• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2022

Politika e vulgaritetit, sundim përmes injorancës

March 10, 2022 by s p

Ergys Mertiri/

Progresi teknologjik i komunikimit dhe kontrolli i medias mbi opinionin publik ka sjellë një transformim rrënjësor të politikës në shoqëritë moderne. Media përcakton mënyrën se si ajo zhvillohet, gjë që do të thotë se politika varet nga mjetet e komunikimit që përdor. Për shkak të varësisë nga media, politika është bërë gjithnjë e më shumë e painteresuar ndaj ideve dhe qeverisjes në vetvete, duke u përqendruar thuajse plotësisht tek imazhi. Ajo nuk ndodh në ndonjë realitet konkret, por ndodh vetëm në ekran. Ajo është një veprimtari e shfaqur dhe e kushtëzuar ekstremisht nga shfaqja dhe si e tillë ajo është bërë spektakolare dhe thellësisht propagandistike. Siç thonë disa studiues, tashmë ajo mund të quhet videopolitikë.Efekti i natyrshëm i spektakolarizimit të politikës është vulgarizimi i saj. Giovanni Sartori është një nga ata studiues që pohojnë se ajo karakterizohet sot nga të mosmenduarit. Kalimi nga gazeta tek radio dhe ankorimi në televizion, si arena kryesore ku bëhet dhe shfaqet politika moderne, ka bërë që pesha e fjalës (qoftë kjo e shkruar, apo e folur) të humbasë dhe të dominohet tashmë nga imazhi. Në këtë mënyrë, politika çlirohet nga forca e mendimit për të shkuar gjithnjë e më shumë drejt shfaqjes. Imazhi e ndërpret mendimin kritik dhe procesin e të gjykuarit thellë tek individi. Ai, gjithashtu, prodhon reagime emocionale dhe jo racionale te publiku. Kjo bën që politika, si një veprimtari televizive, të mbështetet gjithnjë e më pak tek idetë e programet dhe gjithnjë e më shumë tek efektet emotive, të prodhuara nga stimujt e kushtëzimit veprues të propagandës.Nga të gjitha format e komunikimit, thotë Sartori, imazhi gënjen më shumë, pasi ai flet vetë dhe nuk lë hapësirë për koment. Për këtë arsye, sipas tij, televizioni është mjeti më i rrezikshëm i komunikimit e, rrjedhimisht, politika e sunduar nga televizioni, prodhon një demokraci që nuk formësohet nga arsyeja, por nga injoranca. Kjo do të thotë se demokracia ka humbur idealet mbi të cilat është ngritur duke dështuar të prodhojë një politikë të arsyes.Sipas Sartorit, televizioni ndikon mbi turmat duke falsifikuar autoritetin. Ai përdor njerëz të famshëm, pa asnjë lloj atributi intelektual – këngëtarë, futbollistë, aktorë – duke iu dhënë atyre autoritet për të manipuluar turmën. Injoranca kthehet në standard dhe në mjet sundimi. Me këto mjete, videokracia fabrikon opinionin, çka boshatis demokracinë nga atributet e saj si një qeverisje e opinioneve. Televizioni vepron si zëdhënës i publikut, por ai është vetëm jehona e zërit të vet, e cila i mbivendoset publikut.Politika e sotme është jo vetëm irracionale, por, në një masë të konsiderueshme, edhe e pavetëdijshme. Aldus Huxley vëren se njerëzit në përgjithësi komunikojnë më shumë në mënyrë të pavetëdijshme sesa të vetëdijshme. Shumica e gjërave që shohim e dëgjojmë gjatë ditës, nuk janë objekt i vetëdijes sonë. I gjithë ky informacion, sipas tij, depozitohet në nënvetëdije, gjë që bëhet një burim i madh ndikues mbi mendimet, ndjenjat dhe sjelljet tona të vetëdijshme.Këtë mund ta themi edhe për zgjedhjet tona politike. Votuesi nuk bën llogari apo analiza të specializuara për të përcaktuar se kujt ia jep votën. Ai gjykon mbi bazë të përshtypjes, e cila ka marrë formë në nënvetëdijen e tij, teksa më pas, ai mund të debatojë dhe të arsyetojë se si dhe pse një forcë politike është më e mirë se tjetra. Arsyet e zgjedhjeve, përtej argumenteve tona, janë më shumë produkt i sferës së nënvetëdijes. Në thelb, përveç se joracionale, demokracia moderne është gjithashtu një “udhëheqje e pavetëdijes së popullit”.Nëse dikur media dhe shtypi i lirë janë parë si burim i rëndësishëm i demokracisë, sot ato janë burimet që po e tjetërsojnë atë. Ato nuk janë më mjete të mirëfillta informimi, por burime manipulimi dhe propagande. Demokracia kthehet në një sistem ku garojnë manipuluesit. Aftësia për të manipuluar bëhet kapitali më i madh politik dhe fuqia që përcakton suksesin. Politika është si një pazar ku tregtarët shesin e blejnë imazhin e tyre. Njësoj si në një qendër tregtare, blerjet tona nuk varen aspak nga cilësitë reale të mallrave, por nga fuqia marketuese e tyre. Kjo do të thotë se partitë nuk janë më alternativa qeverisëse, por, siç thotë Lazarsfeld “agjenci reklamash që luftojnë për monopolizim të vëmendjes”.

Filed Under: Sociale

SHBA-Escobar shprehu mirënjohjen e thellë për qëndrimin e Kosovës në mbështetje të Ukrainës

March 10, 2022 by s p

PRISHTINË, 10 Mars 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës  dërgoi sot edhe këtë komunikatë nga vizita e ministrit Xhelal Sveçla në Shtetet e Bashkuara të Amerikës:

Komunikatë për media

Nr. 07/2022

Prishtinë, 10 mars

Ministri Sveçla takoi Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar

Në kuadër të vizitave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministri z. Xhelal Sveçla u prit nga Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar.

Gjatë këtij takimi ministri Sveçla e falënderoi z. Escobar për rolin e tij në procese të rëndësishme për vendin tonë dhe për ndihmën bujare që i ka dhënë shtetit të Kosovës ndër vite.

Ai gjithashtu theksoi nevojën për të forcuar më tej aleancën me SHBA-në në fushat me interes të përbashkët.

Gjatë këtij takimi u bisedua edhe për arritjet konkrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme në fushën e luftimit të krimit, korrupsionit dhe terrorizmit dhe nevojën e bashkëpunimit të ngushtë për stabilitet afatgjatë në rajon dhe më gjerë.

Gjithashtu gjatë këtij takimi u diskutua edhe për konfliktin ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë dhe qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj të drejtave të popullit ukrainas si dhe gatishmërinë e qeverisë së Republikës së Kosovës për të qenë një partner i besueshëm në sigurimin e paqes dhe stabilitetit.

Ndërsa në anën tjetër z. Escobar shprehu mirënjohjen e thellë për qëndrimin e Kosovës në mbështetje të Ukrainës dhe garantoi përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së SHBA-së për të mbështetur plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Ai po ashtu falënderoi Kosovën për mbështetjen e saj në strehimin e përkohshëm të qytetarëve afganë si dhe gatishmërinë e treguar nga Qeveria e Kosovës për pranimin e refugjatëve nga Ukraina.

Në fund të takimit të dy u dakorduan që të intensifikojmë edhe më tej bashkëpunimin mes dy vendeve drejt sundimit të ligjit në Kosovë, stabilitetit në rajon dhe unitetit për një përfundim paqësor të konfliktit në Ukrainë.

Filed Under: Fejton

Kosovë-Presidentja Osmani takoi Ambasadorin Amerikan, Jeffrey Hovenier

March 10, 2022 by s p

PRISHTINË, 10 Mars 2021-Gazeta DIELLI/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot ka pritur në takim të rregullt ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier.

Në takim është diskutuar për zhvillimet në vend, rajon dhe më gjerë nga ndikimet në ekonomi dhe në fushën e sigurisë nga lufta në Ukrainë.

Presidentja Osmani kërkoi mbështetjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në adresimin e pasojave ekonomike nga ngritja e çmimeve të produkteve ushqimore bazë në Kosovë.

Ajo gjithashtu potencoi se mbështetja e Shteteve të Bashkuara është qenësore për thellimin e raporteve dhe bashkëpunimit me NATO-n duke marrë parasysh synimin legjitim të Republikës së Kosovës për të qenë pjesë e Aleancës veri-atlantike, programit të Partneriteti për Paqe dhe Kartës së Adriatikut.

Filed Under: Ekonomi

Djemtë e Lushnjes

March 10, 2022 by s p

Ilir Levonja/

Nga gara e 6 marsit për Bashkinë e Lushnjes, vura re një gjë, që kandidatët e djathtë nuk sulmuan njëri-tjetrin. Të paktën me aq informacion sa munda të mbledh. Bën atë fushatën e tyre duke u kërkuar qytetarëve votën me bindjen se do ndryshonin fatin e qytetit. Dhe kishin arsye të mëdha, pasi nga gjoja reformat territoriale apo decentralizimin e pushtetit, Lushnja ka humbur shumë. Gjasat janë që shumë shpejtë të jetë një aneks rrëzë kodrave të Darsisë si për Fierin ashtu edhe për Divjakën. Në kohën e Turqisë ishte një aneks i Beratit. Në kohën e Ahmet Zogut, aneks i Fierit. Në kohën e Enverit, magazinë e të internuarve dhe hambar i drithërave për shtetin shqiptar. Në demokraci, u luhat me ngritje e zbritje, duke përfunduar sot në një aneks personal të sejmenëve të Edi Ramës, si Braçe, Fino (ndjesë pastë), Ruçi, Balla etj. Ka katër deputetë, 3 nga e majta dhe 1 nga e djathta. Ata nga e majta nuk i kemi parë ndonjëherë të bëzajnë në parlament. Janë shembulli i përkryer për të rrëzuar mendimin, atë ankimim kur themi, se si është e mundur që nuk kemi një vendali, një nga qyteti në parlamentin shqiptar. Po gjithmonë na përfaqësojnë njëshat apo dyshat e partive. Ja që Lushnja i ka tre, në qeveri për 9 vjet. Shfaqen vetëm në fushata derë më derë dhe aq. Me përjashtim të rastit kur do promovojmë Enverin etj. Apo të batutave për t’u mbajtur mend. Megjithatë qyteti tkurret madje ka humbur sharmin intelektual për shkak edhe të firove nga pandemia shqiptare e ikjeve masive. Nga ana tjetër, i vetmi investim i një rëndësie për t’u përshëndetur, është ringjallja e resortit të Divjakës apo ruajtjes së frymës bio së kënetës së Karavastasë. Investimet ka qënë vetëm fasada, aq sa sot sheshi tradicional është një mozaik i shëmtuar i angushtisë së hapësirave lushnjare. Korrupsioni e dëmtoi publikisht duke i arrestuar gjysmën e administratës, kryetar e nënkryetarë, të cilët në raport me kolegët e tyre në Durrës apo Elbasan, ja ca milingona fushe që i përkasin asaj kulture, zë një vend për të rrugulluar bythën tënde. Pra ishin kaq arsye madhore që rrotacioni të ndodhte, sa mund të motivonte edhe intelektin e majtë. Por kjo nuk ndodhi. Për rrjedhojë, në bazë të shifrave, i bie të mendojmë se dëmi nuk është rastësor, është pikërisht i qëllimtë. Zë fill nga reformat territoriale, nga marrëveshja Rama-Basha. Zona rurale dominojnë aktualisht mbi Bashkitë e vendit. Kthejeni si të doni, por është tipike strategjia e Erdoganit me reformat e tia, ku sot ai rri në pushtet pikërisht me votat rurale se sa ato të metropolove. Në bazë të shifrave gjithmonë, përçarja e së djathtës sot, rrezikon një dominim total të së majtës edhe për një të ardhme të largët. Madje, madje, siç po shihen bathët, ku Basha nguron si derri i haureve për t’u tërhequr, mund të lindi edhe një pol i tretë. Kësisoj pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme mund të rri akoma tek ai 30%-shi tashmë klasik, me një përjetësim tipik enverist, ku Rama mund ta shpalli veten edhe mbret. Nëse shumë të majtë e shohin si arritje, kjo është rënia më e madhe kombëtare. Megjithatë jemi tek dy djemtë e së djathtës, tek fushata e tyre për të mos bërë të mundur vdekjen e qytetit. Të dy djemtë i përkasin së djathtës. Për më tepër familjeve puro qytetare e tradicionale të qytetit tim. Këtij qyteti që shpesh i ka dhënë udhë deri fatit kombëtar, siç është edhe rasti i kongresit të janarit 1920. Nga ana tjetër dëshmon qartë se sa e distancuar është qëndra nga qytetet. Shumë e shohin të pamundur riunifikimin, por zgjidhja është ty, tek modeli i bazës. Një komunikim xhentëlmensh madje një rigrupim i bazave do e nxjerri jashtë loje qëndrën. Deri sa ata nuk dinë të rigrupohen, merrni në dorë fatet e bindjeve tuaja. Mblidhuni, diskutoni, por jo gjaknxehtë, jo kush ka të drejtë dhe kush jo. Nuk ka kapitull më dobiprurës se sa të mësosh prej humbjes. E djathta sot ka humbur pikërisht për shkak të mos pjesëmarrjes, indiferencës, mos t’ia prish këtij apo atij…, shumë nuk kanë dalë për të votuar. Por edhe janë stepur për shkak të sharmit fisnor, të votoj këtë, më zëmërohet ai, etj. Pra mblidhuni dhe i jepni udhë fatit të qytetit, por veç me votë ama. Jo me mendësinë, bëje për mua. 

Filed Under: Analiza

Kënga për Berdo Berdon në përvjetorin e lindjes

March 10, 2022 by s p

Gezim Zilja/

Më 26.02.2022 i “arrestuar”  nga dy miq të mi, u ndodha  i paftuar në Dukat, në 54 vjetorin e  lindjes së kryetarit të grupit polifonik “Jehona Labe,” njeriut fisnik me emër e mbiemër të njëjtë: Berdo Berdo. Nga i paftuar u ktheva në kryemik sipas traditës. Jo vetëm se më ulën në krye të tavolinës, ku ishin rreth dyzetë burra por edhe sepse pas gotave të para, më vunë para një alamet bishti zbukuruar sipër me ca brinjë të thekura, që do të mjaftonin për një “ushtri” të tërë. Berdua për të nderuar kryemikun e paftuar u ul pranë meje. Tek e shikoja, nga afër, me një trup mesatar,të shëndetshëm, tepër të fuqishëm, energjik, me kraharorin zbuluar, dukej si një copë shkëmbi i shkëputur nga malet.  Më kujtoi  pasardhësit e denjë të asaj race të pastër shqiptare, që përshkruan Evliha Çelebiu , udhëtar e dijetar i shek. XVII, për krahinën dhe djemtë e Dukatit: “… Ndërmjet Perëndimit e Jugut ndodhet krahina shqiptare e Dukatit me 100 katunde të pashtruar e të pabindur. Banorët e kësaj treve janë kokëzinjë dhe mbajnë feste… Janë ndër burrat më trima të kombit shqiptar…. Trimat e rinjë janë fodullë, vishen me rroba të shkurtëra ( poture dhe tirqe. Shën,im) dhe të ngushta. Për hir të zotit duhet thënë se janë luftëtarë të rreptë.Shumica e tyre lidhin kokën me çallmë të bardhë dhe rrinë me kraharorin zbuluar, që u piqet e rregjet prej rrezeve të diellit… Kanë shëndet të plotë e u shkëlqen lëkura nga ngjyra e kuqe. Përkth.shqip. Faqe 77-78.”  Dikush po thoshte ca fjalë të thjeshta, për Berdon, dhe pas pak shpërtheu kënga labe. Kam qenë jo rrallë në ahengje e ziafete lebrish, po kurrë nuk e kam kuptuar sesi merren vesh kur fillon një këngë. Sapo marrësi ( këngëtari) kudo që të ndodhet fillon këngën, hedhësi dhe kthyesi të hazërtë, gjenden pranë tij. Zërat e grupit pushtuan gjithçka: dëgjohej vetëm kënga dhe isua e zgjatur me një harmoni  të përkryer. Në pushimet midis njërës strofë e tjetrës ka një heshtje të pazakontë dhe sytë e të gjithëve janë te marrësi. Kënga vinte e avashme, shtruar, gati e përvajshme dhe kjo më çuditi pak. “Moj Labëria me derte /Pse e mban kokën mënjanë?/Vetëm fillikate mbete/Mbetën bosh ato divanë.” Epo kjo punë kështu? Sikur kishim ardhur për të festuar?! Vargu “mbetën bosh ato divanë”, kishte një domethënie rrëqethëse. S’dëgjohet zëri i pleqe/Ata burra festebardhë/Mbetën të rralla oxheqe/Rritet bari nëpër shkallë. Barin që rritej nëpër shkallët e shtëpive të braktisura, oxhakët e rrënuar, shkretimin, që mbulon vendin nga mungesa e njeriut e kisha vërejtur këtë verë në disa fshatra. Kënga ecën ende më e përvajshme: Boshatisur ato djepe/ Duarlidhur seç të lanë/Rinia nëpër kurbete/Nga malli gurët u çanë. Gjatë këtyre fjalëve marrësi, kthyesi dhe hedhësi e shndërruan këngën, në një ulërimë dhimbjeje, dhe kujeje. Dola jashtë, kërkova diku një cigare dhe strofën e fundit nuk e dëgjova, veç isos që  ndihej deri jashtë. 

“Pse e hapët me këtë këngë o Berdo?” i thashë kur u ktheva.“Po na ikën djemuria, po mbetet shkretë Labëria. Nuk gjen dot dhëndër për vajzë, si i thonë fjalës. Andaj e morën të parën …”u përgjegj mendueshëm Berdua.  Ndërkaq një këngëtar tjetër me një zë tenori të shkëlqyer ia kishte marrë këngës himariote aq të famshme. “Vajz’ e bukuro’/Pa dil të të shoh/Moj Katina nina nina /vajz’ e dashuro’.” Atmosfera kishte ndryshuar plotësisht. Fytyrat e të pranishme, që disa çaste më parë ishin të ngrysura e të menduara, ndrinin nga kënaqësia dhe dëshira për të festuar. Tashmë isua ishte jo aq e zgjatur, sërish e shtruar por vinte ëmbël e ëmbël; ajo ajdee-deeeeeeeeeee e hedhësit të çonte në lëndinat plot gjelbërim të bregut, ku ka jetuar Katina e famshme dhe  zëri i kthyesit me pasthirrmat oho-oho-ohoho, ku “o”-ja  shpesh shndërrohej në një “ë” hundore, shprehte herë mall e  herë nostalgji. “Syri yt më vret/Zëri yt më tret/ Moj Katina nina-nina / Bukuria vet!” Kënga mbyllet. Të gjithë urojnë marrësin e këngës: Të lumtë goja! Këngë e paç gjithë jetën! Rrëkëllejnë gotat mbushur me atë lëngun e bekuar, duke ngritur shëndete e mirësira pa mbarim. Në anën tjetër një grua bionde, ia mori këngës me një zë të pastër tingëllues. “Njëzetepesë vite/ veç na ke dhuruar/Këngë burrërore/ nga shpirti i kulluar/…” Këtë herë isua e dalë nga dyzetë burra, me një gojë të vetme, buçiti sa dukej sikur do të binte suvaja e thyheshin xhamat e dritareve. Tani filloi koncerti i vërtetë, mendova. Kthej kokën anash dhe shikoj sesi Berdo Berdo, ky burrë i rëndë, kishte sytë gjithë lot dhe as që i fshihte. Po kjo hata? E preka lehtë në në sup. “ Është këngë për mua? E kupton…?” belbëzoi midis lotësh. Në refren përsëriteshin titujt e këngëve, figurat e të cilave ai u dha pavdekësinë me zërin e tij prej baritoni dhe interpretimin e papërsëritshëm: Hamit Guga një pëllëmbë; Çobanët mbi gjeneralë; Del pasha se jam për udhë; Moj Vlorë e bukur në gropë. Ashtu si Osman Taka, që nuk e krijoi vallen e famshme Çamiko, por e intepretoi në mënyrë të tillë sa ajo u quajt Vallja e Osman Takës, edhe këngët e mësipërme, që janë kënduar edhe më parë, quhen sot  “Këngët e Berdos.” Për këtë grupi polifonik “Jehona Labe” i ngriti këngë dhe e uroi: Me këngët e tua, i dhe historisë/Rrofsh sa të do zemra, bir i labërisë. “Ka lezet ta ngrenë këngën në gjallje,”  më tha një i dukatas, “se po vdiq njeriu, s’ka ç’të shohë e ç’të gëzojë!”

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT