• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2022

BE DHE NATO, ËSHTË PRANË ORA E VENDIMEVE TË VËSHTIRA. TË PËRGATITEMI PËR GJTHSHKA

April 6, 2022 by s p

Nga STEFANO MONTEFIORI/

“Po arrijmë në çështjen themelore:deri në ç’pikë, ne perëndimorët, antarë të Bashkimit Evropian dhe të Aleancës atllantike mund të shkojmë, duke pranuar atë që po ndodh në Ukrainë?” Manuel Valls, 59 vjeç, ish kryeministër i Francës, në qeveri kur siriani Bashar al-Assad, me mbështetjen e Putinit,  përdorte armët kimike mbi bashkatdhetarët e tij e kur vetë Putini mësynte dhe bashkëngjiste Krimenë, thotë se “tashmë nuk mund të tërhiqemi mbrapsht, nuk mund të shtiremi se lufta n’Ukrainë nuk po ndryshon botën”.

            Çfarëmendon për fjalën e Zelenskit në Parlamentin farncez? E për kritikat e tij ndërmarrjeve franceze si Renault që ende nuk e kanë lënë Rusinë?

            “Presidenti ukrainas ka të drejtë të kërkojë ndihma e sanksione gjithënjë e më t’ashpra, t’i ankohet Vëndeve evropiane që mblidhen nesër për të shtyrë ndërmarrjet që të bëjnë zgjedhjet që janë të detyruara. Por në sfond është një çështje më e gjërë, për të cilën të gjithë jemi thirrur t’a përballojmë”.

            Pra, çfarë duhet bërë , mbas sanksioneve kundër Rusisë dhe ndihmave Ukrainës, nëse bisedimet nuk do të kishin sukses?

            “Është ashtu, duhet të përgatitemi për të gjitha rastësitë. Mund të pranojmëshkatërrimin e plotë të Ukrainës? Të Mariupolit, të Odesës, të Kievit? Mund të pranojmë përdorimin e armëve kimike, mbasi Rusia ka përdorur tashmëraketat ipersonike?”

            Deri tani Perëndimi nuk ka ndërhyrë drejtpërsëdrejti për të respektuar rregullat e frikësimit bërthamor, për të mos shkaktuar një luftë bërthamore.

            “Sigurisht, arsyeja ështëpërsosmërisht e kuptueshme nga pikëpamja juridike e politike, Ukraina nuk bën pjesë në NATO. Është e drejtë t’i jepen të gjitha mundësitë deri në fund, me shpresë që masakrat të ndalohen. Por në qoftë se kjo nuk ndodh? Çfarë do të bëjmë nëse shkatërrimi vazhdon? Është rrezik që disfata e jonë morale të jetë e tmerrshme”.

            Çfarëkëshilloni të bëhet?

            “Tani për tani kufizohem me ngritjen e çështjes, rreziqet për mua janë shumë të qarta. Por çështja tashmëështë kjo. Gjëndja e tashme, a është e lejueshme për kohë të mesme e të largëta, nga një pikpamje morale dhe strategjike? Besoj se përgjegjësit e BE, NATO-s e të G7, në këto ditë janë duke pyetur pikërisht këtë”.

            Nga Polonia  për shëmbull vjen ideja e forcave ndërmjetëse në tokën ukrainase për të siguruar korridoret njerëzore.

            “Sigurisht, vijat e rrahjes së mendimeve janë duke lëvizur, prandaj them se po i afrohemi një çasti, në të cilin duhet të marrim vendime të vështira. Duam t’a shmangim luftën, kjo është e sigurtë dhe shumë e drejtë. Megjithatë lufta është e ne duhet të përgatitemi për t’a fituar. Nuk jemi më në gjëndjen klasike, doktrina e Mbrojtjes është ndryshuar në pak ditë. Thellimi i sanksioneve, lidhjet e ndërmarrjeve me Rusinë, furnizimi me gaz e vajguri janë çështje themelore që kemi trajtuar deri tani. Por kemi arritur në çastin në të cilin duhet t’i përgjigjemi pyetjes themelore”.

            Presidenti amerikan Biden menjëherë ka sqaruar se nuk do të kishte dërguar trupa n’Ukrainë, e ka përsëriritur shumë herë dhe haptas ka përjashtuar çdo ndërhyrje të drejtpërdrejtë. A mos ka qënë shumë i kujdesshëm n’atë drejtim? A nuk do të kishte qënë më mirë  t’a linte Putinin në pasiguri, në vënd që t’i hapte rrugën e lirë, pa i vënë Rusisë asnjë vijë të kuqe për të mos e kapërcyer?

            “Sa i përket vijës së kuqe, ne kemi një të shkuar të rëndë. Më 2013 i kishim vënë Basharit vijën e kuqe në përdorimin e armëve kimike në Siri. Atëherë Bideni ishte zëvendës i Obamës. Megjithatë Bashari i përdori armët kimike mbi popullsinë e tij dhe Rafalet tonë u ngritën për t’i dhënë përgjigjen e lajmëruar. Objektivat ishin zgjedhur së bashku me aleatët tanë amerikanë. Isha në qeveri, Franca ishte e vendosur. Qe Obama ai që u tërhoq mbrapsht, ne u detyruam të thërrasim gjuajtësit e t’i kthenim në bazat e tyre. Ajo shenjë dobësie e Amerikës u shfrytëzua menjëherë nga Vladimir Putini në Siri e ndonjë muaj më vonë në Krime. Putini e dinte se i kishte duart e lira, e dinte se Shtetet e Bashkuara nuk do të kishin ndërhyrë”.

            A është e ndryshme gjëndja tani?

            “Më duket se gjërat janë ndryshuar, veçanërisht për ne evropianët. Nuk mund tëtërhiqemi mbrapsht përballë një beteje qëështë ajo e qytetërimit, e jo prej sot por prej fjalimit të mbajtur në Konferencën e Mynihut më 2007, kur Putini shpalosi teorinë e tij mbi demokracitë perëndimore të dobta e të zotëruara nga ideologjia Lgbt. Fjalimet e tij janë plot dhunëe, tashmë e dijmë, duhen marrë fjalë për fjalë. Duhet të përgatisim opinionet tona publike”.

            Çfarë duhet të presim?

            “Çasti i kthesës mund t’arrijë në ditët e ardhme. Të shohim si do të shkojnë këta takime të nivelit të lartë ndërkombëtarë. Të shohim nëse përpjekjet diplomatike do t’arrijnë ndalimin e luftës, siç shpresojmë të gjithë. Nëse lufta vazhdon, kundër dëshirës sonë, duhet të jemi gati”.

            Çfarë mendoni për ata që në Perëndim martohen me tezat e Kremlinit?

            “Në të vërtetë shumica e evropianëve po tregon një hov të jashtzakonshëm në dobi të Ukrainës. Pastaj janë ata që vetëquhen paçifistë, sigurisht. Më kujtojnë një fjali të presidentit Francois Mitterrand të shqiptuar para Buntestagut më 1983: “Edhe unjam kundër raketave. Por vë re se paçifistët janë në Perëndim dhe raketat janë në Lindje”.

            “Corriere della Sera”, 24 mars 2022    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Komente

Fejton nga Rafael Floqi – NATO, RAMA DHE 1 PRILLI

April 6, 2022 by s p

Fejton nga Rafael Floqi

Një gënjeshtër e pëlqyer, apo një servilizëm në ekstrem do të shpalosej në një këndvështrim sa qesharak dhe aq për të ardhur keq këtë vit më 1 Prill. Të gjitha mediat televizionet dhe gazetat më me emër në Shqipëri, u përpoqën t’i krehin sedrën kryetarit të qeverisë, edhe pse e dinin që ishte e ashtuquajtur “dita e gënjeshtrave”, duke vënë dyshim dhe vetë atë që besojnë se 1 Prilli është ditë si të tjerat. 

Po e habitshme, këto rrenat me Ramën, nuk mund të jenë ‘Fake news” nuk ka mundësi të jenë, pasi nuk janë shqiptare, pasi njoftimi tashmë vinte “ kafet e Tiranës”, por mall importi, nga Gjermania. Një ksenofili deri në absurd, për çdo gjë të huaj, një kompleks inferioriteti tek shqiptarët, i njëjti, sado çdo ambasador e shpallim guvernator të pa shpallur të vendit tonë, se po qe rrenë e jashtme besohet.      

Këtë një1 Prill një papërgjegjshmëri kolosale, media që duhet të jetë pushteti i katërt, shpërndan llogje pazari, fake news, me një përkushtim  që mund të shpjegohet me një adhurim deri në vetëmohim si dalldi spiropaliste për “Skënderbeun “ e mediave shqiptare. Te gjitha gazeta e mëdha, të gjithë televizionet e bombarduan publikun me titujt se “kryeministri shqiptar do të bëhej së shpejti shef i NATO-s”. Artikuj shkruesit me një pasion vuajarist prej ndjekësi emisioni “Bigbrother”i e me një servilizëm të pa kërkuar. Imagjinoni “Piktori shefi i NATO-s” pavarësisht se vendi i tij nuk ka asnjë aeroplan dhe se tanket janë shitur për skrap pas marrëzisë kolektive të 1997.

Megjithatë është fakt ky thashethem qarkullon për disa kohësh në rangjet e larta të qeverisë shqiptare, ku njësoj si në rastin kur u përhap fjala se Rama do ndërmjetësonte për të zgjidhur sherrin mes Turqisë dhe Greqisë, apo Rusisë dhe Ukrainës.  Në mediat shqiptare ka adhurues të tij të çmendur që besojnë se Zeusi mund të arrijë gjithçka. Madje edhe vete Zeusi s’u ndje fare edhe duket që i kishte pëlqyer “cette pioson d’ avrille” se gjuhë brisk, siç është nuk mund të rrinte pa bërë zë, siç duket pse kishte mbyllur një ditë më parë diskutimin me popullin e tij, siç duket po bëhet gati për transferimin tek “Olimpi imagjinar” ku i kishin caktuar të zëvendësonte Marsin. Heshtja shton suspensën, dhe  trashëgimtari gjuhë shpatë i  Nolit dhe Konicës sipas fjalëve të tij heshti. Dhe heshtja i pëlqeu, do të ketë menduar se i mjafton që diskutohet ideja.  

Duke ditur që ishte 1 Prilli, një grua shqiptare me mbiemrin e martesës që tingëllon si i huaj që banon në Gjermani, një farë Suzana Starikov, cicëroi për shaka në twiter se “Kryeministri Edi Rama mund të zgjidhet në krye të NATO-s dhe ngriti pyetjen “Kush do të jetë kryeministri i radhës i Shqipërisë?”. Sipas saj kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas janë dy kandidaturat për Sekretar të Përgjithshëm të NATO-s në vend të Jens Stoltenberg. Kaq duhej, dhe fakti u bë i vërtetë “ vloi kazani”. Që ta bërë “zbulimin e besueshëm” iu dhanë zonjës edhe tituj që s’i ka. Jo vetëm kaq…

Kush rrëmon për të vërtetën,  me dy klikime në Facebook zbulon se kjo “ analiste e NATO-s” që shkruan artikuj vetëm më një Prill , është  Suzana, një shqiptare dhe siguron jetesën me përkthime, dhe emrin e vajzërisë e ka Suzana Skenderi.

Ku ka rënë gazetaria, ku ka rënë vërtetimi i burimit, kur “lajmet merren “ nga konspiracionistë, si lefterisuri Alfred Çako, shqiptar dhe ky, si Suzana dhe bëhen fakte?  Pavarësisht dhe pse ishte 1 Prill, ç’rëndësi ka e vërteta,  duhej që lajmi me insistim të shpërhapej në Shqipëri, pikërisht lajmi për liderin global, ndaj duhej që një portal vlonjat një “ ripërtypës interneti” ta shpallte Suzanën edhe akademike por eksperte e NATO-s. 

Pre e kësaj dalldie ra edhe një media serioze serbe si B92 e cila e botoi lajmin në faqen e saj. Kjo ndoshta e lidhur dhe me reagimet e fundit të Ramës ne Samitin e NATO-s ku nuk u shpreh, pro nismës se Kroacisë dhe Turqisë për ta futur Kosovën në NATO. Serbët duhet të kenë fërkuar duart. 

Por pse të gjithë harruan se ishte 1 Prilli, dita e gënjeshtarëve. Atë e sqaroi vetë Suzana Starikov me një postim të dytë kur pa që ky njoftim u bë viral. “OK më duhet të shpjegoj se e gjitha kjo ishte një shaka për 1 Prillin”, shkroi ajo duke insistuar: “Pavarësisht se kam deklaruar se ishte thjeshtë një shaka e imja për 1 Prillit, mediat nuk ndalojnë së publikuari sikur të ishte një lajm i vërtetë. Kjo është çenduri. Është vetëm një shaka, fshijeni ju lutem, nuk dua të jem burimi i një lajmi të rremë”. Çfarë vetësakrifice , por asnjë media shqiptare nuk e përgënjeshtroi.

Sot Shqipëria shënon 13 vite si anëtarë e NATO-s dhe cicërimat e “akademikes gjermane ne Twitter “nuk duken te jenë rrufe ne qiell të hapur, pasi ideja që Edi Rama mund të zgjidhet ne krye te NATO-s ka kohë që qarkullon në mjediset mediatike dhe politike, si një fakt që gatuhet ne “kazanin”, siç i pëlqen Ramës të 1 Prillit të mediave shqiptare.

“Por, a synon Edi Rama postin e sekretarit të përgjithshëm të aleancës së atlantikut te veriut? Koha do ta tregojë, shkruan Top Channel, por një tjetër kohë që po ecën drejt fundit është ajo e mandatit te Jens Stoltenberg, që mbyll ciklin e tij në këtë post ne shtator të 2023, me një vit shtyerje për shkak të luftës në Ukrainë, luftë e cila ka marrë vëmendje të posaçme e nga NATO. Ndërsa “Shqiptarja “ shtonte se  “Publikisht Edi Rama nuk ka folur kurrë për një ambicie të tij për karrierë politike ndërkombëtare, por të gjithë kujtojnë se ai nisi të shijonte shume turet e tij si kryetar i OSBE, përfshirë edhe vizitat ne Moskë dhe në zonat e konfliktit ruso-ukrainas në Donbas. Rama bëri lajm kur u duk se negocioi mes Erdogan dhe Micotakis për krizën greko-turke, ndërsa shkoi vetë në New York, kur Shqipëria filloi turin dy vjetor si anëtar i Këshillit të Sigurimit. Atij i pëlqen shpesh të vjedhë dritat e spektaklit në takime ndërkombëtare, me këpucë sportive dhe rrëfime hokatare, por të jesh sot sekretar i përgjithshëm i NATO-s, nuk është një spektakël, por një detyrë me përgjegjësi.

“Gjithçka mund të ndodhë, por Brukseli nuk është Tirana, aq më tepër në 1 Prill, shkruan, Top Channel, që mund të përkthehet, nuk kemi se mos besojmë se sot është 1 Prill, pasi lajmi vjen nga burime të jashtme.  Çfarë poshtërimi i rolit të gazetarit dhe të vërtetës, dhe mere mend kur Top Channel që vetë cilësohet se është “një burimin kryesor dhe me prestigjioz të informimit të të gjithëve në Shqipëri, në hapësirën mbarë shqiptare dhe kudo tjetër në botë ku shqiptarët jetojnë”, merre me mend të tjerat.

Lajmi i rremë” është “informacion i fabrikuar që imiton përmbajtjen e medias së lajmeve në formë, por jo në proces apo qëllim organizativ. Nga ana tjetër, organeve të lajmeve të rreme u mungojnë normat dhe proceset editoriale të mediave të lajmeve për të garantuar saktësinë dhe besueshmërinë e informacionit. Lajmet e rreme mbivendosen me çrregullime të tjera informacioni, të tilla si dezinformatat informacione të rreme që përhapen qëllimisht për të mashtruar njerëzit.

Nga ana e kryeministrit nuk ka patur asnjëherë reagim lidhur me ambicien për një gjë të tillë, edhe pse kreu i qeverisë ka intensifikuar takimet jashtë vendit. Së fundmi ai u takua me Henry Kissinger, një prej figurave më të njohura në botë, i cili ka mbajtur disa poste të rëndësishme në SHBA. Gjithashtu, Rama u takua edhe me shumë të atakuarin në Shqipëri, manjatin George Soros. Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara, kryeministri Edi Rama zhvilloi edhe një takim në Akademinë Ushtarake “West Point” në Nju-Jork, ku mbajti një fjalim të shkurtër para qindra studentëve. Nga studio e emisionin “Breaking” në Top News, analisti Artur Zheji tha se kjo do ishte një arritje e madhe për Shqipërinë, por nuk beson se Rama e synon atë post.

“Pse të mos e bëjë. Nëse kupola e madhe vendos se një shqiptar do zgjidhjet sekretar i përgjithshëm, pse jo. Por nuk e ha atë Rama. Nuk ikën nga Shqipëria ai. Këtu i ka rrënjët. Nuk do që ti thahen rrënjët, ku i ka ngulur fort”, tha Artur Zheji.

Gjithsesi, poste të tilla, edhe pse duket të paarritshme për zyrtarët shqiptarë, nuk janë të pamundura. Kryeministri Edi Rama ka mbajtur edhe detyrën e kreut të OSBE, ndërsa zhvilloi edhe disa takime në Moskë dhe Krime, dhe duket si e shmangu luftën. Ndërkohë pas kësaj hajt, mos beso se Piktorit nuk i duhej më këshillimi me popullin, e mos spekulo se tani pasi kishte në dore fatet e Botes “. Procesi i Këshillimit Kombëtar duhej mbyllur më 31 Mars. Qe vet “kandidati për sekretar të NATO-s që bëri me dije se në këtë proces kishin marrë pjesë mbi gjysmë milioni qytetarë. Dhe kjo ishte një dite para bombës se 1 Prillit.

Sipas Ramës me postë kanë dhënë mendimin e tyre 340 143 qytetarë, online 127 130 qytetarë dhe në tenda 95 922. Kreu i qeverisë siguron pjesëmarrësit se zëri i tyre do të dëgjohet me respektin më të madh.

“Dhe me një falënderim të me gjithë zemër për mbi gjysmë milionë shprehje interesi për Këshillimin e parë Kombëtar, si edhe duke i siguruar të tërë pjesëmarrësit se zëri i tyre do të dëgjohet me respektin më të madh, ju uroj të gjithëve një fundjavë të qetë”, shkruan Piktori që pritet që tani të justifikojë çdo veprim te tij me fjalët « Vox Populi , vox day»

Thonë se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por kjo e 1 Prillit, doli se nuk ishte kështu, gazeta Tema , botoi një shkrim ku “Nikollë Lesi” pronari i gazetës “ Koha e Jonë” kërkonte me forcë të drejtën e “Copywrite” e dhe kasnecoi se ka muaj që e ka parashikuar këtë gjë, duke e thënë se ai qe i pari, dhe vërtet, ka pasur një shkrim konspiracioni të tillë, bazuar në sondazhe tw gazetës në fjalë. 

“Edi Rama ka realizuar qëllimet e tija në Shqipëri, shkruante ai. U bë kryebashkiak, kryeministër sa asnjë kryeministër tjetër pas vitit 1990 dhe po turret drejt NATO-s. Pas Edi Ramës fillon epoka e Erion Veliajt. Ai merr PS-në dhe qeverinë pasi, siç thamë në shtator të vitit të ardhshëm mbaron mandati i drejtuesit të NATO-s.

Ndaj po të shikosh me kujdes edhe prononcimet e Erion Veliajt në takimet nuk thotë më zoti kryeministër, por i drejtohet me emrin Edi. Kaq mjafton për te vluar kazani. 

Me kaq historia 1 Prillit u mbyll po duke lënë të hapur dilemën: mediat tona u treguan kaq syleshë thjesht, besojnë në fake news, jetojnë në flluskën e twiterit,  apo adhurojnë aq shumë Ramën edhe pse e dinin që ishin me një 1 Prill?

Për ironi, edhe vete origjina e 1 Prillit,  është një reng që thonë se rrjedh nga mesjeta nga koha e ndryshimit te kalendarëve Julian dhe Gregorian, apo më e lashte, se thonë se rrjedh nga festimet qesharake të Perëndeshës Romake Hillaria, nga vjen edhe në anglisht fjala « hilarious » -super qesharake ashtu si burahaja e mediave shqiptare me këtë lajm në 1 Prill. 

Pasi vetëm po të besojmë dihet se si Rama ka zgjidhur problemet e Shqipërisë, pasi i ka ikur gjysma e popullsisë, do të kujtonim Mark Twain që thoshte “Kjo është dita që na kujton se çfarë jemi në 324 ditët e tjera të vitit.” 

Dhe do na vinte në mendime ideja se si do ta pikturonte botën piktori me kërpudhat bërthamore kur njerëzimi të kërcënohej nga zhdukja… 

Filed Under: Fejton

IMAZHI I AUSTRO-HUNGARISË NË TEKSTET SHKOLLORE NË SHQIPËRI (1991-2022)

April 6, 2022 by s p

FATMIROSHE XHEMALAJ

Specialiste e kurrikulës së historisë

Autore e teksteve të historisë për periudhën e regjimit komunist

ABSTRAKT

Roli i Austro-Hungarisë në pavarësimin e Shqipërisë dhe në krijimin e shtetit shqiptar natyrisht, që trajtohet në programet dhe tekstet e historisë së arsimit parauniversitar të Republikës së Shqipërisë. Problemi qëndron, a është krijuar imazhi i drejtë në formimin historik dhe qytetar të nxënësve, për kontributin e madh që Austro-Hungaria ka dhënë në procesin e pavarësimit dhe krijimit të shtetit shqiptar? A trajtohet kontributi i dhënë me mendësitë e historiografisë së ideologjisë marksiste-leniniste se “Austro-Hungaria” luftonte për interesat e saj, apo trajtohet nga këndvështrime të tilla, që kur dikush të mbron interesa të shenjta, jetike, të quhet mik dhe jo armik? Pra këtu kemi të bëjmë me mënyrën e vlerësimit, që është shumë i rëndësishëm në histori, por jo vetëm, nga e cila shoqëria njerëzore vuan edhe tani që flasim. 

Populli ynë thotë se “Gjuha kocka s’ka por, kocka thyen”. Kështu është dhe vlerësimi për ngjarje e dukuri historike, personalitete historike, për të cilat shoqëria duhet të ketë vetëm një kriter e ky kriter është vetëm përgjigja e pyetjes: A ju shërbejnë njerëzve qëndrimet e X apo Y apo jo?  Në qoftë se çdo njeri në këtë botë, që është bërë sot një fshat i vogël, do të nxirrte të tilla konkluzione, atëherë paqja sociale do të ishte midis nesh.    

Paraqitet apo nuk paraqitet drejt imazhi i Austro-Hungarisë në tekstet shkollore, këtë do ta shohim në trajtimin më poshtë, por shqiptarët, ashtu si kanë ruajtur identitetin e tyre, me gjuhë të shkruar apo të pashkruar, ashtu ruajnë në ndërgjegjen e tyre, në shkrimet e shumta, nderimin dhe respektin për kontributin e Austro-Hungarisë, në pavarësimin e Shqipërisë dhe krijimin e shtetit shqiptar. Austro-Hungaria në vitet 1912-1913, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, kërkoi për shtetin shqiptar, gjithë trojet e banuar prej shqiptarëve, ndërkohë që Aleanca Ballkanike, kërkonte të mos ekzistonte shtet shqiptar.  

Por detyra ime sot është të flasë se si paraqitet imazhi i Austro-Hungarisë në tekstet shkollore të historisë në Shqipëri (1991-2022). 

Të flasësh për mënyrën se si paraqitet imazhi i Austro Hungarisë në tekstet shkollore në përdorim, në sistemin arsimor parauniversitar do të thotë t’i përgjigjesh pyetjeve:

1. Kur nxënësit ndeshen për herë të parë me konceptin Austro-Hungari?  

2. Çfarë mësojnë konkretisht nxënësit në tekstet e historisë mbi rolin e Austro-Hungarisë ndaj pavarësimit të Shqipërisë dhe krijimit të shtetit shqiptar? 

3. A marrin nxënësit formimin e duhur historik mbi rolin e Austro-Hungarisë në pavarësimin e Shqipërisë dhe krijimin e shtetit shqiptar? 

4. A trajtohet roli i Austro-Hungarisë në kurrikulën e historisë në pavarësimin e Shqipërisë e krijimin e shtetit shqiptar nën dritën e zbulimeve më të fundit të studimeve historike?  

Studimi hulumton trajtimin e rolit të Austro-Hungarisë në pavarësimin dhe krijimin e shtetit shqiptar në tekstet e historisë të periudhës 1991-2022 duke ju dhënë përgjigje pyetjeve të mësipërme. Si i tillë ai mbart vlerë për interesin publik brenda e jashtë vendit, prindër, nxënës, mësues, hartues kurrikulash, tekstesh. Publiku ka të drejtë të dijë e të informohet mbi edukimin e fëmijës me vlera humane, të dijë se si fëmija i tij/saj të vlerësoj në histori veprat që i shërbejnë njerëzve etj. 

“Historia që mësohet në shkolla nuk është material vetëm i historianëve, mësuesve, i autorëve të librave  dhe i botuesve. Ajo është pronë publike. Politikanët, minoritetet etnike dhe gjuhësore dhe prindërit në përgjithësi shpesh ndjejnë, se  kanë të drejtë të ndikojnë në histori dhe në mënyrën se si mësohet ajo, më tepër se sa ndikojnë në matematikë, dituri apo gjeografi ”1.

Me zotin ambasador të Austrisë në Tiranë, z. Christian Steiner si dhe me drejtorin e Institutit të Historisë, z. Afrim Krasniqi,  jemi takuar pikërisht në veprimtari që kanë në fokus formimin historik të të rinjve, për një shoqëri që njeh kontributet dhe përpjekjet e njerëzve, të personaliteteve historike, shteteve për t’i bërë njerëzit, kombet që të jetojnë jetën e dhënë pa cenuar liritë dhe të drejtat e gjithsecilit.  Gjej rastin të  falënderoj zotin ambasador të Austrisë në Shqipëri z. Christian Steiner, për rolin që luan në organizimin e kësaj konference, si një vazhdimësi e qëndrimeve konstruktiviste, të shtetit, që përfaqëson, të Austrisë, ndaj problemeve të shqiptarëve, në kuadrin e integrimit europian. Fakti që programi i konferencës parashikoi temën që do të trajtoj mbi “Imazhin e Austro-Hungarisë në tekstet shkollore në Shqipëri, 1991 -2022”, tregon se vizioni ynë është i përbashkët, t’i mësojmë të rinjtë si të jetojnë në paqe; t’i mësojmë të rinjtë se mbrapa një kontributi njerëzor, si dhe ishte ai i Austro-Hungarisë, në pavarësimin e Shqipërisë nuk ka asgjë për t’u paragjykuar. 

Shoh se edhe drejtori i Institutit, z. Afrim, është vizionar, e bashkëpunon për të hedhur dritë mbi ngjarjet kyçe të historisë së popullit shqiptar, si dhe është ajo e pavarësimit të Shqipërisë e krijimit të shtetit shqiptar, kontribut, i cili shkon në ndihmën, që duhet t’ju japim të rinjve rreth identitetit të tyre, miqve që i kanë ndihmuar dhe ndihmojnë për të ecur larg së bashku.  

Konferencën e shoh si një debat publik lidhur me përgjigjen e pyetjes: për çfarë janë bashkuar apo vrarë të parët tanë, përmes trajtimit të temës sonë “Krijimi i shtetit të pavarur shqiptar dhe roli i Austro-Hungarisë”. Kështu të rinjtë do të kuptojnë kontekstin historik të kohës që jetojnë. 

Në vitin 2014, në rolin e specialistes së historisë më është kërkuar nga Ministria e Arsimit një studim me temë “Disa trajtime të ngjarjeve historike në tekstet e historisë” që ishin në përdorim në shkollat shqiptare. Një ndër pikat e konkluzioneve të mia për “Periudhën prej shpalljes së pavarësisë deri më 1939” ishte: “T’i kushtohet më shumë vëmendje rolit të Austro-Hungarisë dhe Italisë në Konferencën e Ambasadorëve,  pa mbështetjen e të cilave shteti shqiptar nuk do të ekzistonte sot në Ballkan”. 

_____________________

1. Robert Stradling,  “ Teaching 20th –century European history”,  botim i Këshillit të Europës, 2001, shtypur në Gjermani;  https://ëëë.sissco.it/doënload/dossiers/estradling.pdf; Albanian Version Përktheu: Fatmiroshe Xhemalaj: https://religiondocbox.com/Atheism_and_Agnosticism/78229699-Albanian-version-mesimdhenia-e-historise-evropiane-e-shekullit-te-20-te.html

METODOLOGJIA E PËRDORUR

Burimet. Për t’i dhënë përgjigje pyetjeve të mësipërme, për auditorin, por edhe për këdo që është i interesuar, në studimin tim kam përdorur:

1. Programet e historisë së atyre klasave ku nxënësit mësojnë për këtë problem, si të arsimit të detyruar 9-vjecar(arsimit të mesëm të ulët (AMU), po ashtu edhe programet e historisë të klasave të arsimit të mesëm të lartë (AML)(shihni faqen https://ascap.edu.al)  

2. Tekstet e historisë të klasave ku nxënësit mësojnë mbi rolin e Austro-Hungarisë në pavarësimin e Shqipërisë dhe krijimin e shtetit shqiptar (nga viti 1991-2022).

3. Pyetësor me nxënës të arsimit të mesëm të ulët dhe të arsimit të mesëm të lartë dhe mësuesit e tyre. 

4. Literaturë të autorëve shqiptar dhe të huaj në qarkullim.  

Metoda. Në këtë studim jam marrë me rolin e Austro-Hungarisë, në pavarësimin e Shqipërisë dhe krijimin e shtetit kombëtar shqiptar, pra jam marrë me problemin dhe zgjidhjen e tij, si ai paraqitet ai në programe, tekste, në imazhin e nxënësve, pa përmendur autor, shtëpi botuese, emra nxënësish, mësuesish, institucionesh shtetërore etj. Duke vënë në qendër problemin, më pas kam “thirrur” në ndihmë të dhënat nga tekste të pas vitit 1991. Edhe këtu për lehtësi studimi kam “thirrur” në  ndihmë vetëm ato tekste, që përveç trajtimeve të njëjta, për këtë problem, dallojnë në detaje nga njeri – tjetri.  

Të merresh me problemin dhe zgjidhjen e tij është më e rëndësishme se kuptojmë situatat që na paraqiten në shkollë, në drejtim të formimit historik dhe qytetar të nxënësve, për një qasje multiperspektive në jetën tonë, sesa të merremi me autorët, shtëpitë botuese, vet nxënësit mësuesit apo institucionet. Në fakt pyetësorët që kam zhvilluar me 22 nxënës e dy mësues të historisë, në arsimin e detyruar 9 vjeçar dhe atë të mesëm të lartë, janë pasqyra më e saktë e këtij studimi. Imazhi i tyre tregon se çfarë kanë shkruar autorët në tekstet e historisë. Studimi në fakt ngacmon hartuesit e kurrikulave, autorët e shkrimit të teksteve të historisë, që t’i trajtojnë ngjarjet historike në këndvështrimin e qasjes multiperspektive, ku në qendër të vlerësimit të qëndroj, ndikimi, që ngjarja, ka dhënë në mbrojtje të të drejtave themelore të kombeve apo njerëzve të thjeshtë.  

Gjithashtu, çdo mësim në tekstet e historisë shkollore, shoqërohet me një aparat pedagogjik, i cili e udhëheq nxënësin dhe mësuesin, në mësimin e thelbit të ngjarjeve historike që trajtohen, në zhvillimin e kompetencave historike dhe qytetare të nxënësve, përmes veprimtarive, projekteve, punës kërkimore etj. Aparati pedagogjik, përpos këtyre, e vendos nxënësin në rolin e autorit, të plotësoj njohuritë e mësimit, të cilat autori përshkak të hapësirës mësimore të dhënë, nuk mund t’i jap. Në këtë studim jam marrë edhe me aparatin pedagogjik, pikërisht, të atyre mësimeve ku trajtohet lidhja e rolit të Austro-Hungarisë me ngjarje të historisë sonë kombëtare, për të kuptuar, sa dhe si, nxënësit marrin njohuri për çështjet e trajtuara, apo të patrajtuara në tekst, përmes kërkesave të tilla, si “Kërkoni informacion” , “Mendoni në mënyrë kritike” , “Ide për t’u diskutuar” etj . 

KURRIKULA ZYRTARE E HISTORISË DHE TRAJTIMI I ROLIT TË AUSTRO-HUNGARISË NË PAVARËSIMIN E SHQIPËRISË DHE KRIJIMIN E SHTETIT KOMBËTAR SHQIPTAR. 

Duke kaluar nga diktatura komuniste në demokraci, përveç të tjerëve, u shtrua edhe detyra e rëndësishme për reformimin rrënjësor të kurrikulës së historisë. Problem ishte hartimi i teksteve sipas programeve të reja. Mendimi më i konsoliduar ishte që tekstet duhen hartuar nga historianë në bashkëpunim me mësuesit e shkollave, duke i mbajtur larg historiografisë së ideologjisë komuniste. Sa është realizuar kjo detyrë duhet të shohim se ç ‘formim historik e qytetar kanë fëmijët dhe të rinjtë në shkolla.

PROGRAME DHE TEKSTE ALTERNATIVE TË HISTORISË NË PËRDORIM

Në cilën klasë nxënësit mësojnë për rolin e Austro-Hungarisë në pavarësimin dhe krijimin e shtetit shqiptar? 

Nxënësit e Arsimit të Mesëm të Ulët, “takohen” me termin “Austro-Hungari”, në klasën e VII, mosha 12 vjeç, program i historisë së botërore të harkut kohor, nga shek. XIV-XIX. 2  Konkretisht ata mësojnë mbi këtë term në temën Perandoria austriake në vitet 1840 -1860, çështja Ndryshimet në Perandorinë Austriake – Austro-Hungaria, tekst alternativ, Historia 7, fq. 89, botim i vitit 2016. Këtu nxënësit mësojnë që Austria ishte një shtet i dobët në këtë kohë, prandaj për të kapërcyer krizën perandori i Austrisë, në vitin 1867 nënshkroi marrëveshje me Hungarinë, të cilin e njohu si shtet bashkësundues me Austrinë. Kështu lindi perandoria Austro-Hungareze. 

Në tekstin Histori klasa VIII, nxënës të moshës 13 vjeç, program i historisë botërore, të harkut kohor të shek. XX, në temën “Europa në prag të Luftës”, Historia 8, fq. 7, botim i parë, vitit 2017, ribotim 2022) në çështjen “Europa e përçarë nga nacionalizmat dhe ethet e luftës”, shkruhet “Austria përkrahu Bullgarinë si dhe krijimin e një shteti shqiptar, për të penguar Serbinë për të dalë në detin Adriatik dhe të forcohej në dëm të saj”. Ndërsa në rubrikën “Kërkoni informacion” të aparatit pedagogjik po të këtij mësimi, autorët u kërkojnë nxënësve që t’a lidhin mësimin me historinë kombëtare shqiptare nëpërmjet pyetjes: Cili shtet europian interesohej për Shqipërinë? Pse? Duke bërë pyetje të tilla, nxënësit, përmes punës kërkimore individuale apo në grup, zgjerojnë njohuritë për rolin e Austro-Hungarisë në formësimin e shtetit kombëtar shqiptar. Pra, edhe pse kemi të bëjmë me programin e historisë botërore, nxënësit duhet të realizojnë objektivin, për ta lidhur atë me historinë kombëtare aty ku ajo bën sens. Programi i historisë kombëtare, klasa IX, shkalla katër, e trajton rolin e Austro –Hungarisë në tematikën 3 Shqiptarët në Perandorinë Osmane (fundi i shek. XV-fillim i shek. XX) dhe në tematikën 4 Shqipëria dhe shqiptarët në vitet 1912 – 1939 dhe konkretisht në nëntematikën Sfidat e shtetit të pavarur shqiptar viti 1912-1914. 3

______________________________

2. Programi histori kl VII  https://ascap.edu.al/ëp-content/uploads/2018/09/Prog_Histori_Shkalla-3_shtator-2015.pdf

3. https://ascap.edu.al/ëp-content/uploads/2019/07/Histori-IX.pdf

Në tekstin që zbaton këtë program, Historia 9, botim i vitit 2018, ribotim i vitit 2019, fq. 83, mësimi 6, me temë Kuvendi Kombëtar i Vlorës dhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, nënçështja Përgatitjet për thirrjen e Kuvendit Kombëtar, shprehet se: roli i Austro- Hungarisë, ishte i madh në vendimin, që mori Ismail Qemali dhe patriotët e tjerë në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë; kërkesa për autonomi, në kontekstin e zhvillimit të ngjarjeve të kohës nuk kishte më kuptim; Ismail Qemali e bëri publik vendimin në intervistat e dhëna për shtypin e huaj dhe në telegramet e dërguara në Vlorë ku dhe vendosi të bënte pavarësimin e Shqipërisë.

Çuditërisht, në mësim jepet kontributi i Austro-Hungarisë për pavarësimin e Shqipërisë, ndërsa në  aparatin pedagogjik, nuk specifikohet ndonjë kërkesë për nxënësin lidhur me rolin e Austro-Hungarisë as për informacionin që është dhënë në libër, pale të pretendojmë që të ketë kërkesë për nxënës të nivelit të tretë, që punojnë me punë kërkimore e zgjerojnë njohuritë për këtë ngjarje kyçe të historisë së popullit shqiptar.  

Po të lexosh, po në këtë libër, fazat e zhvillimit të veprimtarisë praktike mbi Kuvendin Kombëtar të Vlorës dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, fq. 87, do të shohësh se përsëri nuk ka ndonjë lidhje, përmes kërkesave, midis vendimeve, që Ismail Qemali me patriotët e tjerë morën, dhe mbështetjes që Austro-Hungaria ju dha atyre në këtë kohë. 

Gjithashtu, roli i A-H del në pah edhe në temën Shteti shqiptar në vitet 1912-1914, fq.90. Po në këtë mësim rikonfirmohet mbështetja e Austro-Hungarisë, dhe në faqen 93, mësimin 2, Shqipëria gjatë Luftës së Parë Botërore (1914-1918), përshkruhen politikat Austro-Hungareze në zonën, që autorët e tekstit i quajnë zona pushtimi, politika të cilat mbështesin forcimin e administratës kombëtare të shtetit shqiptar, identitetin shqiptar, zhvillimin ekonomik, zhvillimin e arsimit dhe kulturës. Termi zona pushtimi i bënë nxënësit të jenë konfuzë, pasi nuk arrijnë të bëjnë dallimin e qëndrimeve të Austro-Hungarisë, Italisë, nga njëra-anë, dhe ushtrive të tjera pushtuese të Serbisë, Malit të Zi, Greqisë, nga ana tjetër. 

Nëse ai ka mësuar se Austro-Hungaria e ka mbështetur popullin shqiptar, nuk mund të arrijë të kuptojë, nëse ajo po e pushton atë, apo ka ardhur me ushtrinë për të mos lejuar fuqitë e bllokut tjetër, apo ushtritë e vendeve fqinje të pushtojnë Shqipërinë. Këtu kemi konfuzion për nxënësin, të cilët autorët e teksteve shkollore duhet të bëjnë kujdes. Përsëri në faqen 94, thuhet se shqiptarët u përpoqën të shfrytëzonin lehtësirat e krijuara nga pushtuesit italianë, austro-hungarezë dhe francezë!!!   

Programi i historisë kombëtare, klasa 11, shkalla pestë, e trajton rolin e Austro –Hungarisë në tematikën 3, Shqiptarët në fundin e shekullit XIV deri në fillimin e shekullit XX dhe në tematikën 4, Sfidat e shtetit të pavarur shqiptar (1912 – 1939)4

Në tekstin që zbaton këtë program, Historia 11, botim i vitit 2017, ribotim 2019, 2020, mësimi 12, fq. 92, me temë Kuvendi Kombëtar i Vlorës dhe Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, është trajtuar drejt konteksti historik i ngjarjes dhe roli i Austro-Hungarisë në mbështetje të kërkesës së shqiptarëve për pavarësimin e Shqipërisë e krijimin e shtetit shqiptar. 

______________________

 4 https://ascap.edu.al/ëp-content/uploads/2019/07/Histori-XI.pdf

Po kështu konfirmohet roli mbështetës i Austro-Hungarisë, edhe në temën Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1912-1913), fq. 97-99, si përfaqësuese e opozitës ndaj fuqive të tjera të mëdha, sidomos për tërheqjen e trupave të Malit të Zi nga Shkodra, e cila i mbeti Shqipërisë si rezultat i përpjekjeve të Austro-Hungarisë. 

Interesante në këtë mësim është rubrika KËRKONI INFORMACION. Këtu shkruhet kërkoni informacion për projektet e Austro-Hungarisë  dhe të Rusisë për çështjen shqiptare, krahasojini dhe formuloni përfundimet tuaja. I diskutoni kërkimet në klasë.  

Si dhe e kam përmendur më sipër, kyçi i zgjidhjes së problemeve apo edhe i formimit të drejt historik e qytetar të nxënësve është edhe aparati pedagogjik, i cili shoqëron çdo mësim në tekstet shkollore. Ai i vë nxënësit në punë, me anë të kërkesave të tij, sipas niveleve të tyre. Aparati pedagogjik i “shpëton” autorët nga mangësitë e informacionit, nga keqtrajtimet e ngjarjeve historike, pasi ju hap nxënësve dritare të gjetjes se informacioneve dhe të diskutimit të tyre në klasë. Ai i mëson nxënësit të futen në xhungël dhe të dalin nga ajo me fitore. 

Në temën, Shqipëria gjatë Luftës së Parë Botërore, nxënësit mësojnë se si rezultat i presionit të ushtrisë austro-hungareze dhe asaj bullgare, forcat malazeze dhe serbe u detyruan të tërhiqen. 

Në një tekst tjetër alternativ, të historisë 11, për nxënësit e arsimit të mesëm të lartë, botim i vitit 2017, fq. 85, në mësimin 12, Kuvendi Kombëtar i Vlorës dhe Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, shkruhet se Austro-Hungaria ishte e interesuar për krijimin e një  shteti të pavarur shqiptar, pasi e shikonte Shqipërinë si një pengesë për shtrirjen e ndikimit sllav dhe si një urë për të dalë në Selanik, ndërsa mësimin 1, fq. 90, Konferenca e Ambasadorëve në Londër dhe Qeveri e Përkohshme e Vlorës, fq. 90, çështja  Konferenca e Ambasadorëve në Londër dhe çështja shqiptare, shkruhet:

“Konferenca (e gjashtë Fuqitë e Mëdha) trajtoi edhe çështjen shqiptare: statusin, organizimin, e brendshëm dhe kufijtë e Shqipërisë. Nga fuqitë e Mëdha, Austro-Hungaria dhe Italia mbështetën dukshëm çështjen shqiptare. Më poshtë, te Statusi  shkruhet se më 17 dhjetor 1912 Konferenca vendosi  të krijohej një Shqipëri autonome, nën sovranitetin e Sulltanit. Humbja e ushtrisë osmane në Shkodër dhe Janinë, bëri që Austro-Hungaria dhe Italia të kërkonin shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Vendimi përfundimtar për statusin e Shqipërisë u mor më 29 korrik 1913. Shqipëria shpallej principatë autonome, sovrane, e trashëgueshme nën garancinë e gjashtë fuqive të mëdha; më poshtë te Kufijtë e shtetit shqiptar shkruhet se diskutimi për kufijtë zgjati nga dhjetori i vitit 1912 deri në gusht të vitit 1913…Debate të zjarrta u bënë midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë, veçanërisht për Shkodrën, e cila në fund mbeti brenda Shqipërisë. 

Gjithë kjo panoramë transmeton te nxënësit qëndrimin pozitiv e luftarak të Austro Hungarisë në ndihmë të çështjes shqiptare, por nxënësit duan të kuptojnë më thellë rreth natyrës, se kësaj ndihme, që mos ta kalojnë këtë kontribut vetëm me një shprehje se ajo e bëri këtë për interesat e veta. Një tekst i mirë, përpos përshkrimit të situatës duhet ta ngrejë “stekën” drejt reflektimit për vlerësim objektiv të ngjarjeve.

Kjo gjë mund të arrihej fare mirë te aparati pedagogjik, por për fat të keq aparati pedagogjik i këtyre mësimeve nuk u kërkon nxënësve asnjë gjë për rolin e Austro-Hungarisë në çështjen shqiptare. Aparati pedagogjik i këtij teksti, nuk realizon as kërkesën minimale për këtë problem, të pyesë rreth informacionit historik të dhënë në tekst, që autorët e kanë përshkruar si më sipër. Programi zyrtar i historisë kërkon që nxënësit të zhvillojnë kërkimin historik, mendimin kritik, por për problemin që ne kemi në diskutim fatkeqësisht nuk  ka asgjë.     

TEKSTET E HISTORISË NGA 1991 DERI NË VITIN 2006 DHE MË PAS DERI NË VITIN 2015

1. Tekstet e historisë deri në vitin 2006, botoheshin nga një shtëpi botuese shtetërore, dhe nuk kishte tekste alternative. Pas 1991 deri në vitin 1997 u punua me tekstet ekzistuese, duke fshirë paragrafë që nuk kishin të bënin me historinë vet, por me politizimin e saj.

Teksti i parë, i parë në këndvështrim ndryshe, nga ai marksist leninist, ishte teksti i historisë kombëtare, titulluar Historia e popullit shqiptar,  për gjimnazin ose arsimin e mesëm të lartë, botim i vitit 1996, i Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor. 

Teksti vë në qendër përpjekjet e Rilindjes Kombëtare shqiptare në pavarësimin e Shqipërisë, por thekson, njëkohësisht edhe mbështetjen e Austro –Hungarisë, që i bëri Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit etj., kur shkoi në Vjenë. Aty shkruhet: Para se të ktheheshin në Shqipëri, Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi etj., shkuan në Vjenë, ku patën takime me disa personalitete politike, si me ministrin e Jashtëm të Austro-Hungarisë, me ambasadorët e Anglisë dhe të Italisë etj.  

Tre vjet më vonë, në vitin 1999 u botua në Prishtinë, nga Shtëpia Botuese e Librit shkollor, teksti Historia e Popullit Shqiptar, për klasën e dytë të shkollave profesionale shqiptare, i cili, lidhur me rolin e Austro-Hungarisë në pavarësimin e Shqipërisë ishte në një linjë me tekstin, me të njëjtin emër, që u botua në Tiranë, në 1996, ku tregon se Austro-Hungaria kontribuoi në pavarësimin e Shqipërisë e krijimin e shtetit shqiptar( fq. 89). Aparati pedagogjik i tij nuk ngre pyetje për rolin e Austro-Hungarisë, nuk nxit të mësuarin interaktiv, për këtë problem.

2. Edhe në botimet e teksteve të historisë, të arsimit parauniversitar, me reformën e alterteksti, përsëri qëndrimi i autorëve ndaj rolit të Austro-Hungarisë trajtohet në të njëjtën linjë, si më parë, ku fokusi kryesor i jepet luftës së shqiptarëve për pavarësi nga Perandoria Osmane. 

Ka tekste që nuk e përmendin fare, por  flasin me termin e përgjithshëm Fuqitë e Mëdha… vendosën…, pa e përmendur fare qëndrimin promotor të Austro-Hungarisë. 

IMAZHI I NXËNËSVE PËR ROLIN E AUSTRO- HUNGARISË 

NË PAVARËSIMIN E SHQIPËRISË DHE KRIJIMIN E SHTETIT KOMBËTAR SHQIPTAR

(Bazuar në përgjigjet e tyre për pyetësorin e kryer më 17 mars 2022)

Metodika e kryerjes së pyetësorëve. Pyetësorin e zhvillova me shkrim, me nxënësit dhe mësuesit e tyre të historisë, në shkollën jopublike “Protagonistët”, të klasës së IX dhe XI, Tiranë. Gjej rastin të falënderoj drejtorin e shkollës, z. Gentjan Dedja, njëkohësisht dhe mësues i historisë, për vizionin që ka për mësimin dhe mësimdhënien e historisë në shkollë duke më dhënë mundësinë të zhvilloja pyetësorin në shkollën e tij. 

Pyetësori u zhvillua pikërisht me nxënësit e klasës së IX( arsimi i mesëm i ulët (AMU) dhe, XI (arsimi i mesëm i lartë (AML), pikërisht, sepse, pavarësimi i Shqipërisë dhe krijimi i shtetit shqiptar mësohen më gjerë në programin e historisë kombëtare, i cili zhvillohet në këto klasa.

Nxënësit që u pyetën në AMU ishin gjithsej 11 nxënës dhe mësuesi/mësuesja e tyre. Nxënësit që u pyetën në AML ishin gjithsej 10 nxënës dhe mësuesi/mësuesja e tyre.

Pyetësori u zhvillua për të dyja klasat në datën 17 mars 2002. 

Pyetësori me përgjigjet e tyre gjenden në arkivin tim personal.

Nxënësve dhe mësuesve të tyre ju drejtova këto pyetje: 

Pyetje për nxënësin e klasës 9/11

1. Cilat shtete i ndihmuan shqiptarët për të shpallur pavarësinë në vitin 1912 dhe përcaktuar kufijtë e tij më 1913?

2. A mendoni se Austro-Hungaria i ka ndihmuar shqiptarët në pavarësimin e Shqipërisë dhe në krijimin e shtetit shqiptar?  Çfarë dini konkretisht për këtë problem? 

Pyetje për mësuesin e historisë që japin historinë 9/11/12

1. Cili është mendimi juaj, a është trajtuar drejt dhe mjaftueshëm në tekstet e historisë, roli i Austro-Hungarisë në pavarësimin e Shqipërisë dhe krijimin e shtetit shqiptar?

2. Çfarë do të dëshironit të ishte ndryshe? 

Konkluzionet e pyetësorit

Si ju përgjigjën mësuesit e historisë pyetjeve?

1. Cili është mendimi juaj, a është trajtuar drejt dhe mjaftueshëm në tekstet e historisë, roli i Austro-Hungarisë në pavarësimin e Shqipërisë dhe krijimin e shtetit shqiptar?

2. Çfarë do të dëshironit të ishte ndryshe? 

Mësuesit e historisë shkolla jopublike “Protagonistët”. Ata mendojnë se është trajtuar drejt roli i Austro-Hungarisë, në pavarësimin e shtetit shqiptar, por jo mjaftueshëm. Në tekstet e mëparshme, thonë ata, pasqyrohej përpjekja e Austro-Hungarisë, që Shkodra të mbetej e Shqipërisë, pavarësisht qëndrimit të fuqive të tjera. Në tekstet e tanishme jepet pak informacion, prandaj mendoj ta jap si informacion shtesë, me qëllim që nxënësit të bëjnë dallimin me qëndrimin e fuqive të tjera të kohës.   

Do të dëshironim që ngjarjet kyçe të historisë kombëtare shqiptare, “miqtë” dhe “armiqtë” e popullit shqiptar të trajtoheshin në bazën e zbulimeve të reja të studimeve historike. Përpos kësaj janë lënë në harresë, ngjarje si p.sh. ajo e rolit të Austro-Hungarisë, këmbënguljes së saj koherente, që qyteti i Shkodrës të mbetej shtetit shqiptar.  

Si ju përgjigjën nxënësit e klasës së IX/XI pyetësorit?

1. Cilat shtete i ndihmuan shqiptarët për të shpallur pavarësinë në vitin 1912 dhe përcaktuar kufijtë e tij më 1913?

2. Mendoni se Austro-Hungaria i ka ndihmuar shqiptarët në pavarësimin e Shqipërisë dhe në krijimin e shtetit shqiptar?  Çfarë dini konkretisht për këtë problem? 

Unë e kam trajtuar përgjigjen e çdo nxënësi duke shkruar Nxënësi 1, 2, 3 … e me radhë.  Nga analiza që i kam bërë çdo përgjigjeje kam nxjerrë këtë këto konkluzione:

1. Të gjithë nxënësit, pyetjes së parë, Cilat shtete i ndihmuan shqiptarët për të shpallur pavarësinë në vitin 1912 dhe përcaktuar kufijtë e tij më 1913? i përgjigjen se ishin Austro-Hungaria dhe Italia. Kjo pyetje që ne e klasifikojmë si pyetje të nxënësve të 5 dhe 6 e bëra me qëllim për të kuptuar se cilat prej fuqive të mëdha të kohës ata do të veçonin. 

Kështu që në këtë drejtim ata ju përgjigjën pyetjes të gjithë shumë mirë. 

2. Përgjigjet e nxënësve për pyetjen e dytë A mendoni se Austro-Hungaria i ka ndihmuar shqiptarët në pavarësimin e Shqipërisë dhe në krijimin e shtetit shqiptar? Çfarë dini konkretisht për këtë problem?, përpos qëndrimeve të përbashkëta, kishte edhe dallime midis tyre.  

a. Qëndrime të përbashkëta( i shpreh si i kanë shprehur nxënësit) 

– Austro-Hungaria mbështeti Ismail Qemalin dhe patriotët e tjerë kur shkoi në Vjenë dhe Budapest për të kërkuar mbështetjen e fuqive të tjera të mëdha.  

– Austro-Hungaria, bëri bisedime me fuqitë e tjera të mëdha para, gjatë dhe pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër për ta shkëputur Shqipërinë nga Perandoria Osmane  e krijuar shtetin shqiptar në gjithë hapësirën e banuar nga shqiptarët. 

– Austro-Hungaria ishte faktori kyç i shpalljes së pavarësisë.

– Ushtria Austro-Hungareze, gjatë Luftës së Parë Ballkanike, zboi nga trojet shqiptare, ushtritë serbe dhe malazeze. 

– Princ Vilhem Vidi, një ushtarak gjerman ishte propozuar nga Austro-Hungaria dhe mori mbështetjen e Fuqive të Mëdha për të qenë mbret i shqiptarëve. 

– në zonat, që historianët i quajnë zonat e pushtimit, Austro-Hungarez, italian, francez, gjatë Luftës së Parë Botërore, nxënësit përgjigjen se, në zonën e pushtimit Austro-Hungarez, shqiptarët u ndjenë mirë pasi u lejua të krijohej një administratë me nëpunës shqiptar, u lejuan të hapeshin shkolla shqipe, të ngrihej flamuri kombëtar etj. 

b. Qëndrime të veçanta ( i shpreh si i kanë shprehur nxënësit)

 – Austro-Hungaria dhe Italia ndihmuan Shqipërinë se ishin të shqetësuara për përhapjen e ndikimit të Rusisë në Europë. Austro-Hungaria, ndihej e rrezikuar nga Rusia dhe patjetër na ndihmoi edhe për shkak të interesave të saj.

– Austro-Hungaria,  por nuk e ka bërë për Shqipërinë, por për interesin vetjak.

– Austro-Hungaria synonte territorin e Shqipërisë.

– Austro-Hungaria nuk ka pasur si detyrë kryesore në planin e saj pavarësimin e Shqipërisë, por kishte si qëllim mos zgjerimin e mëtejshëm të Rusisë në Ballkan.

– Austro-Hungaria kishte simpati për popullsinë katolike në trojet shqiptare në veri.

– Tekstet e historisë kanë dështuar për ta theksuar rolin e Austro-Hungarisë në krijimin e Shqipërisë, duke u fokusuar më shumë në çështjen shqiptare siç është Lidhja e Prizrenit…Por thotë- me influencën që po merrte Rusia në Ballkan në shtet si Bullgaria dhe Serbia, Austro-Hungaria donte të forconte pozicionin e saj ndaj filloi rritjen e influencës në territore si Bosnjë, dhe mori kontakte me popullin shqiptar duke i ndihmuar të mbronin identitetin kombëtar dhe të krijonin shtetin e tyre.

Ai shpreh dëshirën se do të donte të kishte më shumë orë mësimore kushtuar çështjes shqiptare të lidhur me Austro-Hungarinë. 

– Austro-Hungaria promotorja e pavarësimit të Shqipërisë nga Perandoria Osmane dhe lakmitë e shteteve ballkanike për trojet e banuara nga shqiptarët.

DISA PËRFUNDIME

 1. Roli i Austro-Hungarisë për pavarësimin e Shqipërisë dhe krijimin e shtetit kombëtar shqiptar në tekstet në përdorim sot në shkolla përmendet, por jo i argumentuar saktë, në mënyrë që  nxënësit, kur të dalin në jetë, të mos flasin me slogane, por të dinë ta argumentojnë. 

Edhe në tekstet e para vitit 2016, kjo situatë paraqitet. Këtu po citoj përgjigjen e një nxënësi te pyetësori i cili shprehet Tekstet e historisë kanë dështuar për ta theksuar rolin e Austro-Hungarisë në krijimin e Shqipërisë, duke u fokusuar më shumë në çështjen shqiptare siç është Lidhja e Prizrenit…Me influencën që po merrte Rusia në Ballkan, Austro-Hungaria donte të forconte pozicionin e saj ndaj filloi rritjen e influencës në territore si Bosnjë, dhe mori kontakte me popullin shqiptar duke i ndihmuar të mbronin identitetin kombëtar dhe të krijonin shtetin e tyre.

2. Për fat të keq edhe kur shprehen se Austro-Hungaria e ka mbështetur çështjen shqiptare të pavarësimit, kjo nuk reflektohet në disa tekste edhe në aparatin pedagogjik, me pyetje dhe veprimtari kërkimore për të zhvilluar mendimin kritik të nxënësve e për ti bërë nxënësit t kuptojnë më mirë këtë mbështetje.

3. Nxënësit besojnë se Austro-Hungaria e ka mbështetur pavarësimin e Shqipërisë dhe krijimin e shtetit kombëtar shqiptar, për interesat e veta. Kjo tregon se historiografia jonë ende gjendet larg qasjes multiperspektive të vlerësimit të kontributeve në ngjarje apo proces historik, që sjell impakt në mënyrën se si njerëzit të jetojnë jetën.  

PROPOZIME

 Duke e ditur se Austro-Hungaria është promotorja e pavarësimit të Shqipërisë nga Perandoria Osmane dhe luftoi kundër lakmive të shteteve ballkanike për copëtimin e trojeve të banuara nga shqiptarët, dëshiroj ti parashtroj zotit ambasador, z. Christian Steiner, nën cilësinë  e Ambasadores së Shoqatës Europiane të Mësuesve të Historisë, propozimin e mësuesit të historisë, z. Gentjan Dedja, sot drejtor i shkollës Protagonistët, Tiranë, të vazhdojë punën e të parave të tij, që të ndihmojë të rinjtë shqiptar, që data 8 nëntor, kur Ismail Qemali me Luigj Gurakuqin dhe të tjerë mbërritën në Vjenë, të jetë një datë përkujtimore historike, në nderim të kontributit të Austrisë në pavarësimin e Shqipërisë dhe shtetit shqiptar. 

Në fakt kontributi i Austrisë në pavarësimin e Shqipërisë, për mua është një proces, që i ka rrënjët të thella në historinë e dy vendeve. Albanaologët austriakë, kanë dhënë kontribut të çmuar në krijimin e profilit identitar shqiptar. 

Kështu, nëse vendoset kjo datë, si datë përkujtimore, ku në qendër qëndron Ismail Qemali dhe Austria, që hodhën themelet e Shqipërisë së pavarur, atëherë, nxënësit në nderim të kësaj dite do të zhvillojnë, në tërë hapësirën e banuar nga shqiptarët, veprimtari të larmishme të tilla si mini konferenca shkencore, ku do të paraqesin punët e tyre kërkimore, ekspozita mbështetur në dokumente historike, do të luajnë lojë roli të imagjinuara, ku vënë në gojë të personazheve qëndrimet e Austro-Hungarisë, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, apo të fuqive të tjera të mëdha, do të ndjekin itinerarin e Ismail Qemalit e patriotëve të tjerë, nga Stambolli në Bukuresht, e më pas në Vjenë e Budapest, e më pas në Durrës e deri në Vlorë, ku u ngrit flamurin. 

Nxënësit do të memorizojnë gjithë procesin e pavarësimit të Shqipërisë e do të bëjnë rolin e historianëve duke plotësuar gjithë boshllëqet në njohuri, që tekstet nuk i kanë. Por mbi të gjitha ata do të mësojnë si të vlerësojnë kontributet e miqve në themelet e Shqipërisë së pavarur.

Filed Under: Kulture Tagged With: FATMIROSHE XHEMALAJ

111 VITE NGA NGRITJA E FLAMURIT NE DEÇIQ

April 6, 2022 by s p

( 6 prill 1911-6 prill 2022)

NGA  NDUE BACAJ

Sukseset e dy javëve të para të kryengritjes kundër turke-osmane (24 mars-06 prill) do të sillnin atë ditë të shenjtë , të enjtën e 6 prillit 1911 kur trimat kryengritës çuan në vend, amanetin e Gjergj Kastriotit dhe fjalën e prijesit atdhetar Dedë Gjon Luli, duke e ngritur flamurin kombetar me shqiponjen dy-krenore në majen Bratiles së Deçiqit, që u LA me gjakun e shtatë deshmorve Kojas : Dokë Preç Kercaj, Tomë Uc Ivanaj, Marash Lucë Gjokaj , Cak Uc Ivanaj, Gjeto Tomë Kolçaj, Kolë Dokë Marashaj, dhe Gjeto Gjekë Ivanaj, të cilet ranë heroikisht njeri pas tjetrit per flamurin kombetar shqiptare, dhe sot ata janë të perjetsuar në një memorial në Kojë . Ndersa Nikë Gjelosh Luli, Gjon Ujkë Miculi dhe Pjeter Zefi janë flamurtaret e paharrur të shqiptarisë.1. Atë ditë (me 6 prill 1911) Lekët e Hotit, Grudes, Trieshit, Kojes, Orahoves, Fundnave, Kastratit, Kelmendit, Shkrelit etjerë, mbas fjales së Dedë Gjon Lulit :”Bini bini sokola, he në krajlni ju shkoft zani”. Rrugën flamurtaret ja hapen vehtes në mes të mitrolozave e mauzerreve të turkut, sikur të ishin badema derdhun mbi nuse e krushq ditën e dasmes, e jo plumba, që shkepusin jetë e shtrijnë burra për tokë.. Në pak orë u gjeten në maje të Deçiqit, dhe shpalosen në ajër të lirë të Malesisë Madhe at Rub të Kuqe me Shqipe të Zezë që tash 450 vjet kishte ndejë palua e diku edhe harrua, ndër skutat ma të fshehta të Shqipnisë robnueme..”.2.  Me 6 prill 1911, Malësia e Madhe “Etnike” nxorri nga katakombet turko-osmane në dritën e diellit Europian, Flamurin kombëtar të Gjergj Kastriotit –Skenderbe.. Në këtë ditë të paharruar nga mali i DEÇIQIT u valvitë flamuri jonë Kombetar i larë me lot e gjak per 432 vite rrjesht. Deçiqi është “Oxhaku” nga i cili ka dalë “tymi i bardhë” i ngritjes së flamurit kombetar, por është edhe “Oxhaku” që shperndau shkendijat që fluturuan nga Veriu në Jug, duke ndezur në të gjithë Shqiperinë idealet e flamurit dhe mvehtësisë… Ky “Oxhak” i shqiptarisë nuk u fikë kurr edhe pse mbi të u derdhen pa papushim ; rrebeshe, stuhi, gjakë, lotë e mundime. Tash mbi një shekull në trojet tona bëhet be ; pasha njatë flamur që u ngrit në Deçiq… Kësaj dite fatlume, fetari, atdhetari dhe poeti i ëmbël malsor, dom Aleksander Sirdani i kushtonte vargjet brilante :
“Nalt Flamuri perhillet,
Armikut s’i leshon cak,
Me besë Arbnori lidhet,
Me gjakë mbrojt Atdheun me gjakë,
Ngallnjyese kthen Malesia,
N’Deçiq Flamuri të valojnë,
Plot gjak e jetë i kushtojnë.
……………………………
Kuq e Zi Flamuri perhillet,
N’dor Ded Gjo’Lulit trim,
me Gurakuqin mblidhet,
Shqipnia me një kushtrim “.

Në atë ditë me 6 prill (1911) shqiptari i vertet mbushi mushkeritë me frymen e lirisë, e brohoriti në Zemer të vet :”Rrnoft Shqipnia”.3.
Patrioti i madh pendartë i kombit shqiptar, At Gjergj Fishta ketij Flamuri do t’i  kushtonte një poezi me titull: “Hymni i Flamurit Kombëtar”, nga e cila citoj:
“….Mbi njatë Flamur Perendia
Me dorë t’vet Ai e ka shkrue:
“ Per shqiptarë do t’jet Shqipnia
Kush ua prekë, ai kjoftë mallkue !
…………………………………………….
Ma mirë dekë me u shue nën hije
T’Flamurit tonë në fushë t’mejdanit,
Se me rrnue nji jetë robnie
Per nën sukuj t’huejë t’Ballkanit…! 4. 

Kjo krye-kryengritje dhe ky Flamur (në trojet tona) identifikohet shpesh me figuren madhore të Malësisë e Shqiptarisë, heroin e popullit Ded Gjon Luli që thoshte : “Flamuri i ka të gjitha, ai ka besen, ka pushken, ai ka brenda gjithë Shqiperinë.. atij i falen, atë e ndjekin mbrapa të gjithë, çka është shqiptarë i vertet..”. Keto ditë heroike të Malësisë Madhe i pershkruan mrekullisht edhe poeti pogradecar, Lasgush Poradeci me vargjet domethënëse :
“Malesia që bënë sulm në zjarr /
Porsi dragojë me fletë/
Siç bënte sulm ngadhnjimtar /
Gjergj Kastrioti vetë…”
Ndërsa gazeta “Liri e Shqipnisë”, që botohej në Sofje nga Kristo Luarasi do të shkruante: “Nji punë e bukur ndër këta burra, që leshi i kresë të çohet përpjet prej gëzimit, që këta fatosa luftojnë me flamur të kuq me shqiponjën e zezë me dy krena, due me thane me flamurin (bajrakun) e Skenderbeut”.5. Këtu nuk po mundem të lë pa kujtuar edhe aktin heroik të grudasit trim-dragua Nikë Pretash Leci – Sinishtaj, per të cilin Risto Siliqi (pjesmarrës në kryengritje me pushkë e pendë) do të shkruante: Fatosi shqiptar, i flakti trim prej Grudet Nikë Pretashi në betejen per marrjen e fortesës të Shipshanikut, kur e pa se turqit ishin të fortë në këtë forsadë e mbasi …shqiptaret topa nuk kishin vetëm luftonin me plumba, i plasi zemra e u nis në pikë të vrapit kalasë perpjetë edhe pse si breshen pikojshin plumbet në të gjitha anet …mberriti tu bedeni , ku me një hov murin e shkaperceu, pos sa e kapi murin e derës të hymjes së kalasë perbrenda e priti batarja e plumbave të nizamit..e ra deshmor në kambët e armiqëve …!
Me hov të luanit, me guxim burrash,
Desht ta rendojnë kalanë me dorë;
Prej njiqind singinash, prej njiqind plumbash
Mbrenda bedenit u ba therorë.! 6.
Ndersa trashigimia gojore thotë se Nikë Pretash Leci është hellur mbi gryken e Topit turk që qellonte malësorët kryengritës…
Per luften e kryengritesve malësor në Deçiq shkruan edhe autori i librit “DUKAGJINI” (Zef Gjeta), nga i cili po citoj: “ Në luften e Deçiqit dhe në ngritjen e Flamurit Kombetar moren pjesë edhe vullnetarë nga Shala e Shoshi . Në luften per ngritjen e Flamurit, midis të tjerëve u vranë edhe Bal Gjoni nga Nicaj-Shalë dhe Bush Delia i Shoshit. Kur u ngritë Flamuri në Deçiq dhe më vonë, populli i Shkodres e Malesisë i kendoi kengen:
Vigmen tue i dhanë Shqipnisë, po anë e mbanë
Bini bre burra bini ksaj Turki
Dirgu moj djelmni, e bjer në tiran
Me nji Gurakuq, me nji Dedë Gjo’Lul
Me nji Mehmet Shpend, me nji Prel Tul
Me ne janë Lekët që u shkrinë per Shqipni “ 7.
Dita e Flamurit tonë kombetar është një ditë e madhe, që deshmojë me zë të lartë, deri në kupë të qiellit, se shqiptaret e themelisht malsorët kanë ruajtur per shekuj fillin (shpesh të holluar) të perkatësisë sonë Europerendimore.. Ngritja e Flamurit në një ditë pranvere e bënë me domethënse ketë eveniment historik, pasi pranvera në kalendarët enciklopedik të popujve “njihet“ si : Pranvera e ringjalljes, pranvera e dashurisë, pranvera e luleve, ndërsa në kalendarin enciklopedit të memories sonë prej 6 prillit 1911 “kujtohet” si pranvera e Flamurit.
Trojet shqiptare për këtë ditë të shenjte historike , kishin “pritur” 432 vite në mes luftrave,   lotëve, e gjakut të derdhur nga malësorët e shqiptarët, ë cilët për liri e atdhe e bënin vdekjen si me le. Kësaj epopeja që i shtoi ngjyrën e gjakut flamurit kombëtar, një atdhetar, fetar e muzikant, (At Bernardin Palaj) do ti kushtonte  një poemë brilante me titullin d.m.th. “Vorret e Flamurit” , nga e cila citoj:                               “ Eni moj zana ,pra e shtojzavalle , 

E rreth Flamurit  tonë sot këndoni valle ,

Aso vallesh pirrike që kenduat motit

Para Lekës e burrit,Teutes  e Kastriotit..”.8.

Ky flamur nga Deçiqi, nisi udhetimin 600 ditore (6 prill 1911 – 28 nentor 1912) deri në Vlorë, i cili si flaka olimpike udhëtoi duke lëshuar dritën e dhanë kushtrimin, se kush është shqiptarë i vertet duhet të rrokë armet e t’i dalë zot atdheut… Nga Malësia filloi udhetimin 523 ditor nga veriu në jug të Shqiperisë edhe memorandumi i Greçes (23 qershor 1911) i cili sherbeu si bazë e programit politik të shpalljes së pavaresise nga Vlora me 28 nentor 1912… Nga Malesia e Madhe moren vrullë dhe udhëtuan nëpër Shqiperi e Europë per ditë e muaj edhe korifejt e shpalljes së pavaresisë së Shqiperisë , Ismail Qemali , Luigj Gurakuqi , Isa Boletini, Dom Nikollë Kaçorri etjerë , të cilet kishin marrë besimin , bekimin e sigurinë se koka e Shqiperisë (jo vetem nga ana figurative), Malesia e Madhe Etnike me në krye kryetrimin e urtë të atdhetarisë Dedë Gjon Lulin do të ishin në perjetësi në krye të luftës , perpjekjeve dhe kerkesave jetësore e ligjore për një Shqiperi të lirë e të mosvarme…

REFERENCAT:  

1.”Hylli i Drites” 1932/11, fq.575 , revista “Leka” 1937/6, fq.249-250, (Flamuri i kuq ne Deçiq), Kol Kamsi “Kronikë e Agimit të Lirisë”,“Leka” 1937/VIII-XII, fq.371-372.
2..At marin Sirdani, Flamuri në Deçiq, revista “Leka”, nr.6 -1937, fq.249.
3.Klajd Kapinova, Në mes Kryqit dhe Atdheut, fq.63.
4.Gjergj Fishta,…nga Mrizi i Zanave, Vallja e Parrizit, Anzat e Parnasit, fq.15-16, perg. Nga Tonin Çobani, Enti botues Lisitan, Lezhë 1994.
5.“Liridashësi” gazeta “Liri e Shqipnisë”, (që botohej në Sofje nga Kristo Luarasi), nr.4, dt.13 prill 1911. 

6.Risto Siliqi, “PASQYRA” e Diteve të pergjakshme në të pestin Shekull të Shqipnisë të Ronueme, fq.81-82, Trieste 1912.   

7.Zef Gjeta “DUKAGJINI”, fq.412-413.
8. At Bernardin Palaj, Poema“Vorret e Flamurit”.

9.Më shumë për kryengritjen , shih në monografinë time të botuar në vitin 2016 dhe ribotuar me disa shtesa në vitin 2019, me titull: “Kryekryengritja e Malësisë së Madhe kundër perandorisë Turke-Osmane 1911.

Filed Under: Rajon Tagged With: Ndue Bacaj

Presidenti i Irelandës do të presë shkrimtarin Ndrek Gjini

April 6, 2022 by s p

Me 12 Tetor 2022, Presidenti i Republikës së Irelandës, Michael D.Higggins do te presë një një takim zyrtar, gazetarin dhe shkrimtarin shqiptar, Ndrek Gjini.

Në ftesën që zoti Gjini ka marrë nga Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës thuhet se në këtë takim, i cili do të zhvillohet në Presidencë në orën 14:30 do të diskutohet përveç të tjerash edhe rreth librit me poezi të Prersidentit Higgins, i cili është përkthyer nga Anglishtja në Shqip  nga zoti Gjini dhe botuar para disa muajsh nga shtëpia botuese “Klubi i Poezisë” në Tiranë.

Zoti Gjini do t’i prezantojë me këtë rast Presidentit Higgins këtë botim mjaft cilësor si dhe do t’I dorëzojë atij disa kopje të këtij libri.

Ndrek Gjini banon familjarisht për mëse 20 vjet në Republikën e Irelandës ku dhe është shkolluar me kohë të plotë duke marrë Bachelor Honours në Studimet e Trashigimisë Kulturore si dhe Master of Arts në Letersi. Ai është lektor i jashtëm në Universitetin Nacional të Irelandës në Galway, si dhe Managing Editor i revistës letrare “The Galway Review”. Gjini ka punuar më parë në Drejtorinë e Kulturës pranë Bashkisë së qytetit Galway, si dhe në Drejtorinë Arsimore të këtij qyteti si Kordinator Programi. Para disa vitesh ai është nominuar (shortlisted) nga bashkia e qytetit Galway për çmimin “Përsoni i Vitit”. Ndrek Gjini ka botuar dy libra në gjuhen Angleze si dhe mjaft shkrime, esse dhe studime në shtypin Irlandez.

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT