barazisë se popujve në mjediset e ndryshme multinacionale vlerësohet përmes barazisë praktike dhe zbatimit të ligjeve në vendet përkatëse. Në vendet me traditë demoktarike këto çështje janë zgjidhur me kohë dhe janë pjesë e kulturës së qeverisjes shtetërore, ndërsa e kundërta është në vendet hegjemoniste, ku tipike janë vendet nga ish kampi socialist. Në këtë aspekt përjashtim nuk bën as Mali i Zi, sepse ndaj shqiptarëve ka ndjekur politikën e mohimit të barazisë kombëtare duke iu  mohuar te drejtën e përdorimit të gjuhës amtare në dokumentin personal gjatë kohës së monizmit.

Ndonëse me vonesë në pluralizëm u kriuan rrethana të favorshme në këtë aspekt, por, të një pjesë e popullatës shqiptare vazhdon të jetë  e pranishme psikologjia e hegjemonzmit shtetëror nga koha e monizmit. Andaj nuk ka si të shpjegojmë ndryshe situatën paradoksale, kur qytetari i përkatësisë kombëtare shqiptare nuk e realizon në praktikë një të drejtë të garantuar me ligj dhe kushtetutë e cila është në favor të identitetit dhe të barazisë kombëtare. 

Pasojat e politikës hegjemoniste

Nuk ka dilemë së kjo çështje nuk është e thjeshtë, sepse  e kaluara  ishte e hidhur dhe me pasoja. Andaj një vetëdije e tillë shtetërore ndaj  popullit tonë nuk mund të eliminohet lehtë, ku ne këtë gamë të qasjes  mund të kuptohet ngurrimi i shfrytëzimit te të drejtave të garantuara. 

Pikërisht në lidhje me barazinë gjuhësore  të qytetarëve në Mal të Zi ekziston Ligji për letërnjoftim(2007) si dhe Ligji për emrin personal(2008), që janë në favor të ruajtjës dhe mbrojtjës se emrit   personal që të shkruhet në gjuhën dhe alfabetin  e saj. Ndërsa  më së fundit në pluralizëm, ndonëse me vonesë për të parën herë kemi të bëjmë me tekstin e dokumentit personal  që është letërnjoftimi  edhe në gjuhën shqipe. Por, sa është duke u zbatuar në praktikë  një e drejtë e tillë  e garantuar nga popullata shqiptare në Mal të Zi, paraqet çështje për diskutim  të veçantë.

Pikërisht në  lidhje me këtë çështje në sajë të një informate që disponoj nga  ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Malit të Zi,  për  periudhën kohore 01.01.2008 deri me 31.12.2019, që mban datën 25.6.2020, në Mal të Zi sipas komunave ku shqiptarët janë popullsi autoktone(Ulqin, Tivar, Tuz, Podgoricë, Guci, Plavë dhe Rozhajë) në gjuhën shqipe janë lëshuar 6380 letërnjoftime dhe 7254 pasaporta me emrin personal në gjuhën shqipe.   

Duke marrë parasysh se sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Mal të Zi(2011) si popullsi rezidente ishin  30439 shqiptarë, nga kjo i bie që vetëm 20.9% e shqiptarëve kanë letërnjoftim  në gjuhen shqipe dhe   23.8% pasaporta me të dhënat(emri e mbiemri) në gjuhën shqipe.   

Nuk ka dilemë se një informatë e tillë është shumë shqetësuese që dëshmon refuzimin e përdorimit të gjuhës shqipe në dokumentin personal, që është mohim i identitetit gjuhësor dhe kombëtar  të shqiptarëve në Mal  Zi.

Refuzimi i identitetit gjuhësor  në pluralizëm (?!)

Nëse në të kaluarën në kohën e monizmit, si pasojë e politikës unitariste të pushtetit ku  edhe kërkesa më elementare për barazi gjuhësore e kombëtare vlerësohej armiqësore dhe me pasoja, në pluralizëm gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht. Andaj veprimet refuzuese  të përdorimit të gjuhës shqipe në dokumentin personal nga  individë të ndryshëm  nuk kemi  si ti kuptojmë ndryshe në pluralizëm por si  servilizëm  apo  vetidije të ulët kombëtare. 

Nëse një vlerësim i tillë mund të arsyetohet për të moshuarit, të cilët  e kanë përjetuar pabarazinë dekada  me radhë në monizëm, një qendrim i tillë nuk mund të arsyetohet tash në pluralizëm,  sepse  nuk ka pasoja ta mbash dokumentin personal me emër e mbiemër  në gjuhën shqipe. 

Nuk ka dilemë se kjo temë paraqet çështje të veçantë për analizë e hulumtim, jo vetëm në aspektin personal, familjar, por edhe ate shoqëror. Në këtë aspekt, edukimi shkollor duhet të jetë parësor për nxënësit tonë, por si mund të jetë shëmbull pozitiv për nxënësin shqiptar kur mësimdhënësi  i tij  dokumentin personal nuk e ka në gjuhën shqipe(!?). 

Andaj, mbetet që kjo çështje të trajtohet në vazhimësi në familje e shoqëri, për të eliminuar defektet ekzistuese duke eliminuar sindromin psikologjik të sistemit monist në favor të  mbrojtjës së identitetit kombëtar të popullsia shqiptare në Mal të Zi si kudo në mjediset demokratike.  

Servilizmi apo vetëdija e ulët kombëtare

Nëse me parë ishte e ndaluar nga viti 2007, letërnjoftimi  është në tre gjuhë, duke përfshi edhe shqipen që është dëshmi e barazisë gjuhësore edhe për shqiptarët në Mal të Zi. Eshtë çështje tjetër se ka mundësi të manipulohet në  ketë drejtim nga zyrtarët e gjendjës civile, duke mos i informuar qytetarët për ketë drejtë ekzistuese, apo duke i dhënë përparësi gjuhës zyrtare(malazeze). Kur kështu veprohet, p.sh. në komunën e Ulqinit ku shqiptarët janë shumicë absolute, në mjediset tjera ku janë pakicë as qe  ia vlen të diskutohet për këtë çështje.

Nëse për individët pa përgatitje shkollore një qendrim i tillë nuk duhet të jetë befasues,  për ata  më përgatitje të mesme apo të lartë shkollore nuk arsyetohet më asgjë, përveç me  servilizmin dhe komplekset e tyre personale, qe është për çdo gjykim. Madje një numër i konsideruar i tyre, jo qe nuk skuqen por duan edhe të shesin moral.

Në këtë aspekt përgjëgjësia kryesore  bie  mbi subjektët politike të shqiptarëve, si përfaqësuese autentike të tyre, sepse deri me tash nuk kemi pasur rast të dëgjojmë ndonjë diskutim në lidhje me këtë çështje identitare gjatë fushatave zgjedhore, duke marrë parasysh se elektorati i tyre votues është shqiptar. Një qendrim i tillë idiferent  thënë më së buti dëshmon  joseriozitetin e tyre ndaj identitetit gjuhësor e  kombëtar në përgjithësi, që është pjesë e programeve politike partiake.

Barazia gjuhësore dëshmi e barazisë kombëtare

Kujtojmë me këtë rast se e kaluara për shqiptarët në Mal të Zi ka qenë diskriminuese, sepse deri në vitin 1968 çdo gjë ishte në gjuhën serbe e ate me alfabet cirilik.  Ishte koha kur edhe  kërkesat për barazi  gjuhësore, në dokumenta personale apo dëftesat shkollore  cilësoheshin si kërkesa nacionaliste, nga del se pushteti kishte qasje hegjemoniste duke mos i përfillur kërkesat legjitime për barazi kombëtare  të shqiptarëve në këtë mjedis.

Por, pas vitit 1968, në sajë të rrethanave të reja shoqërore, si rezultat i demonstratave në ish Jugosllavi e në veçanti ata në Kosovë  patën jehonë pozitive edhe këtu sepse filluan të lejohen në përdorim librezat shkollore dy gjuhësore të shtypura në Kosovë, duke  u përdorur  për herë të parë në gjuhën shqipe, sepse  deri në ketë kohë gjuha shqipe dhe shkrimi i saj  ndalohej  së përdoruri, që dëshmohet përmes dokumentëve personale e ato shkollore. 

Ndërsa pas ngjarjeve në Kosovë të vitit 1981, në Mal të Zi u institucionalizu fushata antishqiptare shtetërore, ku kërkesat e ligjshme për barazi gjuhësore si p.sh. letërnjoftimi apo çërtifikatat e ndryshme  edhe në gjuhën shqipe cilësoheshin armiqësore. Ndonëse në rrethana të tjera shoqërore në pluralizëm, me vonesë  të konsiderueshme në vitin 2007 u legalizu  letërnjoftimi edhe në gjuhën shqipe, që paraqet dëshmi të barazisë  kombëtare të shqiptarëve në Mal të Zi. 

Ndonëse e mohuar dekada më radhë  një e drejtë e lejuar nuk bën të refuzohet nga popullsia shqiptare sepse nuk kemi të bëjmë me çështje personale, por me identitetin kombëtar, ku gjuha shqipe e shkruar është dëshmia autentike e një konstatimi të tillë. Andaj, në këtë aspekt duhet eliminuar abuzimin e refuzimin me angazhim të vazhdueshëm,  sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.

(9 dhjetor  2021)

Filed Under: Analiza

ERDHI DHE SHKOI Z. ESCOBAR – PO TASH?

December 10, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidenceJa shkoi në Tiranë, shikoi, u përshëndet me disa dhe u këthye. Fjala është për Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Z. Gabriel Escobar. Nuk besoj se me vizitën e tij në Tiranë fitoi gjë, për t’iu referuar asaj thënjes së famshme të Jul Çezarit, “Veni, vidi, vinçi”, megjithëse Z. Escobar nuk kishte ardhur për të fituar gjë fare, pasi ishte një vizitë krejt e zakonshme, pjesë e një vizite rutinë në rajon. E tillë ishte para njoftuar edhe nga ambasada amerikane në Tiranë.

Por, siç e ka zakon media shqiptare, prisnin se diplomati i lartë amerikan do vinte në Tiranë mbi një kal të bardhë dhe do zgjidhte të gjitha problemet e politikës shqiptare—madje prania e tij do të zgjidhte edhe problemet brenda Partisë Demokratike, se zyrtari i lartë do të sillte informacion aq të dëmshëm kundër Sali Berishës sa që do ta asgjësoj atë para Kuvendit të planifikuar të demokratëve me 11 dhjetor. 

Por po të dëgjoje disa media të oborrit, para vizitës së zyrtarit amerikan në Tiranë, ai po vinte në Shqipëri me një shkop të madh për tu renë disa kokave dhe po të ishte nevoja marinsat amerikanë janë gati jashtë Tiranës, të gatëshëm të kontrollonin rrugët e Tiranës, për t’i ndalur hovin Sali Berishës, si rrejdhim i mbështetjes për ‘të, në “foltoret” e kohëve të fundit. Asgjë nuk ndodhi, veçse u harxhuan kot aq shumë orë debatesh boshe, sa që analistët do të kishin bërë më mirë t’i kalonin ato orë me fëmijtë dhe me familjet e tyre.

Nëqoftse shikojmë për fitues dhe humbës të kësaj vizite, krejtësisht të zakontë, media shqiptare, ose më mirë të them një pjesë e madhe e medias shqiptare, ishte humbëse, sepse parashikuan se me ardhjen e Z. Escobar në Tiranë do bëhej nami, “heads will roll”, sipas asaj frazës anglisht. Unë nuk prisja namin nga kjo vizitë, prisja vetëm që për të pasur një pasqyrë më të qartë se ç’po ndodhë në Shqipëri në këtë kohë krize politike, me një shkrim modest, i kisha bërë thirrje zyrtarit të lartë amerikan, që gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri, përveç ambasadës dhe karakterave të zakonshëm të politikës shqiptare, të takohej edhe me grupe të tjera, të përjashtuara nga proceset politike të këtyre 30-viteve, ashtuqë të ketë një ide se çfarë mendon pjesa tjetër e shqiptarëve që nuk i pyet askush, për asgjë. 

Fatkeqësisht, duket se ai nuk u takua me askënd tjetër, përveç zyrtarëve të ambasadës, të qeverisë Rama dhe të përfaqsuesve të Partisë Demokratike që kontrollohet nga Lulzim Basha. Grupet jo-qeveritare janë humbës nga kjo vizitë, pasi Z. Escobar nuk u takua me ndonjë prej tyre, por edhe unë jam humbës që bëra thirrje për një takim të tillë që nuk ndodhi, për asgjë tjetër, veçse nga përvoja ime kam parë se zyrtarët amerikanë kanë nevojë të dëgjojnë edhe zëra të tjerë të shoqërisë shqiptare — dhe jo vetëm të marrin informacionin nga qarqet zyrtare të qeverisë shqiptare, qoftë edhe opozitës, si dhe nga ambasada.  Megjithse një vend i vogël, shoqëria shqiptare është mjaft e ndërlikuar dhe nevojitë njohje më të mirë nga të huajt, duke pasur edhe historinë jo të largët të Shqipërisë, si pikë referimi. 

Por uroj që Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Z. Gabriel Escobar, të largohet sadopak fitues nga vizita e tij e shkurtër në Tiranë, me një shije sadopak të vogël, për faktin se sa e çuditshme, për të mos thënë e çmendur, është politika shqiptare. Dhe i vetdijshëm se kur në kazanin e asaj politike futen edhe gishtërinjë të huaj – ajo politikë humb fare busullën e normalitetit dhe atëherë as dreqi nuk e ve në terezi, madje as edhe një zyrtar i një vendi mik si, Z. Escobar. Por uroj që Z. Escobar të këtë porositur ambasadën tonë në Tiranë se klasa politike shqiptare pas 30-vjet “post-komunizëm”, ka nevojë që vetë t’i zgjidh problemet e saja të vet-krijuara, pasi Shqipëria është e tyre dhe e popullit shqiptar, që kjo klasë politike përfaqëson. Dhe se është në dorë të shqiptarëve të vendosin vet se kush do jenë udhçheqsit e tyre, tani dhe në të ardhmen.

Atëherë, pasi vizita e Z. Escobar në Tiranë, erdhi e shkoi — çfarë do ndodhë në skenën politike shqiptare të shumë pritur, për dy tre javët e ardhëshme. Unë besoj se sa i përket Amerikës, asgjë dramatike nuk do të ketë në skenën e politikës shqiptare, lajm i keq ky ndoshta për disa që presin ndërhyrjen amerikane për t’i rregulluar “punët e Shqipërisë” — duke pasur parsysh shpalljen “non grata” të Dr Sali Berishës nga ana e Shteteve të Bashkuara.  Fatkeqësi që ka ardhur deri në këtë pikë, por siç duket dy kuvendet e planifikuar të Partisë Demokratike do të mbahen. Do të zgjidhen zyrtarë të ri, Partia Demokratike do mbijetojë, Shtetet e Bashkuara, siç deklaroi edhe Z. Escobar në Tiranë, do bashkpunojnë me Partinë Demokratike, spas interpretimit tim, kushdo që ta drejtojë atë. Nuk besoj se në këtë mes, Washingtoni nuk do të ndërhyjë, se pse nuk ka të drejtë dhe as nuk dëshiron të ndërhyjë në punët e brendshme të një partie të një vendi anëtar të NATO-s.  A u kujtohet debati para 8 vitesh mbi çeshtjen e armëve kimike. Të gjithë thonin në atë kohë se Amerika ose NATO do ia impononte Shqipërisë që t’i pranonte armët kimike nga Siria.  Frank SHKRELI/ Amerika nuk do t’i imponojë Shqipërisë shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë | Gazeta Telegraf

As kësaj radhe, Amerika nuk do të imponojë një zgjidhje për demokratët shqiptarë. Ata duhet t’i zgjidhin vet mosmarrveshjet midis tyre. As Partia Demokratike, as Shqipëria nuk janë vasale të Shteteve të Bashkuara as të ndonjë vendi tjetër. Historikisht, kjo nuk është në natyrën e politikëbërjes së Shteteve të Bashkuara karshi vendeve mike dhe aleate, megjithëse nga ndonjëherë, në rastin e Shqipërisë, mund të duket e tillë sepse vet politika shqiptare kërkon dhe lejon ndërhyrje të tilla të ngutshme dhe të pa menduara mire nga ndonjë individ ose ent zyrtar. Por, normalisht, nuk ndodh ashtu. Shtetet e Bashkuara kanë ndjekur, vazhdimisht, një politikë pragmatike ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri, me ndonjë përjashtim të vogël, ndoshta. Ashtu do të ndodh edhe tani. 

Besoj se fjala pragmatizëm, është edhe mesazhi që doli nga vizita e djeshme në Tiranë e Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Z. Gabriel Escobar.

Frank Shkreli 

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 60
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT