• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2022

KONTRIBUTI I FEDERATËS “VATRA” NË MJEDISIN POLITIK DHE KULTUROR TË VITEVE 20’ NË SHQIPËRI

July 30, 2022 by s p

Dr. Adelina Nexhipi,  Dr. Ardiana Miçi

Departamenti Histori – Gjeografi, Universiteti “Fan S. Noli” Korçë

Abstrakt

Vitet 20’ në Shqipëri përfaqësojnë një periudhë nga më të rëndësishmet në historinë e shqiptarëve dhe shtetit shqiptar. Nuk kishte kaluar asnjë dekadë nga shpallja e pavarur e Shqipërisë kur u vu përsëri në diskutim pavarësia dhe tërësia territoriale e saj. Luftërat rajonale dhe botërore e kishin hedhur në mes të furtunës fatin e Shqipërisë. Shqiptarët brenda dhe jashtë atdheut bënë përpjekje të përbashkëta për të zgjidhur tashmë njëherë e mirë problemin kombëtar, ku shqiptarët e Amerikës të organizuar në Federatën Panshqiptare “Vatra”, dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm. Që në fillimet e shek XX, ata kishin punuar për të mbajtur fort të gjallë ndjenjën kombëtare, për të zhvilluar gjuhën dhe debatin politik përmes shtypit të shkruar e u bënë të njohur si komunitet diaspore. Në momentet më delikate, gjithë potenciali intelektual dhe polititk i “Vatrës” u përfshi aktivisht në Shqipëri dhe pranë kancelarive evropiane në mjediset diplomatike ku luhej drama shqiptare. Kontributi i vatranëve në ngritjen e institucioneve shtetërore dhe demokratizimin e vendit sipas modelit amerikan, në Shqipërinë e viteve 20’ është i çmuar. Vatranët nuk u mjaftuan vetëm në përpjekjet diplomatike e propagandistike, por “Vatra” dërgoi në Shqipëri ndihma në të holla dhe Trupën Vullnetare. Banda muzikore që e shoqëronte atë u bë ambasadorja dhe frymëzimi i shqiptarëve, që luftonin për të mbrojtur identitetin e territorin e tyre. Diplomatët e parë të shtetit shqiptar, që e përfaqësuan Shqipërinë në nivelet më të larta, vinin nga rradhët e vatranëve. Takimet, memorandumet, lobimet kishin vendosur kontaktet politike mes shqiptarëve të SHBA-së dhe institucioneve shtetërore amerikane. “Vatra” fliste e vepronte në emër të institucioneve shqiptare, apo në emër të shqiptarëve në mungesë të institucioneve shtetërore kombëtare, ndaj veprimtaria e saj ishte një fillim i rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri – SHBA. Edhe pse zyrtarisht marrëdhëniet Shqipëri – SHBA u vendosën në vitin 1922, falë veprimtarisë së kolonive shqiptare në SHBA dhe “Vatrës” në mënyrë të veçantë, bashkëpunimi shqiptaro – amerikan i kishte hedhur themelet më herët.

Fjalë kyçe: Fedarata Panshqiptare Vatra, Shqipëri, SHBA, demokratizim, marëdhënie diplomatike

1. Komuniteti shqiptar në SHBA në fillim të shek XX

Ndër kolonitë shqiptare jashtë atdheut, kolonia e shqiptarëve të Amerikës ka dhënë kontributin më të madh në rritjen e nacionalizmit dhe zhvillimit intelektual të shqiptarëve si përpara se të shpallej pavarësia e shtetit amtar edhe në vazhdim. Shqiptari i parë në Amerikë (fund i shek XIX), Kolë Kristofori, nga Katundi i Kolonjës do të tërhiqte pas një grup të rinjsh nga rajoni i Korçës të cilët u vendosën në Anglinë e Re, Boston e New York e jetonin në konakë. Jeta në migracion ekonomik i bënte të jetonin së bashku e të kishin të fortë ndjenjën komunitare por jo aq të shfaqur ndjenjën kombëtare. Në vitin 1905, një grup më i shkolluar shqiptarësh të ardhur nga kolonia e Rumanisë, krijuan të parën shoqëri “Mall i Mëmëdheut”, në Jamestown, NY.  Do të ishte Sotir Peci nga Dardha e Korçës, që do të vendoste gurin e parë në themelet e lëvizjes kombëtare në SHBA, me botimin e gazetës së përjavshme “Kombi, në vitin 1906. Me të ardhurat e veta si punëtor dhe zellin që e dallonte, Peci ua çonte falas gazetën shqiptarëve të Amerikës të cilët qëllonte të ishin edhe analfabetë. Atëherë atij i duhej me durim t’u shpjegonte se çfarë ishte ajo dhe çfarë pritej nga shqiptarët[1]. Nga 5000 shqiptarë që mund të ishin në atë kohë në Amerikë, vetëm 20 vetë dinin të shkruanin e të lexonin[2]. Në vitin 1907 u themelua në Boston shoqëria “Besa-Besë”, që filloi të botonte gazetën “Dielli”. Patriotët shqiptarë e kishin kuptuar se një diasporë e fortë dhe e organizuar në SHBA krijonte mundësi më të mëdha për të bërë realitet pavarësinë, tërësinë territoriale dhe përparimin e Shqipërisë, ndaj shumë prej tyre u nisën drejt Amerikës.

Jeta sociale e këtij komuniteti nuk mund të ishte e plotë pa një institucion rreth të cilit ata të bashkoheshin shpirtërisht. Në 8 mars 1908, Fan Noli u dorëzua si prifti i parë shqiptar i kishës ortodokse, ndërsa në 22 mars 1908 ai mbajti liturgjinë e parë në gjuhën shqipe. Themelimi i Kishës së Pavarur Orthodokse Shqiptare dhe liturgjia në shqip do të shënonte një “revolucion të vërtetë paqësor”[3] duke shtuar një gur themeli të ri në organizimin e shqiptarëve, me rëndësi edhe në Shqipërinë amë, ku Patriarkana e Stambollit nxirrte ende dekrete ç’kishërimi për përdorimin e gjuhës shqipe. Me krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale, të cilën Nicholas C. Pano e cilëson “agjenci të nacionalizmit”[4], organizimi i shqiptarëve arriti një nivel më të lartë, duke demonstruar një harmoni befasuese me migrantët e tjerë të fesë myslimane[5]. Edhe këtu në diasporë, del në pah konstatimi i Hobhaus, se “kombësia i bashkon shqiptarët, shumë më tepër sesa i ndan feja”[6].

Organizimi më i lartë i komunitetit shqiptar në Amerikë arriti me themelimin e Federatës Panshqiptare “Vatra”, më 28 prill 1912 dhe fuqizimit të Gazetës “Dielli” e cila u bë gazeta më e besueshme ndër të gjitha. Degët e saj u shtrinë në shumë shtete dhe më 13 qershor 1912, “Vatra” u regjistrua zyrtarisht në shtetin e Masacusests. Federata “Vatra” u fuqizua me shpejtësi, brenda një viti numri i anëtarëve arriti në 1000.[7] Rreth saj u përfshinë personalitete të tilla si; Fan S. Noli, Faik Konica, Kristo Dako, Kostë Çekrezi, Sevasti e Parashqevi Qiriazi, Kol Tromara, Kristo Floqi, Bahri Omari, Kostaq Kota, Mihal Grameno, Andon Frashëri etj. Ata krijuan kontakte me amerikanë të shquar, si; Charles Crane, George Fred Williams, Jane Addams, Osvald Garrison Villard, R. Uds, Charles Telford Erickson, etj të cilët mbështetën çështjen kombëtare shqiptare dhe lobuan me institucionet amerikane për zgjidhjen e drejtë të saj, duke hedhur themelet e marrëdhënieve shqiptaro – amerikane.

Që në fillimet e veprimtarisë së saj, “Vatra” do të luante rol të rëndësishëm në mbështetje të çështjes kombëtare. Më 17 nëntor 1912, “Vatra” organizoi një miting të madh në Boston në mbështetje të pavarësisë së Shqipërisë, filloi të mbledhë fonde për kryengritjen në Shqipëri dhe u dërgoi telegram Fuqive të Mëdha dhe Presidentit Amerikan, Taft, ku kërkohej njohja e pavarësisë së Shqipërisë në kufijtë e saj etnikë. I madh ishte kontributi i vatranëve në Kongresin e Triestes (1 mars 1913), i cili u kryesua nga Faik Konica, i zgjedhur për këtë detyrë nga Kuvendi i Jashtëzakonshëm i “Vatrës”, i 16 shkurtit 1913. Përfaqësues nga të gjitha kolonitë shqiptare miratuan një rezolutë në mbështeteje të qeverisë së përkohshme shqiptare dhe kundër përpjekjeve për copëtimin e Shqipërisë. Gjatë zhvillimit të punimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, “Vatra” denoncoi në shtyp padrejtësitë ndaj shqiptarëve, mbrojti të drejtat e tyre kombëtare, organizoi disa mitingje, për të siguruar mbështetjen e opinionit amerikan; dërgoi memorandume në Londër dhe filloi përgatitjen e trupave vullnetare, në ndihmë të shtetit shqiptar. Në Londër, “Vatra” dërgoi Nolin, për të zhvilluar propaganë proshqiptare në mjediset politike, ku ai ndihmoi në formimin e Komitetit Proshqiptar të Londrës ndërsa në Shqipëri Faik Konica, do të vendoste lidhjet midis diasporës së Amerikës dhe qeverisë së Vlorës.

Përpjekjet për arsimim dhe kulturë do të bëheshin paralel me zgjimin kombëtar dhe veprimtarinë diplomatike. Në vitet në vazhdim, numri i gazetave dhe revistave të botuara në Amerikë u shtua dhe së bashku me to edhe përpjekjet e shqiptarëve për të mësuar shkrim dhe lexim, të cilat në mungesë të shkollave, bëheshin në mënyrë autodidakte pas pune. Sipas kujtimeve të Llambi Vaskë George (jetonte në Pontiac, ishte anëtar dhe sekretar i degës Nr.43 të “Vatrës” në Micigan) gjatë ditëve të javës, ai priste të lexonte gazetën “Dielli”, gazetën “Albania”, të botuar në NY, gazetën “Mbrojtja shqiptare”, Gazetën “Koha” të Gramenos, Revistën “Yll’ i Mëngjesit”, “Era Shqiptare”, “Vullnetari”, “Përparimi” etj., lexonte lajmet në “Chicago Tribune” dhe shkruante herë pas here ndonjë artikull për këto gazeta[8]. Nëpërmjet shtypit të shkruar dhe përpjekjeve për ta shpërndarë atë mes shqiptarëve, u lëvrua dhe u përsos më shumë gjuha amtare dhe u mbajt gjallë ndjenja kombëtare.

Shpesh në këto gazeta mbahej i gjallë edhe debati politik midis grupimeve shqiptare të cilat kishin qëllim të njëjtë, por dallonin mes tyre në disa pikëpamje. Në vitin 1919 në SHBA botoheshin 10 gazeta në gjuhën shqipe dhe 4 gazeta dygjuhëshe, anglisht–shqip, në artikujt e të cilave mbizotëronte tematika kombëtare[9]. Tek “Ditarët”, Llambi Vaskë George, tregon sesi nevojës së bashkëatdhetarëve të tij për t’u integruar në shoqërinë amerikane dhe mësuar anglisht ai ju përgjigj duke hartuar një libër të vogël shqip-anglisht në vitin 1915, të cilin e kishte quajtur “Methodë”. “Methoda” u botua e ribotua në 1918-1919 dhe u shpërnda edhe me ndihmën e “Vatrës” dhe “Diellit”, e gazetave të tjera ku i bëhej reklamë[10]. Një fenomen që do të ndikonte jetën sociale të komunitetit shqiptar në SHBA ishte krijimi i skuadrave sportive dhe bandave muzikore që bashkonin njerëzit dhe krijonin kohesion social të nevojshëm në një mjedis të huaj dhe që sigurisht ndikoheshin nga jeta në Amerikë. Dy banda muzikore dhe mjaft shoqëri të tjera u shtuan me ardhjen e më shumë migrantëve shqiptarë.

2. Kontributi i “Vatrës” në mbrojtjen e çështjes kombëtare gjatë dhe pas LIB

Fillimi i Luftës së Parë Botërore e gjeti Shqipërinë në pozita të vështira. Lufta iu dha shteteve fqinje mundësinë për të përmbushur synimet e tyre territoriale duke i shndërruar krahinat shqiptare në shesh lufte, edhe pse Shqipëria shpalli asnjanësinë në konfliktin botëror. Shqipëria u bë vendi i përplasjes së dy blloqeve ushtarake ndërluftuese. Vendi u zhyt në kaos të vërtetë dhe në mjerim të plotë. Në fund të vitit 1918 Lufta e Madhe kishte mbaruar, por pavarësia e Shqipërisë ishte sërish e rrezikuar. Gjatë vitit 1919 Shkodra ishte nën administrimin e garnizonit ushtarak ndëraleat; Italia mbante të pushtuar Vlorën e rrethinat; Luma, Dibra, Kukësi e Peshkopia ishin nën pushtimin serb; në Korçë e Pogradec gjendeshin forcat ushtarake franceze; prefektuara e Gjirokastrës ishte nën kontrollin e forcave ushtarake greke; autoriteti i qeverisë së Turhan Pashë Përmetit, krijuar nga Kongresi i Durrësit (25 dhjetor 1918) shtrihej vetëm në Durrës, Elbasan, Berat e pjesërisht në prefekturën e Tiranës dhe Shkodrës. Zhvillimet në Konferencën e Paqes ishin shqetësuese për Shqipërinë. Kjo situatë në Shqipëri, nxiti jo vetëm organizimin e brendshëm por edhe të diasporës shqiptare e cila nuk kishte reshtur së punuari dhe tani ishte gati për veprime aktive. Shoqëritë politiko-kulturore shqiptare brenda dhe jashtë atdheut, ndër të cilat “Vatra” ka spikatur, patën një angazhim shumëplanësh në shërbim të çështjes kombëtare, gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore.

Veprimtaria diplomatike e vatranëve u intensifikua. Më 21 gusht 1915, Noli, i dërgon Sekretarit të Departamentit të Shtetit, R. Lansing një telegram, me anë të së cilit denonconte Traktatin e Fshehtë të Londrës dhe kërkonte nga presidenti Wilson “të parandalonte ndarjen e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha”[11]. Në kuvendin e vitit 1915, “Vatra” mori vendimin për të dërguar delegatë në Evropë, për të mbrojtur interesat e Shqipërisë si dhe vendimin për organizimin e Trupave Vullnetare. Kol Rodhe në gazetën “Vullnetari” argumentonte nevojën e organizimit të Trupave Vullnetare, duke u shprehur se humbjet e deriatëhershme të tokave shqiptare kishin ardhur nga mungesa e një ushtrie të rregullt profesioniste dhe të organizuar atdhetarësh. Në numrat e gazetës bëhej thirrje për mobilizim “Atheu është duke rënkuar…Atdhetarët që e dëshirojnë ta shohin Shqipërinë si një shtet të Europës, përnjëherësh e rrokën idenë e shenjtë dhe u shkrojtën Vullnetarë për t’i shërbyer Atdheut në Kohë rreziku. Regjistrohu edhe ti atdhetar që të dhimbet Atdheu për ta shpëtuar atë nga vuajtjet!”[12] Menjëherë pas vendimit u zgjodh komisioni organizator i vullnetarëve i përbërë nga: Kristo Kirka, Kol Rodhja, Kol Tromara, Kostë Çekrezi dhe Vangjel Sotiri[13], komandant i përgjithshëm i Trupave u caktua Aqif Përmeti, ushtarak karriere dhe filloi organizimi dhe stërvitja e trupave.

Në vitin 1916, u dërgua në Londër delegati i parë i “Vatrës”, Mehmet Konica, i cili krijoi Komitetin “Miqtë e Shqipërisë”, ku bënin pjesë personalitete të shquar si A. Herbert, E. Aubrey, E. Durham, C. Woods etj. Këta miq të Shqipërisë, u bënë mbrojtësit më të mëdhenj të të drejtave të kombit shqiptar. Në 1917 u dërguan dhe dy delegatë të tjerë, M Turtulli dhe Nikolla Kasneci. Në vazhdim të përpjekjeve, gjatë vitit 1917, “Vatra” kërkoi të vendoste kontakte e të bashkëpunonte me Foreign Office të Mbretërisë së Bashkuar, me qëllim që të ushtronte ndikim në favor të Shqipërisë. “Vatra” i propozoi qeverisë britanike dërgimin e dy regjimenteve me vullnetarë shqiptarë nga Amerika, për të luftuar në Ballkan, madje ajo kishte organizuar 3000 – 4000 forca vullnetare, por propozimi nuk u mbështet nga Foreign Office.[14] 

Megjithatë, “Vatra” nuk i reshti përpjekjet për të shpëtuar Shqipërinë nga rreziku i shpërbërjes, gjatë Luftës së parë Botërore, ndonëse u vendos në kushte të vështira në mjedisin amerikan. SHBA-të kishin hyrë në luftë me Austro-Hungarinë dhe anëtarët e “Vatrës”, dyshoheshin si agjentë të saj[15]. Përveç situatës ndërkombëtare të pafavorshme, lëvizja kombëtare shqiptare në SHBA, duhej të orientohej mirë e të siguronte mbështetjen amerikane në realizimin e qëllimit kombëtar. Në këto kushte, hyrjen e SHBA-së në luftë, “Vatra” e vlerësoi si pozitive për çështjen shqiptare dhe u bëri thirrje emigrantëve shqiptarë të mobilizoheshin në ushtrinë amerikane. Mbi baza vullnetare, rreth 3000 emigrantë shqiptarë morën pjesë në ushtrinë amerikane[16], veprim ky i nxitur nga interesat kombëtare. Ata synonin të fitonin simpatinë amerikane e mbështetjen e saj në fund të luftës. Megjithatë në arenë nuk munguan as përplasjet e brendshme; grupi i Dakos, Gramenos, e Sevasti Qiriazit i ishte kundërvënë “Vatrës”[17].

Kur pavarësia dhe tërësia territoriale e Shqipërisë ishin në diskutim, gjithë potenciali intelektual dhe polititk i “Vatrës” u përfshi aktivisht si në Shqipëri ashtu edhe pranë kancelarive evropiane e në mjediset diplomatike ku po luhej drama shqiptare. Gjatë viteve 1917-1918, Vatra ka luajtur rolin e qeverisë së munguar të shqiptarëve, e njohur si qeveri në mërgim. Konica dhe të tjerë pohojnë se “Vatra”, për shumë kohë kishte zënë edhe vendin e guvernës, aherë kur guverna ose nuk ish akoma e formuar ose ish tepër e pafuqishme[18]. Kuptohet që kësaj “qeverie”, i mungonte aspekti territorial i shtetit që qeveriste, por ajo mbante kuvende si të ishin mbledhje parlamenti. Në kuvendin e korrikut 1917, “Vatra” protestoi hapur kundër Proklamatës italiane të 3 qershorit 1917 dhe në Rezolutën e saj ajo ushpreh për  “një Shqipëri me kufijtë e saj etnikë, me indipendencë mbretërore të plotë, një Shqipëri për shqiptarët, politikisht dhe ekonomikisht”[19]. Ndërsa nuk mund të mblidhte taksa si një qeveri e zakonshme, ajo mblidhte kontribute vullnetare nga shqiptarët e Amerikës. Aq shumë kontribute arrinte në atë kohë të mblidhte Vatra, sa dedektivët amerikanë dyshonin për financim të saj nga Austria[20]. Thirrjes së Vatrës për të krijuar një Fond Kombëtar (qershor 1917), shqiptarët e Amerikës iu përgjigjën me një zemërgjerësi të paparë. Vatra mblodhi 160.000 $. Të bënte përshtypje të thellë kur shikoje që punëtorët e fabrikave dhe shitës të vegjël jepnin rrogat apo fitimet e dy-tre muajve për çështjen kombëtare- shprehet K. Cekrezi[21]. Ndërkohë Mehmet Konica si përfaqësues i Vatrës në Europë mbante korrespondencë të rregullt me Vatrën, në guvernën e së cilës ai mbante postin e ministrit të jashtëm[22]. Qeveria e “Vatrës” me seli në Boston kishte këtë përbërje: kryeministër F. Noli, zv.kryeministër Kolë Tromara, ministër i Luftës Aqif Përmeti, ministër i Ekonomisë dhe Financave Loni Kristo, ministër i Brendshëm Koli Rrodhi, ministër i Punëve botore Kristo Kirka, ministër i Arsimit dhe Kulturës Kostë Çekrezi[23]. Kjo qeveri i mbante mbledhjet në zyrat e Vatrës në Boston.

Në mars 1918, Noli i dërgoi një memorandum presidentit amerikan, ku denonconte protektoratin italian të Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe “Vatra” ia kishte dalë të njihej si komunitet diaspore dhe Fan Noli, si udhëheqës i saj, u ftua në takimin e presidentit Wilson me përfaqësues të 30 kombësive në SHBA, në festimet e 4 korrikut 1918. Gjatë këtij  takimi, Noli mori premtimin e presidentit Wilson se do të përkrahte çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes. Hapat diplomatike të “Vatrës” ishin ngjitur në nivele të larta. “Vatra” u vu në krye të përpjekjeve për të siguruar përkrahjen e SHBA-së në zgjidhjen e çështjes shqiptare. Që përpara mbarimit të luftës, në mars 1918, ajo shprehte dëshirën e shqiptarëvë për restaurimin e pavarësisë me asistencën e një fuqie të madhe, e cila mund të ishte SHBA, “i vetmi shtet tek i cili shqiptarët mund të kishin besim të plotë”[24]. Qëndrimi i shprehur fillimisht nga “Vatra”, për një mandat amerikan në territorin e kontestuar në jug të Shqipërisë, u shpreh në mars 1919, në Konferencën e Paqes edhe nga kryeministri shqiptar, Turhan Pashë Përmeti. Në nëntor 1918, kur delegacioni amerikan po përgatitej për të shkuar në Paris, Noli, në emër të “Vatrës” i drejtoi një memorandum presidentit Wilson, Sekretarit të Shtetit, Lancing dhe Ministrave të Jashtëm të Fuqive Aleate, ku kërkohej rivendosja e pavarësisë së Shqipërisë, bazuar në parimet fisnike të shpallura në programin e presidentit Wilson[25].

Në prag të Konferencës së Paqes, “Vatra” organizoi delegacionin e saj në Evropë, me anëtarë Fan Nolin, A. Lorechio, Rasih Dino, T. Erickson, A Herbert. Aktiviteti diplomatik i delegacionit të “Vatrës” gjatë zhvillimit të Konferencës së Paqes, ishte intensiv. Vlen të përmendim, takimet e Mehmet Konicës me diplomatë italian; kontributin e tij në organizimin e Kongresit të Durrësit; memorandumi dërguar ambasadës franceze në Washington (16 janar 1919), me anë të së cilit kërkohej që Korça t’i mbetej Shqipërisë; memorandumi i 3250 shqiptarëve ortodoskë të SHBA-së, dërguar Konferencës së Paqes, ku denoncohej veprimtaria antishqiptare e diplomacisë greke, memorandumi i 52 kishave shqiptare të Amerikës në mbrojtje të popullsisë ortodokse të Shqipërisë së Jugut, që konsiderohej greke nga qeveria e Athinës; memorandumi i prillit 1919, që denonconte protektoratin Italian dhe synimet e Italisë për të aneksuar Vlorën.[26]

Po kaq e rëndësishme ishte dhe veprimtaria propagandistike, artikujt e shumtë në shtypin shqiptar dhe atë amerikan, polemikat me ambasadën greke në SHBA dhe Lidhjen e Miqve të Greqisë në SHBA. Gjatë zhvillimeve të Konferencës, “Vatra” organizoi dhe disa mitingje, me pjesëmarrje të gjerë, konferenca, leksione të hapura në universitete të njohura amerikane, ku kërkohej ruajtja e tërrësisë territoriale të Shqipërisë, njohja e pavarësisë së saj. Me anë të kësaj veprimtarie synohej të fitohej simpatia dhe mbështetja e oponionit amerikan. Në fund të të gjitha përpjekjeve të papërkulura të shqiptarëve një nga qëllimet kryesore të lëvizjes kombëtare shqiptare ishte arritur, shpëtimi i pavarësisë së Shqipërisë dhe ruajtja e tërësisë territoriale, të paktën të në kufijtë e viteve 1913. Më 9 nëntor 1921 u bë publik vendimi i Konferencës së Ambasadorëve të Parisit i cili shpallte njohjen e qeverisë shqiptare si qeveri e një shteti sovran dhe të pavarur, konfirmonte kufijtë e vitit 1913, me disa rektifikime të vogla, por që nuk preknin thelbin.

3. Kontributi i “Vatrës” dhe vatranëve në fazat e para të ndërtimit të shtetit

Vatranët nuk u mjaftuan vetëm në përpjekjet e tyre diplomatike e propagandistike, por për t’i ardhur në ndihmë qeverisë shqiptare, “Vatra” dërgoi në Shqipëri ndihma në të holla dhe Trupën Vullnetare, për t’u vënë në shërbim të Shqipërisë në ato kohë të vështira. Me në krye, Aqif Përmetin, Trupi i Vullnetarëve, mbërriti në Shqipëri në 2 prill 1920, “për mbrojtjen e kufijve dhe stabilizimin e qeverisë së saj”[27]. Gjetja më interesante në këtë kontribut ishte shoqërimi i këtij Trupi, me Bandën muzikore “Vatra”, të përbërë nga muzikantë amatorë dhe profesionistë, të udhëhequr nga mjeshtri Thoma Nasi. Rrugëtimi i tyre drejt atdheut ishte i lidhur me një ndjenjë të fortë patriotizmi, entuziazmi dhe shprese për ta bërë Shqipërinë. Ll. V. George, i cili mori pjesë në Kuvendin e shtatë të Vatrës si delegat dhe regjistroi veten dhe 4 shokë nga dega 43, si vullnetarë të Gardës Civile, për të ardhur në Shqipëri me shpenzimet e tyre, iu ngarkua detyra e sekretarit[28]. Në Ditarët e mbajtur prej tij përshkruhet rruga e ndjekur nga Trupi Vullnetar, Banda e “Vatrës” dhe ngjarjeve që i shoqëruan gjatë veprimtarisë në Shqipëri. Në një intervistë me djalin e tij, Kristaq Jorgji, i cili i ka përmbledhur dhe botuar “Ditarët”, tregon sesa entuziast ishte babai i tij kur fliste për atë periudhë, kur ata me nga një sënduk me vete hipën në anijen “Canada” dhe u nisën për në atdhe.

Trupi Vullnetar dhe Banda muzikore mbërritën në Durrës, ku Banda dha koncertin e saj të parë. “Ardhja e Trupës vullnetare dhe Bandës “Vatra” e forcoi më tepër besimin e popullit te qeveria e Tiranës dhe kjo ishte mbështetje që i jepej drejtëpërsëdrejti asaj”[29] – shprehet Vasil Tole, në librin e tij “Banda kombëtare “Vatra” një histori unike shqiptaro – amerikane”. Banda “Vatra” udhëtoi, dha koncerte, ngjalli shprese e gëzim, përhapi mesazhe atdhedashurie e vlera të larta kulturore thuajse në çdo qytet të Shqipërisë. Ajo qendroi në Tiranë, në Elbasan, në Berat, Gjirokastër, Tepelenë, Delvinë, Sarandë, Nivicë, Lukovë, Përmet, Shkodër, Vlorë, Korçë, etj. Kudo u prit me gëzim dhe entuziazëm të pashoq.

Kur në 27 maj, Trupa vullnetare dhe Banda “Vatra” mbërriti në qytetin e Korçës, qyteti dhe banorët e tij vuanin nga frika dhe pasiguria, Konferenca e Paqes ende nuk kishte vendosur fatin e qytetit. Pretendimet dhe veprimet e autoriteteve greke për ta konsideruar Korçën të tyren dhe tërheqja e trupave franceze nga qyteti e vendosnin atë në pozitë të vështirë. Me koncertet e saj në çdo lagje dhe pranë çdo përfaqësie të huaj të ndodhur në qytet, Banda “Vatra” përcillte bukur, përshfaqte në mënyrën më të kulturuar ndjenjat atdhetare shqiptare të banorëve të Korcës, që këndonin bashkë me të himnin shqiptar dhe këngët e bukura shqiptare, krahas interpretimit të simfonive të njohura botërisht. Banda u bë ambasadorja dhe frymëzimi i korçarëve, që luftonin për të mbrojtur identitetin e tyre.  Nëpërmjet ndikimit të saj sidomos në Korçë, “Vatra” arriti të ndërtonte një mjedis të fortë nacionalist përballë përpjekjeve të një pakice filogrekësh në këtë qytet që krijonin vazhdimisht alibi për përbërjen etnike dhe atë gjuhësore të këtij komuniteti që jetonte përgjatë kufirit[30].

Trupi Vullnetar i “Vatrës” u bë barrikada e parë në mbrojtje të kufijve jugore të Shqipërisë. Trupi Vullnetar plotësonte një varg detyrash të ushtrisë kombëtare shqiptare, duke rritur prestigjin e shtetit shqiptar. Në qershor ata u bashkuan në Luftën e Vlorës, që u bë simbol i qëndresës popullore. Krahas “Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare” për Vlorën, nën komandën e Aqif Përmetit, 120 anëtarë të Trupës Vullnetare si dhe 250 vullnetarë të ardhur me ta nga Korça, luftuan për çlirimin e Vlorës. Banda “Vatra” do të shoqëronte shqiptarët gjatë luftës së Vlorës dhe siç shprehej F. Noli “do të mbante lart moralin e tyre”[31]. Himni i kënduar prej saj do të ndizte peshë zemrat e luftëtarëve. Kënga himn “Vlora-Vlora” është kompozuar, në ditët që zhvillohej lufta, nga drejtuesi i bandës së “Vatrës”, Thoma Nasi, mbi vargjet e Ali Asllanit.* Më 3 shtator luftëtarët e ngazëllyer për fitoren, hynë në Vlorë, të udhëhequr nga Banda “Vatra”. Banda u shndërrua nga një orkestër frymore normale në një bandë kombëtare të natyrës ushtarake.[32]

Trupi Vullnetar i Vatrës formoi Gardën Kombëtare të Shqipërisë dhe pas një shërbimi të vyer, bërë atdheut, me urdhër nga Komanda e Ushtrisë së Korçës, Trupi Vullnetar lirohet[33]. Komandanti i saj, Aqif Përmeti, vazhdoi të qendrojë në Shqipëri. Gjatë viteve 1920 – 1924 ai shërbeu me patriotizëm si komandant i lartë në ushtrinë shqiptare, dhe në vitet e mëvonshme vuri në shërbim të vendit përvojën e tij ushtarake, për të organizuar xhandarmërinë shqiptare.[34]

Banda “Vatra” qendroi pjesën tjetër të kohës kryesisht në Korçë dhe Tiranë. Në Korçë ajo filloi të jepte koncerte të hapura dy herë në javë. Programet e saj përmbanin muzikë klasike si dhe aranzhime këngësh shqipe, për t’u kënduar nga masa e njerëzve. Me mijëra banorë të Korçës i ndiqnin këto koncerte dhe duartrokitjet e tyre ishin të stuhishme. Kontributi i Bandës për jetën kulturore të Korçës është i pashoq. Profesor Nasi, me shpirtin e vet plot dashuri për muzikën dhe shumë vullnet, nxiti dhe ndihmoi në formimin e koreve muzikore, trupave teatrale, shoqërive artistike. Me ide dhe nismë të tij, në dhjetor 1920, në Korçë u themelua Shoqëria e “Arteve të bukura”, një organizim i madh, me veprimtari në fushën e muzikës, teatrit dhe arteve figurative. Shoqëria kishte në bërthamë të saj anëtarët e bandës muzikore “Vatra” dhe grumbulloi rreth vetes amatorë në fusha të ndryshme. Veprimtaria e suksesshme dhe e larmishme e Shoqërisë së “Arteve të bukura” vazhdoi deri në vitin 1925, kur u detyrua të ndërpritet për shkak të mungesës së fondeve. Përveç se gjallëroi jetën kulturore dhe nxiti lindjen e talenteve, mbi modelin dhe përvojën e saj u krijua në Korçë, në vitin 1928 Kori “Lyra” (që funksionon ende edhe sot). Falë këmbënguljes dhe vizionit të Thoma Nasit, në Korçë u krijua edhe orkestra simfonike, e para dhe e vetmja në Shqipëri. Koncertin e saj të parë Orkestra e dha në 6 prill 1924.[35] E gjithë veprimtaria e Thoma Nasit, përvecse artistike, ishte mbi të gjitha patriotike, ai donte t’i paraqiste shqiptarët evropiane, si në art, kulturë, gjuhë e histori. Ai qëndroi dhe punoi në Korçë deri më 1925, më pas u transferua në Tiranë, ku themeloi Bandën Presidenciale Shqiptare. Në kryeqytet Th. Nasi qëndroi vetëm një vit për t’u larguar përfundimisht në Amerikë më 1926.

Shqipëria e viteve ’20 përballej me sfida të shumta; interesat konfliktuale të shteteve fqinjë, pa aleatë të drejtëpërdrejtë ndërkombëtarë, me një profil të dobët ekonomik, me çështjen kombëtare të zgjidhur përgjysmë, pa eksperiencë shtetformuese, me disa segmente të kufirit të pacaktuar përfundimisht, me një histori të gjatë të të qënit e pushtuar, me një shoqëri që vuante nga konfliktet për pushtet midis familjeve të mëdha bejlere[36]. Gjatë këtyre zhvillimeve historike të kombit shqiptar, “Vatra” dha kontributin e saj në politikë të drejtpërdrejtë, në diplomaci, në arsim dhe në zhvillimin kulturor, aq të nevojshëm për një shoqëri që synonte përparimin si komb. Pas Kongresit të Lushnjes, “Vatra” e përqendroi veprimtarinë e saj në njohjen ndërkombëtare të qeverisë së Sulejman Delvinës, forcimin e lidhjeve me institucionet shtetërore shqiptare dhe luajti një rol aktiv në ndërtimin dhe demokratizimin e shtetit të ri shqiptar.

Qeveria e S. Delvinës, duke njohur kontributet e komunitetit shqiptaro – amerikan, autorizoi “Vatrën” të zgjidhte një deputet në Kuvendin e Shqipërisë, gjë që iu besua Nolit. Veçanërisht i çmuar është kontributi i Nolit në anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombëve, më 17 dhjetor 1920. Sipas Arben Putos, Noli si kryetar i delegacionit shqiptar, bëri punën e një diplomati të përkryer[37] me takimet paraprake me anëtarët e Sekretariatit të Lidhjes, me kontaktet me shtypin dhe fjalimin e tij elokuent në Asamblenë e Lidhjes. Vetë Noli e cilësonte anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve si fitoren e tij më të madhe. Pas kësaj Noli u emërua përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Sipas teorisë së të drejtës ndërkombëtare, pranimi i një shteti në Lidhjen e Kombeve, është konsideruar si një formë e njohjes kolektive e shtetit të pranuar.[38] Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve ripohonte statusin e Shqipërisë si shtet i pavarur.

Në fund të Luftës së Parë Botërore u kthyen në Shqipëri rreth 15.000 emigrantë[39] nga SHBA, një pjesë e të cilëve u përfshinë aktivisht në jetën politike, arsimore dhe kulturore. Kristo Floqi si vatran i hershëm ishte kthyer më herët në Shqipëri e kishte jetuar këto ngjarje nga brenda, e quan vitin 1920 si vitin shpëtimtar të Shqipërisë.[40] Kontributi i vatranëve në ngritjen e institucioneve shtetërore dhe demokratizimin e vendit sipas modelit amerikan, në Shqipërinë e viteve ’20 është i çmuar.  

Në Këshillin Kombëtar emëruar nga Kongresi i Lushnjes, 3 anëtarë ishin të ardhur nga “Vatra”, Kostaq Kota, Sotir Peci dhe Fazlli Frashëri. Në Këshillin Kombëtar, dalë nga zgjedhjet e vitit 1921 (zgjedhjet e para parlamentare në vend) nga 78 deputetë, 8 ishin vatranë, Kristo Floqi, Kristo Dako*, Sotir Peci, Fan Noli, Bahri Omari, Loni Kristo, Kristo Kirka, Koli Rrodhe (mori mandatin pas emërimit të S. Pecit në Këshillin e Lartë) Skena politike dominohej nga dy parti politike, Partia Përparimtare dhe Partia Popullore e kryesuar nga Fan Noli. Përfaqësuesit e Vatrës ishin angazhuar në të dyja partitë politike. Në Kuvendin Kushtetues (1924 – 1925) dalë nga zgjedhjet tetor – dhjetor 1923, nga 102 deputetë, 5 ishin vatranë, Bahri Omari, Kostaq Kota, Faik Konica, Fan Noli dhe Kolë Tromara. Ata u zgjodhën përfaqësues të popullit në institucionin ligjvënës, falë mbështetjes që gëzonin në popull. Përfaqësuan kryesisht popullsinë e prefekturës së Korçës, Dibrës, Vlorës dhe Gjirokastrës. Pothuajse në çdo qeveri që ushtroi detyrën në vitet 1920 – 1925, kishte të paktën një ministër, që vinte nga “Vatra”. Diplomatët e parë të shtetit shqiptar vinin nga rradhët e vatranëve, Mehmet Konica shërbeu si Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Britaninë e Madhe, Faik Konica shërbeu si Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA, Fan Noli ishte përfaqësuesi i parë i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve e pas tij Rasih Dino. Angazhimi i vatranëve ishte po kaq i rëndësishem në administratën lokale, duke mbajtur postet e prefektit, si Kostaq Kota, Kolë Tromara, Kristo Kirka dhe Koli Rodhe. Jo më pak i rëndësishëm ishte kontributi i Andon Frashërit, si Sekretar i Përgjithshëm i kabitetit qeveritar të Nolit, apo Nik Dishnicës si drejtor i Policisë në Korçe gjatë qeverisjes së P. Evangjelit. Në jetën politike ata ishin aktivë dhe forcuan pluralizmin politik duke krijuar parti apo organizata politike, që u bënë alternative politike e rëndësishme, apo opozitë e hekurt, të tilla si, Partia Demokratike-Nacionale, Partia Liberale, Bashkimi Kombëtar, KONARE etj. Kristo Dako së bashku më Sevasti e Parashqevi Qiriazin veç kontributit politik dhanë kontribut të çmuar në fushën e arsimit. Morën pjesë në kongreset arsimore në vitet 1920 – 1922, hartuan programe e tekste shkollore, ndërtuan Institutin e vajzave Kiriaz dhe ndihmuan në emancipimin e vajzave shqiptare. Koço Kota, gjithashtu, hartoi tekstin e matematikës për tre klasat e para fillore[41].

Federata “Vatra” me veprimtarinë e saj atdhetare e kulturore, në SHBA e në Shqipëri, u bë vatër e rëndësishme e kulturës kombëtare, ajo ndikoi e ndihmoi në formimin e shoqërisë civile në Shqipëri. U bënë përparime të rëndësishme në fushën e teatrit, letërsisë, muzikës, falë kontributit të vyer të Fan S. Nolit, Faik Konicës, Kristo Dakos, Kristo Floqit, Thoma Nasit, etj Federata “Vatra”, më 20 korrik të vitit 1921, do të ndizte zjarrin e dijes në qytetin e Korçës, dhe me një tjetër kontribut të çmuar, krijimin e “Bibliotekës Popullore”, e para e këtij lloji në Shqipëri. Biblioteka, drejtohej nga sekretari i qendrës së Vatrës, Miçe Frashëri dhe fondi i saj fillestar ishin botimet e Federatës “Vatra” dhe dhurimet prej saj.

Në emancipimin e shoqërisë ndihmoi veprimtaria e gjerë letrare e publicistike e vatranëve. Ata botuan e drejtuan në Shqipëri gjatë viteve ’20 gazeta / revista të tilla si “Bota e Re”, “Agimi” “Telegraf”, “Ora”, “Shekulli”, “Indipendenca shqiptare”, të cilat u bënë pasqyrë e jetës social – politike, kritikët më të mëdhenj të padrejtësive, mbrojtësit më të vendosur të demokracisë, promovuesit më të flaktë të artit dhe kulturës. Letërsia në të gjitha zhanret e saj u pasurua falë kontributit të Kristo Floqit, Fan Nolit, Faik Konicës, Kostë Cekrezit, të cilët kontribuan edhe në studime historike, gjeografike dhe antropologjike.

Vatranët dhanë kontribut të gjithanshëm dhe u shquan për atdhetari.Një pjesë e tyre u larguan nga Shqipëria në vitin 1925, ndërsa të tjerë vazhduan kontributin e tyre politik, e jo vetëm, në Shqipëri. Një pjesë e tyre, patën fatin tragjik të arrestoheshin, të vuanin në burgjet komuniste apo të ekzekutoheshin. I tillë ishte fati i Andon Frashërit, Kolë Tromaras, Kristo Kirkës, Koli Rodhes, Aqif Përmetit, Kostaq Kotës, Kristo Floqit, Bahri Omarit etj.

Përfundime

Me 17 nëntor 1921, Komisionieri i qeverisë shqiptare në Uashington, Kostë Çekrezi, dorëzoi kërkesën për njohje në Departamentin e Shtetit. Kërkesa u përsërit nga qeveria shqiptare në 7 qershor 1922. Ishte Noli që, në detyrën e Ministrit të Jashtëm në qeverinë e Xhafer Ypit, nënshkroi në janar 1922, notën zyrtare të qeverisë shqiptare, që kërkonte vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA. Qeveria e SHBA dërgoi në Shqipëri përfaqësuesin e saj jo-zyrtar Maxwell Black, me një mision hetimi paraprak për situatën politike në Shqipëri pas mbërritjes së kërkesës së qeverisë shqiptare për njohje. Me 28 korrik 1922, ai i dorëzoi Xhafer Ypit, në cilësinë e Kryeministrit të vendit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, notën e njohjes së qeverisë shqiptare nga SHBA. Deri në vendosjen e marrëdhënieve të rregullta diplomatike Black do të qëndronte në Shqipëri si Komisionier i SHBA në rangun e Ministrit të Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë të SHBA. Në fillim të dhjetorit 1922 mbërriti në Tiranë përfaqësuesi i parë diplomatik i qeverisë amerikane U.Grant-Smith, në cilësinë e Ministrit të parë Fuqiplotë dhe të Jashtëzakonshëm të SHBA në Shqipëri. Deri në prill 1922 qeveria shqiptare u përfaqësua nga Komisionieri Çekrezi në Washington e më pas nga konsujt e saj në New York, Koço Tashko e Abdi Sula. Në korrik 1926 u emërua Ministri i parë Fuqiplotë dhe i Jashtëzakonshëm shqiptar në Uashington, Faik Konica, i cili hapi Legatën shqiptare në SHBA.

Edhe pse zyrtarisht marrëdhëniet Shqipëri – SHBA u vendosën në vitin 1922, falë veprimtarisë së kolonive shqiptare në SHBA dhe “Vatrës” në mënyrë të veçantë, bashkëpunimi shqiptaro – amerikan është më i hershëm. Veprimtaria e ngjeshur e “Vatrës”, (e përshkruar më sipër), krijimi i Kishës Autoqefale shqiptare, mitingjet, leksionet e hapura, veprimtaria publicistike, klubet muzikore e teatrale e kishin bërë të njohur Shqipërinë, popullin shqiptar, kulturën shqiptare e çështjen shqiptare në opinionin amerikan. Imazhi i njerëzve të punës, njerëzve të shkolluar, njerëzve të mirë dhe të drejtë, që shqiptarët e Amerikës përcillnin në opinionin dhe institucionet amerikane ishte kontributi më i vyer që komuniteti shqiptar i Amerikës i ka bërë Shqipërisë. Takimet, memorandumet, lobimet e shumta kishin vendosur kontaktet politike mes shqiptarëve të SHBA-së dhe institucioneve shtetërore amerikane që në fillim të shekullit të XX-të. “Vatra” fliste e vepronte në emër të institucioneve shqiptare, apo në emër të shqiptarëve në mungesë të institucioneve shtetërore kombëtare, ndaj veprimtaria e saj ishte një fillim i mbarë dhe i rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri – SHBA.

Referenca


[1] Kostë Cekrezi, Shqipëria, e shkuara dhe e tashmja, (Tiranë, ShB Naimi: 2012),.266

[2] Po aty, 266

[3] Po aty, 271

[4] Nicholas C. Pano. Fan Noli, komuniteti shqiptaro – amerikan dhe Shqipëria, në “100 vjet pavarësi”, Vell II (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2014) 491

[5] Kostë Cekrezi, Shqipëria, e shkuara dhe e tashmja, (Tiranë, ShB Naimi: 2012), 269

[6] Faik Konica, Vepra 2, (Tiranë, Dudaj: 2001) 226-227

[7] Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, Vëll. I, (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2017), 547

[8] Kristaq LL. Jorgji, Ditarët e Llambi Vaskë Jorgjit, (Shtypshkronja Koti, Korçë: 2014),79-81

[9] Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, Vëll. I, (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2017) 545

[10] Kristaq LL. Jorgji, Ditarët e Llambi Vaskë Jorgjit, (Shtypshkronja Koti, Korçë: 2014).15

[11] Cit. Nasho Jorgaqi, Roli i Fan Nolit në marrëdhëniet shqiptaro – amerikane, në “Fan S. Noli ne 130 vjetorin e lindjes (Promo print, Korçë: 2012) 14

[12] Cit. Dalip Greca, Histori shqiptaro-amerikane / Një patriot si Kol Rodhe që la Shqipërinë për Amerikën,  [online] i disponueshëm në: https://inforculture.info/2021/06/22

[13] Po aty

[14] Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, Vëll. I, (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2017) 557

[15] A. Alibali, Faik Konica, Dritëhijet e një diplomati, (Argeta LMG, Tirane: 2016)   53

[16] Cit.  Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, Vëll. I, (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2017) 555

[17] A. Alibali, Faik Konica, Dritëhijet e një diplomati, (Argeta LMG, Tirane: 2016)   57

[18] Cit. A. Alibali, Faik Konica, Dritëhijet e një diplomati (Argeta LMG, Tirane: 2016) , f.264,

[19] Cit.  Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, Vëll. I, (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2017) 408

[20] A. Alibali, Faik Konica, Dritëhijet e një diplomati, (Argeta LMG, Tirane: 2016)  60

[21] Kostë Cekrezi, Shqipëria, e shkuara dhe e tashmja, (Tiranë, ShB Naimi: 2012),273

[22] A. Alibali, Faik Konica, Dritëhijet e një diplomati, (Argeta LMG, Tirane: 2016)  60

[23] Po aty

[24] Cit. Arben Puto, Shqipëria politike 1912 – 1939 (Toena, Tiranë: 2009) 240

[25] Arben Puto, Shqipëria politike 1912 – 1939 (Toena, Tiranë: 2009) 214

[26] Po aty, 558 – 561

[27] Kristaq LL. Jorgji, Ditarët e Llambi Vaskë Jorgjit (Shtypshkronja Koti, Korçë, 2014) .20

[28] Po aty

[29] Vasil Tole, Banda kombëtare “Vatra” një histori unike shqiptaro – amerikane (Kristalina-KH, Tiranë: 2020) 81

[30] Nuçi Koti, Kufijtë Jugorë të  Shqipërisë, 30

[31] Cit. Vasil Tole, Banda kombëtare “Vatra” një histori unike shqiptaro – amerikane (Kristalina-KH, Tiranë: 2020) 99

* Vec saj Th. Nasi kompozoi dhe këngë të tjera patriotike, të shndërruara në himn, siç ishte “Marshi i Korçës” dhe “Marshi mbretëror”, një kompozim mbi tekstin e Kristo Floqit, kushtuar Ahmet Zogut, të cilin ky i fundit e bëri marsh mbretëror pas shpalljes së monarkisë

[32] Vasil Tole, Banda kombëtare “Vatra” një histori unike shqiptaro – amerikane (Kristalina-KH, Tiranë: 2020) 85

[33] Kristaq LL. Jorgji, Ditarët e Llambi Vaskë Jorgjit (Shtypshkronja Koti, Korçë, 2014)  177

[34] Eugen Shehu, Aqif Përmeti…me vision atdhetar, [online] i disponueshëm në: https://www.radiandradi.com

[35] Vasil Tole, Banda kombëtare “Vatra” një histori unike shqiptaro – amerikane (Kristalina-KH, Tiranë: 2020) 138

[36] Pranvera Dibra, Dilemat e diplomacisë angleze për pavarësinë e Shqipërisë, në rrethanat e krizës politike shqiptare 1921 – 1925, në “100 vjet pavarësi”, Vell II (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2014), 25

[37] Arben Puto, Historia diplomatike e cështjes shqiptare 1878 – 1926, (Titane, Dudaj: 2010) 292

[38] Po aty, 321

[39] Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, Vëll. I, (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2017), 547

[40]  Jonela Spaho, Kristo Floqi, koha dhe vepra e tij letrare (OMBRA GVG, Tiranë: 2020) 114

* Edhe pse në vitin 1916, për shkak të mosmarrëveshjeve, Dako u shkëput nga “Vatra” dhe krijoi Partinë Poitike në Boston. Kristo Dako ishte përkrah Nolit, Floqit, Pecit dhe Konicës, ndër anëtarët e parë të Federatës “Vatra”, ndaj e kemi renditur këtu, përkrah të tjerëve.

[41] Harallamb Kota, Koco Kota, për një Shqipëri oksidentale, (Morava, Tiranë:2017)260

Filed Under: Vatra Tagged With: Dr. Adelina Nexhipi, Dr. Ardiana Miçi

Letërkëmbimet në mes të Mustafa Merlika Krujës dhe Kapidanëve të Mirditës Gjon Marka Gjoni dhe djemve Mark e Ndue Gjon Marku

July 30, 2022 by s p

Nue Oroshi/

Letërkëmbimet në të kaluarën kanë luajtur një rol shumë të rëndësishem, dhe kanë qenë mjaftë interesante, ku letërshkruesit kanë njoftuar njëri-tjetrin dhe kan diskutuar së bashku në mes vete per shumë gjëra interesante që kanë ndodhur ne arealin shqiptarë.Një letërkëmbim mjaftë interesant dhe shumë permbajtësor ka ndodhur në mes të Kryeministrit Mustafa Merlika – Kruja dhe Derës se Kapidanëve të Mirditës. Ky letërkëmbim ka filluar me një letër që Kryeministri i Shqipërisë Etnike Mustafa Merlika – Kruja i dërgon komandantit legjendar të Shqipërisë Etnike Kapidan Mark Gjon Markut në Shqiperi ku e informon me situatën mjaft të vështirë që e kishin në luftë kundër komunizmit. Letërkëmbimet tjera zhvillohen në mes të Kapidan Gjon Marka Gjonit dhe djalit te ti Kapidan Ndue Gjon Markut. Këta i dërgonin letra Mustafa Krujës nga Roma kurse ai i kthente letrat nga Alakesandria. Është interesant se përmbajtja e këtyre letrave ishte e nivelit shumë të lartë kulturor dhe atdhetar.Ata në mes vete kishin shumë brenga që i diskutonin së bashku. Brenga e parë ishte mënyra se si të lirohet Shqipëria nga Komunizmi. Për këtë ishin përpjekjet për themelimin e një Komiteti ku do të merrnin pjesë katër partitë kryesore: Bloku Kombtar Independent , Legaliteti , Balli Kombëtar dhe Lidhja e Dytë e Prizrenit (Grupi Kosovar). Për këtë Komitet të shpëtimit të Shqipërië nga komunizmi kishin harxhuar shumë kohë nacionalistat por që tentohej të bëhej me ndihmën e amerikanëve dhe anglezeve.

Kapidan Ndue Gjon Marku për çdo lëvizje politike dhe takime që kishte Bloku Kombëtar Independent e njoftonte me përkushtim Kryeministrin Mustafa Merlika – Kruja dhe ky i kthente përgjigje duke i dhenë edhe këshilla e sugjerime se si te veprohej. Në letrën e dërguar nga Roma më,  13 – V – 1949 ndër të tjëra shkruan:

” I dashtuni Mustafë,me Herbert jemi takue, ka ardhë vetë me na bâ vizitë e na ka ftue edhe për mjesditë. Folëm gjanë e gjatë. Shef nevojën e madhe për nji bashkim të shqyptarve e sa mâ parë. Tha qi Shqypnija âsht në rrezik me u dá dyshë, prej Jugosllave e prej Grekve. Shkuem prap për së dyti me Ernestin e kemi ndejë mâ tepër se nji orë e gjysë. Ballistat janë bâ me dalë mêndësh pse nuk e kishin besue qi Herberti t’u shifte me né (!) e bilé të na thirrte për bukë. Këto fjalë sigurisht i a u ka thanë edhe ballistave; por ballistat….. Edhe protokollin e Alexandrís Bazi nuk e njef!! “

    Kurse në përgjigjen që i kthen Kryeministri Mustafa Kruja nga Alexandria më 19 Qershor 1949 lidhur me formimin  e komitetit në mesin e shumë këshillave ai i propozon edhe këto“çështje: ” Fort i dashtuni Kapidan, Jam i mendimit qi Komiteti të përbâhet prej katër kryetarvet: Midhati, Ismaili, Bazi e Xhaferi. Po s’u afrue Midhati kujtoj se duhet t’i a zânë vêndin Koço Muka, qi mbyll edhe nji shteg në Komitet si ortodoks. Se njimênd, na kemi edhe këto halle: Gegë e Toskë, katoliq e myslimanë. Mirë do t’ishte me i shikue edhe këto sa të jetë e mundun, sidomos edhe pse âsht bâ si traditë nëpër Kshillin e Regjencës qyshë në 1920 e deri në atê të 43-s. Sa për katolik, problema do t’ishte lehtë me u zgidhun tue hŷ ti në vênt t’Ismailit. Ndërmjet ju të dyve s’ka të damë, jeni si njâni tjetri e me këtë sy ju shikojnë edhe bota qi ju njeh. Natyrisht keni për t’organizue edhe nji sekretarjat si duhet. Në qoftë se hŷn Midhati vetë, si ortodoks, e aqë mâ mirë qi âsht edhe himarjot, un kishem me proponue qi të shtini edhe Koçon për të pestë e të paanshëm, por si të ketë dhânë dorhjekjen prej Ballit.Ndoshta mund të ju dalë ndonji kundrështim për Xhaferin prej qarqeve të hueja me të cilat keni për t’u marrë vesht. Këtu âsht bâ çmos për t’a hjekun atë kundrështim. Por po qe se ka mbetun ende, janë dý rrugë: ase thirret Komiteti me nji emën qi nuk përmênd grupe, si me thânë Komiteti i Beslidhjes Shqiptare Antikomuniste, ase fundi i fundit në vênt të Xhaferit un po ju kujtoj Prof. Miftar Spahín qi âsht prej Lume e shumë djalë i mirë. Ky ka mbetun në Greqí, se s’e kanë lânë Grekët me dalë; por ju, po qe se shifet me udhë, mund t’a nxirni. “

Vlenë të përmendet fakti se gjatë këtyre letërkëmbimeve asnjëherë nuk harrohët të përmendet Kosova ku edhe përkundër kundershtimeve që Xhafer Deva të jetë pjesë e këtij komiteti Kapidan Ndue Gjon Marku dhe Mustafa Merlika – Kruja gjithnjë këmbngulnin që pjesë e këtij komitetit të jetë edhe atdhetari Xhafer Deva. Gati nuk ka pasur letër që kanë këmbyer njëri me tjetrin pa e përmendur edhe çështjen e Kosovës.Kjo ishte për faktin se këta dy atdhetar Kosovën e konsideronin pjesë të Shqipërisë ashtu siqë ishte edhe zyrtarisht në periudhën kohore kur Kryeminister ishte Mustafa Merlika – Kruja.

Gjatë këtyre letërkëmbimeve kishte edhe shumë gjëra te dhimshme për vrasjet, torturat e burgosjet e familjarve të kapidan Gjon Marka Gjonit dhe Mustafa Krujës. Në letrën që i dërgon nga Roma më, 28 Maj 1952 Kapidan Ndue Gjon Marku i jep këto informacione kryeministrit Mustafa Merlika  – Krujës ku i shkruan:

” I dashtuni Mustafë,

Po të dërgoj kopjen e nji letre qi e kam marrë  e qi të përket ty. Ky qi shkruen asht i mirditas, i biri i Gjet Çupit në  Pshtjesh. Masi po vjen Aliu po t’a dërgoj me te për mos me i ra në dorë Gjelës sikur ajo qi kishe marrë disa kohë përpara prej nji miku prej Jugosllavije. Letrën po e kopjoj integralisht. Qe teksti:

            ” Kapidan ktu po të diftoj pak disa ngjarje si mundem me i dijtun. Së parit po të diftoj për familjen e Merlikajve të Krujes se i ké miq. Sef Merlika, Mani i Merës Man Merlikës janë vra në mal. Djali i Dinit të Xhiut të Fajës asht vra tue hi në kufinin e Grekis. Shita e Mera janë pushkatue, ndërsa Dalipi ka qenë dënue me vdekje por na gjallë e kemi pasë lanë. Në burg asht Faik Merlika e për tjerë Merlikaj nuk dij. Prap në Kru asht vra Ibrahim Kupi me nji djalë të vetin e me nji të qujtunin Ten Taga, fisi i Xhaferr Tagës dhe kta janë vra në rrethim e nuk janë kapë gjallë. Mandej janë vra nji Hasan Meça e Qamil Emiri. Pushkatue janë: Xheladin Kuqi, Myftar Kuqi, Haki Pengili, Shim Hoxha, Hasan Lef Zani, Sulejman Myrteza Qira e i vllai i Sejfulla Shimës nga Burizanej. Mandej janë pushkatue prej katundesh: Pal Mhill Ndoj me gjithë kushri prej Gallate, Frrok Mhill Rrika e Kolë Tota e Prengë Pirolli me gjithë kushri prej Zheje. Mandej janë vra: Zef Dodë Perjuka prej Mirdite e Fran Miri; kta të dy i ka pré djali i Aliut Dervishit prej Gjonmi të Krujës. I ka pré bashkë me nji farë Lutfi Meçen e Kadri Shanin prej shehrit të Krujës. Mandej asht vra Mark Pirroli, djali i  Lok Pirolit prej Zhejet. Ky asht vra me kapitenin e Sigurimit d.m.th. kanë vra njani tjetrin. Mandej asht pushkatueMark Miri me 14 gurzakë prej të cillve 7 Miraj.

Asht damtue randë Nikoll Ndré Bardhoku në Mal  të bardhë. Janë vra në mal dy djemt e Gjergjit e nji i Gjonit. Mandej asht vra në mal Isuf Taf Veliu prej Miloti. Lajmet e tjera po t’i shkruej me letër tjetër. 

            Kapidan, në mal prej rrethit të Krujës janë kta: Gjergji i Nikollë Ndré Bardhokut me 4 kushrit e tij d.m.th. 3 djelmt e Marka Gjok Lalës e djali i Ndrec Prengës, Preng Llesh Gjergji, Ndue Pal Gjin Pjetri e Geg Zef Nue Iseni, të tre prej Skurajsh. Djali i Pal Mhill Ndoit e Pjetër Nikollë Mhilli, Pjetër Marka Ndoj te kushrit e shpis Mhill Ndoit nga Kallata janë në mal. Gjon Lok Pirolli prej Zheje, Nikollë Arapi prej Laçi, vllau i jem Marka Gjet Çupi janë në mal e kshtu shuma bahet 13 vetësh qi janë nder male prej Kruje. Kta i kemi lanë në mal, tash nuk dij gja a janë a jo, por besoj se veç janë shtue se edhe disa të tjerë kan qenë me kamë në derë.“

            Ky qi na shkruen asht prej Mirdite  e njofim shumë mirë, prandej të gjitha ato qi thotë janë të vërteta sepse nuk asht nji njeri qi rrenë. Lajmet janë aman sa t’idhëta por nuk kemi se shka me ba. Veç Gjelës mos i kallxò.

     Edhe pse i jepte në këtë letër lajme mjaft të hidhura Mustafa Krujës, Kapidan Ndue Gjon Marku nuk harronte që ta këshilloj se këto informacione të dhimshme mos ta njoftoj të motrën e ti Xhela Muka, që gjatë tërë kohës në Aleksandri e kishte shoqëruar vëllain e ti Mustafa Krujën dhe pikërisht ishte kjo grua atdhetare e cila kishte ruajtur komplet shkrimet, studimet dhe dokumentet e Mustafa Merlika – Krujës dhe i kishte sjellur në Shqipëri.                                                                         

Është mbresëlënes sidomos kur Mustafa Merlika Kruja dhe Kapidan Ndue Gjon Marku përmes letrave komunikojnë për Gjenologjinë e Kapidanëve të Mirditës.I tërë ky diskutim dhe kjo analizë e hollësishme që mund ta bëjnë vetëm personalitetet që kanë njohuri shkencore si dhe janë të pajisur më të dhënat e traditës brez pas brezi, zhvillohet në letrën e Kapidan Ndue Gjon Markut të datës , 28 Maj 1952 e dërguar nga Roma, dhe letrës të Mustafa Merlika  – Krujës më 24 Kallnuer 1953 e dërguar në Romë nga Ramleh.Në këtë letër Kapidan Ndue Gjon Marku i spjegon të dhënat mbi Gjenologjinë e kapidanëve të Mirditës që rrjedhin nga Palë Dukagjini. Në këtë analizë shkencore Kapidan Ndue Gjon Marku e hedh poshtë pretendimin e disa studiuesve që thonë se familja e Kapidanëve të Mirditës kanë ardhur nga Pashtriku, apo siq quhej Bishtriku,por që ato pjesë të Pashtrikut i kanë shfrytëzuar për kullosa. Është interesant edhe përgjigjja e Mustafa Merlika Krujës i cili thotë se Familja e Kapidanve të Mirditës është familje Princore në Vete familja Gjomarku, dhe ai shkruan se kjo familje 13 breza kanë qenë në krye të Mirditës dhe e kanë udhëhequr më një përkushtim shumë të matur, në këtë letër Kapidan Ndue Gjon Marku i jep përgjigje Mustafa Krujës duke i thënë se në bazë të bartjes se tregimit familjar nëpër breza, shënimeve të profesor Zef Valentinit dhe shënimeve të At Nikollë Kimzës del se familja Gjomarku është me prejardhje nga familja e Lekë e Pal Dukagjinit, duke potencuar se i pari i tyre ishte Pali, a ka të bëj kjo me Pal Dukagjinin apo me Pal Kastriotin mbetët  një pikëpyetje. Në këtë debat Mustafa Kruja ka një sqarim mjaft interesant edhe për fjalën Kanuni i Lekë Dukagjinit, apo Kanuni i Skënderbeut.Ai potencon se Fjala Kanuni i Lekë Dukagjinit, dhe Kanuni i Skënderbeut është quajtur për faktin se ky Kanun ka qenë kanun autokton shqiptar dhe për tu dalluar nga Kanunet dhe ligjet e Perandorisë Osmane, ka marrë këta emra. Me këtë që thoshte studiuesi dhe largpamsi Mustafa Merlika Kruja ka nje logjikë mjaft interesante per studiuesit që do te merrën me derën e Kapidanëve të Mirditës  në të ardhmën. Për faktin se nga historia është i njohur edhe Pal Kastrioti, edhe për studimet dhe të dhënat e mevonshme se Gjergj Kastrioti ka lindur në Kaster të Mirditës dhe se po ashtu është kunorzuar në Mirditë.

Të gjitha këto komunikime që i kam studiuar në librin ” Kuvend Letrash me miqtë“ të përgaditura nga nipi i Mustafa Krujës i nderuari Eugjen Merlika, si dhe një pjesë të këtyre letrave i kam marrë edhe nga arkivi i Kapidan Ndue Gjon Markut nga e bija Bianca Gjomarkaj jep të kuptojmë se këto letra duhet ti studiojmë me një vëmndje te hollë se në çdo faqe dhe në çdo rresht paraqitën të dhëna interesante dhe shumë përmbajtësore, qoftë në aspektin e organizimit të mërgatës antikomuniste, qoftë analizat dhe studimet historike, pa lënë anash edhe shumë informacione të vrasjes, burgosjës, dhe internimeve të shumë familjeve atdhetare në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri.

Filed Under: Analiza Tagged With: Nue Oroshi

Nuk jepet me qera atdheu

July 30, 2022 by s p

Gezim Zilja/

Konferenca e ambasadorëve në Londër, mbajtur në 1912–1913 ishte një takim i gjashtë Fuqive të Mëdha të asaj kohe (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia). Më 29 korrik 1913, ambasadorët vendosën formalisht për të njohur  Shqipërinë si shtet sovran të pavarur nga Perandoria Osmane.  Konferenca mori vendime që prekën gjysmën e territorit, të banuar nga shqiptarë etnikë dhe rreth 40% e popullsisë shqiptare u la jashtë kufijve të Shqipërisë. Vilajeti i Kosovës iu dha Serbisë dhe Çamëria, Greqisë. Kur qeveria shqiptare u njoh me vendimet e Konferencës së Londrës, ministrat e qeverisë dhe të tjerë patriotë u mbodhën rreth Ismail Qemalit, me lutje e thirrma të forta, kërkuan që të kundërshtohej vendimi dhe të vazhdonin luftën për Kosovë e Çamëri. Plaku i urtë iu përgjigj: “Bijtë e mi! Në kushtet kur vetëm një pjesë e vogël e vatanit është nën qeverisjen tonë dhe në Jug ka pllakosur greku e në Veri sërbi ka mundësi të humbim edhe më shumë nga ajo që na kanë caktuar. Brezat që do të vijnë pas nesh në mos e zmadhofshin dot Shqipërinë le të mbajnë këtë që do tu lemë ne të njohur nga  Fuqitë e Mëdha.” 

Njëqindedhjetë vjet më vonë Shqipëria është më në rrezik se kurrë, për copëtimin, shkatërrimin, dhënien me qira dhe humbjen e kontrollit mbi 28.000 km2 e saj. Shqipëria rrezikon të humbas një pjesë të sipërfaqes detare me Greqinë. KM-ja ynë, ky piktor aventurier dhe antishqiptar si politikan i “madh” hedh në koshin e plehrave Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe e çon çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, pa ia kërkuar kurrkush. Me një servilizëm të paparë dhurohen hektarë të tërë lëndinash e fushash me bukuri mahnitëse në Këlcyrë e Përmet për varrezat e ushtarëve grekë të rënë në Luftën e Dytë Botërore. Një absurd i madh po ndodh me Portin i Durrësit, nga pasuritë më të mëdha e me karakter strategjik të Shqipërisë në zemër të bregdetit Adriatik. Me vendimin e Belinda Ballukut e të KM-së, pa asnjë diskutim në komunitet e parlament miratohet dhënia falas e Portit të Durrrësit, arabëve të Emirateve të Bashkuara. Janë 80 ha tokë dhe  e 60 ha det që u dhurohet arabëve. Po projektohet që tu dhurohen toka e lëndina në Përmet për ndërtime e rezidenca. Porto Romano një pjesë u është dhuruar oligarkëve shqiptarë prapa të cilëve fshihen shoqëri të huaja mafioze, që kanë ndërtuar rezervuarë nafte jashtë çdo rregulli e kriteri. Një pjesë do t’u jepet hollandezëve për të ndërtuar Portin e Ri të mallrave, dhe po në Porto Romano, KM-ja po u lutetet amerikanëve për të ndërtuar një bazë detare të NATO-s sikur Porto Romano të jetë sa Gjiri i Meksikës. Amerikanët kanë marrë ca dhjetëra ha në Kuçovë, kanë ndërtuar një qytezë disa hektarëshe për muxhahidinët iranianë,  po dhe vende të tjera të pashpallura.  Kjo është e tepërt për një vend me sipërfaqe kaq të vogël si Shqipëria. Porti i Vlorës me 5ha tokë e 5.5 ha akuarium, në zemër të Skelës, me dy kalata 339m dhe 322m, jepet me koncesion për 35 vjet, për pallate buzë ujit, që ligji nuk e lejon. Ish Bazat Ushtarake Detare dhe bregdeti, nga Liqeni i Shkodrës deri në Sarandë, minierat, fushat naftëmbajëse, Butrinti, Syri i Kaltër, kështjellat, pyjet, ujëmbledhësit, dhe dhjetëra koncesione miliardëshe u janë dhënë e po u jepen investitorëve strategjikë, d.m.th pushtetarëve, miqve, kushërinjve, nuseve e dhëndurëve të Rilindjes, pa asnjë kriter ekonomike me kontrata skllavëruese. Prapa këtyre “investitorëve strategjikë” të emëruar nga KM-ja ku nuk mungojnë as gaztorët e estradave e njerëz me nga 100.000 lekë në banka, fshihen emra të tjerë të mafies kombëtare dhe asaj ndërkombëtare. Tani do të jepet me koncesion dhe Pallati i Brigadave dhe ç’të ketë tepruar. KM-së nuk i shkon mendja që tokat shtetërore t’u jepen si kompensim ish pronarëve e të bëhej një lloj drejtësie me pronat. Edhe sikur një ditë të vijë në pushtet një qeveri e drejtë, shqiptarët do të mbeten skllevër të etërve, bijëve, larove të diktaturës dhe peshkaqenëve të mafies së huaj me të cilët bashkëpunojnë mbi dhe nën dhe’. Nuk është çudi, që Zaho Edvin Rama, pas njëzet-tridhjetë vjetësh jo vetëm të jetë kryeministër i Shqipërisë por edhe pronar legjitim i Pallatit Mbretëror prej 36 hektarësh. Kush do ta ndalojë? Qeveritarët dhe deputetët e PS-së për turpin e përjetshëm të tyre firmosin e vulosin me një unitet absurd gjithçka, mjafton që soji dhe sorollopi i tyre të majmen e mos tu hyjë gjemb në këmbë. Në këtë Shqipëri të Rilindjes, 90% e shqiptarëve ndihen të huaj dhe pa asnjë shpresë për të ardhmen. Nëse populli nuk ngrihet në protesta për të ndalur grabitjet e mëtejshme, e rrëzuar këtë qeveri thellësisht antishqiptare, në 28 mijë km2, në vendin e shqiponjave, pas dhjetë-njëzet vitesh,  me shumë gjasa gjuha shqipe do të kalojë si gjuhë e tretë pas anglishtes dhe arabishtes. Dhe ky do të jetë fundi i Shqipërisë. 

PS.Militantët e rilindjes do të thonë se pa investime të huaja nuk ka zhvillim. Plotësisht e vërtetë. Por jo me kontrata skllavëruese ku shteti në vend të marrë, vetëm u jep para koncesionarëve. Mjafton të përmendin fushat naftëmbajtëse dhe minierat e kromit që veçse kanë shkatërruar florën e faunën  përreth, paguajnë rroga mjerane për punëtorët dhe ZERO taksa shtetit me pretendimin absurd se nuk janë shlyer ende (20-30 vjet) investimet që kanë bërë. 

Filed Under: Mergata Tagged With: Gezim Zilja

109 VJET NGA  NJOHJA NDËRKOMBËTARE E SHQIPËRISË

July 30, 2022 by s p

Adil FETAHU/

Fundi i muajit korrik të sivjem shënon 109-vjetorin e njohjes ndërkombëtare të subjektivitetit juridik të Shqipërisë. Kjo ishte njohje kolektive nga Konferenca e Ambasadorëve të gjashtë Fuqieve të Mëdha, mbajtur në Londër më 29-31 korrik 1913. Me këtë njohje, shteti shqiptar fitoi subjektivitet juridik ndërkombëtar. 

Edhepse shqiptarët e kishin shpallur pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor 1912,  vetëm dy javë më pas,  gjashtë fuqitë  e  mëdha të asaj kohe: Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austrohungaria, Italia dhe Rusia, në Konferencën e ambassadorëve të tyre në Londër më 17 dhjetor 1912, kishin vendosur që Shqipëria të mos jetë e pavarur, por të jetë një provincë atonome nën sovranitetin e Perandorisë Osmane, respektivisht të Turqisë, pa caktuar as kufijë e asaj province.

Derisa Konferenca në Londër zhvillonte punimet, aleanca ortodokse e monrakive të Ballkanit: Serbia, Mali Zi, Greqia dhe Bullgaria, kishin pushtuar pjesën më të madhe të tokave shqiptare. Qeveria e Vlorës nuk kontrollonte as një të katërtën e territorit të Shqipërisë. 

Duke parë shkatërrimin e Perandorisë Osmane nga luftërat ballkanike, që ishte e sigurtë se Perandoria Osmane,  nuk ishte në gjendje të sundojë më tutje në Shqipëri, Austrohungaria dhe Italia, duke u nisur nga interesat e tyre, i kishin paraqitur Konferencës së Londrës një projekt të ri për pavarësinë e plotë të Shqipërisë.

Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit

Pas një lufte të ashpër diplomatike në baza të interesave të ndryshme dhe të kundërta të fuqive të mëdha, Konferenca e Ambasadorëve, në mbledhjen e mbajtur në Londër më 29 – 31 korrik 1913, kishte vendosur që Shqipëria të bëhej e pavarur dhe neutrale e të vehej nën kontrollin ndërkombëtar të Fuqive të Mëdha, kurse në krye të shtetit shqiptar të caktohej një princ i huaj. Ishte vendosur të formohej Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, i përbërë nga përfaqësuesit e gjashtë Fuqive të Mëdha dhe përfaqësuesi i Shqipërisë. Komisioni u formua më 15 tetor 1913,  me këtë përbërje:

1.Harri Harling Lamb, përfaqësues i Britanisë së Madhe

2.Leon Alphonse-Thadee Krajewski, përfaqësues i Francës

3. Aristotele Petroviq; August Kral, përfaqësues të Austrohungarisë

4. Julius Vinckel , përfaqësues i Gjermanisë

5. Alesandro Leoni; Carlo Galli, përfaqësues të Italisë

6. Aleksandr Mihajlloviq Petrjaev, përfaqësues i Rusisë

7. Myfit bej Libohova; Mehdi bej Frashëri, përfaqësues të Shqipërisë.

Në punën e Komisionit secili nga Fuqitë e Mëdha dhe Shqipëria përfaqësoheshin me nga një anëtar, por këtu paraqiten nga dy emra, për shkak se ndonjeni prej anëtarëve ishte ndërrua gjatë periudhës sa ka funksionuar Komisioni (15 tetor 1913 – 9 shtator 1914.

Selia e Komisionit ishte në Vlorë. Komisioni hartoi Statutin organik të organizimit dhe funksionimit të shtetit Shqiptar. Ai Statut mund të konsiderohet si kushtetuta e parë e shtetit shqiptar, sepse me të rregulloheshin çështje të natyrës kushtetuese. Statuti përmbante 216 nene, të sistemuara në 17 kapituj, me të cilat rregulloheshin këto çështje:

  1. Shqipëria (shteti) dhe territori i saj,
  2. Sovrani
  3. Popullsia
  4. Legjislativi
  5. Organet e qeverisë
  6. Administrata lokale
  7. Financat
  8. Punët publike
  9. Forcat e armatosura
  10.  Drejtësia
  11.  Kulti (besimet)_
  12.  Institucionet publike
  13.  Prona themelore
  14.  Bujqësia, tregtia dhe industria
  15.  Postat, telegrafi dhe telefonat
  16.  Lidhjet e jashtme
  17.  Ankimimet administrative.

Sipas Statutit organik të Komisionit të Fuqive të Mëdha, Shqipëria ishte projektuar të jetë monarki kushtetuese, me një asamble me fuqi legjislative. Territori ishte ndarë në pikëpamje administrative në shtatë rrethe, rrethet në kaza e kazatë në nahije, sipas organizimit që ka pasur nën PerandorinëOsmane.  Secili prej rretheve do të zgjedhte,me vota të drejtpërdrejta,  nga tre përfaqësues për Asamblenë Kombëtare; Princi do të emëronte dhjetë përfaqësues dhe tri bashkësitë fetare do të zgjedhnin nga një përfaqësues në Asamblenë Kombëtare, e cila do kishte mandat katërvjeçar. Princi do të emëronte Këshilin e Ministrave, me kompetenca ekzekutive.

Zgjedhja e Princit për Shqipërinë

Për pozitën e principit të Shqipërisë kishte shumë pretendentë nga familjet mbretërore të shteteve të Europës. Ishte bërë një tentim nga Xhonturqit, që për princ të Shqipërisë të dërgohej ministri i luftës i Perandorisë Osmane, Izet  Pasha, që ishte me origjinë shqiptare. Me gjasë, për këtë ishin pajtuar edhe  Ismail Qemali dhe Esat Pasha,  me shpresë se me forcat ushtarake të Perandorisë, princi do të përzente ushtritë serbe, malazeze e greke nga territori i Shqipërisë. Por ai komplot u dekonspirua dhe dështoi, veçse shkaktoi që besimi i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit në Ismail Qemalin të zbehej. Madje ky do të jetë shkaku që ndaj Ismail Qemalit të bëhej presion nga Komisioni për të dhënë dorëheqje nga Qeveria e tij e përkohëshme. 

Pas të gjitha pretendimeve dhe ofertave, Konferena e Londrës, në tetor 1913, kishte vendosur që në fronin e princiit të Shqipërsë të jetë gjermani Wilhelm Friedrich Heinrich von Wied, një protestan i cili nuk i përkiste asnjë besimi fetar që kishin shqiptarët. Më 1 nëntor ishte shpallur se princ Wiedi do të zëjë fronin  mbretëror të Shqipërisë. Këtë shpallje, gjoja e kishte mirëpritur dhe e kishte pëlqyer kryetari i Qeverisë së Përkohshme në Vlorë, Ismail Qemali, duke shpresuar se me këtë do të sigurohej pavarësia, njohja ndërkombëtare dhe zhvillimi i përgjithshëm i shtetit shqiptar. Në këtë kontekst, Ismail Qemali  më 22 janar 1914, jep dorëheqjen e Qeverisë së tij dhe qeverisjen ia dorëzon Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Duke marrë parasysh rastin e komplotit xhonturk, për ta dërguar përfaqësuesin e tyre për princ të Shqipërisë dhe pajtimin e Ismail Qemalit për këtë, të gjitha gjasat janë se mbi Ismail Qemalin u bë presion nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit për të dhënë dorëheqje. Por, pavarësisht nga shkaqet, ia vlenë të lexohet raporti i Komisioit për momentin e dorëheqjes. Ja se çka shkruante në raportin e atij Komisioni, të datës 22 janar 1914:

“Sot, më 22 janar 1914, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit shkoi te Shkëlqësia e tij Ismail Qemal Beu. Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, i bindur se i vetmi mjet për t’i dhënë funt përçarjes dhe anarkisë në vend është që të formohet një qeveri e vetme për të gjithë Shqipërinë dhe se në rrethanat e tashme, ky qëllim mund të arrihet vetëm po t’ja dorëzojë pushtetin Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, që përfaqëson Fuqitë e Mëdha, përsëriti kërkesën, që i kishte paraqitur më parë, në prani të ministrave të tij, që Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, që të marrë përsipër këtë detyrë dhe ta marrë pushtetin në dorëzim.

Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit  çmon për së tepërmi ndjenjat patriotike që e frymëzuan Shkëlqësinë e Tij Ismail Qemal Beun, dhe me këtë rast pranon që sot të marrë në dorëzim pushtetin, duke qenë rregullisht i autorizuar nga Fuqitë e Mëdha, merr përsipër në emër të qeverisë që përfaqëson administrimin e Shqipërisë.”

Pasojnë nënshkrimet: Ismail Qemal, Petroviq, Leon, Krajevski, Hari Lemb, Leoni, Petriaev.

Po atë ditë, Ismail Qemali i dërgon letër Prefekturës së Elbasanit, me të cilën tregon shkaqet e dorëheqjes së tij nga kryesia e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Dhe, ja se ç’shkruante në letrën e tij:

PREFEKTURËS SË ELBASANIT 22 janar 1914

“E mbajta në dorë plot 14 muaj dhe e administrova pa ndonjë të metë pushtetin qeveritar që ma besoi mua delegacioni kombëtar që shpalli Pavarësinë tonë Kombëtare dhe përdora të gjitha mjetet që të sigurohej tërësia kombëtare e Shqipërisë. Do të ushqej ndjenja mirënjohjeje deri në vdekje për përkrahjen që më dhanë të gjithë miqtë e shokët, të cilët në qendër e në qarqe bashkëpunuan me mua, si dhe për besimin e madh të kombit ndaj meje deri më sot. 

Disa ngjarje të mjerueshme të shkaktuara nga disa anë, që u ushqyen nga ambicje e nga interesa personale dëmtuan harmoninë e shtetit, për të cilën sot e gjitmonë kishte nevojë vendi ynë dhe e futën në një anarki njësinë qeveritare. Kështu çështja jonë kombëtare u vu përballë një rreziku të madh. U detyrova t’i jap fund kësaj gjendjeje fakeqe, e cila do të kapërcehej vetëm me ekzistencën e një qeverie kompakte, të fortë e me influencë. E sigurimi tani i një qeverie të tillë ishte një detyrë atdhetare që rëndonte mbi mua. Për këtë qëllim iu drejtova Fuqive të Mëdha, duke u paraqitur si modus vivendi marrjen e qeverisë në dorë nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, deri sa të vinte mbreti i Shqipërisë. M’u pranua dëshira ime që paraqita në këtë rast dhe Komisioni në fjalë, i mbledhur sot, në praninë time, më deklaroi pranimin e kërkesës sime nga Fuqitë e Mëdha.  Kështu redaktuam dhe nënshkruam një kontroll, në bazë të të cilit pushtetin qeveritar ua lash në dorë atyre dhe unë u largova nga kyesia e qeverisë kombëtare. Jam i sigurt se do do të çmohet nga i gjitë kombi e nga kolegët e qeverisë sakrifica ime, që ka për qëllim shpëtimin e kombit, duke lëshuar fatin e atdheut për një kohë të shurtër në duart mrojtëse të Fuqive të Mëdha e duke u largur nga kryesia këtë herë. Këtë sakrifiëe e bëra edhe kur kreva detyrën time atdhetare, duke e udhëhequr  kombin në shpalljen e Pavarësisë. 

Ju bëj të njohur se ditët që më anë mbetur nga jeta ime do t’i vë në shërbim të atdheut dhe ju porosis sinqerisht t’u shtroheni të tërë urdhërave, ashtu siç është dëshira ime, të nderuarit Komision Ndërkombëtar që mori mbi vete administrimin e vendit me qëllim dashamirës për t’i dhënë fund agresionit të jashtëm dhe trazimeve të brendshme. Ju them lamtumirë dhe lëshoj ndër duart e  Perëndisë atdheun e kombin”.

Ish-Kryetari i QeverisëKombëtare

Ismail Qemali

Po atë ditë, 22 janar 1914, Drejtori i Përgithshëm i Punëve të Brendshme, i Qeverisë së Vlorës, me një qarkore i njohton prefekturat e Vlorës, Beratit dhe Elbasanit, se Kryetari i Qeverisë së Vlorës ia dorëzoi me vullnetin e tij qeverinë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit të Fuqive të Mëdha.  Përmbajtja e njoftimit është si vijon:

-“Shkelqësia e Tij, Ismail Qeml Beu, kryetar i ndritur i Qeverisë sonë Kombëtare, lëshoi në dorë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit qeverinë dhe u largua nga kryesia e saj, me vullnetin e tij të plotë, për të vetmin qëllim të lartë që dhe këtë herë Shqipëra të gjejë rrugën e saj të shpëtimit e të lumturisë dhe të forcohet pushteti qeveritar i lëkundur që prej disa kohësh. Krejt administrata e vendit i është besuar Komisionit të Kontrollit. Ky Komision më ngarkoi mua me titull Drejtor i Përgithshëm i Punëve të Brendshme, detyrën për të shikuar e administruar punët e të gjitha qarqeve. Këtej e tutje do të njihni si autoritet  funksionin tim, për të gjitha punët e brendshme, të cilat do t’i administroj unë në emër të Komisionit të Kontrollit. Do të korespondoni me mua dhe do të keni kujdes për kryerjen e detyrës.  Është vendosur që të gjithë nëpunësit të mbeten në postet e tyre ku janë sot. Në këtë kohë kur Atdheu ynë ka nevojë më tepër për qetësi, priet bindje nga kolegët tuaj nëpunësa e nga gjithë Kombi, se kështu do ta provojnë ata patriotizmin e tyre. Veçanërisht ju lutemi që në këtëdrejtim t’i bëni komunimin e duhur gjithë qarkut.

(Nuk kanënshkrim)

Lidhur me dorëheqjen e Ismail Qemalit nga detyra e kryetarit të Qeverisë së Përkohshme, kishte kryesisht reagime përkrahjeje.  Këtu më poshtë po i transmetojmë disa sosh, marrë nga libri: “Ismail Qemali – Përmbledhje dokumentesh,1888- 1919, redaktuar nga Teuta Hoxha. Prej të njëjtit burim i kemi marrë edhe dokumentet tjera të cituara, në kurziv.

Përfaqësuesit e strukturave udhëheqëse të Elbasanit, më 23 janar i kishin dërguar urimet dhe përkrahjen Ismail Qemalit për aktin burrëror e patriotik. Në telegramin e dërguar nga Elbasani shkruan:

Të nderuarit zotëri Ismail Qemal Bej, Vlorë

Me gjithë shpirt ju lutem të pritni urimet e nxehta tonat për burrnijën e atdhetariën që dëftyet. Kjo therori me të vërtetë i gjanë asaj burrënie që ngrite Flamurin për të parën herë në Vlorë. Këto dy punë nuk ka ,me t’i  harrue Shqipënia. Rrnofsh pra ene shumë kohë.

Nënshkruarnga: Ataji, Halimi, Ali, Ajah, Ahmet Dakli.

Në telegramin e dërguar nga Lushnja, shprehet keqardhje për dorëzimin e Ismail Qemalit. Në telegram shkruan:

23 janar 1914

Atdhetarit të madh, shkelqësisë së tij Ismail Qemal Beut,në Vlorë

Lajmi i hidhuri largimit nga kryesia e Qeverisë Kombëtare të një atdhetari të madh si shkelqësia juaj, që e ka bërë jetën fli për shpëtimin dhe pavarësinë e Shqipërisë, u prit me një keqardhje të thellë nga ana e gjithë popullit. Por, vepra e shkëlqësisë suaj, që ka shkatërruar qëllimet e mallkuara të disa keqdashësve të popullit, të cilët si në të kaluarën edhe tashi sakrifikojnë Shqipërië për interesat egoiste personale të tyre, adhurohet prej të gjithëve dhe duke shpresuar t’ju shohim përsëri pas një kohe fare të shkurtër në atë pozitë të lartë, po ju puthim duart me plot respekt”.

(Dokumenti pa nënshkrim)

Më 5 shkurt, Aqif Pasha i shkruante Ismail Qemalit telegram me këtë përmbajtje:

“Gjesti atdhetar i Shkëlqësisë suaj i shton një fletë lavdie shërbimeve të larta atdhetare të tjera nga Ju. Meritoni nderime dhe në këtë rast adhuroj Shkëlqësinë tuaj!

Aqif

Ardhja e Princit

Princi Wilhelm Wied arriti në Shqipëri (Durrës) më 7 mars 1914. Në Portin e Durrësit u prit me brohoritje dhe enthusiazëm të shqiptarëve që kishin ardhur nga të gjitha anët, me shpresë se Wiedi do t’i realizonte dëshirat e tyre. Pas dhjetë ditëve të arritjes në Shqipëri, Princi formoi Qeverinë e tij dhe shpalli Durrësin kryeqytet të Shqipërisë. Kabinetin e qeveritar të Princit e përbënin:

1.Esat Pashë Toptani, ministër i luftës dhe i punëve të brendshme

2.Aziz Pashë Vrioni, ministër i bujqësisë, tregtisë dhe industrisë

3. Myfit Bej Libohova, ministër i drejtësisë dhe i kultit

4. Mithat Bej Frashëri, ministër i financave

5. Hasan Bej Prishtina, ministër i postë-telegrafeve

6. Dr Mihal Turtuli, ministër i arsimit dhe

7. Prenk Bib Doda, ministër i punëve botore

Edhepse u prit me shumë shpresë dhe enthusiazëm, Princi nuk pati sukses në misionin e tij, për shkak se vendi ishte i pushtuar nga ushtritë serbe, greke e malazeze dhe i gjithë vendi ishte i turbulluar me protesta, kryengritje e luftime. Fuqitë e Mëdha nuk e ndihmuan Princin, kur ai kërkonte financime dhe forca ushtarake për t’i përzënë nga Shqipëria ushtritë e hueja. Duke mos pasur përkrahjen nga Fuqitë e Mëdha për të kryer misionin e tij, atij i rrezikohej edhe koka e vet, prandaj u detyrua të largohej nga Shqipëria më 3 shtator 1914, kur Lufta e Dytë Botërore veçse kishte plasur, dhe ato Fuqitë e Mëdha luftonin njena kundër tjetrës, duke u bërë “hashtër-neshtër”. Ato, duke pasur interesa dhe aspirata të ndryshme dhe të kundërta me njëra-tjetrën edhe për territorin e Shqipërisë, nuk arritën që përmes Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe Princit të tyre, ta konsolidojnë shtetin shqiptar në asnjë segment. Lufta e Madhe që e gjeti Shqipërinë në gjendje të mjerueshme, i rriti apetitet e monarkive fqinje që ta copëtojnë dhe ndajnë midis tyre tërë territorin e saj.

Përkundër zhvillimeve dhe mossuksesit të Komisionit Ndërkombëtartë Kontrollit dhe të Princ Vidit, ajo storje e shkurtër e përpjekjeve për konsolidimin e shtetit Shqiptar, ka rëndësinë e vet juridike për historinë e shtetit shqiptar, për konceptet dhe mënyrën e përcaktuar me akt kushtetues për formimin rendin juridik dhe funksionimin e shtetit Shqiptar në një kohë të historisë së tij.

Adil FETAHU

Filed Under: Histori

Shqiptarët dhe Serbët përgjatë viteve 1968-1981

July 30, 2022 by s p

Asad Sadiku/

Historia  na  tregon  se  shqiptarët  dhe  serbët  nuk  kanë  pasur  marrëdhënie  të  mira ndër  vite,  dhe  nuk  kanë  as  në  ditët  e  sotme.  Megjithatë,  në  këtë  artikull  të  shkurtë   ne  do  të  fokusohemi  pak  më  veçanërisht  në  periudhën  1968-1981.  Pra  në  kohën  e  Federatës  Jugosllave,  shqiptarët  nuk  kishin  të  drejtat  e  tyre  elementare  as  të  drejtë  shkollimi  as  punësimi  dhe  mandej  nuk  ju  lejua  as  flamuri  si  simbol  t’a  përdorin  për  ndonjë  festë  të  tyre.  Dhe  kjo  i  shtyri  shqiptarët  që  qysh  në  vitin  1968,  të  bëjnë  demostratat  e  para  për  arsyje  që  të  kenë  të  drejtë  përdorimin  e  flamurit  shqiptarë  nëpër  festa  që  kishin  shqiparët në  atë  kohë,  si  në  ndonjë  ahengjë   familjarë  apo  ndonjë  festë  tjetër.  Përveç  kësaj pas  një  kohe  shqipëtarët  filluan  të  punojnë  edhe  më  shumë  dhe  u  angazhuan  edhe  më  tepër  për  të  drejtat  e  tyre  themelore,  dhe  ky  angazhim  edhe  i  sjelli  rezultatet  e  veta.Kur  shqiptarët   filluan  të  punojn  së  bashku  për  t’i  kërkuar  të  drejtat  e  tyre  që  ju  takonin  arritën  që  në   vitin  1971,  t’a   themelojn  edhe  Universiteti  e  Prishtinës  “Hasan  Prishtina”. Pas  themelimit  të  Universiteti  të  Prishtinës,  edhe  dolën  gjenerat  pas  gjenerate  në  kuadër  të  mirëfillta  shqiptare,  ku  më  pastaj  pasoji  edhe  kushtetuta  e  vitit  1974,   si  autonomi  e  federatës  jugosllave.  Ku  më  pas  edhe  vazhduan  edhe  me  tepër  të  dalin  njerëz  të  ditur  dhe  shumë  profesional  ku  si  rrjedhojë  e  kësaj  me  26  nëntor  të  vitit  1976,  u  hap  për  herë  të  parë  Televizioni  i  Prishtinës.  Për  shkak  se  para  hapjes  së  Televizionit  të  Prishtinës,  vetëm  gazeta  “Rilindja”  ishte  që  ka  shtypur  shkrime  në  gjuhën  shqipe.  Ndërsa  me  hapjen  e  Televizionit  të  Prishtinës  informimi  për  popullin  shqiptarë  u  bë  edhe  më  i pasur  dhe  i  drejtë,  si  në  arsim,  kulturë   dhe  punësim,  sepse gjatë  kësaj  kohe shqiptarët  kishin  të  drejtë  punësimi  në  proporcion  me  serbët.   Para  kësaj  kohe  shqiptarët  nuk  kishin  të  drejtë  punësimi  edhe  pse  ishin  në  numër  më  të  madhë  se  serbët,  pasi  siç  pretendojshin  pikërisht  serbët  se  shqiptarët  janë  të  pa  shkolluar  si  dhe  duke  i  quajtur  edhe  “analfabeta”.  Që  nga  viti  1974  deri  në  vitin  1981,   gjatë  kësaj  periudhe  për  popullin  shqiptarë  ishte  periudha  më  e  mirë  e  asaj  kohe,  pasi  shqiptarët  kishin shtypin  e  informimit,  të  drejtat  në  punësim,  dhe  po  ashtu  të  lirë  për  t’u  shprehur, dhe  kjo  situatë  që  ishte  në  të  mirë  të  shqiptarëve,  udhëheqësis  së  serbisë  nuk  i  pëlqeu.  Krejt  kjo  për  arsyeje  që  Serbia,  planifikojke  që  Jugosllavin  t’a  bëjnë  Serbi  të  madhe,  dhe  si gjuhë  zyrtare  të  jetë  vetëm  gjuha  serbe.  Pastaj  duke  i  parë  që  shqiptarët  po  i  kanë  disa  të  drejta  kjo  i  shtyri   që  nacionalistët  serbë  t’a   keqësojnë  situaten  në  Kosovë.   Me  11 mars  të  vitit  1981,  u  bë  protesta  e  madhe  studentore  në  mensën  e  studentëve   në  Prishtinë,  ku  studentët  e  shprehën  pakënaqësin  e  tyre  me  pretendimin  se  ushqimi  nuk  është  i  mirë.  Si  rrjedhojë  e  kësaj  situate  me  1  dhe  2  prill,  të  njëjtit  vit  u bënë  demostratat  popullore  shqiptare,  dhe  në  atë  kohë  nën  regjimin  e  atëhershëm  shufonistët  serbë  marrin  masa  të  egra  dhe  të  dhunshme  kundër  studentëve  shqipëtarë  dhe  të  tjerëve  nga  të  gjitha  moshat,  siç  ishin  dënimet  nëpër  burgje  dhe  po  ashtu  edhe  vrasje.  Gjatë  asaj  kohe  kishte  student  të  dënuar  dhe  të  rinj  me  nga  10  deri  20  vite  me  burg,  dhe  krejt  kjo  erdhi  jo  që  këta  student  dhe  të  rinj  shkaktuan  ndonjë  krim,  por  vetëm  pasi   shprehën   pakënaqësit  e  tyre  dhe  kërkuan  të  drejtat  e  tyre  legjitime.  Pra  këtu  e  kuptojm  që  edhe  pse  shqiptarët  ishin  pjesë  e  Jugosllavis,  ata  nuk  i  gëzuan  të  drejtat  që  ju  takonin.  Edhe  pse  Sistemi  i  Jugosllavis  i  japën  autonomin shqipëtarëve  pra  t’i  kenë  disa  të  drejta,  këto  të  drejtat  i  gëzuan  në  një  kohë  jo  shumë  të  gjatë  për  shkak  se  më  pas  ju  kthyhen   me  dhunime  si  burgime  dhe  po  ashtu  edhe  vrasje.  E  gjitha  kjo  erdhi  vetëm  që  armiqëve  të  shqiptarëve  siç  ishin  serbët  nuk  kishin  dëshirë  që  të  ju  jepet  e  drejta  shqiptarëve.  Qëllimi  kryesor  i  Serbis,  ka  qenë  që  tokat  e  shqipëtarëve  të  jenë  të  shtetit  të  tyre,  në  mënyrë  që  të  kenë  një  Serbi  të  madhe,  edhe  pse  kjo  fatmirësisht  nuk  u   realizua.

Filed Under: Analiza

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 50
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT