• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2022

SHQIPËRIA, LUFTA DHE KRIZA E ÇMIMEVE, SI DO NDRYSHOJNË EKUILIBRAT

June 28, 2022 by s p

Prof.Asoc.Dr. Mateo SPAHO, Dekan i Fakultetit Ekonomik, Kolegji Universitar “LUARASI” në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli të Federatës Vatra në New York, dhënë Editorit Sokol Paja, analizon krizën ekonomike në Shqipëri dhe pasojat, efektet e rritjes së çmimeve, masat që duhet të marrë qeveria për të mbrojtur konsumatorët dhe parashikon efektet që do të ketë ekonomia dhe shtetet në rast të vazhdimit të luftës në Ukrainë dhe rritjes së vazhdueshme të çmimeve.

MASAT QË DUHET TË MARRË QEVERIA PËR TË PËRBALLUAR KRIZËN E ÇMIMEVE

Në fakt ka shumë vite që qeveria shqiptare ka dëshmuar se nuk është drejtpërdrejtë e interesuar për fatin e shumicës se Shqiptarëve por vetem të një pakice të ngushtë që e lejon atë të qëndrojë në këmbë. Dua të them këtu se në demokraci në teori ka rëndësi vullneti i qytetarëve por kur në praktikë një grusht biznesmenësh kontrollojnë hapsirën mediatike shqiptare mund të themi se i kanë instrumentat për të devijuar dhe ndryshuar perceptimin mbi realitetin që njerëzit kanë. Në fakt emrin oligark nuk e kemi shpikur ne si Shqiptarë por dukuria është e pranishme edhe në Shqipëri. Të njëjtët manjatë mediatik kanë interesa edhe në botën e ndërtimit, të tenderave publik, në financë, shitblerje, PPP etj… Po ta shohim në këto vite shumica e shqiptarëve ka gjithnjë e më pak ndërsa shumë pak njerëz kanë gjithnjë e më shumë. Për pasojë edhe buxheti i shqiptarit mesatar është i mpakur dhe i ndrydhur nga taksa direkte dhe indirekte, nga produkte të skaduara, nga ilaçe pa principe aktive, nga çmime jashtë çfarëdolloj kontrolli dhe po ky shqiptar mesatar po mendon gjithnjë e më tepër të shikoje përtej kufirit. Hapësirat buxhetore për tejkalimin e krizës janë të mëdha pasi shteti Shqiptar ka rreth 400 milion dollarë të ardhura shtesë nga taksat dhe tatimet mbi çmimet e rritura. Aksioni më urgjent që duhet të ndërmerret është të ulet nga 20 në 10 për qind tatimi mbi vlerën e shtuar mbi çmimet e shportës dhe natyrisht të ulej së paku me 12 lekë të reja për litër akciza mbi karburantet. Vetëm këto dy masa do të kushtonin me pak se 200 milion dollarë…pra do të kishte hapësira edhe për veprime të tjera.

BORXHI PUBLIK NË STRATOSFERË, A PO E RREZIKON QEVERIA FALIMENTIN E SHTETIT?

Kontrolli i Lartë i shtetit prej shumë vitesh tashmë në raportet vjetore që i prezanton Parlamentit shkruan për abuzime të barabarta me 15 deri në 20 për qind të buxhetit të shtetit ose mesatarisht 600 milion dollarë në vit. Kjo do të ishte skandaloze në një vend normal dhe fajtoret do të ishin në burg. Ndërkohë në Shqipëri fajtorët promovohen në detyrë dhe bëjnë karrierë ndërkohë që Parlamenti nuk merr asnjë vendim real. Shpesoj që strukturat e reja të drejtësisë të veprojnë (ndryshe nga të vjetrat) dhe ta bëjnë këtë gjë sa më shpejt sepse korrupsioni po bëhet plagë endemike në administratën dhe shoqërinë shqiptare. Në të njëjtën kohë Borxhi Publik nuk arrihet dot më të matet sepse veç detyrimeve normale ku borxhi kuantifikohet (dhe ka shkuar mbi 80% e Prodhimit të Brendshëm Bruto) kemi dhe detyrimet e PPP të cilat pritet te lindin me kalimin e viteve dhe këto detyrime do të jenë një presion në rritje për buxhetin e shtetit shqiptar. Çfarë është më e dëmshme është se qytetarët shqiptarë nuk marrin sot shërbime shtetërore (PPP) më të mira e as më cilësore. Thënë ndryshe paguhen më shtrenjtë shërbime që nuk janë më të mira. 

LUFTA, ÇMIMET, TREGJET…ÇFARË DO TË NDODHË NË TË ARDHMEN?

Prej shumë dekadash tashmë çmimet e commodies ose të lëndëve të para më të përdorura në botë kuotohen në bursat ndërkombëtare. Në fakt nuk përcaktohet çmimi i një commodity si psh gruri por nga instrumenti derivativ future ku konkretisht vendoset sot çmimi i grurit që do të dorëzohet te blerësi pas 6 muaj apo 1 vit. Reth 98% i blerësve te future e përdorin atë për arsye spekulative dhe natyrisht që me çmimin po luhet për të patur përfitime por nuk mund të mohohet se nga muaji Shtator e tej problematikat do të behen reale dhe të prekshme. Për çmimin e naftës nderkohë procesi i spekullimit ndodh prej shumë kohësh por tregjet po shkojnë drejt një ekuilibri të ri me çmimin 100 dollare për fuçi. Ky çmim nuk është i shkaktuar në fakt nga lufta në Ukrainë por më shumë nga rritja e konsumit të vendeve të Azisë si Kina dhe India të cilat po përjetojnë një rritje ekonomike të lartë të rifilluar pas covid 19. Duhet të mesohemi me çmime të tilla për naftën ndërsa për grurin nëse lufta në Ukrainë nuk do të përfundojë do të kemi probleme edhe më të mëdha.

VARFËRIA, SKAMJA, INFORMALITETI DHE EMIGRIMI, KRIZA DHE NDIKIMI NË SHQIPËRI

Vendet që rrezikojnë më shumë nga rritja e çmimeve i përkasin kontinentit afrikan dhe Bashkimi Europian po angazhohet fuqishëm që të gjejë një rrugëdalje për transportin e grurit rus dhe ukrainas në tregjet ndërkombëtare pas në të kundërt Europa mendon se nga reth 700 milion banorë që ka Afrika reth 50 milion prej tyre do të kapërcejnë detin Mesdhe në kërkim të shpëtimit. Kjo do të ndryshonte ndjeshëm ekuilibrin social dhe etnik të Europës, jo për mirë. Shqipëria në rang global është vend me të ardhura mesatare. Jemi në pozicionin e 94 nga rreth 200 shtete. Në Shqipëri rreth 10% e popullsisë do të rrezikonte të kalonte nga varfëria në skamje dhe një 20% tjetër do të rrezikonte të zbriste në varfëri nga pozita e shtresës së mesme. Thënë ndryshe një e treta e shqiptareve do të rrezikojnë të ndryshojnë statusin e tyre ekonomik dhe kjo do ti shtynte të kërkonin alternativa të tjera për të jetuar duke rritur informalitetin dhe krimin ose duke emigruar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Mateo Spaho, Sokol Paja

NË BE ME STANDARDE TË PLOTËSUARA DHE JO ME RETORIKË SARKASTIKE

June 28, 2022 by s p

????????????????????????????????????

Në Bashkimin Evropian vendosin Gjermania dhe Franca. Vendet e tjera anëtare, nuk përfillen gjithaq, për të mos thënë fare. 

Pikëpamja se Ballkanit Perëndimore i kanoset rreziku nga Rusia, nuk është shumë e vërtetë. Po të ishte e vërtetë, rajoni shpejt do të pranohej në BE. Frika nga rreziku rus ndaj rajonit nuk duhet të shndërrohet në mit. Vendet të cilëve u kanosej rreziku i pushtimit rus, u pranuan në BE. Këto janë vendet që kufizohen me Rusinë apo që janë afër saj. Këto vende u pranuan në BE, përkundër faktit se nuk i plotësonin kriteret dhe standardet e Unionit. Për vendet që pranohen në organizmat euroatlantikë, pa i plotësuar standardet, kriter është interesi strategjik i Perëndimit. Arsyet e pranimit të tyre në strukturat euroatlantike, janë gjeopolitike. Greqia ka hyrë në BE në vitin 1981 dhe është vendi i dhjetë që ka hyrë në Union. Greqia është borxhliu më i madh i BE-së. Ajo është pranuar në BE ngase ndodhet në vijën e parë të frontit përballë Turqisë, vend me popullsi myslimane. Vendet e Baltikut – Letonia, Lituania dhe Estonia u pranuan në strukturat euroatlantike për arsyet gjeopolitike dhe strategjike të Perëndimit. Me zgjerimin e pestë të Unionit, më 1 janar 2007 anëtarësohen Bullgaria dhe Rumania, pa plotësuar asnjë kusht dhe asnjë kriter. Për të hyrë në BE duhet të kesh edhe miq. Më 1 korrik 2013, me ndihmën e Gjermanisë anëtarësohet Kroacia. Askush s’e di saktë përse Shqipëria duhet të hyjë në BE bashkë me Maqedoninë.  

Në samitin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor të mbajtur më 23 qershor 2022, Ukrainës iu dha statusi i vendit kandidat. Moldavisë iu çel rruga e anëtarësimit, ndërsa Gjeorgjisë i njihet perspektiva. Edhe këto tre vende të sipërthëna do të pranohen për interesa strategjikë dhe gjeopolitikë të Perëndimit. Këtyre tre vendeve u kanoste rreziku i drejtpërdrejtë  nga Rusia.    

*   *   *

Përpos kësaj, shqiptarët sa më proamerikanë të jenë, aq më në distancë mbahen nga Parisi, mbase edhe nga Berlini. Sa më afër Erdoganit të jetë qeveria e Tiranës, aq më në distancë mbahet nga Makroni. 

Askush s’ka të drejtë të përzihet në kontestin ndërmjet Sofjes dhe Shkupit. Ky kontest nuk zgjidhet pa ndërhyrjen e ShBA-së. Ky problem është më i madh se ai midis Athinës dhe Shkupit. Përveç kësaj, duhet shtuar se po ta pranojë qeveria e përtashme e Shkupit propozimin e Makronit, LSDM-ja shpallet tradhtare dhe i humb zgjedhjet e ardhshme. Për shkak të Marrëveshjes së Prespës, në zgjedhjet vendore LSDM-ja pësoi debakël. 

Kryeministri Rama, s’ka kurrfarë të drejte të përzihet në mosmarrëveshjen ndërmjet Sofjes dhe Shkupit. Ky është një problem historik ndërmjet dy vendeve. Sulmi i Ramës ndaj Bullgarisë është absurd dhe i pakuptimtë. Madje Sofja, as që e vë në llogari sulmin e Ramës. Nuk duhet harruar se shqiptarët nuk kanë kurrfarë problemi me Bullgarinë. Ajo është një ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën.

BE-ja ka bërë gabime. Para se të anëtarësoheshin vende të caktuara, është dashur të pyeteshin, në kanë ndonjë kontest me ndonjërin prej fqinjëve. Të rralla janë vendet pa probleme të këtilla. Sipas këtij pyetësori, Greqia dhe Bullgaria do të kishin thënë me kohë: “Po, kemi problem me Maqedoninë”. Si rrjedhojë asnjëra prej tyre s’do të ishte pranuar në BE, pa e zgjidhur kontestin me Shkupin. Tani Maqedonia e Veriut vihet në pozitë të pafavorshme dhe diskriminuese. 

Në BE dhe në NATO duhet të hiqet parimi i konsensusit. Shteti që i plotëson kriteret duhet të pranohet me automatizëm. Vendi të cilit i kanoste rreziku nga agresioni i shtetit fqinj, duhet të integrohet me automatizëm. 

Brukseli ka mundësi të krijojë një BE me dy dhoma. Në njërën prej tyre do të hynin vendet që nuk i plotësojnë sa duhet kriteret dhe standardet integruese dhe të cilat, ndonëse anëtare të Unionit, do të privoheshin nga të drejta, favore dhe privilegje të caktuara.       

*   *   *

Qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk e kanë preokupim, as integrimin në BE, as Ballkanin e Hapur. Integrimi në BE është shndërruar në problem të politikanëve dhe jo të popujve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Politikanët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, integrimin në BE e kanë shndërruar në propagandë. Ky integrim zgjat plot tridhjetë vjet. Popujt e këtyre vendeve janë lodhur dhe janë ngopur nga klishetë e kësaj propagande sterile, të pafrytshme. Qëllimi i këtyre farë politikanëve është t’u thonë popujve të vet: “Ja, ju anëtarësuam në BE”. Meqë ju anëtarësuam në BE, tani na i jepni votat edhe nja tri dekada të tjera. Tridhjetë vjet premtime, gënjeshtra dhe mashtrime. Prandaj qytetarët e këtyre gjashtë vendeve fare nuk e çajnë kokën, si për BE-në, ashtu edhe për Ballkanin e Hapur. Përse të mërziten për mosintegrimin në BE, kur ikin për në Gjermani, hiç pa u anëtarësuar. Mali i Zi dhe Serbia i kanë çelur negociatat me BE-në para dhjetë vjetëve. Megjithëkëtë, s’janë askund. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, sot ta marrin statusin e vendit kandidat, për t’u anëtarësuar pas nja dhjetë vjetëve, në mos dhe më tepër. Deri atëherë, këto gjashtë vende rrezikojnë të mbeten pa popuj. Si krah pune do të vijnë nga Bangladeshi. 

*   *   *

Nuk është faji te Makroni, është te vetë politikanët e këtyre gjashtë vendeve. Nuk hyhet në BE në Bruksel. Në BE hyhet në Tiranë, në Prishtinë, në Podgoricë, në Sarajevë, në Shkup dhe në Beograd. Këto gjashtë vende, janë më të varfrat e kontinentit, por të parat me vjedhje. Ku ka varfëri, s’ka demokraci. Ku ka varfëri, s’ka shtet ligjor. Demokracia dhe shteti ligjor nuk shkojnë me varfërinë. Demokracia dhe shteti ligjor shkojnë krahas zhvillimit ekonomik. E që të mos kesh varfri, duhet të mos vjedhësh. 

Politikanët e Ballkanit Perëndimor hyjnë në politikë si të varfër, për t’u pasuruar brenda një kohe të shkurtër. Për ngecjen ekonomike të këtyre gjashtë vendeve, prej vitit 1991 e deri më sot, përgjegjësi mbajnë: liderët partiakë, kryetarët e shteteve, kryeministrat, kryetarët e kuvendeve, ministrat, deputetët, shefat e kabineteve, këshilltarët e ministrave, drejtorët e përgjithshëm, kryetarët e bashkive apo të pushtetit vendor, anëtarët e komisioneve dhe të këshillave drejtues. Përgjegjësi mbajnë mediumet, studiot televizive, radiostacionet, gazetat ditore, portalet, kryeredaktorët, analistët e shitur dhe të blerë, domethënë mercenarë, të cilët të zezën ta shesin si të bardhë dhe ta lustrojnë realitetin si në kohën e Stalinit. Mediumet në këto gjashtë vende janë nën kontrollin e shtetit, të qeverisë, të partisë në pushtet, të opozitës, po qe se ajo opozitë është e pasur. Në këto gjashtë vende s’ka mediume të pavarura. S’ka liri shprehjeje, mendim të lirë, mendim ndryshe, mendim oponent. ka pseudodemokraci. Në këto gjashtë vende veprojnë edhe shërbime sekrete të huaja: ruse, kineze, turke, arabe, greke, serbe, iraniane. Vegla të këtyre shërbimeve janë shoqata të caktuara humanitare dhe klerikë të caktuar fetarë. Në këto gjashtë vende ka mediume që mbështeten financiarisht nga qendra majtiste globale. Instrumente të së keqes janë edhe shoqata të caktuara joqeveritare. Pjesë e së keqes dhe në shërbim të saj janë edhe shoqata të caktuara që merren kinse me veprimtari kulturore. Po qe se nga Ministria e Kulturës ia dalin të nxjerrin do mjete, atëherë qeveria dhe shteti janë të mirë. Ndryshe, janë si mos më keq. Gjatë periudhës së pluralizmit, në këto gjashtë vende, nuk ka pasur pothuajse asnjë dorëheqje nga ndonjë politikan në shenjë akti moral. 

Në këto gjashtë vende edhe inteligjencia është e heshtur, për të mos thënë e shitur dhe  e blerë. Është inteligjencie oportuniste, konformiste dhe poltrone. Ideali i saj është të rrëmbejë pozita, të ruajë pozitën, të avancohet në pozitë, ta punësojë të birin, të bijën, renë, t’u sigurojë tituj akademikë, qoftë edhe me njohuri të kufizuara. 

Nuk shkohet në BE me kiç dhe shund, me reality programe, me muzikë pornografike. Në një anë, vend i varfër, në anën tjetër, luksi i një segmenti të shoqërisë, si në Amerikë. Për fat të keq, tash edhe shkrimtarë s’po ka. Në vendin me paga më të ulëta në rajon, dikush jeton si në përralla. Në këto vende e kanë mbyllur gojën edhe akademitë dhe universitetet. 

Me vrasje, të parët në kontinent, ndër të parët në botë, me aksidente rrugore, ndër të parët në botë, me emigrim dhe ikje të trurit – të parët, me shkurorëzime – ndër të parët. Vjedhje  shtëpish, pikash karburanti, herë-herë edhe bankash. Politizim i të gjitha poreve të shoqërisë. Partizim i të gjitha segmenteve të shtetit. Pa ndërhyrjen e partisë, as shërbëtor shkolle katundi nuk mund të punësohesh. Cilësi e ulët e arsimit. Duke pritur rend me orë të tëra për të marrë terapi, më tepër sëmuresh se mjekohesh. Krejt shteti ka vetëm një qendër terapie, madje me kapacitet të kufizuar. Administrata në këto gjashtë vende ka përmasa gjigante. Një pjesë e madhe e buxhetit të shtetit shkon për rrogat e administratorëve. Gjysma po të largohen prej zyrave, puna do të kishte shkuar më mirë. Çdo parti që vjen në pushtet, veprimtarët dhe militantët e vet i punëson në zyrat e shtetit, si në pushtetin qendror ashtu edhe në atë vendor. Kryetar bashkie, me të kaluar të dyshimtë, deputet apo ministër me dosje kriminale, për të mos shkuar në nivele më të larta, deri te kryetari i shtetit apo te kryeministri. Le të jetë paga njëmijë   apo dymijë euro. Shtëpitë apo vilat që i posedojnë, mobiliet, veturat, jahtet, shkollimi i fëmijëve jashtë shtetit, ceremonitë familjare, shëtitjet nëpër vende ezoterikë etj. kushtojnë qindra mijë euro, shtuar këtu edhe mjetet nëpër llogaritë bankare, të huaja apo të vendit. Nga erdhi kjo pasuri me një pagë prej 1000 apo 2000 eurove. Të mos i përmendim këtu edhe pasuritë e tjera të paluajtshme. S’ka BE me tituj akademikë të kopjuar, të përkthyer, të blerë dhe të shitur. S’ka integrim me profesorë universiteti apo me pedagogë që s’ka botuar asnjë punim në asnjë revistë prestigjioze të Perëndimit, që s’i ka shkelur këmba në asnjë arkiv të botës, që s’ka shpikur, s’ka hulumtuar, s’ka nxjerrë asnjë risi. S’ka integrim në BE me burgje të mbingarkuara. Një shtet që nuk është në gjendje të organizojë zgjedhje të lira, është larg BE-së. Nuk quhen zgjedhje me shitblerje të votave, me shantazhe, me mbushje kutish. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, sektorin privat e kanë të pazhvilluar. Si pasojë, partitë ua mësyjnë institucioneve publike. Këto vende, arsimimin profesional e kanë të pazhvilluar. Në këto gjashtë vende, një përqindje e madhe e tokës së punueshme, nuk mbillet, nuk punohet dhe nuk shfrytëzohet. Borxhet apo kreditë e këtyre gjashtë vendeve kanë përmasa të frikshme. Privilegjet e politikanëve apo të nomenklaturave të këtyre vendeve, janë në shpërpjesëtim me kapacitetet e shtetit. Favoret e familjarëve të klasës politike janë si në asnjë vend të kontinentit. Fajin nuk duhet kërkuar te Makroni. Zha-Pol Sartri thotë: “Njeriu vetë është fajtor për fatkeqësinë e vet”. 

Zënkat midis shumicës parlamentare, në një anë dhe opozitës, në anën tjetër, janë si në asnjë vend të kontinentit, për të mos thënë si në asnjë vend të rruzullit. Një vend i tillë është larg BE-së. Në rajon është Amerika dhe punët nuk po shkojnë si duhet dhe sa duhet. Po të mos ishte Amerika, a thua ç’do të kishte ndodhur?!

Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë pa pasuri natyrore, që të katandisen në këtë gjendje të papëlqyeshme. Shtetin me ekonomi të ngecur mund ta udhëheqin vetëm politikanët idealistë. Këta quhen burra shteti.  

Xhelal Zejneli                                                           

Filed Under: Fejton Tagged With: Xhelal Zejneli

KALATË PELLAZGE TË GANJOLLËS, PECËS E XIBRIT 

June 28, 2022 by s p

Fortifikime të rëndësishëme prehistorike në rrugë-kalimin Lisus-Skodrion-Dardani nëpërmjet luginës së Drinit janë edhe ato të Ganjollës dhe Pecës, të cilat arkeologët tanë i vendosin në kohën protourbane, parë nga ne si ndërtime pellazgjike. Ndjekim pohimet interesante të arkeologut Bashkim Lahit, i cili në vitin 1988 ka udhëhequr një ekspeditë arkeologjike në Ganjollë:

“…Rrënojat e vendbanimit të Ganjollës ruhen në pjesën e sipërme të një kodre shkëmbore 355 m.mbi nivelin e detit në verilindje të qytetit të  Shkodrës, 8 km në të majtë të rrugës Shkodër-Pukë… Në gërmim u fiksua një shtresë 0,40-1,10 m, që përmbante fragmente qeramike të përdorimit të përditshëm të shek. II-I p.e.s., të përziera me fragmente qeramike të përiudhës së bronzit të hershëm…M.Korkuti pohon se fortifikimi i Ganjollës përfaqëson një nga vendbanimet më të hershme të fazës Tren në pellgun e Shkodrës…S.Islami e cilëson kalanë e Ganjollës si vendstrehim që u shfrytëzua gjatë periudhës së kalimit nga fundi i epokës së bronzit në fillimet e asaj të hekurit. I këtij mendimi është pak a shumë dhe Gj.Karaiskaj…Fortifikimi është ndërtuar sipas sistemit katërkëndësh pseudoizodomik. Themeli i murit përbëhet nga gurë të mëdhenj gëlqerorë, të rrafshuar në pjesën e sipërme dhe, më rrallë, nga shkëmbinj natyrorë…Muri verior është ngritur direkt mbi tabanin shkëmbor, pa themel…muri ruan gjatësi 140 m, lartësi 1,70 m dhe gjërësi që luhatet 4-5 m…Tipologjia e fortifikimit flet qartë për një ndërtim prehistorik. Në anën jugore nuk ka mure por mbrojtja i besohet shpatit të pjerrët shkëmbor… Fragmentet e pakta të qeramikës së bronzit të hershëm, gjetur larg murit, brenda sipërfaqes së banuar, duket se janë elementë të pamjaftueshëm për të dhënë një datim më të kufizuar…Ky lloj dekori (i qeramikës) është gjetur në disa vendbanime nga Dalmacia në Malin e Zi dhe është datuar në fazën e vonë të eneolitit Dalmatin që, sipas kronologjisë sonë, do t’i përgjigjej fillimeve të periudhës së bronzit të hershëm.” 

        Kronologjia e Ganjollës, fillimi i periudhës së bronzit të  hershëm, tipologjia e fortifikimit, gjërësia e madhe e mureve, 4 m, etj, e vendosin atë në një rradhë me fortifikimet e tjera pellazgjike në Iliri, të njëkohëshme me ndërtimet pellazgjike të qytetërimit Kreto-Mikenas.

        Fortifikimi prehistorik i Ganjollës në një kombinim inteligjent me fortifikimin prehistorik të Pecës, siguronin segmentin më të vështirë të rrugës për në Dardani, kordonin malor të rrugës që ndiqte rrjedhën e Drinit, duke lidhur pjesën hyrëse nga ultësira e Lisit dhe Skodrionit me pjesën dalëse në rrafshnaltën e dardanisë, në bashkimin e dy Drinave dhe vazhdimin në luginën e Drinit të Bardhë.

        Arkeologu Luan Përzhita që ka kryer një ekspeditë arkeologjike në vitin 1986 në kalanë e Pecës na informon: “Në pikëtakimin e dy lumenjve Drin i Bardhë dhe Lumë, në një gjuhëz kodrinore me zgjatim nga V-L përballë kullës së Lumës ngrihet kështjella e Pecës, e njohur nga vendasit me toponimet: “Kodra e Pecës”, “Guri i Kalasë” dhe “Çuka e Kalasë”, kufizohet nga tri anët (veri, jug, perëndim) me ujërat e liqenit të Fierzës, kurse në pjesën lindore me fshatin Përbreg nëpërmjet disa kodrinave të buta. Kalaja ngrihet mbi një terren shkëmbor me një pozitë shumë të rëndësishme strategjiko-ushtarake që siguronte kalimin për në zonat fushore dardane, nëpërmjet trasesë së rrugës Lisus-Naisus…Ana veriore e kalasë ka një mbrojtje të sigurtë natyrore nga rrëpirat shkëmbore që zbresin thikë mbi Drinin e Bardhë…shpesh si bazament për ndërtimet janë shfrytëzuar masivet shkëmbore...”

        Luan Përzhita vë re tek kalaja e Pecës atë veçori që karakterizon pjesën më të madhe të fortifikimeve tona prehistorike, të cilat e kanë vazhduar rrugëtimin në histori deri në antikitetin e vonë dhe mesjetë: …vendbanimi i Pecës u rifortifikua më mirë në fillim të shek. IV të e.s… Në të njëjtën rrugë kanë kaluar fortifikimi i Krujës, Çukës së Ajtojt 

       Por ai gjithashtu na tregon se në Pecë, çuditërisht, adhurohej, e ashtuquajtura perëndi greke, Hermesi, hyjnia lajmëtare e Zeusit dhe mbrojtëse e udhëtarëve dhe tregtarëve. Kujtojmë këtu se Hermesi adhurohej edhe në Dardani, të cilën e tregon gjetja në Ulpianë e një shtatore e vogël prej bronzi e Hermesit. Me këtë ai identifikon kalanë e Pecës më fortifikimin antik të Gabuleut: “…Zbulimi në afërsi të Pecës, në fshatin Brut, i një figurine prej bronzi të Mërkurit (Hermesit), hyjnisë mbrojtëse të udhëtarëve dhe tregtarëve…vjen në ndihmë të identifikimit të Gabuleut me Pecën…dhe përputhja e plotë e largësisë së Gabuleut prej 30 m.p. me Therandën e vërteton këtë…”

Description: C:\Users\Besniku\Downloads\l_c4f544b2ee1e3758a5ada17c29461049 (1).jpg

Trakt muri pellazgjik në Kalanë e Pecës – Kukës. 

        Por një rrugëkalim tjetër i rëndësishëm, që ka ekzistuar qysh nga prehistoria, antikiteti, mesjeta dhe deri në ditët e sotme, dhe që ka lidhur Epidamnin me Dardaninë, ka qënë ai i luginës së lumit Mat dhe lumit të Tiranës, i cili kalonte në antikitet edhe ai nëpër territoret e Taulantëve, Parthinëve, Pirustëve dhe Penestëve, i cili në mesjetë njihet edhe si rruga e Arbrit. Fortifikimet që mbronin këtë rrugëkalim mendohet se kanë qënë Zgërdheshi në Krujë,  Xibri në Mat dhe Grazhdani në Dibër. Madje arkeologjia e jonë, për nga rezultatet e kërkimeve, flet për një kulturë të njëjtë me shtrirje Mat-Glasinac, e cila lidh dhe njëjtëson kulturën pellazgjike të Ilirisë së Jugut me Ilirët e Bosnjë-Hercegovinës, apo Daorsët dhe Autariatët antikë. 

        Këtë rrugëkalim arkeologu i shquar Selim Islami e përshkruan: “Kalaja e Xibrit në Mat zinte një pikë kyçe në rrugën që të çonte prej Dyrrahut në krahinat e brendshme lindore, nëpër shkallë të Tujanit – Qafë-Murriz-Dibër-Maqedoni.”   Po të vëresh me kujdes traktet e mureve të Xibrit në Mat dhe të Pecës në Kukës menjëherë të shkon mendja, se ato të Xibrit janë të ngjashëm me muret pellazge të Gajtanit, ndërsa ato të Pecës me muret pellazgjike të akropolit të Zgërdheshit. Të kësaj natyre janë edhe gurët në traktin e mureve të Grazhdanit në Dibër. Këto të dhëna i rreshtojnë këto dy fortifikime në ndërtimet pellazgjike.         

Description: DESTINACIONI “KALAJA E XIBRIT”/ FOTO: Ja çfarë mund të vizitosh në Shkodër  – AlpeNews

Trakt muri pellazgjik në kalanë e Xibrit në Mat.

        Një pikë strategjike në rrugëkalimin e Drinit, që lidhte bregdetin me Dardaninë, ka qënë edhe Prizreni. Fortifikimi mesjetar i kalasë së Prizrenit nuk na thotë gjë në këtë drejtim. Por arkeologët e Kosovës, kohët e fundit, mbështetur në gjetjet arkeologjike brenda mureve të kalasë, janë të mendimit se fortifikimi i përket periudhës së bronzit të vonë. Meqënëse gërmimet e deritanishme nuk kanë arritur të gjejnë trakte muresh prehistorikë, kjo mbetet një hipotezë. Ndoshta, fortifikimi i Prizrenit hyn tek ato fortifikime, të cilat pushtimet skithe, apo më vonë romakët, hunët, avarët dhe sllavët, ja kanë shkatërruar muret deri në themel, prandaj edhe nuk gjenden mbetje të tyre.

Description: C:\Users\Besniku\Desktop\KALA  ILIRE\download (7).jpg

Gurë pellazgjikë në kalanë e Grazhdanit – Dibër    

Besnik Imeraj

(marrë nga libri “Origjina e shqiptarëve në katakombet e historisë botërore”)

Filed Under: Emigracion


Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák takime në Kosovë

June 28, 2022 by s p


PRISHTINË, 27 Qershor 2022-Gazeta DIELLI/

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (EUSR) për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák, ka mbërriur në Prishtinë për vizitë nga 27 deri më 29 Qershor, e pastaj pritet të shkojë edhe në Beograd – kryeqytetin e Serbisë.

“Gjatë vizitës së tij Lajçak do të takohet me kryeministrin Albin Kurti, si dhe me liderë të partive kryesore opozitare dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. Gjatë qëndrimit në Kosovë, ai planifikon të vizitojë edhe Prizrenin dhe veriun e Kosovës.

Fjalimi për media i EUSR Lajčák është planifikuar për të mërkurën, 29 Qershor”, bën të ditur njoftimi i dërguar nga Zyra e BE në Kosovë.

E njoftimi i dërguar nga Qeveria e Kosovës thekson:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák.


Në takim u bisedua për mbarëvajtjen e deritanishme të takimeve, qasjes konstruktive përgjatë tërë procesit të dialogut në Bruksel, parimet, vlerat dhe synimin e këtij procesi.

Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke.

Kryeministri Kurti dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, z. Lajčák folën edhe për marrëveshjen mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015.  Ai theksoi angazhimin e Qeverisë në zbatimin e tij, me qëllim të përfundimit të një problematike të trashëguar, tё furnizimit dhe pagesës sё energjisë në katër komunat në veri tё vendit.

Në sajë të kësaj marrëveshje, pas më shumë se 20 vitesh, katër komunat në veriun e Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, do të kalojnë në një rend të rregullt të faturimit të energjisë. Me këtë marrëveshje, buxhetit të Republikës së Kosovës do t’i kursehen me dhjetëra milionë euro në vit, të paguara më herët për mbulimin e kostove energjetike të veriut të vendit.

Filed Under: Komente

BETEJA E FUSHË-KOSOVËS 1389 DHE TRASHIGIMIA E SAJ…! 

June 28, 2022 by s p

NGA  NDUE  BACAJ

 HISTORI NGA BETEJA E FUSHË KOSOVËS

15/28 Qershor 1389 në trojet e Shqiperisë Etnike , u zhvillua një ndër betejat luftarake më të tmerrëshme e tragjike që kishte parë historia e perplasjes së qytetrimeve për shekuj në trojet e Ballkanit. “Fati” kishte dashur që sheshi i kësaj beteje fatzezë të bëhëshin trojet e Dardanisë së moçme apo Kosovës sotme.. Beteja u zhvillua në veren e vitit 1389 në Fushë-Kosovë, nga ku merr edhe emrin historik (Beteja e Fushë-Kosoves,ndonjë historian e quan edhe beteja e Fushë-Mëdhenjave)… Fundshekulli i XIV kishte detyruar popujt ballkanikë e më gjerë që rrezikut që u kërcënohej nga perandoria aziatike Turke-Osmane t’i përgjigjeshin me një koalicion të paparë deri atëherë. Mjafton të kujtojmë se këtu bënin pjesë arbërit (shqiptarët) , bullgarët, rumunët , hungarezët, polakët, serbët , kroatet e  boshnjakët . (Ka ndonjë dokument osman  që “shenon” sikur  në ketë betejë  kishin marrë pjesë edhe grekë , çekë, frankë , ndoshta keta kanë  qënë  vullnetarë  nga Evropa…). Historiani i njohur shqiptar akademik prof.dr.Kristo Frashëri për këtë betejë ndër të tjera do të shkruante: “Aty në Fushën e Mëllenjave pak kilometra në veri të Prishtinës më 28 qershor 1389 u ndeshën ballë për ballë dy palë ushtrish. Nga njëra anë armatat osmane të cilat së bashku me vasalët e tyre jo turq të udhëhequra nga sulltan Murati I, kërkonin të pastronin rrugën për pushtimin e plotë të Gadishullit Ballkanik në drejtim të Evropës Qendrore. Nga ana tjetër forcat e armatosura të koalicionit ballkanik dhe joballkanik me në krye princin serb Lazar, të cilat vrapuan për të ndaluar marshimin e armatave osmane…”.1. Por historigrafia na tregon se princi serb , Llazari i Rashës , që drejtonte koalicionin e princave të krishterë, u zgjodh jo sepse paskësh qënë një luftëtar më i regjur sesa të tjerët, apo sepse trupat e tij na ishin më të shumtët në numër , por në radhë të parë sepse zotrimet e tij kërcënoheshin drejtpërsëdrejti nga mësymja osmane në rajon. Ndërsa kronistët Osman na “tregojnë” se tre udhëheqësit kryesorë të koalicionit ishin: princi serb Llazar Hrebeljanoviç, mbreti boshnjak Tvërtko dhe princi shqiptar Gjergji II Balsha. Në betejë merrnin pjesë edhe feudalë të tjerë të mëdhenj shqiptarë. I tillë ishte sidomos Teodor II Muzaka , i cili ra në betejë me 4000 nga ushtarët e tij.2.  Gjithashtu merrte pjesë edhe Gjon Kastrioti (babai i Gjergj Kastriotit) si dhe prijës të tjerë arbënorë. Ushtarakisht, forcat ballkanike e humbën luftën. Në fushën e betejës mbetën me mijra veta të vrarë. Princi serb, Lazari, udhëheqësi i koalicionit ballkanik, u zu rob dhe pastaj u vra. Armatat osmane gjithashtu e paguan shtrenjtë fitoren. Ata lanë në fushën e luftës me mijëra veta së bashku me kreun e tyre,  sulltan Muratin I, me gjithë të birin Jakupin. Por me gjithë fitoren që korri sulltani i ri, Bajaziti, e ndërpreu marshimin e mëtejshëm. Nga plagët e shumta që morën ushtritë osmane ai u detyrua të kthehej në kryeqytetin e vet, në Edrene. Për popujt e Evropës Juglindore, plagët e shumta që morën ushtritë osmane në betejën e Kosovës qënë një fitore brenda disfatës.3.  Në një kronikë të vitit 1510 nga një trashigimtar i Teodor Muzakës shkruhet:”…Sulltan Murati I iu vërsul Serbisë e Bullgarisë, por Llazari, despoti i Serbisë, Markoja, mbreti i Bullgarisë, Teodor Muzaka, trashëgimtari i dytë i Shtëpisë sonë, e bashkë me të sundimtarë të tjerë të Shqipërisë, u ndeshën me osmanët. Aty u thyhen të krishterët e mbeti i vrarë edhe Teodori ynë, që kishte sjellë më vete një ushtri shqiptare. Po aty u zu rob Llazari i Serbisë që më vonë osmanët e vranë. Paskëtaj filluan luftërat e paprera të osmanëve në Shqipëri, në të cilat humbën jetën aq shumë bujarë e luftëtarë trima…4.  Në betejën e Fushë-Kosovës në mes  ushtrisë së koalicionit mbrojtës ballkanik dhe  ushtrisë pushtuese turke-osmane (dy herë më e madhe se koalicioni) u dalluan veçanarisht trupat e udhëhequr nga Gjergji II Balsha i Shkodrës dhe Teodor II Muzaka i Beratit… Beteja e zhvilluar në afërsi të Prishtinës më 15 qershor  1389 ishte nga më të tmerrshmet që kishte parë syri i njeriut deri atëherë mbi këto troje. Ndonse një shqiptar i quajtur Milosh Kopiliq , deportoi deri në çadrën e Sulltanit dhe e vrau Muratin I , turqit arritën ta shkatërronin koalicionin ballkanik. Kjo disfatë e përgjakshme i hapi rrugën Sulltan Bajazitit , të mbiquajturit “Rrufeja” për deportimin e më tejshëm në tokat shqiptare.5.  Koalicioni  kundër turko-osman ballkanik, me gjithë luftën dhe qëndresën e madhe  jo vetëm humbi, por la pas një tragjedi të vërtetë për fatet e popujve të Ballkanit në përgjithësi, dhe për popullin e trojet shqiptare në veçanti. Në këtë betejë ne shqiptarët, sipas dokumenteve të ndryshme historike, treguam se jemi populli më luftëtarak jo vetem në mbrojtje trojeve tona , por edhe të qytetërimit dhe besimit kristian. Në fushën e kësaj beteje dhanë jeten rreth pesëmijë trima arbër , e së bashku me ta edhe vetë Teodor II Muzaka. Një nga emrat më sinjifikativ të kësaj beteje është trimi kryehero i Fushë-Kosoves Milosh (apo Mirash) Kopili i cili vrau në çadrën e sulltanit (dikun shkruhet në fushen e betejes…) vetë Sulltan Muratin e parë të Perandorisë Turko-Osmane që udhëhiqte luften pushtuese në “emrin” e Allahut , ku në ketë betejë ky sulltan i lutej për ushtaret e tij : “ O Allahu im mos  m’i  ndëshko ushtaret e mi të pafajshem që erdhen deri këtu vetëm per ta lartesuar emrin dhe kumtuar Islamin”. Është “interesant” të vihet në dukje se për ditën e zhvillimit të betejës në Fushë-Kosovë ka “dy” data që nuk puqen me njera tjetren. Disa historianë e studiues “thonë” se beteja u zhvillua me daten 15 qershor  1389 , ndërsa disa historianë e studiues të tjerë pranojnë si date të betejes 28 qershorin.  Edhe albanologu e historian i njohur Robert Elsie, pranon si datë të betejes të Fushë-Kosovës 28 qershorin kur shkruan: “Më 28 qershor 1389, turqit mposhtën koalicionin e forcave ballkanike nën udhëheqjen e serbe në Fushë-Kosovë, dhe u bënë zotër të Ballkanit”.6.  Në shkrimet turke si datë të zhvillimit të betejës dhe vrasjes së Sulltan Muratit I shënohet data 10 gusht (1389). (Ndryshimi i datave për betejën e Fushë-Kosovës duket se më së shumti ka të bëjnë me ndryshimin e matjes së kohës sipas kalendarëve ; Julian, Gregorian dhe ai Turk). 

PËR HEROIN E BETEJËS, SHQIPTARIN E “VJEDHUR” MILOSH APO MIRASH KOPILIN ! 

Edhe pse kanë kaluar 633  vite nga ajo kohë plotë erë gjaku e shpate , jehona e kësaj beteje ende nuk është shuar, ndërsa heroin shqiptar Milosh Kopili janë munduar ta bëjnë të tyre serbët apo popuj të tjerë që morën pjesë në këtë betejë. Në shkrime të ndryshme historike , letrare e gojore emrin e Milosh Kopilit e gjejmë të deformuar në Millosh Kopiliqi, duke i dhënë disi trajta sllave. Natyrisht kjo ka “arsyet” e veta, se këtë kryehero kushdo po ta kishte do të krenohej dhe do t’i thurte këngë e legjenda, e ndërsa ne shqiptarët pak kemi bërë për këtë, por edhe  serbët pak kanë guxuar ta bëjnë një gjë të tillë , pasi e kanë ditur se nuk ishte serb, por shqiptar. Për Car Llazarin popujt sllav kanë thurur qindra këngë, legjenda e gojëdhëna. Sipas disa studiuesve  Car  Llazari ishte tradhtuar nga serbi tjeter Vuk  Brankoviç, Per këtë tradhti shkruan edhe studiuesja  Edith  Durham , nga e cila citoj: “Një bashkudhëtar serb më tregoi me dorë në të majtë të shinave , pak perpara Prishtinës , kodrën  ku Vuk Brankoviçi , dhëndri tradhtar i Car Llazarit kish terhequr njerëzit e vet , duke i dhënë kësisoj fitoren turqve . Ç’pret  nga Vuku i mallkuar ! Mallkuar qoftë ai e kush e bëri . Mallkuar qoftë trungu i tij.  Ai e tradhtoi  Carin në Kosovë . E braktisi atë bashkë me dymbëdhjetëmijë  vetë”.7.   Kujtojmë se në versionet e gjuhës latine të asaj kohe Milosh  Kopili cilësohej si Miros apo Milos Cobilitzius, ndërsa në shkrimet e Marin Barletit e gjejmë Miroso apo Miloso Cobilichia. Në burimet osmane emrin e vrasësit e sulltan Muratit e gjejmë në trajten Miras, që afrohet me emrin Mirash (që unë e perdora më sipër si emër të mundëshëm), ndersa  mbiemrin e tij  e gjejmë në format Kuple apo Keple e deri  Kopili , mbiemër i njohur jo pak edhe sot… Për origjinën e heroit të Fushë-Kosovës  e padiskutueshme  është se ai ishte arbër (shqiptar) , ndersa si vend  thuhet se  është nga  Drenica e Kosovës  , ku edhe sot  tregohet se Milosh Kopili ka të trashëguar  rrënojat e kullës në Drenicë, si dhe ka dhjetra këngë epike që i kushtohen këtij trimi legjendar… Origjinen arbëre-shqiptare të heroit të Fushë-Kosovës e tregon edhe një kronikë e vitit 1510 e shkruar nga  një trashigimtar i Muzakajve, kronikë nga e cila citoj: “Sipas legjendës popullore Miloshi ka pas lindur në Kopiliqin e Epërm, por më vonë është vendosur në Kopiliqin e Poshtëm”. Pleqtë e Drenicës tregojnë se Milosh Kopiliqi â kanë prej ktuhit” (Drenicës). Ata vënë një vijë të qartë demarkacioni: “Car Lazari â kanë i serbëve, Milosh Kopiliqi i yni”. Milosh Kopiliqi â kanë më i madhi kreshnik i shqiptarëve në luftën e Kosovës. Në Kopiliq të Poshtëm ka vende që quhen: Te trolli i Miloshit, Veneshta e Miloshit, Te kisha e Miloshit etj. Në Sallabajë gjendet Vorri i Milosh Kopiliqit. Miloshi e mbante ushtrinë në pyjet e Çiçavicës e të Kukës” (pyje të Drenicës). Car Lazari… vendin e tij e ka pas kah Kraleva dhe jo në Kosovë”.8.  Është jo  pa interesë një gojëdhënë jo shumë e njohur që  identifikon mbiemrin e Miloshit me toponimin Obiliqi (në afersi të të cilit është ngritur tyrbja ku u vra sulltan Murati I). Kjo gojëdhënë thotë se  ndër mote toponimit Obiliqi i është shtuar në fillim shkronja “K” që e ka bërë nga Obiliqi në Kobiliqi apo Kopiliqi. Ky “deformim” thuhet” se u ka rënë per shtat fqinjeve sllav të cilet identifikimin e mbiemrit të Miloshit me Kopiliqin e kanë fryrë nga letraxhinjet e tyre rrenaxhi per ta bërë të tyre , madje duke i deformuar edhe emrin nga Milosh apo Mirash në Millosh. 

633 VITE PAS BETEJËS, TRASHIGIMIA E PUSHTUESVE  TURKO-OSMAN NË KOSOVË!  

Kushdo që viziton sot  atë “cope” të madhe të Shqiperisë Etnike me emrin e moçem  Dardani, sot Republika e Kosovës nuk mundet të “shpëtojnë” pa kërkuar të mësojnë diçka më shumë per betejen famëmadhe kundër turke-osmane të Fushë Kosoves (1389). Me ketë rast kushdo që viziton vendin e betejës dhe vetë kryeqytetin e Kosoves (Prishtinen) do të gjindet para të papriturave jo të kendeshme që në vend  memorizimit të betejes së Fushë-Kosovës dhe heronjeve të saj shqiptar do të shohë të kundërtën që “gjallon” turko-osmanizem…  

TYRBJA E SULLTAN MURATIT I , në fshatin Mazgjit të Obiliqit gjindet e ndertuar, rrethuar , zbukuruar dhe mirëmbajtur Tyrbja e ngritur mbi varrin e Sulltan Muratit I të vrarë në betejen e Fushë-Kosoves (1389) nga shqiptari Milosh Kopili. Tyrbja thuhet se eshtë ndertuar pak vite pas vrasjes së Sulltan Muratit I. Madje në afersi të tyrbes është e ngritur një  skulpturë që i kushtohet sulltan Muratit , i  cili paraqitet në mes të keshillit të tij të luftes me veshjen e njohur të sulltanëve dhe me armet në brez.. Tyrbja e Sulltan Muratit I është rindërtuar e rinovuar disa herë , që nga viti 1660 kur e viziton kronisti i njohur Evlija Çelepia..e deri në vitin 1912 kur qeveria serbe e ruante tyrben e sulltan Muratit me haraçet e Turqisë… Pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1960-61 varri ishte vënë nën patronazhin e shtetit ku dhe tyrbja është riparuar në një mënyrë themelore. Në vitin 1989 nga ana e shtetit të (ish) Jugosllavisë ishte  marrë vendimi që të bëhet restaurimi i tyrbes së Sulltan Muratit I…9. Vlen të theksohet me keqardhje se vazhdimisht pranë tyrbes së sulltan Muratit I ,  shqiptarë të Kosovës bëjnë pelegrinazh, luten dhe lënë dhurata për shpirtin e këtij pushtuesi turko-osman. Vlen të cilësohet se në vitin 1953 në Gazi Mestan (ish) republika Serbe nën ish shtetin komunist Jugosllav do të  ndertonte një obelisk të madh në perkujtim të betejës të Fushë -Kosoves , por dhe në sherbim të rizgjimit e frymëzimit të ndjejave nacionaliste e antishqiptare të serbo-sllavëve. Në njëren nga “citatet” serbe që ngacmonte ndjejat… shkruhej (serbisht) :”Kush është serb i rracës serbe , dhe nuk ka ardhur ketu per betejen e Kosovës, mos pastë pasardhes  gjaku , as djal as vajzë ,as bij as bija  , Dora e tij mos prodhoftë as venë , as grurë ,as rrush të bardhë as të kuq..”.  Por “turko-osmanizmi i betejës të Fushë-Kosovës nuk mbaron me kaq pasi në mes të Prishtines janë të ngritura dy xhami që u kushtohen: 

XHAMIA E SULLTAN MURATIT I,  të vrarë në betejen e Fushë -Kosoves (1389), xhami që njihet edhe me “emrat” Çarshi Xhamia – Xhamia e Gurit (Prishtinë), xhami e cila  është ndërtuar nga Sulltan Bajaziti i I për Sulltan Muratin e I. Xhamia gjendet në kompleksin e Prishtinës së vjetër, në pjesën qendrore të qytetit… Xhamia është  ndërtua në fundin e shek.XIV dhe fillim të shek. XV për ta përkujtuar fitoren e forcave osmane dhe Sulltan Muratin I në betejën e vitit 1389.10.  

XHAMIA E SULLTAN MEHMET FATIHUT II, sulltan që per nga egërsia dhe krimet ndaj popujve e vendeve që i pushtonte kishte fituar nofken Mehmet pushtuesi. Kjo Xhami njihet edhe si Xhamia e Mbretit apo Xhamia e Madhe, por që i kushtohet Sulltan Mehmet Fatihut II… Xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut II gjendet në bërthamën e qytetit të vjetër të Prishtinës, në afërsi të Hamamit të Madh (shek. XV)… Është ndërtuar sipas urdhrit të vetë Sulltan Mehmet Fatihut II – Pushtuesit. Mbishkrimi i shkruar në alfabetin arab në gjashtë rreshta i cili ndodhet mbi portalin e hyrjes si datë të saktë të ndërtimit jep vitin 1461, sipas kalendarit gregorian, përkatësisht hixhrën 865 sipas kalendarit arab.11.  

NË VEND TË EPILOGUT: 

Tre trashigimtë turke-osmane të betejës së Fushë-Kosovës…(Tyrbia e Sulltan Muratit I, xhamia e Sulltan Muratit I dhe xhamia Sulltan Mehmet Fatihut II), që sot ruhen, mirëmbahen, nderohen dhe janë funksionale, janë të nominuara trashigimi kulturore në republikën e Kosovës. Për çdo shqiptar që e njeh sadopak historinë tonë Iliro-Arbënore-Shqiptare, e veçanarisht atë të pushtimit rreth 450 vjeçar turko-osman nuk besoj se gjenë argumente që këto tre trashigimi të pushtuesve turko-osman t’i identifikojnë si trashigimi kulturore e historike të shqiptarëve të Kosovës dhe trojeve të tjera etnike Iliro-Arbënore-Shqiptare… Ato janë “thjeshtë” trashigimi të një pushtuesi, pasojat e të cilit ende i vuajmë… 

REFERENCAT: 

1.Kristo Frashëri, https://www.radiokosovaelire.com/dr-kristo-frasheri-shqiptaret-ne-betejen-e-kosoves-te-vitit-1389/. 

2.Serge Metais , Histori e Shqiptarëve -nga Ilirët deri te  Pavarësia e Kosovës, fq.237, sh.b.”55”, Tiranë  2006. 

3.Kristo Frashëri, https://www.radiokosovaelire.com/dr-kristo-frasheri-shqiptaret-ne-betejen-e-kosoves-te-vitit-1389/. 

4.Gjon Muzaka, “Gjenealogji e familjes  Muzaka” 1510. 

5.Ewin Jacques, Shqiptarët- Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, fq.195, Fondacioni Abraham Linkoln në Tiranë 1995. 

6.Robert Elsie, Fjalori Historik i Shqipërisë, fq.574-575, sh.b. Uegen, Tiranë 2011.

7.Edith  Durham , Shqiperia e Eperme, një udhëtim në Shqiperinë e veriut të vitit 1908 , fq.312 botime IDK.  

8.Gjon Muzaka, “Gjenealogji e familjes  Muzaka” 1510.

9.https://sq.wikipedia.org/wiki/Tyrbja_e_Sulltan_Muratit.  

10.https://sq.wikipedia.org/wiki/Xhamia_e Çarshisë.  

11.https://sq.wikipedia.org/wiki/Xhamia_e_Mbretit.  

QERSHOR 2022.

Filed Under: Histori Tagged With: Ndue Bacaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT