• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2022

FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKËS “VATRA” ORGANIZON KONFERENCË SHKENCORE NDËRKOMBËTARE

April 28, 2022 by s p

FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKËS “VATRA” ORGANIZON KONFERENCË SHKENCORE

Me temë:

“VATRA”- 110 VJET NË SHËRBIM TË ATDHEUT DHE KOMUNITETIT SHQIPTAR NË AMERIKË

E Dielë, 12 Qershor 2022

Ora 1: 00 PM

Vendi: “Illyria Community and Wellness Center at Jacobi Hospital -1400 Pelham Parkway South, Rotunda (Next to Building 4), Bronx, NY 10461,”  (Salla e Amfiteatrit).  

KONFERENCA ORGANIZOHET ME RASTIN E 110 VJETORIT TE FEDERATËS PANSHQIPTARE “VATRA”.  

QËLLIMI I KONFERENCËS:

Qëllimi i kësaj konference shkencore është që të hedhë dritë dhe të trajtoje çështje të rëndësishme historike të jetës dhe veprimtarisë së “Vatrës”. Aktiviteti ka si qellim të bashkojë, studiues, profesorë e intelektualë profesionistë të fushës, të cilët do të sjellin kontributet e tyre nëpërmjet hulumtimeve të ndryshme në dokumentet arkivore, qofshin vendase apo te huaja, si dhe duke shfrytëzuar botime te ndryshme, qofshin monografi studimore, artikuj shkencore, apo edhe kujtime, ditare dhe shtypit periodik te kohës, me synimin që të sjellin prurje të reja shkencore për pasqyrimin e etapave të ndryshme të historisë së “Vatrës”. 

Gjuha e konferencës në shqip dhe në anglisht.

PREZANTIMI I PUNIMIT DHE PJESËMARRJA NË KONFERENCE 

Konferenca do te zhvillohet ne një dite te vetme, 12 Qershor 2022. Leximi i kumtesës deri në 10 minuta. Kumtesa në version të plotë do të botohet në Aktet e Konferencës Shkencore “Vatra”- 110 vjet në shërbim të atdheut dhe komunitetit shqiptar në Amerikë, mundësuar nga Vatra. 

Boshti kryesor i konferencës do të përfshijë tematikat si më poshtë vijon por edhe tema të tjera me interes shkencor: 

  • Themelimi i Federatës Panshqiptare “Vatra”.
  • Qëndrimi i Vatrës gjatë periudhës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ndaj Luftërave Ballkanike dhe gjatë Luftës së Parë Botërore.  
  • Kontributi i “Vatrës” në themelimin e shtetit shqiptar dhe konsolidimin në arenën ndërkombëtare.
  • Raportet e “Vatrës” me shtetin shqiptar gjatë viteve 1920-1924.
  • Marrëdhëniet e “Vatrës” me Shqipërinë  gjatë periudhës së Ahmet Zogut 1925-1939.
  • Vatra në mbrojtje të atdheut gjatë Luftës së Dyte Botërore.
  • Qëndrimi  i Vatrës ndaj padrejtësive në dem të tokave shqiptare.
  • Lobimi i Federatës Vatra në Shtetet e Bashkuara te Amerikës në mbështetje të Shqipërisë dhe të Kosovës. 
  • Raportet e “Vatrës” me regjimin komunist në Shqipëri.
  • Kontributi i intelektualëve shqiptare, si Fan Noli, Faik Konica, etj… personalitete, të cilët kanë luajtur rol të spikatur me veprimtarinë e tyre në Federatën “Vatra”, në gazetën “Dielli” dhe në diasporën shqiptare  gjatë shekullit XX.
  • Marrëdhëniet e “Vatrës” me Kishën Ortodokse Shqiptare dhe me institucionet e tjera fetare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
  • Kontributi i Federatës “Vatra” për zhvillimin e arsimit, kulturës, shkencës, letërsisë shqipe, etj në SHBA dhe në Shqipëri. 
  • Ndihmat ekonomike të emigrantëve shqiptarë të Amerikës me profil humanitar e bamirës për shqiptarët dhe në shërbim të Çështjes Kombëtare.

SHËNIM: ABSTRAKTI DHE FORMATI I PUNIMIT 

Autoret që janë të interesuar për të marre pjesë duhet të dërgojnë me e-mail titullin e punimit dhe një përmbledhje te shkurtër brenda afatit kohore të përcaktuar në këtë thirrje. 

Adresa e email-it:  vatra110vjet@gmail.com  ; emër – mbiemër të autorit ose të autorëve në rast bashkautorësie ; abstraktin e punimit maksimalisht 250 fjale; 5- 7 fjale kyçe; formati i punimit A4; Fonti Times New Roman 12.

DATA TË RËNDËSISHME 

12 Maj 2022, afati i fundit për të dërguar abstraktin. 

18 Maj 2022, kthim përgjigje për pranimin ose refuzimin e Abstraktit. 

12 Qershor 2022, dita e konferencës.

Bordi organizues i konferencës shkencore:

  • Dr. Paulin Marku  (kryetar) 
  • Dr. Iris Halili         (anëtare) 
  • Dr. Elton Mara (anëtar)
  • Dr. Pashko Camaj (anëtar)
  • Msc. Marjana Zeneli Bulku (anëtare)
  • Dr. Sokol Paja (anëtar)

Filed Under: Opinion Tagged With: VATRA KONFERENCE

Komandanti i FSK-së priti delegacionin e lartë të nënoficerëve nga Komanda Evropiane e Forcave Amerikane (EUCOM) dhe SHBA-të

April 28, 2022 by s p

Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Bashkim Jashari priti sot në takim një delegacion të lartë të nënoficerëve të prirë nga Rreshter majori Easton, Nënoficeri Madhor i Komandës Evropiane të Forcave Amerikane (EUCOM).

Gjeneral Jashari e falënderoi delegacionin për mbështetjen e vazhdueshme për Korin e Nënoficerëve si dhe për planet e përbashkëta për zhvillimin e mëtutjeshëm, ai gjithashtu kërkoi mbështetjen e mëtutjeshme të nënoficerëve të Komandës Evropiane të Forcave Amerikane (EUCOM) në ushtrime dhe aktivitete të përbashkëta.

Rreshter majori Easton premtoi mbështetjen e komandës së tij për Forcën e Sigurisë së Kosovës  në ngritjen dhe avancimin e kapaciteteve në të gjitha fushat e veçanërisht atë të  Nënoficerëve.

Në takim u theksua rëndësia e Korit të Nënoficerëve për zhvillimin e ushtrisë sonë dhe roli kyç i tyre në funksionimin e zinxhirit  komandues.

Filed Under: Rajon

MBROJTJA E KOSOVËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE

April 28, 2022 by s p

MA. AGIM ALIÇKAJ

-Ministrja Gërvalla në OKB krenare me luftëtarët e lirisë

Bija e heroit të kombit Jusuf Gërvalla, Ministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës Donika Gërvalla-Schwarz, jua përplasi në fytyrë përfaqësuesve të shteteve kriminale serbe dhe ruse në mbledhjen e Këshillit të sigurimit të OKB-së. “Unë jam krenare që e përfaqësoj  shtetin ku ushtarët trima të UÇK-së e mbrojtën popullin e vet, shtëpitë e veta dhe vendin e vet. Është çështje personale e juaja por unë nuk do të isha krenare t’i përfaqësoja shtetet tuaja”.

         Në takimin e saj dhe të zëvendësministres Liza Gashi me komunitetin shqiptaro-amerikan në Konsullatën e Republikës së Kosovës në New York, u bisedua për forcimin e lidhjeve të shtetit me mërgatën dhe për kundërvënjen ndaj veprimeve të vazhdueshme armiqësore të shtetit jocivilizues serb.

         Serbia duhet të trajtohet si shtet kriminal. Nuk ka lëshime as kompromise me agresorë të pashpirt dhe të papërmirësueshëm si Rusia dhe sateliti i saj në Ballkan, Serbia. Presionet e shteteve perëndimore ndaj qeverisjes së Kosovës për të bërë lëshime me shpresë se Serbia do të shkëputet nga Rusia janë të kota, të padrejta, joparimore dhe në kundërshtim me vlerat demokratike dhe njerëzore të cilat ato i promovojnë. Koha e dialogut të pabarabartë dhe shantazheve serbe ka përfunduar me zgjedhjet e lira të shkurtit 2021

         Cilido politikan dhe veprimtar shqiptar, kudo në Trojet tona dhe në Mërgatë, që ju nënshtrohet presioneve për kinse “të ruajtur dhe avancuar marrëdhëniet miqësore” me këto shtete është qyqan, interesaxhi, i pavlerë dhe anti-kombëtar. Çka të duhen “marrëdhëniet miqësore” nëse e humbë lirinë dhe shtetin?! Për më keq, cilido ai që bashkëpunon me shtetin serb apo rus, në çfarëdo forme për çfarëdo arsye, deri sa ato udhëhiqen nga shovenist dhe kriminel si Putin, Lavrov, Vuçiq, Daçiq dhe Vulin e ka vendin e garantuar në murin e turpit dhe të tradhëtisë kombëtare dhe njerëzore.

         Ekziston vetëm një zgjidhje e konfliktit në Ballkan. Njohja e Kosovës nga pesë shtetet e mbetura evropiane dhe anëtarësimi i saj me procedurë të shpejtuar në NATO, izolimi ekonomik, diplomatik dhe ushtarak i Serbisë, si dhe presioni mbi te për të zgjedhë demokracinë evropiano-amerikane apo diktaturën e errët anti-njerëzore ruse. Amerika dhe sidomos Evropa duhet të marrin mësim nga agresioni rus në Ukrainë. Vetëm Amerika dhe Presidenti Biden mundet dhe duhet të prijë në këtë drejtim. Me diktatorët dhe kriminelët si Putin dhe Vuçiq nuk bën punë përkëdhelja, kompromisi dhe shpërblimi, bën punë vetëm mundja, dënimi dhe shkatërrimi i tyre.

         Kombi shqiptar është i renditur me botën perëndimore, duhet të jetë dhe është falënderues por jo nënshtrues, në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë. 

         Edhe pse komb paqëdashës, i cili nuk ka bërë kurrë agresion ndaj popujve tjerë, gjithmonë në mbrojtje të lirisë dhe trojeve të veta, duhet të përgatitet për luftë. Këtë e vërteton agresioni rus në Ukrainë dhe aksionet e fundit terroriste serbe kundër policisë së Kosovës. Përgaditja dhe forcimi i ushtrisë së Kosovës duhet të bëhet me urgjencë. Krahas buxhetit të  shtuar të shtetit, çdo shqiptar, kudo që gjendet e ka obligim për të kontribuar me mundësitë e veta në Fondin e Sigurisë të krijuar nga Qeverisa e Republikës së Kosovës. Ai nuk është fond i një qeverie, por fond i ekzistencës kombëtare shqiptare.

         Në shenjë respekti dhe falënderimi për NATO-n e Amerikën për  shpëtimin e popullit shqiptar nga gjenocidi serb, me moton “Përulemi para luftëtarëve të lirisë” unë me bashkëautorin, luftëtarin e lirisë, prof. Dr. Nusret Pllana kemi botuar librin e xhepit “Never Forget”-“Mos harro kurrë” i cili e dokumenton gjenocidin serb mbi shqiptarët, nga një kopje të së cilit ja dhurova zonjave të nderuara Donika Gërvalla dhe Liza Gashi, dhe i cili mund t’i shërbejë në ballafaqimet e tyre të ardhëshme me përfaqësuesit e shtetit kriminal serb.

Filed Under: Analiza

XHEVAT KALLAJXHIU –  EDITOR I “DIELLIT” NË NJË KOHË TË VËSHTIRË HISTORIKE

April 28, 2022 by s p

IDRIZ LAMAJ/

                

Xhevat Kallajxhiu ishte gazetar, studiues dhe shkrimtar i njohur në tri periudha të ndryshme historike të Shqipërisë; në kohën e Shqipërisë së lirë, gjatë pushtimit fashistë të atdheut, dhe në mërgimin e tij të gjatë. Punoi për tre dekada  në redaksinë e seksionit shqip pranë  Zërit të Amerikës.  Pasi doli në pension, për 10-të vjet ishte editor i gazetës Dielli. 

Ai  ndrroi jetë në megrim në moshën 86 vjeçare. Në një shkrim të shkurtë nekrologjik të botuar në gazetën e njohur amerikane, THE WASHNGTON POST, tre ditë pas vdekjes së tij, jepet ky shenim: 

“…Xhevat Kallajxhiu ndrroi jetë me 6 Nëntor 1989 në spitalin Southern  Marylan Hospital Center në moshën 86 vjeçare.  Zoti Kallajxhiu jetoi në Forestville të shtetit Maryland dhe kishte lindur në Shqipëri.  Ai ishte gazetar dhe redaktor para dhe gjatë luftës dytë botërore. Në vitin 1949 emigroi në Shtete të Bashkuara të Amerikës, pasi kaloi pesë vjet nëpër kampet e refugjatëve në Itali.  Ai  për disa kohë punoi në New York si lavapjatës, para se të bëhej lexues (speaker) i lajmeve në Radion “Europa e Lirë”. Në vitin 1954 u transferua në Washington ku punoi për  “Zërin Amerikës” deri sa  doli në pension,  në vititn 1973…”.  Shenimi i gazetës THE WASHINGTON POST  mbështetet në të dhënat e dokumentave të tij shtetrore amerikane. 

Xhevat Kallajxhiu mori në dorë drejtimin e  gazetës Dielli, tre vjet pasi doli në pension, në vitin 1976. Po të shikohet me vemendje ajo përiudhë, Kallajxhiu u angazha në vepriomtarinë e Vatrës dhe drejtimin e  Diellit në një kohë mjaftë të ndërlikuar. Ndikimi politik i regjimeve komuniste  të Tiranës dhe Beogradit (në dy mënyra të ndryshme ), para se Kallajxhiu të fillonte detyrën e editorit të Diellit, ishte shumë i thell në komunitetet shqiptare, këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai lloj ndikimi infektues i të dy regjimeve në fjalë,  i cili kishte mbjellur urrejtje të thell midis nesh, natyrisht kishte depërtuar edhe në radhët e Vatrës.  

Ky shkrim i mbështetur në korresponencën e Kallajxhiut dhe disa miqëve të tij, në shumë shkrime të Diellit dhe në shfletimin e një deng faqesh të Dosjeve të Sigurimit, synon pasqyrimin e gjendjes së vështirë të drejtimit të Diellit nga  Kalljaxhiu. Sipas korrespondencës, Kallajxhiu s’parit ndeshet me reagimet e ashpra nga intelektualët e mërgatës politike. Dr. Hamdi Oruçi i shkruan këtë letër me 10 Shkurt, 1977:

I ndereshmi z. Kalljaxhi, 

Nuk pajtohem aspak me mendimet e jueja të shfaquna në letrën e juej të Shkurtit 1977. E qoftë i lavduem Zori se kemi ende ndonji vend tjetër ku mund të botojmë “materialin” që “Dielli” i djeshëm dhe i sotëm nuk i botojnë. 

E kuptoj drejtimin që doni ti jepni fletores “Dielli” – pa dritë. Shkrimet e IDRIZ LAMAJT  mbi Kaleshin klasifikohen “të kaluara dhe jo asktuale”, ato të FEKEÇIT, “nuk kuptohen nga ana e lexonjësëve të “Diellit”, ato të Mahmud Cungut nuk mund të botohen pa i ndryshuar se ashtu e do puna”, ato të Alarupit  janë të gjata dhe nuk kemi vend, ato të tjerëve, me bazë kulturore nuk merren parasysh. Pikërishtë edhe ato punimet  e mija të vogla nuk mund të botohen pa ndryshime, dhe mund të botohen në katër pjesë pa komente. Dmth., hiqi mendimet e paraqitë skeletin. Ashtu i do mushka e kali ushqimet.  Lopa nuk i han fjalët e diktatorit gjinokastrit ‘faqezi’ për “Kosovën”, që ai e si shumë të tjerë vetëm llomotitin por nuk e kuptojnë as Kosovën e as kosovarët, bile tallen me atë dhe ata, pikrishtë siç nuk kuptojnë arbreshtë  e Italisë  por  duen ‘me pasion’ arbreshët e Amerikës, fjalët e faqeziut Diktator Gjinokastrit  nuk tingllojnë mirë sepse mund të gudulisin  të kaluemen  që nuk asht e bardhë, siç asht i shkreti NEXHAT PESHKËPIA:

Dr. Hamdi Oruçi ishte mik i Kallajxhiut, antar i shquar i Vatrës, kontribues i veçantë i Diellit dhe studiues i njohur. 

Letra e Dr. Oruçit nuk mud të shikohet vetëm si mendim i tij personal. Shumë intelektual të mërgatës politike ishin zemruar në Kallajxhiun. Sipas tyre, jo vetëm për zbutjen e  qendrimeve të tij ndaj regjimit komunist në Shqipëri dhe mënyrën e trajtimit të çështjes të Kosovës në gazetën Dielli, por edhe për menjanimin  e shkrimeve të intelektualve të mërgatës piltike. Ata nuk reagonin me polemika në shtypin e mërgatës, por e kritikonin ashpër me anë të korespondencës. Përjashtim të veçantë bëri Bilal Xhaferi,  i cili  polemizoi me Diellin  në Krahun e Shqiponjes,  me shkrimin: “SHUMË PO NDRITË  E PAK PO NXE”

Pas ndërhyrjes time për uljen e tensionit kundër Diellit,  Bilali më dërgoi një letër të gjatë, në të cilën shkruan: 

“… Ne të dy kemi një gjë të përbashkët me njëri-tjetrin dhe me mijëra bashkë-atdhetarë të tjerë në mërgim, që luftojnë për idealet kombëtare; kjo botë e madhe e lirë, na ka kushtuar shtrenjtë, por nuk na ka thyer dot shpirtin për të luftuar gjeri në fund…”  Disa paragrafe të kësaj letre, ai i përdoroi më vonë në një shkrim tjetër, i cili nuk ka të bëjë me Diellin dhe me Vatrën. (Bilal Xhaferi, Krahu i shqiponjës, janar, 1978)”.  

Nëpër faqet e dhjetra letrave të Kallajxhiut, dërguar miqëve të tij:  Rexhep Krasnqit, Hamdi Oruçit, Hasan Dostit, Zef Nekajt, Petraq Vuçanit, Nesti Andreas, etj. shihet edhe humori i tij thumbues ndaj kohës: Ç’jemi katandisur në të. 

Në maj të vitit 1977, ai botoi në Dielli një shenim shumë të shkurtë rreth poezive të mija të  përkthyera në italishtë  nga Nermin Vlora. Në qershor të atij viti me shkruan në një letër: Kam ra në hall, nuk dij ç’të bëjë? Një mik  i përbashkët më shkroi: Ç’farë poeti është ai ? Kur t’i kthej përgjegjen do t’i  shkruaj: Nermini nuk dinë mirë italishtën.  Me 6 Janar 1978 më dërgoi  këtë  kartolinë urimi për Vitin e Ri:  

I dashuri z. Lamaj,

Më ndjeni që po i përgjigjem me vonesë letrës suaj të 18 Dhjetorit. Kam qenë shumë i zënë me punë. Edhe mua me erdhi keq që nuk munda t’ju shihja gjatë  në Festën e Flamurit. Në reportazhin mbi Kremtimet në New York, që do të bëhet në numërin e Janarit 1979 të Diellit, bëj fjalë për Vatrën, Legalitetin dhe Komitetin (është fjala Komitetin “Shqipëria e Lirë” il).

Edhe mua nuk me pëlqejnë polemikat dhe qëndroj larg dhe faji është i dyanshëm, sepse po të hedhësh, duhet edhe të preç, bile më rënd. 

Çështjen  e konfliktit kufitar  shqiptaro-grek e kam mbyllur dhe s’do të bëj më fjalë. Prandaj edhe shenimet që më keni dërguar ju, do ti ruaj me një anë, nuk do ti përdorë tashi. Por nëse keni diçka ekskluzive mbi Çamërinë, të lutëm m’i dërgoni. Tani për tani kam nevoj për një recension për të dy veprat e fundit të Prof. Martin Camajt. Nesti Andrea me tha se ju jeni i vetmi që mund të shkruani me kompetencë për këtë dhe se i keni lexuar veprat e tij, dhe i keni pëqyer. 

A ka mundësi pra që të bëni një recension mbi këto dy vepra. Do të më bëni një nderë të madhe, edhe nëse ato i botoni më vonë në ndonjë vend tjetër. Dielli duhet të jetë i pari, mos ma merrni për të madhe. 

Në këtë rast ju bëj urimet më të mira për Vitin e Ri,  qoftë i mbarë për të gjithë ju! Xhevat Kallajxhiu.

Korrespondenca e Kallajxhiut, sipas disa letrave dërguar H. Oruçit dhe R. Krasniqit, është pasyrim i sinqert dhe real i  kohës kur drejtonte Diellin.  Ai i shkruan Krasniqit me 12 Dhjetor, 1978: “… Në qoftë se nuk kemi kujdes Vatra ndahet. Krahu jonë ka më pak se 100 antarë. Ne  nuk kemi mundësi të  sigurojmë  botimin e Diellit. Nese bëjm këtë, pala tjetër del fituese, ata gjëjnë përkrahje për botimin e gazetës…” 

Po të shikohen me kujdes Dosjet e Sigurimit  gjatë kohës që ai ishte drejtues i Diellit, shihet qartë se përcillej secila veprimtari e tij, e lëre më shkrimet që botonte në Dielli. Të gjitha bisedat dhe raportet e punës të Vatërs përfundonin  në zyrën e misionit të Shqipërisë pranë OKB-së. Për shembull:

“Gjatë punimeve të Kuvendit, Harri Stoja, me cilësinë e kryetarit të organizatës, u shpreh qartazi se “Vatra” nuk duhet të mbaj qendrim armiqësorë ndaj Shqipërisë, duhet të afrohet më shumë me Shqipërinë, qellimi i “Vatrës” të mos jetë përmbysja e regjimit në fuqi në Shqipëri.” (GJENDJA NË ORGANIZATËN “VATRA”, TIRANË –  6, 27,  1985,  DOSJA – 3347).

Gjatë atyre viteve, Kallaxhiu ballafaqohet edhe me një sfidë tjetër shumë të ndërlikuar; me ndikimin e thellë të politikës jugosllave mbrënda komunitetve shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Konsullata e Jugosllavisë në New York kishte kërkuar një takim me udhëheqësit e Vatrës dhe ata ishin shkuar në zyrën e konsullatës, ku kishte marrë pjesë edhe Kallajxhiu. Pas takimit, “një miku i tij” e kritikon ashpër Editorin e Diellit. Kllajxhiu i përgjigjet me një letër private, e cila, si për çudi letra  përfundon në Dosjet e Sigurimit të Shqipërisë. Paragraf i letërs tij: 

“… Neve vamë të Osman Gashi sepse na ftoj. Neve nuk  kemi frik të vemi edhe te Titua – , edhe tek të tjerët kur është puna për të mbrojtur Shqipërinë etnike. Këtë dua ta dini tani e përherë. Unë jam 70 – të e ca vjeç dhe e mora drejtimin e Diellit që ti sherbej atdheut e jo të mbyll ditët me turp. Unë nuk kam  nevoj për para, sepse nuk kam nevoj përse të jetoj më. Unë nuk kam nevoj të bëhëm president as mbret i Shqipërisë, sepse unë e hëngra timen…”. 

Osman Gashi ishte përfaqësues i konsullatës Jugosllave në New York. Në raportin e stërholluar të vizitës, i cili gjindet në Dosjet e Sigutimit, shihen edhe reagimet e Kallajxhiut kundër disa “kolegëve” të tij vatranë.  Pas demontratave të përgjakshme në Kosovë, në vitin 1981,  ashpërsohet qendrimi i Vatrës kundër regjimit jugosllav. Editori përforcon fushatën e formës  nacionaliste të mërgatës politike në gazetën Diellit.  

Ikonën e gazetarisë tonë në mëgrim,  gjatë sherbimit 10 vjeçarë si Editor i Diellit, Dr. Elez Biberaj e vlerëson në këtë mënyrë:  

“… Pas një karriere të shquar prej tre dekadash në Zërin e Amerikës, zoti Kallajxhi u bë  redaktor i Diellit, post në të cilin shërbeu nga viti 1976  deri në vitin  1986. Ai e ringjalli Diellin , rriti standardet gazetareske, zgjeroi fushatë e mbulimit dhe u përqendrua veçanerisht në sfidat me të cilat ndeshej diaspora, Shqipëria, Kosova dhe Çamëria…” (Dr. Elez Biberaj: Kumtesë e me rastin e 110 vjetorit të temelimit të gazetës “Dielli”).

Xhevat Kallajxhiu në megrim përjetoi grindje të thella dhe polemika të ashpra  midis shokëve të tij të ngushtë në éliten e Ballit Kombëtar. Gjatë përiudhës 10 vjeçare në sherbim të Diellit, ai u ballafaqua me intriga, presione dhe prapaskena të kohës. Si rrall kush, të gjitha i përballoi me durim stoik dhe karakter të hekurtë prej atdhetari klasik. Bëri jetë të thjeshtë familjare dhe ishte mikpritës në shtëpi. Asnjë herë nuk e lëshoi penën nga dora.

50 vjetët e fundit kam pas fatin të njihem përsonalishtë, të shkembej letra dhe bashkëpunoj me EDITORËT e DIELLIT: Athans Gegaj, Refat Gurrazezi, Qerim Panariti, Xhevat Kallajxhiu, Bilal Xhaferi dhe Llazo Vishnja (ndihmës editor),  Arshi Pipa, Anton Çefa, Dalip Greca dhe Sokol Paja. Dëshmi janë faqet e Diellit me shkrime të ndryshme, të  nënshkruara me emër, pseudonime, dhe shpesh vetëm me dy shkronja – IL

Ju falenderoj përzemërsishtë për vememdjen tuaj gjatë leximit të këti shkrimi të thjeshtë, të shkruar kohë më parë. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Idriz Lamaj

“Dëshmi e trishtë e një shenjtori” një homazh kushtuar jetës dhe veprës së baba Bektash Aliajt

April 28, 2022 by s p

Baba Dr. Eliton Pashaj*

Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Të nderuar organizatorë të këtij promovimi, motra dhe vëllezër! Falënderimet i takojnë Zotit të Botëve, Muhamed –Aliut dhe gjithë shenjtorëve! Lutem që këta të na ndihmojnë në udhëtimin tonë shpirtëror të përjetshëm! Së pari do të falënderoja të pranishmit, që kanë ardhur sot të ndajmë së bashku emocionet që na falin evente të tillë. Një libër i ri, është padyshim një dritare e re në qiejt e mendimeve dhe perceptimeve tona. Po kur bëhet fjalë për një monografi historike dhe aq më shumë për një klerik të tarikatit bektashian, atëherë vëmendja jonë bëhet më e madhe si në rrafshin social ashtu edhe fetarë. Sepse në të vërtetë, misioni ynë si klerikë (pavarësisht se çfarë besimi apo feje i përkasin) nuk ka pasur dhe nuk do të ketë asgjë të pandarë nga shtjellat e jetës njerëzore të komuniteteve ku japim shpresë. Libri im “Dëshmi e trishtë e një shenjtori” kushtuar jetës dhe veprës së baba Bektash Aliajt, postmbajtës i teqesë së Golimbasit në Vlorë për dekada të tëra, besoj se ka vendin e vet në bibliotekën e sotme bektashiane. Në të vërtetë, duke marrë penën për të skalitur këtë personazh, kam menduar përpara së gjithash të hedh dritë mbi një periudhë shumë të vështirë të krejt zhvillimeve të feve në Shqipëri, siç është ajo e pas vitit 1944. Shpesh herë, kur flitet për luftën që diktatura në Shqipëri, i bëri fesë në përgjithësi, mendja na shkon tek viti i mbrapshtë 1967, atëherë kur u rrafshuan nga themelet kisha, xhami e teqe, kur klerikët u tallën, u nëpërkëmbën apo më keq akoma u internuan apo burgosën. Të gjitha këto janë të dhimbshme dhe të jetuara masivisht prej nesh.

 E vërteta është se përpara se të rrënoheshin objektet e adhurimit të Zotit, diktatura ishte “kujdesur” që të kontrollonte në imtësi, të ndërhynte brutalisht dhe të ushtronte dhunë fizike e mendore qysh në fillim të vitit 1945, me masakrën ndaj klerit katolik në Shkodër e për të vijuar më pas me hoxhallarë e baballarë të respektuar. Janë një varg ligjesh, vendimesh dhe dispozitash të viteve 1946-1966, të cilat na bëjnë me dije për veprimet ateiste të partisë – shtet, e cila ka bërë ç’ishte e mundur të dëbonte nga zemrat e shqiptarëve besimeve në Zot, për të rrënjosur pas kësaj, “dashurinë e pakufishme” për partinë dhe “udhëheqësin e madh”. Paradoksalisht shumë prej këtyre ligjeve kundra Zotit, janë miratuar edhe Kuvendin e Shqipërisë, nga të zgjedhurit që gjoja përfaqësonin vullnetin e popullit.

Pikërisht këtu do të fillonte drama e madhe e klerikëve tanë të atyre viteve, të cilët në veprimtarinë e tyre aq paqësore dhe fisnike, do të gjendeshin paparitmas, përballë rreziqesh që u vinin nga mekanizmat e verbër të diktaturës komuniste. Fjalët e tyre në oborret e teqeve, në xhami e në kisha do të përgjoheshin, do të shtrembëroheshin dhe jo rrallë këta klerikë të devotshëm do të viheshin përballë akuzave të njerëzve pafe, përballë organizmave të tillë, siç ishin ishin “fronti demokratik”,  “organizata e partisë” etj, duke dashur në të vërtetë mohimin e vetë besimit. Sigurisht edhe pse përballë barrierave të tilla, klerikët tanë ia dualën sepse patën kurdoherë pranë besimtarët dhe ndihmën e pakursyer të Gjithëmëshirshmit.

Pa më të voglin dyshim, jeta e baba Bektash Veliajt, është e ngjashme me të gjitha jetët e klerikëve shqiptarë, në vitet 1945-1990. Mynxyra komuniste do të bënte kurdoherë përpjekjet e saj, sikundër edhe këta klerikë do dëshmonin trimërinë e tyre. Baba Bektashi, ky klerik pjesëmarrës aktiv në luftën për pavarësi kombëtar, i dërguar syrgjyn nga italianët në vitet 1916-1917 në birucat e Siçilisë, kontribuues i spikatur në luftën e Vlorës në vitin 1920 dhe organizator i çetave kundër pushtimit italian më vitin 1939, befas do ta shihte veten në zullumet e ish sigurimit të shtetit shqiptar të asaj kohe. E vetmja gjë, të cilën ky baba e kish bërë me ndërgjegje të plotë, ishte se gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, ai kish pritur e përcjellë në teqen e Golimbasit, çetat e luftëtarëve nga të dy krahët, si komunistë ashtu edhe nacionalistë. Dhe ky akt ishte krejt i natyrshëm kur bëhet fjalë për mikpritjen e teqeve të Haxhi Bektash Veliut, përgjatë 800 viteve të ekzistencës së tyre.

Por ky akt kaq i natyrshëm për një baba teqeje, ishte i papranueshëm për regjimin. Këtu nis edhe kalvari i këtij kleriku, i cili sidoqoftë, deri në frymën e  fundit të tij, u mbështoll nga dashuria dhe dhimbja e besimtarëve të shumtë nga Vlora, Mallakastra dhe Tepelena. Ndërkaq, mënyra se si ky klerik bektashian, kaloi nga kjo jetë, rrëfen se ka patur plot përfaqësues fetarë, të cilët nuk u pajtuan me kornizat ideologjike dhe i shpërfillën ato, qoftë edhe përmes atij akti të dhimbshëm. Mesazhet e tij, sikundër të dhjetëra klerikëve të tjerë janë provë e palëkundëshmirësë së tyre ndaj parimeve fetarë e moralë të religjionit.

Të nderuar të pranishëm!

Këtu nuk është vendi i analizave të thella dhe këndvështrimeve apo perceptimeve tona rreth motiveve të këtij libri. Eventi i sotëm, më jep rastin dhe kënaqësinë e veçantë të falënderoj në radhë të parë të gjithë ata besimtarë të urtë vlonjatë, mallakastriotë dhe tepelenas, të cilët në gjallje të baba Bektashit e adhuruan dhe respektuan atë, ndërsa sot, kanë gjetur kohën dhe kanë dhënë mendimet dhe kujtimet e tyre të vyera. Mbetëm shpresëplotë që këto kujtime, do t’i shpërbejnë përveç punës sime studimore edhe vetë historisë së bektashizmit shqiptarë, për një nga periudhat më të vështira të tij.

Një falënderim i veçantë u shkon sot, zotërinjve: Syrja Xhelaj dhe znj.Nevila Plasa të cilët hulumtuan dosje voluminoze në Arkivin Qendror Shqiptarë dhe përmes qindra dokumentesh muarën në vëmendjen e tyre, qëmtuan dhe më dërguan mua në teqe, pikërisht ata më esencialët, që lidheshin me zhvillimet bektashiane në trevën e Vlorës, si edhe veçmas me ato të teqesë së Golimbasit dhe baba Bektash Aliajt. Së fundi dot  doja të falënderoja dy prej recensentëve të librit, njohës dhe dashamirës bektashianë, Prof.Dr.Mesut Idriz në Stamboll dhe Prof.Dr.Bardhosh Gaçe në Shqipëri, të cilët më kanë dhënë mendime shumë të vlefshëm për kapituj të veçantë, pa harruar këtu edhe përkrahjen intelektuale të mikes së teqesë, të baba Rexhebit, të baballarëve të tjerë dhe sot mikja ime, Profesorja France Trix.

*Përshëndetje e baba Eliton Pashait në promovimin e librit “Dëshmi e trishtë e një shenjtori”, New York. 

Filed Under: Histori Tagged With: eliton pashaj

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT