
Filip Guraziu
1944
Lufta e dytë botnore
Shqipni
Djaloshi 22 vjeçar Ludovik Deda, biri i familjes shkodrane me emen, të Dedjakupve, në vjetin 1944 ishte në shërbim të forcave ushtarake gjermane në rolin e nënoficierit të nji reparti ushtarak shqiptar, kryesisht për ruejtjen e rregullit e të qetësisë në qytetin e Shkodrës e rreth tij. Në paraditen e nji ditë dimni me acar, në mes të muejit janar të vjetit 1944, korrieri i shtabit të Whermacht-it të
dislokuem në Shkodër, i dorëzoi Ludovik Dedës nji zarf i cili përmbante thirrjen për nji takim me komandantin gjerman, në zyrën e tij, po atë mbasdite në orën 15.00.
Në orarin e caktuem, Ludoviku u paraqit në zyrën e Komandantit i cili e priti me mirësjellje dhe shkurt e me pak fjalë e urdhnoi që të nesermen ora 12.00 të ndodhej pranë Bar “Kursal” në Tiranë, ku do të ishte edhe vetë ai për nji çeshtje që do ta kuptonte të nesermen dhe para se të delte prej
zyrës, e porositi: “Kujdes, askush nuk duhet të jetë në dijeni për bisedën e sotme”! Të nesërmen, fiks në orën 12.00, kur Ludoviku hyni në mjedisin e Bar “Kursalit ” Tiranë, dalloi në nji tavolinë , si në qoshe, komandantin gjerman që e përshëndeti dhe e ftoi të ulej. Mbas pak komandanti, thirri kamarierin dhe pyeti Ludovikun se ç’ka deshironte t’i servirej. – Faleminderit, kafe dhe ujë ishte përgjigja e shpejtë e Ludoviku i cili ndihej shumë i emocionuem prej këtij takimi misterioz ! Ndërsa Ludoviku pinte kafen, te tavolina u afrue nji burrë i cili i përshndeti në nji gjermanishte me theks ndryshe dhe u ul me qetësi. Menjiherë komandanti bani prezantimin e Ludoviku kuptoi se personi i tretë në tavolinë ishte “ish shefi i sherbimeve sekrete italiane në Shqipni”. Duket se gjermanët, që kishin zanë rob dhe internue drejt “kampeve te vdekjes” ( si tradhëtarë ) pothuej të tanë efektivin e ushtrise italiane që gjindej në Shqipni mbas kapitullimit te Italisë fashiste me 10.09.1943, kishin pasë mbajtë si këshilltar të veçantë pranë tyne ( sepse i duhej për njohunitë dhe përvojën që kishte në mjedisin shqiptar) burrin që ndodhej përballë Ludovikut në atë takim.
Mbasi ndrruen bisedë ndërmjet tyne, komandanti gjerman paraqiti detyrën që duhej të kryente Ludoviku : ” Me qenë se ushtria gjermane kishte nevojë për landë druni e cila do të transportohej prej Shkodrës në rrugë ujore nëpërmjet lumit Buna, delte nevoja e blemjes së nji mjeti lundrues detaro-lumor për ushtrinë gjermane i cili duhej të lundronte prej Durrësit dhe të ankorohej në
portin lumor të Shkodrës”. Në takim Ludovikut iu dha porosi që për veprimin e masipërm të takonte nji person me eksperiencë në fushën e anijeve lundruese në Durrës, iu dorëzue edhe shuma monetare për kryemjen e aksionit së bashku me porosinë që për çdo problem të mundëshem të merrte kontakt vetem me komandantin gjerman.
Mbas disa ditëve, Ludoviku takoi personin e rekomanduem në Durrës dhe simbas këshillës së tij bleu nji anije detaro- lumore prej druni me kapacitet rreth 150 T me emnin “Papagali”, pagoi paradhanie edhe dy specialista të fushës së lundrimit ( drejtuesin dhe mekanikun e anijes) për shërbimin që do të bajshin dhe së bashku me ta lundroi drejt Shkodrës. Lundrimi shkoi mbarë, anijen e ankoruen në gjiun që krijon shkambi i Fabrikës së Çementos në Shkodër në lumin Buna ku po i pritshin dy ushtarë gjermane të cilët e morën në ruejtje anijen.
1
Në takimin e radhës me komandantin gjerman në Shkodër, ku Ludoviku kishte shkue për raportimin e kryemjes së detyrës, kuptoi të vertetën e misionit ” Top secret ” : Komandanti gjerman, së bashku me disa bashkëpunëtorë besnikë ( oficierë të Werhmacht-it në Shkodër në bashkëpunim me…?, kishin marrë përsipër shpëtimin e dhetra familjeve ebreje prej kthetrave të reparteve famëkeqe “S.S” naziste. Këto familje me banim të maparshëm në Serbi, Kosovë e Maqedoni kishin
pasë qenë me “fat”, sepse kishin mbrritë me i shpëtue synit vigjilente te S.S-ve dhe tashma qëndrojshin të mëshehuna në shtëpitë e shkodranëve. Komanda e ushtrisë gjermane në Shkodër “kishte marrë prej kolegëve të tyne në Vlonë nji kërkesë për furnizim me landë druni për nevojat e ushtrisë” e cila do të transportohej me anijen ” Papagali”. Landa e drunit do të sistemohej në
kuvertë, kurse pjestarët e familjeve ebreje do të vendoseshin të mshehun poshtë druve në barkun e anijes me tjeter destinacion…! Ludoviku mori detyren me qëndrue 24 orë pranë anijes dhe me shoqnue grupin e ebrejëve deri në destinacionin përfundimtar.
Aksioni ishte me shumë të paprituna , por deri në kët fazë çdo gja kishte shkue simbas programit. Vështirësia ma e madhe konsiderohej organizimi i sistemimit klandestin të familjeve ebreje poshtë në barkun e anijes, sepse rruga prej qytetit të Shkodrës deri te vendi i ankorimit të anijes kalon detyrimisht mbi urën e Bunës, ku S.S. nazistë kishin pikën e kontrollit!
S’pari anija u ngarkue me landën drunore në kuvertë; në nji pozicion të msheftë ishte lanë rrugë e lirë për hymjen në barkun e anijes, poshtë turrës së druve. Me qenë se proçesi i futjes në anije i familjeve ebreje parashikohej i gjatë, mbasi u pat pleqnue që në kalimin e kontrollit të ” S.S.-ve”( te ura e Bunës), ebrejt e veshun si katundarë të zonës e të shoqnuem prej shqiptarve, të mos ishin ma shumë se dy së bashku, doli problemi se dikuj mund t’i lindte dyshimi se pse anija për ndihmë ushtrisë gjermane , tashma e ngarkueme me dru, pra e gatëshme për lundrim nuk nisej drejt destinacionit, por po qëndronte në vend kaq gjatë? Për kët arsye dy mekanikë të ” zgjedhun” të ushtrisë gjermane, filluen sistemimin e motorrit e të mekanizmit të anijes Papagali e cila ” për çudi, rezultoi se kishte pasë shumë difekte…”
Proçesi i programuem i kalimit të kontrollit në urën e Bunës dhe sistemimi i msheftë i ebrejëve në barkun anijes rezultoi i gjatë, u deshën gadi 27 ditë që 45 persona, pjestarë të familjeve ebreje të strehoheshin në klandestinitet në anije. Nga ana tjeter, sa ma shumë persona strehoheshin në barkun e anijes aq ma i vështirë paraqitej proçesi i plotësimit të nevojave jetike të tyne në kushtet
e klandestinitetit… Ma në fund erdhi dita e nisjes, 25 Shkurt 1944, atë ditë “pasagjerëve të anijes” iu shtuen edhe dy oficierë gjermanë. Buna kishte plot ujë. Lundrimi filloi mbarë, anija lundronte me shpejtësi e ndihmueme edhe prej rrymës lumore. Disa postoblloqe ushtarake gjermane që kontrollojshin dhe pengojshin lundrimin pa leje me anën e rrjetave prej hekuri në lum, u kaluen pa kontroll të hollësishëm, sepse ishin oficierët gjermanë në kuvertë që komunikojshin me kolegët e tyne të kontrollit të cilëve i paraqitshin edhe dokumentin e urdhnit të komandes gjermane për dërgesën e landës drunore në Vlonë.
Optimizimi që emocionoi pasagjerët kur anija doli prej grykës së lumit Buna dhe filloi lundrimin në detin Adriatik drejt botës së lirë më destinacion Bari- Itali, në atë periudhë kohore zonë e çlirueme prej forcave aleate, nuk vazhdoi gjatë, sepse papritmas motori i anijes u bllokue ! Anija ” Papagali” ishte në mëshirën e dallgëve, që për fat atë ditë ishin mjaft të qeta… Shqetësimi ishte maksimal; mekanikët punojshin vrullshëm për gjetjen e difektit, kurse oficierët gjerman vunë në
përdorim radion “dhanësë e marrëse” dhe me kodet e tyne sekrete mbrritën me komunikue me
2
“ato…” që ishin të interesuem për aksionin e shpëtimit të ebrejve. Papritmas në distancë rreth 100 m. prej anijes ” mbiu” mbi sipërfaqen e detit nji nëndetësë britanike e cila rimorkjoi anijen ” Papagali” deri në destinacion, ne Bari-It., ku të tanë pasagjerët e anijes, fillimisht, gjetën strehim në kampin e refugjatëve të luftës me vend ndodhje afër qytetit të Barit-It.
Vlenë të shënohet se kjo ngjarje, aq e veçantë sa humanitare, por dhe me vlerë sepse nderon jo vetem moralin e shqiptarëve, por edhe të gjermanëve tue demostrue se jo të tanë ushtaraket gjermanë ishin kundër ebrejëve, nuk kujtohet prej askuj?!. Po pse ? Nuk dihet ngjarja? Jo, jo dihet , por nuk duen me e dijtë…, sepse nuk duen me e kujtue…!
Në fillim të mijëvjeçarit të tretë, rastësisht mora pjesë në nji takim të Shoqatës së Miqësisë Shqiptare – Izraelite, që u mbajt në sallën e Universitetit ‘Luigj Gurakuqi’ në Shkodër, ku u kujtuen dhe u nderuen disa familje qytetare shkodrane që kishin strehue, tue rezikue edhe jetën e tyne, familjet ebreje gjatë terrorit nazist në kohën e luftës së dytë botnore. Më kujtohet se në atë takim , kërkova fjalën dhe shkurtimisht tregova ngjarjen e këtij shkrimi; pata mbetë pak befasuem sepse drejtuesit e aktivitetit nuk treguen as nji lloj interesimi mbi çka tregova. Mbrapa, kur me mendjen tima bana anlizen psiko-politke të mjedisit drejtues të aktiviteti, falë eksperiencës së jetës time nën
diktaturën komuniste, çdo gja m’u sqarue! No coment! Gjithëçka flet vetë! Përpunimi dogmatik puritanist ideologjik i nji pjese të shoqnisë njërëzore nuk i lejon të kuptojnë realitetin , të verteten që na rrethon: ” E mira dhe e keqja bashkëjetojnë në nji binom të pandashëm si në simbiozë.; ” s’ka të mirë pa të keqe dhe s’ka të keqe pa të mirë”, duem apo s’duem, ky asht realiteti. “Reddite quae sunt Caesaris Caesari et quae sunt Dei Deo – Jepni Çezarit atë që asht e Çezarit dhe Zotit atë që asht e e Zotit”
Mbetet në nderin tonë paraqitja e nderimit dhe e mirënjohjës publike për veprën , humanitare të shpëtimit të familjeve ebreje prej kthetrave të S.S nazistë, tue rezikue edhe jeten e tyne në pranverën e 1944-tës për komandantin dhe disa oficierë ( besnikë të tij ) të Whermacht-it në Shkodër, për banorët e Shkodrës si dhe në veçanti për mikun tim, që sot nuk jeton ma, të ndjerin
Ludovik Deda.
Shënim:
Shkrimi respekton rrëfimin e personazhit kryesor të ngjarjes, z. Ludovik Dedës i zhvilluem në shtëpinë tij; Pescara-It, Tetor 1997. Atyne që ngjarja e masipërme mund t’i duket e pabesueshme i ftoj të verifikojnë arkivat e kampit të refugjatëve të luftës së dytë botnore në afërsi të qytetit të Barit-It., ku ruhet e verteta.
Filip Guraziu