• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2022

HISTORIANI MEDVEDEV: “PUTIN DON TË KTHEJË RUSINË NË KUFIJTË E PJETRIT TË MADH”

March 15, 2022 by s p

Nga MARCO IMARISIO/

“Çfarëdo të ngjasë, ju bëni krahasimet me Bashkimin Sovjetik dhe ktheheni menjëherë në formalitetin e luftës së ftohtë”. Më shumë se një intervistë është një trup me trup. Nëntëdhjetepesë vjeç, në shtëpinë e tij, pak jashtë qytetit, I rrethuar nga betulat dhe katërmbëdhjetë mace, Roj Medvedev, historian i stalinizmit, “fëmija I tmerrshëm” gjatë regjimit sovjetik, kundërshtar i paepur i “amerikanizimit “, të futur nga Boris Jelcin, nuk e shijon privilegjin e shkëputjes. Profesori plak, me çehre luftarake dhe kokë ende të kthjelltë, edhe se e mbushur me ide të diskutueshme, deklarohet “idealisht i lidhur” me atë Rusi të thellë që përbën bazën e miratimit të Vladimir Putinit. “Nuk ka asgjë të keqe mundimi I rikrijimit të një Rusije që, së paku si territor, të kujtojë kufijtë e Carit Pjetri I Parë”.

  A nuk ju duket se projekti po del gjithshka, por jo i parrezikshëm?

“Ndoshta i trembesh pasojave ekonomike, por shumica e rusëve është dakord me atë që po ndodh. Por ju perëndimorëve nuk ju pëlqen t’a pranoni. E kështu e përcaktoni Rusinë si një regjim, duke mos mbajtur parasysh se në Duma vendimet merren njëzëri, edhe nga ajo pak opozitë që, po të mos ishte kështu, do të kishte çdo lloj leverdie për të kundërshtuar”.

Edhe sepse kush kundërshton duket se ka ndonjë problem.

“Ekzistojnë shumë lloj demokracish, jo vetëm një. Pranoj se e jona është shumë e kontrolluar. Por vetëm me dhjetë vite demokracie perëndimore, në vitet e Jelcinit, Vëndi po hidhej n’erë. Por edhe ajo ju nuk i u pëlqente. Me përjashtim t’asaj periudhe rusët nuk kanë provuar kurrë demokracinë “tuaj”. Nuk janë mësuar.

Në historinë ruse cili do të jetë vëndi i Putinit?

“Është një figurë absolutisht e veçantë. Ai është i djemnuar nga përballimi me të shkuarën, don të jetë i kujtuar, të bëhet një ikonë e jona. Në këtë drejtim ai është i shtyrë edhe nga ambicia vetiake. Ukraina është mbi të gjitha orvatja për të rishkruar historinë, duke i shmangur rrjedhën.

Sigurisht nuk është një car, një figurë që për të merr ngjyrime mitologjike. Sigurisht nuk i shëmbëllen Leninit, por as Stalinit me të cilin shpesh krahasohet me keqdashje”

Kjo që po ndodh a do të ndryshojë gjykimin tuaj?

“E përcaktojnë si një operacion special. Pranoj se është një përcaktim i mjegullt por sigurisht nuk bëhet fjalë për një luftë të përgjithëshme. Rusët nuk e jetojnë kështu.

Po viktimat kujt t’i a regjistrojmë?

“Janë shumë, fatkeqësisht. Lufta është më mizorja e ngjarjeve historike. Ne rusët jemi mësuar.

Çfarë ka në kokë me të vërtetë Putini?

“Në këtë rast jam në një mëndje me ndërpretimin perëndimor. Don t’a verë Rusinë ndërmjet fuqive të mëdha të botës, pavarësisht nga pozitat e Kinës dhe të SHBA. Ai mendon atë që thotë dhe vërtetë i beson. Problemi është gjithmonë i njëjti. Për Evropën Rusia do të jetë gjithmonë shumë e madhe, për shumicën dërmuese të rusëve jo.

Çdo të bëhet me Ukrainën?

“Si zonë ndikimi, do të kthehet gjeografikisht në kohët e Gogolit, shkrimtarit tonë të madh, që kishte lindur në atë që sot është territor ukrainas, por të gjithë e quajnë rus. Historia nuk kalon kurrë kot. As Putini nuk mendon të rimarrë të gjithë Ukrainën. Vetëm atë rusofone. Ndërsa për kërcënimin bërthamor, asnjë nuk mendon me të vërtetë. Janë vetëm fjalë”.

Çfarë u ka ndodhur, profesor Medvedev?

“Duke u plakur humbet durimi. Nuk mund të duroj më retorikën perëndimore. Ekzistojnë modele shoqërish të ndryshme nga ai amerikan. Duhej t’ishit ju evropianët të parët që duhej t’a kuptonit. Por asnjëherë nuk keni pranuar të njihni këtë fakt kaq të dushëm. Bota nuk është më dypolëshe dhe po shkon në një tjetër drejtim. Putini dhe Rusia u kanë pritur gjatë. Pastaj kanë vendosur të veprojnë vetë”.

“Corriere della Sera”, 7 mars 2022   Përktheu Eugjen Merlika    

Filed Under: ESSE

“AMBASADOR I PUSHTETIT TË BUTË”, PROMOVOHET NESËR NË VATËR

March 14, 2022 by s p

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra fton dhe njofton komunitetin shqiptar në New York e më gjërë se nesër me datë 15 Mars 2022, ditën e Martë, ora 6.00 PM, në Selinë qëndrore të Vatrës në Adresë: 2437 Southern Blvd, Bronx, NY 10458 bëhet promovimi i librit “Ambasador i pushtetit të butë” shkruar nga Ambasador Mal Berisha. Ftohet komuniteti shqiptar të marrë pjesë në këtë ceremoni nderimi dhe festë të librit.
Kanë thënë për librin:
“Ambasadori Mal Berisha ka sjellë këtu një larmi episodesh, të përshkruara si tregime të shkurtra, të cilat lexohen me kërshëri dhe ëndje. Ai nuk synon të zbulojë para lexuesit të panjohurat apo enigmat e punës së një ambasadori, siç bëjnë rëndom ish – diplomatët e lartë, kur dalin në pension dhe duan të lënë dëshminë e rëndësisë së vet të jashtëzakonshme gjatë jetës në shërbimin e jashtëm. Jo. Nisur nga këto rrëfime, do thënë se ambasadori Mal Berisha nuk vuan nga asnjë delir protagonizmi. Ai shtyhet nga dëshira për të pohuar se, duke i shërbyer Shqipërisë, ka arritur të ketë edhe për veten e tij një jetë të bukur me gjithë andrallat e saj, gjë që i shkon një burri të realizuar” – Besnik Mustafaj.
“Mal Berisha mbetet jo thjeshtë më aktivi, por ndofta më i suksesshmi nga të gjithë ambasadorët tanë, kudo që ata kanë shërbyer. Asnjë shenjë inferioriteti, asnjë moment lëkundjeje, por krenar, dinjitoz dhe i barabartë me çdo përfaqësues tjetër diplomatik, Mali paraqitet në çdo pritje, takim apo veprimtari që zhvillohet. Madje, ai me arsye të ftohtë, me fakte dhe argumente të pakundërshtueshme debaton dhe fiton ndaj çdo qëndrimi kaqdashës a provokues, sidomos kur vihet në diskutim çështja jonë kombëtare, pra Kosova e Çamëria apo ata të R.M.V.” – Shpendi Topollaj.
Ju mirëpresim të gjithëve.

Filed Under: Featured

Nxënësit ë Shkollës së Parë shqipe në Preshevë, më 1945

March 14, 2022 by s p

Shkruan: Xhemaledin SALIHU/

Mësuesit e parë të shkollës shqipe në Preshevë ishin Hilmi Qerimi, Abdullah Ukshini, Tajar Zylfiu i Elbasanit dhe Demirali Ramadani-Hoxha.

       Shkolla e parë në Preshevë mban emrin “Selami Ibrahimi”, Dëshmor i Kombit, i varur më 1944, në Prizren.

E:\Presheva\DSC_0184.JPG

         Vila “Letafet” ku u vendos Shkolla e Parë Shqipe në Preshevë

 Bejtullah Osmani, arsimtar i lëndës së matematikës, tashti në pension shpalos kujtimet e tij të pashlyeshme për Ditën e madhe të hapjes së shkollës për herë të parë në gjuhën shqipe, në villën “Letafet”, pronë e arsimdashësit dhe intelektualit e patriotit të madh Abdullah Haxhi Veliut nga Presheva: 

“Vetëm disa ditë para se të bëhej promovimi i shkollës në Preshevë, ai kishte shkuar në Prishtinë, Gjilan, Vrajë e kudo tjetër. Kishte kontaktuar me njerëz të kualifikuar për mësues siç ishin Hilmi Qerimi, Nazmi Mustafa, Hafëz Lutfi Ahmeti, Demirali Ramadani-Hoxha e të tjerë që kishin dhënë pajtimin për të punuar, nëse kishte nevojë edhe pa shpërblim material.”  

Në bisedë me nxënësin e shkollës së parë shqipe, Nehat Hazirin të Mëhallës së Bugarinëve mësuam se pos tij nxënës të kësaj shkolle ishin edhe Xhevat Haziri i Bugarinëve, Abdulla Haziri poashtu i Bugarinëve, të lindur më 1933.Pos këtyrë kusherinjve të vet Nehatit Hazirit i kujtohen edhe Musherefja, mbiemrin e të cilës nuk i kujtohej, Ajtenja e shkuar në Turqi, Gjyzelja, Alush Horosani . Ndërsa mësues i kujtohen Nehat Hazirit: Demirali Hoxha, Tajar Zylfiu, Fehmi Salihu. Nehat Haziri e përmend arsimdashësin kushëririn e vet Hasan Hazirin, i cili i mësonte mësim fetar , por i cili gjithashtu disa ditë më parë i përgatiti Nehatin, Xhevatin dhe Abdullahun dhe në ditën e hapjes i dërgoi këta në shkollë.

Nehat Haziri thotë se me frikë të madhe, por kurreshtar shkuam në shkollë, te Vila  “Letafet” ku ishin tubuar shumë njerëz, qytetarë, nxënës dhe mësues të shkollës.

Bisedë me Mushrefe Ahmedi-Halili, e lindur më 1935 dhe nxënëse e klasës së parë  në shkollën e parë shqipe, të cilën e zhvilloi Mahmut Ahmedi, mësuam se nxënës të klasës së parë të kësaj shkolle ishin: Musherefe Ahmedi, Nerminja e Alush Shehut, Hidajetja e Sali Dodes, Zekija e Rexhep Shitës, Nezaqetja, motra e Halilit të Rrahmonëve, Eminja e Hevzi Saraçit, të shkuar në Turqi, Hikmetja e Abdulla Haxhi Velisë, Elhamja e Hysit të Mutishëve, Makfirja nga Bujanoci, Sinije Osmani-Aliu e Mutishëve si dhe nga nxnënësit mashkuj i kujtohet edhe Sula i Kadri Mullinxhisë së Karaponxhëve.

Zonjës Musherefe nga mësuesit i kujtohen Abdullah Ukshini,Hilmi Qerimi, Demirali Hoxha, më vonë Kadrije Qerimi, Alije Qerimi.

Në bisedë me Vebi Aliun-Dasa mësues nga Presheva, lidhur me shkollën e parë shqipe në Preshevë mësuam se nxënës të klasës së parë, pos tij ishin: Zejnel Kelmendi, Zeqavete Veliu, Zehra e Halil Agës, Xhevat Bugarina, Ymer Shabani, Sylejman Ahmeti, Vahit Mustafa, i cili në pyetjen tonë lidhur me shkollën e parë shqipe, asgje nuk deklaroi, Bejtullah Osmani. Sipas Vebiut klasa e parë numronte dikund rreth 25 deri në 30 nxënës.

Poashtu atij i kujtohet se udhëheqësit ishin radhitur në të majtë të oborrit të Vilës “Letafet”, te shkallët.Ndërsa si mësues i kujtohen Hilmi dhe Hava Qerimi.

Në këtë bisedë ishte prezent edhe Xhemal Bektashi, mësues nga Miratoci, i cili në bisedë e sipër tha se mban në mend dhe i kujtohen fjalët e të ndjerit Shukri Qerimi, i cili paska thënë se shkolla e parë shqipe është hapur në Preshevë.

Poashtu në bisedë me Ramadan Ahmetin-Aga Dani i Kajallarëve, nxënës i klasës së parë në shkollën shqipe mësuam se me te në klasë të parë ishin edhe Muharrem dhe Islam Iljazi të Mëhallës së Berberëve dhe se i kujtohet se Demirali Hoxha i paska mësuar dovë dhe lutje fetare.

Në bisedë me Bejtullah Osmanin, lidhur me shkollën e parë shqipe mësuam se nxënësit e shkollës ishin të ndarë sipas moshës në tri /3/ grupe apo paralele. Pra ishin të përfshirë në klasën e pare, fëmijët e Preshevës që nga mosha 7 vjeç deri më 15 vjeç.

“Në shkolla u përfshinë fëmijët nga 7-15 vjeç, por të gjithë në klasën e parë të fillores, pasi që në kohën e luftës nuk kishin pasur mundësi të vijonin shkollën fillore.”  

Grupin e parë e bënin të moshuarit dhe më të vjetrit, të lindur më vitin 1930, atëherë ishin 15 vjeçar. Sipas Bejtullah Osmanit këta ishin: Abdylqerim Saqipi i Mëhallës së Alimetëve, sipas kujtesës së djalit të tij Rexhep Saqipi ishte nxënësi më i mirë në klasë në matematikë, ashtu i paska thënë babai tij, Ramadan Ahmeti-Aga Dani i Kajalllarëve, Fehmi Dalipi, nip i Hallaçëve në rrugën M. Tita, Fehmi Kelmendi i Mutishëve, Selveri i Vebisë së Mëhallës së Derrajve, si dhe nxënësit që i përmend Aga Dani.

Grupin e dytë të nxënësve e bënin fëmijët e lindur më 1933-35, nxënësit të cilët i përmendi Musherefe Ahmeti-Halili dhe Nehat Haziri,  ndërsa grupin e tretë sipas Bejtullah Osmanit e bënin fëmijët e lindur më 1937-38: Bejtullah Osmani, Sylejman Hyseni, Rahim Hamidi i Kurbalisë, Nexhati Hamidi, Lutfi Jahiu i Harunëve, Selajdini i Mëhallës së Bugarinëve, Xhevat Miftari i Mëhallës së Alimetëve dhe të gjithë ata që i përmendi Vebi Aliu-Dasa.  

Grupin e parë dhe të dytë të nxënësve e ka udhëhequr mësuesi Hilmi Qerimi, sipas Bejtullah Osmanit, të cili pos Hilmiut i kujtohet si mësues edhe Nazmi Mustafa.

Poashtu sipas Bejtullah Osmanit, përgatitjet për fëmijët në Preshevë, për të shkuar në klasën e parë kishin filluar shumë më herët se më 7 shkurt 1945. Atij i kujtiohet se në mbarim të vitit 1944 dhe fillim të vitit 1945 nuk kishte lokale të përshtashme për shkollën shqipe, sepse të gjitha lokalet ishin të zanur nga ushtarët e Brigadës së Shqipërisë, e cila dikur më 1,2 dhe 3 shkurt 1945 bëri përgatitjet dhe sëbashku me Brigadën e Preshevës shkuan për në Frontin e Sremit. Atëhërë u liruan lokalet për shkollë, Abdullah Haxhi Veliu e dha Vilën “Letafet”, shtëpinë e banimit për shkollë.

Përgatijet për shkollën e parë shqipe ishin bërë shumë më herët në Preshevë, duke i përgatitur fëmijët për shkollë. Propagandimi për shkollë bëhej atëherë nëpërmjet dhetarëve të Brigadave të Shqipërisë dhe asaj të Preshevës nëpër shtëpitë e qytetit të Preshevës, thotë Bejtullah Osmani.

Dikur më vonë shkolla e parë shqipe kaloi në ndërtesën e shkollës serbe, ndërtesës së sotme montazhë karshi Stacionit të Autobusave dhe në Medresenë në Preshevë. 

Nxënësit e shkollës së parë në Preshevë, me rastin e vdekjes së Abdullah Krashnica, në mënyrë të organizuar morën pjesë në varrimin e tij.

Poashtu Bejtullah Osmani më përmendi se në bisedë më Hafëz Avni Ahmetin paska mësuar se baba i tij Hafëz Lutfi Ahmeti, më 4 shkurt 1945 paska marrë detyrën e përgjegjësit për kulturë në Preshevë.

Në fillim sipas Bejtullah Osmanit, populli e mbante shkollën, nxënësit dhe mësuesit, duke i përgatitur dhe duke i ushqyar me dreka dhe darka.

Filed Under: Histori

ÇMIMI NOBEL SVJETLLANA ALEKSIEJEVIÇ; “PËRSE MBI 60 % E RUSËVE MBËSHTESIN PUTININ”

March 14, 2022 by s p

Nga FABRIZIO DRAGOSEI/

Svjetllana Aleksiejeviç jeton në Gjermani që kur i është dashur të lerë edhe një herë tjetër Bjellorusinë e saj, mbas shtypjes së manifestimeve demokratike të vitit 2020. Ishim dëgjuar në telefon kur ajo kishte paditur se dy burra të maskuar ishin orvatur të hynin në apartamentin e saj. Ambasadorët e Vëndeve të ndryshme shkuan në shtëpinë e saj deri sa nuk qe e shtrënguar të ikte. Lukashenko ishte shpëtuar nga Putini. “Të gjithë ishin arrestuar ose kishin ikur jashtë Shtetit”. Çmimi Nobel për letërsinë i marrë më 2015 nuk e mbronte më.

Njoftimet e këtyre orëve mbi ushtarët rusë të vdekur në Ukrainë e mbi trupat e tyre që fillojnë t’u kthehen nënave më solli ndër mënd “Djemtë e zinkut” tuajin, mbi shumë, tepër shumë të rënë në luftën e Afganistanit që dha ndihmesën e saj për shëmbjen e regjimit sovjetik me përfundimin e tij rrënues.

Po e kam menduar edhe un. Edhe mbi faktin që librat e mij ngulmojnë të mos bëhen histori. Që Rusia kthehet mbrapsht me hapat e saj, ecën duke u rrotulluar. Gjindemi në një pikë absolutisht të papritur të historisë. Askush prej nesh nuk mendonte se një gjë e këtij lloji mund të ishte e mundur.

Çfarë u thoshin të mbijetuarit e Afganistanit kur i pyesnit?

“Kujt i shërben libri i yt? Përse? Si mund të tregosh me të vërtetë si ishte? Gamilet e ngordhura dhe burrat e vdekur në të njëjtin pellg gjaku. Kush don t’a dijë?

Svjetllana është bijë e një babai bjellorus e një nëne ukrainase. Për të përzierja e Minskut është veçanërisht e dhimbëshme.

Shumë thonë se Putini është çmëndur, se ajo që po bën nuk është e arsyeshme.

“Është e lehtë të padisësh, do t’ishte një shpjegim i thjeshtë, por nuk e dijmë të vërtetën. Kam frikë se gjërat qëndrojnë ndryshe. Janë botuar të dhëna të tjera: më shumë se 60 % e rusëve do të mbështesnin Putinin dhe këtë luftë”.

Por a janë të dhëna të vërteta apo është propaganda e Kremlinit?

Nuk kemi hulumtime të tjera, por është e sigurtë që shumë njerëz e mbështesin dhe thonë se nuk dihet asgjë, se është e gjitha një grumbull gënjeshtrash, lajme të shpikura. Nuk mund të jetë ashtu nuk është reale. Por tani, mbasi kanë mbyllur radion Jehona e Moskës dhe tv Dozhd , praktikisht ka mbetur vetëm Novaja Gazeta. Askush në Rusi nuk do t’a dijë të vërtetën, do të jetë një Vënd i mbyllur.

Presidenti rus nuk është i vetmi për të ushqyer ndjenja “hakmarrjeje”?  

“Besoj se Putini respekton opinionin e rusëve mesatarë që jetojnë në rrethinat, t’atyre rusëve që nuk mund të lejojnë poshtërime, siç thonë ata. Për librat e mij më është dashur të udhëtonja shumë nëpër Rusi dhe mjaft prej atyre që kam dëgjuar flisnin shumë për poshtërim, më shumë se për çdo gjë tjetër: askush nuk ka frikë prej nesh. Sa janë ngritur lart nga morali kur kanë mundur të thonë se Putini i ka bërë të ngrihen në këmbë që kur ishin në gjunjë para botës! Ndruhem se kjo ndjenjë “perandorizimi” është e rrënjosur thellë. Kur u shëmb BRSS në 1991 jemi gëzuar se gjithshka do të kishte ndodhur në mënyrë paqësore. Kemi mbivlerësuar vdekjen e komunizmit. Nuk është aspak e vërtetë, aspak. Po e kuptojmë tani. Ky njeriu i kuq, homo sovieticus, kuptojmë se është i gjallë. Shumë nga ajo që ishte në kohët sovjetike na ka lënë gjurmët, ka lënë gënjeshtrën”.

A është ky trashëgimi i komunizmit?

“Nëse shohim mbrapa historinë tonë, si atë sovjetike, si atë pas sovjetike, është një varrezë e pamatëshme e përbashkët, një dush gjaku i vazhdueshëm”.

Putini a bën levë mbi një shumicë krenare të rilindjes së Vëndit të Madh? 

Po, mendoj pikërisht ashtu. Nëse nuk do t’a ndjente instiktivisht atë mbështetje, nuk do të kishtë bërë atë që po bën. Së paku jo në një mënyrë kaq tq pacipë, të sulmohet një Vënd sovran duke folur me aq urrejtje. E kam fjalën për atë që ka thënë duke bërë një leksion historie plot analfabetizëm. Por ky është vizioni i tij i botës. Pra, në vënd që të shkojmë drejt s’ardhmes po ecim mbrapa drejt Mesjetës”.

Sa larg mund të shkojë? Cilët janë synimet e tij?

“Kam frikë se shumë larg. Dyshoj se do të ndalohet vetëm me Ukrainën, nëse do të arrijë të fitojë. Shpresoj që Evropa që është rrjeshtuar e thukët, të thotë të sajën,po ashtu SHBA. Jo rastësisht ai na tremb të gjithëve me armët bërthamore”. 

A është e mundur që t’arrihet aty?

“Është e pakonceptueshme për ne. Por në kokën e atyre njerëzve….. Gjatë mbledhjes së famëshme të Këshillit të Sigurisë shihnja fytyrat e jo të gjithë kishin entuziazmin e Putinit. Së fundi të gjithë e kuptojnë se janë shtyrë shumë. E kuptojnë biznesmenët, shumica e kupton”.

A mund të ndodhë ndonjë gjë në Rusi?

“Sistemi i sotëm autoritar i bën të gjithë të lidhur, është e vështitë të dali gjë jashtë. Je kundërshtar, nuk e pranon, por nuk mund të dalësh jashtë. Të gjithë thonë tani, çfarë të bëjmë? Çfarë të bëjmë? Un mendoj se duhet punuar me atë 60 % që duket se mbështet Putinin. Duhet folur, shpjeguar. Do të ketë zi, do të vijnë qivuret, është gjynah që duhet të jetë ky çmimi i heqjes së mbulesës së syve. Populli do t’i hapë sytë sepse arritja e 5000 qivureve është e rëndë”.

Vëndi i juaj, Bjellorusia, ç’është bërë? Një krahinë e Rusisë?

“Është një makinë e kohës, një muzeum i së shkuarës. E tashti edhe kjo: Lukashenko nuk ka asnjë lloj pavarësie, Bjellorusia është plot trupa ruse, e me që humbjet janë të shumta, Putini do t’a detyrojë të marrë pjesë në luftë”

Po gjindja çfarë mendon? 

“Është kundër. Në ndryshim nga ajo ruse, shoqëria bjelloruse nuk do të mbështesë luftën. Bjellorusët i kanë parë gjithmonë ukrainasit si vëllezër e motra, si popullin tonë vëlla. Nuk ka asnjë urrejtje, si ndërmjet rusëve e ukrainasve që i ngjisin nofka përbuzëse njëri tjetrit, moskal, moskovit i vogël; khokhol, cullufe (ajo e kozakëve që zbret nga koka e rruar)”. 

Çfarë pritet?

“Mendoj se bota e veçanërisht politikanët duhet të gjejnë mënyrat të ndalin Putinin, por se cilat nuk e di. Ai në bisedime flet vetëm për kapitullimin e Ukrainës e mjaft. Besoj se gjithë bota duhet të ndihmojë Ukrainën. Dhe un mbështes krijimin e një ushtrie të huaj prej mijra njerëzish që vijnë në ndihmë dhe armët që duhet t’i jepen Ukrainës. Kur i telefonova një kushërirës sime duke i thënë “Bëhuni të fortë, tani arrijnë armët”, m’u përgjigj: “Svjetllana ime, armët do t’i kemi, po ku do t’i gjejmë të rinjtë? Djemtë tanë kanë vdekur me mijra”. Jam shumë e kënaqur që kam gjak ukrainas. Jam krenare për mijrat djem e për ata njerëz, fëmijë, të moshuar që nëpër fshatra hidhen kundër tankeve me duar bosh, bien në gjunjë për të mos i lënë të kalojnë. O Zot, O Zot!”

Juve keni shkruar me tregimet e të mbijetuarvet e të të afërmëve të aq të vdekurve. E tani lajmet nga centrali i Zaporizhias po i llahtarisin të gjithë.

“Përdorim ende konceptet e vjetrai largët- i afërt, armik-mik, por mbas Çernobilit kjo nuk do të thotë më asgjë. Ditën e katërt reja e Çernobilit fluturonte mbi Afrikën dhe Kinën. Ne-ata, armiq-miq nuk kanë më kuptim sepse është era ajo që vendos se ku do të shkohet”. 

“Corriere della Sera” 4 mars 2022        Përktheu Eugjen Merlika    

Filed Under: Analiza

Traditë shqiptare: Dita e Verëzes-Verës, në Kosovë si në Shqipëri

March 14, 2022 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, Mars 2022/ Dita e Verëzës, si Dita e Verës në Elbasan – në Shqipëri në 14 Mars, është edhe në Kosovë në të njëjtën kohë e me rite dhe emërtim të ngjashëm, në rajonin e Prizrenit, të Zhurit, Vërrinit, përfshirë krahinën e Opojës  në malet e Sharrit në lartësi mbi nivelin e detit mëse 1.000 metra, në komunën e Dragashit, më jugoren në shtetin e ri të dytë të shqiptarëve.

Në Kosovë, edhe pse ka ide,  ende nuk ka organizime institucionale, për festimin e Ditës së Verëzës, por ritet e festës së lashtë pagane iliro-shqiptare tradicionalisht janë ruajtur brez pas brezi nga populli. 

Ndërkohë, Dita e Vërëzës prej pesë vitesh është festë zyrtare në Prizren, sipas vendimit të Kuvendit të Kumunës.

“Si festë tradicionale është e theksuar në fshatrat e Vërrinit, Lumës dhe të Opojës. Në 14 Mars, fillon ripërtëritja e natyrës dhe si festë do ia shtonte atraktivitetin Prizrenit si qytet turistik”, u theksua me atë rast.

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prizrenit në  23 Shkurt 2017, kur u mor vendimi, u lexua shkrimi i vitit 1911 i personalitetit të madh të kombit shqiptar, Faik Konica “Ç’është dita e verës?”, ku theksonte se  “Është dita në të cilën stërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtonin bashkë me Romakët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve”.

Në Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, në një raportim nga Kosova para 10 viteve,  në 14 Mars 2012, shkruaja për idenë se, Elbasani mund të jetë shembull edhe për Prizrenin, për organizime institucionale në festimet e Ditës së Verëzes.

“Kjo pyetje juaj është një ide e mirë për të ardhmen”, tha atëherë koordinatori për kulturën në Komunën e Prizrenit, Urim Ukimeri, duke u përgjigjur në pyetjen nëse ka ide apo iniciativa që në qytetin më të madh jugor të Kosovës Dita e Verëzes të shënohet edhe me ndonjë organizim institucional, si në Elbasan.

Në një foto ekskluzive arkivi të vitit 2010 shihet një fëmi në Opojë, ku në Ditën e Verëzes në dëborë me vezë të ngjyera është shkruar shkurtesa me shkronja të para të emrit në anglisht Albanian Telegraphic Agency – ATA e Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) – Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, për të cilën prej mëse çerek shekulli, nga pranvera 1992, raportoja nga Kosova edhe për festimet e Ditës së Verëzes.

Ndërsa, para 26 viteve, në 18 Mars 1996, në gazetën e përditshme të rezistencës “Bujku”, të vetmes atëherë në Kosovë, themelues-kryeredaktor i  parë i së cilës isha, në reportazhin nga kufiri Kosovë-Shqipëri me titull “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”,  i dërguar edhe në ATSH dhe që në “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetur” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë e gjejë se është botuar, në 19 Mars 1996, edhe në gazetën Rilindja që dilte në Tiranë pas ndalimit nga regjimi okupues në Prishtinë,  mes tjerash, kam shkruar:

“Një grup i të rinjëve dhe të rejave nga rrethi i Prizrenit, ditë më parë ishin penguar të shkojnë në Shqipëri, meqë nuk iu ishin dhënë vizat dalëse nga administrata e instaluar policore serbe në Prizren.

Qëllimi i udhëtimit të tyre në Shqipëri ishte të marrin pjesë në festën e njohur të qytetit të Elbasanit-të Ditës së Verës, Ditës së Luleve, të 14 Marsit.

Donin të shihnin se si kremtohet në Elbasan e njëjta festë që është edhe në Prizren e rrethinë”.

Në Opojën e njohur për dimrat me shumë dëborë e pranvera ca “të vonuara”, në prag të Ditës së Verëzes,  pasdite dhe në mbrëmje të rinjë, po edhe fëmijë, ngjiten bjeshëve, te krojet që nuk shterrojnë kurrë, mbledhin bimë, lule, drunj e  shkurre dëllinje, dhe ndezin zjarre.

Vezët e ziera e të lyera, cakërrohen me njëra-tjetrën në garën cila është më e forta, ndërsa të spërkatura me ujin e krojeve hahen në bjeshkë dhe në shtëpi për shëndet e jetëgjatësi.

Në Ditën e Verëzës zgjimi është i hershëm dhe vazhdojnë ritet e festës, pjesë e së cilës janë edhe këngët e vallet, edhe gatimet e traditës me miell misri apo gruri, por që nuk janë ballokume Elbasani, edhe pse të ngjashme janë.

Në drekën e Ditës së Verëzës në tryeza-sofra shtrohet edhe mishi i qengjit, sipas traditës së këtyre anëve me blegëtori të zhvilluar.

Dita e Verëzës festohet nëpër familje, së bashku, si dhe me vizita te fqinjët e farefisi, me besimin se sjell fat, shëndet, mbarësi, e dashuri njerëzore.

Në këtë ditë që është e verës së re, ritet, përfshirë edhe lulet e bimët që vendosen mbi portat e shtëpive, ndërlidhen edhe me zgjimin e bimësisë, gjallërimin,  kalimin nga dimri në pranverë.

Afër Prizrenit dhe në kufi me Shqipërinë, në rajonin e Vërrinit, në festime në fshatin Zhur, vezët e ziera i ngjyrosin fëmijët dhe bashkë me të rinjët dalin në zonat malore të afërta, ku mbledhin lulen e parë që lulëzon në pranverën e herëshme, luleborën.

Nënat zhurjane bëjnë gatimin tradicional, flinë, si dhe shumë gatime të tjera të veçanta për Ditën e Verëzës, që ështe edhe dita e vizitave të shumta mes të afërmëve dhe familjarëve.

“Ani mori Verë moj e lumja Verë

Ani dita e parë o ani e Pranverës o”.

Këto janë vargje të këngëve që këndohen në këtë festë të Ditës së Verëzës në Zhur, fshatin më të  madh të Kosovës afër vendkalimit drejt Shqipërisë në Vërmicë-Morin nëpër Autostradën e Kombit.

Verëzës i këndohet edhe në 13 Mars – në mbrëmjen e pragditës së saj, derisa në çdo lagje të fshatit të rinjtë ndezin zjarre “që t’i japin sa më shumë fuqi Diellit”…

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT