• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2021

ITALIA – FRANCA: SHTYSA E NEVOJSHME PËR BASHKIMIN EVROPIAN

December 7, 2021 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO – “Corriere della Sera”, 29 Nëndor 2021.  E përktheu: Eugjen Merlika

Është shkruajtur se traktati italo-francez i sapofirmosur në Romë, përveç arkivimit të kundërshtive të fundit ndërmjet Italisë e Francës, mund t’i paraprijë një pakti ndërmjet Gjermanisë, Francës dhe Italisë. Do të ishte hapi i parë drejt  atyre “bashkëpunimeve të përforcuara”,  për të cilët ka nevojë Evropa për t’arritur një integrim më të madh në fushën ekonomiko-financiare, të mbrojtjes evropiane, e të tjera. Shpresohet që hendeku (i pashmangëshëm) ndërmjet synimeve dhe së vërtetës mos të jetë shumë i gjërë. Veçanërisht sepse korniza brënda së cilës është zhvilluar integrimi evropian mbas luftës së Dytë botërore, apo sistemi i aleancave perëndimore, gjithënjë e më shumë është në vështirësi.  

Të vërehet se çfarë po ndodh në qëndrën e atij sistemi të aleancave: Shtetet e Bashkuara. Pak muaj mbas hipjes në pushtet, Administrata Biden është dobësuar fuqimisht. Gjëndet në rënie vertikale besueshmërie sa në rrafshin e brëndshëm po aq në atë ndërkombëtar. Në rrafshin e brëndshëm dasitë ndërmjet radikalëve dhe të moderuarve në Partinë demokratike, që Joe Biden nuk arrin t’i kontrollojë dhe shumica e ngushtë që demokratët kanë kundrejt republikanëve në Senat rrezikojnë aftësinë e veprimit. Parashikohet që votimet e midterm-it, që zhvillohen në nëntorin e vitit t’ardhshëm do të shënojnë një thyerje të partisë së presidentit në fuqi. Por tani treguesi i polarizimit politik-ideologjik është aq i lartë sa që mund të sjellë me gjasë paralizën e Administratës.

Në rrafshin ndërkombëtar, tërheqja prej Kabuli e kësaj vere ka goditur prestigjin e Shteteve të Bashkuara dhe i ka minuar besueshmërinë. Kur të mësyejmë ishullin – pyesin vehten kinezët – a do të jenë të gatshëm amerikanët të vdesin për Taivanin?

Mendohet për atë që do të duhej t’ishte, simbas deklaratave të Biden-it e mbrapa, sipërmarrja më cilësore e Shteteve të Bashkuara në rrafshin ndërkombëtar: krijimi në stil wilsonian (ndërhyrshmëria demokrate në traditën amerikane) i një “aleance të demokracive” për të kundërshtuar regjimet autoritare. Takimi i 9 e 10 dhjetorit, i thirrur nga Biden-i për të trupëzuar atë ide është në rrezik dështimi. Jo vetëm pse kriteret me të cilët janë zgjedhur Vëndet për t’u përfshirë kanë ushqyer shpejt qortime (nga të përjashtuarit) dhe mëdyshje tek vëzhguesit (përse Hungaria jo e Polonia po?). Mbi të gjitha sepse projekti nis keq: mbasi është lënë Afganistani dë dorë të talebanëve, duke deklaruar se nuk është më çështje e Amerikës të shqetësohet për çfarë ndodh n’atë Vënd, “lufta kundër autoritarizmave” ka humbur besueshmëri. E vetmja gjë që mbetet është se Shtetet e Bashkuara kërkojnë mbështetje në shemërinë e fuqisë me Rusinë e veçanërisht me Kinën. Por kjo është vetëm realpolitikë. Nuk ka nevojë të bezdiset retorika wilsoniane.

Dobësimi i Amerikës krekos të gjithë ata që janë t’interesuar të mbushin zbrazësirën e pushtetit që ai dobësim lind. Në Perëndim regjistrojmë vështirësitë e rënda ekonomike, dhe rënien e miratimit të brëndshëm, që po përjetojnë Rusia e Putinit dhe Turqia e Erdoganit. Arrijmë në përfundimin se këto i bëjnë autokratët më pak të frikshëm për ne. Nuk ka asgjë më të gabuar. Autokracitë janë më të rrezkëshme nëse rriten vështirësitë e tyre të brëndëshme. Bëhen më aventuriste, kompensojnë problemet e brëndëshme me një shtim të sulmshmërisë së jashtëme. Bëhet fjalë, në rastin e Putinit, për Afrikën apo Lindjen e Afërme, për trojet rusofone të Ukrainës (Donbas), për mbështetjen e përdorimit të të mërguarve në funksion  kundërevropian nga ana e diktatorit Aleksander Lukashenko, për mbështetjen sërbo boshnjakëve dhe qëllimeve të tyre agresive, apo sulmeve kibernetike demokracive evropiane. E njëjta gjë vlen edhe për presidentin turk Erdogan, mungesa e dëshirës së të cilit për të qetësuar shpirtërat përvëluese të tij, ka rrezik të shfaqet shpejt në Libi, për inat të ne italianëve e të francezëve. Ndërmjet kërcënimeve sigurisë evropiane është edhe rifillimi në veprim i skajshmërisë islamike, të elektrizuar nga “fitorja” e Kabulit.

Sa më shumë të dobësohet aleanca perëndimore për shkak të humbjes (relative) të fuqisë së Shteteve të Bashkuara, aq më shumë Evropa është në vështirësi. Le t’a rishohim në këtë prizëm traktatin italo-francez nga i cili jemi nisur. Mbasi edhe traktatet ndërkombëtare nuk i shpëtojnë rregullit të hekurtë të politikës, simbas së cilës çdo veprim politik, cilëtdo qofshin synimet e tjera, është gjithmonë kundër dikujt, nuk duhet të na rrëshqasë se në shënjestrat është edhe “sovranizmi evropian”, me dëshirën të dobësojë Bashkimin evropian ashtu siç është sendërtuar, e që është shumë i fuqishëm në Itali e në Francë. Sovranistët, sidomos italianët e francezët, duken të ndarë në dy grupime: janë të gënjyerit, të cilët besojnë se mjafton pak retorikë atdhetare për të ringjallur Shtetet kombëtare pak a shumë sovranë të shekullit XIX. E janë edhe realistët, të cilët mendojnë se dobësimi i Amerikës krijon rastin për të zëvendësuar një Lord mbrojtës t’Evropës (Shtetet e Bashkuara) me një tjetër (Rusia), në një pritmëri, në rrafshin e vlerave shqeto kundër-perëndimore.

Sa i takon Italisë, janë dy arsye shumë të mira në mbështetje të traktatit me Francën. E para është se, me daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi, kemi humbur një Vënd me të cilin mund të bënim lojë bregu në rastin e marrëveshjeve (që tërheqin mbrapa Vënde të tjera) ndërmjet Gjermanisë e Francës, në rastin kur ato marrëveshje të jenë të dëmshme për interesat tona. Arsyeja e dytë është se asnjë proçes integrimi mbikombëtar nuk mund të përparojë nëse nuk është i drejtuar nga një Vënd zotërues  ose nga një grup Vëndesh zotëruese. Me traktatin italo-francez vihemi në një pozitë të drejtë për të mundur të bëhemi pjesë e atij grupi.

Gjithshka është e varur në një fill. Duke lënë mënjanë të panjohurën e përfaqësuar nga politika që do të zgjedhë të bëjë koalicioni heterogjen i qeverisë gjermane, ashtu si dhe përfundimi i zgjedhjeve franceze, mbeten dobësitë e Italisë. Sot është Dragi me prestigjin e tij ndërkombëtar.  A do të kemi në t’ardhmen e afërt një qeveri po aq evropeiste (dhe atllantiste) e me po aq prestigj? E madje edhe të qëndrueshme? Do të varet edhe nga kjo nëse fjalët e shumta të thëna për traktatin italo-francez nuk do të zbulohen të kota.

“Corriere della Sera”, 29 Nëndor 2021  E përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Uncategorized

Pasojat e humbjes së qëllimeve të mira

December 7, 2021 by s p

Agim Baçi/

“Aty ku mungon qëllimi, mungon edhe vetë njerëzimi”, shkruante Niçe, duke paralajmëruar pasojat e një shoqërie pa ideale. Por çfarë mund ta shkaktojë humbjen e qëllimit te një njeri? Padyshim, një nga treguesit më të prekshëm të humbjes së qëllimeve është marrëdhënia jonë e krisur me të djeshmen dhe të nesërmen, e cila zhduk perspektivën morale të veprimeve tona. Kjo krisje me të djeshmen dhe të nesërmen tonë ka sjellë sot një realitet ku kemi gjithnjë e më pak falënderues ndaj përvojës dhe urtësisë që na vijnë nga kohërat, e njëkohësisht kemi edhe më pak që besojnë se kanë detyrime për të nesërmen. Por, çfarë ndodh sot realisht në shoqëri kur humb kjo urë mes të djeshmes dhe të nesërmes? Në një anë, janë me mijëra raste ku gra e burra, anekënd botës, por edhe në Shqipëri, refuzojnë të martohen e të bëhen prindër, duke pranuar gati hapur se e bëjnë këtë zgjedhje për të ruajtur profesionin apo linjat e trupit, duke hequr dorë kështu nga përgjegjësia për vijimin e jetës, për të nesërmen. Ndërkohë që, në anën tjetër, marrëdhënia me të moshuarit, pra me të djeshmen, është gjithnjë e më pak humane, gjithnjë e më pak mirënjohëse për atë që na kanë përçuar përmes jetës dhe përpjekjeve të tyre për të na ushqyer dhe edukurar neve. Kështu, njeriu i sotëm, i gjendur me duar të shkëputura nga e djeshmja dhe e nesërmja, rrezikon t’i kthehet vetëm rëndësisë së trupit, pra ta kthejë trupin në epiqendrën e vetme me rëndësi dhe kuptim për jetën e tij. Për pasojë ai rrezikon të kthehet në produkt të dëshirave dhe instinkteve, e si i tillë edhe një njeri që mund të marrë çdo lloj rrjedhe që i jepet nga rrethanat. Një qenie e tillë e konsideron detyrë që të shkallmojë rregullat, të mos ngushtohet me arsyetime e qëndrimeve morale, por të ndjekë dëshirat e tij, të kujdeset për trupin e tij dhe, mbi të gjitha, të mos ketë turp për asgjë që bën dhe kërkon.Nga ana tjetër, njeriu që ka kujdes veç për trupin, pra që beson se instinkti është vlera më e madhe njerëzore, është gati të notojë qetësisht në detin e manipulimit, duke iu dhënë asaj që i kërkohet të jetë, e jo asaj që mund të jetë realisht. Qëllimi në këtë rast e humb kuptimin, e për pasojë, njerëzimi ka gjithnjë e më pak ura ku mund të kalojë për tek ëndrrat e tij apo tek besimi për tjetrin.Këtë njeri të dashuruar pas së menjëhershmes dhe paraqitjes së tij fizike e përdor në mënyrë të vazhdueshme propaganda, e cila përmes një njeriu të tillë ka ndryshuar semantikën e autoritetit dhe autoritares në shoqëri. Kështu, propaganda shfrytëzon përgjithësisht autoritetet që i sjell në jetë shoqëria e spektaklit dhe “të fortët”, pra ata që mbështeten te fuqia, te paraja dhe paraqitja fizike e jo te dija e urtësia. Mjafton të shohësh në Shqipëri se sa peshë kanë fjalët e akademikëve, pedagogëve dhe shkrimtarëve, dhe sa kanë peshë ata të botës së spektaklit. Për të provuar humbjen e autoritetit racional, do të ishin të mjaftueshme vetëm disa kërkime në internet, për të parë klikimet, ku “njeriu i dijes” është krejt i pafuqishëm përballë “divave të ekranit” që broçkullisin gjëra të cilat rinia dhe një pjesë e madhe e shoqërisë i përsërit papushim në komunikimin e tyre. Edhe po t’i hedhësh një sy fushatave elektorale në Shqipëri, mund të verifikosh lehtësisht se kandidatët kanë me vete në fushatë, në komunikimin me publikun, vetëm artistë të spektakleve e jo profesorë apo profesionistë të fushave që njohin qytetin, siç do të ishin urbanistët apo inxhinierët. Këta aktorë të spektaklit e shokojnë njeriun e zakonshëm i cili nuk ka ndonjë fuqi të kundërshtojë këtë “autoritet”, apo të bëjë dallimin se çfarë do të ishte më mirë të dëgjonte. Sepse spektakli zvogëlon fuqinë shpirtërore dhe shmang komunikimin sy më sy të njerëzve, duke e kthyer audiencën vetëm në një masë që mendon me pikturën që i paraqitet dhe jo atë që është apo atë që dëshiron të shohë. Te një njeri i tillë e vërteta hyjnore dhe vlerat tradicionale janë zëvendësuar me të vërtetën individuale, ndaj dhe një njeri i i tillë mjaftohet me atë që i sugjerohet, pa kërkuar asnjë ndryshim, pa medituar rreth asaj që i sugjerohet.Shumica e studiuesve dhe filozofëve që janë marrë me komunikimin dhe pasojat e propagandës në shoqëritë e sotme, qofshin fetarë apo jo, qofshin mbështetës apo kundërshtues të saj, bien dakord se përkeqësimi apo përmirësimi i shoqërisë gjendet i pasqyruar në gjuhën me të cilën komunikohet. Pra, nëse një gjuhë shfaqet “e sëmurë”, atëherë edhe shoqëria do ta pasqyrojë këtë lëngim, pasi është pikërisht gjuha që mbart më shumë se gjithçka tjetër frikërat, ngërçet, dëshpërimin apo edhe urrejtjen. Propaganda, fakeqësisht, e fokusuar te reagimet instiktive, nuk mund t’i frenojë këto lëngime që i vijnë shoqërisë, pasi për propagandën nuk vlen as e djeshmja e aq më pak që të dimë të ëndërrojmë për të nesërmen. Përballë mungesës së leximit të së djeshmes dhe paaftësisë për të projektuar të nesërmen, ne kemi nevojë që të gjejmë rrugën se si të ndërtojmë një urë mes fjalës dhe qëllimeve. Kjo nuk është aspak e lehtë në një shoqëri ku e vërteta lidhet vetëm me atë që funksionon para syve, me atë që na gëzon apo hidhëron sot, nën pushtetin e frikës se mund të humbim atë që kemi. Ndaj, ringritja nuk mund të nisë nëse nuk fillojmë të besojmë se frika nuk duhet të na udhëheqë në jetët tona, pasi frika ushqen vetëm emocionet tona duke u kthyer në parathënien e humbjes sonë, të paktën shpirtërisht.

Filed Under: Mergata

Ngjyrat e sinqerta të piktorit Astrit Tota

December 7, 2021 by s p

Andis Gjoni

Nju Jork 6 Dhjetor 2021   

Para disa ditësh u hap në qytetin White Plains afër Nju Jorkut ekspozita e piktorit Astrit Tota. Merrnin pjesë artëdashës dhe personalitete të diasporës shqiptare në Amerikë. Shumë miq e të ftuar erdhën të shikonin këtë ekspozitë të suksesshme të piktorit që shënoi një arritje jo vetëm për të por edhe për komunitetin shqiptar që përfaqësohet me dinjitet me vlerat intelektuale të një artisti të brezit të vjetër. 

Punimet e kësaj ekspozite ishin të ndara në disa gjini ku spikasnin veçanërisht portretet e realizuara me mjeshtëri. Në trajtimin e figurave historike dallohej veçanërisht puna e kujdesëshme me kapjen e karaktereve në një plastikë volumore që theksonte dramaticitetin e tyre. Ndër to spikasin portreti i poetit kombëtar Naim Frashërit me ngjyra të ngrohta dhe Ismail Qemali me një trajtim klasik. Gjithashtu i veçantë është edhe portreti i heroit kombëtar Gjergj Kastrioti i realizuar me laps mbi letër ku ndjehet forca e një vizatimi të guximshëm që i shkon bukur qëndrimit të trimit legjendar. Për t’u theksuar është që ky portret i zmadhuar në pankarta të mëdha ka qenë në ballë të demonstratave dhe protestave të organizuara nga shqiptarët në Nju Jork kundër genocidit serb në Kosovë. Kjo na sjell edhe një herë ndër mend forcën e madhe që arti ka, duke përcjellë mesazhe të atdhedashurisë dhe hisotrisë kombëtare. Midis veprave dalloheshin edhe figura të shquara të diplomacisë si Rauf Fico, ambasadori legjendar që shpëtoi mijëra kosovarë nga dëbimi në vitet 1930. Të punuara me një gamë të gjerë ngjyrash dhe me një teknikë të admirueshme këto vepra të godisnin me gjetjet kompozicionale dhe shkrirjen e penelatave të kujdesëshme me vërtetësi dhe realizëm.  

Pjesë e kësaj ekspozite ishin edhe shumë peizazhe të realizuara me mjeshtëri, ku kombinimi i ngjyrave të kujtonte piktorët impresionistë me të verdhat indiane të vjeshtës së shfaqur në shumë prej tyre. Ngjyra të sinqerta, të thjeshta por të vendosura me një estetikë të pjekur në vite e cila tashmë i qëndron besnike veprës së piktorit që me stilin e tij duket sikur na tërheq drejt natyrës, në fushat e Shënavlashit, apo në pamjet e Qeparoit, Borshit, Beratit, Shkodrës, buzë Drinit por edhe në kthesat e Vjosës, peizazhet kanë një frymëmarrje ku ndihet era e luginave dhe maleve të vendlindjes. Me një trajtim herë në gama blu e herë me ndriçime të forta të verdha në varësi të kushteve atmosferike, këto vepra janë një pasqyrim besnik i vendeve dhe pamjeve që ato shpërfaqin. 

Nuk mungonin edhe pamje të vendeve në SHBA, si peizazhi në Centrak Park i realizuar në vitin 1997 kohë kur kullat binjake ende ishin në këmbë, një remineshencë e historisë por edhe e kohës që kalon.

Puna e kujdesëshme në paraqitjen e figurës njerëzore dukej edhe në veprat e tjera të kësaj ekspozite si në tablonë “Eksodi i kosovarëve” ku në mes të një pylli tragjik janë njerëz të tmerruar që mundohen ti shpëtojnë represionit, ndërkohë që një xhaketë e kuqe e kapur mes degëve të pemëve na kujton flamurin, identitetin, të ardhmen. Edhe në veprat e tjera të kësaj ekspozite dallohet vizatimi i saktë në proporcione dhe masa të figurave. Kjo ka ardhur si pasojë e punës së bërë në vite me skica të pafundme me modele në aktivitete të ndryshme të kulturës si në Festivalin e Gjirokastrës, prej nga ku artisti është frymëzuar të hedhë në letër protrete të pjesëmarrësve që në të shumtën e rasteve ishin amatorë të muzikës popullore, por që janë kapur në karakter nga autori. 

Gjinia e tretë e lëvruar nga piktori Astrit Tota ishte ajo e natyrës së qetë. Veçanërisht interesante janë punimet në pastel, një teknikë jo shumë e lëvruar nga piktorët shqiptarë, por që në trajtimin e Totës kishte një lirshmëri të admirueshme. Në pikturat “Lule e kuqe e gjatë” apo “Luledielli me fiq të egër” ka një trajtim të bukur me një paletë të pasur ngjyrash që kombinohen lirshëm dhe qëndrojnë pranë me thjeshtësi e vërtetësi. Këto natyra të qeta të kujtojnë paksa veprat e piktorit francez Odilon Redon, me ngjyrat e lehta si dantella që japin një gjendje midis ëndrrës dhe realitetit.

Ndërkohë nga pikturat më të bukura të kësaj ekspozite padyshim është portreti i “Nënë Terezës” realizuar në teknikën e vajit me një plastikë të thellë me nuanca të ngrohta si për të transmetuar atë dashuri që rrezatonte nga shqiptarja e famshme e cila në kohën kur është realizuar kjo tablo nuk ishte bërë ende një shenjtore.  

Ekspozita u vlerësua nga pjesëmarrësit për vlerat që solli dhe për nivelin e saj. Shumë e uruan piktorin për punën e tij. Gjej rastin edhe unë ta përgëzoj kolegun tim duke i uruar krijimtari të gjatë dhe ekspozita të tjera në të ardhmen.

Filed Under: Kulture

“OMLA”, HIDRONIM PELLAZG – ILIR – SHQIPTAR NË KROACI

December 7, 2021 by s p

Filip Guraziu/

Ndërsa po vizitojsha qytetin mesjetar të Raguzës ( Dubrovnik)- Kroaci në vjetin 2006, shoqnuesja kroate me pyeti: 

E dini ju se si quhet lumi prej të cilit furnizohet me ujë të pijshëm qyteti i Dubrovnikut?  

Iu pergjigja menjiherë që nuk e dijsha dhe ajo vazhdoi; lumi quhet Omla, asht fjalë   iliro-shqiptare të cilën e keni në përdorim edhe sot në gjuhën tuej!

Mbas pak si për konfirmim të deklaratës së sajë më pyeti përsëri:

– Po si quhet në gjuhën shqipe fjala ” dolce”? ( komunikojshim në italisht). 

Kët radhë përgjigja e ime qe e shpejtë; amel, omel, ëmbël !

   Lumi Omla pozicionohet në veri të qytetit të Dubrovnikut, zonë ku historikisht pati qenë banue prej ilirve, çka përligj origjinen ilire të emnit Omla. Nga ana tjeter hidronimi ” Omla” i lumit që furnizon me ujë të pijshëm Dubrovnikun  merr kuptim të plotë në gjuhën shqipe bashkëkohore sepse tregon se uji asht i omel , amel ( jo i krypun). Kujtojmë se në fjalorin e përditëshëm shqip, simbas rastit, përdoren edhe shprehje: “e amla, e omla” për muzikën etj., çka ndërlidhë direkt hidronimin ” omla” me shqipen e sotme.

   Episodi i masipërm pati shoqnue  mendimin tim dhe se si, nji ditë me intuitë bana lidhjen e fjalëve “amel, omel, ëmbël” me fjalën  ” tamel”.  Në gjuhën shqipe ndërlidhja në mes tyne pasqyrohet jo vetem prej shkrimit, por edhe prej kuptimit, por si spjegohen  etimologjikisht  këto fjalë ? 

   Për origjinën dhe kuptimin  e fjalës ” tamel”, studiuesi i mirënjohur Aleksandër Hasanas shkruen ( Wikipedia shqip) se fjala ” tamel” ka origjinë pellazgjike:

   “ Duke lexuar enciklopedinë  greke mbi kuptimin e emrit “Amalthea” gjejmë: Amalthea = “θεά του διαγωνισμού” – “Hyjnesha e konkurrencës” (?) Amalthea është e përfaqësuar shpesh si = “Dhi” që ushqen me “Gji” fëminë e perëndisë në një shpellë të Kretës në malin “Aegaion” – “Goat Mountain”. Ndonjëherë si një Dhi, ndonjiherë si nimfë  me prindër të pasigurt (e bija e Oceanus , Haemonius, Olenos, ose sipas Lactantius, e “Melisseus”. Sot të gjithë e dinë mire se “Amalthea” ishte Dhia (ΔE) e malit (ose, Nimfa ) mëma e perëndisë “Zeus” e cila ushqeu atë me qumështin e saj në një shpellë të malit Ida (AΔe, A’Δi – AΔi – Ata=mëmë-Dhia) kur ai ishte i vogël fëmi. Pra ky mal ruan emërtimin e “Dhisë” si Amë, mëm/Dhia e Zeusit. Në fakt historianë grek dhe studjues të tjerë europiane në përpjekje për ti rrëshqitur të vërtetës por pamundur ti largohen asaj kanë  pranuar  se “Amalthea” do të thotë; “Qumësht- ushqyese” (a’mel/go) ose thënë më shqip duke ju referuar fjalës së pastër po shqipe; “Gji” dhe emërtimit të “Qumshtit” në dialektin  Geg kemi; mjel, t’mjel, të tamëlin, Am’el, të Ambël, – Mel (Mjaltë) pra Amel/thea = t’amël Dhie – qumësht Dhie, duke anashkaluar fjalën shqipe të pastër “DHI” Janë fjalët e pastëra shqipe “AMEL, T’AMEL, mel, mjel, i ambël, (qumësht) të cilat gjenden të huazuara prej gjuhës shqipe në gjuhën, angleze, latine, greke etj. “

   Prej arsyetimit ma sipër  del se fjala ” t’amel”, që na jep me kuptue  ‘langun ushqyes të gjiut’ , lidhet edhe me konceptin e ‘amelsisë’ dhe të energjisë qe përmbanë mjalta. Në krahasim me ujin ” tamli i gjiut” asht i “amel”, pra karakteristika kryesore e mjaltës – “amëlsia” kaloi te “langu ushqyes i gjiut: “tamli” dhe në vazhdim përgjithësohet për cilësimin e shijes së ” amel” të elementave në mjedisin rrethues.

   Kujtojmë se vetem shqiptarët përdorin ende sot në fjalorin e tyne fjalën  mija vjeçare  pellazgjike – protoindoeuropiane ” amel”, kurse në gjuhët e tjera europiane kjo nuk konstatohet. Megjithëse fillimi i rrugëtimit të evolucionit gjuhësor për konceptin e “amëlsisë” duhet të ketë qenë afërsisht e njajtë (  shija e mjaltës) për të tanë popujt  europianë; në italisht  fjala ” amel” emnohet ” dolce”, në greqisht – glykós, në anglisht – sweet, në kroatisht –  slatko, në turqisht –  tatli, në gjermanisht – süss, në rusisht – milaja etj.

   Këto fjalë; omla, amel, omel, ëmbël dhe  tamel ” – pellazgjike – proto indo europiane,  që falë thesarit gjuhësor të gegnishtes, vetem gjuha shqipe i ka sot në përdorim, provojnë qartë autoktoninë në thellësinë e shekujve të shqiptarëve. 

Gegnishtja që na sot e flasim, falë  shpirtit konservator të shqiptarëve të cilët pranuen vetëizolimin në shkrepat e maleve si mënyrë jetese për mosasimilimin e tyne,  gjatë  2200 vjetëve pushtim e rrethim, na mundëson sot dëshmi  të rralla  të vlerave kulturore  iliro – arbnore, në shërbim edhe të pasunimit të  kulturës së përbashkët europiane. 

Filed Under: Uncategorized

U mbajt takimi i katërt i Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian

December 7, 2021 by s p

Bruksel, 7 dhjetor 2021/


Ky takim është moment i rëndësishëm në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, veçanërisht në funksion të nisjes së fazës së dytë të zbatimit të prioriteteve politike në kuadër të Agjendës së Reformës Evropiane (ERA), tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në takimin e katërt të Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës.Kryeministri tha se Qeveria tashmë ka miratuar planin e ri të Agjendës së Reformës Evropiane ERA II me prioritete që vijnë nga MSA, për të cilin jemi zotuar ta zbatojmë me prioritet të lartë. Ai theksoi përkushtimin për të ecur sa më shpejtë që është e mundur në rrugën e integrimit, ndërsa tha se Bashkimi Evropian është e ardhmja e vendit, për të cilën nuk shohim alternative tjetër.Ne besojmë se kushtet e BE-së duhet të jenë të drejta dhe të lidhura me progresin aktual dhe të na motivojnë të gjithëve që ta afrojmë rrugën e Kosovës drejt BE-së, tha kryeministri Kurti. Ai theksoi rëndësinë që ka mirëmbajtja e besimit të qytetarëve të Kosovës, duke dëshmuar përfitimet e të qenit pjesë e BE-së me veprime konkrete, që do të duhej të fillonte nga liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Besimi është shumë i nevojshëm në çdo vend që dëshiron të nisë rrugëtimin e vështirë të anëtarësimit në BE, shtoi kryeministri.Duke përmendur stabilitetin institucional në vend, si rezultat i zgjedhjeve të 14 shkurtit, reformat e nisura në drejtësi, luftën kundër krimit dhe rritjen ekonomike të shënuar gjatë këtij viti, Kryeministri Kurti tha se Kosova po hyn optimiste në vitin 2022.Para përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Përfaqësuesit të Lartë të saj për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell dhe Komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, u prezantuan arritjet dhe planet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.Diskutimet e takimit u fokusuan mbi marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian në kontekstin e marrëveshjes kontraktuale të Stabilizim-Asociimit, si pjesë e procesit të integrimit të Republikës në Kosovës në Bashkimin Evropian.Në këtë mbledhje, Kosova u përfaqësua nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministrja e dytë dhe njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • …
  • 60
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT