
Dashamir Shehi
2 Korrik 1990, shënon revoltën ndaj sistemit komunist. Sistemit më të egër dhe shtetit më të izoluar në botë. Mijëra shqiptarë, u dyndën drejt ambasadave, në kërkim të ëndrrës evropiane, për liri, demokraci dhe mirëqënie ekonomike.
Kjo datë, për herë të parë dha mesazhin e forcës qytetare, ku vetë njerëzit, i thanë JO sistemit. Ngjarja e 2 Korrikut, dha shkëndijën e parë se, partia shtet, i kishte orët e numëruara.
Por ku jemi sot? Në vitin 1990, gabuam sepse ndryshimi u bë por kumunistët, nuk ikën kurrë. Bejlerët komunistë, monopolizuan çdo gjë dhe sot pas 32 vitesh, jemi ende në vend numëro.
2 Korriku, është aktual dhe sot, me shqiptarë që emigrojnë nga vendi i tyre. Me shqiptarë që ikin sepse nuk sigurojnë dot të ardhurat në vendin e tyre. Shqiptarë që largohen sepse nëse flet kundër regjimit, persekutohesh dhe mbetesh pa punë. Partia të bën me njollë në biografi!
Shqiptarë që ikin sepse nuk mund të shprehen, nuk mund të ngrihen në karrierë, sepse ngritja funksionon nëpërmjet shërbimit ndaj partisë, servilizmit dhe korrupsionit, dhe jo me meritokraci!
Sot jemi më keq se në vitin 1990. Sot jemi në autokraci dhe shumë larg vlerave perëndimore që aspiroheshin dikur. Më shumë se kurrë, duhet përfshirja e të rinjve në politikë. Të rinj, me vizion për të ardhmen dhe të pakorruptuar nga sistemi. Të rinj, me vullnetin për të ndryshuar dhe për të përmbushur sloganin e vitit 1990, “ E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.





