• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2022

SHQIPTARI NIKOLLË LEONIK TOMEU – FIGURË E SHQUAR E HUMANIZMIT DHE E RILINDJES EVROPIANE

April 16, 2022 by s p

Pikture murale e Leonik Tomeu nga viti 1942 qe ruhet ne Sala dei Quaranta ne Palazzo Bo, te Universitetit te Padoves
Portret i Leonik Tomeut punuar nga Paul Jovio ne vitin 1577
Frontespic i librit te L. Tomeut nga viti 1525
Epitafi ne varrin e L. N. Tomeut ne Padove.

Të shkruash për këta intelektualë, që veprimtarinë e tyre e zhvilluan kryesisht në latinisht e greqisht, është një sfidë jo e vogël, sepse kur shfleton opusin e tyre krijues, të vjen keq për heshtjen që mbretëon në albanologji, histori e fusha të tjera për ta. – Njëri ndër emrat më të shquar të filozofisë mesjetare – ose “Aristoteli i ri” – është Nikollë Leonik Tomeu, familja e të cilit ishte shpërngulur nga Durrësi në Venedik. – Gjatë qëndrimit në Venedik, Nikollë Leonik Tomeu, për disa vite ishte njëri ndër drejtuesit e “Scuola degli Albanesi” e themeluar si një shoqëri vëllazërore në vitin 1422, për të ruajtur doket, zakonet, traditën, gjuhën dhe kulturën shqiptare te shqiptarët e shumtë, të shtresave të ndryshme që jetonin e vepronin në Venedik e rrethinë.

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budapest

Një kontribut të veçantë gjatë mesjetës në kuadrin e Rilindjes Evropiane kanë dhënë intelektualë të nderuar dhe shumë të çmuar shqiptarë, të cilët vepruan në mërgim, jo në vendlindjen e tyre në Arbëri, e cila për një kohë ishte objekt sulmesh dhe shkatërrimesh të shumta, e më vonë edhe e pushtuar nga pushtuesi osman. Veprimtaria e këtyre mendjeve të ndritura është fare pak e njohur ose e panjohur fare. Mungojnë studime monografike për veprimtarinë e tyre, por mungojnë gjithashtu edhe të dhëna biografike. Ato pak që janë, shpesh janë kundërthënëse e bien ndesh mes autorëve të ndryshëm, të cilët kanë shkruar shkarazi pa ndonjë thellim dhe studim të mirëfilltë, e ç’është më e keqja, pothuajse tërësisht mungon një bibliografi komplete, shterruese, e cila do na njihte më për së afërmi me veprimtarinë e tyre krijuese, me dominimin e tyre profesional më shumë se një herë në fusha të ndryshme ndaj kolegëve dhe bashkëkohanikëve të fushave përkatëse.

Të shkruash për këta intelektualë, që veprimtarinë e tyre e zhvilluan kryesisht në latinisht e greqisht, është një sfidë jo e vogël, sepse kur shfleton opusin e tyre krijues, të vjen keq për heshtjen që mbretëon në albanologji, histori e fusha të tjera për ta.

Në ndonjë rast, ndonjë zë i vetmuar ka provuar të shkruajë për ndonjërin prej këtyre figurave të mëdha të kohës, të cilët nderoheshin e respektoheshin jashtëzakonisht shumë në vendet ku vepronin e krijonin, duke ngatërruar edhe më keq, edhe ato pak informacione që kishin nga bashkëkohanikët apo të huajt. 

Këta krijues, latinistë arbëror-shqiptarë, në shumë raste e kanë njohur njëri-tjetrin, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Ndër ta mund të përmendim Gjon Gazullin, Marin Barletin, Nikollë Leonik Tomeun, Mikel Marulin, Marin Beçikemin, Mihail Artiotin, Ndre Lleshin, Domenik Topinë, Pal Engjëllin, Pal e Ndre Gazulin, Viktor Karpaqin, Mark Bazaitin, etj., me opusin e tyre krijues në kohën kur jetuan, jo në pak raste kanë shënuar origjinën e tyre, arbërore ose epirote, kanë shkruar për popullin arbëror ose epirot, për heronjtë dhe burrat e nderuar që dolën nga gjiri i këtij populli, duke theksuar më se një herë se ndiheshin krenarë për përkatësinë e tyre.

Njëri ndër emrat më të shquar të filozofisë mesjetare – ose “Aristoteli i ri” – është Nikollë Leonik Tomeu, familja e të cilit ishte shpërngulur nga Durrësi në Venedik. 

Leonik Tomeu lindi në Venedik në vitin 1456 nga prindër shqiptarë, që për shkak të rrezikut osman kërkuan strehim në Venedik, duke krijuar një jetë solide në shtresën e fisnikërisë së lartë venedikase. Në disa raste ka pasur debate si për origjinën e Tomeut ashtu edhe për vitin e lindjes. Mirëpo, kohëve të fundit studiuesi italian M. E. Cosenza, në një studim shumë serioz, me argumenta të forta dhe të qëndrueshme shkencore pohon se Tomeu është epirot dhe mbiemrin e tij e nxjerr me origjinë nga toponimi i malit të Tomorrit. 

Në këtë drejtim, studiuesi kosovar Jahja Drançolli ka dhënë një kontribut të çmueshëm duke botuar disa studime për Tomeun. Ndër të tjera që në vitin 2001, pra para 10 vitesh, ai botoi edhe portretin me ngjyra të Marin Beçikemit që gjendet në Sala dei Quaranta (Palazzo Bo) në Universitetin e Padovës, ku gjendet edhe portretri i Nikollë Leonik Tomeut, të cilin po e botojmë si ilustrim. Pra këto dy portrete janë botuar që para mëse dhjetë vitesh, e jo siç shkruhet në ndonjë rast se botohen për herë të parë, në vitin 2010! 

Si familje e kamur e renditur në mesin e fisnikërisë venedikase, familja e Tomeut kishte prona jo vetëm në Venedik por edhe në qytetet e afërta, si p.sh. në Padovë. Rininë e tij Nikolla e kaloi në mes të Venedikut dhe Padovës. Studimet për greqisht i filloi në Padovë dhe i përfundoi në Milano e Firence. Në vitin 1485 u laureua në Universitetin e Padovës për “Filozofi e mjekësi”. Ai së bashku me të vëllain, Bartolomeun, po ashtu intelektual i njohur i kohës (orator et poeta), gjatë viteve 1485 – 1488 vepruan e punuan në qytetet e Romës dhe të Firencës. Një gjë e tillë na dëshmohet nga letrat origjinale në greqisht të Demetrius Chalcocondyles (Δημήτριος Χαλκοκονδύλης), i cili shkruan për këta dy dijetarë që kishin studiuar te ai dhe ishin shquar për zgjuarsi dhe mençuri.

Duke qenë tashmë emër i njohur në vitin 1486, Nikollën e gjejmë në mesin e eruditëve të shumtë që takoheshin në shtëpinë e ambasadorit të Polonisë, në Firencë, F. Bonacorsi, së bashku me A. Mocenigon, G. Calfurion, L. Creticon etj, të quajtur si “viros eruditos pariter et eloquentes.” Po këtë vit, Nikollë Leonik Tomeu kthehet në Padovë, ku sipas dokumenteve që zotërojmë, kishte një patunshmëri pronësore mjaft të madhe në Padovë (një pallat e kopshte) e Stagna (Salboro), por duke qenë ngushtë i lidhur me filozofinë dhe shkencën ai vazhdon jetën e tij prej diplomati dhe politikani. Kjo gjë vërehet nga letra C. Fedele-s dërguar Tomeut më 9 gusht të vitit 1486 (shih letren e botuar: Cassandrae Fidelis venetae. Epistolae et orationes. Padua: Franciscus Bolzetta, 1636). 

Më 21 prill të vitit 1497, Senati i Venedikut, e emëron Tomeun, profesor të filozofisë dhe të mjekësisë në Universitetin e Padovës, për të ligjëruar në greqisht tekstet greke të Aristotelit. Pra, është profesor edhe më herët se shqiptari tjetër i njohur i Humanizimit, Marin Beçikemi. (Për më shumë shih: ASV, Venedik, Senato terra, v. (reg).12, f. 201 e vijim). Gjatë kohës që ligjëroi në Universitetin e Padovës, Tomeu kishte kontakte te shumta me filozofë, humanistë e intelektualë të shumtë të kohës. Kjo më së miri vërehet nga dokumentet origjinale që ruhen në Arkivin e Venedikut.

Fama e tij ishte në kulm. Më 29 shtator të vitit 1504, me urdhër të Senatit të Republikës së Shën Markut, Tomeu transferohet në Venedik, përkatësisht në shkollën publike të themeluar në vitin 1408, pranë Katedrës së Filozofisë, për të ligjëruar filozofi, gramatikë e retorikë në greqisht dhe latinisht, në universitetin i cili varej direkt nga Kancelaria e Senatit të Republikës. Sipas një dekreti të Senatit, që na është ruajtur në orijgial, katedra në fjalë kishte qëllim të dyfishtë: përkatësisht aty përgatiteshin studentët për studime të larta në fushat humaniste dhe noterët e ardhshëm aq të njohur venedikas. Edhe pse në këtë Universitet konkurenca në mes të profesorëve ishte shumë e madhe, Tomeu, bëri emër të mirë duke ligjëruar për vite të tëra. 

Gjatë qëndrimit në Venedik, Nikollë Leonik Tomeu, për disa vite ishte njëri ndër drejtuesit e “Scuola degli Albanesi” e themeluar si një shoqëri vëllazërore në vitin 1422, për të ruajtur doket, zakonet, traditën, gjuhën dhe kulturën shqiptare te shqiptarët e shumtë, të shtresave të ndryshme që jetonin e vepronin në Venedik e rrethinë.

Opusi krijues i N. L. Tomeut është i shumënduarshëm duke shkruar vepra nga fusha e filozofisë, historisë, letërsisë, astronomisë, mjekësisë, fizikës, arkeologjisë, kritikës së artit dhe u shqua veçanërisht në fushën e përkthimeve nga gjuhës klasike greke e latine. U shqua edhe si një ndër koleksionistët më të mëdhej të kohës për vepra të ndryshme arti dhe eksponate arkeologjike. Ai mbajti korrespodencë me shumë burra të ndritur, humanistë, shkencëtarë e filozofë, mjekë e shkrimtarë por edhe intelektualë e fisnikë me emër e famë botërore, në gjuhët greke, latine e italiane. Kjo korrespodencë, e cila pjesërisht është botuar, është një pasqyrim i erudicionit dhe dijes enciklopedike që zotëronte Tomeu. Është për t’u theksuar se Tomeu bashkëpunoi shumë afër me botuesit e njohur shqiptarë, vëllëzërit Vitalibus, të cilët botuan veprat e disa autorëve shqiptarë, jo vetëm në Venedik, por edhe në qytete të tjera italiane. 

Nikollë Leonik Tomeu vdiq më 28 mars 1531 në Padovë dhe u varros në Kishën e Shën Françeskut, ku edhe sot e kësaj dite ruhet pllaka e varrit së bashku me epitafin që e shkroi miku i tij, humanisti i madh italian, Pietro Bembo.

***

Në vazhdim po sjellim disa nga titujt e veprave kreyesore të Leonik Tomeut ku ai është autor, bashkautor ose përkthyes nga greqishtja, latinishtja apo italishtja. Të gjithë veprat e poshtëshënuara ne i disponojmë të riprodhura dhe të skanuara nga origjinalet të cilat ruhen në biblioteka të ndryshme botërore. Renditja është sipas kriterit kronologjik të vitit të botimit. Dy nga veprat e poshtëshënuara janë botuar nga Bernardinus de Vitalibus, botues i librit të Marin Barletit, “Histori e Skenderbeut”:

  1. De varia historia libri III. Venetiis, per Lucanton. Iuntam, 1521
  2. Aristotelis Stagiritae. Parua naturalia. De sensu et sensili. De memoria et reminiscentia. De sonno et uigilia. De insomniis. De diuinatione per somnia. De animalium incessu. De exstansione et breviate. Venezia, codicem hunc ex impressione representauerunt Bernardinus & Mattheus fratres Vitales Veneti, 1523 mense Iunii 
  3. Dialogi nunc primum in lucem editi quorum nomina proxima pagina habentur. Venetiis, in aedibus Gregorii de Gregoriis, 1524, mense Septembri 
  4. Opvscvla nvper in lvcem aedita qvorvm nomina proxima habentvr pagella: cum priuilegio. Venetiis, opusculum hoc ex impressione repraesentauit Bernardinus Vitalis Venetus, 1525 die XXIII Februarii 
  5. Aristoteles Omnia ex exemplaribus. Florentiae, per haeredes Philippi Iuntae, 1527
  6. Aristotelis Stagiritae Parva quae vocant Natvralia: De sensu & sensili. De memoria & reminiscentia. De somno & vigilia. /Omnia in latinum conuersa, & antiquorum more explicata. Parisiis, Colonaeus, 1530
  7. De animorum essentia dialogus. Venetiis, per Io. Ant. eiusque fratres Sabios, 1530
  8. De varia historia libri tres: nuper in lucem editi. Basileae, in officina Frobeniana, 1531
  9. De varia historia libri tres nuper in lucem editi. Index insuper tum capitum, tum eorum quae notatu digna uisa sunt locupletissimus. Venetiis, in aedibus Lucae Antonii Iuntae Florentini, 1531 mensis Ianuarii die XX
  10. De uaria historia libri tres:  nuper in lucem editi: index insuper tum capitum, tum eorum quae notatu digna sunt locupletissimus. Lugduni, Apud Gryphium, 1532
  11. Liber de morbo Gallico, Venetia, 1535
  12. P. Ovidii Nasonis Fastorvm. Lib. VI. Tristivm Lib. V. De Ponto Lib. III. Basileae, 1538
  13. Conuersio in latinum, atque explanatio primi libri Aristotelis de partibus animalium. Liber apprime utilis, nunc primum ex archyetipo in lucem aeditus. Venetijs, apud Ioannem de Farris, & fratres de Riuoltella, 1540
  14. Cl. Galeni liber absolutissimus, quem technem iatruken, hoc est, medicinalem inscripit. Basileae, 1541
  15. Conversio atque explanatio primi libri Aristotelis De partibus animalium. Basileae, Apud Bartholomaeum Westhemerum, 1541
  16. Li tre libri di Nicolo Leonico de varie historie, nuouamente tradotti in buona lingua volgare. In Venetia, per Michele Tramezzino, 1544
  17. Parua naturalia. De sensu & sensibili. De memoria & reminiscentia. De somno & uigilia. Omnia in Latinum conuersa & antiquorum more explicata a N. Leonico Thomaeo. Venetiis, ex impressione representauit Iacobus Fabrianus, 1546.
  18. De uaria historia libri tres: cum eorum, quae notatu digna sunt, indice locupletissimo. Lugduni, Apud Seb. Gryphium, 1555

Njëri ndër ata që vlerësuan lart Nikollë Leonik Tomeun ishte edhe miku dhe bashkëkohaniku i tij, humanisti i madh italian, Pietro Bembo (1470-1547) i cili shkroi edhe tekstin e epitafit të varrit (shih ilustrimin) të Tomeut, në latinisht e greqisht. Epitafi sot ruhet në kishën e Shën Françskut, në Padovë. Me pak rreshta me një elegancë të rrallë gjuhësore, Bembo pasqyroi në mënyrë të veçantë aktivitetin e Tomeut, thjeshtësinë, ndershmërinë dhe virtytet e larta e të tjera të tij.

Nikollë Leonik Tomeu gjatë jetës së tij kishte lidhje miqësore dhe shumë të afërta me humanistë të njohur të kohës si: Chalcocondyles, G. B. Suardo, G. A. Agurello, Ermalo, P. Sasso, Barbaro, Musuro, G. Danto, Gaza, F. Bellafini, Agripulo, L. Cretico, Koperniku, Erazmi i Roterdamit, B. Gaurico, C. Castaldi etj. Duke u renditur në mesin e klasikëve latinë, grekë dhe italianë, G. Bologni shkruan se ai ishte filozof i madh, orator e poet shumë elegant, përkthyes i shquar dhe mendimtar i thellë me ide dhe vepra përparimtare.

Përveç veprave origjinale, përkthimeve dhe debateve, Tomeu shkroi edhe poezi. Ndryshe nga opusi i tij i gjerë të cilën e shkroi kryesisht në latinisht e greqisht, krijimet poetike – poezitë – ai i shkroi në italisht. Duke qenë njohës i thellë i klasikëve, veçanërisht nën ndikimin e fortë të Petrarkës, ashtu si edhe bashkëkohësit e tij ai shkroi duke pranuar formën dhe strukturën e poetëve të parë të Humanizmit dhe të Rilindjes. Për Nikollë Leonik Tomeun si poet, shkruan edhe D. de Bellis: “Tomeu paraqiti në veprimtarinë e tij të tërësishme epokën e vet, duke riveluar në poezinë e tij natyrën, vetitë cilësore dhe karakterin filozofik të gjenialitetit dhe të erudicionit të tij në njohjen e thellë të klasikëve.”

Të dyzet portretet që ruhen në “Sala dei Quaranta Palazzo del Bò,” të Universitetit të Padovës i punoi piktori italian Giacomo dal Forno në vitin 1942, duke i realizuar ato në teknikën temperë. Të dhënat u nxorën nga Carlo Anti [ed.], “Descrizione delle sale accademiche al Bo e del Liviano (Padova: Tipografia Antoniana, 1957), f. 35-36. Në portrete janë paraqitur studentët ose docentët e huaj nga njëzetë e tre vende të Evropës, të cilët studiuan ose punuan në Universitetin e Padovës. Në mesin e këtyre dyzet portreteve janë edhe dy shqiptarë, Nikollë Leonik Tomeo dhe Marin Beçikemi. Renditja e emra është kronologjike, sipas viteve dhe datave të lindjes.

  1. Witelo, polak (shek. XIII) ne Padovë qëndroi në vitet 1260-1268;
  2. Nicolo Cusanus, gjerman (1401-1464);
  3. Giovanni Argiropulos, grek (1410-1492);
  4. Janus Pannonius, hungarez (1434-1472);
  5. Nicolo Leonico Tomeo, shqiptar (1456-1531);
  6. Thomas Linacre, anglez (1460-1524);
  7. Marino Becichemo, shqiptar (1468-1526);
  8. Francisk Skorina, rus (1490-1535);
  9. Protasius di Czernahora, çek (shek. XV);
  10. Georgius Benignus, boshnjak (?-1540);
  11. Emile Perrot, françez ( ?-1556); 
  12. Damiano de Goes, portugez (1502-1574); 
  13. Michele de L’Hospital, françez (1504-1573); 
  14. Klemens Janicius, polak, 1516-1543);
  15. Antonio Agustin, spanjol (1517-1586); 
  16. Jan Kochanowski, polak (1530-1584);
  17. Johannes Samburcus), hungarez (1531-1584);
  18. Francis Walsingham, anglez (1532-1590);
  19. Stefano Bathory, hungarez (1533-1586);
  20. Johannes van Heurne, holandez (1543-1601); 
  21. Caspar Bauhin, zvicerian (1560-1624); 
  22. Adrianus Spigelius, flaman (1578-1625); 
  23. Wiliam Harvey, anglez (1578-1657);
  24. Jean Prevotius, zvicerian (1585-1631); 
  25. Olaus Worm, danez (1588-1654);
  26. Werner Rolfinck, gjerman (1599-1673);
  27. Johanes Ruthven, skocez (shek. XVI);
  28. Johannes Georg Wirsüng, gjerman (1600-1643);
  29. Thomas Bartolin, danez (1616-1680);
  30. Pier von Resenius, danez (1625-1688);
  31. Olof Rudbeck, suedez (1630-1702);
  32. Alessandro Maurocordato, grek (1636-1709)
  33. Constantino Cantacuzino, rumun (1650-1716);
  34. Marcus Gerbezius, slloven (1658-1718);
  35. Jan Krtitel Bohac, çek (1724-1768);
  36. Oliver Goldsmith, iralndez (1728-1774);
  37. Emanuele Sciascian, armen (1775-1858);
  38. Giovanni Antonio Capodistria, grek (1776-1831);
  39. Peter Vasiljevic Postnikov, rus (shek. XVIII);
  40. Demeter Dimitrije, kroat (1811-1872).

Filed Under: Opinion Tagged With: Musa Ahmeti

Dhuna, si mungesë edukimi dhe qytetërimi!

April 16, 2022 by s p

Alma Liço/

Dëgjojmë të flitet dendur për krimet që ndodhin në familje, veçanërisht për ato që pësojnë vajzat dhe gratë. Opinionistë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut që mbushin sallat e konferencave, studiot televizive, përsërisin në çdo rast të njëjtat analiza dhe konkluzione. Si në një rreth vicioz gjithçka përfundon në ato ambiente luksoze, pa asnjë impakt konkret për ndryshimin dhe përmirësimin e situatës. Maksimumi mund të zhvillohet tek tuk tubime, të cilat për nga mënyra e organizimit, rezultatet dhe mesazhet që përcjellin, shpesh herë janë të diskutueshme dhe çorientuese.

Në përgjithësi anashkalohet fakti se këta djem, këta burra të dhunshëm janë bij nënash, të cilat nuk kanë arritur t´u mësojnë dhe edukojnë atyre dashurinë dhe respektin për motrën, bashkëshorten e ardhshme dhe më pas për të bijën. Ajo nënë që nuk ka mundur ose nuk ka ditur ta bëjë këtë, është trajtuar në të njëjtën mënyrë nga nëna e saj. Dhe kësisoj brez pas brezi.  Pra, ai opinion që më së shumti hasim, i cili i konsideron burrat “djaj” dhe gratë “engjëj”, keqorienton dhe deformon të vërtetën e këtyre raporteve .

Si rezultat i kësaj edukate të munguar për të cilën nuk janë përgjegjës, ata (djemtë dhe burrat) i trajtojnë femrat e jetës si pronë që kontrollohet prej tyre.

Pa marrë përsipër të analizoj shkaqet e tjera të pafundme pse ato ngjarje kriminale ndodhin; faktorët psiko-sociale që i shoqërojnë ato, mendoj se në tërësinë e saj, shoqëria jonë është e dhunshme, dhe me mungesë të theksuar qytetërimi. Fatkeqsisht jemi pasues të një shoqërie të dhunuar sistematikisht nga shteti diktatorial dhe ai post-diktatorial, i cili stimuloi dhe stimulon në vijimësi urrejtjen, mllefin, hakmarrjen të cilat gjenerojnë sjellje dhe krime të tilla. 

Dhuna shfaqet nga të gjitha krahët. Mbase gratë dhe vajzat, si krijesa më të pafuqishme,  janë më të ekspozuara dhe të pambrojtura ndaj saj.

Kësisoj, për arsye nga me banalet një bir vret të atin ose e kundërta; një vëlla vret të vëllanë; një djalë vret kushëririn apo mikun;…një nënë që e konsideron të drejtë vrasjen e së bijës (për nderin e cënuar) prej bashkëshortit të saj…etj. Këto janë tablotë që trishtueshëm, në mënyrë frekuente përballemi. 

E tillë ishte edhe ngjarja shokuese e ndodhur dy ditë më parë:

Si një trofe e rrezikuar, për ta mbrojtur nga kërcënimet e të atit, një djalë/burrë mbyll bashkëjetuesen 30-vjeçare në dhomë…babai i tij thyen derën dhe e vret brutalisht atë…më pas var edhe veten.

Duke mos manifestuar aspak tronditjen dhe shok-un e tragjedisë së atyre përmasave, bashkëshortja e burrit vrasës dhe të vetvrarë, me një qetësi impresionuese shfaqet para kamerave duke pastruar gjakun e viktimës, nënës së tre fëmijëve, si të ishte ai i një shpendi shtëpiak. Madje e shkujdesur mundet t´u përgjigjet edhe pyetjeve që i drejtohen. E bën këtë me një lehtësi, a thua se tragjedia ka ndodhur një shekull më parë dhe plagët e saj janë shëruar.

Me skepticizëm mendoj se kjo ngjarje dhe qindra të tjetra të ngjashme me të, apelojnë ethshëm për masat ligjore dhe psiko- sociale që shteti  (nëse do të sillej si i tillë) duhet të ndërmarrë për të mbrojtur të kërcënuarit/kërcënuarat dhe viktimat, shoqëruar domosdoshmërisht me programe edukuese/sensbilizuese për autorët potencialë dhe shoqërinë në tërësi.

Por sa është e mundur të arrihet kjo, kur vetë shteti në forma të ndryshme  diktatoriale dhunon qytetarët e tij?  

Filed Under: Analiza Tagged With: Alma Lico

Në Rrugën e Fan Nolit

April 15, 2022 by s p

Nga Harry Bajraktari/

Urime komunitetit shqiptar dhe Federatës Vatra për emërimin e një rruge në Morris Park, New York, si “Rruga Fan Noli”.

Është një nderim i merituar. Noli themeloi Vatrën dhe Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptaro Amerikane. Ai ishte shkrimtar, studjues, përkthyes, diplomat e burrështeti. Shërbeu në parlamentin shqiptar dhe si kryeministër i Shqipërisë. Puna e tij si organizues i komunitetit dhe si lobues për çështjen shqiptare ka frymëzuar shumë gjenerata shqiptaro-amerikanësh që të ecin në gjurmët e tij.

Kjo vlen edhe për gjeneratën time dhe miqtë e mi. Sa herë që mblidheshim në New York apo në Washington për lirinë e Kosovës, për demokracinë e Shqipërisë, apo për të drejtat e shqiptarëve kudo që jetojnë, na dukej se po vazhdonim punën e Nolit dhe Konicës. Na e shtonte bindjen edhe miqësia dhe bashkëpunimi me një njeri që e kishte njohur e ndihmuar Nolin nga afër, biznesmeni dhe veprimtari i paharruar Anthony Athanas.

Meritën më të madhe për emërimin e kësaj rruge e ka pa dyshim, Mark Gjonaj, i cili punoi shumë dhe me vendosmëri për ta realizuar. Ai ka qenë një fanar ndriçues për komunitetin tonë, në këto 8 vitet e fundit. Mes arritjeve të shumta kanë qenë Qendra e Komunitetit dhe Mirëqënies “Illyria” në Qendrën Mjekësore “Jacobi”, miratimi i mësimit në gjuhën shqipe në Bronx, dhe veprimtaritë e përvitshme të Festës sonë Kombëtare.

Komuniteti ynë i është mirënjohës Markut dhe familjes së tij për këtë punë të madhe në këto vite.

Unë uroj që këta shembuj të frymëzojnë gjeneratën e re të shqiptaro-amerikanëve që po shërbejnë apo kandidojnë në poste publike. 

Jam shumë optimist për Vedat Gashin, i cili po kandidon për Kongresin Amerikan. Nëse zgjidhet ai do të mbajë vendin e dikurshëm të mikut tonë të madh, kongresistit Eliot Engel.

Vedati po ecën në gjurmët e shqiptaro-amerikanëve që kanë mbajtur poste publike në të kaluarën: si Mark Gjonaj në Asamblenë e Shtetit dhe Këshillin Bashkiak të New York-ut, Konstantina Lukes, Kryetare e Bashkisë në Worcester, Dona Brady Këshilltarja e Bashkisë në Cleveland, Ohio, apo Lisa Milica, Këshilltare e Bashkisë në Pleasant Valley, New York (gjithashtu gruaja e parë shqiptare e zgjedhur në New York) e të tjerë.

Nga koha e Fan Nolit te brezat e rinj të kohës sonë, flaka e atdhedashurisë dhe e shqiptarizmës po mbahet gjallë në Amerikë. Zoti i bekoftë Kombin Shqiptar dhe Kombin Amerikan! 

Filed Under: Analiza Tagged With: harry bajraktari

ISHEMIA E MIOKARDIT E SHKAKTUAR NGA PICKIMI MERIMANGE ZEZE

April 15, 2022 by s p

Prof .Asc.Dr EDMONT LAHO1  , Dok Shken Mjek EDMONT PUCA2 

1.Profesor ne  Fakulteti Shkenaceve Mjekosre “Albania University” Tirane

Klinika Pediatrike  Edmont Laho Elbasan 

2. Spitali Infektiv, Qendra Universitare Spitalore  “Nene Tereza” Tirane, Shqiperi.

Hyrje 

Ky raport paraqet rastin e një vajze dhjetë vjeçare, e cila pësoi ishemi të miokardit pas pickimit të merimangës “vejusha e zezë”. Helmi i “vejushës së zezë” qe njihet ndryshe Lactrodectus Mactans është toksik, duke rezultuar në shkallën e vdekshmërisë rreth 5-6%.  

Raport rasti 

Një vajzë 10-vjeçare ka qenë duke ecur gjatë mesditës kur papritur kafshohet në këmbën e djathtë nga një merimangë. Pak minuta pas pickimit, ajo u tha prindërve dhe u tregoi një insekt të vogël, të zi dhe me shkëlqim. Shenjat klinike filluan rreth 3-4 orë pas pickimit. Pacienti fillimisht kishte simptoma të përgjithshme dobësi, djersitje difuze dhe zbehje. Ajo gjithashtu kishte simptoma të edemës dhe dhimbje të forta në vendin e pickimit. Përafërsisht 14-15 orë pas pickimit filluan simptoma dhe shenja më serioze të të vjellave, dispnesë, të dridhura, dhimbje gjoksi dhe barku, veçanërisht dhimbje të forta gjoksi në anën e majtë. Ajo u shtrua në spital dhe ka filluar terapia me kortikosteroide, epinefrinë dhe lëngje. Frekuenca e saj e zemrës ishte 140-150/min; ajo u bë hipotensive me presion të gjakut 60/40 mmHg dhe u bë oligurike. 

Rezultatet laboratorike ishin: numërimi i WBC 18000/mm³, shkalla e sedimentimit të eritrociteve ishte 34 mm/orë, LDH ishte 890 UI (normale: 230-460) dhe CPK ishte 630 UI (normale: <300 UI). Në këtë kohë dyshohej për ishemi të miokardit bazuar në simptomat klinike. Kjo diagnozë u mbështet nga një rritje e CPK dhe LDH si dhe EKG. Ne u konsultuam me një kardiolog të rritur për konfirmim. Gjatë ditës së nesërme shtojmë në trajtimin Manitol, NaHCO3 dhe oksigjen suplementar. Ndërsa ajo zhvilloi hipotension, ne përdorëm më tej dopaminë 7-8 mcg/kg/min dhe lëngje intravenoze në vëllim të lartë për të stabilizuar gjendjen e saj. 

Diskutim 

Rasti i pickimit të merimangës së vejushës së zezë që rezulton në ishemi të miokardit është shumë i rrallë dhe nuk është përshkruar tek një fëmijë përpara këtij raporti. Në literaturë ka përshkrim të paralizës së përkohshme të lidhur me pickimin e merimangës së vejushës së zezë. Statistikat e sakta për pickimet e merimangave në Shqipërinë ku ka ndodhur ky rast nuk disponohen deri më tani.  

Fjalë kyçe: Merimanga, E veja e zezë, Ishemia,  

 HYRJE 

Edhe pse pickimet e merimangave janë të rralla, ato janë veçanërisht të rrezikshme për fëmijët për shkak të një doze të madhe helmi për peshë trupore. Merimangat janë insekte brenda gjinisë hymenoptera. Merimanga më toksike është Lactrodectus muctans, e ashtuquajtura merimanga “vejusha e zezë”. Veçoritë e tij janë ngjyra e zezë me shkëlqim me trup me diametër 1 cm deri në 5 cm me këmbë të hapura dhe ka një shenjë karakteristike të orës së rërës në bark. Ato mund të gjenden në grumbujt e drunjve dhe hasen shpesh kur pronarët e shtëpive bartin dru zjarri në shtëpi. Ato gjenden gjithashtu nën strehë, në kuti nën materiale ndërtimi të papërdorura, kuti me dru zjarri dhe tualete të jashtme… Helmi i merimangës së vejushës së zezë është 15 herë më toksik se helmi i gjarprit me zile.(8) Helmi i vejushës së zezë shkakton sindromën që quhet laktrodektizëm: në lëkurë zhvillohen dhimbjet lokale, djersitje, eritemi, dhe në sistemin kardiovaskular zhvillohet kolapsi qarkullues, shoku dhe ishemia: në sistemin nervor zhvillohet paraliza dhe konvulsione tonikoklinike. Helmi i Lactrodectus Mactans   (“vejusha e zezë”) është jashtëzakonisht toksik, duke rezultuar në shkallën e vdekshmërisë më pak se 5%.  

QËLLIMI : Ky raport paraqet rastin e një vajze dhjetëvjeçare, e cila pësoi ishemi të miokardit pas një pickimi të merimangës “të veja e zezë”. Ky raport përshkruan paraqitjen e rëndë klinike, komplikimin e rrallë dhe trajtimin e këtij pacienti. 

Raport rasti 

Një vajzë 10-vjeçare ka qenë duke ecur gjatë mesditës kur papritur kafshohet në këmbën e djathtë nga një merimangë. Pak minuta pas pickimit, ajo u tha prindërve dhe u tregoi një insekt të vogël, të zi dhe me shkëlqim. Shenjat klinike filluan rreth 3-4 orë pas pickimit. Pacientja fillimisht kishte simptoma të edemës dhe dhimbje të forta në vendin e pickimit dhe më pas kishte simptoma të përgjithshme dobësi, djersitje difuze dhe zbehje.  

Përafërsisht 14-15 orë pas pickimit filluan simptoma dhe shenja më serioze të të vjellave, dispnesë, të dridhura, dhimbje gjoksi dhe barku, veçanërisht dhimbje të forta gjoksi në anën e majtë. Ajo u shtrua në spital dhe terapia ka filluar me kortikosteroide, epinefrinë dhe lëngje, natri bikarbonate dhe terapi vitaminash, rrahjet e zemrës së saj ishin 140-150/min pa temperaturë. 

Pasi u shtrua ajo bëhet hipotensive me presion 60/40 mmHg dhe dhimbjet e kraharorit janë më intensive pasi disa orë u bënë oligurike në këtë kohë, kemi përdorur dopaminë 7-8mcg/kg/min dhe sol Manitoli, lëngje dhe terapi vitaminash etj. 

Rezultatet laboratorike treguan një hemoglobinë prej 10 gr, RBC 4’200’000, numërimin e WBC 18’000 në ditën e tretë që WBC  (diferenciale prej 43% neutrofile të segmentuara, 34% limfocitet, 12% eozinofile, dhe 12% eozinofile, % monociteve ) dhe numri i trombociteve prej 219’000. Shpejtësia e sedimentimit të eritrociteve të saj ishte 34 mm/orë.  

Bilirubinë 2,24 mgr% SGPT 16 UI. SGOT 55 UI. Kreatinemia 1,1mgr % azotemia 42,8 mgr%. 

Në ditën e dytë kur gjendja e pacientes u përkeqësua, ne kërkuam analiza shtesë pasi LDH ishte 890 UI (normale: 230-460 UI) dhe CPK ishte 630 UI normale: < 300 UI) dhe EKG, e cila doli në përfundimin se kishte një ishemi e dukshme e miokardit. 

Një kopje e elektrokardiogramit të saj është paraqitur në Figurën 2; kjo tregon ngritjen e segmentit në AVL, D2 dhe V6 si në klinikën e quajtur “Vala Parde”. Ekzaminimi radiologjik i këmbës dhe i gjoksit ishte normal. Gjithashtu ekoja e barkut ishte normale. 

Figura :1

Në këtë kohë dyshohej për ishemi miokardi bazuar në simptomat klinike si shenja dhimbjeje intensive në kraharorin e majtë, dispne, hipotension dhe takikardi. Kjo diagnozë u mbështet nga një rritje e CPK dhe LDH si dhe EKG. Ne u konsultuam me një kardiolog të Adulteve  për konfirmim e diagnoses  si dhe me riberjen e EKG dhe te analizave. 

DISKUTIM

Edhe pse pickimet e merimangave janë të rralla, ato janë veçanërisht të rrezikshme për fëmijët për shkak të një doze të madhe helmi për peshë trupore. Merimangat janë insekte brenda gjinisë hymenoptera. Merimanga më toksike është Lactrodectus muctans, e ashtuquajtura merimanga “vejusha e zezë”(7). 

Helmi i merimangës është kimikisht heterogjen. Ai përmban polipeptide neurotoksike, amina dhe aminoacide më të vogla biogjene, dhe nganjëherë enzima proteolitike (6). të cilat lidhin membranat neuronale pasinaptike, duke shkaktuar një fitore dramatike në lidhjet neuromuskulare të acetilkolinave dhe noradrenalinave. 

Nga ana tjetër, futja e këtij helmi në organizëm do të luajë rolin e antigjenit, i cili do të shkaktojë prodhimin e një titri të lartë të antitrupave IgE për të krijuar një sërë reaksionesh anafilaktike reaguese, të cilat do të formojnë një pamje të një simptome të pasur klinike. 

Tërësia e simptomave quhet sindroma klinike e Lactrodektizmit. Kjo sindromë karakterizohet nga: shenjat lokale klinike dhe ndryshimet në lëkurë kanë si eritemë, dhimbje lokale dhe ënjtje në pickim etj(5). Dhimbjet shtohen dhe zgjerojnë zonën në bark dhe gjoks. Jo rrallë dhimbjet e forta të barkut mund të simulojnë klinikën e apendicitit. 

Sipas literaturës, gjatë evolucionit klinik të pickimit të merimangës ka prekje të sistemit respitatore me laringospazem, edemë pulmonare, dhe shfaqim komplikime të traktit kardiovaskular me aritmi dhe kolaps të qarkullimit të miokardit të miokardit. Janë raportuar së fundmi në vendin tonë dhe raste prekjeje të sistemit nervor qendror dhe paralizës cerebrale. 

Ne paraqesim rastin tonë ku pacienti është një ishemi akute e dyshuar fillimisht dhimbje miokardi dhe në rritje në kraharorin e majtë, dispne dhe tacikardi dhe ndryshime laboratorike të lidhura me LDH dhe CFK shumë të larta pasi shoqëria e tyre me ndryshimet EKG ishemike, na bëri të konkludojmë për ishemi akute të miokardit. 

Mekanizmi fisiopatologjik i iskemises akute ndaj miokardit shpjegohet më shumë nga spazma e zgjatur e miokardit ndryshime iskemike vaskulare që kanë dhënë të zgjatura, të qëndrueshme dhe që shoqërohen me edemë dhe përgjigje perivazale të shkaktuara nga hiperalergjik(10).

KONKLUZION 

Rasti i pickimit të merimangës së vejushës së zezë që rezulton në ishemi të miokardit është shumë i rrallë dhe nuk është përshkruar tek një fëmijë përpara këtij raporti. Në literaturë ka përshkrim të paralizës së përkohshme të lidhur me pickimin e merimangës së vejushës së zezë. Statistikat e sakta për pickimet e merimangave në Shqipërinë ku ka ndodhur ky rast nuk disponohen deri më tani. 

REFERENCA 

1.Bebeci D Pediatria 2006 IV edition 414-416  

2.Rohou, A., Nield, J., and Ushkaryov, YA 2007. Toksina insekticide nga helmi i merimangës së vejushës së zezë. Toxicon 49:531-5. 

3.Reisman RR alergji ndaj insekteve thumbuese.Clin. allergy 76,883-894,1994 

4. Emerton, James H. 1961. The Common Spiders of the United States. Dover Publications, Inc, NY. 

5. Clark, Richard F. 2001. Siguria dhe efikasiteti i Antivenin Latrodectus mactans. Toksikologjia Klinike 39:125-127 

6. Foelix, Rainer. 1996. Biologjia e merimangave. Oxford University Press, Nju Jork. 

7 .Nicholson, Graham M. dhe Graudins, Andis. 2003. Antivenoms for the Treatment of Spider Envenomation. Journal of Toxicology 22:35-59.

 8.Preston-Mafham, Ken dhe Rob. 1996. Historia natyrore e merimangave. Crowood Press, Britania e Madhe.

9.Isbister, Geoffrey K., Graudins, Andis, White, Julian, Warrell, David. 2003. Trajtimi kundër helmit në Arachnidism. Toksikologjia Klinike 41:291- 300. 

10. Zavalani F,Luka. A Koja .A Urgjencat Pediatrik 2011 fq 202-203 

11. Daly, Frank FS, Hill, Robert E., Bogdan, Gregory M., and Dart, Richard C. 2001. Neutralizimi i Latrodectus mactans dhe L. hesperus Venom nga Redback Spider ( L. hasseltii) Antivenom. Toksikologjia Klinike 39:119-123. 

12.Isbister, Geoffrey K., Graudins, Andis, White, Julian, Warrell, David. 2003. Trajtimi kundër helmit në Arachnidism. Clinical Toxicology 41:291- 300. 

13.Rohou, A., Nield, J., and Ushkaryov, YA 2007. Toksinat insekticide nga helmi i merimangës së vejushës së zezë. Toxicon 49:531-549. 

14.Savory, Theodore. 1964. Arachnida. Academic Press, Londër. 

15. Singletary, Eunice M., Rochman, Adam S., Bodmer, Juan Camilo Arias dhe Holstege, Christopher P. 2005. Envenomations. Faqet 1195-1224 në Heather Cullen, Christophe 

16. Holstege dhe Daniel E. Rusyniak, redaktorë. Klinikat Mjekësore të Amerikës së Veriut. WB Saunders Company, Filadelfia, PA 

Filed Under: Sociale Tagged With: edmont laho

Fan Noli në fushën e historianit ushtarak

April 15, 2022 by s p

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/

Noli për çështjen e mbrojtjes së kufijve

Fan Stilian Noli është padyshim një nga figurat më erudite në historinë e Shqipërisë. Ai u shqua në shumë fusha, si dhe në fushën ushtarake. Në 16 qershor 1924 Noli krijoi qeverinë e tij, një kabinet i vogël, i përbërë nga përfaqësues të të gjithë grupimeve të kryengritjes së Qershorit, si të ushtrisë, të bejlerëve, të liberalëve, të progresistëve etj. Në Kabinetin e tij qeveritar Kasëm Qafëzezi, u bë ministër i Luftës.

Një vëmendje të madhe, Noli i kushtoi çështjes së mbrojtjes së kufijve dhe mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Në këtë drejtim ai tregoi aftësi të mëdha ushtarake dhe diplomatike dhe arriti suksese. Që nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, në 1913, kishin mbetur ende pa një vendim përfundimtar, ose pa u zbatuar vendimet e marra në lidhje me Vermoshin, Shën Naumin dhe 25 fshatrat në Korçë. Për këto të fundit ishte vendosur që 14 fshatra t’i mbeteshin Shqipërisë, kurse 11 t’i kalonin Greqisë, por Greqia nuk pranonte t’i dorëzonte. Noli dhe qeveria e tij i kushtoi rëndësi të madhe këtyre çështjeve në takimet në Lidhjen e Kombeve, gjatë vizitës dy mujore në Gjenevë, në muajt shtator-tetor 1924.

Fan Stilian Noli për Skënderbeun

Në vitin 1921, personaliteti i shquar, brilant dhe i gjithanshëm i jetës shqiptare, shfaqet edhe si autor studimesh historike ushtarake për një temë madhore e të përhershme kombëtare, siç ishte historia e Skënderbeut. Përsëri ishte një prift shqiptar, por tashme ortodoks, Fan Stilian Noli, i cili atë vit botoi në Boston të Amerikës, veprën me titull “Historia e Skënderbeut (Gjergj Kastriotit), mbretit të Shqipërisë 1412-1468”. Më pas ai do ta ribotonte këtë vepër, në një variant të ri me titull “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (1405-1468)”, në Nju Jork, më 1947. Por libri pati edhe një botim tjetër pasuses, më 1950, tashmë nën titullin “Historia e Skënderbeut, kryezotit të Arbërisë (1405-1468)”.

Në të tre variantet e paraqitura nga Noli, si botime të planit historik, janë të pranishme elementet e historisë ushtarake, që sjellin shumë të dhëna për planet e betejave të zhvilluara, për strategjinë dhe taktikat e të dy palëve, për fortifikimin, organizimin ushtarak dhe të tjera. Këto, si dhe përshkrimi i saktë dhe i plotë i dinamikës së zhvillimit të veprimeve luftarake, brenda dhe jashtë kufinjve të vendit, e dallojnë veprën e Nolit për frymën realiste, bindëse dhe shkencore. Në të vërtetë Noli nuk është vetëm një përshkrues i aftë dhe realist, por njëherësh edhe një analist kritik i besueshëm, që me stilin e tij rigoroz e argumentues solli një frymë dhe ndihmesë të ndjeshme në historinë shqiptare në tërësi dhe në atë ushtarake në veçanti. Për më tepër se kaq ai i pasuroi ato me një vepër të re.

Ushtria e Skënderbeut sipas Nolit

Organizimi dhe stërvitja e një ushtrie ishte vepra më rëndësore, të cilës iu përvesh Skënderbeu që kur u kthye në Krujë, veçanërisht posa dinte që s’ish e largme koha kur do të ndodhej ballë për ballë me ushtrinë e Perandorisë Turke. Nga ushtarët dhe vullnetarët që u mblodhën, mbajti vetëm 15.000, 8.000 kalorës dhe 7.000 këmbësorë, të gjithë luftëtarë të sprovuar, të zgjedhur me kujdes, të tjerët i ndau nëpër fortesa a i dërgoi në shtëpi, që t’i thërriste kur t’i duheshin.

Gjithë në këtë kohë, futi në principatën e tij rekrutimin, gjë për të cilën asnjeri s’ish menduar gjer atëherë në Europë dhe e cila qe një reformë e padëgjuar në Shqipëri dhe bëri lista të plotë të meshkujve që mund të mbanin armë, që t’i mblidhte kurdoherë që të ish nevoja. Kësaj gjëje Skënderbeu i jep aq rëndësi, sa u vu në krye të komisionit dhe doli fshat me fshat, për të shikuar njerëzit dhe bërë listat.

Vlerën e një ushtrie të rregullshme, të gjithanshme dhe të gatshme për luftë në çdo minutë, Skënderbeu e kishte mësuar nga Turqia, ku pa me sy shërbimet e vyera të jeniçerëve. Fitimet e tyre turqit ja detyronin këtij trupi ushtarak, të zgjedhur, të cilin e themeloi sulltan Orhani. Skënderbeu e solli këtë shërbim në Shqipëri dhe formoi një trup të zgjedhur prej më tepër se 2 mijë shqiptarë, të cilët nga disiplina, trimëria dhe besnikëria, s’kishin shokë në botë. Emrat dhe trimëritë e cilitdo prej tyre i dinte Skënderbeu me gojë, hante shumë herë në një tryezë me ta dhe pas fitimit të ndonjë beteje, i pinte shëndetin dhe i jepte të pijë me kupën e tij atij që kishte rrëfyer më tepër trimëri, pa ndryshim shkallë dhe ofiqi… Barleti e përmend këtë gardë mbretërore, të cilën e quan “proetoria cohors”, në Betejën e Torviollit. Pjesa kalorëse e gardës përbëhej prej 600 krutanë të zgjedhur. Skënderbeu kujdesej veçanërisht për ushqimin, veshjen dhe pagesën e ushtarëve të gardës.

Pastaj bëri fortifikata të reja rreth Krujës, vizitoi të gjitha kështjellat, të cilat i vuri në shtet-mbrojtje, studioi hollësisht topografinë e Shqipërisë, duke mos lënë as mal, as fushë, as pyll, as lumë, as vijë, as përrua, as grykë pa matur nga pikëpamja strategjike. Dhe atyre që kish pas u thoshte që, për një gjeneral të mirë, është aq nevojë të dijë vendin që ka për të mbrojtur, sa dhe numrin dhe cilësinë e ushtrisë armike.

Ushtrinë e re e mbante gjithnjë në lëvizje dhe në ushtrim, dhe në pak kohe e bëri gati për luftë dhe aq të disiplinuar, sa dukej sikur ishte stërvitur vite me radhë e ish pjekur e rrahur në zjarrin e betejave. Ushtarëve të rinj s’u rrihej vendit nga mosdurimi që të përleshen me armikun. Cilido ngrihej në mëngjes gati që të nisej, i fliste kalit, shpatës, krahut, ftonte shokët të bashkohen e të mos presin më. Skënderbeu mezi i përmbante dhe uronte me gjithë zemër që ushtria turke të vinte një orë e më parë …

Kënga popullore “dokument” që vërteton faktet historike

Këngën popullore Noli e dëshironte jo vetëm t’iu kundërvihej mendimeve që nuk përputheshin me të vërtetat e dëshmuara, por dhe të ngrinte lart, të çmonte së tepërmi cilësitë dhe karakteristikat e popullit shqiptar. Kjo do të përbënte dhe një veçori Noliane në të përcjellurit dhe vlerësimin në një mënyrë elegante të trashëgimisë folklorike shqiptare. Por duhet thënë se Noli krijimtarinë folklorike e ka shqyrtuar dhe për ta vlerësuar atë si një “dokument” që vërteton faktet historike. Më së qarti e gjejmë këtë në një nga bisedat e tij lidhur me ekzistencën te shqiptarët të ndjenjës së patriotizmit. Ai, duke iu kundërvënë të gjithë atyre që shprehen se shqiptarët s’kanë pasur patriotizëm, për të vërtetuar të kundërtën, merr në konsideratë vëllimin e Thimi Mitkos, “Bleta shqiptare”, botuar më 1878, duke shkëputur prej tij për të analizuar këngën kushtuar Rrapo Hekalit.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Noli thotë se vjersha popullore që do t’ju deklamoj tani është krijuar më 1850, kur u bë kryengritja e Labërisë në kohën e Tanzimatit. Turqia desh të impononte Tanzimatin një kanun të përgjithshëm për gjithë viset e Turqisë. Kjo do të thoshte që ca të drejta të pakta vetqeverimi që kishin shqiptarët, do t’i merrte Turqia dhe kështu vendi do të robërohej fare. Dhe populli u ngrit. Pikërisht krye trima të kësaj lëvizjeje, Rrapo Hekalit, Hodo Nivicës dhe Gjolekës, u bën jehonë kënga që Noli e merr në konsideratë. Në vazhdim, pasi ka dhënë vargjet e njohura tashmë të kësaj kënge popullore, Noli shprehet: “Ato tri radhët e fundme (e ka fjalën konkretisht për këto vargje: Pse, lufton a derëzi? / As për mua, as për ti/ Po për gjithë Shqipëri) tregojnë se qëllimi i kësaj kryengritjeje ishte për tërë Shqipërinë”. Dhe në vazhdim të analizave dhe sjelljes së shembujve konkretë Noli arrin në përfundimin “që nuk e shpikëm patriotizmën shqiptarë, e gjetëm”. Kjo ishte mënyra me të cilën Noli analizonte dhe shpaloste tiparet dhe virtytet e shqiptarëve, të pasqyruara nga kënga popullore shqiptare.

Poezitë e Nolit kanë në brendinë e tyre një ngjarje. E tillë është edhe poezia më e parapëlqyer e tij “Rent, or Maratonomak!”. Në këtë poezi realizmi shkrihet me një romantizëm shumë optimist. Ashtu si Maratonomaku që vrapon për të shpurë sa më shpejt lajmin e gëzuar të fitores, ashtu siç dalin njëra pas tjetrës nëna, motra dhe nusja, po ashtu edhe vargu pa lidhëza ecën me ritëm të shpejtë e të vrullshëm. Një figurë tjetër poetike që përdoret si burim shprehësie është përsëritja. Folja “rent” përdoret shtatë herë në këtë poezi për të theksuar ngulmimin dhe dëshirën për të çuar sa më shpejt lajmin e fitores. Në përputhje me tonin stilistik të poezisë, përdoren edhe sinonime stilistike të fjalës “rent”, si: “shpejt”, “turru tej”, “tutje”, “mbahu”, “haj dhe pak”, të cilat dallohen për shkallën e intensitetit dhe paraqitjen e idesë me gradacion. Te poezia “Rent, or Maratonomak!”, përsëri është fjala “maratonomak” dhe tokmak, -or Maratonomak; lark or lark-or Maratonomak, haj dhe pak or Maratonomak.

Në krijimtarinë poetike të Nolit një vend të veçantë zënë edhe elegjitë me karakter ushtarak si “Syrgjyn-vdekur” dhe “Shpella e Dragobisë”. Elegjia për Luigj Gurakuqin është lirikë dhe e ëmbël, kurse elegjia për Bajram Currin është epike, himnizuese e luftarake. Me epitetet “gojëmjaltë”, “zemërhekur”, “shpirt të bardhë” e “vigan liberator” portretizohet Luigj Gurakuqi dhe me epitete të një natyre tjetër si: div, dragua, legjendar Ante, trim tribun dhe yll i rrallë i burrërisë portretizohet Bajram Curri. Vëlla e quan të parin, baba të dytin.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bernard Zotaj, fan noli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT