• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2022

AMNISTIA FISKALE E PROPOZUAR NGA QEVERIA NXIT EVAZIONIN FISKAL

July 13, 2022 by s p

Eksperti i ekonomisë Zef Preçi në një intervistë ekskluzive dhënë Editorit të Gazetës Dielli të Vatrës në New York Sokol Paja, analizon me detaje krizën që po kalon ekonomia shqiptare, amnistinë fiskale të propozuar nga qeveria, krizën e çmimeve, korrupsionin në institucionet publike si nder shkaqet kryesore te varferise dhe te papunesise, standardit te ulet te jeteses se shumices se qytetareve, polarizimit te thelle social te vendit, gerryerjes se buxhetit te shtetit,  madje edhe nje nder shkaqet kryesore te boshatisjes se Shqiperise nga rinia.

AMINISTIA E DEKLARUAR E QEVERISE ESHTE NJE DEKURAJIM I ZBATIMIT TE LIGJIT NGA ANA E TATIM-TAKSAVE, POLICISE, APO INSTITUCIONEVE TE TJERA LIGJE-ZBATUESE

Ne vendet e varfra ku sistemi i kontabel  eshte i dobet, ne te cilat sektori informal i ekonomise ze nje peshe te konsiderueshme dhe besueshmeria e institucioneve eshte e dobet kuptohet qe masa te tilla ai amnistia fiskale dhe e aseteve krijojne tronditje serioze ne ekonomi. Ne fakt, Shqiperia yne ka vite qe falin kamatevonesa, gjoba qofte per siguracione te papaguara, utilitete publike si uje, energji e etj. apo detyrime te papaguara. Suksesi i nje mase te tille kerkon tre parakushte baze: konsensus te gjere publik me ate pjese te popullsise dhe bizneseve qe paguajne rregullisht taksat. Shqiperia ka 30-50% ekonomi informale qe do te thote se 50 deri 70% te bizneseve paguajne rregullisht taksat. Se dyti, edhe ne legjislacionin aktual, fshehja e taksave eshte krim dhe prandaj kerkohet garanci politike per te ofruar njekohesisht edhe amnisti ligjore, dmth konseus i opozites  per te garantuar mosndjekjen penale kurdohere qe te ndodhe rotacioni politik ne vend..  Se treti, per shkak te gjendjes se ekonomise dhe procesit te integrimit Europian te vendit, kerkohet edhe konsensusi me institucione nderkombetare (siç eshte rasti i FMN-se), dmth eshte shume e rendesishme qe masat qe merren te jene te bashkerenduara me te. 

Sipas mendimit tim, me amnistine e propozuar se fundmi nxitet evazioni fiskal se krijohet perceptimi “mos i paguaj taksat se nje dite do t’i falin dhe do te dalim me te pasur nga fshehja se sa nga pagimi i tyre”. 

Ne vende qe kane peshe te madhe te ekonomise kriminale siç eshte perpunimi, eksportimi i drogerave, etj. ndermarrja e amnistise fiskale krijon shqetesime me te medha dhe nuk eshte e keshillueshme te behet. Per fat te keq ne jemi ne kete faze, dmth kufinjte ndermjet sektorit formal, informal dhe atij kriminal jane shume poroze, likujditetet levizin lirsht nga njeri grup ne tjetrin dhe eshte nje fakt i pakundershtueshem qe parate kriminale kane zgjeruar dukshem vendin e tyre ne ekonomine shqiptare, sidomos gjate dekades se fundit. Mjafton te kujtojme se vetem Bashkia Tirane ka dhene leje per ndertimin ne kryeqytet te me shume 4.5 milione metra katrore, nje pjese e mire e tyre ne kulla, apo penetrimi i parave kriminale ne ne forme bashke-aksionaresh ne biznese te ligjshme, permes notereve , etj. duke i dhene ekonomise shqiptare pamjen e nje agresion te vertete te parave kriminale. 

Aministine e deklaruar te qeverise e shoh edhe si nje dekurajimi zbatimit te ligjit nga ana e tatim-taksave, policise, apo institucioneve te tjera ligje-zbatuese. 

Ne keto kushte, ashtu sic u pronocua zyrtarisht BE javen e shkuar, nuk ka se si te jete dakord as FMN-ja, Banka Boterore dhe organizatat e biznesit. 

KORRUPSIONI VAZHDON TE JETE NDER SHKAQET KRYESORE TE VARFERISE DHE TE PAPUNESISE

Ne kushte krize çdo vend iu rikthehet burimeve te veta, te vendit. Ne fakt ekonomia e Shqiperise po shfaq rregullisht prej tridhjete vitesh  tiparet e ekonomive pos-koloniale: eksport i lendeve te para te paperpunuara dhe te fuqise puntore te pakualifikuar. Pavaresisht kesaj, une nuk besoj se situata eshte kaq emergjente qe te rrezikoje falimentimin e shtetit sa c’percillet me mas-media, ndonese pajtohem plotesisht korrupsioni vazhdon te jete nder shkaqet kryesore te varferise dhe te papunesise, standardit te ulet te jeteses se shumices se qytetareve, polarizimit te thelle social ne vend, gerryerjes se buxhetit te shtetit,  madje edhe nje nder shkaqet kryesore te boshatisjes se vendit nga rinia, nga pjesa me e shkolluar e saj si dhe nje pjese e klases se mesme. 

Ndersa rritja e borxhit publik pasqyron strategjine agresive dhe teresisht ne funksion te interesave ekonomike e financiare te nje grushti oligarkesh qe ka zgjedhe qeveria e zt. Rama. Per fat keq, destinacioni i perdorimti te ketyre parave nuk  sjell shtimin e vendeve te punes dhe as futjen ne qarkullimin ekonomik te pasurive natyrore te vendit, si naft,a kromi, bakri, hekuri, etj. Keto te fundit jane coptuar per interesa klienteliste dhe korruptive dhe kontributet e tyre jane te pandjeshme ne buxheti e shtetit. Ne keto kushte, rritja e metejshme e borxhit publik nga jashte vendit dhe nga bankat brenda tij rrezikon te shnderroje ekonomine shqiptare ne nje grope thithese, dhe tejet te dhimbshme per qytetaret e vendit.

KRIZA E RRITJES SE ÇMIMEVE, SPEKULANTËT DHE LUFTA

Per nje numer aresyesh objektive dhe subjektive, zhvillimet ne ekonomine tone kombetare ne te ardhmen e afert duket se do te kushtezohen dukshem nga politikat ekonomike dhe fiskale te qevderise, aq edhe nga zhvillimet ne tregjet nderkombetare, sidomos ne vendet e BE-se. Shqiperia sic dihet ka nje ekonomi te vogel, jo-konkurruese, te konrtrolluar dukshem nga nje grusht oligarkesh dhe me politika qeveritare ne te cilat mbizoteron propaganda dhe mediokriteti. Pavaresisht njelloj balancimi te faktoreve te brendshem dhe atyre te jashtem qe kushtezojne ritmet e ketij zhvillimi, duhet thene se politikat ekonomike, fiskale dhe monetare te qeverise dhe bankes qendrore vleresohet se marrin nje rendesi me te madhe se zakonisht apo ne situata me te qeta ekonomike.

Ajo qe bie ne sy nder tiparet e ekonomise sone gjate ketij viti, por ka gjasa te vazhdoje edhe ne vitin qe vjen eshte rritja e pazakonte e inflacionit, rritje qe ka filluar qysh nde gjysmen e dyte te vitit 2021, por qe per frenimin e ketij fenomeni gerryes per te ardhurat dhe kursimet familjare dhe nxites te thellimit te polarizimit social, nuk eshte bere thuajse asgje nga qeveria. Keshtu, ishin dhe jane te gjitha mundesite per te nxitur zgjerimin e siperfaqeve te mbjella me kultura bujqesore dhe per shtimin e numrit te krereve ne blegtori, por per keto mungojne politikat perkatese agrare. Raportime e ndryshme nga burime te besueshme flasin per rritjen e varferise ne vend – behet fjale per me shume 90 mije vete qe jane ne kushtet e varferise ekstreme. E duke marre parasysh faktin se me gati gjysma e qytetareve te punesuar ne sektorin privat marrin paga deri ne kufirin e poshtem te pages se punes te lejuar nga ligji (pages minimale) ky numer lehtesisht pritet te rritet ne muajt qe vijne. Per me teper qe raportimet mbi papunesine dhe varferine perjashtojne popullsine rurale, gjendja e nje pjese te mire te se ciles ka prirje te perkeqesohet me tej. Programet qeveritare per te mbeshtetur familjet ne nevoje kane qene te kufizuara ne kohe dhe ne permasa modeste, aq sa nuk mbulojne as ndikimet e inflacionit ne gjysmen e pare te vitit ne vazhdim.

Nersa ndikim i agresionit Rus ne Ukraine lidhet me importet e karburanteve dhe deridiku edhe te drithereve te bukes, per te cilat ishin dhe jane kushtet qe te zbutej ky efekt si permes prodhimit ne vend, ashtu edhe permes permiresimit te rregullimit te tregjeve per te nxitur konklurrencen. Mirpeo per kete mungojne, vullneti politik,  polikat e nevojshem sektoriale dhe mbeshtetja perkatese buxhetore. 

KERCENIMI I URISE NE NIVEL GLOBAL DUKET SE PERBEN NJE KERCENIM REAL

Krizat e cdo lloji, duke perfshire edhe lufterat, kane dy ane: ate qe shohim – krizen dhe anen tjeter – mundesite. Per kete te dyten mendoj se bota e qyteteruar eshte duke punuar dhe krahas me perballimin e efekteve te krizes aktuale, e ardhmja do te jete ndryshe, Asgje nuk do te jete me si me pare… Ndersa kercenimi i urise ne nivel global duket se perben nje kercenim real, me problemet e medha te konflikteve sociale qe e shoqerojne. Per fat te keq, Shqiperia, edhe pse disponon siperfaqe toek bujaesore te kosnderueshme qe mudn te zbusnin kete efekt te qytetafret e saj, eshte larg ndermarrjes se ndonjerhapi domethenes ne drejtim te perballimit se ketij kercenimi…

BUJQESIA, BLEGTORIA DHE NDIKIMI NE EKONOMINE SHQIPTARE

Ne kete dege te ekonomise shqiptare jane akumuluar probleme te reja dhete vjetra qe zene fill me paqartesite e pronesise dhe mungesen e sigurise juridike, fragmentimin e tokes, bujqesore, pushtimin esaj nga ndertimet e paligjshme dhe informale, mungesen e fuqise puntore te kualifikuar, pamundesine e perdorimit te mekanizimit dhe metodave moderne qe cojne ne rritjen e produktivitetit te punes, mungesen e institucioneve shtetere qe garantojne farera e fidane te zgjedhur dhe kafsheve te races, pamundesine e zbatimit te qarkullimeve bujqesore, mungesen e subvencioneve dhe te mbeshtetjes zhvillimore per kete sektor, etj.

Pa perballimin me realizem te ketyre dhe problemeve te gjera ne bujqesi dhe ne blegtori, as qe mund te pritet ndonje ndryshim serioz ne ekonomine shqiptare.

KRIZA NE ENERGJITIKE, NJE DIMER I VESHTIRE PER EKONOMINE SHQIPTARE

Nje nder sektoret me te prekur nga kriza aktuale rezulton te jete sektori energjitik i vendit. Ne menyre paradoksale ishte vete kreu i qeverise z. Rama qe paralajmeroi ne tremujorin e fundit te 2021 krizen energjitike, por pervec disa kontratave koncesionare te diskutueshme per favoritizem ne kete sektor qeveria shqiptare nuk ka ndermarre asnje mase mbeshtetese per te lehtesuar efektet e krizes globale energjitike ne ekonomine shqiptare, sic mund te jete rishikimi i struktures se taksave per te lehtesuar konsumatoret, nxitjen e permiresimit te transportit publik, nxitjen e prodhimit te energjise nga burime alternative, etj. Per me teper qe likujddimi perfundimtar i perpunimit te naftes ne vend (ish-kompania ARMO) dhe dergimi per skrap i rafinerise se saj, si dhe krijimi i te ashtuquajturve „borde te transparences“, deshmon per mungese vizioni nga ana e qeverise dhe per perdorim te krizes aktuale ekonomike si nje mjet per te rritur te ardhurat ne buxhetin e shtetit, por duke varferuar me tej qytetaret. Nderkaq liberalizimi i furnizimit me energji te nje numri biznesesh duke i nxjerre jashte fashes me cmim te rregulluar ka nxitur rritjen e cmimit te energjise per keto biznese si dhe per rrjedhoje edhe te mallrave dhe te sherbimeve te lidhura me to nen nje efekt kaskade. Ne te njejten kohe, qeveria ka shpallur edhe disa tendera publike ne sektorin energjitik, psh per marrjen me qera te disa termo-centraleve te lundrueshme, por qe sipas eksperteve te mjedisit do te shoqerohen, pervec cmimit te larte per njesi te prodhimit te energjise, edhe me rritjen e ndotjes mjedisore ne zonen bregdetare te jugut. Ne menyre te permbledhur, mund te thuhet se ekonomia shqiptare eshte gjeresisht e ekspozuar ndaj krizes ekonomike boterore si dhe vazhdon te shfaqe probleme serioze strukturore. Ne keto rrethana, vleresime te ndryshme flasin per ngadalesim te rritjes ekonomike gjate vitit 2023 si dhe per ngushtim relative te konsumit nga popullsia dhe bizneset.

Jane edhe nje numer politikash ekonomike dhe fiskale te qeverise, te cilat, edhe pse ne dukje sikur e lehtesojne ndikimin e krizes aktuale ne ekonomine shqiptare, vleresohet se do ta rendojne me tej kete krize. Te tilla jane e ashtuquajtura „amnisti fiskale dhe e aseteve“ dhe „legalizimi i kanabisit per qellime mjekesore“. Te para nga kend veshtrimi makro-ekonomik, keto dy politika te qeverise, edhe pse nuk jane shnderruar akoma ne ligje nga Kuvendi i Shqiperise, pritet qe te perkeqesojne me tej klimen e biznesit ne vend, duke e bere vendin edhe me pak terheqes per investimet e huaja direkte, duke acaruar marredheniet e vete qeverise me institucionet nderkombetare, por edhe duke nxitur kultivimin e kanabisit kriminal dhe okupimin e tokes bujqesore me „bimen e vdekjes“ dhe problemet e shumta qe e shoqerojne kete biznes te paligjshem. 

Studime te ndryshme tonat dhe te eksperteve te huaj verejne se ne kushtet e sotme, efektet e krizes mund te zvogelohen vetem nese politikat fiskale te qeverise synojne te nxitin prodhimin vendas dhe te mbeshtesin financiarisht njekohesisht shtresat dhe grupet sociale ne nevoje. Po keshtu, politikat monetare mund dhe duhet te synojne ruajtjen e ekuilibreve midis konsumatoreve dhe klienteve te sistemit bankar, me synim nxitjen e kredimit te ekonomise reale, si rruga me e sigurte per nxitjen e ekonomise per te dale nga kriza.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja, Zef Preci

MJESHTRI I SONETEVE, QË ERDHI NGA FERRI DHE SHKOI NË PARAJSË…

July 12, 2022 by s p

– Uran Kostrecit në një vjetorin e ikjes-

Nga Visar Zhiti

Më vjen të vë titullin “Kont” tani që shkruaj Uran Kostreci, jo vetëm pse kemi një Kont Urani në historinë e lavdishme të Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, të atij burrit plot besë, që i qëndroi në krah Heroit Kombëtar dhe, edhe kur Sulltan Murati I a II a të dy ishin gati që t’i jepte mushka me florinj, që ta shiste Skënderbeun dhe ai s’u korruptua kurrë, na e dëshmon historia, por kështu dhe Urani im, i qendroi besnik vuajtjes së tij, burgut, idealit, nuk u korruptuar asnjëhere, i pa epur deri në ashpërsi, nga shkaku i drejtësisë, i dhëmbshur deri në lotë, nga shkaku i mirësisë, poet, madje i sonetit, tringëllimës në shqip, që e shkruajti pa ndërprerje, e buronte, me një begati rimash, duke e bërë armën e tij, si një shpatë argjendi marçiale, plot gurë të çmuar, me atë godiste të keqen që i dilte përpara dhe nderonte si një kalorës virtytet dhe emrat e lartë, ata të nacionalizmit. Secilit më të shquarve u ka kushtuar nga një sonet, që ua ka dhënë si dekorate. Vërtet Uran Kostreci kishte diçka kalorsiake prej konti, një vetmi fisnike dhe me miq plot, bredharak dhe i qendrueshëm, që s’të falte dhe falës, zë lartë dhe i urtë, dinjitoz e i hijshëm, i gjatë, me një kapele republike mbi krye, si një enigmë, me një shkak. Dhe me mendime republikane, konservatore, me cigaren në buzë si një shpotí, duhej ca tym, duhej. Portret dhe poeti dhe ashtu ishte. I përkiste letërsisë tjetër, asaj që erdhi nga burgjet dhe internimet. Dhe në librin tim, në sprovën “Kartela të Realizmit të Dënuar”, është dhe ajo e ustait të soneteve, qendrestarit të burgjeve që tha: “burgu s’më bëri asgjë mua”. E gjithë vuajtja për këtë sfidë… .

KARTELA E DHËMBSHME E URAN KOSTRECIT

…pasionanti i soneteve të klasicizmit, i atyre tringëllimave që duket se u krijuan qysh në shekullin XIII për t’i kënduar dashurisë dhe gëzimeve, por që në poezinë moderne shqipe, në letërsinë tjetër, u kthyen në klithma apokaliptike. Që i vogël Uran Kostreci u njoh me persekutimin komunist, i arrestojnë babanë si nacionalist antikomunist, i nxjerrin nga shtëpia familjarisht… duke u rritur, duke iu shtuar dëshira për shkollë, ia del të mbarojë “Normalen” e Elbasanit, bëhet dhe mësues, por do të shkruante keq në një poezi për Enverin, vetëm arratisja do të mund ta shpëtonte, por e kapin në Liqenin e Pogradecit dhe e dënojnë me burg, e mbyllin në Burrel… I burgosuri Ejëll Çoba i dha mësime italishteje dhe Danten, Koço Tasi i bëri filozofi, Kudret Kokoshi i përforcoi sonetin dhe nacionalizmin, ndërsa rebelin e kishte vetë në gjak. Kur ishte në vitin e 15–të, e dënojnë prapë me 8 vjet të tjera, me akuzën se kishte sharë Enverin, hakamarrje për poezinë që nuk ia gjetën dikur. Mbas 20 vitesh burg, e lirojnë, sipas tij nga shkaku i “Lëvizjeve në Kosovë”. Punon hamall dhe e arrestojnë prapë dhe prapë në internim dhe ai prapë do që të arratiset dhe arrestojnë në tren dhe ai u ikën prapë… kur përmendet nga goditja me hekur në kokë, e sheh veten me pranga në duar. Mbas torturave të shpejta, një gjyq i shpejtë në Elbasan dhe e dënojnë me 3 vjet të tjera burg. “Epopeja e karkalecave”, poemë e Uran Kostrecit doli nga burgu bashkë me të, jo e shkruar, e kishte në mbamendje dhe u bë e njohur si satire. s’bëhet fjalë për epideminë e karkalecëve, që ra kur komunistët morën pushtetin, por është si një kacafytje letrare me një satirë tjetër të një shkrimtari të socrealizmit, e cila qe futur dhe në tekstet e shkollave, nga që përqeshte patriotët dhe luftën e tyre duke shtrembëruar të vërtetat historike. Urani i soneteve, i zgjedhur dhe si kryetar i Partisë Demokratike në Elbasan, i përvishet punës së antigenocidit, heton nga ata që ishin përgjegjës për persekutimet komuniste, nja 30 të tillë i bëjnë gati dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë, por lirohen shpejt nga rrëmujat e ’97 dhe mbetet i rrezikuari përsëri Urani i burgjeve dhe ikën, tani ia del, shkon në SHBA, kërkon strehim politik dhe strehohet te shoqata shqiparo–amerikane “Vatra”. Në 2007 kthehet në atdhe, boton një libër me sonete dhe një novelë. Shkruan sonete vazhdimisht, edhe tani që është 80 vjeç, ja atje mes njerëzve te një tryezë në kafenenë “Piazza” në qendër të Tiranës dhe nuk e heq nga kryet borsalinën.

Ca kuqo artistë, a për frik’ a për pare,

Kur ferr qe Atdheu, iu lëpin tiranit:

Ja shitnë ata, gjer dje, shpirtin shejtanit!

Duke u tërhequr… këmba–dore zvarre,

Bënë ata filma e rrejtën ashiqare,

Se kuqot gjasme i dhan’ dërmën gjermanit..

Ndonse vran’ shqipo për qejf të Dushanit!

Çka u bë dje, s’po thotë askush gjë fare,

Po qysh dhe sot… ca filma me kulakë,

Spiunë amerikanë e priftërinj,

Prap’ shfaqen… çoroditin mjaft të rinj,

Që s’njohin komunizmë e s’dinë aspak

Qysh kuqua Atdhen burgosi, derdhi gjak

E n’ internim ai vrau dhe çiliminj.

Ishte soneti ÇORODITJE, por a dini pse e mban borsalinën, nuk do që t’i duket në kokë një vragë e thelluar plumbi. E ka që nga atëhere, kur eqëlluan rojat në burg, teksa u ishte hedhur përsipër telave me gjëmba të ferrit për t’u vrarë, xhupi i të burgosurit iu shpupurit nga plumbat duke shpërndarë copëza pambuku të zi si pendë korbash dhe ai ra i vrarë. Kur ia zvarritën kufomën për te një nga birucat, një Zot e di se ç’engjëll erdhi dhe e ringjalli…Që të mos duket as si hero dhe as si viktimë, – shkruan studiuesi Uran Butka, – ai mban atë kapele republike.

* * *

Kaq herë i bëri dredha vdekjes dhe s’ja kishte frikën asaj. Dilte nga spitali si më buzagaz, pas çdo operacioni, Edhe me Covid-19 sikur tallej. Le të rivinte. E donte jetën, por më shumë nderin e saj. I pa lodhur, më së fundmi vendosi të shplodhej. 83 vjeç mbylli sytë përgjithmonë, sot, dje, nesër, s’ka rëndësi, rëndësia ka që ai pa, edhe ferr edhe parajsë dhe sytë i xixëllinin njëlloj. Në fakt tek ai më shumë panë… Ndizte një cigare dhe nën tymin e saj shkruante një sonet tjetër. Ai vërtet u bë një lloj konti i vonë i sonetit të harruar. Atdhetar së pari. Dhe shkruante dhe për Kosovën, dhe për Çamërinë, për demokracinë, SHBA-në, për burrat sërisht, për politikën e ditës… sonete morali, Si porositë. Pa zor. Dhe si të ishin frymëmarrja e fundit. Si poet ai ka shumë frymëmarrje të fundit. Lajmi u dha se do të kishte homazhe në nderim të tij. Dhe ku? Në Godinën e ish të Përndjekurve Politikë. Atje,.. një tjetë trishtim dhe ky, i përndjekur deri në vdekje. I ndarë. Atje…. Duket sikur homazhet kështu mund të bëheshin njëlloj dhe në qelitë e burgut të Burrelit. A s’kishte shteti salla institucionesh të kulturës, ku nën hijen e Flamurit Kombëtar, të silleshin dhe kurorat me lule, se Uran Kostreci u bë emër i njohur i poezisë së tanishme, mediatik me intervistat, emblematik si qendrestar, zë i kujtesës së vuajtjes së madhe, që përbashkon dhe jo që ndan popullin…

* * *

Ka një vit që s’është midis nesh, mungon në tryezat me miqtë, në kuvende, në shëtitjet vetmitare rrugëve, por gjithsesi është më shumë se më parë, zë poeti, kumbimesh që në letra quhen sonete, që vuajtja e lartësoi si Njeri.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

Koncili i Dytë i Vatikanit (1962 – 1965)

July 12, 2022 by s p

Dekreti mbi ekumenizëm “Unitatis Redintegratio” –  Rimëkëmja e Njësisë.  

Koncili i Dytë i Vatikanit kishte qëllime dhe synime të qarta ekumenike. Dokumenti mbi ekumenizmin quhet dhe është Dekret, sepse ka fuqi zbatimi për jetën kishtare. Pas shpalljes së këtij Dekreti, janë botuar edhe tre Direktore ekumenike, nga Sekretariati për Bashkimin e të Krishterëve (1967, 1970, 1993). 

Një ndër elementet kryesore të Koncilit të Dytë të Vatikanit është edhe bashkimi i të krishterëve (Lexo dhe krahaso: Ratko Perić – Michal Lacko, Dekret o ekumenizmu, KS, Zagreb, 1982, fq. 41 – 42. 

Kreu i parë i Dekretit na jep parimet kryesore të ekumenizmit katolik, duke u nisur prej botëkuptimit biblik. Zoti na zbulohet si mirësi, dashuri dhe falje në Jezu Krishtin, i cili me mundime, vdekje dhe ngjallje na ka shëlbuar. Vepra e tij vazhdon edhe sot nëpërmjet Kishës, të përforcuar në Shpirtin Shenjt, i cili është udhëheqësi dhe zbatuesi i bashkimit kishtar. Kisha përparon në kohë dhe në hapësirë, në histori dhe në gjeografi, dhe si e tillë ka elementin hyjnor dhe njerëzor. 

Për ruajtje dhe udhëheqje të sigurt të saj Jezusi i ka zgjedhur apostujt dhe pasardhësit e tyre në krye me Shën Pjetrin, Papën dhe kolegjin ipeshkvor. 

                     Marrëdhëniet me vëllezërit e ndarë 

Në Kishë gati qysh prej fillimit janë paraqitur disa mosmarrëveshje dhe ndarje të brendshme, e më vonë gjatë shekujve, për fat të zi, edhe shkëputje dhe copëtime të vërteta., “por pa faj të besimtarëve. Kisha Katolike ata i përqafon me nderim vëllazëror dhe me dashuri.” (UR 3) 

Krishti ka dashur dhe ka themeluar vetëm një Kishë, mirëpo ajo në kohë është copëtuar nën ndikimin e mëkatit dhe të natyrës njerëzore. Prandaj çdo ndarje – përçarje – copëtim në Kishë  është pasojë e mëkatit dhe mëkat. 

Para Koncilit Kishat e krishtera sulmonin njëra – tjetrën për ndarje, kurse tani ndarja shqyrtohet  si pasojë e mëkatit dhe përgjegjësia është e të gjithëve, edhe pse dihet se Kisha katolike është më besnikja dhe më e afërta themeluesit të Kishës së Krishtit (Khs. Ratko Peric, v. e cit. f. 55). 

Besimtarët jo katolikë nuk janë fajtorë për ndarjen e tyre nga Kisha katolike, e disa prej tyre janë në bashkim jo të plotë, të papërsosur me ne, sepse janë të pagëzuar në emër të Jezu Krishtit. Përpos pagëzimit kanë edhe shumë gjëra tjera të përbashkëta: “Shkrimin Shenjt, fenë e përbashkët, shpresën, dashurinë; sakramentet e përbashkëta së paku me Kishën Ortodokse.” (Po aty, f. 57). 

Këto janë “elementet e Kishës” që gjenden edhe në bashkësitë kishtare jo katolike, diku më shumë e diku më pak, kurse omnis plenitudo (tërë plotësia) është në Kishën katolike këtu në tokë, dhe “ad totam plenitudinem” (kah plotësia e tërësishme), do të arrijmë vetëm në qiell, në amshim. 

Numri 4 i Dekretit thekson nevojën e kërkesës së afrimit dhe bashkimit të plotë ndër të krishterë, sipas dëshirës së Krishtit, por edhe duke iu përgjigjur “shenjave të kohës”, sipas thënies së Papës Gjoni XXIII. 

Pikësëpari duhet larguar pengesat si p. sh. mallkimin apo ekskomunikimin e ndërsjellët në mes të Kishës katolike dhe Ortodokse (1965). Kjo mund të arrihet vetëm me dialog të çiltër mbi pyetjet dhe çështjet fetare dhe kishtare, si dhe me shqyrtimin e ndërgjegjes mbi besnikërinë ndaj Jezu Krishtit, për t’u përtërirë dhe rilindur në Shpirtin Shenjt. (Po aty, f. 60 – 65). 

Pajtimi i vëllezërve të ndarë me Kishën katolike (reconciliatio), sipas veprimit të Shpirtit Shenjt, është detyrë e të gjithëve.  

Ekumenizmi katolik i ka dy drejtime: “në një anë duhet të drejtohet kah vëllezërit e ndarë, kurse në anën tjetër kah Kisha e Krishtit si e kanë njohur nëpërmjet apostujve.” (Po aty, v. e cit. f. 67; Khs. Franc Hummer, Ortodoxie un Zweites Vatikanum, Herder., 1966, f. 52 – 58). 

Ndoshta në mënyrë përmbledhëse mund të themi me Shën Augustinin kështu: in non neccessariis libertas (në gjëra të parëndësishme liria), in neccessariis unitas (në gjëra të nevojshme bashkimi), in omnibus charitas (në të gjitha dashuria). 

Kreu i dytë, numrat 5, 6, 7 të Dekretit flasin për kujdesin e Kishës katolike për ekumenizëm dhe përtërirje, sepse Koncili II i Vatikanit kishte këtë qëllime:  

baritore: përtërirjen e brendshme të Kishës katolike; 

misionare: ndaj botës dhe kohës së sotme; 

ekumenike: ndaj të gjithë të krishterëve. 

Papa Pali VI gjatë seksionit të dytë të Koncilit tha haptazi dhe guximshëm, me plot përvujtëri: “Ne kërkojmë falje prej Zotit dhe prej vëllezerve të ndarë, të cilët mund të ndihet të fyer; jemi të gatshëm, sa na përket Neve, t’i falim të gjitha fyerjet ndaj Kishës katolike dhe t’i harrojmë dhembjet gjatë shumë shekujve për shkak të ndarjes dhe përçarjes.”  ( Në Ratko Peric, v. e cit. f. 81-82). 

“Kthimi i zemrës dhe shenjtëria e jetës, së bashku me lutjen private dhe botore për bashkimin e të krishterëve, trajtohen si shpirti i lëvizjes ekumenike dhe me të drejtë të plotë mund të quhet ekumenizmi shpirtërore.”  (UR 8). 

Përpos kësaj nevojitet njohja e ndërsjellë, sidomos në këto drejtime: mësimi i fesë dhe historisë së krishterë, përshpirtëria dhe liturgjia, përvojat dhe traditat kishtare. (Khs. UR 9). 

Numri 10 i Dekretit flet për edukimin dhe informimin ekumenik të meshtarëve, rregulltarëve, rregulltarëve, si dhe të mbarë popullit të krishterë, kuptohet gjithmonë në frymën e afrimit dhe bashkimit, por kursesi në dëm të vërtetës apo të teologjisë. (Khs. UR 10, 11). 

“Të gjithë të krishterët le të dëshmojnë para mbarë popujve fenë në të Shenjtërueshmen Tri, në mishërimin e Birit të Zotit, Shpërblyesit dhe Zotërisë tonë…” (UR 12). 

“Dëshmia dhe shërbimi (myrtyrion dhe diakronia) janë si thelbi i tërë Dekretit…” (Ratko Peric, v. e cit. fq. 103; Mbi Dekretin UR lexo: Jerko Barišić, Da budu jedno, Crkva u svijetu, Split, 1976, fq. 53 – 60; Nuovo dizionario di telogia, EP, 1977, fq. 364 – 369). 

Prishtinë, 12 korrik 2022           Radio Maria – Kosovë                 Don Lush Gjergji 

Filed Under: Interviste

MYSAFIRI I MBRËMJEVE 

July 12, 2022 by s p

C:\Users\Agim\Desktop\Documents\AGU\Agim Xh. Dëshnica.jpg

Agim Xh. Dëhnica

Në një fshat mbi Kuç, pas Qafës së Gomares, jetonte me njerëzit e vet, Hamza Hodo. Megjithëse ishte kohë lufte, të gjithë fshatarët punonin si në paqe, pa u lodhur, qoftë duke mbjellë e korrur,  qoftë duke u marrë me vreshtarinë e bagëtitë. Buka, mishi, si edhe rakia nga rrushi, nuk u mungonin kurrë. Prej rrushit bënin edhe pekmez, rahni e uthull. Nga dhentë e dhitë merrnin qumështin, nxirrnin gjalpë, djathë, dhallë dhe hirë. Nga pulat – vezët.

Hamzai, burrë i mençur e bujar, i priste miqtë me raki, meze e kafe. Mikun e largët e luste të rrinte  për darkë  dhe të flinte  si në shtëpinë e tij. Veçse nuk i shihte me sy të mirë disa, që endeshin kohë pa kohë në dyert e botës, ndaj i pëlqente shprehja e njohur turke: “Një ditë mysafir, dy ditë mysafir, të tretën ngrehu e ik, o qafir!” 

Gjatë dimrit, zjarri në vatrën e Hamzait, me kërçepa lisi, nuk shuhej as ditën e as natën. Darka tek ai shtrohej e pasur, me supë nga lëng mishi, me vezë të fërguara me gjalpë, me pula të pjekura e pilaf, me byrek dhe, në fund, vinte ëmbëlsira me qumësht, mjaltë e fruta.

Siç ndodhte shpesh në ato mbrëmje dhjetori, u dëgjuan në oborr të lehurat e egra të qenve, Balikut e Murros. 

– O Hamza,  lidhur i ke qentë, ore?!

I zoti i shtëpisë doli në çardak, në krye të shkallëve, dhe u përgjigj:

– Hyr, o, hyr, se të lidhur janë!

Dhe nuk doli i gabuar. Ai ishte Qazo Shkoza, nga lagjja e poshtme, tek asnjë pyll me drurë shkoze s’kishte bërë hije ndonjëherë. Gjithë njerëzit e shtëpisë së Qazos merreshin me punë, por atij nuk i zinte vendi vend, as kur priste thëllimi. Bridhte ku t’i shkrepej, por më  shpesh shtyhej si era drejt shtëpisë së Hamza Hodos. I pëlqente ta kalonte  mbrëmjen atje, me tërë ato të mira, që i shtronin para, duke i dhënë muhabet të ëmbël pranë zjarrit.  Megjithatë, thoshte me vete: “Si s’më mbajti një herë për darkë pa më ftuar, xhanëm!” Qazo Shkozës i kujtohej se kur ftohej te Hamzai në raste gëzimi, shqepej me të ngrënë e me të pirë. Ndaj këtë herë e kishte vendosur të mos largohej thatë.

– Mirë se ju gjej! – tha, duke ngjitur shkallët.         

– Urdhëro e  zër vend në qoshe!

– Më ra udha këtej, – ia nisi Qazua, – ndaj mendova të kthehem pak, sa për t’ju pyetur si jeni.

– Mirë se erdhe dhe të faleminderit!

I zoti i shtëpisë i zgjati dorën dhe i hodhi kutinë e duhanit.

– Pardje na kënaqe me atë darkën, që shtrove, or Hamza! Dje kishe prapë miq, më thanë, ndaj s’të erdha dot, po  shkova e u ngula  te Isufi. 

Djali i mesëm pruri në tabaka një shishe me  raki dhe dy gota  qelqi,  meze me mëlçi dashi, djathë dhe bukë të ngrohtë. Qazos iu dukën pak, gjithsesi u kënaq.

– Dimër, hë ? – e mori fjalën i zoti i shtëpisë.

– Dimër, jo llafe!

– Ftohtë jashtë!

– Ftohtë, the!? Të dridhen dhëmbë e dhëmballë! Pa, pa, pa!

Kaloi një kohë e gjatë duke folur për rrojtjen, punën dhe luftën.

Qazos i pëlqente të tregonte histori nga fshati për bëma të pabesueshme të një gruaje, që pinte duhan të dredhur dhe mbante kobure në brez si burrat. Pastaj vazhdonte me mullisin, që marrkësh  drithë nga thasët e fshatarëve më shumë sesa i takonte, ndërsa asaj gruas me kobure ia bluante bereqetin falas. 

Hamzai dëgjonte dhe fliste pak. 

Dikur biseda e tyre ngeci dhe po  tërhiqej zvarrë. Me të mbaruar rakia dhe mezetë, mbërriti pa vonesë kafeja. Ajo do të thoshte se qe bërë vonë dhe mysafiri duhej të ngrihej e të ikte. Kafenë e nxjerrë shpejt, në popull e quajnë “sikterkafe”. 

Biseda mbaroi,  por Qazua as kujtohej ta linte shiltenë prej lëkure dashi. Mendja atij i punonte për darkën, që do të shtrohej më pas. Ndaj dhe u gëzua, kur Hamzai nisi të fliste prapë:

– Jashtë,  siç po e marr vesh nga veshët që me kruhen,  paska për të rënë shi i madh! Njerëzit, që do t’i zërë  udhës, do t’i bëjë qull, po edhe mund t’u kallë plevitin.    

– Ashtu them edhe unë, por neve s’ka ç’na bën! Jemi mirë këtu! Shtëpinë  e ke të ngrohtë ti, Hamza, dhe çatinë të mbuluar me tjegulla të reja. 

Por, Hamzai vazhdoi në të tijën:

– Pas shiut do të rënka breshër i fortë! Njerëzit, duke ecur nëpër të,  është rrezik të rrëshqasin e të thyejnë qafën!  

– Mirë thua, çfarë nuk bën vaki në këtë botë!

– Pas shqotës, do t’ia nisë dëbora, më duket! Dhe do t’u zërë frymën rrugëve, sa as mushkat nuk do t’i çajnë dot. Kush do të gjendet jashtë në ato orë, do të eci duke parë ëndrra. Pastaj do të përplaset mbi dëborë për gjumë dhe së fundi do të ngrijë, do të shkojë në djall, do t’u bëhet kismet ujqëve të babëzitur.

– Ç’e lodh mendjen aq! – qeshi Qazua. – Ne s’na gjen gjë këtu brenda! – Zjarrin e kemi me bollëk! Po të duam, rrimë e gdhijmë me muhabet. 

Ra heshtja përsëri. Dëgjohej herë pas here kërcitja e druve në vatër. Jashtë, qetësinë e natës e prishnin herë – herë të  lehurat e qenve.

– O Qazo!

– Urdhëro, të paça!

– A më ke mik?

– Ç’është ajo fjalë! Mik e shkuar mikut! 

– Kam rënë në një hall, që ta dish zotrote!

– Çfarë halli, thuama!

– Më duhen disa napolona flori, për të blerë nja  dy qe dhe një  lopë! Vras mendjen, kujt t’ia kërkoj!

Qazo Shkoza nuk  u ndie. Pa majtas, u ngrit në këmbë dhe hodhi sytë  në dritare. Jashtë ishte terr. Nuk dukej asgjë.

-Bobo! – ia ktheu. – Mirë the ti, Hamza! Do të rënka shi me gjyma aq sa nuk ka ndodhur kurrë në anët tona! S’është çudi t’ia nisë edhe ndonjë breshër sa një kokër arrë! Po edhe dëborë mund të bjerë, mbase! Mund të mbyllen rrugët për javë të tëra, siç the zotrote. E di ç’ke? A nuk i vëmë qylaf muhabetit tani?  Ika unë!   

– Rri, o Qazo Shkoza, sa ta  mbaroj llafin, të paktën!

– Ika! Ika !  Mbeçi me shëndet!

Jashtë u dëgjuan prapë të lehurat e egërsuara të qenve të lidhur, Djemtë  u turrën t’i qetësonin. 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Deshnica

LE PETIT MARSEILLAIS (1913) / DETAJE MBI MIZORITË E USHTRISË SERBE TË KRYERA KUNDËR SHQIPTARËVE NË 1912

July 12, 2022 by s p


Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 12 Korrik 2022

“Le Petit Marseillais” ka botuar, të enjten e 2 janarit 1913, në ballinë, shënimet e mbledhura nga qeveria austro-hungareze mbi mizoritë e ushtruara nga ushtarët serbë në Shqipëri, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

Mizoritë në Shqipëri

Korrespondenti i Daily Telegraph në Budapest thotë se ka marrë shënimet e mbledhura nga qeveria austro-hungareze mbi mizoritë e ushtruara nga ushtarët serbë në Shqipëri. Ai jep një ekstrakt nga i cili ne riprodhojmë më poshtë pikat më të spikatura :

Në marshimin e tyre nëpër Shqipëri, drejt detit, thonë këto shënime, serbët nuk u mjaftuan me ekzekutimin e shqiptarëve të armatosur; mizoria e tyre e tmerrshme nuk i ka kursyer njerëzit e paarmatosur, të pambrojturit, pleqtë, gratë, fëmijët edhe foshnjat në gji. Oficerët serbë, të çmendur nga fitorja, deklaruan se pastrimi më i mirë i Shqipërisë do të ishte shfarosja totale e shqiptarëve myslimanë. Ky slogan u miratua shpejt dhe u zbatua në praktikë. Midis Kumanovës dhe Shkupit, u ekzekutuan tre mijë njerëz; afër Prishtinës, pesë mijë, ekskluzivisht arnautë (shqiptarë myslimanë), ranë nën goditjet e serbëve. Nuk ishte një betejë e nderuar, por vrasje të pajustifikueshme, për realizimin e së cilës ushtarët e tërbuar shpikën metoda të reja mizorie. Në disa fshatra u dogjën të gjitha shtëpitë dhe banorët e tyre, të cilët tentuan t’i shpëtonin flakëve, u qëlluan si minjtë, sapo u shfaqën në vrimat (në dalje). Burrat u qëlluan në sy të grave dhe fëmijëve të tyre dhe më pas këto gra u goditën me bajoneta, duke u përpjekur të mbronin fëmijët e tyre.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ekzekutimet ishin argëtimi i përditshëm i ushtarëve. Në çdo shtëpi ku u gjetën armë vriteshin të gjithë banorët, me plumba apo me varje. Në një ditë të vetme, pati tridhjetë e gjashtë ekzekutime. Një ish-sekretar i z. Pashiç, kryeministrit serb, z. Tomiç, një zotëri serbo-hungarez, tha se gjatë një udhëtimi nga Prizreni në Pejë kishte parë vetëm fshatra të djegura, në të dy anët e rrugës. Skajet e kësaj rruge ishin të mbushura me shtylla në të cilat vareshin trupat e shqiptarëve. Rruga për në Gjakovë ishte një “rruga e shtyllave”.

Edhe gazetat që dalin në Beograd rrëfejnë mizoritë e kryera nga serbët. Thuhet se kur koloneli Ostoiç ka hyrë në Prizren, ka bërtitur : “Vritni!” dhe se sapo u dha ky urdhër, ushtarët e tij u vërsulën nëpër shtëpi dhe vranë gjithçka që u binte në dorë.

Një shkresë raporton faktin e tmerrshëm në vijim :

“Kushdo që u denoncohej serbëve si shqiptar, ishte i sigurt se do të vritej. Ndodhte shpesh që njerëzit që u kishin borxh shqiptarëve myslimanë i denonconin si tradhtarë. Pa ndryshim këta fatkeqë vareshin dhe informatorët ishin të autorizuar të blinin, me një çmim minimal, shtëpinë e kreditorit të tyre. Në Shkup, shqiptarë të paarmatosur u vranë në rrugë nga oficerët serbë. Nëse në një banesë gjendej qoftë dhe një thikë gjuetie, pronari pushkatohej. Nuk akordohej asnjë falje.”

Në Ferizaj, komandanti serb i kishte ftuar të arratisurit që të ktheheshin dhe të dorëzonin armët. Pasi u çarmatosën, katërqind prej tyre u pushkatuan. Në këtë qytet mbetën të gjalla pothuajse një gjysmë duzine familjesh myslimane. Në Pana serbët vranë të burgosurit e tyre, ndërsa në Varosh dhe në Prishtinë popullsia me plot fjalën u shkatërrua.

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 50
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT