• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2022

‘Valë’ Inflacioniste-Stagflacioniste mbi BE e Shqipëri

April 6, 2022 by s p

Dr. Igli Tola

Pedagog, Ekspert Ekonomie

Europa duket se është mbërthyer nga një valë inflacioniste që po del përtej edhe skenarit më pesimist. Në Eurozonë inflacioni nuk  po ndalet, saqë në një prognozë  paraprake për marsin, publikuar pak orë më përpara, kapte nivelin rekord historik +7.5%. ‘Rekord’ i ri, pas ‘rekordit’ të shkurtit +5.9%, norma më e lartë e rregjistruar që nga futja e monedhës së përbashkët Euro. Ndaj, shumë ekspertë po hedhin tezën se inflacioni faktik gjatë 2022 do të jetë me shumë gjasa dyshifor, mes 10-15%.

Çmimet e energjisë, hidrokarbureve dhe jo vetëm po i rrisin në mënyrë të frikshme kostot e jetesës për qytetarët europian.

Këto shifra kalkuluar në nivel europian, nuk bëjnë gjë tjetër veçse përforcojnë analizat e bëra në rang kombëtarë nga shtetet anëtare. Gjermania bëri të ditur se inflacioni arriti në 7.6%, për herë të parë që nga bashkimi i 2 Gjermanive (asaj të Lindjes me Perëndimin). Ndërsa Spanja mban kryesimin për marsin, 9.8%, gjë e padëgjuar në 37 vitet e fundit. ‘Promotorët’ e këtij inflacioni në vlera stratosferike janë së pari çmimi i energjisë që shënon një rritje +44.7% në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë (gati +13% rritje nga shkurti i këtij viti) ; nafta bruto që vijon të luhatet në $110 për fuçi, pasi OPEC nuk po jep shenja të rritjes së prodhimit për të amortizuar ekspansionin e çmimeve të hidrokarbureve, çmime të pazakonta këtë dekadën e fundit ; gazi natyror që është lënda djegëse dominante për ngrohjen e shtëpive europiane dhe vënien në funksion të industrisë, kuotohet mbi 190 Euro për MËh në bursat kryesore të ‘komoditis’ ; produktet ushqimore të shtrenjtuara mesatarisht me 5%, kryesisht ato me origjinë nga Ukraina e Rusia, etj.

‘Goditja’ e madhe e çmimeve bazë, të cilat ‘filtrojnë’ haluçinacionet e çmimeve të pazakonta të energjisë dhe naftës, , ka rritur ndjeshëm riskun e ‘rrënjosjes strukturore’ të inflacionit të lartë, inflacion që do të na shoqërojë për gjatë, dhe jo vetëm një fenomen i përkohshëm. Një situatë që do të mbarset në ‘efekt orteku’ në vijimësi te kostot e përgjitshme të sipërmarrjeve, shpenzimet e përditshme të konsumatorëve, me rrezik për të nxitur edhe psikozat e ‘stoqeve’ dhe ‘spekullimeve’.

. . . . .

Nga frika e “Stagflacionit”, Banka Qëndrore Europiane po tregohet akoma e rezervuar për të operuar direkt me instrumentin e saj kryesor të politikës monetare, rritja e normës bazë të interesit për monedhën Euro.  Dilema është e madhe: rritja e normave të interesit për të qetësuar inflacionin, apo kjo gjë do të sillte më tej një përballje akoma më të rrezikshme me rrezikun e frenimit të rritjes ekonomike në ekonominë e Eurozonës, që nuk kishte shumë që kishte filluar të jepte sinjale pozitive për rimëkëmbje dhe ekspansion të qëndrueshme pas periudhës së vështirë pandemike. Sa larg duhet të shkohet me lehtësimet sasior, duke mbështetur rritjen ekonomike pa shkaktuar rritje të inflacionit, kjo është pyetja ‘1 milion dollarshe’ që askush nuk po i jep një përgjigje ezauruese ende.

Përkundër këtij hezitimi të BQE, apo edhe ndërhyrjes minimale nga Banka e Anglisë që e çoi normën bazë nga 0.5% në 0.75%, apo FED amerikan që e korrektoi po me 0.25% ; Banka e Shqipërisë vendosi ta dyfishonte normën tonë bazë, nga 0.5 në 1%, pas më shumë se 11 vjetësh.

A ishte ky një veprim i nxituar, apo i rakorduar me partnerët tanë? Kjo mbetet për tu parë.

Duke kuptuar që volumi ynë tregtar me Eurozën kap 75% të totalit të importeve tona, duke u kompletuar nga Rusi-Ukrainë me mbi 2.7%, Serbia etj; këto tregues janë të mjaftueshëm për të kuptuar se ‘importimi’ i inflacionit dhe krizës do të vijojë po aq gjatë sa të stabilizohen tregjet europiane dhe botërore. Në këtë mënyrë ndërhyrja në tregje duhet të ishte bërë më e rakorduar dhe kujdesshëm, pasi shfrytëzimi i pothuaj tërë hapësirës që të lejon norma bazë e interesit që në fillim (kur presim që inflacioni të rritet më tej), na lë pak hapësira në të ardhmen.

Stagflacioni ku kemi hyrë, është një nga spiralet më delikate të ekonomisë. Prodhimi i brendshëm qëndron në stanjacion, ndaj mundësitë e punësimit ulen. Në nivele të larta papunësie, të ardhurat e disponueshme të shoqërisë tkurren dhe ndaj ata kanë më pak para për të shpenzuar e konsumuar në përditshmëri. Ama në të njëjtën kohë inflacioni rritet në mënyrë konstante, duke i bërë mallrat dhe shërbimet shumë më të shtrenjta, dhe paratë që kanë njerëzit nëpër duar të vlejnë në real shumë më pak. Çdokujt ky përkufizim besoj i duket se përshkruan qartë gjendjen e ekonomisë sonë sot. E nqs nuk ndërhyet në kohë, me nisjen e falimentit të një pjese të kompanive vendase, apo ndërprerjen e aktivitetit normal papunësia do të rritet më tej eksponencialisht, dhe stagflacioni do të thellohet.

Stagflacioni është i rrallë, edhe i rrezikshëm, sepse të ardhurat e njerëzve zvogëlohen por në të njëjten kohë rriten kostot e jetesës. Menaxhimi i tij duhet të jetë i ngjashëm me një operacion kirurgjikal kompleks, por pa prekur funksionalitetin e organeve të tjera. Me veprime të kujdesshme dhe të studiuara, jo me ‘goditje të përqëndruar’ e inerci.

Filed Under: Ekonomi

Our Experts Discuss What Serbia’s Election Results Could Foretell

April 6, 2022 by s p

At a time when there is a war happening in Europe, the election results in Serbia have just raised the stakes for democracy and its advocates.

By Rafaela Prifti

Incumbent Aleksandar Vucic is set to win Serbia’s presidential vote and secure a second term. Reports and post-vote projections indicate that his ruling Serbian Progressive Party (SNS) appears in line to win the most votes in parliamentary elections. The deadline for announcing the final results is April 7.

The election victory of a nationalist leader with personal ties to Putin like Vucic in Serbia and Orban in Hungary against the backdrop of Russia’s invasion of Ukraine could be unsettling signs for Europe in several areas. Of special concern would be issues of stability, corruption, foreign policy and trade relations as EU mulls over the next move.

As the anti-corruption theme was gaining traction with the opposition supporters in Serbia, the war in Ukraine shifted the focus of the campaign into security issues that played into Vucic hands. Yet, the stand against corruption directly relates to the current international events, according to Balkan and Foreign Affairs expert Akri Cipa. “The focus on Russia’s war in Ukraine is not in itself detached from the fight against corruption. In fact, the case of Russia is extremely telling about how corruptive practices, bribes, the harnessing of the international financial system to hide illicit wealth abroad, has devastating consequences for democracy, peace and stability. Moreover, such practices have facilitated Russian influence in European countries, including in the Balkans, and have led to critical energy security vulnerabilities. While it is not highlighted in the media right now, the fight against corruption remains high on the U.S. agenda. President Biden has been explicit in this regard, including most recently in his March 26th speech in Poland. As he emphasized that the world finds itself in a battle “between liberty and repression, between a rules-based order and one governed by brute force,” he made it clear that this will be a battle of values, as well as practices.” says Cipa.

Reaffirming the projections that Vucic and his party will have an easy win in the elections, Nail Draga, author and researcher, calls him “a Neo-fascist politician” self aware of his considerable pro-Russia clout. Draga sees no serious alternative in Serbia’s political arena today. He underscores one commonality among all political factors in Serbia, which is indicative of the course that the country has stayed on. Without hesitation, Nail Draga reiterates, “Their position on the Kosovo issue is invariable.”

The outcome of the recent Serbian elections could serve to shake up Western countries as well as prove to be a test of their diplomatic capabilities and market policies that may need redefining. Cipa puts it all into context: “The electoral win of Vucic and his party will help the incumbent president consolidate the hold on power and will likely continue to reinforce Serbia’s trend towards illiberalism and increased authoritarianism. Until today, the Western partners have neglected these negative trends, including the current government’s bellicose rhetoric and increasingly aggressive posture towards its neighbors, for their stated strategic goal of moving Serbia away from the Russian sphere of influence and reorienting it towards the West. After these elections, we will have to see if there will finally be such a realignment or if Serbia under President Vucic will continue to sit on multiple chairs. If Serbia does not align its policy with the European Union and does not engage constructively with its neighbors, first and foremost with Kosovo in the EU-facilitated dialogue, the Western policy towards Serbia of the last 10 years would have miserably failed.”

If the past is any indication, what can be expected from Vucic is more hypocrisy, claims Asllan Bushati, senior military expert. “The profile of Vucic is that of a two- faced politician. Serbia’s President has a long track record of double standards in his political, military, diplomatic career. The most recent example was the condemning of Putin’s invasion of Ukraine by Serbia in a United Nations resolution, as Vucic rejects to join the EU penalties targeting Kremlin for the invasion.” Bushati agrees with Cipa’s comments on the intimidating tactics by Serbia strongman towards its neighbors and thinks that the recent election victory will only embolden Putin’s ally. “There is a long list of Vucic acts of hypocrisy, but I will point to his rhetoric of good neighbors in the region while pushing his secret service agents and even Russians in attempts to cause provocation in Kosovo and even invites Russia’s Ambassador to attend military exercises at the Kosovo border. What’s to be expected of Vucic is more of the same double-dealing games,” says Asllan Bushati.

Broadening this point, analyst of Balkan affairs, Akri Cipa draws attention to the perversity of the claims made on behalf of protecting the voting rights of the minority of ethnic Serbs in Kosovo while the same rights of the Presheva Valley Albanians have been abused in a methodical way, as the European community looks away. “In terms of the electoral process in Serbia, it is disgraceful to see how Albanians in the Presheva Valley have been subjected to horrendous practices that inhibit their participation. Even worse, the government has continued its abhorrent practice of systematically erasing ethnic Albanians from voter lists, effectively running a bureaucratic ethnic cleansing campaign. It is disturbing to see that European Union representatives have been largely silent in response to such a phenomenon, which clearly runs counter to European values and democratic principles,” concludes Cipa.

As the saying goes, elections have consequences. At a time when there is a war happening in Europe, the election results in Serbia have just raised the stakes for democracy and its advocates.

Filed Under: Rajon Tagged With: Rafaela Prifti

Përshpirtëria e Nënës Tereze

April 6, 2022 by s p

(25 – vjetori i vdekjes)

JEZUSI DHE MËKATARËT

“Për të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të .“

                                       (Gjn 3, 17; krhs. Mt 20, 28; Mk 10, 45; Lk 19, 19)

“Jezusi mund të falë shumë, sepse ka shumë dashuri, mund ta falë një mëkat të madh. Siç është për Jezusin, ashtu duhet të jetë edhe për ne, nëse vërtet duam të falim, duhet vërtet të duam.”

                                                                                            (Nëna Tereze)

Njeriu njëkohësisht është i mirë dhe i keq, i fortë dhe i dobët, i vdekshëm dhe i pavdekshëm, shpirtëror dhe trupor, i prirë kah e mira, por edhe e keqja. Dëshirat e tilla krijojnë në ne konflikte të brendshme: mundem apo nuk mundem, duhet apo nuk duhet, dua apo nuk dua, është mirë apo keq, është e dobishme apo e dëmshme, shërben apo nuk shërben?

Mirëpo, krenaria nuk na “lejon” që ta pranojmë paaftësinë tonë, kufizimet, edhe më pak që vetëm me të tjerët mund ta realizojmë vetveten; edhe më pak, të pranojmë se pa Zotin, njeriu është qenie e padefinuar: në kërkim, i tretur, i pakënaqur, i pasigurt, i dëshpëruar…

Një përvojë e ngjashme, është edhe mëkati, sidomos kur vjen në shprehje dobësia njerëzore, kufiri, paaftësia e njeriut për të zgjedhur e bërë mirë, si dhe evituar të keqen.

“Në të vërtetë, njeriu nëse vështron brenda zemrës së vet, zbulon se është i prirur edhe nga e keqja, dhe është i zhytur në shumë mjerime, që sigurisht nuk mund të vijnë prej Krijuesit, i cili është i mirë… Kështu, njeriu është i ndarë në vetvete. Prandaj e gjithë jeta njerëzore, si individuale ashtu edhe kolektive, paraqet karakteristikat e një lufte dramatike mes të mirës dhe të keqes, mes dritës dhe errësirë. Madje njeriu është i paaftë t’i kapërcejë siç duhet ai vetëm sulmet e të keqes, kështu që secili ndihet si i  lidhur”. (GS 13)

Kjo përvojë e shtyri Shën Palit të shkruante kështu: “Dhe e di se e mira nuk banon në mua – dmth. në natyrën time trupore: sepse ta dua të mirën jam i zoti, por jo edhe të veproj të mirën, pasi nuk e bëj të mirën që dua, por të keqën që nuk e dëshiroj, atë e bëj.” (Rom 7, 18-19)

Në këtë luftë të brendshme, çdo njeri ka nevojë të përkrahet, ndihmohet dhe solidarizohet për të arritur në rritjen e së mirës dhe vetvetiu pakësimin e së keqes.

“Mëkati më i madh është mungesa e dashurisë, indiferenca e tmerrshme për të afërmin, që lëngon nëpër rrugët e botës, si viktimë e shfrytëzimit, korrupsionit, moskujdesit shëndetësor, padrejtësisë.” (Nëna Tereze)

Jezusi bëhet njeri për të na ndihmuar, përkrahur dhe lehtësuar në këtë luftë të brendshme mes të mirës dhe të keqes. Madje, me dashurinë e tij, me falje, me vdekje dhe ngjallje, na dhuron lirinë nga robëria e mëkatit dhe vdekjes. Mu për këtë, në jetën dhe veprimtarinë e tij Ai pati një parapëlqim  të veçantë ndaj mëkatarëve, duke u munduar kështu ta përkrahte të mirën në çdo njeri, si  dhe për ta mposhte të keqen.

Jezusi, haptas dhe qartas thotë: “Biri i njeriut erdhi ta kërkonte e ta shpëtonte atë që kishte humbur.”  (Lk 19, 10)

Misteri i së mirës dhe së keqes në njeriun, varet nga shumë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, mbi të gjitha, nga përdorimi i lirisë. 

“Njeriu, mund të drejtohet nga e mira vetëm në liri. Bashkëkohësit tanë e vlerësojnë së tepërmi dhe kërkojnë me afsh atë, e me të drejtë. Por shpesh e kultivojnë atë në mënyrë të gabuar, sikurse të ishte e lejueshme gjithçka që na pëlqen, përfshirë këtu edhe të keqen. Liria, te njeriu është një shenjë e privilegjuar e shëmbëlltyrës hyjnore… Njeriu, arrin në këtë dinjitet kur, duke u liruar prej çdo skllavërie pasionesh, priret nga qëllimi i vet nëpërmjet zgjidhjes së lirë të të mirës  dhe me nismën e vet të zellshme gjen mjetet e përshtatshme për këtë. Këtë drejtim nga Hyji, liria e njeriut, realisht e plagosur prej mëkatit, nuk mund ta bëjë plotësisht efektive përveçse nëpërmjet ndihmës së hirit hyjnor”.  (GS 17).

Çelësi i këtij ndërrimi dhe përmirësimi, është JEZUSI, hapja dhe bashkëpunimi me të. Mosdorëzimi para së keqes, besimi në Jezusin, në fitoren e tij, që bëhet liria, gëzimi dhe fitorja jonë. Vetëm Jezusi është liria jonë e plotë, që përkrahë të mirën në ne, e rritë atë, e bënë të pjekur dhe veprues, duke shtuar në ne aftësinë për bashkëpunim me të tjerët.

Është mrekulli dëshmia e kësaj lirie, edhe pse jemi të dobët dhe mëkatarë, sepse Zoti kurrë nuk na braktisë, dhe Ai kurrë nuk është dëshpëruar në njeriun dhe njerëzimin. Madje, mund të themi kështu: sa më të dobët jemi, aq më shumë na do dhe përkrahë, sepse e di se hiri i tij “ndikon në ju e të doni e të veproni.”  (Fil 2,13)

Fatkeqësisht, edhe pas dymijë vjet, ende shumë njerëz nuk duan ta dinë dhe ta pranojnë të vërtetën bazë që Jezusi është e vetmja mundësi e vërtetë për të qenë njerëz të ri, të lirë, të aftë për të dashur dhe kërkuar dhe dhuruar falje, për t’u gëzuar dhe pikëlluar, për të besuar, dëshmuar dhe jetësuar  humanizmin e ri, familjen e re, botën e re të përtërirë në Jezu Krishtin (krhs. GS 22).

Për shumë njerëz, Jezusi trajtohet ende vetë si kufizim, pengesë, ndalesë e lirisë dhe të realizimit, gati si një lloj rivali, madje edhe si dikush që dëshiron t’na detyrojë në robëri. Për ata që mendojnë dhe besojnë kështu, liria e vërtetë është e keqja, mëkati, liria për të bërë çka di, mundëm, më pëlqen mua, si arbitrarizëm i gjithçkahit.

Nëma Tereze dëshmon: “Mëkati na përndjek, është i pranishëm në ne. Mirëpo kurrë nuk duhet të dorëzohemi dhe dëshpërohemi. Nuk duhet të ndihemi dhe të jemi të pashpresë…Gjithë kjo nuk na nevojitet nëse e kemi kuptuar butësinë e dashurisë së Zotit. Ne jemi të çmuar për Atë, sepse Ai na do, na do aq përkushtim, sepse jemi të trajtuar me dorën e tij.. Kur zemra juaj është e shqetësuar, kur zemra juaj është në dhembje, kur zemra juaj duket se po thuhet… atëherë kujtojeni këtë: “Unë jam i çmueshëm për Atë, Ai më do. Më ka ftuar për emër. Jam i tij. Zoti më do. Për ta dëshmuar dashurinë e tij Jezusi ka vdekur në kryq.”  

Në luftë kundër mëkatit, nuk jemi të vetmuar: me ne është gjithmonë Jezusi, bashkësia e krishterë, hiri i Zotit. Me përvujtëri dhe dashuri mund të shkojmë përpara në kërkim të së mirës dhe të lirisë, të përsosmërisë.

 E vetmja fuqi që mund ta ndërrojë botën është DASHURIA – ZOTI. Nëse është e vërtetë gjendja e së keqes, mëkatit, edhe më e vërtetë është vepra e shëlbimit – Krishtit të mëshirshëm. Atëherë, pse të ndalemi te hapi i parë, i së keqes, dhe mos të ecim deri në fund, te Jezusi dhe me Jezusin, me të cilin edhe ne e mundim të keqen, robërinë, mëkatin. 

Nëse është e rëndë dhe e dhembshme gjendja e mëkatit, aq më e bukur  dhe ngushëlluese është ajo e faljes, dashurisë dhe mëshirës  – JEZUSI!

Prishtinë, 6 prill 2022       Radio Maria – Kosovë           Don Lush GJERGJ

Filed Under: Interviste Tagged With: don Lush Gjergji

Arkitektura dhe rezistenca për liri 

April 6, 2022 by s p

Shkruan: Arianit Bytyçi, arkitekt

Komuna e Prishtinës gjatë largimit të antenave satelitore nga ndërtesat duhet të ketë parasysh mbi të gjitha mesazhin që kanë pëçuar ato gjatë viteve nëntëdhjeta, e sidomos gjatë viteve 1998-1999 – mesazhin e rezistencës gjithëpopullore, mesazhin e luftës çlirimtare, mesazhin e lirisë e të pavarësisë së Kosovës. Prandaj, në koordinim me insitucionet përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, Komuna duhet t’i konservojë dy apo tri ndërtesa të banimit me shumë njësi, ku janë të vendosura antenat satelitore në lagjet emblematike të Prishtinës. Pas konservimit të këtyre ndërtesave dhe pas prezentimit vizual të rrëfimit për rëndësinë e antenave satelitore gjatë periudhës së okupimit, këto ndërtesa do të ishin më shumë se ndërtesa – ato do të bëheshin simbol arkitektonik i rezistencës për liri dhe i emancipimit kombëtar e kulturor në kohë të vëshitira. 

Pavarësisht bindjeve politike, besoj se për komunitetin e arkitektëve në Kosovë është lajm i mirë që në krye të kryeqyetetit tonë, Prishtinës, tashmë është zgjedhur kryetar njëri nga ne arkitektët, arkitekti me përvojë ndërkombëtare, Përparim Rama. Për më tepër është po ashtu lajm i mirë që në krye të njërës prej drejtorive me të rëndësishme të komunës, asaj të Urbanizmit, Përparimi ka përzgjedhur poashtu kolegun tonë, arkitektin e ngritur intelektualisht, Arbër Sadikin. Duke pasur për bazë se kryeqyteti ynë, ashtu si çdo kryeqytet botëror, mbi të gjitha ka të bëjë me planifikimin hapësinor, me urbanizmin, me arkitekturën, të cilat kanë reflektimet dhe ndikimet e veta gjithandej qytetit, jam i prirur të besoj se arkitektët që do të udhëheqin Prishtinën për 4 vitet e ardhshme, kanë dijen, besoj edhe guximin e vullnetin për t’ia kthyer të mbarën Prishtinës që të funksionojë si kryeqytet i mirëfilltë me identitet urban e arkitektonik. 

Jam i vetëdijshëm që në gjithë këtë proces reformash Përparimi dhe stafi që ai ka përzgjedhur bashkë me partnerët tjerë, do të përballen edhe me kufizime që paraqiten në legjislacionin e ndërtimit që është në fuqi në Kosovë, për të cilat personalisht kam alarmuar shumë vite më parë institucionet e Kosovës përmes shkrimeve të mia. Ashtu siç është e njohur nga profesionistët e fushës të cilët për çdo ditë përballen me këtë legjislacion, Ligji i Ndërtimit dhe aktet tjera nënligjore të ndërtimit në fuqi, nuk e shohin ndërtimin si proces të krijimit të vlerave arkitektonike, por më shumë si proces teknik e teknologjik. Prandaj, është e domosdoshme reforma ligjore, e cila do të krijonte hapësirë të duhur që institucionet e nivelit lokal dhe ato qëndror të kontribojnë në krijimin e vlerave të mirëfillta arkitektonike në Kosovë.

Në të njejtën kohë, besoj se është lajm i mirë që në krye të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është po ashtu njëri nga kolegët tanë, arkitekti Liburn Aliu, i cili e ka përvojën profesionale, por edhe politike, duke pasur parasysh faktin se për disa mandate ka qene deputet dhe ka udhëhequr një komision të rëndësishëm parlamentar, dhe tani i ka të gjitha mundësitë që të inicojë reformën ligjore, e cila do ta fuqizonte rolin e arkitekturës në procesin e ndërtimit. Lidhur me këtë çështje, pas shkrimeve të mia publike lidhur me domosdonë e hartimit, zbatimit dhe monitorimit të zbatimit të Politikës së Arkitekturës së Kosovës, si njëri nga mjetete që do t’i jepte kahje edhe reformës ligjore, dhe pas adresimeve të mia drejtuar disa kryeministrave me radhë, unë vite më parë pata takuar kolegun arkitekt, Liburn Aliu, në kohën kur ai udhëhiqte Komisionin për Planifikim Hapësinor të Kuvendit të Kosovës. Duke e njohur Liburnin nga koha e studimeve në Fakultetin e Arkitekturës, pas diskutimeve tona, u patëm pajtuar që është e domosdoshme reforma e duhur ligjore në legjislacionin parësor dhe dytësor të ndërtimit dhe planifikimit hapësinor, si dhe ndërmarrja e hapave tjerë që do të mundësonin afirmimin dhe jetësimin e vlerave të mirëfillta arkitektonike dhe urbanistike në qytetete e fshatrat tona. Asokohe bashkë me Liburnin dhe mikun tonë të përbashkët, veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare, Bajrush Xhemajli, patëm arritur të parandalonim degradimin dhe komprometimin që me apo pa vetëdije synohej të bëhej në mënyrë diletante e pa asnjë procedurë konkursi nga disa njerëz përmes një “monumenti” kiç dhe pa asnjë vlerë të mirëfilltë skulpturale dhe arkitektonike, që ndërlidhej me një temë aq të ndjeshme: flijimin për lirinë e Kosovës. Asokohe, u pajtuam që për këtë monument dhe për të gjitha monumentet tjera të lirisë, duhet përgatitur konkurse të mirëfillta arkitektonike, me detyra projektuese te përgatitura mirë, të cilat do të inkurajonin pjesëmarrjen e arkitektëve, skulptorëve e krijuesve tjerë vendorë e ndërkombëtare dhe në këtë mënyrë të arrihej që të realizohen monumente të mirëfillta me vlera origjinale arkitektonike, që do të dërgonin mesazhin e duhur në botë. Tani besoj se është koha që të bëhet më shumë se aq. Tani është koha që ministria që udhëheqë Liburni, bashkë me ministritë tjera, siç është Ministria e Kulturës dhe ministritë dhe insitucionet tjera qendrore e lokale të cilat në një formë apo tjetër merren me ndërtim, të ndërmarrin nismën e hartimit të Politikës së Arkitekturës, e cila do të mundësontë koordinimin ndërinstitucional në fushën e Arkitekturës dhe rrjedhimisht edhe të reformave në legjislacionin e ndërtimit dhe planifikimit hapësinor.

Antena satelitore – si simbol i rezistencës gjithëpopullore

Për të dëshmuar se sa i rëndësishëm është koordinimi dhe bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ndërmarrja e reformave të domosdoshme, po e sjell në vëmendje nismën e Komunës së Prishtinës për largimin e antenave satelitore nga ndërtesat, të cilat antena ashtu siç thotë njoftimi i Drejtorisë së Shërbimeve Publike “rrezikojnë edhe sigurinë e qytetarëve….dhe gjithashtu ndikojnë edhe në estetikën e qytetit”.

Duke e përkrahur në parim çdo nismë që ka për qëllim mes shumë çështjeve të rëndësishme, edhe estetikën e qytetit, unë mendoj se krahas kësaj nisme, Komuna e Prishtinës duhet të shikojë mundësinë e hartimit të një rregulloreje të analizuar mirë, e cila në mënyrë të detajuar do të trajtonte aspektin e dukjes dhe vëllimit të objekteve arkitektonike në Prishtinë, objekteve ekzistuese dhe atyre që planifikohen të ndërtohen, si dhe mundësinë e hartimit të një rregulloreje komunale që do të trajtonte krijimin e hapësirave të përbashkëta publike, hapësirave rekreative dhe atyre gjelbëruese, që do trajtoheshin përmes zgjidhjeve urbane të blloqeve të ndërtimit të cilat do t’i paraprinin dhënies së lejeve të ndërtimit. Unë jam i vetëdijshëm që ky proces kërkon edhe implementimin e reformës ligjore, që e potencova më lartë, por kjo gjë besoj se nuk mund ta ndalojë komunën e Prishtinës që në koordinim me Ministrinë e Mjedisit, të Planifikimit Hapësinor dhe të Infrastrukturës të fillojë të trajtojë më me seriozitet aspektin arkitektonik dhe urbanistik të kryeqytetit, dke mos pritur kohën derisa të fillojë zbatimi i reformës ligjore.

Duke u kthyer, tek tema e largimit të antenave satelitore nga ndërtesat në Prishtinë, e cila është motivi i këtij shkrimi për arkitekturën, dua të rikthej në kujtesë edhe një gjë jashtëzakonisht të rëndësishme lidhur me antenat satelitore: Komuna e Prishtinës gjatë këtij procesi duhet të ketë parasysh mbi të gjitha aspektin e mesazhit që kanë pëçuar antenat satelitore gjate viteve nëntëdhjeta e sidomos gjatë viteve 1998-1999 – mesazhin e rezistencës gjithëpopullore, mesazhin e luftës çlirimtare, mesazhin e lirisë e të pavarësisë së Kosovës. 

Prandaj, pas nje analize gjithpërfshirëse, Komuna e Prishtinës në koordinim me insitucionet përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, duhet të shikojnë mundësinë e konservimit të dy apo tri ndërtesa të banimit me shumë njësi, ku janë të vendosura antenat satelitore në lagjet emblematike të Prishtinës, në Ulpianë, Dardani dhe Bregun e Dellit, duke mos i hequr antenat satelitore nga ato lagje. Pas konservimit të këtyre ndërtesave dhe pas prezentimit vizual të rrëfimit për rëndësinë e antenave satelitore gjatë periudhës së rezistencës gjithëpopullore për liri, këto ndërtesa do të ishin më shumë se ndërtesa – ato do të bëheshin simbol i rezistencës dhe i emancipimit kombëtar e kulturor në kohë të vëshitira. 

Përveç tjerash, komuna e Prishtinës bashkë me institucionet qendore, siç është Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Kulturës do të mund të përgatisnin edhe një konkurs ndërkombëtar arkitektonik, që do të sensibilizonte artistët, skulptorët, arkitektët, piktorët dhe krijuesit tjerë vendorë e ndërkombëtarë, që bashkërisht përmes pjatave satelitore të viteve nëntëdhjeta të krijonin një vepër arti, skulpture e arkitekture, e cila si një vepër unike do të ishte poashtu dëshmi bashkëkohore e rezistencës për çlirim përmes medias. 

Përderisa në vitet shtatëdhjeta dhe tëtëdhjeta, antenat analoge përmes të cilave në mënyrë ilegale prindërit dhe gjyshërit tanë shikonin programin e Televizionit Shqiptar dhe dëgjonin programin e Radio Tiranës, si mundësi e vetëdijësimit dhe emancipimit kombëtar për çlirim, në vitet nëntëdhjeta antenat satelitore ishin mundësia e vetme e thyerjes së territ informativ, përmes të cilave të gjithë ne shikonim Programin Satelitor të Televizionit Shqiptar, por edhe mediat botërore, si CNN, BBC, Sky News, EuroNews, MTV, etj. 

Unë dhe gjenerata ime kemi jetuar dhe jemi edukuar me Programin Satelitor të Televizionit Shqiptar. Jemi edukuar në frymën e rezistencës për çlirim, që ka përçuar programi i TVSH-së përmes emisioneve për funksionimin e institucioneve të rezistencës për çlirim, përmes emisionit që i parapriu demonstratës madhështore studentore të 1 Tetorit 1997 e përmes paraqitjes së parë publike të zëdhënësit të UÇK-së në qershor ’98 në Kleçkë, që u transmetua në TVSH. E kemi mbajtur shpresën për liri përmes emisioneve për UÇĶ-në, përmes Betimit të UÇK-së, përmes marshit urban të ushtarëve te UÇK-së, ku ishte sinkronizuar zëri i artistëve kosovare, Poqit, Xuxit e të tjerëve, në mënyrë që marshi ushtarak të prezentohej sa më i artikuluar, përmes  emisioneve për terriroret e çliruara nga UÇK dhe emisioneve për mbijetesën e popullatës civile. Si sot më kujtohet emisioni i transmetuar në tetor të vitit 1998 pas ofensivës së shtatorit, emisioni me titullin kuptimplotë “…këtu jemi!”, që dërgonte mesazhin që ÙÇK nuk është shpartalluar, por do të jetë këtu, në Kosovë deri në çlirimin definitiv të Kosovës. Ne dhe familjet tona kemi bashkëjetuar me këto emisione, që i kemi shikuar përmes antenave satelitore, për të cilat kemi nostalgji, e të cilat sot po synohet të largohen të gjitha, pa asnjë përjashtim.

Për këtë arsye, i bëj thirrje kolegëve arkitektë: kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, drejtorit të Urbanizmit, Arbër Sadiki, e po ashtu edhe ministrit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor e Infrastrukturës, Liburn Aliu, që me një koordinim ndërinsitucional edhe me Ministrinë e Kulturës dhe institucionet vartëse të saj të kenë kujdes që në rastin e antenave satelitore të trajtojnë me kujdes aspektin e ruajtjes se trashëgimisë kulturore dhe rrjedhimisht të ruajtjes së kujtesës kolektive, për aryse se nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që përmes veprimeve arbitrare të harrohet historia e rezistencës gjithëpopullore për liri, që është përçuar edhe përmes antenave satelitore.

Në fund, por jo më pak e rëndësishme: gjatë viteve të nëntedhjeta ne si popull përmes antenave satelitore jemi emancipuar e vetëdijësuar edhe në aspektin kulturor përmes këngëve të prezentuara në Festivalin e Kënges në Radiotelevizionin Shqiptar, përmes këngës së Ilir Shaqirit “Jam Evropë”, si dhe përmes këngëve të Luan Zhegut, Sherif Merdanit, Aurela Gaçes, Ledina Çelos, Redon Makashit, Aleksandër Gjokës e Elton Dedës, Mira Konçit, Françesk Radit e Manjola Nallbanit, e deri te kënga historike e Luan Zhegut kushtuar simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçit. Antenat satelitore gjatë viteve nëntëdhjeta në Prishtinë e në lokalitete tjera të Kosovës na kanë mundësuar që për herë të parë përveç në audiokaseta, të dëgjojmë muzikë botërore edhe në kanalin satelitor të MTV-së. Këngët e Guns N’Roses, Metallica, Aerosmith, Iron Maiden, Bon Jovi, Pink Floyd, Sepultura, e deri te “Zombie” i The Cranberries, për gjeneratën tonë mbajnë vulën e antenave satelitore të viteve nëntëdhjëta. 

Prandaj, mos na e fshini kujtesën kolektive të rezistencës për çlirim. Na i ruani së paku tri objekte me antena satelitore në Prishtinë!

Filed Under: ESSE

MODELI I  ASNJANËSISË SË SUEDISË DHE TË AUSTRISË – I PAPRANUESHME PËR KIEVIN   

April 6, 2022 by s p

????????????????????????????????????

Xhelal Zejneli

Austria dhe Suedia, dy shtete që nuk janë anëtare të NATO-s edhe zyrtarisht janë asnjanëse në rast lufte. Janë model që Rusia dëshiron t’ia imponojë Ukrainës. Duke parë invadimin e Rusisë, tani edhe vetë ato pyesin, sa është i qëndrueshëm një status i tillë i tyre. Në anën tjetër, Kievi një model të tillë e refuzon dhe përballë Rusisë kërkon garanci të sigurisë absolute. 

Austria fuqimisht i përmbahet asnjanësisë së vet. “Asnjanësia është pjesë e identitetit austriak”, deklaron politologu dhe profesori i Marrëdhënieve ndërkombëtare pranë Universitetit të Insbrukut (Innsbruck), Martin Senn (Martin Sen, 1960-). Asnjanësia që ia imponoi Austrisë në vitin 1955 Bashkimi Sovjetik, pas dhjetë vjet pushtimi bashkë me Perëndimin, këtij vendi që e komprometoi Hitleri, i mundësoi një shkëputje dinjitoze nga e kaluara e luftës, kështu që ajo u bë vend i takimeve historike.  

Në vitin 1961, pikërisht në Austri, udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik pas vdekjes së Stalinit (Josip Stalin, 1879-1953) dhe kryeministër i viteve 1958-1964, Nikita Sergeeviç Hrushov, ia shtrëngoi dorën presidentit të atëhershëm amerikan Xhon Kenedit (John Fitzgerald Kennedy, 29.05.1917 – atentat, 22.11.1963). Në vitin 1979, po në Austri, ia shtrinë dorën njëri-tjetrit udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik i viteve 1964-1982 Leonid Brezhnjev (1906-1982) dhe presidenti amerikan Xhimi Karter (Jimmi Carter, 1924-).

Organizata e Kombeve të Bashkuara, një prej selive të vet e ka vendosur në Austri. Pas kësaj, vendime të tillë kanë marrë edhe organizata ndërkombëtare të tjera. Që atëherë, Vjena mbështet paqen në botë dhe shpesh është nikoqire e bisedimeve shumëpalëshe. Mirëpo, Austria nuk është plotësisht asnjanëse. Në vitin 1995 Austria aderoi në Bashkimi Evropian dhe sipas Marrëveshjes së Lisbonës të vitit 2009, merr pjesë në sigurinë dhe në mbrojtjen e përbashkët. Profesor Martin Sen (Martin Senn) thotë: “Për këtë kurrë s’është diskutuar”. Sipas tij, lidhur me sa më sipër, sa më parë duhet të debatohet. 

Rusia e cila tradicionalisht ka lidhje të afërta me Austrinë, ia mban për të madhe Vjenës “asnjanësinë fiktive”, për arsye se ajo e mbështeti Ukrainën, sikundër të gjitha vendet e Perëndimit, me përjashtim të Serbisë. 

Editorialisti i javores “Profil”, Kristian Rainer (Christian Rainer, 1961-) shkruan: “Na u  desh  një luftë e këtillë mizore , qindra kilometra lar nesh, që të pushojmë të jemi naivë”.

Madje edhe ushtria austriake ka shprehur keqardhje për pakësimin e buxhetit ushtarak. Midis anëtarëve të BE-së, me 0,7% të PBV, Austria është vendi i tretë i cili më së paku ndan për ushtrinë, nën Maltën dhe Irlandën, të cilat po ashtu janë vende asnjanëse. Qeveria austriake paralajmëroi se planifikon t’i rritë investimet për ushtrinë në 1 për qind, për ta arritur së paku Zvicrën fqinje, e cila po ashtu është asnjanëse dhe e cila ka tri herë më shumë ushtarë, aeroplanë luftarakë dhe tanke. 

Por kancelari austriak, i cili është ushtar karriere, refuzon të hapë Kutinë e Pandorës. “Austria do të mbetet asnjanëse”, porositi konservatori Karl Nehammer (Karl Nehamer, 1972-) dhe i mbylli të gjitha diskutimet. Sipas një pyetësori të zbatuar para pak kohësh,  aderimin e Austrisë në NATO, e mbështet jo më shumë se çdo i pesti austriak.   

Rasti i Suedisë – Në kohë paqeje, Suedia zyrtarisht nuk është e lidhur me asnjërën palë, ndërsa në kohë lufte, ajo është asnjanëse (neutrale). Politikën e vet strikte të asnjanësisë e ndërpreu kah fundi i luftës së ftohtë, përkatësisht në vitin 1992, tre vjet para se të aderonte në Bashkimin Evropian. Suedia është një prej vendeve të rralla të Evropës e cila mbi dy shekuj nuk di për luftë, d.m.th. nuk ka përjetuar luftë. Suedia nuk është anëtare e NATO-s, edhe pse që prej mesit të viteve ’90 të shekullit XX, është pertnere e aleancës ushtarake, ndërsa në vitet e fundit, vazhdimisht i është afruar asaj. Investimet për ushtrinë i ka reduktuar me të madhe. Në vitet ‘60 dhe ’70 të shekullit XX, investimet për ushtrinë arrinin rreth 4%, ndërsa në vitin 2010 ato u reduktuan mezi në 1 për qind. Por, pas viti 2014, kur Rusia e aneksoi gadishullin e Krimesë, Suedia përsëri filloi të investojë në ushtri. Që nga invadimi i Rusisë në Ukrainë, Suedia paralajmëroi se deri vitin 2030 investimet në ushtri synon t’i rritë në 2% të PBV. Sipas një pyetësori të zbatuar para do kohe, shumica e suedezëve për herë të parë u deklaruan se dëshirojnë që vendi i tyre të aderojë në NATO, por kryeministrja që vjen nga radhët e partisë socialdemokrate, Magdalena Andersson (Magdalena Anderson, 1967-), një mundësi të tillë e hodhi poshtë, me arsyetimin se kjo do të mund të destabilizonte gjendjen në veri të Evropës. 

Sipas pyetësorëve, numri i skeptikëve ndaj NATO-s ka rënë edhe në Finlandë dhe ajo nuk është aq e prerë kundër anëtarësimit. Para do kohësh, kryetari i Finlandës Sauli Niinisto (Sauli Niinistö, 19948-) bëri thirrje që për këtë të bisedohet dhe të vendoset “pa ngurrim, por me mend”. Sipas tij, hyrja në NATO do të mund ta shtonte tensionimin. Lidhur me aderimin në NATO, Kuvendi i Finlandës do të debatojë në prill, kur pritet të marrë raport “për përparësitë dhe për rreziqet”.   

Moska ia imponoi Finlandës asnjanësinë gjatë luftës së ftohtë. Finlandezët këtë e kujtojnë me hidhërim. Kjo asnjanësi që njihet emrin specifik “finlandizim”, me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik – pushoi. Finlanda nuk është e lidhur me asnjërën palë, por nuk e pranon etiketën e asnjanësisë dhe është anëtare e Bashkimit Evropian dhe e aleancës perëndimore.

Asnjanësia e Zvicrës – Zvicra me shekuj i është përmbajtur politikës së asnjanësisë ushtarake në punët globale. Ajo nuk është i vetmi shtet asnjanës në botë. Të tilla janë edhe Irlanda, Austria, Kosta-Rika etj. Shenjat e para të asnjanësisë zvicerane datojnë qysh nga viti 1515, kur Konfederata e Zvicrës pësoi humbje të madhe prej francezëve në betejën për Margnanon. Pas humbjes, Konfederata hoqi dorë nga politika e vet ekspansioniste dhe për të ruajtur ekzistencën e vet, u shmangej konlikteve. Por, luftërat e Napoleonit e vulosën vendin e Zvicrës si një shtet asnjanës. Në vitin 1798 Franca e sulmoi Zvicrën duke e bërë më vonë satelite të perandorisë së Napoleon Bonapartit dhe duke e detyruar ta komprometojë asnjanësinë e vet. Pas disfatës së Napoleonit në Vaterlo (Waterloo), Fuqitë e Mëdha të Evropës erdhën në përfundim se një Zvicër asnjanëse do të shërbejë si zonë tamponi ndërmjet Francës dhe Austrisë dhe do të kontribuojë në qëndrueshmërinë e rajonit. Gjatë Kongresit të Vjenës të mbajtur në vitin 1815 nënshkruan deklaratën me të cilën vërtetohet “asnjanësia e përjetshme” e Zvicrës në bashkësinë ndërkombëtare. 

Zvicra e ruajti qëndrimin e vet të paanshëm edhe gjatë Luftës së Parë Botërore, ku e mobilizoi ushtrinë e vet dhe pranoi refugjatë, por refuzoi të marrë anë ushtarakisht. Ndërkohë, në vitin 1920, Lidhja e Popujve e sapoformuar, asnjanësinë e Zvicrës e njohu zyrtarisht dhe e themeloi selinë e vet në Ggjenevë. Asnjanësia e Zvicrës u sfidua dukshëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur vendi u gjend i rrethuar nga fuqitë e Boshtit. Zvicra e ruajti asnjanësinë e vet duke paralajmëruar se në rast invadimi do të reagojë. Por, në anën tjetër ajo nuk e ndali tregtinë me Gjermaninë naziste. Pas mbarimit të luftës, një veprim i këtillë u cilësua si kontravers. Që nga Lufta e Dytë Botërore, Zvicra luajti rol veprues në punët ndërkombëtare, duke u ndihmuar nismave humanitare. Kur është fjala për punët luftarake, ajo mbetet asnjanëse. Kurrënuk iu bashkëngjit Organizatës së Paktit Veriatlantik (NATO-s) apo Bashkimit Evropian. Anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara u bë jo më parë se në vitin 2002. Përkundër asnjanësisë shumëvjeçare, Zvicra ende mban ushtri për qëllime mbrojtëse. Prej të gjithë meshkujve të moshës 18 deri në 34 vjeç, kërkon shërbim ushtarak me gjysmë orari pune.  

*   *   *

Asnjanësinë sipas modelit të Suedisë dhe të Austrisë, që e kërkon Moska, Ukraina nuk e pranon.  

*   *  *

Në zgjerimin e katërt të Bashkimit Evropian, më 1 janar 1995, anëtare të saj u bënë Austria, Finlanda dhe Suedia. Norvegjia e nënshkroi marrëveshjen, por nuk e ratifikoi për arsye aderimi i saj në BE sërish u refuzua në referendum. Anëtare të NATO-s nuk janë edhe Malta, Irlanda dhe Qiproja. S’ka dyshim se anëtarësimin e Qipros në aleancë, për shkaqe të njohura, do ta parandalonte Ankaraja. 

*   *   *

Shënim: Kuti e Pandorës – Në mitologjinë greke të lashtë, Pandora ishte një grua e bukur të cilën e kishte krijuar Hefesti. Të gjitha perënditë i kishin dhuruar dhurata nga më të çmuarat. Zeusi e dërgoi Pandorën në Tokë si dënim për rrëmbimin e zjarrit nga Prometeu. I dha asaj një enë në të cilën ishin fshehur të gjitha të këqijat. Vëllai i Prometeut, Epimeteu, përkundër kundërshtimit të Prometeut, e merr për grua dhe e çel enën nga e cila u liruan të gjitha sëmundjet, fatkeqësitë dhe të këqijat e tjera. Kur më në fund ia dolën ta mbyllin enën, në të kishte mbetur vetëm – shpresa. Për këtë arsye, për Pandorën thuhet se është “sjellëse e fatkeqësisë”, ndërsa për enën apo kutinë e Pandorës – “dhuratë që shkakton probleme dhe grindje”. 

Lufta e ftohtë – Lufta e ftohtë ishte konflikt politik midis fuqive të Perëndimit, të udhëhequra nga ShBA-ja dhe fuqive të Lindjes, të udhëhequra nga BRSS-ja. Zgjati prej vitit 1945 deri në vitin 1991. U zhvillua me të gjitha mjetet e mundshme, por kurrë nuk u shndërrua në konflikt të armatosur masiv, përmasash botërore. Lufta e ftohtë karakterizohet me “konflikte” ekonomike, politike dhe propagandistike midis Perëndimit dhe Lindjes, me qëllim të luftimit të ndikimit të bllokut armiqësor. Karakteristikë kryesore e luftës ishte gara në armatim, por lufta solli edhe përparime të dukshme në lëmin e kulturës, të sportit, të shkencës dhe të teknologjisë. Më e rëndësishme ka qenë gara kozmike që pati si rezultat vajtjen e  njeriut në gjithësi.           

Xhelal Zejneli

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Xhelal Zejneli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT