• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2022

DEMOKRACIA E POLITIKA: PËRFUNDIMET E PAPARASHIKUESHME TË LUFTËS

June 25, 2022 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO/

Nuk dijmë se si e kur do të mbarojë lufta. Përfundimet e saj do të ndikojnë jo vetëm, siç është e natyrshme, mbi barazpeshat ndërkombëtare por edhe – gjë që është më pak e natyrshme – mbi ato të brëndëshmet e demokracive evropiane. Italia është, së bashku me Francën (e cila zotëron institucione më të qëndrueshme), më në dukje. Për praninë, më të shumtë si numër e më të zhurmëshëm, të armiqve të asaj që e quajnë perandoria e së keqes (Shtetet e Bashkuara). Nëse një demokraci nuk është një fuqi e madhe, nëse nuk mund të formatojë kontekstin ndërkombëtar, atëherë është ai kontekst që kushtëzon barazpeshat e saj të brëndëshme.

Për shëmbull, mbas luftës së Dytë botërore Shtetet e Bashkuara farkëtuan, në dritën e vlerave dhe interesave të tyre, në shemëri me Bashkimin Sovjetik, rendin ndërkombëtar. Demokracitë evropiane u përshtatën duke fituar qëndrueshmëri, siguri e mirëqënie. Ka mundësi që lufta në Ukrainë të vazhdojë gjatë. Por një ditë armët, së paku për pak, do të heshtin. E do të bëhet një llogari e parë. Janë tri mundësi. E para është që Ukraina, edhe pa rimarrë të gjithë territoret që Rusia ka pushtuar, të dalë fituese. Për të qënë ende një Shtet sovran që i ka qëndruar me sukses planit të Putinit për t’a fshirë nga harta gjeografike, për të treguar aftësi për të thyer projektin rish-perandorak rus. Mundësia e dytë është që Ukraina, edhe se ekziston ende, sëpaku me emër, do të jetë katandisur në një kandil, makar pa dalje më në det, e paracaktuar të mbijetojë në sajë të ndihmave perëndimore. Rusia do të njihej fitimtare. Moldavia, Polonia e Vëndet balltike do të kishin arsye të dridheshin. 

Mundësia e tretë është një vënd numuro, një gjëndje pa fitues të qartë. Do të rridhte një armëpushim i paracaktuar, shpejt a vonë, të thyhej. Nomenklatura ruse nuk do të mund të lejonte për shumë kohë të mos ishte fituese e sigurtë. Përse vallë gjiganti do të duhet të durojë idenë se nuk arriti të kthejë në një qull ata që i quan insekte të parëndësishëm?

Të mbajmë parasysh dy mundësitë dhe pasqyrimet e tyre mbi Italinë. Një fitore e Ukrainës do të fuqizonte qëndrimet politike të atllantistëve. Një fitore ruse do t’i dobësonte rëndë. Jo të gjithë ata që shpresojnë në një mundje të Ukrainës janë detyrimisht putinianë. Por të gjithë janë kundër-amerikanë. Mendojnë se një fitore e Ukrainës do të ishte një fitore e NATO-s dhe e Shteteve të Bashkuara. Ëndërrojnë një Evropë që, të përzënë amerikanët, të merret vesh me Rusinë. Është një grup i ndryshëm, i përbërë nga paqësorë pak a shumë imagjinarë, putinianë, sektorë të botës katolike e të tjerë ende. Kundërshtia për NATO-n është faktori përbashkues.

Nëse do të fitojë Ukraina, atllantistët, Partia demokratike, Vëllezërit e Italisë e ndoshta – nëse do të dalë – një fuqi e qëndrës, do të përforcoheshin. Nëse do të fitojë Rusia do të jenë kundër-atllantistët të përforcohen, edhe brënda PD e Vëllezërve t’Italisë. Ndoshta vetë drejtuesit  e atyre partive do të kundërshtoheshin për zgjedhjen e tyre atllantike nga kundërshtarët e brëndshëm përkatës. Në kohët e mesme e të gjata, pamja evropiane që do të rridhte nga fitorja e njërit apo tjetrit ndërluftues do të ndikonte mbi barazpeshat politike italiane.

Në ndarjet mbi luftën dallohen në kundërdritë dëshira të ndryshme mbi t’ardhmen e demokracisë. Është e vërtetë se dy ballërat, atllantist e kundër-atllantist, janë të ndarë edhe në brëndësinë e tyre. Por në mënyrë paradoksale, balli kundër-atllantist është brëndësisht më i lidhur. Ndërmjet atyre që tek ne synojnë në dobësimin e rolit të Shteteve të Bashkuara n’Evropë – njëlloj si Mélenchoni e Le Peni në Francë – janë të përhapura parapëlqimet për një shoqëri të mbyllur, fuqimisht të kontrolluar nga Shteti, janë të pakët miqtë e shoqërisë së hapur (të nismave të individëve), si të tilla më të pajtueshme me karakteret deri më sot zotërues në bashkësinë evroatllantike. Një shoqëri e mbyllur, edhe se formalisht demokratike, nuk do të kishte vështirësi për t’u marrë vesh me Rusinë e Putinit.

Në ballin atllantik ka më shumë ndryshueshmëri. Do të shohim nëse shestimi i zgjedhjes atllantike me suksesin zgjedhor në Italinë e Veriut do t’a shtyjë FdI për të braktisur parapëlqimin e së shkuarës drejt disa idealeve shtetëroro-korporativë, pak të pajtueshëm me kërkesat e një shoqërie të lirë e të hapur. Do të shohim nëse rish-atllantizmi i PD do të japë ndihmesën për të zvogëluar hapësirën, brënda e për rreth partisë (shiko CGIL), e qëndrimeve pak të pajtueshme me ato kërkesa. Por mbas këtyre saktësimeve, nuk duket e papranueshme që politika italiane të shtyhet në një drejtim apo në një tjetër simbas përfundimit të luftës. 

Është pastaj mundësia e tretë: lufta vazhdon gjatë dhe ndiqet nga një ngërç e nga pamundësia për të njëmendësuar një fitues të qartë. Në një rast të tillë, përballimi ndërmjet atllantistëve dhe kundër-atllantistëve të shtëpisë sonë nuk do të ndalohej. Pasiguria mbi gjëndjen ndërkombëtare do të derdhej mbi ne duke rritur pasigurinë mbi t’ardhmen e demokracisë sonë.

Nëse do t’ishin vetëm “Idetë e mira” e jo edhe “armët e mira” për të  fituar luftërat, e nëse do t’ishin vetëm idetë e mira për të zhvendosur në një kah apo në një tjetër barazpeshat në brëndësi të një demokracie, do të duhej thënë se kush parapëlqen shoqërinë e hapur, pra aleancën perëndimore është më në dobi sepse zotëron idetë më të mira. Kundëramerikanët i drejtohen historisë  (me H të madhe), për t’i shpjeguar opinionit publik përsenë e natyrës së ndërlikuar të gjëndjes së Ukrainës e përse një humbje e mirëfilltë ruse nuk është e urueshme. Flasin për historinë në të njëjtën mënyrë sikurse flet Putini, si për një rreth të pamëshirshëm e të pandryshueshëm. Por historia e kuptuar kështu nuk ekziston. Ekzistojnë proçeset historike të thurur me vazhdimësi e pavazhdimësi. Ajo e Ukrainës nuk është një luftë civile, sepse ukrainasit ekzistojnë, janë një komb i pavarur e kështu duan të qëndrojnë. Meqë kombet formohen gjithmonë kundër një armiku, Putini ka arritur të fuqizojë kahun e njinjisisë kombëtare të Ukrainës, është vetëmundur, ka  kontribuar, nga 2014 deri sot të shtrembërojë vetë idenë e tij, simbas së cilës”Ukraina nuk ekziston”.

Ka shumë argumenta të mirë për të hedhur poshtë tezat e armiqve të aleancës perëndimore për Ukrainën në shtëpinë tonë, e për të thënë se, për të njëjtat arsye ka ndonjë shkak optimizmi mbi luftën. Armët ruse vështirësisht do t’arrijnë të shkatërrojnë një identitet kolektiv që gjaku dhe zitë kanë përforcuar kaq fuqishëm.

“Corriere della Sera”, 22 qershor 2022    Përktheu Eugjen Merlika    

Filed Under: Emigracion Tagged With: Eugjen Merlika

DUKE MEDITUAR PËR CAMAJN, KOLIQIN, FISHTËN… 

June 25, 2022 by s p

Ernest Marku/

Kardinal Ernest Troshani, nuk është i pari. As Kardinal Mikel Koliqi nuk ishte. Ka qenë gjithmonë një kardinal me mjekër në Kurien e Shenjtë Romake. Që nga fundi i shekullit XV nuk ka munguar asnjëherë. Ky është kardinali që përfaqëson Urdhrin e Shën Bazilit në Italinë e Jugut, urdhër që është gjithë çfarë ka mbetur nga Kisha Unite, e cila lulëzonte dikur në Arbërinë e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.  

Ç’është kjo kishë? Pse nuk flitet për të? Pse dokumentet bizantine heshtin për historinë e Skëndërbeut? Ç’rrezik përbënte kjo kishë për ortodoksinë? Çfarë besimi i përkiste Gjergj Kastrioti, i ashtuquajturi Skënderbe? Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë shumë të ndërlidhuara me njëra-tjetrën, si dhe na nxisin të ndjekim fillin e një diskutimi që vjen deri në kohët tona.

HISTORIA

Dy janë momentet historike që hedhin dritë mbi ekzistencën e Kishës Unite: I pari, është rasti i njëqind ushtarëve katalanas, që vijnë në Krujë në mbështetje të Skënderbeut. Në letrën e parë, shkruar para se ushtarët të niseshin për në Arbëri, kapiteni i tyre, pyet nëse është nevoja të marrin prift me vete. Me sa duket, iu dha informacioni se po shkonin në një zonë katolike dhe për pasojë, nuk ishte nevoja të merrnin prift me vete. Mirëpo, në letrën e dytë, po ky kapiten, shkruan nga Kruja: “Na dërgoni urgjentisht një prift. Këta thonë se janë katolikë, po një Zot e di se çfarë katolikësh janë!…”

I dyti, është në kohën e kryqëzatës së thirrur nga Papa Piu II, humanisti italian, Enea Silvio Bartolomeo Piccolomini. Skënderbeu, sapo kishte nënshkruar një armëpushim dhjetëvjeçar me Sulltan Mehmetin dhe nuk kishte asnjë interes që ta prishte atë. Megjithatë, ai e prishi dhe sulmoi Beratin, kurse Papa Piu II vdiq në Ankona disa ditë më pas. Historia flet qartë, se si dështoi kjo kryqëzatë dhe se si Skënderbeu humbi shtatë nga kapedanët më të mirë, duke dështuar ta merrte Beratin, por edhe duke rrezikuar një humbje totale. Ajo që më intereson, është çështja: “Ç’ishte ajo arsye që e shtyu Skënderbeun të hynte në këtë valle?” Pas kësaj ngjarjeje, nuk do të ishte më ai i pari. Zotërimet e tij erdhën duke u rrudhur, humbi shumë kështjella dhe pothuajse rrinte nëpër male. Më 1466 kapiteni venedikas që po organizonte mbrojtjen e Krujës nga osmanët që po vinin drejt saj, nuk ia hapi derën Skënderbeut që të hynte në kështjellë. Disa muaj më vonë, siç dihet, ai vdiq në Lezhë, ku kishte shkuar, në një përpjekje të dëshpëruar për të ringjallur Lidhjen e Princërve Arbër, të themeluar 25 vite më parë.

Në atë kohë, nuk është se kishte një ndarje të qartë midis katolicizmit dhe ortodoksisë. Shumë princër apo mbretër në Ballkan, kalonin nga njëri besim te tjetri; po ashtu edhe papët e Romës, nuk reshtën kurrë negociatat me Kostandinopojën. Më 1437 nisi punën Koncili i Firences, në të cilin do të merrte pjesë edhe Kostandini XI, perandori i fundit Bizantin. Ky koncil vendosi bashkimin e dy besimeve dhe njohjen e Papës si Vikar i Krishtit në Tokë, mirëpo, kur perandori u kthye në Kostandinopojë, ndeshi në kundërshtimin e fortë të bashkëqytetarëve të tij, të cilët ishin nxitur nga patriaku ortodoks i asaj kohe. Ortodoksët e Bizantit e kishin më të lehtë të pranonin çallmën e Sulltanit, se sa tiarën e Papës. Dhe më 1453 Mehmet Fatihu, e pushtoi Kostandinopojën duke e kthyer katedralen e Shën Sofisë në një xhami. Kisha Unite, e cila mbështetej nga Skënderbeu, ishte shpresa e fundit e papëve të Romës, për unifikimin e besimeve të krishtera.

Ja pse ka diskutime të shumta, nëse Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i përkiste besimit katolik apo atij ortodoks! Ai mbante pranë vetes, ipeshkvinj e prelatë katolikë, si i mirënjohuri Pal Engjëlli, por, nga ana tjetër, në Krujë qëndronte edhe një peshkop, i cili i drejtonte besimtarët e tij sipas ritit ortodoks, ndonëse njihte Papën, si Mëkëmbësin e Jezu Krishtit në Tokë. Ky ishte edhe thelbi i Kishës Unite: riti ortodoks dhe njohja e paritetit të Papës. Pranimi i autoritetit të tij, në fakt, e bënte atë pjesë të Kishës Katolike, pasi “katolike” do të thotë “universale”. Në vitet 1462-1463, Skënderbeu u përfshi nga ëndrra e Papa Piut II për çlirimin e Kostandinopojës dhe dhënien fund të shizmës ortodokso-bizantine. Nga kjo ëndërr dhe nga kjo Kishë Unite, ka mbijetuar vetëm Urdhri i Shën Bazilit, i cili u themelua në Italinë e Jugut, mes shqiptarëve të vendosur atje, kryesisht pas vdekjes së Skënderbeut, ndonëse shqiptarët e Moresë, kishin nisur të vendoseshin atje, qysh në mesin e shekullit të XIV. Ja pse kronistët bizantinë, janë përpjekur ta lënë në harresë emrin e Skënderbeut dhe atë të Kishës Unite.

Janë dy shenjtorë të krishterë që nderohen edhe nga myslimanët: Shën Gjergji dhe Shënkolli. Aty ku myslimanët ishin ortodoksë para se të bëheshin të tillë, nderohet Shën Gjergji; kurse në zonën katolike, nderohet Shënkolli. Kjo vijë ndarëse është pak a shumë “Vija e Teodosit”, kurse për territorin aktual të Republikës së Shqipërisë, fare mirë, me vetëm pak pasaktësi, mund të shërbejë si kufi rruga Durrës-Kukës. Mbi këtë rrugë, nderohet Shën Kolli, shenjti të cilit i janë veshur elementë të paganizmit, si shenjti mbrojtës i lumenjve, i cili bashkë me dragonjtë lufton kundër kuçedrës që ka bllokuar burimin e ujit. Jo më kot thonë: “Si i Shën Kolli për çdo va”. Ndërsa, poshtë rrugës Durrës-Kukës nderohet Shën Gjergji. Edhe këtij i kanë veshur elemente të paganizmit, duke e paraqitur si shenjti që vret dragonjtë, të cilët, në këtë rast, na paraqiten si figura negative, krejt ndryshe nga Veriu kriptokatolik. A ka këtu një ndarje kulturore apo teologjike? Nuk e them dot.

B-TË E SHQIPES, MISIONARËT FRANÇESKANË DHE TË TJERËT…

Barleti, Buzuku, Bardhi, Bogdani… Të gjithë shqiptarë katolikë! Pa këta emra, s’kemi çfarë të flasim për letërsi shqipe në shekujt XVI dhe XVII. Pastaj vjen shekulli i errët, ai i XVIII, ku ndihet ndikimi i kulturës osmane në kulturën shqiptare, me letërsinë e bejtexhinjve. Barleti shkuante latinisht, po ku ka më shqip se “Historia e Skënderbeut”. Buzukun e njohim si autorin e parë të një vepre, në gjuhën shqipe, ndonëse Pal Engjëlli e kishte shkruar një “Formulë pagëzimi” në shqip, mbi një shekull më parë. Bardhi përpiqet ta rreshtojë shqipen bashkë me gjuhët e tjera simotra të Europës, pa harruar të shpërthejë në një publicistikë historiko-analitike mjaft prestigjoze, kur tentojnë t’i prekin Skënderbeun, Heroin Kombëtar. Te Budi, kemi ndoshta provën e parë, që edhe shqipja mund të të mrekullojë me bukuritë e saj, kur muza poetike frymëzon pendën e një mjeshtri. Bogdani pastaj, është një kulm më vete, është një mal, pas të cilit pllakos një errësirë mbi njëshekullore.

Ata që do ta çanin këtë errësirë, janë jezuitët në misionet e tyre shëtitëse si dhe prefekturat françeskane. Këta nuk ishin shqiptarë, po italianë, kroatë, gjermanë, boshnjakë etj. Vetëm Leonardo de Martino ishte arbëresh. Ai ishte i pari që provon të shkruajë drama në shqip, pasi në poezi, letrat shqipe kishin njohur edhe Pjetër Zarishin, që ishte prift dioqezan. Ndoshta duhet të përmendim edhe Benediktinët, që ishin pararendës të Fretërve Minorë. Falë këtyre dy Urdhrave, kemi sot katolikë në Shqipëri dhe falë disa pinjollëve të dalë nga këto treva katolike, apo nxënësve të dalë nga Kolegji Françeskan në Shkodër, apo sivllau i tij, Kolegji Saverian i Jezuitëve; letërsia dhe kultura shqipe ka me se të mburret. Ja si shprehet At Amato da Luka, në mesin e shekullit XIX, në një letër për Gjeneralin e Urdhrit Françeskan në Romë: “Katolikët shqiptarë, janë të denjë për të gjitha lavdërimet, sepse kanë qëndruar të tillë nën një qeveri me të vërtetë tiranike, sidomos ndaj të krishterëve; duke u trajtuar si skllevër të vërtetë të osmanëve, në mes të të cilëve u duhej të jetonin…”.

Shekulli XX pastaj, do të sillte një plejadë të tërë, shkrimtarësh dhe artistësh, nga radhët e shqiptarëve katolikë, me një kontribut të pazëvendësueshëm në kulturën shqiptare. Mjaft të përmendim: Fishtën, Mjedën, Nikajn, Abat Doçin, Gurakuqin, Prendushin, Palajn, Kurtin, Koliqin, Camajn, Pashkun, Harapin, Sirdanin, Rrotën, Gazullin, Shllakun… Edhe Konica ka ndjekur Kolegjin Saverian, në rininë e tij. Aleksandër Xhuvani, vinte nga Elbasani në Shkodër, për të marrë pjesë në Komisinë Letrare. Në Kongresin e Manastirit konkuronin tri alfabete, të cilat mbroheshin nga një frat, një prift jezuit, kurse i treti nga Mid’hat Frashëri. Mjeda dhe Fishta, me atë që bënë në atë kongres, i vunë vulën alfabetit që kemi sot, ndonëse të ndihmuar edhe nga rrethanat historike që pasuan. Vetëm Noli, i cili shkëlqeu si pasojë e edukimit të vet skrupuloz, vëllezërit Frashëri që ishin një tjetër diell i shqiptarisë, Lasgushi, Kuteli apo Çabej e ndonjë tjetër që u shkolluan në shkollat austriake të kohës; mund të krahasohen për nga niveli, me produktin kulturor të Shkodrës së katolikëve shqiptarë.

Ajo që është për t’u vlerësuar, në: letërsi, gjuhësi, etnografi, histori, pikturë etj., në Shkodrën e viteve të diktaturës, por edhe më gjerë; ose është produkt ish-nxënësve të shkollës françeskane e jezuite, ose vjen nga bijtë apo familjarët e ish-oficerëve të Sigurimit, të regjimit komunist, të cilët ranë në kontakt me librat dhe dorëshkrimet e  klerit katolik. Për këta të fundit, At Konrad Gjolaj na jep një listë goxha të gjatë dhe me emra të mirënjohur.

KATOLIKËT SHQIPTARË TË SHEKULLIT XXI

Ka vetëm një arsye pse katolikët shqiptarë mund të ndihen krenarë: Fakti që qytetërimi europian ku aspirojmë të integrohemi, është ngritur duke u bazuar në qytetërimin greko-romak dhe në vlerat e krishtërimit, kryesisht atij papal dhe luterian. Po t’i referohemi Kadaresë, katolikët shqiptarë janë një popullsi autoktone, me një peshë e rrezatim vertikal kulturor, pa të cilin nuk mund të kuptohej ky komb. Këto rreshta, kombinuar me të vërtetën historike, mund të përkëdhelin sedrën e një katoliku shqiptar, edhe kur është mendjehapur dhe erudit. Por, deri këtu! Të kalosh në ekstazë e të biesh në dashuri me identitetin tënd, pa vënë personalisht asnjë gur, sado të vogël, në murin e kulturës apo të historisë, nuk është gjë tjetër vetëm se një patetizëm i sëmurë, që, nëse nuk është për t’u shëruar, të paktën është për t’u mëshiruar. Nuk ka asgjë më boshe se sa krenaria që nuk ndërtohet mbi arritje personale.

“O sa mirë me kenë shqiptar!”, “Lum na që jena katolikë!” apo: “Vllaznia zemra jonë!”; mund të jenë thirrje të bukura për në stadium, kishë apo altar, por, kushdo që pretendon të na argumentojë vertetësinë e këtyre parullave, ose është delirant i pashërueshëm, ose më keq akoma, nuk i beson as vetë ato që thotë. Të pretendosh se i ke rezistuar pushtimit osman, pse ke arritur të ruash besimin katolik, kur, në të njëjtën kohë, ke ngritur strukturën shoqërore të bajrakut, me imponimin e Perandorisë Osmane; në mos qoftë verbëri arsyetimi, është mendje e sëmurë nga patetizmi, apo e nxitur nga interesi i gërgasit. Nuk po flas për kanunet e kodet, pasi ato janë thelbësisht shqiptare, edhe pse me ndikime të forta nga e drejta romake. Nuk po flas as për familjet princërore shqiptare, as kur këto u përshtaten në kushtet e reja të imponuara nga pushtimi, pasi ata janë princat tanë dhe nuk ka histori të lavdishme pa princa të lavdishëm. Po flas për struktura sociale e ushtarake, me anë të të cilave, Perandoria Osmane kishte ndërtuar skemën e kontrollit të këtyre territoreve.

Vitet e Diktaturës së Proletariatit, i dhanë një goditje të fortë traditave tona të besimit e të normave të bashkëjetesës shoqërore. “Njeriu i ri”, produkt i propogandës së dikaturës, u ndie i braktisur nga idhujt e rremë, në fillim të viteve ’90 dhe në prag të shekullit të ri. Këta njerëz, janë viktima për t’u mëshiruar, por, kur disa prej tyre, zëvendësojnë idhujt e rënë me patriotizmin butaforik apo me “krenarinë e të qenit katolik”; atëbotë ata kthehen në qesharakë, për të mos thënë edhe në delirantë të rrezikshëm. “Nazizmi vdiq, – thotë Berthold Breht, – por mitra që e lindi është akoma e gjallë”.Si mund të flitet për 3000 vjet qytetërim të pandërprerë, në një qytezë që nuk ka as 20 vjet që ka ndërtuar trotuarin e parë, apo që nuk arriti dot të ruante as një bibliotekë nga shkatërrimi.

Të jesh sot intelektual, përfaqësues i bashkësisë së shqiptarëve katolikë, është një përgjegjësi aq e rëndë, sa nuk ka vend as për krenari boshe e madje, as për përkëdhelje sedre. Të çosh përpara, atë traditë historiko-kulturore që përmendëm në pjesën e dytë, kërkon veçse përkushtim të pashembullt e përvujtni të pashoqe. Duhet derdhur shumë kile djersë, për të merituar një gram kreni. Nëmos, heshtni e mos na bani me marre!

HAKMARRJA E DIKTATURËS

Që një grusht katolikësh, rreth e rrotull e brenda Shkodrës, kanë arritur të krijojnë një produkt kulturor, që ua errëson sytë injorantëve dhe anadollakëve të shpërndarë andej-këtej Shqipërisë, kjo nuk do mend, as kalem. Por që të guxojnë të përballen intelektualisht me këto vepra, nuk e kanë parë dot një skenar të tillë, as në ëndrrat e tyre më të bukura. Atëherë, çfarë mbetet?! Mbetet “goditja poshtë brezit”. Ky term i huazuar nga rregullat e boksit profesionist, e përcakton më mirë se çdo gjë tjetër, faullin teknik të pseudostudiuesve, që nuk iu janë tharë akoma lotët për rrëzimin e Diktaturës së Proletariatit.

Janë përpjekur ta bëjnë këtë gjë edhe me Fishtën. Kurse tani po tentojnë ta bëjnë me Koliqin e Camajn. Ani! Vetëm pema me kokrrra, gjuhet me gurë. Kur Koliqi kishte marrë propozimin për t’u bërë Ministër i Arsimit, në qeverinë e kryesuar nga Mustafa Merlika (Kruja); siç tregon ai në kujtimet e veta, kishte shkuar të konsultohej me Fishtën për këtë propozim. Patër Gjergji, pa e mbaruar tjetri fjalinë, i kishte thënë: “Me shkue!”. Mirëpo, Koliqi, i shqetësuar për faktin se si do ta merrnin bashkatdhetarët e tij këtë akt, kërkon një vendim më të pjekur e më të studiuar. Fishta e kishte ndërprerë përsëri, duke i thënë: “Me shkue, se kushdo tjetër qi t’shkoje, ka per t’ba ma keq se ti…per shqiptarët!” Ky është një arsyetim e një logjikë, që vjen prej një personaliteti, i cili nuk e ndan dot veten nga kombi; ai nuk mund të fshihet e të shpëtojë emrin e vet, sa kohë që kombi ka nevojë për të, qoftë edhe duke sakrifikuar emrin e vet. Kujtesa popullore ruan edhe një anekdotë mbi motivet e pranimit e titullit të akademikut nga Fishta. Thuhet të ketë thënë, pak a shumë: “N’kyt moshë qi jam, s’mund t’i baj kombit tjetër sherbim, veç se t’i fali nji akademik … Edhe pse e dij se kan me m’sulmue, posaçe ndoj toskë me mendje prej Rusijet”. Nga e njëjta shkollë mendimi vinte edhe Patër Anton Harapi, i cili, disa vite më vonë, kur do të pranonte të bëhej anëtar i Këshillit të Regjencës në kohën e pushtimit gjerman, do të deklaronte: “Ma mirë t’thonë: gabove, o Atë!, sesa: Ku ishe, o Atë…?”

Të gjithë e dimë se ç’bëri Koliqi në postin i Ministrit të Arsimit, me shkollat shqiptare që u hapën deri në Mitrovicë. Kurse Fishta i detyroi italianët të ndërtonin rrugën Lezhë-Kallmet-Troshan-Nënshatë-Vau i Dejës, rrugë e cila ruhet e padëmtuar edhe sot e kësaj dite. At Zef Pllumi, në kujtimet e veta, tregon se si Fishta t’u jetë drejtuar fretërve të rinj me këto fjalë: “… Por unë ju premtoj ju, se kurrën e kurrës, nuk do ta ul përpara të huajve, rodin e shqiptarit. Me të vërtetë që sot ata na kanë okupuar, si dikur Roma Ilirinë; por unë në konferencat e mia, do t’ua përsëris italianëve pa pushim; se vërtet Roma dikur e ka patur namin e madh, por legjionet ilire dhe perandorët e mëdhenj ilirë, ishin ata që kishin në dorë fatet e Perandorisë Romake. U bëj edhe një premtim tjetër; sapo ato konferenca të përfundojnë dhe gjashtë muajtë të kalojnë, siç e kërkon rregullorja; unë menjëherë, do të kërkoj të vij në Shqipni”. Dhe Fishta vdiq në Shqipëri, diçka më shumë se një vit më vonë. Ajo që bënë me eshtrat e tij, të zbriturit nga mali më 1944, nuk është as më pak as më shumë se ajo që po kërkojnë të bëjnë bijtë e tyre me Ernest Koliqin e Martin Camajn.

Nëse pastaj, do të hyjmë të diskutojmë për vlerat letrare të Fishtës, Camajt, Koliqit etj., nuk më bëhet të shkruaj gjë tjetër për “arkeologët” e arkivave, përveçse të perifrazoj Fishtën:

“… Hajde, hajde, Ali Dervella

po kush t’shtini n’kto punë t’kthella?!”.

Filed Under: Kulture Tagged With: ernest marku

Murana e Gjergj Kastriotit në Prizren

June 25, 2022 by s p

Nue Oroshi

Titulli i autorit: Murana e Gjergj Kastriotit në Prizren dhe zgjedhja e institucioneve komunale dhe qendrore të Kosovës në mes të Gjergj Kastriotit dhe Sulltan Mehmet pushtuesit

Mijëra  shqiptar anë e kënd trojeve etnike shqiptare dhe nga diaspora e madhe atdhetare më kanë shkruar këto ditë me shqetsimin se çka po ndodh me kërkesën e Muranës së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Prizren.Meqenëse kanë kaluar një vit e gjysmë dhe ende nuk është marrë një vëndim i prerë nga institucionet e Kosovës ato komunale si dhe ato qendrore për lejimin e Muranës së Gjergj Kastriotit në Prizren për opinionin e gjerë shqiptar e bëj një sqarim lidhur me ecurinë e procedurave ligjore se ku kanë shkuar deri më tani çështja e procedurave të këtij projekti.Me sugjerimin e Qendrës Rajonale për Trashegimi Kulturore në Prizren për  ta dorzuar edhe një kërkesë të re Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor këto ditë i përgatita komplet projektin. Këto materiale i kompletova dhe dje përfundimisht i dorzova dosjen e kompletuar. Bëra një takim me drejtorin e kësaj drejtorie z.Pranverim Berisha i cili më priti mirë dhe më premtoj se së shpejti Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor do ta përcjellë projektin e Muranës, tek institucionet përkatëse të nivelit qëndror në mënyrë që të mirret një vendim i prerë rreth këtij projekti gjithëkombtar.Tani është çështje javësh kur do të mirret vendimi.Institucionet e Kosovës në këtë rast janë në mes të dy zjarreve.Të mbesin shqiptar dhe ta ruajnë historinë shqiptare apo të tjetërsohen në turq dhe të kalojnë në mbrojtje të pushtusve osman.Pra, edhe në këtë rast është duke u zhvilluar një luftë e vërtetë diplomatike dhe politike në mes të përkrahësve të Gjergj Kastriotit dhe atyre të Sulltan Mehmetit e Sulltan Muratit.Se cili orientim politik do të ngadhnjej do te shihet shumë shpejt.Por një duhet të dihet se nese mirret një vendim negativ për ndalimin e mosrealizimit te këtij  projekti kombëtar, akterët që marrin këtë vendim nuk munden ta quajnë vehtën shqiptar por janë tjetërsuar komplet në Turq  dhe kanë zgjedhur vijën e tradhtisë kombëtare. Në këtë rast Shoqata “Trojet e Arbrit“ do ta vazhdon luftën në variantin tjetër që do t’iu bëhet me dije qytetarve shqiptar pasiqë të mirret vendimi.Vërtetë është e dhimbshme kur vjen puna deri aty dhe je i detyruar të luftosh natë e ditë për të mbrojtur historinë, traditën  dhe atdhetarizmin shqiptar. E shpesh ankohemi se nuk na pranonë Evropa, po na qorton Amerika dhe harrojmë t’ia bëjmë pyetjën vetvetës  se ka po shkon liburnia e orientimit politik shqiptar.Shqiptarët duhet të deklarohen qartë se a janë me Evropën e Amerikën apo me Turqinë, Serbinë dhe Rusinë.Rrugë të dytë nuk ka.Më befasoi edhe një telefonatë nga një  politikan  i lartë  gjerman që mirrët me çështjen e Kosovës  dhe që ma bëri dje, i cili me pyeti  në mënyrë konkrete se si qëndron puna rreth këtij projekti.Uroj që ky projekt të kryhet me komunikime ndershqiptare dhe mos  të vij puna deri aty sa kjo çështje të internacionalizohet edhe në Berlin, Bruksel, Londër e Washington dhe qendra tjera të mbrojtjes se shqiptarizmës.Si do që të shkoj puna lufta për mbrojtjën e identitetit shqiptar dhe vlerave kastriotase nuk do të ndalet asnjëherë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Nue Oroshi

PSE SHQIPTARËT DUHET TA KUNDËRSHTOJNË “BALLKANIN E HAPUR”?

June 25, 2022 by s p

“BALLKANI I HAPUR” LËVIZ NË SKEMAT RUSE*

Shaban Murati*

*Marrë nga libri i autorit: “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë”

E vërteta diplomatike dhe historike është se në çdo grupim, aleancë apo bashkim rajonal apo subrajonal shtetesh, me etiketë ekonomike apo politike, gjithmonë del më i fituar shteti më i fuqishëm. Formatet dhe grupimet subrajonale janë një praktikë e njohur e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe Ballkani ka njohur dhjetëra, deri te projekti i ri subrajonal serb i “mini Shengenit ballkanik” apo “Ballkanit të hapur”. Si rregull liderët ballkanikë kanë kujtesë të shkurtër dhe mbyllin sytë përpara realitetit të dominimit të fuqisë ekonomike, ushtarake dhe demografike në çdo grupim subrajonal ballkanik. Ka pasur deri tani një rrymë positive europeiste, që shtetet e Ballkanit Perëndimor me zgjedhjen e tyre të orientimit euroatlantik, ia linin BE-së dhe NATO-s yllin e tyre polar strategjik.            

Befas që nga tetori i vitit 2019 e deri tani kemi një devijim të qëllimshëm nga ky pozicion strategjik europeist me projektin e grupit të ri subrajonal apo separatist me emrin “mini Shengen” apo “Ballkan i hapur”, që deri tani ka trullosur vetëm dy kryeqytete nga 12 që ka i gjithë Ballkani. Megalomania diplomatike serbe pretendon se grupimi i ri subrajonal do t’u sjellë shteteve pjesëmarrëse prosperitetin dhe integrimin e shumëpritur, me ndryshimin se tani në vend të integrimit europian do të kenë integrimin serb. Konstatohet se pas mikrosamitit të Shkupit të 29 korrikut 2021 të krerëve të tri shteteve anëtare të projektit serb, ka një ngutje diplomatike dhe politike të sforcuar për të ecur sa më shpejt drejt integrimit serb të grupimit të ri subrajonal. Kjo ngutje ka ngjallur kënaqësi strategjike dhe diplomatike në Moskë, ku Rusia vlerëson se projekti serb “Ballkan i hapur” ka përputhje me planet e Moskës për ndikim në gadishullin ballkanik. Modelin e integrimit të grupimit të ri minishengist e përcaktoi publikisht zëvendësministri i Jashtëm rus, Aleksandër Grushko, i cili në Beograd më 18 qershor 2021 deklaroi se vendet e Ballkanit duhet të zgjedhin modelin e Federatës Ruse, pra të bëhen si një shtet federativ, që të ketë qendër drejtuese Beogradin, siç është Moska për Federatën Ruse. Domethënien dhe hartën rrugore të “Ballkanit të hapur” serb Rusia e kupton më mirë se çdo shtet tjetër i madh i interesuar për rajonin tonë, sepse Rusia ka në dorën e vet dhe menaxhon lojtarin kryesor të këtij grupimi subrajonal, që është Serbia.

Nëse shtetet e Ballkanit Perëndimor e kanë njohur Serbinë nga pozita inferiore dhe në pozicionin e më të dobëtit, Rusia është shteti që ka plazmuar Serbinë, është aleati i vetëm strategjik i Rusisë në rajon, dhe Moska ka instrumentet për të drejtuar diplomacinë dhe strategjinë ballkanike serbe në linjat e interesit të politikës ruse në Ballkan. Ndaj kur flitet për nismën serbe të “mini Shengenit” apo të “Ballkanit të hapur” nuk mund të kesh kuptim të saktë të saj pa lexuar se ç’thonë diplomacia, analitika dhe shkenca ruse e marrëdhënieve ndërkombëtare, sepse mbi tezat dhe rekomandimet e tyre ndërtohen formulimet, taktikat dhe strategjia e shtetit rus në Ballkan. Në këtë linjë paraqet shumë interes shpjegimi, që i bën nismës serbe të “Ballkanit të hapur” portali proqeveritar rus “eadaily” më 13 gusht 2021 me titullin “Kujt i pengon ‘bota serbe’?” Për herë të parë nga të gjitha analizat diplomatike, që i janë bërë prej dy vitesh projektit serb të “mini Shengenit” apo “Ballkanit të hapur”, analitika ruse zbulon thelbin e këtij projekti serb, duke e cilësuar “Ballkanin e hapur” si vazhdim të projektit serb të shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës. Ja shpjegimi i analistit rus: “Pikërisht nga realizmi politik u diktua presidenti Vuçiç përgatitja e projektit të shkëmbimit të territoreve me shqiptarët e Kosovës. Me këtë projekt ai defacto iu kundërvu autoriteteve të Prishtinës, por edhe gjithë BE-së, dhe në radhë të parë Gjermanisë, qeveria e së cilës fetishizoi “paprekshmërinë e kufijve në Balkan”.

Pra Rusia pranon se projekti i shkëmbimit të territoreve, I qarkulluar në vitin 2018 dështoi nga Gjermania, megjithëse ai kishte përkrahjen nga Serbia, Shqipëria, Rusia dhe Franca. Në këtë situatë dështimi presidenti serb dhe diplomacia serbe u përpoqën të gjejnë rrugë të re për realizimin e objektivave territoriale të projektit të shkëmbimit të territoreve. Ja si e analizon portali rus: “Presidenti Aleksandër Vuçiç e gjeti përgjigjen origjinale për këtë situatë dhe u mor me organizimin e “mini Shengenit ballkanik”, nismë e cila tani mori emrin “Ballkan i hapur”. Analitika ruse zbërthen që projekti serb i një viti më vonë i “mini Shengenit balllanik” në 2019 është vazhdim I objektivave territoriale të Serbisë të parashikuara me projektin e shkëmbimit të territoreve. Veçse tani ka një ndryshim dhe një shtrirje më të madhe të ambicieve territoriale serbe. Me projektin e shkëmbimit të territoreve Beogradi synonte të merrte territoret veriore të Kosovës.

Me projektin e “Ballkanit të hapur” synon që të marrë gjithë territoret, që Serbia i cilëson “e drejtë historike” të saj, gjithë Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje- Hercegovinën. Nuk doli rastësisht dhe paralelisht me projektin e “mini Shengenit” projekti i ri i qeverisë se Beogradit për “botën serbe”, platformë zyrtare me objektivin e bashkimit të të gjithë serbëve të rajonit në një shtet unik serb, bashkë me territoret, ku jetojnë sot në shtetet e tjera ballkanike. Vetë presidenti Vuçiç e quajti këtë më 15 shkurt 2021 “Serbia e Madhe”. Bie në sy që pas shpalljes së emrit të ri “Ballkan i hapur” ka një agresivitet të paparë të presidentit serb dhe të shtetit serb për integrimin serb të grupimit të ri subrajonal. Integrimi serb po tregohet më i shpejtë se integrimi europian. Është interesant se integrimin Serbia e filloi menjëherë nga shërbimi postar i vendeve të “Ballkanit të hapur”. Në datën 2 gusht 2021 Posta Shtetërore e Serbisë dhe Posta Shtetërore e Maqedonisë së Veriut nënshkruan marrëveshjen për krijimin e Shërbimit Unik Postar në vendet e “Ballkanit të hapur”. Drejtori i Postës Shtetërore të Serbisë, Zoran Gjorgjeviç, deklaroi në ceremoninë e nënshkrimit se “Posta e Serbisë do të bëhet qendra rajonale e logjistikës dhe e shërbimeve postare, gjë që është zbatim i nismës “Ballkan i hapur”.

Dy shtetet ranë dakord që të krijojnë një pullë postare unike dhe tarifa të njëjta shërbimesh postare dhe pakosh. Dy drejtorët serb dhe maqedonoverior njoftuan se ia kanë drejtuar propozimin e unifikimit postar edhe Shqipërisë, për shkrirjen e shërbimit postar të “Ballkanit të hapur”. Për të kuptuar lexuesi rëndësinë strategjike të shkrirjes së shërbimit postar në procesin e integrimit, po i përmendim se BE-ja, që ka 64 vjet që është krijuar, megjithëse ka vënë në jetë makro Shengenin europian, ende nuk ka pullë unike postare dhe as tarifa unike për shërbimet postare. Praktika e BE-së shpresojmë t’u ndriçojë mendjen minishengistëve të dehur të Tiranës. “Ballkani i hapur” serb po nxiton që të konkretizohet me akaparimin e territoreve të shteteve fqinjë. Sekretari I përgjithshëm i Asamblesë Kombëtare të Serbisë, Veljko Odaloviç, më 16 gusht 2021, pas rënies së Kabulit në duart e talebanëve, kërcënoi Kosovën me pushtimin serb pas ikjes së trupave amerikane, sepse “kudo që kanë qenë amerikanët, janë larguar, dhe Prishtina duhet të mendohet për këtë”. Natyrisht presidenti serb dhe qeveria serbe gëzohen para vaktit, sepse e dinë fare mirë që trupat amerikane kanë 76 vjet në Gjermani.

Më 12 gusht 2021 kreu i nacionalizmit dhe separatizmit serb në Bosnjë-Hercegovinë, Milorad Dodik, deklaroi publikisht se “synimi i “serpska republikës” është që të bashkohet me Serbinë dhe me kalimin e kohës ky objektiv do të realizohet”. Në të njëjtën kohë Serbia nëpërmjet kukullës së saj “Fronti Demokratik” serb në Mal të Zi kërcënoi më 11 gusht 2021 me rrëzimin e qeverisë në Podgoricë, nëse ajo nuk i bindet kërkesës serbe për të organizuar regjistrimin e popullsisë brenda vitit, pa u përgatitur legjislacioni përkatës, sepse në rrëmujë e sipër Serbia planifikon të rrisë edhe më shumë artificialisht numrin e minoritetit serb në Mal të Zi. Në të njëjtën kohë më 4 gusht 2021 ministri i Brendshëm serb Vulin në Shkup i bëri paralajmërimin qeverisë atje se “Maqedonia e Veriut nuk ka shtet tjetër më të afërt sesa Serbia”. Projekti serb i “Ballkanit të hapur” po nxit procese recidiviste të nacional-shovinizmit serb për të rikthyer hegjemoninë serbe në gjithë Ballkanin Perëndimor. Këtë linjë po e inkurajon veçanërisht Rusia, ku ministri i Mbrojtjes Sergej Shojgu, në datën 11 gusht 2021 në një forum me rininë bëri deklaratën skandaloze se ai “ndihet i lumtur që ka bashkëpunuar me udhëheqësit serbë si Karaxhiçi, Mlladiçi dhe Millosheviçi, të cilët ranë në Gjykatën e Hagës”. “Ballkani i hapur” hap kufijtë për krijimin e “botës serbe” të bashkimit të të gjithë serbëve të rajonit në një shtet. Ministri i Brendshëm serb Vulin, krahu i djathtë i presidentit Vuçiç, arrin deri atje saqë e krahason bashkimin me Serbinë të territoreve të shteteve të tjera ku jetojnë serbë, me bashkimin e Gjermanisë. Rusia e përkrah këtë objektiv ekspansionist serb, sepse sipas saj: “Bota serbe” është hapësira unike kulturore dhe historike e popullit serb në tokat e tij etnike, pavarësisht nga kufijtë shtetërorë”.(“eadaily”, 13 gusht 2021).

Prirja dhe strategjia e formatit të ri të bashkëpunimit subrajonal me emrin “mini shengen” apo “Ballkan i hapur” synojnë vendosjen një kontrolli dhe dominimi të Serbisë në gjithë subrajonin e Ballkanit Perëndimor. Këtë zhvillim e sheh me sy pozitiv profesoresha ruse Ekaterina Entina e Institutit Europian të Akademisë së Shkencave të Rusisë në një studim të saj për think-tankun kryesor diplomatik qeveritar rus “Valdaiclub” më 30 korrik 2021. Ja analiza e studiueses ruse: “Me formatin subrajonal është forcuar thelbësisht Beogradi. Beogradi është iniciator i bashkëpunimit brendarajonal, veçanërisht me “mini Shengenin ballkanik” me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut”. Profesoresha ruse evidenton dy rezultate kryesore të projektit serb të bashkëpunimit subrajonal. Së pari, që kemi “forcim të Beogradit dhe restaurim të mundshëm të bashkëpunimit subrajonal në kufijtë e ish-Jugosllavisë, pa u kthyer tek ideja e shtetit apo unionit të përbashkët”. Kjo do të thotë se projekti serb i “Ballkanit të hapur”, duke forcuar rolin ekonomik, politik dhe strategjik të Serbisë në këtë grup subrajonal, synon të krijojë një entitet të ngjashëm në kufijtë e ish-Jugosllavisë, por pa e quajtur prapë Jugosllavi për shkak të alergjisë panballkanike për ish-federatën.

Kjo nuk do të thotë se presidenti i Serbisë Vuçiç ka hequr dorë nga ambicia e tij e shprehur sapo u zgjodh president në prill të vitit 2017, kur i deklaroi shtypit amerikan se projekti i tij I zonës së përbashkët ekonomike ballkanoperëndimore është “Ringjallja e Jugosllavisë së vjetër plus Shqipërinë”. Rezultati i dytë, që evidenton profesoresha ruse, është se situata e re e bashkëpunimit subrajonal të “Ballkanit të hapur” “rikthen në rendin e ditës çështjen e papërshtatshmërisë së ndarjes në vitet 90’ dhe 2000’ të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, të ndarjes së Federatës RFJ “Serbia dhe Mali i Zi dhe të ndarjes së Kosovës nga Serbia”. Me një fjalë analitika dhe diplomacia ruse me daljen në skenë të “Ballkanit të hapur” hedhin tezën e re të rihapjes së çështjes së prishjes së ish-Jugosllavisë, për të cilën Moska nuk ka qenë dakord. Argumenti rus është se vetë shtetet e asaj federate, që quhet sot Ballkan Perëndimor, po ribashkohen me projektin subrajonal serb të “Ballkanit të hapur”. Nisur nga kjo Rusia parashtron kërkesën që të shtrohet në rendin e ditës së diplomacisë ndërkombëtare çështja e re e rikthimit të statusit të federatës së dikurshme komuniste jugosllave. Analitika dhe diplomacia ruse kërkojnë revizionimin e historisë së shembjes së federatës jugosllave dhe të luftërave agresive, që zhvilloi Serbia kundër katër popujve joserbë në ish-Jugosllavi. Projekti serb i bashkëpunimit subrajonal të tri shteteve të “Ballkanit të hapur” i jep pretekst dhe rast diplomacisë dhe shtetit rus që të avancojnë sferën e ndikimit rus në Ballkan në proporcion të drejtë me zgjerimin e ndikimit serb në Ballkanin Perëndimor. Është fat që tri shtete, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina kanë refuzuar të bashkohen me projektin serb të “Ballkanit të hapur”. Janë tri shtete, që jo vetëm kanë përvojë të hidhur nga shtypja serbe në ish-federatën e përbashkët, por edhe sot e kësaj dite po vuajnë rëndë pasojat e ndërhyrjes brutale dhe të shantazhit të gjithanshëm serb në punët e tyre të brendshme.

Më 16 gusht 2021 kryenegociatorja e qeverisë së Malit të Zi në bisedimet e pranimit me BE, Zorka Kordiç, i shpjegoi edhe njëherë arsyet e refuzimit të shtetit të saj në “Ballkanin e hapur”, duke deklaruar se “Mali i Zi është fokusuar në radhë të parë në zbatimin e “Planit të Veprimit” për Tregun e Përbashkët Rajonal nën kujdesin e Procesit të Berlinit, si një nismë politike që i përfshin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”. Si eksperte e mirënjohur e çështjeve të BE-së, kryenegociatorja sqaron se Tregu i Përbashkët Rajonal është një gjë, dhe “Ballkani i hapur” është gjë tjetër, sepse Tregu i Përbashkët Rajonal është më përfshirës se “Ballkanii hapur” dhe përveç katër lirive të njohura, ka gjithashtu infrastrukturën digjitale, inovacionin dhe politikën unike të investimeve sipas standardeve të BE-së. Strategjikisht projekti subrajonal serb i “Ballkanit të hapur” po lëviz në skemat ruse. Do t’i rekomandonim diplomacies dhe qeverisë së Shqipërisë që t’i lexojë mirë qëndrimet dhe tezat e analitikës shtetërore dhe të diplomacisë ruse për “Ballkanin e hapur” para se të vrapojnë pa ditur se ku shkojnë drejt një tabele fiktive serbe. Media ruse “regnum. ru” theksonte më 11 gusht 2021 se “Projekti ‘Ballkan i hapur’ mbështet integrimin ekonomik, politik dhe shkencor në hapësirat, të cilat shqiptarët i quajnë të vetat”.

Rusia është e vetmja fuqi e madhe e kënaqur nga projekti serb, sepse ai projekt po i kundërvihet BE-së dhe po forcon Beogradin dhe po i jep mundësi Moskës të revizionojë sipas interest historinë moderne ballkanike dhe të ringrejë në forumet ndërkombëtare çështjen e ribërjes së federatës jugosllave, përderisa vetë disa shtete të Ballkanit Perëndimor po e kërkojnë. Qeveria në Tiranë në fillim ka pasur vetë dyshime për projektin serb të miniShengenit, përderisa në samitin e pare themelues të Novi Sadit më 10 tetor 2019 kryeministri i Shqipërisë deklaroi se në qoftë se Kosova nuk merr pjesë, edhe Shqipëria do të tërhiqet. Nuk e dimë se çfarë ndodhi që Tirana befas “faqe ndërron”, (do të thonte Noli), dhe i mori Beogradit flamurin minishengist dhe po tregohet më katolike se papa serb. Kolegët e nderuar të shtypit mund ta pyesin kryeministrin në konferencë shtypi apo në studiot televizive për këtë ndryshim qëndrimi të pa shpjeguar kurrë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Shaban Murati

KONICA- NJË STEKË AKOMA E PAKAPËRCYER NGA AMBASADORËT SHQIPTARË NË WASHINGTON

June 25, 2022 by s p

458927_403011589742181_361152979_o-1024x768.jpg

Ndriçim Kulla*

*Autor i librit “Mardhëniet Shqiptaro -Amerikane”

 Në vigjilie të  festimit  të 100 vjetorit të mardhënieve shqiptaro- amerikane

    Viti 1926 është një vit me rëndësi në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Në këtë vit mori fund ajo anomali që, megjithëse marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA ishin lidhur që në 1922, Shqipëriapër më shumë se katër vjet nuk kishte as legatë dhe as ministër fuqiplotë në Ëashington, në kohën që Amerika kishte të tillë në Tiranë. Sidoqoftë, ky nuk ishte një ngërc diplomatik shqiptaro-amerikan, por një sherrnajë politike shqiptare, e brendshme. Mënyra sesi u kapërcye kjo është një provë e efektit moderues që kishte nisur të bënte te palët konfiktuale politike shqiptare, koncepti i tyre i përbashkët për rëndësinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Ahmet Zogu, i cili u bë president i Shqipërisë në 1925 dhe Fail Konica, ishin dy kundërshtarë të egër politikë, të cilët nuk mund të jetonin dot të dy bashkë në Shqipëri. Por ata bënë një kompromis për shkak të konceptit të përbashkët që kishin për rëndësinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, që Konica të ishte përfaqësuesi diplomatik i Shqipërisë në Washington, i dërguar nga Zogu, dhe të vinte në Shqipërinë e sunduar nga Zogu aq sa duhej minimalisht të shkelte në vendin e tij një zyrtar që mbante këtë detyrë të lartë, një herë kur të merrte emërimin dhe herën e dytë kur kryetari i shtetit të shpallej mbret. Ky mund të quhet pajtimi i parë që Amerika iu ka bërë palëve kundërshtare politike në Shqipëri, vetëm me hijen e saj si të thuash, pa ndërmjetësimin e ambasadorëve të saj në Shqipëri, siç ka ndodhur shumë herë më vonë, deri në ditët tona.

     Pas këtij kompromisi, më në fund, Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë i dërgoi Departamentit të Shtetit në Washington emrin e Faik Konicës për të marrë pëlqimin për të si ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA. Vetë kërkesa ka përbërë lajm të bujshëm jo vetëm në Departamentin e Shtetit, por edhe në Shtëpinë e Bardhë, në kuptimin humoristic të fjalës, për shkak të vonesës së madhe të saj, dhe kjo kuptohet nga fakti se kur shkresa i vajti për pëlqim Presidentit amerikan Coolidge, ai shkruajti me një ironi të lehtë mbi letrën e sekretarit të Departamentit të Shtetit Frank Kellogg që e njoftonte se Presidenti i Shqipërisë kishte emëruar si ministër fuqiplotë në Washington z. Faik Konica:

“Done. Let him come!” (E bërë, le të vijë!)

    Ministri fuqiplotë shqiptar në Ëashington po vinte më shumë se katër vjet pas lidhjes së marrëdhënieve diplomatike, në tetor 1926, por kjo vonesë nuk ishte për faj të SHBA. Sidoqoftë, Konica që në 16 korrik 1926, kishte shkelur në Departamentin e Shtetit, në Washington me letrat kredenciale në xhep si i pari përfaqësues diplomatik i rregullt i Shqipërisë dhe u prit nga Sekretari i Departamentit të Shtetit, Kellogg. Më 8 tetor 1926, Faik Konica shkeli në Shtëpinë e Bardhë, si i pari përfaqësues i rregullt diplomatik shqiptar në rangun e ministrit fuqiplotë. Atje ai u prit në sallën ovale nga Presidenti Coolidge. Për herë të parë një diplomat shqiptar, tha në Shtëpinë e Bardhë fjalët:

     Unë kam nderin që sot t’ i paraqes Shkëlqesisë Suaj letrat kredenciale, që vërtetojnë se Presidenti i Republikës së Shqipërisë më ka emëruar mua si të Dërguar të Jashtëzakonshëm dhe Ministër Fuqiplotë në SHBA.

     Nëqoftëse në Ëashington ishte krijuar një përshtypje e keqe për Shqipërinë, për shkak të mungesës katërvjecare të përfaqësuesit diplomatik të Shqipërisë atje, Konica me sjelljen e tij bëri që kjo të harrohet dhe Shqipëria e parë nëpërmjet personit të tij, të jetë me një imazh që ishte ndjeshëm më i mirë se realiteti i vendit.

     Menjëherë pas akreditimit, Faik Konica bëri një gjest që buronte nga natyra e tij kalorsiake i cili bëri përshtypje të madhe në Amerikë. Ministri fuqiplotë shqiptar shkoi në Katedralen Kombëtare të Washingtonit, në atë pjesë të saj që quhet Kapela e Betlehemit. Atje ishte varri i ish-Presidentit Ëilson. Ministri fuqiplotë shqiptar kishte me vete një kurorë të jashtëzakonshme që rrallë ishte parë edhe si madhësi. Kurora me trëndafila rozë dhe të bardhë kishte një mbishkrim: “Nga Republika Shqiptare”.

    Me këtë gjest Konica donte të kompensonte atë përshtypje të keqe që kishte bërë Shqipëria me rastin e funeralit të Ëilsonit në 1924, kur për shkak se vendi ynë nuk kishte një ministër fuqiplotë në Washington, nuk kishte mundur t’ i bënte zyrtarisht nderimet që meritonte ky njeri të cilit Shqipëria i detyrohej aq shumë. Me këtë gjest të vonuar jo për fajin e tij, Konica donte t’ i tregonte Amerikës dhe botës se Shqipëria dinte të ishte mirënjohëse. Përveçse një detyrim ndaj Wilsonit, ky gjest ishte një veprim i zgjuar në public relations. Ky gjest nuk i shpëtoi shtypit të madh amerikan. “Albanian Minister at Tomb of Wilson” shkruante “Washington Post” në 26 tetor 1926.

    Që nga ky çast Konica me veprimet e tij do të ishte në vëmendjen e shtypit të madh amerikan. Madje mund të thuhet se asnjë ambasador tjetër shqiptar në SHBA, madje në botë nuk ka arritur që të jetë protagonist në vendin ku është akredituar, si dhe të jetë i pranishëm në shtypin e madh të atij vendi, sa Faik Konica. Dhe këtë e arriti falë cilësive individuale, si intelektual me kulturë të madhe që bënte përshtypje dhe në rrethet elitare amerikane, jo si ambasador i një vendi të vogël. Konica është i vetmi ambasador shqiptar deri më sot, që ka arritur të krijojë një reputacion si intelektual në Amerikë, përtej rrethit të shqiptarëve të atjeshëm. Konica, me njohuritë e tij shumë të mëdha për artin, duke përfshirë pikturën dhe skulpturën, u bë i ftuari i preferuar i galerive të mëdha amerikane dhe kjo anë e veprimtarisë së tij pasqyrohej edhe nga shtypi i madh amerikan.

     Në vitin 1932, kur Konica ishte një nga të ftuarit special në ceremoninë e hapjes së galerisë Sears Roebuck, gazeta e njohur Washington Post shkroi:

     Ministri fuqiplotë shqiptar, në një galeri arti, gjendet njëlloj sikur të ishte në shtëpinë e tij. Ai është i njohur te shumë nga miqtë e tij të afërt, vecanërisht gazetarët, për njohuritë që ka për veprat e artit bashkëkohor, dhe për vëzhgimin e mprehtë dhe kujtesën e jashtëzakonshme në këtë fushë.  

     Ministri fuqiplotë shqiptar nuk mund të mos binte në sy të shoqërisë së lartë të Uashingtonit duke qenë se ai ishte një nga spektatorët më të rregullt të sezonit të muzikës klasike në Constitutional Hall ku jepte koncerte Orkestra Simfonike Kombëtare Amerikane dhe në vazhdim të sezonit jepeshin edhe operat më të famshme botërore. Konica pati rastin një herë që të bisedonte në një pritje në Washington me dirigjentin më të madh të kohës në rang botëror, Arturo Toskanini dhe të dy u bënë miq që nga ai çast, një miqësi që u rrit sepse Toskanini emigroi në SHBA, për shkak se ishte kundërshtar i regjimit fashist italian.

     Konica, gjatë studimeve të tij për historinë e Shqipërisë, kishte studiuar thellësisht edhe Katolicizmin, jo vetëm në Shqipëri, por edhe atë europian. Këto njohuri e bënë atë të njohur në rrethet intelektuale katolike në SHBA, ku kishte një popullsi të madhe katolike. “The Chicago Daily Tribune”, një nga gazetat më të mëdha të Amerikës në atë kohë, shkruante për Konicën në 1933:

Z. Faik Konica, Ministri fuqiplotë shqiptar, megjithëse është mysliman, por njihet si një autoritet në fushën e njohurive për Katolicizmin, aq sa është një mik i mirëpritur në Legatën e Irlandës.

    Ndonëse Irlanda është një vend i vogël katolik në Europë, në Amerikë ambasada e saj ishte në atë kohë dhe është edhe sot një qendër e rëndësishme, sepse në SHBA ka një komunitet të madh irlandez. 

    Për arsyen e përmendur më lart, Konica ishte i mirëpritur në Universitetin Katolik të Washingtonit ku e ftonin për ligjërata me studentët dy miqtë e tij studiues të njohur, profesori i latinishtes në këtë universitet, Joseph Patrick Christopher dhe profesori i historisë së kishës, John K. Cartëright.

    Kur në 1935 një shtëpi botuese e njohur e kohës në Amerikë, “Robert McBride & Company” vendosi që të botonte edhe një histori të shkurtër të Shqipërisë, në kolanën e saj me libra të tillë nga vende të ndryshme të botës, iu drejtua për këtë qëllim Konicës, si studiues, jo si përfaqësues diplomatik i Shqipërisë, duke i kërkuar që të ishte ai vetë që do ta shkruante librin, jo t’ i kërkonte që si ministër fuqiplotë, t’ i sugjeronte emrin e ndonjë studiuesi tjetër shqiptar.

     Konica nuk e përfundoi dot librin sa kohë ishte gjallë dhe libri u botua vetëm në 1957, kur Qerim Panariti e përfundoi mbi bazën e shënimeve të Konicës. Është fjala për librin e njohur të Konicës “Shqipëria: kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”.

     Konica shkonte çdo verë për pushime në resortin turistik luksoz bregdetar në Swampscott pranë Bostonit. Ai qëndronte në Hotelin “Ocean House” ku vinin Presidentë, senatorë, shkrimtarë të njohur, yje të kinemasë etj. Meqënëse Konica tanimë llogaritej si një anëtar i shoqërisë së lartë amerikane, nisja e tij për pushime përbënte lajm për shtypin e madh amerikan. 

     Si kurorëzim i famës intelektuale që arriti Konica në SHBA ishte çmimi “High Hat”(Kapelja e Lartë) që iu dha në 1938, pak kohë para se të linte detyrën, nga revista elitare amerikane “The Judge”. Këtë çmim që ndahej në një ceremoni ku merrte pjesë elita e shoqërisë amerikane, e kishin marrë para Konicës disa nga njerëzit më të famshëm të Amerikës, që nga Presidenti në pushtet, Roosevelt, guvernatori i Neë York Thomas Dewey, piloti i famshëm Charles Lindbergh, drejtori legjendar i FBI Edgar Hoover etj. Motivacioni me të cilin iu dha ky çmim Faikut, në një darkë të dhënë për nder të tij në një restorant të famshëm në Washington, ishte vlerësimi i merituar për të, që nuk i bëhej nga elita e shoqërisë amerikane:

     Në dymbëdhjetë vjetët e shkuar ai ka përfaqësuar përbukuri mbretërinë e tij ballkanike në Shtetet e Bashkuara; ka dëshmuar mirëkuptim për vlerat humane dhe politike; e ka këshilluar mbretin e tij që ta abrogojë postin e tij diplomatik; ka një dhunti të mprehtë për t’ u shprehur dhe një shpirt sportive brilant; sensi i tij i shkëlqyer i humorit i jep mundësi që të qeshë me gëzim me të tjerët, përposë faktit se ndaj kujt qesh; e ka bërë të respektuar zyrën e ministrit fuqiplotë; është besnik i madh ndaj Mbretit të tij, dhe me këtë ka fituar mirëkuptimin dhe respektin e qytetarëve amerikanë; cilësitë e tij fisnike të shumta, nuk i shpreh me bujë.

Me rastin e kësaj ceremonie Konica mbajti një fjalim të gjatë që rrezeatonte kulturë të lartë dhe që është i njohur pasi është botuar në veprat e tij. 

    I gjithë ky publicitet që kishte Konica në SHBA shkonte edhe në dobi të Shqipërisë, pasi në çdo rast ai përmendej si përfaqësuesi diplomatik i saj. Dhe amerikanët që nuk e kishin parë kurrë Shqipërinë, formonin një mendim të mirë për këtë vend, duke u nisur nga përfaqësuesi i tij diplomatik.

    Por Konica ishte shumë i angazhuar edhe në punën e tij të drejtpërdrejtë si diplomat. Ai punoi për arritjen e një serie marrëveshjesh ndërshtetërore me SHBA, ndoshta numri më i madh i marrëveshjeve ndërshtetërore që një vend i vogël si Shqipëria ka arritur të lidhë brenda një kohe të shkurtër me SHBA. Në 1936, Konica arriti që t’ i siguronte Mbretit Zog një ftesë nga ana e Presidentit Roosevelt për të bërë një vizitë zyrtare në SHBA, por Zogu në çastin e fundit e anuloi vizitën. Ishte koha kur liderë të vendeve ku e ku më të rëndësishëm se Shqipëria dëshironin të siguronin një ftesë nga Roosevelti, nga presidenti i bërë i famshëm pasi e nxorri me sukses vendin e tij të madh nga kriza ekonomike botërore dhe çdo vend donte ndihmën e SHBA. Këtë ftesë kaq të dëshiruar nga shumë kolegë të tij diplomat në Ëashington, Konica e ka siguruar me sa duket falë miqësisë së njohur që kishte me Sumner Welles, mikun dhe bashkëpunëtorin e ngushtë të Rooseveltit.

    Refuzimi i ftesës për vizitë zyrtare në SHBA, nga ana e kryetarit të shtetit shqiptar do të përbënte një incident serioz në marrëdhëniet midis vendeve, në rast se nuk do të kishte arsye që e justifikonin këtë gjë. Prandaj kjo çështje meriton një analizë më të thellë.

    Duke refuzuar ftesën e siguruar nga Konica për një vizitë zyrtare në SHBA, Zogu humbi rastin që të bëhej kryetari i parë i shtetit shqiptar që vizitonte zyrtarisht Amerikën. Zogu e kishte të qartë se kjo ishte një humbje e madhe për të, ai e dinte rëndësinë e një vizite të tillë, se dy vjet më pas çoi motrat e tij për vizitë në SHBA. Zogu ka pasur arsyet e tij që e ka refuzuar ftesën. Qëndrimi i Zogut ndaj ftesës së Rooseveltit duhet parë në dy këndvështrime. I pari nëse Zogu ishte në dijeni për përçapjet që po bënte Konica në Ëashington për t’ i siguruar atij një ftesë për një vizitë zyrtare. I dyti nëse Zogu nuk ka qenë në dijeni. Dhe kur shtrohet pyetja nëse Zogu ka qenë në dijeni, është fjala nëse ka qenë në dijeni konkretisht për përçapjet e Konicës ndaj Rooseveltit që ishte në atë kohë president, apo nëse Zogu ka qenë në dijeni, në parim, që kur e nisi Konicën në Washington në 1926, se ministri i tij fuqiplotë do të bënte përpjekje për të siguruar një ftesë për të për vizitë zyrtare në Amerikë. 

    Nëqoftëse Zogu ka qenë në dijeni, konkretisht, për përçapjet e Konicës ndaj Rooseveltit,  atëherë arsyeja e refuzimit mund të ketë presioni i italianëve ndaj Zogut, pasi Mussolini do të jetë bërë xheloz për këtë zhvillim të papritur në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.

    Nëqoftëse Zogu nuk ka qenë në dijeni për përçapjet e fundit të Konicës pranë Shtëpisë së Bardhë, por Konica ka vepruar thjesht mbi bazën e udhëzimit që mori kur u nis në Amerikë në 1926, atëherë arsyet e refuzimit mund të kenë qenë këto:

     Zogut i ka ardhur e papritur ftesa, sepse ai nuk e ka menduar kurrë se Konica do të arrinte ta siguronte një ftesë të tillë. Kur ia kë vënë këtë si objektiv, Zogu, me dinakërinë e tij, ka dashur që ta verë ambasadorin e tij në SHBA, në një situatë që ta kishte gjithmonë kokën ulur para tij për shkak të këtij dështimi. Pra Zogu në mendjen e tij ka dashur ta ngarkojë Konicën me një mision të pamundur.

     A mund të ketë qenë arsyeja e refuzimit të ftesës nga Zogu, ajo se ai nuk donte të ballafaqohej me kundërshtarët e tij politikë që jetonin në Amerikë? Jo, sepse në atë kohë Zogu ishte pajtuar me Nolin, të cilit i kishte dërguar dhe një ndihme financiare kur ky kishte pasur nevojë për arsye shëndetësore. Zogu si duket hezitoi të shkonte në Amerikë në 1936, jo për arsye se në rastin e vetëm që kishte udhëtuar jashtë vendit në 1931, atij i kishin bërë atentat, në Vienë. Sigurisht që Zogu nuk kishte frikë se kjo gjë mund t’ i ndodhte gjatë vizitës zyrtare në Amerikë. Por duket se Zogu kishte frikë të largohej nga Shqipëria për një kohë të gjatë, në 1936, për shkak se në vitet e fundit ndaj tij ishin bërë disa puçe, që synonin ta rrëzonin nga pushteti. Një vizitë e tillë në Amerikë në atë kohë bëhej duke udhëtuar me anije që do të merrte rreth dy javë kohë vajtje-ardhje. Përveç kësaj, nëqoftëse Zogu do të vizitonte Amerikën, atij do t’ i duhej që përveç Uashingtonit të vizitonte dhe Bostonin, qendrën e komunitetit shqiptar atje, në atë periudhë. Gjatë kësaj kohe në Shqipëri mund të ndodhte një puç dhe ta rrëzonin nga pushteti. I fundit kishte ndodhur vetëm pak kohë më parë.

    Sidoqoftë, edhe Konica nuk është fare pa “faj” në këtë histori, se ai me humorin e tij të njohur, nuk është se nuk ka dashur t’ ia bëjë surprizë Zogut ftesën e Rooseveltit, dhe ka mbetur ngushtë, kur ajo u refuzua. Zogu sidoqoftë e refuzoi me mirësjellje ftesën, me anë të një letre, ku duhet të ketë pasur dorë edhe Konica dhe ku si shkaku kryesor i refuzimit jepej se: 

     punët e shtetit e bëjnë të domosdoshme në këtë çast praninë time në vendin tim. (Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, vitet 1933-36, 8 gusht 1936)  

     Presidenti amerikan duket se e ka mirëkuptuar hallin e mbretit ballkanik dhe ky refuzim nuk la ndonjë hije në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Kjo gjë kuptohet nga fakti se kur motrat e Zogut vizituan SHBA në 1938, ato u pritën në Shtëpinë e Bardhë për çaj nga Zonja Roosevelt dhe nga Presidenti Roosevelt 

     Sidoqoftë Faik Konica ka ndjerë një kënaqësi që ai mundi të hynte në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa armiku i tij i vjetër me të cilin ishte miqësuar më vonë, Zogu, jo. Konica si diplomat në Uashington mbetet një figurë e ndërlikuar, që ka akoma nevojë për t’ u studiuar. Ilir Ikonomi, në librin e tij për Faik Konicën si përfaqësues diplomatik i Shqipërisë në Uashington, e le të hapur studimin për Konicën kur thotë:

     Gjatë kërkimeve për këtë libër jam ndalur shpesh të pyes veten se cfarë roli luante në thelb Faiku si diplomat në Uashington. Nuk mund të mohohet se me erudicionin e tij ai e kishte sjellë Shqipërinë në vëmendje të shumë amerikanëve. Dija i jepte pavarësinë që i duhej për të arritur të mbronte shtetin e krijuar me aq mundim nga patriotët shqiptarë. Me zellin prej nacionalisti, ai ishte bërë një reklamë shëtitëse e Shqipërisë. Përpiqej të reklamonte mes amerikanëve se Shqipëria ishte tashmë një vend i qëndrueshëm, që po hynte në rrugën e zhvillimit njëlloj si shumë kombe të tjerë. Zogu, nga ana e tij, si njeri pa përvojë në punët e politikës ndërkombëtare, me ose pa dëshirë i kishte lënë Faikut hapësirë të madhe veprimi. Por, duke shërbyer zyrtarisht si diplomat, Faiku e pa veten të dobishëm edhe për të mbajtur gjallë dashurinë për vendin e të parëve mes shqiptarëve të Amerikës .

    Përcaktimi që Ikonomi i bën Konicës-diplomat si “një reklamë shëtitëse e Shqipërisë” është më i gjeturi për të, gjatë kohës që ishte me detyrë në Amerikë si përfaqësues i Shqipërisë. Njerëzit që kanë ardhur pas tij në postin e ambasadorit shqiptar në Washington, e kanë përdorur këtë post për t’ i bërë reklamë vetes dhe madje janë përfshirë edhe në skandale tenderash deri edhe për punët rregullimit të mjediseve të brendshme të ambasadës. Përvec punëve të tyre personale ata janë marrë edhe me punë përcarëse politike në komunitetin shqiptar atje, sipas interesave të tyre partiake në Shqipëri. Fatkeqësisht jemi akoma shumë larg kohës kur do të kemi përsëri një “Konicë” si ambasador në Washington, madje edhe një të tillë që t’ i afrohet atij sadopak. Konica mbetet një “stekë” shumë e lartë për t’ u kapërcyer nga ambasadorët tanë në Amerikë dhe jo vetëm në Amerikë.     

Filed Under: Politike Tagged With: Ndricim Kulla

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT