• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2022

Srebrenica – A Dark Page of Recent European History

July 11, 2022 by s p

Edited by Rafaela Prifti/

High Representative/Vice-President Josep Borrell and Commissioner Olivér Várhelyi issued a joint statement on the 27th anniversary of the genocide of Srebrenica. Drawing an analogy between Russia’s unjustified aggression and mass killings in Ukraine with the Srebrenica genocide, the statement read in part:

“We honor for the 27th year the memory of all victims and of all those still missing of the genocide of Srebrenica. We stand together, in grief, with their relatives and friends who survived the genocide. However, still today we cannot take peace for granted. Russia’s unjustified and unprovoked aggression against Ukraine has brought back a brutal war to our continent. The mass killings and war crimes we see in Ukraine bring back vivid memories of those witnessed in the war in the Western Balkans in the 1990s,” the statement said.

It is more than ever our duty to remember the genocide of Srebrenica, as part of our common European history.”

Borrell and Várhelyi underscore the importance of defending peace and standing up for human rights globally. “As we see the security and stability of Europe and the international rules-based order profoundly shaken, we are reminded of the need to stand up to defend peace, human dignity and universal values.”

“Europe has not forgotten what happened in Srebrenica and our own responsibility for not being able to prevent and to stop the genocide. In Srebrenica, Europe failed and we are faced with our shame,” the statement said.

Filed Under: Analiza Tagged With: Rafaela Prifti

LAJMËRIMET E KISSINGERIT UKRAINËS. KUR DUHET BISEDUAR ARMËPUSHIMI? DHJETË MUAJ VENDIMTARË PËR PUTININ

July 11, 2022 by s p

Nga FEDERICO FUBINI/

Dy herë Henry Kissinger ka thënë diçka që është dukur jashtë boshtit kundrejt vijës së G7 për Ukrainën. Më shumë se një muaj më parë në Davos ish sekretari I Shtetit amerikan, tashmë gati njëqindvjeçar, ka vërejtur se bisedimet për paqe do të duhej të fillonin brënda fundit të korrikut “më parë se të krijohen kryengritje dhe tensione që mund të bëheshin të papërballueshme”. Kissinger ka shtuar më pas një fjali që duket si një ftesë Kievit për të hequr dorë nga Krimea dhe pseudo-republikat e Donjeckut e të Luganskut: “Idealisht gjëndja do të duhej të kthehej në status quo ante (më 24 dhjetor (shën. i dr.). Besoj se vazhdimi I luftës përtej asaj pike do t’a shndërronte në një luftë jo për lirinë e Ukrainës, por kundër Rusisë”. Gari Kasparov, kundërshtari I madh rus, I është përgjigjur se ajo ide është treguar e gabuar: t’I lëshohen territore Kremlinit “nuk është e përkrahëshme, sepse me kohë diktatorët kanë nevojë për luftë”. Në të vërtetë lënia e Krimesë më 2014 veçse ka shtuar etjen e agresionit të Vladimir Putinit.

Megjithatë javën e shkuar Kissingeri u këthye në temën me Luigi Ippolito në Corriere. Duhet thyer mësyemja e Ukrainës, tha, “jo Rusia si Shtet” dhe duhet “kthyer në rrugën historike për të cilën Rusia është pjesë e sistemit evropian”. Dhe ka vazhduar: “Kemi arritur në një çast në të cilin duhet përballuar çështja e fundit të luftës në termat e synimeve politike po aq sa edhe ushtarake. Nuk mund të vazhdohet thjesht të luftohet pa patur një synim”. 

Çfarë donte të thonte Kissingeri? Pa dyshim sheh edhe ai vështirësitë në të cilat ndodhet Ukraina në përplasjen. Ushtria ruse është kthyer në taktikën cariste  të tokës së djegur me artileri e vetëm më pas të përparohet me këmbësori; Lugansku është marrë dhe tani po depërton thellësisht në Donjeck. Është e mundur që ukrainasit të orvaten në një kundërsulm në Jugë me hedhësit e raketave t’arritura nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, sulmet ajrore ruse, nga dyzet deri në pesëdhjetë në ditë, shkatërrojnë sasi të mëdha të armëve të dhëna nga perëndimorët dhe i shkaktojnë humbje ushtrisë së Kievit: simbas disa përllogaritjeve, deri në 40 % të ushtarëve ukrainas janë vrarë apo nuk janë në gjëndje të luftojnë (të tjerë qindra mijra njerëz në trupat e rendit publik kanë nevojë për stërvitje që të shkojnë në luftë).

Putini ka kryer gabime trashanike në dimër por asnjëri nga veprimet e tanishme, fatkeqësisht, nuk duket i rastit. Raketat mbi mbitregjet ose mbi pallatet e Kievit, të Kramatorskut apo të Odesës i shërbejnë terrorizimit të civilëve, por edhe ngritjes së çmimit psikologjik e (sigurues) për qeveritë dhe ndërmarrjet perëndimore që premtojnë të rindërtojnë Ukrainën. Rusifikimi i territoreve të pushtuara i paraprin një orvajtjeje bashkëngjitjeje me një vlerë ligjore të mbrapshtë: për Moskën, çdo kundërsulm në Donbas do të kthehej n’atë pikë në një sulm të territorit të vetë  Rusisë, e si i tillë do të ngrinte çështjen e doktrinës së frikësimit bërthamor.

Edhe Kremlini po paguan një çmim të lartë, natyrisht: disa pasoja të sanksioneve perëndimore fillojnë të bëhen të dukëshme. Prodhimi i automobilëve në Rusi ka rënë me 97%, huatë e bankave ruse me 27 %. Por ndoshta çasti i katastrofës ekonomike ruse nuk do të jetë nesër. Një veteran i industrisë së naftës të Moskës, së fundi i ikur jashtë, Sergei Vakulenko, i ka shpjeguar Corriere-s se koha është faktori thelbësornë luftën ekonomike mes Rusisë dhe Evropës. Në periudhën e shkurtër logjika e Putinit çon në pakësimin skajor të furnizimeve me gaz të evropianëve, në mënyrë që të shkaktojë inflaksion, racionim në dimër, pra armiqësi të opinioneve publike kundrejt politikanëve nëse këta të fundit mbështesin Ukrainën. Nuk është e rastit që qeveria franceze ka paraqitur një projekt-ligj që i lejon shtetëzimin e çentraleve me gaz  në rast piskame. Në të njëjtin skenar, në Berlin zhvarroset një normë e viti 1960, për t’i lejuar qeverisë të marrë kontrollin e gjithë industrisë kombëtare e të vendosë se cilët sektorë duhet të ngadalësojnë apo të ndalojnë. Çështja se si do të përballohen kriza të mundëshme të furnizimit në muajt e ardhshëm do të vihet edhe n’Itali.

Vetëm në rrethin e një apo dy viteve raporti i forcave do të përmbyset. Evropa do të zëvendësojë gazin rus. Dhe mungesa e përbërësve industrialë, e vendosur nga sanksionet, do të bëjë që koha të fillojë të luajë kundër Moskës, duke i sjellë dëme serioze sistemit të saj prodhues. Rrëshqitja e rërës në klesidrën luan për Putinin në nëntë apo dhjetë muajt e ardhshëm, mbrapa kundër tij. Në këto kushte qeveritë evropiane duhet t’i përgjigjen pyetjes më të pavolitëshme sot: a me të vërtetë mendojnë se vetëm Volodimir Zelenski ka të drejtë  të përballojë çështjen se kur dhe si do të ndiqet armëpushimi? Mario Draghi pak ditë më parë e ka përmbledhur kështu qëndrimin e G7: “Nëse do të ketë një gatishmëri për bisedime, jemi gati”. Duket e qartë se do të jetë shumë e vështirë të rimerren territoret tashmë të përfunduara nën kontrollin rus e të kihet iluzioni për t’i marrë, tani, mund të sillte tjetër gjak. Duket po aq e qartë se të njihet sot pushtimi nuk do bëjë tjetër veçse t’i japë kohë e arsye Putinit për të përgatitur  të tjera agresione nesër. Ndërmjet këtyre dy pohimeve, vështirësisht të rrëzueshëm, por të papajtueshëm, përvijohet misioni më i ashpër për evropianët në muajt e vitet e ardhëshme: të mbahet shtrënguar zbatimi i sanksioneve, të veçohet Rusia deri sa t’i bëhet i papërballueshëm çmimi i zgjedhjeve të saj. Megjithatë dëshira për t’u kthyer në bussines as usual është përtej qoshes: Draghi është i vetmi udhëheqës evropian që ka thënë se Vëndi i tij nuk do të blejë më energji ruse, deri sa Putini të qëndrojë në Kremlin.

“Corriere della Sera” 6 korrik 2022    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Komente Tagged With: Eugjen Merlika

UÇK-ja është emblema e lirisë sonë

July 11, 2022 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë, heroike dhe çlirimtare. Pas përfundimit të mandatit të Gjykatës së Hagës, presioni për ta formuar dhe vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale ishte sui generis për drejtësinë ndërkombëtare, meqë qysh në fillim ishte konceptuar si gjykatë që do të ndiqte vetëm pjesëtarët e një kombi, në këtë rast shqiptarët, e si e tillë, paraqet një nonsens juridik, historik dhe politik, sepse është bazuar në paragjykim dhe fajësi a priori të luftës së drejtë për liri e pavarësi.

Krimet masive dhe masakrat çnjerëzore që u bënë ndaj civilëve shqiptarë nga shteti serb, detyruan NATO-n të ndërhyjë për të ndalur gjenocidin dhe deportimin e plotë të civilëve shqiptarë, nga ushtria dhe policia serbe.

Duke qenë se UÇK-ja ishte organizim i popullit shqiptar të Kosovës për t’i bërë ballë dhunës dhe politikës shfarosëse të Serbisë dhe se ndalja e gjenocidit në Kosovë ishte synim i deklaruar i Bashkësisë Ndërkombëtare në të gjitha dokumentet e rezolutat e saj, andaj gjykimi dhe dënimi i strukturës komanduese të UÇK-së, do të thotë dënim i një politike të përbashkët ndërkombëtare që bashkëpunonte me UÇK-në, që ishte në anën e luftës së drejtë përballë një gjenocidi të planifikuar shtetëror të Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës.

Politika amerikane dhe ajo evropiane në vitet 1998-1999, ishin në bashkëpunim të ngushtë me UÇK-në për të ndalur masakrat dhe krimet e shtetit serb. UÇK-ja u bë pjesë e marrëveshjeve ndërkombëtare për paqen në Kosovë, duke i nënshkruar dhe respektuar ato.

Krimet e individëve duhet dënuar, nëse ka fakte, edhe pse kapacitetet e UÇK-së ishin shumë të limituara në përballje me shtetin serb, që kishte trashëguar armatimin e të gjithë shtetit jugosllav. Populli shqiptar ka bërë vetëm luftëra mbrojtëse dhe historia nuk njeh ndonjë luftë pushtuese në asnjë kohë, që mund të ketë bërë populli ynë. Në fakt, historia dokumenton se kemi humbur territore të tëra si Sanxhaku i Nishit, që ishte me gjeografi, më i madh se Kosova e sotme ose krahina e Çamërisë.

Nisur nga këto fakte të lartëpërmenduara, veteranët është dashur të protestojnë, së bashku me qytetarët e Kosovës dhe të detyrohet gjykata të heqë terminologjinë ofenduese, e cila është fyerje për historinë tonë, të rënët, martirët, dëshmorët dhe heronjtë tanë. Gjykata qysh në formulimet e para të akuzës, por edhe tani, kur ka kaluar kaq kohë, që ka nisur funksionimi i saj, pra kjo gjykatë, e quan organizimin tonë për lirinë “ndërmarrje kriminale “.

Veteranët e luftës, për këtë do të duhej të protestonin e jo të organizohen për qëllime tjera, që përkundër rëndësisë që mund të kenë, prapëseprapë janë minore, përballë këtij ofendimi dhe njollosje që i bëhet luftës sonë nga Gjykata Speciale e që në fakt është gjykatë politike, meqenëse ndikimi ruso-sllav ishte i madh që të themelohej një gjykatë e tillë, e siç dihet rusët dhe serbët, asnjëherë nuk ishte pajtuar me një shtet shqiptar e lëre më, me shtetin e dytë, Kosovën.

Sintagma ’’ndërmarrje kriminale’’ në çfarëdo analize që i bën, qoftë gjuhësore, juridike a politike, ka për synim që të kriminalizojë vetë qëlllimin e UÇK-së, pra lirinë tonë e fokusi i tërë shoqërisë sonë, do të duhej të ishte që kjo akuzë, të hidhet poshtë, sa më parë.

Për fat të keq, nuk patëm një reagim të duhur as nga shteti i Kosovës, për këtë është dashur të reagojë me një rezolutë edhe parlamenti i Kosovës si themelues i kësaj gjykate, që në arkivat e tij të mbetet një dokument zyrtar që dënon terminologjinë ofenduese për sakrificën dhe historinë tonë për liri.

Shikuar edhe në aspektin jo vetëm formal-juridik, por edhe në atë politik, Gjykata Speciale e humb kuptimin e vet, sepse është selektive, meqë akuzohen vetëm shqiptarët, po ashtu nuk mund të arsyetohet as moralisht, sepse për krimet eventuale individuale, nëse ka pasur, duhej të penalizoheshin individët, por jo e gjithë struktura udhëheqëse e UÇK-së, ndërkaq në rrafshin historik, do të njollosë luftën tonë të drejtë.

UÇK-ja ishte organizim vullnetar për çlirimin e Kosovës, që në vetvete ishte qëllim human në mbrojtje te popullsisë civile shqiptare nga gjenocidi shtetëror serb.

UÇK-ja është emblema e lirisë sonë!

Filed Under: Politike Tagged With: Lulzim Nika

ME SYRIN E NJË KLLOUNI…

July 11, 2022 by s p

“IN MEMORIAM ARDIAN KLOSI”

– Nga Visar Zhiti-

Kur im vëlla, Ilirjani, më sillte në burg në çdo takim 3-4 librat më të rinj, – i blinte me rrogën e tij të pakët si punëtor ferme, – një herë, kujtoj që pranë ushqimeve që lejoheshin, ishte dhe një libër me autor Heinrich Böll. Gjatë kontrollit polici po mëdyshej të ma jepte, kopertina e zezë, e dyshimtë për të.

– Është botim i Tiranës, i shtetit! –

nuk duroi pa folur Ilirjani, – e ka kontrolluar Partia…

Ishte një nga dimrat më të ashpër të Qafë- Barit. Librin nisa ta lexoj menjëherë, te shkallët, në rresht, mezi prisja ta vazhdoja, kur dilnim nga puna prej skllavi në minierë, në shtrat.

Tre romane të vegjël, në fakt i kishte zvogëluar censura, gjithsesi kishim të bënim me një nobelist gjerman. Në ca fletë gjeta kampet naziste, korin e të burgosurve që i pushkatuan të gjithë. Po ne?…

Më habiti romani “Me syrin e një kllouni”. Mësova dhe përmendësh..

– Përkthim i bukur, – u thashë shokëve që prisnin radhën ta lexonin.

Ardian Klosi ishte përkthyesi, aty e dëgjova së pari. Pastaj më treguan bashkëvuajtës të mi që e njihnin, Linci e kishte patur në klasë, edhe Valeri shok, është djalë ministri, me kulturë, më tregonin. Si janë rrugët e jetës, Linci, edhe pse djalë ministri dhe ai, e sollën në burg me mua, Ardianin do ta çonin me studime në Gjermani, kështu do t’i vazhdonim bisedat…

Pastaj, kur do të binte perandoria komuniste dhe do të na ndodhnin ato që s’kisha guxuar t’i ëndërroja, unë shkoj bashkë me Edën time në Gjermani, në shtëpinë e shkrimtarit Heninrich Böll, me një bursë nga fondacioni që mbante emrin e nobelistit. Me vete kisha dhe librin e tij, atë që lexova në burg. Ia treguam të shoqes së shkrimtarit dhe djalit. Ata e preknin librin me një tjetër ndjesi, kishte qene në burg dhe ai libër…

Pastaj Ardian Klosi e ribotoi të plotë romanin “Me syrin e një kllouni” dhe unë e kam me autografin e tij.

U njohëm si opozitarë, në rrëmujat e gazetës së parë opozitare “RD”, ku ai botoi që në fillim, por edhe shoku i tij, Edi Rama. Më kërkuan dhe mua poezi, Edi, i nxorrën në antologjinë “Quo vadis, Shqipëri”. Ishte botimi i parë ashtu pas burgut. Dhe do të promovonin gjerësisht shkrimtarin e ndaluar dhe të dënuar me burg, Kasëm Trebeshina, etj. Ardiani risolli hijshëm dhe poetin Ali Aslani, etj.

Po lexoja gjithçka që gjeja nga Ardian Klosi, artikuj, libra, përkthimet e shumta, aq shumë cilësorë, thoshim me njëri-tjetrin… si në burg. E çmoja seriozitetin e tij, dijen, gjuhën. Kur botoi komplet prozën e shkurtër të Franz Kafkës, tregime, letërkëmbim, etj, serish kopertina ishte e zezë, e përgëzova në Panairin e Librit në Tiranë, në stendën e tij dhe i thashë që ta mbaronte krejt Kafkën, edhe 3 romanet, ta kishim në shqip prej tij.

– Ashtu mendon? – më pyeti me një ngazëllim të brendshëm, ndjeu vlerësimin e sinqertë.

Kur ai bashkë me Elsa Demon po përgatisnin antologjinë e tregimit modern shqiptar, më kërkuan një tregim dhe mua. U dhashë “E shtuna e qenit”, me mirënjohje.

Takimi i fundit duhet të ketë qenë ai në autobuz, kur ktheheshim nga Prishtina për në Tiranë, unë isha me shkrimtarin Agron Tufa dhe ai me vajzën e tij, që buzëqeshte aq bukur. Foli me mua për takimet në Kosovë, etj, dhe e lamë që të takoheshim sërish…

Ikja e tij e papritur, ajo vetëvrasje ashtu që tronditi dhe botën letrare, më dëshpëroi.

Mes atyre që kishte ndejtur më pak me atë, unë isha ai që e donte më shumë, kështu thashë. E prisnin punë të tjera të mëdha, por gjithsesi la vepra të çmuara, është në mbi 100 botime, tha Drejtori i Bibliotekës Kombëtare Pirro Misha në ekspozitën kushtuar Ardian Klosit.

Mua vazhdon dhe më ngacmon romani i shkëlqyer “Me syrin e një kllouni”. Është vështrimi i guximshëm dhe i pakënaqur yni aty, që më sjell jo vetëm Hejnrich Böll dhe shtëpinë e tij të madhe, tim vëlla dhe burgun, por dhe bashkëvuajtësit që e lexuan me radhë, shokët e Ardian Klosit dhe atë vetë… përkthyes, linguist e albanalog, gjithnjë e më i heshtur, kështu më vjen imazhi i tij, gjithnjë e më fytyrëzbehtë si ata që largohen, por… mbetet Intekektual, i vërtetë, them, disident siç e quajtën miqtë, në Shqipërinë me të përndjekur keqas, shtoj unë, me kundërshtarë të hapur, me martirë e heronj, me shkrimtarë burgjeve, që sikur ashtu vazhdojnë t’i shohin dhe në liri, dhe me poetë të pushkatuar, engjëjt magjepsës të poezisë shqipe.

Mirënjohës dhe atyre, them, që panë thellë nga vuajtja njerëzore, që kuptuan persekutimin tonë, e ndjenë, mbajtën anën tonë dhe bëjnë aq sa mundin…

Filed Under: LETERSI

Çfarë mund të mësojë Kosova nga ngërçi bullgaro-maqedonas?

July 11, 2022 by s p

Hijet e së kaluarës ende po i errësojnë udhët e së ardhmes, dhe për pasojë sovranitetet e disa vendeve të rajonit ende konsiderohen si procese të pambyllura dhe janë pjesë e neogociatave me shtetet fqinje. Pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm, kurse shtetësia e Kosovës mund të mbijetojë edhe pa njohjen nga Serbia. A thua diplomacia amerikane do të imponojë zgjidhjen e duhur, duke e movuar edhe më tepër Brukselin që të jetë më aktiv në tejkalimin e këtyre absurdeve fqinjësore-ballkanike?

Shkruan Mehmet PRISHTINA

Mosmarrëveshjet identitare në mes të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, që po zgjasin tash disa dekada, u shkaktuan nga pasioni për ta shikuar të ardhmën me syzet e së kaluarës. Bullgaria vazhdimisht ka insistuar në qëndrimin mbi rrënjët bullgare të Maqedonisë së sotme, ndërkohë që kjo e fundit ka pretenduar se historia e saj është krejt e ndryshme nga ajo bullgare.

Në kushtet të tilla kur pozicionet e të dyja vendeve kaluan nëpër ekstreme të papajtueshme, ka qenë e vështirë të gjendet një kompromis që do të përafronte qëndrimet e Sofjes dhe Shkupit.

Por më në fund si duket u gjend kompromisi, përmes një dokumenti që erdhi nga presidenca e franceze, që kryesoi BE-në në gjashtë muajt e kaluar.

Kuvendi i RMV-së nëpërmjet një kumtese ka bërë të ditur se ka pranuar nga ana e Qeverisë informacionin për përmbajtjen e propozim kornizës së negocimit për negociatat e aderimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, e propozuar nga ana e Kryesisë së Francës me Këshillin Evropian më 30 qershor të vitit 2022.

Ndërkohë, në Kuvend nesër (e hënë)do të zhvillohet një takim bashkërendues mes shefave të grupeve parlamentare dhe kryeparlamentarit Talat Xhaferi, ku në rend dite pritet të diskutohet edhe informata për propozimin francez, që tashmë ka hyrë në procedurë parlamentare.

Opozita maqedonase dhe shoqata të ndryshme qytetare janë kundër këtij propozimi andaj tanimë për një javë po protestojnë duke theksuar se ky propozim ka si synim bullgarizimin dhe asimilimin e maqedonasve. Edhe sot thirrja për protesta është me moton dhe porosinë e ngjajshme: “Vazhdojmë më masivisht dhe më në numër kundër bullgarizimit dhe asimilimit të hapur. Të bashkohemi nën gjuhën maqedonase që dimë. I bëjmë thirrje çdo familjeje që të shpalosë flamurin maqedonas në ballkonin apo dritaren e tyre, thotë “Ulitmatum, JO faleminderit”.

Pjesa që ka nxitur më së shumti debat është çështja e gjuhës dhe e kaluara historike, e cila është pjesë e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe si e tillë, kjo marrëveshje është e përfshirë edhe në propozimin francez.

Këto janë 7 pikat e propozimit francez:

1. Duke përsëritur konkluzionet e tij të datës 14 dhjetor 2021, Këshilli mirëpret vendosmërinë e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut për të vazhduar agjendën e reformave të Bashkimit Evropian dhe për të ofruar rezultate të dukshme dhe të qëndrueshme.

2. Në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshilli rikujton rëndësinë e arritjes së rezultateve të dukshme dhe zbatimin e marrëveshjeve dypalëshe në mirëbesim, duke përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit me Bullgarinë.

3. Në këtë drejtim, Këshilli mirëpret marrëveshjen për protokollin e takimit të dytë të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar të formuar sipas nenit 12 të kësaj Marrëveshjeje. Ky hap i rëndësishëm do të kontribuojë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit rajonal, të cilat mbeten elemente thelbësore në procesin e zgjerimit, si dhe procesin e stabilizimit dhe asociimit.

4. Gjithashtu, do të mundësojë forcimin e të drejtave të barabarta të pjesëtarëve të pakicave dhe komuniteteve në Maqedoninë e Veriut dhe si të tilla do të kontribuojnë në pajtueshmëri me kriteret politike të Kopenhagës. Në këtë drejtim, Këshilli mirëpret synimin e Maqedonisë së Veriut për t’i filluar me prioritet ndryshimeve në amendamentet përkatëse kushtetuese, me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e kombeve të tjera, si p.sh bullgarët.

5. Marrë parasysh progresin dhe harmonizimin e papenguar në të gjitha zonat e identifikuara nga Këshilli në qershor 2018, Këshilli vendosi të miratojë Kornizën e Negocimit dhe, në përputhje me Metodologjinë e Përmirësuar dhe vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit të marrë më 25 mars 2020, për të mbajtur konferencën politike ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut për të paraqitur hapat e ardhshëm të procesit të zgjerimit, pas miratimit të Kornizës së Negocimit, siç përshkruhet në “Deklaratën hyrëse të BE-së”.

6. Për të përfunduar këtë fazë të hapjes së negociatave të anëtarësimit, Këshilli gjithashtu vendos të thërrasë një tjetër konferencë ndërqeveritare me qëllim që të prezantoj Kornizën Negociuese dhe gjendjen aktuale të punëve përgatitore të kryera nga Komisioni dhe është gati ta mbajë pa vonesa të mëtejshme ose vendime të mëtejshme politike, sapo Maqedonia e Veriut të zbatojë angazhimin e saj për amendamentet kushtetuese të sipërpërmendura, në përputhje me procedurat e brendshme të saj.

7. Në këtë drejtim, Këshilli vëren se Komisioni ka bërë përparim në të punën e tij për zbatimin dhe përfundimin e procesit të shqyrtimit analitik të ligjit të BE-së (acquis) dhe është i gatshëm të prezantojë menjëherë rezultatet e Maqedonisë së Veriut. Bazuar në këtë, Këshilli fton Komisionin që të vazhdojë të vlerësojë shkallën e gatishmërisë së Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave në fusha të caktuara dhe për të identifikuar çështjet që ka të ngjarë të shfaqen në negociata, duke filluar nga grupi themelor, vlera, të cilat, në përputhje me Kornizën Negociuese, do të hapen pasi Maqedonia e Veriut do të përmbushë kriteret përkatëse të dakorduara nga Këshilli.

Nëse bëjmë një analogji me Bullgarinë dhe Maqedoninë, dhe shohim se si janë zhvilluar negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë këtë dekadën e fundit, do të vërejmë se të dy vendet ende janë larg zgjidhjes evropiane të problemit që kanë në mes veti. Më saktësisht, është Serbia ajo që insiston në formula të njëanshme dhe përjashtuese, duke mos pranuar në asnjë mënyrë që kompromisi në me të dy vendeve të arrihet me njohje reciproke. Kundërshtimet kanë ardhur edhe tash së fundmi kur Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë ku thuhet se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohje të ndërsjellë”.

“Raportet me Serbinë duhet të normalizohen përmes marrëveshjes e cila duhet të bazohet në njohjen e ndërsjellë”, tha deputetja gjermane në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, pas miratimit të rezolutës. Kjo është hera e parë që Parlamenti Evropian përmend me një rezolutë njohjen reciproke në kuadër të një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi.

Nëse në rastin e Bullgarisë dhe Maqedonisë kontesti kishte për bazë çështje identitare, në kontestin në mes të Kosovës dhe Serbisë qëndron një kurth tjetër që po mundohet Beogradi ta imponojë. Bëhet fjalë për të ashquajturin “proces i parrumbullaksuar i shtetësisë së Kosovës”, të cilin Serbia po e përdor për të justifikuar pretendimet ndaj Kosovës. Pra, Serbia përpos që nuk e njeh Kosovën si shtet, ajo po bën çmos që të defaktorizojë shtetësinë e saj përmes disa fazave. Fillimisht, duke mos e hequr Kosovën nga Kushtetuta serbe dhe pastaj duke e enkalvizuar atë në vija etnike, ku prezenca serbe do të kishte karakter të shtetësisë së dyfisht brenda territorit të Kosovës. Ky projekt do të arrihej përmes Bashkësisë së komunave me shumicë serbe dhe përmes zonave ekstraterritoriale të kishave e manastireve ortodokse serbe.

Prandaj BE dhe SHBA duhet sa më parë ta kuptojnë prapavinë e këtij kurthi që po mundohet ta imponoj Serbia në negociatat me Kosovën, duke e kushtëzuar atë, madje edhe me sanksione, që procesin euro-integrues ta ketë ngusht të lidhur me qëndrimin ndaj Kosovës.

Kosova nga ana e vet duhet të jetë më aktive në imponimin e së vërtetës karshi opinionit ndërkombëtar, duke e zhveshur Serbinë nga të gjitha argumentet se gjoja shtetësia e Kosovës është e plotë vetëm kur atë ta njeh Beogradi.

Diplomacia e Kosovës duhet të vazhdojë bashkëpunimin me qendrat ndërkombëtare të vendosjes dhe të instistoj në dialog me Serbinë, por njëkohësisht duhet të jetë edhe më e qartë në dikursin e saj publik se pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm, kurse shtetësia e Kosovës mund të mbijetojë edhe pa njohjen nga Serbia.

Nëse kompromisi në mes të Serbisë dhe Kosovës nuk qenka njohja reciproke, atëherë politika vendimarrëse në Bruksel duhet të gjejë një formulë tjetër që do të ofronte një zgjidhje përfundimtare të këtij problemi.

Pas refuzimeve të njëpasnjëshme të krerëve serbë se nuk do të njohin asnjëherë pavarësinë eKosovës, do të ishte diplomatikisht pa sens insistimi që Kosova të heqë dorë nga një pjesë e sovraniteti të saj në favor të drejtave kolektive të serbëve, duke aluduar në Bashkësinë e komunave me shumicë serbe.

Aktualisht në Shkup maqedonasit nuk po e pranojnë dokumentin francez, me arsyetimin se Maqedonia e Veriut në të ardhmen do të hyjë në një proces të bullgarizimit.

Edhe në Beograd krerët serbë po kundërshtojnë thirrjet për njohje reciproke, sepse në këtë mënyrë po mendojnë se do të heqin përgjithmonë dorë nga Kosova.

Fatkeqësisht hijet e së kaluarës ende po i errësojnë udhët e së ardhmes, dhe për pasojë sovranitetet e disa vendeve të rajonit ende konsiderohen si procese të pambyllura dhe janë pjesë e neogociatave me shtetet fqinje.

A thua diplomacia amerikane do të imponojë zgjidhjen e duhur, duke e movuar edhe më tepër Brukselin që të jetë më aktiv në tejkalimin e këtyre absurdeve fqinjësore-ballkanike?

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 50
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT