• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2022

ISTANBUL (1939) / KUR PRESIDENTI TURK ISMET INÖNÜ PRITI PËR NJË VIZITË PRIVATE MBRETIN ZOG DHE MBRETËRESHËN GERALDINË

October 3, 2022 by s p



Nga Aurenc Bebja*, Francë – 2 Tetor 2022

“Istanbul” ka botuar, të premten e 16 qershorit 1939, në ballinë, një shkrim në lidhje me vizitën private të mbretit Zog dhe mbretëreshës Geraldinë te presideni turk Ismet Inönü, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Mbreti Zog u prit nga presidenti i republikës

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Dje, presidenti i republikës Ismet Inönü dhe zonja e tij pritën në Yalova për një vizitë private mbretin e Shqipërisë Zogun dhe mbretëreshën Geraldinë.

Presidenti Ismet Inönü dhe zonja e tij pritën mbretin dhe mbretëreshën për çajin e orës pesë.

Gjatë kthimit të tyre nga Yalova, mbreti dhe mbretëresha vizituan Heybeli Ada-n dhe më pas u kthyen në Stamboll.

Pas pak ditësh ata do të nisen për në Francë.

Filed Under: Kronike

POETI I PËRVUAJTUR LIRIK – DHORI QIRIAZI

October 3, 2022 by s p

In Memoriam (3 janar 1933 – 2 tetor 2009)/

Naum Prifti

Dhori dhe unë ishim nxënës në shkollën Unike të Ersekës. Për shkak të moshës, ai ishte një klasë më poshte se unë, por ne u miqësuam shpejt si bashkëpunëtorë të gazetës së murit të shkollës. Si unë edhe ai vinte çdo ditë nga fshati dhe kthehej pasditeve në shtëpi, në Lëngëzë, një emër krejt shqiptar i një fshati aq të vogël, sa vështirë të gjeje tjetër në Kolonjë. Kishte vetëm tetë a nëntë shtëpi, anash Virkës, një përroi të thellë, ujët e të cilit nuk shteronte kurrë. Shtëpitë ishin në anën veriore që e rrihte dielli dhe po në atë faqe ndodheshin edhe pronat e banoreve, livadhet, arat e kopshtet, pemët dhe kullotat. Lëngëza ishte gjysmë ore nga Erseka ndërsa fshati im, Rehova ishte pak më afër, gati njëzet minuta. Për ne të dy vajtja në shkollë ishte si shëtitje, ndërsa nxënës të tjerë vinin nga dy-tri orë larg çdo ditë, vetëm nga dëshira për të vazhduar shkollën. Qysh në fillim më la mbresë të veçantë bukurshkrimi i Dhorit, një kaligrafi e përkryer, që rrëfente njëherësh kujdesin dhe karakterin e tij, si edhe dashurinë për të bukurën. Dorëshkrimet e tij ngjanin si qendisma, të praruara nga shkronja të rregullta e të bukura, të rradhitura pak sipër vijës fundore.

Edhe pasi kreva shkollën unike, lidhjet me Dhorin i vazhdova me anë të letrave. Ne kishim korrespondencë edhe kur ai shkoi në gjimnazin e Shkodrës. Të dy hymë shpejt në letërsi në vitet ’50, me plejadën e njohur, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Agim Shehu; natyrisht rrugën e nisën edhe plot të rinj të tjerë, shumë prej të cilëve mbetën rrugës. Lirizmi i Dhorit buronte natyrshëm qysh në vëllimin e parë, “Kur zemra rreh së pari,” (1958). Edhe sot më kujtohen vargjet e një vjershe për trokitjen e vjeshtës në anët tona.

Fluturoi një varg me pata,

Mbi zabelet kodrinore,

Ah ju pata, ah ju pata,

Sollët erë prej dëbore…

Si fëmijë ndiqnim fluturimin e koordinuar verijug të këtyre shpendëve nga fillimi i nëntorit dhe e dinim se paralajmëronte stinën e dimrit kur majat e Gramozit do nisnin të vinin kësulën e bardhë të dëborës, por askush nuk e kishte përcjell imazhin me atë lloj përshkrimi në vargje. I tërhequr nga bukuria e tyre, i futa edhe në dramën time fatkeqe “Rrethimi i Bardhë”. Kjo vepër jetëshkurtër u godit direkt nga Enver Hoxha, i cili e mori si kritikë personale.

Lirika dhe Diktatura

Pas diplomimit nga Fakulteti i Gjuhës dhe Letërsisë në Tiranë, Dhori u emërua mësues në gjimnazin e Ersekës. Ai u gëzua se do të ishte pranë mamasë, që mezi e priste se e kishte djalë të vetëm, dhe se do të jepte mësim po në atë shkollë ku ishte edukuar. Shkolla 8-vjeçare asokohe qe graduar gjimnaz dhe titulli profesor qe joshës. Por unë besoj se, për ironi, në çdo cep të atdheut ta kishin hedhur, nuk do të vuante aq shumë sa hoqi në vendlindjen e tij. Edhe pse ishte mësues gjimnazi, Dhorit ia refuzuan strehimin në qytet, për shkak të një udhëzimi idiot sipas të cilit atyre që jetonin në një rreze 5 kilometra nga qyteti nuk u takonte strehim. Ata duhet të vejevinin nga fshatrat e tyre në Ersekë, ndërsa shoferëve të zyrtarëve u jepej menjëherë strehim se shefat i donin pranë, në gatishmëri, sa herë u duhej makina. U deshën shumë vjet që Dhorit t’i jepnin një garsonierë ku jetoi tok me nënën e tij, deri sa u largua për në Tiranë në mesin e viteve ’90. Edhe pse i takonin ligjërisht dy dhoma e një guzhinë, strehimi nuk ia dha, madje Komiteti kurrë nuk ia njohu të drejtën të gëzonte një dhomë si shkrimtar i njohur e poet, ashtu si shumë artistëve të tjerë. Kolonja, djepi i Rilindjes Kombëtare me plot figura të shquara, që nga Papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi, Shahin Kolonja, Themistokli e Telemak Germenji, Sali Butka, Zalo Prodani e plot të tjerë, qeverisej nga njerëz mendjengushtë e dogmatikë, për të cilët kultura ishte e huaj. Shefat e Kolonjës s’kishin pikë dashurie për artin e respektivisht edhe për artistët. Dhori Qiriazin e thërrisnin vetëm kur afronte koha e Festivalit Folkloristik të Gjirokastrës, sepse atëherë duhet të redaktonte tekstet dhe madje disa herë të shkruante vargje popullore pa emër, sikurse qe traditë.

Dhori ishte poet lirik i lindur, i dashuruar me natyrën, me çdo gjë të bukur e njerëzore, por prirja e tij asaj kohe binte pak ndesh me frymën e poezisë militante të kohës, prandaj dashamirët e këshilluan ta ndryshonte paksa drejtimin. Dhori shkrojti poemën “Ushtari,” po edhe aty ai i mbeti besnik vetvetes. Ushtari i tij është aq njerëzor me ndjenja e mendime, një shpirt njeriu që i do të tjerët me thjeshtësi e sinqeritet. Për fat poemën e pëlqyen dhe atij i ranë veshët rehat për disa kohë.

Taksiratet e tij filluan nga një rast fatkeq për të cilin kurrsesi nuk mund të fajësohej. Shumë vonë e kam marr vesh shkakun ose më mirë pretekstin pse autoritetet e rrethit e luftonin Dhorin, e mënjanonin, e përçmonin. Në vitet e parë të çlirimit daiu i tij vrau për motive të ulta një bashkëfshatar dhe për t’ i shpëtuar dënimit, u arratis në Greqi. Refreni: “Ka një dajë të arratisur,” u bë shkak që Dhorin ta shihnin shtrembër, si të prekur, si të deklasuar, pavarësisht se një çunak 12-13 vjeçar as mund ta nxiste dajën, as mund ta pengonte për krimin. I ati i Dhorit kishte emigruar në Australi, që para lufte, më 1938, duke e lënë 5-vjeçar, por kjo nuk qe ndonjë mëkat, sikurse besojnë disa shokë të tij, se kurbeti qe krejt i zakonshëm për shumë familje kolonjare. Shtetet më të preferuara pas viteve ’20 qenë Amerika, Argjentina dhe Australia dhe babai i tij shkoi në Australi pas ndonjë miku a të njohuri që i pagoi rrugën dhe i siguroi punë.

Banesa

Sa herë vija në Ersekë me shërbim ose me lejë, Dhori më ftonte në shtëpi. Mamaja e tij na i sillte ushqimet me tabaka në studion e Dhorit, që shërbente njëkohësisht edhe si dhomë gjumi. Sa herë e përfytyroj, më del përpara një grua e qeshur, e dashur, shpirtmirë, gjithmonë buzëgaz. Me sa duket asaj i ngjante Dhori nga karakteri. Ajo zuri punë në repartin e qilimave, si shumë gra e vajza të tjera. Të djelave dhe ditëve të pushimit në behar shkonte mblidhte sherbelë dhe gollogunga, (kokrra dëllinjash) në pllajat e Kolonjës, të cilat pasi i thante, ia shiste repartit të bimëve mjekësore. Dhori e qortonte të mos mundohej se nuk kishin mbetur për ato pak të holla, por ajo s’e dëgjonte. “Po pse, kur venë shoqet e mia, pse të mos vete dhe unë? Edhe në fshat unë prashisja, korrja, vaditja, mbaja lopën dhëntë…” Garsoniera e tij ishte shumë e ngushtë, por Dhori shpirtmadh e duronte me përvujtni denigrimin, duke e qetësuar veten se edhe kështu kishte mundësi të shkruante poezi e të përkthente. Disa herë unë e ftova për drekë në Rehovë dhe pas buke delnin të dy nga zalli i Ramjes. Më kujtohet se Dhori e pëlqente veçanërisht pllajën e Gramozit, të cilën e krahasonte me një ballkon prej nga soditej bukuria e perëndimit të diellit në malet e Radomit, që mbyllnin luginën nga ana perëndimore. Për Dhorin që jetonte në një gropë pa horizont, kjo pamje qe shlodhëse e frymëzuese. Rrinim bashkë duke soditur diellin e duke biseduar lirisht për çdo temë, për letërsi e politikë pa patur druajtje nga shoshoqi.

Perkthimet

Poeti më i preferuar i tij qe Bërnsi, prandaj i hyri me pasion përkthimit të poezive të liricistit skocez, tek vargjet e të cilit gjente ngjashmëri midis Skocisë dhe Shqipërisë. Më 1998 botoi librin “Poezi” nga Robert Bërnsi. Për fat u gjetën kritikë të huaj që e çmuan punën e tij. Në vitin 2003 qyteti Irvin në Skoci e zgjodhi anëtar të përjetshëm të “Irvine Burns Club,” nder të cilin e meriton plotësisht. Dhori Qiriazi përktheu disa kryevepra nga letërsia botërore. Ai zotëronte mjaft mirë rusishten të cilën e kishte mësuar në fakultet, ndërsa anglishten e mësoi nga etja të zgjeronte kulturën e tij.

Intrigat e Autoriteteve

Do të sjell një shembull për të treguar sa e urrenin autoritetet lokale dhe sa keq e trajtonin. Për ta larguar nga qyteti, sepse pamja e poetit u vriste sytë, e transferojnë në fshat, nga profesor gjimnazi mësues në një shkollë tetëvjeçare. Ishte një goditje e rëndë për prestigjin dhe autoritetin e tij. Dhori e duroi, nuk kishte ç’të bënte. Por edhe transferimi në fshat nuk u mjaftonte skifterëve të Degës së Brendshme. Ata mtonin ta fusnin në burg, ndaj shpikën një skandal të shëmtuar. Mësuesi i urtë, shembull i sjelljes korrekte dhe i maturisë, u akuzua se kishte goditur një nxënës në klasë, sa atij i kishte kulluar gjaku çurg. Skandali u përhap menjëherë dhe vazhdonte histerizmi për ta denoncuar, gjykuar e për ta dënuar. Mirëpo ata që e njihnin karakterin e Dhorit, sapo e dëgjonin “lajmin” rrudhnin buzët, madje hapur pohonin se ajo qe intrigë e kurdisur kundër tij. Dhori nuk vriste një mizë, jo të godiste nxënësit me grushte. Skandali u shua pak nga pak si një re që davaritet në qiell pa lënë gjurmë.

Dhori Qiriazi qe shpirt njeriu me nxënësit madje dhe me ata me korrespondencë që i shihte njëherë në vit, vetëm kur vinin për konsultime a jepnin provime. Në një nga vizitat e mia në muajin maj a qershor më tha të shkonin bashkë në gjimnaz se dikush kishte për të dhënë provim. Gjimnazi qe shumë afër dhe unë e shoqërova me dëshirë. U futëm në klasë, pasi regjistroi emrin e nxënësit, një oficer i ri, Dhori e luti të merrte një pyetje nga letrat që hapi mbi tryezë. Oficeri mori tezën dhe u hoq mënjanë të përgatitej. Dhori më tha të delnim pak jashtë dhe ne dolëm në oborr. Oficeri mbeti vetëm, çka qe kundër rregullores. I kujtova Dhorit se tani oficeri mund të kopjonte dhe ai ma ktheu: “Po unë prandaj dola, ta lë të lirë të kopjojë sa të dojë, se dhe ashtu nuk e di a mund të kalojë.”

Kur Dhori i kërkoi të atit t’i dërgonte një makinë shkrimi që të mos mundohej nëpër zyra duke iu lutur të tjerëve të daktilografonte krijimet e tij, ai zgjodhi një makinë shkrimi të mirë, dhe ia dërgoi nga Australia. Pakoja arriti në Ersekë, por ngjalli zilinë e autoriteteve të rrethit. Në mënyrën më të paskrupullt i thanë se nuk mund t’ia jepnin mbasi qe mjet propagande. Dhori paraqiti argumente se shteti u kishte falur shkrimtarëve makina shkrimi si mjete pune, herë si shpërblime të konkurseve e herë me çmime modeste. Ai u tha se qe gati ta paguante doganën, sa të ishte, veç ta merrte dhuratën nga babai. Nuk e dëgjuan. Makina e shkrimit u rekuizua paturpësisht dhe as dihet ku përfundoi dhe kush e përvetësoi. Dhori as nuk mori mundimin të ankohej, se e dinte që ishte e kotë. Kohë pas kohe ai dhe nëna merrnin edhe ndonjë ndihmë nga mërgimtari i largët, por regjimi e mbante artificialisht ulët vlerën e dollarit amerikan, dhe atë të dollarit australian akoma dhe më ulët, prandaj të hollat që u dërgonte babai s’kishin duk dhe treteshin shumë shpejt.

Babai

Më 1957 im atë u riatdhesua nga Amerika, për shkak se mjeku e këshilloi të kthehej në vendlindje. Mendohej se klima e vendlindjes qe rigjeneruesi më i mirë për shëndetin e të mërguarve. Më kujtohet sa u gëzua mamaja e Dhorit kur e mësoi lajmin. Ajo më tha: “Bëri mirë yt atë që u kthye pranë familjes… Edhe ai imi kot rri atje tani.” Mirëpo fati s’deshi që ajo ta shihte sërish bashkëshortin e saj dhe as Dhori babain e tij. Ai e mblodhi mendjen të kthehej në atdhe, për shkak të mallit për familjen dhe të moshës, sikurse u shkruante në letër. E prisnin me ngazëllim, por kur po gatitej të nisej, e zuri një sëmundje e rëndë dhe vdiq në spital. Ikën dhe kursimet e pakta që kishte mbledhur gjatë viteve. As që dihet kush e si i përvetësoi. U përfol se të hollat shkuan për mjekime e për shpenzime funerali. Dhimbja e tyre nuk qe për paratë, por u mbeti merak që s’mundën të çmalleshin e ta shihnin edhe njëherë.

Dasma

Ismail Kadareja dhe Dritëroi qenë shokët e tij më të ngushtë. Ata e donin dhe disa herë ndërhynë pranë autoriteteve, sikurse dëshmohet edhe nga një letër e Ismailit, dërguar Hekuran Isait, që ta lejonte Dhorin të vizitonte babain në Australi, me shpenzimet e tij, mirëpo qenë përpjekje të pasuksesshme. Mur i pakapërcyeshëm qenë zyrtarët e Kolonjës. Dhori u fejua me një arsimtare nga Kolonja dhe për dasmën ftoi plot shokë e miq, shkrimtarë e artistë nga Tirana dhe qytete të tjera. Më kujtohet se për të shkuar në dasmën e tij Ismail Kadareja, Helena, e shoqja e tij, dhe unë udhëtuam me automjetin e Lidhjes se Shkrimtarëve. Dhori sa nuk fluturonte nga gëzimi. Vizita jonë e nderonte në sy të miqve dhe ca më shumë të kundërshtarëve. Dasma u bë sipas ritit tradicional, me valle, këngë e dolli. E joshur nga bukura koreografike e tyre, Helena u ngrit dhe u fut në një valle kolonjare. Disi e habitur me veten e saj që ia doli mbanë me sukses, se kurrë s’kishte hedhur popullore, tha se ndihej e lumtur. Dhori ishte mirënjohës për ardhjen tonë në dasmë. Do të kishin ardhur edhe më shumë kolegë, por për çudi rruga e Kolonjës u dukej tepër e gjatë dhe e mërzitshme, edhe pse ishte vetëm 45 km. larg nga Korça, vetëm një orë e gjysmë me makinë. Pas diktaturës, Dhori shkroi disa artikuj te “Zëri i Popullit” për tema të kulturës dhe artit. Më inatosi ky veprim aq sa isha gati ta qortoja, por pastaj e kuptova se ai donte t’u thoshte partiakëve se kot e kishin luftuar, mënjanuar dhe goditur, mbasi ai ishte ashtu si kishte qenë, krijues i ndershëm e i palodhshëm. Goditjen e fundit e mori nga Kolonja kur u shpërngul në Tiranë, pranë fëmijëve që vazhdonin shkollat e larta. Dikush ia okupoi shtëpinë duke e shqyer derën dhe iu deshën gjithë ato përpjekje, gjyqe pas gjyqesh, e para për avokatët, që të rifitonte të drejtën e tij ligjore.

Kurora për Dhori Qiriazin

Dhori ishte natyrë e qetë, po njeri me energji të pashterura dhe etikë pune të rrallë. Gjithë jetën krijoi në heshtje, pa u merakosur për çmime, nderime e shpërblime. Përditë vinte në sallën shkencore të Bibliotekës Kombëtare dhe atje punonte me ngulm për veprat e tij origjinale, përkthime, ose studime. Dhori i fali letërsisë shqipe disa kryevepra të letërsisë botërore si dramën “Kufoma e gjallë” të Tolstoit, poezi nga Bërnsi, “Gjauri” dhe “I burgosuri i Shilonit” nga Bajroni, “Libri i Këngëve” nga Petrarka, “Sheshi i Shatrivanit” nga S. Kuazimodo, poemën e Nekrasosvit “Kush jeton mirë në Rusi,” e cila më dukej si aluzion për gjendjen në Shqipëri, edhe një libër studimor për përhapjen e Krishtërimit në Shqipëri. Dhori Qiriazi punoi gjithë jetën me përkushtim, duke lënë pas kujtime të mira dhe krijimtari të vyer, të cilat janë si kurorat që nuk vyshken kurrë.

.

Foto Arkiva Naum Prifti

1. Naum Prifti, Dhori Qiriazi, Dhimiter Lula, Erseke 1964

2. Dhori Qiriazi, Fatos Arapi, Nasi Lera, Naum Prifti, Tirane vitet ‘70

3. Kostaq Kosta, Naum Prifti, Dhori Qiriazi, Erseke 1964

4. Naum Prifti, Dhori Qiriazi, Erseke 1964

Filed Under: Opinion Tagged With: Naum Prifti

Kosova nuk mund të bëhet viktimë e (pa)parashikimeve të gabuara për luftë

October 3, 2022 by s p

Shkruan Mehmet PRISHTINA/

Se sa seriozisht do të trajtohet nga diplomacia botërore viktimizimi serb, mbetet të shihet, por Kososva nuk e ka luksin të ndjehet komode duke pretenduar se ajo dikur ishte viktimë e agresionit serb dhe kështu duhet të ngelë përgjithmonë. Rrethanat gjeopolitike mund të ndryshojnë nga çasti në çast, kurse miqtë e djeshëm jo gjithmonë mund të kenë sensin e mirëkuptimit për të gjitha ankesat e Kosovës.

Presidenti serb Vuçiçi ka zhvilluar një polemikë në distancë me të dërguarin gjerman në Këshillin e Ministrave, Manuel Saraçin duke i thënë këtij të fundit se “nuk do të ketë Kosovë të pavarur ashtu siç e planifikon Berlini”.

Kjo retorikë e Vuçiqit erdhi pas deklaratës së më hershme të diplomatit gjerman sipas të cilit “nuk do të lejohet krijimi i një “Republika Srpska e re” dhe në një moment kur janë shpeshtuar zërat në Bruksel dhe në Washington sa i përket ashpërsimit të sanksioneve ndaj Rusisë pas intervenimit në Ukrainë.

Në anën tjetër, presidenti serb e ka përsëtur qëndrimin se “Beogradi nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë sepse, sipas tij, ajo po lufton për politikën e saj”.

Ende në strukturat udhëheqëse të BE-së nuk ka një politike unike ndaj këtij qëndrimi të Beogradit, ndonëse vëzhgues e analistë të shumtë perendimorë e shohin me brengosje këtë tolerim që i bëhet Serbisë. Kjo edhe për faktin se presidenti rus, Vladimit Putin, të gjitha dështimet në frontin e luftës në Ukrainë do të mundohet t’i kompenzojë në ndonjë aventurë të re në Ballkan, ku Serbia do të ishte sateliti kryesor që do t’i përçonte valët e kësaj aventure. Sepse në Beograd aktualisht janë në pushtet politikanët të cilët dolën nga kapota ushtarake e Millosheviqit dhe ishin protagonistët kryesor të shërbërjes së dhunshme të ish-Jugollavisë, ku Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina e paguan më së shtrenjti koston e kësaj shpërbërjeje. Në rrethana të tilla kur në Serbi nuk ka opozitë, është vështirë të presim reforma politike, prandaj pushteti aktual luan në dy karta, në njërën anë e keqpërdor tolerancën e Perendimit dhe në anën tjetër flirton hapur me Putinin për realizimin e synimeve pansllaviste.

Sa i përket mundësisë së shtrirjes së konflikteve të reja në Ballkan, ku Rusia do të ishte sponzorizuesja kryesore, qëndrimet e diplomatëve dhe analistëve janë të ndara. Disa ndikimin rus e shohin vetëm në planin propagandistik, kurse disa të tjerë janë të prirur të besojnë se Ballkani ende nuk është liruar nga rreziku i përhapjes së konflikteve ushtarake, të nxitura nga Rusia.

Ditë më parë, këshilltari i lartë në Këshillin e Atlantikut, Ian Brzezinski tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, programin në gjuhën serbe, se nga pikëpamja e tij Rusia mund të përpiqet të nxisë probleme në disa zona përreth saj ndërsa nuk përjashtoi mundësinë që presidenti rus Vladimir Putin të përpiqet të nxisë trazira dhe kriza edhe në Ballkan.

“Ka tensione në Ballkan midis grupeve të ndryshme etnike në vende të caktuara, vende të ndryshme kanë tensione me njëra-tjetrën dhe Kosova e Serbia janë një rast klasik. Pastaj ka një paqëndrueshmëri të mundshme ne Bosnjë përbrenda dhe rreth marrëdhënieve më Serbinë. Këto janë raste të dukshme ku ndërhyrja ruse mund të jetë interesante për Putinin si një mënyrë për të nxitur një lloj krize që do të shpërqendronte perëndimin”, tha zoti Brzezinski.

Në valë të njejta është edhe ambasadorja Jennifer Brush, e cila një kohë ka shërbyer në Ballkan, e cila beson se ndikimi më i madh i luftës në Ukrainë mund të shtrihet në Bosnje e Hercegovinë dhe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

“Ato popullata serbe janë nxitur aktivisht nga rusët. Janë zonat e vetme ku mund të keni një poster të Putinit dhe ku Putini ka popullaritet, madje është ndoshta më popullor në Banja Llukë sesa në Moskë”, tha zonja Brush.

Të dy ekspertët e cilësuan të dëmshëm nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërmjet Serbisë dhe Rusisë për “konsultime” të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme. Marrëveshja që u nënshkrua në margjinat e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka shkaktuar reagime të shumta brenda Serbisë, por edhe në nivel ndërkombëtar. Disa përfaqësues evropianë madje janë shprehur se duhet të mendohet edhe për ngrirjen e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE.

Edhe Bashkimi Evropian ka dalur kundër një marrëveshjeje e cila e afron më tepër Serbinë dhe Rusinë. Sipas zëdhënësit të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, kjo marrëveshje erdhi në kohën kur Rusia po vazhdon agresionin ndaj Ukrainës dhe çdo ditë “po e shkel të drejtën ndërkombëtare, forcat e saj po kryejnë krime ndaj civilëve e në pjesë të okupuara të Ukrainës po organizon referendume ilegale”.

Ndërkaq, duke shprehur mospajtimin e saj të hapur, edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon e ka cilësuar një skandal të rëndë marrëveshjen e nënshkruar midis Rusisë dhe Serbisë për “konsultime” të ndërsjellta mbi çështjet e politikës së jashtme. Përmes një postimi në rrjetet sociale, von Cramon thotë se “në mes të luftës në Ukrainë, Serbia nënshkruan marrëveshje me agresorin. Sipas saj, ky është një sinjal për ngrirjen e bisedimeve me Serbinë, pasi hyrja në Bashkimin Evropian nuk kalon përmes Moskës”.

Serbia vazhdon të merr shuplaka edhe nga Washingtoni zyrtar, pas nënshkrimit ë kësaj marrëveshjeje me Rusinë. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se “lajmi për këtë marrëveshje të nënshkruar me Rusinë ishte befasues dhe në kundërshtim të plotë me takimet e tjera konstruktive në Nju Jork me zyrtarët serbë. Përafrimi i mëtejshëm me Rusinë është një hap në drejtimin e gabuar dhe në kundërshtim me aspiratat evropiane të deklaruara të Serbisë”.

Sa i përket pasojave që mund të ketë ky përafrim i Serbisë me Rusinë, nuk është aq vështirë të konstatohet se Kosova vazhdon të mbetet një nga targetetet e aventurave ruso-serbe, ndonëse sipas Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Rusia nuk synon të ketë ndikim te kosovarët ose qeveria e tyre për të përvetësuar ndjenja ose politika pro-ruse, por ndikimi saj bëhet në disa forma të tjera

“Operacionet ruse të ndikimit janë kryesisht të kufizuara te serbët e Kosovës, me lejen e Serbisë, kryesisht për të parandaluar zgjerimin e sovranitetit të Prishtinës në zonat me shumicë serbe dhe lufta më e madhe e Rusisë ndaj Kosovës është pengimi i saj për t’u njohur nga organizata ndërkombëtare”, thuhet në një raport të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).

Këto dhe arsyet tjera kanë detyruar autoritetet në Kosovë që të njoftojnë BE-në, NATO-n dhe SHBA-të se ka sinjale që dëshmojnë për rrezikun e shtrirjes së ndikimit rus në Kosovë. Ky ndikim manifestohet në forma të ndryshme, sidomos kjo vërehet në

në veri të Kosovës, ku në katër komunat me popullatë shumicë serbe, ka organizata të regjistruara në Beograd si OJQ, të cilat angazhohen për “thellimin e bashkëpunimit humanitar dhe forcimit të marrëdhënieve kulturore me Rusinë”.

Kosova me probleme të shumta të pazgjidhura sociale e ekonomike, e ka luks të tepruar të mendojë se është imune ndaj kërcënimeve për destabilitet nga ana e Serbisë? Megjithatë, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të sigurisë nuk besojnë se mund të ketë ndonjë luftë klasike në mes të Kosovës dhe Serbisë, të cilën e ka paralajmëruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në vend të luftës klasike në mes të dy shteteve, mund të ketë luftë diplomatike ose luftë hibride të Serbëve në veri, kanë vlerësuar njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare. Këta të fundit mendojnë se Kurti bën mirë që flet për rrezikun nga lufta, sepe me këtë mund të alarmojë Perendimin që të ndërmerr masa më të ashpra ndaj Serbisë.

“Para pushtimit të Ukrainës mundësitë ishin të vogla, por tani situata ka ndryshuar. Episodi i parë që u shënua në Ukrainë ishte rezultat i idesë së pansllavizmit që ka Kremlini. Nëse do ta kishim një episod të dytë, për shembull në Transnistria, atëherë mundësitë që një luftë e tretë të ndodhte në Ballkanin Perëndimor, e në veçanti në Kosovë, do të jenë të mëdha”, ka deklaruar në një intervistë për gazetën “La Repubblica”, kryeministri Albin Kurti.

Sido që të jetë, Kosova nuk guxon të neglizhojë rrethanat që mund të prodhojnë destabilitet të ri, sidomos në veri të vendit, pasi që edhe në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të Serbisë të vitit 2021, Kosova cilësohet si rreziku kryesor për interesat e Serbisë. Në faqen e 18-të të këtij dokumenti Kosova përshkruhet si “vend i tensionve ndëretnike, si shoqëri e myslimanëve radikalë dhe prej nga projekti i Shqipërisë së Madhe vjen si burim i destabilitetit në rajon”.

Në anën tjetër , Kosova edhe pas katërmbëdhjetë viteve nga shpallja e pavarësisë, nuk ka miratuar në Kuvend një dokument strategjik të sigurisë, ndonëse një draft-strategji e sigurisë 2022-2027, u miratua nga qeveria Kurti më 4 korrik 2022.

Në mungesë të një strategjie kombëtare, Kosova si shtet e ka vështirë të hartojë plane veprimi që determinojnë interesat vitale të shtetit.

Luftërat nuk mund të parashikohen, dhe kjo vlen edhe për Kosovën e cila nuk mund të bëhet viktimë e parashikimeve të gabuara, qoftë të politkanëve, qoftë të ekpertëve të ndyrshëm. Nga historia ka plot shembuj që tregojnë se sa të paparshikueshme janë luftërat. Madje edhe udhëheqës të kalitur botërorë nuk kanë arritur t’i ikin kurtheve që sjell mosparashikimi i luftërave. Kështu, bie fjala, më 30 shtator 1938 u nëshkrua Marrëveshja e Munichut, mes Gjermanisë së Hitlerit, Italisë së Musolinit, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës. Kryeministri britanik Neville Chamberlain u kthye në Londër duke e njoftuar popullin që nuk do të ketë luftë. Por pak pa u mbushur një vit nga kjo marrëveshje, më 3 shtator 1939, ishte po kryeministri Chamberlain dhe kryeministri francez Édouard Daladier, që së bashku kishin vendosur firmat në Munich, ata që i shpallën luftë Gjermanisë, dy ditë pasi Adolf Hitler kishte urdhëruar invadimin e Polonisë më 1 shtatori i vitit 1939, data kur tanket gjermane kaluan kufirin dhe hynë në terrritorin polak, që në histori njihet si fillimi i Luftës së Dytë Botërore.

Kosova dhe Serbia nuk janë në luftë, por vokabulari i politikanëve nuk dallon shumë nga atmosfera dhe psikoza që luftën e ka elementin kryesor të tensionimit të situatës në terren. Nëse i referohemi rrethanave historike, lufta ka qenë produkt i mosmarrëveshjeve në mes të dy e më shumë vendeve. Në rastin e Kosovës, luftërat kishin shënuar bilancin e vdekjeve e dëmtimeve që i kishte shkaktuar Serbia që nga betejat mesjetare e deri në luftën e fundit të vititi 1999. Por në luftën e fundit, Kosova, me ndihmën e aleatëve stategjikë (NATO-SHBA) doli e fituar dhe kjo vazhdon të prodhojë frustrim të pakontrolluar në kokat e politikanëve të pareformuar serbë, të cilët me çdo kusht duan ta kthejnë situatën para vitit 1999. Kjo është edhe arsyeja pse presidenti serb Vuçiç kohëve të fundit e paraqet shtetin e tij si viktimë, duke e akuzuar Kosovën se ajo është fajtore për këtë “pozitë të mjerueshme të Serbisë”.

Se sa seriozisht do të trajtohet nga diplomacia botërore ky viktimizim serb, mbetet të shihet, por Kosova nuk e ka luksin të ndjehet komode duke pretenduar se ajo dikur ishte viktimë e agresionit serb dhe kështu duhet të ngelë përgjithmonë. Rrethanat gjeopolitike mund të ndryshojnë nga çasti në çast, kurse miqtë e djeshëm jo gjithmonë mund të kenë sensin e mirëkuptimit për të gjitha ankesat e Kosovës. Prandaj klasa jonë politike dhe shoqëria në përgjithësi duhet të lirohen nga iluzioni i gabuar se Kosova nuk ka nevojë të ketë strategji mbrojtëse pasi që për këtë po mjaftoka asistenca ushtarake e KFOR-it dhe mekanizmave ndërkombëtare të sigurisë.

Filed Under: Fejton

Shkollimi i të rinjëve nga trevat shqiptare në Kolegjin arbëresh të Shën Adrianit në Shën Mitër të Kalabrisë në Itali

October 3, 2022 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Abstrakt

Pas emigrimit masiv të shqiptarëve në Itali, menjëherë pas pushtimit osman, u krijuan komunitete të arbërve, të cilët ruajtën gjuhën dhe kujtesën e tyre të përkatësisë e të prejardhjes dhe, falë institucioneve fetare e kulturore, rizbuluan rrënjët e tyre. Rol të rëndësishëm në ruajtjen e vetëdijes kombëtare në Shqipërinë e pushtuar nga otomanët ka luajtur Kolegji, i quajtur më pare Korsini, i themeluar në Shën Benedikt Ulano në vitin 1732 dhe transferuar pastaj në abacinë e lashtë baziliane të Shën Adrianit në Shën Mitrin arbëresh në vitin 1794. Rol të madh fitoi Kolegji pas vitit 1736, kur filloi të shkruhej gjuha shqipe dhe sidomos në vitin 1849, kur u themelua Katedra e gjuhës shqipe nën drejtimin e rilindasit të shquar Jeronim De Rada. Lidhjet midis arbëreshëve dhe shqiptarëve nuk u ndërprenë asnjëherë, prandaj shqiptarët i vijuan studimet në këtë Kolegj që nga fillimi i veprimtarisë së tij, për t’u përgatitur si klerikë dhe pastaj edhe si mësues etj. Vetë arbëreshët, menjëherë pas bashkimit të Italisë, i kërkuan qeverisë italiane që të jepte bursa për studentë nga Shqipëria. Në vitin akademik 1903-1904, Kolegji u ngrit në rangun e Institutit Ndërkombëtar Italo-Shqiptar dhe që atëherë numri i studentëve shqiptarë u shtua shumë. Nga bankat e këtij kolegji kanë dalë rreth 100 studentë shqiptarë, që u bënë ndër personalitetet më të shquara të historisë dhe të kulturës sonë kombëtare, disa prej të cilëve shërbyen në Kolegjin e Shën Adrianit si mësues, duke i dhënë atij edhe më shumë karakter mbarëshqiptar.

Fjalë kyçe: Arbëresh, kolegji i Shën Adrianit, arsimi shqip.

Hyrje

Pas pushtimit osman të vendit, një pjesë e shqiptarëve kaluan Adriatikun dhe u vendosën në Itali, ku gjetën një atdhe tjetër por morën me vete gjuhën, traditat dhe zakonet, të cilat i ruajtën ndër shekuj. Nevoja për t’u dalluar nga grekët, i shtyu klerikët intelektualë arbëreshë të vinin në pah veçoritë gjuhësore, fetare dhe kulturore të etnisë së tyre, duke i hapur rrugë çështjes kombëtare që do të lindte në dhjetëvjeçarët më vonë. Përmes shkollës, ata mundën të rizbulojnë lidhjet me vendin e origjinës dhe kurrë nuk i ndërprenë përpjekjet për ta parë atë të lirë dhe të pavarur. Kuvendet fetare të bazilianëve, që frekuentoheshin nga arbëreshët dhe pastaj shkollat ku ata mësuan, u bënë qendra të rëndësishme ku lindën idetë e para të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Shqiptarët e dheut mëmë morën në kolegjet arbëreshe, ndër to dhe në Kolegjin e Shën Adrianit, dije, por edhe mësime atdhedashurie, që ata i mishëruan me vepra gjatë gjithë jetës së tyre. Nga viti në vit, në Kolegjin e Shën Adrianit u formua një brez i shkolluar nga Shqipëria, që fillimisht i përkiste shtresës së klerikëve, por pastaj edhe të laikëve, të cilët u bënë bartësit e ideve të reja atdhetare dhe përpjekjeve për zhvillimin e shoqërisë shqiptare.

Nevoja e arbëreshëve për institucionet e tyre arsimore

Para se të imagjinoheshin si komunitete politike, si “krijesa kulturore” të veçanta, kombet, latinisht “nations”, konceptoheshin deri në fundin e shek. XVIII, kyesisht si komunitete fetare, ku përfshiheshin bashkë popuj të ndryshëm nga ana etnike, por që kishin të njëjtën “çati” fetare ose të njëjtën gjuhë liturgjike, në përdorim në ritet e tyre kishtare, pavarësisht përkatësisë së tyre në kishën katolike apo në atë ortodokse. Pas mërgimit në Itali, ruajtja e fesë së krishterë në traditën bizantine lindore ka qenë për arbëreshët mburoja e vetme politiko-kishtare ndaj politikave asimiluese të ipeshkëve lokalë italianë. Në këtë ndërmarrje, arbëreshët arritën të siguronin edhe përkrahjen objektive të Vatikanit, i cili synonte t‘i paraqiste arbëreshët si shembuj pozitivë të një kishe katolike të bashkuar e universale, për sa i përket strukturës hierarkike, por që ruante edhe karakterin ortodoks në ritet e saj të lashta. Në vitet 1630-1730, në rivierën jonike ishte konsumuar një përpjekje njëshekullore e Papatit, që kishte synuar kthimin në besnikërinë e tij të popullësive ortodokse të Shqipërisë së Poshtëme. Qëndrimi pro-katolik i kryepeshkopëve të Ohrit në veçanti, iu përgjigj dëshirës për të ndjekur një politikë të autonomisë kanonike dhe administrative në lidhje me Patriarkanën e Kostandinopojës. Prelatët katolikë nga ana tjetër, ishin të bindur me këtë institucion, për të zbatuar rezolutat e miratuara në Këshillin e Firences, në të cilat i njiheshin të drejtat, autonomitë tradicionale dhe privilegjet kishës bizantine.

Mirëpo, ndryshe nga disa kisha lindore të tjera që u ndanë nga Patriarku i Fanarit dhe u bashkuan me Papën e Romës e prandaj u quajtën “uniate”, domethënë të bashkuara me Papën, arbëreshët nuk u shkëputën kurrë me një akt zyrtar prej Kishës ortodokse. Institucionet e para arsimore të kishës arbëreshe lindore, ku përfshihen sidomos qendrat formuese të klerikëve të komunitetit arbëresh të Italisë së Jugut, ishin Manastiri bazilian i Munxifsit (it. Mezzojuso), themeluar më 1609 në Siçili; pastaj Seminari arbëresh i Palermos (1734), gjithashtu në Siçili dhe Kolegji Korsini në Shën Benedhit (it. San Benedetto Ullano), themeluar më 1732, që u transferua pastaj në Shën Mitër (1794). Këto dy seminare, përveç kontributit vendimtar që patën për ruajtjen e ritit fetar në traditën byzantine, përfaqësuan dy qendrat kryesore për formimin dhe përgatitjen teologjike dhe kulturore të një pjese të mirë të klerit dhe të inteligjencës arbëreshe deri në fund të shek. të XIX.

Zhvillimi arsimor te arbëreshët është i lidhur gjithmonë me luftën e tyre për t‘u afirmuar si etnitet kulturor dhe për t’i bërë ballë asimilimit nga kultura italiane që i rrethonte. Përmes hapjes së institucioneve arsimore të rëndësishme, që u bënë dhe vatra kulturore, u siguruan komuniteteve arbëreshe në Itali një zhvillim arsimor dhe kulturor.

Nevoja që ndjenin arbëreshët e ritit bizantin, për t‘u çliruar një herë e përgjithmonë prej identifikimit me grekët, nxiti interesin e fortë të intelektualëve dhe klerikëve arbëreshë, fillimisht të Siçilisë dhe pastaj të Kalabrisë, të vinin në pah veçoritë kulturore dhe gjuhësore të etnisë së tyre, duke u quajtur “italo-albanesi”, ndërkohë që grekët e Italisë filluan të quheshin edhe nga kisha “italo-greci”. Italo-shqiptarët që kishin studiuar në Kolegjin e Shën Athanasit në Romë dhe dinin shqip, në çerekun e parë të shek. XVI, erdhën në Shqipëri dhe u angazhuan në shërbimet fetare, por edhe në problemet e shkollimit. Vëmendja u përqendrua te përgatitja e klerit vendës në shkollat jashtë vendit. Megjithatë u mendua për hapjen e shkollave në gjuhët e popujve, ndrë to dhe në shqip. Zhvillimit të arsimit në gjuhën shqipe i dha hov breva papale e Papës Urbani VIII, që mban datën 17 dhjetor 1631, me anë të së cilës u mëkëmb përsëri në Romë kolegji i Shën Bazilit, në të cilin mësuan arbëreshët e ikur në Itali, pas një breve papale të 15 dhjetorit 1745 të Papës Benedikti IV, i cili urdhëroi që të pranoheshin në atë Kolegj edhe shqiptarë prej visesh të tjera. Krahas arbëreshëve, në kolegjet fetare në Itali kishin vazhduar studimet klerikë katolikë shkodranë, mirditorë dhe malësorë, që u njohën me arbëreshët dhe nisën bashkëpunimin me ta.

Kolegji i Shën Adrianit në Shën Mitër të Kalabrisë, vatër e rëndësishme e arsimit shqip

Një kthesë vendimtare në historinë fetare, politike, kulturore dhe civile të arbëreshëve të Italisë shënoi themelimi i dy qendrave arsimore: kolegji “Korsini” në Shën Benedikt (S. Benedeto Ullano), që pastaj u quajt “Shën Adriani” dhe u vendos në Shën Mitër. Në mes të nxënësve arbëreshë, që studionin në Kolegjin e Shën Athanasit në Romë, u shqua Stefan Rodota, bir i një familjeje të përmendur bujare nga Shën Benedikt Ulano, i cili pasi përfundoi studimet në kolegj, nisi ushtrimin e detyrës si klerik. Ai filloi të mendonte për të themeluar edhe në Kalabri një kolegj që do të mund të formonte priftërinjtë e ardhshëm edhe në kolonitë italo-shqiptare, por edhe me synimin që të mund të shërbente për arsimimin e popullatës së kësaj zone. Për këtë qëllim ai iu drejtua me një lutje Papës Klementit XI (papë me origjinë shqiptare, nga fisi Albani), kërkesë që u pëlqye dhe u materializua, duke caktuar për këtë funksion ndërtesën e Badisë në katundin arbëresh të Shën Benedikt Ulanos. Por Papa ndërroi jetë shpejt dhe qëllimi nuk u realizua deri kur në krye të Kishës erdhi një tjetër papë me origjinë shqiptare (nga nëna), Klementi XII me 5 tetor të vitit 1732, i cili me vendim të veçantë shpalli krijimin e Kolegjit, që mori emrin Kolegji italo – grek “Corsini” për nder të tij. Klementi XII siguroi prej thesarit papal shumën prej 12 000 skudesh, prej tyre 396 të arta, me të cilat ngriti Kolegjin.

Interesimi ndaj origjinës së të parëve, i shtyu klerikët arbëreshë të merreshin me vepra të ndryshme historike, folklorike, teologjike për të vënë në dukje identitetin e vet të lashtë dhe për të shënuar distancën‘ e tyre nga grekët, megjithëse i bashkonte me ta i njëjti rit fetar. Autorë si Pietro Pompilio Rodotà, Mikele Bellushi dhe Frangjisk Avati hyjnë në këtë rrymë intelektualësh që patën si pikë referimi dhe disa syresh si qendër formimi Kolegjin Korsini të Shën Benedhitit, që nga viti 1794 u transferua në Manastirin e Shën Adrianit, në Shën Mitër. Transferimi ishte vendosur për shkak se manastiri i Murgjit bazilianë të Shën Adrianit kishin të ardhura më të pasura dhe mund të kishin akomoduar një numër më të madh studentësh, si ata që i drejtoheshin misionit meshtarak, edhe ata të profesioneve të ndryshme. Ky kolegj ndihmoi për formimin e klerikëve të ritit lindor për arbëreshët dhe jo vetëm tek ata. Me krizën e Kishës Lindore, për shkak të dominimit turk në territorin e saj kanonik, Papa Klementi XII, mendoi se mund të kishte në një territor të kontrolluar nga Kisha e Romës një vend formimi për një kler shqipfolës, për të vepruar më mirë në vendin amë dhe për të rivendosur praninë e Kishës Perëndimore atje. Në këtë mënyrë do të ishte e mundur të plotësoheshin nevojat fetare, veçanërisht për jugun e Shqipërisë, veriu ishte i ritit latin dhe i menaxhuar drejtpërdrejt nga Propaganda Fide, për të zhvilluar politikën e ribashkimit me botën ortodokse, që mbështetej nga disa peshkopë të kohës dhe për të zgjeruar praninë e hierarkisë mes katolikëve të ritit bizantin. Për këtë qëllim në jugun e Shqipërisë kanë ardhur misionarë arbëreshë të ritit bizantin. Nga ana tjetër, marrëdhëniet e ndërsjellta të Jugut të Shqipërisë me arbëreshët kanë ndikuar që klerikë të formuar në kolegjet arbëreshe, ndër ta dhe në Kolegjin e Shën Adrianit të ushtronin funksionet e tyre pranë kishave ortodokse në vend, pasi një gjë e tillë nuk paraqiste asnjë problem teologjik.

Drejtor i parë i Kolegjit u emërua Feliçe Rodota, vëllai i Stefanit që mbante njëkohësisht edhe detyrën e Ipeshkvit të krahinës. Ai kishte studiuar së bashku me Papa Klementin XII në Kolegjin e Propagandës së Fesë dhe kishte pasur rastin t’i tregonte gjendjen e mjeruar të klerit italo-shqiptar të ritit grek në zonat me popullsi arbëreshe. Feliçe Rodota u mundua me mish e me shpirt ta fuqizonte institutin, jo vetëm nga ana ekonomike e financiare, por edhe nga ana pedagogjike e arsimore. Fatkeqësisht vdes i ri (në moshën 40 vjeçare), duke i lënë kolegjit gjithë trashëgiminë e tij, së bashku me bibliotekën e pasur. Brenda pak vitesh u pa se kolegji kishte përgatitur një gjeneratë studentësh elitarë, që ra në sy menjëherë në fushë të dijes e të virtytit.

Drejtor i dytë i kolegjit u emërua Imzot Nikola de Markis, nga katundi Lungro, i njohur për kulturën e tij të gjerë, për t’u pasuar më vonë nga Imzot Giacinto Archiopoli, prej Shën Mitër Korones, i cili e drejtoi me sukses këtë institucion për plot 18 vite. Më 1792 kolegjin e udhëhoqi Imzot Francesko Buljari, një njeri i shquar e i njohur për dije të thella e plot cilësi të përshpirtshme, që gjatë gjithë viteve, punoi plot zell e vullnet për përparimin dhe zgjerimin e kolegjit. Kështu, me ndërmjetësinë dhe mbështetjen e miqve dhe të bashkatdhetarëve të vet, Angelo Masci-t (këshilltar shteti aso kohe) dhe Pasquale Baffi-t (i njohur si latinisti më i madh i Evropës), ai arriti të nxjerrë në mars të vitit 1794 një dekret prej Mbretit Ferdinandi IV për ndryshimin e selisë së Kolegjit nga Shën Benedikt Ulano në Mungaden Basiliane të Shën Adrianit, pranë katundit të Shën Mitrit dhe fshatit të Makias, ku gjendet edhe sot e kësaj dite. Me 31 janar 1807, me vendim qeveritar kolegji rifillon punën nën drejtimin e Imzot Domenik Bellushit, nga Franscineto, një njeri me formim të gjithanshëm e mendjehollë, atdhetar e me kulturë të gjerë. Falë përkushtimit e vullnetit të mirë të tij, ai arriti të rigjallëronte kolegjin, duke u orvatur në mënyrë të posaçme për mbarëvajtjen didaktike e mësimore të institutit, me qëllimin e lartë të formonte një “djelmni me kulturë të shëndoshë e me karakter atdhetar të mirë”. Rezultat i kësaj pune ishte formimi i një brezi të denjë, prej të cilit dolën veprimtarë të shquar të Rilindjes italiane dhe edukatorë të brezit të ri, në mes tyre: arbëreshi i madh Jeronim de Rada, Antonio Marchiano (nënkryetar i kolegjit dhe pjesëmarrës aktiv i revolucionit të 1848), Vinçenc Dorsa (profesor i liceut, gjuhëtar, folklorist, shkrimtar e dijetar i njohur), gjeneral Domenik Damisi (një nga bashkëluftëtarët e Garibaldit), Domenik Mauro (poet, kritik letrar, studiues i njohur i Dantes), Paskal Skura (Ministër drejtësie në Napoli në kohën e Garibaldit), Guljelm Tocci (deputet i parlamentit italian e atdhetar i zjarrtë) etj.; të cilët lanë gjurmë të pashlyera në kulturën shqiptare, në lëvizjen garibaldine, por edhe si drejtues të aftë e përfaqësues të arbëreshëve në parlamentin italian.

Pas vdekjes së Bellushit, drejtimin e kolegjit e merr Imzot Gabriel de Marchis, i cili edhe për aq kohë sa shërbeu, u shqua për ruajtjen e origjinalitetit të këtij institucioni. Më pas kolegji vihet nën drejtimin e prof. Anton Marchianoit nga Makji, njeri i ditur e me horizont, mësues i gjuhëve klasike, i cili i dha prestigj të ri kolegjit. Më 1850 kolegji rihapet nën drejtimin e Vinçenc Rodotës, në kushte kur qeveria nuk e shihte me sy të mirë këtë institucion dhe kërkonte ta mbyllte. Më 1854 Mbreti Ferdinandi II jep urdhër që kolegji të mbyllet, me akuzën që “po përgatiste një djelmni kryengritëse”. Ndonëse vendimi nuk u zbatua (pas lutjeve të qeveritarit të vendit, Giuseppe Bellushi, mik i Ferdinandit), përsëri kolegji nuk funksionoi deri më 1858, kohë kur emërohet drejtues Imzot Agostino de Franco, i cili nuk shkëlqeu fort në punë të drejtimit të kolegjit dhe për këtë arsye, në këmbë të tij u vendos Arqipeshkvi i Rossano-s. Për një periudhë të gjatë kohe (gati 25 vjet) Kolegji i Shën Adrianit u drejtua nga Antonio Marchiano, i cili tashmë i ishte përveshur punës në liri të plotë, duke i dhënë një zhvillim edhe më të madh dhe një emër akoma më të mirë atij. Kështu ka ndodhur edhe më pas kur në krye të kolegjit u vu Imzot Zef Skiroi dhe përgjegjës i katedrës së letërsisë shqipe përgjegjës dhe lektor për ligjëratat mbi vjetërsinë e gjuhës shqipe e kombit shqiptar u bë Jeronim de Rada.

Gjatë gjithë shekullit XIX Kolegji ka shënuar një proces progresiv sekularizimi, deri në fund të shekullit, me zvogëlimin e funksionit seminarik, me hapje drejt funksioneve dhe perspektivave të reja. Shekulli i ri, që përkon edhe me ngritjen e vetëdijes sonë kombëtare këtej e përtej detit, do të shënojë edhe një kthesë të dukshme në të mirë të zhvillimit dhe të përvijimit të një fytyre të re të këtij institucioni në të gjithë treguesit, pasi më 1900 drejtues i shkollës (dhe Komisar Mbretëror) u caktua Angelo Scalabrini, i cili u përkujdes dhe arriti që Kolegji të zgjerohet edhe me shkollën normale, që u hap më 1905 dhe pati nxënës vetëm nga Shqipëria. Për këtë qëllim qeveria italiane e asaj kohe akordoi edhe bursa për nxënës shqiptarë të cilët do të formoheshin si mësues të ardhshëm. Kështu, kolegji mori karakter mbarëkombëtar, duke u shndërruar në një qendër kulture, edukimi e arsimimi edhe për djemtë shqiptarë, në një kohë që vendi i tyre ishte nën pushtimin e rëndë e të gjatë osman.

Studentët shqiptarë të Kolegjit të Shën Adrianit

Për të rritur cilësisht punën e tyre, atdhetarët arbëreshë organizuan disa kongrese gjuhësore italo-shqiptare. Në Kongresin e dytë të mbajtur në Lungro të Kalabrisë, në shkurt të vitit 1897, ndër të tjera u vendos nisja e lidhjeve dhe e marrëdhënieve në shkallë të gjërë me mëmëdheun, si dhe dhënia e më shumë bursave përstudime në këtë kolegj studentëve nga Shqipëria. Dy memorandumet që Anselmo Lorecchio i dërgoi Ministrit të Punëve të Jashtme, Giulio Prinetti, në vitin 1902, para së gjithash rikonfirmojnë nevojën gjithnjë e më urgjente që ndihej për t’u ofruar arsim të rinjve shqiptarë: jo një arsim që atyre mund t’u kishin ofruar, institute të tjera që u ngritën në Itali, por një edukim që do të bëhej si në tokën e tyre. Anselmo Lorecchio-s qysh në vitin 1898 kishin kërkuar shndërrimin e Kolegjit në një institut ndërkombëtar, një institucion të vendosur në zemër të botës kulturore arbëreshe, që mund të ishte në favor të Shqipërisë. Lorecchio-s i pëlqen të ndalet në pritjen e veçantë që studentët shqiptarë do të kishin në një kontekst arbëresh, që u bë një lidhje e fortë jo vetëm njerëzore, por në të njëjtën kohë strategjike në perspektivën e politikës së jashtme italiane që po merrte formë në Ballkan. Në një konvikt ku do ta gjenin veten si në shtëpinë e tyre dhe nuk do të vuanin nga nostalgjia e atdheut të largët. Në Shën Mitër, si në Macchian Arbëreshe dhe në shumë fshatra të tjerë fqinjë, ata të rinj do të dëgjonin të flitej gjuha e tyre, do të gjenin zakonet e tyre, do të rrethoheshin nga dashuria vëllazërore. Ata të rinj do të ishin frymëzuesit më efektivë në familjet e tyre në Shqipëri.

Lëvizjen e Rilindjes Kombëtare të Shqipërisë, Lorecchio e bashkon drejtpërdrejt me nevojën e përgatitjes së stafit pedagogjik, që nuk mund të jepej në Shqipëri, për shkak të sundimit turk, dhe për rrjedhojë të kërkohej jashtë vendit, ku mundësia ishte më e madhe dhe kishte kushte logjistike dhe kulturore. Nuk duhet harruar se Lëvizja Kombëtare Shqiptare, e njohur dhe e marrë në konsideratë nga e gjithë Evropa, ishte rritur dhe mbajtur gjallë nga kolonitë në Itali, me anë të studimeve gjuhësore dhe letrare; se te të rinjtë shqiptarë përtej Adriatikut, për një lëvizje të tillë kombëtare, më shumë se kurrë, kishin ndjerë nevojën urgjente për arsim dhe edukim qytetar.

Në vitin akademik 1903-1904 dëshmohet jo vetëm hapja e godinave të ristrukturuara, por edhe zgjerimi i ofertës arsimore të Institutit Ndërkombëtar Italo-Shqiptar. Komisioneri mbretëror Angelo Scalabrini ia arriti ta njësonte diplomën e Kolegjit me gjimnazin (1903), dhe më interesantja, siguroi themelimin e një shkolle normale, për përgatitjen e mësuesve të shkollës fillore, që do ta ushtronin profesionin e tyre në Shqipëri, si dhe të një shkolle teknike të tipit “bujqësor” nga viti 1912 e në vazhdim.

Ndërkohë, kërkesa drejtuar Romës për pranimin e studentëve nga Shqipëria u avancua konkretisht, me dhënien e dymbëdhjetë bursave, nga Ministria e Punëve të Jashtme. Lorecchio, në harmoni me këto nisma ministrore, nuk ngurron të nënvizojë rolin që do të jetë në gjendje të realizojë Instituti Ndërkombëtar i sapolindur në marrëdhëniet e Italisë me Ballkanin dhe në trajnimin e të rinjve shqiptarë, të paarsimuar gjatë sundimit turk, një dominim ende në progres, por në një fazë zbehjeje. Ai i shpreh Ministrit të Jashtëm mundësinë që të zgjedhë Kolegjin e Shën Adrianit si vendin më të përshtatshëm për formimin e të rinjve shqiptarë, si për shkak të afërsisë së Italisë me Shqipërinë, ashtu edhe për shkak se Kolegji ndodhet në qendër të komuniteteve arbëreshe, ku studentët e Shqipërisë gjetën zakone dhe gjuhë të përbashkëta. Edhe nëse institucione të tjera arsimore italiane ishin gati t’u përgjigjeshin të njëjtave kërkesa – mendoni Instituti Ndërkombëtar dhe Kolonial i Torinos apo Shkollën e Lartë të Barit – megjithatë S. Demetrio mirëpriti numrin më të madh të studentëve shqiptarë pikërisht sepse ishte vendi më i përshtatshëm, për traditën e saj shqiptare dhe për rrjedhojë e ngjashme për përkatësinë dhe kulturën me të ftuarit e rinj.

Në fakt, një vit para krijimit të atiij Instituti, vetëm një i ri nga Shkodra e Shqipërisë ishte pranuara në Kolegj dhe në vitin 1898 ishin pranuar dy të tjerë. Arkivi Historik Diplomatik i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë (ASDMAE) ruan një dokumentacion të pasur mbi Kolegjin italo-shqiptar të Shën Mitrit. Dokumentacioni më domethënës gjendet në dosjet 472, 543, 545, 546, 547, 548 dhe sheh zhvillimin e gjithë veprimtarisë proshqiptare në stërvitjen e studentëve të rinj shqiptarë dhe disa ushtarëve që kryenin veprimtarinë e tyre në ushtrinë italiane. stacionuar në Shqipëri. Për të plotësuar nevojat e reja, Kolegji i vjetër italo-shqiptar i kishte shtrirë degët e studimeve në kurset e për mësues fillorje dhe në kurset e bujqësisë, si dhe, natyrisht, në gjimnazin-lice që ishte orientimi kryesor i tij. Dokumentet në fjalë ofrojnë edhe mundësinë për të ndjekur theksimin e veprimtarisë së Institutit Ndërkombëtar të Shën Dhimitrit Kurora sidomos pas shpalljes, në Vlorë, të pavarësisë së Shqipërisë, në fazën e rindërtimit të strukturës kombëtare shqiptare, pas pesë shekujve të sundimit turk dhe në emër të aspiratave të Italisë në Ballkan dhe veçanërisht në Shqipëri. Në fillim pritën të rinj nga Shkodra, por më vonë studentë erdhën kryesisht nga Valona dhe Gjirokastra, dy zona ku prezenca ushtarake italiane ishte më e madhe. Së fundi, dokumentacioni na jep një pamje të situates të arsimit në zonat e Vlorës dhe të Gjirokastrës, nga ku del, përtej çdo problemi të natyrës politike, urgjenca që të dy zonat paralajmëruan për ngritjen e shkollave fillore, si dhe në qendra të mëdha, veçanërisht në qytete dhe zona rurale. Dokumentacioni në kohë i Arkivit të Ministrisë së Punëve Italiane na ofron informacion të detajuar për studentët dhe vendet e tyre të origjinës. Nxënësit e parë shqiptarë të regjistruar në vitin shkollor 1904-1905 janë gjithsej shtatë, nga të cilët pesë nga Shkodra Kolë Kamsì, Luigj Kodheli, Zef Kurti, Lazër Prenushi dhe Pjetër Troshani; një nga Durrësi, Naun Avrami; dhe i shtati nga Berati, Vasko Panajota, i cili ndoqi për tre vjet shkollën normale. Të gjithë ishin me bursa studimi nga Ministria e Jashtme Italiane.

Pas pavarësisë së Shqipërisë për nevojat ekonomike, si dhe për urgjencën e zhvillimit të arsimit fillor, për të zbutur plagën e madhe të analfabetizmit.

Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore krijoi edhe më shumë vështirësi, si rezultat i të cilave u zgjerua hapësira e ndërhyrjes për shtetet tashmë të pranishme në Shqipëri. “Scuola Normale”, aneksuar në Kolegjin e Shën Dhimitrit, filloi të mirëpresë edhe studentët ushtarakë shqiptarë, të cilët shërbenin në ushtrinë italiane, të vendosur në zonat e Vlorës dhe Gjirokastrës, si dhe studentë që dëshironin të ndiqnin një kurs të përshpejtuar dhe më pas të ktheheshin në vendlindje për të kryer profesionin e mësuesit fillor, për të cilët kishte nevojë urgjente, si në zonat urbane, ashtu edhe në ato rurale. Dr. Luigi Bocconi, drejtor i përgjithshëm i shkollave italiane jashtë vendit, në vitin 1918 në një memo për Kolegjin Italo-Shqiptar të Shën Mitrit argumenton se

nxënësit e Kolegjit u rritën ndjeshëm, shumica e të cilëve me bursa studimi nga Ministria e Punëve të Jashtme, kështu që atë vit Kolegji kishte rreth 200 konviktorë, nga të cilët 50 ishin shqiptarë. Këtyre duhen shtuar edhe rreth 30 nënoficerë shqiptarë, që me shpenzimet e Ministrisë së Luftës kryenin atje studime master.

Në vitin 1919, në fund të Luftës së Parë Botërore, njëqind studentë të Kolegjit të Shën Mitrit, mblidhen në kuvend publik dhe pasi kishin shprehur një gjykim plotësisht të kënaqshëm për punën e Institutit Ndërkombëtar, formuluan një memorandum për të nderuarin Sidney Sonnino, Ministër i Jashtëm i Italisë, me kërkesën për kalimin e Institutit Ndërkombëtar Italo-Shqiptar nën autoritetin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, pra laicizimin e plotë të tij, i kuptuar si shkëputje nga funksioni fetar, që kishte kryer në të shkuarën. Shkëputja nga funksioni fetar ishte justifikuar, se në vitin 1919, ishte krijuar një eparki e veçantë për arbëreshët e Italisë kontinentale.

Nga nënshkrimet në një apel, që studentët shqiptarë të Institutit Ndërkombëtar të Shën Mitrit i kishin drejtuar Sidney Sonnino, Ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, duket se në vitin 1918 këta kishin arritur një numër shumë më të madh. Këtu po I japim emrat siç janë, por nga mënyra e paarqitjes së tyre, emrat e studentëve shqiptarë janë lehtësisht të dallueshëm nga ata arbëreshë. Ja emrat e tyre: 1. Ymer Fortuzi; 2.Ëngjëll Pogu; 3. Fazio Oreste; 4. Filip Gjoni; 5. Vasil Ziu, 6. Kristo Zeza, 7. Hasan Rama, 8. Françesco Chodi, 9. Francesco Rizzuti, 10.Hajredin Plaku; 11. Llazar Margariti; 12. Dhimitër Bojaxhi; 13. Vincenso Giudissi; 14. Vincenco Becei; 15. Rafaele Tarsia; 16. Haxhi Fortuzi; 17. Negimadri Chiorilli; 18. Xhiani Panariti; 19. Ali Shukriu; 20. Muharrem Shefiku; 21. Fasli Carçani; 22. Ramiz Varvarizza; 23. Daniele Hagia; 24. Stairo Zizo; 25. Irfan Driza; 26. Vangel Samarxhi; 27. Gjon Beci; 28. Ismail Baluza; 29. Ali Fehmi Nidai; 30. Themistokle Sganga; 31. Mario Bebechi; 32. Francesco Conir; 33. Cosmo Minisci; 34. Gjergj Mefa; 35. Pandeli Gjika; 36. Spiridon Stringoperi; 37. Eqrem Mustafà; 38. Costantin N. Kolèa; 39. Armando Elmo; 40. Giuseppe Chiodi; 41. Asllan Merlika; 42. Nikollë Nikolla, 43. Shuaip Mersini; 44. Harallamb Gerza; 45. Pashk Kuqi; 46. Mario Marini; 47. Artur Nositi; 48. Shezai Nota; 49. Hysen Nota; 50. Ismail Tartari; 51. Giuseppe Mendicini; 52. Salvadore Mendicini; 53. Domenico Grisolia; 54. Vincenzo Campolongo; 55. Davide Gradilone; 56. Francesco Pagliaro; 57. Bloise Francesco; 58. Loricchio Angiolino; 59. Vlash Naca; 60. Emin Hora; 61. Battista Puppio; 62. Ieno Gennarini; 63. Gallo Maria Giuseppa; 64. Lina Mazziotti; 65. Orest Stafa; 66. Loli Tino; 67. Silvia D’Amico; 68. Maria Solano; 69. Giuseppina Prezzo; 70. Asllan M. Nevaj; 71. Rami Budo; 72. Pasquale Radivia; 73. Raghilo Qorelì; 74. Izet Haliti; 75. Qazim Merlika; 76. Mustafa Zihniu; 77. Behxhet Kosova; 78. Gjergj Kola; 79. Arturo Grandinetti; 80. Pandeli Skrami; 81. Qazim Nekiu; 82. Alfons Kuqi; 83.

Kadri Boshi; 84. Anton Deda; 85. Shtjefën Gazulli; 86. Tito Scrame; 87. Halit Ballhysa; 88. Mustafa Hasani; 89. Jak Kodheli; 90. Reshat Asllani; 91. Asim Hiuer; 92. Rasim Hamrasaj; 93. Ali Gjoni; 94. Xhelal Haska; 95. Ismail Taçi; 96. Adem Gjomeneli; 97. Shefqet Lelkupa; 98. Galip Sadullà; 99. Ahmed Xhemali; 100. Suad Asllan Nepravishta. Nga shqyrtimi rezulton se më shumë se gjysma e tyre janë nga Shqipëria.

Në vitin 1922, në adresë të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë kishte ardhur një listë e studentëve debitorë, prej atyre që i paguan vetë ushqimin dhe strehimin, të cilët ishin: dy vëllezërit Qoraliu; dy vëllezërit Fortuzi dhe dy vëllezërit Toptani, të gjithë nga Tirana; Shezai Nota dhe MIhal Zaka nga Vlora; Ramo Hasani, Skënder Muço, Yzeir Ismaili dhe Shuaip Mersini nga Tragjasi i Vlorës, Shenasi Dëshnica nga Korça etj Nisur nga numri i konsiderueshëm i debitorëve dhe duke ditur se ata zinin një pjesë të vogël të numrit të studentëve që vazhdonin studimet atje, del se numri i studentëve kishte qenë i madh.

Kolegji i Shën Adrianit, pikërisht në kohë të vështira e të turbullta për Shqipërinë, shërbeu si qendër kulture e edukimi për rininë shqiptare. Që prej vitit 1898 deri më 1919, aty ndoqën mësimet mbi njëqind intelektualë shqiptarë, të cilët u bënë veprimtarë entuziastë në shërbim të atdheut e të arsimit kombëtar. Nga bankat e këtij kolegji, kanë dalë 100 djemtë rinj shqiptar të cilët i shërbyen atdheut më entuziazëm dhe devotshmëri. Gjatë regjimit fashist, ndonëse në masë më të vogël, Kolegji i Shën Adrianit vijoi të luante një rol të rëndësishëm në formimin e elitës së re shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX. Përmendim personalitete të rëndësishme si gjuhëtari Kostaq Cipo apo Spiro Koleca. Fluksi i nxënësve shqiptarë në kolegj vijoi deri në vitet 40, deri në rënien e regjimit fashist. Gjuha shqipe nuk u hoq nga programet mësimore të liceut shtetëror të Shën Mitrit, krahas hapjes të katedrave universitare të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Palermo (1932) dhe në Romë (1939).

Ndër studentët shqiptarë të këtij Kolegji, katër prej tyre kanë qenë Ministra të Arsimit: Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipo dhe Sejfulla Malëshova; Ministër i Tokave të Lirueme, diplomati Tahir Shtylla(1941-1942); Deputeti i Parlamentit Shqiptar Avni Rustemi, avokati shqiptar Suad Asllani; pedagogu dhe drejtuesi i disa prej gjimnazeve dhe liceve më të shquara në vend, Kolë Kamsi; drejtori i shkollës së mesme pedagogjike “Luigj Gurakuqi” Elbasan dhe më vonë pedagogu Ziaudin Kodra; Beqir Sinani, mësues dhe pedagog, disa vjet drejtor drejtorie në Ministrinë e Arsimit etj. Janë dekoruar me titullin Hero i Popullit Avni Rustemi, Luigj Gurakuqi; me titullin “Mësues i Popullit”: Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Ibrahim Kushta. Nga bankat e Kolegjit të Shën Adrianit kanë dalë studiues të njohur, pedagogë e didaktë, hartues tekstesh shkollore, gjuhtarë, përkthyes, si dhe shkrimtarë të shquar, duke bërë që kontributi i këtij institucioni për vendin amë të jetë shumë i madh.

Mësuesit shqiptarë të Kolegjit të Shën Mitër Korone

Kalimi i disa brezave të studentëve nga Shqipëria, forcimi i lidhjeve midis diasporës arbëreshe dhe vendit amë, jeta e përbashkët në Kolegj etj. bënë të mundur që intelektualët e shquar shqiptarë ta shohin Kolegjin si shtëpinë e tyre. Nuk është rastësi që disa nga studentët më të shquar, por edhe intelektualë të tjerë nga Shqipëria u bënë mësues atje. Ideatori i përfshirjes së shqiptarëve në trupën arsimore të Kolegjit u dha nga rilindasi i shquar Anselmo Lorecchio. Në memorandumin drejtuar Ministrit të Punëve të Jashtme Prinetti, Loregchio rekomandon si profesor priftin e Shkodrës Dom Gaspër Jakovën, i cili kishte shprehur dëshirën për të punuar si mësues në Kolegjin e Shën Mitrit. Duhet theksuar se kleri katolik i Shkodrës, dhe mbi të gjitha jezuitët që punonin atje, ishin pro-austriak, ashtu si edhe vetë Dom Gaspri. Lorecchio, duke mbrojtur kërkesën e priftit Jakova, beson se kjo nismë mund të kishte avantazheve edhe në kuadrin e strategjisë që synonte të tërhiqte simpatitë e hierarkisë kishtare në Shqipëri, deri atëherë e zhvendosur shumë drejt Austrisë, në favor të politikës italiane. Kështu, Dom Gaspër Jakova pasoi Jeronim De Radën si mësues i gjuhës shqipe dhe pas tij vazhduan profesorë të ndryshëm nga Shqipëria: Aleksandër Xhuvani, i Elbasanit (1906-1909), Kol Martinaj i Shkodrës ( 1909 -1914), Mehdi bej Frashëri (1915-1918) e më pas Hamdi Karasi (1919-1920), të gjithë figura të shquara të arsimit tonë kombëtar. Lëndën e gjuhës shqipe e mbajtën pra në vijimësi professor nga Shqipëria dhe kjo kishte të bënte dhe me mësimin nga ana e studentëve të gjuhës që flitej në Shqipëri. Gjithashtu Luigj Gurakuqi i Shkodrës, një figurë e vlefshme politike e dy dekadat e para të shekullit, disa herë ministër, studioi në Kolegj ndërkombëtar dhe dha mësime të gjuhës shqipe. Prania e pedagogëve shqiptarë në Kolegjin e Shën Mitrit ishti bërë shkak për ardhjen nga Shqipëria të një numri gjithnjë e më të madh studentësh.

Më poshtë po japim disa të dhëna të shkurtëra rreth veprimtarisë pedagogjike të pedagogëve shqiptarë të gjuhës shqipe që punuan në Kolegjin e Shën Adrianit:

Gaspër Jakova-Mërturi ka lindur në Shkodër në vitin 1870, dhe mësimet fillore e të mesme, ashtu edhe theologjinë i kreu në shkollën e jezuitëve. E filloi punën si klerik dhe në vitin shkollor 1903-1904 punoi si profesor i gjuhës shqipe në Kolegjin e Shën Mitrit. Po në këtë vit u botua libri i tij me titullin “Gramatica della lingua albanese” prej 217 faqesh. Ka botur shumë artikuj me përmbajtje të ndryshme, sidomos historike, nëpër fletoret e të përkohshmet e kohës së vet. Shkroi edhe poezi.

Luigj Gurakuqi shkrimtar dhe figurë politike madhore e Rilindjes në Shqipërinë veriore. Lindur më 19 shkurt 1879, Gurakuqi ndoqi studimet në Kolegjin Saverian të drejtuar nga jezuitët në Shkodrën e tij të lindjes, një nga shkollat më të mira në vend asokohe. I nxitur nga mësuesit e tij Anton Xanoni (1862-1915) dhe Gaspër Jakova Merturi (1870-1941) ai nisi të shkruajë poezi në italishte, latinishte dhe shqipe, këto të fundit të botuara në revistën jezuite të kulturës fetare Elçija i Zemers t’Jezu Krisctit. Më 1897 vajti në Itali për studime në kolegjin italo-shqiptar të Shën Mitrit nën drejtimin e Jeronim De Radës (1814-1903), i cili do të ushtronte një ndikim të fortë mbi të. Ai gjithashtu studioi për mjekësi tre vjet në Napoli, por interesimet e tij kryesore ishin shkencat natyrore dhe shoqërore. Në Napoli ra në kontakt me figura politike dhe letrare arbëreshe si studiuesi Zef Skiro (1865-1927) dhe bashkëpunoi me organet periodike arbëreshe La Nazione albanese (Kombi shqiptar) i botuar nga Anselmo Lorekio dhe La nuova Albania (Shqipëria e re) botuar nga Xhenaro Lusi (Gennaro Lusi). Po në Napoli Luigj Gurakuqi botoi tekste shkollore për shkollat shqipe. Gjatë qëndrimit në Shën Mitër, ai u angazhua si mësues. Pas vitit 1908 dhe derisa u vra në vitin 1925 iu kushtua me të gjitha forcat çështjes shqiptare. Robert Elsie, Histori e letërsisë shqiptare, Tiranë 1997, f.138.

Nikollë Martin Camaj qe një njeri i kulturuar, profesor i gjuhës shqipe në Kolegjin e Shën Adrianit të Shën Mitrit në vitin 1911-1912. Mbante gradën shkencore doktor.

Mehdi bej Frashëri lindi në Frashër me 28 shkurt 1872. Mehdiu ndoqi një shkollë private në Janinë dhe më pas në idadijen e Manastirit, para se të fitonte të drejtën e studimit për në Shkollën Civile të Administratës Mbretërore “Mylkie-i-Sehahané” në Stamboll për Shkenca Politike-Administrative, ku u diplomua në vitin 1897. Punoi si zyrtar osman dhe pas shpalljes së paavbrësisë së Shqipërisë u angazhua në disa funksione të larta në administratën shqiptare. Qe kryetar bashkie, prefekt, ministër, kryeministër dhe në periudhën e pushtimit gjerman kryetar i Këshillit të Regjencës. Në mars të vitit 1915 kur po kthehej për në Shqipëri, qe shterguar të ndalej në Bari të Italisë dhe prej këtu shkoi në Kalabri, ku punoi si profesor i gjuhës shqipe në Kolegjin e Shën Adrianit të Shën Mitër, nga viti 1915 -1918.

Aleksandër Xhuvani lindi në qytetin e Elbasanit në vitin 1880. Pas mësimeve të para në vendlindje, nga viti 1903-1906 kreu studimet në Kolegjin e Shën Mitrit në Kalabri. Nga viti 1906-1909 qe profesor i gjuhës shqipe në atë Kolegj. U diplomua në Universitetin e Athinës në degën e filologjisë. Në vitin 1909 së bashku me Luigj Gurakuqin hapi shkollën e parë Normale në qytetin e Elbasanit. Ishte njëri ndër pionierët e arsimit tonë kombëtar, Ministrë i Arsimit në vitin 1921. Hartoi nji seri veprash gjuhësore e pedagogjike si: “Libri i gjuhës shqipe” (1924), “Njohuritë e para të sintaksit shqip” (1925); Fillimet pedagogjike” (1926); i Filologjisë” (1933), etj. Qe bashkautor i librit “Fillimet e stilistikes dhe të letërsisë”; “Bota shqiptare” shkurt 1943, bashkautor me Eqrem Çabejn, Karl Gurakuqin. Kolë Kamsin. Shkroi në revista periodike si: “Albania”, “Dielli”, “Skreptima”, “Kopshti Letrar”, “Illyria”,etj.

Të gjithë profesorët shqiptarë që dhanë mësnim në Kolegjin e Shën Adrianit kanë kontribute të spikatura në historinë e arsimit tonë kombëtar.

Burimet dhe literatura

Burime arkivore

AQSH-Arkivi Qëndror Shtetëror i Republikës së Shqipërisë

Literatura

– Altimari, Francesco. “Napoli, vatër e rëndësishme e rilindjes arbëreshe dhe shqiptare(shek.XVIII-XIX)”, në Seminari XXXIII Ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, 33/1, Prishtinë, 18-30 gusht 2014.

– Altimari, Francesco. “Arbëreshë d’Italia per la rinascita dell’Albania tra XVIII e XIX secolo: parallelismi con altre diaspore di area italo-balcanica”, https://www.academia.edu/24927912/ GLI_ARBERESHE_ DITALIA_PER_LA_ RINASCITA_ DELLALBANIA_ PARALLELISMI_ IN_AREA_BALCANICA.

– Cimbalo, Giovanni”Il ruolo degli arbëreshë nella messa a punto del modello Albanese di rapporti tra le comunità religiose e lo Stato”, Rivista telematica (ëëë.statoechiese.it), n. 17/2014.

– Falcetta, Angela. Ortodossi nel Mediterraneo cattolico: Comunità di rito greco nell’Italia del Settecento, Università degli Studi di Padova.

– Haxhi, Artan, Topalli, Tefë. “Kolegji i Shën Adrianit vatër dije, Roli i Kolegjit të Shën Adrianit në marrëdhëniet shqiptaro-arbëreshe”, arbëreshët dhe lidhjet italo-shqiptare, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Instituti i Studimeve Albanologjike, Studime shqiptare 20, Shkodër, 2013.

– Hylli i Dritës Nr.4, Shkodër 1921, f.163.

– Kamsi, Kolë. Shqiptarët e Italisë, Phoenix, Shkodër 2006.

– Koliqi, Hajrullah. Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, Prishtinë 2002.

– Skëndi, Stavro. Zgjimi kombëtar shqiptar, 1878-1912, Shtëpia e librit dhe e komunikimit, Tiranë 2000.

– Meksi, Aleksandër. Kostaq Cipo, gjuhëtari dhe themeluesi i Arsimit të Lartë në Shqipëri, http://www.aleksandermeksi.al/kostaq-cipo-gjuhetari-dhe…/

– Tare, Denisa. Arbëreshët e Italisë dhe çështja shqiptare (Rilindja), disertacion, Fakulteti i Histori-Filologjisë, Tiranë 2016.

– are, Denisa. “Kolegjet arsimore arbëreshe”, Revista Albanon, 2(2), 2021.

– Vaccaro, Attilio. “Il pontifi cio Collegio Corsini: presidio di civiltà e ortodossia per gli albanesi di Calabria”, Hylli i Dritës Nr.3, 2008.

– Xhufi, Pëllumb. “Dukuri të shkollës dhe të gjuhës në Shqipërinë e Poshtëme(shek.XIV-XVIII)”, në Shkollat shqipe në trevat shqiptare në shekujt XVI-XVIII, Enti botues “Gjergj Fishta”, Tiranë 2013.

Filed Under: ESSE Tagged With: Nikolle Loka

Fillimi i kthesës historike

October 3, 2022 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Kujtojmë heroizmin e studentëve, profesorëve dhe qytetarëve te guximshëm te protestës së 1 tetorit 1997.

Siç e përshkruan ngjarjen një artikull i New York Times nga viti 1998, “data e 1 tetorit 1997, shënoi një ndryshim rrënjësor në politikën e Kosovës,… pasi që u largua tymi dhe gazi, ishte e qartë që diçka te shqiptarët kishte ndryshuar në mënyrë dramatike. Barriera e frikës ishte ulur.”

Me protestat e studentëve, grupet e para të armatosura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë filluan të sfidonin shtetin serb ushtarakisht. Ato filluan një betejë kundër regjimit represiv kriminel serb drejt ndërtimit të mirëfilltë të Republikës së Kosovës, që deri në atë kohë kishte ekzistuar vetëm një sistem qeverisjeje paralele që kishte fituar betejën për mbijetesën e arsimit në Kosovë.

Dekada përfundoi me luftën e lavdishme të UÇK-së dhe ndihmën e aleatëve perëndimorë, që i dha fund gjenocidit shtetëror serb në Kosovë, që falë sakrificës së shumë brezave, Kosova, sot gëzon lirinë!

Jam krenar që isha pjesë e këtij fillimi të historisë sonë të lavdishme që kulmoi me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT