Filip Guraziu/
Ndërsa po vizitojsha qytetin mesjetar të Raguzës ( Dubrovnik)- Kroaci në vjetin 2006, shoqnuesja kroate me pyeti:
E dini ju se si quhet lumi prej të cilit furnizohet me ujë të pijshëm qyteti i Dubrovnikut?
Iu pergjigja menjiherë që nuk e dijsha dhe ajo vazhdoi; lumi quhet Omla, asht fjalë iliro-shqiptare të cilën e keni në përdorim edhe sot në gjuhën tuej!
Mbas pak si për konfirmim të deklaratës së sajë më pyeti përsëri:
– Po si quhet në gjuhën shqipe fjala ” dolce”? ( komunikojshim në italisht).
Kët radhë përgjigja e ime qe e shpejtë; amel, omel, ëmbël !
Lumi Omla pozicionohet në veri të qytetit të Dubrovnikut, zonë ku historikisht pati qenë banue prej ilirve, çka përligj origjinen ilire të emnit Omla. Nga ana tjeter hidronimi ” Omla” i lumit që furnizon me ujë të pijshëm Dubrovnikun merr kuptim të plotë në gjuhën shqipe bashkëkohore sepse tregon se uji asht i omel , amel ( jo i krypun). Kujtojmë se në fjalorin e përditëshëm shqip, simbas rastit, përdoren edhe shprehje: “e amla, e omla” për muzikën etj., çka ndërlidhë direkt hidronimin ” omla” me shqipen e sotme.
Episodi i masipërm pati shoqnue mendimin tim dhe se si, nji ditë me intuitë bana lidhjen e fjalëve “amel, omel, ëmbël” me fjalën ” tamel”. Në gjuhën shqipe ndërlidhja në mes tyne pasqyrohet jo vetem prej shkrimit, por edhe prej kuptimit, por si spjegohen etimologjikisht këto fjalë ?
Për origjinën dhe kuptimin e fjalës ” tamel”, studiuesi i mirënjohur Aleksandër Hasanas shkruen ( Wikipedia shqip) se fjala ” tamel” ka origjinë pellazgjike:
“ Duke lexuar enciklopedinë greke mbi kuptimin e emrit “Amalthea” gjejmë: Amalthea = “θεά του διαγωνισμού” – “Hyjnesha e konkurrencës” (?) Amalthea është e përfaqësuar shpesh si = “Dhi” që ushqen me “Gji” fëminë e perëndisë në një shpellë të Kretës në malin “Aegaion” – “Goat Mountain”. Ndonjëherë si një Dhi, ndonjiherë si nimfë me prindër të pasigurt (e bija e Oceanus , Haemonius, Olenos, ose sipas Lactantius, e “Melisseus”. Sot të gjithë e dinë mire se “Amalthea” ishte Dhia (ΔE) e malit (ose, Nimfa ) mëma e perëndisë “Zeus” e cila ushqeu atë me qumështin e saj në një shpellë të malit Ida (AΔe, A’Δi – AΔi – Ata=mëmë-Dhia) kur ai ishte i vogël fëmi. Pra ky mal ruan emërtimin e “Dhisë” si Amë, mëm/Dhia e Zeusit. Në fakt historianë grek dhe studjues të tjerë europiane në përpjekje për ti rrëshqitur të vërtetës por pamundur ti largohen asaj kanë pranuar se “Amalthea” do të thotë; “Qumësht- ushqyese” (a’mel/go) ose thënë më shqip duke ju referuar fjalës së pastër po shqipe; “Gji” dhe emërtimit të “Qumshtit” në dialektin Geg kemi; mjel, t’mjel, të tamëlin, Am’el, të Ambël, – Mel (Mjaltë) pra Amel/thea = t’amël Dhie – qumësht Dhie, duke anashkaluar fjalën shqipe të pastër “DHI” Janë fjalët e pastëra shqipe “AMEL, T’AMEL, mel, mjel, i ambël, (qumësht) të cilat gjenden të huazuara prej gjuhës shqipe në gjuhën, angleze, latine, greke etj. “
Prej arsyetimit ma sipër del se fjala ” t’amel”, që na jep me kuptue ‘langun ushqyes të gjiut’ , lidhet edhe me konceptin e ‘amelsisë’ dhe të energjisë qe përmbanë mjalta. Në krahasim me ujin ” tamli i gjiut” asht i “amel”, pra karakteristika kryesore e mjaltës – “amëlsia” kaloi te “langu ushqyes i gjiut: “tamli” dhe në vazhdim përgjithësohet për cilësimin e shijes së ” amel” të elementave në mjedisin rrethues.
Kujtojmë se vetem shqiptarët përdorin ende sot në fjalorin e tyne fjalën mija vjeçare pellazgjike – protoindoeuropiane ” amel”, kurse në gjuhët e tjera europiane kjo nuk konstatohet. Megjithëse fillimi i rrugëtimit të evolucionit gjuhësor për konceptin e “amëlsisë” duhet të ketë qenë afërsisht e njajtë ( shija e mjaltës) për të tanë popujt europianë; në italisht fjala ” amel” emnohet ” dolce”, në greqisht – glykós, në anglisht – sweet, në kroatisht – slatko, në turqisht – tatli, në gjermanisht – süss, në rusisht – milaja etj.
Këto fjalë; omla, amel, omel, ëmbël dhe tamel ” – pellazgjike – proto indo europiane, që falë thesarit gjuhësor të gegnishtes, vetem gjuha shqipe i ka sot në përdorim, provojnë qartë autoktoninë në thellësinë e shekujve të shqiptarëve.
Gegnishtja që na sot e flasim, falë shpirtit konservator të shqiptarëve të cilët pranuen vetëizolimin në shkrepat e maleve si mënyrë jetese për mosasimilimin e tyne, gjatë 2200 vjetëve pushtim e rrethim, na mundëson sot dëshmi të rralla të vlerave kulturore iliro – arbnore, në shërbim edhe të pasunimit të kulturës së përbashkët europiane.