• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2022

NGJARJET E ULQINIT NË NJË BOTIM ESEISTIK

January 28, 2022 by s p

Nail Draga/

I njohur si mjek për nga profesioni, dr.G.Karamanaga opinionit të gjerë vitëve të fundit i është prezantuar me botime të veçanta të cilat kanë zgjuar interesimin e lexuesve të ndryshëm. Në vazhdën e tyre botimeve është edhe libri më i ri me titullin “Çinari i Moçëm”. Kemi të bëjmë me një libër të veçantë për nga përmbajtja, sepse kemi të bëjmë me ngjarjet tragjike në qytetin e Ulqinit, të ndodhura në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, pikërisht kur këtu u vendos pushteti komunist. Janë pikërisht këto ngjarje tragjike të cilat janë realizuar me skenar dhe regji nga pushtetarët e rinjë, drejtuar kundër popullit sshumicë përkatësisht shqiptarëve në këtë mjedis.

Për lexuesit  titulli i librit “Çinari i Moçëm” me fotografinë në ballinë është intrigues, sepse ai nuk është i përgjithshëm, por i veçantë së është dëshmitar e disa ngjarjeve nga e kaluara deri në ditët tona. Pikërisht këto të dhëna e kanë motivuar autorin që ky libër të titullohet i tillë, sepse mbetet pikë referuese për popullsinë e Ulqinit. 

Çështjet e trajtuara në këtë botim eseistik i referohen    kohës se ndryshimeve të mëdha shoqërore ku me vendosjën e pushtetit të ri mendohej se do të realizohej barazia qytetare e kombëtare e shqiptarëve në këtë mjedis. Por, ngjarjët demantuan një përceptim të tillë sepse me vendosjen e pushtetit të ri komunist në Ulqin nga data 26 nëntor 1944, e më pas  individë të ndryshëm u burgosën, u pushkatuan pa gjyqë, apo u dënuan me procese gjyqësore të montuara. Ishte ky veprimi praktikë i pushtetit i cili veproi sipas kursit  hegjemonist me vellon e idelogjisë  komuniste me parullat e “vëllazërim-bashkimit”.

Në rrethana të tilla të fushatës kundër shqiptarëve pushteti kishte planifikuar të eliminonte individët të cilët  llogaritëshin si të pa përshtashëm  madje edhe armiq të pushtetit i cili po instalohej. Të dhënat të cilat prezanohen në këtë botim e trajtojnë këtë çështje në mënyrë të kompletuar.

Nga të gjithë të eliminuarit, dallohet njëri e ai është Rafo-Raif Gorana, një ndër personalitetet e rëndësishëm në atë kohë në Ulqin. Autori na ofron të dhëna me interes për familjen Gorana, por edhe të tjera të cilat janë përsekutuar në qytetin e Ulqinit.

Esetë e prezantuara në këtë botim paraqesin momente emocionale për çdo lexues, dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse prezantohen ngjarje dhe persona të cilët u likuiduan  vetëm pse ishin shqiptarë. 

Botimi “Çinari i Moçëm”, hapë dilema për të kaluarën e Ulqinit, sepse për të parën herë ofrohën të dhëna të cilat kanë qenë të ndaluara dhe si të tilla  panjohura për opinionin e gjerë në këtë qytet. Andaj të gjithë të interesuarit, e sidomos  gjeneratat e reja kanë mundësi të njihën për të kaluarën e panjohur apo “historinë e fshehur”, të krimeve te pushtetit komunist në Ulqin. Ishte koha e pushtetit policor, kur askush nuk ishte i sigurtë të shtëpi të vet që u dëshmu me burgosje e pushkatime pa gjyq kundër “armiqëve” të imagjinuar, për të friguar popullsinë e Ulqinit.

Libri “Çinari i Moçëm” ka si mision njohjen me dosjen e krimeve të pushtetit të kohës, duke vlerësuar se në rrethana të reja shoqërore duhet të thuhet e vërteta, duke bërë dallimin në mes viktimave dhe kriminelëve. Iu mbetet të tjerëve të vazhdojnë për hulumtime përkatëse, për t iu kthyer dinjitetin viktimave të pafajshme, duke i nderuar me rivarrimin e tyre si kudo të botën e qytetëruar.

Në këtë aspekt duhet angazhim konkret nga trashëgimtarët e familjeve te tyre, por edhe nga pushteti lokal  dhe subjektët e ndryshme duke dëshmuar solidaritet në këtë mision sa humanitar dhe kombëtar.

Përfundimisht këtë botim e vlerësoj si homazh për të gjitha viktimat në Ulqin në atë kohë dhe me pas, çështje e cila  besoj se  do të trajtohet dhe plotësohet nga autor të ndryshëm në të ardhmën. 

                                                                    Nail  Draga

(Lexuar me rastin e pëurimit të librit në Ulqin, më 28 dhjetor 2021)

C:\Users\123456\Desktop\Ballina librash e foto\268744280_1051414755700167_4790604537443352768_n.jpg

Filed Under: LETERSI

NJI NGJARJE HUMANITARE QË DUHET KUJTUE

January 28, 2022 by s p

Filip Guraziu

1944 

Lufta e dytë botnore 

Shqipni

 Djaloshi 22 vjeçar Ludovik Deda, biri i familjes shkodrane me emen, të Dedjakupve, në vjetin  1944 ishte në shërbim të forcave ushtarake gjermane në rolin e nënoficierit të nji reparti ushtarak  shqiptar, kryesisht për ruejtjen e rregullit e të qetësisë në qytetin e Shkodrës e rreth tij. Në paraditen  e nji ditë dimni me acar, në mes të muejit janar të vjetit 1944, korrieri i shtabit të Whermacht-it të 

dislokuem në Shkodër, i dorëzoi Ludovik Dedës nji zarf i cili përmbante thirrjen për nji takim me  komandantin gjerman, në zyrën e tij, po atë mbasdite në orën 15.00. 

 Në orarin e caktuem, Ludoviku u paraqit në zyrën e Komandantit i cili e priti me mirësjellje dhe  shkurt e me pak fjalë e urdhnoi që të nesermen ora 12.00 të ndodhej pranë Bar “Kursal” në Tiranë, ku do të ishte edhe vetë ai për nji çeshtje që do ta kuptonte të nesermen dhe para se të delte prej  

zyrës, e porositi: “Kujdes, askush nuk duhet të jetë në dijeni për bisedën e sotme”!  Të nesërmen, fiks në orën 12.00, kur Ludoviku hyni në mjedisin e Bar “Kursalit ” Tiranë, dalloi në nji tavolinë , si në qoshe, komandantin gjerman që e përshëndeti dhe e ftoi të ulej. Mbas pak komandanti, thirri kamarierin dhe pyeti Ludovikun se ç’ka deshironte t’i servirej. – Faleminderit, kafe  dhe ujë ishte përgjigja e shpejtë e Ludoviku i cili ndihej shumë i emocionuem prej këtij takimi  misterioz ! Ndërsa Ludoviku pinte kafen, te tavolina u afrue nji burrë i cili i përshndeti në nji  gjermanishte me theks ndryshe dhe u ul me qetësi. Menjiherë komandanti bani prezantimin e Ludoviku kuptoi se personi i tretë në tavolinë ishte “ish shefi i sherbimeve sekrete italiane në Shqipni”. Duket se gjermanët, që kishin zanë rob dhe internue drejt “kampeve te vdekjes” ( si  tradhëtarë ) pothuej të tanë efektivin e ushtrise italiane që gjindej në Shqipni mbas kapitullimit te  Italisë fashiste me 10.09.1943, kishin pasë mbajtë si këshilltar të veçantë pranë tyne ( sepse i duhej  për njohunitë dhe përvojën që kishte në mjedisin shqiptar) burrin që ndodhej përballë Ludovikut  në atë takim. 

 Mbasi ndrruen bisedë ndërmjet tyne, komandanti gjerman paraqiti detyrën që duhej të kryente  Ludoviku : ” Me qenë se ushtria gjermane kishte nevojë për landë druni e cila do të transportohej  prej Shkodrës në rrugë ujore nëpërmjet lumit Buna, delte nevoja e blemjes së nji mjeti lundrues  detaro-lumor për ushtrinë gjermane i cili duhej të lundronte prej Durrësit dhe të ankorohej në 

portin lumor të Shkodrës”. Në takim Ludovikut iu dha porosi që për veprimin e masipërm të takonte  nji person me eksperiencë në fushën e anijeve lundruese në Durrës, iu dorëzue edhe shuma  monetare për kryemjen e aksionit së bashku me porosinë që për çdo problem të mundëshem të merrte kontakt vetem me komandantin gjerman. 

 Mbas disa ditëve, Ludoviku takoi personin e rekomanduem në Durrës dhe simbas këshillës së tij bleu nji anije detaro- lumore prej druni me kapacitet rreth 150 T me emnin “Papagali”, pagoi  paradhanie edhe dy specialista të fushës së lundrimit ( drejtuesin dhe mekanikun e anijes) për  shërbimin që do të bajshin dhe së bashku me ta lundroi drejt Shkodrës. Lundrimi shkoi mbarë, anijen e ankoruen në gjiun që krijon shkambi i Fabrikës së Çementos në Shkodër në lumin Buna ku  po i pritshin dy ushtarë gjermane të cilët e morën në ruejtje anijen.

1 

 Në takimin e radhës me komandantin gjerman në Shkodër, ku Ludoviku kishte shkue për  raportimin e kryemjes së detyrës, kuptoi të vertetën e misionit ” Top secret ” : Komandanti gjerman,  së bashku me disa bashkëpunëtorë besnikë ( oficierë të Werhmacht-it në Shkodër në bashkëpunim  me…?, kishin marrë përsipër shpëtimin e dhetra familjeve ebreje prej kthetrave të reparteve  famëkeqe “S.S” naziste. Këto familje me banim të maparshëm në Serbi, Kosovë e Maqedoni kishin 

pasë qenë me “fat”, sepse kishin mbrritë me i shpëtue synit vigjilente te S.S-ve dhe tashma  qëndrojshin të mëshehuna në shtëpitë e shkodranëve. Komanda e ushtrisë gjermane në Shkodër  “kishte marrë prej kolegëve të tyne në Vlonë nji kërkesë për furnizim me landë druni për nevojat e  ushtrisë” e cila do të transportohej me anijen ” Papagali”. Landa e drunit do të sistemohej në 

kuvertë, kurse pjestarët e familjeve ebreje do të vendoseshin të mshehun poshtë druve në barkun  e anijes me tjeter destinacion…! Ludoviku mori detyren me qëndrue 24 orë pranë anijes dhe me  shoqnue grupin e ebrejëve deri në destinacionin përfundimtar. 

 Aksioni ishte me shumë të paprituna , por deri në kët fazë çdo gja kishte shkue simbas programit.  Vështirësia ma e madhe konsiderohej organizimi i sistemimit klandestin të familjeve ebreje poshtë në barkun e anijes, sepse rruga prej qytetit të Shkodrës deri te vendi i ankorimit të anijes kalon  detyrimisht mbi urën e Bunës, ku S.S. nazistë kishin pikën e kontrollit!  

 S’pari anija u ngarkue me landën drunore në kuvertë; në nji pozicion të msheftë ishte lanë rrugë e  lirë për hymjen në barkun e anijes, poshtë turrës së druve. Me qenë se proçesi i futjes në anije i familjeve ebreje parashikohej i gjatë, mbasi u pat pleqnue që në kalimin e kontrollit të ” S.S.-ve”(  te ura e Bunës), ebrejt e veshun si katundarë të zonës e të shoqnuem prej shqiptarve, të mos ishin  ma shumë se dy së bashku, doli problemi se dikuj mund t’i lindte dyshimi se pse anija për ndihmë ushtrisë gjermane , tashma e ngarkueme me dru, pra e gatëshme për lundrim nuk nisej drejt  destinacionit, por po qëndronte në vend kaq gjatë? Për kët arsye dy mekanikë të ” zgjedhun” të ushtrisë gjermane, filluen sistemimin e motorrit e të mekanizmit të anijes Papagali e cila ” për çudi, rezultoi se kishte pasë shumë difekte…”  

 Proçesi i programuem i kalimit të kontrollit në urën e Bunës dhe sistemimi i msheftë i ebrejëve në barkun anijes rezultoi i gjatë, u deshën gadi 27 ditë që 45 persona, pjestarë të familjeve ebreje të strehoheshin në klandestinitet në anije. Nga ana tjeter, sa ma shumë persona strehoheshin në barkun e anijes aq ma i vështirë paraqitej proçesi i plotësimit të nevojave jetike të tyne në kushtet  

e klandestinitetit… Ma në fund erdhi dita e nisjes, 25 Shkurt 1944, atë ditë “pasagjerëve të anijes” iu shtuen edhe dy oficierë gjermanë. Buna kishte plot ujë. Lundrimi filloi mbarë, anija lundronte me  shpejtësi e ndihmueme edhe prej rrymës lumore. Disa postoblloqe ushtarake gjermane që kontrollojshin dhe pengojshin lundrimin pa leje me anën e rrjetave prej hekuri në lum, u kaluen pa  kontroll të hollësishëm, sepse ishin oficierët gjermanë në kuvertë që komunikojshin me kolegët e  tyne të kontrollit të cilëve i paraqitshin edhe dokumentin e urdhnit të komandes gjermane për  dërgesën e landës drunore në Vlonë. 

 Optimizimi që emocionoi pasagjerët kur anija doli prej grykës së lumit Buna dhe filloi lundrimin  në detin Adriatik drejt botës së lirë më destinacion Bari- Itali, në atë periudhë kohore zonë e  çlirueme prej forcave aleate, nuk vazhdoi gjatë, sepse papritmas motori i anijes u bllokue ! Anija ”  Papagali” ishte në mëshirën e dallgëve, që për fat atë ditë ishin mjaft të qeta… Shqetësimi ishte  maksimal; mekanikët punojshin vrullshëm për gjetjen e difektit, kurse oficierët gjerman vunë në 

përdorim radion “dhanësë e marrëse” dhe me kodet e tyne sekrete mbrritën me komunikue me 

2 

“ato…” që ishin të interesuem për aksionin e shpëtimit të ebrejve. Papritmas në distancë rreth 100 m. prej anijes ” mbiu” mbi sipërfaqen e detit nji nëndetësë britanike e cila rimorkjoi anijen ”  Papagali” deri në destinacion, ne Bari-It., ku të tanë pasagjerët e anijes, fillimisht, gjetën strehim  në kampin e refugjatëve të luftës me vend ndodhje afër qytetit të Barit-It. 

 Vlenë të shënohet se kjo ngjarje, aq e veçantë sa humanitare, por dhe me vlerë sepse nderon jo  vetem moralin e shqiptarëve, por edhe të gjermanëve tue demostrue se jo të tanë ushtaraket  gjermanë ishin kundër ebrejëve, nuk kujtohet prej askuj?!. Po pse ? Nuk dihet ngjarja? Jo, jo dihet  , por nuk duen me e dijtë…, sepse nuk duen me e kujtue…! 

Në fillim të mijëvjeçarit të tretë, rastësisht mora pjesë në nji takim të Shoqatës së Miqësisë Shqiptare – Izraelite, që u mbajt në sallën e Universitetit ‘Luigj Gurakuqi’ në Shkodër, ku u kujtuen  dhe u nderuen disa familje qytetare shkodrane që kishin strehue, tue rezikue edhe jetën e tyne,  familjet ebreje gjatë terrorit nazist në kohën e luftës së dytë botnore. Më kujtohet se në atë takim  , kërkova fjalën dhe shkurtimisht tregova ngjarjen e këtij shkrimi; pata mbetë pak befasuem sepse  drejtuesit e aktivitetit nuk treguen as nji lloj interesimi mbi çka tregova. Mbrapa, kur me mendjen  tima bana anlizen psiko-politke të mjedisit drejtues të aktiviteti, falë eksperiencës së jetës time nën 

diktaturën komuniste, çdo gja m’u sqarue! No coment! Gjithëçka flet vetë! Përpunimi dogmatik  puritanist ideologjik i nji pjese të shoqnisë njërëzore nuk i lejon të kuptojnë realitetin , të verteten  që na rrethon: ” E mira dhe e keqja bashkëjetojnë në nji binom të pandashëm si në simbiozë.; ” s’ka  të mirë pa të keqe dhe s’ka të keqe pa të mirë”, duem apo s’duem, ky asht realiteti. “Reddite quae  sunt Caesaris Caesari et quae sunt Dei Deo – Jepni Çezarit atë që asht e Çezarit dhe Zotit atë që asht  e e Zotit” 

 Mbetet në nderin tonë paraqitja e nderimit dhe e mirënjohjës publike për veprën , humanitare të  shpëtimit të familjeve ebreje prej kthetrave të S.S nazistë, tue rezikue edhe jeten e tyne në  pranverën e 1944-tës për komandantin dhe disa oficierë ( besnikë të tij ) të Whermacht-it në  Shkodër, për banorët e Shkodrës si dhe në veçanti për mikun tim, që sot nuk jeton ma, të ndjerin 

Ludovik Deda. 

Shënim:  

Shkrimi respekton rrëfimin e personazhit kryesor të ngjarjes, z. Ludovik Dedës i zhvilluem në shtëpinë tij;  Pescara-It, Tetor 1997. Atyne që ngjarja e masipërme mund t’i duket e pabesueshme i ftoj të verifikojnë  arkivat e kampit të refugjatëve të luftës së dytë botnore në afërsi të qytetit të Barit-It., ku ruhet e  verteta. 

Filip Guraziu

Filed Under: Kronike

A është e vërteta, “një”?

January 28, 2022 by s p

Nga Majlinda BUSHJA/

Përplasja e mendimeve të kundërta për të vërtetën në ditët e sotme, por jo vetëm është pasojë e kompleksitetit të rrethanave në të cilën ajo merr formë dhe transmetohet. E vërteta është komplekse në çdo kohë, por sot zhvillimi i teknologjisë ka bërë të mundur një fluks informacionesh, jo të përputhshme mes tyre për të njëjtën ngjarje, apo çështje të rëndësishme, ku e vërteta vështirësohet po për këtë shkak. Ndërkohë që, po aq i vështirë është edhe ballafaqimi i të vërtetave historike, të cilat vijnë nga e kaluara e largët kur kushtet nuk kanë qenë të favorshme për t’i ruajtur me përpikmëri. Shoqëria, ndodhur mes informacionesh të cilat vijnë si një proces i së shkuarës njerëzore dhe së tashmes e ka të vështirë të gjej të vërtetën e vërtetë lidhur me ngjarje, apo çështje të caktuara. Kush është e vërteta, në të vërtetë? A është ajo, “një”? Lufta për të vërtetën e së shkuarës dhe të së tashmes është në qendër të përditshmërisë sonë.

Mënyra se si përcillet e vërteta nisur nga këndvështrime të ndryshme, duke mbrojtur secili të vërtetën sipas versionit të tij, (pasi kështu ka ndodhur në çdo kohë njerëzit janë pozicionuar), e bën atë të mos jetë “një” në pamje të parë, por e fragmentuar në disa të vërteta. Përsa kohë njerëz të ndryshëm japin versione të ndryshme të së vërtetës për të njëjtën ngjarje, apo çështje është e vështirë të gjendet e vërteta, e vërtetë. Secili individ mbron të vërtetën e tij nisur jo vetëm nga çfarë ka dëgjuar, lexuar, por dhe nga çfarë përjeton vet çdo ditë. Pra logjikisht, ne e thërrmojmë të vërtetën, që është “një”, por që nuk përcillet si e tillë jo vetëm për arsyet e mësipërme, por dhe për një sërë arsyesh të tjera. Përse ndodh kjo? Çdo person jep versionin e tij të ngjarjes apo të çështjes që trajtohet, jo vetëm sipas këndvështrimit të tij, por dhe sipas interesit të tij. Interesi ndryshon të vërtetën, “e vërteta është ashtu si dua unë të jetë e vërtetë”, mund të thotë secili prej nesh. Të tjerë persona spektator në ngjarje me kohën besojnë atë, që ju pëlqen të besojnë, e zgjedhin variantin e tyre të së vërtetës që ju shkon më përshtat. psh. Për një personazh që ka hyrë në histori, dikush  mendon  që  është  hero, dikush tjetër mendon të kundërtën. A kanë të drejtë të gjithë? Sigurisht që po, sipas këndvështrimit të secilit që e mendon të drejtën ashtu, duke i dhënë fuqi të vërtetës së vet sipas këndvështimit personal.

Përplasje për të njohur të vërtetën, si atë të afërt dhe atë të largët bëhet çdo ditë në jetën tonë, ku secili jep variantin e tij, dhe ku keqkuptimet vërtet nuk kanë fund për të njëjtën ngjarje apo çështje që ngrihet për diskutim. Ndaj e vërteta ecën përmes përlasjesh që nuk shihet fundi i së vërtetes qartësisht. Aq shpejt lindin keqkuptimet sa, vetëm lënia përgjysmë e një fjalie e tjetërson atë  duke lënë hapësira për interpretim, duke e tjetërsuar të vërtetën, e duke nxjerrë konkluzione sipas arsyetimit personal. Çdo pakujdesi si në këtë rast i shërben të vërtetës imagjinare që krijon mjegull mbi të vëretën e vërtetë. E vërteta imagjinare, është e vërteta konfliktuale, që çon në mjegullimin e së vërtetës reale. Nëse i referohemi shtypit të përditshëm, ndodh të kemi përplasje të dhënash e shifrash për shkak të nxitimit se kush do ta jap lajmin i pari për të njëjtën ngjarje, apo çështje, ndërkohë që e vërteta është “një” por nuk përcillet si e tillë. Gazetarët që marrin informacionin janë të prirur të besojnë të vërtetën sipas informacioneve që disponojnë. Problemi, në këtë lum informacionesh qendron se çfarë duhet të besojmë si të vërtetë, atë që lexojmë, dëgjojmë, apo të besojmë në atë çka njerëzit ju rrëfejnë njeri-tjetrit, por që është një histori e pashkruar, thjesht  transmetohet. Ndaj e vërteta është e mbuluar me mister, pasi shpesh ka mospërputhje mes këtyre të vërtetave që vijnë nga kanale të ndryshme. Kështu, na serviren disa variante të së vërtetës, për të njëjtën gjë, e ne s’na mbet gjë tjetër veçse të përzgjedhim. Përzgjedhja është individuale, dhe e vërteta e plotë s’është asnjëherë e qartë. Megjithëse në vetvete ajo është “një”, fragmetimi i saj është i pashmangshëm. 

Problemi më i madh qendron me të vërtetat e vjetra, në kohën kur ka pas pak dritë për të ndriçuar të vërtetat që kanë ndodhur për ngjarje të rëndësishme. Sot, ndodh jo rrallë, që disponojmë informacione, ndonjëherë jo të plota të së shkuarës dhe përpiqemi të hedhim dritë mbi to, të hamendësojmë, e të nxjerrim konkluzione për një ngjarje, apo çështje. Por a mund të nxjerrim konkluzione të sakta me informacione jo të plota? Natyrisht që jo. Gjithsesi, ne jemi të prirur të nxjerrim disa konkluzione, sidoqoftë. Mirëpo, ka një problem, kur njerëzit ushqehen me të njëjtin mendim për shumë kohë, ata e ka të vështirë të ndryshojnë këtë mendim, e të mendojnë të vërtetën ndryshe për një ngjarje të caktuar. Ndodh që, koha e transformon të vërtetën në rrugëtimin e saj të gjatë për një sërë arsyesh, e kjo na bën jo pak konfuz mbi atë çka duhet të mendojmë për të shkuarën tonë. Sa më komplekse të jetë ngjarja, sa më shumë personazhe të marrin pjesë, aq më shumë kompleksohet e vërteta. Pasi interesat janë të ndryshme, dhe e vërteta ka rrjedhur në interes të secilit personazh që merr pjesë. Pse ndodh kështu? Prirja e njeriut gjithmonë është të mos preken interesat e tij, dhe e vërteta të jetë në atë anë duke i shërbyer, ndaj përdor të gjitha mënyrat për t’ia arritur. Ky është qellimi i secilit personazh të përfshirë në një ngjarje, që historia ta kujtojë për mirë. Ndaj e vërteta transmetohet në këtë mënyrë duke krijuar përplasje mes atyre që mbrojnë të vërtetat e tyre, dhe ata që i kundërshtojnë ato. Pasi, në fund të fundit, në çdo situatë prirja e njeriut është të pastroj “baltën” nga fytyra e tij në çdo kohë dhe e vërteta t’i shërbejë atij në lidhje me çështje të caktuara, ku ai është pjesëmarrës. Këtë të vërtetë përpiqet t’ua transmetoj të tjerëve sa më shumë të jetë e mundur. E vërteta sfumohet në këtë përpjekje, dhe mbet e tillë për breza të tërë, ku secili më vonë pozicionohet ashtu si i duket e drejtë sipas këndvështrimit të tij. Në këtë situatë paqartësie të gjithë mendojnë, se ajo që ata mendojnë, është versioni i së vërtetës për një ngjarje të caktuar të së shkuarës së largët. Shembuj të tillë ka plotë. 

Siç vërehet, e vërteta qoftë në të shkuarën, por dhe në të tashmen shpesh kalon përmes paqartësish, duke lënë në dritë një variant i cili është i pranueshëm dhe absorbueshëm për shoqërinë në kohën që jeton, megjithëse ka vazhdimisht një konflikt mes së vërtetës së shkruar dhe asaj të pashkruar, se ku në të vërtetë, gjendet e vërteta. Pasi një gjëndje e tillë e krijuar e transformon të vërtetën me një pamje tjetër nga ajo fillestare duke na servirur një të vërtetë në variant ndryshe. 

Gjithçka më sipër tregon se, e vërteta nuk është e thjeshtë, ajo është e ndërlikuar, sepse janë një sërë arsyesh që e çojnë në këtë gjendje. Midis të vërtetave, të vërtetat që kanë peshën më të madhe janë ato që kanë të bëjnë me ngjarjet historike dhe fatin e mijëra njerëzve. Të vërtetat mbi ngjarje të rëndësishme historike shpesh kanë çuar në konflikte të vazhdueshme mes shtetesh, apo kanë ftohur marrëdhëniet mes tyre për një kohë të gjatë. Secila palë mbron të vërtetën e vet në çdo kohë dhe i jep të drejta vetes nisur nga kjo logjikë arsyetimi: Unë zotëroj variantin e së vërtetës, së vërtetë, dhe unë kam të drejtë në çështjen që bëhet fjalë. Këtë qendrim mban çdo shtet i përfshirë në një konflikt përmes përfaqësuesve të vet. “E drejta është në anën time”. Përplasja për të vërtetën, në kërkim të së drejtës, është shndërruar sot në një “mollë sherri” mes shtetesh. Kush thotë të vërtetën, dhe kush është e vërteta për një sërë çështjesh të rëndësishme, shumë pikëpyetje me variante të ndryshme të së vërtetës, për të njëjtën çështje, e një lumë variantesh për shumë çështje. Ne si individ, jemi të prirur të zgjedhim variantin që na shkon më shumë përshtat, e kështu ecet përmes fragmentimit të së vërtetës, që në vetvete është “një”, për secilën çështje apo ngjarjeje. Ne shpesh themi: do gjej të vërtetën, do të ndriçojë të vëretën, do them të vërtetën, sepse brenda saj, ajo, është “një”,  pavarsisht shkaqeve që e tjetërsojnë.

Filed Under: Rajon

Rifito veten pas zhgënjimit

January 28, 2022 by s p

Rajmonda Xhetani/

Çdo marrëdhënie njerëzore nis me pritshmëri, qoftë ajo një marrëdhënie miqësore, profesionale, sentimentale apo familjare.  Shqetësimi emocional dhe psikologjik i shkaktuar nga një rezultat aspak i ngjashëm me këto pritshmëri njihet si “zhgënjim”. Kjo lloj ndjenje është vlerësuar nga psikologët si një gjendje psikologjike aspak e lehtë. Është një lloj beteje që duhet fituar, duke i kujtuar vetes në mënyrë të vazhdueshme, që burimi gjendet  brenda jush, e në të vërtetat tuaja.

Zhgënjimi është një goditje emocionale që të rrëzon e të merr pafund energji.Mospranimi si ndjenjë, e vështirëson daljen prej zhgënjimit.  Kjo është arsyeja që  tronditjen më të madhe e përjetojnë ata që besojnë fort në vlerat e tyre, e që mbrojnë me kurajë atë çfarë është e tyre. Mund të zhgënjehemi edhe nga një projekt që nuk rezulton ashtu si e kishim parashikuar, nga mospranimi në një pozicion pune për të cilin kemi shpresuar, apo nga njerëz që i ke vlerësuar shumë.

Duhet të harrohet aq sa është për t’u harruar, e të kujtojmë që asnjë qënie njerëzore nuk është e paprekshme nga zhgënjimi. Vlerësimi i një marrëdhënie (e çdo lloji qoftë), dhe të paturit pritshmëri për të, ecin në mënyrë paralele. Kur je i zhgënjyer trishtimi dhe inati priren të të shoqërojnë për një periudhë kohe. Ashtu siç është e pashmangshme të jesh i/e zhgënjyer nga të tjerët, mund të jetë e pashmangshme të jesh i/e zhgënjyer nga vetja, edhe pse mund ta keni parë veten, të pathyeshëm, si Eter. 

Personi tjetër që ka sjellë zhgënjim tek ju, ka ide, ndjenja, parime, dëshira dhe sfida të tjera,  kështu që  nuk ka një mënyrë që ata të përmbushin pritshmëritë që ju keni prej tyre. Vetë zhgënjimi si ndjenjë mund të shihet si sinonim i dhimbjes. Kur jep një pjesë të vetes dhe zhgënjehesh nga ajo cfarë ti merr, sigurisht që dhimbja nuk është e vogël. E gjejmë veten duke ngritur supet e duke u ndier të paaftë për të kuptuar e gjykuar, dhe të  pafuqishëm për të dalë prej aty. Kur i shton vetes dhe një peshë tjetër në lidhje me të qenit viktimë e gënjeshtrës apo mashtrimit, egoja merr një goditje të madhe.

Gjithsesi, pavarësisht nëse ndiheni të zhgënjyer nga një marrëdhënie (familjare, miqësore apo sentimentale), ka mënyra të shëndetshme, që mund ta përballoni  këtë emocion të pakëndshëm. Sa më shumë i ke idealizuar miqtë, të afëmit apo partnerin, aq më i vështirë është kapërcimi i kësaj gjendje, por jo i pamundur. Të mos qenit të gatshëm të largoheni nga një marrëdhënie edhe pse  shihni mjegullën e parë, edhe pse qëndron mundësia e largimit,  po shtyni veten  drejt kësaj ndjenje.  Harroni që  largimi nuk ka të bëjë me kërcënimin e personit tjetër por me shpëtimin e vetes.

Mund të jeni shumë të suksesshëm në shërimin e mendimeve dhe emocioneve që ju mundojnë në mënyrë konstante. Pranojeni  zhgënjimin, bashkëjetoni me të fillimisht.  Zhgënjimi është si një valë, që do të thotë,  vjen dhe ikën sërish.  Një nga arsyet që shumë prej nesh nuk e kapërcejnë shpejt këtë fazë, është se e kemi të vështirë ta pranojmë këtë ndjenjë.  Shmangia dhe mospranimi i zhgënjimit, sjell  probleme më afatgjata.  Përballja me të “kokë më kokë”,  çon në uljen e fuqisë së tij dhe ju ndihmon të riktheheni më shpejt, e të rifitoni atë pjesë të humbur të vetes.

Bëhuni fleksibël dhe realistë në pritshmëritë tuaja, sigurisht duke treguar kujdes, pa prekur vetëbesimin tuaj. Çdo gjë që nuk është në listën e ngushtë, është e negociueshme.  Nuk është e nevojshme të ulni standartet për gjëra dhe cilësi që ju i vlerësoni tepër. Pëpiquni të afroni rreth vetes persona që vlerësojnë pikat tuaja të forta, transmetojnë energjinë e duhur, dhe që ju ofrojnë suportin e mjaftueshëm.  Kjo do të shërbejë, për pastrimin e mendimeve tona dhe në eleminimin e faktorëve të jashtëm që i ushqejnë këto mendime.  Natyrisht që nuk duhet t’i  shpërfillim, por as ta ”rrotullojmë thikën në plagë”, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ulet intensiteti i kësaj ndjenje që lë shumë dhimbje pas.

Njeriu nuk mund të harrojë shumë shpejt një mik që e ka vlerësuar, gjithashtu nuk mund të dashurojë për një ditë e të harrojë për dy, por në kulmin e çdo vështirësie fshihet gjithmonë një rrugë. Duhet ta shkruash ti, lumturinë tënde, e ta gjesh ti rrugën  për arritjen e paqes shpirtërore.

Sukseset më të rëndësishme në jetë, vijnë pas zhgënjimeve të mëdha…

Rajmonda Xhetani 

Janar 2022

Filed Under: Fejton Tagged With: Rajmonda Xhetani

International Holocaust Remembrance Day

January 28, 2022 by s p

by Rafaela Prifti/

International Holocaust Remembrance Day is observed today in several countries.Marking the liberation of the Auschwitz concentration camp, the United Nations General Assembly designated January 27 an annual day of commemoration for its member states, in early 2000s. To honor the 6 million Jewish victims of the Holocaust and victims of Nazism, countries hold national commemoration ceremonies. Notably, Holocaust denialism and antisemitic incidents have been on the rise in the US as well as around the globe.In a statement, President Biden said that the world has an obligation to honor victims, learn from survivors, pay tribute to rescuers and carry on the lessons of the Holocaust. To mark the day, President Biden has invited Auschwitz survivor Bronia Brandman to share her story at the White House, according to a press release.The event speaks directly to the significance of education on this particular topic and history in general, as there is a renewed push in many states to dictate how schools teach subjects pertaining to race. On that note, President Biden remarked that earlier this month U.S. co-sponsored a United Nations resolution tasking the global community with combating Holocaust denial through education.President Biden called it “imperative to teach accurately about the Holocaust and push back against attempts to ignore, deny, distort, and revise history,” and “that from the streets of Charlottesville, Virginia, to a synagogue in Colleyville, Texas, we are continually and painfully reminded that hate doesn’t go away; it only hides. And it falls to each of us to speak out against the resurgence of antisemitism and ensure that bigotry and hate receive no safe harbor, at home and around the world.”In today’s remarks, Ursula Gertrud von der Leyen, President of the European Commission, said, in part, that “To remember is also to look to the future. The European Commission is committed to fighting antisemitism and fostering Jewish life everywhere in Europe.”One of today’s events include the U.N. Holocaust Memorial Ceremony livestreamed worldwide. Additional information and educational resources as well as a complete calendar of Remembrance ceremonies are available on the UN website and the UN Holocaust Museum website.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT