• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2022

142 VJETORI I PROTESTËS TË KOMITET TË SHKODRËS, KUNDËR LËSHIMIT TË HOTIT E GRUDËS MALIT TË ZI

May 24, 2022 by s p

NDUE  BACAJ

Në mbeshtetje të protestave, kerkesave, memorandumeve  e peticioneve  të krenëve e popullsisë të  Hotit , Grudes ,Trieshit , Kojës , Kelmendit , Kastratit,  Shkrelit e më gjërë , që  kerkonin të  mbronin trojet  shqiptare të Malesisë  Madhe  nga aneksimi i Malit  Zi , ju ishte bashkuar edhe  Komiteti  i Lidhjes Kombëtare Shqiptare Shkodër (ose dega e Lidhjes së Prizrenit Shkodër).  Ky komitet i cili kishte  si rezidencë  shtepinë e Pjeter Gurakuqit, (babait të Luigj Gurakuqit), herë pas here mbështeste qëndresën e Maleve dhe Bajraqeve  të  Malesisë së  Madhe, si në luftë me pendë dhe në luftë me pushkë. Për një nga këto kohë plotë afsh atdhetarie  bënë fjalë edhe protesta e datës 18 maj 1880 , e cila ka në themel  mbeshtetjen diplomatike , por edhe  qëndresën luftarake,  nëse kjo çeshtje e pa drejtë nuk zgjidhet nga Fuqitë e Europes  plakë, që e kishin ngatërruar me kongresin e Berlinit, në këtë  kohë kur  edhe pushtuesi turko-osman  ishte ligështuar si mos me keq, dhe nuk ishte në gjendje të mbrojë  trojet që mbante të pushtuara  prej shekujsh..

PROTESTA E KOMITETIT TË SHKODRËS , DREJTUAR KOSUJVE TË FRANCËS, AUSTROHUNGARISË, ANGLISË E ITALISË ME REZIDENCË NË SHKODËR.  

SHKODËR, 18 MAJ 1880 :                                                                                                  “…Ne shqiptarët, besojmë plotesisht se marrëveshja  per lëshimin  territorial  (për dhënien e Hotit e Grudës Malit Zi) , e cila shkelë keq të drejtat tona  të shenjta  dhe që është burim për një konflikt të menjëhershem e të pergjakshëm  , të padenjë për kohë edhe më pak të qytetruara, do të jetë bërë në mënyrë të pavullnetshme  nga qeveria osmane  dhe nuk ka qënë kundërshtuar nga  fuqitë ndermjetëse , sepse ka mundësi të kenë qënë keqinformuar  për ndjejat që frymëzojnë  këta popuj, aspiratat e të cilëve  synojnë të ruajnë  integritetin e vendit  dhe karakterin e tyre kombëtar , që tash katër shekuj nuk e kanë ndryshuar kurrë.  Shqipëria, atdheu ynë  i dashur dhe i pafat , i cili ka shkruar faqe të lavdishme  në historinë  e kombeve , nuk do as të shitet e as të shkëmbehet, dhe as nuk do të durojë kurrë  një pushtim të huaj dhe aq më tepër atë sllav, sepse ndryshojmë shumë prej sllavëve  per nga kombësia , gjuha , karakteri , zakonet , veshjet dhe traditat.  Ne nuk dëshirojmë  tjetër veçse të jemi shqiptar, nuk duam veçse tërsinë e vendit tonë , të atdheut tonë , që sikundër për ne  është i dashur  për të gjithë popujt  e qytetruar të botës , të cilëve u lutemi  , duke i  bërë thirrje drejtësisë tyre , dhe duke kërkuar të kuptojnë  fatin e rëndë  që na kërcënon , të mos lejojnë të bëhet  mbi kurrizin tonë një poshtersi kaq  e madhe. Ky  ka qënë dhe është qellimi ynë i shenjtë. Ndjeja , frika se mos po humbet kombësia, që kur u mor  vesh  lajmi i zi  i lëshimit të trojeve të Hotit e Grudes, i gjithë populli i  Shqipërisë  ,me një unanimitet si kurrë ndonjeherë ,vendosën më mirë të pranojnë vdekjen, për të cilen janë përgaditur , sesa t’i  lëshojnë edhe një pellembë tokë qeverisë malazeze. Ky vendim u zbatua në fakt, sepse 10 mijë  luftëtarë  u bashkuan si një trup i  vetëm  dhe u gjetën në krye  të  një jave të rrjeshtuar ndër kufijtë , për të ndaluar vershimin që armiku  u perpoq të bënte me forcën e armëve , dhe me një numër të madh ushtarësh , të cilët akoma po kërcenojnë tek portat tona. Ne , është mirë ta përsërisim atë që ka qënë  thënë në manifestin e parë të bërë nga  krerët e Hotit e të Grudes (me 21 shtator 1879 N.B.) ; nuk kemi ndërmend tjetër veçse  t’i  përmbahemi , rreptësisht  traktatit të Berlinit   dhe të qendrojmë  vetëm në mbrojtje , sepse siç nuk duam të pushtohemi prej të tjerve, nuk duam të bëhemi pushtues. Por siç po ndodh kundër çdo qellimi të mirë  tonit  , kjo gjendje e paqëndrueshme  dhe e pavendosur e punëve  nuk mund të zgjasë më shumë, qoftë sepse Shqipëria , duke  pasur parasysh  gjendjen kritike ekonomike në të cilën rënkon nuk është në gjendje të mbajë  për shumë kohë një ushtri, qoftë sepse  per shkak të qëndrimit kërcënues  që vazhdon të mbajë kundër nesh Mali i Zi , kombi nuk mund  të përmbahet  më pa e bërë të sigurt tersinë e vet kombëtare ; kështu që për çdo ngjarje  ose për një përleshje të përgjakshme, përgjegjësia le të bjerë mbi qeverinë  malazeze , që është shkaktarja  e drejtë-perdrejtë e kësaj pune, mbasi kerkon t’i  leshohet një territor  që nuk është i saj  dhe që nuk i perket  sipas të drejtës  së kombësisë. Duke  parashtruar sa u tha më lartë , u lutemi nxehtësisht , zoterinjëve konsuj  (të Francës , Austrohungarisë , Anglisë e Italisë N.B.) që kanë qënderim këtu (në Shkodër) të marrin shënim për vendosmerinë tonë  dhe t’ua  njoftojnë  sa më parë  fuqive që ata kaq denjesisht  perfaqesojnë . Ne shpresojmë  në mënyrë të patundur  se ato do ta marrin parasysh si duhet, dhe për të sqaruar mbi gjendjen e vertet të çeshtjes , jo vetem do të  pengojnë  derdhjen e gjakut shqiptare , që  do ti therrasë  hakmarrjes  qiellit dhe të gjithë  botës , por do të marrin masa që edhe Shqipërisë  të mos i mohohet dhe  t’i  njihen ato të drejta  që për të gjithë popujt e tjerë  kanë qënë të  respektuara  në menyren dhe formen më të mirë.  Me kaq , të nënshkruarit , antarë  të Komitetit Shqiptar  kanë nderin të tregohen me nderim të thellë..:

Daut Shukri efendiu , Selim  Reçaj Efendiu , Sulejman beu , Haxhi Haki , Ahmet agë Çoba , E’them  agë Kazazi , Hasan beu , Brahim efendiu , Haxhi Hysejn Drishti , Muhamet Bektashi , Ahmet Haxhi , Ademi , Sali agë Doçi , Nikoll Gjush Serreqi ,  Simon Simoni , Mark Naraçi , Gjon Muzhani  ,Filip Suma dhe Andon Shiroka .  Në mbrojtje të  Hotit dhe Grudës , pranë degës të lidhjes Prizrenit Shkodër ishte formuar  shtabi ushtarak  të cilin e kryesonte koloneli i karierës Hodo  Sokoli … ndërsa nga Malesia  bënin pjesë  nga Hoti , Dedë Gjon  Luli (që ishte edhe zevendëskomandanti  i  ushtrisë vullnetare) dhe Ismail Marku , nga Gruda Smajl  Martini  e Baca Kurti , nga Kelmendi  Nikë Lekë Pepa dhe Ujk  Gila , kurse nga Kastrati  Shaban Elezi dhe  Gjon Deda…

Siç  shihet  të gjithë   antarët e Komitetit   të lidhjes Shqiptare (Shkodër) ishin në  unanimitet të plotë per tu dalur zot trojeve shqiptare , si ata të besimit musliman, dhe ata të besimit katolik , gjë e cila  shfuqizon ndonjë tendencë  që kerkonte  t’a  paraqesë  Lidhjen e Prizrenit apo, Degen e saj në Shkodër (me emrin Komitet…)  si organizëm të krijuar nga perandoria  turke-osmane për qellimet e saja, kur në fakte ishte krijuar nga shqiptarët patriot pa dallime  krahine , feje dhe ideje , por  me një qellim të shenjtë , mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare  nga  “klyshët” e Rusisë në  Ballkan (serbo-malazezët).. Edhe pse shqiptarët në ato kohë kishin pak miq e shumë armiq me luftën e tyre me pendë e pushkë bënë të mundur të mos ndodhte krejt ashtu siç  ishte planifikuar zi e ma zi për shumë  troje  shqiptare  që edhe sot një pjesë e këtyre trojeve vuajnë padrejtësinë e atyre kohëve të Europës plakë, që kishte forcën por jo të drejten…  

REFERENCAT : 1.Akte te Rilindjes Kombetare Shqiptare  1878 – 1912 , faqe 100-101 , perg.nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha, botim i Akademise se Shkencave…Instituti i Historise (1978 ).

2.Mr.Gjergj Nikprelaj, Dedë Gjo’Luli, mbrojtës i trojeve shqiptare, në një cep të Ilirisë, fq.85, perg. për botim dhe redaktua nga Anton Kolë Berishaj, Art Club, Ulqin 2007.

3.Xhafer  Belegu “Lidhja e Prizrenit” fq.89-91, Tiranë 1939.

Filed Under: Histori Tagged With: Ndue Bacaj

VOTA E MËRGATËS, VATRA MBËSHTET LËVIZJEN “DIASPORA PËR SHQIPËRINË E LIRË”

May 23, 2022 by s p

Sokol Paja/

Federata Panshqiptare e Amerikës Vtara mbështet fuqishëm projektin e Lëvizjes Diaspora për Shqipërinë e Lirë me qëllim garantimin e të drejtës së votës për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve territorial të shtetit shqiptar. Gjatë Vizitës në Vatër themeluesit e Lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” z.Florian Haçkaj dhe z.Aisel Omerbashi u mikpritën nga Kryetari i Vatrës Elmi Berisha, anëtari i kryesisë Dr.Elton Mara. Dr. Paulin Marku, Dr. Hilmije Mara, këshilltari i mediave Dritan Haxhia, Editori i Diellit Sokol Paja dhe Editorja e Anglishtes Rafaela Prifti. Diaspora për Shqipërinë e Lirë u prit me respekt dhe nderim të veçantë në Federatën Pan Shqiptare të Amerikës – Vatra në selinë e saj qëndrore në New York dhe iu dha mbështetje specifike për të drejtën themelore të shqiptarëve në diasporë siç është vota. Kryetari i Vatrës z.Berisha siguroi Drejtuesit e  Lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” z.Florian Haçkaj dhe z.Aisel Omerbashi se Vatra do të jetë një zë i fuqishëm në këtë kauzë kaq të drejtë dhe sensitive për të drejtat e shqiptarëve në mërgatë. Themeluesit e Lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” z.Florian Haçkaj dhe z.Aisel Omerbashi i siguruan drejtuesit e Vatrës së “Lëvizja” ka në përbërje ekspertët më të mirë shqiptarë që ofrojnë garanci, logjistikë dhe ekspertizë ndërkombëtare për të implementuar me sukses të drejtën e votës. Lëvizja dhe Vatra ranë dakord në këtë takim që të vazhdojnë dhe të zgjerojnë bashkëpunimin edhe më tej, duke përfshirë tema me rëndësi që shqetësojnë shqiptarët duke pasur dy çështje në përparësi që janë vota e diasporës apo dekomunistizimi. “Vatra përbën krenarì për çdo shqiptar dhe Lëvizja shpreh mirënjohje dhe respekt të thellë ndaj historisë së saj dhe punës pro çështjeve shqiptare” u shpreh ndër të tjera në takim z.Florian Haçkaj. Lëvizja ‘Diaspora për Shqipërinë e Lirë’, është një nismë qytetare e lindur në mërgatë, e cila angazhohet në mënyrë pro-aktive për përfshirjen e mërgatës shqiptare në proceset politike dhe ato politikbërëse brenda Shqipërisë. Lëvizja ‘Diaspora për Shqipërinë e Lirë’ është lëvizje civile në përgjegjësinë për të forcuar këtë shpresë dhe përcjellur në vendlindje një frymë të re me integritet dhe profesionalizëm, e cila bën dallimin midis modelit aktual të politikbërjes dhe vlerave që Diaspora mishëron.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

GJERGJ KASTRIOTI -SKENDERBEU ME NJË RRUGË TË TIJËN NË NJU JORK  

May 23, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli/


A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidenceMe 15 maj, 2022 në lagjën Bronks të Nju Jorkut u zhvillua ceremonia e emërimit të një rruge me emrin e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastrioti – Skenderebu. në ceremoninë emrimit të rrugës dhe në festivalin që pasoi, morën pjesë personalitete të politike amerikane, figura të njohura të komunitetit dhe një grup arbëresh nga Italia, i ardhur në Nju Jork për këtë qëllim.  Ceremonia dhe festivali u organizuan nga aktivisti dhe politikani shqiptaro-amerikani, Mark Gjonaj, sponsorizuar nga shoqata bamirëse shqiptaro-amerikane, “Duartë e Hapura” dhe dyzina organizatash dhe grupesh përfaqsuese të komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork dhe më gjërë. 

Gjergj Kastrioti – Skenderbeu “erdhi” në Amerikën e bekuar ashtu siç kemi ardhur qindëra mijëra prej nesh nga të gjitha trojet shqiptare – sikurë edhe ai dëshiron të kërkojë dhe të gjejë strehim e paqë në kët vend të lirisë e demokracisë. 

Respekti dhe kujtesa në radhët e diasporës shqiptare për Heroin e Kombit, Gjergj Kastriotin-Skenderbe kanë qenë dhe mbeten të përgjithmonshme, të gjithkund ndodhur dhe shpresojmë, për derisa të jetë bota.

Ende disa anëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan kujtojnë pjesëmarrjen e tyre në 500-vjetorin e Skenderbeut në Romë e Vatikan në vitin 1968, ku ishin bashkuar shqiptarë nga të gjitha anët e botës, përfshir Arbëreshët e Italisë, ashtu siç janë edhe sot të pranishëm këtu, për të kujtuar dhe për të nderuar “të përgjithmonshim” e fisit tonë — para shtatores së tij Romë.  “Të përgjithmonshëm” e pat cilësuar Gjergj Kastriotin-Skenderbe, Papa i atëhershëm Pali i VI, duke iu drejtuar shqiptarëve të diasporës, përfaqsuesve të tri feve kryesore të shqiptarëve dhe të gjitha krahinave shqiptare në Vatikan, në 500-vjetorin e Gjergj Kastriotit – Skenderbe, para më shumë se një gjysëm shekulli më parë,

Papa Pali i VI u ka thënë me atë rast shqiptarëve që kishin shkuar në Romë, për të nderuar Heroin e tyre, se, “Ne ju shohim me kënaqësi, pse e dimë se shpirti me të cilin ju e kujtoni këtë ditë është ai i gjithmonshmi i fisit tuaj, i cili gjithëherë, mbi çdo interes ka vendosur vlerat e trashëguara të Besës, të Nderit e të Burrënisë”.

 Fatosi ynë, Skendërbeu personifikon dhe na i ka lenë trashëgimi këto vlera kombëtare, së bashku me miqësinë ndaj Shqipërisë dhe Shqiptarëve në përgjithësi, e sidomos me miqësinë e Kombit shqiptar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, por edhe me botën perëndimore, në përgjithësi.  

Në shenjë mirënjohjeje për trashëgiminë e virtyteve të Heroit Kombëtar që e bejnë shqiptarin shqiptar dhe për porosinë e shenjtë të të parëve tanë, për të ruajtur atë trashëgimi, madje edhe në diasporë, këtu në Amerikën e largët, bijtë e bijat, nipat, stërnipat dhe mbesat e atyre shqiptarëve dhe shumë të tjerë nga të gjitha fetë dhe krahinat shqiptare, janë mbledhur sot në Bronks të Nju Jorkut.  Këtu, ku pothuaj të gjithë ne — për herë të parë — kemi shkelur në tokën e shenjtë të Amerikës, Jemi këtu për të emëruar një rugë me emrin e Heroit të Kombit shqiptar, Gjergj Kastriotit-Skenderbe.

Ndërkohë që edhe sot po kërcënohet drejtimi pro-perëndimor i Shqipërisë dhe i Shqiptarëve, duhet të sjellim në kujtesë dhe të falënderojmë Zotin që Kombi shqiptar ka kolosa të tillë si Skenderbeu me trashëgiminë e tij në historinë e shqiptarëve — me të cilët çdo shqiptar ka të drejtë të krenohet para botës së qytetëruar — kudo që gjëndet fisi i shqiptarit, në trojet shqiptare shekullore e deri në Amerikën e largët. Edhe prej këtu në Amerikë, Gjergj Kastrioti- Skenderbeu edhe sot u tregon Shqiptarëve rrugën që ata duhet të ndjekin.  

Shpresoj që Shqiptarët kudo qofshin do të ndjekin rrugën e tij Gjergj Kastriotit duke vendosur mbi çdo interes personal ose partiak vlerat e trashëguara të Gjergj Kastriotit-Skenderbe: të Besës, të Nderit e të Burrërisë. Ky emër këtu në këtë rrugë do na kujtojë përgjithmonë flijimet dhe sakrificat e mëdha që Shqiptarët e kohës së Gjergj Kastriotit benë për të siguruar lirinë dhe pavarësinë e vet, por duke mbrojtur, njëkohësisht, edhe identitetin kombëtar dhe qytetërimin perëndimor evropian. 

Frank Shkreli

Image result for gjergj kastrioti skenderbeu image
A picture containing text, newspaper, screenshot

Description automatically generated

Mark Gjonaj promovuesi dhe organizatori i emrimit të rrugës, “Gjergj Kastrioti Skenderbeu”.

   Senatori i Nju Jorkut, Chuck Schumer duke folur – njëri prej shumë politikanëve vendas, shtetërorë dhe federal që mori pjesë në ceremoninë e ditës së djelë.

                                   

Shoqata “Illyria” e shqiptaro-amerikanëve, pjesëtarë të Policisë së Nju Jorkut


                                        “Gjergj Kastrioti Skenderbeu Way


Me Ansamblin Folklorik Autokton Rugova, një prej grupeve kulturore që morën pjesë në emrimin e rrugës, “Gjergj Kastrioti Skenderbeu”.

Grupi Arbëresh i ardhur enkas nga Italia për të marrë pjesë në ceremoninë e emrimit të rrugës, “Gjergj Kastrioti Skenderbeu Way”

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli

LIRITË N’A BËJNË MË TË FUQISHËM

May 23, 2022 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO/

Si edhe në raste të tjera, edhe në kundërshtitë që ka ngjallur mësymja ruse e Ukrainës, përballohen dy përftime të ndryshme të politikës ndërkombëtare. Për të parin, bota është e barazvlefshme me një fushë të madhe shahu ku të fuqishmit (ose të hamendësuarit të tillë), ata që qëndrojnë në krye të Shteteve, lëvizin njëri kundër tjetrit “copat” e ndryshme, të tjerët qënie njerëzore: njerzit e zakonshëm janë përdorur gjithmonë nga ata të fuqishëm simbas qejfit të tyre, të zhvendosur nga një pikë në një tjetër simbas dëshirave e qëllimeve të tyre. Për përftimin e dytë ata qënie njerëzore nuk janë copa të palëvizëshme të një fushe shahu. Simbas bindjeve e interesave të tyre, munden të ndjekin herë herë , me ngazëllim ose thjesht për një jetë të qetë, udhëzimet e kryetarëve të Shteteve, ose t’i përulen urdhërave të tyre, por jo gjithmonë. E nëse vendosin për jo mund të hedhin në erë projektet e të fuqishmëve e të ndikojnë rrjedhën e historisë.

Të përfytyrojmë se çfarë do të kishte ndodhur sikur ukrainasit, në çastin e mësymjes, të kishin zgjedhur menjëherë, me shumicë dërmuese, të dorëzoheshin sepse të kënaqur që ishin “çliruar” nga rusët (siç hamendësonte Putini)  ose të dëshiruar për të shpëtuar jetën me çmimin e përfundimit nën zgjedhën e një diktature.  

N’atë rast Rusia do të pushtonte shpejt Ukrainën. Kanelaritë perëndimore do të kishin bërë ndonjë deklaratë proteste dhe asgjë më shumë.

Në vazhdim kur do të kishte filluar “çnazifikimi” i pashmangshëm, ose më mirë gjuetia shtëpi për shtëpi e kundërshtarëve ( për të cilët sigurisht shërbimet e fshehta ruse i kishin përgatitur listat), Perëndimi do t’a kishte quajtur të palejueshëm dhunimin e të drejtave të njeriut në veprim (si në rastin e Hong Kongut apo të Biellorusisë, pak a shumë). Dhe gjithshka do të kishte mbaruar aty. “Partia pro-ruse” tejet e fuqishme, e pranishme në Itali e në Gjermani, nuk do të kishte ndaluar së kryeri pazarllëqet e saj të zakonëshme me Moskën. Rusia do të kishte vazhduar të shfrytëzonte çdo mundësi për të ndikuar demokracitë evropiane të thyeshme, të hapura e tejet të përçueshme.

Natyrisht, ripushtimi i Ukrainës do të kishte ndryshuar hartën e Evropës. Palëvizshmëria perëndimore  do të kishte përforcuar bindjen e Putinit e të grupit të tij se Perëndimi është një qytetërim i mbaruar, në vdekje. Për perandorinë e ringjallur, Ukraina do të kishte qënë vetëm fillimi. Mbas pak kohe, me gjasë do t’i kish takuar edhe Moldavisë. Balltikasit e polakët (Nato a jo Nato) do të ndjenin në qafë frymëmarrjen e grabitësit. Dhe lufta botërore do të kishte qënë n’atë pikë mjaft e mundëshme, në mos e pashmangëshme.

Por jo. Ata ukrainas kanë vendosur ndryshe. Kanë vendosur se duhej luftuar. Kujtoj një shërbim televiziv në prag të mësymjes. Djem e vajza, më të shumtit studentë, që vullnetarisht përgatisnin thasë rëre në pritje të sulmit të pritshëm. Si shumë të tjerë. Sigurisht është Zelenski. Nëse do t’i a kishte mbathur, siç parashikonin shumë, do të kishte krijuar një çorientim dhe morali i ukrainasve do të ishte shëmbur. Por edhe Zelenski nuk do të kishte mundur të bënte diçka  nëse shumë “burra të vegjël të mëdhenj” e nëse “shumë gra të vogla të mëdha”, njerëz të cilëve nuk do t’i mësojmë kurrë emrat nuk do të zgjidhnin qëndresën. Ka qënë qëndresa e tyre që ka ndryshuar gjithshka. Pa atë qëndresë as Biden-i as evropianët nuk do të kishin lëvizur edhe një gisht të vetëm. E nuk do të kishin mjaftuar përpjekjet e NATO-s për të fuqizuar  ushtrinë ukrainase mbas mësymjes së Krimesë më 2014. Fakti që ukrainasit kanë vendosur të luftojnë e kanë treguar se dijnë t’a bëjnë, duke i prishur festën Putinit, ka tingëlluar zilen e zgjimit për perëndimorët, i ka detyruar t’i mbështesnin. Ata ukrainas, si shumë kokrra rëre, kanë bllokuar ingranazhet e makinës së fuqishme ruse të luftës. Dhe kanë ndryshuar rrjedhën e historisë së botës. Në talk show-et tona përfaqësuesit e partisë filo-ruse nuk arrijnë të fshehin quajtjen e atyre qytetarëve ukrainas – ngulmësisht të vendosur të mbrohen – si njerëz të bezdisshëm e punëprishës.

Nëse përsiasim mirë, ndoshta pikërisht sepse qëniet njerëzore, siç kanë treguar ukrainasit, nuk janë vetëm copa të një fushe shahu, që së fundi demokracitë, ndoshta mbas ndonjë dhjetëvjeçari, do të mund të mbizotërojnë në dyluftimin e zotuar me fuqitë e mëdha autoritare.

Arsyeja është se vetëm shoqëritë e hapura perëndimore janë organizuar në mënyrë që të vlerësojnë njerëzit, duke u siguruar atyre ato liri që pastaj përkthehen në nisma vetiake, në lulëzim të talenteve, të krijimtarive të të shumtëve në çdo sektor. Është e kudërta e asaj që bëjnë shoqëritë e mbyllura, të drejtuara nga regjimet autokratike. Mjaft të vësh përballë mënyrat me të cilat perëndimorët dhe kinezët kanë përballuar belegun e pandemisë, pë të kuptuar se ku janë dobitë e pikat e forcës së shoqërisë së lirë. Për më shumë, në sajë të demokracisë, shoqëritë perëndimore zotërojnë atë që autokracitë nuk e kanë: mekanizmin (institutet dhe proçedurat) nëpërmjet të cilave është e mundur të ndreqen gabimet e qeverive. Dhe kanë dobinë se , nëse të kërcënuar nga autokratët, shumë perëndimorë paqësorë, në çastin e rrezikut, do të ishin të gatshëm të mbronin liritë e tyre. Në ndryshim nga nënshtetasit e qeverisur nga autokratët, ata qytetarë kanë motivime të fuqishme. Kryetarët e fuqive autoritare nënvvleftësojnë rregullisht burimet e mëdha, lëndore e shpirtërore, të ushqyera nga liritë që demokracitë mund të venë në fushë po të jetë nevoja.

Mund të duket një vlerësim tejet pohenik. E dijmë të gjithë se sa keq është katandisur sot bota perëndimore. Asgjë nuk mund të jepet si e mbaruar. Në gjirin e Perëndimit armiqtë e shoqërisë së hapur janë të shumtë e luftarakë. Do të  mund të mbizotëronin shpejt ose vonë. Sfida e dyfishtë (e fuqive autoritare dhe e armiqve perëndimorë  të lirive) mund të zbulohet e mahnitëshme.

Por loja është e hapur. Demokracitë janë të brishta por kanë një atu: nuk i trajtojnë qytetarët e tyre  si ushtarë, të flijueshëm simbas qejfit.

“Corriere della Sera”, 9 maj 2022       Përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Emigracion Tagged With: Eugjen Merlika

Njerëzimi

May 23, 2022 by s p

Astrit Lulushi/


Njerëzit e bardhët janë po aq vendas në Evropë sa janë si-vëllezërit e tyre të zinj në Afrikën Nën-Sahariane. Deri kohët e fundit mbizotëronte idea se të bardhët u shfaqen në Evropë të paktën që nga epoka e Mesolitit, 20.000 vjet më parë, dhe më vonë u përzien me migrantë euroaziatikë me ngjyrë të errët.Shumë teori të tjera qarkullojnë dhe që ndryshojnë nga koha në kohë, në bazë të ecurisë së teknologjisë dhe shkencës. Sipas një studimi të vitit 2017, Homo sapiensët u shfaqën në Afrikë rreth 300,000 vjet më parë.Por në vitin 2019, shkencëtarët raportuan përcaktimin e kompjuterizuar, bazuar në 260 skanime CT, të një forme virtuale të kafkës së paraardhësit të fundit të përbashkët të njeriut, dhe sugjeruan që Homo sapiensët u ngritën midis 260,000 dhe 350,000 vjet më parë përmes një bashkimi të popullsive në Afrikën Lindore dhe Jugore.Nga fundi i po atij viti (2019), antropologët njoftuan se njerëzit e hershëm u zhvendosën nëpër Mesdhe më herët se sa besohej. Ata zbuluan prova të reja në nje kompleks shpellash në Apidima, në krahinën Mani në Greqinë jugore, që vërteton se rajoni kishte qenë i banuar nga Neandertalët dhe Homo sapiensët të paktën 200,000 vjet më parë. Një fosil i kafkës tregon një përzierje të tipareve moderne njerëzore dhe primitive ishte më shumë se 210,000 vjet e vjetër. Sipas disa interpretimeve kjo është prova më e vjetër e Homo sapiensit që jetonte jashtë Afrikës, prova e dyta më e vjetër është nga shpella në malin Karmel, Izrael, rreth 190,000 vjet më parë. Gjetjet në Apidima janë më shumë se 150,000 vjet më të vjetra se sa gjetjet e mëparshme të H. sapiensit në Evropë.Evropianët kurrë nuk e kanë pretenduar Afrikën e Veriut si tokën e tyre, nëse nuk llogaritet përvetësimi francez i tokës algjeriane, megjithatë edhe sot shumica e Algjerisë është etnikisht vendase me një pjesë të vogël të kolonëve francezë që qëndruan në Algjeri. Evropianët gjithashtu kurrë nuk u vendosën realisht në Azi, përveç disa pjesëve shumë të vogla të kolonëve britanikë që u vendosën në Azinë Juglindore ose pjesëve më të vogla të kolonëve spanjollë që u vendosën në Filipine. Kolonitë në Azi ishin për shfrytëzim dhe përdoreshin për nxjerrjen e burimeve dhe arit.Gjithashtu nuk mund të quhen banorët jugor të zinj sepse janë më të errët se veriorët. Ata janë kaukazian, dhe e gjithë kjo bisedë se evropianët e lashtë ishin me lëkurë të errët është lloj gazetarie që përpiqet të krijojë multi-kulturalizëm në çdo gjë.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT